• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2024

Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Strasburg organizoi pritje me rastin e votimit të suksesshëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës

April 17, 2024 by s p

Strasburg, 17 prill 2024

Mbrëmë në Strasburg të Francës, në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës atje, u organizua pritje me rastin votimit të suksesshëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës me 131 vota në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zëvendëskryeministrja e ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ambasadori i Kosovës në Strasburg dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti falënderuan mysafirët e pranishëm dhe miqtë e vendit tonë për përkrahjen dhe angazhimin e tyre të vazhdueshëm deri në anëtarësimin e plotë të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Të nderuar anëtarë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe përfaqësues të përhershëm të shteteve anëtare,

Të dashur miq,

Është kënaqësi t’ju mirëpres këtu sonte, të bashkoheni me ne për të festuar këtë arritje të madhe. Lajm i mirë për qytetarët tanë, për vendin tonë dhe për kontinentin tonë. Dhe së dyti, e gjithë kjo në 75-vjetorin e Këshillit të Evropës, shtëpia roje e vlerave tona të përbashkëta të të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Sot, ne kemi përfunduar një hap shumë të rëndësishëm drejt rrugës sonë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Jo fjalët tona, por veprimet tona në vitet e fundit e kanë bërë të qartë se ne besojmë dhe i përmbahemi fort vlerave që përfaqëson kjo organizatë.

Ne besojmë dhe i përmbahemi të drejtave të njeriut, të cilat bashkojnë universalitetin dhe barazinë, dinjitetin njerëzor dhe prosperitetin shoqëror.

Ne besojmë dhe i përmbahemi shtetit të së drejtës: legjislacioni që qëndron mbi të gjithë ne që na bashkon të gjithëve, mbron dhe mbron secilin me të drejtat dhe liritë e secilit.

Ne besojmë dhe i përmbahemi demokracisë: vullnetit të popullit, të përfaqësuar nga përfaqësues përgjegjës dhe të miratuar nga zyrtarë përgjegjës.

Pikërisht këto vlera që ne besojmë dhe u përmbahemi, duhet të bëhen anëtarësimi ynë pjesëmarrës në Këshillin e Evropës dhe aktualiteti i përditshëm në zbatimin tonë të brendshëm. Kjo është arsyeja pse ne kemi paraqitur para jush një listë të detyrimeve që jemi të përkushtuar t’i realizojmë. Ne duam të bëhemi anëtarë sepse duam të kontribuojmë dhe të përfitojmë. Kontribuoni si shtet, përfitoni si qytetarë.

Zonja dhe zotërinj,

Aderimi ynë ndaj këtyre vlerave është pranuar zyrtarisht sot nga forca lëvizëse e demokracisë që përfaqëson Këshilli i Evropës, që është Asambleja e tij Parlamentare. Raporti tregonte qartë se Kosova i ka përmbushur parakushtet dhe i ka plotësuar të gjitha kriteret e nevojshme për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës. Votimi i 82% dërrmues të anëtarëve të PACE ishte një miratim kumbues i rekordit të shtetit tonë për këto vlera.

Kjo është rezultat i punës së palodhur, bashkëpunimit, aktiviteteve publike dhe takimeve të panumërta. Prandaj, dëshiroj të falënderoj ministren tonë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, zëvendësministren time, Donika Gervalla, zëvendësin e saj, Kreshnik Ahmetin, ambasadorin tonë në Strasburg, Lulzim Hisenin dhe delegacionin tonë parlamentar në APKE, për angazhimin e palëkundur që ta shohin Kosovën si anëtare e Këshillit të Evropës.

Dëshiroj gjithashtu të shpreh mirënjohjen time për të gjithë ju për mbështetjen dhe partneritetin që na keni treguar gjatë këtij procesi shumë të rëndësishëm dhe historik.

Dua të falënderoj anëtarët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që i qëndruan besnikë parimeve të kësaj organizate dhe që votuan sot në favor të anëtarësimit tonë. Falenderime të veçanta për drejtuesit e grupeve më të mëdha politike në PACE, në veçanti z. Frank Schwabe, z. Davor Stier dhe z. Iulian Bulai.

Në hapin tonë drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, pas PACE mbetet një hap i fundit.

Unë si kryeministër dëgjoj dhe ndjek deputetët e Kuvendit në shtëpi. Unë shpresoj që në maj, Komiteti i Ministrave do të bëjë të njëjtën gjë.

Filed Under: Ekonomi

Libri shëron, afron lutjet dhe përqafon dritën…

April 17, 2024 by s p

“Shqiptarët duan para së gjithash dritën e mendjes dhe Diellin” – (Faik Konica, Albania, 8,1987)

Ph.D Yllka FILIPI
(Fjala e mbajtur e Kryetares së sapozgjedhur të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë)

Në harkun kohor të 23 viteve, përtej brigjeve të oqeanit, në Amerikë, një ëndërr shqiptare tepër e guximshme u bë realitet. Bijtë shpirtërorë të Nolit e Konicës, Gjekë Marinaj e Adnan Mehmeti ja dolën të ngrinin një strehë shpirtërore, ku si në një familje të madhe prej një gjaku e një shpirti, u mblodhën të gjithë shkrimtarët nga çdo cep i kontinentit të largët. Mori jetë kështu Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. Takimet rrodhën një e nga një në pranverën e vonë a në vjeshtën e zbehtë, në dimrat me dëborë, pa diell e me shira të rrëmbyer, u sfiduan distancat e gjata, furtunat dhe asnjë vështirësi a pengesë nga këto nuk ja dolën dot të ndalnin një shpresë të vetme, librin shqip në Amerikë.
Kjo inisiativë e zjarrtë u bë realitet dhe projektet mbi librin e aktivitetet letrare, nuk mbetën thjesht të fshehura në sirtarët e kujtesës por morën trajtën dhe formën e fjalës shqip duke u bërë busulla magjike e ardhmërisë për përhapjen e kulturës së një kombi që kurrë nuk do të harrohet edhe pse gjeografikisht kaq larg. Melhelmi i kurmit poetik rrodhi ëmbël dhe dramat e atdheut u zbutën ngadalë.
Sot, Panairi i Librit Shqip në Ferguson Library shënon edicionin e tij të tretë dhe kjo është padyshim festa më emocionuese, krenari për identitetin tonë, duke mbajtur gjallë e çuar më tej kujtesën kombëtare, nëpërmjet artit të fjalës së shkruar. Zilja e zgjimit ra njëherë e kaq mjaftoi. Të mbledhur si bletët në zgjua, secili shkrimtar a dashamirës i artit të fjalës e di rolin e tij dhe përpiqet me seriozitet e përkushtim ta përmbushë në mënyrën më të denjë të mundshme. Ky nuk është vetëm një detyrim moral, përkundrazi. Është obligim kombëtar, sakrificë, një jetë paralele drejt ëndrrës që prej më se dy dekadash i ka shkelur e sigurtë brigjet e realitetit.
Dëshmi e gjallë e suksesit dhe jetëgjatësis së shoqatës janë revista “Pena”, organ i shoqatës, shtëpia botuese “Adriatic Press’ në New York, si edhe pas 75-vjetësh ribotimi i Albumit të Fan Nolit,e ende shumë planprojekte të reja.
Libri shëron. Afron lutjet dhe përqafon dritën. Mjekët e shpirtit, shkrimtarët, mbartin kodin gjenetik të pashkruar duke e çuar iluminimin rilindas në ardhmëri. Në historinë e kohërave moderne mbajnë ndezur zjarrin e kulturës kombëtare në oxhakun multikulturor të rrjedhës së letërsisë amerikane. Ky mision u bë sfida më e suksesshme, dëshmia e gjallë e një kombi të etur për kulturë, bijtë e të cilit luftojnë e punojnë fort paralelisht për jetën dhe artin.
Si është e mundur që brenda një vetëm një dite, ne i mbledhim të gjitha shtetet e Amerikës së tejskajshme në një shportë të vetme, si vezët e Pashkës së Madhe? Boston – Miçigan – Misuri – New York – New Jersey – Pensilvania -… – Kanada e Meksikë? Varg e varg si perlat një gjerdani të artë prej drite vijnë e mblidhen krijuesit shqiptaro-amerikanë në vatrën e madhe, 23-vjet rresht.
T’mbledhun bashkë si kokrrat n’shegë- thotë Fishta… krijuesit edhe pse jashtë atdheut sjellin art: reportazhe, botime voluminoze dygjuhëshe, krijime të zgjedhura, në prozë, poezi e publicistikë, kritikë letrare e përkthime dinjitoze, dokumentarë, publicistikë, konkurse, e intervista, multikolorit autorësh e zhanresh dhe sa shumë emocion, në ruajtjen, përhapjen e promovimin e kulturës kombëtare. A nuk është kjo një sfidë?
Duhet të jesh i dehur në shkrime në mënyrë që realiteti mos të të shkatërrojë.- shprehet shkrimtari Ray Bradbury.
Në gjysmën e këtij rrugëtimi, pata fatin dhe mundësinë që të anëtarësohesha në këtë Shtëpizë bujare shkrimtarësh, 11-vjet më parë. Një ditë vjeshte të artë trokita në këtë familje të madhe, u mirëseardha në epiqendrën e një botë prej shpirti dhe u ndjeva shumë ngrohtë. Aty ku të mbledhur rreth Vatrës, të ngrohur nga Dielli, me penën nga krahu i zemrës i falemi Kombit.
Përçimi i vlerave kombëtare është përgjegjësia më e madhe e gjithsecilit prej nesh si ambasadorë të kulturës sonë me ndjenjën më të thellë të dashurisë për trojet e të parëve.
Sot, në epokën e dixhitalizuar, a mundet të prekim shpirtin me një gisht, a mundet t’ia kurojmë plagët kombit thjesht me një mollëz? Ky është libri.
Fisnikëria e donatorëve, krijuesve dhe dashamirësve të artit, na ndriçon dhe na e bën më të lehtë rrugën e larmijëzimim e aktivitetetve kulturore, botimeve, konkurseve letrare, stimulimin e talenteve te reja, promovimin e mëtejshëm të vlerave kombëtare dhe më gjerë. Përulemi në shenjë respekti të thellë përpara bujarisë, së investitorëve të artit për të ecur bashkarisht në këtë mision fisnik.
Të zhytur në lumturinë e leximit që transformon njëriun! Bashkëpunëtorë dhe drejtues vizionarë! Sipërmarrës të artit të fjalës së shkruar! Kjo përpjekje e jashtëzakonshme për të mbajtur gjallë e çuar më tej trashëgiminë letrare do të shkojë më larg, në ardhmërinë e sigurtë dhe të suksesshme!
Unë ju falenderoj përzemërsisht për votat tuaja! Do jem këtu me forcën e penës, përkushtimin dhe besnikërinë për ta çuar më larg këtë mision patriotik!
Kuintesenca e urës së padukshme prej drite që i lidh kombet në këtë ekspozim vlerash, shpalos shkëlqim, krenari, arritjet e një kodi të përbashkët gjenetikisht të shpërndarë nëpër të gjitha qelizat fjalës së gjallë, i radhitur dendur rresht më rresht në formën e dyfishtë të AND-së krijuese që dëshmon balancën e filozofisë së përkushtimit dhe dashurisë. Vetëm krijuesi, (poeti), vetëm ai di se si t’i kthejë pshërëtimat e atdheut në simfoninë më të ëmbël. Zemrën e atdheut që vuan,e ndien vetëm zemra e krijuesit (poetit).
E çfarë është poeti?- Sipas Soren Kirkergard një njeri i palumtur që fsheh ankthin e pafund në zemrën e tij, por buzët e së cilit, janë formuar në atë mënyrë që psherëtimat dhe qarjet të tingëllojnë si një muzikë e bukur. Aty ky hyn fjala, depërton dielli. E gjithë Shqipëria, i gjithë kombi çlodhet nëpër fletët e dendura të këtij ditari të një familjeje të madhe: Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. E ndieni simfoninë e ëmbël? Është himni! Do të flini në paqe. Me dorën nga krahu i zemrës, jemi duke u rritur në mbijetesë.
PhD Yllka FILIPI
April ’24
Stamford, Ct

Filed Under: LETERSI

NIKKI HALEY, ISH-GOVERNATORE, ISH-AMBASADORE, KANDIDATE DERI KOHËT E FUNDIT PËR PRESIDENT TË SHTETEVE TË BASHKUARA DHE “NUSJA SHQIPTARE” * I BASHKOHET INSTITUTIT TË  NJOHUR KONSERVATIV “HUDSON” NË WASHINGTON

April 17, 2024 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated

Në një njoftim për media ditën e henë, Instituti i njohur konservativ, Hudson, në Washington tha se Nikki Haley, ish-governatore e shtetit Karolina e Jugut dhe ish-ambasadore e Shteteve të Bashskuara të Amerikës pranë Kombeve të Bashkuara, do i bashkohet këtij instituti amerikan në zë si promovues i politikave konservative të mbrendshme dhe të jashtme si dhe i sigurisë kombëtare.   

 Në njoftimin e Institutit Hudson me këtë rast citohet Nikki Haley të ketë thenë duke pranuar emërimin, se “Kur politikanët tanë dështojnë të identifikojnë armiqtë tanë si të tillë, ose kur dështojnë të vlerësojnë rëndësinë e aleancave tona, atëherë bota është më pak e sigurt”, duke shtuar se “kjo është arsyeja se pse puna e Institutit Hudson është aq e rëndësishme”, në këtë kohë. Instituti Hudson, vazhdon të citohet ish-ambasadorja dhe ish-kandidatja për presidente, “Beson se populli Amerikan duhet të ketë faktet për problemet dhe politikanët duhet të gjejnë zgjidhjet, në mbështetje të një të ardhmjeje të sigurt, të lirë dhe të begatë. Mezi pres që t’u bashkohem kolegëve në Istitutin Hudson, që në parttneritet me ta, të mbrojmë parimet që e bejnë Amerikën vendin më të mirë në botë”, është shprehur, Zonja Nikki Haley.

Ndërsa Presidenti i Institutit Hudson, Z. John P. Walters e priti Zonjën Haley me fjalë të ngrohta duke thenë se, “Nikki është një udhëheqse e sprovuar dhe efektive si në fushën e politikës së brendshme ashtu edhe të politikës ndërkombëtare. Në një periudhë ngjarjesh politike të pakontrollueshme dhe konfliktesh, Nikki Haley ka vazhduar të jetë mbrojtëse e patundur e lirisë dhe mbështetse e bindur dhe efektive e sigurisë dhe begatisë amerikane. Jemi krenarë që ajo po i bashkohet Institutit Hudson”, ishin fjalët e Presidentit të Institutit Hudson, duke mirëpritur Nikki Haley-n në radhët e këtij instituti shkencor,  një ndër më të njohurit, botërisht. Në të kaluarën si edhe tani shumë personalitete të njohura të politikës amerikane kanë qenë bashkpuntorë të Institutit Hudson, përfshiur Henrz Kissingerin, ish-Zevendës presidentin Dan Quale, ish-Sekretarin Amerikan të Shtetit Mike Ppmpeo e të tjerë.

      Nikki HaleyAmbasadorja Nikki R. Haley i bashkohet Institutit Hudson, një ent konservativ me fame botërore që merret me politikat e brendshme dhe të jashtme të Shteteve të Bashkuara  

Gjatë fushatës për president si kandidate e Partisë Republikane, Nikki Haley ka promovuar një politikë të jashtme amerikane të fortë dhe vendimtare përball krizave globale siç është lufta Rusi-Ukrainë, luftimet Izrael Hamas e të tjera konflikte ndërkombëtare. Qendrimi i saj ishte në contrast të plotë me qendrimin e ish-presidentit Donald Trump i cili kembëngulë për të mbajtur Shtetet e Bashkuara jasht konflikteve ndërkombëtare. Ishte Shkurti i vitit që kaloi, kur Zonja Haley shpalli kandidaturën e saj për presidente të Shteteve të Bashkuara, por në fillim të muajit që kaloi ajo njoftoi anullimin e fushatës së saj për detyrën numër një në vend – pasi në përballim me ish-Presidentin Trump, ajo humbi 14 nga 15 zgjedhjet në shtetet që mbajtën votime në të ashtuquajturën “super Tuesday”, në fillim të Marsit.  Megjithkëtë, sipas njoftimeve në media, Nikki Haley është shprehur se ndonëse anulloi fushatën e saj si kandidate e Partisë Republikane për President, ajo nuk e ka ndër mend të heshtë në lidhje me çështje të rëndësishme të politikës së brendshme e të jashtme dhe sigurisë kombëtare.

Siç duket, Haley ka zgjedhur si platformë institutin e njohur Hudson në Washington për të vazhduar të “përdor zërin e saj për të folur në mbështetje të çeshtjeve me rëndësi, në të cilat ajo beson”, siç është shprehur ajo me rastin e anullimit të fushatës për president fillim muajin e kaluar. Deri më tani, Zonja Haley nuk ka mbështetur Z. Donald Trump, kandidat i Partisë Republikane për president.  

Unmute

* “Nusja Shqiptare” – Nikki Haley ka thenë më heret në takime me grupe shqiptaro-amerikanësh, kur ajo shërbente në Nju Jork se ajo është e martuar me një biznesmen amerikan me origjinë shqiptare. Në atë kohë ajo është angazhuar, publikisht, duke premtuar se do të punonte për rritjen e numrit të njohjeve — nga vendet anëtare të OKB-së — të Republikës së Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur. 

Frank Shkreli

Governor Nikki Haley, joined by her family Michael, Rena and  Nalin, cross Sumter Street on their way to the State House after the Inaugural Prayer service held at Trinity Episcopal Cathedral, Wednesday morning.

Nikki Haley me bashkshortin Michael, në ditën e inaugurimit të saj si governatore e shtetit Karolina e Jugut, 2015.   

Filed Under: Opinion

LIDERSHIPI I ISMAIL QEMALIT

April 17, 2024 by s p

Pa kaluar një vit nga botimi i parë, me kënaqësi të madhe i paraqesim lexuesit botimin e dytë të rishikuar të librit “Themeluesi”. Ky botim vjen pas jehonës dhe pritjes së ngrohtë që lexuesi i bëri botimit të parë kudo në trojet shqiptare dhe më gjerë. Kam përjetuar një kënaqësi të veçantë në promovimin e librit në të tre kryeqytetet e shqiptarëve, në Tiranë, në Prishtinë dhe në Vlorën historike të flamurit. 

Me këtë rast dëshiroj të falënderoj nga thellësia e zemrës të gjithë ata njerëz që më kanë mbështetur në këtë rrugëtim të bukur. Njëkohësisht, një falënderim tjetër i veçantë për Darling dhe Qamil Vlorën, stërnipat e Ismail Qemal Vlorës, për dokumentet e disponuara dhe durimin e treguar në saktësimin e disa detajeve në ribotimin e këtij libri. 

Nuni i titullit të librit “Themeluesi” është gjeniu i letrave shqipe Ismail Kadare, dhe ky ishte që në zanafillë një ogur i mirë. Në traditën abrahamike, “Ismail” do të thotë Zoti i dëgjoi lutjet tuaja. Dhe unë besoj se Zoti  i ka dëgjuar dy herë lutjet e shqiptarëve, njëherë kur iu dha Ismail Qemalin dhe njëherë kur iu dha Ismail Kadarenë…

Ismail Qemali i dha jetë trashëgimisë së Skënderbeut. Pa veprën e Ismail Qemalit nuk do ta kishim sot Shqipërinë. Emri i Ismail Qemalit vijon të nderohet brenda dhe jashtë trojeve shqiptare. Ismail Qemali përfshihet në antologjinë “Stars and Sands” të Joseph L. Baron, kushtuar personazheve të shquar botëror, të cilët kanë ndihmuar hebrenjtë nëpër gjithë botën. Duke filluar nga 3 qershori 2023, emrin e tij e mban tashmë edhe një rrugë në Staten Island, NY, SHBA.

Lidershipi i Ismail Qemalit mbështetej mbi bazamentin e mirënjohjes dhe ne duhet t’i japim atij nderimin që i takon. Sepse Ismail Qemal Vlora ishte shqiptar kur nuk kishte Shqipëri. “Nosce te ipsum,”– shkruhej në tempullin e Apollos në Delfi.  Gjëja më e vështirë është të njohësh veten dhe të gjesh vendin që të takon në këtë botë. Me qëllim ndërtimin e një të ardhmeje të begatë ne duhet që t’i edukojmë të rinjtë nën shembullin e njerëzve të mëdhenj. Ne shqiptarët kemi nevojë që ta njohim më mirë veten. Nënvleftësimi i njerëzve të mëdhenj çon tek ulja e standardeve dhe rritja e mediokritetit në shoqëri. Kjo plagë ka qenë një bashkudhëtare e shoqërisë shqiptare, e cila ka shkaktuar edhe një krizë identitare. Sepse siç thoshte poeti i madh Ali Asllani: “Kur nderohet një i lig, është i miri në rrezik.”

“Synimi i artit është hyjnor,” – thotë Viktor Hygo –  “dhe kur shkruan për historinë, ti e risjell në jetë, e ringjall personazhin.” Unë jam përpjekur që me anë të këtij libri t’a sjell Ismail Qemal Vlorën me sa më shumë vërtetësi. Dhe ashtu siç ai ishte në të vërtetë, një idealist dhe një shqiptarë i madh. 

Sipas Faik Konicës, “idealizmi mund të dal vetëm nga dy burime që janë,  kultura e lartë dhe vuajtjet e përbrezëshme.”. Ismail Qemal Vlora e kishte si kulturën e jashtëzakonshme ashtu edhe trashëgiminë e sakrificave familjare. Vlora e Flamurit dhe Labëria, e mëkoi atë që në vegjëli me frymën e saj atdhetare, duke ndezur në zemrën e tij flakën e atdhedashurisë që nuk u shua kurrë.

“Aq pak i nderon Shqipëria njerëzit qe e nderuan,” – vijon sërish Faik Konica – “sa gjen sot shumë shqiptarë që kujtojnë se Skënderbeu dhe Gjergj Kastrioti ishin dy veta.” Edhe sot mund të ketë shumë shqiptarë që mund të mendojnë se, Ismail Qemali dhe Ismail Qemal Vlora janë dy persona të ndryshëm. Prandaj, ne duhet të bëjmë më shumë që shpëtimtari i Shqipërisë Ismail Qemali, të nderohet e të njihet plotësisht nga brezat e rinj. 

Ne kemi sot sërish nevojë për Ismail Qemalin më tepër seç ai ka nevojë për ne, dhe gjithmonë ka për të qenë kështu. Rikthimi tek Ismail Qemali është rikthim tek rrënjët e identitetit tonë kombëtar. Lidershipi i tij është dëshmia me e mirë e faktit që kur shqiptarët bashkohen janë në gjendje të realizojnë gjëra madhështore. 

Arbëreshët e shquar Dorsa, De Rada, Skiro, Lorekio etj., së bashku me Vaso Pashën dhe Sami Frashërin ishin ideologët e parë të çështjes kombëtare shqiptare. Përpjekjet e tyre u përqendruan kryesisht në lëmin historik, kulturor dhe gjuhësor. Ndërsa, Ismail Qemali udhëhoqi dhe themeloi shtratin ideor mbi të cilin u strukturua lëvizja politike kombëtare shqiptare. 

Disa vite përpara shpalljes së Pavarësisë, Faik Konica shkruante se pengesa kryesore e shqiptarëve drejt Pavarësisë ishte “mungesa e mësimit politik”. Ismail Qemali me lidershipin e tij e tejkaloi këtë pengesë në dukje të pakalueshme. Ai ishte një hap para të tjerëve në njohjen e rrezikut që po i kanosej Shqipërisë nën Perandorinë Osmane. “Ne në politikën tonë,” – thoshte Ismail Qemali –   “do të bëhemi me të gjithë ata që janë kundër grabitësve të trojeve tona, sllavëve dhe grekëve.”

Ismail Qemali realizoi një strategji gjithëpërfshirëse për të formësuar dinamikat rajonale. Strategjia e tij synonte shpëtimin e Shqipërisë. Dhe njëkohësisht t’i tregonte Evropës se shqiptarët e kishin maturinë e duhur politike për t’u vetëqeverisur. Ai shndrit si lideri më përbashkues në historinë tonë kombëtare. 

Ismail Qemali personifikon vlerat më të mira të shpirtit të shqiptarit. Ai ishte një lider vizionar, që e shikonte shërbimin publik si një detyrim ndaj atdheut. Sipas tij, shqiptari të shenjta ka tre gjëra: “Familjen, nderin dhe atdheun.” Ismail Qemali thoshte se: “Perëndia është ndihmësi i njerëzve të drejtë.” Dhe si një njeri i madh, ai ishte i drejtë dhe ëndërrimtar. Ëndrra e tij për një Shqipëri të bashkuar, të begatë dhe evropiane vazhdon të na frymëzoj edhe sot e kësaj dite. 

Kritikët pretendojnë se ai nuk qe i zoti që ta mbante gjatë pushtetin dhe nuk arriti të shmangte copëtimin e trojeve shqiptare. Ka diçka pjesërisht të vërtetë këtu, megjithëse vendimi për ndarjen e trojeve shqiptare ishte përtej mundësive të tij. Vizioni i tij që shqiptarët kudo në trojet e tyre etnike të jetojnë në liri, paqe dhe harmoni me fqinjët e tyre po realizohet tashmë. 

Vizioni i Ismail Qemalit është quajtur edhe si “tepër perëndimor” për kohën. Dhe Ismail Qemali i ka pranuar vetë i pari të metat e qeverisjes së tij. Por, ai besonte tek fuqia e fjalës dhe tek dialogu midis njerëzve e kombeve, për të garantuar bashkëjetesën paqësore dhe progresin e njerëzimit. Ai besonte fort se integriteti moral e besnikëria e politikanit, ndikon tek raporti i mirë me shoqërinë dhe tek emancipimi i saj.

Shqipëria lindi në një moment tepër të vështirë për marrëdhëniet ndërkombëtare globale. Lufta e Parë Botërore ishte te portat dhe një rend i ri global po dukej në horizont. Rendi i ri global që lindi pas mbarimit të luftës, do të sillte rrëzimin e  perandorisë Austro-Hungareze, që ishte përkrahësja kryesore e shtetit të ri shqiptar. Ndoshta nëse situata në arenën ndërkombëtare nuk do të kishte qenë kaq e trazuar, edhe fati i së porsalindurës Shqipëri e i qeverisë së saj të parë do të kishte qenë krejt ndryshe…

Në fund, sigurisht, që ky nuk është një libër me receta të gatshme; ai vjen si një ftesë për reflektim, mbi historinë, të tashmen dhe të ardhmen tonë. Mesazhi që libri përcjell është universal dhe i vlefshëm në çdo kohë; ai ndërthur raportin midis lirisë, pushtetit dhe lidershipit. Nëpërmjet lidershipit të Ismail Qemalit, ne mund të kuptojmë se si mund të ndërthuret më së miri racionaliteti dhe dhembshuria në zgjidhjen e problemeve të kohës tonë. Lidershipi i Ismail Qemalit përcjell një mesazh të madh humanizimi për botën mbarë. 

Lidershipi fillon me besimin që ju mund të bëni diçka që ka vlerë dhe thelbi i tij është ruajtja e ekuilibrit. Me anë të lidershipit mund të lexohet dhe të interpretohet karakteri i njeriut. Cilësitë morale të Ismail Qemalit, bota e tij e brendshme shpirtërore, ishin në harmoni me pamjen e jashtme fisnike. Ismail Qemalin e përshkruajnë si “një njeri sypatrembur dhe të pavarur”. Dy cilësi këto të domosdoshme për lidershipin.

Ismail Qemali si një lider transformues ishte për ndryshimin e statuskuosë. Ai edhe pse i përkiste shtresës së pasur të bejlerëve, u bë zëri i “opingarëve”. Motoja e tij ishte: “Shqipëria për shqiptarët.” Reformat shtetndërtuese që ai filloi të ndërmerrte vinin në kundërshti me interesat e klasës së vjetër sunduese, e cila synonte të ruante sërish privilegjet që kishte pasur në perandori. Prandaj, ata e penguan me çdo mënyrë Qeverinë e Vlorës. Sipas fjalëve të Ismail Qemalit: “Pa u vra tradhëtia, nuk bashkohet Shqipëria.”

Ismail Qemal Vlora është jo vetëm “Themeluesi” i shtetit shqiptar, por edhe “Themeluesi” i idesë së Shqipërisë evropiane. Ai besonte tek ideali i paqes dhe i bashkëpunimit midis kombeve. Ky libër dhe lidershipi i Ismail Qemal Vlorës është në vetvete një himn për shpirtin fisnik dhe të pamposhtur të shqiptarit ndër shekuj. Ismail Qemal Vlora ishte një lider i popullit dhe për popullin; ai nuk e pa kurrë pushtetin si privilegj, por si një detyrim për t’i shërbyer popullit dhe vendit të tij. Ky është edhe thelbi i trashëgimisë së ndritur të lidershipit të Ismail Qemal Vlorës.

Në vargjet e tij, liriku ynë i madh Ali Asllani, shkruan për Ismail Qemalin: “Dielli mbet gjithmonë Diell / Kurdoherë me kokë në qiell.” Ismail Qemali qëndron sot në ballë të Altarit të Kombit dhe të nderosh Ismail Qemalin do të thotë të nderosh gjeninë universale të lidershipit. Ai është “Dielli i Shqiptarisë” dhe drita e tij vezulluese vazhdon të na tregoj edhe sot e gjithë ditën, rrugën që duhet të ndjekim drejt së ardhmes tonë evropiane.

“Bota njerëzore,” – shkruan Plutarku – “kuptohet më mirë nëpërmjet njerëzve që bënë historinë.” Pavarësisht ndryshimeve që sjellin epokat e ndryshme, thelbi i asaj që është “udhëheqja/lidershipi” mbetet e paprekur. Dhe reflektimi mbi figura si kjo e Atit të Kombit, na ndihmon të zgjerojmë dhembshurinë. Ajo na lidh me sakrificat e paraardhësve tanë dhe me shembullin e tyre të ndritur. Mbi këtë bazament mirënjohje ne mund të ndërtojmë shembullin tonë për gjeneratat e ardhshme.

 Nga  Evarist Beqiri*

*Autor i librit “Themeluesi-Lidershipi i Ismail Qemalit”

    Tiranë, më 20.1.2024

Filed Under: Histori

Ligji i disinformimit

April 16, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

“Ju jeni skllevër, harrojeni lirinë e fjalës” Marcus Aurelius 

Çështja është ende e hapur. Megjithë se projektligji mbi shpifjet u tërhoq, ligji mbi disinformimin ka të njëjtin synim. Mbi mediat fryn era e njëjtë e deteve të heshtur. Ndonjë qëndron ende e hapur. Aty, ku mbaron despotizmi, vetëm aty fillon njeriu me melodinë e tij unike. Aty mbaron shteti, i shurdhuar nga zhurma e opozitës dhe i thumbuar nga njerëzit e vegjël, fillon liria juaj. Druri dhe shkëmbi dinë të mbajnë heshtje të denjë. Bëhu përsëri si pema që do, ajo me degë të gjera. 

Aty ku mbaron vetmia, fillon tregu; dhe aty ku fillon tregu, fillon edhe zhurma e mizave helmuese. 

Gjërat më të mira në botë ende nuk janë asgjë; mungon ai që i shfaq i pari. 

Sot ka vetëm“showmen”; nga populli kuptohet pak madhështia e tyre. Por ata kanë një shije dhe etje për gjërat e mëdha. Rreth shpikësve të vlerave të reja, bota rrotullohet – në mënyrë të padukshme. Por rreth bufonëve rrotullohen njerëzit dhe lavdia. Frymë kanë, por pak ndërgjegje shpirti; besojnë gjithmonë në atë me të cilën e bën besimin më të fortë – besim në vetvete. Nesër kanë një besim të ri, dhe pasnesër një më të ri; kanë shqisa të shpejta, si njerëzit, dhe humor të paqëndrueshëm. Të përmbysësh – për ‘ta do të thotë të provosh; të çmendesh – dhenjerëzit të binden. Ata besojnë vetëm në zotat që bëjnë zhurmë të madhe. 

Tregu është plot me bufonë – dhe turma mburret me njerëzit “e mëdhenj” të kohës, të cilët duan nga ju vetëm Po, dhe lavdërime. 

Përvoja e të gjitha puseve të thella është e ngadaltë: duhet të presësh gjatë para se të dish se çfarë ka rënë në thellësitë e tyre. Përveç famës dhe tregut, ndodhin të gjitha gjërat e tjera. 

Ik, miku im, në vetminë tënde: Të shoh të thumbuar nga mizat helmuese. Ik andej nga ku fryn një erë e vdekur. Ke banuar shumë pranë të voglit dhe të mëshirshmit. Ik nga hakmarrja e tyre e padukshme. Ata janë të panumërt, dhe nuk është fati yt t’i bashkohesh mozaikut; të panumërta janë këto të vogla dhe të dhimbshme. Shumë ndërtesa rrëzohen nga pikat e shiut dhe mbulohen nga barërat e këqija. Jene gur i goditur nga shumë pika; 

ato do t’ju thyejnë ose të shpërtheni. Të shoh të lodhur nga mizat helmuese, të shoh të gërvishtur gjakosur në njëqind vende dhe krenaria jote nuk pranon të zemërohet qoftë edhe një herë. Gjakun me gjithë pafajësinë, dëshirojnë shpirtrat e tyre pa gjak – dhe kështu vazhdojnë të thumbojnë. Por ti vuan shumë thellë edhe nga plagët e vogla; dhe para se të jesh shëruar, i njëjti krimb helmues zvarritet mbi dorën tënde. Je shumë krenarë. Nuk i thua Jo. Kujdes, megjithatë, që të mos bëhet fati yt të përballosh gjithë padrejtësinë e tyre helmuese. 

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • …
  • 61
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT