• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2024

AT’ SHTJEFËN GJEÇOVI, THEMELUESI I ARKEOLOGJISË SHQIPTARE

July 14, 2024 by s p

Lida Fabian Miraj/

Fretnit Françeskanё kanё qenё dhe janё dhe sot e gjithё ditёt shumë tё respektuar pёr qёndrimet e tyre tё drejta jo vetёm pёr “Fe e pёr Atdhe”, por edhe pёr erudicion nё tё gjitha fushat e kulturёs. Kontributi qё ata kanё dhёnё nё kulturёn shqiptare ёshtё i pamohueshёm, pavarёsisht nga persekutimet e vazhdueshme qё kanё pёsuar gjatё shekullit të kaluar, duke filluar me vrasjen e At Shtjefёn Gjeçovit nё afёrsi te Prizrenit nё vitin 1930, apo mё pas me vrasjet, zhdukjet, torturat dhe persekutimet e Fretёnve Françeskanё gjatё viteve tё egra tё Komunizmit nё Shqipёri.

Duke u kthyer nё subjektin e kёtij shkrimi, i cili lidhet me At’ Shtjefёn Gjeçovin, këtë themelues të arkeologjisё shqiptare dhe me Koleksionin arkeologjik, tё cilin ai e pat mbledhur me shumë kujdes e përkushtim dhe qё ruhej nё njё nga ambientet e Kuvendit tё Françeskanёve nё Gjuhadol tё Shkodrёs; ёshtё e dhimbshme tё mendohet qё ky koleksion nuk ekziston mё, dhe kjo gjё datohet qё nё vitet e para tё regjimit komunist.

At’ Shtjefёn Gjeçovi jo vetёm kishte koleksionuar me dashuri e pasion te veçantё, por edhe kishte botuar njё pjesё tё materialit arkeologjik nё revistёn “Zani i Shna Ndout” nё maj-gusht tё vitit 1920. Nё kёtё botim ai prezantonte rёndёsinё qё kishte arkeologjia nё historinё e errёt tё Shqipёrisё dhe pёrshkruante gёrmimet qё ai vetё kishte mundёsuar. Koleksioni arkeologjik i At’ Shtjefnit ose i Fretёnve Françeskanё ishte mjaft i rёndёsishёm jo vetёm pёr cilёsine e materialeve qё ruheshin, por edhe pёr faktin se ato kostituonin shembuj unik gjetjesh nga nekropoli i Komanit, nga Laçi Sebastes, nga Shala e Dukagjinit, Kopliku, Postrriba, Mirdita, etj., apo edhe nga gjetje tё tjera rastёsore.

Nё vitin 1998, pas kthimit tim nga njё vit akademik pёr Studime Bizantine Post Doktoratë, nё Dumbarton Oaks, Washington D.C., Institut i Universitetit Harvard, une u mora me njё punё kёrkimore rreth veprimtarisё sё Misionit Arkeologjik Italian nё Shqipёri nё vitet 1924-1943.

Nё Arkivin Qёndror tё Shtetit ne Tiranë ndërmjet shumё dokumentave gjёndet nje letёr, nё tё cilin thuhet se mё 13 Korrik 1927, zoti Ugo Sola, Ministёr pranё Ambasadёs Italiane nё Tiranё, disa kopje tё librit tё parё , “Albania Antica”, tё arkeologut Luigi M. Ugolini, ja dhuronte me dedikime personaliteteve shqiptare pёrfshirё Rektorin e Jesuitёve dhe At Gjergj Fishtёn nё Shkodёr, At Shtjefёn Gjeçovin, i cili nё atё kohё ishte nё Kosovё, e tё tjerё. Njё nga kopjet e kёtij libri i ishte dёrguar edhe At’ Klement Miraj, famullitarit tё Rubikut, qё ishte njekohesisht edhe kurator i koleksionit arkeologjik tё Gjeçovit. Nё Arkiv ruhet letra me konsideratat e mendimet personale qё At’ Klement Miraj i drejtonte z. Ugo Sola, pasi kishte lexuar me kujdes librin “Albania Antica I” tё Ugolinit.

Nё librin e Ugolinit njё vend mjaft tё rёndёsishёm zinte edhe pёrshkrimi i Seksionit Arkeologjik pranё Muzeut Historiko-Gjeologjik tё Jezuitёve nё Shkodёr, i Koleksionit Arkeologjik tё familjes Vlora ekspozuar nё pallatin e tyre nё Vlorё, si edhe pershkrimi i Koleksionit Arkeologjik te mbledhur me kujdes nga At’ Shtjefёn Gjeçovi dhe qe ruhej ne Kuvendin e Franceskaneve ne Gjuhadol.

Ugolini pёrshkruan (fq. 18): Questo sincero discepolo di San Francesco è una di quelle persone che, seguendo una nobile tendenza insita naturalmente nel proprio animo, nei pochi momenti di libertà si dedica con fervoroso ed illuminato trasporto verso tutto quanto costituisce argomento o sussidio per lo studio della storia del suo paese. E poichè gli avanzi archeologici più lo attraggono, egli non solo li raccoglie e custodisce con amorosa cura, ma cerca anche d’interrogarli intelligentemente.

Luigi M. Ugolini, nё botimin e tij, falenderon At’ Shtjefnin, qё me bujari ja kishte ofruar tё gjitha objektet e koleksionit pёr studim, gjatё vizitave tё tij nё Shqipёri nё pranverё e vjeshtё tё vitit 1924, dhe i pёrshkruan ato me detaje duke nёnvizuar se ndonёse koleksioni nuk ishte i shumtё nё numёr, ishte shumё i rёndёsishёm si pёr cilёsinё e objekteve qё ruheshin, ashtu edhe pёr faktin se nё shumё raste ishin shembuj unik tё llojeve qё ai vetё kishte parё dhe nёnvizon se tё gjitha objektet vinin nga zonat qё ai i quan zemra e Shqipёrisё. Nё menyrё tё pёrmbledhur, sipas pershkrimit te detajuar te Ugolinit, koleksioni kishte objekte prehistorike si çekiçё guri, sёpata hekuri dytehёshe, sёpata te ashtuquajtura shqiptaro-dalmate; vazo tё vogla qelqi e vazo qeramike tё periudhёs helenistike, fibula bronzi tё periudhёs romake; perla me pastё xhami, vathё, unaza, si edhe monedha tё periudhave tё ndryshme. Interesante ishin edhe disa objekte tё antikitetit tё vonё nga nekropoli i Komanit, tё cilat kishin shenjёn e kryqit, gjё qё lidhej me prezencёn e herëshme Krishtёrimit nё kёto treva. Sipas Ugolinit banorёt e zonёs sё Komanit krijonin objekte speciale me simbolin mё karakteristik tё besimit tё tyre, dhe lejonin formula tё veçanta si pёr tё treguar qё nuk dёshёronin tё ishin tё trajtuar si paganё. Nё fakt nuk dihet me saktёsi se kur Krishtёrimi u pёrqafua nga banorёt e kёtyre zonave tё thella, por të dhënat nga burimet historike thonë shumë qartё se Durrёsi e Salona ishin dy portat kryesore tё pёrhapjes sё Krishterimit nё Ballkan. Për pasojë dekorimi me simbolet e Krishtera nё Antikitetin e vonё tregon se kishte kohё qё popullsia e këtyre trevave kishte pёrqafuar Krishtërimin.

Ndёr fragmentet arkeologjike tё koleksionit tё At Shtjefnit veçohej njё unaze e madhe ari me njё gur sipёr, e cila ishte e dekoruar dhe ruhej mjaft mirё. Unaza ishte gjetur nё njё Tumё nё Kodёr Bogez, pranё Laçit te Sebastes. Kishte diametёr tё brёndёshёm 17 mm, lartёsi 32 mm dhe datohej nё shek VII. Ndёrsa guri ornamental, sipas pёrshkrimit tё Ugolinit, dukej qё ishte mё i hershёm dhe datohej i periudhёs romake.

Ugolini nё botimin e tij tё parё pёrshkruan edhe Ekspozitёn Missionare tё Vatikanit nё vitin 1925 ku Shqipёria paraqitej mjaft mirё me materiale etnografike dhe arkeologjike, por nuk janё tё pёrshkruara materialet etnografike nga koleksioni i At Shtjefnit, gjithashtu pjesё e ekspozitёs.

Koleksioni arkeologjik i At’ Shtjefёn Gjeçovit fatkeqësisht nuk gjёndet mё dhe, as nuk dihet se ku ka pёrfunduar. Nuk gjendet as koleksioni i tij etnografik. Nuk gjendet mё as koleksioni i Jezuitёve nё Shkodёr, dhe as Koleksioni Arkeologjik i familjes Vlora.

Qё nё krye tё librit te tij ‘Rrno vetem per me tregue’, At’ Zefi (fq. 24) shkruan: ‘Nё fillim tё dhjetorit 1944, ia behi nё Kuvendin Françeskan tё Gjuhadolit nji grup i randёsishem prej 7-8 vetash, i shoqnuem prej Kolё Jakovës; thuhej se ky grup kryesohej prej Nako Spirut. Prunё me vedi shumё urdhnesa, si mbylljen e revistёs kulturore HYLLI I DRITËS, si edhe tё gjitha revistave tё tjera fetare Zani i Shna Ndout, Zgjimi i djelnmise, Bijat e Zojёs, etj. Urdhnonin mbylljen e shtypshkronjes si edhe tё gjitha shoqatave fetare. ”Vizituen” edhe Bibliotekёn e Muzeun e At Shtjefёn Gjeçovit. Kola kёrkoi unazёn e Gjeçovit. Kёshtu thirrej njё unazё antike, me gjasё e shek. I, arit, punim i dyfishtё me mjeshtri tё madhe, qё kishte nji gur tё naltё joproporcional me unazёn….. Ndёrkaq Kola e muer dhe lёshoi njё leter-vёrtetim.’

At’ Zefi në një paragraf mё poshtё (fq. 24) tregon se: ‘Gjatё muejve janar-shkurt 1945 masat e terrorit erdhёn tue u randue….. Nji mёngjes u gjet i rrethuem prej partizanёve edhe Kuvendi Françeskan i Gjuhadolit. Ishte kontrolli i parё. Na mblodhёn tё gjithёve ndёr dhomat e pritjes dhe, ndёrsa bahej kontrolli vetjak, partizanёt e tjere vёrshuen me turr nёpёr koridoret e dhomat e Kuvendit. Mbas 4-5 orёsh, kur kontrolli mbaroi dhe na lanё te lire me u kthye, pamё se gjithshka ishte permbysё. Ishin marrё tё gjitha makinat e shkrimit, çiklostilat, radiot, dylbitё, aparatet fotografike. Nё Muzeun e At Shtjefёn Gjeçovit kishin marrё tё gjitha armёt antike tё punueme me argjend, si edhe armёn tё cilёn ai e kishte gdhendё e zbukurue me dorёn e vet. Natyrisht qё nuk i gjetёm mâ as shumё orendi tё bukura e tё vogla….. Kёto lloj ”kontrollesh” u banё system veprimi pёr tё gjithё qytetin e Shkodrёs dhe tё gjitha pasoheshin me arrestime tё shumta. Kuvendit tonё iu pёrsёritёn shpeshherё’. At Zefi (fq. 75) shton se ‘…ne 14 Nandor 1946 Kuvendi Françeskan i Gjuhadolit u gjet i rrethuem qё nё orёt e para…. Para orёs 8 erdh oficeri Dul Rrjodhi me njё skuadёr ushtarakёsh…. Duli i kishte marrё nё dorёzim tё gjitha çilsat e Kuvendit, jo vetёm tё hymjes e daljes, por edhe tё gjitha zyrave, ashtu tё Arkivit, tё Muzeumit, tё Bibliotekёs, te Odёs-Muzeum tё Fishtёs, tё ambienteve tё tjera tё kulturёs e çlodhjes, ashtu edhe çilsat e odave tё Fretёnve qё ishin nё burg.’

Dhe bashkё me objekte, libra, apo dokumenta tё tjera me shumё vlerё, pronё e Provincёs Françeskane, u zhduk edhe koleksioni me objekte arkeologjike i mbledhur me shumё kujdes nga At Shtjefni, i ruajtur po me aq kujdes nga tё gjithe Fretnit Françeskanёe dhe i vlerёsuar nga studiuesit e kohёs.

Letёr-vёrtetimi i lёshuar pas marrjes sё ndonje objekti apo marrjet pa letёr-vёrtetim nuk dёshmuan asnjёherё se ku pёrfunduan objektet arkeologjike e etnografike tё mbledhura e tё ruajtura me shumё kujdes e dashuri, dhe tё ekspozuara nё njё nga ambientet e Kuvendit tё Françeskanёve nё Gjuhadol.

At’ Zefi shpesh diskutonte rreth arkeologjisё dhe mua, pas njё experience relativisht tё gjatё pune nё kёtё fushё, gjithmonё mё çudiste fakti se ai jo vetёm qё kishte lexuar shumё pёr arkeologjinё, por dinte tё diskutonte me detajet e njё profesionisti.

Nё këtë shkrim doja të kujtoja At’ Shtjefen Gjeçovin, si themelues të Arkeologjisë Shqiptare. Në bibliotekën e Institutit të Arkeologjisë ka qenë e vazhdon të jetë portreti i këtij Frati të mrekullueshëm, pikturuar me mjeshtëri nga Hasan Nallbani. Krahas kujtimit të At’ Shtjefen Gjeçovit nuk mund të mos përmendet dhe kujtimi i tё gjithё Fretёnve Françeskanё, te cilët ma bukur se kushdo i ka quajtur At’ Zef Pllumi: ‘Atyne qё vdiqёn njerz, atyne qё qёndruen njerz gjatё asaj periudhe tё vёshtirё…….’.

Fig. 1, At’ Shtjefën Gjeçovi

Fig. 2, At’ Shtjefën Gjeçovi, Pikture nga Kolë Idromeno, 1929.

Fig. 3, At’ Shtjefën Gjeçovi, Pikture nga Hasan Nallbani.

Filed Under: Histori

SHBA në atmosferë politike më të keqe se ajo e viteve 1960-të

July 14, 2024 by s p

Dr. Bledar Kurti

(Profesor i Politikës Amerikane dhe Alumni i Departamentit Amerikan të Shtetit)/

Atentani me armë ndaj ish Presidentit Trump, njëherazi dhe kandidat për President në zgjedhjet e 5 nëntorit në SHBA, tronditi jo vetëm amerikanët por mbarë botën. E megjithatë, ishte një kronikë e një ngjarjeje të paralajmëruar.

Në politikë nuk ka rastësi. Asgjë nuk ndodh rëndomë. Ky nuk është konstatim njerëzor e as opinion individual por një paradigmë dhe një e vërtetë historike. Ata që merren me politikë, ose më saktë, ata që bëjnë politika, e dinë shumë mirë.

Ishte një ngjarje e paralajmëruar pasi gjatë dekadës së fundit, SHBA ka qenë e zhytur thellë në një konflikt politik e social të paprecedentë. Gjatë kësaj dekade ndasitë politike nuk kanë qenë thjesht bindje apo qëndrime, por njëra palë e ka demonizuar palën tjetër deri në esktrem.

Urrejtja, sulmi dhe mallkimi që masat e gjera popullore të njërës palë kanë ndërmarrë ndaj tjetrës zor se krahasohet me fanatizmin politik të ndonjë vendi tjetër.

Në shtetet liberale të SHBA, si Nju Jork, Kaliforni, etj, të shprehësh bindje konservatore apo republikane damkosesh si një qenie e padenjë për shoqërinë, shoqëruar me një diskriminim të pashoqë. Kjo ndasi politike dhe sociale është amplifikuar ekstremisht edhe nga media, e shkruar, vizive dhe “online.” Hollivudi, si institucion opinion-diktues, me përmasa globale, ka qenë i angazhuar maksimalisht për t’i thelluar edhe më shumë ndasitë politike.

Intelektualët dhe autorët e librave, edhe pse me ekspertizë në një fushë tjetër nga ajo politike, në çdo kapitull libri, në mënyrë tërësisht artificiale, kanë shprehur deklarata politike të njëanshme, e jo rastësisht librat e tyre renditeshin te New York Times Bestsellers. Universitetet janë tjetërsuar prej kohësh në mision e filozofi, duke mbajtur qëndrime të njëanshme politike, duke krijuar përçarje sociale te brezi i ri.

Ky koordinim përçarës ndaj një shoqërie të lirë si ajo amerikane është dëshmuar në të gjitha fushat e jetës, në sport, muzikë, te dramat e performuara në Broadway, besimet fetare, e deri te historianët të cilët arritën të guxonin e të zhbënin figurat e vetë etërve dhe themeluesve të kombit dhe shtetit amerikan si George Washington, Thomas Jefferson, etj, statujat e të cilëve u lyen me bojë të kuqe e u tërhoqën zvarrë me litarë në qafë.

Për ta përligjur të gjithë këtë konflikt të rreptë idealesh hyri në skenë edhe drejtësia. Gjykatat dhe prokuroria, në shumë raste, u kthyen në një krah të ekzekutivit duke e zhbërë parimin e ndarjes së pushteteve.

E gjithë kjo situatë dhe ky konflikt social që ka përjetuar SHBA gjatë viteve të fundit çoi edhe në aktin radikal të atentatit me armë ndaj Donald Trump. Një atentat i kryer jo vetëm nga dora e një individi por pasojë e një krize mbarë shoqërore dhe politike e cila është në një gjendje edhe më të keqe se ajo e viteve 1960-të, kur ndodhën katër vrasje të bujshme që tronditën Amerikën dhe mbarë opinionin publik: vrasjet e Presidentit John F. Kennedy (1963), Malcolm X (1965), Martin Luther King (1968), kandidatit për President, Robert Kennedy (1968).

Çfarë po ndodh në Amerikë nuk është aspak lajm i mirë për SHBA dhe botën. Ndërkohë që është i vetmi shtet që ka armatimet e gjeneratës së tretë, 80% të arit botëror, themeluese dhe sponsorizuese e organizmave kryesore në botë, po vetë-shkatërrohet nga ndasitë e brendshme. Dhe në një situatë gjeopolitike delikate, me konflikte të rënda në botë, një situatë e tillë vulos fatin në drejtimin e gabuar të shumë shteteve të tjera.

SHBA ka përgjegjësinë të jetë shembull edhe përtej kufijve dhe oqeaneve të saj sepse kur Amerika teshtin e gjithë bota ftohet. Dhe sot ajo po teshtin më fort se asnjëherë tjetër. Por, nëse shoqëria amerikane mbahet fort pas asaj që e karakterizon si shtet, lirisë dhe vlerave njerëzore epokale, ky do jetë vetëm një makth që do shuhet me një zgjim të ri.

Filed Under: Komente

VATRA DËNON ASHPËR SULMIN ME ARMË NDAJ ISH-PRESIDENTIT TË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS DONALD TRUMP

July 14, 2024 by s p

New York, 14 Korrik 2024 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dënon ashpër sulmin e tmerrshëm të armatosur ndaj ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump. Një ngjarje e rëndë dhe tronditëse që shokoi, tmerroi e indinjoi mbarë Amerikën e opinionin publik botëror.

Sulmi i neveritshëm dhe barbar ndaj Donald Trump dhe mbështetësve të tij në Pensilvani duhet të marrë goditjen më të fuqishme prej institucioneve ligjzbatuese amerikane. Akti skandaloz jo vetëm që nuk do ta destabilizojë Amerikën por do ta bëjë më të fortë e më të bashkuar. Atentati i rëndë me armë, sulmet dhe dhuna janë veprime të pa pranueshme në shtetin më demokratik e më të zhvilluar të botës.

Vatra bën thirrje për bashkim, paqe, unitet dhe lutje.

Federata Vatra i uron shërim të shpejtë ish-Presidentit Donald Trump dhe lutet për jetën e humbur e trupat e lënduar.

Asnjë forcë e errët nuk do të mund ta ndalë kurrë Amerikën.

Zoti e bekoftë, e ruajt dhe e mbroftë Amerikën.

Në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra

Kryetari

Dr. Elmi Berisha

Filed Under: Opinion

Atentat ndaj Donald Trump. Shërbimit Sekret i SHBA-së ish -presidenti është mirë

July 14, 2024 by s p

Nga Rafael Floqi sipas mediave amerikane/

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka mbetur i plagosur në Butler, Pensilvani, teksa po mbante fjalën e tij para qytetarëve në kuadër të fushatës së elektorale për zgjedhjet presidenciale.

Ish- presidenti ishte në një gjendje të mirë sipas pamjeve të raportuara nga FOX dhe CNN dhe mediat e huaja, ish-presidenti është plagosur, ku siç shihet, edhe është gjakosur mbi veshin e djathtë.

Të shtënat në mitingun e ish-presidentit Donald Trump në Pensilvani po hetohet si një tentativë për vrasje të ish-presidentit dhe kandidatit të supozuar republikan, thonë zyrtarët e zbatimit të ligjit. Dy zyrtarë folën në kushte anonimiteti për të diskutuar hetimin në vazhdim.

Fushata e Donald Trump tha në një deklaratë se ish-presidenti ishte “mirë” pas një të shtëna në mitingun e tij në Butler, Pensilvani.

Një zyrtar i zbatimit të ligjit e përshkroi incidentin si një përpjekje për të vrarë Trump. Një prokuror lokal tha se personi i dyshuar si i armatosuri i dyshuar dhe të paktën një pjesëmarrës kanë vdekur.

Pas incidentit, shefi i komunikimit i Shërbimit Sekret të SHBA-së, Anthony Guglielmi ka bërë me dije se ish-presidenti Donald Trump është shëndosh e mirë dhe i sigurt.

“Një incident ndodhi mbrëmjen e 13 korrikut në një tubim të Trumpit në Pensilvani. Shërbimi Sekret ka zbatuar masat mbrojtëse dhe ish-presidenti është i sigurt. Ky është tani një hetim aktiv i Shërbimit Sekret dhe informacione të mëtejshme do të publikohen kur të jenë të disponueshme, “tha Guglielmi në një deklaratë.

Po ashtu, një reagim ka ardhur edhe nga zëdhënësi i Donald Trump, Steven Cheung, i cili tha se ish-presidenti është mirë.

“Presidenti Trump falënderon forcat e rendit dhe reaguesit e parë për veprimin e tyre të shpejtë gjatë këtij akti të urryer. Ai është mirë dhe po kontrollohet në një institucion mjekësor lokal. Më shumë detaje do të pasojnë”, tha Cheung në një deklaratë.

Forcat politike dënuan këtë ngjarje dhe dhunën politike .

“Dhuna politike është e frikshme. E di”, tha ish-deputetja Gabby Giffords, e cila u qëllua në kokë në vitin 2011 ndërsa ishte në një takim me votuesit e saj.

“Unë mbaj në zemrën time ish-presidentin Trump dhe të gjithë ata që janë prekur nga akti i sotëm i pambrojtur i dhunës. Dhuna politike është jo-amerikane dhe nuk është kurrë e pranueshme – kurrë.” Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson shkroi në mediat sociale: “Ky akt i tmerrshëm i dhunës politike në një tubim paqësor të fushatës nuk ka vend në këtë vend dhe duhet të dënohet unanimisht dhe me forcë”.

Senatori Bernie Sanders i Vermontit tha në X, zyrtarisht në Twitter, se dhuna politike është “absolutisht e papranueshme” dhe “i uroj Donald Trump dhe kujtdo tjetër që mund të jetë lënduar, një shërim të shpejtë”.

Guvernatori Josh Shapiro tha se ai ishte informuar për situatën dhe e dënoi incidentin, duke thënë se “dhuna e shënjestruar ndaj çdo partie politike apo lideri politik është absolutisht e papranueshme”.

Shtëpia e Bardhë thotë se presidenti Joe Biden ka marrë një “informacion fillestar” mbi incidentin në tubimin e Trump

Ky atentat mund të shihet dhe si moment reflektimi për forcat politike për të ulur retorikën e tyre të ndezur pasi persona me sindromën anti- Trump mund të bëhen subjekte të ngjarjeve të tilla sidomos kur shihet se ai po fiton sipas sondazheve dhe kur partia Demokratike është përfshirë në “një luftë civile” për ta larguar presidentin Biden nga kandidatura. Kjo nuk demokracia që shqiptarët kanë vlerësuar gjithnjë tek Amerika. Shqiptarët i urojnë ish presidentit Trump shërim të shpejtë e ta shohim sa më shpejt në konventën e PR në Milwakee.

Filed Under: Kronike

Që të mos jemi hipokrit me veten, debitor me historinë, dhe hileqar me Zotin

July 14, 2024 by s p

Alfons Grishaj/

Largimi në jetën tjetër të personaliteteve politike, shkencore, letrare artistike etj shoqërohet me debate dhe perceptime racionale dhe iracionale. Media krijon shtratin e debatit pro dhe kundra për të shenjuar dritë-hijet e jetës tyre. Dhe me Kadarenë nuk kish si të ndodhte ndryshe. Ai e mbaroi udhëtimin mbi dhe duke lënë shpirtin e lirë në labirinthet e gjykimit, lavdisë dhe mohimit… Në librin e Yuval Noah Harari , “Homo Deus”, në f. 238, lexojmë: The Scientific Revolution proposed a very different formula for knowledge: Knowledge = Empiric data x Mathematics. If you we want to know the answer to some question, we need to gather relevant empirical data , and then use mathematical tools to analyze them.

Paradigma (shembull) e karakterit revolucionar

Kadare qe numri 2, pas Nexhmije Hoxhës tek Fronti Demokratik. Fakti është se ai e çoi të dashurin e vajzes (muzikant) në çmendi! Por, lektisja e shkrimtarit filloi me akuzen publike te Don Simon Jubanit, per daljen deshmitar mikut Priftit. Emri është publik me zë nga Dom Simoni. Inteligjenca e paangazhuar e akuzon se “Dimri i Madh”, glorifikoi Enver Hoxhën. Kësaj akuze i bashkangjitet dhe gazetari i talentuar Blendi Fevziu, i cili pyeti Kadarenë, nëse ish penduar për glorifikimin e Enverit, ndërsa ai iu përgjegj me gojën plot: “Jo nuk jam penduar. Përse të jem penduar?!” Kadare, tha e ç’nuk tha për korifejtë e letrave shqipe, Fishta, Konica, Koliqi etj. Me një zell të flakët partiak zografisi poezi për Stalinin, Enverin e Partinë e tij, duke e ngopur lexuesin me propagandë. Sipas njerëzve që komunikonte, thonë se i kish zët poetët e talentuar që dilnin jashtë formatit të letërsisë angazhuar, duke i “këshilluar” të mos shkruanin poezi hermetike se përfundonin në burg…

Dashuria ndaj vetes e bëri një narcit kokëfortë deri në fund

Përkrahja e Enverit dhe Ramizit, e bëri atë, pendën më të njohur të letërsisë komuniste në Shqipëri. Dritëro dhe pse ishte një talent shumë më i madh se Kadare, në poezi, nuk guxonte të matej me karrigen e tij në Parti. Ndërsa Dritëro (dhe pse ishte komunist) pinte verë e raki si Omer Khajam dhe qëndiste poezi (kritikohei për gotat që rrëkëllente), Kadare ecte përpara nga fitorja në fitore. Shumë kohë para se të bënte udhëtimin në qendër të tokës, u mundua të bëjë dhe rolin e Profetit, duke u bërë thirrje dardanasve, nëse donin Europën, duhet të konvertohen në origjinën e të parëve. Padashur harroi pesë milion muslimanë që jetojnë në Francë, tre milion turq në Gjermani etj…Mbase me qëllim të mirë, aksidentalisht lëndoi keq inteligjencën dardanase. Sipas mendimit tim, askush nuk ka të drejtë të hyjë në zgjedhjen e besimit sepse është personale. Nuk ka thirrje kolektive për ndërgjegjësim, por thirrje personale shpirtërore në besim. Nëse një kristian shkon tek Xhamia për tu bërë musliman, duhet hapur porta dhe pranuar si vëlla. Nëse një musliman paraqitet tek Kisha për konvertim, duhet bekuar si i tillë. Zoti i madh i besoi Abrahamit të jetë baba i tyre. Qoftëse besimtarët nuk e kuptojnë këtë, nuk është faji i babait Abraham, por i femijëve të tyre që nuk e kuptojnë qëllimin e Zotit. Në kapërcyell të ndryshimeve të mëdha, Kadare rrëshqiti rëndë, duke u prononcuar keq për ikjen biblike të shqiptarëve, “Iku jashqitja e kombit!”. Më vonë u bë vetë pjesë e “saj”. Në vitet e mëpasme, ai u mundua t’a shpjegonte këtë prononcimin banal, por u bë më qesharak. Në patosin e Kadaresë, hyri si bodygard kryedhelpra (monstër) e hetusisë diktaturës dhe kërkoi t’a mbronte Kadarenë, duke e nxjerrë “disidentin” më të madh shqiptar !! Çudi, Kadare disident ?! Dhe pse Partia tha , “Bar do hamë dhe marksizëm –leninizmin nuk e tradhëtojmë”, nuk do të thotë se inteligjenca shqiptare ha bar, qoftë dhe ata që padashur i shërbyen PP-së. Megjithëse, ka dhe prej atyre që hanë ferra dhe pështyjnë hunj duke u vetësakrifikuar në stilin mongol. Kjo, o tungjatëjeta, quhet besnikëri dhe sakrificë revolucionare…

Talenti i shkrimtarit dhe flip-flapet e tija politike

Njerëzit që kanë karakter të dobët nuk kanë integritet solid. Por kjo nuk presupozon se karakteri i dobët krijon impakt në krijimtari. Nganjëherë karakteri i njeriut nuk ka lidhje me gjeninë dhe pse jetojnë bashkë brenda një personi. Mund të jesh arktik në mendim dhe komunikim, i pashpirtë në veprim, narcist në jetë, por nuk pengon talentin në rrugëtimin e krijimit drejtë lavdisë. Përkundrazi! Si tokësor, ai nuk pati asnjë mik të ngushtë në jetën e vet, vetëm ai që ka deshirë të gënjejë. Çdo qënie që e rrethonte ishte personazh i letrave që bëhej më vonë gjallesë-komunikuese me lexuesin. Dialogonte me veten dhe manekinët që u vishte kostumet. Mundohej t’i qëndiste dhe kopsiste fjalët si rrobaqepës brilant, si modelist i sfiltatave të mëdha. Politikisht, notoi sa në det, liqen, lumë dhe kënetë. Ai nuk e kishte për asgjë të ngrinte në qiell dhe më pas të sillej sikur nuk të njihte fare. Po sjell një shembull: Ramiz Alia (Ish-Padroni), me të dalë nga burgu shkoi në Francë. Pasi u akomodua në një hotel, i bëri telefon Kadaresë për një kafe ku të qanin hallet e Shqipërisë… just like old times. Kadare iu përgjigj: “Nuk të njoh!” Dikur, Ramizi ishte udhëheqësi tij, bile informacioni bazë i “Dimrit të Madh” (për Rusinë), ia dha Ramizi, i cili ka qenë prezent në takimin e Moskës dhe nxjerrë jashtë nga Krushovi. Ai bëri të njëjtën gjë dhe me Sali Berishën. Me të ardhur në pushtet u bë me Berishën. Pasi ra nga pushteti, u bë me Edi Ramën. Ashtu si në Rambuje me Thaçin, Qosjen dhe Rugovën. Ngaqë Rugovën nuk e preferoi asnjëherë, bëri aleancë me Thaçin e Qosjen. Pas ca kohe grisi aleancën me dyshen e “pavlerë”, duke u lidhur me Albin Kurtin.

Flip-flapet e tija qenë të pafundme

Pendesa shpirtërore dhe një fakt i harruar

Në një intervistë, Agron Gjekmarkaj (realist) solli argument postulatin e perëndimit, “Gjithkush ka të drejtë të ndryshojë!” Postulat qe e kam përmendur dhjetëra herë. Ndër të tjera ai shtoi, -“Kadarenë e shoqërova tek varri i Fishtës”. Në panel ku merrte pjesë Gjekmarkaj, qenë dhe të tjerë… Më bëri përshtypje Fatos Lubonja, i cili ilustroi me fakte dhe profesionalisht ngjyrat e “Gjeneralit të Ushtrisë Vdekur”, “ Dimri Madh” dhe “Pashallarët e Kuq”. Për “Gjenaralin e Ushtrisë Vdekur” sjell një fakt të harruar që nuk është teori konspirative po e vërtetë. Përse Francezët e përkrahën këtë libër që u vlerësua nga “Le Mond” një nga 100 librat e shekullit. Francezët nuk kanë qenë asnjëherë miqësorë me ne, por me serbët ?! Sa për memorje, jo larg !! Ushtaraku francez që pretendon ndarjen e Mitrovicës, shkrojti librin, “Evropa vdiq në Prishtinë.” Dhe këtë libër, serbët e morën si dokument dhe kundërakuzë ndaj Dardanisë… Babai i Hogar që ishte Gjeneral në pension, e porositi të birin: “Nëse shkon atje (Kosovë), mos u bëj shumë i ashpër ndaj serbëve.” Pas Charlemagne dhe Bonopartit, francezët vuajtën lidershipin vizionar duke bërë gabime të vazhdueshme. Ata dështuan në Algjeri, Vietnam e gjetkë. Në Algjeri, kryen krime çnjerëzore duke vënë në dyshim civilizimin e tyre. Gillo Pontecorvo (Italiano-Izraelit) dhe Enio Moricone bënë një film “Beteja e Algjerit” (La Bataglia di Algeri). Film politik (neorealist) tronditi botën me pamjet e tmerrshme të torturave që ushtria franceze bëri ndaj popullit algjerian. Për francezët, filmi “The battle of Algiers ” ishte një akt-akuzë e rëndë që u bë ide fikse (obsesion- sidomos për ushtarakët ), nuk i zinte gjumi. Më vonë, ata u njohën me librin e Kadaresë (që ish botuar tri vite para se të dilte filmi), dhe e perdorën si një armë të fuqishme kundër italianëve. Tit for tat! Italianët u pajtuan me rezultatin një me një, pakt i pashkruar por varrosur thellë në ndërgjegjet e ferrosura të udhëkryqit. Në këto rrethana, francezet ndiheshin debitor ndaj Kadaresë, të cilët ia kthyen borxhin duke e ndihmuar njohjen e tij në arenën ndërkombëtare, dhe pas ca vitesh e kurorëzuan dhe anëtar të Akademisë. Sigurisht, Kadare nuk e kishte idenë çfarë do sillte libri i tij prapa sepse nuk qe Nostradamus. Ngjarjet e mëpasme treguan se krimet e bëra nga francezët në dëm të populit algjerian nuk ishin lojë filmash dhe debate shterpë, por një problem shumë serioz. Algjerianët nuk i kishin shlyer kurrë nga kujtesa torturat çnjerëzore, një ndër ato, djegia gjokseve me gaz dhe vënia e minjve për t’u ngrënë mishin e pjekur ndërsa ishin gjallë. Kjo torturë çnjerzore na sjell në mendje, Henry the VIII, kur dënoi guzhinierin e vet Richard Roose, që akuzohej se ish përpjekur të helmonte Bishopin e Rochester, John Fisher etj. Ai u ekzekutau duke dhënë shpirt në një kazan që vlonte uji. Popujt e fortë nuk i harrojnë kurrë tortura të tilla, sidomos të pushtuesve. Popujt e shtypur mund t’a pranojnë paqen pas luftës, por e ruajnë memorjen të pacënuar dhe jo si disa shqiptarë që pushtuesit i bëjnë aleat, biles i quajnë: vëllezër! Drama Algjeriane e detyroi Presidentin Makron, në emër të Francës t’i kërkojë ndjesë publike popullit algjerian, për viktimat e shkaktuara nga ushtarët francez gjatë kolonizimit. Në veçanti, kërkoi ndjesë për vrasjen e heroit të Algjerit, Ali Boumendjel ( njohur në film si Ali Pyka), në vitin 1957. Pra, në këtë kontekst, Kadare kish hyrë padashur në nje lojë të madhe që i solli shumë benefite…Deponimi i sinqertë i Gjekmarkajt, “E shoqërova Kadarenë tek varri i Fishtes”, na sjell një fakt kokëfortë të pëndesës dhe përulësisë shpirtërore të Kadaresë, ndaj viktimizimit të kolosit Fishta, anëtar nderi i pesë Akademive në botë, shqiptari i parë propozuar nga gjermanët për Çmimin Nobël. Pra, Fishta e meritonte një apologji të pranishme mbi varr, ngaqë Kadare ishte një ndër ata që për 47 vjet e vendosi figurën e Fishtës mbi një qerre primitive fyerjesh. Mendoj se apologjia e pranisë trupore në varrin e Fishtës, ishte një dëlirje dhe jo prononcim akut (ngutshëm si në rastin e pyetjes së Fevziut në rastin e Enverit). Nganjëherë, fjalët dalin nga “limbic System” ku rrëshqasin nga amigdala, dhe jo nga “Cerebral Cortex, prandaj në të shumtën e rasteve befasohemi nga përgjigje të pagjetura.

Mendimet pro dhe ndryshe

Thonë e ç’nuk thonë për talentin që udhëtoi në dy shekuj…Për gjeniun kontraversial flasin kundra dhe pro! Kundra flet klasa që ka vuajtur në kurriz krimin e diktaturës që lau me gjak galeritë, kënetat. Shumë prej tyre vdiqën ose qëndruan gjysmë shekulli nëpër kasollet e internimit, nën dhunën e apelit të derrave që lëpinin lugun e krimit. Kundra qe dhe inteligjenca e paangazhuar, e cila i gjykoi punimet e tija në kontekstin real dhe jo me ngjyrë. Pro kanë qenë ëndërrimtarët që kishin dëshirë të shihnin një dritë në fund të tunelit komunist, të diktaturës proletariatit për të thithur pak ajër lirie. Ata mendonin se Kadare lozte me PP, nëpërmjet metaforave dhe faqeve hermetike…Pro kanë qenë dhe njerëzit që ishin edukuar me brumin e ideologjisë së asaj kohe, të cilët nuk pranonin kurrsesi rekadon e klasë deklasuar me njeriun e ri .

Mendimi im për Kadarenë nuk ka ndryshuar asnjëherë. Ata që udhëheqin propagandën e vdekjes, janë violinë e parë e saj! Por , asnjëri nuk guxon të thotë se ai ishte i pavlerë dhe nuk bëri letërsi të angazhuar, biles shumë kualitative… Në shekullin e ri shohim një tjetër Kadare , që nuk qe në gjendje të bëjë një vepër serioze konkuruese për të shkëlqyer si Fatos Kongoli . Rexhep Qosja, thotë për Kadarenë, “Ai ishte një ideolog i PP-së. Koha e tij ka mbaruar.” Sigurisht, koha e tij ka mbaruar, ashtu siç mbaroi koha e gjithë mendimtarëve të ndritur që iluminuan universin të njeriut, që lanë prapa dritë dhe dije, përvojë dhe ide të skalitura në kohë e hapësirë. Prandaj ne nuk duhet të jemi nihilist! Kam qenë dhe jam armiku më i madh i nihilizmit! Nihilizmi është më i rrezikshëm se çdo lloj diktature…Nihilizmi nuk ka air, nuk ka konflikt, nuk ka emocion, nuk ka qëllim, nuk ka logjikë, nuk ka të ardhme, nuk ka jetë. Nihilizmi mbetet një hon i errët pa shpirt. Nihilizmi është fshirësja më e pamëshirshme e derrasës zezë përballë nxënësve në auditore…

Thonë se Kadare e bëri Shqipërinë të njohur në arenën ndërkombëtare… Kësaj i thonë logjikë fëmijësh. Shqipëtarët janë kombi më i vjetër i Europës, siç e pranoi më në fund dhe Makron! Ne jemi njohur me Aleksandrin e Madh, Pirro, Teuta, Papa Klementi, Skënderbeu, Marin Barleti, Mehmet Ali Pasha, Aleksandër Moisiu, Mbreti Faruk, Mbreti Zog, Gjergj Fishta, Stan Dragoti, Vëllezërit Belushi, Ibrahim Kodra, Enver Hoxha, Ibrahim Rugova, Danny de Vito, Roberto Deniro, Paul Walker, Bekin Fehmiu, Ferid Murati , (dhë të tjerë që dolen më vonë), duke kulmuar me St.Nënë Tereza, fituese e Çmimit Nobël në vitin 1979, shtatëmbëdhjet vite para se Kadare të pranohej në Akademinë Franceze, arritja më e madhe e jetës tij. Nëse injorantët e shkolluar kërkojnë t’a fillojnë historinë e Shqipërisë me Kadaren, o janë të çmendur, ose bëjnë shaka. Ndërsa unë, preferoj këtë të fundit.

Çmimi Nobël

Mendohet se ai e meritonte “Nobel Price”, dhe pakush i bën një analizë serioze veprës së tij, siç solla më lart thënjen e Harari. Megjithatë, “Çmimi Nobel”, nuk u është dhënë asnjëherë beniaminëve të diktaturave, ashtu siç na shpjegoi shkoqur në Shkodër, Asa Domeij, ish-deputete e parlamentit Suedez në vitin 1992 .

A i bëri nderë kombit shqiptar?

Larg gjykimeve pro dhe kundra. Çdo shqiptar që ka berë emër ndërkombëtar i shërben kombit shqiptar. Gjithashtu, figura e Kadaresë. Por, më tepër Kadare, i bëri nder vetes dhe partisë që militoi, duke i bërë partitë motra t’a ndjejnë krisjen e ballafaqimit donkishotesk në luftën me mullinjt e erës. Ndërsa politikanët e botës tretë shuajtën kuriozitetin në dritaren (Kadare) e piramidës hekurt të diktaurës komuniste shqiptare, duke shikuar “arritjet e saj.” Nëse dikush ka dëshire të na e sjellë Kadarenë si Melkizadek, gabon keq! Amerika dhe Europa e dinte faqen e zezë të Xherxhinskit dhe “nuseve” tija dhënë inteligjencës së re shqiptare dhe gjetkë…Tjerat janë përralla me mbret dhe magji shtrigash në interes të mediokërve, gazetave (brenda dhe jashtë vendit) që nuk kanë sensin real dhe që nuk kanë jetuar apo prekur asnjëherë ndershmërisht realitetin shqiptar!

Një mendim i Kierkegaard për gjenialitetin e njeriut

Kam lexuar me shumë vëmendje librin e Harold Bloom, me titull: “GENIUS – A MOSAIC OF ONE HUNDRED EXEMPLARY CREATIVE MINDS.” Ky libër fokusohet në gjenitë që ndryshuan njerëzimin, dhe nga struktura përmbajtësore ngjan më vëllimet e Plutarkut I dhe II. Ndërsa në kontekstin e këtij shkrimi…Në f.198, lexuesit mund të gjykojnë fjalët e filozofit Kierkegaard : “You get too much at last of everything; Of Sunsets , of cabbages of love.” Kierkegaard vazhdon më poshtë : “Geniuses are like a thunderstorm : they go against the wind, Terrify people, clear the air. And is succeeded. Yes, it is certainly did succeed; it succeeded making the next thunderstorm all the more serious.”

Post mortum:

Inteligjenca shqiptare akoma nuk është shkëputur prej traditës lindore…Ca thonë “Ishte një humbje e madhe për Shqipërinë”. Ca të tjerë, “I hëngërt shpirti riqna se i pat shërbyer boll Enverit!” Ndërsa askush nuk përulet me nderim para trupit të njeriut krijues, dhe t’ia fillojë fjalën si qytetar i botës së lirë “Jemi mbledhur për të celebruar jetën dhe veprën e X-Ypsilonit ”, ashtu siç bëjnë popujt e perëndimorë. Kadare pati një jetë të plotë dhe të bukur…Atëherë, përse duhet të bëhemi qesharakë me njëri-tjetrin duke e qarë me degërmia hakanjenash?!…Se kështu i bie të bëhemi, hipokrit me veten, debitor me historinë, dhe hileqar me Zotin.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT