• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2024

NË KËRKIM TË NJË SHQIPËRIE TJETËR PËR SHQIPTARËT

April 17, 2024 by s p

KOSTA NAKE/

Kur shohim dikë të veshur me kostumin prej letre të karnavaleve, forma prej kafshe nuk na largon nga perceptimi se poshtë tij ndodhet një njeri që demonstron, ashtu edhe Blushi nuk i ka shpëtuar tundimit për trajtesën politike të plastelinës që pati vendosur mbi tavolinën e punës. Ai është i dënuar ta vështrojë Shqipërinë si politikan dhe fatin e saj nuk mund ta kalojë në sitë pa paraqitur alternativat e veta. Artistja japoneze Joko Ono thotë: “Artistët e vërtetë janë profetë.” Pasi kam lexuar të gjitha ato që ka botuar deri tani, kam filluar të mendoj se Ben Blushi po profilizohet si një shkrimtar profet. Ai është përpjekur të vijë me një qasje universale duke luajtur me figura historike në një fushë ku ka humbur nocioni i kohës dhe ku përpjekjet e lexuesit për të t’i identifikuar karakteret letrarë me ata historikë do të rezultonin në humbjen e orientimit në horizont.
Lek Dukagjini, përveç emrit dhe analogjisë, nuk ka asnjë lidhje me autorin e kanunit, edhe pse enumeracioni i faqeve110-111 ka diçka të ngjashme me kanunin. Ndërtimi i një Shqipërie tjetër në një ishull prej Lek Dukagjinit nuk është asgjë tjetër veç trill, por kjo nuk e frenon fantazinë e autorit që t’i gjejë një ishull të pabanuar në Mesdhe për të filluar gjithçka nga e para, për të ndërtuar një Shqipëri në miniaturë. Gjithçka përtypet më lehtë me dëshirën e Lek Dukagjinit për të zëvendësuar Zotin, me ndërrimin e emrave të fëmijëve të zgjedhur për të krijuar një ishull të izoluar nga bota pa fe, pa prona, pa para, pa fëmijë dhe pa familje.
Aksioni i parë i madh është mohimi i Zotit dhe sakaq Leka i shekullit XV, vjen në mesin e shekullit XX kur Shqipëria e ndaloi fenë me ligj, shkatërroi objektet e kultit dhe përndoqi klerikët me objektivin ambicioz që në fronin e tij të hipte Lek Dukagjini i Ri. Hapi i parë ishte vërshimi i pyetjeve që kërkonin përgjigje nga Zoti dhe për Zotin, pyetje që ende nuk kanë një përgjigje as nga Zoti as nga shkenca. Pyetja e parë: A kishte prindër Zoti?
Lek Dukagjini jo vetëm ia doli ta fshinte Zotin nga Shqipëria, por këtë udhë e vazhdoi Enveri që mori frenat e shtetit pas vdekjes së tij. “Kur frika plagoset, mirësia vdes dhe kur frika vdes, Zoti bëhet i panevojshëm.” (f.85) Gjithë historia 13-vjeçare e ishullit shqiptar është ndërtuar në mënyrë të tillë që në fund të arrihet në përfundimin: “Shqiptarët do të mbeten njëlloj, të egër, të uritur dhe pa shpresë. Kudo që t’i çosh ata, do të jenë njëlloj sepse shqiptarët kanë një zakon që ti nuk e ndryshon dot: ata gjithmonë e vrasin Zotin e tyre.” (f.587-588)
Programi politik i Lek Dukagjinit shoqërohet me parashtrimin e programit demografik që përbën goditjen e dytë të madhe këtë herë drejtuar kundër familjes, pasi ajo i lidh njerëzit duke krijuar ndjenjën e pronësisë, madje rreziku fillon brenda saj duke krijuar pabarazi mes anëtarëve të familjes. Kuzhinieri Aleksandër deklaron: “Nëse do të jetosh në Shqipëri, duhet të harrosh të paktën dy gjëra: Zotin dhe familjen.” (f.244)
Infektimi historik i shqiptarëve është aq i madh sa ndryshimi, sipas Lek Dukagjinit, nuk mund të realizohet përveçse larg trojeve ekzistuese dhe duke ndërtuar një varkë tjetër si Noe, por me korrigjimet e nevojshme që gjithçka të jetë e përzgjedhur te njerëzit, kafshët dhe bimët. “Në Shqipëri çdo gjë do të shkruhet nga fillimi.” (f.177)
Ky projekt gjithsesi ka një pikë të dobët sepse shqiptarët kishin det, por nuk e kishin shfrytëzuar atë duke kërkuar besnikërinë e malit; tani duhej të jetonin në mes të detit, pa asnjë përvojë paraprake. Vlerësimi për Shqipërinë dhe shqiptarët nuk fillon këtu, ai është paraprirë nga deklarata të forta edhe te romanet paraprijës “Të jetosh në ishull” dhe “Otello, Arapi i Vlorës”, po këtu ka më shumë se analizë, ka një diçka të ngjashme me sallën e gjyqit, me një përfundim jo aq të papritur se sa të pamëshirshëm: “Shqiptarët nuk bëjnë dot shtet sepse ata nuk besojnë në Zot.” (f.319) “Raca e shqiptarëve nuk kishte dëshmuar kurrë epërsi në luftë dhe zanat. Ajo nuk i ka dhënë botës asnjë shpikje.” (f.426) “Shqiptarët nuk kanë aftësi ta kthejnë dashurinë në lumturi, sepse ata nuk dinë ta përdorin dashurinë.” (f.530-531) “Shqiptarët do të sillen një ditë si gjithë popujt e botës dhe atë ditë Shqipëria do të jetë një vend ku mund të jetohet, një vend që do të kuptojë se fajtor për varfërinë, për hidhërimin dhe urrejtjen nuk është Zoti, por janë vetë njerëzit.” (f.497)
Qyteti projektohet me detaje dhe realizohet brenda një hapësire të kufizuar kohore, por me një mungesë të dukshme: asnjë plan për mbrojtjen me paramendimin se do të jetonte larg dhe i fshehur prej botës. Duke përdorur alegorinë, mund të vendosim një lidhje të shkurtër mes Lek Dukagjinit dhe një kryetari bashkie për vëmendjen që tregojnë të dy për fasadat.
Anija sjell fëmijët e përzgjedhur në një datë problematike për shqiptarët: mesnatën e 28 nëntorit dhe, nëse Shqipëria ishullore do t’i kishte ditët të gjata, historianët luftën do ta fillonin pikërisht për datën e themelimit: Kur u themelua Shqipëria, kishte vajtur ora 12 e mesnatës, apo kishte kaluar dhe rrjedhimisht ishte data 29 nëntor?
Projekti i Lek Dukagjinit është i përimtuar deri në tingëllim grotesk, i ngjashëm me kanunin e Lek Dukagjinit Plak, aq sa ka parashikuar edhe modelin e shqiptarit dhe shqiptares. “Shqiptari do të ishte i gjatë, me sy të kaltër, me nofulla të forta, me veshë të vegjël, me flokë të dendur ngjyrë okër, me duar të forta dhe gishta të gjatë, me këmbë të drejta si një karotë pa dhjamë, me kraharor të gjerë dhe shpatulla pak të përkulura, i ndjeshëm ndaj çdo teknike të re, praktik, trim, i menduar, i bindur dhe aspak i ngeshëm dhe kureshtar për t’iu përkushtuar gjërave të panevojshme… Ai duhej të dinte të luftonte dhe mbi të gjitha të kishte aftësi bindëse…” (f428) “Gratë nuk kishin pse të ishin të bukura. Gjinjtë e tyre do të ishin të vegjël, por të fortë dhe pa shumë lëng… Flokët e tyre do të ishin të shkurtër, sqetullat dhe kofshët duhej të kishin sa më pak qime dhe push… Këmbët e tyre duhet të ishin të plota, të bardha, pa tule, shputat të trasha dhe të gjera për të mbajtur sa më shumë peshë, sytë të thellë dhe të shkruar si qiejt në pranverë, dhëmbët sa më të bardhë… lëkurën të butë, të shtrirë dhe të lëmuar, me sa më pak pore… ato duhej të ishin të vendosura, të drejta, të vëmendshme, të pastra dhe mbi të gjitha plot kurajë e fantazi…” (f.429-30)
Shqipëria e Lek Dukagjinit dukej si parajsë, por ishte një dështim. Vazhdimësia nga Enveri ishte edhe më e keqe dhe arriti pikën kulmore kur ndryshimi i bë i domosdoshëm me çdo kosto. Shqipëria eksperimentale duhej braktisur. Romani është shkruar pasi ka ndodhur një eksod i përmasave të mëdha në fillim të viteve ‘90, autori duket largpamës kur justifikon ikjen nga Shqipëria dhe nuk kaloi as një dekadë që ka mjaft elementë të një eksodi më dinjitoz. “Nëse shqiptarët donin të iknin, kjo nuk vinte se kishin frikë nga natyra, nga thatësira, nga stuhitë detare apo nga kafshët…. Shqiptarët kishin frikë vetëm nga njëri-tjetri.” (f.593)
Ka edhe deklarata që, pavarësisht në gojën e cilit vendosen, meritojnë debat sepse janë të forta për t’u përtypur dhe të vështira për t’u gëlltitur. Ja dy shembuj: “Shqipëria do të jetë më e mirë pa shqiptarët dhe shqiptarët do të jenë më mirë pa Shqipërinë.” (f.590) “Shqiptarët ndryshe nga popujt e tjerë kanë një zakon: ata zgjedhin ato toka që të tjerët nuk i duan dhe pastaj i shkatërrojnë.” (f.597)
Programi politik dhe ekonomik i Lek Dukagjinit nuk është i vetmi. Pas dështimit të parë të Shqipërisë ishullore shkaktuar nga një stuhi që e përmbyti, erdhi kërcënimi i urisë, prandaj Lek Dukagjini tërhiqet nga një element i rëndësishëm i programit të tij ekonomik që ndalonte marrëdhëniet ekonomike me botën. Ademi, një prej njerëzve të besuar të tij, zbret në një tokë tjetër dhe kontakton me një pinjoll nga një familje shqiptare e emigruar, Zed Komneni, nipi i Arianitit, të cilin autori e vlerëson aq shumë te romani “Të jetosh në ishull.” Ai i zbulon Ademit jo vetëm një botë tjetër, por edhe i shpalos programin e vet politik dhe ekonomik. Në qytet Zedin e quajnë Prifti i Kuq sepse ishte një njeri që kishte qejf të fliste pa pushim për botën, për artin, për Zotin, për dashurinë, për mjerimin, për padrejtësitë dhe për luftën. Sillej si rebel dhe fliste si prift. Parimi që e udhëheq atë është pranimi i nevojës për ndryshim. Ndryshe nga Lek Dukagjini, Zed nuk është për mohimin e Zotit, nuk e pranon mbylljen e Shqipërisë. Gjithsesi platformat e Lekës dhe Zedit janë të ngjashme, me ngjyra të theksuara majtiste, por që kërkojnë rrugë të ndryshme për të arritur që ta bëjnë Shqipërinë një parajsë, “rruga e Zedit kalonte nga vera, rruga e Lek Dukagjinit kalonte nga gjaku.” (f.369)
Programi i tretë vjen nga poeti David Blunata që lë poezinë për të organizuar njerëzit që të mos e linin Shqipërinë në duart e Enverit, pas një letre që ia sjellin në burg këshilltarët e Lek Dukagjinit të vdekur. Por edhe ai ngjan me Lek Dukagjinit, “si dy vëllezër që mendojnë njëlloj, po sillen ndryshe.” (f.500)
David Blunata bëhet edhe shprehës i PD, Pushtimit të Dashurisë dhe e tejkalon Zed Komnenin, kur lëvizjes së lirë i shton mundësinë për të jetuar në shtetet e tjera, madje që ta përziejnë gjakun me ta për t’u bërë më të butë. “Duhet t’u jap një shenjë, mendoi dhe duke u mbështetur te muri ngriti dorën në ajër dhe shkroi: PD.” (f.528) Ato dy gërma u shfaqën së pari në trupin e një vajze të vdekur, pastaj Ademi dhe Aleksandri i shkruam në mur, pastaj në barkun e një lope. Dhe këto ngjanin në dhjetor. Lëvizja e lirë, tregu i lirë dhe Shqipëria e hapur për turistët dhe investitorët e huaj e bëjnë programin e djathtë të David Blunatës.
Tre figura të tjera janë me interes në këtë roman: Enveri, Mehmeti dhe Shtuni. Enveri ngjan pak me Enver Hoxhën kur bëhet kamxhiku i Lek Dukagjinit si ngjyrosës i yllit të verdhë me ngjyrë të kuqe, si mbrojtës i pronës kolektive, luftëtar kundër fesë, kthimin Shqipërisë ishullore në bunker. Mehmeti ngjan pak me Mehmet Shehun kur i ngarkohet mbrojtja e Shqipërisë për shkak të përvojës ushtarake dhe përsëritjen disa herë të tre djemve të tij. Shtuni nuk identifikohet me njeri, por me Sigurimin e Shtetit, ai ishte syri, veshi dhe testamenti i Lek Dukagjinit.
Në këtë mozaik historik dhe paradë figurash historike ka aq shumë kapërcime në kohë dhe aq karakteristika të salduara, saqë çdo analogjie, sa më shumë i afrohesh, aq më shumë dallime zbulon. Ajo që nuk ndryshon është qasja kritike e autorit ndaj gjithçkaje që lidhet me Shqipërinë dhe shqiptarët.

(Romani “Shqipëria” i Ben Blushit, Mapo editions 2011)
Bilisht, 10 -14 prill 2024

Filed Under: ESSE

SHQIPËRIA ETNIKE U BË NGA NACIONALISTËT

April 17, 2024 by s p

Exif_JPEG_420

Kadri Tarelli/

Gjet Ndoj në librin, “Qeverisja e Shqipërisë, 1939-1944”. Mirënjohje autorit Gjet Ndoj për këtë libër të madh në dukje, (640 faqe) dhe të rëndë në peshë për mendimet dhe kumtin që përcjell, për atë pjesë të historisë së Shqipërisë, në pesë vite të pushtimit, gjatë Luftës së II-të botërore, 1939-1944.

Shpesh themi, e lexova me një frymë, ose nuk e lëshova librin nga dora, etj, etj. Ndërsa unë them që në fillim të fjalës dhe mendimit, se: është vetë libri që nuk më lëshon nga dora. Diku-diku, duke lexuar për të dytën apo të tretën herë, pasi, megjithëse i diplomuar për histori më duhet ta mësoj, sepse këtu ndesh me të dhëna historike të pa njohura më parë. Njohuri që bien në kundërshti me ato ç’na kanë thënë dhe ç’u kemi thënë nxënësve tanë. Propaganda dhe historia e pas luftës, ka hedhur aq shumë baltë mbi këtë periudhë historike, në veçanti për personalitetet që u përfshinë në jetën politike të kohës, sa llumin nuk e lan as lumi dhe as deti, edhe pas 80-vjetësh.

Nuk them për 7 prillin 1939, dhe luftë për mbrojtjen e mëmëdheut, ku përmendim vetëm Mujo Ulqinakun, ndërsa bashkë me të, në Durrës u vranë edhe disa të tjerë, ndërsa në gjithë vendin janë vrarë rreth 160 luftëtarë shqiptarë dhe afërisht 400 ushtarë të ushtrisë pushtuese. A nuk meritojnë këta heronj vullnetarë, që t’u ngrihet përmendore në qytetet tona, ku ata dhanë jetën? Secili në vetvete është simbol qëndrese atdhetarie.

Ndryshe nga sa na është thënë në historinë tonë të shtrembëruar, nëpër faqe të librit do të ndeshim me figura të shquara, si Mustafa Kruja, Ernest Koliqi e shumë të tjerë, që kanë bërë emër, jo thjesht për kulturën e tyre, por më shumë si personalitete pjesëmarrës në ngjarjet e shënuara  të historisë kombëtare, si Kongresi i Manastirit, shpallja e Mëvetësisë 1912, Kongresi i Lushnjës 1920, etj, etj. Në këtë libër të gjithëve u shënohet përbri, arsimi dhe kontributi i tyre në çështjen tonë kombëtare, për t’u shtuar edhe veprimtaria gjatë qeverisjes së vendit në atë kohë të turbullt dhe të vështirë të pushtimit, ku nuk pushuan veprimet luftarake dhe trazirave politike. Lexuesi me pa tjetër duhet të futet në lëkurën e kohës që të bëjë vlerësimin e dokumenteve, të punës dhe qëndrimit të tyre, për t’u dhënë hakun, si nderim apo ndëshkim.

Nuk kam ndërmend të bëj analizën e librit, pasi është bezdi për këndonjësin, ndaj po mjaftohem të përmend disa nga vlerat e veçanta që ngrenë krye në këtë libër me peshë në letrat shqipe. Që në ballinë është shkruar: “Shqipëria Etnike u bë nga nacionalistët”, (Mendoj ky duhet të ishte edhe titulli i librit), sepse ngjarjet që pasuan njëra-tjetrën, flasin me një gjuhë tjetër. Pikërisht në “Tokat e lirueme”, siç u quajtën trojet shqiptare të pushtuara nga fqinjët dhe të dhëna si peshqesh lufte, rreth 30 vjet më parë, (Konferenca e Ambasadorëve, në Londër 1913), u vendos administrata plotësisht shqiptare. De fakto, ( Shqip, në të vërtetë) u bë bashkimi kombëtar i një pjese të madhe të territoreve të banuara nga shqiptarët, si Dardani,  Maqedoni dhe Mal i Zi. Askush nuk mund të dyshojë, se kjo ishte arritja më e madhe e nacionalistëve shqiptarë, në ato kushte kur i tërë vendi ishte nën pushtimin italian, ndërsa drejtimi i shtetit kishte autonomi të kufizuar, por me nëpunës tërësisht shqiptarë, duke filluar që nga kryeministrat, prefektët dhe me radhë nëpunësit e tjerë, deri te xhandari, mësuesi dhe drejtori i shkollës.

Logjika të shtyn të besosh se ishte kërkesa e këtyre burrave të shquar, kundërshtarë të Mbretit Zog i I-rë, jetuar në mërgim, për shumë kohë nëpër Europë. Burra shteti që mendja dhe zemra u rrihte për atdhe e komb, aq sa brenda pushtimit gjetën mundësinë të përfitojnë dhe të realizojnë bashkimin kombëtar, si ëndrrën më të madhe të të gjithë kohërave, të shqiptarëve dhe në veçanti të nacionalistëve shqiptarë. 

Nuk ka nevojë për shumë kulturë historie, që të kuptohet se brenda pushtimit u bë e mundur të zbatohen disa kërkesa në interes të shqiptarëve dhe Shqipërisë. Po përmend vetëm dy më të dallueshmet, që lanë gjurmë, njëkohësisht dhanë pasoja edhe për kohën që pason.  

. Që në fillim, gjatë pushtimit italian, Shqipëria u trajtua si shtet me autonomi të cunguar, pasi nuk i lejohej të kishte forca të armatosura dhe Ministri të Mbrojtjes, njëkohësish nuk kishte Ministri të Punëve të Jashtme. Ndërsa gjatë vitit 1943-1944, nga pushtuesit gjerman, që deklaronin se jemi vetëm kalimtarë, Shqipëria u njoh si shtet i pavarur me të gjitha simbolet kombëtare (Flamur dhe stema e shtetit), përfshirë edhe detyrimet që ka një shtet, jo vetëm si administratë, por edhe në shërbimet bankare, etj.

Dokumentet flasin me gjuhën e heshtjes. E gjitha kjo ishte arritje politike madhore, ndryshe e baltosur nga historiografia jonë e kohës. Si  njohës i historisë nuk më lejohet të pyes, madje as të guxoj të mendoj, pasi historia nuk bëhet “me sikur”. Ndërsa si lexues, mund dhe kam të drejtë të pyes: – Ç’do të ndodhte, sikur çlirimtarët tanë fill pas luftës të lidheshin me perëndimin, SHBA, Britani e Madhe dhe jo me lindjen sllave Serbinë dhe Bashkimin Sovjetik, si forca të koalicionit fitues…..? 

Së pari: Është shkruar gjerësisht, për arsimin shqip në “Tokat e Lirueme”, por pa i dhënë hakun autorëve që bënë të mundur ta realizojnë këtë vepër madhore. Ndodhi që, sapo u njoh çlirimi atyre tokave, më 1941, menjëherë me vendim qeverie u dërguan 200 mësues nga Shqipëria dhe u hapën me qindra shkolla fillore, përfshi edhe “Normale”, ku të përgatiteshin mësues. Dokumentet flasin, se ishin më shumë 285 mësues, nga këta 35 mësuese. Edhe sot pas kaq vjetësh, duket si e pa besueshme kjo vepër, po ja që kështu ka ndodhur, arritje falë mendjes së ndritur të drejtuesve të shtetit shqiptar (megjithëse nën pushtim). Besoj më lejohet të bëj një kapërcim në kohë: Ç’do të ndodhte sikur të mos ishte mbajtur Kongresi i Manastirit, që me të drejtë e quajmë “Kongresi i shkronjave Shqipe”, vallë do të mundësohesh mëvetësia e shtetit Shqiptar 1912. E të tjera hamendësime, që lindin vetiu kur gjykojmë gjurmët e arsimit shqip dhe vlerësojmë ngjarjet e kohëve të fundit: “Mëvetësia e Dardanisë”, më: 17, të shkurtit 2008. Etj. 

Së dyti: U ngrit “Instituti i Studimeve Albanologjike”, me drejtues dhe përfaqësues shqiptar, nga më të njohurit, që përbënin elitën e kohës. Dhimitër Berati, Eqerem Çabej, At Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Mustafa Kruja, Aleksandër Xhuvani, Eqerem Bej Vlora, Lasgush Poradeci, Mati Logoreci, Ilo Mitko Qafzezi, etj, etj, E gjitha, që sipas programit, do të merrej me gjuhën, kulturën, arkeologjinë, trashëgiminë, artet dhe letërsinë shqipe. Edhe kjo një çudi e madhe….! Shpesh nëpër biseda tavolina dhe kuvendime mes miqsh e shokësh, thuhet pa e vrarë mendjen: -“Pushtuesi na e dha se kishte interes…”. Pikë e zezë për ne  dhe ca më shumë për historianët tanë. – Po ç’ interes kishte Italia për këtë institut, kur i kishte të vetët ku e ku më të mirë. A thua, ne do ta nxirrnim nga sikleti kulturën dhe artin italian…..!?

Ajo që më shtyn të theksoj është arsimi shqip brenda hapësirës mbarë shqiptare. E them këtë se gati më shumë se gjysma e librit i kushtohet kësaj fushe të veprimtarisë sa shtetërore aq edhe kombëtare, me gjithë vështirësitë, mangësitë, buxheti, kuadri drejtues e mësues, organizimi, rregulloret dhe të drejtat e mësuesve, deri te punëtoret e shërbimit dhe kuzhinierët nëpër konvikte. Më tej arritjet (Arsimi i njësuar kombëtar), u hapën kurse kualifikimi për mësuesit, shtesë buxheti për mësuesit që bëjnë orë shtesë, përfshi edhe ndërtimi i shkollave të reja, kryesisht nëpër qytete. Janë do punë që edhe në kushte normale të qeverisjes, shpesh bëhen të pamundura.

Në libër, vetëm kuadrit mësimor gjatë këtyre viteve i kushtohet rreth 100 faqe, (541-636), pa llogaritur shkrime dhe vendime nga qeveria, ministritë dhe zyrat e arsimit.

Mbasi mbarova librin, i bëj pyetje vetes, më pas edhe të tjerëve: Ç’qëndrim duhet të mbaj dhe duhet të mbajmë ndaj nacionalistëve shqiptarë, që punuan në drejtimin e shtetit Shqiptar, në kushte e vështira të pushtimit dhe të “Luftës civile”, për çlirim dhe pushtet!? Këtu më ndihmon dijetari Viktor Hygo, që diku thotë: “Njeriu e ndërton vetë piedestalin. Koha i vendos përmendoren”. Ju i nderuar Gjet Ndoj, në këtë libër, u ngritët monument nacionalistëve. Edhe unë jam në një mendje me ju.

Mendoj, që me lejen e autorit, mbi shkrimin tim të hedh pak kripë deti nga Durrësi, për t’i dhënë pakëz jetë. Pasi disa prej emrave të mësuesve që hasen në për faqe të librit, i kam njohur si nxënës i tyre, disa nga leximet nëpër libra, disa nga studimet e historikëve të shkollave ku kam punuar si mësues dhe drejtues. Po përmend vetëm disa:

Bajram Sali Gashi, drejtor i shkollës së Shënavlashit, gjatë viteve 1937-1941, me rrënjë nga Istogu u Dardanisë. Sot “Dëshmor i atdheut” dhe “Hero i Kombit”, pasi në shkurt 1945, në krye të 300 luftëtarëve dardanas, u vra në luftime me forcat ushtarake serbe, që ripushtuan Dardaninë. Sot shkolla 9-vjeçare e fshatit Fllakë, mban emrin e tij, “Bajram Gashi”. Më tej mësuesin Haki Taha, me origjinë nga Gjakova, mësues në Shënavlash të Durrësit, në vitet 1938-1941, i cili së bashku me drejtor Bajramin, “fluturuan” drejt Dardanisë në shërbim të arsimit dhe shkollës shqipe. Hakiu është mësuesi, i cili në Prishtinë kreu atentatin ndaj Miladin Popoviçit, mik i komunistëve shqiptar. Ai u vra në mars të vitit 1945. Sot për të dy këta heronj, janë shkruar dy libra nga Bajram Halil Gashi, ish drejtori i shkollës së Shënavlashit.

Më tej përmend mësuesin Vasil Ziu (Një shkollë mban emrin e tij), mësuese Angjelina Qeraxhija, si pjesë e arsimit në Durrës, etj, etj. Me nderim të veçantë kujtoj mësuesen time Ksanthipi Syka, në shkollën “29 Nëntori”, e cila vite më parë, 1941, bashkë me mësuesin Sulejman Lakavaja, hapën shkollën fillorë në “Ranishte”, (Plazh), të Durrësit, toponim i vjetër që përmendet vetëm nga durrsakët e hershëm. Sot kjo shkollë mban emrin Shkolla 9-vjeçare “Bajram Curri”. Duhet thënë, pasi pak përmendet në shkrimet tona, se në vitin 1941 e në vazhdim, u hapën edhe shumë shkolla në mbarë vendin, por unë dua të veçoj Durrësin dhe rrethinat e tij. Ndaj po përmend mësuesin Arif Halili (Gashi), që hapi i pari shkollën fillore në Katund të Ri, shtator 1941, sot Shkolla e Mesme “Jusuf Hoti”, shkollë ku pas shumë vitesh shërbeva edhe unë për afro 20 vjet me radhë, 1972-1992.

Besoj se nuk e kam gabim…! Kjo pjesë e librit, si vlerë e shtuar,  është pjesë e historisë së shumë familjeve në mbarë vendin, më tej në mbarë trojet shqiptare, pasi nipat dhe mbesat kanë ç’të kujtojnë me krenari për paraardhësit e tyre, si mësues dhe “Misionarë të dijes”, që i dhanë jetë arsimit shqiptar, si shtyllë e fuqishme e kombit. 

I nderuar miku ynë Gjet Ndoj, ju falënderoj sinqerisht për librin, në veçanti për të gjithë shtetarët dhe për të gjithë ata që shërbyen në ngritjen dhe forcimin e arsimit kombëtar. Ju i bëtë të pavdekshëm, duke i vendosur në libër, që unë e quaj “Arka e kujtesës”.

Urime dhe suksese në libra të tjerë, me po kaq vlerë shkrimtarie dhe atdhetarie. 

Kadri Tarelli

Mars 2024,.

Filed Under: ESSE

KUSH SI VOTOI NË ASAMBLENË PARLAMENTARE LIDHUR ME PRANIMIN E KOSOVËS NË KËSHILLIN E EVROPËS

April 17, 2024 by s p

Prof.Xhelal Zejneli/

Kandidaturën për t’u bërë anëtare e AP të KE-së Kosova e ka paraqitur para dy vjetëve. Kërkesa u pranua në seancën e mbajtur në prill të viti 2023.   

*   *   *

Më 16 prill të vitit 2024, rreth orës 20, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës në Strasburg, me 131 vota “për”, i dha dritë të gjelbër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë. Të pranishëm në votim ishin 171 anëtarë të AP të KE-së.

Para se të shkohej në votim, delegatët i hodhën poshtë amendamentet e delegacionit serb me të cilat kërkohej që vendimi për pranimin e Kosovës të shtyhej, ndërsa formimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe të jetë kusht për anëtarësimin e Kosovës. 

 Kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës votuan 29 vetë të vendeve të poshtëshënuara:    

  Tetë përfaqësues të Spanjës votuan kundër raportit të raportueses Dora Bakojani (Dora Bakoyannis, 1954- ) e cila rekomandoi dritë të gjelbër për Kosovën. 

Kundër Kosovës ishin: katër përfaqësues nga Hungaria, dy përfaqësues nga Qiproja, një greke dhe një gjerman. Kundër Kosovës votuan edhe dy përfaqësues nga Franca dhe një italian. 

Kundër anëtarësimit të Kosovës ishin edhe shtatë anëtarët e delegacionit të Serbisë,  Maja Vukiqeviq nga Mali i Zi si dhe Snjezhana Novakoviq dhe Branisllav Borenoviq nga Bosnja dhe Hercegovina. Një përfaqësues tjetër i Malit të Zi votoi në favor të Kosovës.    

  Me fjalë të tjera, me 131 vota “për” dhe me 29 vota “kundër”, Këshilli i Evropës mori vendim për miratimin e raportit të Dora Bakojanit për pranimin e Kosovës në organizatën e sipërthënë. 

Të përmbajtur ishin 11 delegatë: një malazias, gjashtë italianë, tre të Moldavisë dhe një gjerman.  

Përkundër faktit se Athina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, katër përfaqësues të Greqisë, midis të cilëve edhe Dora Bakojani, votuan për pranimin e Kosovës. 

Rumunët nuk erdhën në votim, me përjashtim të delegatit Julian Bullai, i cili e mbështeti Kosovën. Nuk votuan as aremenët. Të dy shtetet – Rumania dhe Armenia – nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Rekomandimin për pranimin e Kosovës, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës do t’ia dërgojë Komitetit të Ministrave të Punëve të Jashtme, i cili e merr vendimin përfundimtar, pikërisht me shumicën prej dy të tretave të ministrave apo të ambasadorëve që i përfaqësojnë dhe që janë të pranishëm në çastin e votimit.

Mbledhja e Komitetit të Ministrave që ka 46 anëtarë duhet të mbahet në Strasburg, prej datës 16 deri më 17 maj të vitit në vazhdim.  

*   *   *

Shefja e delegacionit serb në AP të KE-së Bilana Pantiq Pila lëvdon disa “kolegë” nga Italia dhe nga Hungaria të cilët nëpërmjet amendamenteve paskan manifestuar qëndrim ndryshe nga ai i shumicës.    

Delegatja e Partisë Demokratike Popullore Maja Vukiqeviq, e cila njëherazi është edhe shefe e delegacionit të Malit të Zi, deklaroi gjatë debatit se ajo nuk do ta mbështesë pranimin e Kosovës në AP të KE-së, edhe pse, siç tha, në delegacionin malazez do të ketë edhe vota për pranimin e Kosovës.  

Kundër pranimit të Kosovës u prononcua edhe Branisllav Borenoviqi nga Bosnja dhe Hercegovina. 

      Deputeti i grupit të liberalëve dhe demokratëve në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës Iulian Bulai vlerësoi se Kosova është e gatshme për t’u anëtarësuar në KE. 

  Aleksej Gonçarenko nga Ukraina vlerësoi se Kosova meriton të pranohet në Asamblenë Parlamentare të KE-së, duke shtuar se “bota e lirë duhet të bashkohet”.  

Për pranimin e Kosovës në AP të KE-së u angazhua edhe Alen Milon nga Franca.  

*   *   *

Në Asamblenë Parlamentare të KE-së folën gjithsej 59 përfaqësues shtetesh  Prej tyre, gjashtë serbë. Anëtarë të delegacionit të Kosovës në AP të KE-së janë deputetët: Enis Kervan, Arben Gashi dhe Saranda Bogujevci. Katër përfaqësues të Shqipëria ishin: Blerina Gjylameti, Lulzim Basha, Klotilda Bushka, Etilda Gjonaj. Një prej përfaqësuesve të delegacionit të Maqedonisë së Veriut ishte deputetja Arta Bilalli Zendeli.   

Paraprakisht, në emër të grupeve politike folën Iulian Bulai nga Rumania, Aleksis Cipras (Alexis Tsipras) nga Greqia, Frank Shvabe (Frank Schwabe) nga Gjermania, Ingjerd Schie Schou nga Norvegjia dhe Zolt Nemeth nga Hungaria.    

   Gjatë ditës, Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci i Këshillit të Evropës, i hodhi poshtë të gjitha amendamentet e propozuara nga delegacioni serb si dhe nga disa deputetë italianë, përfshi edhe  amendamentin e një deputeti hungarez që kusht për anëtarësimin e Kosovës në KE të jetë themelimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe.     

Më 15 prill 2024, në Komitetin për Çështje Ligjore dhe për të Drejta të Njeriut pranë Këshillit të Evropës u votua njëzëri pro aplikimit të Kosovës për anëtarësim. Pas një dite, d.m.th. më 16.04.2024, Asambleja Parlamentare e mori në shqyrtim raportin që rekomandonte anëtarësimin e saj.  

Hapa drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës Kosova bëri më 27 mars të vitit në vazhdim. Me këtë rast, Serbia dhe dy vende të tjera votuan kundër. Megjithëkëtë, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i KE-së e miratoi raportin për Kosovën të raportueses Dora Bakojani (Dora Bakoyannis), e cila vlerësoi se ajo i ka plotësuar kushtet për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës.       

*   *   *

Pas miratimit të propozimit nga Asambleja Parlamentare e KE-së për pranimin e Kosovës, u prononcua edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë Ivica Daçiq, duke thënë: “Sot është një ditë turpi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës”. 

Shënim: Dora Bakojani (Theodora “Dora” Bakoynnis, mbiemri i vajzërisë Mitsotakis) ka lindur më 6 maj 1954. Është më e madhja prej katër fëmijëve të ish-kryeministrit Konstantin Micotakis (Konstantinos Mitsotakis, 1918-2017). Dora është shkolluar në Athinë, në Paris dhe në Universitetin e Munihut. Flet anglisht, frëngjisht dhe gjermanisht. Ka qenë kryebashkiake e Athinës dhe ministre e Punëve të Jashtme.     

 Xhelal Zejneli

Filed Under: Mergata

Glauk Konjufca: Qëllimi i gjenocidit serb ishte shfarosja e popullit tonë

April 17, 2024 by s p

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, bashkë me presidenten Vjosa Osmani bëri homazhe dhe vuri lule te varrezat e të rënëve në masakrën e Poklekut dhe Çikatovës së Vjetër të Komunës së Drenasit, të kryer nga forcat pushtuese serbe.

Masakrën e Poklekut në të cilën u vranë 54 civilë shqiptarë, në mesin e tyre 25 fëmijë, kryetari Konjufca e cilësoi ndër masakrat më të tmerrshme të gjenocidit që Serbia ka kryer në Kosovë.

“Nga 54 persona që këtu u vranë, 25 ishin fëmijë, gjë që e vërteton qëllimin gjenocidal të Serbisë, sepse gjithkush e shtron pyetjen e natyrshme, çfarë faji kishin fëmijët. I vetmi faj i tyre ishte se ishin shqiptarë. Ne ndihemi të pikëlluar dhe të poshtëruar që kurrë nuk erdhi drejtësia për të gjithë këto krime, të cilat i kryen forcat e armatosura të policisë dhe ushtrisë serbe”, tha kryetari Konjufca.

Kreu i Kuvendit tha se qëllimi i vetëm i Serbisë ishte që përmes masakrave si kjo në Poklek e Çikatovë e Vjetër, në të cilat nuk kurseu as pleqtë, gratë e fëmijët, të fuste tmerr e frikë te populli i Kosovës, për ta lënë vendin, ndërsa ajo ta bëjë Kosovën serbe.

“Ky ka qenë qëllimi i vërtetë i gjenocidit, shfarosja dhe zhdukja e popullit tonë. Por kjo nuk u arrit, për arsye se ne formuam Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe fal luftës së saj, bashkë me forcat e NATO-s, Serbia u shporr nga Kosova dhe populli e gëzoi lirinë e shumëpritur”, tha kryetari Glauk Konjufca.

Kryetari Konjufca bashkë me presidenten Osmani dhe kryetarin e komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci vizituan shtëpinë – muze të Sinan Muqollit, në Poklek  në të cilën më 17 prill 1999 janë vrarë e më pas janë djegur 54 shqiptarë, shumica nga ta fëmijë.

Filed Under: Rajon

3 mënyra se si Izraeli mund t’i përgjigjet Iranit

April 17, 2024 by s p

Përktheu: Rafael Floqi 

Nga Jack Detsch, një reporter i sigurisë kombëtare në Pentagon për Foreign Policy..

Israeli Prime Minister Benjamin Netanyahu pauses after drawing a red line on a graphic of a bomb while discussing Iran during an address to the United Nations General Assembly in New York City.

Edhe pse Izraeli dhe partnerët e tij thonë se kanë rrëzuar më shumë se 99 për qind të qindra dronëve dhe raketave që Irani gjuajti ndaj tij gjatë fundjavës në një moment të madh të përshkallëzimit në Lindjen e Mesme, udhëheqësit izraelitë thonë se nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të përgjigjen.

Ky ishte mesazhi që Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant thuhet se i përcolli Sekretarit të Mbrojtjes të SHBA-së, Lloyd Austin, edhe pse zyrtarë të lartë të administratës së Biden-përfshirë vetë presidentin që i kërkuan Izraelit të ishte i kujdesshëm me përgjigjen e tij. Biden i tha gjithashtu kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu se Shtetet e Bashkuara nuk do të marrin pjesë apo mbështesin një sulm të drejtpërdrejtë izraelit ndaj Iranit.

Në dritën e këtij presioni, Izraeli ka një zgjedhje për të bërë. A shkon me një goditje me rrezik të lartë në tokën iraniane, ndoshta kundër programit të saj bërthamor apo një objektivi tjetër me vlerë të lartë? Apo përpiqet të ulë rrezikun e luftës rajonale me një qasje më të përshtatur, siç është një sulm kibernetik kundër Teheranit, sulme të synuara kundër komandantëve iranianë jashtë Iranit, ose një sulm ndaj grupeve përfaqësuese të mbështetur nga Irani në rajon?

Por edhe pse kabineti i luftës i Netanyahut kërkon një përgjigje të shpejtë, ekspertët po u bëjnë thirrje izraelitëve që të mos nxitojnë në vendimin.

“Ka njerëz që luajnë shah, njerëz që luajnë damë dhe njerëz që hanë figurat  nga dërrasa,” tha Jonathan Lord, një ish-zyrtar i mbrojtjes i SHBA-së dhe ndihmës i Kongresit, i cili tani është drejtor i Lindjes së Mesme. program sigurie në Qendrën për një Siguri të Re Amerikane (CNAS), një institut me bazë në Uashington. “Izraeli ka të ngjarë të përgjigjet, por nuk ka asnjë shtysë për t’u përgjigjur menjëherë. Ata nuk kanë nevojë të nxitojnë.”

Opsioni 1: Sulmoni programin bërthamor të Iranit

Programi bërthamor i Iranit është përshpejtuar që kur Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga marrëveshja bërthamore gati gjashtë vjet më parë. Nuk është e qartë se Irani ka filluar të ndërtojë përsëri raketa me aftësi bërthamore, por nëse vendos të ndërtojë një armë bërthamore, Teherani mund të jetë në gjendje ta nxjerrë një të tillë brenda disa muajsh, thanë zyrtarët e lartë amerikanë vitin e kaluar. Kjo i bën objektet bërthamore iraniane një objektiv tërheqës për izraelitët – edhe pse një në skajin më të lartë të spektrit të përshkallëzimit.

“Nëse Izraeli i përgjigjet Iranit, kjo mund të jetë po aq e rëndësishme sa goditja e objekteve të dyshuara të armëve bërthamore iraniane ose ndjekja e bazës së tyre industriale të mbrojtjes,” tha Michael Mulroy, një ish-zyrtar i mbrojtjes amerikane. “Nëse ata bëjnë njërën ose të dyja me sukses, Irani do të [ketë bërë] një gabim strategjik në ngritjen e atij sulmi.”

Ky është një sfidë e madhe. Një nga objektet më të mëdha bërthamore të Iranit – Natanz – është gërmuar në anën e një mali në vargmalin e Zagrosit aq thellë në tokë sa mund të jetë i padepërtueshëm edhe për bombën më të madhe të bunkerit të prodhuar në SHBA.

“Mund të dalësh huq,” tha Lord “Ju mund të dështoni. E vetmja gjë më e keqe se Irani të jetë aty ku është potencialisht me programin e tij bërthamor, është nëse Izraeli do të merrte një goditje për ta hequr atë dhe nuk do të kishte sukses.”

Një sulm i drejtpërdrejtë ndaj programit bërthamor të Iranit ndoshta do të nënkuptonte fundin e koalicionit ad hoc të shteteve arabe që mbështetën përpjekjet izraelite të mbrojtjes raketore kundër Iranit këtë fundjavë. Gjithashtu mund të tërheqë më tej përfaqësuesit iranianë, si Hezbollahu me bazë në Liban, në një konfrontim të drejtpërdrejtë edhe më të ashpër me Izraelin, thanë ekspertët. Dhe me Shtetet e Bashkuara që tashmë sinjalizojnë se nuk do të mbështesin një sulm të drejtpërdrejtë ndaj Iranit, izraelitët duhet të jenë të kujdesshëm që të mos shkojnë shumë larg për të zemëruar mbrojtësin e tyre më të madh të armëve – gjatë një viti zgjedhor për Biden.

“Tashmë po shihni disa tensione dhe pak dritë mes amerikanëve dhe izraelitëve”, tha Bilal Saab, një bashkëpunëtor i Chatham House në Londër dhe ish-zyrtar i mbrojtjes i SHBA-së. “Pra, gjëja e fundit që dëshironi të bëni tani është të humbni amerikanët në një kohë shumë kritike dhe të rrezikshme.”

Opsioni 2: Synoni komandantët iranianë, ushtrinë ose vendndodhjet brenda ose jashtë Iranit

Izraeli mund të godasë objektiva në tokën iraniane që nuk janë të lidhura drejtpërdrejt me programin bërthamor të vendit. Për shembull, mund të synojë një udhëheqës ushtarak me vlerë të lartë si Brig. Gjenerali Amir Ali Hajizadeh, komandanti i forcave të hapësirës ajrore të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), i cili organizoi sulmin me dronë dhe raketa të kësaj fundjave.

“Më pas do të shkoni pas djalit që orkestroi këtë shfaqje masive të fishekzjarreve,” tha Lord. “Ai është gjithmonë në mendjet e tyre si një objektiv.”

Izraeli gjithashtu mund të ndjekë objektet ushtarake ose depot e armëve brenda vendit, apo edhe shtabin e IRGC-së.

“Ata ka të ngjarë të zgjedhin të përgjigjen drejtpërdrejt në Iran, megjithëse ka të ngjarë që SHBA-të do të përpiqen të pengojnë atë veprim për të frenuar dhe parandaluar zgjerimin e tij”, tha Mulroy, ish-zyrtari i mbrojtjes amerikane.

Megjithatë, mund të hapë mjaftueshëm oreksin e Izraelit për t’iu përgjigjur me një fushatë të shtuar të vrasjes kundër komandantëve të IRGC-së që ndodhen jashtë Iranit, në vende të tilla si Iraku dhe Siria. Madje mund të ndjekë diçka të ngjashme me sulmin kundër një bashkëbiseduesi Iranian objekti konsullor në Siri më 1 prill që vrau gjeneralin Mohammad Reza Zahedi, komandantin e Forcave Quds të IRGC në Liban dhe Siri, si dhe zëvendësin e tij dhe pesë oficerë të tjerë – i njëjti sulm që filloi spiralen aktuale të shkallëzimit midis Izraelit dhe Iranit.

Megjithatë, pasi sulmet hakmarrëse të kësaj fundjave – si dhe sulmet me raketa balistike iraniane kundër bazave ushtarake irakiane që strehojnë trupat amerikane në janar 2020, të nisura si përgjigje ndaj vrasjes së udhëheqësit të atëhershëm të IRGC-së, Qassem Suleimani – tregojnë se ekziston rrezik i dukshëm përshkallëzimi në Izraeli po ndjek liderët ushtarakë iranianë, qoftë brenda apo jashtë Iranit.

Por vrasja e një objektivi me vlerë të lartë mund të lejojë gjithashtu Izraelin të rrisë kohën e tij, tha Zoti, ndoshta për javë ose muaj. Dhe megjithëse Netanyahu mund të mos ketë mbështetjen e administratës Biden për një sulm të tillë, mund të mjaftojë për t’i dërguar një sinjal parandalues Iranit pa e mbushur plot karrocën e mollëve me Uashingtonin.

“IDF [Forcat e Mbrojtjes së Izraelit] pëlqen një fitore, por IDF nuk i pëlqen një fitore mbrojtëse,” tha Frank McKenzie, një gjeneral marins në pension i SHBA që udhëhoqi Komandën Qendrore të SHBA nga 2019 deri në 2022, gjatë një ngjarje të organizuar nga Instituti Hebre për Sigurinë Kombëtare të Amerikës të hënën.

Megjithatë, ekziston rreziku i dështimit operacional për të sulmuar një udhëheqës si Hajizadeh ose një objekt të IRGC-së. Mund të duhet të ndodhë gjatë natës – dhe pas sulmeve të kësaj fundjave, shumë udhëheqës ushtarakë iranianë janë ndoshta të fshehur. “Irani, tani për tani, është në një nivel të lartë gatishmërie,” shtoi McKenzie. “Udhëheqësit do të jenë në bunkerë.”

Dhe presioni nga amerikanët dhe vendet e tjera për të luajtur mirë, gjithashtu mund të dekurajojë një përgjigje të shpejtë. 

“Fakti që ne ishim kaq proaktivë dhe të shpejtë në kalimin në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, fakti që [Biden] bëri një telefonatë menjëherë me kryeministrin izraelit për t’i thënë atij se ne nuk mbështesim hakmarrjen – këta dy faktorë duhet të reduktojnë shanset për një sulm më agresiv izraelit kundër Iranit tani”, tha Saab.

 Opsioni 3: Goditni përfaqësuesit iranianë ose nisni një sulm kibernetik në Iran

Nëse udhëheqësit izraelitë janë të shqetësuar për përshkallëzimin e tensioneve me Iranin, ata mund të zgjedhin një përgjigje më të ulët: të synojnë përfaqësuesit iranianë në Lindjen e Mesme ose të përfshihen në sulme kibernetike kundër Iranit – dhe duke u përpjekur të tregojnë se ata janë njeriu i madh në kampus në rajon. në proces.

Një tjetër poshtërim në rajon – pasi pothuajse asnjë dron apo raketë iraniane arriti të godiste tokën izraelite gjatë fundjavës – mund të shkaktojë një goditje tjetër në besueshmërinë ndërkombëtare të Teheranit. “Ti i ke turpëruar pafundësisht këta djem. Izraeli është më i fortë sot. Irani është më i dobët”, tha McKenzie. “Nëse ju duhet të bëni diçka, çfarëdo që të bëja unë do të ishte diçka që ishte krijuar për të rritur më tej epërsinë tuaj teknologjike ndaj Iranit. Zgjidhni diçka që është e turpshme.” Hezbollahu është grupi më i afërt dhe më i rëndësishëm i Iranit në rajon. Izraeli tashmë ka kryer sulme të vogla kundër grupit militant në Liban gjatë gjashtë muajve të fundit, por ai mund të zgjedhë të nisë një fushatë ushtarake shumë më intensive kundër Hezbollahut.

Megjithatë, kjo mbart rreziqet e veta për Izraelin. Që nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, Hezbollahu është përpjekur të shmangë tërheqjen në një luftë të plotë me Izraelin, por siç shkruan Daniel Byman për Foreign Policy, “Nëse Hezbollahu vendos të përfshihet në luftë gjithëpërfshirëse, do të ishte një përshkallëzim dramatik: arsenali i raketave të Hezbollahut mbi 100,000 e tejkalon atë të Hamasit dhe luftëtarët e tij janë të stërvitur mirë dhe të ngurtësuar në betejë”. Grupi pa dyshim do të pësonte humbje të mëdha, por po ashtu edhe Izraeli.

Megjithatë, pasi iranianët ndërmorën një hap historik duke goditur Izraelin drejtpërdrejt nga toka e tyre – diçka që Teherani nuk e ka bërë kurrë më parë – Netanyahu mund të përballet me presion të konsiderueshëm nga forcat e vijës së ashpër në kabinetin e tij të luftës për një përgjigje më të fortë.

“Nëse e bëni këtë tani dhe konsiderohet të jetë e pamjaftueshme, kjo mund të perceptohet si dobësi,” tha Lordi, eksperti i CNAS.

Reagimi i Iranit

Irani shpenzoi shumë armë në sulmet e së shtunës mbrëma kundër Izraelit. Sipas një zyrtari të lartë ushtarak amerikan, ajo lëshoi më shumë se 100 raketa balistike me rreze të mesme, më shumë se 30 raketa lundrimi me sulm tokësor dhe më shumë se 150 dronë sulmues të njëanshëm drejt Izraelit.

Dhe McKenzie, ish-shefi i Komandës Qendrore të SHBA, tha se Irani duhej t’i nxirrte ato raketa – variante speciale me rreze të mjaftueshme për të sulmuar Izraelin – jashtë magazinimit, duke varfëruar një pjesë të mirë të arsenalit të tij për një luftë të mundshme rajonale.

“Kjo ishte përpjekje maksimale,” shtoi McKenzie. “Ata shpenzuan shumicën dërrmuese të raketave të tyre balistike të përdorura për të sulmuar Izraelin.”

Por një sfidë kryesore për Iranin në përgjigjen ndaj izraelitëve me fuqinë e tij të zjarrit është një tufë lëshues raketash. McKenzie tha se iranianët kanë vetëm rreth 300 lëshues raketash për të kryer këto lloj sulmesh, duke krijuar një pengesë të madhe nëse Teherani dëshiron ndonjëherë të kryejë një sulm të rëndësishëm në të gjithë rajonin.

Izraeli ka gjithashtu përfitimin e të qenit larg – kufijtë e tij janë më shumë se 1100 milje larg nga disa nga pikat e lëshimit të raketave të përdorura nga Irani këtë fundjavë. “Nuk ka një kërcënim të afërt që Irani të kthehet dhe ta bëjë këtë përsëri sulmin e së mërkurës,” tha Lord.

Megjithatë, iranianët mund të kenë mjaft aftësi për të shuar një sulm izraelit në formën e mbrojtjes ajrore dhe raketore të teknologjisë së lartë të prodhuar nga Rusia. “Ata në asnjë mënyrë nuk do të konkurrojnë me avionët luftarakë të gjeneratës së pestë nga izraelitët,” tha Saab, anëtar i Chatham House. “Por sistemi i mbrojtjes ajrore që ata kanë nuk është shaka. Nuk është rrjeti i mbrojtjes ajrore siriane.”

Por në të dyja anët, frika nga skenari më i keq ka të ngjarë t’i shtyjë liderët të tërhiqen.

“Çfarë mendonin iranianët se do të ndodhte nëse do të vrisnin 500 izraelitë dhe do të kishin shpërthyer F-35 dhe ndoshta do të kishin goditur një sinagogë?” tha McKenzie. “Unë e di se cila do të ishte përgjigja izraelite. Dhe ata duhej ta besonin gjithashtu këtë.”

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • …
  • 61
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT