• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2024

VATRA dhe MAASBESA, takim për të mirën e komunitetit shqiptar

April 10, 2024 by s p

Kryetari i degës së VATRËS në Boston, z. Mentor Maksutaj, pati një takim të ngrohtë dhe miqësor me dy drejtuesit e lartë të organizatës shqiptare MAASBESA. Z. Maksutaj, bashkë me sekretarin e VATRËS, z. Flamur Vezaj, si dhe vatranin z.Albert Maksutaj, u takuan me kryetarin e MAASBESA, z. Sokol Lushllari, dhe zv/kryetaren znj.Jorida Qirollari, duke i uruar ata për rizgjedhjen për dy vite të tjera në krye të organizatës shqiptare që kryen aktivitete në të mirë të komunitetit për më shumë se 18 vite.

Gjatë takimit, u diskutuan shumë tema të ndryshme për të mirën e komunitetit shqiptar në Massachusetts, dhe u konsensusua që organizatat shqiptare duhet të jenë të bashkuara dhe të kenë një zë para shtetit amerikan.

Në parim, VATRA dhe MAASBESA morën iniciativën për të mbledhur dhe takuar të gjitha organizatat shqiptare, në mënyrë që të mundësohet një takim me zyrtarët e qytetit të Bostonit dhe guvernatorin e Massachusetts në emër të komunitetit shqiptar.

Po ashtu, diskutuan për organizimin e një fushate për të mbledhur ndihma dhe për të dërguar ato në Shqipëri dhe Kosovë.

U diskutua edhe për organizimin e aktiviteteve të përbashkëta për të mirën e komunitetit shqiptar në Boston gjatë muajve të ardhshëm, bashkë me shoqatat tjera shqiptare.

Në fund, por jo nga rëndësia u ra dakord që bashkimi i të gjitha organizatave shqiptare për festat kombëtare është shumë i rëndësishëm për të gjithë komunitetin tonë.

Filed Under: Komunitet

Frasnita arbëreshe, një hap të rëndësishëm për mbrojtjen e gjuhës lokale arbëreshe!

April 9, 2024 by s p

Nga Ornela Radovicka

Qendra Albanologjike mbi gjuhën dhe kulturën arbëreshe themeluar nga At Bellusci 1980/

Bashkia e Frasnitës\ Frashineto,e para Bashki arbëreshe në Klabrinë Kontinentale, që ka vënë në përdorim administartiv gjuhën arbërishte, si gjuhë të zyrtarizuar krahas italishtes. Në datën 30 Mars 2024 me rastin e promovimit të librit të poeteshës popullore Maria Marku, nga Eianina (ngulim arbëresh në Kalabri), iu dorëzua ne forme simbolike (poeteshës  ne fjale) certificata e parë lëshuar nga gjendja civile e Frasnitës  në dy gjuhë; arberisht  dhe italisht. Mundësinë për të përpiluar dhe përdororur një certifikatë të tillë ia jep ligji italianë 482\99. Në bazë këtij ligji popullsia arbëresh që shtrihet në shtatë rajonet me popullsi historike kane të drejtë të vendosin në përdorim gjuhën amëtare. Kjo ngjarje është një hap drejt asaj rruge për ringjalljen e gjuhës arbërore, gjuhës lokale, si dhe hap një dritë jeshile për komunat e tjera arbëreshe  që të promovojnë gjuhën e tyre lokale për të mbrritur në  njehësim gjuhe të përbashkët të 52 ngulimeve arbëreshe.

Kjo ngjarje u arrit me miratimin e Kryetarit të Bashkisë së Frasnitës Z. Angelo Catapano, këshilltares mbi gjuhën dhe kulturën arbëreshe Z. Caterina Adducci  dhe të palodhrit , këmbngulësit, mbrojtësit të gjuhës lokale të varjanit arbërisht, profesorit Agostino Giordano, i cili është themelues i së vetmes gazetë shkruar në arbërisht “Jeta Arbëreshe”,  dhe që vazhdon me mish e me shpirt  të punoj për të mbajtur gjallë këtë gjuhë. Sot në një farë mënyre të gjithë ata albanolog që u lindën dhe u rritën në Frascineto,që tani i përkasin qiellit sot me siguri janë në këtë  kozmo si ato xixëllonjat që përhapin pranverën. Edhe At  Bellusci u mallëngjye, e dy lot i rrëshkitën nga sytë  kur e pa më në fund këtë certifikatë të realizuar. Në këtë ligj janë të përjashtuar 10 mijë arbëreshë të Torinos, si edhe cilido arbëresh që nuk është banues në  shtatë krahinat me pakicë  popullsie historike.

Bota arbëreshe edhe pse e tkurrur prezantohet; Konservatore e një gjuhe arkaike e së djeshmes,  Përpunuese e fjalëve  të së sotmes, Komparativë e një etimologjie e së nesërmes, Edhe pse në miniaturë ajo është fanatike e rrënjëve të shpirtit si edhe të fjalës arbëroreqë ato të mos bëhen të gjitha, erë, tym, por të ngelen frymë.  …Të ringjallësh  këtë komunitet duhet të fillosh nga ajo  dozë humusi identiteti që ka të mbetur,  Pastaj ta spërkasësh me ndërgjegjen e të qenit arbëresh që përmblidhet në tezën: “Të folmi ashtu si na mbësonj mëma dhe tata.”

Arbëreshët i ngjajnë feniksit

Ringjallen edhe atëherë kur duken të djegur! Mbyll këto rreshta me shpresën që komunat e tjera në Kalabri e në krahinat e tjera të ndjekin këtë shembull! Në vijim  një fotokopje të një certifikatë në arbërishten e Frasnitës!

Filed Under: Sociale

“Total eklips of the fart”

April 9, 2024 by s p

Rrëfim satirik nga Rafael Floqi/

Dikur këndonim një këngë të njohur “Total eklips of the heart” Njëherë e një kohë, në një tokë jo aq të largët, na ishte një qytet i vogël në SHBA që priste me padurim ardhjen e një eklipsi të rrallë diellor. Banorët e qytetit po gumëzhinin nga emocioni, duke përgatitur festat e tyre të vëzhgimit, duke vënë syzet e eklipsit dhe duke vendosur projektorët e tyre të improvizuar me vrima. Ata nuk e dinin se qeshja do të eklipsonte ditën e tyre të zakonshme.

Eklipsi total filloi nga Oqeani Paqësor Jugor, teksa rajonet e para të Meksikës e vëzhguan atë nga bregu i Paqësorit. Rruga e eklipsit kaloi Meksikën dhe vazhdoi në SHBA duke kaluar përmes Teksasit, duke vazhduar në verilindje dhe më pas duke kaluar nëpër Kanada. Sipas NASA-s, mbi 300 milionë njerëz do të kenë mundësinë të përjetojnë qoftë edhe një eklips të pjesshëm. Në fakt, ky është eklipsi i parë diellor në këtë shekull që është i dukshëm në të tre vendet e Amerikës së Veriut, SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Ndërsa hëna filloi kërcimin e saj të ngadaltë përballë diellit, qyteti u mblodh në sheshin qendror, me sytë e stërvitur lart. Por në mes të uh dhe ahs, diçka e papritur ndodhi. Një plak, i njohur për harresën e tij, Xha Tomi kishte ngatërruar syzet e tij të eklipsit me syzet e notit të gruas së tij! Kështu ai qëndroi atje, duke ngulur sytë drejt qiellit, duke pyetur veten pse eklipsi dukej më shumë si një top gjigant diskoje sesa një mrekulli qiellore.

Ndërkohë, mësuesi i shkencave të shkollës lokale të Middle School ku mëson vajza ime Ori, që kishte sot vetëm gjysmë dite mësim , pasi mësuesi i Fizikës z. Smith, kishte bërë gjithçka për këtë rast. Ai kishte krijuar një konstruksion që përfshinte një teleskop, një pasqyrë dhe një rosë gjigante që fryhet (mos pyet se pse, për të parë si veprojnë kafshët vallë). Por ndërsa eklipsi arriti kulmin e tij, rosa e fryrë vendosi se ishte koha e përsosur për një arratisje madhështore, duke ecur me konfigurimin e kalibruar me kujdes të zotit Smith në tërheqje. Kaosi pasoi ndërsa zoti Smith vazhdoi projektin e tij “mashtrues shkencor”, duke i lënë të gjithë nxënësit dhe banorët e qytetit të qeshura.

Ndërsa vajza ime do të vazhdonte vetë një eksperiment tjetër , nëse e zë lentën e telefonit me xham të errësuar a mund ta shoh unë diellin. Po dielli s’dukej gjëkundi. Dikush nga shoqet e saj kishte shkuar në një cep të Michiganit i cili ishte i vetmi vend ku kishte “Tottality” d.m.th errësitë e plotë që vjen nga një fjalë me “4 t”. A po shqip do të thotë “ zi pisë” apo dhe kjo fjalë sipas teoricienëve të bashkimit të rrokjeve ka ardhur “ Nga ajo që foli Toti”.

Pikërisht kur ata menduan se dita nuk mund të bëhej më e çuditshme, teoricieni konspirativ i qytetit, me origjinë shqiptare ….., doli nga bunkeri i tij që imiton ato të Enverit , i veshur me një kapelë prej kallaji dhe i armatosur me një megafon. Ai filloi të bërtiste në lagje për pushtimet e alienëve dhe mbulimet e qeverisë, duke pretenduar se eklipsi ishte thjesht një taktikë devijimi për t’i larguar ata nga e vërteta e vërtetë. Është e panevojshme të thuhet se veprimet e tij vetëm sa e shtuan spektaklin komik që u shpalos para tyre. Një tufë burrash fluturoi nga kafja e Jarit më shpejt se një trumcakësh. Po është vërtetë se zogjtë ishin fshehur, dhe qenit të komshinjve s’ ja mbante të dilte në rrugë për të më përmjerrë pemën.

Herën e fundit që një eklips total diellor kaloi nëpër këtë qytet, kuajt dhe karrocat mbushën rrugët dhe pambuku arriti 9 cent për paund. Gati 150 vjet më vonë, një gjë nuk ka ndryshuar: kërcënimi i reve që bllokojnë pamjen. Qiejt me vranësira parashikohen të prishin mrekullinë kozmike të së hënës në të gjithë shtetin, tashmë të mbushur me ndjekës të eklipsit për kënaqësinë e bizneseve të qyteteve të vogla. Ndërsa hëna mbulon diellin, errësira e ditës ndoqi një korridor të ngushtë – nga bregu i Paqësorit të Meksikës në Teksas dhe 14 shtete të tjera deri në Maine dhe skajet lindore të Kanadasë. Parashikimi më i mirë i SHBA: Nju England ashtu si komunitetet e tjera përgjatë rrugës së tërësisë, gjysmë ore me makinë në jug të Dallasit, po i bën të gjitha ndalesat me një fundjavë plot koncerte dhe festa të tjera. Eklipsi i këtij viti pritet të ishte ngjarja qiellore më e ndjekur në jetën tonë thonë banorët. Në përgatitje të kësaj ngjarje historike, B&H Photo madje pat lançuar një faqe të re të vëzhgimit të eklipsit diellor, ku të apasionuarit mund të mësojnë se si të shikojnë dhe fotografojnë eklipsin, të zbulojnë se ku do të jenë pikat më të mira të shikimit dhe të blejnë pajisje për shikimin diellor Është eklipsi i parë total diellor i rajonit që nga viti 1878. I tjetri nuk do të jetë për gati 300 vjet të tjerë.

“Ndjehem kaq me fat sa nuk kam nevojë të shkoj askund,” tha Suzette Pylant i Muzeut të Qarkut Ellis të Shtunën ndërsa mirëpriti vizitorët në qytet për eklipsin. “Unë thjesht shikoj nga dritarja ime, dal nga dera ime dhe shikoj lart.” Ajo po lutet që moti të bashkëpunojë, siç janë pronarët e të gjitha dyqaneve të grumbulluara rreth gjykatës historike të bërë me gur ranor të kuq dhe granit rozë në qendër të qytetit. Ata po përgatiten për disa qindra mijëra vizitorë për 4 minutat, 20 sekondat e së hënës në total, afër maksimumit prej 4 minutash, 28 sekondash diku tjetër në rrugë.

Oily Bar Soapery pret një “Bubble Blackout” gjatë gjithë fundjavës, me sapunë dhe dhurata me temë eklipsi. Ndër sapunët e punuar me dorë: “Luna”, “Solar Power”, “Mother Earth” dhe “Hachie Eclipse of the Heart”.

Nazir Musai, i cili zotëron kafenenë dhe furrën e të famshmve, u tërhoq kur dëgjoi raportin e motit, por vuri në dukje: “Është mot. Ju nuk mund ta kontrolloni atë.”

Shi ose shkëlqe, James dhe e shoqja Liz Gibbons planifikojnë të festojnë. “Është një përvojë vizuale dhe fizike dhe në moshën time, që është 75 vjeç, nuk do ta shoh më kurrë”, tha Gibbons. Totaliteti nuk do të përfshijë përsëri SHBA-në kështu deri në vitin 2045, duke anashkaluar pothuajse të gjithë shtetin.

Megjithë kaosin, eklipsi përfundimisht kaloi, duke e lënë qytetin me kujtime për të cilat do të flitej për breza. Dhe ndërsa u mblodhën pas, duke shkëmbyer histori dhe duke qeshur derisa u dhimbte barku, ata kuptuan se ndonjëherë momentet më të paharrueshme janë ato që devijojnë nga skenari, duke thënë me njeri tjetrin “ eklipsi iku dhe nga fiku”.

Dhe kështu, me një vlerësim të ri për absurditetin e jetës, banorët e qytetit të vockël u kthyen në rutinën e tyre të përditshme, duke pritur me padurim ngjarjen tjetër kozmike që me siguri do të sillte më shumë të qeshura dhe gëzim në cepin e tyre të vogël të universit në mos qoftë ndonjë meteor.

Filed Under: Fejton

Dr. Yllka Filipi u zgjodh kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë

April 9, 2024 by s p

Adnan Mehmeti

Stamford, 7 prill 2024/

(Dr. Yllka Filipi u zgjodh kryetare, studiuesja e letërsisë Arjeta Ferlushkaj nënkryetare dhe Dr. Bexhet Asani, sekretar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë)

Në një atmosferë plotë entuziazëm dhe të kulturuar, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë mbajti zgjedhjet e reja më 7 prill 2024, në bibliotekën e qytetit të Stamford-it. Shumica e anëtarëve të shoqatës erdhën nga e gjithë Amerika për të marrë pjesë në zgjedhje.

Në këto zgjedhje të rëndësishme, Dr. Yllka Filipi u zgjodh kryetare me një shumicë votash nga anëtarët e Shoqatës. Ky moment shënon një kapitull të ri në historinë e Shoqatës, pasi Dr. Yllka Filipi ka qenë në detyrën e sekretares dhe ka shërbyer dy mandate si nënkryetare. Nënkryetare u zgjodh studiuesja e letërsisë Arjeta Ferlushkaj, ndërsa detyra e sekretarit iu besua Dr. Bexhet Asanit. Kryesia e re do të përfaqësojë dhe do të drejtojë Shoqatën me zell dhe përkushtim në 3 vitet në vijim.

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë u themelua në vitin 2001 nga dr. Gjekë Marinaj, i cili njëherit ishte dhe president. Ndërkaq, në vitin 2009 president u zgjodh Adnan Mehmeti, pozitë të cilën e mban aktualisht. Kryetari i parë i Shoqatës ka qenë Naum Prifti, ndërsa për dy mandate radhazi u zgjodhën, Ramiz Gjini, Dalan Luzaj, Raimonda Moisiu dhe Mëhill Velaj.

Zgjedhjet e reja reflektojnë respektin për rregulloren e statutit dhe vazhdimin e rotacionit, duke pasur parasysh dëshirat dhe vullnetin e çdo anëtari të saj. I urojmë kryesisë së re suksese në detyrat e tyre të reja dhe falënderojmë kryesine e mëparshme për kontributin e tyre të pamohueshëm në zhvillimin dhe përparimin e Shoqatës.

Me një akt të ndjeshëm dhe të përulur, ish-kryetari, Mëhill Velaj, i dashur dhe i respektuar nga të gjithë, falënderoi të gjithë anëtarët për kohën e shkëlqyer që kaloi si kryetar në dy mandate, duke premtuar se nuk do të ndalë vrullin e punës edhe në të ardhmen.

Gjatë këtyre zgjedhjeve u mor vendimi që çdo anëtar të paguajë një kuotë vjetore prej $100 për të kontribuar në hapjen dhe mirëmbajtjen e një faqeje elektronike, si dhe për të ndihmuar në botimet e reja letrare. Ky vendim tregon angazhimin për të përhapur letërsinë shqipe në Amerikë dhe të ndihmojë në rritjen e aktiviteteve në avancimin e qëllimeve të tyre kulturore në të ardhmen.

Një biografi e shkurtër për Yllka Filipi

Yllka FILIPI është vlerësuar nga kritika me disa çmime të para kombëtare dhe ndërkombëtare, si një zë unikal dhe i guximshëm në letërsinë moderne shqiptare. U lind më 1976 në Fier, ku kaloi edhe fëmijërinë e hershme duke përjetuar e parë nga afër historitë e shumë të përndjekurve e të përsekutuara të regjimit diktatorial komunist degdisur rrethinave, disa prej të cilëve ishin edhe miq të familjes. Këto gjurmë të thella në kujtesën e shkrimtares së ardhshme, do të bëhen remineshencat më të forta në krijimtarinë e mëvonshme artistike të saj. Botimet e para datojnë në vitet e gjimnazit në gazetën kulturoro-artistike, Nesër, 1993. Ka shkruar e botuar që në moshë të re në periodikë të ndryshëm brenda dhe jashtë vendit. Më pas zhvendoset në Tiranë për të kryer Studimet e larta në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe 1999. Është specializuar në degën e Letërsisë duke përfunduar Studimet e Thelluara Pasuniversitare, Master Shkencor 2008, pranë këtij Universiteti. Talenti, pasioni dhe puna e palodhur do të kurorëzohen me mbrojtjen e Doktoraturës në fushën e Letërsisë së Krahasuar, në Universitetin e Tiranës me vlerësim maksimal, 2012. Paralelisht ka punuar si lektore në Departamentin e Letërsisë dhe Gjuhës shqipe në Gjimnazet më të njohura të kryeqytetit Qemal Stafa dhe Ismail Qemali dhe prej 12-vjetësh rresht gëzoi respektin e kolegëve dhe mirënjohjen e të rinjve kryeqytetas. Më pas në nëntor të vitit 2011 emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku ende vazhdon suksesshëm pasionin për letërsinë me shkrime kritike, poezi, prozë dhe ese. Me në mendje dhe në zemër Shqipërinë, aktualisht jeton dhe punon në New Jersey me bashkëshortin e dy fëmijët dhe bashkëpunon midis të tjerash, me gazetën Dielli, Illyria si dhe revistën Kuvendi në Michigan. U.S.A. Është zgjedhur Kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, 2024, Stamford, CT duke u bërë kështu një ambasadore e denjë në tempullin e artit të fjalës shqip në Amerikë.

Dr. Yllka FILIPI është autore e këtyre veprave:

*Trekëndëshi infernal universal, Dante-Migjeni-Kadare, studim krahasues, Albas, 2012

*Post Hekuba vëllim poetik, Ombra GVG, 2011

*Me ipsum ames (roman postmodern), M. Barleti, 2010

*Eternitas (vëllim poetik, ) M. Barleti, 2009

*Eshtra tempujsh, (cikël poezish të zgjedhura,) 2009

*Dante-Kadare, studim kritik, Albas, 2008

Ka fituar këto çmime letrare:

* Nëntor 2017, First International Poetic Price “Faic Konica”, Albanian-American Writers Association, New York

* Dhjetor 2016, First Price Writers Festival “Peter Prifti”, AAWA, New York

•​Dhjetor 2012, Titullin e Lartë, Libri i mendimit kritik, për veprën Dante-Migjeni-Kadare, L.N.SH.P, Albania

•​Qershor 2012 Çmimi poetik Ndërkombëtar “Azem Shkreli II”, Ennepetal, Gjermani

•​Maj 2011 Çmimi i Parë, në Festivalin Ndërkombëtar të poezisë, TPSH, Vushtri, Kosovë

•​Prill 2011 Çmim Special, Fituese në Konkursin Letrar Ndërkombëtar Poetik, Muza Poetike Pegasi Albania 2011.

Krijimtaria e saj është përfshirë në disa antologji si

* 100 Poetë për dashurinë, (Lirika shqiptare dhe botërore) 2012,

* Korsi e hapur, 2012, në 14-gjuhë të botës.

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë

Filed Under: Komunitet

Kosova feston Ditën e Kushtetutës, 16 vjet shtet

April 9, 2024 by s p

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 9 Prill 2024/ Kosova në çerek shekulli – 25 vjet Liri e 16 vjet Pavarësi feston sot Ditën e Kushtetutës, 9 Prillin.

“Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”, thuhet në nenin 1 të Kushtetutës së miratur para 16 viteve, e cila, sipas nenit të fundit – 162 – “hyn në fuqi në 15 Qershor 2008”.

Ishte viti 2008 kur u miratua nga Kuvendi i Kosovës akti më i lartë juridik i shtetit në ditën e 9 Prillit, më pak se dy muaj pas shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurtin historik.

“Duke u bazuar në votimin njëzëri të të gjithë deputetëve në sallë, sot në orën 10:45 u shpall solemnisht Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e miratuar nga 107 deputetët e Kuvendit të Kosovës”, tha atëherë Kryeparlamentari Jakup Krasniqi pas votimit, cituar në raportimin që kam bërë për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare /ATSH/ në 9 Prill 2008.

Raportimi theksonte se kryetari i Komisionit Kushtetues, Hajredin Kuçi, prezantoi përmbajtjen e Kushtetutës, e cila, siç bëri të ditur, ka 14 kapituj dhe 162 nene.

“Kemi synuar të kemi një Kushtetutë moderne, të shkurtër, të qartë dhe të kuptueshme, që garanton vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe zotimet ndërkombëtare dhe që është funksionale”, tha ai.

Për Projektkushtetutën e hartuar nga Komisioni Kushtetues, i cili ishte ngritur nga Ekipi i Unitetit, është zhvilluar debat publik që nga 28 Janari 2008, në fazën e parë, dhe që nga 19 Shkurti – dy ditë pas shpalljes së pavarësië, në fazën e dytë.

Gjatë debatit publik u është bërë e ditur qyetarëve se “Kushtetuta është hartuar mbështetur në dy vullnete, i pari që Kosova të jetë shtet sovran dhe i pavarur dhe i dyti që me Deklaratën e Pavarësisë të 17 Shkurtit Kosova si shtet ka marrë obligime ndërkombëtare për zbatimin e Paketës së Ahtisaarit”.

Dita e Kushtetutës, 9 Prilli, është festë shtetërore, sipas Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, të miratuar në Kuvend në 21 Maj 2008.

Dekretimi i këtij ligji dhe 40 ligjeve të tjera, të dala nga Paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës, 15 Qershorit 2008. Dekretimin e bëri Presidenti i atëhershëm i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Deri në hyrjen në fuqi të Kushtetutës ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës i ka nënshkruar Shefi i UNMIK-ut, Misionit të Organizatës së Kombëve të Bashkuara.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, presidenti “shpall ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”. Poashtu, “ka të drejtën e kthimit për rishqyrtim të ligjeve të miratuara, nëse konsideron se janë të dëmshme për interesat legjitime të Republikës së Kosovës ose të një a më shumë komuniteteve të saj”.

Zhvillimet më të rëndësishme brenda 16 viteve ishin në 2012-tën, kur Kuvendi, në 7 Shtator, ka miratuar amendamentimin e Kushtetutës së Republikës lidhur me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndërsa në 10 Shtator pasoi vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar, i mbledhur në Prishtinë, për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare.

“Përmbyllja e mbikëqyrjes është vlerësimi më i lartë ndërkombëtar, që i është bërë shtetit të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë”, u vlerësua atëherë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur pavarësinë, ishte formuar në 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të shtetit të ri, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin.

Deri në 16 vjetorin e Ditës së Kushtetutës pavarësia e Kosovës është e njohur nga 117 shtete të botës anëtare të OKB-së.

Në rrugën drejt pavarësisë Kosova ka një histori kushtetuese edhe para kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare.

Kosova prej vitit 1974 ka pasur Kushtetutën e vet, e cila i ka siguruar mëvetësi organizative si njësi konstituive me të drejtë vetoje në federatën e atëhershme, nga shpërbërja e së cilës dolën shtatë shtete të reja të rajonit – Kosova, Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedona.

Para 35 viteve, në 28 Mars të vitit 1989, Serbia në Kuvendin e saj miratoi “Kushtetutën e tankeve”, që përgjakshëm, në rrethana tragjike terrori, me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova.

Kundërshtimi i fuqishëm rrënimit të autonomisë në Kosovë ishin demonstratat gjithëpopullore, në të cilat vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 Mars 1989, në shtetrrethimin e hekurt ushtarako-policor të vendosur nga Beogradi u vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Podujevë, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.

Demonstratat pasonin grevën e urisë të 1.300 minatorëve të Trepçës, nga 20 deri 28 Shkurt 1989, e cila ishte në mbrojtje nga sulmet e Serbisë kundër Kosovës e mëvetësisë së saj, rezistencë e fuqishme e përkrahur nga populli dhe në kërkim të lirisë, demokracisë e të drejtave të plota për shqiptarët.

Në vijimësi të kundërshtimeve të fuqishme gjithëpopullore dhe institucionale të “Kushtetutës së tankeve” serbe, në rrethana të okupimit, Kosova në vitin 1990 shpalli Deklaratën Kushtetuese për pavarësi në 2 Korrik e më pastaj Kuvendi miratoi në 7 Shtator Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në vitin 1991, nga 26 deri në 30 Shtator u organizua edhe Referendumi ku kosovarët votuan 99,87 për qind për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur, i cili pasohej me zgjedhjet e para pluraliste, parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992, kur President i parë u zgjodh Dr. Ibrahim Rugova.

Republika e Kosovës me Kushtetutën e vet e institucionet demokratike të zgjedhura atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.

Kosova e lirë, pas përfundimit të luftës në Qershor 1999, prej vitit 2001 deri në shpalljen e pavarësisë në 17 Shkurt 2008 ka pasur një Kornizë Kushtetuese, të miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë defakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.

Para gjashtë viteve, me rastin e 10 vjetorit të Ditës së Kushtetutës, 9 Prillit, hartuesit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës janë dekoruar me Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë nga atëherë Presidenti Hashim Thaçi.

Gjashtë mbëdhjetëvjetori i hyrjes në fuqi të Kushtetutës së shtetit të pavarur të Kosovës do shënohet në kohën kur nëpër qytetet e fshatrat kosovare do festohet 25 vjetori i lirisë, e cila nisi me Ditën e Paqes e Lirisë – 12 Qershorin e vitit 1999, kur forcat paqeruajtëse shpëtimtare të NATO-s prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës filluan të hynin në Kosovë, nga Maqedonia, e të nesërmen edhe nga Shqipëria, pas ndërhyrjes me aviacion në fushatën ajrore 78 ditëshe të goditjes së caqeve të forcave serbe që bënin masakra e spastrim etnik duke vrarë më shumë se 12 mijë shqiptarë, zhdukur mëse 6 mijë e dëbuar rreth një milion, shumicën drejt Shqipërisë.

***

Raportim që bëja për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë para 16 viteve-9 Prill 2008:

PËRMBLEDHJE – KUSHTETUTA FUQIZON SHTETIN E PAVARUR, SOVRAN, DEMOKRATIK, UNIK DHE TË PANDASHËM TË KOSOVËS

PRISHTINË, 9 prill /ATSH-B.Jashari/ – Kuvendi i Kosovës i mbledhur sot në një seancë solemne të jashtëzakonshme, ashtu si kur shpalli pavarësinë para më pak se dy muajsh, miratoi njëzëri Kushtetutën e Republikës së Kosovës, që, siç u tha, fuqizon shtetin më të ri në botë si të pavarur, sovran, demokratik, unik dhe të pandashëm.

“Duke u bazuar në votimin njëzëri të të gjithë deputetëve në sallë, sot në orën 10:45 u shpall solemnisht Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e miratuar nga 107 deputetët e Kuvendit të Kosovës”, tha kryeparlamentari Jakup Krasniqi pas votimit.

Gjithçka ishte unanime në këtë seancë, që nga fillimi i saj, kur ishin të pranishëm në sallë 103 deputetë, të cilët aprovuan të vetmen pikë të rendit të ditës: Miratimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Seanca e Kuvendit të Kosovës, ku merrnin pjesë udhëheqësit më të lartë të vendit, Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith, trupi diplomatik në Kosovë, si dhe përfaqësues të arsimit, shkencës, artit e të fesë, hapi punimet pak pas orës 10:00, nën drejtimin e kryeparlamentarit Jakup Krasniqi.

“Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë të hap punimet e kësaj seance të jashtëzakonshme dhe solemne të Kuvendit për miratimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, tha ai.

“Kushtetuta jonë sanksionon shkallë të lartë të idealizmit të një shoqërie të lirë, të hapur, demokratike dhe sovrane. Ajo promovon dhe u garanton të drejta të standardeve të larta komuniteteve pakicë në Kosovë. Që nga sot, të drejtat e komuniteteve nuk janë më thjesht vetëm vullnet i mirë dhe i deklaruar i shumicës, por kategori e përcaktuar kushtetuese dhe partneritet solemn e publik. Ato janë të mbrojtura dhe të pacenueshme”, theksoi kryeparlamentari Krasniqi.

Më pas, Kuvendit iu drejtuan presidenti Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi, e kryetari i Komisionit Kushtetues, Hajredin Kuçi, të cilët nxjerrjen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës e vlerësuan një moment tjetër historik pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008.

“Në vazhdën e zhvillimeve jashtëzakonisht të rëndësishme dhe historike për Kosovën, pas shpalljes së pavarësisë dhe njohjes ndërkombëtare nga një numër i madh vendesh të botës demokratike, dita e sotme po kështu shënon një moment të veçantë në përmbylljen e ciklit të shtetndërtimit të Kosovës”, tha presidenti Sejdiu.

”Kushtetuta, me peshën e saj të veçantë, sa mund të quhet me të drejtë përmbyllje e procesit shtetndërtues të Kosovës, po kaq, në të njëjtën kohë, në bazament të qëndrueshëm formal dhe juridik dhe esencial e fut Kosovën në rrafsh të ri të zhvillimeve shtetërore, politike dhe juridike”, shtoi ai.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës në të njëjtën kohë hap horizontin dhe mundësinë tonë për përballje me sfidat e shumta që do të kapërcehen duke e dëshmuar fuqishëm qëndrueshmërinë e institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovë, të cilat edhe në rrugën e deritanishme kanë dëshmuar seriozitetin dhe këmbëngulësinë për veprim të sukseshëm në realizimin e interesave të qytetarëve të Republikës së Kosovës ”, theksoi presidenti Sejdiu.

Ai u shpreh optimist se mbi bazën e parimeve të Kushtetutës dhe duke pasur parasysh ndërtimin e gjithë strukturës institucionale përgjegjëse për zbatimin e tyre, “Republika e Kosovës do të kapërcejë më shpejt edhe rrugën drejt integrimit të saj në Bashkimin Evropian dhe në NATO”.

Kryeministri Hashim Thaçi tha se Kushtetuta e Republikës së Kosovës është evoluim i historisë së përbashkët të kosovarëve dhe garanton liriëtë dhe të drejtat e të gjithëve.

“Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet e tjera. Vlerat fondamentale dhe liritë e të gjitha kombeve demokratike janë të mbrojtura me anë të kushtetutës. Prandaj, edhe ne sot kemi vendosur që ta ndjekim rrugën e shteteve të lira dhe demokratike”, u shpreh ai.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës, është vullneti ynë, është legjitimiteti dhe vula e shtetit të Kosovës”, theksoi kryeministri Thaçi.

Kryetari i Komisionit Kushtetues, Hajredin Kuqi, prezantoi përmbajtjen e Kushtetutës, e cila, siç bëri të ditur, ka 14 kapituj dhe 162 nene.

“Kemi synuar të kemi një Kushtetutë moderne, te shkurtër, të qartë dhe të kuptueshme, që garanton vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe zotimet ndërkombëtare dhe që është funksionale”, tha ai.

”Sot, në duart tuaja është drafti i Kushtetutës së Republikës se Kosovës si bazë e ndërtimit te sistemit politik, ekonomik dhe shoqëror në shtetin tonë në të cilën kemi shprehur synimet tona, në emër të popullit të Kosovës, për të ardhmen e vendit tonë të lirë, demokratik dhe paqedashës si shtet i të barabartëve”, është shprehur Kuqi.

“Sovranitetin e Republikës sonë Kushtetuta e përcakton se buron nga populli dhe i takon atij. Ajo garanton integritetin territorial të Kosovës si të pacenueshëm,të patjetërsueshëm dhe të pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e lejuara”, siguroi ai.

”Republika e Kosovës është e ndërtuar mbi bazën e konceptit të barazisë qytetare dhe e përcaktuar si shoqëri shumetnike, e përbëre nga shqiptarët dhe nga komunitetet e tjera ku qeveriset në mënyre demokratike dhe respektohet plotësisht sundimi i ligjit dhe barazia e qytetarëve para tij”, theksoi Kuqi.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës është nënshkruar të hënen pasdite nga Komisioni Kushtetues në një ceremoni zyrtare në ambientet e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, e ku morën pjesë udhëheqësit më të lartë të vendit e të komunave dhe përfaqësues të misioneve ndërkombëtare.

Në dy ditët e para të prillit Komisioni Kushtetues i Kosovës e miratoi me konsenmsus të plotë tekstin final të Projektkushtetuës, ndërsa Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Piter Feith, e certifikoi atë duke vlerësauar se është në përputhje me Paketën Ahtisaari.

Për Projektkushtetutën e hartuar nga Komisioni Kushtetues, i cili është ngritur nga Ekipi i Unitetit, është zhvilluar debat publik që nga 28 janari 2008, në fazën e parë, dhe që nga 19 shkurti, dy ditë pas shpalljes së pavarësië, në fazën e dytë.

Gjatë debatit publik u është bërë e ditur qyetarëve se “Kushtetuta është hartuar mbështetur në dy vullnete, i pari që Kosova të jetë shtet sovran dhe i pavarur dhe i dyti që me Deklaratën e Pavarësisë të 17 shkurtit Kosova si shtet ka marrë obligime ndërkombëtare për zbatimin e Paketës së Ahtisaarit”.

“Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”, thuhet në nenin 1 të Kushtetutës, e cila, sipas nenit të fundit – 162 – “hyn në fuqi më 15 qershor 2008”./

a.jor.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • …
  • 61
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT