• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2024

Sukses i madh në Paris i filmit “Tashko & Koço një love story shqiptar”

May 3, 2024 by s p

Mbresa nga Parisi të moderatores Silvana Braçe/

Angjelina Xhara Papalilo merr çmimin “Grande Excellence” për karierën e saj kinematografike të akorduar nga”Albanian Excellence” me, Presidente Flora N. Nikolla.

“La maison de l’Albanie”, për herë të parë me një veprimtari të shkëlqyer kulturore artistike!

Kam drejtuar shumë herë ngjarje të rëndesishme të jetës kulturore artistike, brënda dhe jashtë vendit, por këtë që përjetova në Paris, nuk do t’a harroj kurrë…Lotët në sy. Emocione të verteta nga krijues e artdashës, tregojnë se këtu ka gjurmë të vërtetë arti…Kalvari i punës që mban në shpinë të nxjerr në ndriçimin që duhet. Kësaj rradhe në Paris unë prezantova dy evente artistike filmin dhe poezinë kontemporane. Shfaqja e filmit dokumentar “Tashko & Koço, një love story shqiptar” sjell shpirtin e dy krijuesve të shquar të filmit nga Kinostudio dhe RTSH, Angjelina Xhara dhe Ylli Pepo, sejcili në fushën e vet krijuese në skenar e regji!

Dëgjova fjalë frëngjisht qe i dimë të gjithë, si magnifik, formidable, exepsionel, profond sentiment….shumë herë në komentet mbas shfaqjes së dokumentarit të mrekullueshëm…

Ideatori i shfaqjes është Luan Rama, që bëri një drejtim shpirteror të dy aktiviteve ,duke përfshirë edhe prezantimin e dy librave nga autorja e veçantë, Mimoza Hametaj.

Ishim të dy bashkë që drejtuan këtë ngjarje të rëndesishme, në zemer të Parisit. Siç e thanë të pranishmit, “La maison de l Albanie”, për herë të parë shkëlqeu me një veprimtari të veçantë kulturore artistike!

Ky ishte mendimi i të gjithëve, që ndejtën gjatë pranë njëri tjetrit e folën pafund…

Vetë Eno, ishte i pranishëm me Albumin dhuruar kësaj Foleje të shqiptarëve në Paris. Dedikimin e kish bërë frëngjisht me fjalë të zgjedhura për nënën e tij, prej ku nisi fluturimi magjik artistik i saj nga Monpelje e veçanërisht mbarimi i Konservatorit në Paris.Të ftuarit francezë thoshin

se nuk e kuptonin gjuhën shqipe, por morrën shpirtin e dy artistëve shqiptarë, që bënin art në kohë të vështira.

Unë kisha me vete emocionet e tre premierava në Tiranë e Korçë,,tek Akademia e Shkencave, tek salla Unesko në Muzeun Kombëtar dhe Teatrin ,Andon Zako Çajupi në Korçë.

Por në Paris ishte diçka ndryshe, diçka magjike…

E meritonin këta dy kometa të zjarrta të artit shqiptar, Tashko&Koço, të priteshin aq ngrohtë në Paris…Ata janë në themelet e depërtimit të artit perëndimor në Shqipërinë së dikurshme, qe kthente sytë e saj nga arti i Rilindjes Europiane, me Teftën nga Franca e Italia …po edhe nga Bukureshti e Milano, prej ku vinte baritoni i madh,”princi rus” siç e quan shtypi i viteve 30, të Kristaq Koçon, të cilin Tefta e ëmbël e zgjodhi nga elita që po i jepte frymë një Shqipërie të varfër e të paditur,por me një art popullor ku u ngjizën perlat e këngës qytetare shqiptare!

Ja përse “La bohema” e Puçinit, Ariet e Verdit, të Mozartit, të Hendelit e Donizetit vinin me një tingëllim më të veçante në koncertet e para nga Korça e Shkodra, në Tiranë e Durrës, në Kavajë , Elbasan, Fier, në Gjirokastër, Vlorë, në Himarë…

Kuadrot e filmit tregojnë arsimimin e çiftit të artistëve, lexohen letrat e mrrekullueshme mes çiftit te dashuruar mes tyre e artin e tyre, letrat e shoqes së ngushtë të Teftës,që këmbëngul ,duke e këshilluar e ndjekur …”Ku je ti, cfarë bën…Mos shko në Orient, ty të pret një perspektive e madhe, mos iu nda Parisit e Londres…Kujdes edhe pa ngrënë të jesh, të paraqitesh në audicionin me Xhonson, drejtor i Metropolitanit në NY Jork…”

Të gjithë këtë jetë të jashtzakonshme dokumentari e sjell si një dëshmi të pakontestueshme ku përmblidhet në një, e verteta dhe arti, dashuria dhe përjetësia, pasioni dhe talenti…

Pjesa e dytë e kësaj mbrëmje magjike në Paris ishte prezantimi i dy librave të poeteshës Mimoza Hametaj, e cila ju referua shpirtit hyjnor të Teftes, në tre çaste kryesore të diskutimit të saj. Tekstualisht ajo shprehet për artisten tonë të madhe me fjalët…

” Tefta Tashko ishte nje yll qe doli nga bota fenomenale drejt sociales dhe europianes. Megjitate dashuria e saj per dinjitetin e cdo njeriu, beri qe ajo vete te shkonte krahinave te vendit per tju kenduar kenge fshatareve, qe tua vishte shpirterat me ndjenje, me ato zanoret e mrekullueshme te zerit te saj qe i shoqeronte pianoja mbi qerre.

Fuqia e saj per ta dashur fenomenalen, edhe pse ajo mund te mbetej artiste salloni, eshte nje dimension i Tefta Tashko Kocos qe do te vazhdoje te trondisi koherat.’

Nuk do të harroj emocionin e Angjelinës kur në emër të “Albanian Excellence”,Presidentja, Flora N Nikolla, i jep Çmimin “Grande Excellence.”

.”.E kam ndjekur gjithë karierën e saj dhe zgjodha të jap çmimet e sivjetshme të Albanian Excellence, njërën kushtuar Angjelines dhe tjetrën..”La maison de l Albanie”,sepse pikërisht këtu e kam filluar veprimtarinë e shoqatës sonë mbarëkombëtare.”

Z. Flora lexon motivimin e dhënies së çmimit me këto fjalë, që gjejnë duartrokitje të ngrohta

Ky çmim i madh e i merituar i jepet Angjelines për kontributin e shkëlqyer në kinematografinë shqiptare, si një zë i rëndësishëm në zhvillimin e saj me një karierë të admirueshme, të vlerësuar ndër vite nga kritika dhe shtypi shqiptar.

Zamir Mati shton pas saj duke përmendur të paharruarin Kiço Blushi…që kishte propozuar ai vetë emrin e kësaj strehe të Artit…

Ja si tregon dhe Anida Braho, antare e Bordit drejtues të Ekselans Albanian, “Unë jam rritur në duart e kushërirës së Teftes, u emocionova jashtëzakonisht nga filmi. Ju uroj të gjithëve përgëzime pafund, Edhe folësit ishin shumë emocionalë…

Filmi i flet spektatorit në kater gjuhë, shqip, frëngjisht, italisht ,sllavisht…duke ndjekur trajektoren e jetës së artistëve të paharruar, Tashko&Koço…”

Klara Shehu me plot emocion flet për letrat e dashurisë së çiftit Tashko& Koço”, të thella, plot mbresa dhe emocione të papara…

Angjelina tërheq vëmendjen tek fraza e Kristaqit kur i shkruan Teftes…”Të merr malli për Tiranën, që kur jemi jashtë e duam aq shumë dhe kur jemi brënda e shajmë.”..fjalë kaq aktuale edhe për kohët e sotme.

U morrën shumë duartrokitje emocionale, shtrëngime duarsh, krahërorësh,. Filmi është magjik.Si arti sintetik ai përmbledh disa profesione krijuese bashkë. Regjisori e sjell filmin në ekran në bashkpunim me një ekip të plote.Ai ka pranë fjalën e frymëzuar të skenarit, muzikën e formuluesit, tingujt jetësore, zërat e folsave tërheqës, për ti sjellë kuadrot filmike me sa më shumë vertetsi e emocionalitet.Operatorë të filmit janë Adi Grishaj e Xhemal Reçi .

Për montazhin, Ylli ka shumë bashkpunime të suksesshëm me Gjergji Panon, qe tregon se ka përjetuat emocione personale me këtë film special. Producente shumë dinamike e filmit është Lorina Pepo,ndersa Producente ekzekutive është Valentina Hysa! Filmi për Artistët e mëdhenj, Tashko Koço, dy përfaqësues te denjë të viteve 30, 40, u realizua me mbeshtetje nga Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Kulturës!

Dy krijuesi kryesorë të filmit janë me karierë të gjatë e solide. Ata kanë punuar se bashku mes tyre, dikur edhe filmin e pare ku u fol për herë të pare për Kosoven

“Kosova me të verteta e saj të mëdha”, me pese episode, në vitin 1981! Kanë në sirtar edhe skenar për film artistik!

Ylli dhe Angjelina, vitin e ardhshëm do realizojnë edhe një film tjeter qe duan t’a mbajnë sekret, se do jenë figura të dyta mbas dy krijuesve të rinj.

Faleminderit Paris se na dhe ngrohtësinë e shqiptareve të vërtetë që na priten me shumë dashuri ,duke marrë dhe mbresa nga miqtë francezë qe u shprehën me superlativa për realizimin e këtij dokumentari dinjitoz.

Paris 30 Mars 2024

Ndersa vetë Angjelina shprehet lidhur me marrjen e këtij çmimi. Falenderoj nga zemra Presidenten e “Albanian Excellence”, z.Flora N. Nikolla, për vlerësimin e punës sime krijuese në një kohë të gjatë 50 vjeçare si Kineaste e Skenariste e mbi 50 filmave dokumentarë, të shfaqur mrçe sukses, brenda dhe jashtë vendit.

Është një mrrekulli për mua dhënia e këtij çmimi, këtu në Paris, ku jam e ftuar si skenariste e dokumentarit të Ylli Pepos, ,”Tashko & Koço, një love story shqiptar”.

Kush deshëron të shohë të plote ceremoninë e keni tek videoja përkatëse të kësaj ceremonie.,e vendosur në faqen e Facebook të Presidentes, z. Flora N. Nikolla.

Unë personalisht u gëzova pamase nga ky vleresim.Pashe nga afer punën e kësaj Zonje të shquar, me aftësi të jashtzakonshme intelektuale , krijuese dhe organizuese duke sfiduar vështirësitë e shumta.

Sivjet kjo shoqatë mbush 12 vjetorin e suksesshëm të veprimtarisë së saj misionare për të frymëzuar artistët shqiptarë kudo në Botë.

Unë isha në Athinë, kur fillova konceptimin e filmit përmes mesazheve, ndersa Eno Koço, ishte në Londer.Ai vuri në dispozicion gjithë materjalet arkivave familjare dhe librat e studimet e tij, duke qenë konsulent i filmit, sebashku me shkrimtarin Pandi Bello qe ka shkruar librin më të mire për artisten e madhe Tefta Tashko Koço.

Ky çmim për mua erdhi në këtë çast të jetës, mbas realizimit te mbi 50 filmave dokumentare, 5 librave dhe qindra artikujve në shtyp . Krijimtarinë ime ka kaluar me sprova e lodhje nga RTSH. Kinostudio, emigracion e krijimtari të lirë se fundmi. Jam në prag të 75 vjetorit.

Nuk ishte dhe nuk është e lehtë, por unë udhehiqem nga parimi se talentin që të ka dhenë Perëndia, duhet t’a vesh përballë të tjerëve, që janë adhurues të filmit e të librit.

Respektet e mia për të gjithë ato ose ata,që lexojnë këto rrjeshta të mija në gazetën Dielli të Amerikës, gazeta tribunë e mendimit të intelektualëve në Diasporë, me jetëgjatësinë si asnjë organ tjeter i shtypit të shkruar shqiptar.

Filed Under: Kulture

NERUDA, sipas Federiko Garsia Lorka-s

May 3, 2024 by s p

Zija Vukaj/

-kulturologji-

Kjo që po bëj tani, quhet prezantim, në protokollin konvencional të konferencave dhe leximeve; por unë nuk prezantoj, sepse një poet me cilësinë e kilianit Pablo Neruda nuk mund të prezantohet veçse me të gjithë thjeshtësinë dhe, mbuluar nga historia ime e vogël prej poeti, po shënoj, po bëj një tërheqje vëmendjeje të ëmbël por të thellë.

Dhe po ju them të viheni e të dëgjoni një poet autentik, prej atyre që i kanë ndijimet e stërvitura në një botë që nuk është e jona dhe që pak njerëz e perceptojnë. Një poet më i afërt me vdekjen se me filozofinë; më i afërt me dhimbjen se me inteligjencën; më i afërt me gjakun se me bojën e shkrimit. Një poet plot zëra të mistershëm, që për fat të mirë, vetë ai nuk di t’i deshifrojë; një njeri i vërtetë, që tashmë e di se xunkthi dhe dallëndyshja janë më të përjetshme se faqja e fortë e statujës. Amerika spanjolle na sjell rregullisht poetë të frymëzimeve të ndryshme, të kapaciteteve e teknikave të larmishme. Poetë të ëmbël të tropikut, të rrafshnaltave, të maleve; ritme e tone të ndryshme, që i japin gjuhës spanjolle një pasuri të veçantë. Gjuhë tashmë familjare për gjarprin e dehur dhe për pinguinin e këndshëm të kollarisur. Por jo të gjithë këta poetë kanë tonin e Amerikës. Shumë duken gadishullorë, të tjerë theksojnë në zërin e tyre vrulle të huaja, sidomos franceze. Por tek të mëdhenjtë, jo. Tek të mëdhenjtë brambullin drita e gjerë, romantike, e egër, e bollshme, e mistershme e Amerikës. Blloqe që janë gati të fundosen, poema të mbajtura mbi humnerë me fijen e një merimange, buzëqeshur me një mimikë të lehtë jaguari, dora e madhe e mbuluar nga veli që luan me delikatesë me një shami të qëndisur. Këta poetë japin tonin e pacipë të gjuhës së madhe spanjolle të amerikanëve, kaq e bashkuar me burimet e klasikëve tanë; poezi që nuk ka turp të thyejë modelet, që nuk i trembet qesharakes dhe që zë të qajë befas në mes të rrugës.

Përbri zërit të mrekullueshëm të mjeshtrit Rubén Darfo dhe të zërit ekstravagant, të adhurueshëm, ëmbëlsisht të ngathët e fosforeshent të Herrera y Reissig e të ofshamës së uruguajanit dhe kurrë francez Conte Lautremont, kënga e të cilit mbush me tmerr agun e adoleshentit, poezia e Pablo Nerudës ngrihet me një ton të pangjashëm kurrë në Amerikë, me pasion, me butësi dhe sinqeritet.

Reziston përballë botës, përplot mahnitje të sinqertë dhe i mungojnë dy elementë me të cilët kanë jetuar shumë poetë të rremë: urrejtja dhe ironia. Kur do të ndëshkojë dhe ngre lart shpatën, gjendet befas me një pëllumbeshë të plagosur mes gishtave.

Unë ju këshilloj ta dëgjoni me vëmendje këtë poet të madh e të ngashëreheni me të; secili sipas mënyrës së vet. Poezia kërkon një nxemje të gjatë, si disa sporte, por ka në poezinë e vërtetë një aromë, një theks, një çast drite, që të gjitha krijesat mund ta perceptojnë. E dhëntë Zoti që t’ju shërbejë për të ushqyer atë pikël marrëzie që të gjithë mbartim brenda, që shumë e vrasin për të vënë dylbinë e urryer të pedantizmit libresk pa të cilin është mendjelehtësi të jetosh.

Filed Under: Interviste

Gjurmë të estetikës shpirtërore

May 3, 2024 by s p

Behar Gjoka/

Përmbledhja me tregime “Dy gratë e një burri”, i autores Laura Olldashi, shënon librin e tretë të prozës së shkurtër, po kaq ky tekst materializon edhe shenjën e përzgjedhjes, të përbërë me tregime nga dy librat e parë, të cilat janë bashkëlidhur me proza të shkruara në këtë kohë. Titulli befasues i librit, që përfaqëson një metaforë e pazakontë, vetiu të vë në mendime, njëherit madje fare padashtas, te lexuesi i shkujdesur, nxit fantazinë e keqkuptimit, ndonëse tekstet dhe nëntekstet e lëndës së kësaj proze, formësojnë dhe shqiptojnë pezullinë e ngritur shpirtërore, që anësohet nga kërkimi i vlerës artistike.

Limfa përbashkuese e prozës autoriale, një tipar shkrimor që bartet në këtë libër, është endja e prozës së gjendjes së ngritur shpirtërore, të një shenje tepër impresionuese, që ndërkaq e zbeh ndjeshëm praninë e fabulës, duke e futur kështu shkrimin në rrafshet ligjërimore, moderne dhe postmoderne. Shenjëzimi i përveçëm artistik, i gjendjes së lartësuar morale, në një rrekje të pranishme, për të thurur estetikën e shpirtit/shpirtrave, pra estetikën shpirtërore, është “dialogu” rrëfimor jo pak i ngjeshur, me veten dhe të tjerët, për tu kthyer gjithnjë te ama personale, që mëton përçmin e kumteve, melodike dhe kundërvënëse, te lexuesi.

Narrativa, që T. Todorov, më herët e pati përcaktuar si poetika e prozës, e cila shpërfaqet me dy kahje të rrokshme në tregimet e këtij vëllimi, me mbizotërim të narratorit/narratores së gjithpranishëm dhe të narratorit të lirë (që del në pah duke ndryshuar tonin ligjërimor të mbyllur në kllapa), duke përçuar atmosferën e përndezur shpirtërore, të realitetit letrar, të hapësirës tekstologjike të prozës së shkurtër, më përtej kohëhapësirës (kronotoposit, term i M. Bahtin), duke endur kështu universin letrar, thelbësisht autorial.

Pentagrami narrativ, në thurjen e prozës, jo si përqasje, me gjasë krejt e panevojshme, të sjellë në mend një pohim të beftë të Gabriel García Márquez: “Pastaj shkrimi m’u bë aq i rrjedhshëm, saqë nganjëherë ndihesha sikur isha duke shkruar thjesht për kënaqësinë e të rrëfyerit, që mbase mund të jetë gjendja njerëzore më e ngjashme me fluturimin…”, pra të theksimit të thelbit të prozës së shkurtër, sidomos të rolit dhe pranisë së narrativës, të mishëruar në libër, e cila dukshëm qëndron në rrjetën rrafimore të endur mjeshtërisht.

Tregimet e librit, shpesh herë në materien e shtrirë letrare, spërkaten me elementë të artit të ngjyrës, të pikturës, të artit të tingullit, pra të muzikës, njëherësh të shprazura me situime dialogjike, të replikave të forta, që realisht e shpërndërrojnë në prozë sinkretike, shumështresore, po kaq ritmike dhe metaforike, që ecën me shpejtësinë e frymimit të qenies, kur rrëfen me ankth e dashuri gjerat kaq të shtrenjta, copa të shpirtrazimit.

Materia letrare e tridhjetë e dy tregimeve, të larme nga këndvështrimi dhe parashtrimet konceptuale, në spërmarrjen për të mbetur para së gjithash një dialogim i hapur me veten, me botën, me kohën përtejkohore, shpesh shoqëruar me vizatim karateresh të besueshëm, në disa raste, me prani të figurave që vijnë në gjendje siluetash, që skicohen me penelim të shpejtë dhe të atypëratyshëm.

Në morinë e teksteve të librit, ku si një kurorë e endur artistikisht, do përveçoja, prozat: “Piktura, Gjendje, Ëndrrat, Dy gratë e një burri, Sonata e hënës, Ulur jashtë trupit, Requiem për Suhade Cakranin, Bulëza, Intenrari i senseve, Anna”, e ndonjë tjetër tregim, veçmas për sublimimin e ngjyresës së gjendjes emotive, si premisë e prozës autoriale, e po kaq si tregues të qartë të thurjes së gjurmëve të estetikës shpirtërore, shtysa parake, por edhe thelbësore të prozëshkrimit të autores.

Leximi i tregimeve të librit “Dy gratë e një burri”, pamëdyshje një lexim i vëmendshëm, si dhe me distancë nga njëra prozë te tjetra, edhe si një tregues i kërkimit të lexuesit model, që e përmend shpesh U. Eco, me gjasë mundëson zbulimin e realitetit letrar, të endur në prozën e shkurtër, si një mëtim i dëshmisë shpirtërore dhe estetike, të përcjellur në përzgjedhjen e tregimtarisë të kësaj autorje.

Filed Under: Analiza

Fuqia dhe utopia e një “bote me besë”: fytyrë apo maskë?

May 3, 2024 by s p

Ndriçim Kulla/

Njëri nga sekretet e misteret më të mëdhenj, që qëndron në fuqinë subversive (nuk dimë nëse kemi të bëjmë me një Shqipëri reale apo ideale, të shtrënguar gjithmonë në rrjedhë të historisë mes Lindjes dhe Perëndimit dhe mes dy botësh), të një “botë me besë” është mënyra se si disa ligje të brendshme, arrijnë të jenë të afta të krijojnë struktura më të qëndrueshme se ligjet dhe institucionet e jashtme, ngreha të përjetshme dhe universal brendapërbrenda njeriut, të paprekshme e të padukshme, pra, të pashkatërrueshme. Mirëpo kjo fuqi për të cilën po flasim, zbulon më tepër fuqinë tronditëse dhe jo mpirjen topitëse të traditës, e cila, kur është autentike, sipas aforizmit të njohur të Gustav Mahlerit, na nxit gjithmonë të ringjallim zjarrin, në vend që të rrimë e të adhurojmë ritualisht hirin e së shkuarës. Në veprën e mrekullueshme “Kush e solli Doruntinën”, Kadare na e ngre në art këtë anë të fshehtë të traditës kulturore shqiptare dhe ballkanike, ku personazhet e “teatrit kanunor”, nga ruajtës statikë të traditës bëhen kundërshtues dhe rebelë dinamikë, që është në gjendje të sfidojë me forcën e besës kafazin e ngushtë ku shqëria arrin ta ndryjë çdo njeri. Kështu, mesazhi i thellë i besës, i ngritur deri në lartësinë e një miti, frymëzuar nga tradita gojore dhe përçuar mjeshtërisht nga historia e zbatimit të Kanunit, del më e fortë dhe më e vërtetë nga pikëpamja e identitetit sesa e vërteta historike.

Në veprën e vet “Kush e solli Doruntinën”, shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare na jep në mënyrë madhështore përshkrimin e fuqisë se deri ku arrin ndikimi i këtij miti në realitetin shqiptar. Ai përdor si subjekt legjendën e Konstandinit dhe motrës së tij të martuar larg, dhe premtimit ose besës që ai i kish dhënë nënës për ta kthyer atë në cdo rast. Mirëpo vdekja e Konstantinit i ndryshon kryekëput gjërat. E megjithatë në një natë të errët ai arrin të kalërojë bashkë me motrën e vet, Doruntinën e t’ia sjellë atë nënës së vet të gjorë. Po ç’është vallë ajo fuqi që mund ta bëjë dicka të tillë, sa të arrijë të rringjallë një të vdekur? Mos vallë bëhet fjalë për diçka të jashtyëzakonshme, që trondit themelet e fesë së krishterë? Bëhet fjalë për ardhjen e një ”Krishti të ri”, sepse vetëm një njeri der më sot, Krishti, ka arritur të ngrihet nga varri? Mirëpo e gjitha kjo do të ishte një profanim i pafalshëm. Më tej, kjo shenjë mund të merret si një pohim se fundbota mund të fillojë edhe pa urdhërin e Zotit, dhe trillimi për shpalljen e apokalipsit, mund të shpjerë edhe në një luftë midis kishës së Romës dhe Kishës së krishterë. Nivele të tilla të paimagjunueshme fuqie mund të vijnë nga ai vajtim i thjeshtë, kanunor, që nëna bën përherë mbi varrin e të birit duke thënë:

Konstantin, të ardhtë gjëma.

Ku e ke besën që më dhe?

Besa jote nënë dhe.

Pë ta kuptuar më thellë mekanizmin e lindjes së kësaj fuqie, le të futemi më thellë në labirintin e mendësisë së njeriut shqiptar. Sipas tij, ligjet e institucioneve, dekretet, gjyqet, burgjet, janë të gjitha ligje të detyrueshme, që bien mbi njeriun nga jashtë, si breshri, prandaj duhet të zhduken e të zëvendësohen me ligje të tjera, të brendshme, që të jenë brenda vetë njeriut. Dhe me këtë nuk kuptohet diçka e thjeshtë, shpirtërore, që lidhet vetëm me ndërgjegjien, pasi nuk mund të besohet se njerëzimi mund të qeveriset vetëm me ndërgjegjie. Përkundrazi bëhet fjalë për besën e ngritur në sistem. Një sistem ky ku askush të mos ketë nevojë për ligje të dekretuara, për gjyqe, burgje dhe polici. Natyrisht që edhe në një rend të tillë do të kishte drama, vrasje dhe dhunë, por njeriu do të dënohej dhe do të dënonte i padekretuar. Do të vriste apo do të lejonte të vritej, të vetëburgosej apo të dilte nga burgu, kur ta quante të nevojshme. Jemi vallë në një botë surreale. Jo, edhe në këtë botë ekzistojnë intitucione, ndoshta të padukshme, të paprekshme, por po njësoj të fuqishme e me peshë sa dhe të parat, në mos më tepër. Fuqia e tyre është se ato gjenden brenda njeriut, jo si një vrasje ndërgjegjie, por si një gjë e përcaktuar mirë, si një ide, si një bindje, si një urdhër i njohur dhe i pranuar prej të gjithëve, por i kryer prej secilit sipas vullnetit të vet. Pra, nuk kemi të bëjmë me diçka të fshehtë, por diçka brenda njeriut, njëlloj sikur brenga dhe drama, vendimi apo lëkundjet, madhështia dhe mjerimi i tij të shiheshin prej të gjithëve. Ja, si mund të përcaktohen nyjet e kanunit, ja se ku mbështetet rendi që krijon ai. Dhe besa është njëra prej tyre, ndoshta më e rëndësishmja, më sublime.

Në kanun mund të gjejmë raste të shumta të përdorimit të besës për mjaft raste të shtrira në fusha nga më të ndryshmet. Madje nëse do të donim që njëri prej këtyre ligjeve të moçme ta përshtasnim me sistemet e sotme qeverisëse, ajo do të qe mëse e vetë-mjaftueshme. Në mendësinë shqiptare, nëse ajo do të përhapej, si ligjet e tjera të ngjashme me të, e do të merrte në dorëzim të gjitha fushat e jetës, atëherë ligjet e jashtme, bashkë me institucionet e tyre, do të binin vetvetiu, siç bie lëkura e vjetër e gjarpërit. E tillë do të qe fuqia apo utopia e një “bote me besë”. Është një botë krejt tjetër nga kjo e zakonta, por gjithësesi ka pjesë të saj që kryqëzohen me këtë botë.

Po përse vallë nevojitej ky sistem për botën shqiptare, që të mund të lindte një utopi e tillë? Përse i duhej Arbrit një kanun i tillë që të bënte bashkë një fe të re, një botë të re dhe një utopi, gjërta këto të tija të jashtëzakonshme edhe më vete, jo në një trini? Arsyeja pse duheshin bërë të gjitha këto rindërtime në krejt jetën e Arbrit lidhej me stuhitë vigane që pushtimi turk po shfaqte në horizont në gjendjen e vetë Arbrit, të shtrënguar si në darë, midis dy feve, të Romës dhe Bizantit, dhe midis dy botëve, Perëndimit dhe Lindjes. Prej përplasjes së tyre s’priteshin veçse trandje të lemerisshme për përballimin e të cilave Arbrit i duhej të krijonte mënyra mbrojtjeje. Ishte kjo nevojë e përballimit të humbjes së lirisë, ndaj një armiku të tmershëm e barbar për kulturën e vet, që e detyroi mendësinë e tij të lashtë juridike të qenësonte nyje më të qëndrueshme se ligjet dhe se institucionet e “jashtme”, domethënë ngreha të përjetshme Brenda përbrenda njeriut, të paprekshme e të padukshme, pra, të pashkatëruieshme. Të tilla qenë nyjet rreth të cilave vërtiteshin besa, nderi e burrëria. Ose, me fjalë të tjera, Arbri duhej të ndryshonte ligjet e veta, zyrat, burgjet, gjyqet e gjithçka tjetër, duke i marrë nga bota e jashtme për t’i strehuar ato brenda njerëzve të vet, në mënyrë që t’i përdorte si armë etike apo si ushtri morale, sa herë kur të afrohej stuhia. Çdo popull këtë bën përpara rrebeshit, mpreh mjetet mbrojtëse dhe nëse ato nuk mjaftojnë, krijon mjete të reja. Për shqiptarët , kjo gjë, përtej barbares dhe gjakatares së neneve të Kanunit, ishte e pashmangshme për mos-zhdukjen e tyre nga faqja e dheut.

Vetëm se përveç kësaj arsye, ka dhe të tjera po kaq të rëndësishme. Gjendja e botës në kohën kur ai u ngjiz ishte shumë e rëndë. Hakërroheshin prore shtete të vegjël e të mëdhenj, fe dhe sekte, popuj dhe raca, të gjallë e të vdekur. E shtypnin njëri-tjetrin, e goditnin, e ndillnin drejt kurthit. Midis kësaj duhie, greminohej, si midis oqeanit, edhe shteti i Arbrit. Në këtë gjendje shtrohej pyetja: Ç’fytyrë do të kishte njeriu arbëresh, do të njehësoj me të keqen apo do t’i kundërvihej asaj? Me fjalë të tjera, do të shfytyrohej për t’iu përshtatur maskave të reja, për të mbijetuar, apo do të ruajë fytyrën e amshuar? Pra, ishte çasti i tij i madh i provës, i zgjedhjes midis fytyrës dhe maskës? Dhe nëse arriti të përpunojë në thellësitë e veta ngrehina të tilla sublime, siç ishin besa, nderi dhe burrëria, kjo ttegoi se zgjedhja që ai bëri ishte ruajtja e fytyrtës së tyij të amshuar. Dhe çfarë është më kryesorja, ai e ruajti këtë fytyrë jo duke u veçuar nga bota, por duke bërë krushqi me botën.

Filed Under: Kulture

Kodi i Nderit

May 3, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Mjaft afër liqenit Prasias (Prespës) ishte miniera që më pas do t’u jepte maqedonasve të lashtë argjend për të shtypur monedhat e mbretërisë së tyre.

“Nga kjo minierë ju mbetet vetëm të kaloni malin e quajtur Dysorum për të gjetur veten në territorin maqedonas”, tregonte Herodoti në librin e hiistorive të tij (shekulli V para erës sonë). Kështu, Persianët, të dërguar për këtë argjend, kur arritën, dhe u sollën në prani të Amintës, i kërkuan atij t’i jepte tokë dhe ujë mbretit Dar. Dhe Aminta jo vetëm që u dha atyre atë që kërkuan, por edhe i ftoi të darkonin me të. Mreti Aminta kishte edhe një djalë me emrin Aleksandër. Prej tyre më pas dolën Filipi dhe Aleksandri Emathia (emër që bota e morri edhe si ‘i Madh”. Nejse, këto dihen.

Pra, mbreti Aminta shtroi një darkë dhe i argëtoi persianët në mënyrën e duhur miqësore. Kur mbaroi vakti dhe të gjithë u vunë për të pirë, persianët thanë: “I dashur maqedonas, ne persët e kemi zakon kur bëjmë një gosti të madhe t’i sjellim me vete gratë dhe t’i bëjmë konkubina.

Atëherë Amyntas u përgjigj:

“O, Persianë, ne nuk kemi një zakon si ky; por me ne, burrat dhe gratë janë të ndarë. Megjithatë, duke qenë se ju, që jeni zotërit tanë, dëshironi, edhe kjo do t’ju jepet.” Kur Aminta foli kështu, ai urdhëroi disa të shkonin dhe të merrnin gratë. Dhe gratë erdhën me thirrjen e tij dhe u ulën në një rresht përballë Persianëve. Pastaj, kur Persianët panë që gratë ishin të bukura, i folën përsëri Amintas dhe i thanë:

“Më mirë që gratë të mos kishin ardhur fare, sesa të vinin në këtë mënyrë dhe të mos uleshin pranë nesh, por qëndron përballë”.

Kështu Aminta u detyrua t’i urdhëronte gratë të uleshin krah për krah me persianët. Gratë bënë siç urdhëroi ai; dhe pastaj, pasi kishin pirë më shumë se ç’duhej, filluan të vinin duart mbi to, madje njëri u përpoq t’i jepte një puthje gruas pranë tij. Mbreti Aminta e pa, por heshti, megjithëse i pikëlluar shumë, sepse i frikësohej shumë fuqisë së persëve.

Por Aleksandri, i biri i Amintas, i cili ishte po ashtu aty, duke qenë i ri dhe i panjohur me vuajtjet, nuk mundi të përmbahej, dhe. Ai, plot inat, i foli Amyntas:

“I dashur baba, ti je plakur dhe duhet të shlodhesh. Çohu nga sofra dhe shko pusho. Unë do të qëndroj me të ftuarit dhe do t’i jap atyre gjithçka që është e përshtatshme.”

Aminta, i cili mendoi se Aleksandri po bënte një shaka të hidhurr, u përgjigj:

“I dashur bir, fjalët e tua më duken si ato të atij që është afër zjarrit, dhe e kuptoj që ti më largon që të mund të bësh verpra të liga. Të lutem mos bëj ndonjë rrëmujë për këta njerëz, që të mos na shkatërrosh të gjithëve, por duro të shikoj me qetësi atë që bëjnë ata”.

Amyntasi, kur iu lut kështu djalit të tij, doli; Dhe Aleksandri u tha persëve:

“Shikoni këto zonja si tuajat, të dashura – na tregoni vetëm dëshirat tuaja. Por tani e shoh që të gjithë keni pirë verë të mjaftueshme; nëse dëshironi, le të tërhiqen gratë të lajen dhe kthehun përsëri”.

Persët ranë dakord me këtë dhe Aleksandri, pasi i largoi gratë, i dërgoi në harem dhe përgatiti në dhomën e tyre një numër të barabartë të rinjsh pa mjekër, të cilët i veshi me rrobat e grave, dhe më pas, duke i armatosur me kama, ua solli persianëve, duke u thënë ndërsa i prezantonte,

“Mendoni, të dashur persianë, se argëtimi nuk iu ka munguar. Ne kemi vënë para jush gjithçka që kishim për t’ju a dhënë – dhe tani, për të kurorëzuar të gjithën, ju japim motrat dhe nënat tona, që ju të mund të mendoni se jeni plotësisht të nderuar nga ne, ashtu siç e meritoni për të qenë- dhe gjithashtu që të mund t’i ktheni fjalën Darit që ju dërgoi këtu, se ishte një burrë, sundues i Maqedonisë, nga i cili ju festuat dhe fjetët bukur.”

Kështu, Aleksandri vuri në krah të secilit persian një nga ata që i kishte quajtur gra maqedonase, por që në të vërtetë ishin burra. Dhe këta burra, kur persianët filluan të ishin të vrazhdë, i vranë me kamat e tyre. Ambasadorët u vranë, ashtu edhe pasuesit e tyre. Sepse persianët kishin sjellë me vete një karvan të madh, karroca, shoqërues dhe bagazhe të çdo lloji – të gjitha u zhdukën në të njëjtën kohë me vetë ambasadorët. Jo shumë kohë më pas, Persianët bënë kërkime të rrepta për ambasadën e tyre të humbur; por Aleksandri, me shumë mençuri, e mbylli biznesin, duke u dhënë ryshfet atyre që ishin dërguar në këtë detyrë. Kështu vdekja e këtyre persianëve u mbyll dhe nuk u fol më për të.

Mbretëritit maqedonë e kanë prejardhjen nga Perdika (ilir, sh.im) “siç pohojnë ata vetë” thotë Herodoti, “sepse kur Aleksandri, biri i Amintës, donte të merrte pjesë në lojëra dhe kishte ardhur në Olimpia, grekët që do të garonin kundër tij do ta përjashtonin nga gara – duke thënë se vetëm grekët lejoheshin, dhe jo barbarët”.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 53
  • 54
  • 55
  • 56
  • 57
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT