
Prof. Dr. Sylë Ukshini/
Është pak e besueshme se bëhet fjalë për një koincidencë të rastit, që Këshilli i Bashkimit Evropian mori vendim për t’i njohur pasaportat ilegale të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë për qytetarët serbë të Republikës së Kosovë të ndodhte mu në 14 vjetorin e venmdimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND). Vendimi i BE-së ishte goditja më e rëndë ndaj shtetësisë së Kosovës e bërë nga BE-ja, e cila është fasilitues e dialogut Kosovë-Serbi. Me këtë vendim, që në fakt ishte kërkesë e vazhdueshme e Serbisë, BE-ja ka legalizuar një lloj dualizmi juridik dhe shtetëror brenda Kosovës: Një Kosovë për serbët dhe një Kosovë tjetër multietnike, por jo shqiptare. Ky vendim është mashtrues dhe sui generis, sepse u morë gjoja si vendim për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët serbë, të cilët që nga momenti i liberalizimit të vizave kishin shfaqur më shumë interesim për pasaportën kosovare. Ky vendim i nxitur ka pak edhe elemente raciste, sepse derisa në këtë rast tregohet një zell dhe nguti që përmes legalizimit të pasaportave të shtetit serb t’u ruhet fytyra strukturave ilegale serbe të trashëguara nga regjimi i Milosheviqit, në rastin e shqiptarëve të Kosovës u solle me indiferencë dhe pa asnjë arsye e prolongoi për vite të tëra procesin e heqjes së vizave.
Sipas këtij vendimi të Këshillit të BE-së, një qytetar serb dhe një tjetër shqiptar, që vijnë nga Republika e Kosovës, mund të ketë të njëjtin vend të lindjes, por derisa në pasaportën e shqiptarit nga Prishtina, Kllokotii apo Leposaviqit i figuron se është shtetas i Republikës së Kosovës, qytetarit tjetër të përkatësisë etnike serbe nga Prishtina apo qytetet tjera të Kosovës do t’i figurojnë se ky qytet ndodhet në Republikën e Serbisë. Meqë kjo situatë do të krijojë konfuzion, sigurisht që BE do të bëjë ndonjë kampanjë informuese për zyrtarët dhe doganierët e pikave kufitare për të qartësuar se kemi të bëjnë me një situatë si zakonisht neutrale. Ky vendimi i BE-së natyrisht që është ndëshkim jo vetëm ndaj politikave të Qeverisë Kurti, por edhe ndaj Kosovës në përgjithësi.
Vendimi i Këshillit të BE-së është edhe një mesazh për Kosovën dhe në veçanti për qeverinë e vendit, se nëse nuk përmbushet premtimi i dhënë për asociacionin, atëherë ata mund ta legalizojnë në mënyrë të njëanshme pa e pyetur fare qeverinë e Kosovës. Në këtë mënyrë, BE-ja po tregohet e gatshme dhe e vendosur fortë për ta legalizuar ndarjen e brendshme të Kosovës, ngjashëm si në Bosnjë. Ndarjet e tilla të brendshme territoriale e dobësojnë dhe e pengojnë funksionalizimin e Kosovës si shtet. Një simbol i vazhdimit të politikës për ndarjes së brendshme territoriale të Kosovës është ura mbi lumin Ibër, e cila ka mundësi që këto ditë të bëhet tema më e nxehtë në vend.
Ngjashëm si rastin e Bosnjës, bashkësia ndërkombëtare e sheh Kosovën si shtet mysliman brenda kontinentit evropian. Prandaj, nuk është e rastësishme që pala serbe e përdor retorikën kundërmyslimane, duke e përdorur me mjeshtëri gjoja rrezikun e “Transversales së Gjelbër.”
Për më tepër, kjo qasje e BE-së është në frymën e angazhimit të vendosur edhe për përmbushjen e kërkesës së Beogradit për legalizimin e valutës së shtetit serb, dinarit, brenda territorit të shtetit të Kosovës, me justifikimin më absurd se aplikimi i euro-së nga Qeveria e Kosovës paraqet “presion për spastrim etnik”!
E nëse BE-ja flet budallallëqe të tilla, çfarë mund të pritet nga ajo në zgjidhjen e problemit madhor, e ai është normalizimi i vërtetë i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Aktualisht, këto raporte janë më pak normale sesa që ishin para se të fillonte dialogu i Brukselit në fillim të vitit 2011. Natyrisht përgjegjësia për këtë bie mbi BE-në, e cila edhe pse është ndërmjetësuese e këtij dialogu nuk e ka idenë se edhe sa kohë do të vazhdojë.
Prandaj, ndoshta në këtë situatë shkon parafrazimi ish- presidentin George Bush në Tiranë me 10 qershor 2007, kur pati thënë: “dialogu në lidhje me arritjen e pavarësisë për Kosovën nuk mund të zgjasë përgjithmonë…”, mendoj se edhe dialogu i Brukselit nuk mund të zgjasë pafundësisht, aq më tepër që ky dialog ka dështuar në çdo pikëpamje.
Dhe nëse qëllimi kryesor i dialogut të Brukselit ishte anëtarësimi i Kosovës në organizata evropiane dhe ndërkombëtare dhe normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, atëherë lind pyetja, për çfarë i duhet Kosovës ky dialog i Brukselit, nëse Gjermania, Franca dhe Italia i dalin në krah të Serbisë për t‘i pamundësuar Kosovës anëtarësimin në Këshillin e Evropës (KiE) dhe nëse thuhet se Serbia nuk është e obliguar ta njoh Kosovën. Në këtë mënyrë, është shumë e qartë se BE-ja nuk ka interes të madh për të arritur normalizimin e plotë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, pro se preferencë kryesore mbetet ruajtja e status quo-së. Kështu humbi më mi madh është Kosova, ngase s BE-së dhe as Serbisë nuk i ngutet për asgjë!
Prandaj, deshën ta pranojmë apo jo, pa rikthimin e SHBA-së në rolin drejtues, sikurse në Rambouillet, në fushatën ajrore të NATO-s dhe në procesin për adresimin e statusit final të Kosovës, rajoni i Evropës Juglindore nuk të dalë nga status quo-ja aktuale politike!



