• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2024

Abetarja e Petrit Halilajt në Nju Jork e Lexueshme për të Gjithë

May 18, 2024 by s p

Rafaela Prifti/

Vargu i vizitorëve në hapësirën e tarracës së hapur të muzeut prestigjioz të artit The Metropolitan Museum of Art (MET) në Nju Jork herë shtohej, herë pakësohej, por nuk ndalej. Titulli i koleksionit tredimensional “Abetare” nga Petrit Halilaj ndërtuar nga vizatime të zmadhuara të gjetura në bankat e shkollave fillore të fëmijëve në Kosovë, Shqipëri dhe vende të tjera të Ballkanit përcjell simbolikën e fillesës, atëherë kur të mësuarit fillon nga ABC-ja për një njeri a për një komb. Artisti ka shpjeguar se në ato vizatime, të cilat i zmadhoi në instilacione çeliku dhe bronzi, ai pa ndikimin e luftës tek fëmijët në kohën ku dominon teknologjia e internetit. Në të vërtetë, në sajë të internetit u bë zbulimi rastësor i instilacionit të Halilajt nga ekspertët përzgjedhës të galerive të MET-it.

Emri i Petrit Halilajt dhe titulli i galerisë projektohen në të dy krahët e hyrjes së muzeut sapo kalon pragun kryesor në Avenjunë Pesë të kompleksit më të madh të artit të gjithë kontinentit amerikan. Të bien në sy vizitorët që janë ulur në stolat e hyrjes me harta në duar për të zgjedhur ekspozitat që do shohin, të tjerë me kombësi nga më të ndryshme, që kalojnë nga njëra anë në tjetrin të gjejnë grupet me të cilat kanë ardhur këtu.

Ndërsa një grup hyn në ashensorin që të çon në tarracë, disa lexojnë të dhënat biografike të Halilajt, dhe të profilit të tij, ku thuhet midis të tjerave, se përpara Nju Jorkut, ai e ka hapur ekspozitën në Prishtinë me temën “Kur dielli ikën, Ne pikturojmë qiellin” pjesë e ekspozitës “Manifesta 14” – një instilacioni i vendosur mbi ndërtesën e hotelit Grand në Prishtinë.

Një treshe me studentë dalin të parët jashtë dhe hapin dyert prej xhami të tarracës, teksa njëri prej tyre thotë me zë të lartë anglisht: “Dua ta shoh se për çfarë bëhet gjithë kjo bujë!” Ndërkohë, në mes të sheshit në krah të djathtë, disa turistë aziatikë po fotografohen nën merimangën gjigante prej çeliku inox dhe pastaj bëjnë pak hapa dhe bëjnë foto me instilacionin masiv të shtëpisë me çati. Një vajzë e vogël luan me hijen që lëshon merimanga ndërsa të rriturit vërejnë me kureshtje akronimin KFOR. Një grua e moshuar me shkop i tregon shoqërueses së saj zogun e paqes ulur në një nga këmbët e merimangës, duke i thënë: “Ja ku është!”

Nëse shkon ta shikosh vetëm, siç isha unë, apo në grup, instalimet e Halilajt të tërheqin në një lojë zbulimi të siluetave lineare, karikaturave në bordurën e murit, një anagram në një qoshe, lule apo një yll mbi tarracë prej nga vështrimi kalon lehtë tek parku i madh Central Park. Secili prej punimeve është krijuar si ilustrim alfabetik nga artisti kosovar 38 vjeçar, që ka personalizuar artistikisht përjetimin e luftës së Kosovës si fëmijë refugjatë në kampin e qytetit të Kukësit.

Një mësuese e artit vizatimor, e cila kishte ardhur nga Bostoni për ta parë instalacionin pyeti rojën e galerisë për të kuptuar instalimin që përngjan me një tabelë komunikacioni. Ai ngriti supet. Duke u ndjerë pak si fëmijë, nuk e përmbajta dëshirën për të thënë se unë e dija përgjigjen – Runik është emri i qytezës në Kosovë dhe vendlindja e autorit. Në intervistat me mediat, Petriti ka treguar se ai u largua nga Runiku në moshën 12 vjeçare kur shtëpia u dogj gjatë luftërave në Kosovë dhe jetoi për më shumë se një vit në kampin e refugjatëve në Kukës – ku nisi zanafilla e karrierës së tij artistike. Pas kthimit në Runik, ai ndoqi studimet e artit në Itali, më pas u vendos në Berlin, ku jeton edhe sot.

“Instilacioni gjigand është projekti i parë madhor i Halilajt në Amerikë. Arti i tij është thellësisht i lidhur me historinë e re të vendit të tij të lindjes, Kosovës dhe pasojat e tensioneve kulturore dhe politike në rajon,” thuhet në tekstin shoqërues të ekspozitës së Halilajt në MET.

Inicialet e NATO-s, akronimi KFOR, shtëpia me çati, shigjeta për Runik janë disa nga faqet e Abetares sonë me të cilën arti i Halilajt arrin të komunikojë me publikun nga e gjithë bota.

Për gjashtë muaj me radhë, nga fundi i prillit në fund të tetorit, ekspozita me instilacionet e tij do shikohet nga numër rekord i njerëzve.

“Vizitorët mund të mos arrijnë të shohin një galeri nga mesjeta apo një tjetër nga periudha moderniste, por në tarracë vijnë thuajse të gjithë vizitorët e sezonit turistik në MET,” thonë çifti Ornela dhe Fredi Cukalla, punonjës të sigurisë në MET.

Duke bërë një llogaritje të shpejtë të numrave të publikuar në faqen e MET-it, del se në fund të tetorit Abetaren do ta kenë parë përafërsisht shtatë milionë njerëz nga çdo anë e globit.

Rrugës duke dalë nga tarraca, kthej edhe një herë kokën pas, dhe, papritur më zë syri “firmën” e autorit të Abetares – siluetë e portretit të tij – dhe një batman që shfaqet tek trarët prej nga derdhen jargavanët që bëjnë hije në tarracën e MET.

Petrit Halilaj ka krijuar një Abetare me simbolikë, ndjenja dhe fantazi të lexueshme për të gjithë.

Filed Under: Politike

Hosanaja e turmave dhe bajlozët ballkanikë

May 18, 2024 by s p

Romelda Bozhani

Romë, Itali/

Një natë dimri, tërë feksje dritash, në qytezën tonë italiane prej tetë mijë banorësh, u gjend një maçok i vrarë. I kishin vënë flakën me fishekzjarret e mbetura të Vitit të Ri dhe maçoku, që rastësisht qëlloi të ishte edhe jetim, edhe qorr, edhe plak, edhe i vetmuar, edhe grindavec, sipas atyre që e njihnin, ishte përpëlitur disa minuta mes flakësh e kishte ngordhur. Nuk dua ta mendoj dhembjen e kafshës së gjorë, ato çastet e tmerrshme, që ndajnë jetën dhe vdjekjen e një maceje, si të ishte jeta dhe vdekja e një njeriu, por dua të ndalem te jehona që pati ky rast në jetën tonë, në qetësinë e kësaj qyteze, që i ngjet çdo province tjetër, pa bujë e bëma të mëdha. Bubëlloi çdo gjë atë ditë. U ngritën të gjithë në këmbë për të gjetur fajtorin. Domethënë, në tetë mijë banorë: italianë, shqiptarë, rumunë, indianë, afrikanë, gra, burra, shoferë, pjatalarës, kuzhinierë, shitës, shtëpiake, sehirxhinj etj, duhet të gjendeshin ata dy, ose tre, ose një adoleshent bjerrakohës, që kriminel e bëri vrasja e një kafshe e jo e një njeriu. Erdhi ekipi i një televizioni kombëtar për të bërë lajm. Foli kryetari i bashkisë, kryetarja e shoqatës në mbrojtje të kafshëve, policia po e po, qytetarë të rastësishëm, njerëz të ngeshëm jo të rastësishëm. Doli në televizor, me shapkë në kokë, regjisori ynë i vetëm, që në kohë të lirë bëhet edhe i vetmi biletashitës, në të vetmin teatër të qytezës. Citoi ca vargje të Dantes e fët e fët donte të jepte zgjidhje. “Është çështje qytetarie”, tha. “Ka vdekur çdo ndjenjë, çdo gjë e bukur që na nderonte më parë”, shtoi me nxitim. U panë e u studiuan videot e zonës, u bë thirrje për rigjetje të atij njerëzillëku të dikurshëm, që, sipas brezit të vjetër, asnjëherë nuk i përmbush ca standarte në ditët e sotme. U premtua që fajtori do të gjendej, shoqëria do të aktivizohej më shumë për të ndërtuar modele për të qenë e jo gjysma gjel e gjysma kapua, si ky brezi i fundëm, etj, etj.

E treguar kështu, duket sikur bëhet fjalë për ca ngjarje, që s’i përkasin botës sonë prej homo balcanicus. Ne s’kemi kohë e mendje të merremi me vrasjen e një maceje. Ne, vdekjen e kemi ende prej mishi e gjaku njeriu. Por, ja, që këtu, në një provincë të qetë italiane, që shërben si konvikt periferik i një qyteti të madh, ka ndërgjegje të mendohet se ç’do të bëhet me këta kriminelë të vegjël të së sotmes. Sepse kriminelë i quajtën. Në të tilla raste, një pyetje me zarar, fshihet atje poshtë, thellë, tek secili prej nesh. A mund të bëhen kriminelët e mëdhenj të së ardhmes, këta fëmijë që sot s’patën mëshirë të vrisnin një maçok endacak?! Po pse jo?! Edhe pse, jo domosdoshmërisht, them unë. Por nuk jam e sigurtë. Dhe nuk besoj se ndokush tjetër do vinte dorën në zjarr. Psikologjia, aq më pak.

Me siguri, di vetëm një gjë, që për çdo krim, apo përdhunim, për çdo ngritje zëri, apo mbledhje grushti, për çdo kanosje vetullash, apo mospagim taksash, etj., këndej ane, kërkohet llogari e, në të njëjtën kohë, kërkohet edhe zgjidhja. Fajtorët e çdo thyerjeje rregulli, normeje, apo kriteri tjetër të një jete të shëndetshme, të vendosur nga një shoqëri e shëndetshme, edhe neve duhet të na bëjnë përshtypje, siç rëndom ndodh këtyre anëve. Është kohë e turbullt në Perëndim, por drejtësia funksionon ende dhe pse çeta e profetëve, domethënë turma, në rrjetet sociale, kërkon “gjak”, në mënyrë figurative dhe drejtësinë e pretendon si të vetmen zgjidhje.

Në Ballkanin tonë, gjërat funsksionojnë pak (ose shumë!!!) më ndryshe. A i mbani mend, dikur?! Kazane të tëra plehrash që digjeshin për sport e për gajasje, lagje të pushtuara nga turma të dhunshme kokësopatash, pemë të masakruara, toka të marra me përdhunë, puseta uji të vjedhura, plehra të hedhura nga ballkonet, ballkone të dala arna-arna shtëpish të ndërtuara pa kritere e pa leje, mace të llahtarisura, që kërcenin pupthi bishtëprera, syqërruar, me flakë të vëna në putra, në qime, në mustaqe. Këta janë kriminelët tanë të vegjël, të së djeshmes, që s’na e kanë prishur ndonjëherë gjumin. Ndërsa sot, i ke aty, jashtë, brenda, gjithkund, çuditërisht edhe në kompjuter, me emër e mbiemër, që shkruajnë e zezë mbi të bardhë, se si heronjtë e tyre të drogës, të vrasjeve, të dhunës, janë heronjtë e tyre të përditshëm e të përjetshëm. Kriminelët tanë të djeshëm, nuk i ka ngrënë meraku dje e nuk do t’i hajë meraku as mot. Janë shtrirë gjerë e gjatë e gju më gju me shoqërinë dhe me çetën virtuale, që i hanë duart gjithmonë. Komentojnë, u dalin përkrah vrazhdësisht dhe ashiqare bëmave të kriminelëve të të gjitha kohëve, të të gjitha racave. Ata përligjin krimin si burrëri. Skafistin e quajnë punëtor të guximshëm, që punon fort për të mbajtur familjen me bukë. Hajdutit i urojnë “me krahë të lehtë”, bosin e krimit dhe të drogës e quajnë vetëm bos dhe i heqin kapelen. Atij që i shet hashash fëmijëve tanë, fëmijëve të të tjerëve, nëpër sheshe, nëpër shkolla, nëpër rrugë, domethënë, gjithkund, nën hundën tonë, ia qajnë hallin se edhe ai ka familje. Kush përkrah e ushtron, domethënë, bën vajzat të ushtrojnë prostitucionin, është i zoti, që ka hapur vend pune në kohë krizash. E kush ushtron dhunë psikologjike, s’vihet re se ne njohim vetëm drurin, hurin dhe kamxhikun. E ç’mund të thuhet për kriminelët?! Ne, kriminelin e duam, martohemi e shtrihemi me të deri në shtrat të vdekjes. Rasti i fundit i thirrjes së thanatosit, ndodhi vetëm pak ditë më parë, në Shkodër.

Në buzë të Bunës shtrihet e pajetë një grua e re me fëmijët e saj. Ende. Përgjithmonë. Ky krim, duhet t’i rëndojë më shumë ndërgjegjes sonë, se sa dheut që e mbajti dhe s’tregon dot të vërtetën. Ajo bukuri e mjerë është viktima e sotme e një shoqërie të dobët, siç jemi ne, që nuk i denoncojmë e nuk i dënojmë kriminelët e vegjël të së djeshmes. Ata, të cilët, sot, dënimin me burg për lëndë narkotike, për vjedhje, për thyerje ligji, për përdhunime, apo krime të tjera “të vogla”, nuk e quajnë turp, po përvojë jetësore. Ata, që të keqen nuk e shohin si njollë të pakthim në jetën e një qytetari normal në një shoqëri normale, por e kanë qepur si lëkurë të dytë dhe i japin format e trupit të tyre.

Në tokën tonë, bajlozët nuk dalin nga deti, por i kemi aty, mes nesh. I prekim çdo ditë, u japim kafe, u japim dorën e ata shtrihen ngado, si venduza, në çdo qelizë të shoqërisë e kërkojnë gjak, këlthasin hosana për antiheronjtë, na thonë mirëmëngjes në rrugë e na dërgojnë “zemra” në kompjuter. Janë ngjitur edhe deri lart, në foltoret e dijes, nga ku, për habinë time e të ca njerëzve të paktë, për të cilët drejtësia vazhdon të jetë peshorja e vetme e jetës dhe e vdekjes, e së mirës dhe së keqes, del një profesor i famshëm i çetave të profetëve, që, ex cathedra, në mënyrë krejt primitive, kërkon gjak të vërtetë, hakmarrje e vetëgjyqësi. Mos u ngutni ta quani “intelektual”, apo “profesor” këtë njeri. Edhe ai s’është gjë tjetër, veç një bajloz ballkanik.

Filed Under: LETERSI

STRATEGJIA KINEZE: TË NDAJË EVROPËN DHE NATON

May 18, 2024 by s p

Nga DANILO TAINO – “Corriere della Sera”, 14 maj 2024 – Përktheu Eugjen Merlika/

Një dhelpër u end nëpër Evropë. Apo ishte një ujk? Udhëtimi i ditëve të shkuara të Xi Jingpinit ndërmjet Parisit, Beogradit e Budapestit u quajt nga shumë vëzhgues si shumë dhelparak. Vitin e kaluar, Emmanuel Macron kishte shkuar në Pekin e zhurmshëm kishte mbajtur qëndrim kundër amerikanëve mbi mbrojtjen e Taivanit dhe tani i a ka shpërblyer: për pak muaj nuk do t’i verë taksa të tepruara mbi importimet e konjakut në Kinë. Pastaj qe më bujar në dy vizitat miqve (të tij e të Putinit), njëri në Sërbi e një tjetër në Hungari: i pari jashtë BE e NATO-s, i dyti në një që bën pjesë në të dyja organizatat por i pengon nga brenda. Me gjasë, në Pekin udhëtimi vazhdon të shihet kështu: diplomaci shumë e hollë. E në Perëndim gjithashtu: tek neve evropianët qeveritarët kinezë gjithmonë janë parë si të aftë e dinakë, dhelpra.

Të qetësuara valët e ngritura nga rrugëtimi i çuditshëm i njeriut të fuqishëm të Pekinit, mund të kërkohet të jepet një gjykim i ftohtë mbi strategjinë e mbi taktikën e tij. E para është shqetësuese, e dyta nuk duket aq gjeniale dhe aq e hollë.

Strategjia ishte e njohur por java evropiane e Xi qe e vrullëshme, jo e shtirë, e pothuaj luftarake si asnjëherë: për mënyrën në të cilën Pekini e ka planifikuar udhëtimin, për përmbajtjen e bisedimeve dhe të deklaratave, për paratë që udhëheqësi kinez ka premtuar të dërgojë në arkat e qeverive të Aleksandar Vuçiçit dhe Viktor Orbanit.

Synimi i pafshehur i drejtuesve konfucian-komunistë kinezë është ai i ndarjes së evropianëve, si në BE ashtu edhe në NATO, e për të futur një pykë (për sa të jetë e mundur) në marrëdhëniet ndëratllantike.

Investimet që Kina ka lajmëruar për në Sërbi e Hungari, kanë një anë tregtare në të parin e Vendeve, të ndërtojnë infrastruktura për të shpënë n’Evropën qëndër-lindore mallrat e veta të shkarkuar në portin grek të Pireut ( në pjesën më të mirë i mbarështuar nga kinezët); në të dytin për të instauluar fabrika në një territor të BE për të shmangur taksat e mundëshme që Brukseli do të verë mbi importimet nga Kina të automobilëve elektrikë e prodhimeve të tjerë për kalesën klimatike. Ana politike është ende më e rëndësishme.

Xi dhe delegacioni që e ndiqte kanë shoqëruar investimet me një akt diplomatik të fuqishëm: kanë ngritur marrëdhëniet e Pekinit me Budapestin në një rang miqësie e afërsie të kaluar vetëm nga Pakistani dhe Rusia. Udhëheqësi kinez ka lavdëruar politikën e jashtëmë “të pavarur “ të Orbanit dhe sfidën e tij politikave të fuqisë së madhe: me këtë kuptohen bojkotimet e politikave të BE dhe pengesat që shpesh Budapesti i ve NATO-s (Hungaria , ndërmjet të tjerash do të ketë kryesinë e rradhës së bashkimit evropian nga 1 korriku, gjatë gjashtë muajve pasuese të votimeve për Parlamentin evropian).

Mesazhi: kush shkëputet në ndonjë farë mënyre nga Brukseli dhe NATO do të shpërblehet me miqësinë e Kinës e veçanërisht me investimet e saj. Njoftime tashmë të regjistruar nga të tjerë veshë të ndijshëm: kryeministri sllovak Robert Fico i ka valixhet gati për një vizitë zyrtare në Pekin në qershorin e ardhshëm.

Suksese taktike të lehta, si përfundim në Beograd e Budapest. Takimi më i rëndësishëm, ai me Macronin, qe gjithshka por jo një trumf për Xi. Premtimi për të pezulluar vendosjen e taksave ndaj konjakut i jep kënaqësi Parisit, por objektivisht është anësor. Veçanërisht për një president francez, që ka ndryshuar rrënjësisht përimtimin mbi Kinën (e jo vetëm) në krahasim me udhëtimin në Pekin të 2023.

Nëse për një periudhë në Perëndim janë gënjyer se Kina mund të ishte një ndërmjetës në Ukrainë, sot është e qartë se jo vetëm gjigandi aziatik nuk është i barazlarguar nga Moska e Kievi, por ajo mbështet aktivisht Kremlinin e do të vazhdojë t’a bëjë. Për Xi është qenësore që Putini mos të humbë: ajo do t’i jepte një goditje të fuqishme teorisë së tij qëndrore, simbas së cilës Perëndimi është në një rënie të pakthyeshme. Aleanca ndërmjet Kinës e Rusisë do të dilte e dobësuar dhe synimi kinez për të “rishikuar” rendin ndërkombëtar do të largohej me vite, me gjasë shumë për Xi. Prandaj Pekini ka shtuar në mënyrë të jashtzakonshme furnizimet dual-use (si civilet si ushtaraket) kundrejt Moskës nga marsi i vitit të shkuar kur udhëheqësi kinez vizitoi një Kremlin që i ndruhej kundërsulmit ukrainas. Edhe se në fillim Macroni e shihte me sy të mirë Kinën, ai e kuptoi gjëndjen.

Biseda me Xi në veshjen e ujkut ka qenë e pamundur.

Përfundimi i udhëtimit kurreshtar evropian të drejtuesit kinez është vërtetimi i dëshirës së tij për të ndarë BE dhe Nato-n e largimin e Evropës nga Shtetet e Bashkuar. Është vërtetimi i mbështetjes së tij agresionit rus në Ukrainë: nuk është një shpërthim të thuhet se nuk është Perëndimi ai që përdor Kievin për të sulmuar Rusinë, siç pohon dikush, por është Pekini që përdor Moskën për të dobësuar Perëndimin. Nga ana tjetër, është në kulturën politike e ushtarake kineze të mendojë se një luftë, edhe e rastit, fitohet më parë se të fillojë: të raskapitet kundërshtari deri sa të vihet në kushte dorëzimi. Kjo është pamja shqetësuese e udhëtimit të Xi. Në rrafshin praktik , ai ka shpërndarë çmime në Beograd e Budapest, por agresiviteti i tij i papritur dhe i shfaqur ka ngritur lajmërimet e rrezikut në Paris e në të gjithë Evropën, që ndoshta tashti janë më të vetëdijshëm se më parë për prurjen e belegut kinez. Jo gjithmonë është një dhelpër ajo që vjen nga Pekini.

Filed Under: Analiza

LIBËR DOKUMENTAR PËR KOSOVËN NË NJË KOHË DRAMATIKE

May 18, 2024 by s p

Ngjarjet dramatike të cilat i ka përjetuar populli shqiptar në Kosovë gjatë luftës së fundit(1998-1999), ka qenë motiv i mjaftueshëm për botime nga autor të ndryshëm duke ofruar të dhëna për krimet e pushtetit serb dhe gjenocidin kundër shqiptarëve, ku libri i gazetarit F.Musliu paraqet një botim të veçantë i cili mund të trajtohet si dokumentar për Kosovën këtë periudhë kohore.

Nail Draga

Botimi i një libri të tillë ka peshë të veçantë sepse autori i tij është dëshmitarë okular i ngjarjeve duke informuar opinion shqiptarë dhe me gjerë. Ai i ka qendruar besnik kodit të gazetarit, duke qenë konciz dhe pa paragjykime. Ndonëse gjatë kësaj kohe ai ishte rrezikuar duke u kërcënuar, ai qendroj në Beograd rreth pesë muaj larg familjes, por duke i ndënjur besnik misionit të informimit.Nuk ka dilemë se një botim i tillë është në favor të prezantimit real të ngjarjeve në këtë periudhë kohore, ku Kosova ishte në qendër të opinionit evropian e ati botëror. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, sepse ishte hera e parë qe forcat ndërkombëtare të NATO-s kanë intervenuar për 78 ditë për të shpetuar shqiptarët nga politika serbe gjenocidale.

Botimi ndahet ne tre pjesë: 1.Baticat dhe zbaticat e jetës, 2. Raportët ditore në Zërin e Amerikës janar-mars 1999 dhe 3.Disa dokumente të rëndësishme politike ndërkombëtare për çështjen e Kosovës(1.Dokumenti i Grupit të Kontaktit për Kosovën e vitit 1998, 2.Marrëveshja e Rambujës, 3.Marrëveshja e Kumanovës dhe 4.Rezoluta 1244).

Fillimisht ky libër është botuar si fejton në gazetë për 23 ditë rresht, e më pas i janë shtuar raportet për “Zërin e Amerikës”, që është botuar nga Dukagjini në Pejë. Ndërsa botimi i dytë është i zgjeruar me disa dokumente diplomatike ndërkombëtare, që ndikuan në fillimin e fushatës së bombardimeve të NATO-s me 24 mars 1999, kundër ish-Jugosllavisë.

Guximi profesional

Autori i librit gjatë qendrimit në këtë kohë në Beograd aty ishte fizikisht ndërsa mëndërisht ishte në Prizren të familja e tij. Kemi të bëjmë me një kohë dramatike se askush nuk ka mundur të parashikojë se si do të jetë dita e nesërme. Ne këtë botim janë te prezantuara tri letra nga familja, që janë dëshmi autentike e kësaj kohe.

Se qendrimi në Beograd ishte rrezik përmanent është dëshmi edhe vrasja e gazetarit të njor S.Quruvija në Beograd nga vet pushteti serb. Por, Musliu ia arriti të përballoj sifdat e kohës duke mbetur shëmbull për të tjerët me guximin profesional e ate intelektual.

Duke lexuar këtë libër e dhëna se në Qendren Mediale në Beograd e cila ishte vendtakimi i gazetarëve, intelektualeve, aktivistëve të shoqërisë civile dhe indvidëve të ndryshëm ka qenë një mbeshtetje dhe kurajo për punën e Musliut si gazetar por edhe qendrimit të tij në këtë mjedis.

Dokumentar për krimet serbe

Duke lexuar këtë libër qe lirisht mund të quhet edhe si “Ditari i luftës”, del qartë se kemi të bëjmë me ngjarjet dramatike, politike e luftarake të kohës, duke përfshirë dhunën, dëbimet, vrasjet, masakrat, varrezat masive në Kosovë, nga ushtria e policia serbe.

Ditarin duhet lexuar për të kujtuar krimet e pushtetit të politikës serbe e cila dëshmoi në praktikë gjenocidin kundër shqiptarëve. Masakrat anë e kënd Kosovës kundër popullsisë së pafajshme sipas planit “Patkoi” janë dëshmi transparente e një konstatimi të tillë. Ndërsa intervenimi i NATO-s me 24 mars 1999 ishte për çështje humanitare, për të shpëtuar një popull, është dëshmi e ndalimit të spastrimit etnik të një populli i cili ishte i okupuar nga viti 1912, qe u verifiku në sajë të vendimit të padrejtë të Konferencës së Londrës në vitin 1913.

Lëndë burimore për studiues

Ky botim ofron faktografi historike dhe pa dilemë se mund të shërbejë si material burimor për studiues të ndryshëm për këtë periudhë kohore, e cila ishte vendimtare në çlirimin e Kosovës.

Nuk ka dilemë se libri nxit kureshtjen e lexuesve duke u rikujtuar ngjarjet dramatike për të gjithë ata qe e kanë përjetuar. Ndërsa pamjet e mediave të ndryshme të asaj kohe janë dëshmi autentike për golgotën e përjetuar nga shqiptarët e Kosovës, nga vrasjet, masakrat, dëbimin e rreth 1 milion shqiptarëve si dhe rikthimin e tyre pas datës 12 qershor 1999, qe me të drejtë cilësohet Dita e çlirimit të Kosovës!

Fahri Musliu, DITARI I GAZETARIT SHQIPTAR NË BEOGRAD, Prizren, 2013.

Filed Under: ESSE

FOSFORESHENCA E FJALËS NË POEZINË E KLARA KODRËS

May 17, 2024 by s p

Hasan Gremi/

Kemi shkruar më parë për prozën e studiueses, krijueses dhe përkthyeses Profesore Klara Kodrës, po këtë herë do të hedhim një vështrim mbi poezinë e kësaj autoreje për të parë risitë që ka sjell në këtë zhanër. Poezia e Klara Kodrës është, sipas mendimit tonë, një dukuri e veçantë në poezinë bashkëkohore shqiptare. Kjo poezi u takon dy periudhave të ndryshme historike, viteve ’60, ’90 dhe viteve pas ’90-ës. Poezia e lartpërmendur nuk mori si model treshen e poetëve të mëdhenj të avangardës së ’60-ës, as poezinë popullore, sipas traditës së gjatë që ka sunduar në letërsinë shqiptare, që u ndoq edhe nga Dritëro Agolli dhe poetë të tjerë. U shfaq si poezi në vitet ’60 (për të qenë të saktë, vjershat e saj të para të botuara i takojnë vitit 1959 në një cikël te revista “Nëndori”, që u ndoq nga vjersha të tjëra të botuara te “Drita”, “Zëri i rinisë”, “Ylli”, “Shqiptarja e re”, tri almanaqe të botuara nga rrethi letrar i Pallatit të Kulturës “ Äli Kelmendi”, rreth letrar ku bënin pjesë Jorgo Bllaci, Piro Kuqi, Bedri Myftari, Zhaneta Ogranaja të cilëve iu ndërpre dhunshëm krijimtaria nga diktatura). Poezia e Klara Kodrës nuk qe, as poezi tipike e realizmit socialist, (ndonëse nuk i shpëtoi ideologjizimit), as poezi moderniste që të shfaqte elementët e saj, fshehur pas pelerinës së realizmit socialist zyrtar, më tepër një poezi realiste me ngjyrim romantik. Si lirikë e prirur nga mendimi, ka diçka moderne. Vëllimi i parë, i plotë i saj u botua më 1968-ën me titullin: “Era e revolucionit” ishte mjaft i krasitur nga censura, aq sa i mungonin fare lirikat intime (të censuruara sipas pohimit të vetë autores). Ky vëllim u prit ftohtë nga kritika, e lodhur nga poezia retorike e viteve ’50 dhe e përqendruar te poezia e avangardës të viteve ’60, qoftë për të debatuar rreth saj, qoftë për ta himnizuar. Një zë i vetmuar, si Dalan Shapllo, e vlerësoi veprën e lartpërmendur për “fjalën tingëlluese”.. Ky vëllim shprehte një aspekt të krijimtarisë së poetes së ardhme, synimin e saj drejt “temës së madhe”, në vazhdimësi të traditës “qëllimore”, të letërsisë sonë që e detyronte në mënyrën e vet. Po, për shkak të censurës, aspekti tjetër i kësaj poezie që ishte shfaqur në vjershat e adoleshencës dhe rinisë së parë të saj, ( nga 13 – 22 vjeçe, të shpërndarë në shtypin e kohës), prirja lirike ndaj temave të dashurisë dhe të humbjes së njerëzve të dashur, mungonte plotësishr. Vjershat e saj të para mund të përkufizohen, si shprehet poeti i atij brezi Pandeli Koçi, “ me tone të sinqerta, po shpesh me teprime ngjyrash romantike”. Poetesha kaloi nëpër një fazë romantike që përjetuan edhe poetët e tjerë të rinj të asaj kohe si Musa Vyshka, Koçi Petriti, Adelina Mamaqi dhe që shprehte dëshirën për të liricizuar poezinë e kohës e prirur ndaj temave “ të mëdha”. Kritika sociologjike e kohës e pengoi evolucionin e natyrshëm të këtyre poetëve të rinj duke ua kundërvënë në mënyrë skematike temën “e madhe” temës “së vogël” intime, pa pasur parasysh se dashuria dhe natyra, si tema pannjerëzore, mund të ngrihen në lartësinë e “temës së madhe”. Tema “e vogël”, sipas konceptimit të atëhershëm, kalonte në plan dytësor. Në këtë mënyrë rrezikohej sterilizimi i poezisë. Kësaj prirjeje të kritikës iu kundërvu Dritëro Agolli në disa vjersha të veta. Vëllimi i dytë “Buzëqeshje”, shprehu një evolucion që u mbështet nga redaktori dashamirës Adem Istrefi, një poet që e kuptonte drejt poezinë, ndonëse me një prirje hermetike më poezinë e vet që ndryshonte nga qartësia e poezisë së Klarës. Në këtë vëllim vëmë re vendosjen e ekuilibrit midis “temës së madhe” dhe “temës së vogël”. Vargjet këtu nuk janë, as të lira, tradicionalisht të rregullta. Në ta mbizotëron vargu i çlirët dhe vargu i thyer. Vargun e lirë të mirëfilltë autorja e kishte lëvruar në një vjershë të rinisë që është si një kredo poetike, “Frymëzimit tim”, te “Buzëqeshje” gjejmë temën e emancipimit të gruas aq të dashur për autoren, temën e shekullit XV, temën e Luftës Antifashiste, temën e industrializimit, karakteristike për kohën, po të përjetuara me ndjenjë, (veçanërisht te poema e quajtur “sintezë” (soditje ose poema lirike mozaikale, “Rruga është e gjatë” që poetesha ua kushton grave shqiptare (titulli është thellësisht realisht). Këtu ndeshim figura të fuqishme simbolike si: “Pranë na ishte toka / e rrudhur si ne / e tharë si ne / e shtypur si ne / e fortë si ne / si ne nuk lodhej së mbajturi në gjirin e pashtershëm jetën”…. Do të thoshnim që simboli i tokës, i ardhur nga tradita dhe i rivitalizuar nga Dritëro Agolli, merr një dritë të re nëpërmjet një ndjeshmërie femërore që përvijon një paralelizëm midis tokës-nënë dhe gruas-nënë Një metaforë e goditur është edhe kjo: “ Ylber / pas shirave të lotëve / ishte për ne buzëqeshja e fëmijëve tanë”. Metafora-simbol për tokën rimerret më poshtë në vijë ngjitëse: “Kemi kaluar ndër kohëra / të heshtura si toka / të fuqishme si toka / jetëdhënëse si toka/ si toka kemi fshehur thellë në gjirin tonë / mijëra burime që prisnin rastin për shpërthim?..”. Në këtë poemë gruaja shihet në aspektin e saj të dyfishtë: në aspektin tradicional të amësisë dhe në aspektin e ri të luftës për lirinë e atdheut dhe për të drejtat e veta. Poema ka një nivel të pabarabartë estetike në ngjitje-zbritje, ku lirizmi dhe figuracioni shprehës ndërthuren me retorikën buçitëse, po përfundon me një mbyllje të bukur, plot besim te e ardhmja, ku vargjet e fundit që shtrihen në bazë planeti : “Dhe ne atëherë/ do të jemi shndërruar në drita/ që të shohin udhën e tyre/ thellë ndër natë/ gratë e gjithë botës”., kanë një reminishencë të lehtë nga poezia arbëreshe, që e deshi aq shumë, se autorja është edhe poete, edhe studiuese. Edhe tema mjaft e njohur e aksionit konkretizohet nga autorja përmes kujtimit të shoqeve që vijnë drejt saj “Mbi urë kujtimesh” dhe në ndonjë rast përmenden edhe me emër ose skicohen përmes ndonjë detaji. Poema është lirike me ndonjë element rrëfimtar dhe mbyllet me një legjendë popullore, ka një romantikë naive. Po krahas këtyre temave, të zakonshme për kohën, gjejmë lirika dashurie dhe pejzazhe, gjejmë figurën e nënës së shtrenjtë të humbur. Befasues është krahasimi për liqenin e Ohrit : “Si një sy i madh/ i kaltër, i dlirtë/ ti pasqyron/ blerim dhe hapësirë”. Dhe konkluzioni meditues: “ …ndoshta/ ke ardhur ti në jetë/ të njohë atdheu / bukurinë e vet”. Krahasimi “sy” rikthehet te imazhi i mimozave si “sy” të artë/ të pranverës. Elegjia “Nënës sime” bazohet mbi një gjetje të goditur: ashtu si nëna e saj i këndonte autores-fëmijë për ta vënë në gjumë, në kohën e mëvonshme autorja i këndon nënës që s’ është më, me synimin e pamundur për ta zgjuar. Figura e nënës vizatohet në mënyrë impresioniste përmes duarëve “ledhatuese” dhe : “buzëqeshjes së kthjellët”. Në këtë vëllim, çuditërisht nuk e gjejmë Tiranën, vendlindjen e autores, të pranishme në vëllimin e parë, po Gjirokastrën, vendlindjen e të atit midis së vjetrës dhe së resë dhe dy qytete, Fierin dhe Shkodrën që shihen në evolucionin e tyre, me tone ekzaltuese, po të çiltra. Vjersha që hap vëllimin: “Duke kërkuar dritën”, i rikthehet një motivi të rinisë së parë, një vjershë me simbole kozmike, “Kur po kërkoja dritën”, po duke e trajtuar tashmë, jo nëpërmjet abstraktsioneve, po në rrafshin konkret të heroizmit njerëzor. Kjo vjershë hapet dhe mbyllet me dy vargje filozofike: “Njeriu lind me etjen për dritë / Mbyll sytë me etjen për dritë”. Një vëllim i poetes Klara Kodrës që u botua në Prishtinë më 1972, “Rrugë të hapura”, shkruan vjershat më të mira të vëllimeve të para dhe nja dy vjersha, të ndaluara nga censura në Tiranë, me temë intime. Vëllimet e mëvonshme: “Ne rendim”, botuar 1974, “Bisedë me vëllezërit”, botuar 1984, shikojmë një pjekuri të re të autores që thellon lirizmin dhe konçizitetin. Mund të përmendim vjershën “Vëllezërve arbëreshë”, veçanërisht sintetike, ku nga njera anë theksohet largësia me vëllezërit e diasporës: në hapësirë (midis nesh një det), në kohë (midis nesh pesëqind vjet), nga tjetra, në mënyrë përmbyllëse afërsia (fytyrat e vëllezërve) si tonat të gdhendura në gur. ”Vjershat e kushtuara poetëve të mëdhenj arbëreshë De Rada dhe Serembe spikasin për freski e ndjenjë. Mund të përmendim disa vjersha me subjekt në vëllimin e tretë dhe të katërt me temë nga Lufta Antifashiste: vjersha që i kushtohet partizanes më të vogël të çetës, me gërsheta të zeza dhe sy të kaltër, që flijohet për të mbrojtur shokun e luftës, (mjaft romantike kjo), më realiste është vjersha për gruan që, pasi ia vranë të shoqin, vajti, si zakonisht, t’u çonte bukë partizanëve: e veçantë është vjersha për djalin që fle pranë shoqes bashkëluftëtare, për të cilën ka një ndjenjë të fshehtë dhe e frenon, nga një anë kodi i fuqishëm moral shqiptar, nga ana tjetër disiplina e rreptë partizane. Është mbresëlënës detaji për “Yllin e kuq” dhe “ flokët e saj”: që “ndrijnë në natën e errët”, gjithashtu edhe detaji tjetër i gjumit të saj të qetë, sigurisht nga lodhja, po edhe nga besimi te djali. Poetesha vazhdon të lëvrojë poemën dhe ka një shpërthim krijues te poema : “Shkëmbi që theu dallgët” ku shkëmbi mund të sintetizojë si Shqipërinë ashtu edhe heroin kombëtar. Kjo metaforë – simbol është trashëguar nga romantizmi dhe nuk përbën risi, po risinë mund ta shohim në vetëndërtimin origjinal të poemës, e strukturuar në mënyrë origjinale në bazë të tablove epike dhe intermexove lirike me monologje, ninulla dhe elegji. Figura e Skënderbeut shfaqet dhe spikat në tri momente: meditimet e tij në oborrin otoman kur heroi merr vendimin e kthimit në atdhe, vetëkthimi në Krujë: netët e tij para betejave dhe veçanërisht nata vendimtare. Mbyllja është veçanërisht e fuqishme: një mesazh shprese dhe besimi që mishërohet përmes figurës së diellit që agon: “Si premtim i ndritur / i purpurt si flamuri ynë / shkrepi dielli”. Zëri kryesor rrëfimtar është në vetë të tretë, po monologjet e Skënderbeut dhe intermexot ku shfaqen figura të ndryshme nga populli i japin karakter polifonik, gjë çka është e re për poemat e asaj kohe. Krijohet kështu një kor zërash të ndryshëm, po të shkrirë në një vullnet të vetëm: një luftëtar që po vdes, një adoleshent që s’i durohet për të nisur luftën, një djalë i ri, që ndahet midis dy dashurive, Shqipërisë (Arbërisë) dhe së dashurës; një nuse e re që, duke i kënduar ninullë të birit, shpreh shpesh që ai të rritet sa më shpejt për të mbrojtur atdheun, një nënë tjetër që, duke vajtuar fëmijën e njomë të vrarë nga ushtarët otomanë, e shndërron dhembjen në dëshirë për hakmarrje, një vajzë në lule të moshës që s’ kërkon të jetë e bukur, po e fortë si burrë për të luftuar. Poema është nga më të realizuarat e autores dhe, mund të shtonim pasurim të letërsisë sonë me këtë temë. Këtë krijim të autores e patën vlerësuar studiuesi i njohur Jorgo Bulo dhe studiuesi austriak Karl Trajmer që në fragmentet e para të botuara në shtyp në vitet 1967-68. Një hop të vërtetë krijues e përbën vëllimi “Fjalë të pathëna” (botuar në Shkodër, më 2001) ku autorja shpalos me të gjitha ngjyrat temat intime temën e dashurisë së cilës i kushtohet një cikël i tërë, temën e njerëzve të dashur të humbur ku rikthehet figura e nënës, tok me atë të babait dhe të një shoqeje të vdekur, temën e fëmijëve dhe brezit të ri që mishëron të ardhmen, midis të cilëve është edhe biri i adoptuar i autores, tema e dashurisë për atdheun e nënës, Italinë që poetesha e zbulon vonë, tema e dashurisë për motrën e vetme, për nusen e dajës që i kujton nënën. Në tërë vëllimin gurgullon një lirizëm i vetvetishëm. Lirika e mendimit bëhet një me atë të ndjenjës. Figurat e nënës dhe të babait gjallërohen përmes detajesh: imazhi i dy mëngjeseve, mëngjesi që lindi autorja dhe mëngjesi i humbjes së nënës; një fakt i vogël jetësor që ngrihet në simbol: i ati i autores po daktilografonte shkrimet e së bijës që vdekja ia la përgjysëm; për herë të parë ai s’e mbajti “fjalën”; e bija i thërret të kthehet, për ta mbajtur besën si në baladën e Konstandinit, po është e vetëdijshme se babai mund të kthehet veç në ëndërr (“Zemra dhe makina”) ; në një vjershë tjetër poetesha sjell ndërmend buzëqeshjen e babait si dikur atë të nënës. Figura e nënës jepet edhe e shkrirë me pejzazhin italian (“Qyteti i nënës sime”.. ”Në këtë qytet”. “Perëndimi në Romë”). Në këtë vëllim ka një larmi temash që krijojnë tablo të shumta, po edhe shtojnë ngjyrat në portretin e autores. Rikthehet edhe lloji i poemës në poemthin “Blerimi i zi” që i kushtohet tragjedisë së Kosovës, temë e re në krijimtarinë e poeteshës, e ndjerë dhe tronditëse. Me temat intime dhe të pejzazhit në lirikat e vëllimit ndërthuren edhe tema politike, sociale, filozofike. Një vjershë simbolike dhe konçize, “Mirazhi” shpreh dramën e një populli të gënjyer nëpërmjet dritës-mirazh të socializmit, ndërsa vjersha “Duhet të rilindim” shpreh shqetësimin për një rilindje të vërtetë politike-sociale-kulturore, pa ngatërruar “gjethet e thata” me “pemën”, dukuri kjo që kishte filluar të verifikohej, “Paradoks” shpreh dramën e brezit të autores “që ü plak / pa u rritur”. Në poezinë e dashurisë poetesha ka shtuar hovet lirike, po duke ruajtuar një vetëpërmbajtje që i kundërvihet një lloj konkretësie të tepruar të lirikës së sotme erotike, pasojë e thyerjes së tabuve, disa detajeve të vrazhda në caqet e banalitetit. Vetëm rrallë kjo poezi përshkohet nga një sensualitet i lehtë si në metaforën dygjymytyrëshe “vera e puthjeve”në vjershën njëstrofëshe “Jam mbushur e tëra me kengë” ku shkrihen dashuria për të dashurin me dashurinë për poezinë. Edhe figuracioni i poezisë së poetes Klara sikur ka rilindur duke marrë aty-këtu ngjyra moderniste (mund të kujtojmë metaforën me të cilën autorja përkufizon njeriun e dashur “Peshku i artë” që ajo s’e kap dot “me rrjetën e krahëve” dhe që me vargje do t’i bëjë “një rrjetë flori”. Kjo metaforë simbol sikur vjen nga bota e përrallave: peshku i artë lidhet me dëshirat e pakufizuara dhe me frikën e humbjes; (ngjan disi e çuditëshme në antropomorfizimin e saj). Për herë të parë në poezinë e poetes së lartpërmendur shfaqet oksimori në ciklin e vjershave të dashurisë (djall-engjëllor). Në vëllim ndeshim edhe temën e amësisë, e jetuar nga autorja, herë në vetë të parë në vjershën e kushtuar birit në shpirt që ka vajtur në emigracion; herë në vetë të tretë, herë shpreh ndjenjat e një nëne të re (“Monolog i një nëne të re”). Poezia e Klara Kodrës vijon të pasurohet me tema, metrikë dhe figuracion në vjershat e botuara në shtyp pas vitit 2001. Për herë të parë poetesha lëvron me sukses haikun në ciklin që ia kushton mbesës së vogël Samanta dhe është thellësisht lirik dhe konçiz. Sonetin ajo e kishte lëvruar në një elegji për të ëmën, e shkruar në kohën e diktaturës, po e botuar në vitet e demokracisë. (“Nënës sime”). Mund të përpiqemi të gjejmë në poezinë e kësaj autoreje disa fjalë-çelës: dielli, deti, burimi, lulet që jepen në mënyrë të larmishme: luleshqerrat, vjollcat, mimozat, trëndafilat, lulet e bajameve, lulet e mollës, zambakët, trëndelina, lulekuqet, lulet e diellit. Në krijimtarinë e kësaj autoreje alternohen vjershat për perëndimin me vjershat për agimin. Në disa raste ndeshim figurën simbolike të kupës që mund të shihet si ndikim nga Naimi. Kupa që autorja pi mbi “sofrën” simbolike të detit dhe “ka aromë, lot e dritë” simbolizon lidhjen e saj me birin e adoptuar që ndodhej në emigracion. Kupa e zjarrit apo e flakës për poeteshën simbolizon rininë me afshin, po edhe përkohësinë e vet. Ndër lulet poetesha parapëlqen mimozën si simbol bukurie të brishtë, po edhe guximin. Klara Kodra është nga të paktët poetë që i këndon detit, ndonëse s’është e lindur në ndonjë vend bregdetar; deti simbolizon për të lirinë dhe rininë e përjetëshme. Fauna në poezinë e Klara Kodrës është e rrallë: përmenden flutura, shqipja, bleta, po mbizotëron figura e maces, ndoshta e lidhur me përjetimet jetësore të autores, ndoshta e parapëlqyer si kafshë që e do lirinë dhe është e bukur dhe elegante. Dihet që kjo temë i frymëzoi simbolistët si Charles Baudelaire. Në poezinë e viteve të fundit shohim një pasurim të leksikut teknologjik me imazhin e kompjuterit. Vëllimi që po bën gati poetesha për botim, ka një titull të veçantë “E shkruar në kompjuterin e qiellit”, përmbledh vjersha të shpërndara në shtyp që i kemi pasur parasysh edhe ne. Lirika e Klara Kodrës është kryesisht një lirikë “urbane”. Mbizotërojnë disa qytete, Tirana, Gjirokastra, Korça dhe Roma që u përgjigjen vendlindjes së saj dhe të prindërve ose shtegtimeve të të atit mësues. Gama e ngjarjeve në këtë lirikë është relativisht e pasur, në të ndeshim, të kaltrën, të kuqen, të bardhën, të zezën, të trëndafiltën, të gjelbrën, të artën dhe të argjendtën. Vihet re një parapëlqim ndaj së kaltrës Kjo poezi, ndonëse shtrihet në një hapësirë gjysëm shekullore, është ende në evolucion. Poetesha bën pjesë ndër ata poetë shqiptarë që evoluan bashkë me atdheun, po rruga e poezisë së saj nuk është drejtvizore, po me ulje-ngritje: mund të veçosh vëllimin e dytë, të tretin dhe të fundit. Klara Kodra është e prirur ndaj lirikës së shkurtër, po e ka realizuar vetveten edhe në poemat. (“Rruga është e gjatë”, “Shkembi që theu dallgët”, “Ditar pas telave me gjemba”. “Rekuiem ose simfoni me shumë zëra”, “Për ty, baba”) është një poezi e qartë, çka s’do të thotë që s’është e thellë. Figuracioni në këtë poezi mbizotëron mbi detajin, ka një prirje drejt meditimit. Kjo poezi, herë-herë është ndeshur me dy rreziqe, retorizmi dhe fluiditeti i tepruar, po nuk do ta quanim si ndonjë kritik dashakeq, “e ftohtë dhe metalike”, dhe as si ndonjë kritik tjetër, “si valë” që s’mund të kapet. Në vjershat më të mira Klara Kodra arrin konçizitetin dhe formën sintetike. Poetesha e ka përtërirë vetveten, pa e tradhëtuar thelbin e vet, pa u dhënë pas modave të errësisë dhe ekstravagancave të kërkuara. Në poezinë e saj, krahas lirizmit meditativ, ndeshim edhe tone polemike, që herë shkrihen me lirizmin, herë jo. Kjo poezi do të meritonte një vëmendje më të madhe nga kritika.

Në këtë vështrim u munduam të fokusojmë disa veçori, pa pretenduar se është thënë gjithëçka për krijimtarinë e kësaj poeteshe të talentuar.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT