• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2023

Stinë pashoqe

November 1, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Asnjë stinë tjetër nuk na magjeps si vjeshta, me sixhadenë e saj madhështore të ngjyrave dhe spektaklit. Ka diçka magjike në mënyrën se si gjethet ndryshojnë nga njëngjyrëshe të verës në një gamë të gjallë me të kuqe, portokalli dhe të verdhë në vjeshtë.

Kërcitja e lehtë e gjetheve nën këmbët tona krijon një kolonë zanore qetësuese ndërsa rrezet e diellit të artë lajnë gjithçka që prek në një shkëlqim të butë eterik. Në poezinë e saj “Stina e qelqit”, Yoko Ono kujton me elokuencë: “Vjeshta kalon dhe kujtohet nderimi”.

Vjeshta është kohë transformimi, kujtesë prekëse e të korrave të bollshme dhe natyrës ciklike të jetës. Është stinë e pakrahasueshme; na inkurajojnë të ndalojmë dhe të shijojmë kënaqësitë e thjeshta të stinës: zjarret komode, ushqimet e përzemërta, shoqërinë e familjes dhe miqve dhe shkëlqimin e hollë e kalimtar i botës me tone të çmuara rreth nesh. Është një ditë e bukur vjeshte e shndritshme, me ajër si musht dhe një qiell aq blu sa mund të mbytesh në të.

“Sa të zgjasë vjeshta, nuk do të kem duar, kanavacë dhe ngjyra të mjaftueshme për të pikturuar gjërat e bukura që shoh”, shprehej Van Gogh

Jeta fillon nga e para kur bëhet e freskët në vjeshtë. Era ngrihet dhe mijëra e mijëra gjethe të verdha të fikut këputen nga mbështetja e tyre dhe derdhen nëpër qiell. Gjethet e vjeshtës nuk bien; ato fluturojnë, marrin kohën e tyre dhe enden në këtë, është shansi i tyre i vetëm për të fluturuar. Ka një ftohje të dukshme në ajër tani dhe gjethet e lagura janë kudo – në oborre, në trotuare, në rrugë, të mbërthyera në makina. Duket sikur bota ishte e mbuluar me një kore me sheqer, kafe dhe kanellë përzier. Rrapi me kreshtë të kuqërremtë, dhe hiri i bukur, i lëmuar, me gjethe, duken si fytyra të njohura miqsh të vjetër.

Vjeshta digjet shkëlqyeshëm, një flakë rrjedh nëpër male, një pishtar hidhet mbi pemë. Të rrumbullakëta dhe të ëmbla, mollët skuqen në degët e ngarkuara dhe qiejt mbajnë një qartësi më të thellë blu. Të gjitha jetët që kemi jetuar ndonjëherë dhe të gjitha jetët që do të jenë, janë plot me pemë dhe gjethe që ndryshojnë. Shfaqen hardhitë e varura, ndërsa era rreth tyre hidhërohet; zemra e vjeshtës duhet të jetë thyer këtu, dhe ka derdhur thesarin e saj mbi gjethe.

E mbaj mend siç kujtohen gjithmonë ditët e tetorit, pa re, me shije panje, ajri i artë dhe aq i pastër dridhet. Xhorxh Eliot shprehej:

“Vjeshtë e shijshme. Kur ikën, shpirti i lidhur me të dridhet; po të isha zog do të fluturoja nëpër tokë duke kërkuar vjeshta të njëpasnjëshme”.

Rri pranë zjarrit dhe mendoj për të gjitha ato që kam parë, për gjethet e verdha dhe për thashethemet në vjeshtë që ishin me mjegullën e mëngjesit dhe diellin e argjendtë dhe flladin mbi flokët. Rrapi përballë pragut të derës digjej si një pishtar gjigant i kuq. Lisat përgjatë rrugës shkëlqenin në të verdhë dhe në bronz; fushat shtriheshin si një qilim xhevahiresh; kudo që ecja ngjyra bërtiste dhe era këndonte rreth meje.

Filed Under: Fejton Tagged With: Astrit Lulushi

Në Moosburg të Bavarisë u mbajtë manifestimi tradicional, “Nëntori Letrar-Kulturor 2023” dhe manifestimi Jubilar i 10-të Vjetorit të veprimtarisë së LKSHM

November 1, 2023 by s p

Mustafë Krasniqi/

(Në këtë link, mund ta përcillni videon e manifestimit në yotube-https://uraebashkuar.com/ne-moosburg-te-bavarise-u-mbajte…)

Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë në bashkëpunim me Klubin Letrar “Martin Camaj” në Mynih dhe me Shoqatën “Bekim Berisha-ABEJA” në Moosburg të Bavarisë, për dy ditë radhazi mbajti takimin “Nëntori Letrar-Kulturor 2023”, Manifestim Jubilar në 10 Vjetorin e veprimtarisë së LKSHM. Ky takim u shoqërua edhe në ditën e dytë me shumë aktivitete dhe me një program të larmishëm kulturore-artistik, të shoqëruar me këngë valle dhe batuta e me veshjen kombëtare e biseda. Në sofrën e odës së madhe të improvizuar, që dhe është bërë manifestim tradicional për Shoqatën “Bekim Berisha-ABEJA” në Moosburg.

Në “Darkën e Lamës”, në ditën e dytë sofrën e gjejmë të përmbushur me ushqime të ndryshme nga kuzhina tradicionale shqiptare, nga të gjitha trevat e Shqipërisë Etnike. Në këtë takim manifestues të pranishëm ishin : Nga shteti i Gjermanisë ku dhe u mbajtë manifestimi, Zvicra, Austria, Franca, Shtetet Skandinave etj.

Manifestimin e hapi Mentor Thaçi, ndërsa fjalën hyrse për 10 vjetorin e themelimit të Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë e mbajti kryetari i LKSHM-së Musa Jupolli, i cili ndër të tjera tha:

“Detyra e shkrimtarit është të riprodhojë realitetin ashtu siç është, që mos të jemi në “shënjestër “nga dobësitë tona, nga përçarjet në veçanti! Kjo vlen edhe për klasën politike!”

Në fund të këtij takimi dy ditorë doli porosia e shprehur përmes fjalës artistike e konkretisht nga Mustafë Krasniqi-koordinatori i LAPSh-it dhe nënkryetar i KKAD-së , i cili me emocione u bëri thirrje të pranishmëve dhe gjithë komunitetit shqiptar, kudo që janë në botë, të jenë pjesë e ndërgjegjësimit për shkollën shqipe në diasporë. Ndër të tjera theksoi: “Përpos që e ruajmë gjuhën amtare, i ruajmë fëmijët nga asimilimi dhe identitetin kombëtar, mbi të gjitha ia kthejmë shpresën atdheut, duke mos i lëmi të zbrazura (të shkreta) kullat tona të vjetra sa vet njerëzimi!

Ora letrare u shoqërua me paraqitjen e shumë botimeve të reja të autorëve të mërgatës, në mes dy takimeve, si dhe u lexuan poezitë nga autorët e pjesëmarrës, ku dhe ju ndanë mirënjohje. Ndërsa çmimi i parë “Pena e artë “ iu nda pedagogut, Publicistit dhe shkrimtarit, Hazir Mehmeti nga Austria, punuar nga Sokol Ahmetaj. Kurse çmimin «LKSHM- 2023 Fran Tanushi» ju ndanë dy poetëve nga Austria: Angjelinë Marku dhe Violetë Allmuçaj; “Çmimi 28 Nëntori”, ju nda skulptorit Mal Myrtaj, ndërsa çmimin “Kongresi i Manastirit” ju nda Nysret Dërgutit nga Gjermania dhe çmimi «Fisnikria» ju nda poetes nga Franca, Fakete Rexhës .

Takimin manifestues e përshëndetën: Sekretarit-Mentor Thaçit dhe kryetari i LKSHM-së Musa Jupollit, kryetarit i Klubin Letrar “Martin Camaj” Bashkim Halili dhe kryetarit të Shoqatës “Bekim Berisha-ABEJA” Agron Haxhija.

Në këtë takim ishte i pranishëm edhe gjenerali i UÇK-së Rrustem Berisha, i cili ndër të tjera i përgëzoi organizatorët për këtë organizim madheshtor.

Filed Under: Mergata

TRADITA E ELBASANIT NË PËRPJEKJE PËR KRIJIMIN E NJË KISHE SHQIPTARE

November 1, 2023 by s p

Prof.Dr. Roland Gjini/

Një ndër paradokset e botës shqiptare është se në një hapësirë të vogël gjeografike bashkëjetojnë ndër shekuj besime dhe institucione fetare të ndryshme, si në përmbajtjen religjioze, ashtu edhe në orientime politike, ndonjëherë kontradiktore. Historia e popujve të botës, jo vetëm në shekujt e mesjetës, por edhe sot, ka treguar se si kontradiktat sociale e politike midis grupimeve të ndryshme apo etnike, kanë çuar në konflikte fetare, pse jo edhe në luftëra. Në këtë kuptim, theksojmë se Shqipëria dhe shqiptarët janë ndoshta populli unikal i tolerancës fetare, që ka në themel respektin për ndërgjegjen fetare dhe lirinë e besimit të tjetrit. Prandaj te ne nuk janë ndeshur luftëra apo konflikte për çështje fetare apo besimi. Kjo bashkëjetesë, në rastin tonë të Elbasanit, nuk shfaqet vetëm brenda qytetit, por edhe në fshatra, në marrëdhëniet fshat-qytet, midis krahinave, madje edhe midis familjeve. Toleranca dhe bashkëjetesa fetare, si një rast tipik i Elbasanit dhe i shqiptarëve në tërësi, si një fenomen origjinal dhe i pashembull i shfaqjes së tij, natyrisht që ka shpjegimin e vet historik, sociologjik e psikologjik. Ne po ndalemi më tepër te rasti i Elbasanit dhe i trevave rreth tij.

Elbasani, i vendosur në mesin gjeografik të Shqipërisë, aty ku kryqëzohen arteriet tregtare dhe bashkë me to edhe të fomet, kulturat, traditat, idetë, besimet, është rasti më tipik i tolerancës dhe i bashkëjetesës shqiptare. Kështu, brenda Kalasë, një hapësire mjaft të vogël, në rrugicat e ngushta të saj që gjarpërojnë, gjejmë rrënoja të kishave të hershme, deri sinagoga të judejve, të kishave të reja e të xhamive, që ndodhen pranë njëra-tjetrës. Kështu, kemi kishën ortodokse të Shën Marisë, e rindërtuar në vitin 1833, Xhaminë Mbret, ndërtuar fillimisht në fund të shekullit XV dhe rindërtuar në pamjen që ka sot në shekullin XIX. Po brenda kalasë ndodhet edhe një kishë katolike, e ndërtuar në vitet’30-të të shekullit XX si kisha Unite e Elbasanit, por që me dështimin e lëvizjes unite në Luftën II Botërore u kthye në kishë katolike. Pjesa më e madhe e popullsisë së Elbasanit e trevave përreth i takon besimit mysliman: synitë dhe bektashinj, por ka edhe disa familje besimtare shiite.

Përballë rivaliteteve fetare, politike e nacionale, që në shekullim XIV, kur konfliktet mes Lindjes e Perëndimit kishin arritur kulmet e zhvillimit të tyre, në kushtet e krizës së Perandorisë Bizantine, pjesë e së cilës ishin edhe trojet shqiptare, në krahinat e Elbasanit do të gjejmë dy nga qendrat fetare rivale, shumë pranë njëra-tjetrës, siç janë peshkopata katolike e Mamlit, dhe në Jug të saj një objekt të njohur fetar ortodoks, manastiri i Shën Gjon Vladimirit. Ky manastir u ndërtua nga një princ shqiptar, Karl Topia, që vlerësohet si “kalorës i katolicizmit”, por për të respektuar besimin e banorëve vendas, pranë Bradasheshit ndërtoi në vitin 1381 Manastirin ortodoks të Shën Gjonit (Shijonit).

Në Elbasan ndeshen përpjekjet e para të dokumentuara për ta bërë kishën shqiptare, për të krijuar mundësitë që besimtarët e kishës së “Shën Marisë”, të dëgjojnë fjalën e Zotit në gjuhën e nënës. Është fjala për Anonimin e Elbasanit, që cilësohet si “protopapë”, herë “bogomil” dhe herë përcaktohet me emrin e Papa Totasit, për të cilin akademiku i njohur elbasanas, Dhimitër Shuteriqi thotë se është Theodhor Bogomili, i cili, në shekullin XVII, hartoi një alfabet me të cilin shkroi disa psalme kishtare në shqip. Ndërsa Papa Totasi është botuesi i tyre. Me alfabetin origjinal që ai krijoi shkroi përkthimet e librave të shenjta për t’u lexuar në kishë, për të bërë shërbesën fetare në gjuhën shqipe. Këto përpjekje do të ringjallen nga Dhaskal Todri (Teodor Haxhifilipi) i cili, i frymëzuar nga ide iluministe e çon më përpara shkrimin në shqip të materialeve fetare të krishtera, duke sjellur nga Perëndimi gërmat, dha mundësi konkrete për këtë qëllim.

Në vazhdim të kësaj tradite, në shekullin XIX, kur lëvizjet nacionaliste kanë përfshirë krejt Ballkanin, është përsëri Elbasani që përpiqet të gjejë rrugë të reja, diktuar nga rrethanat e reja historike, që ta shpëtojë vendin nga përçarjet fetare. Duke shfrytëzuar mundësitë që krijonte shoqëria Biblike Angleze, për të propaganduar protestanizmin, që do të shërbente si mbështetje ideologjike e politikës së Mbretëri së së Bashkuar në Lindje, Kostandin Kristoforidhi punoi shumë për të përkthyer me një gjuhë të njësuar shqipe librat e shenjta, për t’i përhapur ato në të gjitha viset shqiptare, të shoqëruara me prorosinë që shërbesat kishtare të bëhen në gjuhën shqipe. Me anë të veprimtarisë së tij në shkrimin në shqip të materialeve fetare, Kristoforidhi synonte të realizonte disa qëllime njëherësh:

– Së pari, përdorimi i gjuhës amtare në kishë do të ishte preludi i kthimit të institucioneve fetare të krishtera në institucione kombëtare.

– Së dyti, me anë të këtyre shkrimeve ai jepte një mundësi që bashkëatdhetarët e tij të mësonin si të lexonin dhe shkruain gjuhën amtare. Në këtë kuptim ai u bë edhe mësuesi i hershëm, që bëri ndoshta më shumë se kushdo për t’i mësuar shqiptarëve shkrimin e leximin shqip.

– Së treti, duke përkthyer librat e shenjta me një gjuhë të përpunuar shqipe, gjë që mund ta bënte vetëm ai, krijonte një mundësi praktike për t’i dhënë shtytje procesit të njësimit të gjuhës sonë. Në këtë drejtim kanë të drejtë ata që thonë se ai donte të bënte në Shqipëri atë që Luteri bëri në Gjermani.

Së katërti, duke i dhënë besimtarëve të krishterë shqiptarë mundësinë që ta njohin doktrinën kishtare në origjinën e saj, Kristoforidhi do të bënte të mundur që të kuptohej mirë misioni historik universal i krishtërimit dhe ta ndanin atë nga vulgarizimet dhe teoritë social-politike.

Në këtë truall, në vazhdim të traditës së krijuar, vjen edhe vepra e Papa Jorgji Theoharit, i njohur ndryshe si Arkimandriti Germanos. Përballë këmbënguljes që tregonte hierarkia e Kishës Ortodokse, për të mos lejuar që shërbesat fetare të bëheshin në gjuhën shqipe, që në shkolla të mësohej edhe gjuha shqipe, ai i propozon bashkëatdhetarëve të tij një rrugë të njohur në praktikën e lëvizjeve fetare në Evropë: krijimin e një kishe katolike bizantine, sipas së cilës asgjë nuk ndryshonte në ritet e kryera, por vetëm varësia hierarkike kalonte nga Patrikana e Stambollit (Konstandinopojës) në Romë, te Vatikani. Ai siguronte se mjafton ky ndryshim, për të bërë të mundur që shërbesat të bëheshin në gjuhën shqipe, që të hapeshin shkolla në gjuhën amtare dhe, për rrjedhojë, të izolohej veprimtaria politike antishqiptare e Patrikanës, që ishte vënë të shërbim të platformës shoviniste greke të “Megaloidhesë”. Kështu, në fund të shekullit XIX lindi dhe u zhvillua, nën drejtimin e Atë Germanos-it në Elbasan e trevat ortodokse përreth lëvizja për kishën unite.

Nuk është e rastit, që mbështetës i kësaj lëvizjeje u bë edhe një figurë tjetër e rëndësishme e klerit ortodoks elbasanas, që gradualisht kishte ngjitur shkallët e karrierës në hiearkinë ortodokse, Peshkopi i Durrësit, Atë Visarion Xhuvani. Pas vitit 1920, në kushtet e reja historike, kur në Kongresin e Lushnjes hidhen themelet e organizimit të shtetit shqiptar mbi baza demokratike të përparuara, një ndër problemet që kërkonte zgjidhje ishte edhe realizimi praktik i një norme të njohur, së paku në ortodoksi, një shtet, një kishë. U intensifikua kështu lufta për pavarësinë e institucioneve fetare shqiptare nga qendrat e tyre jashtë vendit. Më e spikatura në këtë proces ishte lëvizja për Autoqefalinë e Kishës Ortodokse Shqiptare. Hapat konkretë që u bënë në këtë drejtim, bënë që në vitet 20-të të shekullit XX të hiqet dorë nga lëvizja për kishën unite. Visarion Xhuvani, ky personalitet i shquar i jetës kishtare, por jo vetëm, por edhe i jetës politike e shoqërore shqiptare, pjesëmarrës i Kongresit të Lushnjes, deputet i Parlamentit shqiptar, u vu në krye të lëvizjes për themelimin e një kishe autoqefale shqiptare. Këtë lëvizje ai e shihte paralel me shkollimin laik të popullit shqiptar, madje për këtë ai u shpreh në parlament: “Shkollat vërtet janë më të nevojshme dhe do ishte ma mirë që një vend, në vend që të ketë tri kisha të ketë një kishë, po të ketë shkolla që të bajnë nevojë, pse kishën mund ta bajë njeriu edhe në shtëpinë e vet”

Atë Visarion Xhuvani është ndër personalitetet më aktivë në procesin e krijimit të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Për këtë ai mori pjesë gjallërisht në këtë lëvizje. Arhimandri Xhuvani merr pjesë në Kongresin e Beratit, që u mbajt në qershor të vitit 1922, ishte tepër aktiv më pas, ku përfaqësues të klerit dhe të popullit të Shqipërisë u mblodhën në Korçë për punimet e Kongresit të Dytë Gjithortodoks të Korçës, që u mbajt në vitin 1929. Këtu ai u zgjodh edhe Kryepeshkopi ortodoks i gjithë Shqipërisë, detyrë të cilën e mbajti deri në vitin 1937. Kongresi historik i Korçës miratoi njëzëri dokumentet bazë të Kishës dhe mjaft vendime të tjera, duke e vendosur Kishën Shqiptare si kishë të pavarur, krahas kishave të tjera ortodokse ballkanike.

Filed Under: Histori

IZRAELI, PLOJA DHE BOTA PËR SË PRAPTHI

November 1, 2023 by s p

Nga PAOLO MIELI – “Corriere della Sera”, 24 tetor 2023  – Përktheu: Eugjen Merlika /

Deri tani goditjen më të ashpër Hamasit i a ka dhënë një gazetare e re arabe, Rasha Nabil, që duke e intervistuar tek Al Arabija, udhëheqësin e organizatës terroristike, Kaled Meshal, e ka vënë në vështirësi disa herë. Al Arabija – shemër e katariotes Al-Zhazira – është një stacion televiziv i themeluar në Emiratet arabe të bashkuar njëzet vite më parë, ka selinë në Dubai dhe gëzon financime saudite. Për të tjerat përgjigja e Izraelit atentatit shkandullues  të 7 tetorit ka qënë deri tani e paefektëshme, pak e kuptueshme dhe simbas çdo vështrimi, kundërprodhuese. Në gjithë botën – duke bërë përjashtim për pakica të vogla – është ngritur një valë e fuqishme kundërizraeliane e gjithënjë e më shumë kundërsemite me përmasa shqetësuese. Vala ka gjetur jehonë  deri tek kryet e Kombeve të Bashkuar ku sekretari i përgjithshëm Antonio Gutierres  – edhe se pa rënë në stereotipe kundër judaike  – mbas fjalëve të dënimit të sulmit të 7 tetorit, që mund të dukeshin të pasinqerta, e ka shpënë përgjegjësinë e ngjarjes në “pesëdhjetegjashtë vitet e pushtimit mbytës izraelian”. Një gjëmë. Fjalë të një nënkuptimi të pamohueshëm justifikues. Edhe se për tepri ngutjeje gaboi delegati izraelian duke kërkuar dorëheqjen e sekretarit të Kombeve të Bashkuar. Gutierres, në çdo rast, nuk është i vetëm. Veprimi fillestar i konfliktit të sotëm , më shumë se njëmijë banorët e therur, të djegur për së gjalli e, pjesërisht të rrëmbyer të Izraelit, ai veprim pothuajse është zhdukur nga gjithësia e komunikimeve. I është dashur t’i lëshojë vëndin “gjenocidit” të kryer kundër popullsisë së Gazës për të cilin hedh fjalën sekretari i OKB-së. Personalitete të mëdhenj të mbarë botës – edhe t’asaj perëndimore ndjekin “modelin Gutierres” dhe i përshtaten gjithënjë e më shumë kësaj mënyre të frikëshme të vështrimit të asaj që po ndodh në Izrael. Çdo shpresë e pakët i është besuar “ndërmjetësimeve” të Katarit (njëri ndër mbështetësit kryesorë të Hamasit), në sajë të të cilëve arrihet të kihet , pikë pikë  lirimi i ndonjë të burgosuri. Edhe në Izrael gazetat diskutojnë se kur do të vijë ora e dorëheqjes së Netaniahut – për disa ka kaluar – dhe përshkruajnë pa u vetëpërmbajtur ndasitë në brendësitë e ushtrisë. Tregojnë për drejtues politikë e ushtarakë, synimi kryesor i të cilëve është të mbeten jashtë kundërshtimeve dhe padive mbrapa, kur gjithshka të ketë mbaruar.

Por a do të vijë shpejt ajo mbrapa? Mund të them se është çështje ditësh, të ndonjë jave? Të na lejohet të dyshojmë. Çdo krahasim me luftërat e së shkuarës është i pasaktë. Në kuptimin që ato të peëdhjetë, gjashtëdhjetë viteve më parë(1956, 1967, 1973) qenë luftëra të një Shteti kudër Shteteve të tjera. E pjesërisht përsa i përket Libanit qe kështu. Por kundër organizatave terroriste – veçanërisht kur kanë dhënë prova se gëzojnë ndonjë miratim nga popullsia civile – çështja është krejtësisht e ndryshme. Që kur Sharoni “liroi” Gazën (2005) luftërat me Izraelin janë shumëzuar, e secila nga këto luftëra ka përfunduar në mënyrë të tillë që të mund të rifillonte pak kohë më mbrapa. Këtë tip ndeshjesh me terroristët mund të “fitohet” vetëm në mënyrën që Putini përdori në kohën e tij me Çeçeninë. Një terren mbi të cilin urojmë që asnjë drejtues i Izraelit të mos ketë ndërmënd të kuturiset.

Biden-i kur me guxim i ka kujtuar se si shkuan gjërat në Irak e kryesisht në Afganistan, ka provuar t’u a bërë t’a kuptojnë. Nuk është ajo rruga për t’u rrahur. Sulmi i zgjatur në Gaza, i shoqëruar me pamje të përditëshme pleqsh, grash e fëmijësh që tregojnë zitë e tyre, nuk “kompensohet” me lajmin që u godit ky apo ai drejtues i Hamasit, aspak. Me kohë do të jenë të shtrënguar të jenë të pranishëm në shtime tensioni dhe në mbërritjen e raketave edhe në pjesën tjetër të Izraelit, duke patur në sfond rivendikimin provokues nga ana e Iranit të regjisë së gjithshkaje që po ndodh.

Nuk vlen asgjë fakti që Hamasi nuk e ka aspak në zemër fatin e palestinezëve, që obietivi i shpallur në operacionin e filluar më 7 tetor është shkatërrimi i Shtetit të Izraelit. Evropa (për fat jo e gjitha) e veçon çdo ditë e më shumë Ursula von der Leyen që – siç ndodh tashmë për Ukrainën – duket se është nga të paktat që kupton atë që po ndodh në të vërtetë. Manifestimet armiqësore kundrejt hebrenjve si në Vitet Tridhjetë nuk bëjnë përshtypje. Bën përshtypje të jesh i pranishëm në shfaqjen e njerëzve që nuk derdhën asnjë pikë loti për vrasjen e të pafajshmëve në Mariupol, e tani shqyejnë rrobat për diçka – që deri tani – nuk mund të krahasohet as së largëti me atë që është parë në Ukrainë. 

Megjithatë , fakti që Rasha Nabil ka guxuar të sfidojë Kaled Meshalin na shtyn të shpresojmë se pëlhura e endur me Arabinë Saudite  nuk është çjerrur plotësisht. Që mbreti Abdullah II i Jordanisë nuk ka pranuar të takohet me Biden-in vetëm për oportunizëm. Që n’Egjypt Al Sizi të jetë ndoshta më i shqetësuar se Netaniahu për atë që po ndodh. Që Emiratet arabe të bashkuar janë duke vlerësuar me kujdes kuptimin e vërtetë të “ndërmjetësimit” të Katarit. Vite më parë në raste të tilla i drejtoheshim “islamit të moderuar”. Këtë herë – për ndershmëri kundrejt vetes sonë, nuk e kemi bërë atë thirrje. Megjithatë, ndoshta, kur bënte ato pyetje bezdisëse Meshalit, Rasha Nabil ishte e ndërgjegjëshme se kishte mbas shpatullave një botë, një botë më të madhe se sa ajo që mund të përfytyrojmë sot.

“Corriere della Sera”, 24 tetor 2023  – Përktheu: Eugjen Merlika  

Filed Under: ESSE Tagged With: Eugjen Melika

Grateful to Dr. Elez Biberaj – a voice of freedom and democracy, in crucial moments for the Albanian nation

November 1, 2023 by s p

By Harry Bajraktari/

Congratulations to Dr. Elez Biberaj on his retirement from the Voice of America after a great career that has spanned five decades.

He became literally the voice of America and the voice of democracy in the last years of communist rule in Albania, when VOA’s broadcast challenged the regime and gave hope to millions of Albanians.

In the 1990s, when free press was banned in Kosova, the Voice of America became the only trusted source of news for the Albanians in Kosova and throughout the former Yugoslavia. Indeed, Albanians wherever they lived, recognized the voices of that generation of journalists and directors of the VOA team including Dr. Elez Biberaj, Frank Shkreli, Shaqir Salihu, and many others, who delivered the vital news for their lives and their struggle for freedom.

After many years as Chief of the Albanian Service, Elez went on to lead VOA’s important EuroAsian Division and then became Acting Director of the entire Voice of America.

Just like me, Elez Biberaj came to this country as a young teenager and embraced the opportunities of this great country, while never forgetting where he came from. We knew each-other growing up and share many memories together.

Elez and the Biberaj Family have made a difference in the life of our nation and everywhere in the communities where they have lived and continue to live. They have excelled in many fields of life and remain an inspiration to Albanian-Americans.

Today, we thank him for his great contribution to freedom, democracy, and journalism not just for Albanians, but for the people throughout the world.

On behalf of my family, I wish him joy and happiness in the next chapter of his life.

Marrë nga Gazeta Illyria:
https://www.illyria.com/grateful-to-dr-elez-biberaj-a-voice-of-freedom-and-democracy-in-crucial-moments-for-the-albanian-nation/

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 64
  • 65
  • 66
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT