• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2024

Minella Papakostandini, in memoriam

June 2, 2024 by s p

U nda nga jeta në qytetin e Worcesterit në USA njëri nga pionierët e elektrifikimit të vendit, kryeinxhinieri i parë i Ndërmarrjes së Ndërtimit të Linjave të Tensionit të Lartë, njëri nga heronjtë e heshtur të atij brezi të mrekullueshëm, Inxh. Minella Papakostandini.

Minella lindi në qytetin e Beratit më 6 Gusht të vitit 1932 në një familje qytetare dhe intelektuale të madhe dhe të nderuar. Fëmijërinë Minella kryesisht e kaloi në qytetin e Durrësit. Ai shquhej nga shokët për rezultatet e larta në mësime si dhe për talentin që kishte në pikturë dhe skulpturë por dhe për besnikërinë dhe dashurinë që ai kishte për shokët dhe njerëzit në përgjithësi. Këto virtute e karakterizuan dhe shoqëruan gjatë gjithë jetës së gjatë dhe siç e thotë vetë ai në librin e tij të fundit “Dritëhijet e një jete të trazuar” Minelles iu desh të punonte që në moshë të re 12, 13 vjeç së bashku me profesorin e tij të pikturës në shtëpinë e kulturës të qytetit të Durrësit që ishte nga Italianët e mbetur në Shqipëri, profesor Kulluri si dhe shokët e tij të fëmijërisë Kristaq Ramen dhe Konstandin Leken. Iu desh të punonte pasi babai i tij u fut në burg nga regjimi i atëhershëm për 3 vjet dhe ishte Minella 13 vjeçar që mbajti familjen e tij si dhe paguante për vëllezërit dhe motrat që ishin më të vegjël…kjo skaliti tek Minella ndjenjën e përgjegjësisë si dhe rriti respektin e miqve dhe shokëve dhe të kujdo që e njihte. Për motrat dhe vëllezërit e tij nuk thonin janë fëmijët e Pandeliut por janë motrat e vëllezërit të Minellës. Mbas shkollës Minella punoi për më shumë se 30 vjet si kryeinxhinieri i ndërmarrjes së tensionit të lartë, kryenxhinieri i parë…një nga pionerët e parë të elektrifikimit të Shqipërisë. Brezi i nderuar i asaj plejade ndërtuesish dhe heronjsh të heshtur që nuk morën atë që meritonin as nga rregjimi komunist por as nga demokracia. Brezi që sakrifikuan çdo gjë dhe si shpërblim morën vetëm respektin dhe dashurinë e njëri – tjetrit.

Gjatë kësaj periudhe mori një mori medaljesh dhe urdhëra pune të klasit të parë…po i përmend pasi këto kohët e fundit i përmendte gjithmonë dhe nja dy edhe i vuri në kornizë. Minella është autori i mbi 14 librave teknikë si dhe mbi dhjetë libra artistikë dhe përkthime. Libri i tij i fundit i botuar me rastin e 90 vjetorit ishte i veçantë për të dhe kishte qejf që ta kujtonte dhe të bisedonte…përveç librave Inxh. Minella na ka lënë dhe një galeri të tërë me pikturat e tij bërë në vite të ndryshme si dhe skica politike në gazetat kombëtare në Shqipëri dhe Amerikë. Në jetën shoqërore Minella ishte një shok dhe mik i vyer, njeri që dëgjohej dhe respektohej dhe që fjala i peshonte. Djali i tij Alfredi na thotë për të atin që pata kënaqësinë dhe fatin të punoja mbas universitetit në institutin e ndërtimit dhe njoha aty shumë nga shokët dhe kolegët e babit, respekti ishte shumë i madh. Kur binte fjala për babin ato më thonin po e ka thënë Minella mos diskuto më…dhe e thonin me krenari dhe plot gojen. Kjo u duk në artikullin e gazetës “Drita” të para dy vjetëve nga komentet e kolegëve dhe shokëve të tij, legjendarëveve të ndërtimit të veprave madhore. Por Minella kishte dhe jetën familjare. Ai ishte një djalë i rrallë dhe vëlla i pa parë për prindërit dhe motrat që sakrifikoi aq shumë gjersa u bënë dhe ato ashtu siç dëshironin…Për familjen e tij i biri dhe 2 vajzat e Minelles thonë që babi ishte model i njeriut këmbëngulës dhe moralit të lartë. Babi ishte një bashkëshort shembullor për mamanë tonë Premtinen për 64 vjet. Njeri vetmohues dhe që na hapi horizontet dhe na e bëri rrugën e jetës sonç më të lehtë. Në punë e dinte që ishte i pari por në shtëpi edhe pse kishte peshë vinte pas mamasë.

Minella u bë një gjysh model për të gjithë nipërit dhe mbesat por njëkohësisht dhe një gjysh-baba i mrekullueshëm për fëmijët e vajzës së mesme mbas fatkeqësisë që e la vetëm në moshë të re. Minella la mbrapa gruan, djalin, Alfredin dhe 2 vajzat, Silvana dhe Lydra si dhe nipat e mbesat si dhe 2 stërmbesat. Për ta përfunduar desha ti themi Minellës që të kemi dashur dhe të duam dhe do të duam për sa kohë që do jemi këtu dhe do kujtohesh me respekt se njerëzit e mirë nuk harrohen kurrë.

Të qoftë dheu i lehtë dhe lamtumirë Kryeinxhinier Minella!

Filed Under: Kronike

“AULONA INTER FOLK FESTIVAL”

June 2, 2024 by s p

Ramazan Çeka/

Katër netë magjike në Aulonën e lashtë e Vlorën e re.

“Aulona Inter Folk Festival” shpalosi sërish këtë vit një spektakël madhështor në qytetin e Vlorës, aty ku flamujt ndërkombëtarë u valvitën duke rrezatuar ngjyrat dhe vlerat e artit dhe kulturës të kombeve përfaqësuese.

Ashtu si edhe në disa edicione të mëparshme, edhe këtë vit pata nderin që për katër ditë e netë me radhë të jem pjesë e kësaj feste të madhe.

Nga t’ia filloj më parë? Natyrisht nga organizatorët dhe qyteti mikpritës i Vlorës. Natyrisht nga Sejmen Gjokoli, drejtor i këtij festivali, si dhe nga banorët e mrekullueshëm të Vlorës që kishin hapur zemrat dhe dyert e tyre, për të mikpritur miqtë e ardhur nga anë e mbanë Botës.

“Aulona Inter Folk Festival”, ky emërtim, sa motivues, po aq edhe autentik, shpalosi siparin e edicionit të 16-të të tij në qytetin bregdetar, në qytetin e historisë, kulturës, trashëgimisë e turizmit, detit dhe malit, në Vlorën e bukur, perlë e vërtetë e Mesdheut, ku u zhvillua e u përmbyll me sukses manifestimi folklorik ndërkombëtar, tanimë tradicional, listuar në kalendarin botëror të CIOFF.

“Aulona Interfolk Festival” është një ngjarje e rëndësishme në kalendarin kulturor të Shqipërisë dhe një shembull i mirë për krijimin e një marke të fortë të turizmit kulturor shqiptar.

Dhe sërish gjithça lidhet me emrin e një njeriu, Sejmen Gjokoli, pasi largpamësia dhe konributi prej vizionari në sektorin e kulturës e ngre këtë festival në peshën e një institucioni të përkushtuar, duke ndikuar në rritjen e nivelit artistik të tij, në rritjen e numrit të artistëve dhe turistëve që e vizitojnë Vlorën dhe Shqipërinë.

Kështu sezonet verore në Vlorë, në këtë rrugëtim, nisin me të vërtetë bukur nga performancat e grupeve që me paraqitjen plot ritme e ngjyra përndritën qytetin, duke e gjallëruar me madhështinë e këtij spektakli, që solli këngë e valle, ngjyra e kostumografi të larmishme, i cili përveçëse traditë tashmë është kthyer edhe në atmosferë, entuziazëm e bukuri në qytet.

Për të 16-in vit me radhë, Qendra Kulturore “Aulona” në bashkëpunim me Bashkinë Vlorë dhe mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Sporteve, solli edhe këtë vit një eksperiencë të përkryer, si organizatore e këtij Festivali Ndërkombëtar Folku, duke e kthyer qytetin në një oaz të vërtetë kulturor e turistik në brigjet e Mesdheut.

Dita e parë nisi me nderimin që Festivali u bëri burrave të Kombit në Sheshin Historik të Flamurit me paradën e kostumeve me ngjyra të larmishme, në Bulevardin “Ismail Qemali”, me performancat në miediset e hapura të Qendrës Historke në Lungomare e kudo në rrugë e trotuare, duke e mbushur qytetin me ritme vallesh, që i dhanë Vlorës një atmosferë festive, si dhe duke i shtuar edhe më shumë bukurinë dhe magjinë që natyra i ka dhënë me shumë dashuri, pasi folku mbart dhe sjell kudo që shkon bukurinë e artit bio, artistët e mjeshtrat e papërsërtshëm popullorë me talentin, energjinë, emocionet dhe vlerat e mëdha.

Në të gjitha ditët e festivalit, grupet dhe ansamblet që erdhën nga vende të ndryshme të Europës, të mbështetur edha nga donatorë të tjerë, performuan në sheshet, trotuaret dhe qendrat kryesore të qytetit, si dhe në mjediset historike e turistike të Vlorës, duke shpalosur vlerat më të mira të trashëgimisë shpirtërore.

Në edicionin e këtij viti ishin pjesëmarrës grupe dhe ansamble nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Rumania, Hungaria, Italia, Greqia dhe Ukraina, duke e kthyer qytetin bregdetar të Vlorës në epiqendër të folkut europjan, si shkëmbim vlerash kulturore, pse jo edhe një event e promocion i rëndësishëm publicitar për turizmin e këtij qyteti.

Në natën e parë, sipas traditës së festivalit, u prezantuan në skenë Flamujt Kombëtarë, grupet dhe ansamblet pjesëmarrëse në këtë edicion.

Festivali startoi me performancen e grupit të valltarëve të vegjël, të Qendrës Kulturore të qytetit të Vlorës, të cilët me zërat e tyre të gëzuar si lulet e freskëta të pranverës, e hapën këtë festë, për t’i treguar të gjithëve se kjo pasuri e madhe e popullit tonë nuk do të shuhet kurrë, por do të trashëgohet brez pas brezi.

SHQIPËRIA, Ansambli “Hazis Ndreu”, Dibër, që mbart me vehte jehonën e 9 maleve të Dibrës, me udhëheqës dhe koreograf të tij Avni Ndreun, “Mjeshtër i Madh”. Në gjirin e këtij ansmbli nuk kishte si të mungonte bilbili i këngës dibrane Liri Rasha, “Mjeshtre e madhe”.

GRUPI POLIFONIK I LAZARATIT, një nga grupet polifonike më në zë në pjesën Jugore të Shqipërisë, erdhi në këtë festival me një përgatitje e paraqitje virtuoze, pasi në krahasim me shumë grupe të tjera të Jugut, ku lëvrohet polifonia, grupi i Lazaratit është nga më karakteristikët dhe të dallueshmit për stilin, melodinë dhe interpretimin skenik.

DIASPORA, Grupi i Valleve “Jeta”, Selanik – Greqi, është krijuar në vitin 2017 nga një grup vajzash dhe grashë shqiptare dhe ka në repertorin e vet valle koreografike nga të gjitha krahinat e vendit, nën drejtimin e koreografes Margarita Evangjelou.

Si pjesëmarrëse në këtë festival, këngëtarja IRINI QIRJAKO “Mjeshtre e Madhe”, një nga këngëtaret më të shquara të këngës popullore shqiptare, si gjithmonë ndezi atmosferën me performancen e saj të jashtëzakonshme.

Ajo njihet me kohë në skenat shqiptare edhe si soliste e shquar e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, Tiranë.

FOLK GRUP “BILBILI”, VLORË, është krijuar në vitin 1994 me qendër në qytetin e Vlorës, me drejtor z. Sejmen Gjokoli, njëkohësisht themelues dhe drejtues i këtij festivali.

Edhe në këtë edicion, ky grup virtuoz solli një performancë të shkëlqyer, duke u dalluar mes grupeve pjesëmarrëse të folkut shiptar.

Ky grup tashmë ka një biografi të shkëlqyer historiko-kulturore të pasuruar ndër vite me një pjesëmarrje shumë të madhe, në aktivitete e festivale të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare, siç janë pjesëmarrja në tre Festivale Folklorike Kombëtare të Gjirokastrës dhe në shumë aktivitete ndërkombëtare si në Itali, Greqi, Turqi, Bullgari, Poloni, Kroaci, Lituani etj.

Ky grup është gjithashtu pjesëmarrës në dy festivale botërore folklori: Hollandë 1996 dhe Rusi 2021.

Më poshtë po radhisim edhe grupet pjesëmarrëse të ardhura për të marrë pjesë në këtë aktivitet.

HUNGARIA, Ansambli i Valleve “Nógrad Tancegyuttes” i themeluar në vitin 1975, në Salgótarján të qarkut Nograd.

ITALIA, Grupi Folklorik “Città di Palagianello”, i cili është themeluar në vitin 1982 në Komunën e Palagianellos, në provincën e Tarantos, në Pulia, Itali.

KOSOVA, SHKA “Anamorava”, komuna Viti, e cila është krijuar në vitin 2011, dhe me aktivitetin e zhvilluar gjatë kësaj periudhe ka dëshmuar se është ansambl i vlerave të pastërta kulturore, ku me paraqitjet e bëra në festivalet kombëtare dhe ndërkomtare, ka patur vazhdimisht suksese dhe vlerësime të shumta.

Interpretimi i shkëlqyer i këngëtarit virtuoz Fahrush Azemi, ndezi skenën e festivalit, duke kënduar një këngë të cilën e ka kënduar së pari i madhi Agim Tomorri dhe me zërin e tij të bukur, Fahrushi e solli shumë orgjinale këtë këngë të rrallë shqiptare, e cila u duartrokit me shumë ovacione nga spektatorët e pranishëm.

“Anamorava” është shembull i sukseseve jo vetëm për Komunën e Vitisë, por për të gjithë rajonin e Ana Moravës dhe Karadakut.

MAQEDONIA E VERIUT, Ansambli “Vapcarov”–Delçevë, i cili është në juridiksion të Qendrës së Kulturës “Nikola Jonkov Vapcarov” të qytetit dhe i ka fillimet në shtator të vitit 2009.

RUMANIA, Ansambli Folklorik “Romanasul”, i cili është krijuar në vitin 1974 nga një grup studentësh të Institutit Politeknik të Cluj-Napoca. Në përbërje të asamblesë janë studentët dhe pedagogët e Universitetit Teknik.

UKRAINA, Ansambli “Gorytsvit”, Lviv, cili është një ansambël universitar në qytetin e Lvivit dhe është nga ansamblet më të njohura e më të mira të Ukrainës.

Ky ansmbël ka një aktivitet të jashtëzakonshëm përmes një pjesëmarrjeje shumë të madhe në të gjitha vendet e Botës. Ai është vlerësuar me shumë çmime e laurime, si dhe është mbajtës i “Gjerdanit të artë” të Dizhonit në vitin 2001.

Ky grup erdhi me një përbërje të re, me një grup rinor, pasi ata më të rriturit kishin angazhime të tjera në llogoret e mbrojtjes së Atdheut.

Ky ansambël popullor ukrainas, solli në këtë festival mesazhin e paqes mes popujve dhe po këtë mesazh e përcollën të gjithë grupet pjesëmarrës në mbështetje të një populli që lufton për liri.

Ansambli “Gorytsvit” në edicionin e kaluar ishte fitues i Kupës së këtij Festivali.

“Aulona Inter Folk Festival” tregoi edhe një herë se instalimi i një aktiviteti të tillë me karakter kulturor e turistik, ka qenë një ide e duhur dhe e nevojshme jo vetëm për qytetin bregdetar të Vlorës, por edhe për hapësirën kulturore mbarë shqiptare.

Kjo është patjetër një arritje që realizoi të gjithë pritshmëritë dhe standartet që ky festival ka prej fillimit. Është një festival që ka startuar qysh në vitin 2009 dhe ky edicion ka ardhur me risi, duke u shtrirë edhe më shumë në pjesën komunitare në qytet, që padiskutim është një sipërmarrje e madhe organizative e z. Sejmen Gjokoli, drejtuesi i këtij organizimi gjigand, duke i dhënë sigurinë dhe besimin e suksesit, i cili është më se i merituar.

Vetëm për efekt të këtij aktiviteti, qytetin e Vlorës dhe rrethinat kanë pasur rastin ta vizitojnë rreth 125 ansamble folklorike me mbi 4400 pjesëmarrës nga 36 vende të Ballkanit, Evropës dhe Azisë.

Nisur nga natyra dhe përmasat e Festivalit, ai mbetet krejt i veçantë, mbasi për të 16-in vit radhazi, jo vetëm për qytetin e Vlorës, por edhe për trojet shqiptare, mbahet një aktivitet kaq i rëndësishëm i folklorit në nivel evropian dhe botëror.

Prapa skenës gjigande, para Stadiumit “Flamurtari”, binin në sy “ethet e bukura” të organizimit, angazhimi i stafit të palodhur të “Aulona Inter Folk Festival”, si dhe përkushtimi i regjisorit të qindra veprimtarive artistke z. Llesh Nikolla “Mjeshtër i Madh”, me një eksperiencë të suksesshme në RTSH.

Ishin mijëra qytetarë dhe turistë, ata të cilët u bashkuan dhe shijuan spektaklin e dhuruar, si dhe traditën e sjellë me vete nga të gjitha ansamblet e pranishme.

Në fjalën e tij z. Sejmen Gjokoli deklaroi se këtë herë ka qenë e jashtëzakonshme pjesëmarrja e publikut dhe e turistëve, të cilët i janë bashkuar valleve, duke u bërë si pa dashtë edhe pjesë në këtë spektakël.

Një grup turistësh nga Amerika dhe një grup turistësh nga Anglia, kanë qenë ata që janë bashkuar, duke krijuar grupin e tyre në mënyrë provizore e të shpejtë, sigurisht duke performuar aq sa kanë mundur traditën e tyre.

Është një festival, i cili argëton dhe i ndryshon në një farë mënyre energjinë qytetit të Vlorës, duke qenë absolutisht krenarë për të gjitha fjalët dhe vlerësimet që turistët dhe folkloristët, që këtë herë ishin rreth 300 folklorist, kishin në përshtypjet që ata do të regjistronin në përvojën e tyre.

Është mirë kur organizime e aktivitete të tilla shërbejnë jo vetëm në aspektin artistik kulturor me informacione të ndryshme, por edhe si një promovim i turizmit, si një mirëseardhje për gjithë turistët e huaj.

Sigurisht që mbështetja e donatorëvë meriton një falenderim të veçantë: “Dhoma e Tregtisë Vlorë”, “Vlora beton 2013”, “Regina Grup”, Resorti “Gjurma”, Hotel “Kral”, “Polifonia”, “Beler”, “Hako”, “Reha”, “Birra Stela” dhe “Uji Vlora”, si dhe një falenderim për paraqitjen: Studio “Sai”; “Enea Elektronik” dhe “Pixel Studio”.

Për organizimin e këtij festivali ka punuar një staf me specialistë të artit e kulturës, të trashëgimisë shpirtërore e pasionantë të ruajtjes dhe transmentimin e vlerave të trashëgimisë tonë kulturore.

Kupa e Festivalit në edicionin e 16-të u fitua nga Ansambli “Romanasul”, Rumani dhe për ta dorëzuar këtë kupë, në skenë u ngjit zv. Ministrja e Turizmit Vilma Bello.

Unë e ndoqa për katër ditë e netë me radhë këtë festë madhështore në qytetin e bukur të Vlorës, jo vetëm si mik i festivalit, por dhe si gazetar që me pasion përpiqet të pasqyrojë vlerat etnokulturore të folklorit të trashëguar, që ruhet me kaq dashuri nga brezi në brez.

Unë isha në këtë festival jo vetëm me penën time, por edhe me kamerën e Televizionit “Kultura Shqiptare” ACTV në Amerikë.

Nuk është hera e parë që unë kam nderin të kem në krah dhe kamerat e Televizionit të shquar Publik Shqiptar, që natyrisht është edhe shkollë për të gjitha mediat që emetojnë në hapsirën mediatike shqiptare.

Ndjekja e këtij aktiviteti nuk ishte e lehtë për mua, pasi kërkoja që të mos më kalonte asnjë detaj. Në këtë ngarkesë arrita të marrë opinionet edhe nga moderatorja e mrekullueshme Afërdita Krasniqi, regjisorit të shquar të Radio Televizionit Shqiptar z. Llesh Nikolla, drejtorit të këtij festivali z. Sejmen Gjokoli, si dhe drejtuesit të Ansamblit të Rumanisë, i cili fitoi kupën e Festivalit.

Këtu qëndron dhe vlera më e madhe e këtij festivali, i cili ka si kryefjalë “Mjeshtrin e Madh” Sejmen Gjokoli, një njeri i aposionuar, njeri i përkushtuar, njeri me fantazi dhe një nga realizuesit më të mirë të gjithë festivaleve.

Prezenca ime me telereportazh, me angazhim, është modeste karshi punës që bën stafi drejtues i Sejmen Gjokolit.

Madhështia dhe suksesi i këtij festivali kishte injektuar në gjithë qytetin e Vlorës magjinë e pavdekshme të krijimtarisë popullore dhe spektatorët e të gjitha moshave. Vendas, vizitorë apo turistë të huaj e ndoqën dhe shijuan me ëndje këtë event kulturor, historik dhe tradicional, që çdo vit gjallëron perlën e bregdetit shqiptar, Vlorën e Flamurit.

Filed Under: Kulture

Klubi “Flas Shqip” dhe “Vatra Miami” festuan 1 Qershorin

June 2, 2024 by s p

Dr. Iris Halili/

Klubi “Flas Shqip” dhe “Vatra Miami” festuan 1 Qershorin në mënyrë krejt të veçantë pasi kjo festë shënoi dhe ditën e regjistrimit për mësimin e gjuhës shqipe që do të jepet falas pranë Klubit “Flas Shqip” & “Vatra Miami” dhe kjo për të gjithë fëmijët Shqiptaro-Amerikanë të Floridës së Jugut! Deri më tani janë gati për të filluar vitin akademik 2 klasa dhe shpresojmë që simestrin tjetër të mund të bëjmë të mundur fillimin e dy klasave të tjera. Ftojmë Komunitetin e Florides së Jugut, dhe jo vetëm, të bëhet pjesë e këtij misioni sa human dhe patriotik aq edhe shpresëdhënës dhe model i mirë për një të ardhme edhe më të bashkuar mes shqiptarëve në emigracion. Mësimi i gjuhës shqipe fëmijëve tanë duhet të jetë synimi kryesor i çdo emigranti që i thotë vetes shqiptar. Vetëm gjuha na përcakton si komb, ajo ka qenë faktori kryesor që bëri të mundur edhe të mbijetojmë si i tillë, ndaj dhe vetëm gjuha nuk do të na lejoj të shuhemi kurrë! Gjuha na bashkon më shumë se çdo gjë mes njëri -tjetrit dhe të mos harrojmë se të bashkuar jemi më të fuqishëm si lob në emigracion, si komunitet shqiptar kudo ku jetojmë, por mbi të gjitha gjuha mbetet ura kryesore që do të mund të lidh fëmijet e lindur në emigracion me tokën amë dhe vëllezërit e tyre atje!

KLUBI “FLAS SHQIP”

Mirësevini tek Klubi “Flas Shqip”! Ne jemi një organizatë jofitimprurëse e regjistruar në shtetin e Floridës në SHBA më datë 24 Prill 2024. Misioni ynë është: Të mbajmë gjallë gjuhën dhe traditat shqiptare tek komuniteti shqiptar në Floridën e Jugut, por edhe më gjerë. Për këtë qëllim, mirëpresim këdo që dëshiron të bëhet anëtar i klubit tonë, të regjistrojë fëmijët në klasat tona dhe kështu të gjithë së bashku të mos lëmë në harresë gjuhën dhe zakonet e të parëve tanë.

Klubi Flas Shqip merr përsipër t’u mësojë gjuhën shqipe FALAS të gjithë të regjistruarve dhe kjo do të arrihet duke zhvilluar klasa çdo fundjavë.

Vizioni i Klubit Flas Shqip është: Asnjë fëmijë me prejardhje shqiptare që jeton në Floridën e Jugut nuk duhet të mbetet pa mësuar gjuhën e bukur shqipe, gjuhën e të parëve të tyre. Ky është vizioni mbi të cilin është frymëzuar dhe do të veprojë Klubi Flas Shqip.

Ju mirëpresim dhe së bashku le ta ruajmë dhe ta promovojmë gjuhën tonë të bukur!

VATRA MIAMI

“Duam Shqipërinë kur duam më shumë njëri – tjetrin”! Ky është mesazhi që Vatra Miami hodhi në ditën e saj të pare të krijimit në vjeshtën e vitit 2021! Ne në Vatra Miami, duam të vazhdojmë veprën e ilimunistëve Fan Noli dhe Faik Konica të cilët themeluan Federatën Pan Shqiptare Vatra 112 vjet më parë. Amaneti i tyre duhet mbajtur gjallë. Ndonëse të lindur dhe rritur në vendin më të bekuar të botës, fëmijët tanë duhet të mos rreshtin kurrë së dashuri rrënjët e tyre dhe vendin e paraardhësve të tyre. Dhë që ta arrijmë këtë ne duhet ti mëkojmë bijtë tanë me vlerat shqiptare dhe të përpiqemi me çdo forcë të çlirohemi nga antivlerat që na kanë mbajtur peng ndër shekuj. T’u mësojmë fëmijve tanë gjuhën tonë të bukur, atë gjuhë që na mbajti gjallë si komb, t’u mësojmë atyre shqiptarizmën, falë të cilës Shqipëria u mbijetoi shekujve si për të na vërtetuar se kulturat e vendeve të vogla kanë vlerën e diamanteve që sado t’i godasësh asnjëherë nuk thërrmohen!! Ne anagazhohemi të ndjekim dhe respektojmë kanunoren e Vatrës si dhe të lartësojmë jo vetëm emrin tonë si “Vatra Miami” por edhe të Vatrës si institucioni më i vjetër shqiptar ende aktiv jo vetëm në SHBA por kudo ku jetojnë shqiptarët.

Shpresa është te bashkimi dhe te urtësia”, kështu shprehej i fundit i Frashërllinjve , Mid’hat Frashëri. Bashkimin na e ka lënë amanet edhe heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastriot Skëndërbeu. Edhe ne si Vatra Miami kemi si qëllim të sjellim modelin e bashkimit pranë çdo bashkëatdhetari që jeton dhe punon në Miami apo Floridën e Jugut! Ne ju mirëpresim tek Vatra Miami pasi ne mendojmë se vetëm së bashku do të flasim të gjithë në gjuhën e nënës dhe mbajmë gjallë rrënjët që na lidhin dhe na bëjnë më të fuqishëm vetëm po të jemi bashkë!

Filed Under: Politike

NË BIBLIOTEKËN E GARFIELDIT U HAP KËNDI I LIBRIT SHQIP – SHQIPËRIA (ALBANIA)

June 2, 2024 by s p

Dr. Bexhet Asani/

Me nismën e çiftit bashkëshortor Arjana dhe Alban Gaba, në Bibliotekën Publike të qytetit të Garfieldit në Nju Xherzi, u themelua Këndi i Librit Shqip – Shqipëria (Albania), në prani të strukturave udhëheqëse të Komunës së Garfieldit dhe të Bibliotekës Publike. Këtë ngjarje të rëndësishme kulturore e përshëndeti ambasadorja e Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara znj. Suela Janina.

Këndin e Librit Shqip, me veprat e tyre e pasuruan krijueset dhe krijuesit e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikanë. Shkrimtarëve të cilët dhuruan librat e tyre Shoqata “Albanian Alliance of New Jersey” me në krye Alban Gabën, u ndau Certifikata Mirënjohjeje.

Në këtë ceremoni përurimi morën pjesë: Mëhill Velaj, Bexhet Asani, Arjeta Ferlushkaj – Kotrri, Adnan Memeti, Yllka Filipi, Desi Tahiraj, Age Ivezaj, Sabije Veseli, Premisa Kërthi, Luz Thaçi, Nazmi Demishau, Sami Mulaj etj.

Pas përshëndetjeve që bëra midis tjerash thash:

Jam i lumtur që gjendem sot këtu në mesin tuaj për të dhënë edhe unë kontributin tim modest për krijimin e Këndit të Librit Shqip – Albania, në Bibliotekën Publike të qytetit të Garfieldit në Nju Xherzi.

Mbase nuk do të habiteni në qoftë se them se emri i qytetit Garfield për mua është shumë i njohur edhe atë që në vitin e largët 1969, këtu e 55 vjet më parë. Pra, është vit jubilar i 55 vjetorit të njohjes sime me këtë qytet. E di se të gjithë pyesni si ka mundësi që ti 11 vjeçar të kesh ditur për këtë qytet?! Të gjithë do të mendoni se emrin e Garfieldit do ta kem mësuar në shkollë?! Përgjigjja është: Jo.

Në janar të vitit 1969, vëllai im Mustafa Asani ka emigruar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe atëbotë ka jetuar në Garfield. Unë i kam shkruar letrat për vëllain tim. Në zarfin me ngjyra anësh, i cili kishte një aromë që i ngjante parfumit, unë lexoja adresën, rrugën, numrin e shtëpisë dhe qytetin GARFIELD, N. J. U S A. Dhe me duart e mia të vockëla shënoja adresën. Asnjëherë një fëmije siç isha unë nuk do t’ i shkonte në mend se një ditë, pikërisht në atë qytet – në Bibliotekën e atij qyteti, në Garfield, do të dhuronte disa nga veprat e tij letrare dhe shkencore.

Të nderuar kolege e kolegë shkrimtarë, kjo ditë është një ngjarje me rëndësi jo vetëm për Bibliotekën Publike të Garfieldit por edhe për ne shkrimtarët. Pse është ngjarje e rëndësishme për ne shkrimtaret dhe shkrimtarët? Më 1917, Mësuesja e Popullit Sevasti Qiriazi e botoi gazetën “Ylli i mëngjesit” në Filadelfia, para 107 vitesh. Ajo gazetë ruhet në Bibliotekën Publike të Filadelfias në shtetin e Pensilvanisë. Mbase pas 100 vitesh, stërmbesat e stërnipërit tanë do t’ i gjejnë librat, në gjuhën shqipe apo në gjuhën angleze, në Bibliotekën Publike të Garfieldit.

Nuk rri dot pa e përmendur shokun tim shkrimtarin Mëhill Velaj sepse sa i tregova për nismën e Arjanës dhe Albanit, u gëzua pa masë dhe bëri gati librat për t’ ia dhuruar Bibliotekës Publike të Garfieldit. Ky njeri humanist e altruist rrallë i ka shokët!

Të nderuar miqtë e mi Arjana dhe Alban ju falënderoj nga zemra për këtë nismë! Kam shpresë se nismës tuaj do t’ i bashkohen edhe qindra shkrimtare e shkrimtarë të tjerë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Komente

Liriku i pashoq Skënder Rusi iku në qiell përjetësisht

June 2, 2024 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Me shumë hidhërim e morëm lajmin e ikjes së parakohshme të poetit të shquar korçar Skënder Rusit, në moshën 72 vjeç.

Vargjet e poetit Rusi jane korale të shpirtit të tij lirik, të një lirike të ngrohtë dhe tejet përjetuese. Lirika e tij duket sikur e ka fituar përjetësisht dashurinë e lexuesit si poezia që po sjellim më poshtë: “Fitorja e ngadalshme”.

Hyra prapë në sytë e tu jeshilë/ Në bebëzat e tyre/ zura prapë vend!/ Më pas trokita në shtëpinë e shpirtit/ Ku ca të tjerë prisnin prillin tënd!/ Dhe m’u duk vetja sikur isha një Odise/ Ndërsa ti-Penelopa e famshme!/ Të pata pushtuar një here kur ishe e re/ Por nuk mburrem me pushtimet e mëparshme!/ Eh/ Zgjasin më shumë/ Fitoret e ngadalshme!

E kam takuar së bashku me Qemalin në Bibliotekën “Thimi Mitko” të ftuar nga Shoqata e Shkrimtareve “Bota e Re” me kryetar z.Ylber Merdani ish i përndjekur politik (tashmë i ndjerë) dhe nga kompozitori dhe kantautori i mirënjohur korçar z. Nonda Kajno.

E gjithë udha nga Tirana për në Korçe ishte këngë, kurse xhamat e makinës lageshin nga një vesë e butëz shiu me pikla të argjendta vezulluese që shkëlqenin dhe më shumë ngazëllimin e shpirtrave tanë, për t’u takuar me shkrimtarët korçarë “Bota e re”, të cilët na kishin ftuar në vendin e kulturës, në bibliotekën “Thimi Mitko” në Korçë.

Ishte një ndjesi e bukur mbështjellë me dashurinë e pastër të poetëve korçarë me sherbet mikpritjeje.

Shkrimtarët korçarë dinë të dhurojnë mjaltë me hojëza poezie.

Dhoma kryesore e bibliotekës së qytetit të Korçës “Thimi Mitko”, atje ku na prisnin miqtë, ishte mbushur plot me shkrimtarë dhe dashamirës të artit dhe të kulturës.

Në krye të vendit qëndronte poeti i shquar z.Skënder Rusi, drejtor i bibliotekës “Thimi Mitko”, që mban emrin e folkloristit të shquar shqiptar. Mjaft interesant është fakti se kjo bibliotekë është krijuar nën kujdesin e Federatës “Vatra” dhe ishte vendosur pranë Bashkisë, sot ndodhet në një godinë tjetër të qytetit.

Nuk i kishja takuar më parë shkrimtarët e Korçës që ndodheshin aty, por nga leximi i librave ishja magjepsur prej poezive të tyre, pas metaforave të befta…

Edhe pse poetët dallohen nga njeri-tjetri në mënyrën e të shkruarit, ata se ç’kanë një gjë të përbashkët, atë hyjnoren, përshëndetjen e nxehtë poetike.

U takuam përzemërsisht, miqësisht me poetin dhe natyrshëm shkëmbyem librat. Kur takohem me poetët emigrantë, tha penëndrituri Rusi se ç’më bëhet një gur i rëndë në zemër, është malli i poetit që bëhet nyje në fyt. Krenohem që keni hapur shkollat shqipe, mësojuani fëmijëve emigrantë. Nëse keni mundësi i mirëpresim këtu në djepin e hapjes së Shkollave Shqipe, këtu në Korçën e ABC-së.

Sa ëmbël i ka kënduar poeti Korçës së serenatave, ka derdhur gjithë dashurinë e birit për të si: Jetoj në një qytet në formë zemre/ Ku kitarat netëve marrohen/ Ku djemtë nuk rrinë pa të shkelur syrin/ Dhe vajzave ju pëlqen të ngacmohen!

Poeti Rusi me metaforat e tij gati eterike për bukurinë e gruas, joshjen femërore, është pushtuar nga vetëtimat përpirëse të ninëzave tësyve te bukur, dhe prushëzohet nëpër trupin elegant të vargjeve marramendëse.

Po ndalem më konkretisht vetëm tek lirikat shpirtërore për gruan, pasi ai nuk i këndoi vetëm asaj, por nënës, Atdheut, Korçës, fëmijërisë e gjithçka. Ndalem tek këto poezi për bukurinë e femrës, pasi sot mjerisht të babëziturit dhe të pagdhendurit i kanë dhunuar dhe masakruar deri barbarisht shumë gra. Ndaj poezitë duhet të jenë libra të vegjël xhepi, të jenë shkëndijëza që të ndriçojnë mendjen e çdo lexuesi të kualifikuar ose jo…

Ai e skalit bukurinë femërore shumë ndjeshëm si në poezinë: “Në sytë e tu digjen meteorë”

Në sytë e tu digjen meteorë/ Ti rri e heshtur, si një Perëndi/ Unë fshehur jam, ku burojnë lotët,

E kam një vend që s’ma gjen dot as ti/ Në sytë e tu digjen meteorë/ Përmbysen qiej, ashtu, kot më kot/ Unë fshehur rri, ku burojnë lotët/ Bëj të të flas, po nuk të folkam dot!/ Në sytë e tu digjen meteor/ Qerpikët po të përcëllohen krejt/ Unë fshehur rri, ku burojnë lotët, Dua të ik, por s’po e gjej një shteg/ Kam frikë/ Mos dhe mua/ Ti më djeg!

Në shumë poezi ai është magjistar i fjalës shqipe dhe e ka lënë dritaren e shpirtit poetik për t’i kundruar nga larg dhe nga afër metaforat drithëruese që e bëjnë poetin të jetojë përjetësisht.

Autorja e shkrimit është shkrimtare, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe “Alba Life” në New York, Ambasador i Kombit, Gruaja e Vitit 2022, NY dhënë nga Motrat “Qiriazi”, si dhe ka marrë titullin e lartë: Kalorës i Urdhrit të Flamurit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT