• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2023

Intervista e ambasadorit Hovenier për emisionin Politiko, Kanal 10, 31 tetor 2023

November 2, 2023 by s p

Kanal10: Shkëlqesia Juaj, ambasador Xhefri Hovenier, mirë se vini në Kanalin 10 dhe në Politiko.

Ambasadori: Faleminderit. Ju faleminderit shumë.

Kanal10: Ambasador Hovenier, si e vlerësoni takimin e fundit në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës Kurti dhe presidentit të Serbisë Vuçiq me treshen evropiane?

Ambasadori: Mendoj se duhet ta shohim atë takim si mundësi të jashtëzakonshme që kancelari i Gjermanisë, presidenti i Francës, kryeministrja e Italisë së bashku me Përfaqësuesin e Lartë Borrell, me presidentin e Këshillit të Evropës, Charles Mishel dhe të tjerët të ulen dhe të flasin ndaras me secilin prej tyre për të parë ku qëndrojnë gjërat dhe për të kërkuar që të frymëzojnë përparim në këtë proces. Mendoj se kjo pasqyron seriozitetin e bashkësisë ndërkombëtare dhe veçanërisht të udhëheqjes evropiane për të vënë këtë proces në fazë tjetër. Nëse e lexoni deklaratën e tyre të përbashkët, sepse ata dhanë deklaratë të përbashkët më 27 tetor, aty janë disa gjëra të rëndësishme. Aty janë shprehur disa pritje të rëndësishme; pritjet që palët të përmbushin zotimet e tyre për zbatimin e plotë të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit. Ata e vënë në pah se kjo duhet të bëhet pa parakushte, pa vonesa dhe vënë re se Kosova veçanërisht duhet të ecë përpara me zotimin e saj për zbatimin e plotë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe siç thonë në deklaratën e tyre, ata njëkohësisht presin që Serbia të përmbushë zotimin për “njohjen de facto”. Kjo është nxitje e rëndësishme, përpjekje e rëndësishme për të shtyrë këtë proces përpara, gjë që Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht.

Kanal10: A ka nxjerrë ky takim diçka konkrete për procesin e dialogut?

Ambasadori: Mendoj se po. Nuk rezultoi me marrëveshje të plotë ndërmjet dy palëve, siç e tha edhe Miroslav Lajçak më vonë në një postim në Facebook, sepse nuk arritën të pajtohen për modalitetet, por pati arritje të njëmendtë. E kam një kopje të deklaratës – jam i sigurt që e keni parë – të të dy prijësve dhe mendoj se janë disa gjëra me të vërtetë të rëndësishme, që ia vlen të nënvizohen. Para së gjithash, i morën parasysh komentet e të dy palëve për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe mirëpritën gatishmërinë për zbatim, që u shpreh nga të dy palët. Ishte mundësi që këta udhëheqës të ritheksojnë pritjet e tyre dhe janë disa pritje të rëndësishme që u ritheksuan: që palët të përmbushin zotimet e tyre që të zbatojnë plotësisht marrëveshjet. Që nënvizojnë se të dy palët duhet të përmbushin detyrimet e tyre përkatëse paralelisht, dhe kjo do të thotë që Kosova të ecë përpara për atë, siç thanë ata, që të nisë procedurat për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por edhe që, siç thanë ata në deklaratën e tyre, Serbia të përmbushë për njohjen de facto. Këto janë gjëra mjaft të rëndësishme dhe fakti që po thuhen nga kancelari i Gjermanisë, presidenti i Francës, kryeministrja e Italisë, me mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara, mendoj se është mjaft e rëndësishme dhe tregon seriozitetin e synimit dhe qëllimit nga bashkësia ndërkombëtare për ta çuar përpara këtë dialog sepse ne besojmë se është rruga e vetme për Kosovën për të çuar përpara aspiratat dhe fatin evropian dhe euroatlantik. Këtu qëndron rëndësia, serioziteti i çështjes, si dhe urgjenca.

Kanal10: Ambasador Hovenier, kryeministri Kurti këmbëngul në nënshkrimin e marrëveshjes, të cilën presidenti Vuçiq nuk dëshiron ta nënshkruajë. Në anën tjetër, zoti Vuçiq kundërshton njohjen e integritetit territorial të Kosovës dhe anëtarësimin eventual në Kombet e Bashkuara. Si i shihni dy pozicionet?

Ambasadori: Mendoj se kjo është një pikë shumë e rëndësishme që ngritët. Dhe unë mendoj se, përsëri, nëse shikoni deklaratën e liderëve, ata flasin edhe për këtë pak. Ata shprehën pritshmëritë e tyre për Kosovën dhe për Serbinë, që të përmbushin zotimet e tyre për zbatimin e plotë të marrëveshjes në rrugën e normalizimit. Dhe në të ata vënë në pah se duan ta shohin këtë të bërë, “pa parakushte apo vonesa”. Më tej në deklaratën e tyre, ata flasin se formalitetet, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me miratimin, nuk do të duhej të pengojnë përparimin në arritjen e këtij zbatimi të plotë dhe të plotë të marrëveshjes dhe aneksit të zbatimit nga të dyja palët. Pra, nga këndvështrimi ynë, ndërsa ne e pranojmë interesin e Kryeministrit Kurti për të pasur një nënshkrim, mendojmë se është shumë më pak e rëndësishme sesa rëndësia aktuale që të ecim përpara me zbatimin e plotë dhe të plotë të të gjitha detyrimeve të marrëveshjes nga të dyja palët. Mund t’ju jap lista të marrëveshjeve të tjera që nuk janë nënshkruar domosdoshmërish, por që janë ligjërisht të detyrueshme, përfshirë në procesin e dialogut. Dhe unë do të ritheksoj se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian besojnë se Marrëveshja bazë dhe aneksi zbatues janë ligjërisht të detyrueshme. Këshilli i Evropës, mendoj se e miratoi atë në konkluzionet e tij. Bashkimi Evropian njoftoi se në protokollet e anëtarësimit në BE për Serbinë dhe Marrëveshjen e Stabilizim-asociimit për Kosovën do të përfshijë detyrimet e tyre. Kështu që nuk duhet të vihet në pyetje nëse këto detyrime janë të qëndrueshme dhe të detyrueshme. Dhe ne mendojmë se është më e rëndësishme të fokusohemi më pak në mënyrën se si është miratuar dhe më shumë në detyrimet e arritura. Meqenëse ju ngrini disa nga çështjet që ka ngritur Serbia, në veçanti, çështjen e integritetit territorial të Kosovës dhe anëtarësimit përfundimtar në Kombet e Bashkuara, më lejoni të jem i qartë për qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ne e kemi njohur integritetin territorial të Kosovës dhe kemi bërë zotime reale për të mbështetur dhe mbrojtur dhe ruajtur atë integritet territorial. Ekziston një mision i NATO-s në Kosovë prej mbi 4500 ushtarësh që kanë një punë për të bërë, duke përfshirë mbrojtjen e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, apo unë do ta quaja të kufirit, që përfshin qindra ushtarë amerikanë, të cilët janë këtu të përkushtuar në këtë mision për të mbajtur një mjedis të sigurt dhe në paqe, lirinë e lëvizjes që përfshin respektimin e vijës kufitare, kufijve të Kosovës. Sa i përket anëtarësimit eventual në Kombet e Bashkuara, pikëpamja e Shteteve të Bashkuara është shumë e qartë. Ne mbështesim trajektoren e Kosovës drejt strukturave evropiane dhe euroatlantike. Ne mbështesim anëtarësimin përfundimtar të Kosovës në familjen e kombeve, ne e mbështesim që nga fillimi, që vazhdon të jetë një objektiv me prioritet për ne. Në fund të fundit, nga këndvështrimi ynë, ky proces normalizimi duhet të përfundojë me njohje reciproke, pasi e vetmja rrugë për të ecur përpara në afat të gjatë. E shohim këtë proces tani drejt normalizimit të marrëdhënieve si një hap të përkohshëm në këtë proces afatgjatë. Pra, kur udhëheqësit e Gjermanisë, Francës dhe Italisë thonë ecni përpara me zbatimin e plotë të të gjitha detyrimeve tuaja, pa parakushte, unë e shoh këtë, ne e shohim këtë si përgjigje ndaj pyetjes suaj. Po, dhe parakushtet do të përfshinin nënshkrimin, dhe do të përfshinin gjithashtu përpjekjen për të përjashtuar angazhimet e bëra. Ne presim që Serbia dhe Kosova të zbatojnë plotësisht të gjitha detyrimet e tyre sipas marrëveshjes.

Kanal10: Dhe pyetja konkrete është: përse Kosova dhe Serbia të mos njohin njëra-tjetrën tani, që të bëjnë këtë hap të madh apo ujdi të rëndësishme për të dy vendet?

Ambasadori: Nuk mund të flas përse jo tani. Mund të them se në këtë çast, ne i besojmë Presidentit të Serbisë kur thotë se nuk është i përgatitur ta bëjë këtë. Dhe kur morëm këtë vendim për të çuar përpara këtë proces, për të avancuar marrëdhëniet e normalizimit, e bëmë këtë sepse besuam se ishte fuqimisht në interesin e të dy vendeve që ta bënin këtë për të ndërmarrë këtë hap të ndërmjetëm për të ri-pozicionuar marrëdhëniet e tyre, se kjo do të ishte mirë për Kosovën dhe për të çuar përpara gjasat për perspektivat e saj evropian dhe euroatlantik. Kjo do të ishte mirë për Serbinë dhe avancimin e perspektivës së saj dhe do të ishte mirë për stabilitetin rajonal. Por kjo nuk do të thotë se puna është kryer.

Kanal10: Bashkimi Evropian dhe pesë emisarët kanë përfunduar propozimin e ashtuquajtur bashkëkohor evropian për statusin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Si e vlerësoni këtë propozim? A mund ta përshkruani a është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës?

Ambasadori: Pra, së pari, përsëri, mendoj se në deklaratën e fundit të presidentit të Francës, kancelarit të Gjermanisë dhe kryeministrit të Italisë, ata përshkruan draft-statutin – që ata e dinë se e miratojnë plotësisht dhe do të shtoj, Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht – si një “mënyrë bashkëkohore evropiane për të trajtuar çështjen e ndjeshme të mbrojtjes së pakicave në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira evropiane brenda parametrave të përcaktuar nga palët”. Ne pajtohemi me këtë. Dhe ajo që nënkuptojmë me këtë është se besojmë se ky draft-statut u përgjigjet disa kërkesave të ndryshme. Është një përkushtim, obligim i Kosovës që të ecë përpara me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Por, gjithashtu e kuptojmë dhe pranojmë se ai Asociacion i komunave me shumicë serbe duhet të kufizohet në mënyra të caktuara. Ne kemi folur, kam folur shumë në intervista të tjera në media, ashtu si edhe zyrtarë të tjerë amerikanë, se duhet të jetë në përputhje me kushtetutën e tanishme të Kosovës, dhe duhet të jetë në përputhje me vendimin ekzistues të Gjykatës Kushtetuese dhe duhet të përputhet me letrën e Mogherinit, që thotë se nuk ka autoritete ekzekutive. Sipas këndvështrimit tonë, duhet të jetë në përputhje me editorialin dhe qëndrimin që ShBA-ja e shprehu përmes Derek Chollet, këshilltarit të Departamentit të Shtetit dhe Gabriel Escobar, të Dërguarit tonë të posaçëm, që parashtruan vizionin tonë për këtë. Ky draft-statut e bën atë. Ai i lejon Kosovës që të ecë përpara, i adreson shqetësimet legjitime të komunitetit etnik serb për të pasur mundësi që të ushtrojnë më mirë të drejtat që kanë sipas Kushtetutës së Kosovës dhe sipas Ahtisaarit. Pika a fundit: a është në përputhje me Kushtetutën? Ne besojmë se po, besojmë se është në përputhje të fortë. Por, do të theksoj gjithashtu se edhe ne e pranojmë dhe një nga elementët e saj është organi përfundimtar për të përcaktuar kushtetutshmërinë e çdo gjëje në Kosovë është vetë Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Dhe draft-statuti ka modalitete në të për të siguruar që Gjykata Kushtetuese të jetë në gjendje ta miratojë edhe atë vendim.

Kanal10: Çka mendoni për qëndrimin politik të shumë figurave politike, të cilat janë pjesë e qeverisë apo parlamentit që e krahasojnë Asociacionin me Republikën e Dytë Serbe? Dhe si e shihni gatishmërinë e qeverisë ndaj këtij detyrimi, këtij detyrimi ndërkombëtar?

Ambasadori: Sërish, ne e marrim seriozisht shqetësimin se nëse bëhet në mënyrë të gabuar, dhe asociacioni i shumicës serbe mund të ketë një rol ose mund të luajë një rol që do të ndikonte në funksionimin e mirë të Kosovës dhe shtetit. Unë e kam thënë zyrtarisht shumë herë se çka nuk duam është një entitet tjetër i ngjashëm me Republikën Srpska në Kosovë. Ne besojmë se ky draft-statut e shmang një gjë të tillë. Ne besojmë se përputhet me Kushtetutën e Kosovës. Ua mundëson komunave me shumicë serbe në Kosovë që të punojnë së bashku për të ushtruar përgjegjësitë dhe autoritetin që e kanë, por në një mënyrë që respekton Kushtetutën e tashme të Kosovës. Pra, kjo është përgjigja ime për ata që e shprehin këtë shqetësim: pajtohemi se ky është shqetësim, por besojmë se këto shqetësime janë trajtuar në këtë draft-statut.

Kanal10: Z. ambasador, a ka ndonjë afat kohor për kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq për ta realizuar këtë plan bashkëkohor evropian? Dhe cilat janë pasojat për të dy udhëheqësit nëse nuk e përmbushin atë?

Ambasadori: Epo, nëse e lexoni përsëri këtë deklaratë të tre liderëve evropianë, ajo përdor fjalë të tilla si urgjente, shpejt, me shpejtësi, progres i shpejtë, pa vonesë, pa parakusht apo vonesë. Pra, këtu ka një urgjencë dhe ne pajtohemi për këtë. Mendojmë se sa më shumë të vonohet zbatimi i asaj që është marrëveshje e mirë, Marrëveshja bazë dhe aneksi i zbatimit të Ohrit është një marrëveshje e mirë. Nuk ka shumë për të negociuar në lidhje me zotimin e tyre, por duhet të punohet shumë në zbatimin e saj. Por sa më gjatë të ketë një vonesë në zbatim, aq më e brishtë është situata. Dhe kështu ne nuk jemi të interesuar për brishtësinë. Ne nuk jemi të interesuar për destabilizimin. Ne nuk jemi të interesuar që Kosova dhe Serbia të jenë burim destabiliteti dhe problemi në rajon. Përkundrazi, do të dëshironim t’i shihnim ato si shembuj të asaj që mund të arrihet kur çështjet e vështira trajtohen në mënyra të përgjegjshme. Pra, ka një urgjencë për të.

Kanal10: Po, kërkoj falje ambasador, por a po flasim për javë, muaj, vite? Dhe a po flasim realisht sepse Serbia dëshiron të mbajë zgjedhje të hershme. Kjo është situatë e re politike.

Ambasadori: Epo, në lidhje me zgjedhjet e reja në Serbi, të cilat sa e shoh unë ka të ngjarë të mbahen në dhjetor, kjo nuk ndryshon asnjë nga detyrimet e Serbisë sipas Marrëveshjes bazë. Dhe as nuk do të duhej. Ashtu si Kosova ka zotime që ka bërë që duhet t’i zbatojë pavarësisht se çfarë po ndodh politikisht tani. Dhe kështu, unë mendoj se po flasim, shpresoj se nuk po flasim muaj apo vite, shpresoj se po flasim më pak kohë, më shpejt që të mund të ecim përpara me zbatimin e plotë dhe të plotë nga të dyja palët të të gjitha detyrimeve të tyre. Siç thashë, pa parakushte dhe pa vonesa. Kjo është ajo që liderët evropianë kanë kërkuar dhe Shtetet e Bashkuara e mbështesin. Meqenëse pyetët për pasojat, më lejoni të them vetëm se Kosova ka mundësi të mëdha në dispozicion, nëse ecën përpara, i hapet rruga drejt Evropës. Është një klimë më e mirë për investitorët. Është mundësi më e mirë për ne që ta çojmë Kosovën duke ecur përpara drejt trajektores së saj drejt NATO-s, drejt Bashkimit Evropian, drejt organizatave të tjera. Dështimi për të zbatuar plotësisht detyrimet e Kosovës është një mundësi e humbur. Të njëjtën gjë do të thosha edhe për Serbinë.

Kanal10: Z. ambasador, shumë individë në Kosovë, përfshirë edhe presidenten Osmani, kanë bërë thirrje për përfshirje më të drejtpërdrejt të ShBA-së në procesin e dialogut. A është ShBA-ja e gatshme të ndryshojë diçka lidhur me këtë proces, i cili po vazhdon për 13 vjet…

Ambasadori: Dialogu ka filluar në vitin 2011. Asokohe po punoja në Shtëpinë e Bardhë, ndër të tjera në çështjet e Kosovës, Serbisë dhe e mbaj mend shumë mirë kur ia filloi dialogu. Dhe kjo është pika që unë do të theksoja është se ne kemi përshtatur qasjen tonë dhe angazhimin tonë në mënyrën në të cilën kemi bashkëpunuar me Bashkimin Evropian për këtë, dhe me palët disa herë gjatë gjithë kohëzgjatjes së dialogut. Por disa gjëra janë thelbësore që nuk kanë ndryshuar dhe nuk do të ndryshojnë. Jemi të përkushtuar që ta shohim Kosovën të zërë vendin e saj në strukturat evropiane dhe euroatlantike. Ne jemi të përkushtuar të mbështesim Kosovën si një shtet sovran demokratik dhe shumetnik, duke luajtur rolin e saj duke u bërë pjesë, duke u bërë aspirante për Bashkimin Evropian, duke shkuar drejt anëtarësimit në NATO dhe në fund të fundit, duke pasur një marrëdhënie të rregullt me të gjithë fqinjët e saj, përfshirë Serbinë. Ky ka qenë gjithmonë synimi ynë strategjik. Dhe kjo është çka jemi përpjekur të çojmë përpara në dialog. Në kohë të ndryshme, dialogu është fokusuar në gjëra të ndryshme. Në periudha të ndryshme kemi luajtur rol më mbështetës ose më aktiv. Mendoj se tani do të ishte e vështirë që të jemi më aktivë se sa jemi. Ne bashkërenditemi jashtëzakonisht ngushtë me Miroslav Lajcakun dhe ekipin e tij, me Joseph Borrell. Siç e dini, ju e patë vizitën e këshilltarëve të sigurisë kombëtare të Gjermanisë, Francës dhe Italisë dhe Miroslav Lajçak, të cilëve iu bashkua i dërguari ynë special, Gabriel Escobar, i cili ka qenë në shumë nga këto raunde takimesh dhe gjërash. Unë kaloj shumë nga koha ime duke u angazhuar drejtpërdrejt me qeverinë e Kosovës, me kryeministrin, presidenten dhe të tjerët për çështjet e dialogut. Mendoj se do të ishte e vështirë për të bashkuar Shtetet të përfshihen në mënyrë më aktive se sa jemi ne aktualisht, me një përjashtim të mundshëm. Dhe kjo është ndonjëherë ajo që kërkohet në mënyra të ndryshme, pse nuk i marrim përsipër negociatat? Pse të mos luajmë…

Kanal10:… ky është vullneti i shumë njerëzve në Prishtinë.

Ambasadori: Mund të jetë, por nuk është vullneti i Shteteve të Bashkuara apo Bashkimit Evropian. Dhe kjo jo sepse nuk na intereson kjo çështje, por sepse mendojmë se nuk do të funksiononte. Në fund të fundit, rezultati i këtij procesi është integrimi i Kosovës në strukturat evropiane dhe euroatlantike. Ai duhet të jetë një proces i udhëhequr nga BE-ja që siguron që të gjitha aranzhimet, reformat dhe proceset të jenë në përputhje me standardet evropiane. Fati juaj është si pjesë e Bashkimit Evropian dhe jo si shteti i 51-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prandaj, është e përshtatshme që Bashkimi Evropian të jetë kryesorja për këtë, me mbështetje jashtëzakonisht të fortë nga ne dhe kështu vazhdon të jetë. Do të thosha edhe diçka të fundit për këtë. Nëse do të ishim ne lehtësuesit ose negociatorët, me siguri do të duhej të ishim neutral. Epo, ne nuk jemi neutral. Ne e morëm vendimin në vitin 2008. Ne e mbështesim Kosovën si një shtet të pavarur demokratik, sovran. Unë ndonjëherë e krahasoj si pjesë të këtij procesi me shikimin e një ndeshje futbolli, ku tashmë mund të dini rezultatin përfundimtar në tabelën e rezultateve, e dini si përfundon ndeshja, e di se çka do të ndodhë në fund. Nuk mund t’ju them se si kalojmë 45 minutat e pjesës së dytë dhe nuk e dimë saktësisht se kush do të luajë në çfarë pozicioni dhe kush do të shënojë gol, por e di se si përfundon. Kosova e zë vendin e saj si anëtare e Bashkimit Evropian, si anëtare e NATO-s. Ky është qëllimi ynë strategjik afatgjatë. Dhe nuk jemi neutralë për këtë. Nuk kemi qenë. E nxisim fuqimisht këtë qeveri tani që të punojë me ne dhe Bashkimin Evropian për të zbatuar plotësisht detyrimet që i ka marrë sipas Marrëveshjes bazë, aneksit të zbatimit, ashtu siç flasim edhe me Serbinë për të avancuar këtë vizion.

Kanal10: Z. ambasador, kemi parë që kryeministri Kurti ka shprehur mosbesim të madh ndaj z. Miroslav Lajcak, ndërmjetësit në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Si i vlerësoni këto komente të z. Kurti ndaj z. Lajcak?

Ambasadori: Siç e dini, më kanë pyetur për këtë edhe më parë, dhe mendoj se do t’i përsëris qëndrimet e mia të mëparshme që janë thjesht se Shtetet e Bashkuara kanë besim të plotë dhe Miroslav Lajçak si Përfaqësues i posaçëm për normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ne e mbështesim atë.

Kanal10: Kurti beson se Lajçak e përkrah Serbinë.

Ambasadori: E di çka ka thënë, por vetëm do ta përsëris se ai gëzon mbështetjen tonë të plotë.

Kanal10: Z. ambasador, nëse procesi aktual i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dështon, a shihni mundësi për organizimin e një konference ndërkombëtare, të ngjashme si Dejtoni, që do të mund të hapte ide të reja e të vjetra, si shkëmbimi i territorit apo ndryshimi i kufijve?

Ambasadori: Pra, më lejoni që së pari t’i përgjigjem pjesës së dytë të kësaj pyetjeje. Së pari, ju e dini, çështja e shkëmbimeve të tokave dhe ndryshimeve të mundshme të kufijve. Dhe unë kuptoj se kjo do të funksiononte vetëm nëse do të kishte mbështetje popullore nga të dyja palët për të. Nuk besoj se është kështu. Sa e kuptoj unë, nuk besoj se ka mbështetje nga të dy popujt për një gjë të tillë. Dhe kështu mendoj se është jashtë diskutimit dhe sigurisht për qeverinë time është çështje e mbyllur. Më gjerësisht në lidhje me, ju e dini, pyetjen hipotetike. Nuk e di që është… dua të them, zakonisht nuk iu përgjigjem pyetjeve hipotetike. Por unë do të thosha se, nuk e mendoj se jemi në një pikë ku do të na duhej diçka e tillë. Kemi një marrëveshje shumë të mirë mes Kosovës dhe Serbisë. Nëse lexoni Marrëveshjen bazë të Ohrit dhe aneksin e zbatimit, ka shumë zotime shumë të mira. Zakonisht, kjo është diçka për të normalisht do të punonit në një mjedis të ngjashëm me Dejtonin. Ne nuk kemi nevojë të punojmë për arritjen e parimeve të asaj që duhet të bihet dakord, ne kemi një marrëveshje shumë të mirë, duhet të punojmë për diçka ndryshe, dhe kjo është që të dyja palët të gjejnë vullnetin politik për të bërë punën shumë të vështirë të zbatimit. Dhe kjo është diçka tjetër. Pra, ne do të vazhdojmë të punojmë për këtë. Mund të them përsëri, pikëpamjen e Shteteve të Bashkuara, por edhe pikëpamjet e kancelarit Schultz, presidentit Macron dhe kryeministres Meloni dhe miqve të tjerë të Kosovës që e inkurajojnë këtë qeveri që të shfrytëzojë këtë moment dhe këtë mundësi të përfaqësuar nga angazhimi i tyre për të zbatuar plotësisht të gjitha detyrimet e tyre. Për Kosovën kjo do të thotë të ecim përpara me këtë draft-statut drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Dhe siç thanë liderët evropianë, për Serbinë kjo do të thotë që të realizohet njohja de facto që është gjithashtu pjesë e kësaj pakoje të zotimeve.

Kanal10: A shihni gatishmëri nga kryeministri Kurti për të ecur drejt zbatimit të marrëveshjes dhe ndoshta të Asociacionit?

Ambasadori: Do ta lë kryeministrin të flasë vetë, por e vë në pah se ai ishte i gatshëm në Bruksel që të pajtohet me draft-statutin sipas disa kushteve të caktuara. E shoh këtë si shenjë pozitive.

Kanal10: Pyetja e fundit. Z. Ambasador, kur jeni më 24 shtator në Manastirin e Banjskës, një grup terrorist me njerëz të lidhur me presidentin serb dhe strukturat politike si Milan Radojiçiq dhe Bojan Mihajloviq, kreu sulme terroriste, duke vrarë një polic të Kosovës. A mendoni se Serbia duhet të përballet me pasojat e këtyre akteve dhe nëse Milan Radojiçiq duhet të ekstradohet për t’u përballur me drejtësinë në Kosovë?

Ambasadori: Pra, ju e dini se çfarë ndodhi më 24 shtator ishte tragjedi edhe krim. Dhe unë kam thënë një varg gjërash, por do të them se, përsëri, ngushëllimet tona më të thella për popullin e Kosovës, dhe veçanërisht për familjen Bunjaku për humbjen që pësuan. Ishte e tmerrshme. Dhe qeveria ime, unë e kam thënë zyrtarisht, një numër zyrtarësh të qeverisë amerikane e kanë thënë zyrtarisht, kemi shprehur shqetësimin tonë të thellë për atë që ndodhi, duke dënuar atë që ndodhi dhe duke e bërë të qartë se përgjegjësit duhet të mbahen dhe duhet të japin përgjegjësi për të. Qeveria amerikane po përfundon vlerësimin e saj të përgjegjësisë. Ende nuk e kemi përfunduar. Por do të përsëris atë që kemi thënë më parë, ata që janë përgjegjës për këtë vepër kriminale, për vrasjen e një polici, për kërcënim të sigurisë dhe stabilitetit të Kosovës duhet të mbajnë përgjegjësi. Dhe do të punojmë me partnerët tanë kosovarë dhe të tjerët për të siguruar që kjo të ndodhë.

Kanal10: Po, Milan Radojiçiqi? A duhet të ekstradohet në Kosovë?

Ambasadori: Më lejoni të citoj atë që kolegu im Robert Wood tha në Këshillin e Sigurimit gjatë takimit të fundit të Këshillit të Sigurimit për këtë. Ky është qëndrimi i Qeverisë së SHBA-së, nuk ka ndryshuar: “Autorët e sulmit duhet të japin përgjegjësi të plotë në përputhje me sundimin e ligjit. Kjo përfshin përgjegjësinë e Serbisë për të hetuar, arrestuar, ekstraduar apo ndjekur penalisht çfarëdo të dyshuari që mund të ketë ikur në Serbi. Ky mbetet qëndrimi i qeverisë sime.

Kanal10: Z. ambasador, faleminderit shumë për kohën dhe intervistën në Politiko në Kanalin10.

Ambasadori: Ju faleminderit shumë.

Filed Under: Analiza

Glauk Konjufca: Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu dhanë porosinë se liria nuk fitohet pa luftuar

November 2, 2023 by s p

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, së bashku me kryeministrin Albin Kurti bëri homazhe dhe vendosi lule pranë varrezave të heronjve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, në 34 vjetorin e rënies së tyre.

Duke vlerësuar lart veprën e tyre heroike për çlirimin e Kosovës, kryetari Konjufca tha se Afrimi dhe Fahriu janë pararendës së luftës çlirimtare dhe se me aktin e tyre heroik dhanë porosinë se liria nuk arrihet pa luftë.

“Ata e dhanë porosinë dhe shembullin më të vlefshëm se okupatori nuk largohet nga Kosova pa i kapur populli armët në dorë. Kjo ishte porosia e tyre më e vlefshme dhe më vjen mirë që ata po nderohen dhe vlerësohen gjithmonë. Ne jemi këtu edhe me kryeministrin e Kosovës, me familjarët e dëshmorëve dhe me bashkëpunëtorët e tyre për t’i nderuar ata”, tha Konjufca.

Kreu i Kuvendit tha se heronjtë Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu përveç luftës me armë, gjithashtu kishin edhe formim intelektual.

“Ata përveç se kishin armën në dorë kundër pushtuesit serb, kishin edhe formim të lartë intelektual, kishin vetëdije historike dhe ishin të edukuar dhe të brumosur me parimet më të shëndosha dhe me idealet më të larta kombëtare”, tha kryetari Konjufca.

Heronjtë Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu ranë heroikisht duke luftuar me policinë serbe më 2 nëntor të vitit 1989 në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë.

Filed Under: Ekonomi

IL PICCOLO DI TRIESTE (1914) / INTERVISTA EKSKLUZIVE ME ISMAIL BEJ QEMALIN NË QYTETIN TONË : “PO KTHEHEM NË VLORË PËR T’I SHËRBYER ATDHEUT TIM…”

November 2, 2023 by s p


Ismail Bej Qemali (1844 – 1919)
Ismail Bej Qemali (1844 – 1919)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 2 Nëntor 2023

“Il Piccolo di Trieste” ka botuar, të hënën e 25 majit 1914, në ballinë, intervistën ekskluzive me Ismail Bej Qemalin në Trieste, qytet nga ku ishte nisur asokohe për tu kthyer në Vlorë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Ismail Qemali kthehet në Shqipëri.

Një intervistë me beun kalimtar në Trieste.

Burimi : Il Piccolo di Trieste, e hënë, 25 maj 1914, ballinë
Burimi : Il Piccolo di Trieste, e hënë, 25 maj 1914, ballinë

Ismail Bej Qemal rikthehet në skenë. Prej disa muajsh nuk kishim dëgjuar asgjë për të. Pas grushtit të dështuar të Izet Pashës dhe Beqir beut në Vlorë, ish-presidenti i qeverisë së përkohshme shqiptare u nis për në Nisë (Nice). Ai kishte humbur një pjesë të mirë të popullaritetit të tij dhe armiqtë e tij e akuzuan se kishte intriguar për të penguar ardhjen e princit të emëruar nga Evropa. Pak ditë më parë, sapo u përhap lajmi në mbarë botën se Princ Vidi kishte hequr qafe Esad Pashën, Ismail Qemali i dërgoi sovranit një telegram nga Nisa (Nice), ku dëshmonte një akt besnikërie dhe inkurajonte të gjithë shqiptarët të bashkoheshin me mbretin : pas zhdukjes nga skena të armikut të tij më vdekjeprurës, Esadit, ish-presidenti i qeverisë së përkohshme dha sërish shenja jete. Dhe dje në mëngjes, përtej Xhenovas dhe Milanos, Ismail Bej Qemali mbërriti papritur në qytetin tonë, rrugës për në Shqipëri.

Pasi zbriti në hotelin “Excelsior Palace”, ai ishte i lumtur të më jepte një intervistë. E gjetëm shumë të shqetësuar, të tronditur, ende nën përshtypjen e lajmeve të fundit shumë serioze që vinin nga Durrësi, të cilat ai sapo i kishte mësuar nga gazeta jonë pak çaste më parë. Gjatë bisedës së gjatë, Ismail Qemali na tha se është mësuar me surpriza dhe goditje, por se nuk është ndjerë kurrë kaq i tronditur sa në këtë moment. Ai pranon se situata në Shqipëri është bërë befas jashtëzakonisht kritike. Nëse ngjarjet vazhdojnë të përshkallëzohen, është e pamundur të thuhet se me çfarë rreziqesh mund të përballet Shqipëria.

— Shkëlqesia Juaj, a besoni në mundësinë e një ndërhyrjeje ?

— Do ta dëshpërohesha thellësisht, si çdo shqiptar i mirë ! Megjithatë, nisur nga situata e sotme, kjo mundësi nuk mund të përjashtohet. Përsa i përket përshtypjeve të mia për momentin aktual të turbullt, më duhet të shpreh bindjen time më të fortë se shumica dërrmuese e popullit shqiptar është besnike ndaj princit dhe se pikërisht për këtë është mirëpritur me gëzim heqja e elementeve të paqarta dhe rebele, të cilat interesat e huaja përfitojnë nga çdo fakt më i vogël për të ndezur telashe në dëm të vendit të tyre. Pra Esad Pasha. Linjat e kryengritjes që ai lëshoi tani, me sa duket u komplotuan nga ai në marrëveshje me emisarët e Kostandinopojës. Më habit fakti që shtypi, pavarësisht se e njeh të kaluarën e tij të errët, tani po përpiqet ta bëjë atë të duket viktimë e intrigave. Por një fakt tjetër më befason akoma më shumë : tani nuk flitet më për gjyqin që princi kishte nisur kundër tradhtarit; Esad Pasha është i lirë në Itali.

Princi duhej ta çonte deri në fund aktin e tij energjik; për fat të keq ai ishte i keqkëshilluar dhe jo më pak tani se kur u vendos përkrah njeriut që e tradhtoi sot. Në fund të fundit, e prisja këtë kthesë : Esadin e kam njohur për shumë vite dhe me shumë përvoja të ashpra. Në një telegram dërguar Princ Vidit dhe i cili i shpëtoi publicitetit, unë shpreha indinjatën time për tradhtinë e Esadit dhe përmenda gabimin e pafalshëm të kryer nga ata që e kishin këshilluar shumë lehtë sovranin të vinte ujkun të ruante kopenë…

— A është e vërtetë ajo që thuhet se kohët e fundit Esad Pasha ka humbur çdo ndërhyrje në vend ?

— Shumë e vërtetë. Nëse ka arritur të punësojë disa banda me ndihmën e Alifik beut dhe emisarëve të tjerë xhonturq, duhet ditur se këta të ashtuquajtur kryengritës janë të përbërë nga ata shqiptarë fatkeqë tokat e të cilëve kanë kaluar nën sundimin e serbëve apo grekëve, dhe të cilët, pasi humbën gjithçka, panë shpresë tek ai.

Princi donte të ishte shumë i butë me Esad Pashën dhe sot nuk janë të kënaqur as ata që arritën ta çlirojnë vendin nga një njeri i rrezikshëm si Esadi. Shqiptarët sot duhet të bashkohen si një njeri i vetëm rreth mbretit të tyre dhe do ta bëjnë këtë, jo vetëm për atë ndjenjë besnikërie, për të cilën me të drejtë krenohen, por edhe për një kalkulim (llogaritje) të interesit kombëtar : ata kanë nevojë tani më shumë se kurrë për këtë mbrojtës, për këtë baba të adoptuar, shumë i pëlqyer nga Evropa, që vetë Evropa e ka vënë në krah për ta rikthyer shtetin shqiptar të shkëputur prej saj katër shekuj më parë në familjen e madhe evropiane. Por nga ana e tij, princi duhet të tregojë besimin më të plotë te shqiptarët dhe duhet të mbetet mes tyre.

— Pra, Shkëlqesia juaj po kthehet në Shqipëri ?

— Po. Po kthehem në Vlorë ku prej kohësh më thërrasin me këmbëngulje miq dhe përkrahës. Thuhej se më kishin dëbuar prej andej. Kjo është e pavërtetë. Në një moment kuptova se kauza e Shqipërisë kërkon sakrificën e personit tim dhe e braktisa vullnetarisht vendin tim. Për më tepër, pas muajsh e muajsh pune rraskapitëse, kisha dëshpërimisht nevojë për pushim dhe shkova për ta kërkuar në Nisë. Tani kam vendosur të kthehem në atdhe. Do të shkoj të takoj princin dhe në çdo moment jam gati të ofroj krahun dhe mendjen time në shërbim të tokës sime. Megjithatë, do të them përsëri — përfundoi Ismail Bej Qemali — se nëse duam një organ të vërtetë shqiptar të qëndrueshëm, ata që janë në qeveri nuk duhet të kënaqen me gjysmë masa.

Ismail Bej Qemali — i cili shoqërohet nga një nga djemtë e tij — llogarit që brenda javës të jetë në Vlorë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Aurenc Bebja

JU FLET ZËRI I AMERIKËS! UNË JAM ELEZ BIBERAJ!

November 2, 2023 by s p

Në shekullin e njëzetë, Shqipëria ishte e trazuar dhe aspak fatlume. Ajo kaloi periudha të vështira dhe përballoi tre diktatura, diktaturën fashiste, naziste dhe komuniste! Me mbarimin e luftës së dytë botërore Shqipëria u pushtua nga diktatura staliniste enveriste e cila veproi si klikë sunduese duke detyruar mijëra familje shqiptare të largoheshin nga reprezaljet e sadistëve enveristë. Në mes mijëra familje fisnike me taban atdhetar u largua nga Shqipëria dhe familja e Dr. Elez BIBERAJT nga malsia e Gjakovës..Arratisja në kohën e diktaturës ishte akti më i dhimbshëm dhe sakrifikica më sublime e asaj kohe. Mirpo “Armiqtë e Popullit” siç i etikonte diktatura do të lenin pasoja katastrofale në fisin dhe rrethin miqësor, ku do tu mohoeshin të gjitha të drejtat dhe liritë e njeriut!

Familja Biberaj dha një kontribut të jashtëzakonshëm në perendim , ku ata shkuan sëbashku me shumë patriot e atdhetar të tjerë , figura të shquara antikomuniste, që luftonin për liri e demokraci u shquan në veprimtaritë e tyre atdhetare , në një kohë që antarët e familjve të tyre në Shqipëri , gjykoheshin pa gjygj, denoheshin me pushkatim dhe burg politikë me dhjetra vite , dhe internoheshin në kampe internimi, nga njerzë që i sherbenin me aq vullnet regjimit të egër antishqiptar për 45 vite terror e martirizim.

Kontributi i këtyre familjeve fisnike shqiptare që lane me dhimbje vendin e tyre , për të dale në botën e lire, i ndanë shqiptarët . Shqipëria mbeti vendi më izoluar në botë.

Në vitet 80 kur regjimi e kishte çuar në skripin e fundit të jetesës, jetën e shqiptarve ku lufta e klasave do të bënte kërdinë mbi jetët e pafajshme, ku shpresat ishin të humbura , në vendin e lirisë në Shtetet e Bashkuar të Amerikës Elez Biberaj ky shqiptar i madh i shekullit njëzet do ta fillonte punën e tijë si gazetar në Zërin e Amerikës ( Voice of America) –redaksia e gjuhës shqipe dhjetor 1980,

8 vite më vonë 1989 pozitën e redaktorit përgjegjës të redaksisë së gjuhës shqipe, ndërsa në 2004 Përgjegjës për redaksitë në gjuhët e europës,

Zëri karakteristikë i Elez Biberajt në Zërin e Amerikës do të kumbonte dhe bante jehonë si zëri shpëtimit të mijëra familjeve shqiptare që vuanin në terrorin komunist. Dhe miljona shqiptar që vuanin pushtimin serbë. Zëri i tijë nëpërmejt valve të radios Zëri i Amerikës jepte shpresa që do të vi liria. Ne “ Armiqt e popullit” siç na thirnin xhelatët e enverizmit, siç luteshim e besonim në Zot fshehtas, ashtu fshehtas mbyllnim dritaret me batania dhe tek radiot Iliria ndigjonim Zërin e Amerikës dhe besonim në lajmet e saj siç besonim në Zot, se liria do të triumfoi mbi të keqen. Nqs e Shejta Nënë Tereza do të nderohej si humaniste e madhe botërore dhe do të lartësonte emrin e shqiptarve kudo në botë. Elez Biberaj do të shkëlqente në fushën e gazetarisë botërore Profili i tij mediatik do të shquhej si një intelektual ndërkombëtarisht, si gazetar profesionistë, si studjues e hulumtues në shkencat politike, si historian i të vertetës për më shumë se katër dekada karierë mediatike e historike. Në këto dekada Dr. Elez Biberaj lartësoi kauzat shqiptare anë e mbanë botës. Ne e njihmim Dr. Biberaj nga zëri i tij i veçantë në valet e Zërit të Amerikës që në vitet 80. Por vizita e Sekretarit Bejker në sheshin Skënderbej 1991 e pamë potretin e tij burrëror siç janë malsorët e Alpeve e duatrokitim përkthimin e tijë me atë zë melidioz verior, shqiptarët u gëzuan që erdhi bilbili i Zërit të Amerikës, vetëm fytyra e diktatorit Ramiz Alia, dhe bashkëpuntorve të tij nxinte si nata, por fatmirsisht ishte një natë që po perendonte.

Nqs Kosova sot është e pamvarun, përkrah të madhit Dr. Rugovës e martirizimit të heroit dhe familjes së Adem Jasharit, masakra e Reçakut do të ishte zëri i Elez Biberaj që do ti tregonte opinionit botëror masakrat serbe ndaj shqiptarve të Kosovës. Shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi

,Luginë e kudo që ndodhen nëpër botë. E për këto kontribute atdhetare të Biberajt jemi krenar më ikonën e gazetarisë me burrin e madh të kombit tone, Elez Biberaj, ashtu siç nderohemi me të Shejtën Nënë Tereze , ashtu nderohemi me zërin dhe penën tënde brilante që për gati një gjysëm shekulli kontribuat në shërbim të së vertetës, u bëtë frymëzues për miljona shqiptar që vuanim nën diktaturë, duke sjellë dhe mësuar parimet e demokracisë amerikane. Kur u emruat drejtor i Zërit të Amerikës si Drejtor i Përgjithshëm lexova në portalin amerikan të lajmeve VOX“ Se Zoti Biberaj gëzon një reputacion shum të mire si një njeri serioz dhe profsionist i disiplinuar . Ai është dhënë me gjithë shpirt ndaj përhapjes së lire të lajmeve dhe informacionit në vendet dhe kontinentet ku kjo liri u mohohet njerzve . Mbas këtij komenti mund të shtoj se përkushtimi i juaj ndaj fjalës së lire ka kaluar përmasat kontinetale që u mohohet fjala e lire. Nqs ti mik dhe idealist i lirisë ndjesh krenar për kontributin tuaj 43 vjeçare në median ma të madhe botërore, dhe ne bashkombasit tuaj jemi krenar për Ju. Fatkeqësisht mbas 43 vitesh vitesh nuk do ta ndigjojmë zërin tuaj kumbues të mbrojmë lirinë në një vend ku demokracia është përdhunuar, por ai zë është jehonë që nuk shuhet dhe na na jep force që mos të sprapsemi ndaj dhunusve të lirisë që kan vesh mantelin demokratik.

Veprimtaria dhe kontributi i juaj për forcimin e marrëdhënjeve Shqiptaro-Amerikane demokratizimin e institucjoneve të lirisë për shqiptarët, kontributi i yt në pamvarsinë e Kosovës e lartsojnë personalitetin tuaj dhe i sherbejnë me madhështinë e alapeve, kombit shqiptar.

Ju jeni një kontributor i artë përkrah burrave të mëdhenj të Shqiptarisë.

Ti je ikona e antikomunizmit!

Ne të mbijetuarit e diktaturës të shprehim mirnjohje të thellë për çdo gjë që ke ba për shqiptarët, si në fushën studimore, historike, mediatike, dhe do të jesh frymzim për mediat shqiptare.

Me plot gojën mund të themi “Je bir i denjë i Shqipërisë.”

Me zërin e të vërtetës ju arritët të fitoni zemrat e shqiptarve. Dhe ashtu siç thotë OSCAR WILDE Ju e arritët : “In America , the president reigns for four years, and journalism governs forever and ever” Ju e keni fituar besimin dhe ky është misioni më i lartë i një gazetari Njeri!

Misioni juaj vazhdon:

JU FLET ZËRI I AMERIKËS! UNË JAM ELEZ BIBERAJ!

Besim NDREGJONI

Filed Under: Emigracion

Prania e veprës së Camajt në arealin e shqipes

November 2, 2023 by s p

Behar Gjoka*/

Me veprën letrare të Martin Camajt, fati ka qenë i dyzuar, madje edhe tani më tepër është një prani e papranishme. Njëherit, ka qenë lodërtar dhe i mbrapshtë, sepse Camaj e thoshte me sublimitet: Unë jam i juej, e ju jeni të mitë! Po ne, bashkëkombasit e shkrimtarit, lexuesit e veprës letrare dhe gjuhësore, a ia kemi mbërritur momentit ma ia kthye, po me atë klithëm dashnie që poeti e la vjerrë. Camaj dhe vepra e gjerë, ende notojnë në rrethin vicioz, që pati përmendur me herët Ardian Klosi: … në çdo epokë kemi të bëjmë me një luftë pa mëshirë kundër elitës kulturore shqiptare, që kositet sapo hedh rrënjë., e cila parathotë fatin e secilës kohë. Thirrja, që buron prej vetëdijes së vlerave të endura prej M. Camajt, do të jetë: Ti je yni e na jemi të tutë! Në këtë komunikim transhendental, tejet largëvajtës, gati-gati kozmik, shumëçka asht pezull, në pritje të një moti ma dashamir e mirëkuptues, që vlerat të radhiten në krye të shenjave moderne të letrave shqipe. Në thelbin shkrimor, ka qenë lodërtar, jo se deshti, po se nuk pati shteg tjetër, në kuptimin që asht një dukuni atipike, e gjuhës dhe letërsisë shqipe bashkëkohore. Martin Camaj, në gjallje dhe amshim, ka rendur në kundërpërpjetat jetësore dhe intelektuale. Jeta dhe vepra e Camajt, është kundër rrjedhës së kohës, kundër rrjedhës letrare dhe gjuhësore (në Shqipëri pas vitit 1944), ndonëse nuk bani beteja “gladiatorësh”. Me laryshi, pa bujë dhe zhurmë, duke u thelluar në shprehësinë letrare, i kundërvihet amullisë së unitetit dogmatik. Rrethana e shkrimit të përkundërtë me realizmin socialist, vijimi i lavrimit të gegnishtes, janë dy treguesit, që e bëjnë fatin e tij, të mbrapshtë në letërsinë bashkëkohore. Dy prej shenjave identifikuese, janë tregues përveçimi nga pjesa tjetër e letërsisë bashkëkohore, të cilat parashtrojnë veçanësinë:

A – Me shenjat letrare në shkrimin e poezisë, prozës, dramatikës, bartin dy cilësi:

– Mungesa e realizmit socialist, që lidhet me refuzimin fillimtar, arratisja për shkaqe politike, i dha dorë për të shpëtuar nga shkrimi ideologjik në letërsi.

– Kurba e lavrimit letrar, në poezi dhe prozë, falë shtegtimeve në Prishtinë, Romë, Mynih, kontakteve me letërsinë moderne, gjurmimeve të vlerave letrare, shndërrohet në një përvojë moderne në letërsinë bashkëkohore. Moderniteti që ngjizet duke gërshetuar traditën e letrave shqipe, me frymën moderne të letërsisë europiane, spikatet në përmbledhjet poetike Nema, Bualli, Palimpsest, e sidomos në madrigalin Drandja, si dhe në romanet Rrathë dhe Karpa.

B – Sendërgjimi i veprës, në poezi, prozë dhe dramatikë, me anë të variantit të gegnishtes, me ndonjë element të arbërishtes. Fakti i shkrimit të veprave letrare me variantin e gegnishtes, ndonëse të përpunuar, në nivelin e gegnishtes letrare bashkëkohore, e cila formulon dy tipare:

– Ndërlidhjen e letërsisë me traditën e shqipes, “Meshari” i Gjon Buzukut.

– Shkalla e përpunimit të gjuhës, në dëshminë e teksteve, me kahje moderne.

Shkrimi letrar në variantin e gegnishtes, vijon që të mbetet nyja gordiane e teksteve letrare të Camajt. Qasja ndaj lavrimit të gegnishtes, është lënë në heshtje, me gjasë, është nënkuptuar si çështje e qartë, e cila nuk ka nevojë për thellim argumentesh. Faktologjia e shkrimit në gegnisht, është tregues i shenjave unike që bart krijimtaria letrare. Hapësira tekstologjike, botimi i veprës letrare dhe gjuhësore, është përgjigjja më e mirë, ndaj përpjekjeve për ta lënë në hije. Shkrimi i teksteve në gegnisht, ku merr vlerë dekodimi i fakti gjuhësor dhe letrar. Shtrimi dhe zgjidhja e problemit thelbësor, të poetikës së Camajt, mishëruar në poezi, prozë dhe dramatikë, nuk ka gjasa të tejkalohet. Në mesin e shtysave, që e detyruan që të lëvronte gegnishten, ta ngrinte në zenitin e ligjërimit bashkëkohor, kërkohen te gjurmët personale, si dhe të konteksteve jetësore dhe rrethanat e shkrimit të gjuhës dhe letërsisë në bashkëkohësi. Megjithë atmosferën e shumëfishtë, dy shkaqe, shihen si më kryesoret:

E para: Mundësia e ngallicave siprane, që e nxitën Camajn, për të vijuar lavrimin e gegnishtes, është një ndjesi e brendshme, e thellë, që lidhet me ligjërimin bisedor me të cilin u rrit. Kur autori la atdheun, e vetmja “pasuri” e patundshme, që mori me vete ishte gjuha gegnishte. Në një kuptim të ngushtë, gegnishtja për Camajn, ishte djepi ku u përkundën dëshirat, aspiratat, andrra për një jetë ma të mirë, e sidomos për liri kreative.

E dyta: Faktografia domethënëse, ku pjesa dërrmuese e teksteve , është plasuar me gegnishte, në kuptimin logjik, është vijimi i kundërshtisë së Kongresit të drejtshkrimit të vitit 1972, gjë që gegnishten e përvijon si “vorri” ku fle magjia e shkrimit. Camaj e dinte se çka ndodhte në Shqipëri, madje e ndiqte me shqetësim, sidomos rrëshqitjen e letërsisë në binarët e realizmit socialist, si dhe të përpjekjes sizifiane, të fitimtarëve të komunizmit, për të rrudhur praninë dhe rolin e gegnishtes, arbërishtes dhe të secilës ngjyresë të gjuhës shqipe. Kjo rrethanë, e përjashtimit absurd, e cila megjithatë vijon sot e gjithë ditën, krijoi ndarje sociolinguistike, si dhe përthau ligjërimin bisedor dhe letrar, si pasojë e trysnisë jashtëgjuhësore të ushtruar nëpër këto vite.

*Autor i librit Martin Camaj-shkrimtaria e tij, botuar në vitin 2010

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 61
  • 62
  • 63
  • 64
  • 65
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT