• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2024

Shqiptari i madh Sami Repishti

April 13, 2024 by s p

Besim Ndregjoni/

Zoti e bekoftë shqiptarin e madh të shekullit, Sami Repishtin, e familjen e tijë!

Fort i nderçëm prof. Repishti!

Në 99-vjetorin e lindjes suaj prof. Sami Repishtit, gjej rastin që ta përsëris se sa me fat kemi qenë si komunitet, ne të mbijetuarit e diktaturës që e kemi pasur dhe e kemi në mesin tonë. Ikonën e qëndresës antikomuniste, bashkëvuajtësin dhe të mbijetuarin e diktaturës, shkrimtarin, publicistin, mbrojtësin e palodhur të Kosovës martire bashkëpunuesin dhe mikun e idealeve dr. Ibrahim Rugovës!

99-vjetori i juaj na gëzon se lutjet tona për praninë tënde, në dy shekuj Zoti na i ka pranuar.

Pena juaj u bë pishtar ndriçimi për gjenocidin komunist në Shqipëri, u bë dritë për shqiptarët e Kosovës të fitonin lirinë.

Zëri i juaj ushtoi në Kongresin amerikan, në mbrojte të shqiptarëve në Ballkan. Personaliteti i juaj atdhetar e kombdashës e nderoi Shkodrën loce që të rriti e të edukoi.

Në vend të urimit, ne bashkëvuajtësit tuaj ndjehemi krenarë e të falënderojmë për kontributin e madh që ka dhënë për kombin shqiptar, për 6000 të zhdukurit e komunizmit, për 36.000 të burgosurit politike për shqiptaret në SHBA, për të drejtat e liritë e njeriut kudo.

Të urojme edhe shëndet e jetë të gjatë, o shqiptar i madh, që lartësove emrin e Nanës Shqipni!

I lutemi të madhit Zot që ta festojmë së bashku 100-vjetorin e lindjes.

Zoti e bekoftë shqiptarin e madh të shekullit, Sami Repishtin, e familjen e tije!

Filed Under: ESSE

“Dreams Within a Dream”

April 13, 2024 by s p

Eridana Çano, prill 2024/

Arti i Nazmi Hoxhës nuk mund të kufizohet vetëm nëpërmjet një zhanri të vetëm. Ai është mjeshtër i kompozimeve, i peizazheve, i nudove dhe i portreteve, të cilat të bëra bashkë sjellin një dëshmi të shkathtësisë dhe të thellësisë së tij si artist, pjesëza të ndryshme ëndrrash brenda një ëndrre të madhe arti. Me një zotësi të jashtëzakonshme, ai i vesh veprat e tij me një mantel të mistershëm.

Te cikli i pikturave “Nudo” vërejmë aftësinë e përdorimit të ngjyrës në sipërfaqen e telajos, efekte herë të dukshme e herë të padukshme sjellin një ngarkesë unike emocionale. Ngjyra është elementi i vetëm kompozues që prek trupat e zhveshur, të cilët duket sikur po tentojnë të shkëputen nga sipërfaqja, ashtu si nëpër ëndrra, ku vëllimet qëndrojnë pezull.

Cikli “Eden” mbart të njëjtat gjurmë, të njëjtën frymë emocionale, me ndryshimin e vetëm se Nazmiu nis të eksperimentojë duke na shfaqur tashmë mikrokozmosin e tij. Mikrotrupa qiellorë të stilizuar në një formë unike shfaqen në telajo. Duket sikur nga aty po nis jeta në një ekspansion të pandalshëm.

Cikli i portreteve në sallën “Tako Artistin” shfaq figura nga historia dhe kultura shqiptare, duke rrëmbyer thelbin e shpirtit të një kombi dhe të popullit të tij. Stili i të pikturuarit të portreteve karakterizohet nga një ndjenjë e fortë realizmi dhe përkushtimi për të kapur shpirtin e subjekteve të tij, fakt ky të cilin mund ta dallojmë lehtësisht në sytë e personazheve: plot emocion, të thellë dhe me karakter. Konture pothuajse të padushme i bëjnë portretet të duket sikur dalin nga telajo e shkrihen në vështrimin e vizitorit.

I papërkufizuar në gjininë e pikturës, gjithmonë në kërkim të mistikes dhe të të qenit i veçantë në shprehinë e tij artistike, Nazmiu bën një kapërcim horizontal në artin e tij, që pas ikjes në Amerikë dhe jetesës atje. Mënyra e jetesës dhe e gjithë dinamika se si funksionon qyteti i Nju-Jorkut ku ai jeton, reflektohet te cikli i pikturave “Blinds”, të cilat përbëjnë një pikëpamje unike për llojin e pikturës së tij, duke përfshirë elemente më moderne (vertikalizimin dhe vezullimin e xhamave të ndërtesave, udhëkryqet e rrugëve dhe dinamikës të zhvillimit urban), duke eksperimentuar me ngjyrën dhe formën, me një zhvendosje drejt abstraksionit, përdorimit më ekspresiv të ngjyrës dhe një qasje më të lirë e më dinamike ndaj kompozimit.

“Central Park”-u i Nju-Jorkut është “parku i madh artistik i peizazhit”, nga ku pasqyrohet ndërthurja e teknikës tradicionale me praktikat bashkëkohore, duke krijuar vepra të reja dhe inovative. Ndryshimi i stinëve në këtë “park të madh ëndrrash” ngjall për Nazmiun ritme të reja kompozuese dhe ngjyruese. Metaforat që mbështjellin pemët në periudha të ndryshme të vitit, këtë herë shfaqen në telajo duke sjellë një frymë më metafizike: atë çka artisti sheh i mrekulluar përtej shtëllungave ngatërruese të degëve të pemëve.

E tërë ekspozita, e shtrirë nëpër të gjitha hapësirat e COD-it, synon të kapsulojë thelbin e veprës së Nazmi Hoxhës, mikrokozmosin e tij, ku pasioni dhe përkushtimi luajnë një rol të rëndësishëm në format se si ai shprehet. Pikturat e Nazmiut nuk janë vetëm përvoja pamore; janë dialogë me shikuesin, që ofrojnë një vështrim në shpirtin e artistit dhe në kujtesën kolektive të një kulture. Trashëgimia e tij i përket bukurisë, emocioneve dhe kërkimit të paepur të së vërtetës artistike.

Nazmi Hoxha lindi në Tropojë të vjetër, më 15 tetor, 1955. Pasi mbaroi shkollën 8-vjeçare në qytetin e Bajram Currit, fitoi konkursin në liceun artistik “Jordan Misja”, Tiranë, dega pikturë. Pas përfundimit të liceut, në vitin 1979 vazhdon “Akademinë e Arteve të Bukura”, Tiranë. Më pas, ai emërohet “Mësues vizatimi” në shkollën 8-vjeçare të Tropojës së vjetër deri në 1984. Në vitin 1985-1987, punon me grupin e punës për ngritjen e muzeut “Bajram Curri”. Nga ky vit, emërohet “Mësues vizatimi” në fshatin Llugaj të rrethit Tropojë deri në vitin 1989. Në vitin 1990-1992 kalon në krijimtari të lirë, vendim ky i marrë nga “Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve”. Në vitin 1993 fillon punë në RTV Tiranë, te “Filmi Artistik” si piktor, pastaj si drejtor i “Filmit Artistik dhe Dokumentar”. Në vitin 2001 punon në kompaninë e sigurimeve “SIGAL” si piktor i reklamave dhe në 2003-shin, në “Qendrën Shqiptare për të Drejtat e Njeriut”. Në vitet 2006-2007 punon në Postën Shqiptare, në “Sektorin e Pullës”. Në vitin 2008 fiton llotarinë Amerikane dhe që atëherë jeton në Amerikë.

Aktiviteti artistik: viti 1981: ekspozita e parë vetjake në qytetin e Bajram Currit; viti 1987: ekspozitë vetjake në Pallatin e Kulturës, Tiranë; viti 1990: promovon ekspozitën në “Lidhjen e Artistëve dhe Shkrimtarëve”, Tiranë; viti 1991: ekspozitë vetjake në Galerinë e Arteve Figurative; viti 1992: ekspozitë vetjake në Muzeun Kombetar, Tiranë; viti 1995: ekspozitë vetjake në Galerinë e Arteve, Tiranë; viti 1996: ekspozitë vetjake në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës, Tiranë; viti 2005-2006: dy ekspozita të tjera në Galerinë e Arteve, Tiranë.

Çmimet e fituara: 1987, çmimi “Piktori më i mirë i vitit”, akorduar nga Këshilli Qendror i Rinisë; 1988, “Çmimi i dytë Kombëtar”, akorduar nga Këshilli Qendror i Rinisë; “Çmimi i tretë kombëtar në peizazh”, me rastin e 40-vjetorit të çlirimit të atdheut; 1989, “Çmimi i tretë në gazetari”, organizuar nga gazeta “Drita”; 2007, titulli “Ambasador i Paqes”, akorduar nga forumi “Imazh Media” si piktori i vitit.

Nazmi Hoxha jeton sot në SHBA dhe ushtron aktivitetin e tij artistik me ekspozita vetjake dhe në grup.

Hapur për publikun:

10 prill – 10 maj 2024

Orari i hapjes për vizitorët:

E hënë – e premte:

09:30 – 14:00/17:30 – 20:30

E shtunë: 17:30 – 20:30

Hyrja nga bulevardi kryesor

Filed Under: Opinion, Reportazh

“Gjuha është atdheu i shkrimtarit” – Panairi i tretë i Librit Shqip në SHBA

April 13, 2024 by s p

Arjeta Ferlushkaj Kotrri

Stamford, 7 prill, 2024

Foto: Kevin Warren

Më 7 prill, 2024, në orën 14:00, në ambientet e bibliotekës publike “Ferguson” në Stamford, Connecticut, u hap Panairi i Librit Shqip, edicioni i tretë.

Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i shoqatës, z. Mëhill Velaj, i cili, pasi përshëndeti të pranishmit, foli për qytetin pritës të këtij panairi, Stamford, si dhe bibliotekën “Ferguson”. Ai permendi punën e bërë nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, jo vetëm për këtë panair, por për çdo aktivitet tjetër. Z. Velaj uroi mbarëvajtjen e edicionit të tretë të Panairit të Librit Shqip në SHBA dhe më pas ia dha fjalën znj.Yllka Filipi, n/kryetare e Shoqatës.

Znj. Filipi iu drejtua audiencës në gjuhën angleze, ku ndër të tjera tha: “Kuintesenca e urës së padukshme prej drite që i lidh kombet në këtë ekspozim vlerash, shpalos shkëlqim, krenari, arritjet e një kodi të përbashkët gjenetikisht të shpërndarë nëpër të gjitha qelizat fjalës së gjallë, i radhitur dendur rresht më rresht në formën e dyfishtë të AND-së krijuese që dëshmon balancën e filozofisë së përkushtimit dhe dashurisë. Vetëm krijuesi, (poeti), vetëm ai di se si t’i kthejë pshërëtimat e atdheut në simfoninë më të ëmbël. Zemrën e atdheut që vuan,e ndien vetëm zemra e krijuesit (poetit).”

Fjalën e radhës e mbajti presidenti i Shoqatës, z. Adnan Mehmeti, i cili përshëndeti auditorin dhe u shpreh se shpresonte që kjo përvojë të jëtë një udhëtim frymëzues për ta. Z. Mehmeti përmendi që në këtë panair kemi një shumëllojshmëri zhanresh dhe historish prej autorëve të rinj por edhe të mirënjohur. Presidenti i Shoqatës pohoi se: “Panairi i Librit Shqip në Amerikë ka një identitet ndryshe dhe në veçanti, synon të përhapë kulturën e leximit dhe të promovojë veprat e shkrimtarëve shqiptarë për një audiencë të huaj.”

Z. Mehmeti e përmbylli fjalën e tij duke bërë falenderimet për të gjithë shkrimtarët, sidomos për ata që kanë ardhur nga larg, për lexuesit, për median dhe të gjithë ata që ndihmuan në organizimin e këtij panairi. Një falenderim më vete shkoi për Departamentin e Kulturës në Bashkinë e Stamford-it, për gjithë mbështetjen e dhënë.

Z. Velaj ftoi Anëtarin e Nderit të SHSHSHA-së, shkrimtarin Visar Zhiti të mbajë fjalën e tij të rastit. Mes emocioneve dhe pas falenderimeve për pritjen e ngrohtë, z. Zhiti tha: “Na mblodhi ky panair i vogël në Amerikën e madhe prandaj edhe kuptimi i këtij panairi është i madh. Ne jemi autorë shqiptarë që nuk kemi mërguar nga gjuha amë dhe gjuha është atdheu i shkrimtarit. Ne jemi lexues edhe të librit shqip dhe libri është kujtesë. (…) SHSHSHA-ja me këtë panair të librit po kryen një akt kulturor me rëndësi sepse, librin shqip, nga një vend i vogël dhe i përvuajtur i Ballkanit, e sjell në vendin më të fuqishëm në botë, në superfuqinë kulturore. Librin shqip të një kombi të lashtë, e sjell tek një komb modern, ky bashkëveprim, është mirëkuptim, është miqësi, është liri, është mbështetje.”

Anëtarja e shoqatës, znj. Arjeta Ferlushkaj Kotrri u shpreh: “Aktivitete të tilla janë të rëndësishme për t’u ndjekur sepse na bëjnë të takohemi me njëri-tjetrin dhe me lexuesin. Sa herë që takohemi, pas çdo panairi, pas çdo libri të shkruar/botuar, ne vijmë ndryshe. (…) Panairet e librit shqip në Amerikë nuk janë e nuk kanë pse të jenë të njëjtë si ato që bëhen në Shqipëri. Ne kemi të tjera misione shtesë, për të cilët duhet të jemi të qartë që në fillim (ajo që quhet “Utile”), por kjo nuk do të thotë që mund të mos tregojmë vëmendje ndaj literaritetit, pra cilësisë së fjalës si art.”

Kryetari i SHSHSHA-së, Z. Velaj bëri një falenderim për mbështetësit e këtij panairi: Nazim Salihu (Noli), Skender Pali, “Albanian Dream” nga Eva Dori, Pal Dushi, Mëhill Gjuraj, Sergio’s Pizza dhe Dedë Lleshi.

Një moment që shoqëroi panairin e sotëm ishte edhe mbajtja e një minuti heshtje për shkrimtarët që nuk jetojnë më, si: Naum Prifti, Dalip Greca, Luigj Çekaj, Xhevdet Bajraj dhe Guri Stefani. Për secilin prej tyre, SHSHSHA-ja ndau nga një çertifikatë mirënjohjeje, të cilat u tërhoqën nga përfaqësues të familjeve të tyre.

Me çertifikatë mirënjohjeje u nderuan edhe tre Anëtarët e Nderit të Shoqatës, z. Visar Zhiti dhe Sami Repishti, Carrie Hooper, gjithashtu edhe anëtarët: dr. Bexhet Asani dhe Arjeta Ferlushkaj Kotrri, mirënjohje që u ndanë nga kryetari z. Velaj dhe presidenti z. Mehmeti. Ky i fundit, kishte rezervuar një surprizë për kryetarin në ikje z. Velaj, ku pas falenderimeve për punën e bërë, z. Mehmeti i dhuroi një pllakatë mirënjohjeje për kontributin mbi 20-vjeçar të z. Velaj pranë SHSHSHA-së. Një përshëndetje të shkurtër për panairin e librit e bëri edhe shkrimtarja Tanya (Hyonhye) Ko Hong, libri i së cilës është përkthyer në gjuhën shqipe (“Mother to myself”).

Në përmbyllje të ceremonisë hapëse të panairit, z. Velaj ftoi lexuesit dhe shkrimtarët që të takohen me njëri-tjetrin, të shkëmbejnë libra dhe autografë. Më pas, ai prezantoi tek të pranishmit anëtarët më të rinj që i janë bashkuar SHSHSHA-së së fundmi: Gjon Fran Ivezaj, Eva Dori, Aurel Naci, Nosh Mernacaj, Sami Mulaj, Azgan Perbati dhe Nexhmedin Syla.

Përfaqësuesi Bashkisë së qytetit të Stamford-it, z. Aaron Miller u ftua nga presidenti i SHSHSHA-së për të përshëndetur auditorin. Z. Miller u shpreh se jemi krenarë që kemi në qytetin tonë një komunitet shqiptar kaq të suksesshëm dhe i uroi suksese të gjithë shkrimtarëve.

Pjesë e panairit ishte edhe një mini-ekspozitë me piktura dhe punime dore të realizuara nga Ramiz Mujaj.

Kryetari i SHSHSHA-së, Z.Velaj e bëri mbylljen e panairit duke bërë një kalim tek tavolina e secilit shkrimtar pjesëmarrës, kalim të cilin e shoqëroi me një prezantim të shkurtër për autorin në fjalë dhe titujt e librave të tyre.

***

Panairi i Librit Shqip në Amerikë, edicioni i tretë, numëron pjesëmarrjen e mbi 30 autorëve: Visar Zhiti, Adnan Mehmeti, Mëhill Velaj, Yllka Filipi, Bexhet Asani, Daisy Elbasani, Tushe Saliaj (Rrapaj), Lufti Brami, Premisa Muca Kerthi, Erlinda Pysqyli, Demir Rusi, Rukiana Kasemi, Lela Qejvani, Suzana Vangjeli, Majlinda Pajaj, Bora Balaj, Merita Prenga, Gjon Fran Ivezaj, Gjeto Turmalaj, Sami Mulaj, Kastriot Fetahu, Selman Dervishi, Luigj Çekaj(përfaqësuar nga e bija), Nexhmedin Syla, Azgan Berbati, Arjana Fetahu Gaba, Ramiz Mujaj, Pal Ndrecaj, Nosh Mernacaj, Sergio Bitiçi, Idriz Lamaj, Arjeta Ferlushkaj, Simon Dervishi Mani, Hamid Alaj, Age Ivezaj Gjokaj.

Ky panair u realizua mbas 14 vitesh nga edicioni i dytë, i cili u mbajt në New York në vitin 2010. Mendohet që tashmë ky panair do të bëhet një traditë çdo tre vite.

Edicioni i tretë i Panairit të Librit Shqip në SHBA u mbyll me shkëmbime librash mes autorësh, me dhënie autografesh për lexuesit dhe shkrepje të fotografive, duke përjetësuar çaste të tilla në arkivin e SHSHSHA-së dhe komunitetin shqiptar në Amerikë.

*Shënim: në mbyllje të panairit, anëtarët e SHSHSHA-së zgjodhën kryesinë e re: kryetare u zgjodh dr. Yllka Filipi, n/kryetare u zgjodh Arjeta Ferlushkaj Kotrri, sekretar u zgjodh dr. Bexhet Asani.

Filed Under: LETERSI

Eklips zemrash

April 13, 2024 by s p

Poezi nga Rafael Floqi/

Big Brother story

Në shtetin distopik të dashurisë së frikës,

ku meritokracia është burgosur prej kohësh

kur këmbanat e ndjekësve të Big Brotherit

përcillen me sytë e gjakosur nga pamjet.

Në ekranin e hollë të televizorit,

ku shfaqet një realitet, një fatkeq i vërtetë,

“Big Brother Abania” – një lavdi e paradoksale,

Kamera të hapura, por njerëz në burg për jetë.

Në atë shtëpi, si një kopsht të mbyllur,

ku njerëzit bëhen lojtarë, për publikun

e të shtrënguar, shfaqin emocionet e tyre,

në ekranin e shkretë.

E zbulohen me kamera gënjeshtare

ndërsa jeta e tyre u mbetet e retushuar

si indi i papërfunduar një drame.

Ku secili personazh televiziv i saj,

hap sytë për të fituar ndjekësit e vet.

kufizimet që erdhën prej pandemive dikur,

sot shmangen ndoshta,

por emocionet e tyre ende s’pushojnë,

ato gjallë mbeten përsëri, si heshtja

që si unë dhe ti, e di si.

Sot pat një grusht përjashtimi,

një dramë e re, në TV “kush hyri e kush doli”,

skena e vërtetë

që rrethon një spektaklin

e këtij show

“Big Brother Albania”.

Dhe prej aty

mëson diçka të madhe, të pamatë

se realiteti gjithnjë është më i çuditshëm

sesa çdo imaginatë.

Mendoni “A do të jetonit dot në një shtëpi mbyllur

për muaj të tërë”,

me njerëz që duan t’u hanë,

do të çmendeshit për besë fare.

Por mos u shqetësoni!

keni shumë për të parë.

Përjetoheni atë në ekranin tonë të gjerë!

Njerëz dashuruar me një joshje të fshehta

me sytë e tyre si kamera

me zemrat e tyre si dronë

në rrugët e përshkuara me LED

dhe nga sensorë AI pandjenja.

Sot gjindja shpalos dashurinë e vet,

sa me “emoji”, sa me “like”, sa me klikime,

dhe për çdo kafshatë tjetër pëlqimi

ata brenda tregojnë histori të rreme

dhe fabula e legjenda trimërie…e zhgënjimi.

Dhe Big Brother vëzhgon mbi ta si Zot

me sytë e tij të mëdhenj të shkëlqyer,

ndërsa ata para tij ata përulin kryet

para predikimeve dhe urdhërave të përjetshëm.

Dhe pse nga brenda u zjen një pyetje e vjetër:

“Cili është armiku më i madh,

vetvetja apo konkurrenti tjetër?

Dashuria e tyre është si një lojë boshe

e transmetuar për të gjithë për ta parë

dhe ata veç luajnë rolin e vet,

me veten për veten.

duke qeshur apo duke qarë,

jashtë apo brenda vetes s’e di.

si aktorë në skenën e jetës së kontrolluar

nga kotësia e shenjtërisë së tij.

Por në thellësi, ndoshta edhe të vetë atyre,

të cilëve një shpirt u rri i ndrydhur

nga kërkimi për dritë, për liri, që shfryhet

që ndoshta një ditë, kur të dalin

do të shpërthejnë si rebelë

në atë vend survejimi

në atë pip show pa pagesë,

ku njerëzit paguajnë me historitë e jetës

dhe dashuri efemere ku fjala s*ks shkruhet me yje

me debatet e përmjerra si radhë uturaku

ku të grindeni kush është më luftaraku

dhe morali kërkon më kot fjalën ‘turp’.

“Ju e urreni atë. Mirë bëni. Ta urreni!

Por sidoqoftë dijeni ka ardhur koha

që ju të bëni hapin e fundit,

duhet ta doni Big Brother! Ta doni!

Nuk mjafton t’i bindesh: duhet edhe ta duash,

si vasal, dhe derrit dajë t’i thuash!

Kështu në ekranin e hollë të televizorit,

shfaqet një realitet, një shpirt “i vërtetë”,

“Big Brother Albania” – një lavdi, gjith’ “jetë”,

kamera të hapura, por njerëz në burg,

çfarë mund të shpresojmë më shumë,

nga një spektakël televiziv në atë vend

ku absurditeti duket si parajsë e përhershme

e cila, fatkeqësisht, vazhdon të pëlqehet?

-Ndaj, ktheje kanalin tek Big Brother.

Ktheje!

Eklips zemrash

Në hijen e vallëzimin të zjarrit diellor,

Në agun e drojtur të një qafimi hënor,

Dy shpirtra ngërthehen me yshtje plot

Në një puthje ku kompletohen dy botë.

Nën përqafimin e diellit gjith’ dritëhije,

Buzët të etshme, një simfoni hijeshije,

Befasi efemere, një lumturi kalimtare,

Në eklipsin e joshjes, me puthjen e parë.

S’ka errësirë këtu, por vetëm truk drite,

Një bashkim qiellor, pa ndrojtje frike,

Zemra që rrahin e dridhen sinkron,

Për heshtjen e eklipsit, dashuria jehon.

Në skenën e qiejve e yjeve të ndritshëm,

Një puthje, astronomike të pazgjidhshëm.

Fshehja e diellit, eklipsi i dashurisë,

Dy shpirtra bashkuar, drejt përjetësisë.

Ai Diell e ti Hënë e hija bjerret ngadalë,

Kjo puthje mbet si legjendë e pa fjalë.

Datën për jetë do ta mbajnë mend,

Me një puthje amshimi u ngjiz në moment.

Përsiatja e Narcizit me Refleksin

Në përqafimin e pasqyrës,

i humbur në kënaqësi,

Narcisi, suprem merr pozën e krenare.

Çdo shikim, çdo pamje, simfoni adhurimi

një spektakël i dashurisë për veten,

tretet idhësisht në pafundësi

besimi tek vetaj e tij.

Oh, Narcis,

me egon tënde kaq madhështore,

që këtë botë askush si ty tjetër

nuk mund ta kuptojë.

veten e vetes të vetvetes

Refleksin, sharmin tënd,

në shkëlqimin e rrezuar,

të Mbretërisë Supreme të Unit.

Zgjohu sot, njeri, prej gjumit,

shpalos “bukurinë” e mendjes sate

për të çuditur të gjithë.

Por, jo mos e shpall

dekretin me aq mendjelehtësi,

poshtë mbulesës së një fasade,

ku një zemër si pezhishkë e çjerrë

nga era luhatet në sa ora

e gënjyer

me mirazhet e hijes sate prore.

Se koha e vjetër e famës kishte rëndësi,

se kotësia jote zjarr tek ty përvëlohej,

Megjithatë, nën hije,

lidhja e vërtetë shprishej,

e qeshura jote jehonte kalbjen,

e zbrazët dhe të ftohtë acar

si pikëllimi dhe gëzimi i një sulmi

me Facebook

që s’ të bën dot aq “guximtar”

e jo që jo, një figurë publike.

Në pallatin e tënd e brenda Unit,

facebuku ishte bedena

që e sulmonin të gjithë Don Kishotët.

E më pas zhgënjimi

në errësinën e frikshme rëkllehej

duke zbuluar kotësinë e qënies sate

së cilës i druheshe se kush mos e kuptonte

i druheshe se kush mos e kapte,

sa i vogël ishe në hijen e vetvetes

Oh, Narcis,

me shikimin zhbirues kaq të fiksuar,

mbi refleksin tënd të vluar.

Bëj kujdes! Vër mend!,

sepse në faltoren që ia ke bërë vetvetes,

shtrihet zbrazëtia e kotësisë së një jete,

si e një vemjeje të një shpirti

që duke u rritur qelbet.

Kënaqu me lavdinë sate, shijo refleksin e ëmbël,

Por kujto, Narcis,

fundin e fluturimit-ëndërr.

pasqyrën e krisur që plasaritet

gastaret dhe iluzionet që si zogj tremben.

Eja dhe rrëfeu vetes të vërtetën,

si qenie e zakonshme

që askush s’i beson

se ndryshe do të zhagitesh në muzg i vetmuar

në indin e jetës që vetë e pate thurrur

duke u mburrur

me mendje që kur ke lindur…

Se ç’mbolle do të korrësh,

kjo dihet

dhe për këtë, të jesh i bindur!

Filed Under: Kulture

Zemërimi kontrollon problemet dhe lufton nihilizmin

April 13, 2024 by s p

Alfons Grishaj/

Shumë njerëz mendojnë se gjëja më e mirë është që problemet duhen shuar ashtu si ndizen, pa trajtuar shkakun dhe pasojën. Sipas mendimit tim, kjo psikologji përrallash u lë hapësirë gabimeve të ripërsëriten, duke mos pas mundësi t’i njohësh në brendësi, luftosh e korigjosh ato.
Në këto raste, ka persona që në mungesë të njohurive bazë bëjnë analiza qesharake. Nuk ke si të bësh një analizë pa ditur thelbin e problemit me informacion të detajuar, përfshi shkakun që ka sjellë ngjarjen! Ka të tjerë që i dinë, por i tjetërsojnë kahjet sipas oreksit dhe shërbimit klanor, duke përçudnuar veten, qëllimin dhe historinë.

Fatkeqësisht, shqiptarët si asnjë komb tjetër në botë, marrin përsipër të bëjnë të zgjuarin vetëm me një paraqitje të shkurtër, me një telefonatë apo me një status pa detajet e nevojshme për të gjykur për mirë ose për keq. Kjo tregon se qytetërimi ynë është shumë larg realitetit, shumë larg mençurisë humane, se për profesionalizëm ?! Pak mund të bëhet fjalë, ngaqë 90% e rasteve janë nul!

Disa mendojnë se zemërimi dhe ngritja e zërit nuk janë justifikuese për mohimin befasues të rastit, që risjell problemet e akumuluara në kohë të ndryshme, vite që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në ndërgjegjet flagrante të një shoqërie në rritje, që kërkon realizimin e ëndrrës si kombet tjera, të cilët i arritën 100-200 vite më parë. Kjo ndodh se dëgjuesi dhe “vëzhguesi” ynë nuk është interesuar për të shkuarën dhe të ardhmen, por vetëm për të sotmen, sepse nuk ka qenë pjesë e proçesit të zhvillimit, por i rastësisë, mbase dhe parazitizmit pasiv dhe propagandës agitpropit gënjeshtar, Leninist. Kjo propagandë u shqua dhe në ditët e fundit në përhapjen e lajmit fake të vdekjes mbretit të Anglisë, Charls, dhe teoritë konspirative rreth sëmundjes princeshës, Kate. Lektisja agitprop pasqyrohet më tepër në moshat e prekura nga propaganda e kuqe, që ka reflektuar ndjeshëm në brezin e pseudogazetarisë së re, duke e përçudnuar ndjeshëm në pellgun e cektësisë dhe kotësisë alogjike.

Për të korigjuar dhe ecur përpara duhen iniciatorë, vizionarë, përçues të bukurës, mendimtarë, historianë, novatorë. Sikur t’a pyesje një të “zgjuar”, – ku u shpik parfumi për herë të parë ? Ai pa u menduar do përgjigjej- në Francë! Paditur se parfumin për herë të parë e shpiku një zonjë nga Mesapotamia, dy mijë e ca vjet të shkuara, e quajtur, Tapputi. Pra, njeriut aksident gjuhëshkurtër nuk i duhet udha e dijes, pema gjinekologjike e nënës, babait, deri në ditën e lindjes, por lindja e tij shpërthen dhe mbyll ciklin e njohjes!

Po u sjell dhe një ilustrim natyral që mund t’a gjeni lehtë në internet: Bill Gate, shkon në një restorant. Pasi hëngri … i la kamarierit dhjetë dollarë bakshish. Kamarieri rrudhi fytyrën sepse nuk ishte i kënaqur me bakshishin. Bill e pyeti, – çfarë ndodhi ? Kamarieri iu përgjigj: “Isha duke menduar se, në të njëjtën tavolinë ka qenë ulur më parë dhe vajza juaj, e cila më la 200 dollarë. Ndërsa ju, babai saj, njeriu më i pasur në botë… 10 dollarë?!” Bill Gates qeshi: “Ajo është vajza e njeriut më të pasur, por unë jam biri i një avokati të zakonshëm!” Morali i kësaj thënie është: mos harroni kurrë të shkuarën tuaj. Të rinjtë mendojnë se dinë gjithçka. Nuk u bëhet vonë për sakrificat e arritjes , qoftë dhe shkatërrimin e atyre arritjeve brenda një nate, për arsye se ekstaza dhe besimi në vetvete e kalon kufirin e mundit të konsumuar pa u vënë re.

Nihilistëve nuk u interson çfarë ka ndodhur, për shkak se psikologjia e tyre nuk mund të bëhet kurrë pjesë e proçeseve të zhvillimit, andaj ata kërkojnë në çdo rrethanë t’a mbyllin boshllëkun duke lënë lëkurën e iriqit në duart e tjetrit. Qesharake është se shumë bëjnë maratonistin, pa qenë aspak në maratonë, duke deklaruar: “Ehe , unë e bëj këtë vrap prej 20-30 vitesh. Prandaj kam menduar se prania e ime do vlente si experience për të arritur në finish.” Raste të tilla duhet të merren si shaka… nëse jo, duhet të bëhet e mundur të largohen nga pjesa reale që mban gjallë motorin e gjenerimit për trofe. Ingranazhet e tepërta në një shpikje të njohur janë si superngjitëse në këpucët e një zotërie për t’a ngadalësuar hapin e tij…

Sa më tepër t’a jetojmë ndjeshëm dhe ndershmërisht realitetin e jetës dhe problemet, aq më tepër çmojmë dhe vlerësojmë frymën dhe “nervin zemërues” si udhëzues në destinacion…Nihilistët e mohojnë këtë ! Mohojnë realitetin, duke e futur problemin nën lëkurën e një gjarpëri që zvarritet gjithë jetën.…

Nihilizmi është doktrinë filozofike e dyshimit dhe mohimit, ashtu siç thoshte Niçe, “Jeta është pakuptim”… Po nëse “jeta do të ishte pakuptim”, atëherë përse duhet t’a kërkojmë të bukurën, përse mundohemi të bëjmë më të mirën e mundshme për familjen, shoqërinë dhe kombin? Përse duhet të robtohen njerëzit në një jetë pakuptim? Me të tilla broçkulla, nihilistët nuk akomodojnë asnjë shoqëri, nuk sjellin asnjë shpresë për ndryshim, bile dhe për familjet e tyre janë të pavlerë se nuk e kanë formimin elementar për të gjykuar drejtë, ngaqë notojnë në një oqean abstrakt dhe kontradiktor, në një hapësirë iluzive pa këmbë në tokë. Mohues të thekur dhe asnjëherë të kënaqur me çfarë shohin dhe prekin i bën anormalë dhe tepër të bezdisshëm.

Për mendimin tim, format e nihilizmit nuk janë të dobishme për brumin e përdheshëm të njeriut. Mbase ”Nihilizmi moral”, një nga format e nihilizmit duhet debatuar filozofikisht dhe praktikisht. Format e nihilismit janë disa : Nihilizem Ekzistencial (mosbesues në Zot dhe në një jetë tjetër. Dhe pse, Kiekergaad u mundua t’a shjegonte atë në një form tjetër, nuk qe efikas me kohen), “Nihilizmi Metafizik”(Një botë që nuk ka asgjë konkrete, nuk ekziston) ,“Nihilizmi Mereologjikal” (nuk ka pjesët e duhura të objektit), “Nihilizmi Parcial” (Idea e disa objekteve organike ekzistojnë, të tjerat janë vetëm iluzion), “Nihilizmi moral” (Studimi i gjuhës morale. Nuk ka moral absolut, por varet prej formave që i jep njeriu). Ndërsa unë mendoj se , ka moral absolut që e bën njeriun ndryshe nga kafsha…Ky moral është: webi i pakorruptuar i ndërgjegjes! Gjithçka tjetër vlen për mendimtarë shumë “dimensional”, që nuk kanë pasur asnjëherë liman në dimensionet e proklamuara në të cilat notojnë. Pauperizmi i “arsyes suprime” është një ëndërr letargjike që nuk krijon dalje në det të hapur për një frymëmarrje të gjerë, por përkundrazi, asfikson dhe godet arsyen e kulluar (hyjnore) si skifteri folenë e kardinalëve-shpendë që janë lajmëtarët e fatit dhe shpirtërave.

Armiku i nihilizmit është ndjesia e përditshme e jetës së prekshme, djersa, labirinthet e njohura dhe të panjohura, që e bëjnë njeriun më të fortë, më të pregaditur për dallgët e zhgënjimit, e cila ndez zemëratën si shkrepje elektrike duke vënë në punë motorin. Pra, nervi është rrufeja që shkarkon oksigjenin në ndërgjegjen e zgjuar, në mushkëritë pa “edemë polmunare” drejt një patosi frymëdhënës.

Disa mendojnë se zemërimi mund të sjellë dhe pasoja, mund të sjellë verbësi, mund të sjellë mosarsye, mund të sjellë ekstremizëm?! Unë mendoj se jo! Ne flasim për zemërimin e arsyes së kulluar, që pasqyron shkakun dhe korigjon pasojën. Nëse pasoja kalon kufinjtë e korigjimit të shkakut, këtu kemi një deformim të mjetit për të justifikuar qëllimin në dimensionin “black hole”.

Në botën e qytetëruar, njerëzit pa tëmth, pa nerv, pa integritet, pa amorprop, nuk shërbejnë për asgjë, biles as për të gjuajtur peshk me kallam. Përpjekja e tyre për protoganizëm bëhet pjesë përbërëse e kaosit, që nuk arrin asnjëherë fitoren e një audience kualitative.
Pragmatizmi i perëndimit e bën menjëherë dallimin e qaramanëve dhe fallsitetin nihilist, pemën që prodhon fruta me atë dekorative. Pragmatizmi nuk ka kohë për të humbur, prandaj si një light detector, teston dhe zbulon të pavërtetat e thëna, duke ndarë aktrimin banal prej atij profesional.

Nihilistët, asnjëherë nuk janë në gjendje t’a mbushin një tavolinë të “fortish” në një amfiteater gladiatorësh, sepse ata vetë janë spektatorë dhe gladiatorë. Janë drejtorë dhe aktorë pa audiencë duartrokitësish dhe vlerësuesish. Heshtja mbretëron në shkallët e betonit (amfiteater) pa brohoritje … por vetem heshtje si rrasa varresh, duke i bërë nihilistët varrmihës të vetvetes.

Në filozofi shkruhet: “ Anger control issues”… se po të mos ish kështu, as Abraham, Mosses, Aleksandri Madh, Pirro , Khalid Ibn Walid R.A (njohur si, Sejfulla= Palla e Zotit), Skenderbeu, George Washington, Teodor Rusvelt, Napoleoni, Ismail Qemali, Ahmet Zogu etj… nuk do ndërgjegjësonin kombet për t’u ngritur në këmbë, për të jetuar ditët e sotme që gëzojmë .

Disa bëjnë si “pacifistë” (e kam përsëritur disa herë), duke shpërthyer në nevojtoret mediatike me një përvujtni hipokrite. Paraqitja e tyre komike nuk lëviz asnjë nerv civilizues shoqëror, ngaqë çdonjeri e kupton se persona të tillë nuk mund të jenë kurrë në bordin e kapitenit anijes si kompas. Ky fakt zhvleftëson kukullat e vitrinave dhe siluetat e fantazmave pa emër që duan të bëjnë melodrama eksluzive. Protoganizmi imponues nuk është efektiv as për të qepur një tegel manxheti që të shpengojë këpucët nga kurthi i stërgjatë i stofit që shkërryen tokën nga rrobaqepësi i keq.

Shoqëria civile vizionare e ka shumë të vështirë të jetojë më një shoqëri pesimiste-nihiliste, sepse kahjet janë të kundërta. Njëra gëzon duke ndërtuar dhe tjetra mohon! Nihilizmi është buldazer imagjinar për të “lëruar” shkëmbinjtë, por asnjëherë për të ndërtuar e zhvilluar emancipimin dhe novacionin njerëzor.

Njeriu i mirë e ka shumë të vështirë të bëhet gjahtar mjaullimash, por shumë lehtë të bëhet kolektor shpirtërash në një patos mendjendriturish…shtruar në lëndinën e dijes ku të gjithë janë të barabartë, mbase dhe me mangësi të dallueshme, por inteligjentë…
Aty shpirti lartësohet dhe ndjen aromën e jetës në shkallën më të lartë të ndjesisë njerëzore.

Nihilizmi nuk ka paraqitje konceptuale zhvilluese në univers, por shkatërrues i gamës jetike në kazanin iluziv abstrakt. Nihilizmi mund të përdorej në kohën e “Kristian topografi”, deri në momentet e Xhordano Brunos, kur tha: “E pursi muove!” Pas kësaj, pjesa dërmuese e koncepteve nihiliste mbeten iluzivo- depresive. Ka dhe budallenj kozmikë që e shohin universin pa yje (me drita) dhe tokën të sheshtë si tepsi. Ata mendojnë se i gjithë universi është një megascreen komerciale e ca shitblerësve gjakpirës të “Kupolës”…Këtyre budallenjve u jepet mundësia t’i shfaqin “zbulimet” e tyre konspirative në nevojtoret mediatike shqiptare. Në perëndim, asnjë TV serioz nuk do t’a merrte mundimin për aventura të tilla, sepse mungesa e seriozitetit do të humbiste shikueshmërinë dhe interesin deri aty sa të humbisnin dhe biznesin. Megjithatë, kombet e pazhvilluara i kanë për zemër çudirat dhe çudibërësve zor mund t’ua gjesh burimin shterpë.

Kurrësesi, bota nuk mund të lundrojë dhe të zhvillohet në konceptin pesimist të Shopenhaurit: “Njeriu është lodër e pulsimeve të tij dhe jeta nuk ka kuptim.” As lojën “hegjemonike” Turgenjeviane, kur thotë: “Unë shikoj qiellin vetëm kur dua të tështi!”. As në proklamimin nihilist të Nitzches, që thotë, “Zoti ka vdekur” (huazim i Shopenhaurit). Njeriu ka nevojë për ëndrrën qiellore, për “fizikën kuantume”, për Zotin, për dashurinë… sepse lundrojmë në sistemin ndërplanetar, në qiell…dhe jemi pjesë e zinxhirit matematik. Në qoftëse qielli nuk do ish i përsosur në rrotullimin e Orëbërësit, Demiurgut, nuk do të kishte përllogaritje fizike, do të kishim vetëm përplasje kozmike, kaos dhe doomsday…Përsosmëria e përmasave dhe përllogaritjes u pasqyrua dhe në eklipsin e fundit me, 8 Prill 2024 .

Nihilizmi është mbretëria e thyersve të ligjeve të Zotit. Dhe pse Bibla ka lindur para termave që përmendëm më lart, në Bibël është një shprehje për thyerësit, “Tit for tat!” që do të thotë, “Dhëmb për dhëmb!” Kjo idiomë u përçua përmes kombeve si shkop magjikoligjor për të korigjuar mohuesit(nihilistët)!Laramanët dështakë mundohen, t’a shesin këtë shprehje : “ekstreminitet”, “ANGER !!” Për më tepër, kjo fjalë nuk ka lidhje me “estrogen dhe progesterone” që mund t’a ketë problem ndonjë “mike” që tund kokën e saj si Meduza…

Megjithatë, Superlibri i Shenjtë, dhe pse në atë kohë nuk kish TV…, në “Dhjetë Urdhërimet” paralajmëron: “Thou shalt not bear false witness.”
Prapë se prapë ky urdhërim shkelet nga njerëzit falls me qëllime nihiliste, që gënjejnë pa pikën e turpit dhe pse shkojnë në Kisha, Sinagoga e Xhami, biles gjuajnë me gurë dhe shpifin bash në ditët e shenjta që përbëjnë mëkat mortal, si në muajin e shenjtë të krezhmeve dhe, bash në ditën e shenjtë të Bajramit !!

Por le të kthehemi në thelbin e shkrimit. Bibla na tregon rrugën se arsyeja e zemërimit të jep forcë dhe kurajo. Të jep frymëzim si t’a fitosh lojën e pistë me gjykim të pastër, si të jesh vendimarrës dhe i sigurtë në ballafaqimin e problemeve… Si t’a përdorësh zemërimin e arsyes kulluar si adrenalinë në qëndresën për fitore. Ky është mesazhi i Zotit që i dha forcë Moses, për idenë e shpëtimit popullit vet, por dhe kur ngriti “duart lart” në fitoren e betejës parë nga Izraelitët, pas largimit nga Egjypti.

Zemërimi çliroi dhe krijoi kombet që kemi sot… Zemërimi është balsam dhe anti-todi i shoqërisë civilizuar në një standart logjiko-human për shoqërinë e prapambetur amorfe. Sikur mos të ishte kështu… përse u zemërua Zoti, kur paralajmëroi, Noen, që ai të pregadiste arkën për një fillim të jetës njerëzore dhe specieve mbi dhe?

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • …
  • 61
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT