• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2024

15 vjetori i Shqipërisë në NATO, ditë e madhe në historinë e kombit shqiptar

April 1, 2024 by s p

Dr. Dritan Demiraj/

Te dashur miq! Sot eshte nje dite e madhe dhe e paharruar ne historine e Shqiperise dhe te Kombit Shqiptar. Si sot 15 vite me pare Republika e Shqiperise do pranohej anetare e Aleances se Atlantikut te Veriut ne samitin qe u mbajt ne datat 2-4 prill te vitit 2009 ne Strazburg-Kiel. Me kete akt historik Shqiperia iu bashkua aleances politike dhe ushtarake me vendet me te fuqishme te botes.

Padyshim qe anetaresimi i vendit tone ne NATO erdhi si pasoje e mbeshtetjes se vazhdueshme te SHBA-ve te cilat luajten rolin kryesor ne pershpejtimin e procedurave te anetaresimit.

Ky anetaresim ne NATO shenon arritjen me te madhe te Partise Demokratike por edhe te Republikes se Shqiperise.

Partia Demokratike ka qene iniciatorja e pare qe ne momentet e zgjedhjeve te 22 marsit 1992, e cila do te firmoste nismen e Partneritetit per Paqe (PfP) me Aleancen e Atlantikut te Veriut dhe pershpejtimin e reformave te tjera qe duheshin plotesuar.

Ne kete drejtim padyshim nje rol vendimtar kishte mbeshtetja sa i perket reformave te mbrojtjes gjate qeverisjes se kryeministrit Prof. Dr. Sali Berisha, ministrave Mediu, Imami dhe Oketa, shtimi i buxhetit te ushtrise, modernizimi, rritja e kontributeve sasiore dhe cilesore ne misionet e Aleances ne Afganistan, Irak, Çad, Bosnje, Kosove, etj.

Nje rol te jashtezakonshem ne kete drejtim kane luajtur edhe misionet luftarake dhe paqeruajtese te njesive te Forcave Speciale, Komando, Batalionet e Kembesorise te cilet pasqyruan vlerat me te larta te Kombit Shqiptar duke i permbushur me sukses te gjitha detyrat e ngarkuara.

Ky pervjetor e gjen ushtrine Shqiptare ne nje set te vazhdueshem reformash cilesore dhe sasiore perfshire ketu modernizimin e saj, rritjen e fuqise se zjarrit, rritjen e kapaciteteve ne luften kibernetike dhe ne shume drejtime te tjera. Dhe per kete sukses, padyshim pergezimet i takojne ministrit Niko Peleshit , shefit te shtabit gjeneral Kingji dhe ekipit te tij.

Si perfundim, shpresoj dhe urojme qe edhe Kosova ti bashkohet sa me shpejte familjes se madhe Euro-Atlantike me aleatin tone me te madh strategjik SHBA-te ne krye.

Me kete rast deshiroj ti shpreh mirenjohje te veçante te gjithe efektiveve te misioneve luftarake te Forcave Speciale dhe Komando te cilet kane kontribuar shume ne kete drejtim dhe ne te njejten kohe Amerikes e cila ne momentet me te veshtira ka qene gjithmone afer Kombit Shqiptar.

Filed Under: Rajon

LEKË PERVIZI: NJË ZË PREJ ANDEJ 

April 1, 2024 by s p

Në 95-vjetorin e lindjes 

Nga Frank Shkreli 

Lekë Pervizi, autor, piktor shkrimtar, publicist, poet, ish i përndjekur politik – mbi të gjitha, dëshmitar i krimeve dhe i vuajtjeve të mijëra shqiptarëve anti-komunistë, në burgjet dhe kampet e përqendrimit të  regjimit komunist të Enver Hoxhës – ndër më çnjerëzorët në Evropë e në botë, ç’prej Luftës II Botërore – festoi në fillim të Marsit që posa kaloi, 95-vjetorin e lindjes – larg vendlindjes, atje në Belgjikë, ku ;sht; vendosur me familjen e tij pas shembjes së Murit të Berlinit ku edhe sot jeton e ku, edhe në këtë moshë, vazhdon të merret me shkrime, boton libra dhe revistën Kuq e Zi, në vazhdimsi, për 30-vjetë tani.  Nr 180 Jus (Récupéré).pdf 

Në librat dhe në revistën Kuq e Zi, por edhe me vizatimet unike (për botën ish-komuniste) nga jeta e përditshme në kampet e përqendrimit dhe në burgjet komuniste të regjimit diktatorial të Enver Hoxhës, Pervizi ka përshkruar sistemin çnjerëzor komunist të regjimit komunist në Shqipëri. Ai ka informuar botën në shqip dhe gjuhë të tjera, mbi mizoritë që ndodhnin në burgjet dhe kampet e përqendrimit të Shqipërisë staliniste, por tërthorazi ishte një testament edhe mbi krimet staliniste.  Janë vepra që përshkruajnë krimet kundër njer[zimit në kampet staliniste të punës, por në të njëjtën kohë, veprat e Lekë Pervizit, vazhdojnë të jenë një testament i shpirtit dhe i fuqisë dhe vullnetit të njeriut për të mbijetuar edhe në rrethanat më çnjerëzore. Është vështirë të besohet sot, ndoshta, se ishte një triumf 

të mbijetoje kampet dhe burgjet e komunizmit në Shqipëri. Veprat e Lekës janë dokumente reale me të cilat autori përshkruan vuajtjet e pabesueshme dhe krimet e errëta që njeriu është i aftë të bëjë kundër njeriut dhe të afërmëve të vet, por janë gjithashtu dëshmi se njeriu dhe popujt e shtypur nga regjimet diktatoriale komuniste, naziste dhe ideologji të tjera shtypëse gjatë historisë, nuk pranojnë të dorëzohen as të kapitullojnë përballë të keqes. Lekë Pervizi është një ndër ata shqiptarë të kampeve të përqendrimit të Enver Hoxhës që nuk u dorëzua, as nuk pranon të kapitullojë as sot para së keqës – ndonëse në moshën 95-vjeçare! Z. Pervizi mbetet ende njëri prej atyre shquptarëve që vazhdon të punojë dhe të flasë me drejtësi dhe me përgjegjësi morale – madje edhe në moshën 95-vjeçare. Ai ishte dhe mbetet një prej zërave që gjithnjë vjen prej andej – prej kampeve të përqëndrimit dhe burgjeve të diktatorit Enver Hoxha. Kur ai flet, ne dëgjojmë zërin e mijëra shqiptarëve kundërshtarë të komunizmit që u zhdukën atje e shumë prej të cilëve – ndër më të mirët e Kombit – që as varri nuk u dihet. 

Shqiptarët patriotë të vërtetë si Lekë Pervizi janë kontribuesit e vërtetë të lirisë. Ai është monument dhe dëshmitar i gjallë i aq shumë vdekjeve martire dhe të pa zë, as atëherë as sot. Lekë Pervizi edhe moshën 95 – vjeçare, vazhdon të jetë zëri që vjen prej “andej”, prej andej dhe përtej kampeve të përqendrimit dhe të burgjeve vrasëse të komunizmit enverist, ku mbijetesa ishte një triumf.  

Ndërsa falënderojmë Zotin që ai “triumfoi” kundër komunizmit, duke mbijetuar në kampet e përqendrimit dhe burgjet e komunizmit shqiptar, ndër më të tmershmet e ish-kampit komunist-stalinist në botë, Z. Lekë i urojmë, në këtë 95-vjetor të lindjes, jetë të gjatë e shëndet në vazhdimësi, ashtuqë të vazhdojë të dëshmojë për brezat, krimet më të ligshta çnjerëzore të diktaturës prej pothuaj gjysëm shekulli të komunizmit në Shqipëri.   

Le t’a dëgjojmë zërin e Lekë Pervizit, në këtë editorial që ai ndanë me ne në numrin më të fundit të revistës së tij, Kuq e Zi! – me rastin e 95-vjetorit të lindjes së tij —Nr 180 Jus (Récupéré).pdf 

Editorial 180 nga Lekë Pervizi, botuar në revistën më të fundit, “Kuq e Zi”, në Bruksel: 

“Muej Mars nis me 95-vjetorin e ditëlindjës së nënshkruarit e drejtorit të revistës Kuq e Zi. Një dhuratë e çmueshme e të Madhit Zot, i qofshim falë. Kjo jetë e gjatë, nuk asht se ka kalue fjoll, e gjithësesisht normale dhe e bukur. Si shëmbëll i ngan asaj barkës ose anijës që niset me detë të qetë, vaj, dhe papritur e zenë stuhëtë qiellore e tallazore në rrëzuik të përbyset. Por ja, që qiell e det rikthehen normalë e të qetë, dhe arrijnë në bregun e shpëtimit për ku ishin nisur. Stuhiët e tallazët harrohen, e jeta vazhdon të lulëzojë përsëri mes miradinave që njerëzimi ka krijuar për mirëqenjë e begati tonë. Ky përshkrim alegorik, i përshtatet fort bukur jetës reale të njeriut, e në mënyrë më të vërtetë të jetës sonë. Në kuptimin e vetvetës ku sigurisht përfshihet familja, të afërmit e shoqëria. Eh, të dashur lexues, alegoria u kthye në ngjarje reale faktike. Ndërsa jeta kishte filluar e mbarë, me perspektiva të kënaqëshme, si për vetveten, familjën e shoqërinë, erdhi kataklizma, përmbysja. Luftë botërore, përfshiu njerëzimin, duke mbjellur armiqësi midis tyre. Bota u nda në të mirë e të këqij. Në Kainë e Abelë. Në këtë rast Kaini mori emrin Komunizëm revolucionar, e Abeli demokrat paqësor, ku ishim të përfshirë. Ne nuk po merremi me botën, por me vetvetën si shqiptarë që jemi. Komunizmi në Shqipëri mori tiparet e dinozaurve, të përbindëshve gllabërues. Dhe i nënshkruari bashkë me mijra të tjerë u përfshinë në kthetrat e monstrave me tipare njerëzore e huqe kafshore. Kemi tregue mjaft se si shkuen punët në Shqipëri. Por mëqë asht fjala për të nënshkruarin, edhe ai u katandis si mos më keq, duke e kalue atë lloj jete skitërrore, në burgje e kampe internimi, ku mund të kishte lanë jetën, si baskëvujtës të tjerë që e pësuan dhe e humbën atë jetë që Zoti u kishte falë, por robi ua grabiti me dhunë. Ne vërtetë që ia dolëm më anë asaj stuhije mortore, po ama lamë pas një ushtri të tanë nën dhe me varre e pa varre. Nuk po hyjmë në detaje, se lëxuesi i ka të qarta ato situata të rënqethëshme, ku të gjallë e të vdekur ecnin së bashku, alegorikisht e dhe përfundimi, përsëri alegoria. Ne arritëm në brigjet e shpëtimit e i shpëtuam stuhisë tallazore. E tashti në moshën shekullore i themi vetës, a jemi a s’jemi. Si u bë që u munduam kaq vjet dhe me një trishtim të madh.  Thuej si të thuej, po kjo ashtë jeta me të mirat e të këqijat e saj. Shikojmë si bashkëvuejtësit më të cilët ndamë vuejtjet e mundimet, nuk janë më. Ia bana jetëshkrimin vetës, si alegorikisht ashtu faktikisht.  

Tashti, vazhdojmë me revistën Kuq e Zi, me kalue dhe këto vjetët që na mbetën, për të përmbushë një si detyrië që ia kemi ngarkue vetës, me qëllim të rikambjës nga shkatërrimi që komunizmi i shkaktojë Shqipërisë e gjithë shoqërisë së zgjedhur bashkë me popullin. 

Me rastin e 95-vjetorit më erdhën këto mendime, të pëlqyeshme apo të papëlqyeshme. Njerëz jemi, dhe bashkë me të mirat mbajmë dhe të metat. Errare humanum est, thotë latini, dhe ne e mbështesim këtë thënje, që pak a shumë na shoqëron si justifikues i veprimeve tona, ku edhe mund të gabojmë. 

E mbyllim këtë shënim për të iu kushtue realitetit që jetojmë. Për ne, ky realitet, reflektohet në jetën që kemi rifituar në Belgjikë, me liri e demokraci, shoqëruar me respektin e njohjën e të drejtave themelore të njeriut, që komunizmi nuk i njihte, mohonte e shtypte, mizorisht, me terror, dhunë e krime të shëmtuara. Me kaq vazhdojmë të merremi me materialet e tjera për revistën Kuq e Zi.  

 Parqitëm një si hyrje për këtë numër të revistës. Dhe thamë se duhëshin nja dy fjalë për të përndjekurit politikë, që janë stumbullari i revistës Kuq e Zi. Përveç faktit se ata e fituan lirinë, pas shumë vjet vuajtjësh. Vjen pyetja, a i fituen të drejtat e tyre themelore? E, mjerisht, rezulton se jo. Si është e mundur? Në ç’kuptim, thuhet, a nuk u mjafton fakti që ata u shpëtuen burgjëve e kampëve të përqëndrimit, dhe gëzojnë lirinë e pakufizuar, sa që nga qelitë e burgjëve bredhin nëpër botë sipas qejfit. Po, kjo është e vërtetë. Por, me një kleqkë. E drejta është se ata, që meritonin të merrnin frenat e shtetit në dorë për drejtimin e vendit tashmë i lirë e demokrat u qitën jashtë loje. Mbetën si peshku pa ujë ose në zall. Ishin po ujqërit qimekuqë, që morën shtetin në dorë e duke ndërrue qimën e kuqe në blu ose rosë, (pa ndërrue vesin). 

 Ju të përdjekurit rrini rehat e mos pretendoni sepse jemi ne që ju përfaqësojmë veç na jepni votat. E kështu si ajo që thuhet se vathit iu vu roje ose bari ujku qime kuq. Kështu që të përndjekurve, duke ua fërkuar shpinën, e marrë me të mira, nuk iu mbeti tjetër veçse të njihen moralisht e t’u qahet halli për vuejtjet që pësuan. Ndërsa, ujqërit, po ujqër mbetën, pa çka që e kthyen qimen në blu e rozë. Lene pastaj që përveç anës morale, ata mbetën me gisht në gojë nga ana materiale, as ua kthyen pronat dhe as i morën shpërblimin e plotë të vitëve të burgjeve e kampëve. Ndërsa pjesë e tyre vdiqën pa marrë asgjë. Fati, por drejtë të thuhet, Zoti, i mëshirojë duke i ndihmuar ata të marrin vetën me forcat e tyre, moralisht, siç është dhe puna jonë me revistë, e mundësinë e shkrimit e botimit të librave, kushtur asaj jete të humbur, por edhe asaj të fituar pas një gjysmë shekulli, shumë të gjatë. Qoftë lëvdue e nderue i Madhi Zot.”  

Editoriali i nënshkruar nga Lekë Pervizi —(Editorial nga Lekë Pervizi, #180, numri më i fundit i revistës “Kuq e Zi”. Nr 180 Jus (Récupéré).pdf –)     

 KUSH ËSHTË LEKË PERVIZI: Piktor, përkthyes, publicist, botues, i biri i gjeneral Prenk Pervizit. Lindi më 26 qershor të vitit 1929, në fshatin Skuraj të Kurbinit. Shkollën fillore dhe një të mesme tre vjeçare i kreu në Institutin «Santa Maria», në Romë. U kthye në Shqipëri më 1944. Nën diktaturën komuniste, familja Pervizi u persekutua për shkak të Gjeneral Prenk Pervizit, në burgje e kampe internimi; ai shpëtoi pranë librarisë së familjes Pepo në Tiranë. Më 1949 arriti të fillojë Liceun Artistik në Tiranë, por në maj të vitit 1950 u arrestua bashkë me të vëllanë, Valentin Pervizin. U internua në Porto Palermo. Një vit më vonë u transferua në kampin e Tepelenës, ku u takua me të ëmën (gjyshja ndërkaq kishte vdekur). Aty arriti të vizatojë skena e portrete nga jeta e kampit, si dhe të krijojë disa poezi, një pjesë e të cilave shpëtuan dhe u botuan pas rënies së diktaturës. Pas mbylljes së kampit më 1954, u transferua në Plug të Lushnjës. Një vit më vonë, u dërgua në Shtyllas të Fierit e prej këtu në Kuç të Kurveleshit. Më 1958 u kthye në Plug (deri më 1990). Pas rënies së komunizmit, u vendos familjarisht në Belgjikë, ku jeton edhe sot. Atje merret me shkrime dhe boton e drejton revistën «Kuq e Zi». 

Vepra: Në vorbullën e Skëterrës, «Dorian», Bruksel 2014; Në rrathët e Ferrit (album), ISKK, Tiranë 2014; Tingllime të vona, «Dorian», Bruksel 2016; Lek Pervizi, Odiseja e pafajsisë, «Dorian», Bruksel 2017; Gjenerali, «Gjergj Fishta», Lezhë 2017. Përkthime: Dhimitër Frangu, Historia e Gjergj Kastriotit   Skënderbeut, «Arbëria», Tiranë 2005.kthye në Shqipëri më 1944. Nën diktaturën komuniste, familja Pervizi u persekutua për shkak të Gjeneral Prenk Pervizit, në burgje e kampe internimi; ai shpëtoi pranë librarisë së familjes Pepo në Tiranë. Më 1949 arriti të fillojë Liceun Artistik në Tiranë, por në maj të vitit 1950 u arrestua bashkë me të vëllanë, Valentin Pervizin. U internua në Porto Palermo. Një vit më vonë u transferua në kampin e Tepelenës, ku u takua me të ëmën (gjyshja ndërkaq kishte vdekur). Aty arriti të vizatojë skena e portrete nga jeta e kampit, si dhe të krijojë disa poezi, një pjesë e të cilave shpëtuan dhe u botuan pas rënies së diktaturës. Pas mbylljes së kampit më 1954, u transferua në Plug të Lushnjës. Një vit më vonë, u dërgua në Shtyllas të Fierit e prej këtu në Kuç të Kurveleshit. Më 1958 u kthye në Plug (deri më 1990). Pas rënies së komunizmit, u vendos familjarisht në Belgjikë, ku jeton edhe sot. Atje merret me shkrime dhe boton e drejton revistën «Kuq e Zi». 

Burimi: Fjalori Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist VI (Tiranë: ISKK, 2017), 260. 

Filed Under: Emigracion

VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT

April 1, 2024 by s p

Të dashur bashkombas të besimit Katolikë

Më lejoni që në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, të familjes sime dhe në emrin tim personal t’ju uroj përzemërsisht: Gëzuar dhe Përshumëvjet Pashkët.

Pashkët, ngjallja e Krishtit, festa më e madhe në besimin e Krishterë, na mbush me gëzim të madh, me forcë, me besim, me shpresë, dashuri dhe mirësi.

Ngjallja e Krishtit është festë e jetës, festë e së mirës, festë e dritës, festë e dashurisë. Pashka e vitit 2024 le të përcjellë për të gjithë ne më shumë optimizëm, shpresë, prosperitet, paqe, falje dhe dashuri për çdo shqiptar anëkënd botës.

Bekime prej Zotit fuqiplotë të keni ngaherë në familjet tuaja te nderuara e të respektuara.

Kjo festë e madhe, qoftë për secilin prej nesh një moment reflektimi, pastrimi e kthese në rrugën e drejtë të arsyes, besimit e shpresës për ditë më të bukura e më të lumtura në jetën tonë, të familjes e kombit tonë.

Zoti ju bekoftë të gjithëve.

Me respekt e gëzim

Kryetari i VATRËS

Elmi BERISHA

Filed Under: Opinion

Demostratat e ’81-shit dhe ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës

April 1, 2024 by s p

Dr.Lulzim Nika/

Me ardhjen në krye të ShBA-së të presidentit Ronald Regan, ishte vendosur një politikë më agresive ndajë “lindjes” dhe sistemit politik socialist dhe ideologjisë komuniste. Në politikën e jashtme të ShBA-së, të gjitha trazirat politike, sociale e klasore në “botën e lindjes” ishin në funksion të politikës amerikane që ishte e vendosur në shkatërrimin e sistemit politik të lindjes. Të gjitha zhvillimet dhe lëvizjet që binin ndesh me sistemin politik të kampit “të lindjes” ishin në favor dhe gjenin përkrahje të ShBA-së për të dëshmuar se duhet ndërruar sistemi politik i lindjes që binte ndesh me respektimin e të drejtave të njeriut dhe rrezikonte paqen dhe sigurinë globale. Në kuadër të kësaj klime dhe perspektive, duhet parë edhe demonstratat e studentëve të vitit 1981 që ishin të organizuara nga grupet atdhetare shqiptare që kishin “ideologji majtiste” me qëllim të ngritjes së statusit politik të Kosovës në Federatën jugosllave.

Po bëhen më shumë se katër dekada nga dita kur filloi kthimi i shpresës për liri të Kosovës me sakrificën e pamohueshme të profesorëve dhe studentëve të Universitetit të Prishtinës që organizuan Demonstratat e vitit 1981. Protestat studentore të vitit 1981, janë vijimësi e protestave të vitit 1968.Falë idealistëve që besonin në lirinë e Kosovës, u bë organizimi i Pranverës shqiptare të vitit 1981. Adem Demaçi, Metush Krasniqi, Fazli Graiçevci, nën terrorin e Rankoviqit, filluan organizimin e shqiptarëve drejtë lirisë. Brezi i Kadri Zekës, Jusuf Gërvallës, Fehmi Lladrovcit, Gani Sylës, Hydajet Hysenit, Jakup Krasniqi shumë të tjerëve, do të bëhet fronti i pathyeshëm që mbi supet e tij do të merrte përgjegjësinë historike për ndërtimin e shtetit të dytë shqiptar, të Kosovës që sot falë atij përkushtimi, ne e gëzojmë. Ky brez bëri sakrificën titanike për lirinë e Kosovës. Lëvizja studentore në Kosovë, vazhdoi rezistencën e saj pareshtur bashkë me kërkesat e tyre të cilat gjithnjë mohoheshin nga pushtuesi serb. Në vazhdën e këtyre përpjekjeve, demonstratat masive të pranverës së vitit ’81 (mars-prill), konsiderohen si ngjarjet kryesore në Jugosllavi, pas vdekjes së Titos. Fillimisht, revoltat studentore në mjediset universitare, ato brenda një kohe të shkurtër u përshkallëzuan në protesta gjithëpopullore anekënd Kosovës. Ngjarjet e pranverës së vitit 1981, sollën në sipërfaqe problemet e pa kapërcyeshme në Jugosllavi – për shumë kë ato përbënin edhe prologun e shkatërrimit të eksperimentit socialist që më kot u mundua t’i tejkalonte antagonizmat etnik. Këtu, në vijim, do të paraqesim se si shkruhej për gjendjen e Kosovës nëpër mediumet më të mëdha botërore, si “Uashington Post”, “New York Times”, “The economist”, “Financial Times”, apo agjencitë “Associated Press”, BBC, Reuters, Xinhua e në shumë mediume të tjera. Ashtu sikur në vitin 1981, gjatë dhe pas demonstratave, imazhi i Kosovës nëpër botë kishte filluar të shpalosej realisht, pothuajse i plotë dhe i drejtë dhe se si menjëherë (brenda më pak një viti), propaganda serbe kishte arritur ta shtrembëronte këtë paraqitje të Kosovës, duke e kthyer në favor të vetin. Situata e rrotulluar nga propaganda serbe, nëpër mediumet botërore serbët paraqiteshin si viktimat më të mëdha të “nacionalistëve shqiptarë” dhe të “fundamentalistëve islamikë”. “Washington Post”, më 3 prill 1981 publikon artikullin me titull “Jugosllavia ndërmerr hapa emergjentë përballë trazirave etnike”, artikull që i kushtohet protestave të studentëve në Kosovë. Megjithatë, korrespondenti i WP, artikullin e kishte shkruar nga Beogradi dhe prononcimet i kishte marrë nga zyrtarët jugosllavë. Aty thuhet se ishin rreth 10 mijë protestues, studentë dhe minatorë që, sipas autoriteteve, disa ishin edhe të armatosur dhe kishin shtënë në drejtim të policisë. Artikulli po ashtu citon edhe deklaratën publike të kryetarit të Kosovës, Xhavit Nimani, i cili akuzon protestuesit se janë të manipuluar nga forca të huaja që duan ta prishin Jugosllavinë.Ndërkaq, gazeta e njohur “The Economist”, më 11 prill 1981, boton artikullin me titull “Jugosllavia – shtëpia ku u rritën shqetësimet”, ku i bën një skanim detaj gjendjes në Kosovë bazuar në të dhënat zyrtare, të Jugosllavisë së atëhershme si dhe në disa burime të pakonfirmuara. Në këtë artikull disa herë theksohet se në Kosovë shumica e popullsisë është shqiptare, dhe ajo është provinca më e prapambetur në aspektin ekonomik. Valuta vendase po pësonte rënie të ndjeshme dhe parashikoheshin probleme serioze për tërë vendin. Pak më vonë, më 19 prill 1981, e përditshmja “The New York Times”, boton një artikull me parashikim apokaliptik për Jugosllavinë: “Një stuhi kaloi, por të tjerat janë duke u grumbulluar në Jugosllavi”. “Bashkim vëllazërimit” të Titos duket se i ka ardhur fundi, shkruante qysh në fillim, autori i këtij artikulli. Pastaj, ndër të tjera thotë se në Jugosllavi, e cila përbëhet nga shumë etni, është një pabarazi e stërmadhe mes etnive e sidomos më të vuajturit janë shqiptarët e Kosovës. Në pjesën e fundit të artikullit shtjellohet gjerë e gjatë historia e Kosovës që nga Kongresi i Berlinit, vuajtjet dhe vrasjet e shqiptarëve nga serbët, pushtimet, protestat dhe çdo gjë që kishin bërë serbët mbi shqiptarët. “Financial Times”, më 5 shkurt 1982, boton artikullin “Policia dështon ta thyejë rezistencën në Kosovë”. Ky artikull pohon se si policia ka arritur t’i shkatërrojë 33 grupe nacionaliste kriminale të shqiptarëve, te të cilët ka gjetur armë dhe shumë mjete propaganduese. Edhe përkundër këtyre aksioneve thuhet se situata është shumë serioze. Këtej e tutje, organet mediale botërore që u përmenden, si “Financial Times”, “New York Times”, “The Economist”, BBC, Reuters dhe të tjera, nga fundi i vitit 1981 e deri në fillim të viteve 1990, shumë herë janë marrë me Kosovën. Ato i janë kthyer e rikthyer temës së Kosovës, por pothuajse në të gjitha këto mediume vërehet një ndikim i madh i propagandës serbe. Nga fundviti 1981 deri në fillim të viteve ‘90, mediat botërore përcillnin artikuj e reportazhe të gjata se si minoritetet, e sidomos minoriteti serb, po e lëshonte Kosovën, si pasojë e presionit, shantazheve, dhunës dhe vrasjeve nga shqiptarët e Kosovës, të cilët paraqiteshin si kanceri i shoqërisë dhe shtetit jugosllav. Kjo klimë u ndryshua dhe u bë e favorshme për Kosovën dhe shqiptarët, falë doktrinës së trasuar nga presidenti Regan, por në veçanti pas vizitave të para në vitet ’90 të kongresmenëve, senatorëve e zyrtarëve tjerë amerikanë, të cilët u njohën me të drejtat, liritë dhe kauzat e shqiptarëve në Kosovë. Kjo qasje pozitive dhe kthesë ndaj Kosovës e mediave botërore, shihet qartë ishte duke vijuar me besnikëri doktrinën e presidentit Regan me promovimin e vlerave demokratike. Kosova po hynte në fokus duke u bërë hapësirë dhe zonë e fuqishme e ndikimit amerikan. Pas çlirimit të vendit, kjo zonë u bë zonë e sigurt për të gjithë qytetarët, zonë e paqes, mirëkuptimit dhe vlerave më demokratike në rajonin e Evropës lindore dhe në veçanti duke qenë shembull i të drejtave të njeriut në Ballkan e më gjerë.

Filed Under: Komente

Pse blerja e një shtëpie duket e pamundur tani ?

April 1, 2024 by s p

Nga Rafael Floqi/

Poster nga Carolina Naranjo

Në dekadën e fundit, tregu i banesave ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm. Çmimet e shtëpive janë rritur në qiell, duke u dyfishuar në vetëm dhjetë vjet, me një pjesë të konsiderueshme të kësaj rritjeje që ka ndodhur vetëm në katër vitet e fundit. Megjithatë, kjo rritje e çmimeve është përballur me një rënie të përballueshmërisë së banesave, duke arritur nivelet më të ulëta që nga vitet 1980. Normat e larta të interesit e përkeqësojnë më tej çështjen, duke fryrë pagesat mujore të mortgages dhe duke e bërë pronësinë e shtëpisë gjithnjë e më të pakapshme për shumë njerëz.

Por sfidat shtrihen përtej vetëm blerësve. Shitësit, gjithashtu, po përballen me pengesa në këtë peizazh të ndryshueshëm. Me normat e interesit në rritje, shumë e gjejnë veten të mbyllur në shtëpi që nuk plotësojnë më nevojat e tyre. Për familjet në rritje, perspektiva e rritjes për të përshtatur rrethanat e tyre në ndryshim vjen me implikime të frikshme të financiare. Edhe folezat e zbrazëta, kur fëmijët kanë fluturuar së fundmi nga foleja, hezitojnë të zvogëlojnë madhësinë kur përballen me perspektivën për të paguar më shumë për më pak hapësirë.

Kulmi i këtyre faktorëve ka çuar në një ngadalësim të ndjeshëm të tregut të banesave. Në vitin 2023, shitjet e shtëpive arritën një nivel të ulët gati tre dekadash, duke shënuar një kontrast të fortë me aktivitetin e furishëm të parë në fazat e hershme të pandemisë.

Nicole Friedman, një reportere e problemeve të strehimit për Wall Street Journal, hodhi dritë mbi kompleksitetin e peizazhit aktual të banesave në një bisedë të fundit me bashkë-prezantuesin e Today, Explained, Noel King. Duke diskutuar ndikimin e normave të interesit, Friedman theksoi ndryshimin e rëndësishëm që edhe një luhatje e lehtë mund të kenë në pagesat mujore të hipotekave. Një zhvendosje nga një normë interesi 3 për qind në 7 për qind, për shembull, mund të rezultojë me një diferencë prej qindra, nëse jo mijëra dollarësh në muaj – një hendek që mund të përcaktojë nëse pronësia e shtëpisë mbetet e arritshme për klasën e mesme.

Për më tepër, Friedman theksoi rolin kritik të përballueshmërisë së banesave, një metrikë e ndikuar nga një kombinim i çmimeve të shtëpive, normave të mortgage dhe niveleve të të ardhurave. Pavarësisht nga normat e ulëta historikisht të hipotekave, kostoja në rritje e shtëpive ka gërryer përballueshmërinë në nivele të papara në dekada, duke vendosur tendosje të panevojshme për blerësit e mundshëm.

Megjithatë, sfidat me të cilat përballen blerësit nuk janë përkthyer në pazare për shitësit. Pavarësisht uljes së kërkesës për shkak të normave më të larta të interesit, oferta e banesave në treg është ulur gjithashtu. Shumë shitës potencialë e shohin veten të gatshëm për t’u ndarë me shtëpitë e tyre, duke mos dashur të heqin dorë nga normat e favorshme të mortgage ose të luftojnë me çmimet e fryra në tregun aktual.

Rrënja e çështjes qëndron në një çekuilibër themelor midis ofertës dhe kërkesës. Mungesa e ndërtimeve të reja, e përkeqësuar nga ndërtuesit e kujdesshëm të shtëpive që ende po rrëmbehen nga pasojat e krizës financiare, e ka lënë tregun të uritur për inventar shtëpish. Rrjedhimisht, cikli tradicional i pronësisë së shtëpive, i karakterizuar nga tranzicione të rrjedhshme midis shtëpive fillestare dhe pronave më të mëdha, është ndërprerë.

Ndërsa disa ia atribuojnë këtë stanjacion të moshuarve që zgjedhin të qëndrojnë në shtëpitë e tyre më gjatë, Friedman argumenton se pengesa e vërtetë qëndron tek blerësit që lëvizin lart, kryesisht nga Gjenerata X. Këta pronarë shtëpish, të bllokuar nga normat e favorshme të hipotekës në pronat e tyre aktuale, nuk janë në gjendje për të kaluar në shtëpi më të mëdha sipas synimit, duke kufizuar më tej furnizimin e shtëpive të disponueshme.

Pasojat e këtyre tendencave shtrihen përtej thjesht ekonomisë. Pronësia e shtëpisë, dikur sinonim i ëndrrës amerikane, tani ndihet gjithnjë e më e paarritshme për brezat e rinj. Millennials dhe Gen Z, të ngarkuar nga kufizimet financiare dhe një treg i paqëndrueshëm i banesave, përballen me perspektivën e frikshme për të mos realizuar kurrë stabilitetin dhe sigurinë që premton pronësia e shtëpisë.

Ndërsa tregu i banesave përballet me këto sfida, ai nxit një bisedë më të gjerë shoqërore rreth vlerës dhe aksesit të pronësisë së shtëpisë. Për shumë njerëz, ëndrra për të pasur një shtëpi mbetet një aspiratë e fuqishme – ajo që kërkon konsideratë të menduar dhe masa më proaktive për të siguruar realizimin e saj për brezat e ardhshëm.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 58
  • 59
  • 60
  • 61
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT