• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2024

17 Shkurti i Pavarësisë së Kosovës, themel bazik dhe lartësi epokale e shtetësisë së saj në shekullin e sotëm

February 17, 2024 by s p

Nga Halil AHMETI/

Ish-deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Kryetar i Shoqatës “Drini, Gjakovë-Shkodër”, Drejtor i “Gazeta e Alpeve” për Kosovën.

Në këto ditë të 16 Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës duke shetitë në qytetin e madh të Nju Jorkut më ka bërë përshtypje të vecantë një fakt: Urat e Nju Jorkut.

Disa prej tyre janë të vjetra, shumë të vjetra. Ura e Lartë (The High Bridge) mbi lumin Harlem, 43 metra, e ndërtuar në vitin 1848. Ura e Bruklinit (Brooklyn Bridge)

mbi Lumin Lindor, 1.825 metra e gjatë, e vittit 1883. Urat mbi Lumin Harlem, si: Ura e Digës Makombs (Makombs Dam Bridge), 774 metra e gjatë, e vitit 1895; Ura e Washingtonit (Washington Bridge), 724 metra, e vitit 1888; Ura e Rrugës së Tretë

(The Third Avenue Bridge), 854 metra, e vitit 1898; Rruga e Tretë Karrol (Carrol Street Bridge), 33 m, e vitit 1899 dhe Ura Spyten Dajvel (The Spuyten Duyvil Bridge) 186 metra, e vitit 1899.

Unë i thashë vetëvetes time dhe po ua them edhe ju në këtë temë: Në kohën kur të parët e mi, të parët tuaj, të parët tanë, luftonin me armë në dorë në luftëra me otomanë e sllavë në vitet e Lidhjes Shqiptare të

Prizrenit e të Lidhjes “Besa Besë” të Pejës, këtu në Amerikë, pikërisht në Nju Jorkun e sotëm, në këtë kryeqytet kulturor, financiar, mediatik e diplomatik të botës, pikërisht në qytetin më të fuqishëm ekonomik të botës, ngriheshin ura të tilla ndërlidhëse njujorkeze, vepra të tilla “mrekulli amerikane”, që përbëjnë edhe histori, kulturë, ekonomi të Amerikës lidershipe në botë.

Dhe ne shqiptarët dardanë të Kosovës luftuam shumë, si rrallëkush, në histori, ndër kohëra, për Lirinë e Pavarësinë tonë, edhe prej nga Epopeja e Nokshiqit

legjendar në krahinën e Plavë-Gucisë (4 dhjetor 1879-janar 1880) në kohën e Lidhjes

Shqiptare të Prizrenit dhe deri tek Epopeja legjendare e Koshares (1999) e Luftës UCK-NATO, në Kosharen e Gjakovës time të shtrenjtë e të shenjtë.

Vendlindja ime, nga djepi deri tek pensionimi, është e mbetet Ponasheci i Gjakovës, i dalluari dhe i sakrifikuari i madh në luftëra e masakra të jashtëzakonshme e të pandalura për Lirinë, Pavarësinë e Shtetësinë e sotme të Kosovës dardane. Pa

shkuar larg në kohëra, pikërisht 111 vjet ma herët, më 27 shtator 1913, pa mbrri viti i plotë i Pavarësisë Kombëtare të Shqipërisë, sllavët me në krye gjeneralin Radovan Veshoviq e sulmuan egërsisht, me zjarr e hekur, me gjak e flakë, Ponashecin tim, duke i vrarë 116 shqiptarë të Ponashecit, mes tyre edhe 7 gra e dy nga të cilat ishin shtatëzëna si dhe fëmijë, ku asokohe e dogjën edhe kullën e madhe të të parëve dhe

mi vranë 5 pjestarë të familjes të atëhershme. Edhe në vitin 1941, prapë edhe sllavët me të tjerët, na i vranë 30 burra të Ponashecit.

Prandaj, si e gjithë Kosova jonë dardane, edhe Ponasheci im, u hodh aktivisht e masivisht në Luftën e UCK-së për Liri-Pavarësi-Shtetësi të Kosovës, ku e dhanë jetën 16 dëshmorë të saj.

Edhe mue m’u desht të la përkohësisht penelin e piktorit dhe stilografin e mësuesit në Durrës i shpëtuar nga sigurimi serb dhe terrori që bëhej nga politika Millosheviçjane sidomos në brezin kufitar me Shqipërinë.Ju bashkova Luftës për Lirinë në Kosovës bashkë djalin tim Blerimin i cili ju bashkangjitë UCK-së në Luftën e Morinës, luftëtar në Epopenë e Koshares. Jo vetëm meshkujt, por edhe vajzat e axhës (xhaxhait tim), të dyja me emra të bukur e domethënës, iu bashkuan UCK-së: Shqipja në Shtabin e UCK-së në Prishtinë dhe Ilire- infermiere në frontin e Luftës.

Pra, kështu, ne, të gjithë ponashecasit e Gjakovës, familjet shqiptare të Ponashecit, sikurse shqiptarët atdhetarë të Gjakovës e të Kosovës dardane, iu

bashkuam Luftës për Lirinë-Pavarësinë-Shtetësinë e Kosovës.

Fuqi të Mëdha të kohërave në kongrese e me traktate na e ndanë Kosovën nga Shqipëria, Kosovën

nga trevat shqiptare në Maqedoni, Kosovën nga Lugina e Preshevës dhe Sanxhaku i Pazarit të Ri (Novi Pazarit), Kosovën nga trevat shqiptare në Mali i Zi; na e

ndanë Gjakovën time nga Malësia e saj (nga Malësia e Gjakovës -Tropoja) dhe Malësinë e Gjakovës nga Gjakova e saj.

Tashti, ne, bashkëkombasit tuaj në Kosovën dardane, sikurse dhe Ju￾bashkatdhetarët tanë në Amerikë e kudo në Botë, po iu gëzohemi 25 viteve të Lirisë

e 16 viteve të Pavarësisë së Kosovës, dhe po punojmë e luftojmë të ndërtojmë, të ngrejmë, të lartësojmë, së bashku me aleatët e miqtë tanë, në SHBA e kudo,

Shtetësinë e Kosovës, që të vijnë dita jonë e madhe historike që edhe Kosova jonë të jetë antare e OKB-së, që edhe Flamuri i Pavarësisë e Shtetësisë së Kosovës të valvitet përkrah 193 shteteve antare të Kombeve të Bashkuara, të valvitet në selinë e OKB-së, këtu në Nju Jork, duke marrë fillimisht statusin e Vëzhguesit në OKB.

Kosova si shtet i pavarur e sovran, si një projekt euro-atlantik i Perëndimit (NATO e BE) për zhvillimin e saj të shumanshëm e të vazhdueshëm, po ka arritje

të mira, pamvarësisht se Republika e Serbisë të Milloshevicit e Vucicit me Rusinë e Carëve e të Putinit, po mundohen ta pengojnë në rrugen e saj, duke tentuar të aneksojnë territore të Kosovës, të mos i pranojnë e dëmshpërblejnë dëmet e jashtëzakonshme në tokën e ndaj njerëzve të Kosovës dardane.

Dr. Ibrahim Rugova Presidenti ynë Historik, kishte një ëndërr të madhe, një vizion të rrallë për shtetin dhe shtetësinëe Republikës së Kosovës, ku disa prej tyre edhe janë kryer madhërisht si Liria e Pavarësia e Kosovës e të tjera, e të tjera. Rugova i madh thoshte se me ndërtimin e Autostradës, Rrugës së Kombit, nga Prishtina në Durrës, qytetarët e Kosovës do të shkojnë në Tiranë për një kafe, e do të kthehen në Prishtinë për pak kohë. E tashti, të gjithë ju, edhe këtu në Vatër e në Amerikë e keni marrë lajmin e mirë se do të ndërtohet Hekurudha Ndërkombëtare, Korridori Adriatik-Alpe, në intinerarin Prishtinë-Gjakovë-Tropojë-Shkodër-Shëngjin-Durrës￾Tivar.

Po, duke nisur nga një arsye, si Kryetar i Shoqatës

20 vjecare “Drini, Gjakovë-Shkodër”, lobuese për

Rrugën e hekurudhën Bregut të Drinit. Duke nisur

dhe nga fakti se këto projekte madhore integruese e zhvillimore e shpesëdhënëse jo vetëm për Kosoven e Shqipërinë,por edhe Rajonin, me interes të gjithanshëm strategjik infrastrukturor e kulturor duke u lidhur me autostraden e Adriatikut dhe portet detare.Due të falenderojë dy qeveritë në Prishtinë e

Tiranë për bekimin zyrtar të ndërtimit të saj sa ma të shpejtë.Lavdi e respekt të gjithë atyre që dhanë jetën për çlirimin e Kosovës,të gjithë atyre që kontribuan në luftë dhe ndërtimin e paqës,ruajtjen dhe mbrojtjen e kufirit të saj. Në 25 vjetorin e Luftës dhe të Lirisë së Kosovës, duam të japim sadopak kontributin tonë në zhvillimet e sotme e të nesërme të Kosovës Dardane.

Ne, edhe sot, këtu në Nju Jork të Amerikës, në këtë

përvjetor të 16-të të Pavarësisë Kosovës, Bushjane e

Klintoniane ju urojmë 75 Vjetorin e NATO-s më 4 prill 2024 dhe 112 vjetorin e Federatës PanShqiptare “Vatra” në Amerikë me 28 prill.

Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që gjenden!

Zoti e bekoftë Amerikën dhe miqët tjerë në Europe dhe botë!

Filed Under: Komunitet

“LUSHNJË E DASHUR MIRMËNGJES”

February 17, 2024 by s p

Maksim Kulla/

(35 VJET PA TË MADHIN HEKURAN ZHITI)

HEKURAN ZHITI – Mësues, aktor dhe dramaturg…..lindi nё fshatin Milovë, nё 13 prill të vitit 1911 në njё familje me tradita patriotike dhe arsimdashëse dhe me mirëqenie. Vjen nga Tomorica e Skraparit, janë me origjinë nga Gramshi, andej nga janë dhe vёllezёrit Frashërllinj. Mali i Tomorit shihej si Olimpi i shqiptarëve.

Nё qytetin e Beratit do tё fillonte shkollimin e tij dhe do tё kryente shkollën e famshme, Normalen e Elbasanit. për mësues në 1932.

Menjëherë do tё shquhej pёr talentin e tij në poezi, sidomos në satirë, dhe në lojë teatrore, në improvizime, por vendi s’kishte teatër.

Do të tёrhiqte vёmendjen e mësuesve të tij, figura patriotike e intelektuale si Karl Ljarja, babai i aktorit Rikard Ljarja, dhe Simon Shuteriqi, babai i shkrimtarit Dhimitër Shuteriqi, të Vasil Andoni, etj, shok klase do të kishte dhe shkrimtarin e ardhshëm, Sterjo Spasse. Po kështu do të tërhiqte vëmendjen dhe të shtypit tё kohёs.

Nё Normalen e Elbasanit do tё shkëlqente me grupin teatror, ku do tё jepnin shfaqje nё skena tё improvizuara e nё qytete të ndryshme të vendit. Rolet e tij do të ishin të shumta, gjithmonë kryesorë, nga vepra të autorëve shqiptarë, por dhe të huaj. Portretin e tij e shëtisnin rrugëve punëtorë, se kështu mund të bëheshin lajmërimet për shfaqje dhe dhe publiciteti i tyre.

Të gjithë pedagogët e shkollës “Normale” të Elbasanit dhe studentë të saj firmosën një letër dhe ia dërgonin Mbretit Zogu I, ku i kërkonin një burse për të studiuar jashtë shtetit për aktor Hekuran Zhiti, një student me talent të jashtzakonshëm. Por kjo nuk u dha, Shqipëria nuk kishte teatro….

Hekurani si një kulm të jetës së tij studentore do të quante takimin me At’ Gjergj Fishtën në Shkodër.

Do tё fillonte punё si mёsues nё Roskovec e mё pas nё Pogon tё Gjirokastrёs dhe do të kthehej nё qytetin e Beratit. Ndërkohë do të kishte një ndalesë, arrest nga xhandarmëria si antizogist, simpatizant i ideve noliste, por do të vazhdonte punën.

Shkruante dhe krijonte grupe teatrore, kudo ku e caktonin, Hekurani dallohej dhe si mësues, dhe si qytetar dhe intelektual. Vuri në skenë drama dhe komedi, që i shkruante vetë shumicën dhe interpretonte në të gjitha. Kujtojmë “Plagёt e Shqipёrisё”, “Nusja memece”, “Kryengritje shqiptare në parajsë”, etj. Shkon në Itali, në qytetet Brindisi e Bari. Për të parë Europën dhe teatër të saj. Nuk gjen mundësira studimi dhe kthehet.

Pushtimin fashist të vendit e priti duke iu bashkuar protestave të popullit dhe do të bëhej pjesë e lëvizjes nacionaliste, duke bashkëpunuar me figura te tilla si Mit’hat Frashëri, Abaz Ermenji dhe intelektualë si Vexhi Buharaja, Mustafa Greblleshi, etj.

Kur Italia fashiste kapitulloi, në shtëpinë e tyre në Milovë do të mbanin ushtarë italianë, do t’u shpëtonin jetën..

Mbas çlirimit të Shqipërisë ai vazhdoi të ushtronte veprimtarinё e vet në Berat, ku shkrimet e tij do tё dёgjoheshin nё qendrёn e zёrit “Radio-Shosha e Beratit”.

Do ta shkëpusnin nga teatri. Gjatë kohës që po shfaqej një komedi e tij në kinemanë e qytetit dhe publiku kërkonte që të dilte në skenë autori, ai dergjej pak më tutje, në një nga qelitë e burgut dhe torturohej. Fitimtarët e kishin arrestuar, por pas një viti burg u lirua si i pafajshëm. Vëllanë më të madh, Maksin, ia vranë, i përfolur si i lidhur me Grupin e Deputetëve. Përndjekja nuk do t’u ndahej familjes Zhiti.

Hekurani do tё largohej për nё Durrës bashkë me të shoqen dhe fëmijët, ku mendonte se nuk do ta njihnin. Aty kishte të vëllanë, më të voglin, Ahmetin, gjeometër, që kishte luftuar për çlirimin e vendit si partizan me armë në dorë.

Hekurani do tё punonte si hamall në port, por e heqin, se porti shihej si zonё kufitare, me vonё punëtor nё komunalen e kёtij qyteti. Çudia është se edhe aty ngriti një grup estrade. Teksa shtronte rrugët me pllaka e gjen miku i tij, ministër i arsimit, Kahreman Ylli, që ia njihte vlerat dhe talentin dhe e emëron mësues në fshatin Karbunarë në Lushnjë. Nevojat për në arsim ishin të mëdha

Hekuran Zhitin e mbajnë mend dhe si arsimtar të mrekullueshёm. Po dhe aty ai ngriti grupin artistik të shkollës. E kalojnë arsimtar në qytet në shkollën 7-vjeçare “Skënder Libohova”. Ëndërra e tij ishte skena dhe kur erdhi vendimi nga lart, që Lushnja do të kishte estradë profesioniste, në vitin 1962, ai do të ishte me themeluesit e saj, Avdyl Tufa-drejtor, me regjisorin Tahsin Demiraj, drejtuesin e orkestrës Niko Deda, përmendim këtu se këngëtarja Vaçe Zela ishte larguar në Tiranë para krijimit të estradës profesioniste. Krahas talenteve vendas, aktorëve si Dhimitraq Nushi, Zana Aliçka e Jovan Bizhyti e më pas Aneta Gjermëni, Bajram Çakalli, Petraq Dhimitri, Sulo Kosova, do të bashkëpunonte edhe me këngëtaret Liri Llazo, Vide Puka, Milika Prifti, e Athina Vogli, Adile Meçe, Rita Vako etj, ku më pas do të thirreshin dhe talente nga fshatrat e internimeve si parodisti i njohur Gjosho Vasia apo trompisti Franc Pali, në bateri Gëzim Peshkёpia, me baba të pushkatuar, U duheshin. Mungesat ishin të mëdha.

Hekurani e kishte filluar me prezencën e tij në estradën amatore të Shtëpisë së kulturës para viteteve 60-të, ku bashkëpunoi me Shefqet Karain-drejtor, Vaçe Zelën-shefe muzike dhe regjisorin Tahsin Demiraj. Gjatë viteve pas krijimit të Estradës Profesioniste do të bashkëpunonte me regjisorët Gëzim Libohova, Neim Nova e Myzejen Nepravishta dhe me dirigjentin Fotaq Filipeu.

Ja, si do ta kujtonte njëri nga kolegët, aktori Jovan Bizhyti:

Ishte më i madhi nga ne, jo vetëm në moshë por dhe shkëlqente me individualitetin e tij, nga mënyra si dialogonte, me mprehtësi duke vendosur komunikime me partnerin me plot humor e befasira. E tёrhiqte spektatorin si me magji duke e futur në realitete mbi të pёrditshёm, nё shqetësime e gaz, në probleme dhe në çlirimin prej tyre. Hekurani ishte njё talent i lindur, spontan, me bagazh intelektual e tё kompletur, me njё pёrvojё skenike nё normalen e Elbasanit dhe nё Berat. Shquhej si aktor humori shumёplanesh me tipat e karakteret qё krijonte, ishte tepёr origjinal pёr forcёn e batutёs humoristike dhe si aktor nga mё tё suksesёshmit për kohën, i njohur tashmё si njё artist në nivel kombëtar.

E harruan emrin e tij dhe e thërrsinin me të personazheve, xha Zequa, p.sh. nё skeçin famoz “Nga fshati nё qytet”. Ai shquhej për atë që e krijoi vetë dhe e quajti “Posta e fshatit”, ku derdhte vargje tё pafund, kujtoj një rast: 1170 vargje humoristike nё katёr premiera në turne, ku ai, pasi njihej me problematikat e zonës, thurte poemën e tyre, e shkruante dhe në mullarët e barit dhe kur jepej shfaqja, dilte dhe e interpretonte në fund, plus, duke shkaktuar tё papritura e ilaritet dhe njё atmosferё gazmore, ku spektatori koopperativistë shikonte si nё pasqyrё ato ç’ka atyre u ndodhte nё jetёn e përditëshme. Dhe kjo e bёnte shfaqjen mё tё arrirë dhe suksesin të sigurtë. Humori në batutat mjeshtërore të aktorit Hekuran Zhiti, e ngrinin lart estradën duke u bërë proverbial..

Persoanzhi tjetër i Hekuran Zhitit – dembeli klasik, që t’i bënin bisht punës, shkon në klinikat mjekësore për raport, s’e do punën, s’e ndiente të tijën, por pagën e do nga sigurimet shoqërore. Mjekja luhej nga aktorja Aneta Gjermёni. Priste pacientët një e nga një në vizitat mjekësore, shumica të shtirur si të sëmurë rëndë.

Hyn Hekurani marramendës.

– Ti xhaxha nga se ankohesh ? – e pyet mjekja.

– Çfarë s’kam, më thuaj, – u kollit ai. – Më dhëmb i gjithë trupi, madje vazhdon më tej?

– Ku?

– Prapë te trupi im kthehet, nga dje në nesër. (Këto s’ishin në tekst).

– Më thuaj konkretisht nga se vuan? – Ia kthen mjekja.

– Shoqja doktoreshë, më luan koka me gjithë veshë. Syri i djathtë më sheh majtas dhe i majti djathtas, të dy bashkë nuk shohin fare. Dhe e tundëte kokën si kau dhe i çakërdiste sytë sa spektatorët shpërthenin në të qeshura duke tunduar edhe ata kokat.

Edhe një dialog tjetër në një skeç tjetër: kalojnë dy të rinjë të dashuruar, të përqafuar me njëri-tjetrin. Një i moshuar, luajtur nga aktori Hekuran Zhiti, i vëzhgon me shumë kurreshtje. Djalit, që i bëri përshtypje vëzhgimi, e pyet:

– Çfarë ke, xhaxha, që na shikon ?

– Maçoku plak do minjë të njomë, – ia ktheu ai. Mënyra spërdredhëse si e tha, kantilena hokatare jo vetëm që shkaktoi të qeshura, por u bë dhe shprehje që e dëgjonim rrugëve.

Në një rast tjetër, mes një grupi që kishin dalë në rrugё për të pritur ndonjë makinё të rastit, ishin dhe dy të sapomartuar, të luajtur nga aktorët Aneta Gjermёni dhe Jovan Bizhyti. Babain e djalit e luante Hekurani. Dy qytetarë të tjerë, një këpucar dhe një rrobaqepës, role këto të luajtura nga Petraq Dhimitri dhe Dhimitraq Nushi. Të gjithë shohin çiftin e ri dhe u bën përshtypje veshja elegante e tyre. Elegancë e asaj kohe. Këpucari i afrohet çiftit dhe i vështron nga këpucët.

– Më falni, – u tha ai, – si iu duken këto këpucë ?

– Shumë të mira, – u përgjigj djali, – tamam të modës, siç i do rinia.

– Shumë faleminderit, janë prodhimet e mia, – u përgjigj gjithë mburrje këpucari. Pas tij afrohet rrobaqepësi dhe duke i vëzhguar i pyeti :

– Po këto kostume që keni veshur, si ju duken ?

– Të mrekullueshme, – u përgjigj vajza, – kështu të modës i pëlqen rinia.-

– E po shumë faleminderit, janë prodhimet e mia, – u tha ai gjithë mburrje dhe iu afrua shokut duke fërkuar duart gjithë gëzim. Kështu bëhej dhe propaganda për prodhimet vendase.

Babai që po i shikonte këto veprime, u afrua dy zanatçinjve dhe i pyeti :

– Po ky çifti i ri si iu duket juve?

– Shumë simpatik, janë si lulja e zambakut, – u përgjigjën ata një zëri.

– Epo shumë faleminderit, djali është prodhimi im, që ka marrë atë vajzë të bukur, – ia ktheu ai kusurin. Interpretimi dinak i Hekuranit donte të thoshte: njeriu së pari…

Duartrokitjet u ndezën dhe nuk pushonin në sallë.

I solla këto shembuj për të dhënë dhe mendësinë dhe shijen e kohës. Por Hekurani arriti role të mëdha dhe me komedi të huaja, franceze p.sh, me prefektin mashtrues, etj.

Në Olimpiadën e Estradave në Durrës, aty nga viti 67-68, kur njëherë ndodhej dhe Sekretari i Parë i PPSH, Enver Hoxha, udhëheqësi i diktaturës së proletariatit, i cili pas shfaqjeve do të ngjitej në skenë për të përgëzuar aktorët, te Hekuran Zhiti do të ndalte dhe do të thoshte: Ti luan mirë!

E megjithatë nё fillim tё viteve 70-të shekullit të kaluar, shohim njё tërheqje graduale tё aktorit Hekuran Zhiti, ndoshta ndjente njё trysni, nga shkaku i forcimit të “luftës së klasave” duhej të dukej sa më pak në skenë, kur spektatori e kërkonte më shumë e të shkruante sa më pak pёr estradёn, duke mos botuar dot asgjë nga vepra e tij e do tё vinte dita e largimit nga Estrada. Mezi ç’pritej dalja në pension e tij.

Gjithësesi ai mbetet një aktor profesionist me vlera, qё mund tё jepte edhe pёr shumё vite kontributin e tij nё estradё si aktor dhe autor. Në këto vite ai shkruan dramën “Të mblidhemi në Lushnjë”, me rastin e 50 vjetorit të Kongresit shpëtimtar të Lushnjës, i quajtur dhe si pavarësia e dytë e Shqipërisë. Por ajo dramë s’u vu në skenë asnjёherё atёhere, megjithëse autorit iu dha dhe “Dekorata e Punës”..

Burgosja e djalit të tij më të vogël, Visarit, me shkak poezitë kundër “Realizmit Socialist”, bënë që ai të mbyllet brenda në shtëpi dhe të mos dale më. Hekuran Zhiti ndërroi i jetë, i verbuar, në 15 mars 1989 në Lushnjë.

Shkrimtari i traditës Nonda Bulka e ka quajtur Hekuran Zhitin “Gjergj Fishta i Toskërisë” për satirat e tij, ndërsa kritiku letrar, i njohur në atë kohë, Razi Brahimi, që ka qenë dhe drejtor i Shtëpisë së Kulturës në Lushnjë, komedinë në dorëshkrim të Hekuranit, “Të falimentuarit”, do ta quante më të mirë se komeditë klasike të atëhershme “Prefekti” dhe “Karnevalet e Korçës’

Regjisori i Teatrit Kombëtar në Tiranë, Pirro Mani, ka thënë: “Më jepni Hekuran Zhitin dhe më merrni 5 aktorë nga të mitë, zgjidhini.”

Inçizime të “Estradës në mikrofon” me zërin e Hekuranit ka në arkivin e Radio Televisionit – Tiranë, por filmime mund të gjëndet vetëm një, se programet televizive nisën kur ai kishte ikur.

Ndërkaq janë botuar postume poezitë e tij, elegjitë dhe satirat në përmbledhjen “Kryengritje shqiptare në parajsë”, poezi të tij janë botuar dhe në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut e në shtypin arbëresh në Itali. Kanë dalë “7 komedi” të zgjedhura të Hekuran Zhitit, “Nusja në thes” është vënë në skenë nga “Teatri “Metropol” në Tiranë dhe nga trupa tatrore e Podujevës në Kosovё, me regji të Elma Dorezit. Drama për Kongresin “Të mbidhemi në Lushnje” është botuar dy herë dhe është vënë në skenë nga gjimnazistë, pranë shkollës, ku ai ka qenë mësues.

Bashkia e Qytetit të Lushnjës Hekuran Zhitin e ka shpallur “Qytetar Nderi” dhe një rrugë pranë stacionit të trenit mban emrin e tij.

Filed Under: Rajon

Adresimi i Kryeministrit Kurti në mbledhjen festive të Qeverisë së Republikës së Kosovës për 16-vjetorin e Pavarësisë

February 17, 2024 by s p

Prishtinë, 17 shkurt 2024/

Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra dhe zëvendësministra,

Të dashur përfaqësues të medieve,

Të dashur qytetarë,

Republika e Kosovës, shteti ynë feston sot përvjetorin e vet të gjashtëmbëdhjetë.

Sivjet shënojmë edhe dy përvjetorë të rëndësishëm, 26-vjetorin e epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe 25-vjetorin e çlirimit tonë nga okupimi i Serbisë. Përvjetorë të këtillë ofrojnë raste të përshtatshme për reflektime retrospektive, që rëndom mund të mos kemi kohë t’i bëjmë gjatë ditëve të tjera të vitit, kur jemi shumë të zënë me urgjencat e përditshme me të cilat duhet të ballafaqohemi.

Nga kemi ardhur? Ku jemi? Dhe nga po shkojmë? Këto janë pyetje që në këto raste i shtrojmë secili veç e veç por edhe bashkërisht. Përgjigjet tona në këto pyetje nuk është e thënë të pajtohen me njëra-tjetrën. Në fakt, kjo nuk do të kishte qenë shenjë e mirë për një shoqëri të lirë e demokratike.

Andaj, ato që do të ofroj në vijim le të trajtohen si përgjigjet e njërit prej jush, paçka se sot jam i veshur me petkun e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, përkatësisht të Kryeshërbëtorit tuaj.

Ne vijmë nga një betejë çlirimtare me karakter anti-kolonial që rrënjët i ka te Rilindja Kombëtare Shqiptare. Prejardhja e Republikës sonë, është te lufta çlirimtare dhe te lëvizjet e rezistenca shekullore e popullit tonë për liri. Për sa kohë Republika e Kosovës të jetë shembull i mbrothësisë njerëzore dhe lirive qytetare, ajo e nderon trashëgiminë e Rilindjes Kombëtare, si një lëvizje shprangosëse që nuk luftoi vetëm për lirinë e shqiptarëve, por edhe të të gjithë të tjerëve që bashkëjetuan e bashkëjetojnë me shqiptarët.

Ne i mbijetuam gjenocidit të fundit të shekullit të 20-të. Pas luftës shkatërruese të viteve 1998-99 ne rindërtuam shtëpitë tona. Me mbështetjen nga partnerët dhe aleatët tanë ndërkombëtarë, ndërtuam shtëpinë tonë të përbashkët, Republikën e Kosovës. Një republikë parlamentare e mirëfilltë, me drejtësi e barazi për qytetarët e saj, kontribuese në paqe dhe garanci për paqe. Një shtet që vlerat demokratike, respektimin e të drejtave të njeriut e të të gjitha pakicave dhe drejtësinë sociale e solidaritetin i ka në thelb të çdo kursi politik dhe shoqëror.

Një çerek shekulli pas luftës, Republika jonë qëndron e fortë. Ne qëndrojmë krenarë, sepse përkundër sfidave, shteti ynë po zhvillohet. Mbi vullnetin politik të popullit të saj, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, demokratik dhe i pandashëm. Ashtu sikurse ditën kur u shpall, gjashtëmbëdhjetë vite më parë, ashtu edhe sot, si dhe çdo ditë më tej, Republika e Kosovës ishte, është dhe do të jetë shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj pa dallim.

Andaj, sot ne festojmë, e urojmë e përgëzojmë, jo vetëm shqiptarët, por edhe komunitetet jo shumicë në Republikën tonë, serbët, boshnjakët, turqit, romët, ashkalinjtë, egjiptianët, goranët, por edhe malazezët, kroatët e të tjerët.

Andaj, urime të gjithëve pavarësia e Republikës së Kosovës, shtëpisë sonë të përbashkët.

Në lidhje me atë se ku jemi sot, përgjigjen rezultatet pozitive, qofshin ato reformat tona të brendshme, në sundimin e ligjit dhe progresin ekonomik e shoqëror, apo në suksesin e liberalizimit të vizave. Këto konfirmojnë se Kosova po bën hapat e drejtë në rrugën e duhur drejt së ardhmes së saj evropiane.

Do të thosha që integrimet euroatlantike janë sepse duhet të jenë ylli ynë polar, në rrugën nga po shkojmë. Për barazi mes popujve e të rajonit e të kontinentit tonë, për paqe brenda shteteve e ndërmjet shteteve, për siguri të qëndrueshme për të gjithë dhe progres gjithëpërfshirës për secilin e secilën. Vizioni ynë është i qartë: ne rreshtohemi me kombet paqësore e demokratike që mishërojnë lirinë, unitetin dhe solidaritetin. Kjo është arsyeja pse ne kemi aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian.

I nderuar kabinet Qeveritar,

Sot është ditë feste, por çdo ditë tjetër duhet të punojmë për idealet dhe synimet dhe programin tonë të përbashkët, duke ruajtur kujtesën mes brezave e duke kultivuar vazhdimësinë historike dhe institucionale. Të angazhohemi e përkushtohemi përditë, duke marrë shembuj e forcë nga paraardhësit tanë, ata e ato që punuan e sakrifikuan shumë për liri, për ditë të mira sikur kjo, e duke u frymëzuar nga brezat e rinj të lirisë.

Të dashur qytetarë,

Teksa festojmë ditëlindjen e shtetit tonë, edhe përkujtojmë secilën jetë njerëzore të dhënë, gjakun e derdhur, përpjekjet e vetëmohimin për të mirën e përbashkët të këtij vendi, për ruajtjen e jetës dhe për jetesën e mirë për të. Përkujtimi është i anasjelltë, sepse ne me rininë dhe popullsinë tonë ecim përpara, por njëkohësisht duke përkujtuar veprimtarinë e atyre që ishin para nesh, ne ia përkujtojmë vetes në kujtesën tonë kolektive rrugën e kësaj vepre që duhet mirëmbajtur dhe rrugën që nuk duhet lëshuar asnjëherë. Lavdia e tyre është e përjetshme e kujtimi ynë për ta është i pashlyeshëm.

U jemi falënderues të gjithë atyre që kanë kontribuar në luftën tonë çlirimtare dhe në procesin tonë të pavarësisë. Mirënjohje e veçantë partnerëve dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë në rrugëtimin tonë të përbashkët të konsolidimit të shtetit dhe të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës sonë. Gjithnjë dhe përgjithmonë u jemi falënderues.

Me lumturinë e kësaj dite plot diell e dritë, me shpresë në zemra për të ardhmen edhe më të ndritshme: Gëzuar festën e Pavarësisë së Kosovës!

Qoftë gjithmonë e fortë Republika jonë! Ne i dalim zot!

Filed Under: Sofra Poetike

Gëzuar 16-vjetorin e pavarësisë, Kosova!

February 17, 2024 by s p

Disa mendime dhe këshilla për të ardhmen e shtetit të ri.

Nga Harry Bajraktari

Sot, është ditë feste për shqiptarët në Kosovë, por është ditë feste edhe për shqiptarët kudo ku jetojnë. Është festë për shqiptarët e Amerikës.

Kjo pavarësi është një fitore e çmuar kombëtare e cila u arrit me shumë punë dhe sakrifica, prandaj duhet ta mbrojmë me gjithshka dhe duhet ta bëjmë sa më të vlefshme. Pavarësia erdhi me një premtim për një jetë më të mirë, më të begatë e më të sigurtë për popullin e Kosovës. Dhe në këto vite vendi ka bërë përparime të pabesueshme. Por shumë punë mbetet për t’u bërë për një jetë më të mirë dhe për më shumë besim te ardhmja.

Kjo kërkon angazhimin e të gjithëve. Megjithëse nuk është e lehtë, politikanët e vendit, në qeveri apo në opozitë duhet të bashkëpunojnë në ndërtimin e dy strategjive kryesore, për mbrojtjen përballë Serbisë dhe për drejtimet madhore të ekonomisë.

16 vite kanë kaluar dhe Serbia ende nuk e pranon pavarësinë e Kosovës. Përkundrazi, po armatoset e po kërcënon se do të kthehet me ushtri. Nuk duhet të kemi iluzione. Këto armatime të reja nuk i ka blerë vetëm për parada.

Për fat të mirë, Kosova ka mbrojtjen e aleatëve perëndimorë me Shtetet e Bashkuara në krye. Por kjo mbrojtje duhet të shoqërohet me forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës. Populli shqiptar duhet të jetë i përgatitur edhe për skenarin më të keq. Politikanët e të gjitha partive duhet ta kuptojnë se kërcënimi i Serbisë nuk kursen askënd.

Ata duhet të bashkëpunojnë sidomos për hartimin e një strategjie për anëtarësim në NATO. Strategji e cila të vlejë për çdo qeveri për vitet që vijojnë, pavarësisht se kush është në pushtet apo në opozitë.

Në planin ekonomik, duhen kërkuar zgjidhje praktike për të sjellë më shumë investime, për të hapur më shumë vende pune, por duke menduar për ekonominë e shekullit 21, sidomos në teknologji. Shumë të rinj shqiptarë kanë pasur shumë sukses në botën kompjuterike dhe të teknologjisë moderne. Është një potencial i madh me të cilin duhet punuar më shumë.

Kjo ka rëndësi jo vetëm për ekonominë. Sot, inteligjenca artificiale po gjen zbatim në ushtri, në ekonomi, e kudo. Shembulli i Izraelit ka treguar se edhe vendet e vogla kanë mundësi të zhvillojnë sektorin e tyre të teknollogjisë duke konkurruar me vendet e mëdha. Të rinjtë e Kosovës kanë talentin dhe energjinë e nevojshme, prandaj duhet investuar me ta. Pavarësia ka vlerë më të madhe kur rinia e sheh të ardhmen në Kosovë dhe jo në emigracion.

Së fundi, Kosova ka nevojë të gjejë gjuhën e duhur të komunikimit me aleatët tanë. Kosova është vendi më proamerikan dhe properëndimor në Evropë. Nuk ka arsye themelore që të mos merremi vesh sidomos me partnerët tanë amerikanë.

Amerika na ka ndihmuar që Kosova të çlirohet dhe të njihet pavarësia e saj. Ajo mund të na ndihmojë që të bëhemi një shtet më i fortë, me kapacitete të mëdha e me aftësi konkurruese në teknollogji, ekonomi, në mbrojtjen e vendit etj.

Serbia po investon shumë që të krijojë përçarje mes Kosovës dhe aleatëve të saj, në Perëndim. Por ajo nuk mund të ndryshojë themelin e marrëdhënieve tona që bazohet në interesat dhe vlerat e përbashkëta të lirisë dhe demokracisë.

Prandaj, koordinimi dhe bashkëpunimi me aleatët ka rëndësi të madhe. Duhet kujdes që të mos ngecim në mosmarrëveshje për konflikte të vogla e kalimtare, apo për probleme që mund të zgjidhen edhe një ditë tjetër. Duhet të jemi vizionarë dhe të mendojmë se si duhet të jetë Kosova pas 15-20 vitesh dhe se si mund të na ndihmojnë Amerika dhe aleatët që të arrijmë këtë vizion.

Në fund, Kosova nuk është e vetmuar në rajon. Shqiptarët janë bërë faktor me rëndësi. Shqipëria është pjesë e NATO-s. Maqedonia Veriore ka momentalisht një kryeministër shqiptar, ashtu si e parti edhe Mali i Zi.

Udhëheqësit shqiptarë në rajon duhet të gjejnë mënyra për të bashkëpunuar dhe hartuar strategji të përbashkëta që të forcojnë sigurinë dhe paqen, për të kundërpeshuar ambicjet luftënxitëse të Serbisë, si dhe për të tërhequr biznesin e madh në rajon.

Zoti e bekoftë Kosovën! Zoti i bekoftë shqiptarët kudo ku jetojnë!

* Harry Bajraktari është themeluesi dhe ish-botues i gazetës “Illyria” (1991-1998). Ai është një veprimtar, biznesmen dhe filantropist shqiptaro-amerikan. Është nderuar me shumë dekorata e mirënjohje në SHBA, në Kosovë dhe në Shqipëri.

Filed Under: Mergata

NJË URIM MËRGIMTARI PËR PAVARËSINË DHE (RI) KTHIMIN NË ATDHE SI ËNDËRR E BETIM

February 17, 2024 by s p

Shkruan: Prend Ndoja, SHBA/

Kosovë, Mëmë-e-Dhe, unë me ty bisedoj haptas, drejt, thjesht e natyrshëm. Edhe fjalët e bukura poetike s’do t’i lejoj të hyjnë mes nesh. Fjalë shpirti dhe fashë plagësh nga këtu, përtej oqeanit, të kemi dërguar pa ndalë!

Brenda jehonës së gjamës tënde isha i molisur dhe unë, por kurrë nuk e kam larë borxhin ndaj teje. Kosovë, të flasim si Nënë e Bir. Nuk dua të më dëgjojë askush tjetër, sepse kemi shumë “artistë” skenash sot e nuk dua të na përbuzin si në skena teatrale. Ndoshta ata nga „lartësia” e tyre nuk duan ta kuptojnë thjeshtësinë dhe njëmendësinë tonë kur ne bisedojmë. Në gjamën e madhe për lindjen e lirisë, shumë nga bijtë dhe bijat tua e dhanë jetën. Ata, nga shkrepëtimat e pushkëve u shndërruan në Yje drite mbi vendin tonë.

Ata ishin të parët e kombit dhe të parët do të mbeten sa të ketë dritë mbi këtë Tokë. E di se në ditët e mëdha ke edhe mall të madh. Nuk është dobësi që nganjëherë fshehtaz, në ndonjë kënd, bashkë të mërzitem fort, sa dhembja ta prekë palcën gjersa të rrjedhë loti.

Një ditë jetë në liri për ata do të mjaftonte, vetëm dora e tyre ta përkundte një herë djepin e mbushur me rrezet e lirisë. Sot, shumë mirë të kuptoj… Ende ke dhembje nga plagët e pa mbyllura mirë, kur ndryshon moti, dhembjet të tundojnë edhe më shumë, plagët e reja, më të vjetrat të bëhen bashkë. Ne të dy e dimë se plagët, edhe nëse mbyllen, ato lënë pas vetes njolla e dhembje, por ashtu, si gjithmonë, mbahu e fortë, dhembjet mbaji të padukshme, qëndro me kokën lart, sepse armiku gjithmonë dëshiron të të shohë me dhembje, armiku gjithmonë e kërkon thembrën e Akilit në trupin tënd.

Kosovë, sot ëshë ditë urimesh. Ti e di se sa i lumtur jam që dole nga hallkat e robërisë. Tani të përqafoj dhe çmallem lirshëm me ty. Liria ishte një ëndërr që përcillej nga brezi në brez, sa fatlum jemi ne që e përjetuam një gëzim të tillë.

Kosovë, Mëmë-e-Dhe, një buqetë lulesh e ujis çdo mëngjes dhe për ty i freskoj çdo ditë. Jo, Ato nuk t´i solla sot, sepse shumë lule nga toka e jonë po i tretë Era.

Atëherë kur shtëpive të mbyllura do t’u hapen dyert e dritaret dhe të dëgjohen zhurma dhe të qeshura fëmijësh, atëherë nga thellësia e shpirtit do t‘i dhuroj Ty.

Edhe atëherë, prapë nuk do të rri duarkryq. Në oborrin e atyre shtëpive, çdo therrë dhe lulëkeqe do ta shkuli me rrënjë e do të mbjelli lulëkuqe. E di që stina e verës zakonisht është e thatë, ndodh që shiu nuk e lag tokën për shumë muaj, por, as ajo vapë nuk do të më brengos fare. Ujin do ta marr nga burimi i kthjellët si loti, nga ai burim, ku masa e madhe e popullsisë vendore e shuajnë etjen.

Ai burim është një damar shumë i vjetër më ujë të kristaltë që pikon si loti në muzgun e mbrëmjes, atëherë kur e shikon qartë se dita po perëndon.

Netëve të gjata të dimrit, kur tregojnë përralla pas darke, thuhet se, sipas legjendave, janë dëgjuar Zanat e Malit duke kuvenduar pranë burimit; Ai damar burimi nuk do të lërë kurrë pas vetes emër, as rrënjë; brez pas brezi cilësia e ujit do të mbetet, por emri i degëve të damarit të tij do të zhduket.

Përpos Zanave të Malit, askush tjetër, që nga ajo ditë nuk u mor me degët e atij burimi.

Shpeshherë ndodh që vendësit e fshehin fytyrën, që të mos duket se po e shuajnë etjen e tyre nga ai krua, i cili ka mbetur me pamje të vjetër apo natyrale,

Kosovë, Mëmë-e Dhe, besoj që ma kuptove edhe mua hallin tim dhe atëherë kur ta dimë atë që duhet ta dimë, me ndryshimin tonë do të ndryshojë edhe bota rreth nesh.

Atëherë, nga ai burim çdo ditë do ta mbushi nga një kovë djersë mërgimtarësh, që do të më mjaftojë t’i ujis lulet në oborret e shtëpive të zbrazura të mërgimtarëve.

Le të më qeshin vendësit, le të më quajnë si të duan… Mërgimtarët nuk dinë ndryshe, vetëm nga ai burim, nga ato kova të mbushura me djersë dinë ta gjallërojnë jetën dhe ta mbajnë ballin hapur para çdokuj. Ata janë të bindur se, vetëm nëse ujiten lulet me ujin e djersës, ato nuk vyshken kurrë.

Së bashku me urimin e Pavarësisë tënde, Kosovë, sot përmallshëm dëshiroj ta bëj edhe një urim tjetër: T’i uroj vetes dhe shumë të tjerëve si unë largimin nga mërgimi.

Por, si gjithmonë edhe tani, në krahët e shpresës le të fluturojnë ëndrrat e mërgimtarëve!

Filed Under: Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT