• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2023

Bisedë me zonjushën Ballina Prishtina bijë e Gjuhës Shqipe në UPENN

November 4, 2023 by s p

Bisedoi Keze Kozeta Zylo/

Gjuhën Shqipe unë doja që ta shihja të gjallë e për shumë vite të tjera, të dokumentuar në arkivat historikë të Universitetit tonë, si një gjuhë që këmbëngul në një komb të qëndresës”.  B.P.

Ngjarja e cila ka ngelur thellë në mëndjen time si një fëmijë pesë vjeç ishte pjesëmarrja ime në rivarrimin e gjyshit tim nga mami dhe 15 anëtarëve të familjes së tij, Mirena (1999). Ata u morën me dhunë nga shtëpitë e tyre, eshtrat e tyre u gjetën në një varrezë massive ne Serbi…

Zonjusha Ballina Prishtina është inisiatore e mësimit të Gjuhës Shqipe duke e futur në programin e Universitetit të Pennsilvanisë si lëndë mësimore.  Si një studente e këtij universiteti ndër më të mirët në Amerikë, ajo arriti të realizojë ëndrrën e saj pas shumë përpjekjesh dhe të na bëj krenar të gjithëve.

Ju ftoj të lexoni bisedën më poshtë:

Zonjusha Ballina Prishtina që më emocionon pamasë me emrin dhe mbiemrin tënd aq të bukur dhe domethënës na tregoni ju lutem përpjekjet tuaja, mundimet dhe realizimin e kësaj ëndrre me sukses për të gjithë shqiptarët në Amerikë dhe më gjerë?

Faleminderit për mundësinë që më dhatë, është kënaqësi dhe privilegj të jap këtë intervistë për gazetën Dielli dhe Illyria. Identitetin e njeriut e njohim nga emri e mbiemri i tij. Kjo ishte motoja e babit tim që ma vuri këtë emër. Uroj që të jetë një frymëzim për prindërit e rinj që t’i pagëzojnë me emra shqip e domethënës fëmijët e tyre, që ta ruajmë identitetin kombëtar ndër breza e shekuj…   

Fillimisht, UPenn si universitet obligon çdo student të marrë një gjuhë të huaj. Në qoftë se studentët tani kanë njohuri në një gjuhë të huaj, ata mund të testohen dhe t’i ikin këtij obligimi. Unë vendosa të mos testohem për gjuhën shqipe, dhe zgjodha gjuhën frënge si gjuhë të huaj. Kur pashë listën e ofruar nga universiteti, ishte një listë e gjërë që përfshinte gjuhë të folura nga miliona njerëzish, sikurse gjuha frënge, italiane, spanjolle, kineze, apo edhe ruse, mirëpo kishte edhe gjuhë që janë më pak të folura ndërkombëtarisht, sikurse gjuha greke, çeke, apo edhe ajo turke. Mendova dhe thash me vete, nëse ofrohen gjithë këto gjuhë të huaja, pse mos të figurojë në këtë listë gjuha jonë shqipe, që posedon një trung të vetëm në hartën e gjuhëve të botës, që nuk përmban asnjë lidhje me ndonjë gjuhë tjetër, e që daton si gjuhë e lashtë dhe iu vu ballë okupimeve mijë-vjeçare. Në ato momente kujtova një thënje të mamit tim që shumë shpeshë ma thotë, “If you don’t ask, the answer is always no,” dhe vendosa të pyes se cilat ishin mundësitë. 

Unë kur kontaktova administratën me idenë që gjuha shqipe të jetë e përfshirë në listën e gjuhëve të ofrurara përgjatë vitit të rregullt akademik, ata pyetën nëse unë po mendoja për një klasë fillestare apo të lartë, dhe une iu përgjigja të dyja. Në fillim kishte hezitim nga ana e administratës se a do kishte mjaft studentë të interesuar në mënyrë që të krijohet një klasë me numër të konsiderueshëm studentësh. Ata më thanë që duhet të bëja një peticion me nënshkrimet e studentëve që pranonin të kenë interesim në këtë lëndë. Pasi shpërndava peticionin te grupi i shqiptarëve në Penn, e shpërndava peticionin edhe nëpër universitet. Kur mblodha mjaft nënshkrime, iu ktheva administratës me provë që ka me të vërtetë interesim në këtë gjuhë. Pas një procesi të gjatë burokratik dhe me disa këmbëngulje gjatë procesit, më lajmëruan që klasa fillestare e gjuhës shqipe do ofrohet për herë të parë gjatë semestrit pranveror të vitit 2024. Më në fund, listës së gjuhëve të huaja që mësohen në UPenn, iu shtua edhe gjuha shqipe. I uroj të ketë një rrugëtim të gjatë e frytdhënës.  

Pati skeptikë në administratën e UPenn-it për mosrealizimin e futjes së Gjuhës Shqipe në programin akademik?

Nuk është se kishte skeptikë, por kërkoheshin kritere të cilat duhet të plotësoheshin. 

Si u mirëprit nga studentët shqiptarë në qoftese ka, por dhe nga të huajt?

Penn Albanian Society, apo Shoqata e Studentëve Shqiptarë në Penn është një klub i themeluar në UPenn të cilin unë e udhëhoqa si presidente gjatë vitit akademik 2020-2021. Klubi e mirëpriti lajmin me shumë entuziazëm, ku mora shumë mesazhe dashamirëse, si nga studentët e tanishëm shqiptar, ashtu edhe nga ata të diplomuar duke shprehur mirënjohje të thellë dhe se me padurim presin të fillojnë këtë nismë kuptimplotë. Ndërsa studentët e huaj, me të cilët kisha kontakt, ata përgjatë viteve e kishin kuptuar sa vlenë gjuha shqipe për mua dhe sa shumë doja ta shihja si lëndë të ofruar në UPenn. Ata e mirëpritem duke më shprehur një “Well done” të fuqishëm dhe më dërguan mesazhe mbështetëse për realizimin e kësaj ëndërre. 

Cila është fëmijëria juaj dhe historia e familjes tuaj?

Unë kam lindur në Amerikë nga prindër të mbijetuar të luftës, të cilët u dëbuan me dhunë nga shtëpia e tyre në Prishtinë, dhe përfunduan refugjat në Bronx të New York-ut (1999). Si shumë refugjatë të tjerë, ata erdhen me rrobat që i kishin në trup dhe një trastë me gjëra elementare. Aty qëndruan për një vit, dhe pastaj kaluan në Hackensack, New Jersey, ku edhe linda unë (2001) dhe u rrita deri në moshën 5 vjeçe. Mirëpo, kur forcat e NATO-s e çliruan Kosovën, prindërit e mi ishin vetëm fizikisht në Amerikë, por me mëndje e me shpirt ishin në Kosovë. Qëndrimi në mërgim iu dukej sikur nënvlerësim i secilës jetë që u flijua për të na dhuruar një Kosovë të lirë. Kështu që në vitin 2006, pasi u natyralizuan me shtetësinë Amerikane vendosën të kthehen për të punuar për ushtrinë Amerikane në Camp Bondsteel në Kosovë. 

Unë u rrita në Kosovën e lirë, në trojet e të parëve tanë, në vendin martir të shqiponjave, duke folur gjuhën e nënës. Vijova mësimin fillor në shkollën “Ismail Qemali” dhe e mbarova me merita të larta ku edhe u zgjodha kryetare e rinisë së shkollës gjatë vitit shkollor 2015-2016. 

Pastaj, shkollimin e mesëm e vazhdova në “American School of Kosova” ku iu nënshtrova testeve dhe dola me pikët maksimale dhe fitova bursë të plotë. Gjatë shkollimit të mesëm u zgjodha kryetare e Model United Nations (MUN), ku përfaqësova shkollën në disa konferenca jashtë vendit: RCIMUN në Robert College, Stamboll (2017); BERMUN në John F. Kennedy School, Berlin (2017); PORGMUN në Anglo-American University, Pragë (2018); dhe WESTMUN në University of Westminster, Londër (2018). 

Gjatë vitit shkollor 2017-2018 u pranova në Harvard Summer School. Shkuarja në Harvard ishte një përvojë që më rriti dhe më krijoi një vizion ndryshe për moshën që kisha. Më ndihmoi të krijoj njohuri të reja për sistemin Amerikan të shkollimit universitar. 

Dhe fare në fund u përzgjodha që të jem Salutatorian për të mbajtur fjalimin përshëndetës në ceremoninë e diplomimit të Class of 2019 në American School of Kosova.   

Qershia mbi tortë ishte pranimi në University of Pennsylvania, universitet elitar që bënë pjesë në Ivy League, e që grupon 8 universitetet më prestigjioze në Amerikë. Aty njoha profesorë dhe studentë që punonin fortë dhe mbartnin vlera e cilësi, ku arrita të zhvilloj potencialin tim dhe të avansoj në fushën time.  

Pas gjithë këtij rrugëtimi, u detyrohem prindërve të mi, për fëmijërinë që kisha pavarësisht përvojave të tyre të rënda, për dashurinë e pa kusht që më falën, që ishin busullë orientimi për mua dhe burim inkurajimi për çdo hap që unë hodha. Falë tyre jam këtu ku jam. 

Ngjarja e cila ka ngelur thellë në mëndjen time si një fëmijë pesë vjeç ishte pjesëmarrja ime në rivarrimin e gjyshit tim nga mami dhe 15 anëtarëve të familjes së tij, Mirena (1999). Ata u morën me dhunë nga shtëpitë e tyre, iu dogjën shtëpitë, u masakruan dhe trupat e tyre i dërguan në Serbi për t’i fshehur gjurmët e krimit. Pas 8 vitesh, eshtrat e tyre u gjetën në një varrezë masive në Serbi ku përmes kryqit të kuq ndërkombëtar, trupat e tyre u riatdhesuan dhe u rivarrosen për t’u prehur në paqë në Kosovën e lirë. Liria që e gëzojme sot gjitmonë do të mbizotërojë mbi dhimbjen por duke pritur që drejtësia të triumfoj e të ndëshkohen vrasësit. 

Ata janë të paharruar në kujtesën tonë e të popullit, gjithmonë duke pritur që drejtësia të triumfoj dhe t’i ndëshkojë vrasësit. 

Ju jeni diplomuar në Maj të këtij viti në këtë universitet, cilat janë disa nga arritjet tuaja akademike dhe planet tuaja për të ardhmen?

Unë u diplomova nga UPenn në Maj të vitit 2023 me merita të larta Magna Cum Laude, në dy drejtime (double major): politikë internacionale dhe histori diplomatike. Gjithashtu kreva minor në kinema dhe media, si dhe u çertifikova për studimet e gjuhës frënge. Gjatë studimeve në UPenn jam ndjerë shumë e mirëpritur dhe e lirë për t’i ndjekur ambiciet e mia. 

Ka shumë çaste kur jam ndjerë krenare gjatë kohës sime në UPenn. Fillimisht, unë isha presidente e shoqatës së shqiptarëve në UPenn, (2020-2021) ku organizova një konferencë tre-ditore që vuri në theks shqiptarë të arritur në fushat e inxhinierisë, politikës, dhe biznesit. Studentët kishin rastin të merrnin njohuri nga këta të ftuar dhe t’i shfrytëzonin këshillat e tyre. 

Në fillim të vitit të tretë të studimeve (2021), unë u përzgjodha nga universiteti që të jem pjesë e programit Penn in Washington në Penn Biden Center, Washington DC. Aty ndiqja 4 klasa nga ky program dhe paralelisht bëja praktikën në Senatin Amerikan në Komitetin e Punëve të Jashtme për një semestër të plotë. Praktika që kreva në Senatin Amerikan sot e kësaj dite mbetet një ndër eksperiencat më të mira të jetës sime, ku e pashë demokracinë në veprim dhe dhashë kontributin tim për legjislaturën Amerikane. Isha prezente në shumë takime që kishin për objektiv Europën dhe shumë shpesh Shqipërine dhe Kosovën. Në të njejtën kohë, kur përfundova programin u përzgjodha nga dejtuesja e programit, Prof. Dr. Deirdre Martinez, të asistoj mësimin e programit gjatë gjysëmvjetorëve të ardhshëm (2021-2023). Të gjitha këto përvoja më ngritën shumë akademikisht. 

Sa i përket anës hulumtuese, dy punimet hulumtuese që dua t’i përmend janë: 1) Punimi hulumtues për punën e Presidentit Bill Clinton në Kosovë (2022), për të cilën do të flas më vonë; dhe 2) Punimi hulumtues për shqiptarët të cilët luftuan në luftën civile të Spanjës, dhe influenca që kishin ata në politikën e Shqipërisë (2022). Kjo e dyta u bë nën Prof. Dr. Antonio Feros dhe u zgjodh punimi më i mirë i vitit në departmentin e historisë europiane ku fitova çmimin Jack Reece prize. 

Gjithashtu dua ta përmend një moment tjetër, ku unë isha organizatore e marshit për Ukrainën. Ky qe një moment solidarizimi ku të gjithë studentët marshuam në përkrahje të lirisë dhe demokracisë, pavarësisht prejardhjes. Ky marsh u vlerësua shumë nga universiteti si një organizim mbresëlënës. 

Sa i përket planeve për të ardhmen, synoj që të përfundoj edhe studimet master në Amerikë në të ardhmen e afërt. 

Ju keni përfunduar me sukses praktikën në Departamentin e Shtetit këtë verë dhe keni marre pjesë në seminarin e politikës se jashtme nën Sekretarin Blinken. Ju shkruani ne F/B se duke ecur nëpër korridoret e Departamentit të Shtetit keni ndjerë praninë e Sekretares së ndjerë zonjes Albright.  Cilat janë disa nga momentet tuaja më të bukura për këtë përvojë të mrekullueshme?

Mund të them që çdo ditë pune e imja nën Sekretarin Blinken ka qenë rikujtim i punës së mahnitshme ndërkombëtare që bënë Amerika për botën dhe shqiptarët. Unë punova në departmentin legjislativ ku kisha për detyrë koordinimin e punës ndërmjet anës legjislative dhe ekzekutive të qeverisë. Përndryshe, ishte një eksperiencë fantastike ku unë mësova shumë dhe pashë se ku kanë buruar vendimet më të mëdha për çlirimin e Kosovës. Një nga momentet më të bukura ishte pjesëmarrja në seancat e nominimeve të ambasadorëve amerikan, ku isha në mesin e senatorëve të komitetit të punëve të jashtme, si dhe takimi me shumë zyrtarë që vizitonin Departmentin e Shtetit. 

Ju vizituat Bibliotekën Presidenciale Bill Clinton në Little Rock, Arkansas, përpos mirënjohjes së pakufishme për Presidentin Clinton cili ishte tjetër qëllimi i vizitës suaj?

Gjatë studimeve të mia në UPenn, unë mora një klase të cilën e ligjëronte Prof. Dr. Dwight Eisenhower, nipi i ish-Presidentit Eisenhower. Kjo lëndë fokusohej në historinë e komunikimeve të presidentëve amerikan. Klasa për qëllim e kishte që secili student të zgjedhë një president amerikan për të e hulumtuar një pjesë specifike të karrierës së tij, duke udhëtuar për në bibliotekat presidenciale të tyre. Kështu që UPenn më dergoi mua në Little Rock, Arkansas në biblioteken presidenciale të Presidentit Clinton për të hulumtuar komunikimin dhe lidhjen e Presidentit Clinton me Kosovën. Aty kisha çasje në burimet primare dhe korrespondencën që Presidenti Clinton kishte kryer prapa skenave për Kosovën. Ishte kënaqesi e madhe të shihja që një pjesë e dukshme e muzeut të Presidentit Clinton shfaqte punën e tij në Kosovë, si dhe çlirimin e Kosovës. 

Pas studimeve akademike keni menduar të ktheheni një ditë në Kosovë, Mëmëdhe?

Qëllimi im është që gjithmonë të kontriboj për demokracinë në botë. Nuk e kryqëzoj idenë që të kthehem në Kosovë, nëse paraqitet mundësia. Për momentin jam njëqind-përqind e fokusuar në studimet e mia akademike.  

Shume faleminderit e dashur Ballina, balli i vajzave dhe në emër të bordit të Shkollave Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit në New York dhe në Online jeni e mirëpritur të vizitoni këto mjedise dhe të bëheni frymëzim për qindra të rinj që vazhdojnë këto shkolla.

Nëntor, 2023

New York

Filed Under: Komunitet

Kryeministri Kurti raportoi në Kuvendin e Kosovës mbi zhvillimet e dialogut Kosovë-Serbi

November 4, 2023 by s p

Kuvendi i Republikës së Kosovës, kryesuar nga kryeparlamentari Glauk Konjufca, mbajti seancën e radhës.

Në këtë seancë raportoi kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, për takimin e fundit në Bruksel lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

Fillimisht, kryeministri Kurti tha se më 26 tetor në margjina të Samitit të Këshillit Evropian në Bruksel zhvilloi takim me krerët e Bashkimit Evropian, me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, me Kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, Zëvendës Presidentin e Komisionit Evropian, Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, si dhe emisarin e tij për rajonin e Ballkanit dhe dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajcak.

Në këtë takim, Kurti shtoi se së pari dhe mbi të gjitha ka kërkuar më shumë siguri në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Nga Serbia erdhi agresioni ndaj Kosovës me paramilitarët, të cilët e kryenin sulmin terrorist të sponsoruar nga Serbia. Kërkova po ashtu që të bëhet edhe ndëshkimi e sanksionimi i Serbisë për këtë sulm terrorist ndaj Kosovës, pasi mosndëshkimi bëhet inkurajim për përsëritje”, theksoi Kurti.

Ndër të tjera, Kurti tha se ka kërkuar që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për Bashkim Evropian dhe që pesë shtetet mos njohëse t’i bashkohen 22 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian të cilat e njohin pavarësinë e Kosovës.

Më pas kryeministri Kurti dha detaje të tjera nga takimi i 26 tetorit në Bruksel.

“Para krerëve të Bashkimit Evropian si dëshmitarë dhe si garantues ne ofruam të nënshkruajmë Marrëveshjen Bazë të Brukseli të 27 shkurtit, me gjithë Aneksin Zbatues të Ohrit të 18 marsit, si dhe propozimin për zbatimin e nenit 7 të Marrëveshjes në lidhje me nenin 10, pra për idenë e vetëmenaxhimit të shndërruar në propozim. Nënshkrimi do të nënkuptonte pranim, e për rrjedhojë edhe zbatim. Mirëpo, pranimi do të thotë nënshkrim, e vetëm nënshkrimi do të thotë pranim dhe garanci për zbatim. Samiti i Këshillit Evropian në Bruksel ishte ngjarja, por edhe vendi, edhe kryeqyteti ku kjo do të duhej të ndodhte. Serbia refuzoi sërish nënshkrimin, duke refuzuar kështu edhe draftin për vetëmenaxhim apo zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes në lidhje me nenin 10 të marrëveshjes bazike”, tha Kurti.

Tutje, kryeministri Kurti tha se ka mirëpritur deklaratën e përbashkët nga krerët e Bashkimit Evropian dhe shteteve të Gjermanisë, Francës dhe të Italisë të 27 tetorit për thirrjen për njohjen de-fakto të Kosovës nga Serbia, si dhe deklaratën e Presidentes së Komisionit Evropian znj. Ursula von der Leyen, e cila ishte për vizitë këtë të hënë në Kosovë.

Normalizimi i plotë i marrëdhënieve është interes i dyanshëm, shtoi Kurti, duke shtuar se prandaj edhe kërkohet njohje-reciproke. “Njohja de-fakto reciproke që është arritur tashmë me Marrëveshjen e Brukselit, ajo duhet të zbatohet. E ardhmja jonë është në Bashkimin Evropian dhe në aleancë, miqësi e partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Republikën e Kosovës, Marrëveshja Bazike në Bruksel dhe Aneksi në Ohër janë ligjërisht të obligueshme”, tha kryeministri Kurti.

Kryetari i PDK-së, deputeti Memli Krasniqi kritikoi qasjen e kryeministrit Kurti përballë deputetëve të Kuvendit të Kosovës lidhur me takimin e 26 tetorit në Bruksel.

Ai tha se kryeministri Kurti nuk foli për draftin e marrëveshjes për të cilin është ftuar të flas në Kuvend.

“Një e vërtetë e madhe prej të cilës nuk mund të largohesh është se ke pranuar asociacionin pa njohjen e ndërsjellë. Po flet për disa njerëz të mençur të disa shteteve mike, por po harron se dy presidentët e fundit amerikanë kanë thënë se ‘angazhohemi për marrëveshje gjithëpërfshirëse, finale me njohje në qendër’. Sot nuk është njohja në qendër. Nën kujdesin tuaj është hequr njohja, është bërë një marrëveshje e përkohshmë, jo finale, jo gjithëpërfshirëse, por e pjesshme me asociacionin në qendër, e sipas atij nenit shtatë me autonomi politike për serbët në qendër”, theksoi Krasniqi, duke shtuar se kjo është arsyeja që PDK-ja ka thënë se kjo marrëveshje nuk është e mirë për Kosovën.

Edhe kryetari i LDK-së, deputeti Lumir Abdixhiku, ishte kritik ndaj kryeministrit Kurti.

Abdixhiku tha se ndonëse janë bërë dy javë pasi që kryeministri Kurti ka pranuar një dokument që për herë të parë definon statutin e asociacionit, deputetët vazhdojmë të jenë në terr informativ.

“Gjithsesi sot jemi para një gjendje të re. Kryeminstri ka bërë atë që kemi paralajmëruar se do ta bënte në fillim të këtij viti. Pra, do të pranonte asociacionin. Përkundër refuzimit të atëhershëm se ky pranim po ndodhte, statusi i asociacionit na vije çuditrisht një muaj pas sulmit terrorist në Banjskë. Them çuditrisht, sepse kur pritjet tona ishin se beteja kundër terrorizimit do të shfrytëzohet në përballje diplomatike, ne jo vetëm që mbetëm me sanksione, jo vetëm që Serbia nuk u sanksionua, por se ne së bashku me ta pranuam statusin e asociacionit dhe ende jemi në sansione”, tha Abdixhiku.

Në emrin e Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kryetari Besnik Tahiri, e cilësoi papërgjegjësi totale raportimin e vonuar të kryeministrit Kurti, duke mos shpalosur informacione.

“Konfidencialiteti i dokumentit për Serbinë dhe përfaqësuesit e saj mund të jetë taktizim, por për Kurtin mungesa e transparencës dhe përfshirjes së publikut, së Kuvendit dhe akterëve të tjerë është arrogancë dhe është vazhdimësi e mashtrimit të tij që nga dita e parë kur ka ardhë në Kuvend”, u shpreh Tahiri, duke shtuar se pasojë e taktizimeve të Kurtit ndaj Kosovës janë vendosur sanksione.

Në emër të Grupit Parlamentar të VV-së, kryetarja Mimoza Kusari-Lila, përmendi sfidat, por edhe progresin të cilin ka shënuar Qeveria e Kosovës, përfshirë edhe në veri të vendit.

“Shpresoj se nëse bëhemi bashkë dhe nuk përsërisim gabimet e të kaluarës natyrisht se e ardhmja jonë për integrim evropian dhe NATO është e sigurt. Situtata në terren ka ndryshuar rrënjësisht dhe si i tillë çdo diskutim i deritashëm për dialogun lehtësohet nga pesha e rëndë e gjendjes së mëhershme që ishte në veri dhe se avancimi i procesit të integrimit të të gjitha komuniteteve po vazhdon me një progres të cilin nuk e kishim deri më tani”, tha Kusari.

Në emër të Grupit Multietnik, Enis Kervan, tha se minoritet e kanë përkrahur dialogun nga fillimi, sigurisht duke shpresuar në një marrëveshje të mundshme me synim normalizimin e jetës politike dhe shoqrore në Kosovë.

“Duhet të theksohet edhe njëherë se Kosova është një shtet multietnik, ku jetojnë edhe komunitetet tjera joshumicë. Ne si komunitet kërkojmë që të jemi të informuar dhe të kontribuojmë në këtë proces, duke e mbështetur dialogun dhe duke e mbështetur qeverinë. Nuk duhet të harrojmë se çdo gjë është ndryshuar pas 24 shtatorit. Akti i 24 shtatorit është kryer me mjete terroriste dhe për qëllim Serbia kishte të pushtojë territor të Kosovës”, theksoi Kervan.

Në këtë debat morën pjesë edhe deputetët tjerë nga pozita dhe opozita, duke shprehur mendime të ndryshme për dialogun, përfshirë edhe për marrëveshjen e 26 tetorit në Bruksel.

Për vazhdimin e kësaj seance me pikat tjera, kryetari Konjufca tha se deputetët do të njoftohen me kohë.

May be an image of 6 people

See Insights and Ads

Create Ad

Like

Comment

Share

Filed Under: Ekonomi

Më 3 nëntor 1443, kur Skënderbeu me 300 arbër mori rrugën për t’u kthyer në atdhe bashkë me lirinë

November 3, 2023 by s p

Epoka e Skënderbeut e shekullit XV dhe vetë figura e tij ndikoi fuqishëm në jetën shpirtërore të shqiptarëve dhe në rritjen e vetëdijes kombëtare të tyre, dhe 3 nëntor i vitit 1443 është një datë shënuar, një ditë kthese në fatin e mëtejmë të arbërve në dheun e shqipeve.

Pikërisht më 3 tetori të vitit 1443 shënon fillimin e rrugëtimit për rikthimin në Atdhe të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti –Skënderbeu, duke rrugëtuar nga Nishi në Fushë- Kosovë, Prishtinë, Prizren, Pollog, Lugina e Drinit të Zi, Dibër-Mat, për të mbërritur dhe marrë Krujën më 11 nëntor 1443 ( sipas Fan S.Nolit)

Humanisti Marin Barleti tek vepra “Historia e Skënderbeut”, na përcjellë detajet e mbërritjes në Atdhe të Gjergj Kastriotit –Skënderbeu. Sipas Barletit: “Njerëzit iu derdhén pra, të gjithë rreth e përqark dhe kush e kush më pare, tërë shënd e verë, dhe duke kërcyer nga gëzimi, me lotët që u rridhnin në fytyrë nga gëzimi i madh. Duke falënderuar më në fund fatin, tërë gaz për mbretërinë me emërin Epir, i shpjegonin atij gjerë e gjatë punët e tyre dhe i zotoheshin, e i besonin veten e vet, fëmijët, shpirtin dhe çdo gjë që kishin për zemër”.

Faktet e pakontestueshme se luftrat që Gjergj Kastrioti i ka bërë i shtyrë prej ndërgjegjes Kombëtare i ka bërë të ditura i pari At Gjergj Fishta në fjalimin e “Shqiptarët dhe të drejtat e tyre”- te mbajtur prej Tij në Konferencën e organizuar ne Universitetin Katolik të Parisit në vitin 1919 për të sensibilizuar qarqet intelektuale në lidhje me kauzën shqiptare gjatë kohës kur po zhvilloheshin bisedimet në Konferencën e Paqes në Pallatin e Versajës.

Rikthimi në Atdhe i Gjergj Kastriotit për ti dalë zot Atdheut të pushtuar ka qenë dhe mbetet burim frymzimi -model i prijësit për shembullin e përkushtimit ndaj Atdheut dhe Kombit të Tij.

E ashtuquajtura fushata hungareze, e cila parapriu përmbushjen e planit të Skënderbeut për t’u arratisur me shpurën e tij dhe për t’u kthyer në atdhe, sipas Barletit rrjedhon.

Ku ende nuk ishte shuar lavdia e fitoreve që Murati kishte korrur duke marrë këshilla dhe sugjerime nga Skënderbeu, një tjetër sprovë e vështirë ndodhej përballë ushtrisë turke. Fushata hungareze dhe përballja me Hunaidin e shumëdëgjuar nuk ishte si gjithë të tjerat. Ishte pikërisht koha e duhur që Skënderbeu të vinte në jetë planin e arratisjes. Muratit të pabesë i duhej mbushur me helm deri në grykë, kupa e zemërimit dhe inatit pa fre. Humbja ndaj hungarezëve dhe “tradhtia” e kapedanit të tij besnik do të ishin një goditje dërrmuese për atë mëndje të errët e zemër të përlyer me ligësi. Dhe ashtu po gatitej. Bashkë me bejlerbeun e Rumelisë, ishte Skënderbeu me 20 mijë ushtarë që do ti bënin ballë synimeve hungareze deri sa vetë sulltan Murati të vinte me një ushtri të madhe në këtë përballje, e cila u vendos jo larg lumit Moravë. Duke lënë në pozita mbrojtëse mbretin Vladislav, Huniadi në kry të 10 mijë forcash të zgjedhura sulmoi kampin turk. Skënderbeu, në zbatim të planit të tij të ikjes, lëshoi pak e nga pak vijën e frontit duke lejuar hungarezët të përparojnë dhe të vërsulen me tërbim kundër forcave të pashait. Lufta ishte e përgjakshme. Humbja gjithashtu ishte e thellë. Turqit lanë stremat, flamujt, 4 mijë pengje dhe viktima pafund. Pashai bashkë me një taborë mundi të shpëtonte nga kjo kasaphanë. Skënderbeu, i cili e kishte bërë të njohur planin e tij miqve, ndër të cilët ishte nipi i tij, Hamza, një i ri me cilësi të shquara, të cilin vëllai i tij, Reposhi që turqit e quajtën Karakuz e pati me një grua që mori para pusisë turke që e vrau në pabesi.

Historia e Skënderbeut, fati i Arbërit, tashmë sapo kishin hyrë në një fazë zhvillimesh të fuqishme. Sulltan Murati do të merrte në një ditë dy humbje fatale, betejën përballë Hunaidit dhe arratisjen e besnikut të tij, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.

Përgatiti: Albert Vataj

Filed Under: Emigracion

Nuk është fajtore pasqyra që dalim ashtu si jemi

November 3, 2023 by s p

Në vendet me traditë demokratike, zgjedhjet janë çështje normale e çdo mjedisi, ku qytetarët me votën e tyre shprehin vullnetin  për subjektin politik dhe individët të cilët ata i përfaqësojnë, duke dëshmuar mbeshtetje për pushtetin aktual, apo dënuar ate për mos realizimin  e premtimeve ndaj qytetarëve, që paraqet reflektim për të ndryshuar, sepse askush nuk është i përhershëm në skenën politike

Nail   Draga

Nga miratimi i pluralizmit edhe në vendet e ish kampit socialist janë organizuar zgjedhje në nivele të ndryshme ku ekziston një përvojë e mjaftueshme që mund të trajtohet jo vetëm nga aspekti i sociologjisë politike. Ne këtë aspekt edhe shqiptarët në hapësirën e tyre etnogjeografike kanë realizuar një numër të konsideruar zgjedhjesh duke dëshmuar kapacitetin e tyre politik  në mjedisin përkatës,  ku në këtë aspekt as shqiptarët në Mal të Zi nuk janë përjashtim. 

Dimensioni i dyfishtë i përfaqësuesëve të politikës

  Duke marrë parasysh se në plurarizëm zhvillohen zgjedhjet për të qeverisur si në nivelin lokal dhe atë shtetëror, çështje të veçantë paraqet përfaqësimi në pushtetet përkatëse. Në krahasim me kohën e monizmit në pluralizëm përbërja e pushtetit varet nga formimi i shumicës parlamentare. Pikërisht kemi të bëjmë me përgjegjësinë e subjektëve përkatëse për emërimin e kuadrove  sipas resorëve.  

  Edhe pse aty emërohen individë të profileve të ndryshme të tillët kanë dimension të dyfishtë, sepse ata  fillimisht përfaqësojnë  subjektin i cili i ka emëruar  dhe së dyti edhe vetën e tyre. Në saje të përvojës së deritashme del  së  në resorët  përkatëse, me përjashtime të rastit, nuk janë emëruar personat e qëlluar në aspektin profesional, nga del se kemi të bëjmë me përgjegjësinë  e subjektëve politike përkatësisht me keqpërdorimin e demokracisë pluraliste. 

Rastet e tilla dëshmojnë se kemi të bëjmë  më deformimin e parimeve  elementare sepse në vend që të vlerësohen vlerat profesionale e meritokracia, parësore janë përkatësia partiake, ku jo rrallë depërtojnë militantët dhe të dëgjueshmit të cilët janë bërë dukuri e kohës. 

Grupet e interesit

Pikërisht nga qasjet e tilla në partitë politike, të cilat ma tepër iu ngjajnë grupeve të interesit apo të klanëve të ndryshme në ato anëtaresohen individë të ndryshëm jo për shkaqe programore apo ideologjike, por për interesa e ambicie personale të cilat ua mundëson partia ti realizojë kur të vie në pushtet. Të tillët nuk vijnë aty për të dhënë kontributin në qeverisjen  e pushtetin lokal apo në qeverisjen qendrore, por për të realizuar interesat e veta  personale, familjare e pastaj ata partiake. Dhe në sajë të rasteve  të tilla del qartë   se nuk është fajtore pasqyra qe dalim ashtu si jemi.

Dualizmi i mendimit politik 

  Përvoja e deri tashme në pluralizëm dëshmon se nuk mund të jemi të kënaqur në lidhje me ekzistimin e mendimit kritik për dukuritë e ndryshme shoqërore e ato politike. Madje këtu duhet cekur se kemi të bëjmë me një dualizëm politik, sepse kemi të bëjmë  me partitë politike të cilat kanë qasje tjetër kur janë në opozitë e ndryshe kur janë në pushtet. Një qëndrim i tillë dëshmon se kemi të bëjmë me individë pa parime  me interesa të rastit dhe si të tillë  janë  të politizuar dhe të dëmshëm për shoqërinë por përfitues të rastit.

  Ndërsa një qëndrim i tillë nuk vlen për intelektualët në kuptimin e plotë të fjalës, sepse ata kanë  mendim kritik  të vazhdueshëm, për të prezantuar çështjet kontestuese shoqërore e politike  me argumente, e jo duke anuar sipas shijes së klaneve  apo preferencave të subjekteve në skenën  politike. 

  Nuk ka dilemë se për intelektualë të tillë  ka nevojë çdo mjedis, sepse mendimi kritik është në favor të avancimit të çështjeve shoqërore dhe politike. E kundërta ndodhë me intelektualët pasiv, përkatësisht oportunist, të cilët janë peng i vetvetes dhe i mjedisit  si rezultat i interesit personal apo klaneve të ndryshme, andaj të tillët do mbesin individë të amortizuar përkatësisht  anonimus pa autoritet shoqëror  në mjedisin ku punojnë e jetojnë.

Presioni publik përmes guximit intelektual

  Përfundimisht intelektuali nuk duhet të jetë spektator ndaj  devijimeve  shoqërore, por me guxim  duhet ngritur zërin, duke qenë shëmbull për të tjerët.  Ndërsa duke marrë parasysh mjedisin ku jeton duhet cekur se reagimi individual nuk ka peshën e duhur sikurse mund ta ketë përmes të një subjekti nga shoqëria civile, siç janë shoqatat e ndryshme si p.sh. të shkrimtarëve, artistëve, pedagogëve, sociologëve, gjuhëtarëve, arkitektëve, ekologëve, mediat etj. Qëndrimi  për mes një subjekti të tillë  nuk humb në vlerë, përkundrazi ka peshë të veçantë për të bërë presion publik për çështjet kontestuese shoqërore dhe si i tillë është më i pranueshëm në opinionin e gjërë. 

  Madje në saje të një qëndrimi të tillë do të dëshmohet se opinioni shoqëror  nuk duhet të mbes peng  vetëm nga përfaqësuesit e pushtetit apo të kumtesave të partive  politike që janë kryesisht nga opozita parlamentare.                       

Vetëm me qasje  konstruktive, në një ambient me kapacitet demokratik  mund të arrihet konsenzusi i cili është i domosdoshëm për avancimin e çështjeve preokupuese shoqërore për të tashmen dhe të ardhmen.

(Nëntor 2023)

Filed Under: ESSE Tagged With: Nail Draga

TERRORI I HAMASIT, TË DREJTAT, PAQJA

November 3, 2023 by s p

Nga ALDO CAZZULLO – “Corriere della Sera”, 31 tetor 2023  – Përktheu: Eugjen Merlika/

Kundërsemitizmi  mund vetëm të  dënohet e të kundërshtohet. Nga sulmi udhëtarëve në aeroportin e Dagestanit, tek dhunimi i flamurit në FAO-n e Romës kush i mohon hebrenjve dhe Izraelit të drejtën e të jetuarit duhet të luftohet. Megjithatë do të ishte i gabuar të quajturit e valës së simpatisë për Palestinën që përshkon Perëndimin si një shfaqje të thjeshtë kundërsemitizmi, që ekziston, e përsëris, në të majtë e në të djathtë, dhe duhet ndaluar. Por në universitetet italiane dhe anglosaksone nuk ka vetëm kundërsemitë.

Ka mjaft të rinj të bindur se milicët e Hamasit, edhe se në përdorim të metodave të papranueshme, janë duke luftuar për të drejtat e palestinezëve e të popujve arabë. Pikërisht atyre të rinjve mundemi e duhet t’u flasim, për t’u thënë se po lajthisin. Jo vetëm se Hamasi ka kryer më 7 tetor  një krim të llahtarshëm. Jo vetëm se Hamasi përdor si shqyt njerëzor në Gaza më shumë se dy milionë civilë. Jo vetëm se Hamasi bën të keqen e palestinezëve. Mbas Hamasit është Katari, që i trajton emigrantët siç kemi parë në Botërorin e futbollit: duke mos mbajtur parasysh jo vetëm të drejtat njerëzore, bija të revolucionit francez, por as barazinë e njerëzve para Zotit, që është një nga themelet e Islamit; sepse ka vënde në Katar në të cilët një punonjës egjyptian apo pakistanas madje edhe palestinez nuk mund të hyjë, sepse janë të ruajtur për katariotët e për perëndimorët,  sigurisht edhe për krerët e Hamasit si Ismail Hanieh që, në ndryshim nga civilët e Gazës, nuk janë nën bomba por të mirëpritur në rehatin e tyre në Doha. Dhe mbas Hamasit është Irani, që trajton gratë siç i kemi parë këto ditë: i rreh për vdekje me shkopinj nga “policia morale” – quhet pikërisht kështu – se nuk mbajnë si duhet shaminë e kokës.

Për të drejtat njerëzore, Hamasit e financuesve të tij e mbështetësve, absolutisht nuk i bëhet vonë fare. Duan të marrin fuqinë në Çisjordani mbasi e kanë marrë me armë në Gaza, duke kthyer një fitore zgjedhore në një diktaturë të terrorit.

Çdo diktaturë, si çdo grup terrorist, ka gjithënjë një bazë mirëkuptimi, që është e vështirë të matet, meqë kundërshtia nuk është e lejuar. Megjithatë, shumica e popullsisë së Gazës është në fakt sot peng i Hamasit. Është plotësisht e kuptueshme që Izraeli është i vendosur të agjësojë Hamasin nga Lindja e Mesme. Por nuk do të mjaftojë vrasja e krerëve. Në pranverën e vitit 2014 Ariel Sharoni vrau në tri jave udhëheqësin shpirtëror të Hamasit, sheikun Jasin dhe drejtuesin politik, Abdel Aziz Rantissi; Hamasi nxori krerë ende më të pamëshirshëm. Për të asgjësuar terrorizmin duhet të veçohet politikisht e financiarisht ai. Në këtë çast po ndodh e kundërta, siç dëshmojnë fjalët – tejet të rënda – të Erdoganit, që sigurisht nuk bashkëndan vlerat tona, por na pëlqen apo jo, komandon ushtrinë e dytë të NATO-s dhe është zgjedhur si president i Turqisë pesë muaj më parë me 28 milionë vota. Në fakt Bideni, që sigurisht nuk është armik i Izraelit, po kërkon t’a frenojë Netaniahun, për të shmangur si gjakderdhjen e gjakut të pafajshëm, si zgjerimin e luftës.

Kush po merret me civilët e Gazës? Jo Egjypti, që e ka mbyllur qafën e Rafahut e nuk pranon të preso të ikurit. As bashkësia ndërkombëtare, që nuk ka dashur e mundur të hapë korridorë njerëzorë, edhe nga deti.

Kush po merret me palestinezët e Çisjordanisë? As ata nuk janë një bllok monolit. Në Xhenin, në Veri, është i fuqishëm Xhihadi islamik; në Hebron, në Jugë Hamasi; Ramallahu mbetet selia – e sulmuar çdo natë dhe e mbrojtur nga policia – e Akp, Autoriteti kombëtar palestinez, që megjithëse i dalë boje, për çastin është i vetmi ledh kundër terrorizmit islamik. Prandaj nga kriza e armëve nuk do të dilet vetëm me armë.

Izraeli nuk do të ndalohet deri sa të ketë arritur një synim ushtarak të tillë që  të mund të shpallë se 7 tetori është hakmarrë, e që edhe kjo luftë, e deklaruar nga Hamasi, është fituar. Por një pritshmëri politike megjithatë duhet hapur.

Nuk ka qënë vetëm Netaniahu, dhe shumica relative e zgjedhësve izraelianë që e ka mbështetur në këta vite, që janë gënjyer me mendimin se çështja palestineze mund të mënjanohet. Janë gënjyer edhe qeveritë arabe që kishin nënëshkurar pakte të përcaktuar propagandistikisht “të Abramit”, tashmë të hedhur në kosh.

Paqja është zbuluar si një iluzion, mbas dështimit të Oslos e traktativës Barak-Arafat; por edhe ideja e pushtimit të Çisjordanisë me ngulime pallatesh, simbas premtimeve zgjedhore të Netaniahut, doli e pamundur.

Nëse Perëndimi – Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi evropian – mund të shpresojnë ende të luajnë një rol në këtë krizë, duhet t’a kenë të qartë mirë se kush janë, cilat janë vlerat e tyre e cilët janë interesat e tyre. Siguria e Izraelit dhe të drejtat e palestinezëve nuk janë të papërputhëshme, madje janë të lidhura. Nuk mjafton të shpallet domosdoshmëria e një Shteti palestinez; asnjë qeveritar i Izraelit, edhe më i ndrituri trashëgimtar i Netaniahut, nuk do të pranojë kurrë një Shtet palestinez në dorë të Hamasit apo të secilit grup tjetër që nuk do të njohë Izraelin, për më shumë të jetë i vendosur t’a shkatërrojë.

Të kritikohet qeveria izraeliane është diçka e ndryshme nga kundërsemitizmi, sigurisht. Por në sheshet e Perëndimit sot duken si urrejtja kundër-hebraike, si lajthitja për natyrën e vërtetë të Hamasit. Këto dy dukuri shqetësuese nuk i ndihmojnë as kuptimit të gjërave , dhe as lidhjes së brëndëshme të shoqërive perëndimore: një fuqi për të cilën do të kemi nevojë të madhe në vështrimin e kohëve tejet të ashpra  që kemi për fat.

“Corriere della Sera”, 31 tetor 2023  – Përktheu: Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 58
  • 59
  • 60
  • 61
  • 62
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT