• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2024

THIRRJE PËR NJOHJEN E ROLIT TË ERNEST KOLIQIT NË PËRHAPJEN E ARSIMIMIT KOMBËTAR (1941-1944) ANË E MBANË TROJEVE TË ROBËRUARA SHQIPTARE

June 6, 2024 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated
Image result for errnest koliqi image

Për të çuar deri në fund amanetin e tij për të mos harruar shkrimtarët e përjashtuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, gjatë viteve, unë jam munduar me një numër shkrimesh modeste (kush jam unë të shkruaj për Ernest Koliqin?) për veprimtarinë intelektuale, letrare e politike, por sidomos, për rolin historik dhe heroik kombëtar të Ernest Koliqit në përhapjen e shkollave shqip në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare nën ish-Jugosllavinë (1941-1944)- Frank Shkreli: Amaneti i Koliqit për Shkollën Shqipe | Gazeta Telegraf — Frank Shkreli: Amanetin e mban toka- gëzuar ditëlindjen Prof. Ernest Koliqi | Gazeta Telegraf

Për rolin me rëndësi kombëtare të Ernest Koliqit në përhapjen e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare, anë e mbanë trojeve shqiptare, gjatë periudhës që ai ishte Ministër i Arsimit (1941-1944) kanë shkruar shumë bashkohas të tij.  Roli i tij kombëtar është i mirë dokumentuar. Ministria e Arsimit në Tiranë që ai kryesonte në atë kohë pat dërguar rreth 200 mësues e mësuese, inspektorë e drejtorë, të cilët mundën të hapnin një numër shkollash fillore, të mesme dhe gjimnaz në gjuhën shqipe dhe shpërndarje bursash për studentët shqiptarë nën drejtimin personal të Ernest Koliqit, anë e mbanë trojeve SHQIPTARE nën ish-Jugosllavi, në Kosovë, Tetovë, Dibër të Madhe, të krahinave bregdetare me Ulqinin e deri në Çamëri.

Duke u nisur nga besimi i tij siç ka shkruar më vonë Koliqi, me fjalën Shqiptar, ai nënkuptonte, “Njeriun bashkombtar të Shqipnisë së vjetër dhe të Kosovës, e për të qenë krejtsisht të qartë, edhe atë të Malit të Zi e të Maqedonisë. Thërrasim, “Arbresh”, vëllaznit fisnor të Italisë e të Greqisë e të Zarës; përdorim skajin Arbnuer – nga Arbri – tue përfshi në të, mbarë gjinden e gjakut tonë, dmth, Arbreshë e Shqiptarë bashkë”, sipas tij. 

Askush me mendje të shëndosh nuk mund të mohojë rolin e Ernest Koliqit – megjith pikëpamjet ideologjike komuniste, që për fat të keq, mbizotorojnë ende — në organizimin dhe drejtimin e tij të shkollave shqipe nga viti 1941 e deri në 1944 në Kosovë e mëtej. Nuk mund të mohohet as trashëgimia e tij në zhvillimet e mëtejshme historike dhe përparimet në fusha të ndryshme, jo vetëm në fushën e arsimit e të kulturës shqiptare anë e mbanë trojeve, por edhe në zhvillimet politike dhe ushtarake që çuan më në fund në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës dhe në përmirësimin e dukshëm të drejtave të mohuara shqiptarëve gjatë dekadave.  Jam i besimit se shumë prej nesh që e kemi origjinën nga ato anë, po të mos ishte për rolin e Ernest Koliqit në përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare – as shqip nuk do të flisnim sot, as nuk do ta konsideronim veten bashkombas– Frank Shkreli: Mirënjohje për mësuesit e shkollës së parë në gjuhën amtare shqipe në rrethin e Ulqinit | Gazeta Telegraf  Megjithë kontributet e tija të shumta Ernest Koliqi është luftuar dhe vazhdon të luftohet nga mendjet djallëzore majtiste-komuniste anti-shqiptare për bashkpunimin me regjimin e mbështetur nga fashizmi italian në Shqipëri. Kritikët maniakë modernë të indoktrinuar me ideologjinë komuniste mund të vazhdojnë të kritikojnë, të shajnë dhe të shpifin kundër veprës së Ernest Koliqit. Për fat të keq kështu u ka ndodhur dhe u ndodh në histori njerëzve të mëdhej si Koliqi, por për fatin e bardhë të Kombit, veprat dhe kontributi i Koliqit kanë lenë pas gjurmët të pashlyeshme dhe ndjenjat e thella që ruhen ndër brezat e shqiptarëve të Kosovës dhe të trevave tjera shqiptare nën ish-Jugosllavi. 

Tahir Zajmi i lindur në Gjakovë, (1897–1971) aktivist politik në Shqipëri në periudhën e mesluftërave botërore dhe njohës i mirë i kontributeve të Koliqit për hapjen e shkollave shqipe në Kosovë, ka shkruar (më 1963) se, “Fitim i madh për Kosovën ka qenë hapja dhe funksionimi i shkollave shqipe…të cilat me ritëm të shpejt dhe të pandalshëm i falin Kombit pionerë të ri që do të jenë garancia më e shëndosh dhe uzdaja e së ardhmes së atdheut.”  Duke shtuar se, “Merita kryesore e kësaj veprimtarie patriotike e qeverisë shqiptare, pa dyshim, i përket Ministrit të Arsimit të asaj kohe, Profesor Ernest Koliqit, i cili me vullnetin dhe me shpirtin prej nji idealisti nuk kurseu energjitë e tija as mjetet shtetnore që kishte në dispozicion…e sot për fatin e bardhë të Kombit është formuar atje një rini dinamike në çdo fushë të aktivitetit kombtar e shtetëror e cila po përgatitë dhe po forcohet për të lumnue fatin e vendit në të ardhmen”, ka shkruar Tahir Zaimi nga Gjakova, sa i përket kontributit të Ernest Koliqit për gjuhën dhe kulturën në Kosovë duke shtuar se ka shumë arsye që, “Ernest Koliqi zë një vend të naltë ndër zëmrat e dashamirëve të Kosovës e njëherit  edhe në historinë e përpjekjeve për naltësimin kulturor të saj”.

Ndërsa një bashkohas tjetër i Koliqit (Lok Limthi-lexo Tahir Kolgjini) në një shkrim me rastin e 60-vjetorit të lindjes së Koliqit, shprehet se, “Koliqi, me përpjekje të pa prera e pati fatin e bardhë për të zenë një vend të posaçëm midis atyre burrave të vlefshëm që ia dedikuan veten Kombit nepërmjet gjuhës. E përnjimend, shërbimi që i bëhet një kombi nepërmjet gjuhës është më kryesori. Gjuha është shpata. Gjuha është arma. Gjuha është zemra. Gjuha është shfaqja e gjallënisë, e ma në fund gjuha është vetë jeta dhe vet Kombi. Pa gjuhë s’ka Komb. Kush ka humbur gjuhën ka humbur vetveten. Është fikun përgjithmonë. Sot, veprat e Koliqit e kanë dhenë pemën e vet të shijshme dhe u flasin brezave, përsa të jetë jeta. Pra, i lumi ai për çka ka punuar. E të lumtë ata që kanë ndjekur këtë rrugë të mbarë. Pikërisht, për këtë arsye, “Zotënia i nji Kombi është ai që i shërben atij. Njerzit shkojnë e vinë, veprat e tyre qëndrojnë”, ka shkruar Tahir Kolgjini me pseudonimin Lok Limthi. 

Prandaj, për këto dhe shumë arsye të tjera edhe unë po i bashkohem thirrjes që bënë muajin e kaluar, me rastin e ditëlindjes së Koliqit, dy intelektualë të Kosovës, Ambasadori Flamur Gashi me një shkrim në gazetën Dielli të Vatrës —Ernest Koliqi – Dielli | The Sun (gazetadielli.com) dhe Ahmet Qeriqi, Drejtor i Radios Kosova e Lirë —Ernest Koliqi (1903 – 1975) atdhetari që hapi 200 shkolla shqipe në Kosovën e robëruar – Radio Kosova e Lirë (radiokosovaelire.com)

Flamur Gashi, Drejtor Menaxhues i Televizionit “A2 CNN” në Kosovë, gazetar dhe ish-diplomat me përvojë dhe një figurë e njohur në fushën e gazetarisë së shkruar dhe radio-televizive në Shqipëri, bën thirrje që, “Në çdo qytet të Dardanisë, Maqedonisë, në Preshevë, Medvegjë, Bujanoc, në Malit të Zi dhe kudo ku ka dhe jetojnë shqiptarë është meritore të ketë shkolla, rrugë, sheshe dhe shtatore me emrin e themeluesit dhe përhapësit të arsimimit kombëtar në këto anë. Si çdo datë të lindjes së tij, në mirënjohje të thellë kujtojmë atë që mundësoi hapjen e shkollave shqipe në Dardani dhe në trojet e tjera etnike shqiptare, të mbetura jashtë Shqipërisë së vitit 1912: Ministrin e Arsimit Ernest KOLIQI”, ka shkruar ndër të tjera Flamur Gashi. (Shkrimi i plotë mund të lexohet në këtë link: Ernest Koliqi – Dielli | The Sun (gazetadielli.com)

Ndërkaq, ditëlindjen e Ernest Koliqit, muajin që kaloi, e shënoi edhe Profesor Ahmet Qeriqi, Drejtor i Radios Kosova e Lirë, me shkrimin “Ernest Koliqi (1903 – 1975) atdhetari që hapi 200 shkolla shqipe në Kosovën e robëruar  —Ernest Koliqi (1903 – 1975) atdhetari që hapi 200 shkolla shqipe në Kosovën e robëruar – Radio Kosova e Lirë (radiokosovaelire.com) — Profesor Ahmet Qeriqi, Drejtor i Radios Kosova e Lirë. publicist, shkrimtar e përkthyes shkruan se, “Ernest Koliqi ka qenë njëri ndër personalitetet e njohura të letërsisë e kulturës shqiptare, në përgjithësi. Një kontribut të veçantë i ka dhënë arsimimit në Kosovë, në vitin 1941, kur forcat italo-shqiptare kishin depërtuar në vendin tonë dhe kishin dëbuar forcat ushtarake e policore të Mbretërinë famëkeqe jugosllave, e cila gjatë tërë kohës së sundimit nga viti 1913 e deri në vitin 1941 nuk kishte lejuar asnjë shkollë shqipe por as edhe një libër në gjuhën shqipe. Ata shqiptarë që mësonin ilegalisht gjuhën e tyre, ndiqeshin e dënoheshin nga regjimi deri më 20 vjet burg. Dërgimi në Kosovë i më shumë se 200 mësuesve, hapja për herë të parë e qindra shkollave shqipe në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, ishte dhurata më e madhe që mund t’i jepej një kombi të ndarë padrejtësisht dhe të persekutuar mizorisht vetëm për shkak të përkatësisë së tij kombëtare e fetare.  Pavarësisht se Koliqi i mbeti besnik Italisë, nuk mund të thuhet se ka qenë besnik i fashizmit, me faktin se ai gjatë asaj kohe ka ndihmuar, aq sa ka pasur mundësi edhe intelektualët shqiptarë, të cilët regjimi i trajtonte si armiq. Pas çlirimit nga Italia, Koliqi u anatemua si bashkëpunëtor i regjimit italo-shqiptar dhe vepra e tij nuk u vlerësua. Megjithatë, Koliqi me punën dhe veprën e tij, me kontributin që i ka dhënë letërsisë, kulturës, albanologjisë, sidomos hapjes së shkollave shqipe në Kosovë e më gjerë, është një kontribut madhor, që nuk e zbeh aspak përkatësia e tij partiake në një kohë të caktuar. Koliqi meriton ta ketë një përmendore në qendër të Prizrenit apo të Prishtinës”, është thirrja që bën Profesor Ahmet Qeriqi për një përmendore në nder dhe në kujtim të Ernest Koliqit për “dhuratën e tij më të madhe që mund t’i jepej një kombi…”.

Nuk e di nëse thirrja e dy intelektualve shqiptarë-dardanë do përfillet nga ndokush dhe si rrejdhim vepra e madhe e Koliqit të shkojë ashtu siç është deri tani, në harresë, si e shumë të tjerëve e dikush tjetër të marrë kredinë për kontributin e paçmueshëm të tij për hapjen e shkollave shqipe anë e mbanë trojeve shqiptare dikurë.  Por ka rëndësi vet-kënaqësia e Ernest Koliqit i cili ishte i vetdijshëm për suksesin e veprimtarisë së tij të viteve 1941-1944 dhe efektin afatgjatë në interes të Kombit.  Për këtë mund të lexoni një artikull të tij të gjatë titulluar, “Kroje të reja në Parnasin Shqiptar”, botuar në Revistën Shejzat (nr 1 Gusht, 1957), për të parë krenarinë dhe pasionin e tij të përzemërt për zhvillimet arsimore, gjuhësore e kulturore në Kosovë në vitet e 1950-ve e më vonë. Aty, Koliqi shkruan Mbi librin “Shkëndijat e para”, botuar në Prishtinë me 1956, një antologji, që i kishte renë atij në dorë, siç thotë papritmas, ndërsa shkruante:

“Kallzoj të drejtën që n’at libër gjeta nji balçëm ngushullimesh shperblyese. ‘Bane të mirën në dét se e gjën në krypë’, thotë nji fjalë e motshëme. E kjo lloj krype, kur gjindet papritmas, i jep shije të veçantë jetës. Të dytën herë, veç, këtë anthologji e lexova tue i ndrydhë trokllitjet e zëmrës dhe tue mprehë fuqinë gjikuese të mendjes. S’po mund të rrijë pa ua paraqitun lexuesave dashamirë të kësaj së përkohëshmeje këta shkrimtarë të rij që mugulluen në pjesën e Jugoslavisë ku shqipja àshtë gjuhë arntare. Ah, lumni e smirueme me qënë poet djaloshar!  Këtyne djelm ndjellamirë i buzqeshë prej s’largu Lavdija e majave të Parnasit edhe i joshë me iu ngjitun termal rrmoreve të thepisuna për me shijue në kaltheritë e heshtuna pranë qiellit, shugurimin e saj të hyjnueshëm e hyjnues. Këta i ngjiten malit të  Zànave, heshtija e të cilit vlon me gurgullime gurrash harmonioze, nga  ana e andejme, e na përpiqemi me i hypun n’anë të këndejshme por në kreshtën vetmitare, të ruejtun nga Ora e amshueme e Fisit, na pret e njàjta lavdi”.

Shihet qartë nga ky paragraf i një shkrimi më të gjatë të vitit 1957 se Ernest Koliqi – megjithë, “kreshtën vetmitare”, izolimin dhe përjashtimin zyrtar deri në ditët esotpme — ka shkuar në atë jetë i kënaqur për punën e tij me hapjen e shkollave shqipe anë e mbanë trojeve shqiptare në vitet 1941-1944. Dhe rrjedhimisht, i kënaqur dhe i shpërblyer me arritjet e “djelmve ndjellamirë”, poetë e shkrimtarë në Kosovë dhe më gjërë, të cilëve sot u buzqeshë prej s’largu, Lavdija e majave të Parnasit.  Duan e s’duan kritikët dhe kundërshtarët e tij fanatikë sot — edhe Ernest Koliqin e pret “Ora e amshueme e Fisit” me të njëjtat Lavdi të Majave të Parnasit – me ose pa përmendore të tij në Kosovë dhe trojet tjera shqiptare.  Megjithë këtë përshëndes zotërinjtë Ahmet Qeriqin dhe Flamur Gashin për nismën e tyre fisnike dhe patriotike, duke uruar që edhe intelektualë të tjerë të tregojnë ndershmëri intelektuale dhe patriotike e t’i bashkohen kësaj iniciative në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare.

Frank Shkreli 

            Ahmet Qeriqi: Kënga e trimërisë në margjinat e historisë - Radio Kosova ...Ahmet Qeriqi: “Dërgimi në Kosovë i më shumë se 200 mësuesve, hapja  për herë të parë e qindra shkollave shqipe në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, ishte dhurata më e madhe që mund t i jepej një kombi të ndarë padrejtësisht dhe të persekutuar mizorisht vetëm për shkak të përkatësisë së tij kombëtare e fetare…Koliqi meriton ta ketë një përmendore në qendër të Prizrenit apo të Prishtinës”.

                             A couple of men wearing suits and ties

Description automatically generatedAutori me Ambasador Flamur Gashinnë Nju Jork, 2022: “Në çdo qytet të Dardanisë, Maqedonisë, në Preshevë, Medvegjë, Bujanoc, në Malit të Zi dhe kudo ku ka dhe jetojnë shqiptarë është meritore të ketë shkolla, rrugë, sheshe dhe shtatore me emrin e themeluesit dhe përhapësit të arsimimit kombëtar në këto anë… Ministrin e Arsimit Ernest KOLIQI”.

Filed Under: Opinion

THE CHRISTIAN SCIENCE MONITOR (1929) / RRËFIMI I REPORTERIT AMERIKAN REUBEN HENRY MARKHAM : “FALË MBRETIT ZOG, SHQIPËRIA PO PËRPARON!”

June 6, 2024 by s p


Reuben Henry Markham (1887 – 1949)
Reuben Henry Markham (1887 – 1949)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 6 qershor 2024

“The Christian Science Monitor” ka botuar, të enjten e 19 shtatorit 1929, në faqen n°18, rrëfimin e reporterit amerikan Reuben Henry Markham rreth përparimit të Shqipërisë falë udhëheqjes së Mbretit Zog, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

Mbreti Zog I

Mbreti Zog I (1895 – 1961)
Mbreti Zog I (1895 – 1961)
Burimi : The Christian Science Monitor, e enjte, 19 shtator 1929, faqe n°18
Burimi : The Christian Science Monitor, e enjte, 19 shtator 1929, faqe n°18

Tiranë, Shqipëri.

Më i fundit, edhe pse larg të qenit mbreti më i ri në Evropë, është Zogu I i Shqipërisë. Vendi që ai drejton ka sipërfaqen e Nju Xhersit, me Detin Adriatik në të majtë në vend të Oqeanit Atlantik në të djathtë. Është pothuajse dyfishi i madhësisë së Nju Xhersit, por ka vetëm një të katërtën e popullsisë së saj, ose rreth 850,000 banorë. Prej tyre, 200,000 janë të krishterë ortodoksë, 100,000 janë katolikë romakë dhe pjesa tjetër janë myslimanë.

Shqipëria nuk ka hekurudhë, por shërbimin më të mirë ajror në Europë. Me anije është vetëm disa orë nga Italia dhe është shumë e aksesueshme, si me automobila ashtu edhe me anije drejt Greqisë dhe Jugosllavisë, që e lidhin atë. Për shekuj me radhë vendi ishte pjesë e Turqisë evropiane dhe nuk u çlirua deri në vitin 1912. Gjatë Luftës Botërore u pushtua nga ushtritë e huaja dhe u bë përsëri i lirë në vitin 1920. Në fillim ishte një principatë me një princ të huaj, pastaj u bë republikë, dhe tani është një mbretëri me një mbret vendas, me shumë aftësi dhe energjik. Sundimtari i saj ishte Ahmet Zogu kur hipi në fron, por tani ai e thërret veten Zogu I, Mbret i Shqiptarëve.

***

Formimi i një shteti të ri është një detyrë jashtëzakonisht e vështirë, veçanërisht në Ballkan, sepse prek interesat dhe aspiratat e shumë shteteve të tjera. Dy fuqi të mëdha dhe tre më të vogla ishin thellësisht të shqetësuara për krijimin e Shqipërisë. Dy të parat ishin Italia dhe Austria, dhe tre të tjerat ishin Bullgaria, Greqia dhe Serbia. Dhe gjatë viteve të fundit e gjithë Shqipëria ose pjesë të saj janë pushtuar nga këto shtete.

Prej shumë vitesh ka një tendencë të fortë drejt ndarjes së Shqipërisë. Në fakt ajo aktualisht është e ndarë dhe vetëm gjysma e trojeve të banuara me shqiptarë janë pjesë e Shqipërisë. Vendi më shumë se një herë është ndarë zyrtarisht në sfera dominimi, madje edhe sot Italia, Greqia dhe Jugosllavia, për arsye të ndryshme, pretendojnë pjesë të Shqipërisë. Ky shtet i ri i vogël që lufton për të ecur përpara duhet t’i rezistojë presioneve të mëdha të jashtme.

Dhe kësaj i duhet shtuar një situatë e brendshme e paqëndrueshme. Shumë shpesh është mohuar ekzistenca e një kombi shqiptar.

Populli që banon në Shqipëri është i ndarë në dy fise mjaft të dallueshme dhe shpesh armiqësorë ndaj njëri-tjetrit, përveç tre besimeve të ndryshme. Përveç periudhave shumë të shkurtra, ata kurrë nuk janë bashkuar në një shtet të vetëm të pavarur. Ata kanë një literaturë shumë të varfër dhe vetëm pak kohë më parë gjuhës së tyre iu dha një alfabet zyrtar. Shumica e njerëzve janë analfabetë. Për më tepër, vendi është shumë malor dhe rrugët kanë qenë praktikisht inekzistente, kështu që pjesë të ndryshme të Kombit kanë qenë krejtësisht jashtë kontaktit me pjesët e tjera.

***

Kjo pasiguri e brendshme dhe e jashtme plotësojnë njëra-tjetrën. Fuqitë e huaja, për të përfituar, intrigojnë me elementët e pakënaqur të vendit; ndërsa grupet e pakënaqur në Shqipëri apo edhe aventurierët e zakonshëm, në kërkim të përfitimit, bashkëpunojnë me entuziazëm me të huajt e interesuar në plane kundër shtetit të tyre. Historia e Shqipërisë në shekuj, e sidomos në pesëmbëdhjetë vitet e fundit, është e mbushur me intriga të tilla.

Para ardhjes së Zogut, vendi ishte vazhdimisht në një gjendje trazirash dhe revolucioni ndoqi shpejt revolucionin, të gjithë të ndihmuar nga jashtë. Çfarë ilustrimi më i mrekullueshëm i kësaj gjendjeje mund të ekzistonte sesa fakti që Ahmet Zogu vendosi autoritetin e tij mbi Shqipërinë me ndihmën serbe dhe mercenarët bullgarë që dëbuan të mbrojturin italian dhe se tani ai e mban veten me ndihmën e floririt italian dhe oficerëve ?

Asnjë komb në një gjendje të tillë pasigurie nuk mund të përparojë dhe as të durojë. Kështu, nevoja e parë absolutisht thelbësore është stabiliteti. Dhe ky është kontributi i Mbretit Zog, Shqipëria ka tani një qeveri të qëndrueshme. Vendi po bashkohet. Po krijohet një shtet real. Rendi i shkëlqyer mbizotëron. Jeta dhe prona e njeriut janë të sigurta, dhe qeveria është e vendosur fort. Ekziston një siguri e arsyeshme se ajo që është vendosur sot do të realizohet nesër. Udhëtimi është mjaft i lehtë dhe pa asnjë rrezik.

Intrigat nga jashtë kanë pak shanse për të pasur sukses. Ekziston një forcë e shkëlqyer policore, e drejtuar dhe e trajnuar nga oficerë të ushtrisë angleze. Ka një ushtri të mirë, të menaxhuar dhe të stërvitur nga italianët. Malësorët po çarmatosen. Të rinjtë nga të gjitha pjesët e mbretërisë po vihen në kontakt të vazhdueshëm me njëri-tjetrin. Duke kaluar muaj në ushtri mësojnë besnikërinë ndaj Shqipërisë dhe jo ndaj fisit të tyre të vogël. Ka shkolla, libra e gazeta. Një Shqipëri është shfaqur.

***

Dhe kjo është në masë të madhe vepër e Ahmet Zogut. Ishte një detyrë e vështirë dhe e rrezikshme. Të jesh mbret në Ballkan është një ndërmarrje e rëndë. Të gjithë sundimtarët bullgarë, përveç atij aktual, u detyruan të abdikonin. Të gjithë mbretërit serbë kanë pasur karriera të stuhishme dhe tragjike me vetëm një ose dy përjashtime. Në Greqi situata ka qenë pothuajse e njëjtë. Dhe në Shqipëri gjatë viteve të fundit të gjithë pushtetarët e kanë kaluar shumë nga koha e tyre në arrati. Në një paqëndrueshmëri dhe rrezik të tillë, mbreti Zog po punon. Dhe ai ka sukses në detyrën e tij. Ishte e nevojshme që ai të kishte një mbrojtës – për çdo shtet të ri ballkanik ka qenë rasti i tij – dhe Ahmet Zogu bëri mirë që mori Italinë. Vendi i tij nuk mund të ishte kurrë i sigurt nëse do t’i duhej të kalonte nëpër trazirat e zgjedhjeve presidenciale çdo disa vjet; prandaj është mirë që u bë mbretëri. Shqipëria do të shembet nëse nuk qeveriset nga një burrë i fortë; pse të mos ishte sovran në një mbretëri në vend që të ishte diktator në një republikë ?

Dhe mbreti Zog punon shumë. Udhëton, por pak. I gjithë rreziku dhe përgjegjësia bien mbi të. Shumica e profesorëve amerikanë jetojnë në shtëpi më të mira se Mbreti i Shqipërisë apo Nëna Mbretëreshë. Dhe shumica e ambulantëve amerikanë kalojnë një kohë më të lirë dhe më të lumtur. Mbreti Zog nuk bën shumë shpesh udhëtime të gjata nga frika e komploteve. Duhet të kalojnë shumë vite përpara se toka e tij e vogël të bëhet e rregullt, e shëndetshme, produktive dhe një vend i bukur për të jetuar.

Ndërsa dikush takon popullin shqiptar në një shesh të qytetit në ditën e tregut ose i viziton ata në shtëpitë e tyre të thjeshta dhe sheh se sa të varfër janë të gjithë ata, njeriu mendon se është e kotë që sundimtari i tyre t’u zhvatë atyre taksa të rënda vjetore. Megjithatë, kur kujtohet se nevoja më jetike e Shqipërisë është siguria dhe stabiliteti, dhe se Mbreti Zog I, mes shumë rreziqeve dhe vështirësive, po shpenzon gjithë kohën dhe aftësinë e tij për ta bërë Shqipërinë të sigurt dhe të qëndrueshme dhe për t’i dhënë popullit rend dhe qetësi, dikush është i prirur t’i urojë atij të mirën, të shpresojë se ai do të përfitojë njëfarë kënaqësie nga atributet e pushtetit mbretëror dhe të shpresojë se ai do të jetë i pari i një dinastie që do ta kthejë Shqipërinë në shtëpinë e mirëadministruar të një kombi të begatë, të pavarur dhe përparimtar.

R. H. M. (Reuben Henry Markham)

Filed Under: Histori

BE – Zgjedhjet e Qershorit të 2024 si një Luftë mes Sorosjanëve dhe Orbanjanëve

June 6, 2024 by s p

Nga Ndrek Gjini*/

Zgjedhja mes luftës dhe paqes

Në zgjedhjet për Parlamentin Evropian (PE), që do të mbahen nga 6 deri më 9 qershor 2024, do të zgjidhen 720 anëtarë nga 27 shtetet anëtare të BE-së. Gjermania (96 vende), Franca (81), Italia (76), Spanja (61), Polonia (53) dhe Rumania (33) dominojnë në përfaqësim. PE përbëhet nga shtatë grupe politike kryesore. Rreth 400 milionë votues janë të ftuar të votojnë, me çështje kyçe si lufta kundër varfërisë, shëndeti publik, pavarësia energjetike, krijimi i vendeve të punës, migrimi dhe mbrojtja.

BE-ja midis Euroskepticizmit dhe Euro-optimizmit

Euroskepticizmi ka qenë në rritje pas çdo mandati pesëvjeçar. Zgjedhjet e ardhshme të PE-së do të përcaktojnë nëse do të forcohen pro-sovereigistët, federalistët apo konfederalistët. Vullneti i votuesve për të marrë pjesë është në rritje, më së shumti në shtetet që përfitojnë nga fondet e BE-së. Zgjedhjet do të ndikojnë në drejtimin e BE-së dhe raportet e brendshme midis shteteve anëtare.

Diferencimi në spektrin politik të djathtë

Spektri politik i majtë ka pësuar një thyerje të dukshme që nga kriza financiare. Partia Popullore Evropiane (EPP) po përjeton një ndarje midis partive tradicionale konservatore dhe atyre të ekstremit të djathtë. Analistët parashikojnë një konfrontim midis “Sorosjanëve” dhe “Orbanjanëve” në zgjedhjet e ardhshme, veçanërisht në Evropën Juglindore dhe Qendrore. Ndërsa disa shtete ndihen të margjinalizuara. Roli i shteteve të Evropës Lindore në BE duhet të rritet për të shmangur një ndarje të përhershme.

Ulja e moshës së votimit në 16 vjeç

Ulja e moshës së votimit do të zgjeronte bazën e votuesve dhe do të rriste legjitimitetin e zgjedhjeve. Austria, Belgjika, Malta dhe Gjermania kanë dhënë tashmë të drejta votimi për 16-vjeçarët. Ndërkohë, shumë vende të BE-së ende ndalojnë individët nën 18 vjeç të votojnë në zgjedhjet për PE. Ky ndryshim do të kontribuonte në një ndikim më të balancuar të gjeneratave të ndryshme në vendimmarrjen lokale, kombëtare dhe evropiane. Prandaj, ulja e moshës së votimit në 16 vjeç do të ndihmonte të rinjtë të kenë të thonë fjalën e tyre në formësimin e të ardhmes së tyre.

Politika e zgjerimit të BE-së

Zgjerimi i BE-së ka qenë shpesh i nxitur nga krizat. Invasioni rus në Ukrainë paraqet një mundësi për BE-në që të iniciojë mekanizma për të përshpejtuar zgjerimin. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë të shqetësuara se do të margjinalizohen nëse BE-ja fokusohet në Ukrainë, Moldavi dhe Gjeorgji. Politikat e BE-së në Ballkanin Perëndimor janë perceptuar shpesh si të pa sinqerta. Për të shmangur humbjen e këtij rajoni, është thelbësore që BE-ja të angazhohet më sinqerisht dhe të integrojë më shumë vendet e Ballkanit Perëndimor në strukturat e saj.

BE-ja midis luftës dhe paqes

BE-ja, e cila filloi si një projekt paqeje pas Luftës së Dytë Botërore, duhet të ruajë paqen përballë sfidave aktuale si pushtimi rus i Ukrainës dhe konfliktet në Gaza. Zgjedhjet e ardhshme evropiane do të përcaktojnë nëse Evropa do të jetë një kontinent lufte apo paqeje.

Zgjedhja e Presidentit të Komisionit Evropian – Mungesa e Lidershipit Vizionar

Një nga detyrat kryesore të Parlamentit të ri Evropian do të jetë zgjedhja e Presidentit të Komisionit Evropian. Kandidatët aktualë përfshijnë Ursula von der Leyen (EPP), Terry Reintke (Të Gjelbrit), Nicholas Schmit (Socialistët) dhe të tjerë. Ursula von der Leyen kërkon rizgjedhje, por mund të jetë koha që një kandidat nga Evropa Lindore të marrë këtë pozicion. Zgjedhjet e ardhshme janë vendimtare për të ardhmen e BE-së, pasi reforma të gjera janë të domosdoshme për mbijetesën dhe kapërcimin e krizës së saj të brendshme. Një politikë e bashkuar e jashtme dhe e mbrojtjes është gjithashtu e nevojshme për evoluimin e vazhdueshëm të BE-së. BE-ja mbetet një destinacion tërheqës për jetesë dhe punë, siç dëshmohet nga numri i madh i migrantëve që synojnë të jetojnë dhe punojnë në BE.

————————————–

*NDREK GJINI

MA, UNIVERSITY OF GALWAY, IRELAND

Filed Under: Analiza

ME NDËRTUE EDUKATËN EVROPIANE

June 6, 2024 by s p

Nga BERNARD SPITZ – “Corriere della Sera”, 2 qershor 2024 – Përktheu Eugjen Merlika/

Pyetja e vetme për Evropën mbas votimeve është ajo e përgjigjes sonë kolektive një çasti në të cilin barazpesha e botës është përmbysur.

Romani i parë i Romain Gary-t, Edukata evropiane, ishte mjedisuar në qëndresën polake kundër mësyesve nazistë. Pothuaj një shekull mbrapa, Evropa e Lindjes na kujton se nuk jemi më të sigurtë në asgjë, madje edhe nga rreziku bërthamor.

Kërcënimit rus i shtohen belegët e Jugut global, e demokracive, e Islamit radikal, e të gjithë atyre që janë bashkuar nga armiqësia për Petrëndimin. Që të jenë për ambicje tregtare (Rruga e Mëndafshit kinez), për shtrishmëri (lufta në Ukrainë), për revanshizëm kundër-kolonial (milicitë Wagner n’Afrikë), apo për fanatizëm totalitar (terrorizmi islamik), këtyre u shtohet rreziku i një thyerjeje atllantike me Donald Trumpin. Sepse edhe në qoftë se Shtetet e Bashkuar do të qëndrojnë në NATO, kjo do të ndodhte me çmimin e lëshimeve të ashpra të detyruar për evropianët: në një shtim fondesh për përpjekje ushtarake, gjë që është e kuptueshme; por edhe në blerjet e detyruara të centraleve bërthamorë, të bonove të thesarit etj.

Në furinë e harxhimeve në kohë të shkurtëra, do të gjindemi si gjinkalla, të paaftë për të financuar atë që është në themelin e sovranitetit të vërtetë: mbrojtja, industria, energjia, teknologjia, etj. Për të shpëtuar t’ardhmen e të rinjve tanë, ky mandat i ri duhet të jetë një mandat i vendimeve të mëdha. Evropa gjindet përballë dy zgjedhjeve; mbrojtëse e sulmuese. Vështrimi mbrojtës është ai i tërheqjes kombëtare. Kjo nuk do të thotë shkërmoqjen e Bashkimit, që mbetet një treg me rregullat e tij të përbashkëta. Por do të thotë një Bashkim ku secili antar merr vendime simbas interesave të tij. Kjo i përshtatet programeve populiste që e shesin tortën, madje edhe e hanë, pra që thonë se mund të ruajmë dobitë e Bashkimit pa disiplinat që rrjedhin, duke fshehur faktin se fundi i lidhjeve do të thotë edhe fund i ndihmave e mbrojtjeve ekzistuese.

Ndërsa vështrimi sulmues i bën thirrje projektit politik evropian. Për t’a zhvilluar, duke mbajtur parasysh mosfunksionimin e dukshëm, si pa-aftësinë tonë për të prodhuar mjaftueshëm municione për Ukrainën ose grumbullimin e normave që lindin pakënaqësi të përgjithëshme. Por është një projekt që duhet edhe t’a meritojmë, duke i kushtuar mundin e nevojshëm, sepse vetëm ai mund të n’a japë mundësi të përballojmë sfidat e botës.

Edukata evropiane është diçka shumë e ndryshme nga grumbullimi i politikave kombëtare: është bashkëndarje e evropianëve të një vështrimi të përbashkët përballë belegëve të stërmëdhenj, të cilët Evropa mund t’i përballojë vetëm e bashkuar. Cilat janë përparësitë? Si duhet të financohen? Cilat janë reformat institucionale për t’u kryer? Shumë pyetje të shmangura gjatë një fushate zgjedhore të tejngopur në pjesën më të madhe të Vendeve nga shqyrtime të politikës së brendëshme.

Do të jenë të turbullta kohët që na presin. Do të kemi nevojë për një komision të fuqishëm e një Parlament të bashkuar rreth një shmice. Për të arritur këtë synim do të kemi nevojë për shumë më tepër se sa gjysma e deputetëve plus një. Përndryshe, edhe çështja më e pakët e ndjeshme në një Vend mund të paralizojë gjithshka. E vështirë, mbas një zhvendosjeje djathtas e një copëtimi më të madh. Nëse duhet që të dalë një vijë e qartë, në vend të një rrëmuje të shumicave që ndryshojnë simbas çështjeve, nën trysninë e së djathtës skajore, do të jetë i nevojshëm një koalicion i gjërë. Kjo do të thotë pashmangshërisht kompromis ndërmjet pjesëmarrësve të tij. Duke përjashtuar skajorët që janë mbështetës të kaosit; e duke u përgatitur të vihen së bashku, nga socialdemokratët deri tek qëndra e Ripërtëritjes, nga e djathta e PPE tek grupi i Xhorxha Melonit. E vështirë, por jo e pamundur, duke parë piskamën e gjëndjes.

Për Evropën e ngrirë nga pafuqia prej pesë vitesh, nuk mbetet tjetër veçse përsiatja mbi mendimin e gjeneralit McArthur, që përmblidhte të gjitha humbjet në dy fjalë: shumë vonë. Në të kundërt, të ndërtojmë një shumicë me përparësi të bashkëndarë në një kontratë ligjore në Parlament, atëherë – e vetëm atëherë -Evropa mund të dalë faqebardhë në pështjelljen e madhe ndërkombëtare. Do të ishte fitorja e edukatës evropiane.

Filed Under: ESSE

Dezinformimi, tortë e helmatisur ndaj interesave Kombëtare!

June 6, 2024 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

Ndër shekuj, por veçanërisht gjatë 10 vjeçarit të fundit (mbas pushtimit “de fakto” të Krimesë nga Rusia), pesha e “Armës së Dezinformit” si pjesë e paketës së kërcënimeve hibride, mbetet në fokusin e Institucioneve, Kolegjeve, Instituteve, Medias, NGO-ve, që merren me çështjet strategjike të sigurisë.

Konsideruar rrezikun që vjen nga dezinfirmimi Rus në luftën “jo vetëm për Ukrainën”, më posaçërisht në Ballkanin Perëndimor, Washingtoni dhe Brukseli, kanë konfirmuar ngritjen e Komisionit të Dezinformimit në rajon, si një mekanizëm/tool për mbrojtjen nga dezinformimi Rus, Kinez si dhe vegla/shtete të tjera jo-miqësore me interesat kombëtare dhe Aleancën euroatlantike (USA/NATO/UK/BE).

E parë nga këndveshtrimi euroatlantik (në 360º), ndër kërcënimet dhe oportunitetet hibride, dezinformimin e gjej si tortë të helmatisur ose thikë që rrotullohet në shpinën e interesave gjeopolitike të RSh

Nga ana tjetër, më duhet ta qartësoj fortë që objekti i kësaj përmbledhje (me vlerësime & rekomandime strategjike), nuk ka lidhje as me padijen cinike të fluturake/ëve të listës-natën nga mavro-ish/Kryetari, as me tallavanë konspiracioniste në studiot televizive, ku oponionistët e gjithëditur por mirë-paguar, e devijojnë diskutimin për në rrjetën e thashethemeve ballkaniko-bollshevike. Thënë këtë, kurrësesi nuk vë dorën në zjarr për epshet perverse për (mbi) Pushtet, por mbetem edhe më i sigurt që “opozita alla Lele-Lul” ka dalë, si dhe do të jetë gjithmonë e poshtëruar nga trashëgimia delikuente e mos-pjesëmarrjes, për çështje si kjo, që lidhen me interesat kombëtare dhe orientimin euroatlantik të RSh.

Në “kapacitetin e Ekspertit të Sigurisë Kombëtare, Rajonit dhe NATO”, çmoj që përtej oshilacioneve bollshevike jo vetëm në Moskë dhe Beograd, të sjellë në vëmendjen kombëtare një përmbledhje me definicione, historikun, aktorët, me konkluzione si dhe rekomandime Euroatlantike:

***

Paketa e kërcënimeve hibride, ndërthur luftën politike, ekonomike, ushtarake, kibernetik, ndërsa definicioni akademik i posaçëm për dezinformimin si: “informacion i rremë i përhapur jo thjesht dhe vetëm për të mashtruar njerëzit e zakonshëm, por si aktivitet i mirë-orkestruar me mashtrime dhe taktika të manipulimit të medias, influencuar në zgjedhje si dhe depërtuar te vendimarrësit me qëllim për të dominuar mbi kundërshtarët si dhe përmbushur objektivat strategjike, ushtarake, ekonomike, etnike, dhe gjeopolitike”.

Thënë ndryshe, dezinformimi ka për qëllim strategjik: “armatosjen me retorike gënjeshtrash, gjysmë ose aspak të vërteta” që bazohen te konfuzioni dhe shtrembërimet historike, kulturore, fetare, krizat politike, identitetit kombëtar, etj duke krijuar “Lajmet e rreme ose fale news”, si një lloj i sofistikuar i dezinformimit.

Rreth 2000 vjet më parë, Republika Romake po përballej me luftë civile midis Oktavianit, djalit të birësuar të gjeneralit Julius Caesar dhe Mark Anthony, komandanti më i besuar të Tij. Për të marrë mbështetjen publike, Octaviani nisi një luftë dezinformuese (sot fake news) duke mashtruar se Mark Anthony, kishte një lidhje me Kleopatrën, mbretëreshën egjiptiane, pra e preku shoqërinë në thelbin e vlerave romake. Po për shkak të kësaj, fitoi luftën dhe u bë perandori i parë i Romës, duke sunduar për 40 vjet.

Lufta e parë botërore (1914-1918), dezinformimi luajti rol vendimtar, duke i bërë thirrje shpirtit patriotik: “Vendi juaj ka nevojë për Ju” ose “Babi, çfarë jeni duke bërë për Luftën e Madhe”? Kështu Britanikët u përqëndruan në diskretitimin e armikut në front, si p.sh “forcat gjermane përdornin kufomat e ushtarëve të tyre për të zier për yndyrna, miell kockash si ushqim për derrat”. Zyrtarët e dinin se kjo nuk ishte e vërtetë, por ajo ndihmoi që gjermanët të urreheshin dhe luftoheshin si armiqtë më barbar të historisë së njerëzimit.

Lufta e dytë botërore (1939-1945): Nazizmi u ngrit por (po edhe u rrëzua) nga “fushata deziformue më famëkeqe në histori”. Goebbels themeloi Ministrinë e Publikut për Propagandën për të përhapur urrejtjen kundër hebrenjve, duke keq-përdorur fuqine e medias, televizionin, teatrin, shtypin. Ndërsa koalicioni i fitimtareve (USA/Rusi/Angli, etj), e ndërtoi mbështetjen e gjerë popullore në strategjine e kundër-prapagandës mbi krimet çnjerëzore të nazifashizmit, p.sh në krimet dhe mizoritë e Holokaustit.

Lufta e ftohtë (1945-1991) – Krahas garës së armatimit dhe strategjisë së deterrancës (shkurajimit të armiqve duke e domunuar me forcën e armëve, përfshi të shkatërrimit në masë/atomike) gjatë 45 viteve perëndimi, i udhëhequr nga ShBA e gjunjëzoi Rusinë edhe në fushatën e dezinformimit, duke marrë mbështetje botërore për luftën me “djajt e kuq, që ishin edhe më çnjerëzorë se nazi-fashistët” !

Gjithsesi pranohet se kampi lindor/BRSS, ishte më i strukturuar në përhapjen e dezinformatave, ndërsa perëndimi/SHBA krijuan një strukturë ndërinstitucionale [Grupi i Punës për Masat Aktive], i sfidoi me sukses masat aktive sovjetike deri ne në vitet 1990. Përveç ekperiencës me BRSS, përmendet edhe lufta në Vietnam, kur USA përdori sloganin: “nëse Vietnami bie nën kontrollin komunist, fqinjët e tij do të pasonin edhe shumë me keq”.

Ndërsa dezinformimi qesharak i regjimit komunist, se: “Do na sulmojë NATO, Varshava, ose të dyja së bashku”, qasje që për 45 vjet e vete-gjunjëzoi RPSSh dhe rrokullisi në mjerim shqiptarët.

Pas viteve 1990, lindja e internetit, decentralizimi i burimeve dhe rritja e aktorëve në shpërndarjen e informacionit ka krijuar një platformë më të favorshme për dezinformimin. Zhvillimi i teknologjisë ka ndihmuar që “lajmet/fotot-fake”, të deformohen ndërsa politikanët vendas e keq-përdorin këtë si avantazh për të sulmuar mediat, duke i quajtur lajmet e vërteta ‘lajme të rreme’, duke ndihmuar që ato të merrnin më shumë audiencë pasi njerëzit nuk po dinin kujt ti besonin ?

Me këtë rast, sjellim në kujtesë se ndër mësimet e nxjerra nga fushata e përballjes dhe mposhtjes së Milloshevicit, ishte strategjia e dezinformimit dhe e mashtrimit, çka bëri që NATO gabimisht të bombardonte autokolona me civilë, ura dhe infrastruktura transporti, ambasadën Kineze, makete njësish ushtarake të Aviacionit dhe artilerisë, etj. Si shembull të peshës së “Fake News”, mundet të përmendim gjithashtu, faktin që përpara Brexit/UK: “kishte vetëm 2 herë më pak mbështetës të Brexit, por ata ishin gjithashtu 5 herë më aktivë se aktivistët kundër”.

Po ashtu, përmendim se: “përdoruesit nga Rusia të mediave sociale për të ndikuar te rezultati i zgjedhjeve në 2016 në SHBA midis Hilary Clinton, dhe Donald Trump”. Për këtë, 13 shtetas rusë dhe agjenci ruse interneti u paditën nga DASh si komplot për të prishur zgjedhjet amerikane, por Putini këmbënguli se të kjo nuk punë e qeverisë ruse! Edhe në zgjedhjet në Francë dhe Gjermani në 2017, u konfirmua se: “¼ e historive politike të shpërndara në Twitter ishin bazuar në dezinformata”, prandaj me ligj u “vendosen gjoba mbi 50 milionë dollarë mediave që nuk heqin menjëherë ato me përmbajtjen të paligjshme”!

***

Referencat: Maj 2024, ShBA dhe BE kanë konfirmuar ngritjen e një mekanizëm të përbashkët koordinues që fokusohet tek lufta kundë dezinformimit që prodhohet nga Rusia dhe Kina në Ballkanin Perëndimor. Ndër te tjera theksohet, se ky mekanizëm i ri “do të forcojë “mbrojtjen nga dezinformimi” si dhe forcimin e qeverisjeve demokratike dhe sundimin e ligjit rajon”. Më qartë se kaq nuk ka si të thuhet/bëhet.

Direktiva 483 e APN duke marrë në konsideratë mësimet e nxjerra në Ukrainë, Ballkan, etj Asambleja Parlamentare konkludon se dezinformimi mbetet një kërcënim serioz për paqen, sigurinë, stabilitetin afatgjatë, rendin demokratik, kohezionin dhe interesat gjeopolitike të Aleancës. Nëpërmjet kësaj rezolute, NATO rekomandon dhe nxit vendet anëtare, me posacërisht të ballkanit perëndimor për të ngritur mekanizma gjithëpërfshirëse të vlerësimit të rriskut si dhe mbrojtjes nga dezinformimi.

Kodi i Sjelljes ndaj Dezinformimin/2022. Në 2022, Parlamenti Europian dhe një listë aktorësh të medias, platformat online, dhe shoqëria civile, për herë të parë nënëshkruan këtë marrveshje/kod për të mbrojtur nga dezinformimi duke marrë përgjegjesitë reciproke.

Qendra Europiane e Ekselencës për luftën Hibrite (European Center of Excellence for Countering Hybrid Threats), e cila në 7 vite experiencë mbetet referencë e mirënjohur për vlerësimet dhe rekomandimet strategjike në lidhje me mbrojtjen nga rreziqet hibride përfshi dezinformimin.

***

Pse mekanizmat e mbrojtjes nga dezinformimi Ruso-Kinez dhe Serb, mbeten domosdoshmëri për ballkanin (?), pse kjo mbart vëmendje strategjike për aleancën euroatlantike ?!

Duhet ta pranojmë se propaganda bollshevike mbetet një histori suksesi jo vetëm në ballkan. Por, mbas 2014 (Krimesë), Rusia e ka modenizuar industrinë e dezinformimit që përfshin Institucionet, Patriakanën, grupe dhe kompani private, si: “Akademia e Shkencave, Byroja Federal e Kundër-inteligjencës, televizioni shtetëror (Kanali 1, Rusia 2, Rusia 24, Rusia Sot, etj.) që mitizojnë vlerat ruse dhe Putinin; që manipulojë opinionin brenda & jashtë rusisë, duke punuar me diasporat rusishtfolëse, përfshirë jo – rusë të komuniteteve në mbështetje të urrejtjes ndaj Ukrainës, Perëndimit, USA, NATO, BE, Shqiptarëve, etj”.

Përqasja Rusisë – Putiniste në rajon paraqet një zgjatim të fushatës së dezinformatave në Ukrainë ndërmjet 2014 – 2024 duke u bërë shëmbull i prodhimit të informacionit të rremë, krijimit të miteve politike dhe falsifikimit të historisë për të justifikuar vendimet politike të marra si brenda Rusisë ashtu edhe në rrafshin gjeopolitik. Për ta konfirmuar këtë, përmendim një studim të porositur nga PE, i cili ngrinte alarmin se: “dezinformimi Rus është pjesë endemike dhe e kudondodhur e politikës në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor”, ndërsa shton se: “ka prova se shumica e mediave në Ballkanin Perëndimor janë të paktën bashkëpunëtorë në një formë të dezinformimit ose në një tjetër”.

Sigurisht, Qendra e gravitetit mes aktorëve të jashtëm në rajon, mbetet Rusia, që nëpërmjet dezinformimit, përpiqet të “përforcojë çdo ndarje sociale, politike, ekonomike, historike, fetare dhe ideologjike që do të minonte kohezionin politik, ekonomik, fuqine ushtarake dhe orientimin euroatlantik”. Ndërsa Kina, me investime pragmatike, kërkon të vendos hegjemoninë në tregjet ekonomike në rajon & mesdhe.

Por, pavarësisht diskutimeve rreth dezinformimit: “aktorët e huaj nuk janë fajtorët e vetem, pasi shumica e njerëzve dhe organizatave që prodhojnë dhe shpërndajnë dezinformim janë aktore të brendshëm”! Ndër aktorët, e brendshem qëndron presidenti serb Vuçiç i cili pasi ka dështuar për të bërë viktimën apo për të pirë nga 4 nëna (Moskë, Washington, Bruksel, Pekin), së fundmi dalldisi se: “solidariteti i BE-së është një përrallë”, presidentin Xi Jinping e quajti “vëllain e tij” si dhe bëri thirrje për “miqësi prej çeliku” me Kinën. Standartet (zhjedhjet, pluralizmi, balanca e pushteteve, liria e medias) në të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, tregojnë kapjen e shteteve si dhe me standarte demokratike të dështuara.

Megjithë përpjekjet dhe përparimin për tu larguar nga urrejtja dhe gjakdershja shekullore, politika e jashtme në Ballkanin Perëndimor mbetet ende konfuze. Por nuk ka askush medyshje se masha e burimeve të dezinformimit Rus dhe Kinez në Ballkan mbetet Serbia dhe fundamentalistët e tipit Dodik. Sondazhet në Serbi dhe Srpska tregojnë se mbi 57% mbështesin politikën e jashtme me Rusinë dhe Kinën, ndërsa vetëm 13% besojnë BE-në. Ndërkohë, për RSh, Kosove, MV, Mal I Zi mbi 75% besojnë ne BE/NATO.

Ndërsa në raport me Kosovën, përsërisim se, përveç kërcënimeve donkishoteske me fuqinë ushtarake (70 % e ekspozuar në kufi me Kosovë/KFOR”!, Beogradi ka ri-nënshkruar (si karshillëk ndaj USA) marrëveshje strategjike bashkëpunimi me Rusinë, duke e mitizuar Putinizmin si një mbrojtëse të Interesave kombëtare serbe, ndërsa cinikët mendojnë që: “orientimi pro-rus mbetet edhe nëse vetë Rusia nuk do të ekzistonte”.

Konkluzione dhe 5 rekomandime strategjike:

Dezinformimi mbetet një kërcënim serioz për bashkëjetesën paqësore, demokracinë funksionale, axhenden e integrimit euroatlantik, në 6 vendet e Ballkanin Perëndimor (Shqipëri, Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni, Serbi, Bosnje-Hercegovinë), si dhe interesat kombëtare në rajon dhe në mesdhe.

Aktorët e jashtëm, mbeten Rusia në rrafshin gjeopilitik, Kina në rrafshin ekonomik, si dhe masha e tyre, Serbia e oshillacioneve të Milloshevicit. Veçmas, apo se bashku manipulojnë informacionin si dhe konfuzionin demokratike, gjeopolitik për të çuar përpara interesat e tyre në rajon.

Aktorët brenda vendit, që ushqejnë dezinformimin janë politikane mendjendryshkur, shtetarë të korruptuar, sekserë të pushteteve, interesat e krimit të organizuar dhe mediat e paguara jo vetëm në Beograd dhe Banja Luka, që kanë të vetmin qëllim për të helmuar dhe devijuar orientimin e vendeve si dhe pikëpamjet e njerëzve duke na bërë të pyesim për kë do të votojmë dhe kujt duhet t’ia besojmë ardhmërinë euroatlantike?

Konfuzioni gjeopolitik për shkak të Luftës në Ukrainë dhe zgjedhjeve në USA (kush do ta fitojë luftën (?), po zgjedhjet në ShBA (?); ndërsa BE ende ngurron për integrimin e 6 vendeve të rajonit me qasjen ndaj zgjerimit në lindjen komuniste: “better in than aut” e aplikuar me sukses nga NATO.

Mbështetur në këtë rezyme, në vijim gjeni 5 (pesë) rekomandime strategjike: (1). Ngritjes (jo vetëm për të qënë OK me Washingronin dhe Bruklselin), të Komisionit gjithëperfshirës Parlamentar të Dezinformimit.

(2). Ngritja e Bordit të Dezinformimit (BD) si një bord këshillues, monitories dhe kontrolli i Kuvendit për mbrojtjen e interesave kombëtare nga rreziqet hibride, me fokus dezinformimin.

(3). Zhvillimi i një koncepti “on paper” (strategji) dhe proçedurave standarte për të përcaktuar aktorët dhe përgjegjësit/ë e mbrojtjes nga dezinformimi Ruso – Serbo -– Kinez, por jo vetëm.

(4). Sipas ekperiencës së vendeve të BE/NATO, Hartimi dhe miratimi i marrëveshjes/Kod Sjelljes ndaj rreziqeve të Dezinformimit, i cili do të duhet nënshkruar nga një listë aktorësh shtetërore (kuvendi), me strukturat relevante të Inteligjencës, mediat, shtypi, platformat online, shoqëria civile, qendra studimi, NGO, etj, që bashkohen për të luftuar dezinformimin dhe angazohen për permbushjen e detyrimeve të tyre.

(5). Anëtarësimi i RSh (nënshkrimi MoU) në Qëndrën Europiane të Ekselencës për mbrojtjen nga Kërcënimet Hibride (përfshi dezinformimin), e cila në vetëm 7 vite experience shërben si një referencë e mirënjohur për vlerësimet dhe rekomandimet strategjike në përballjen me rreziqet hibride përfshi këtu dhe dezinformimin. HCoE është themeluar në Helsinki në 2017 me 9 anëtar; zgjeruar me 35 Shtete të BE/NATO-s, përfshi vendet e rajonit (jo RSh & Kosova!) si Mal i Zi, Kroaci, Maqedoni, Slloveni, etj.

Në përmbyllje: “torta e helmatisur nga dezinformimet e Rusisë – Putiniste”; ambiciet gjeo-ekonomike të Kinës, ushtarët e oshilacioneve të Millosheviçit në Beograd apo Dodikët e droguar nga Moska, jo vetëm kërcënojnë sovranitetin teritorial të Kosovës, por edhe stabilitetin dhe axhendën e integrimit të 6 vendeve te ballkanit perëndimor (përfshi Serbinë), si dhe sfidojnë seriozisht vlerat demokratike, fuqinë ushtarake, kohezionin dhe interest e Aleancës Euroatlantike ne rajon (USA/NATO/UK/BE)”.

* Autori, Gjeneral ® Piro Ahmetaj:

Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO-n,

Zv/President i Këshillit Atlantikut, & ish:

Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD,

Këshilltar i Presidentit, Zv/ShShPFA,

Përfaqësues Ushtarak i RSh në SHAPE/NATO.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT