• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2024

“DERI NË DITËN E TETË”

May 28, 2024 by s p

Nga Jeton Kelmendi/

Libri me poezi “Duke pritur ditën e tetë”, shkruar nga autori Anton Marku, është një udhëtim emocional nëpër mendimet, ndjenjat dhe përvojat e njeriut në rrugën e jetës. Rrugëtim ky, nëpër të cilin poeti e gjen veten çdo ditë dhe çdo kohë, natyrisht me një koncept udhëtimi me vetveten, nëpër kohëra dhe imazhe shumë dimensionale, sikur për nga nuancat kuptimore, po ashtu edhe refleksionet gjuhësore dhe stilistike. Me gjuhën e tij suptile dhe poetike, Marku na udhëzon në botën e brendshme, duke reflektuar mbi dashurinë, humbjen, kujtesën dhe shpresën në mënyra të thella dhe të frymëzuara. Kësisoj, Marku nxjerr nga vetja e tij botën e brendshme dhe madje duke e shëtitur këtë “botë” nëpër të shtatë ditët e javës dhe ndalon për të pritur ditën e tetë. Kjo ditë sipas autorit do të vijë, por se kur, kjo pastaj edhe ngre një pikëpyetje.

Titulli i librit “Duke pritur ditën e tetë” i poetit Anton Marku përshkruan një udhëtim të brendshëm, të

hapur dhe të thellë në botën e ndjenjave dhe mendimeve të shkrimtarit. Në këtë libër, autori spikat me tematikat e zgjedhura, ku e përdor mirë përvojën në fushën e shkrimtarisë dhe sidomos stisjen imagjinare poetike, për çka me kujdes ndërton poezi të realizuara artistikisht. Sipas mendimit tim faktorët që e bëjnë këtë libër të veçantë, pse qasja poetike e autorit përfaqëson një dimension të tillë, të thellë dhe të veçantë, është pikërisht tentativa për ta vendosur vargun në një pikë, nga ku mund të shihet jeta lëvizëse dhe lëvizja e jetesës.

Mbi këtë parim, poeti Marku shpreh ndjenjat valëzuese dhe përvojat e tij nëpërmjet një gjuhe poetike të

mrekullueshme dhe një lirike të realizuar mirë edhe nga aspekti tematik, edhe nga aspekti përmbajtësor. Poezitë e tij nuk janë një shprehje e thjeshtë e ndjenjave, por ato përhapin thellësinë dhe kompleksitetin e emocioneve njerëzore në një mënyrë të provokuese. Poeti, që konsideroj se është poet i konciziteteve, pra Anton Marku përdor imazhe të pasura, metafora dhe simbole që e pasurojnë tekstin dhe e bëjnë atë tërheqës për lexuesin.

Natyrisht se kjo poezi më së shumti pëlqehet nga lexuesi i konsoliduar, pra shkrimtarët që janë edhe vetë pjesë e kësaj bote. Në këtë mënyrë, Marku arrin të krijojë një lidhje të fortë midis lexuesit dhe tekstit të tij, duke e bërë atë një përvojë letrare të larmishme.

Qasja poetike e autorit është e rëndësishme për të ngritur librin në një dimension të tillë të thellë sepse i lejon lexuesit të ndjehen të lidhur me çdo fjalë dhe çdo imazh që ai krijon. Duke shfrytëzuar fuqinë e poezisë, Marku ia arrin të ndajë ndjenjat dhe mendimet e tij në një mënyrë Duke pritur ditën e tetë të thellë dhe të frymëzuar, duke e bërë lexuesin të ndjehet si një pjesë e historive dhe emocioneve të tij.

Titulli “Duke pritur ditën e tetë” ka një dimension të thellë dhe metaforik në këtë kontekst. Ditë e tetë është

një koncept i njohur në letërsinë botërore, i cili është përdorur për të përfaqësuar shpërthimin e një realizimi

apo një moment të rëndësishëm në jetën e një personi. Në librin e Markut, ky titull krijon ndjenjën e pritjes,

tërheqëse dhe emocionuese, që e bën lexuesin të ndjehet si në pritje të një momenti të madh apo tërësor nëpër rrugën e jetës. Për autorin, ditën e tetë mund ta interpretojmë si një moment vendimtar, një pikë kulmore ku shfaqen shumë nga ndjenjat dhe reflektimet personale të autorit.

Përmes kësaj qasjeje shumë personale, Marku e ngre librin në një dimension të veçantë, duke e bërë atë

një eksperiencë letrare që prek zemrën dhe mendjen e lexuesit. Me poezitë e tij të thella dhe të frymëzuara, ai na udhëzon në një udhëtim emocional e filozofik, duke na bërë të reflektojmë mbi jetën, dashurinë, humbjen dhe shpresën në mënyra të thella dhe të frymëzuara. Anton Marku përdor një stil të shkrimit shkurtër

dhe tërheqës në poezitë e tij për të transmetuar thelbin e mendimeve dhe ndjenjave të tij. Përdorimi i fjalëve dhe imazheve të zgjedhura me kujdes i lejon atij që të shprehë shumë në një hapësirë relativisht të vogël, duke e bërë përmbajtjen e tij të ndjeshme dhe të thellë. Në pak fjalë ai ngarkon shumë mendime.

Poezitë e tij të shkurtra janë si grumbullime të momenteve të përjetuara dhe mendimeve të thella, të cilat ai përpiqet t’i përforcojë në mënyrë efektive përmes fjalëve të zgjedhura me kujdes dhe sintaksës së thjeshtë por të fuqishme. Në këtë mënyrë, ai arrin të shprehë thelbin e ndjenjave dhe ideve të tij në mënyrë të qartë dhe tërheqëse për lexuesin. Përsa i përket titujve të librit të tij, ata janë të shkurtër po ashtu dhe të fokusuar në thelbin e tematikës, duke e bërë përmbajtjen e librit të qartë dhe të identifikueshme për lexuesin. Kjo qasje e thjeshtë dhe e drejtëpërdrejtë në tituj e bën librin e tij të shkëlqejë për lexuesit, duke i lejuar ata të kuptojnë me lehtësi temën

kryesore dhe fokuset e tij. Në përgjithësi, përdorimi i një stili të shkurtër dhe të fokusuar nga Marku në poezitë e këtij libri është një strategji e suksesshme për të transmetuar mendimet dhe ndjenjat e tij në një mënyrë të fortë dhe tërheqëse. Kjo i lejon atij të krijojë një lidhje të ngushtë dhe të thellë me publikun, duke e bërë përvojën letrare më të rëndësishme

dhe më të thellë për ata që e lexojnë. Duke qenë se shkrimi dhe sidomos poezia ka modelin e vet të të shkruarit dhe kjo e dallon një shkrimtar nga tjetri, unë konsideroj se edhe leximi e ka atë lexuesin e vet, i cili dallon nga një lexues tjetër. Për mua ky është një lexim kontekstual që i kam bërë këtij libri.

Filed Under: ESSE

“MOS HARRO KURRË”

May 28, 2024 by s p

Brahim Halimi/

U zhvillua tubimi Promovues i veprave të profesorit Nusret Pllana, në Shoqatën “Isa Boletini” në Sindelfingen të Gjermanisë, të shtunën me 25.05.2024.

Tubimin e ka organizuar Shoqata “Isa Boletini kurse Kryesia i ka i kryer detyrat e sajë për një mbarëvajtje të këtijë tubimi. Lokali i Shoqatës ishte i mbushur me bashkatdhetarë, që kishin ardhur nga qytete të ndryshme të Republikës Baden-Württemberg, për t’u bërë pjesëmarrës të këtij Tubimi Promovues të veprave dokumentare e publistike të Prof. Nusret Pllana.

Autoriteti i krijuar me veprimtari e kontribute të veçanta ndaj çështjes kombëtare, i veprimtarit dhe çlirimtarit Nusret Pllana, kishte ndikuar që konsideratat dhe respekti ndaj tijë dhe ndaj veprave të tijë të ishte shumë i lartë. Në tubim kanë marrur pjesë edhe drejtues e përfaqsues të shoqatave e klubeve dhe të subjekteve tjera shqiptare. Kurse veprimtari Can Tahiri kishte angazhuar edhe një gjirues të RTV 21. të cilët i falënderoj për gjirimin.

Tubimi është moderuar nga zonja Lindita Haxhiu – Zeçiri një veprimtare dhe artiste e njohur dhe është hapur me intonimin e Hymnit Kombëtar Shqiptar dhe të Hymnit Shtetërorë të RKS. Pastaj një fjalim përshëndetës dhe rreth biografisë së Prof. NUSRET PLLANA e ka mbajtur Brahim Halimi drejtuesi i Shoqatës “Isa Boletini” i cili i ftoi të pranishmit për një minut heshtje në shenjë respekti ndaj të gjitha viktimave, martirëve dhe të rënëve …

Drejtuesi i Shoqatës i njoftoi të pranishmit edhe me simbolikën e datës së këtijë promovimi që lidhet edhe me ditëlindjën e 65-të të Prof. Nusret Pllana…, të cilit i uroj edhe shumë ditëlindje të shëndetshme e të lumtura.

Në këtë rast profesorit, në emër të Kryesisë së Shoqatës, ju dorëzua një Mirënjohje në shenjë respekti për kontributin e tijë si veprimtar e çlirimtar dhe për veprat e tijë dokumentare e publicistike kushtuar terrorit dhe gjenocidit serb mbi shqiptarët.

Më pas Prof. Nusret Pllana mbajti një fjalim përshëndetës e porosibartës për të pranishmit dhe e falënderoj Kryesinë dhe Shoqatën “Isa Boletini” për këtë organizim e Tubim Promovimi.

Fjalimi i profesorit ishte shumë emocional dhe kritik, por i argumentuar, ndaj klasës politike pushtetare e opozitare dhe asaj intelektuale e akademike për shkak të shumë dobësive, papërgjegjësive dhe gabimeve që po na përcjellin pandalshëm si shtet dhe si shoqëri…

Thirrja, lutja e apeli publik shumë domethënës i Prof. Nusret Pllana, drejtuar pjesëmarrësve dhe veçanërisht politikanëve pushtetarë e opozitarë, drejtuesve shtetërorë, intelektualëve e akademikëëve dhe popullit në përgjithësi ishte: të mos e harrojmë amanetin e dëshmorëve dhe luftën e çlirimtare të UÇK-së tonë të lavdishne, të mos e harrojmë terrorin dhe gjenocidin serb mbi popullin tonë, të mos shkelim mbi gjakun e dëshmorëve, të shumë viktimave dhe veçanërisht mbi gjakun e fëmijëve dhe të nënave e femrave tona se do na mallëkoj historia e cila mund të na përseritet sikurse edhe deri më tani që është përsëritur…

Kishte poashtu një kritikë të rrept ndaj ekstremizmave të të gjitha llojeve dhe ndaj dukurive negative që po e dëmtojnë rëndë kulturën, traditën dhe interesin tonë kombëtar e shtetërorë…

Pastaj janë shfaqur videopamje të fimmave dokumentar nga koha luftës…

Në vazhdim kishte edhe pyetje nga pjesëmarrësit të cilave profesori u është përgjegjur…

Më pas drejtuesi i shoqatës i falënderoj pjesëmarrësit dhe në veçanti profesorin Nusret Pllana për vizitën në Shoqatën “Isa Boletini” dhe kontributin e madh të tijë.

Vlenë për t‘u theksuar se shpenzimet e rrugëtimit të profesorit i ka marrur përsipër Shoqata kurse ato të hotelit afaristi Arif Deliu.

Nga pjesëmarrësit kishte një interesim të shtuar për librat e z.Nuret Pllana dhe për të bërë foto përkujtimi me profesorin – nga ky tubim promovimi…

Në fund, në cilësinë e drejtuesit të shoqatës

e falënderoj Prof. Nusret Pllana për vizitën në shoqatë dhe për kontributin e tijë, pastaj pjesëmarrësit e këtij tubimi promovues si dhe anëtarët e kryesisë për angazhimet e tyre rreth këtij tubimi dhe për këtë tubim.

Filed Under: Analiza

“GJEOPOLITIKA, TERRITORI, KONFLIKTI”

May 28, 2024 by s p

Prof. Dr. Frashër DEMAJ/

Botimi “GJEOPOLITIKA, TERRITORI, KONFLIKTI”, me nëntitull “Politikat hegjemoniste, kolonialiste dhe kolonizuese serbe ndaj Kosovës dhe shqiptarëve” i autorëve akademik Hivzi Islami dhe professor Arsim Ejupi është një studim i bazuar ne qasje multidisiplinare ndaj problemeve të gjithmbarshme që kanë preokupuar Kosovën dhe shqiptarët ndër vite.

Ky studim është i kompletuar, i mbështetur në literaturë relevante dhe i realizuar në përputhje të plotë me metodologjitë moderne shkencore. Punimi është shumë i pasur me të dhëna dhe fakte specifike nga gjeopolitika, historia, demografia, ekonomia, sociologjia dhe fusha tjera që lidhen me konfliktet territoriale, luftërat dhe spastrimet etnike, në veçanti në Ballkan, të nxitura nga hegjemonizmi serb, nga i cili e pësoi më së shumti Kosova dhe shqiptarët.

Sipas autorëve, në vitet e 80-ta të shek. XX pushteti serb dhe organet e ish-Federatës Maqedoninë e përdornin si model dhe territor provues për represionin, ndjekjen dhe shpërnguljen e shqiptarëve, kryesisht për ta kufizuar normën e natalitetit të tyre, reduktimin e shkollimit në gjuhën shqipe dhe zhvillimin e përgjithshëm, në mënyrë që pastaj t’i zbatonin më lehtë në Kosovë! Regjimi i Millosheviqit me të gjitha mjetet u vërsul mbi themelet e jetës së shqiptarëve: përmes deportimit masiv dhe zhdukjes së dokumentacionit më 1999. Ky regjim donte ta dehumanizonte gjithë bashkësinë shqiptare dhe ta këpuste çdo lidhje juridike të shqiptarëve me truallin gjeoetnik të tyre, ta rrënonte tërësisht një etni, një kulturë dhe një shoqëri.

Për të përmbyllur harkun kohor më shumë se njëshekullor të zhvillimeve të vrullshme gjeopolitike në Ballkan dhe në veçanti në trojet shqiptare,autorët në këtë botim trajtojnë edhe “korrigjimin e kufirit” Kosovë-Serbi dhe idetë e reja (të vjetra) për shkëmbimin e territoreve dhe popullatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Si projekte dhe ide i takojnë mendësisë së shekullit të kaluar të Serbisë hegjemoniste dhe të gjitha janë në kundërshtim të plotë me realitetin aktual, sepse rrezikojnë zhbërjen e shtetit të ri të Kosovës dhe integritetin territorial të tij.

Autorët Islami dhe Ejupi trajtojnë edhe Planin e quajtur Franko-Gjerman (versioni i parë u prezantua më 27 shkurt 2023, ndërsa ai final më 6 mars 2023) dhe platformës së zbatimit të tij, që u pranua në takimin e Ohrit më 18 mars 2023. Këto dy dokumente konsiderohen marrëveshje ndërkombëtare. “Por jo mes Kosovës dhe Serbisë. Është mes Serbisë dhe BE-së dhe Kosovës e BE-së, diçka krejtësisht e pazakontë në një proces normalizimi”. Ky fakt nënkupton se obligimet e marra janë të ndara, Serbia të vetat dhe Kosova të vetat! Disa obligime të Kosovës kanë afate, ndërsa të Serbisë sikur nuk kanë afate! Krejt çka kërkon BE dhe SHBA nga Serbia është njëfarë “distancimi” nga Rusia!

Si njohës dhe ndjekës të zhvillimeve gjeopolitike në kontekstin historik dhe aktual, në përmasa rajonale dhe kontinentale, autorët nuk lënë anash pa përmendur as zhvillimet më të fundit pas agresionit rus në Ukrainë më 24 shkurt 2022, që ndikuan në raportet SHBA-Rusi, BE-Rusi, Lindje-Perëndim, sikundër që ndryshoi edhe rendi botëror dhe raportet në përmasa planetare. Me këtë plan fashist të Rusisë po nis një fazë e re e “neosovijetizimit” të Rusisë apo një epokë e re gjeopolitike si “Luftë e Re e Ftoftë”, me një Stalin të ri apo Hitler të ri; bota nuk është më ajo që ishte! Autorët bëjnë një anologji dhe tërheqin një paralele midis Hitlerit të Gjermanisë naciste dhe Putinit të Rusisë agresore, me një dallim se Putini posedon armë bërthamore, me të cilat po e kërcënon gjithë planetin, por frikën më të madhe e mbolli te ish-republikat e BRSS-së. Por as Perëndimi dhe NATO nuk kishin reagime të fuqishme kur Rusia e pushtoi Krimenë në vitin 2014! Reagimet dhe mbështetja ushtarake dhe humanitare për Ukrainën erdhën vetëm pas 24 shkurtit 2022, kur dolen sheshazi ambiciet ruse të Putinit.

Një aspekt tjetër i veçantë i këtij studimi janë edhe paradigmat “Bota serbe” dhe “Bota ruse”, të cilat janë eufemizma për realizimin e qëllimeve ekspansioniste të të dyja shteteve në hapësirat ku sundonin dikur: të Rusisë në hapësirën e dikurshme sovjetike dhe të Serbisë në hapësirën e ish-Jugosllavisë dhe rajonin e Ballkanit. Siç vënë në pah autorët këto janë politika retrograde. Kjo vërehet në rajon, ku Serbia tenton ta sundojë Malin e Zi, Bosnje Hercegovinën, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Dhe fatkeqësisht, kjo politikë ende nuk ka marrë përgjigje adekuate nga fuqitë perëndimore.

Në vazhdim autorët tërheqin vërejtjen mbi rrezikun e dëmtimit të raporteve miqësore të Kosovës me aleatët, në veçanti me SHBA-në. Në këtë kontekst zënë në gojë Dobrica Qosiqin, i cili thoshte se “Kosova nuk kthehet me luftë. E vetmja mënyrë për ta kthyer Kosovën është kur klima antiamerikane zë rrënjë në Kosovë. Kur shqiptarët ndjehen të vetëmjaftueshëm dhe nacionalizmi për të mbajtur e ruajtur pushtet del para strategjisë amerikane e evropiane. Shërbimet tona duhet të punojnë në Kosovë e ta ndërtojnë një imazh që e imiton nacionalizmin e verbër të Millosheviqit. Kur të vie ai moment, atëherë ngjallet shpresa serbe”!

Disa nga problemet shumë komplekse të cilat i trajtojnë autorët e këtij botimi janë edhe kufijtë dhe konfliktet territoriale dhe politikat hegjemoniste, kolonialiste dhe kolonizuese serbe ndaj Kosovës dhe trojeve tjera etnike, si në Ballkani si “fuçi baruti” dhe paaftësia e “Kontinentin Plak” për zgjidhjen e problemeve në truallin e vet.

Çështja e kufijve trajtohet në përgjithësi dhe në hapësirat konkrete, sikurse është p.sh. kufiri midis Kosovës dhe vendeve fqinje, në veçanti me Serbinë, përfshirë debatet rreth shkëmbimit të territoreve midis saj dhe Serbisë dhe procesit të demarkimit të kufirit midis Kosovës Malit të Zi. Tema e demarkacionit nisi dhe mbeti një kauzë e rrejshme e disa grupacioneve politike shqiptare të Kosovës dhe kufiri Kosovë – Mali i Zi mbeti aty ku ishte vijëzuar para 15 shkurtit 1947. Për moszgjidhjen e këtij problemi çmimin e paguan qytetarët e Kosovës, të cilët mbetën të izoluar në lëvizjen e lirë në hapësirën e BE-së! Liberalizimi faktik i qytetarëve të Kosovës ndodhi vetëm nga 1 janari 2024!

Tema në vete që trajtohen në këtë studim janë demopolitika dhe gjeopolitika; Kosova në rrjedhat gjeopolitike dhe gjeopopullative vështruar në prizmin historik dhe etnik; konteksti i ndërlikuar i një lufte mirë të përgatitur përmes të ashtuquajturit “Front i Jugut” në fillim të viteve të 90-ta; pastaj migrimet e jashtme dhe konteksti gjeohapësinor dhe gjeopolitik etj. Një pjesë e librit i kushtohet ujit si burim i konflikteve dhe mosmarrëveshjeve, si dhe bashkëpunimit ndërkufitar të Luginës së Preshevës (përparësitë dhe problemet gjeopolitike), si dhe mbrojtja ndërkufitare e natyrës në funksion të arritjes dhe mirëmbajtjes së paqes.

Në shtojcë jepen pjesë të zgjedhura të tri dokumenteve në bazë të të cilave mund të kuptohet rikonfigurimi dhe ristrukturimi gjeopolitik i hapësirës ballkanike, europiane dhe botërore pas Luftës I Botërore dhe Konferencës së Versajës (1919): njëri që nxiti luftëra në baza etnike dhe solli gjakderdhje masive (“Memorandumi” i SANU-së, 1986); teksti i dytë në formë të konkluzave nga libri i njohur i autores Margaret Macmillan, Six Months that Changed the World, New York, 2001 (“Paris, 1919 – Gjashtë muaj që ndryshuan botën”, Tiranë, 2006), si dhe i treti që ka të bëjë me “Katërmbëdhjetë pikat” e njohura të Presidentit të SHBA-së, Woodro Wilsonit në Konferencën e Paqes në Versajes (1919). Shtojcës i bashkëngjitet edhe një tekstdokument në original i vitit 1940 për Kosovën, i hartuar nga Mosha Pijade (1890-1957), si njeri i katërt në kierarkinë shtetërore të ish-Jugosllavisë. Pijade theksonte se zgjidhja e lëvizjes nacionale në Kosovë “mund të arrihet duke formuar Republikën e Lirë Fshatare-Punëtore të Kosovës përmes rrëzimit revolucionar të regjimit fashist dhe imperialist serbomadh”. Dhe krejt në fund jepet një pasqyrë e literaturës e burimeve, një rezyme në anglisht dhe indeksi i emrave.

Filed Under: Politike

Një ftesë për të gjithë dashamirësit e librit…

May 28, 2024 by s p

Të nderuar bashkatdhetarë, me kënaqësi ju njoftojmë se Allbanian Alliance of New Jersey, në bashkëpunim me Bibliotekën Publike të Garfield, organizon një ngjarje të veçantë dhe historike që do të mbahet më 1 qershor 2024, nga ora 11:00 AM deri në 2:00 PM, në adresën 500 Midland Ave, Garfield, NJ 07026.

Kjo ngjarje paraqet një mundësi të jashtëzakonshme për:

Njohjen dhe promovimin e veprave të autorëve shqiptarë në komunitetin tonë.

Hapjen e një koleksioni të ri librash, të dhuruar nga autorë shqiptarë të njohur.

Pasurimin e Bibliotekës Publike të Garfield me këtë koleksion të veçantë.

Garfield është një qytet me një numër të konsiderueshëm prej rreth 3,500 shqiptarëve, prej të cilëve rreth 1,150 janë nxënës në shkollat publike. Kjo iniciativë për të sjellë një koleksion të gjerë librash shqiptarë në bibliotekën e qytetit do të jetë një shtesë e rëndësishme për kulturën tonë.

Programi i Eventit është si vijon:

10:30 AM – 11:00 AM: Mirëseardhja dhe regjistrimi i pjesëmarrësve.

11:00 AM – 11:30 AM: Fjalë përshëndetëse nga Albanian Alliance of New jersey, Ambasadorja e shqiperise ne Kombet e Bashkuara, Kryebashkiaku i Garfield dhe figura të tjera të larta nga Bergen County.

11:30 AM – 12:00 PM: Prezantim i antologjisë dhe dhurimi i koleksionit të librave nga Profesor Doktor Fatmir Terziu dhe poetë të tjerë.

12:00 PM – 12:30 PM: Lexime letrare nga poetë të mirënjohur.

12:30 PM – 2:00 PM: Performanca muzikore dhe valle tradicionale shqiptare.

Të Ftuar Nderi për këtë event janë:

Ambasadorja e Shqipërisë në Kombe të Bashkuara

Kryebashkiaku i qytetit të Garfield dhe anëtarët e bordit të tij.

Figura të larta nga Bergen County.

Poetë të shquar të antologjisë shqiptare të 100 viteve të fundit.

Gjatë këtij eventi, Kryebashkiaku i Garfield do të shpërndajë certifikata mirënjohjeje për autorët e pranishëm. Allbanian Alliance of New Jersey ka siguruar dhe do të dhurojë disa libra të Profesor Doktor Fatmir Terziu, duke pasuruar më tej koleksionin e bibliotekës.

Ju ftojmë të gjithë të merrni pjesë në këtë ngjarje historike dhe të kontribuoni në pasurimin e trashëgimisë kulturore të qytetit tonë. Pjesëmarrja juaj do të jetë një nder dhe mbështetje e madhe për komunitetin shqiptar në Garfield.

Për më shumë informacion dhe për të konfirmuar pjesëmarrjen tuaj, ju lutemi të kontaktoni në email: albanianallianceofnewjersey@gmail.com ose në numrin e telefonit: (201) 693-3798.

Ju mirëpresim me kënaqësi!

500 Midland Ave

Garfield, NJ, 07026

Me respekt,

Allbanian Alliance of New Jersey

Filed Under: LETERSI

SOPRANOJA ME FAMË BOTËRORE INVA MULA, SË BASHKU ME TENORIN GJERGJI MANI DHE SOPRANON IONELA MANI SJELLIN MUZIKËN SHQIPTARE NË BUKURESHT

May 28, 2024 by s p

Nën duartrokitjet frenetike të një publiku entuziast, u kurorëzua një nga mbrëmjet gala, një mbrëmje magjike, që do të mbetet gjatë në kujtesën e publikut në Bukuresht. Një koncert i jashtëzakonshëm, me artistë shqiptarë dhe rumunë, u zhvillua mbrëmjen e së premtes, 24 maj 2024, në Bukuresht. Organizatorët e koncertit ishin Shoqata Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR) në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Operetës “Ion Dacian” në Bukuresht. Në skenën e Operetës u ngjit sopranoja shqiptare me famë botërore, Inva Mula, së bashku me çiftin e artistëve shqiptaro-rumun, Gjergji dhe Ionela Mani, si dhe i ftuari special, tenori Daniel Magdal, solist i parë dhe drejtor artistik i Operës Kombëtare të Bukureshtit. Orkestra u drejtua nga dirigjenti Alexandru Ilie, artistët interpretuan për publikun e shumtë pjesë nga muzika shqiptare e rumune, nga repertori botëror, por edhe këngë nga folklori shqiptar e rumun. Perfomanca e lartë interpretuese i të gjithë solistëve, repertori i larmishëm, prania e muzikës shqiptare të lëvruar dhe popullore, me ritmin dhe dinamikën e saj, mahnitën publikun dhe zbuluan edhe një herë fuqinë e jashtëzakonshme të muzikës për të bashkuar popujt dhe kulturat. Cilësimi i këtij koncerti gala do të ishte: Zëra të jashtëzakonshëm – publik i mrekullueshëm! Inva Mula – magjia e skenës, zëri i saj i kristaltë, ndjeshmëri e lartë dhe interpretim mjeshtëror arriti të elektrizojë sallën me energjinë e saj; tenori Gjergji Mani, një zë i fuqishëm, energjik, me timbër plot ngjyrë; sopranoja, Ionela Mani, me veçori vokale të rralla, si dhe tenori, i njohur ndërkombëtarisht, Daniel Magdal, i pakrahasueshëm në interpretimin e tij dhe për performancën brilante si gjithmonë!

Koncerti filloi me Vallen Simfonike nr. 2 të kompozitorit të mirënjohur, Thoma Gaqi, e cila është interpretuar disa herë në Rumani nga orkestra të ndryshme simfonike. Është një pjesë me impakt të madh tek dëgjuesi i huaj, në sajë të strukturës simfonike moderne, harmonisë, ndërtur mbi një lajtmotiv popullor shqiptar.

Artistja e madhe, Inva Mula, e kthyer në Bukuresht pas më shumë se 30 vitesh, ku ka marrë çmimin e parë ndërkombëtar të karrierës së saj, Çmimin George Enescu, shkëlqeu me interpretimet e saj, përmes ndjeshmërisë, qartësisë dhe inteligjencës së epërme të zërit të saj. Përveç disa pjesëve të njohura nga repertori i huaj, ajo interpretoi pjesë të babait të saj, kompozitorit Avni Mula si Agimet shqiptare, Valsi i lumturisë etj. Së bashku me tenorin e ri, të talentuar, Gjergji Mani, befasuan publikun me pjesën rumune Te iubesc (Të dua) të kompozitorit Gherase Dendrino. Gjergji Mani, një zë i fuqishëm, energjik, me timbër plot ngjyrë, përcolli emocione të forta te publiku me një sërë këngësh të njohura shqiptare si Më ka shku menja me u fejue, Bishitalecat palë palë apo Ky marak, këngë të cilën e interpetoi në duet me bashkëshorten e tij, Ionela Mani. Interpetimi në duet me Inva Mulën i këngës arbëreshe E lule -lu duket se arriti pikën kulminante të koncertit, sepse interpetimi i dy solistëve u shoqërua ritmikisht nga spektatorët dhe gëzoi duartrokitje të zgjatura të spektatorëve, të cilët u ngritën në këmbë në shënjë vlerësimi. Sopranoja, Ionela Mani, me veçori vokale të rralla, interpretoi pjesë të vështira nga folklori rumun dhe shqiptar, si Lie, Lie ciocarlie, Baresha apo Margjelo, duke evidentuar cilësitë teknike dhe emocionale të interpetimit. Tenori i njohur rumun, Daniel Magdal, me një karrierë ndërkombëtare, plotësoi paletën e pasur të repertorit të koncertit me pjesë spanjolle dhe franceze. Përpos suksesit të jashtëzakonshëm të të katërve artistëve lirikë, një risi e këtij koncerti ishte fakti që u soll në qendër të vëmendjes, mbase si asnjëherë tjetër në kryeqytetin rumun, muzika shqiptare.

Në sallë ndodheshin personalitete të muzikës dhe artit në Rumani, gazetarë, artdashës dhe simpatizantë të kulturës shqiptare si dhe anëtarë të komunitetit shqiptar të Rumanisë. Televizioni Kombëtar TVR1 realizoi një reportazh të posaçëm për koncertin e jashtëzakonshëm. Deputeti Bogdan-Alin Stoica, kryetari i shoqatës së shqiptarëve, kryetari Dr. Radu-Cosmin Savulescu si dhe Koordinatori i Qendrës Kulturore të ALAR, Dr. Luan Topçiu, morën urimet për organizimin dhe realizimin e kësaj ngjarje të rëndësishme kulturore që ndihmon drejtpërsëdrejti njohjen në shkallë të gjerë të kulturës shqiptare në Rumani, promovimin e artistëve të talentuar e të denjë shqiptarë, që shndërrohen, kësisoj, në ambasadorë të vërtetë të kulturës shqiptare dhe vendit të tyre në botë.

Bukuresht

Zyra e shtypit, ALAR

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT