• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2024

Mjedisi si faktor i ndikimit të drejtëpërdrejtë në shëndetin publik

April 8, 2024 by s p

Dr. Pashko R. Camaj/

Javën e fundit te muajit te kaluar, më 25 dhe 26 mars mora pjesë në një konferencë të dytë vjetore të shëndetit publik dhe epidemiologjisë dhe konferencës së shëndetit publik të organizuar nga Coalesce Research Group dhe Universiteti i Leeds në Mbretërinë e Bashkuar. Unë isha një nga 40 hulumtuesit që morën pjesë në këtë forum nga të përfaqësuar nga të gjashtë kontinentet, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara në ditën e parë kur isha një nga dy folësit kryesorë gjatë të cilit prezantova punën time kërkimore në Kosovë me Universitetin e Columbias. Shkëmbimi i informacionit dhe ngritja e vetëdijes për çështjet që janë të rëndësishme për shëndetin e njerëzve në Kosovë. Përveç kësaj, ndarja, idetë, përvojat dhe njohuritë me kërkimin janë në mbarë globin, duke përfshirë vendet që janë në një fazë zhvillimi, si Kosova dhe rajonet tona, janë të rëndësishme sepse na japin aftësinë për të mësuar rreth trendeve dhe zhvillimeve të reja në një fushë të shëndetit publik. Kjo mund të jetë e dobishme për shëndetin publik, ekspertë, jo vetëm në mbarë botën, por në rajonet nga vijmë, kam pasur nderin të përfaqësoj komunitetin tonë në përgjithësi dhe Universitetin tim William Patterson, ku jam një profesor i Epidemiologjisë dhe shëndetit publik. Pas konferencës u vlerësuam me certifikatë, si për prezantimin tim, ashtu edhe për punën për komitetin organizativ të konferencës.

Përveç pjesëmarrjes në disa diskutime në lidhje me çështjet e vazhdueshme të shëndetit publik, isha i lumtur të prezantoj Studimin e Kosovës, i cili tregoi lidhje statistikisht domethënëse ndërmjet niveleve të ngritura të plumbit në gjak të matur njëkohësisht dhe presionit sistolik të gjakut dhe një lidhje margjinale të rëndësishme ndërmjet niveleve të ngritura të plumbit në gjak dhe presioni diastolik të gjakut. Të dyja, në përputhje me shumë studime të mëparshme në këtë temë. Këto gjetje mbështesin hipotezën se ekspozimi ndaj plumbit mjedisor përbën një rrezik për presionin e lartë të gjakut. Për më tepër, hulumtimi ynë tregoi se të rinjtë që ishin të ekspozuar kronikisht ndaj plumbit në fëmijërinë e hershme, kishin një shqetësim të këtij ekuilibri renal/hematopoietik i cili është ende i dukshëm shumë vite pas ndërprerjes së ekspozimit ekzogjen të plumbit.

Filed Under: Opinion

Sopranoja gjakovare që ngriti peshë publikun e West Palm Beach-it tek “Norma” e Bellinit!

April 8, 2024 by s p

Iris Halili

Kryetare e degës “Vatra Miami”/

Mbrëmë ne, një grup nga komuniteti shqiptar i Floridës së Jugut patëm një emocion të veçantë. Sopranoja me famë ndërkombëtare dhe me origjinë nga Gjakova e Kosovës si dhe me një emër kaq shumë shqiptar, zonja Marigona Qerkezi, ishte ylli që shkëlqeu në Opera House të West Palm Beach. Ajo interpretoi Normën, protagonisten kryesore në operën me të njëjtin titull të Vincenzo Bellinit. Me një zë të rrjedhshëm si lumenjtë shqiptar dhe me kumbim të thellë si burimet e krrojeve tona, Marigoja ishte një surprizë e vërtetë për të gjithë spektatorët e “Normës” e cila konsiderohet si sfida më e lartë e çdo sopranoje, e ndërsa pjesa me e njohur e kësaj kryevepre “Casta Diva” konsiderohet si aria më e vështirë e të gjitha kohërave.

Karakteri i Normës është shumë kompleks, jeta e saj është tragjedia e dilemave të zemrës, detyrës ndaj Atdheut, brengat e shumëfishta të një gruaje që dashuron, tradhëtohet dhe zhgënjehet. E tërbuar nga xhelozia dhe braktisja, e mallëngjyer si nënë dhe e penduar për aktet e saj në kundërshtim me fenë të cilën i shërben, Norma kalon në shumë gjëndje psikologjike dhe traumatike. Në përçapje për të gjetur rrugëdaljen atje ku ajo shpesh mungon, Norma mundohet të hyjë në portat e zemrës me arsye, por del prej saj pa të, apo mundohet të dalë nga portat e zemrës me ndjenjë, por nuk është e lumtur edhe me këtë zgjidhje. Për vetë kompleksitetin e saj Norma mban pothuajse ¾ e të gjithë shfaqjes, duke bërë të duket se të gjithë protagonistët e tjerë janë vetëm në funksion të saj. Sipas ekspertëve, në këtë opera sopranoja që interpreton Normën duhet të mbajë C-në e lartë në më shumë se 12 herë, dhe gjatë gjithë orëve të gjata të shfaqjes, ajo ka shumë pak kohë për të kontrolluar frymën. Me një italishte shumë të kuptueshme, si dhe me një portret fizik të gjatë dhe të bukur, Marigona e sundoi plotësisht skenën duke performuar sa me zë aq edhe me mimikë dhe lëvizje sinkronike. Zëri i saj sa melodioz, aq edhe i ëmbël dhe shpërthyes jo vetëm na mbërtheu përgjatë gjithë shfaqjes, por ai ishte në harmoni të plotë me emocionet nëpër të cilat kalon Norma, që falë interpretimit të Margionës na mbeti gjatë në mëndje.

Duartrokitjet vazhduan pa ndërprerje edhe kur perdja u mbyll, pasi spektatorët sërisht nuk donin ta linin “Normën” të largohej prej tyre.

Marigona Qerkezi ka nje karierë të spikatur në boten e artit operistik. Talenti i saj është vlerësuar me shumë tituj dhe çmime të larta, ku ndër më të njohurat është tituli “Sopranoja e Rosinit”, dhënë sopranove të spikatura për interpretimin e veprave të Rosinit. E lindur dhe rritur në Zagreb ajo ka mbaruar studimet për Master në Fluit dhe Kanto në Universitetin e Prishtinës. 6 -vjec Marigona ka zbritur në skenë për herë të pare dhe prej atij çasti duket sikur nuk ju nda më skenave. Në muajt në vazhdim ajo do të performojë në Gala Concert London; Savonlinna Opera Festival në Finland në rolin “Abigalle” nga “Nabuko” e Xhusepe Verdit, më pas në Dubai Opera House dhe Varshavë Opera House me rolin e “Aida” sërisht nga Xhuzepe Verdi ; Në vazhdim në Kopenhagen Opera House tek “Toska” i Xhiakomo Pucinit, për t’u rikthyer sërisht tek “Norma” i Vincenco Bellinit në Operën e Frankfurtit.

Ftojmë të gjithë bashkëatdhetarët kudo ku jetojnë të ndjekin turin e Marigosë tonë në Instagram apo Facebook dhe nëse kanë mundësi të dëgjojnë zërin e saj të vecantë dhe të jenë të sigurt se pas shfaqjes do të ndjejnë krenarinë kombëtare që na dhuron kjo artiste shumë dimensionale, do të shijojnë një interpretim shumë të arrirë artistiskisht dhe ndosha do të kenë mundësinë të takojnë këtë soprano shqiptare me famë botërore që me thjeshtësinë e saj nuk kursen të takoj, apo përshëndes bashkëatdhetarët e saj në gjuhën e nënës, shqipen tonë të bukur.

Filed Under: Kulture

“Lamtumirë!”, them i Pari”…

April 8, 2024 by s p

Denion Ndrenika, Nju Xhersi/

Né Festivalin e 36 të kenges ne RTSH më kujtohet kenga “Lamtumir them i pari” me tekst Andi Bejtjen dhe muzik Florian Luari. Andi Bejtjen e kam pasur shok në 8-vjeçare që nga fillimi. Tek ish-“11 Janari” në Tiranë, atje ku shihnim përballë traun dhe gardistët e Bllokut të udhëheqjes diktatoriale.

Vitet ecën, mirëpo profesionalisht me Bejtjen jemi njësoj: gazetarë. Madje, në 1993 e zëvendësova si gazetar te “Sindikalisti”.

Bejtja ka penë, ka frymë, ka ndjenjë, poet që në ngjizje me siguri, ndonëse unë nuk jam shquar përveçse ndonjë teksti këngësh për “6”-en tonë që këndonim nga liqeni.

Në vitin 1997, tashmë që duket larg, çdokush që asokohe ishte diku, sot gjendet diku gjetkë.

Shoqëria si e tërë, sporti, kultura, arti skenik, kinematografia, letërsia, tekstet, veglat frymore, pianoja, pak përbëjnë kujtesë të domosdoshme për ndokënd që i le vitet të rrjedhin pa përfshirë në vetvete ngjarje, ndodhi…

1997 ishte tmerr që aty-këtu thyhej nga ndonjë kampionat futbolli të ndërprerë me fajësime anësie federate, te një veprimtari “Miss Albania” që u shënua si e vetmja pararendëse në 1996 dhe festivalet e këngës në radio-televizion.

Në atë vit në Festivalin e 36-të në RTVSH Bejtja kishte shkruar vargjet e kenges “Lamtumirë!”, them i Pari”, kompozuar nga Florian Luari.

E kënduan Josif Gjipali dhe Florian Luari. E “takova” Luarin në Francë, kohë më parë dhe Bejtjen në Tiranë.

Florian, beratas me kokë e këmbë nga të dy prindërit, trashëgoi prej tyre artin.

Formimin shkollor të nisur që në moshën 6-vjeçare me piano në shkollen e muzikes e vazhdoi në Liceun Artistik në për teori dhe fizarmonikë dhe gjate kesaj kohe krijonte, muzik orkestrale, kënge, valle, pjesë pianistike etj. Si shumë e shumë familje dhe individë, ai u transferua në vite 1991 në kryeqendrën e Greqisë, Athinë ku u njoh me rrethet muzikorë instrumentistë dhe këngëtarë vendas. Kjo i mundësoi të luante kater vjet në piano dhe fizarmonikë muzikë nga vendi dhe bota. Në 1995 u rikthye në Tiranë dhe hyri në Akademinë e Arteve të Bukura për Kompizicion. Kjo ishte periudhë që e përfshiu si krijues krijues ne festivale si dhe drejtues muzike në televizione. Florian përfundoi Akademinë, dhe pa u shkeputur nga aktivitetet artistike, filloi si drejtues muzike i orkestrës së televizionit “Top Channel” dhe më pas u zhvendos në Lyon të Francës ku jeton prej vitesh.

Jetën artistike e pasuroi në vazhdimësi me koncerte dhe si mësues pianoje në disa shkolla si dhe me aktivitete artistike ne Itali, Zvicër, Greqi, Gjermani, SHBA.

Pas Festivalit të 36-të, interesi për festivalet nisi të bjerë ndërkohe që filluan lokalet e Tiranës me muzikë live, gjë që e bëri të ndihej mirë duke luajtur muzikë në “Boom Boom Room”, Rozafa etj..

Në një bisedë, Flori më tregoi se shtytja dhe mbështetja e tij më e madhe e tij ishin prindërit, që të dy muzikantë.

“Më kujtohet kur isha i vogel prindërit më blenë një lodër piano, për të më integruar drejt muzikës dhe pianos. Dhe, kështu ndodhi. Fillova ta dua pianon, por dhe fizarmonikën. Përpara se të hyja në klasën e parë, fillova mësimet e para në piano dhe fizarmonikë me prindërit e mi dhe më pas në shkollën 8-vjeçare “22 tetori” në Berat, në degën e pianos me mësuesen Ermira Tusha”-thotë Florian.

“Florian, ku e gjen veten më mirë në piano?”, – e pyes.

“Varet. Kur është koncerti im luaj pjesët e mia dhe ndihem shumë mirë, sepse bej ate qe dua. Kur luaj me një grup, i përshtatem lojës së tyre, ne c’fare do rryme qe te jete, dhe kjo me pelqen shumë sepse exploroj ne stile të ndryshme, ne vende të ndryshme . Për shembull, kur luaj në Greqi luaj muzikë greke, në Amerikë muzikë amerikane, dhe kjo më pëlqen që nuk njoh kufi në muzikë”-, më përgjigjet.

Mua më kujtohet kënga “Lamtumirë!” them i pari” me tekstin e Andi Bejtjes në festivalin e 36-të dhe e pyeta për këtë:

“Për sa i përket pjesëmarrjes nëpër festivale, e shihja si një urë kalimi për t’u njohur me rrethin muzikor dhe fillova të marr pjesë në 1995 pas kthimit për katër vjet në Greqi. Përse nuk mora pjesë në festivale më tej… Në 1998 filloi të bjerë interesi për festivalet dhe nderkohe filluan lokalet e Tiranës me muzikë live, dhe ndihesha mirë duke luajtur në “Boom Boom Room”, “Rozafa” etj., dhe më pas filluan televizionet “Top Channel” e “Vizion Plus” me emisione sociale, humor, spektakle ku muzika luan një rol të rëndësishëm”.

Florian Luari, kompozitor, pianist, fizarmonicist, orkestrues vijon në Lyon atë që nisi në Pallati e Kulturës “Tekstilisti” në Berat, brenda një bote të madhe që njehsonet me shpirtin e krijimit në muzikë dhe mes njerëzve.

Filed Under: Kulture

Eklipsi Diellor – panoramë e shpejtë e fuqisë së tij në besimet fetare

April 8, 2024 by s p

Rafaela Prifti/

Eklipsi i plotë i diellit të hënën në datën 8 prill do ta kthejë ditën natë për 4 minuta e 28 sekonda në Amerikën e Veriut. Ai zgjat dy herë më shumë se eklipsi i gushtit të vitit 2017 dhe rrugëton përgjatë një trajektoreje më të njohur që nis nga bregu i Paqësorit i Meksikës, kalon nëpër Teksas, Oklahoma, arrin shtetet e rajonit qendror verior deri në ato të Anglisë së Re (New England) pastaj nga Kanadaja del në oqeanin Atlantik.

Ndër shkrimet e shumta të cilat botohen çdo ditë për eklipsin, duke filluar nga lajmet dhe hartat te aplikacionet që mundësojnë pamjet ose fotografitë më të mira, tek gjetja e hapësirave me koordinatat më të favorshme për ta ndjekur edhe për ata që nuk banojnë në zonën e eklipsit, tek rekomandimet për aparatet dhe kamerat më të mira për ta përjetësuar momentin, syzet më të përshtatshme mbrojtëse për fenomenin natyror, tek artikujt komercial dhe produkte të destinuara për eklipsin, e shumë të tjera, më zuri syri një shkrim që jepte një vështrim panoramik të disa reagimeve të besimeve fetare ndaj tij nga kohët e lashta të cilin e përmblodha këtu që të mund ta lexoni në më pak minuta se kohëzgjatja e eklipsit.

Eklipset diellore kanë pasur ndikime të forta te besimtarët e denominacioneve të ndryshme gjatë gjithë historisë botërore. Në përgjithësi fenomeni konsiderohej si një lloj mesazhi nga perënditë ose shpirtrat me një spektër të larmishëm që nga frika deri në magjepsje.

Krishtërimi

Për fenë kristiane eklipsi parathotë aktin përfundimtar përpara ardhjes së Krishtit, siç është profetizuar në disa kapituj të Biblës. “Dielli do nxihet dhe hëna do përskuqet përpara ardhjes së të madhërishmit dhe të lavdishmit Zotit tonë.”

Tek disa besimtarë të krishterë ka qenë shumë e fortë ideja se gjatë kryqëzimit të Krishtit ka pasur eklips sepse në tre prej katër librave të ungjillit përmendet se për tri orë u dynd terri ndërsa Krishti vdiste. Natyrisht, është përmendur fakti se nata tri-orëshe nuk mund të jetë eklips diellor i cili shkaktohen errësim vetëm për disa minuta.

Islami

Besimi islam thotë se kurdoherë kur ndodh eklips duhen drejtuar lutje ndaj Allahut, në formë individuale apo në xhami. Lutja e eklipsit përmbledh fjalët dhe veprat e Profetit Muhamed. Sipas historisë në Kuran, pas vdekjes së Ibrahimit, birit të Profetit, shoqëruesi i tij, duke dashur ta ngushëlloj atë i tha se dielli u eklipsua nga pesha e madhe e humbjes. Profeti Muhamed e korrigjoi duke e kujtuar se dielli dhe hëna janë shenja të Zotit dhe se nuk duhej krijuar asnjë besëtytni në lidhje me shkaqet e eklipsit. Feja islame i shikon të ndara aktet e universit, fenomenet natyrore dhe lidhjen e njeriut me hyjnoren.

Judaizmi

Një nga besimet e para monoteiste të dokumentuara dhe një prej feve më të vjetra të ushtruara deri në ditët e sotme. Talmud, libri i shkrimeve të mbledhura përpara 1,500 vjetëve që jep udhëzime dhe përcakton lutjet bamirëse për shumë fenomene natyrore përveç eklipsit. Në të vërtetë, e përshkruan atë si ogur të keq për mbarë botën. Sipas tekstit të lashtë hebraik, eklipsi është një rast i veçantë për tu falur dhe për tu vetëinspektuar dhe jo për bamirësi qejfi. Një nga interpretimet e eklipsit e përshkruan atë si manifestim i forcës së atij i cili ka krijuar një sistem që na kujton se nga veprimet tona mund të krijohet terri edhe pse duhet të ishte dritë.

Budizmi

Budizmi është fe botërore dhe filozofi jetësore e përhapur kryesisht në Azi. Sipas fesë budiste tibetiane, energjia pozitive dhe negative shumëfishohet gjatë ngjarjeve astronomike siç është eklipsi diellor. Të dyja llojet e eklipseve, si ai i hënës dhe i diellit, janë shumë premtuese në sferën spirituale të traditave të tyre.

Hinduizmi

Origjina e eklipsit në Hinduizëm shpjegohet përmes legjendave që njihen si puranas. Në njërën prej tyre, hyjnitë e së mirës dhe së keqes e trazuan oqeanin për të nxjerrë nektarin e jetës së përhershme. Perëndia e Diellit dhe Hënës ndërhynë për të vënë në vend një padrejtësi nga ana e shpirtrave të së keqes që u kamufluan si “të mirët” dhe sipas legjendës Rahu, që arriti të bëhej i pavdekshëm, por me kokë e trup të ndarë, gllabëron i zemëruar herë pas here diellin dhe hënën, si shkaktarë të trishtimit të tij.

Për besimtarët Hindu, eklipset e diellit dhe hënës janë ogure të këqija. Disa syresh agjërojnë dhe të tjerë nuk hanë gjatë kohës së eklipsit. Praktikuesit kryejnë ritualin e larjes për të pastruar mëkatet në kohën e hyrje-daljeve të eklipsit. Disa jua ofrojnë lutjet e tyre të parëve. Tempujt qëndrojnë të mbyllur ndërsa të përkushtuarit falen në vende pelegrinazhi pranë ujërave të shenjta në fillim të eklipsit. Ata e konsiderojnë fenomenin një kohë të përshtatshme për të thënë lutje, për meditim dhe këndimin e mantrave që të largojnë shpirtin e keq.

Filed Under: Analiza

Rrëfimi i ambasadorit amerikan Hugh Grant që pa më sytë e tij pushtimin italian më 7 prill 1939 dhe një fakt tragjiko-komik: Shqipëria i shpalli luftë SHBA

April 7, 2024 by s p

Nga ROLAND QAFOKU/

Përshkrimi më afër reales për 7 prillin e vitit 1939 për mua është ai i ministrit amerikan në Tiranë, Hugh Gladney Grant. Diplomati që kishte më shumë se 3 vjet në këtë detyrë përshkrun me nota krejt ndryshe pushtimin e Shqipërisë nga Italia nga çfarë kemi mësuar qoftë nga historiografia shqiptare, ajo italiane por edhe me gjerë. Është një komunikim intesiv që Grant kishte me Departamentin e Shtetit ato ditë, të cilin unë e kam trajtuar gjerësisht në librin tim “Ambasadorët amerikanë në Shqipëri 1922-2022”. Ja çfarë shkruante ai:

“Pararoja e ushtrisë italiane mbërriti në Tiranë të shtunën në mëngjes më 8 prill. Konti Cianno arriti me aeroplan prej Italie dhe nga një platformë e sapongritur iu drejtua popullit që ishte i pakët dhe dhëndri i Musolinit, për të impresionuar të pranishmit, filloi të duartrokiste vetë. Zonja Grant dhe unë në një qoshe të sheshit shikonim me kureshtje e mërzi komedinë makabre. ..Emisionet nga Roma që pretendojnë se ishte e nevojshme për italianët të ndërmerrnin veprimin në Shqipëri për të ruajtur rendin u pritën me zemërim nga shqiptarët me të cilët kam biseduar dhe midis shumicës së kolegëve të mi ato janë bërë qesharakë dhe subjekt talljeje. Nuk ka absolutisht asgjë të vërtetë në pohimin e italianëve sipas mendimit tim që bazohet në me se tre vjet vëzhgimi nga afër të dokeve dhe zakoneve të këtij populli. Shqipëria është pushtuar me ligësi nga ai që pretendonte se ishte mik dhe aleat i saj. Mbetet urrejtja e shqiptarëve për italianët”.

Dy ditë më parë, më 6 prill, në ambasadën amerikane në Tiranë kishte ndodhur edhe një ngjarje me shumë kuptim. Dhjetra të rinj më flamuj shqiptarë në duar kishin hyrë në oborrin e godinës duke thirrur: Rroftë Shqipëria! Rroftë Amerika! Rroftë liria jonë! Rroftë presidenti Roosevelt! Imagjinoni se si është ndjerë ministri Hugh Grant në ato momente. Ishte ky ministër ambasador që edhe pse Shqipëria u bë një shtet me Italinë duke suprimuar të gjitha institucionet dhe ambasadat nuk u largua nga Tirana. Ai qendroi në godinën e ambasadës amerikane deri më 1 shtator 1939, pra afër 5 mua pas pushtimit, ndërkohë që Departamenti i Shtetit ia ruajti vendin e punës përgjatë viteve të luftës dhe më pas edhe pse ambasada ishte bosh. Por ironia është se më 11 dhjetor 1941, qeveria e Verlacit i shpalli luftë SHBA-së. Po, po, e lexuat mirë. Shqipëria i shpalli luftë SHBA-së dhe kjo është futur në histori tashmë. Natyrisht ky vendim u mor nën ndikimin e autoriteteve italiane, sepse Italia dhe Gjermania i shpallën luftë SHBA-së. Teksa ndodhej në mërgim Ahmet Zogu i shkroi Franklin Roosevelt në të cilën shkruante se Shqipëria nuk ishte në luftë me SHBA dhe se kjo ishte bërë nga Italia. Sigurisht që SHBA e kuptonte mirë këtë. Madje e vetmja deklaratë e një personaliteti të huaj ditën e pushtimit të Shqipërisë ishte ajo e sekretarit Cordell Hull që në një konferendë për shtyp tha:

“Pushtimi me forcë dhe i dhunshëm i Shqipërisë është padyshim një kërcënim tjetër ndaj paqes në botë”.

E megjithatë, në letër ia paskemi treguar vendin SHBA-së. Ndoshta prej kësaj tradite, regjimi komunist ia tregonte herë pas here vendin këtij shteti. Ndoshta, vitet e fundit edhe disa antiamerikanë të ethshëm, këtu e kanë marrë frymëzimin. Për të qeshur dhe për të qarë.

Foto1: Hugh Gladney Grant, ministri i SHBA-së në Shqipëri (Personi me syze, rreshti i dytë lart, në qendër) me disa personalitete shqiptare të kohës gjatë një pritjeje në godinën e ambasadës.

Foto 2: Ushtarë italianë duke zbarkuar në Tiranë në aeroportin e asaj kohe që sot njihet si Fusha e Aviacionit.

Foto 3: Kavaleria italiane në Shqipëri.

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • 49
  • …
  • 61
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT