• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2023

BETEJA PËR KOMBËRINË DETYRË UNIKE

December 19, 2023 by s p

Shqiprim Pula/

Në kontekstin biologjik e filozofik, njeriu vdes dy herë, e para fizikisht kur zemra pushon së rrahuri dhe truri pushon së funksionuari dhe e dyta, kur ndodh harresa nga personi i fundit në këtë botë për të. Ka disa detyra unike, nga figura unike, të rilindjes kombëtare që nuk janë harruar, mbi riorganizimin e forcave që drejtuan nevojën historike si vlerë universale, në kushte paqeje e gjysmë lirie, ku do t’i shfajësonin faktorët ndërkombëtar në këmbënguljen e tyre në ndarjen tonë.

Në historikun kombëtar Shqipëtar, hera herës kemi qenë në gjum qytetarë, e edhe në varfëri dijesh, por, nuk e kemi tretur informacionin kapilar për okupatorët. Rreth betejave mbi pesëqind vjeçare me Osmanllinjët dhe mbi njëqind vjeçare me Sllavët-e-Serbët, për të ruajtur gjuhën dhe rracën Arbërore-Shqipëtare, e cënuar nga fqinjët gllabrues. Përgjatë historisë, betejat tona janë fituar nga bijët e bijat më të mirë të kombit, me të vetmën kauzë, ruajtjen e kombërisë. Poashtu, përgjatë historisë, emisarët e ambasadorët e huaj, e të pa numërt janë ata, të cilët madje qenë pjesë e skenarëve për kurthe politike dhe ndarje të hapësirave Shqipëtare, ashtu sikur edhe sot, të bollshëm janë prej tyre me diktate e trysni për krijim krijesash artificiale (siç; “zajednica”) që n’a e lëndon ekzistencën e gjymton shtetin!, e vërtet, që në hapësirën e Europës Juglindore, ne Shqiptarët, kemi patur evoluim dhe transformim shtetëror më të ngadalshëm se të tjerët në Europë, por, kjo thjesht është veçantia jonë. Për këtë, ka paketa analizash nga të tjerët, dhe jo gjithëherë treguan e e pasqyruan historinë tonë, por, fatkeqësisht, sa më shumë analiza nga të tjerët të ketë, aq më pak debat politik kuantik bëhet nga ne vet!.

Që kur ndodhi ndrrimi i sistemeve politike, media n’a ka servir çka është interesi i të tashmes së varfër politike në rrethana Ballkanike, në vend që të hapej horizonti i thellësisë së interesit kombëtar të së ardhmes. Mbase e harruar apo e pavlerësuar, po janë me shumicë brezash të të sakrifikuarve për të ruajtuar kombërinë, ashtu siç ne sot duhet sakrifikuar e dhënë shumë për të ardhmen e brezave që do n’a pasojnë. Media sot me apo padije, me apo paqëllim, po krijojnë provinca vullnetesh, ndërkaq që, për ndjeshmërinë e temës do duhej të ketë një gjeografi politike të gjërë. Po kjo, po ndodh, akoma si pasojë e varfërisë kulturore politike në hapsirat tona. Ashtu sikur se nëpër studiot televizive nxirren të njejtat tema me të njejtit emëra, pothuajse çdo natë, të vetmjaftueshëm për t’ia servir publikut, kjo, për ironi të fatit vazhdon të ndodh. Qytetarët tanë, me apo pa të drejtë mbajtën në kurriz, politikanë me pasoja të ndjesisë që kishim si shkas e që mashtroheshin për shkaqet e tranzicionit apo të kapërcimit socio-ekonomik. E përderisa qytetarët nuk reaguan dhe nuk kërkuan ndërrimin e biznes-politikanëve, atëherë, kjo do të nënkuptonte se këta qytetarë, në hapsirën Shqipëtare, sikur i deshi ata që t’a menaxhonin këtë vend, dhe po ata, i shërbyen kësaj mendësie (jo) qytetare duke krijuar shtet të dobët por të tepruar tek ndërhyrjet qytetare, duke krijuar me bollëk menaxher politikanësh e jo liderë politikë, apo thënë më ndryshe kemi krijuar administratorë politikanësh. Apo, siç do t’i përkufizonte Sir Winston Churchill se “problemi i kohës ishte se politikanët nuk deshën të jenë të dobishëm, por të rëndësishëm”.

Kërkesat e europianëve e ndërkombëtarëve, i kemi trajtuar si një e tashme imediate dhe jo si vlerësim e si interes i të ardhmes Shqipëtare, për institucione dhe shoqëri, më të ndërtuar!. Andaj, banaliteti politikë nga faktorë ndërkombëtar, ka marr peng vullnetin politik kombëtar. Por, për këtë, e thotë Martin Luther King Jr., se “koha është gjithmonë e drejtë për të bërë atë që është e drejtë”. Beteja për t’a ribërë kombërinë duhet kapërcyer ndarjen e dhimbshme dhe të panatyrshme të Shqiptarëve, detyrë unike është uniteti mbarë Shqipëtar, i cili edhe për Aleancën VeriAtlantike (NATO-n), nuk është thjesht një çështje kombëtare, prandaj nuk mund të jetë e garantuar një paqe e përhershme në një rend Europian rreth një kombi të ndarë, apo në kundërshtim me vullnetin e dëshirat e vet Shqiptarëve për një shekull zhgënjim e konfrontim.

Kjo detyrë unike për kombërinë kërkon një përpjekje të pashembullt, me guximin dhe vendosmërinë të mbështetur me besnikëri edhe nga partnerët dhe aleatët e Aleancës VeriAtlantike.

Filed Under: Sociale

SALI  MANI  NË KUJTESEN E NJË MIKU DHE ADHURUESI 

December 19, 2023 by s p

NGA  NDUE   BACAJ

HYRJE

Folklori  është pasqyra  e kthjelltë  e psikikës së kombit ,është rrasa e mermerit  me të cilen historia  zgavron të endurit  e të shendritunit e popujve ,është cehja   pashterrshme e gjuhsisë  dhe e letersisë kombëtare. Folklorin  do ta shqyrtojsh po deshte me shkrua historinë e kombit…pasi pa të kombi jetë nuk ka …(At Gjergj Fishta ,parathenie te Kanuni i Lekë Dukagjinit ,perg. nga Shtjefen Gjeçovi, Shkoder 1933). Këto fjalë të shkruara nga poeti kombëtar At Gjergj Fishta në vitin 1933 pra 11 vite pa lindur kantautori Sali Mani të duket se janë shkruar enkas per krijimtarinë folklorike  dhe artistike të kantautorit të madh malësor , të ketij burri fisnik e atdhetar  i cili edhe pse fizikish nuk jeton më që me  29 dhjetor 2009, jeton në veprën  e tij , vepër e vlefshme per kombin, Malesinë  e Shqiperinë Etnike , me ëndërren e të ciles u largua nga kjo botë  artisti dhe atdhetari Sali Mani..

NJOHJA  IME  E  PARË  ME  SALI  MANIN 

Dikun rreth vitit 1966, para ish ndërtesës së nënprefekturës të Koplikut, ose në afërsi të kryesisë së kooperativës bujqësore Koplik (tani Raifasen bank), ka qenë një si punë kioske që sherbente si berberhane. Unë në atë kohë isha ende adolishent , por kisha dëgjuar per një djal nga Reçi i cili i binte dhe i këndonte shumë bukur si lahutës ashtu edhe çiftelisë. Një ditë kur shkova per tu qethur te kjo kiosk pashë një djal të ri me flokë kaçurrela dhe të hieshem, që sapo hyra brenda më priti me një buzëqeshje karakteristike  dhe të ëmbel që edhe sot e kujtoj. Kur u ula në një stol të kohës për të pritur radhen më shkuan sytë te një  çifteli e bukur e varur aty. Nuk e di pse, por menjëher më shkoi mendje se mos ky “berberi” ishte  Sali Mani që ja kisha dëgjuar emrin , por ende nuk ja njihsha fëtyren.. Perpara meje kishte radhen për t.u qethur një femijë jo më shumë se 9-10 vjeçar i cili , sapo u ul në karrige i thotë xhaxhi Sali apo po ma  këndon një kengë. ”Berberi” qeshi dhe e qethi fëmijen. Mirpo fëmija edhe pasi u qeth këmbëngulte që “berberi” ti këndonte një kengë. Ai me një buzqeshje të lehtë  i thotë fëmijës shko se do të kendoj një herë tjeter se e ka radhen per tu qethur ky çuni. Unë menjeherë ja ktheva , jo ska gjë por këndo… “Berberi” menjehrë mori çiftelin dhe filloi ti binte duke  kënduar me një zë të lehtë, por të mrekullueshem dhe me një buzqeshje që ja tregonin edhe sytë. Kur ai e pa femijen si ja kishte  ngulur sytë si i habitur, ai improvizoj  katër vargje me një humor të hollë që edhe sot nuk i kam harruar : 

“Mor djalosh nuk di nga vjen / 

Të qetha flokët por s’të mora mend / 

Çou e shko se të kerkon “mami” /  

E mos u habit se këndon Sali Mani /.

Që nga ajo ditë unë nuk i harrova kurr më  Sali Manin dhe kengët e tij. Por pas njohjes parë  (vite më vonë) kur unë dhe ai banojshim në qytetin e Koplikut ne krijuam edhe shoqeri , të cilen na e beri më të afert , bashkeshortja e tij , mesuesja e nderuar Feti, e cila ishte edhe  mësuesja e parë  e vajzes , femijës tim të pare, kujtime të cilat edhe nëse “dua” ti harroj unë ato nuk më lë ti harroj kurr vajza ime  Laureta , tashma  nënë… 

NJË CURRICULUM I VOGËL PËR ARTISTIN E MADH 

Sali  Mani , kishte  lindur me 21 gusht të vitit 1944 me babë Man Zeqirin dhe nënë  Zojë Turk Zekajn në shtepinë e njohur per atdhetari , trimëri , bujari  dhe burrëri të Ndrecajve, në fshatin Dukë  të Reçit , Malësi e Madhe. Zakoni i qitjes pushkë kur lindë djal në një shtepie malësore , duket se në shtepin e Man Zeqir Ndrecës mbeti disi “shurdh”, pasi në ato kohë pushkët  kërcisnin pa prajt  nepër  Reç , Malesi e Shqipëri, pushkë që rreth tre muaj më vonë do tu sillnin lirinë trojeve shqiptare nga pushtimi nazi-fashist ,(edhe pse kjo liri fatkeqësisht  më vonë do të shperdorohej mizorisht nga të ashtuquajtur  “fitimtarë”..). Si çdo djalë malësor  Sali Mani do të perkundej në djepin legjendar të Malësisë, do të ushqehej me tamlin e nanlokes e cila bashkë me tamlin do ti mëkonte me  ninullat (kengët e djepit) edhe trimerinë, urtesinë  dhe atdhetarinë , virtyte që u bënë pjesë e pandarë e jetes dhe veprës së kantautori  Sali Mani. Ky  filiz i njomë i Ndrecajve në fëmininë e adolishencen e tij do të vazhdonte “dy shkolla” pernjeherë,  shkollen e fshatit dhe shkollen e votrës,  shkollën që e kishte çdo shtepi fisnike e Malesisë Madhe , si ajo e Ndrecajve, ku metoda më e aftë per tja dalë qellimit edukativ  ishte ajo e maleve tona, ku shkollë e kateder ishte asohere votra mikpritëse, ku mësues ishte tata, edukatore lokja fisnikeshë , libër kanuni e rapsoditë , kalem lahuta e çiftelia , bibliotekë kallzimet e pleqëve, disiplinë respekti  ndaj të vjetërve , e nderimi ndaj gruas e motres… (Gjergj  Fishta , Lahuta e Malësisë ,fq.XXVI-XXVII , botim i tretë ,Romë 1991). Sali Mani  nga kjo shkollë e traditës dhe jetës kishte mësuar  aq mrekullisht sa ishte bërë profesor e kaluar profesorit. Këtë artisti i madh  e tregoi me vepra e këngë deri sa mbylli sytë me 29 dhjetor 2009, por që la hapur në perjetsi kengët e tij patriotike të shoqëruara me muziken e dy televa (çiftelinë), që magjepsi këdo që kishte vesh per ta degjuar, sy per ta parë,  mendje për t’a kuptuar dhe e shpirt per ta ndjerë..

SALI  MANI  PËR  VENDLINDJEN  E  TIJ 

“…Nëse don të dish si është pranvera  me të gjitha ngjyrat e saj, shko në muajt prill e maj në Dukë. Duka ndahet edhe në mal edhe në fushë . Fusha i ngjan  një stadiumI  të rrumbullaktë gjigand.  Malet janë të ngritura rreth e rreth si shkallë të tij… Dukasit  i jepnin një rëndësi të veçant  anës estetike  të rrethimit të tokës dhe sistemimit të saj. Brigjet ishin të mbushuara me  hardhi e pemë të tjera në rreshta të drejtë. Të gjitha shtepitë  e  fshatit Dukë  shtrihen rrezë një brinje, si per t’u mbrojtur nga murlani i ftohtë i dimrit që vinte nga gryka e Dukagjinit… Reçi ka pasur burra të mençëm  e atdhedashës. Sa herë që shkjau i Malit Zi  ka mësy Grudë, Hot e Kastrat, ata kanë rrokë pushken me kushtrim dhe kanë luftuar krah per krah me vëllezërit e tyre . Në Lidhjen e Prizrenit  Reçi ka pasë  perfaqesuesin e vet Zyber  Bajraktarin..(Marrë me shkurtime  nga revista  “Kuvendi”,fq.37-38 ,viti 2003).

SALI  MANI,  ARTIST  E  KANTAUTOR  ATDHETAR  

Sali  Mani me talentin e tij të mrekullueshem prej artisti kantautor do të punonte edhe mësues, por dhe në shtepitë apo vatrat e kultures të kohëve, (që nga Kelmendi e veçanarisht  në shtepinë e Kultures në Koplik).  Në këto ambiente të kohës  Sali Mani do të kultivonte vlerat e tij shpirtërore, poetike, artistike, patriotike, pse jo edhe filozofike. Aty Sali Mani do të këndonte kengët që i shkruante vet plot pathos që u kushtoheshin trojeve shqiptare, heronjëve që e mbrojtën me jetët dhe gjakun e tyre, flamurin me të cilin shkonin në luftë si në dasem  malësorët e shqiptarët, virtyteve më të mira, bukurisë së natyres dhe asaj njerzore. Por Sali Mani edhe do të thumbonte veset e këqia me humorin e tij të hollë  etjerë.. Talenti i Sali Manit do të fillonte të spikaste që heret në fshatin e tij ku për shok filloi të kishte lahuten  me të cilen këndonte këngët e kreshnikëve.  Zëri i Sali Manit dukej një zë i thekshem dhe kumbues , taman si per të kenduar këngët e kreshnikëve dhe trimave patriot. Zëri i Sali Manit merrte jehonë në malet për-rreth. Ai fillimisht këndonte, siç e kishte zakon malësori, i cili kur merzitet kap fyellin, zymaren apo  lahuten dhe i binte duke e percjellë me kangë të përmallshme. Kendonte ditën në maje të ndonjë krepi, ose në hije të ahit. I bahet se dielli ka ngel kah e ndie, se zogjtë janë grumbullua rreth tij si të marrun mendësh, se krojet e gurrat kanë ndalue e nuk qesin ujë per mos me ba zhurmë…se shkembinjtë kanë ngreh kryet  prej habijet , ndërsa hëna dhe yjet e nates i duket se e degjojnë me kënaqesi..”..(Ndër  Malet Tona, Kerkime të At Gjon Karmes  S.J. nder male të veriut ,fq.261). Por Sali Mani tregoi se nuk këndoi thjeshtë siç e kishin zakon malësoret, por kendoi si një kengëtar dhe instrumentist i vertet, që nga dita në ditë e moti në mot rritej e bëhej më i mrekullueshem me këngët e tij që tashma kishin marrë “dhenë”.  Zëri dhe talenti i Sali Manit nuk tërhoqën vetëm vëmendjen e banorëve të Dukës,  Reçit, Koplikut, Malesisë e më gjërë, por  edhe vëmendjen e autoriteteve dhe profesionistëve të kohes, të cilet vendosen per ta “provuar” Sali Manin në festivalin kombëtar që u zhvillua në Elbasan në vitin 1966. Këngëtari i ri dhe i talentuar atje  u prezentua  si këngetar  dhe instrumentist me Lahutë, por edhe me çifteli, vegël muzikore folklorike që ndonse nuk ishte e tradites së treves së Malësisë (por e Dukagjinit fqinjë), ai arriti ta prefeksionoj deri në atë shkallë sa çiftelia mori dimensione të reja të mrekullueshme në dorën e Sali Manit, taman si me u pas krijuar enkas per këtë artist.. Sali Mani do të ishte perfaqësusi më dinjitoz i Malësisë në të gjitha evenimentet ku zhvilloheshin aktivitete artistike e ku këndohej, veçanarisht në të gjitha festivalet folklorike, ku ishte jo vetëm këngëtar i pare, por edhe krijues i parë  i tekstit, muzikes, por edhe i regjizures. Për këtë veprimtari të mrekullueshme artistike në vitin 1979 iu dha titulli “Artist i Merituar”.  Sali Mani në vitin 1980 me një grup artistik do të prekte për herë të parë trojet etnike shqiptare të Kosoves martire. Pritja që ju bë ketij këngëtari nga vëllezërit shqiptar të Kosovës  do të ishte një mrekulli edhe sot për drejtues shtetesh, e jo më për një këngëtar. Programi artistik dhe këngët që do të këndonte Sali Mani ishin të programuara nga partia… e cila donte të mos ju a prishte qjefin pushtuesve serbo-sllav në Kosovë, por ky këngëtar patriot e mendjeholl do të dinte të mrekullonte skenën duke dalë jashtë programit me kengën që e “improvizoj” direkt në skenë  “Mirë se të gjej Kosova  trime”, këngë që ngriti në këmbë jo vetëm të pranishmit, por  do të behej “hit” per mbarë shqiptarët e Kosovës e më gjërë. Kënga i kapercente  “muret e kalasë” socialiste që fillonin në Vermosh e mbaronin në Konispol, ajo këngë i kushtohej Kosovës që trajtohej së bashku me trojet e tjera të  Shqiperisë Etnike nga  Tivari në Prevezë. Sigurisht që për ketë  këngë që nuk pushoj kurr më së-kenduari, kishte pasoja për këngëtarin, si survejimet dhe provokimet nga kalecët e sigurimit të shtetit komunist, por me mendjemprehtësinë e tij diti tja dalë. Sali Mani do të këndonte edhe në shumë skena nderkombëtare, ku sukseset nuk do ti mungonin kurr.. Artisti Sali Manin për veprimtarinë e tij si këngetar dhe si poet prej kohësh populli e ka “pagëzuar”  “Kengëtari  i  Kombit”.  Këngët dhe poezitë e Sali Manit e kalojnë numrin njëmijë. Aty i këndohet historisë së Shqiperisë , dhe atyre heronjëve që e bënë këtë histori, ndonse kjo histori është shpesh e përgjakur, është edhe lavdiplotë dhe krenare per dje, sot dhe brezat e ardhëshem. Sali Mani këndon per Flamurin Kombëtar, Gjuhen  Shqipe, për Skenderbeun, Kosoven, Iliriden (trojet shqiptare nën Maqedoni),  Ilirinë, Vraninën , Drenicën , Urën e  Ibrit , Malesinë e Madhe , Kuvendin e Greçes , Dukagjinin , Natyrën , Alpet , luftrat e betejat në mbrojtje të trojeve shqiptare , lashtesinë e trojeve të Shqiperisë Etnike , kalave dhe qytetrimeve të saj. Sali Mani këndon për korifenjtë e shqiptarisë si Dedë Gjon Lulin , Oso  Kuken , Ismail Qemalin , Isa Boletinin , Hasan Prishtinen , Bajram Currin , Bajo Topullin , Mihal Gramenon , Azem Bejtjen (Galicen me të shoqen  Shoten)  , Ali Pashen (Gucinë) , Smajl Martinin me të bijen Tringen , Prekë Calin , Adem  Jasharin , Xhem Gostivarin , patriotit pendëartë të kombit shqiptar-Gjergj Fishtës  etjerë. Sali Mani  i këndon madhit për atdhe , i këndon plagës së kurbetiti , bukurisë së femres shqiptare,  i këndon dashurisë , ku spikasin këngët ;  Moj e Mira nga Gjakove,  Moj Syzeza nga Tivari , Moj e Mira Bregut Cemit , Lulja e Drenicës, Çobanesha etjerë.. Sali Mani i këndoi plot pathos edhe  dashurisë të trojeve të veta duke filluar nga vendlindja e tij Duka, por i këndoi edhe pluralizmit e demokracisë, të cilat i perqafojë ndër të parët  Malësorë  e Shqiptar, por edhe  saterizoi politiken që solli jo pak zhgënjime në këto vite etjerë.. Sali Mani i këndoi UÇK-s, dëshmorëve e trimave të saj.  Sali Mani si çdo njeri i kësaj bote pati edhe  trazime shpirtërore, por ato i suportoi si pak burra malësor e shqiptar.. Kënga dhe krijimtaria e Sali Manit është një histori e madhe shqiptarie e treguar dhe e memorizuar në art (kengë e poezi)… Arti nuk vdes kurr ndaj edhe vepra e Sali Manit si e till  nuk do të vdesë kurr… Mendova t’a mbyllë këtë portret të vogël për artistin e atdhetarin e madh Sali Mani me storfen e parë e të fundit të këngës: 

I KAM PA KALATË ILIRE 

Zog u bana , fluturova, 

Nga Shqipnia , nga Kosova, 

N’Manastir deri n’Çamri, 

Nga Presheva  der n’Malësi, 

Ku i kanë thanë Shqipni Etnike, 

Lule shqipe ballkanike. 

Por e ndame copa-copa, 

Ba sakate nga Europa. 

…………………………………. 

I kam pa kalatë Ilire  

Si thesare me xhevahire, 

Fluturim si vala e Drinit, 

Bash te kroni i Traboinit, 

Piva ujë e u freskova, 

Mbylla sytë e pak pushova, 

Kur i hapa përsëri, 

Pash Deçiqin kuq e zi. 

Si po hapej rruga e mbarë 

Për bashkim tonë kombëtar. 

(Sali Mani, Mbrapa lashë këngët e mia, poezi,fq.39-40. Kuvendi, Shkurt 2012, Shtypur në entin botues “Gjergj Fishta” Lezhë, shkurt 2012)

Artistit e atdhetarit të madh Sali Mani, i lehtë i qoftë dheu i tokes shqiptare, në gjirin e së-ciles i pushon trupi  që prej  nëntë  janarit të vitit 2010, kur u varros sipas  amanetit të lënë prej tij…

Filed Under: Kulture

Mentor Maksutaj, rrugëtimi nga lufta e Kosovës te Vatra në Boston

December 19, 2023 by s p

Katër vitet e ardhshme dega e VATRËS në Boston do të drejtohet nga zoti Mentor Maksutaj. Procesi zgjedhor i së dielës së 17 dhjetorit shënoi kështu herën e parë në historinë 111-vjeçare të kësaj dege që u zgjodh për kryetar një vatran nga Kosova.

I lindur në Suharekë, Mentor Maksutaj e kreu në vendlindje arsimin fillor e të mesëm, e më tej nisi studimet në Universitetin e Prishtinës në vitin 1998. Pak muaj më pas, në mesin e rreth një milion shqiptarëve që forcat ushtarake serbe dëbuan me dhunë nga Kosova, ishte edhe Mentor Maksutaj me shokët e tij të fakultetit.

Ditët e tmershme në kampin famëkeq të refugjatëve në Stankovac të Maqedonisë së Veriut, përfunduan kur Mentori 19-vjeçar u transferua nga autoritetet amerikane në SHBA, së bashku me plot bashkëatdhetarë të tjerë.

Mentori mundi të kontaktojë me familjen e tij vetëm pasi përfundoi lufta dhe u çlirua Kosova. Si të gjithë shqiptarët këtu në SHBA, Mentori iu përkushtua punës, e njëherësh kujdesit për familjen në vendlindje. Në të njëjtën kohë, përfundoi me sukses studimet universitare në Boston për administrim biznesi dhe menaxhim të burimeve njerëzore. Përgjatë 24 viteve në SHBA, Mentori ka patur sukses në karrierën e tij menaxheriale në shërbimin për refugjatët dhe emigrantët, e po ashtu në kompani të mëdha biznesi në Boston, e tashmë udhëheq 15 qendra të ndryshme biznesi. Gjatë gjithë jetës dhe veprimtarisë së tij në SHBA, z. Maksutaj u ka dhënë ndihmë të pakursyer shumë bashkëatdhetarëve, si dhe ka qenë vazhdimisht i angazhuar në shërbim të komunitetit shqiptar në Massachusetts.

Mentori dhe bashkëshortja e tij Nexhmija janë të martuar prej 17 vjetësh dhe kanë tre fëmijë, dy djem e një vajzë.

(Vatra Boston)

Filed Under: Mergata Tagged With: Mentor Maksutaj

Koncerti tradicional i festave të fundvitit për 16 vjet nga disa Shkolla Shqipe “Alba Life” në Staten Island

December 19, 2023 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Mësueset u nderuan me çertifikata mirënjohjeje nga New york State Senator, znj. Jessica Scarcella-Spanton dhe nga Attorny z. Michael E. Mcmahon, District Attorney Staten Island.

Një e shtunë me dy aktivitete të jashtëzakonshme për koncertin tradicional të fundvitit. Një ishte në Staten Island dhe një në Bronx. Të gjitha shkollat u ndanë në dy grupe, për shkak të numrit të madh të nxënësve dhe të moskapacitetit të skenës. Në skenën e Staten Island, ishin shkollat Staten Island, Brooklyn dhe në Online. Në Bronx, ishin shkollat Bronx, Queens dhe Online.

Mësuesit kishin kohë që po përgatitnin nxenesit për koncertin tradicional të fundvitit. Me profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre arritën të korrnin suksesin e radhës, dhe ky lloj suksesi nuk është i fitimit monetar, politikës, por është i fitimit shpirtëror dhe kjo e fundit jeton pafundësisht.

Të larguar nga trojet amë dhunshëm, për arsye ekonomike apo dhe për të gjetur një jete më të mirë, shqiptarët në çdo cep të globit kanë krijuar një Shqipëri të vogël kudo ku janë. Këtë e dëshmoi dhe mësuese Rozeta, mësuesja më e re e Shkollave Shqipe “Alba Life” e cila tha se unë këtu në mes të Nju Jorkut gjeta një Shqipëri të vogël, çka e zvogëlon dhimbjen tonë të ikjes.

Prindërit dorë për dore me nxënësit vinin pranë shkollës së mirënjohur publike Ps:9 dhe uronin mësueset e tyre për festat e fundvitit, shprehnin mirënjohjen e pakufishme për themeluesit, stafin dhe gjithë dashamirësit e Shkollave Shqipe “Alba Life”. Kishte dhe nxenes qe shprehnin mirenjohjen e madhe publikisht si si vajza e talentuar Laura Leka. Ishte një e shtunë me një diell si shall i mëndafshtë rreth qafës së dhjetorit çka e bënte dhe më të hareshme dhe më të bukur këtë ditë njujorkeze.

Natyrisht nuk është e lehtë që të mbash këtë institucion prestigjioz pa u ndalur një sekondë, për 16 vjet me orarin me përpikmëri të shkollave publike dhe kjo është fal punës së mësuesëve në këto vite akademike, mësimore, pedagogjike dhe gjithë prindërve që nuk mungojnë asnjëherë për t’i sjellë fëmijët në këto mjedise.

Çertifikata mirënjohjeje nga dy personalitete te shquara amerikane si Senatore, Jessica Scarcella dhe Avokati Michael E. Mcmahon

Programin e ka hapur Dr. Valbona Zylo Watkins drejtore e programit mësimor për Alba Life. Dr. Zylo Watkins prezantoi para të pranishmëve sekretaren e New York State Senator, Jessica Scarcella. Në emër të Senatores ajo i uroi të gjithë të pranishmit për festat e fundvitit dhe inkurajoi ta vazhdojnë pa u ndalur këtë punë të mrekullueshme. Përfaqësuesja e Senatores u shpërndau çertifikata mirënjohjeje gjithë mësuesëve në këto zona propozuar nga Themeluesi dhe drejtuesi i TV dhe Shkollave Shqipe në gjithë Nju Jorkun dhe në Online z. Qemal Zylo.

Ndërkohë çertifikata mirënjohjeje u dhanë dhe nga

Avokati Michael E. Mcmahon, District Attorney Staten Island i cili i solli nëpërmjet sekretarit të tij.

Koncerti për festat e fundvitit akademik 2023-2024

Nxënësit e Shkollave Shqipe Staten Island, Brooklyn dhe në Online e filluan koncertin tradicional me Himnet kombëtare shqiptare dhe amerikane si dhe me Himnin e Shkollave Shqipe “Gjuha Shqipe Gjuha Jonë”.

Mësuese Rozeta Hyseni Brooklyn me nxënësit e grupmoshës së më të vegjëlve kishin përgatitur këtë program si më poshtë: Agnesa Sylaj, Vit i Ri, Dua Salihu dhe Onar Salihu Festat e fundvitit, Stiven Hyseni: Kurorë me dëborë, Erik Ruci: Kartolinën ta dërgova, Artjana Mersini: Në dhjetor, Ami Stoja: Bie borë. Këta nxënës e mbyllën programin harmonishëm me Vallen: “Jingle Bells, Jingle Bells”.

Mësuse Elona Shkreta Staten Island me nxënësit e grupmoshës së më të vegjëlve u shfaqën në skenë me këtë program: Milon Balinskas, urim për Vitin e Ri, Deisa dhe Sardi Dedja, poezi: “Viti i Ri”. Donik Lutviu, poezi” “Gjuha jonë, Adisa dhe Ardi Mekaj, poezi Flamuri. Erina dhe Joel Hajri, poezi: “ Viti i Ri”, Dias, Ayan, Reis Ljikovic, poezi Kuq e zi, Ronan, Bren Qorraj, poezi për Shqipërinë, Largime Qoku, poezi nga Fan Noli, Arbër Toma, një thënie atdhetare, Ema Martini, poezi Numri 1, Rayan Leka, poezi: “Mirë se erdhe Viti i Ri”. Nova dhe Indila Bakaj, kënga e Flamurit, Bora Alikaj, poezi Princesha Shqiptare.

Mësuese Fatlinda Gashi ne grupmoshën e nxënësve më të rritur, Brooklyn: Kleant Hyseni: Babadimri, Jerina Hyseni: Mirë se vjen o Vit i Ri, Jon Bresa: Flamuri: Fan Noli, Ana Bresa: Gjuha Jonë, Naim Frashëri, Aria Stoja: Shqiponja, Xhevair Spahiu, Morea Gashi: Gjuha jonë, Naim Frashëri.

Nxënësit të gjithë bashkë interpretuan: Shqipëri folezë e mallit duke dhënë mesazhin e bashkimit si në vargjet: Shqipëri syri i pafjetur/ Në palcë kënge mbijeton/ Merrja valles së bashkimit, Nga Prevezi ne Konispol!

Nga kjo shkollë u interpretua vallja e Tropojës përgatitur nën kujdesin e mësueseve dhe asistentes Blenda Sehu, e rritur në bangat e Shkollës Shqipe.

Mësuese Entela Muda me klasën e më të rriturve solli këtë program para pjesëmarrësve të shumtë: Laura Leka, Naim Frashëri, Bagëti e Bujqësija, Arli Zenelaj, I dashur Atdhe nga Asdreni, Aila Martini, Marigo Posio, Klea Martini, Toka ime, Kënga ime, Besim Shyti, Leah Qoku, Naim Frasheri Gjuha Jone, Leandra Qoku, Gjuha Shqipe nga Gjergj Fishta, Arijana Gjonbalaj, Flamuri nga Donika Jonida Veseli, Shaban Gjonbalaj, Gëzuar, Imran Kraja Alloviq, Kryefjala e fjaleve, Odhise K.Grillo, Arbi Alikaj, Jepni për Nënën nga F.Noli, Dion Salillari Korça nga Naim Frashëri, Ikbale Xhika, Mëma nga Asdreni.

Programin e mbylli kjo klasë me Vallen e Pavarësisë së Kosovës dhe Vallen e Tiranës.

Të gjitha shkollat bashkë intepretuan “Këngën e Vitit të Ri”, një këngë aq e njohur dhe që sjellë shumë atmosferë festive në prag të festës së Vitit të Ri.

Në fund autorja e këtij shkrimi, bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe pasi i falënderoi të gjithë mësuesit për këtë përkushtim profesional, serioz, atdhetar dhe për një bashkëpunim të ngushtë në këtë Mision Kombëtar iu shpërndau nga një dhuratë në shenjë mirënjohjeje.

Programi u mbyll me ndarjen e tortës nga Familja e Madhe “Alba Life” .

Gëzuar nxënës dhe mësues të dashur, gëzuar dhe ju prindër të mrekullueshëm që bashkëpunoni aq ngushtë me këtë Institucion prestigjioz për t’ju mësuar fëmijëve Gjuhën Shqipe, indentitetin e shqiptarëve.

Gëzuar bashkatdhetarët tanë dhe të gjithë miqtë e Shkollave Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit!

Aktiviteti u filmua nga z. Ardit Boli bashkëpunëtor i Kompanisë së mirënjohur “Alba Pro” me pronar dhe drejtor të programeve të TV “Alba Life” z. Amir Suka dhe së shpejti do të transmetohet në kanalin 27, TV Alb.

Filed Under: Komunitet

Pas 30 vjetësh ringrihet në Boston dega e “Vatrës”

December 19, 2023 by s p

Me shumicë votash, kryetar i saj u zgjodh, Mentor Maksutaj

Nga Fuat Memelli/

Qysh në muajin maj të këtij viti, u “ndez shkëndia” për ringrtitjen e degës së Vatrës në Boston, aty ku e ka patur folenë e saj, që nga krijimi e deri në fillim të viteve 1990, kur qendra e saj u shpërngul në New York. Në muajin muaj erdhën në Boston përfaqësues të saj nga New Yorku, të kryesuar nga kryetari Elmi Berisha si dhe disa kryetarë degësh nga shtete të ndryshme të Amerikës. Atëherë u ngrit një komision nismëtar i cili bëri një punë përgatitore, deri sa më datën 17 dhjetor, kur në qytetin Cambridge afër Bostonit, u bë takimi për ringritjen e kësaj dege. Shqiptaro-amerikanë që jetojnë në Boston dhe rethinat e tij, mbushën sallën e hotel “Marriott” në Cambridge. Takimin e hapi Peshkop Theofan Koja, i cili ishte edhe kryetar i komisionit nismëtar për krijimin e degës së Vatrës në Boston. Ai bëri një përmbledhje të punës së komisionit nga muaji maj e deri tani dhe më pas një historik të Vatrës që nga krijimi i saj e deri sot. Përfaqësuesi i Vatrës , Mond Rakaj, përshëndeti në emër të kryetarit Elmi Berisha, përmendi disa nga punët që ka bërë Vatra muajt e fundit si dhe synimet e saj për të ardhmen. Përshëndetën edhe të ardhur të tjerë nga Vatra si Besim Malota, Bashkim Musabelliu si dhe Ylli Dosku, të cilët dhanë mendime se si duhet të bëhet zgjedhja e drejtuesve të degës në përputhje me kanunoren. Prof.As. Thanas Gjika nga Usteri, tha pak fjalë por me vlerë:” Vatra dhe Dielli janë të përjetshëm. Mos themi : roli im, por roli jot.” Nga shoqata “Kosova” foli Hafiz Kabashi i kudondodhur në veprimtaritë e shqiptarëve, i cili theksoi se kjo veprimtari do jetë një ogur i mirë, pasi Vatra është pasuri e çmuar mbarëkombëtare. Pastaj e morën fjalën “të zotët “ e shtëpisë. I pari foli Petrit Alibej, kryetar i Shoqatës “Besa-Besë”, anëtar i Vatrës prej prej disa vitesh. “Ruajtja e traditave të shkëlqyera të Vatrës, duhet të jetë një nga drejtimet kryesore të degës sonë , theksoi ai. E mbylli me fjalët :” Jam vatran se jam shqiptar.” Flamur Beja, i cili jeton në Boston dhe është vatran prej 20 vjetësh, theksoi kontributin për komunitetin të disa vatranëve të këtushëm, megjithëse nuk ishte ngritur dega e Vatrës. Poema Dauti, përshëndeti në emër të shoqatës “Mass.Besa” e cila është krijuar në Boston para 18 vjetësh dhe ka patur kontribut të veçantë për komunitetin e Bostonit. Andrea Pani, pasardhës i dy vatranëve të shquar, Josif e Vasil Pani, bashkëpunëtorë të afërt të Nolit e Konicës, theksoi se dega jonë duhet të mbajë gjallë shpirtin e Vatrës dhe t’ja trasmetojë atë brezave që vijnë. Mentor Maksutaj kryetar i komisionit nismëtar, u ndal në punët kryesore që ka bërë komisioni siç ishte regjistrimi i degës së Vatrës në shtetin e Massachusetts, hapja e llogarisë , hapja e një faqe në Facebook, krijimi i një faqe online për t’u regjistruar si dhe për të bërë donacione, etj. Autori i këtij shkrimi, ndër të tjera theksoi që dega jonë të jetë gjithëpërfshirëse; antarësimi në Vatër nuk duhet parë si mjet fitimi por si obligim, si bashkim zemrash; mos bëhemi shtojcë e asnjë partie; të meret në konsideratë mendimi ndryshe; gjysma e kuotave të anëtarësisë të mbahet nga dega për nevojat e saj; mos shihet besimi fetar, pasi siç ka thënë Gjergj Fishta: “Festojmë Bajram e Pashkë, por Shqipërinë e kemi bashkë.” Artur Vrekaj, i ardhur nga Usteri dha disa mendime për punët e degës në të ardhmen si për shëmbull: të regjistrojë familjet e pasardhësve të Vatrës në Boston e qytetet rreth tij; të bisedojë me bashkinë për të ngritur një shtatore të Nolit në këtë qytet; të organizojë ekspozitë me veshjet tradicionale shqiptare; të ngrenë klubin e futbollit për të rinj; të përgatitë një dokumentar për rrugën e Vatrës në Boston si dhe të gjejë një mjedis për t’u vendosur zyrat e saj.

Në fund u kalua në zgjedhjen e kryetari të degës së Vatrës. U paraqitën tre kandidatura: Andrea Pani, Mentor Maksutaj dhe Theofan Koja. Sejcili prej tyre paraqiti projektin e tij për punët e degës në të ardhmen. U kalua më pas në votim të fshehtë. Pas numërimit të votave, komisioni i verifikimit shpalli fitues Mentor Maksutaj, i cili kishte fituar 38 vota, Andrea Pani zinte vendin e dytë me 18 vota dhe Peshkop Theofan Koja vendin e tretë me 6 vota. Fituesi falenderoi pjesëmarrësit dhe premtoi se do punojë me përkushtim bashkë me anëtarët e kryesisë. Në fund ai përmendi fjalët e Nolit: ”Të mbetemi stoli e maleve dhe e qiellit.” Një fotografi e gjithë pjesëmarrësve, mbylli takimin.

“Fara” e ringritjes së degës në Boston, u “mboll”. Le të kujdesemi për të, duke e “ushqyer” me përkushtimin dhe dashurinë tonë, që të ritet shpejt dhe e shëndetëshme, ashtu siç e ushqyen ata që e krijuan dhe e mbajtën gjallë në kushte shumë më të vështira se sot.

Filed Under: Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT