• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2023

#SiSot, më 4 dhjetor 1912, u themelua qeveria e parë shqiptare

December 4, 2023 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/

Në këtë datë historike, Kuvendi i Vlorës zgjodhi ekzekutivin e parë me në krye Ismail Qemalin, i cili asokohe kishte edhe funksionin e ministrit të Jashtëm. Kjo qeveri e re kishte në përbërje të saj 10 ministra, veprimtarë të shquar të lëvizjes patriotike në Shqipëri. Në kabinetin e kryeministrit të Pavarësisë, qendronin:

Dom Nikoll Kaçorri si zëvendëskryeministër, Mufit Libohova si ministër i Punëve të Brendshme, Lef Nosi si ministër i Postë-Telegrafave, Abdi Toptani si ministër i Financave, Mit’hat Frashëri si ministër i Punëve Botore, Mehmet Pashë Dërralla si ministër i Luftës, Luigj Gurakuqi si ministër i Arsimit, Pandeli Cale si ministër i Bujqësisë dhe Petro Poga, ministër i Drejtësisë.

Bashkëlidhur, foto e godinës ku u mblodh Qeveria e Përkohshme pas shpalljes së Pavarësisë, foto e një grupi personalitetesh, siç janë: Lef Nosi, Luigj Gurakuqi, Pandeli Cale, Dhimitër Berati, të cilët kanë qenë anëtarë të ekzekutivit të drejtuar nga Ismail Qemali. Po ashtu, fragmente nga fjala e Qemalit në një miting në Vlorë më 21 tetor 1913, ku flet mbi politikën e brendshme e të jashtme të ndjekur nga qeveria.

#ArkivatFrymëzojnë

#ArkivatKujtojnë

#IsmailQemali

#FototekaAQSH

May be an image of 5 people and text that says 'ARKIVA.GOV.AL 送 +2'

Filed Under: Politike

Sot, përkujtojmë 103-vjetorin e lindjes së historianit Kristo Frashëri

December 4, 2023 by s p

Muzeu Historik Kombëtar/

Historiani, profesori, akademiku Kristo Frashëri lindi në Stamboll më 4 dhjetor 1920. Në vitin 1927 u riatdhesua familjarisht dhe u vendos në Tiranë. Pasi kreu shkollën e mesme më 1940 u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Ekonomike në Universitetin e Firences. Gjatë vitit 1942 ai u internua nga administrata fashiste e pushtimit dhe më 1943 kaloi në rreshtat partizane. Gjatë periudhës 1945-1952 punoi në Bankën e Shtetit Shqiptar. Studimet e larta i ndoqi në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, në Insitutin e Lartë Pedagogjik, në vitet 1951-1955. Gjatë viteve 1953-1999 ai punoi në disa institucione të rëndësishme, ku shërbeu si punonjës shkencor në Institutin e Shkencave, në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë, në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës dhe në vitin 1997 ai u emërua zv.kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku qëndroi deri në vitin 1999. Kristo Frashëri ka një prodhimtari të pasur shkencore, që shtrihet në të gjitha periudhat e historisë së Shqipërisë, që nga Antikiteti e deri në kohën e sotme. Ai ka botuar me dhjetëra artikuj studimorë, referate historike, vëllime dokumentare dhe monografi shkencore, që trajtojnë pa përjashtim ngjarje, personalitete dhe procese të historisë së Shqipërisë. Ndër to janë sprovat për të ndriçuar mjegullnajën shqiptare gjatë Mesjetës së hershme, rendin feudal mesjetar në viset shqiptare, formacionet shtetërore mesjetare, tiparet e regjimit feudal turk në Shqipëri, Rilindjen Kombëtare Shqiptare, Luftën çlirimtare të Vlorës, jetën dhe veprimtarinë e Abdyl Frashërit, Sami Frashërit etj. Pas vitit 1990 ai ka botuar një sërë punimesh shkencore, si: “Lidhja e Prizrenit 1878-1881” (Tiranë, 1997); “Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Jeta dhe vepra” (Tiranë, 2002); “Historia e Tiranës” (Tiranë, 2004); “Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri” (Tiranë, 2006); “Skënderbeu në burimet dokumentare shqiptare në shek. XV” (Tiranë, 2005); “Identiteti kombëtar i shqiptarëve” (Tiranë, 2006); “Historiografia shqiptare në tranzicion” (Tiranë, 2006); “Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëntor 1912” (Tiranë, 2008); “Historia e qytetërimit shqiptar” (Tiranë, 2008). Kristo Frashëri si pedagog i historisë së Shqipërisë në Univeristetin e Tiranës dhe si punonjës shkencor ka një kontribut të veçantë në përgatitjen e historianëve të rinj. Kristo Frashëri u nda nga jeta më 31 janar 2016, në Tiranë.

Filed Under: Histori

AJO COPĒZ QIELLI DIMĒROR I POETES ANTONIA POZZI

December 4, 2023 by s p

– Nga Eda & Visar Zhiti -/

Bora e dhjetorit dhe poetja italiane Antonia Pozzi na pēzjehen sot si imazhe tronditēse, jo pse ajo ishte bionde e bukur, por nga qē u shua mbi dēborē…

Ishte e re, 26 vjeçe, kur e ndërpreu me dashje jetën e saj. Dhe arsyeja, po aq e bukur sa ajo, ishte dashuria…

Vajza milaneze, pasionante, e zgjuar dhe e pasur, nẽ dije sidomos, “intelektualja aktive” ndër më të shquarat e shekullit tē saj, në mbrëmjen e 3 dhjetorit, si sonte…ikën… nëpër borë, hyjnisht e dalldisur, ndērkaq kishte gëlltitur dhe disa hapje vdekjeprurëse… dhe bie mbi atē çarçaf tē bardhē bore, tē ftohtē si toka, teksa bora e mbuloi si njē tjetēr çarçaf qiellor e ashtu e shtrirē s’u ngrit mē…

Ishte viti 1938, pra, 85 vjet mē parē dhe neve na ndērmendet se atē vit vdiq dhe Migjeni ynē, pothuajse nē tē njējtēn moshē me Antonian dhe jo shumē larg nga aty, nē njē sanatorium nē Torino. Njē vit mē pas atdheu i Antonias do tē pushtonte atdheun e Migjenit.

A thua kur vdesin tē rinjtē, atdheu nuk plaket?

– Po pse vrau veten poetja Antonia Pozzi? – vazhdojnë pyetjet dhe sot. – Pse?

– “Dhimbja e të jetuarit?”

– “Vuajtja e dashurisë së penguar nga prindërit, – edhe pse familje borgjeze e me kulturë, – për tē dashurin, mësuesin e gjimnazit?”

– “Ndjenja e rëndimit të epokës së errët të fashizmit?”…

Cila nga kēto çēshte apo asnjēra a tjetēr gjē apo tẽ gjitha bashkē e shtynē ta braktiste jetēn?

Pyetje pa përgjigje, thonē. Shpirti i Antonias ishte vërtet shumë i ndërlikuar për të nxjerrë një “pse” nga një gjest fatal që ndoshta ishte më shumë çlirues sesa i dëshpëruar, mendojnë kritikët…

A thua e jep pērgjigjen poezia e saj, shpjegon disi nga enigma? Mbase, por nuk besoj, poezia ēshtē çēshtje jete. Po edhe se si vdes ēshtē çēshtje jete.

Poetja Antonia Pozzi jeton në poezinë e saj dhe kjo mjafton, nē poezinē qē po vlerēsohet gjithnjē e mē shumē, e pērkthyer nē shumē gjuhē, edhe nē anglisht, ajo vjen e gjallë, e mrekullueshme si në imazhet e saj bardhẽ-e-zi, me dritēn prej bore dhe hije si trushtimi. Po cili ka thēnē se “hija ēshtē gjaku i dritēs”?

Ndẽrkaq ne po sjellim kētē poezi tē Antonia Pozzi-t pēr tē kujtuar shpirtin e saj me aq shumē qiell brenda vetes, të njëjtin qiell tē dhembshur me tonin, ēshtē shkruar 90 vjet mē parē, kur ajo ishte 21 vjeçe dhe emocionon

si atēhere, kẽshtu besoj/mē…

V.

QIELLI NĒ MUA

– nga Antonia Pozzi –

Unë s’duhet të harroj

qē qielli

qe në mua.

Ti

ishe qielli në mua,

se nuk flisje

asnjëherë për fytyrën time, por vetëm

kur unë flisja për Zotin

më prekje ballin

me gishtat e lehtē dhe mē thoshe:

– Je më e bukur kështu, kur mendon

gjērat e mira –

Ti

ishe qielli në mua,

se nuk më doje për veten time

por për atë farë

të mirē

që flinte në mua.

Dhe nëse ankthi i gjërave aq gjatë

qarjen ma shtrëngonte,

ti me gishtat e fortē

më thaje lotët e më thoshe:

– Si mund të jesh nesēr mamaja

e fëmijës tonë, nëse sot qan kështu?-

Ti

ishe qielli në mua,

qē nuk më doje

për jetën time

por për jetën tjetër

që mund të zgjohej

tek unē.

Ti

ishe qielli në mua

dielli i madh që ndryshon

plisat në gjethe të tejdukshme

dhe kush donte të të godiste

shihte që i dilnin nga dora

zogj

në vend të gurëve

– zogj –

dhe pendët e tyre shkruanin në qiell

të gjallê emrin tënd

E jetoj emrin tënd

si në mrekullitē

e lashta.

Unē nuk duhet tē harroj

qē qielli

qe nē mua.

Dhe kur nēpēr rrugē – para

se tē ishte mbrēmje – endesha

dhe ende dua

tē jem njē dritare qē ecēn,

e hapur, me anēt e kaltra

qē e mbushin plot.

Ende dua tē dēgjohet

rrahja e fortē e zemrēs sime

nē lartēsitē

si njē fole kambane.

Dhe qē gjērat e errēta tē tokēs

nuk kanē pushtet

tjetēr – mbi mua,

veçse atē tē çekiçit qē butē

gdhend nē lakuriqēsinē e qielltē

tē shpirtit

vetēm

emrin tēnd.

11 nēntor 1933

—————————————

E pērktheu nga origjinali

Eda Zhiti

Filed Under: LETERSI

SHKA “Dardania” me dardanët mërgimtarë, kremtuan 28 nëntorin dhe 29 vjetorin e SHKA “Dardania”

December 4, 2023 by s p

Emrin e Shefqet Cakollit e njohin të gjithë. Një jetë ia dha kësaj shoqërie. Me gjithë familjen ishte dhe është në këtë shoqëri. Jo për të përfituar të mira materiale, por për ti falur kohën e kësaj jete, mundin, por edhe kohën me familje, si dhe për të dhënë edhe të mira materiale. Një jetë e tërë, hiq më pak se 30 vjet në këtë shoqëri. Sa e sa koncerte janë mbajtur, sa e sa paraqitje para miqve tanë zviceranë e deri nëpër shtete të tjera evropiane, në Kosovë e në Shqipëri.

Winterthur, 02 dhjetor

Festa kombëtare e 28 Nëntorit në diasporë ka filluar që nga muaji tetor. Edhe pse kaloi nëntori, shumë manifestime po mbahen e do të mbahen deri nga mesi i dhjetorit. Numri i mërgimtarëve tanë siç dihet është i madh në gjithë diasporën, veprimtarët të organizuar nëpër shoqata të ndryshme, po e mbajnë gjallë festën më të madhe tek ne shqiptarët, ditën e flamurit, ditën e shpalljes së pavarësisë, nëntorin e madh të shqiptarëve. Sado, që të shkruaj për manifestimin e mbrëmshëm në Winterthur të Cyrihut me organizim shembullor si gjithmonë nga SHKA „Dardania“ është pak. Mjafton të kujtohet, se kjo shoqatë, po sonte kremtoi edhe 29 vjetorin e saj. Mjafton të kujtohet, se po veprojnë në diasporë, larg atdheut, pa mbështetje financiare të dy shteteve tona. Mjafton të kujtohet, se në këtë shoqëri, janë 100 anëtarë, prej grupit të fëmijëve e deri tek të rriturit. Në këtë shoqëri ka profesionalizëm. Në këtë shoqëri ka kulturë të të punuarit. Në këtë shoqëri ka vullnet të madh pune. Mjafton të kujtohet, se brenda programit të tyre, sa herë i përshtaten valleve me veshje të ndryshme kombëtare të të gjitha trevave shqiptare. Vërtet është për tu përshëndetur puna e madhe e shoqërisë, prindërve dhe flamurtarit, z.Shefqet Cakolli. Emrin e Shefqet Cakollit e njohin të gjithë, një ambasador i kulturës shqiptare në diasporë edhe ate me plot kuptimin e fjalës e të argumentuar me punën që ka bërë. Një jetë ia dha kësaj shoqërie. Me gjithë familjen ishte dhe është në këtë shoqëri. Jo për të përfituar të mira materiale, por për ti falur kohën e kësaj jete, mundin, por edhe kohën me familje, si dhe për të dhënë edhe të mira materiale. Një jetë e tërë, hiq më pak se 30 vjet në këtë shoqëri. Sa e sa koncerte janë mbajtur, sa e sa paraqitje para miqve tanë zviceranë e deri nëpër shtete të tjera evropiane, në Kosovë e në Shqipëri. Në shikim të parë, me të dalur në skenë, mendojmë, se na erdhën shqiponjat nga atdheu ynë, Ansambli nga Shqipëria apo Kosova. Me një skenë të përgaditur profesionalisht. Musafirët e ftuar me vendet e rezervuara. Gjithçka në rregull. Nga minuti i parë e deri tek i fundit emocione.

Të lindësh në Zvicër, të rritesh shumë larg vendit të të parëve dhe ti këndosh, recitosh e vallëzosh si në atdhe, është për çdo lavdëratë.

Edhe pse dhjetori filloi në Zvicër me një borë të madhe, nuk munguan bashkatdhetarë të të gjitha trevave shqiptare që të festojnë së bashku me SHKA „Dardania“ në Winterthur. Në këtë manifesim ishin prezent, z.Vigan Gashi, konsull i sapo ardhur në Cyrih të Zvicrës, zonja Arjeta Gallopeni, ushtruese e detyrës konsulle e Republikës së Kosovës në Cyrih, pastaj z. Avni Zejnullahu zv.Konsull, zonja e të ndjerit, z.Agron Bajramit me disa pjestarë të Shkollës së Vallëzimit „Shota“, nga LAPSH për Cyrih ishte z.Naser Ulaj, kryetar me bashkëpunëtor, si z.Lulzim Hasi, etj, pastaj, z.Rafet Ademi nga Tërnoci i Luginës së Preshevës, kryetar i Shoqatës Frick në Kt.Argau, përfaqësues të Institutit Shkencorë Helvetikë të Evropës Juglindore me seli në Zvicër. Prezent ishte edhe shkrimtari e publicisti, z.Brahim Avdyli etj. Me një recitim të mrekullueshëm para të pranishmëve u paraqit aktori e regjisori i mirënjohur nga Tirana, z.Llesh Nikolla, që kishte ardhur enkas nga Tirana dhe bëri që të gjithë të pranishmit të duartrokasin gjatë. Sado, që të shkruaj për programin artistikë me këngë, valle e recitime është pak, sepse ishte përplot e përplot me befasi të këndshme. Kori i fëmijëve me këngën „Mora fjalë“ bënë që edhe të gjithë të pranishmit të këndojnë së bashku. Shefqet Cakolli, drejtuesi i SHKA „Dardania“, pasi përshëndeti të pranishmit dhe uroi 28 nëntorin dhe 29 vjetorin e Dardanisë, falënderoi të gjithë të pranishmit si dhe të gjithë ata që e kanë përkrahur, pa harruar sponsorët. Z.Cakolli përmendi vetë disa vështirësi që ka pasur e që ka dita ditës, por për tu dorëzuar asnjëherë. Falënderoi të gjithë anëtarët e SHKA „Dardania“ që i kanë qëndruar besnikë. Ndau edhe disa mirënjohje për sponzorët.

Vlenë të përmendet, se ky manifestim, ose duhet përmendur, se SHKA „Dardania“, asnjëherë nuk ka pasur çmim bilete për hyrje në program siç bëjnë disa organizatorë të tjerë nëpër diasporë.

Gati 100 anëtarë janë në SHKA „Dardania“ dhe mbrëmë morën pjesë 86 prej tyre. Siç na tha edhe z.Cakolli, disa prej anëtarëve nuk ishin të përgaditur sa do të duhej dhe përgaditemi për programe të tjera. Ai shtoi, se në programet e SHKA „Dardania“ duhet të jenë të përgaditur maksimalisht, përndryshe nuk munden të dalin në skenë. Kjo na ka mbajtur të gjallë në skenë dhe do të vazhdojmë. Kemi shoqëri të mirë, vërtet më duhet ta them, se ushtrojnë dhe përgaditen me zemër. Po presim dhe kemi besim, se një ditë, SHKA „Dardania“ do të ketë mbështetje nga dy shtetet tona, Shqipëria dhe Kosova. Ne jemi të përgaditur me orkestër, me vallëtarë, me kostume të ndryshme. Është punuar dhe punohet shumë. Programi zgjati tre orë dhe ishte përplot e përplot me emocione. Nuk mundem pa e permendur edhe emocionet e të parit të kësaj shoqërie, z.Shefqet Cakolli, që nga minuta e pare e deri në fund, duke e përcjellur hap pas hapi programin. Sa e sa emocione, sa e sa energji shpirtërore. Respekt! Punë e madhe! Poezi, këngë e valle, një program i përmbushur. Viti 2024 për SHKA “Dardania” do të jetë datë lindja e 30-të dhe po besojmë shumë, se do të kemi një manifestim të veçant dhe do të jetojë kjo shoqëri brez pas brezi. Po ju lëjmë përmes fotografive dhe një videoje që të përjetoni emocionet e programit, sepse sado që të shkruaj është përsëri pak për ate që përjetuam mbrëmë. / Dashnim HEBIBI

Filed Under: Emigracion

Pse burrat bëhen të dhunshëm?

December 4, 2023 by s p

Valentina Telhaj

Psikologe Këshillimi

Marrë shkas nga një sërë rastesh të cilat kanë tronditur opinionin publik për ngjarjet tragjike ku bashkëshortët vrasin gruan, nënën e fëmijëve, madje në prezencën e tyre…

Kur flasim për dhunën nuk ka asnjë arsye apo justifikim, pavarësisht nga gjinia, mosha, kultura apo rrethanat.

Dhuna është një shkelje e drejtave të njeriut dhe duhet frenuar në çdo rrethanë.

Faktorë të ndryshëm që çojnë me këto sjellje e vepra makabre, përfshirë kulturën e individit, edukimin, traumat, kontekstin social, e shumë të tjera që mund të ndikojnë në sjellje të tilla kriminale. Është e rëndësishme të promovohet sa më shumë respekti dhe barazia në marrëdhëniet ndërmjet gjinisë.

Po cilat janë disa nga arsyet që burrat dhunojnë gratë dhe vajzat?

Shumë studime të ndryshme kanë identifikuar një sërë faktorësh të mundshëm që mund të kontribuojnë në sjelljen e dhunshme të burrave që mund të jenë;

> Stresi dhe presioni: Nivele të larta të stresit dhe presionit psikologjik mund të shkaktojë sjellje agresive.

> Traumat dhe përvoja të vështira në fëmijëri: Historia e traumave ose përvojave negative në fëmijëri mund të ndikojë në frenimin e zhvillimit të shëndetshëm emocional dhe sjelljen e mëvonshme.

> Faktorët psikologjikë: Në disa raste, problemet e shëndetit mendor, mund të çojnë në sjelljen kriminale.

> Faktorët ekonomik: Faktorët socialë si varfëria, papunësia, mungesa e aftësive për të menaxhuar konflikte dhe marrëdhëniet e trazuara mund të rrisin rrezikun e përfshirjes në vepra të dhunshme.

> Kultura dhe konteksti social: Faktorët kulturorë, mentaliteti ose normat sociale që promovojnë dhunën, mund të ndikojnë në sjelljet agresive të burrave.

> Përdorimi i substancave narkotike ose alkoolit, përdorimi i drogave dhe alkoolit mund të përkeqësojë sjelljen dhe të shtojë rrezikun e përfshirjes në vepra të dhunshme.

> Modeli i sjelljes së prindërve: Nëse një person ka pasuar modele të sjelljes së dhunshme në familjen e tyre, mund të ketë tendencë të përsërisin/ imitojnë këtë sjellje.

> Mungesa e aftësive për menaxhimin e emocioneve: Burrat që kanë vështirësi në menaxhimin e emocioneve të tyre mund të reagojnë me dhunë në situata konfliktuale.

> Normat shoqërore: Në disa raste, normat shoqërore që përkrahin idenë e forcës fizike si zgjidhje mund të ndikojnë në sjelljen e dhunshme.

Vlen të theksohet se këto faktorë nuk justifikojnë dhunën, thjesht po përpiqemi sipas hulumtimeve ta analizojmë që të mund të ndihmojnë në kuptimin e ndikimeve potenciale të këtyre reagimeve.

APA (American psychological Association)sugjeron disa këshilla që mund të jenë preventive dhe rehabilitues për të trajtuar sfidat e sjelljes së dhunshme në të gjitha format e saj.

Trajtimi i rasteve të sjelljes së dhunshme përfshin një qasje holistike dhe multidisiplinore.

Disa hapa të rëndësishëm mund të jenë:

1) Intervenimi i menjëhershëm: Në rast të rrezikut për vetëdijen e personit të dhunuar ose të tjerët, është e rëndësishme të ketë një intervenim të menjëhershëm për të siguruar sigurinë e të gjithë palëve të përfshira.

2) Këshillimi dhe mbështetja psikologjike: Individët që kanë shfaqur sjellje të dhunshme mund të përfitojnë nga këshillimi dhe mbështetja psikologjike për të adresuar shkaqet themelore dhe për të zhvilluar aftësi të reja menaxhuese të konflikteve.

3) Programe trajnimi për menaxhimin e emocioneve: Trajnimi për menaxhimin e emocioneve mund të ndihmojë në zhvillimin e aftësive për të menaxhuar tensionet dhe stresin pa përdorur dhunë.

4) Programet edukative: Ndryshimi i normave shoqërore dhe kulturore që përkrahin dhunën kërkon një përkushtim të gjerë nga shoqëria. Programet edukative mund të ndikojnë në ndryshimin e këtyre normave dhe të promovojnë respektin dhe barazinë gjinore.

5) Sanksionet ligjore kur është e nevojshme: Është e rëndësishme të ketë sanksione ligjore për të mbrojtur të drejtat dhe sigurinë e te mbijetuarave të dhunës ose në rastet tragjike kur ndërrojnë jetë si pasojë e dhunës apo keqtrajtimit.

Trajtimi duhet të jetë i personalizuar në bazë të rrethanave dhe nevojave të individit. Kombinimi i këtyre hapa mund të ndihmojë në rekuperimin dhe të kemi një përgjigje efektive ndaj sjelljes së dhunshme.

Të punojmë me parandalimin që të mos vajtojmë pasojat tragjike!

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 54
  • 55
  • 56
  • 57
  • 58
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT