• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2024

In memoriam: Ismail Kadare (1836 – 2024)

July 2, 2024 by s p

Të dashur miq, dashamirë, nderues dhe përkrahës së veprës së madhe të kolosit tonë kulturor, shpirtëror dhe letrar, tashmë të ndjerit Ismaul Kadare-s,

Sot me dhembje dhe pikëllim të madh në shpirt dhe në zemër mora lajmin për kalimin në amshim të mikut, shokut, vëllait, njerit dhe krijuesit të madh, Ismail Kadaresë. Këto ndjenja dhe përjetime i ndaj me të gjithë ju kudo në botë…

Njohuria, takimet, bisedimet dhe komunikimet e shumta që pata me Të, për mua ishin frymëzim dhe motivim për jetë, shërbim tim meshtarak Zotit, Popullit, çdo njeriut, duke kërkuar gjithnjë vetëm një gjë: të mirën tonë të përbashkët, gëzimin, harenë, lumturinë, mbi të gjitha Dashurinë, si shtyllë jete dhe veprimtarie.

Falënderoj Zotin për jetën, veprimtarinë, krijimtarinë e Tij të madhe, të thellë, shqiptare dhe gjithnjerëzore. Ai nëpërmjet botimeve dhe romaneve e ka “rishkruar” historin tonë të copëtuar dhe të dëmtuar, të lashtë dhe të stërvuajtur, martire, ilire, arbërore dhe shqpitare, duke na paraqitur me shumë dinjitet dhe personalitet në Evropë dhe në botë, duke na kthye në dinjitetin e dikurshëm…

Shpresoj dhe uroj që brezi ynë i ri, si dhe gjeneratat e ndryshme në botë, do të na njohin dhe çmojnë për atë çka ishim, jemi dhe duam – duhet të jemi, nëpërmjet krijuesin dhe kolosit tonë gjenial, Ismail Kadaresë.

Me mendje i kalova vitet e tëra të takimeve, afrimeve dhe bashkëpunimeve tona që nga vitet e 80 – ta, duke zbuluar “nektarin apo mjaltën”, thesare të çmuara dhe të paharruar te njohurisë, bashkëveprimeve dhe bashkëpunimeve tona.

Unë isha dhe jam i vogël për ta çmuar dhe vlerësuar anën krijuese dhe letrare, peshën e tij madhore në artin e shkrimeve, në paraqitjen e dinjitetshme në skenën botërore, por me shpirt dhe me zemër dau të them: të falënderoj që egzistove, jetove, krijove, shkrove, që ke lënë në trashëgimi thesare dhe gjevahire që ndiçojnë shtigjet, begatojnë mendjen, pasurojnë dhe kënaqin zemrën, hapin shtigje të reja kah ideali ynë i përbashkët: që të jemi vetvetja për t’ua mundësuar edhe tjerëve që të jenë vetvetja.

Tash pusho në paqe dhe shijoje amshimin e lumtur, veçanarisht me dy figura që i ke çmuar, përfaqëusuar dhe dashur shumë: Gjergj Kastriotin – Skënderbeun dhe Shën Nënën tonë Tereze, si dhe me shumë të tjerë që tashma janë në amshim.

Bashkëshortes Helenës, si dhe dy bijave, ngushëllime, me nderime, falënderime, urate, shpresë dhe dashuri!

Pushoftë në paqe në amshimin e lumtur!

Prishtinë, 1 korrik 2024 Don Lush GJERGJI

Vlerësimi i Ismail Kadaresë mbi Nënën Tereze

“Nënë Tereza dhe Gjergj Kastrioti, dy personazhet më të mëdhenj të kombit tonë dhe ndër dy më të mëdhenjtë e Evropës e të njerëzimit mbarë, sado të largët të jenë në kohë e sado të ndryshëm në trajtë, për ne, shqiptarët, kanë një gjë sublime që i bashkon…

Gjergj Kastrioti, simboli i vullnetit tonë për liri dhe për qytetërim europian, libri i Gjon Buzukut, mishërimi i etjes së shqiptarëve për kulturë dhe dritë, dhe Nënë Tereza, mesazhi ynë i madh i harmonisë, përdëllimit dhe dashurisë për popujt dhe njerëzimin mbarë, janë vlerat tona morale që do të na shoqërojnë përherë në rrugëtimin tonë të madh”.

“Nënë Tereza ka marrë në telefon Bill Clintonin dhe i ka thënë: Biri im, bëj diçka për shqiptarët e mi”, – ka thënë më parë, shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare.

“Duke ia thënë kjo Nënë e Kishës, Clintonit, ai çlirohet nga çdo skrupull moral, sepse atij po i thotë një njeri i shenjtë. Ajo theu ligjin e fesë për popullin e saj, theu rregullin e fesë për shqiptarët e saj. Me këtë, ajo i ka larë të gjitha.

E turpi ynë, i përbashkët është për sharjet ndaj Nënë Terezës”, – u shpreh Kadare, në vlerësimin e tij për Nënë Terezën.

Einsidel, 30.10.2005 Ismail Kadare

(Përgatiti: Don Lush GJERGJI)

Filed Under: Emigracion

Historike – 2 Korrik 1990: Deklarata Kushtetuese për Pavarësi të Kosovës. Fillim i së nesërmes…

July 2, 2024 by s p

-Në ditën e Deklaratës Kushtetuese për Pavarësi të Kosovës të 2 Korrikut 1990 gazeta tradicionale Rilindja doli me mbështetje të fuqishme, edhe me komentin “Reprizë nuk do të këtë” pasuar me redaksionalin “Fillim i së nesërmes”. Autor i të dy shkrimeve isha unë atëherë redaktori i Rilindjes – tash korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI. Isha me delegatët në mbledhjen historike të Kuvendit të Kosovës…/

-Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, para zgjedhjes President, si kryetar i LDK paralajmëronte dhe përshëndeste Deklaratën për Pavarësinë e Kosovës të 2 Korrikut 1990/

-Deklarata Kushtetuese për Pavarësi të Kosovës e 2 Korrikut 1990 edhe këtë 34-vjetor e pret në Arkivin Shtetëror të Kosovës, ku para pesë vitesh e dërgova me këtë shënim bashkangjitur në një letër shoqëruese të veçantë: “Kjo është Deklarata Kushtetuese e Kuvendit të Kosovës e 2 Korrikut 1990, ekzemplari origjinal që sapo u lexua e mora dhe e ruajë prej atëherë, kur edhe e kam cituar në redaksionalin që shkruajta për gazetën Rilindja me titull ‘Fillim i së nesërmes’ botuar në faqen e parë në numrin e 3 Korrikut 1990. Prishtinë, 30 Maj 2019 Behlul Jashari”.

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 1 Korrik 2024/ Kosova para 34 viteve shpallte pavarësinë në mbledhjen historike të Kuvendit të saj në 2 Korrik 1990.

“Duke u nisur nga vullneti i shprehur vendosmërisht anembanë Kosovës nga ana e shumicës së popullsisë së Kosovës…” Kështu fillonte Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990, e cila shpallte pavarësinë e Kosovës, që atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

“Kuvendi i Kosovës deri në nxjerrjen e Kushtetutës së re të Kosovës tash e tutje do të komunikojë publikisht me këtë emërtim, duke e emërtuar njëkohësisht bashkësinë shoqërore-politike organ i së cilës është, vetëm si Kosovë”, theksonte në fund në pikën e pestë Deklarata Kushtetuese.

“Me këtë deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike…”, theksohej në vendimin historik, që merrej në seancën para dyerve të mbyllura e snajperëve në rrethana të shtetrrethimit ushtarako-policor që kishte vendosur regjimi i Beogradit, pasi me “kushtetutën e tankeve” në Marsin 1989 kishte suprimuar autonominë që kishte Kosova element konstituiv i federatës me të drejtë vetoje me Kushtetutën e vitit 1974.

“Deklarata Kushtetuese është hapi i parë drejt pavarësisë së Kosovës, që u ndërtua me Lëvizjen paqësore për çlirim, ndërsa kulmoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për t’u realizuar e plotë në 17 Shkurt 2008”, shprehet nënkryetari në kohën e 2 Korrikut 1990 e pastaj edhe kryetari i Kuvendit, Ilaz Ramajli. Ai udhëheqte Kuvendin e Kosovës kur miratoi Kushtetutën dhe më të shpalli Kosovën Republikë në një mbledhje në Kaçanik në 7 Shtator 1990, edhe kur u mbajt Referendumi për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur nga 26 deri 30 Shtator 1991, në të cilin pro votuan 99,87% në pjesëmarrjen masive të 87,01% të qytetarëve me të drejtë vote.

Skenari i delegatëve të Kuvendit të Kosovës për aktin historik të 2 Korrikut të para 34 viteve ishte: Seancën do ta udhëheqë Bujar Gjurgjealo nga Prizreni, Deklaratën do ta lexojë Muharrem Shabani nga Vushtrria…dhe nëse ata do arrestoheshinin, ishin caktuar edhe zëvendësit e tyre…

Delegati që e lexoi Deklaratën Kushtetuese të Pavarësisë së Kosovës, Muharrem Shabani, kujton:

“Ishte marrë qëndrimi që unë ta lexoj Deklaratën. Më thanë kolegët delegatë të ulem afër një shtylle te hyrja e poshtme e ndërtesës së Kuvendit, që të mos më rrokte ndonjë plumb, sepse snajperistët shiheshin mbi ndërtesën Bankës së Kosovës, që tash është kjo ku jemi e Qeverisë së Republikës së Kosovës…Snajperistë kishte edhe në ndërtesa tjera përreth. Por, kishim vendosur që me çdo kusht ta shpallnim Deklaratën Kushtetuese, dhe qëndruam pa u ulur. Lexuam, miratuam dhe nënshkruam Deklaratën. Rreth nesh ishin edhe qytetarët, kishim përkrahjen e madhe të popullit…”

Në prag të ditës së Deklaratës Kushtetuese për pavarësi të Kosovës të 2 Korrikut 1990, të dielën e 1 Korrikut, në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja isha redaktori kujdestar për ngjarjet e ditës.

Në atë ditë të 1 Korrikut 1990 pjesë e sulmeve të Serbisë kundër Kosovës e shqiptarëve ishte edhe një “referendum për Kushtetutën e re serbe” të kundërshtuar nga shqiptarët, si dhe shpallja e “shtyerjes” së mbledhjes së Kuvendit të Kosovës të paralajmërur për 2 Korrik, e për të cilën përfaqësuesit e popullit-delegatët shqiptarë shumicë e delegatë të komuniteteve pakicë kishin bërë të gjitha përgatitjet për Deklaratën Kushtetuese…

“Shtyrja” shpallej si vazhdimësi e bllokimeve e ndërprerjeve të punimeve të Kuvendit të Kosovës…“Reprizë nuk do të ketë”, me këtë titull shkruajta komentin në mbështetje të delegatëve që të mbahet gjithësesi mbledhja e Kuvendit me axhendë vullnetin e kërkesat e popullit – Deklaratën Kushtetuese për pavarësi të Kosovës.

Në koment mes tjerash shkruaja:

“Kurdo që të mbahet kjo mbledhje, një gjë është e sigurt: Kuvendi i Kosovës është i popullit dhe në të mund të vendoset vetëm sipas vullnetit e kërkesave të popullit. Asnjë shtyerje nuk mund të ndalë realizimin e këtyre kërkesave e këtij vullneti gjithpopullor, të shprehur me urti e vendosmëri, në qetësi paqësore e në frymim të thellë demokratik në çdo mjedis në Kosovë.

Kjo është garanci se reprizim të skenarit të vjetmë të dramës tragjike e të humbjes së autonomisë në Kosovë nuk do të ketë as sot, as nesër, as kurrë më. Populli dhe përfaqësuesit e tij legjitimë – delegatët janë të vendosur që vetëm me urti e demokraci të realizojnë të drejtat dhe interest e veta jetike të patjetërsueshme.”

Komenti u botua në numrin e 2 Korrikut 1990 të gazetës Rilindja, e cila që nga faqja e parë kishte raportime e shkrime me tiujt “Kosova duhet të ruajë subjektivitetin e vet në federatë”, “Populli vendosë në Kuvendin e vet”, “Kosova e re – sipas vullnetit të popullit”…

Në gazetën historike Rilindja raportohej se “vazhdojnë tubimet legale dhe protestat e shqiptarëve në Kosovë” dhe se “kërkesë unanime” ishte që mbledhja e Kuvendit të Kosovës “të mbahet sot dhe të ketë në rend dite kërkesat gjithëpopullore”. Poashtu raportohej se në Gjakovë përfundoi Kongresi i parë i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, i cili përkrahu delegatët e Kuvendit të Kosovës edhe për iniciativën për shpalljen e Kushtetutës së re të Kosovës, e cila Kushtetutë e Repoublikës së Kosovës e miratuar në 7 Shtator 1990 pasonte Deklaratën Kushtetues të 2 Korrikut të po atij viti.

Deklarata Kushtetuese, bashkë me aktet e tjera madhore që e pasuan, Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit të po atij viti e Referendumin për Pavarësi të ditëve të fundshtatorit 1991, shënonte kthesën historike drejt së nesërmes – të sotmes së Kosovës së lirë tashmë 25 vjet nga Qershori 1999, Kosovës shtet 16 vjet – Pavarësisë së shpallur në 17 Shkurt 2008, të njohur deri tani nga 117 shtete të botës, anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Delegatët kosovarë të 2 Korrikut 1990 kujtojnë e vlerësojnë mbështetjen e fuqishme që u dhanë në atë kohë gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, me të cilën në duar u panë edhe në seancën ku e votuan e nënshkruan Deklaratën Kushtetuese për Pavarësi të Kosovës, si dhe Radio Televizioni i Prishtinës.

“Fillim i së nesërmes” ishte titulli i redaksionalit tjetër që kam shkruar në 2 Korrik 1990, duke qenë me delegatët në ngjarjen historike, të botuar të nesërmen në ballinën e gazetës tradicionale të vetme shqipe kosovare në atë kohë Rilindja, ku theksoja se, “Deklarata Kushtetuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës është deklarim i popullit për barazi e subjektivitet të plotë të Kosovës e të shqiptarëve… është fitore e akt historik i shprehjes së vullnetit gjithëpopullor demokratik, është fillimi i fundit të pabarazisë e padrejtësive…Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota…”

Deklarata Kushtetuese për Pavarësi të Kosovës e 2 Korrikut 1990 edhe këtë 34-vjetor e pret në Arkivin Shtetëror të Kosovës, ku para pesë vitesh e dërgova me këtë shënim bashkangjitur në një letër shoqëruese të veçantë:

“Kjo është Deklarata Kushtetuese e Kuvendit të Kosovës e 2 Korrikut 1990, ekzemplari origjinal që sapo u lexua e mora dhe e ruajë prej atëherë, kur edhe e kam cituar në redaksionalin që shkruajta për gazetën Rilindja me titull ‘Fillim i së nesërmes’ botuar në faqen e parë në numrin e 3 Korrikut 1990. Prishtinë, 30 Maj 2019 Behlul Jashari”.

Dërgimin e shumëmirëpritur të origjinalit të Deklaratës Kushtetuese në Pallatin e dokumenteve historike e kisha paralajmëruar në takime e komunikime me atëherë Kryeshefin Ekzekutiv të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Ramë Manaj dhe Drejtorët Hamit Shala e Ruzhdi Panxha, si dhe me Kryeinspektoren Dijana Dushullovci Haziri, e cila e mori në dorëzim.

Ku ta dërgoja ekzemplarin e Deklaratës Kushtetuese që ishte në duart e delegatit Maharrem Shabani që e lexoi në Kuvendin e Kosovës në 2 Korrik 1990 kemi biseduar me të dhe me udhëheqësin e Kuvendit në atë kohë, Ilaz Ramajlin…

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990, ekzemplari origjinal, për herë të parë është ekspozuar në një ekspozitë të Arkivit Shtetëror të Kosovës në 2 Korrik 2019. Deklarata Kushtetuese për Kosovën e pavarur e 2 Korrikut të vitit 1990, e cila më është dhënë në Kuvendin historik, ishte e shkruar me makinë shkrimi vetëm në një faqe, në një letër, fotografinë e së cilës për botim për herë të parë e kam dërguar në Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare si korrespondent nga Kosova që nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste në rrethana të rënda okupimi, në të cilat President i parë i Kosovës u zgjodh Dr. Ibrahim Rugova.

DR. IBRAHIM RUGOVA PARALAJMËRONTE DHE PËRSHËNDESTE DEKLARATËN PËR PAVARËSINË E KOSOVËS TË 2 KORRIKUT 1990

Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, para zgjedhjes President, si kryetar i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në një intervistë të botuar në 15 Prill 1990 në revistën “Fjala” në Prishtinë, duke komentuar debatet që zhvillohen në atë kohë thotë: “Ne si LDK pak më vonë do të dalim me një deklaratë kushtetuese që do të inkuadrohemi në këto debate për Kushtetutën e re”, duke paralajmëruar në këtë mënyrë Deklaratën e njohur Kushtetuese apo të Pavarësisë, siç do të quhet më vonë, të 2 Korrikut 1990, të Kuvendit të Kosovës.

Pak më vonë Presidenti historik Rugova do të deklarojë se, “pa shqiptarët si subjekt i barabartë politik nuk mund të ekzistojë as federata dhe as konfederata jugosllave” (“Hrvatski rubikon”, Qershor, Zagreb-Kroaci).

Në 2 Korrik 1990 në Prishtinë deputetët e Kuvendit të Kosovës shpallin Deklaratën Kushtetuese. Rugova si kryetar i LDK-së, e cila tashmë tubonte rreth 700 mijë anëtarë, përshëndet dhe mbështet i pari këtë Deklaratë, duke e quajtur një dokument historik dhe Deklaratë për Pavarësinë.

ARKIV – 2 KORRIK 2018: RAMAJLI E HARADINAJ PËRGJIGJEN NË PYETJET E KORRESPONDENTIT TË GAZETËS DIELLI

Në 2 Korrik 2018 Kryetari i Kuvendit të Kosovës në kohën e viteve të 90-ta të zhvillimeve historike, Ilaz Ramajli, dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit, në konferencën për shtyp u janë përgjigjur pyetjeve të korrespondenit në Kosovë të Gazetës DIELLI.

PYETJA: Po prezantohem pak më ndryshe se tjera herë, si gazetari që kam qenë bashkë me delegatët në atë kohë para Kuvendit.

Prandaj, një pyetje kam për zotin Ramajli: Nuk ishte vetëm 2 Korriku, ishte edhe Kushtetuta e Kaçanikut e 7 Shtatorit po në 1990, pastaj Referendumi ku thuaja qind për qind e atyre që morën pjesë në votim votuan për Shtet Sovran e të Pavarur të Kosovës në atë kohë. Si i vlerësoni nga kjo distancë 28 vitesh ato tre ngjarje të mëdha historike?

Ndërsa për Kryeministrin e kam pyetjen: Cili është statusi i delegatëve të 2 Korrikut e 7 Shtatorit 1990 sot në shtetin e Kosovës?

PËRGJIGJIET:

Kryeministri Haradinaj: Faleminderit. Së pari Kryetari Ramajli.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës në vitin 1990, Ilaz Ramajli: Behluli ëahtë gjithmonë i interesuar për 2 Korrikun e 7 Shtatorin, duke pasur parasysh që ka marrë pjesë në Mbledhjen e 2 Korrikut dhe është gazetari që e ka ruajtur tekstin origjinal të Deklaratës Kushtetuese.

Dhe, t’iu them, këto tre akte, sot ashtu i përmendëm, përbëjnë bazën kushtetuese-juridike të rregullimit të shtetit të ri – Republikës së Kosovës.

Unë po shfrytëzoj rastin të përmendi që kemi mund t’i kryejme këto tre akte duke iu falënderuar një uniteti apsolut të faktorëve shqiptarë në Kosovë,

të cilët pa asnjë hezitim dhe pa asnjë ekuivok e kanë përkrah punën e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Edhe me përkrahjen unanime të popullit ne i kemi kryer krejt këto punë.

Unë këte e potencova për shkak se besoj që Kosova në këtë kohë është në një situatë shumë delikate, siç na njoftoi Kryeministri janë në përgatitje edhe zhvillimi i diskutimitmeve për përmbylljen e raporteve, kontratës përfundimtare me Serbinë dhe disa çështje tjera.

Unë besoj duke u mbështetë në përvojën e viteve 90-ta edhe sot është i nevojshëm një unifikim apsolut i faktorit politik në Kosovë, edhe faktorit të institucioneve, ta quaj ashtu, për ta arritë qëllimin përfundimtar.

Kryeministri Ramush Haradinaj: Faleminderit Kryetar.

Sa i përket Statusit ka një iniciativë ligjore, ajo ndodhet tani në Parlament, është në fazën e një propozimi, pra koncept-dokumenti.

Mund të ndodhë që do të procedohet më tutje në seancë plenare si Ligj për statusin e delegatëve-deputetëve të vitit 1990.

Nëse kalon nga Parlamenti ne do ta përkrahim si Qeveri, ka një kosto që është modeste, kosto modeste vjetore.

Nëse jo, atëherë mund ta hartojmë ne një ligj, koncept-dokument për Statusin e delegatëve të atëhershëm edhe t’ia kalojmë Parlamentit.

Por, mendoj që është me rëndësi që kjo të ndodhë.

Qeveria e Kosovës, në këtë rast Qeveria që udhëheqi, në vitin që shkoi ka ndërmarrë një veprim të njëherëshëm, po ato nuk janë zgjidhje – këto të njëhershmet, ka qenë një urgjencë ashtu që me e mbulu, ta quajë ashtu, një vakuum të madh kohor pa përkujdesje.

Po shpresoj që do të kalojmë në ligj dhe nuk është ndonjë ngarkesë, po e përsëris është një ngakesë krejt modeste financiare për Kosovën, është më shumë një nderë që ju bëhet kësaj kategorie, që është shumë me rëndësi nderimi i atyre që në momentet kyçe kanë kryer detyrat e tyre në shërbim të vendit. Ju faleminderit!

Filed Under: Komente

ISMAIL KADARE RREZE DRITE NË DITËT E ERRËTA TË REGJIMEVE DIKTATORIALE

July 2, 2024 by s p

Zëri universal kundër totalitarizmit, Shekspiri i kohës moderne, Markezi i Evropës, misionari që nuk rreshti së kërkuari shtigjet që e lidhin botën e miteve dhe të legjendave me qytetërimin modern

“Si çdo shkrimtar i madh, Eskili ishte i ndërgjegjshëm se, në krahasim me një zyrtar – të mesëm apo të lartë – që përfaqësonte shtetin, ai ishte një princ, dhe jo vetëm i artit, por i gjithë kombit të vet. Si i tillë, ai qëndronte më lartë se çdo burrë shteti dhe se fati i Greqisë i rëndonte atij mbi supe më shumë se ç’i rëndonte ndoshta krejt mekanizmit të shtetit grek.”

Ismail Kadare

ISMAIL KADARE (1936- ) – Shkrimtar gjenial, i njohur në përmasa botërore, i përkthyer në 45 gjuhë të botës. Lindi në Gjirokastër. Studioi gjuhën dhe letërsinë në Universitetin e Tiranës. Para vitit 1960 studio letërsinë edhe në Institutin Gorki në Moskë. I martuar me shkrimtaren Elena Kadare (1943- ), e para grua në Shqipëri që botoi një roman të plotë – “Një lindje e vështirë”, Tiranë, 1970. Kanë dy vajza – Gresën dhe Besianën. Në fund të vitit 1990, bashkë me familjen u largua nga Shqipëria dhe u vendos në Paris. Lidhjet me atdheun nuk i ndërpreu kurrë. Është një ndër shkrimtarët dhe intelektualët më të shquar evropianë të shekullit XX.

* * *

Kadareja nuk ka qenë as shkrimtar oborri, as eksponent i regjimit dhe as konformist. Përkundrazi, ai ka qenë disident i heshtur. Kudo në veprat e tij, regjimin diktatorial e sulmon në formën e alegorive. Vepra e tij duhet të vlerësohet nga një pikëpamje tërësisht letrare, pra me kritere estetike. Fuqia e realizmit socialist ishe e pamjaftueshme përpara një talenti, siç ishte Kadare. Kadare krijoi një vepër me karakter universal, por që rrënjët i ka thellë në tokën shqiptare. Veprat e tij janë pasqyrim i peripecive të jetës politike shqiptare. Ai është zëri universal kundër totalitarizmit.

Për krijimtarinë e vet letrare Kadareja është shpërblyer me çmime letrare ndërkombëtare prestigjioze dhe me dekorime, në shumë vende të botës: në Francë, në Britani të Madhe, në Spanjë, në Itali, në Austri, në Izrael, në ShBA etj. Është vlerësuar lart dhe është dekoruar edhe në Kosovë.

Çmimet dhe titujt më prestigjioz me të cilët është dekoruar Kadareja:

– Prix Mondial Cino Del Duca, Francë 1992;

– Në vitin 1996 Kadareja u shpall anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës;

– Presidenti i Shqipërisë e dekoroi me Urdhrin “Nderi i Kombit”;

– Çmimi Bokacio, Itali 1997;

– Herder Prize, Austri 1998;

– Ovid Prize, Rumani 2003;

– Man Brooker International Prize, Britani e Madhe, 2005; kandidatë për këtë çmim ishin edhe nobelisti gjerman Gynter Gras (Gunter Wilhelm Grass, 1827-2015), nobelisti kolumbian, i famshmi Gabriel Garsia Markez (Marquez, 1927-2014), nobelisti japonez Kenzaburo Oe (1935-) i lauruar me Çmimin Nobel më 1994.

– Çmimi Princ of Asturias Awards për artet, Spanjë 2009; ishin 31 kandidatë nga 25 vende të botës;

– Çmimi Lerici Pea, Itali 2010;

— Çmimi i Jerusalemit që në qarqet letrare botërore njihet si pararendës i Nobelit për letërsi, Izrael, 2015;

– Në vitin 2017 u nderua me titullin prestigjioz Komandant i Legjionit të Nderit, titull ky që e rendit Kadarenë në mesin e 250 personaliteteve më të shquara të botës;

– Çmimi “Nomino” në qytetin Udino të Italisë, 2018;

– Çmimi ndërkombëtar për letërsi Neustadt, i njohur si Nobeli amerikan, Oklahoma, ShBA, 16 tetor 2019;

– Më 31.12.2019 Presidenti i Francës Emanyel Makron ia jep titullin Oficer i Madh i Legjionit të Nderit;

– Çmimi Pak Kyongui, Korea e Jugut, 2019 (në mesin e 350 anëtarëve); etj.

* * *

Veprat – Ka shkruar poezi, tregime, ese dhe romane. Ka shkruar edhe sprova, studime letrare, kritika, përshtypje udhëtimesh. Është edhe autor përkthimesh. Më 1961, bashkë me Dritëro Agollin (1931-2017) dhe me Fatos Arapin (1930- ) solli risi në poezinë shqipe: F. Arapi me përmbledhjen Shtigje poetike, Tiranë 1962, D. Agolli me përmbledhjen poetike Hapat e mia në asfalt, Tiranë 1961 dhe Kadareja me përmbledhjen Shekulli im, Tiranë 1961. Që të tre, realizuan qëllime estetike, të ndryshme prej poetëve paraardhës.

Vëllimet poetike të Kadaresë: Frymëzime djaloshare (1954), Ëndërrime (1957), Ëndërr industriale (1960), Shekulli im (1961), poemat epiko-lirike Poemë e blinduar (1962), Përse mendohen këto male (1964), Shqiponjat fluturojnë lart (1966), Shqipëria dhe tri Romat; vëllimet Motive me diell (1968), Koha (1976). Në një përmbledhje me titull Pa formë është qielli janë përfshirë 100 poezitë dhe poemat e Kadaresë.

Në pjesën më të madhe të poezive të tij, përdori vargun e lirë. Në poezinë intime, poeti flet me të dashurën që është larg tij.

Në poezinë e Kadaresë mbizotëron miti i së kaluarës. Poeti evokon lavdinë e dikurshme. Poezia e tij është thuajse përherë optimiste, sidomos tema e qëndresës shumëshekullore të popullit shqiptar në rrugën e tij të gjatë. Poezia e tij hyjnizon historinë kombëtare, qëndresën epike të shqiptarëve, tokën e të parëve, gjuhën shqipe. Himnizon qëndresën në motin e madh – në epokën e Gjergj Kastriotit. Himnizon periudhën e humanizmit evropian. Në poezinë Balada e zhvarrimit flet për fatin e shqiptarëve pas vdekjes së Gjergj Kastriotit.

Shqiptarët, popull vazhdimisht në rrudhje.

PROZA

Romani Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Tiranë 1963 flet për një gjeneral të një vendi të huaj, të shoqëruar nga prifti, i cili vjen në Shqipëri, në fushëbetejat e saj, për t’i mbledhur eshtrat e ushtarëve të vrarë. Këta ushtarë kishin ardhur në Shqipëri për ta pushtuar atë dhe për ta nënshtruar, por aty kishin gjetur vdekjen.

Më1965, në revistën Nëntori u botua romani i shkurtër Përbindëshi. Vepra ra viktimë e censurës staliniste. Libri u ribotua pas një çerek shekulli në Prizren 1990 dhe Tiranë 1991. Përbindëshi në fjalë nuk ishte veçse kali i Trojës para portave të Ilionit, por këtu – përbindësh në përthyerjen e kohës. Për kritikën zyrtare, romani mund të kishte aludime politike.

Vitet 1966-1969 janë vite të “Revolucionit Kulturor”. Vepra Lëkura e daulles (1967) u botua në revistën “Nëntori”, për të dalë si libër më vete me titullin Dasma. Romani Dasma, Tiranë 1968, me vlera artistike të kufizuara, trajton temën e emancipimit të femrës.

Në vitet ‘70, Kadareja i kthehet prozës historike.

Romani Kështjella, Tiranë 1970 është vepër e qëndresës historike të shqiptarëve, përmendore e heroizmit kombëtar. Kadareja i kthen sytë nga mesjeta shqiptare. Kemi rrethimin e një kështjelle shqiptare nga një ushtri turke prej 70.000 vetash. Ngjarja zhvillohet në shek. XV, në epokën e Gjergj Kastriotit. Autori pasqyron rrethimin nga turqit të një kështjelle mesjetare shqiptare, që simbolizon Shqipërinë në fushatat e Perandorisë Osmane për ta nënshtruar atë. Shqipëria shihet me sytë e një të huaji – pashait turk. Vepra drejtohet kundër pushtuesve të huaj. Kemi qëndresën e arbërve të shekullit XV. Kështjella simbolizon qëndresën, rrethimin ose ngujimin (izolimin). Ky roman të kujton romanin Il deserto dei Tatari, Milano 1940 (Shkretëtira e tatarëve) të romancierit, tregimtarit dhe dramaturgut italian Dino Buxati (Dino Buzzati, mbiemri paraprak Buzzati-Traverso, 1906-1972).

Më 1967 doli vepra Qyteti jugut. Më vonë, Qyteti i jugut shërbeu si bazë për lindjen e romanit Kronikë në gur, Tiranë 1971 me 18 kapituj dhe një epilog. Në të flitet për Gjirokastrën gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Më 1975 u botua në Tiranë romani Nëntori i një kryeqyteti. Këtu bëhet fjalë për luftën e partizanëve kundër pushtimit gjerman në Tiranë më 1944.

Romani Dimri i vetmisë së madhe, Tiranë 1973, flet për prishjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik. Është vepër me përmasa historike e politike. Është një analizë psikologjike e gjendjes së shoqërisë gjatë periudhës totalitare. Pas një rishikimi të autorit, në vitin 1977 doli në Tiranë me titullin Dimri i madh.

Dimri i vetmisë së madhe duhej të ishte libri i dytë i triptikut “Koha e grindjes”, një sagë bashkëkohore mbi tre acarimet e Shqipërisë: me Jugosllavinë, më pas me Bashkimin Sovjetik, e së fundmi me maoizmin kinez. Libri i parë, grindja me jugosllavët, nuk u shkrua kurrë. Pjesa përmbyllëse e diptikut Koha e grindjes, d.m.th. libri i tretë Koncert në fund të dimrit, i shkruar në vitet 1980-1981, ia doli ta shohë dritën e botimit vetëm pas shtatë vitesh. Kritika zyrtare e cilësoi romanin si vepër antisocialiste që satirizonte komunizmin shqiptar dhe atë botëror. Romani u botua më 1988, pak para rënies së komunizmit.

Romani i parë Qyteti pa reklama është shkruar në Moskë, në vjeshtë të vitit 1959, kur autori ishte 23 vjeç.

Romani Muzgu i perëndive të stepës (1978) është vepër bashkëkohore me elemente autobiografike, si Kronikë në gur. Autori flet për jetën studentore të vet si student në Institutin Gorki të Letërsisë Botërore në Moskë, pak pas prishjes së raporteve ndërmjet Tiranës dhe Moskës. Kemi një histori dashurie të Kadaresë me një vajzë ruse. Kemi dhe një kapitull për shkrimtarin disident Boris Pasternak (1890-1960), autor i romanit Doktor Zhivago (1958). Në vitin 1958, në Perëndim iu dha Pasternkut çmimi “Nobel”, por pas një fushate të egër që u ndërmor kundër tij në BRSS, ai refuzoi ta pranonte.

Romani Daullet e shiut denoncon izolimin e zgjedhur vullnetarisht. Ka qenë titulli fillestar i romanit Rrethimi. Për herë të parë është botuar në vitin 1970.

Në romanin Ura me tri harqe, Tiranë 1978 autori u kthehet fillesave mitike të historisë së Shqipërisë. I jep jetë një legjende shqiptare dhe ballkanike – murimit. Legjenda e murimit të një qenieje njerëzore në themelet e një ure apo të një kështjelle është e përhapur në letërsinë gojore shqiptare. P. sh. legjenda e kështjellës së Rozafës. Autori na jep një Shqipëri me princa, kontë, dukë, ipeshkvinj, udhëtarë të ditur, prelatë të shkolluar. Balada shqiptare është e vetmja në Ballkan që bën fjalë për murimin në kështjellë.

Novela Komisioni i festës (1977 )është një tjetër histori ballkanike. Jemi në Shqipërinë e shekullit XIX, të mbërthyer në darët e Perandorisë Osmane. Më 1830 Mehmed Reshid pasha vjen në Manastir për të shpallur një amnisti për fiset kryengritëse. Gjatë kremtimit të këtij akti, trupat e tij masakruan 500 krerë me familjet e tyre, duke zhdukur kësisoj të gjithë krerët e Shqipërisë së jugut.

Romanet Muzgu i perëndive të stepës dhe Kamarja e turpit, si dhe novela Komisioni i festës janë shkruar në vitet 1972-1976.

Romani Pashallëqet e mëdha (1978) flet për pashallëkun e Ali pashë Tepelenës (1741-1822), Luanit të Janinës. Ky e krijoi shtetin e tij autonom në Shqipërinë e jugut dhe mbajti marrëdhënie diplomatike me Napoleonin dhe Perëndimin. Kryengritja e tij u shua nga Porta e Lartë. Në janar 1822, Ali pasha u kap dhe u ekzekutua duke ia prerë edhe kokën në një ishull në liqenin e Janinës ku ishte ngujuar. Kokën e çoi në Stamboll korrieri i mbretëror Tunxh Hatai për t’u ekspozuar për publikun në kamaren e turpit. Në disa botime në gjuhë të huaja, romani mban titullin Kamarja e turpit.

Shumë tregime dhe romane të shkurtra të Kadaresë janë botuar në tri përmbledhje: Emblema e dikurshme, Tiranë 1977, Gjakftohtësia, Tiranë 1980 dhe Koha e shkrimeve, Tiranë 1986. Dy vëllimet e fundit qenë thellësisht jokonformiste.

Breznia e Hankonatëve (1977) është roman i shkurtër me 78 episode. Autori vë në dukje zellin, paragjykimet, konfliktet dhe rivalitetet e vogla, arritjet dhe dështimet e kësaj familjeje, duke e ndjekur nga brezi në brez gjatë një periudhe prej dy shekujsh. Është një rrëfim i gjatë, saga e një familjeje të vjetër të Gjirokastrës, shkruar në formë kronike, traditë kjo në kulturën shqiptare që nis me “Rrethimin e Shkodrës” të historianit Marin Barleti (rreth 1450-1512) të shkruar në gjuhën latine.

Në romanin Kush e solli Doruntinën? (1979) autori zhytet në të kaluarën legjendare të Shqipërisë, në një legjendë. Para nesh kemi historinë e Kostandinit dhe të së motrës Doruntinës. Një grua plakë ka nëntë djem e një vajzë. Tetë nga djemtë i kanë vdekur. Nëna nguron ta martojë larg të bijën. Kostandini ndërkaq ia jep fjalën se do t’ia sjellë të bijën sa herë të dëshirojë e ëma. Kostandini vdes. Nëna digjet nga malli për të bijën. Mallkon të birin e vdekur që nuk e mbajti fjalën, besën. Ndonëse i vdekur, për ta mbajtur fjalën, besën, Kostandini çohet nga varri dhe niset në Boheminë e largët për te motra. Në një natë tetori të mjegullt, Doruntina mbërrin tek e ëma. Por ajo tanimë ishte në agoni. Papritmas, Zonja mëmë dhe e bija Doruntina, vdesin. Kostandini rikthehet për ta trazuar shpirtin e të gjallëve. Kush vërtet ishte personi që e solli Doruntinën?! Me çështjen merret kapiten Stresi, nëpunës i ulët në Shqipërinë mesjetare. Kjo të kujton romanin e teoricienit, kritikut dhe romancierit italian Umberto Eko (1932-2016) Il nome della rosa (Emri i trëndafilit, 1980).

Romani Prilli i thyer (1978) u botua në vëllimin Gjakftohtësia. Ka ngjashmëri me Kush e solli Doruntinën? Subjekti fillon me një vrasje. Ngjarja zhvillohet në vitet 1930. Gjorg Berisha ka kryer atë që ka kërkuar babai i tij – të vërë nderin në vend duke vrarë vrasësin e të vëllait nga fisi i Kryeqyqes. Kemi të bëjmë me gjakmarrjen të parashikuar me të drejtën zakonore shqiptare – Kanunin e Lekë Dukagjinit. Gjakmarrja kishte fshirë nga faqja e dheut familje të tëra. Gjorgu ndoqi kanunin, duke u bërë edhe vetë viktimë e radhës. E vranë në lule të moshës, në mes të prillit, në muajin e pranverës, muaj i jetës. Prilli i thyer është ekranizuar tri herë në versione kinematografike të ndryshme. I fundmi, i titulluar “Përtej diellit”, është realizuar nën regjinë e regjisorit brazilian Uolltër Sales (Walter Moreira Salles Jr., 1956- ).

* * *

Shënim: Kodifikimin monumental dhe botimin e së drejtës zakonore shqiptare, Kanuni i Lekë Dukagjinit, e bëri studiuesi i kulturës shqiptare, i cili la gjurmë në fushën e arkeologjisë, Shtjefën Konstatin Gjeçov-Kryeziu (1874-1929). Gjeçovi ishte i pari folklorist shqiptar që mblodhi letërsinë gojore në një mënyrë më sistematike dhe më shkencore. Në vendbanime të caktuara të Shqipërisë së veriut, përfshirë Laçin rrëzë malësisë së Kurbinit, Gomsiqen në lindje të Shkodrës, Thethin, në cepin verior dhe Rubikun në rrethin e Mirditës – mes fisesh malësore – Gjeçovi mblodhi material për letërsinë gojore, kanunin fisnor, lëndë arkeologjike, si dhe objekte të kulturës popullore. Kanuni i Lekë Dukagjinit u botua në Shkodër, në vitin 1933, d.m.th. pas vdekjes së Gjeçovit.

* * *

Romani Nëpunësi i pallatit të ëndrrave, Tiranë 1981 është botuar edhe si Pallati i ëndrrave. Është konsideruar si kryevepër e Kadaresë. Këtu e kemi botën e Franc Kafkës (1883-1924) dhe të romanit “1984” të Xhorxh Oruellit (George Orwell, 1903-1950). Personazh i romanit është Mark Alemi. Ky caktohet me punë në Tabir Saraj që ndodhet në Stamboll. Kjo zyrë shtetërore e Perandorisë Osmane merret me studimin e ëndrrave. Detyrë e Mark Alemit është të interpretojë ëndrrat për t’u dhënë mundësi autoriteteve osmane të mbysin që në embrion çdo rebelim kundër Perandorisë. Nëpërmjet kësaj vepre autori demaskon edhe regjimet totalitare.

Romani Krushqit janë të ngrirë u botua më 1986 në Koha e shkrimeve. Flet për ngjarjet dhe kryengritjen shqiptare në Kosovë në mars dhe prill të vitit 1981. Kërkesa e shqiptarëve për statusin e republikës brenda Federatës jugosllave u ndesh me vendosjen e shtetrrethimit nga Beogradi. Sipas legjendës, ora e mitologjisë shqiptare i ngrin krushqit para se të arrijnë, në mënyrë që të parandalohet ajo që nuk duhet të ndodhë. Janë dy ditë nga jeta e Teuta Shkrelit, kirurge në një spital të Prishtinës gjatë ngjarjeve të përgjakshme të sipërthëna. Serbët ëndërrojnë kohën e Aleksandër Rankoviqit (1909-1983), i cili është personifikim i gjenocidit serb mbi shqiptarët.

Edhe romani Viti i mbrapshtë u botua në librin Koha e shkrimeve. Flitet për vitin 1914, vit i rrëmujshëm dhe vendimtar në luftën e shtetit shqiptar të sapolindur, për të mbetur gjallë. Është viti kur mbi qiellin e Ballkanit kaloi kometa e Hale-Bopit. Në Shqipëri mbretëronte rrëmuja dhe jo princi gjerman Vilhelm Vid (1876-1945). Qeveria e Turhan Pashës kontrollonte vetëm një pjesë të territorit të vendit. Ndër shqiptarë kishte përplasje interesash. Po kështu edhe midis francezëve, britanikëve dhe holandezëve. Shtetet fqinje ndërkaq, kishin aspirata ekspansioniste. Forcat greke, serbe dhe malazeze e kishin shkelur vendin. Pas gjashtë muajve princi largohet nga Shqipëria.

Tregimi Sjellësi i fatkeqësisë – Islamo nox (1984) – Sulltani kishte urdhëruar që të gjitha femrat e Perandorisë Osmane të mbuloheshin me perçe. Rrobaqepëse nga dhjetë qytete turke përgatitën gjysmëmilioni perçe për motrat kokëforta evropiane. Perçet u ngarkuan në mushkat e Haxhi Miletit dhe prej Stambolli morën rrugën për në Shqipëri.

Romani Koncert në fund të dimrit, Tiranë 1988 ka mjaft paralele me romanin Dimri i madh. Kemi një kronikë 700 faqesh. Është një vështrim grotesk mbi shkëputjen e Shqipërisë nga Kina postmaoiste më 1978. Personazhet Besnik Struga, Skënder Bermema dhe Marku tani janë 17 vjet më të mëdhenj se në kohën e prishjes së Shqipërisë me sovjetikët. Si në veprat e tjera, edhe në këtë roman autori përdor gjerësisht simbole.

Në romanin Dosja H dy studiues fiktivë irlandezo-amerikanë, Maks Roth dhe Vili Norton nisen për në malet e Shqipërisë veriore të paraluftës, me magnetofon në dorë, në kërkim të atdheut të eposit. Të dy folkloristët kanë për synim të hetojnë ekzistimin e një lidhjeje të mundshme ndërmjet poezisë homerike dhe këngëve heroike të kënduara me lahutë nga malësorët shqiptarë. Nënprefekti i zonës ua qep prapa agjentin sekret Dullë Baxhanë për t’i vëzhguar. Popullata vendase dyshon mos të ardhurit nga jashtë janë spiunë? E bastisin selinë e tyre në Hanin e Rrashtbuallit. Pajisjen e tyre, me zërin e incizuar të fshatarëve, e shkatërrojnë. Misioni i tyre në Shqipëri merr fund. Romani në fjalë është një satirë. Ngjarjet zhvillohen në vitin 1930. Autori u jep një goditje anësore edhe prirjeve izolacioniste të autoriteteve të pasluftës.

Me studimin letrar Autobiografia e popullit në vargje, Tiranë 1971, princi i kombit – Kadare, kërkon të zbulojë rrënjët e legjendave dhe të poezisë popullore që aq shumë e kanë tërhequr në prozën e vet.

Studimi më i shkurtër Mbi eposin e kreshnikëve (1979) heton prejardhjen e ciklit kryesor të eposit heroik shqiptar që njihet me emrin Këngë kreshnikësh apo cikli i Mujit dhe Halilit. Shtatqin vjet do t’i djeg kullat, i kanoset armikut, heroi kreshnik i eposit shqiptar.

Në monografinë Eskili, ky humbës i madh, Tiranë 1990, Kadare flet për babanë e tragjedisë antike greke, Eskilin (rreth 525-456 para erës sonë), i cili ka shkruar 80 pjesë. Prej tyre kanë shpëtuar vetëm shtatë.

Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe, Tiranë 1991 është një sprovë për Migjenin (1911-1938) i cili me skicat në prozë dhe me përmbledhjen poetike Vargjet e lira, Tiranë 1936 dhe 1944, i dha fund romantizmit në letrat shqiptare. Në këtë monografi Kadareja shkruan: “Ka diktatura të tmerrshme e djallëzisht të përsosura ku profesioni i shkrimtarit është një mallkim i vërtetë”. Në këtë sprovë Kadareja përfshiu edhe një trajtim të gjerë “të autorëve reaksionarë” të lënë në heshtje nga kritika letrare zyrtare.

Ftesë në studio, Tiranë 1990 është botimi i fundit i Kadaresë para largimit për në Francë në vjeshtë të vitit 1990. Libri përmban 32 poezi si dhe përkthime poezish nga greqishtja, kinezishtja, frëngjishtja, rumanishtja dhe rusishtja. Libri përmban edhe refleksione për letërsinë e artet si dhe për ngjarjet aktuale. Autori lanë edhe ca llogari të vjetra me shkrimtarë rivalë.

Dy muaj para rënies së pushtetit monist, me gruan Eelenën si dhe me dy vajzat, Kadareja iku nga Tirana dhe kërkoi strehim politik në Francë. Motivet e largimit Kadareja i shpjegoi në të përditshmen parisiene Le Monde.

Nga një dhjetor në tjetrin, Paris, shkurt 1991 është një kronikë që mbulon periudhën nga dhjetori 1989 deri në dhjetor 1990. Libri ka edhe tone sarkastike. Në frëngjisht, libri doli me titullin Printemps albanais, Paris 1991 (Pranvera shqiptare). Vepra është vazhdim i librit Ftesë në studio. Vala e parë e emigrimeve nëpërmjet ambasadave gjermane, italiane dhe franceze në Tiranë, në korrik të vitit 1990 shkakton panik në aristokracinë e kuqe. Kadare botoi edhe letërkëmbimin me presidentin Ramiz Alia në maj 1990.

Pesha e kryqit, Paris 1991 është vepra e dytë e Kadaresë e botuar në mërgim. Mendohet si vazhdim i librit Ftesë në studio. Të dyja veprat u botuan në një vëllim të vetëm prej 558 faqesh në frëngjishte. Nga një dhjetor në tjetrin, Ftesë në studio dhe Pesha e kryqit formojnë një lloj trilogjie politiko-letrare. Pesha e kryqit zbulon ankthin e Kadaresë gjatë viteve të pushtetit diktatorial. Është autobiografia e një romancieri nën regjimin stalinist i cili boton vepra pa qenë i sigurt për reagimin e gjysmëperëndive të Byrosë Politike. Në këtë libër, autori flet për vuajtjet e veta nën regjimin komunist, por jo edhe për agoninë më konkrete të shumë shkrimtarëve dhe artistëve të tjerë. Mbase kjo, nuk ka qenë qëllimi i veprës.

Romani Piramida është një alegori politike e historike. Gjysma është shkruar në Shqipëri dhe gjysma tjetër në Francë. U botua pjesë-pjesë si tregim në gazetën Rilindja demokratike në janar 1991. Në Paris autori e zgjeroi në roman 17 kapitujsh. Së pari, më 1992, doli në frëngjisht, i përkthyer nga Jusuf Vrioni (2016-2001; është i biri i Iljaz bej Vrionit). Është një rrëfim marramendës i idesë dhe i ndërtimit të piramidës së Keopsit në Egjiptin e lashtë, por edhe i pushtetit politik absolut, e madje i marrëzisë njerëzore.

“Arkeologu i diktaturës, Kadareja zbërthen hieroglifet e tmerrit që tiranët e të gjitha ngjyrave kanë damkosur në trupin e viktimave të tyre” – thotë zhurnalisti letrar Andre Klavel (André Clavel, 1946-2019).

Romani Pasardhësi (2006) është shkruar në Paris. Kadareja sjell në kujtesë enigmën e 13 dhjetorit, vdekjen misterioze në dhomën e gjumit të pasardhësit të diktatorit komunist. Në trupin e pasardhësit u gjend një plumb në zemër. Vajza e Agamenonit dhe Pasardhësi përbëjnë një diptik.

Tregimi Leximi i Hamletit si dhe dy novelat “Raporti i fshehtë” dhe “Bisedë për brilantët në pasditen e dhjetorit”; tregimi Ditë kafenesh është botuar si libër më vete në Amerikë;

Qorrfermani për shkak të subjektit delikat, mbeti i pabotuar;

Hija, Vajza e Agamemnonit, Nata me hënë janë shkruar në vitet 1984-1986 në Tiranë;

Romani Spiritus është shkruar në Francë në vitet 1995-1996. Në të trajtohen njgarje që u përkasin dy kohëve: përpara dhe pas komunizmit;

Romani Lulet e ftohta të marsit është shkruar në Francë në vitet 1998-2000. Është një nga veprat e rralla të autorit, subjekti i së cilës bazohet tërësisht në ngjarjet pas rënies së komunizmit në Shqipëri. Është vepra më e pikëlluar e Kadaresë, gati një requiem. Autori del hapur përballë realitetit shqiptar, i zymtë dhe pesimist, për një tokë që e braktisën perënditë. Marsi nuk është veçse i ftohtë. Të ftohta janë dhe lulet.

Novela Tri këngë zie për Kosovën është shkruar dhe është botuar në prag të shpërthimit të luftës në Kosovë.

Në Çlirimi i Serbisë prej Kosovës Kadare flet për ndarjen midis shqiptarëve dhe serbëve, për shtrembërimin e historisë nga serbët, për arsyen përse ishte dashur që Serbia të ishte e para që ta njihte pavarësinë e Kosovës.

Dy romanet e shkurtra Shkaba dhe Çështje të marrëzisë; Shkaba është shkruar në verën e vitit 1995 në Deauville të Normandisë.

Romani Aktori i njohur më parë me titullin “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”;

Kadareja është i pasionuar për tragjedinë dhe për dy përfaqësuesit e saj – babanë e tragjedisë antike Eskilin (Eleuzinë, Atikë, 525-/524 – Gela, Sicili, 456/455 para K.) dhe babanë e tragjedisë moderne Uilljëm Shekspirin (William Shakespeare, 1564-1616). Miku, besa dhe gjakmarrja janë rrotat e mekanizmit të tragjedisë antike.

Tre romanet e fundit Aksidenti i shkruar në vitet 2003-2004, u botua në frëngjisht nga shtëpia botuese Fayard; Darka e gabuar, Tiranë 2008 dhe E penguara shkruar në vitet 2008-2009;

Sprovat Dantja i pashmangshëm, Hamleti, princi i vështirë dhe Don Kishoti në Ballkan janë shkruar dhe janë botuar pas rënies së komunizmit.

Ra ky mort e u pamë (1999) është një ditar për Kosovën; sprovat Kushëriri i engjëjve dhe Arti si mëkat; Legjenda e legjendave; Sorkadhet e trembura, një synops i gjerë për tjetër art; dy dialogë të Kadaresë: me revistën “Hylli i Dritës” dhe E vërteta që del nga qilarët me publicistin dhe shkrimtarin francez Stefan Kurtua (Stéphane Courtois, 1947- ) botuar në Odile Jacob si pasthënie e botimit frëngjisht të librit të Prof. Shaban Sinanit; sprova Identiteti europian i shqiptarëve.

Drama Stinë e mërzitshme në Olimp është e vetmja pjesë teatrale e Kadaresë. Autori rindërton trilogjinë e famshme të Eskilit, prej së cilës, pas humbjes së pjesës së parë dhe të tretë, ka mbetur vetëm pjesa e mesme “Prometheu i lidhur”.

Vepra e Kadaresë – princit të kombit – vazhdimisht ka qenë në listën e kandidatëve për çmimin “Nobel”, në emër të letërsisë shqiptare.

Xhelal Zejneli

Filed Under: Editorial

Luftimet e zhvilluara gjatë vitit 1944 për mbrojtjen e kufirit në fshatin Prapashticë të Kosovës

July 2, 2024 by s p

Dr. Qazim Namani/

Pas kapitullimit të Italisë dhe formimit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit me datën 16-19 shtator 1943, me qëllim që të mbrohen viset shqiptare të çliruara, ndihej nevoja e krijimit të një ushtrie, për ruajtjen e trojeve etnike dhe popullatën shqiptare.

Në këto rrethana të krijuara, shqiptarët, menduan që për ta mbrojtur popullatën shqiptare në viset veriore, duhet të formojnë disa divizione me vullnetar shqiptar, të cilët do të përkraheshin, dhe do të armatosen nga ushtria gjermane. Formimi i këtyre divizioneve, do ti shkonte për shtati edhe ushtrisë gjermane, e cila tani më ishte dobësuar dukshëm, dhe synonte tërheqjen e saj nga viset e Greqisë, nëpër territorin e Kosovës.

Kryetari i Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, Bedri Pejani, në fund të muajit mars të vitit 1944, ia dërgon një letër Hitlerit, me kërkesë për armatosjen e shqiptarëve të Kosovës, dhe kërkojë ndihmën e Gjermanisë për çlirimin e të gjitha viseve shqiptare të pushtuara nga sllavët. Bedri Pejani kërkojë që të formohet një divizion “SS- Skëndërbeg” me vullnetar shqiptar.

Me formimin e nënprefekturës së Llapit, dhe me vendosjen e pushtetit nga shqiptarët, u bë edhe organizimi i shqiptarëve rreth Ballit Kombëtar si parti politike ishte kundër frymës komuniste me orientim djathtist perëndimor. Programi politik i kësaj organizate u përkrah nga të gjithë shqiptarët e kësaj zone. Popullata e Llapi u mobilizua për mbrojtjen e kufirit etnik nga burimi i lumit Llap-guri i Uglarit-Përpellac e deri në Prapashticë.

Forcat e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, edhe pse nuk kishin shumë kohë për tu konsoliduar ushtarakisht, kishin përgjegjësinë e mbrojtjes së kufirit në verilindje në një gjatësi nga Sanxhaku e deri në malet e Karadakut. Forcat kryesore të ushtrisë shqiptare, ato të regjimentit IV të Prishtinës, të komanduara nga kolonel Fuat Dibra (Fuad Xhaferraj), ishin përqendruar në pjesën e kufirit nga Mitrovica e deri te Gjilani, të cilat do të ndeshën me brigadat partizane jugosllave nga fundi i verës së vitit 1944, dhe gjatë vjeshtës e dimrit të atij viti.

Këtë letër shefi i zyrës shtetërorë të Gjermanisë, për ta shqyrtuar ia kishte dërguar Himlerit. Me ndihmën e Gjermanisë në prill të vitit 1944, Lidhja e Dytë e Prizrenit e formoj një Divizion me shqiptar, por një numër i të mobilizuarave, që në fillim dezertuan.

Duke i pasur parasysh rrethanat e përgjithshme të krijuara, pas muajit prill, dezertimet e shqiptarëve nga divizioni “SS Skëndërbeg”, duhet shikuar nga rrethanat e gjendjes së krijuar në terren dhe sulmeve të ushtrive sllave drejt tokave shqiptare.

Shqiptarët e Kosovës, pas pushtimit nga Serbia në vitin 1912, nuk kishin gëzuar asnjë të drejtë elementare kombëtare, deri në vitin 1941. Serbia nuk ju kishte dhënë asnjë të drejtë, ata nuk kishin shkolla në gjuhën shqipe, nuk ishin të punësuar, tokat më të mira ju kishte marrë shteti, për të ju dhënë kolonëve serbë, shqiptarët jetonin nën dhunën e xhandarmërisë dhe presionit të madh për tu shpërngulur në Turqi. Prej vitit 1941 e deri në vitin 1944, shqiptarët i krijuan institucionet e tyre shtetërore dhe e për herë të parë e zhvilluan sistemin arsimor në gjuhën kombëtare, duke e rikthyer edhe një pjesë të territorit brenda kufijve të një shteti shqiptar.

Në anën tjetër, ortodoksët e Kosovës gjatë kësaj periudhe, u organizuan dhe bashkëpunuan me çetnikët në Serbi. Brenda territorit të Kosovës së sotme u formuan korporatat e çetnikëve. Korparmata e Dytë e Çetnikëve të Kosovës, në fillim të vitit 1944, kishte mobilizuar një numër të vullnetarëve diku midis 1500-1700, dhe hynte në radhën e Korparmatave më të mëdha të çetnikëve në Serbi. Kjo Korparmatë, në vitin 1944 haptas bashkëpunonte më ushtrinë gjermane, dhe në disa aksione mori pjesë aktive në luftime përkrah ushtrisë gjermane.

Në anën tjetër Komiteti Krahinor i LNÇ, për Kosovë, në shkurt të vitit 1942, kishte lëshuar një proklamatë ku theksohej se pas fitores kundër fashizmit, vet popujt do të vendosin për fatin e vet. Organizata partiake e Shalës arriti ta zgjeroj ndikimin e vet edhe në territorin e Llapit, në Obranxhë, Sekiraqë, Shajkoc, Orllan, Brainë e Nishec deri në Jabllanicë. Në korrik të vitit 1942, Mustaf Hoxha nga Nisheci, ju kishte besuar që të bëjë lidhjen e njësive partizane të Kosovës me ato në Jabllanicë të mëto Bajraktarit dhe takimi u bë në fshatin Tullar. Në këtë periudhë shtëpia e Mustaf Hoxhës në fshatin Nishec, ishte baza për lidhjen në mes të Kosovës dhe Jabllanicës.

Gjatë vitit 1943, me propozim të Komitetit Krahinor nga Jabllanica, në lidhjen Shalë-Podujevë-Brainë-Jabllanicë, transferohet Ali Shukriu. Përveq organizimeve të punkteve tjera në fshatin Dabishec u formua punkti i Këshillit Nacionalçlirimtar ilegal, i cili e mori për detyrë të mbajë lidhjen me lëvizjen në Preshevë e Gjilan.

Në dhjetor të vitit 1943, në fshatin Brainë takohen Ali Shukriu, Rasim Qerkezi e Qazim Bajgora, ku bisedohet për qëllimin e LNÇ, dhe Mbledhjen e Dytë të AVNOJ-it, u bisedua edhe për formimin e Aradhes Partizane të Shalës. Në fillim të muajit gusht 1944, në Shalë kishin ardhur një grup prej rreth 30 veta nga Drenica, të cilët kaluan në territorin e Jabllanicës, dhe më 26 gusht të vitit 1944, në afërsi të Medvegjës e formuan Aradhen Partizane të Shalës, komandant u emërua Riza Voca.

Lidhja e disa partizanëve shqiptar nga Kosova, për të bashkëpunuar me aradhet partizane serbe që vepronin në Jabllanicë, nuk e kishin fituar besimin për një luftë të përbashkët.

Formacionet e çetnikëve që ishin themeluar brenda territorit të Kosovës, bashkëpunonin ngushtë me shërbimet informative të ushtrisë gjermane, deri në fund të luftës, kur u bashkuan me njësitë partizane serbe dhe bënë krime të mëdha ndaj popullatës shqiptare.

Në një telegram të shërbimit informativ gjerman, të datës 13 prill 1944, thuhet se Zhika Markovici, komandant i Korparmatës së Dytë të Kosovës, është i gatshëm që me 4000 ushtar të vihej nën komandën gjermane.

Gjermanët për ta realizuar këtë platformë strategjike, kërkonin bashkëpunim me forcat nacionaliste të malazezëve, serbëve e bullgarëve, duke ju premtuar për shpërblime me toka tjera shqiptare. Kjo politikë e gjermanëve binte ndesh me platformën dhe qëndrimet e Lidhjes së Dytë Nacionale të Prizrenit, dhe partitë jo komuniste shqiptare që kërkonin formimin e Shqipërisë etnike.

Në këtë kohë Partia Komuniste Shqiptare, që mbikëqyrej nga emisarët e Partisë komuniste Jugosllave, pranuan qeverisjen pro sllavo komuniste në Shqipërinë e Vjetër, pa Shqipërinë e re, pranuan pas katër viteve lirie të kënaqeshin interesat sllave duke i ripushtuar tokat shqiptare. Duke i parë raportet e luftimeve, disfatën që e pësonin gjermanët, dhe mbështetjen që i dhanë ango-amerikanët ushtrisë sllavo-ruse, Partia Komuniste Shqiptare, e mori këtë vendim me shpresën se Titoja dhe partizanët e tij, do të ju përmbahen marrëveshjeve dhe bashkëpunimit për një luftë të përbashkët kundër ushtrisë gjermane.

Në këto rrethana të vetmuar dhe pa aleat, udhëheqësit nacionalist Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica, Qazim Bllaca, Xhelal Mitrovica, e udhëheqës tjerë të Lidhjes së II të Prizrenit, filluan një organizim të ri për mbrojtjen e kufijve etnik shqiptar. K Q. i Rinisë Nacionaliste për mbrojtje të Kosovës mobilizoi meshkujt e aftë për luftë. Më të rinjtë u formuan batalionet “ Nazim Gafurri” me komandant S.Vala Sicanin, batalionin “Hasan Prishtina me komandant Ibush Ibrahimin, batalioni “Zija Gashi”, batalioni i Llapit, batalioni i Drenicës dhe batalioni i Sanxhakut. Komandant i përgjithshëm i këtyre batalioneve u emërua Shashivar Aliu nga Banja e Mitrovicës.

Mobilizimit të përgjithshëm ju përgjigjën rreth 20.000 burra, që u dislokuan përgjatë kufirit nga Ceraja e deri afër Kumanovës. Regjimenti i katër i Prishtinës, nën komandën e kolonel F. Dibrës, bëri rezistencë të fortë, deri sa i erdhi komanda në Tiranë, urdhër i prerë të tërhiqet. Batalioni Hasan Prishtina, vazhdoi ti ruante pozitat në rrethinat e Podujevës, deri sa gati i gjithë efektivi mbeti në fushat e betejës.

Forcat e djelmërisë shqiptare, luftuan kundër ushtrisë bullgare e jugosllave, duke shpresuar se ushtria Nacional çlirimtare Shqiptare që depërtoi në Kosovë do të rreshtohej përkrah tyre, në luftë kundër ushtrisë pushtuese.

Shqiptarët e Kosovës të cilët në vitin 1941 ishin ndarë në 3 zona, e kishin vështirë që të formonin një organizim kompakt në një armatë të organizuar për të ju bërë ballë sulmeve në vitin 1944, nga armiqtë e shumtë. Me gjithat një mobilizim i shpejtë dhe një organizim për mbrojtje të vendit në fund të vitit 1943 e deri në nëntor të vitit 1944, është për tu lëvduar, dhe nderuar sepse kjo ishte e vetmja rrugë për mbrojtjen e interesave dhe territoreve shqiptare.

Qeveria e Rexhep Mitrovicës, që u themelua në fund të vitit 1943, u ballafaqua me shume probleme te brendshme, andaj në këto situata kaotike për vendin dhe territoret shqiptare, ndërmori hapat e duhur për mbrojtjen e tokave shqiptare, duke mbështetur dëshirën dhe vullnetin e forcave patriotike tradicionale shqiptare për një shtet të përbashkët dhe lirimin e tokave të pushtuara.

Pas përçarjeve në mes të blloqeve politike shqiptare, në fund të vitit 1943, e deri në fund të vitit 1944, ishte një periudhë e ballafaqimit politik e ushtarak duke përfunduar me një luftë vëlla vrasëse në fund të Luftës së Dytë Botërore.

Kriza e brendshme në qeverinë shqiptare, e vështirësoi punën për unitet, e rend politik të qëndrueshëm për ta qetësuar vendin dhe për të krijuar një ri kompozim të ri të elitës politike e intelektuale.

Tensionet e ngritura dhe përçarjet e bllokut komunist me qeverinë e kësaj periudhe, e vështirësuan edhe përçarjet e krahëve politik shqiptar të krahut tjetër tregonte se për një kohë të shkurtë kjo elitë do të shkarkohet.

Në aspektin kombëtar patriotik e shtet formues pa dyshim se Qeveria e Rexhep Mitrovicës, ishte grupi i elitës së fundit që bëri përpjekje të zbatonte një politikë shtet formuese, për mbrojtjen e kufijve të tokave shqiptar edhe bashkim kombëtar.

Gjatë qeverisjes së qeverisë së Rexhep Mitrovicës, u ringjall çështja e Kosovës dhe viseve tjera shqiptare, për një zgjidhje sa më të drejtë e reale të saj, brenda suazave të një shteti shqiptar. Kuptohet se Rexhep Mitrovica dhe qeveria e tij, sakrifikuan për këtë ideal, duke bashkëpunuar në mënyrë indirekte me gjermanët, të cilët i konceptuan si pushtues, por në të njëjtën kohë edhe si të vetmen mundësi, për realizimin e aspiratave për bashkim kombëtar. Kjo qeveri përfaqësonte ato forca politike në territoret mbarë shqiptare të cilat kishin programet më të avancuara, për zgjidhjen e çështjes kombëtare.

Në këto kushte dhe rrethana ishte e pa mundur të ju bëhej ballë sulmeve të ushtrisë sllave e cila ishte organizuar për ripushtimin e Kosovës.

Me fillimin e sulmeve sllave drejt tokave shqiptare në fillim të vitit 1944, popullata dhe rinia shqiptare e kësaj kohe, ishte e pa arsimuar, e varfër dhe e pa informuar me zhvillimet e kohës. Shumica e këtyre të rinjve dhe familjeve shqiptare, jetonin në viset e thella rurale dhe kryesisht më parë ishin marrë më bagëti e bujqësi.

Të pakët ishin ata që kishin vizituar më shumë se një qytezë të afërt. Ishte një rini që nuk kishte aspak njohuri me rrugët e Kosovës, e lëre më të kishin njohuri për zhvillimet e operacioneve ushtarake dhe aleancave ushtarake të kohës. Këta të rinj që ishin rritur në familje me kujtesën e tyre familjare, për dhunën dhe masakrat që i kishin kryer serbët e bullgarët pas pushtimit të tokave të tyre. Për të mbrojtur familjet e tyre, ata kishin nevoje për armë, veshje dhe të qëndrojnë pranë familjeve të tyre, andaj edhe por sa u pajisen me armë dezertonin.

Për gjendjen, dhe varfrin e popullatës shqiptare, në prill të vitit 1944, më së miri tregon kjo fotografi e realizuar në atë kohë në qendrën e Prishtinës.

Foto e realizuar në vitin 1944, në Prishtinë, ku shihen të rinjtë shqiptar, të zbathur e leckosur, krahas disa ushtarëve të rinj.

Forcat shqiptare të mobilizuara kryesisht nga banorët shqiptar të brezit kufitar, më datën 19. 03. 1944, ju kishin dhënë goditje të rëndë njësive partizane të Jabllanicës, që kaluan nëpër fshatrat shqiptare të Prishtinës, për ta krijuar një korridor lidhje me njësitë serbo çetnike të mobilizuara në Rrafshin e Kosovës.

Gjatë kalimit të grupit të partizanëve te vendi i quajtur Bunari i Thatë, ky grup u zbulua nga vajza e Bejto Jusufit, e cila alarmoj me gjuajtje me pushkë. Aty u zhvillua një përleshje e armatosur ku u vranë dy partizan Bata Ibroviq dhe Radoja. Kjo vajzë e cila i filloj luftimet, shpërblehet nga pushteti i atëhershëm në Prishtinë.

Në moshën 21 vjeçare Xhemilja martohet në Grabofc. Për ngjarjen e marsit të vitit 1944, ajo arrestohet në Grabofc, dhe këmbë e dërgojnë në burgun e Prishtinës. Në burgun e Prishtinës e kishin arrestuar edhe babanë e saj Isufin. Në gjyqe Xhemilja dënohet dy vite e gjashtë muaj, dhe në burg i ka mbajtur dy vite. Pas qëndrimit për nëntë muaj në burgun e Prishtinës, Xhemilen e transferojnë në burgun e Nishit. Xhemilja edhe pas vuajtjes së dënimit vazhdimisht është përcjellë nga agjent të shtetit Jugosllav.

Xhemile Isufi – Topi-Zogiani

Ishte gjendja shumë e rëndë në Llap e Galab, sidomos në fshatrat në vijën kufitare etnike sero-shqiptare. Ndër pikat më të rëndësishme strategjike ishin fshatrat Barainë, Nishec e Prapashticë, që vija kufitare i ndante me fshatrat Tullarë e Gubafcë.

Duke filluar nga muaji maj 1944, pjesa veriore e Kosovës u sulmua nga çetat partizane të Titos, të koordinuara njëkohësisht me njësitë çetnike të Mihajlovicit.

Njësitë e mobilizuara çetnike vazhduan të ndërmarrin sulme të armatosura në drejtim të Kosovës, dhe trevave tjera shqiptare. Më 23 maj 1944, u sulmuan dy fshatra të Suhadollit në rrethinën e Mitrovicës, vazhduan me sulme në familjet shqiptare në Peshter. Disa reparte të njësive çetnike i sulmuan fshatrat e Galabit: Brainën, Prapashticën, Hajkobillën, Dabishecin, Nishecin, Bërvenikun, Metërgocin dhe Turuçicën.

Në muajt maj e qershor të vitit 1944, fillojnë sulmet e organizuara të ushtrisë serbo-maqedonase në vijën kufitare prej Kitkës e deri në Përëpollac të Podujevës. Ushtria sllave hasi në rezistencë të fortë të ushtrisë shqiptare. Përleshja mes ushtrisë shqiptare dhe formacioneve sllave vazhdon edhe në muajt në vijim.

Deri në muajin maj të vitit 1944, në mbrojtje të kufirit në ushtrinë e rregullt shqiptare ishin mobilizuar nga një ushtarë për çdo shtëpi. Është me rëndësi të theksohet se prej verës së vitit 1944 e deri sa u pushtua Prishtina në mbrojtje të kufirit, ishin mobilizuar çdo mashkull që ishte i aftë për të rrokë armët nga të gjitha familjet shqiptare. Ndërsa gratë dhe vajzat e reja po ashtu ishin aftësuar të përdorin armët. Ndërsa nga muaji tetor, në vijën e frontit u mobilizua çdo banor që ishte i aftë të përdorë armën, dhe çdo ekonomi familjare për ti përkrahur dhe ndihmuar luftëtarët.

Bullgaria si aleate e Gjermanisë, që nga viti 1941, e kishte krijuar zonën e saj të interesit duke i përfshirë brenda shtetit bullgar, rajonin e Kosovës lindore. Kjo gjendje zgjati deri në muajin shtator të vitit 1944, kur Bullgaria në presion të ushtrisë rusë kapitulloj, dhe ju kundërvu ushtrisë gjermane.

Me kapitullimin e Bullgarisë, u krijua një aleancë e madhe ushtarake në mes ushtrisë ruse asaj bullgare dhe jugosllave, kundër ushtrisë gjermane e cila kishte filluar të tërhiqet nga territori i Greqisë drejt veriut. Kjo aleancë e madhe ushtarake sllave kishte planifikuar depërtimin në rrafshin e Kosovës, për tu konfrontuar më ushtrinë gjermane.

Për të hyrë në Prishtinë dhe rrafshin e Kosovës, natyrisht se rruga më e shkurtë prej Jabllanicës ishte nëpër Prapashticë. Për ta penguar depërtimin e ushtrisë sllave në brezin kufitar me Serbinë, ishte mobilizuar Regjimenti i IV i Ushtrisë Shqiptare, dhe njësitë e Lidhjes së dytë të Prizrenit. Natyrisht që me fillimin e luftës, në brezin kufitar vepronin vullnetar nga banorët e fshatrave të afërta, por edhe nga viset tjera shqiptare, të cilët ju bashkëngjitën ushtrisë shqiptare.

Gjatë kësaj periudhe Ushtria Nacional Çlirimtare e ish Jugosllavisë së Titos, ishte bashkuar me njësitë e aradheve çetnike dhe brigadat maqedonase, që planifikonin sulmet nga pikat kufitare ne Llap e Galab. Siç shihet me bashkimin e të gjitha formacioneve sllave, kundër ushtrisë shqiptare, ishte planifikuar ripushtimi i Kosovës, si dhe pastrimi etnik duke vrarë dhe shpërngulur sa më shumë shqiptar.

Në verën e vitit 1944, nga pala shqiptare, formohen edhe celulat e çetës partizane që vepronin ilegalisht disa fshatra: Brainë, Prapashticë, Dabishec, Nishec e Koliq. Partizanët e Brainës e kishte për detyrë të operonin në relacionin Brainë-Prishtinë, dhe nga Rrashfi i Kosovës të bënte transferimin e elementit përparimtar, dhe këtë ta organizonte në Aradhën Partizane.

Gjatë muajit shtator 1944 u formua Korparmata e XIII, me katër divizionet e ushtrisë serbe dhe armatës së dytë bullgare, ku u përleshën me forcat ushtarake gjermane të grup armatës “E”, e cila synonte të tërhiqej nëpër Fushën e Kosovës.

Në fillim të shtatorit, forcat shqiptare të regjimentit të IV të Prishtinës, patën një përleshje të ashpër në pjesën e skajshme të Podujevës, me partizanët jugosllav dhe disa njësi bullgare, të cilat përpiqeshin të depërtojnë në Podujevë. Me këtë rast u shkatërruan tri divizione bullgare të motorizuara, që tashmë tërhiqeshin nga komunistët. Në këto luftime mori pjesë edhe batalioni i të rinjve nga Vushtrria “Hasan Prishtina”, i cili pati humbje të mëdha. Bëhet fjalë për sulmet e ushtrisë sllave në vijën kufitare prej Berveniku e deri në fshatin Hajkobillë, por kryesisht luftimet më të rrepta u zhvilluan në Prapashticë.

Bullgaria i shpalli luftë Gjermanisë më datën 6 shtator 1944. Ushtria gjermane mori masa të shpejta për dëbimin e forcave bullgare nga Kosova dhe Maqedonia e sotme. Armata e Pestë bullgare u tërhoq deri në kufijtë e vjetër të Bullgarisë.Armata e Parë dhe e Dytë bullgare, më 8 tetor i sulmoi përsëri forcat gjermane, i pushtuan qytetet në fushën e Moravës dhe u futën në Kosovë. Pas luftimeve të rrepta Armata e Parë bullgare hyri në Prishtinë. Pas depërtimit të ushtrisë bullgare dhe disa reparteve të ushtrisë sovjetike në pjesën qendrore të Kosovës, u shkëputën lidhjet komunikatave të ushtrisë gjermane përgjatë luginës së lumit Ibër.

Në muajin shtator kur u shtuan sulmet nga ushtria sllave, ushtrisë shqiptare në kufi i erdhën në ndihmë edhe katër batalione të ushtrisë shqiptare.

Në fillim të muajit tetor 1944, armata e dytë bullgare dhe brigadat e UNÇJ-së, të ndihmuara edhe nga Armata sovjetike e Frontit të Ukrainës, synonin që nëpërmjet territorit të Prapashticës ta pushtojnë Prishtinën.

Ushtria shqiptare tani pas përforcimeve bëri rezistencë të fuqishme në betejën e 18 tetorit 1944, kundër dy regjimenteve të ushtrisë bullgare. Pas një beteje tre ditore ushtria bullgare u thye nga ushtria shqiptare dhe vullnetarët e mobilizuar për mbrojtjen e kufirit. Lidhur me këtë betejë gazeta Lidhja e Prizrenit ka shkruar se me 18 tetor në këtë betejë ushtria bullgare ka lënë në fushëbetejë 600 ushtarë, ndërsa nga pala shqiptare mbetën të vrarë rreth 60 ushtar e vullnetar tjerë të mobilizuar. Në këtë betejë ushtria shqiptare arritën të marrin disa topa dhe kafshë për bartjen e municionit.

Forcat patriotike të vullnetarëve dhe ushtrisë shqiptare të udhëhequra nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit gjatë kësaj periudhë për tre muaj rresht, kishin zhvilluar luftime të rrepta në vijën kufitare Shkup-Kumanovë-Kitkë-Merdare e veçararisht në fshatin Prapashticë. Luftime të rrepta u zhvilluan prej 15 e deri më 22 tetor, kur forcat e ushtrisë serbo-bullgare arritën në vijën Orllan-Brainë-Lisicë (Prapashticë) dhe Hajkobillë (Q.N).

Duke e parë rrezikun për pushtimin e Kosovës nga ushtritë sllave, Komiteti i Lidhjes së II të Prizrenit, në muajin gusht të vitit 1944, në Prishtinë e formoi “ Komitetin Rinorë për Mbrojtjen e Kosovës”, dhe urdhëroi të formohen komitetet e rretheve në rrafshin e Kosovës dhe zonat kufitare me Serbinë. Këto komitete u formuan gjatë kohës kur forcat gjermane tërhiqeshin nga Greqia, dhe kurë forcat ushtarake ishin vendosur rreth kufirit të Kosovës. Mobilizimi bëhej me parullën “Mbrojtja e Kosovës nga partizanët”. Këto njësi ushtarake zhvilluan luftë të përgjakshme kundër ushtrisë së LNÇ-së, aradheve bullgare, dhe siguruan tërheqjen e ushtrisë gjermane nga Kushumlia deri në Prishtinë.

Lidhja e Dytë e Prizrenit e formoi Komitetin e Rinisë Kombëtare për Mbrojtjen e Kosovës, përgjatë kufijve etnikë. Në mbrojtje të kufijve u mobilizuan të gjithë burrat prej moshës 18 e deri në moshën 50 vjeçare. Më 18 tetor 1944, komanda e përgjithshme e rinisë, bëri thirrje për mobilizim të përgjithshëm. Më 30 tetor, për të gjithë shqiptarët u lëshua një kumtesë për mobilizim ushtarak dhe ekonomik për ta mbrojtur kufirin.

Njësitë e Komitetit të Rinisë për Mbrojtjen e Kosovës nga Qarku i Mitrovicës, u vunë nën komandën e Bahri Gjinajt dhe majorit Aziz Shashivariit. Në tetor të vitit 1944, ushtarët e rajonit të Mtrovicës u vendosën në pozitat kufitare Mitrovicë-Prepellac-Merdare-Brainë-Prapashticë-Hajkobillë.

Regjimenti i IV i ushtrisë shqiptare, katër batalione te “Rinise Nacionaliste shqiptare” dhe forcat vullnetare te banoreve shqiptar ne zonën kufitare dhe nga pjesa qendrore e Kosovës dhe Shalës se Bajgores. Mendohet se afër 7000 trupa luftës nga pala shqiptare ishin përqendruar ne brezin kufitar krahas një numri shume me te madh te forcave sllave. Beteja e ashpër u zhvillua për gjate vijës kufitare qe nga Kepi i Reçicës, Prepellaci, Podujeva e deri ne Konqul. Sidomos forcat armike tentuan që të depërtojnë në Prishtine duke e sulmuar piken kufitare ne Prapashtice, Prepellac, Podujeve, Orllan, Dabishec, Hajkobillë (Gjelbrishte), Zajqec, Sfircer, Zhuje, Kitke dhe pika tjera kufitare deri te Konçuli.

Sulmet e para filluan me 15 tetor, në Lisinë të fshatit Prapashticë, dhe vende tjera por ushtria armike u thye shume rende nga forcat shqiptare te udhëhequra nga oficeret shqiptar Kapiten Pjetri, Demiri nga Korca, Shyqeria, Isak Domi, Mulla Idrizi, Shefqet Bullykbashi, Mulla Sefë Govori, Kapiten Marku, Nazmi Budrika, Hajdari i Bajram Krasniqi, dhe disa prijës tjerë nga popullata e fshatrave te Gollakut te cilët e njihnin mire terrenin dhe treguan një heroizëm të madh gjate luftimeve.

Ushtrisë bullgare përveç humbjeve në njerëz ju morën dhe një sasi e madhe armatimit 12 topa, një mitraloz, një mortaje, me qindra pushkë dhe rreth 60 kafshë tërheqëse.

Sulmet vazhduan edhe me datën 25 tetor, 31 tetor dhe vetëm 19 nëntor kur armata serbe dhe ajo bullgare arritën që ta thyejnë vijën kufitare. Pas kësaj beteje armata serbe dhe bullgare depërtuan ne Prishtine duke vrare civil te pa mbrojtur te popullatës shqiptare. Beteja te mëdha në mes të vullnetarëve shqiptar dhe armatës serbe u zhvilluan ne malet e Keqekolles.

Gjermanët për tu tërhequr me pasoja sa më të vogla, i furnizuan me armë të gjitha grupet e armatosura që ishin kundër ushtrisë së bllokut të ushtrisë rusë së popujve të rajonit që ishin mobilizuar kundër ushtrisë gjermane.

Me 10 shtator 1944, gjermanët ia dhanë Zhika Marinkovicit, komandant i korpusit të çetnikëve të Rashkës, tre vagonë me municion e pushkë.

Gjermanët gjatë muajit shtator e tetor, për herë të parë ju dhanë armë edhe shqiptarëve të cilët ishin mobilizuar për ta penguar ushtrinë bullgare, që së bashku me ushtrinë ruse e jugosllave synonin të koncentrohen në Kosovën qendrore.

Nga gjysma e tetorit të vitit 1944 filloi tërheqja e ushtrisë gjermane prej Selaniku dhe qyteteve tjera greke. Kjo armatë numëronte rreth 350 000 ushtarë. Shtabi i grupit “E” të armatës që ishin nën komandën e gjeneralkolonelit Fon Ler u tërhoqën drejt veriut nëpër territorin e Kosovës. Gjenerali Fon Ler për ty larguar me humbje sa më të vogël për ushtrinë gjermane, ndërmori masa sigurie, pasi që në atë kohë njësitë bullgare të motorizuara që i kishin në prapavijë ushtrinë ruse, ishin detyruar që të fillojnë lëvizjet drejt Kosovës dhe viseve tjera shqiptare për ta sulmuar ushtrinë gjermane në rrafshin e Kosovës.

Në këto rrethana Fon Ler, i formoi dy grupe ushtarësh në gatishmëri luftarake. Grupi “Langer”, u autorizua që ta pushtoj Kushumlinë, për ta mbyllur drejtimin e forcave armike nga Podujeva, dhe grupin tjetër “Bredov”, që duhej ta mbyllte rrugën Bujanoc-Gjlan-Prishtinë. Në vijën kufitare ishin mobilizuar më shumë se 6000 ushtarë shqiptar, sidomos në vijen kufitare Bujanoc-Kitkë-Sfircë-Prapashticë-Merdarë-Prepellac-Kepi i Uglarit në Reçicë, në mënyre që ta lehtësojnë rrugëtimin dhe shpëtimit e armatës “E”, që të kaloj lirshëm prej Ferizajt në drejtim të Mitrovicës.

Në tetor Çeta ruse e Batalionit të Dytë me 158 luftëtar, ju ofrua si përforcim komandës së frontit të tretë ukrainas dhe Armatës së Kuqe.

Për ti goditur gjermanët ushtria ruse e kishte urdhëruar ushtrinë bullgare, që të bllokojë rrugët për tërheqjen e ushtrisë gjermane në territorin e Kosovës së sotme. Ushtria shqiptare që komandohej edhe me disa ushtarak nga Shqipëria, ishin mobilizuar për ta mbrojtur kufirin shqiptar. Në kufi ishte mobilizuar e tërë popullata shqiptare e Kosovës, e aftë për të gjuajt me armë. Tani në kufi ishte mobilizuar ushtria nacionale kombëtare shqiptare. Për herë të parë, shqiptarët në këtë betejë ishin furnizuar me armë dhe ndihmuar nga personeli ushtarak gjerman, për ta mbrojtur kufirin. Ushtria bullgare që në prapavijë e kishte ushtrinë ruse, e cila synonte që duke e sulmuar vijën kufitare në Prapashticë, të depërtojë sa më shpejtë në Prishtinë, për tu koncentruar në Fushën e Kosovës. Përveç Prapashticës mobilizimi i shqiptarëve ishte bërë edhe në pikat tjera strategjike, përgjatë kufirit veri-lindor të Kosovës. Që nga mesi i muajit tetor të vitit 1944, ushtria bullgare, dhe njësitet e ushtrisë serbe, i filluan sulmet ndaj ushtrisë shqiptare. Luftime të ashpra u zhvilluan sidomos në Prapashticë. Më datën 18 tetor, dy njësite të ushtrisë bullgare, u kthyen prapa pasi lanë shumë të vrarë në Prapashticë, nga forcat e mbrojtjes kombëtare shqiptare. Bullgarët pësuan humbje të mëdha në Prapashticë, edhe me datën 23 dhe 25 tetor kur tentuan që të hyjnë në Kosovë. Ushtria bullgare tani pas humbjeve të mëdha e kishte humbur moralin për luftë. Me datën 29 tetor 1944, ushtria bullgare, prapë pësojë humbje të mëdha në njerëz dhe arsenal ushtarak në Prapashticë. Në nëntor, ushtria serbe dhe bullgare, depërtuan në Prapashticë e Keqekollë, ku i dogjën dhe plaçkiten të dy fshatrat. Më 19 nëntor ushtria bullgare dhe serbe hynë në Prishtinë, dhe u hakmorën ndaj popullatës shqiptare, duke i pushkatuar afër 55 figurat më eminente të qytetit të Prishtinës.

Pas disa ditësh luftime, me 19 nëntor 1944, Njësitë e Armatës së II bullgare, me Brigadën e XIV të divizionit të 46-të, të Korporatës së XIII serbe dhe Brigadës së V kosovare, e ri okupuan Prishtinën..

Pas hyrjes së ushtrive sllave brenda territorit të Kosovës, në rrethin e Llapit, element serbë vendas me ndihmën e partizanëve të Brigadës së 27-të, të Divizionit të 46, filluan të bëjnë sulme ndaj shqiptarëve të asaj ane. Ushtria sllave në fillim të dhjetorit 1945, ndërmori operacione për spastrimin e forcave “Kundërrevolucionare”. Në këtë aksion morën pjesë Brigada e 25-të, 26-të dhe 27-të e divizionit të 46-të, si dhe njësitë e Divizionit të 22-të.

Me urdhër të komandantit suprem të UNÇ-së, të ish Jugosllavisë J. B. Tito, në Kosovë u vendos pushteti i Administratës Ushtarake. Në komandën e pushtetit administrativ ushtarak u vunë të gjitha trupat e armatës që ndodheshin në Kosovë me rreth 30 000 forca, si dhe filluan të sillen reparte të reja ushtarake nga viset tjera të Jugosllavisë, në kohën kur formacionet partizane të Kosovës ishin dërguar drejt veriut jashtë territorit të Kosovës së sotme.

Një betejë tjetër frontale e përgjakur për ta pushtuar Prishtinën, fillojë me përforcime të mëdha nga ushtria ruse në fund të tetorit dhe fillim të nëntorit 1944. Kjo armatë sllave me përforcime dhe armatim të rëndë me 31 tetor sulmuan Prapashticën, por hasën në rezistencë të fortë nga ushtria shqiptare dhe vullnetar, ku luftime të rrepta u zhvilluan gjatë gjithë rrugës Prapashticë-Prishtinë. Luftime shumë të rrepta u zhvilluan në malet e Keqekollës. Rezistenca e ushtrisë shqiptare zgjati deri më 19 nëntor 1944, kur armata jugosllave dhe ajo bullgare arritën ta pushtojnë Prishtinën. Ushtria serbo bullgare gjatë depërtimit në Prishtinë kishte vrarë civil shqiptar, djegë mjaftë ekonomi familjare dhe kishte kryer dhunime të grave që ishin zënë rrugëve duke ikur para kësaj ushtrie.

Forcat mbrojtëse të Lidhjes, bashkë me forcat tjera vullnetare, përkundër përleshjeve dhe humbjeve të mëdha gjatë muajit shtator, e ndalën depërtimin e aradheve partizane jugosllave të cilat nga veri lindja dhe jugu synonin të hyjnë në Kosovë. Forcat ushtarake partizane jugosllave të cilat ndihmoheshin nga partizanët sovjetik, ishin në epërsi në numër dhe armatim, andaj forcat shqiptare e kishin humbjen e pashmangshme.

Në këto rrethana forcat nacionaliste patriotike shqiptare, në luftë kundër sllavo komunistëve, ushqeheshin nga një nacionalizëm i sinqertë burimor popullor, që lidhej më mbrojtjen e pragut të shtëpisë dhe atdheut.Në këto rrethana të krijuara, ushtria shqiptare dhe popullata shqiptare e brezit kufitar, nuk kishin alternativë tjetër përveç mobilizimit të përgjithshëm kundër ushtrisë sllave, dhe mbrojtja e banorëve shqiptar në ato fshatra. Natyrisht se ishin të pa përkrahur, pa armatim të rëndë dhe në numër shumë më të vogël se sa ushtritë sllave.

Duke filluar nga muaji shtator e deri në nëntor, për shkak të goditjeve që morën në lindje gjermanët nga ushtria e kuqe, dhe forcat tjera të popujve të Ballkanit, që u mbështeten nga anglezët dhe amerikanët, gjermanët menduan si të tërhiqen me pak humbje në njerëz dhe teknikë e logjistikë ushtarake.

Në këto rrethana K.Q. i Lidhjes së II të Prizrenit, u detyrua të largohej, dhe pas kësaj fillojë shtypja e përndjekja e shqiptarëve. Divizioni i V, më vonë edhe divizioni i VI partizan nga Shqipëria, grumbulluan rreth vetës 10.000 partizanë shqiptarë, dhe 40.000 partizan jugosllav, organizuan operacionin e madh kinse për ndjekjen e ushtrisë gjermane, ku u ekzekutuan rreth 2000 shqiptar në Tivar, dhe depërtimin e mijëra shqiptarëve tjerë nëpër Prizren, Lumë, Pukë, Shkodër, Hani i Hotit, Tivar e deri në Dubrovnik, të dërguara nga forcat partizane jugosllave, dhe të vëzhguara nga forcat shqiptare të ndjekjes, dhe mijëra tjerë që i nisën në drejtim të Beogradit e Novi Sadit, ku shumica prej tyre nuk u kthyen të gjallë në familjet e tyre.

Gjatë kësaj përleshje gjatë tetorit dhe muajit nëntor 1944, popullata civile e fshatit Prapashticë dhe fshatrave tjera të brezit kufitar ishin strehuar në fshatrat shqiptare në brendi të Kosovës.

Këto luftime të përgjakshme kanë lënë mjaftë shumë kujtime dhe rrëfime të familjet shqiptare të brezit kufitar. Pa dyshim se kontributi i çdo familje në këto beteja ishte i madh, andaj unë po ofroj disa nga rrëfimet e ruajtura nga gjyshja dhe gjyshi im, duke lënë mesazh që edhe banorët tjerë të brezit kufitar të përshkruajnë kujtimet e gjyshërve të tyre. Duke i përshkruar rrëfimet e familjarëve, mendoj se do të japim kontributin tonë, për të plotësuar, mungesën e burimeve, dhe shumë ngjarjeve të cilat banorët nuk kishin guxim ti rrëfenin sepse ndiqeshin nga informatorët dhe partizanët besnik të pushtetit jugosllav.

Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, politika e Titos ishte që në çdo familje të regjistrohet nga një luftëtar, me qëllim për të ju dhënë pensione, dhe për ti ofruar si bashkëpunëtor të pushtetit. Në fillim të viteve pesëdhjeta të shekullit XX, nga partia komuniste në pushtet ishin caktuar njerëz të besueshëm për ti shpërblyer partizanët me pensione dhe privilegje tjera. Ata që mbetën jashtë këtyre privilegjeve, u ndoqën, burgosën dhe u dëbuan dhunshëm në Turqi e shtete tjera.

Në vijim unë po jap disa nga kujtimet familjare të mbledhura me kujdes nga gjyshi im dhe pjesëtarët e familjes së Shushënicëve nga fshati Prapashticë.

Gjatë verës së vitit 1944, për mbrojtjen e kufirit, shtabi i ushtrisë shqiptare nën udhëheqjen e kapiten Pjetrit, Shyqerisë, Demir Korçës e Isak Domit, shtabi ka qëndruar në odën e Shaban Musës së Shushnicve, deri kur është urdhëruar nga komanda e armata shqiptare, se duhet të bëhen lidhjet për bashkëpunim me partizanët dhe APJ-së. Pas marrjes së këtij vendimi në fillim të muajit nëntor, shtabi është vendosur rreth 5 km në skajin tjetër të fshatit, për tu lidhur me pjesëtaret e aradhes së Shalës, që vepronin në fshatin Nishec. Lidhja me komunistët jugosllav nuk është pritur mirë nga ushtarakët shqiptar. Gjyshi im rrëfente, ne të gjithë e dinim se nuk ju besohet partizanëve, madje të gjithë i quanim rusofilë. Pas lidhjes me komunistët jugosllav, në Prapashticë ka ardhur Tefik Çanga, të cilin gjyshi im nuk e kishte takuar asnjëherë, por nga fshatarët tjerë kishte dëgjuar për zënien e tij në Prapashticë.

Ali Berisha, shkruan se Tefik Çanga kishte ardhur në Prapashticë me detyrë, për ta formuar një njësi prej 40 vetash që do të vepronin në kufirin që e ndante Prapashticën me Jabllanicën, që të ju thonë partizanëve sllavë se mjafton që ne e kemi në kontroll këtë zonë ju nuk keni arsye të veproni këndej kufirit kur jemi ne.

Tefikun e vërejnë, Hysen Rreshteri, Haki Gremja dhe Ramadan Varoshi, që të tre nga rrethi i Ferizajt, të mobilizuar si vullnetar shkojnë në Keqekollë dhe e lajmërojnë te komandanti i xhandarmërisë Rexhep Akllapi. Rexhepi për qëndrimin e Tefikut në Prapashticë e njofton prefekturën në Prishtinë. Në këto rrethana Tefik Çanga kidnapohet në Prapashticë dhe varet në qytetin e Pejës.

Për kidnapimin e Tefik Çangës, në vitet nëntëdhjeta të shekullit XX, e kam zhvilluar një intervistë me Rexhep Gajtanin nga fshati Prapashticë. Rexhepi tregonte se pas kidnapimit Tefiku e kishte kërkuar një tazë ( gotë teneqeje për të pirë ujë). Rexhepi ja kishte ofruar ujit dhe kujtonte, deri sa Tefiku e pinte ujin tha: Vërtet unë jam komunist shqiptar, por tërë jetën kam punuar dhe vepruar për bashkimin kombëtar të shqiptarëve.

Më datën 18 tetor, dy njësite të ushtrisë bullgare, u kthyen prapa pasi lanë shumë të vrarë në Prapashticë, nga forcat e mbrojtjes kombëtare shqiptare. Bullgarët pësuan humbje të mëdha edhe me datën 23 dhe 25 tetor kur përmes Prapashticës tentuan që të hyjnë në Kosovë. Ushtria bullgare tani pas humbjeve të mëdha e kishte humbur moralin për luftë. Me datën 29 tetor 1944, ushtria bullgare, prapë pësojë humbje të mëdha në njerëz dhe arsenal ushtarak në Prapashticë.

Në këtë betejë gjyshi im i ndjerë tregonte si kishte arritur që ta kap një kali të ushtrisë bullgare, që kishte qenë i ngarkuar me municion. Sipas rrëfimeve, gjyshi im në këtë betejë, ishte së bashku një shqiptar nga Shala, që kishin zënë pozicionin te muri i shtëpisë së Nedelkut (kolon që ishte vendosur më parë në qendër të fshatit Prapashticë). Aty rreth nesh zhvilloheshin luftime të ashpra, mes ushtrisë bullgare dhe ushtrisë shqiptare. Pushkët tona ishin ngrohur aq shumë, sa që edhe nuk gjuanin si duhet. Për një qastë vërejtëm se pranë nesh vinte një kali i ngarkuar. Me shpejtësi dhe kujdes të madh, kam arritur që ta kapi atë kali për kërpeshi, dhe ta shti në shtëpinë e Nedelkut tregonte gjyshi. Kali kishte qene i ngarkuar me armë dhe municion. Ne i siguruam armët tjera, për të vazhduar luftën, dhe për pak qaste mbetëm vetëm ne të dytë. Pas pak kohe u dëgjuan duke thirrur fshatarët tanë, ne dolëm dhe u bashkuam me ta.

Kur dolëm te Xhehemi (lokalitet ne fshat), hymë në shtëpinë e Bulit të Brahimit. Atij i kujtohej se aty kishin qenë tre ushtarë shqiptarë të vrarë, që ishin bartur pas vrasjes në front. Gjyshi im atë kali e kishte marrë dhe dërguar në shtëpi. Pas disa viteve, gjyshi këtë kali e kishte shti në lamë për fshirjen e drithërave, dhe kur ishte afruar pranë këtij kali që të ja ndërrojë kahen e ecjes në lamë, kali pa pritë ja kishte këputur gjysmën e veshit. Gjyshi ishte zemëruar në këtë kali, dhe pasi kishte dëgjuar se italianët janë duke i blerë kuajt në Leskocë, ky me një shqiptar tjetër, për dy ditë rrugë i kishin dërguar kuajt, dhe i kishin shitur në Leskoc.

Pas mbarimit të luftës popullata shqiptare e fshatit kishte vuajtur shumë. Pushteti i ri me partizanë ua kishin marrë ushqimin dhe kafshët. Me lot në sy tregonte se edhe magjen ju kishin fshire dhe lënë pa miell. Të gjithë fshatarët i kishin dërguar kafshët në Keqekollë përveç Shabanit të Musës së Shushnicëve, dhe i kishin dërguar policinë për të kërkuar dorëzimin e kafshëve. Në këto kohë krize gjyshi im kishte shkuar në rrafshin e Kosovës për të gjetur pak drithë. Kafshët nuk i sillnim në shtëpi por i mbanim të fshehura në malin e Strakës (Mal në fshat). Në mes të banorëve dhe familjeve u shfaqën diferencimet, disa familje privilegjoheshin, ndërsa pjesa më e madhe e familjeve shqiptare ndiqeshin nga pushteti.

Ndihma ju jepnin vetëm njerëzve të besueshëm. Ishim te djegur e shkatërruar tërësisht, bënte ftoftë dhe shkova në Keqekollë, pasi dëgjova se ndanin nga një metër najlon për ti mbyllur dritaret. Mua nuk ma dhanë as najlonin, më thanë nuk e meriton tregonte shpesh gjyshi im.

Sipas rrëfimeve të gjyshes time, në kohën e ofensivës së ushtrisë bullgare-serbe, fëmijët dhe gratë ishin larguar nga Prapashtica dhe ishin strehuar te babai i saj Ajet Krasniqi, në lagjen Viti të Marecit. Atje kishin qëndruar disa jave deri sa ishte pushtuar Prishtina. Ushtritë sllave çdo banorë shqiptar, që e kishin zënë gjatë rrugës deri në Prishtinë i kishin vrarë. Disa banorë të fshatit që ishin ofruar për të parë se a janë djegur shtëpitë e tyre, ishin vrarë nga ushtria bullgare. Ajo rrëfente për dy gra motra shqiptare të cilat me një djalë rreth 7 vjeçar, pasi ju kishin afruar fshatit Prapashticë, ishin arrestuar nga ushtria bullgare. Të dy këto gra ishin dërguar në malet e Keqekollës dhe ishin dhunuar sistematikisht nga ushtarët bullgar, derisa njëra prej tyre vdes nga dhuna. Pas vdekjes së saj motra tjetër me djalin e saj lirohen dhe tregojnë tmerrin që e kishin përjetuar. Një tjetër detaj që ja vlen të tregohet për sjelljen e ushtarëve bullgar ishte rasti që pas kthimit të familjarëve në shtëpinë e tyre, gjithçka kishin gjetur të shkatërruar. Shtëpitë e djegura të demoduara, ushqimin e plaçkitur, ndërsa në kasa (tinarët e djathit) me prodhime blegtorale bullgarët e kishin kryer nevojën fiziologjike, për ta ndotur tërë bulmetin e mbledhur.

Pushteti i sapo formuar nga partizanët, burgosën, vranë dhe shpërngulën shqiptarët e pafajshëm nga trojet e tyre etnike. Kundër aksioneve të ushtrisë dhe arrestimeve, një numër i shqiptarëve të arratisur, e vazhduan rezistencën kundër pushtetit partizanë. Në këtë kohë fillojnë të organizohen komitetet e rretheve te NDSH-së. Kjo rezistencë vazhdoi deri në vitin 1947.

Përveç komiteteve rinorë të themeluara në rrethe edhe në Gjimnazin e Prishtinës u themelua komiteti rinor i NDSH-së. Në këtë organizatë në mesin e 11 nxënësve ishte edhe Rrahman Latifi i lindur në Prapashticë, dhe si simpatizues i kësaj organizate ishte edhe Shaban Sheqiri, nxënës nga Podujeva.

Disa nga anëtarët e Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare, që kishin mbetur në Kosovë gjenin strehim në familje tjera shqiptare. Shumica prej tyre u hetuan dhe u vranë nga OZN-a jugosllave. Disa tjerë u tradhtuan nga vet shqiptarët, duke u vrarë në pabesi. Pas shpartallimit të organizatës së NDSH-së, deri në vitin 1948 në arrati mbeten edhe Azem Bellaqevci dhe Musli Dumoshi, por më 21 shkurt të vitit 1948, të dytë vriten në konakun e shokut të Musliut në fshatin Prapashticë.

Për ushtrinë serbo-bullgare, nuk ishte e rëndësishme shqiptarët a kishin formuar formacione partizane, në marrëveshje me partizanët jugosllav. Si rast konkret e kemi edhe fshatin Nishec, vendlindjen e Mustafë Hoxhës, komandantit të batalionit Meto Bajraktari, që më kohë kishte bashkëpunim me aradhet partizane të Titos. Edhe pse në fshatin Nishec ishte themeluar qendra e veprimit të partizanëve shqiptar, kur hynë ushtria NÇJ-së dhe armata bullgare, ndaj banorëve shqiptar ushtruan dhunë, dhe lanë të vrarë 14 banor shqiptar, arrestuan rreth 100 gra fëmijë e pleq, dhe dogjën shtëpinë e Hamit Dedes, rojës së batalionit partizan Siç shihet nga këto veprime të ushtrisë serbo-bullgare, qëllimi kryesor i kësaj ushtrie ishte vrasja dhe dëbimi i shqiptarëve nga vatrat e tyre.

Ushtria bullgare disa burra të fshatit Nishec, pasi i kishte rrahur, i kishin shtyrë që të hapin varret e tyre, dhe disa të lidhur mes veti i kishin pushkatuar dhe varrosur në një varrë të vetëm. Mustaf Hoxha si komandant i batalionit “Meto Bajraktari”, me të gjithë të vrarët kishte lidhje familjare, por nuk kishte pasur mundësi ti shpëtoj as fshatarët e vet. Pas okupimit të Prishtinës dhe ndjekjes së shqiptarëve, Mustaf Hoxha bëri të çmos për shpëtimin e shqiptarëve, por te ai vërehet edhe zhgënjimi nga bashkëpunimi me partizanët jugosllav.

Prej verës së vitit 1944, dhe pas ripushtimit të Kosovës nga forcat e ushtrisë partizane të Titos, popullata shqiptare përjetoj përndjekje, vrasje masive, mobilizoj të rinjtë shqiptar dhe i dërguan për ti vrarë në Srem e Tivarë, plaçkiten popullatën, realizuan programet e shpërnguljes në Turqi, dhe filluan me shkatërrimin e kulturës materiale e shpirtërore të shqiptarëve në ish Jugosllavi. Për shpërnguljen dhe vrasjen e shqiptarëve të Kosovës, UNÇJ-ja në Kosovë i kishte dërguar katër divizione me 14 brigada, të cilët filluan me masakra në Drenicë e Gjilan.

Pas hyrjes së ushtrisë sllave në Prishtinë dhe ekzekutimit të qytetarëve në Tauk-Bahqe, masakra të mëdha u bënë edhe në Prapashticë, Mitrovicë, Rahavec, Vushtrri etj.

Në rrethana të tilla, kur popullata shqiptare ishte rrezikuar që të dëbohet nga trojet etnike, ishte e domosdoshme një ri organizim i shqiptarëve rreth Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare. Kjo organizatë i kishte themeluar komitetet në të gjitha viset e Kosovës të banuara me shqiptar. Komitetet ishin themeluar edhe për territorin e Prishtinës dhe Podujevës. Në kuvendin që është mbajtur më 17 gusht 1945, në fshatin Koliq, morën pjesë 26 anëtar. Kryetar i rrethit për Podujevë u zgjodhe Mulla Ramë Govori. Kjo organizatë filloj me mbajtjen e kuvendeve në tërë territorin e Kosovës.

Kundër anëtarëve të kësaj lëvizje filluan vrasjet, burgosjet, përndjekjet si dhe me anëtar të radhëve partizane në popull përhapej urrejtja dhe përçarja. Nga shërbimet e fshehta të OZN-ës, u likuiduan shumë lider shqiptar si Ajet Gërguri, Gjon Sereqi, Shemsi Gashi, Shyt Mareci, Mulla Idriz Gjilani, Azem Bellaqevci, Musli Dumoshi etj.

Abazi i Islamit nga lagja e Balajve të Prapashticës, ishte zhvendosur më herët dhe jetonte në fshatin Keqekollë. Pas okupimit të Kosovës shumë vullnetar shqiptar, që kishin qenë kundër ushtrisë serbo-sllave, për ta shpëtuar kokën u nisën drejt kufirit të Greqisë. Në mesin e tyre ishte edhe Abazi i Islamit nga Keqekolla, i cili dy herë ishte plagosur në përpjekje për ta kaluar kufirin grekë. Pas kthimit në fshatin e tij, qëndronte në mal, por hetohet nga xhandarmëria serbe dhe plagoset rëndë. Ai qëndron i plagosur në përrua dhe për tre ditë me radhë nuk e vërejnë askush. Hyseni i vogël 6 vjeçar dhe vajza Shaha, pasi i lëshojnë bagëtinë, ofrohen pranë islamit të plagosur. Islami i fton fëmijët që ta ndihmojnë, që ta njoftojnë Isën të merr pak ujë të vakët e të vijë sa më parë. Isa së bashku me Faten njerkën e tij, shkojnë e ndihmojnë duke ja pastruar plagën. Islami kërkon që pa u hetuar nga çetnikët sa më parë duhet ta takojnë me Brahë Shushnicen e Prapashticës. Islamin nëpër një rrugicë me pakë borë e dërgojnë natën të Braha në fshatin Prapashticë. Braha pasi ju jep ushqim, ju thotë pa merak unë e rregulloj vendin ku do të qëndrosh, shërohesh dhe do të ju bashkohesh shokëve. Braha në mal e rregullon strehimoren, ku çdo ditë ja dërgonte ushqimin dhe ja shëronte plagën.

Pas tre muaj qëndrimi te Braha në Prapashticë, Islami shërohet dhe kthehet fshehurazi në shtëpinë e tij. Pas pak ditësh xhandarët e kuptojnë se ai ishte shëruar dhe tani gjendej në shtëpi. Përmes xhandarëve shqiptar kërkojnë të bisedojnë me te që të dorëzohet me premtim se do ta falin. Pasi dorëzohet e dërgojnë në burgun e Nishit, atje e mbysin dhe e varrosin, andaj edhe sot nuk dihet varri i tij.

Familja e Shushnicëve, degëzim i familjes Shushnicëve në fshatin Prapashticë, gjatë kohës së luftës e kishin një organizim të mirë familjarë, dhe një ekonomi solide për kohën. Duke e parë rrezikun, në prag të Luftës së Dytë Botërore, në malin e tyre “Straka”, afër mullirit familjar të tyre e kishin ndërtuar një strehimore. Gjatë gjithë kohëve të krizës dhe rrezikut në atë strehimore kalonin natën njerëz të përndjekur, kocak, por edhe disa hebrenj që hyn në Kosovë nga territori i Serbisë. Musa i Shushnicëve, kishte pasur që herët miqësi me familjen hebraike Bahar, në Prishtinë. Pas vdekjes së Musës këtë miqësi e vazhdon edhe djali i tij Shabani. Shabani ishte kryeplaku i kësaj familje deri në vitin 1946. Brahimi (Braha), Musën e ka pasur axhë, dhe pas vrasjes së babait të tij Namanit në vitin 1921, është rritur në përkujdesje të Musës dhe Shabanit. Nga kjo familje kryesisht ishte ngarkuar Braha që të kujdeset për të strehuarit e mullirin dhe dërgimin e ushqimit njerëzve të strehuar në bunkerin e tyre.

Në këtë bunker fill pas betejës së Gjilanit, Arif Kllokoqi e kishte sjellë mulla Idriz Gjilanin. Mulla Idrizi në këtë bunker kishte qëndruar plotë tre javë. Prej Prapashticës, mulla Idrizi vendoset ne Tyxhec, dhe pastaj në Gjyrishec. Braha tregonte se kur errësohej Mulla Idriz Gjilanin e sillnin në odën e tyre, ndërsa para muzgut e kthenin në strehimore. Këto rrëfime i kam dëgjuar disa herë nga gjyshi im Brahim Namani (Braha), por pas vdekjes së tij, vendin ku ka qenë strehimorja e kam vizituar me djalin e Shabanit Feratin. Fotografinë e Feratit duke treguar për strehimoren e familjes e ka publikuar Ramadan N. Ibrahimi.

Po ashtu për strehimoren e familjes së Shushnicëve në malin “Straka”, dhe për qëndrimin e Mulla Idriz Gjilanit, pas betejës së Gjilanit si dhe strehimin dhe shërimin e Abaz Islamit nga Keqekolla ka shkruar edhe Ali Sh. Berisha. Në fshatin Prapashticë e pikërisht në odën e Shaban Musës së Shushnicëve, ishte pika kontaktuese e armatës shqiptare prej Mitrovicës me armatën shqiptare të Gjilanit, andaj anëtarët e kësaj familje edhe më parë ishin njohur me komandantët e të dy zonave. Si pas kujtimeve familjare nga zona e Gjilanit, në familjën tonë që kishin ardhur për tu konsultuar me komandën e zonës së Mitrovicës përmendeshin Shqfqet Bylykbashi, Bajram Krasniqi nga Tygjeci, Mulla Sefë Govori nga Gjilani, Nazmi Budrika etj.

Si përfundim të tragjedisë së popullit shqiptar në fund të Luftës së Dytë Botërore, po jap disa konkluzione të Izber Hotit.

Izber Hoti, lidhur me fatin e shqiptarëve dhe bashkëpunimin me PKJ, shkruan: Komunistët shqiptar pasi ju besuan premtimeve të PKJ-së dhe PKSH-së, edhe ata u inkuadruan në LNÇ, ku së bashku me popullin serbë e malazezë e të tjerë në Kosovë ata formuan aradhe, çeta e brigada të UNÇJ-së. Në prag të vitit 1945 në Kosovë siç dihet u formuan 8 brigada të UNÇ e AP të Kosovë e Metohisë, një Brigadë e Korparmatës së Mbrojtjes Popullore të Jugosllavisë, të cilat bashkë me njësitet ushtarake të prapavijës kishin afër 50.000 luftëtar. Siç shihet edhe populli shqiptar dha kontributin në luftë kundër fashizmit, këto janë fakte të cilat nuk mund të injorohen dhe supozimi se Kosova më 1944 u “çlirua” është e qëndrueshme dhe as që mund të mohohet, mirëpo. Kjo është vetëm njëra anë e medaljes, ana tjetër e kësaj medalje është plotësisht e kundërta me të parën.

Izber Hoti, në studimin e tij shkruan se ri robërimi kombëtar i shqiptarëve në Kosovë dhe në viset e tjera etnike, nga ana e komunistëve jugosllav u bë me paramendim që nga fillimi i Luftës së Dytë Botërore, ndërsa mori përmasa të mëdha nga fundi i marsit të vitit 1944, deri në korrik të vitit 1945. PKSH-ja i besoi verbër premtimeve të PKJ-së, ndërsa lufta e shqiptarëve të Kosovës për çlirim kombëtar nuk pati sukses. Si pasoj Kosova dhe viset tjera shqiptare në Jugosllavi u ripushtuan dhe u robëruan sërish. Dështimi i çlirimit të Kosovës, si edhe bashkimit kombëtar të shqiptarëve, nuk e mohon LNÇ-në e shqiptarëve në Kosovë, as rëndësinë dhe kontributin e kësaj lëvizje në luftë kundër fashizmit. Mirëpo me ripushtimin e Kosovës, komunistët jugosllav shkelen premtimet dhe parimin e vetëvendosjes së popujve, në të cilat përbetoheshin gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Unë kësaj që ka shkruar Izber Hoti do ti shtoja, pasojat e përçarjeve të shqiptarëve në momente kritike dhe të rëndësishme për të vendosur për fatin e popullit. Mendoj se duke analizuar disa nga tragjeditë kombëtare në lufta por edhe në tryeza të bisedimeve të nivelit ndërkombëtar, mos uniteti i shqiptarëve, si pasoj e koncepteve ideologjike, fetare dhe ambicieve për pushtet dhe për tu pasuruar, ju ka kushtuar shqiptarëve që të mbesin të copëtuar në territore, të ndarë dhe të pa fuqishëm në aspektin ushtarak ekonomik dhe intelektual për të mbrojtur interesat vitale kombëtare. Shpresojmë që në të ardhmen të vetëdijesohemi për ta kuptuar se interesat, kombëtare e shtetërore, duhet të jenë prioritet para egove dhe ambicieve individuale e familjare për pasuri e pushtet.

Filed Under: Histori

E PASHË ISMAIL KADARENË !

July 2, 2024 by s p

Bexhet Asani/

Poeti, romansieri, publicisti, eseisti kritiku dhe përkthyesi me famë botërore Ismail Kadare, këtë vit, dy herë me radhë e vizitoi qytetin e Strugës. Në maj dhe në tetor. (2002)

Maj 2002. Posa mbarova mësimin, u nisa për në qendër të qytetit. Qytetin e Strugës anë e kënd e kishte pllakosur aroma e luleve të majit. Një kafe me shok të rastit që do të takoja atë ditë dhe një pije freskuese sikur do të na çlodhte. Po ja që do ti, sa vura këmbën në korzo, pedonale, rruga ku bëhej, bëhet dhe do të bëhet xhiro në qytetin piktoresk të Strugës. Dëgjova fjalinë:

– E pash Ismail Kadarenë !- m’u drejtua shoku im, doktor Feta Reçi , i cili sa ndjehej i gëzuar po aq edhe i emocionuar.

– Ec, takoje edhe ti !

– Ku është ? Si? – shqiptova disa fjalë pa menduar fare. Kadare në Strugë!? Në Strugën e poezisë ! Në qytetin që ka ndërtuar “ura” me Australinë, Amerikën, Zelandën e Re, Afrikën, Azinë me qindra e mijëra kilometër larg. Dhe shemb ura fare të vogla me shqiptarë. Festivali i poezisë në Strugë që njeh mbase edhe poetë minorë nga mbarë bota! Festivali i poezisë që s’ njeh shkrimtarin me famë botërore, njëherit edhe kandidat për çmimin nobel Ismail Kadarenë. U nisëm të dy me hapa të shpejtuar. Nxënësit maturantë e kishin rrethuar shkrimtarin. I merrnin autograf. I bënin pyetje. Pash Kadarenë, Kadarenë veprat e të cilit i punuam me nxënësit edhe kur ishte i ndaluar. Ai u përgjigjej pyetjeve të nxënësve me kënaqësi. U afrova ngadalë, iu prezentova.

– Këta janë nxënësit e tu ? – më pyeti.

– Po. – iu përgjigja..

Nga pyetja që më bëri, kuptova se kishte dalë i kënaqur nga biseda që kishte zhvilluar me ta. E ndjeva veten të lumtur. Kadarenë e shoqëronin: shkrimtarja Helena – bashkëshortja, vajza dhe disa miq nga Pogradeci dhe Korça. Ndërsa nga Struga e shoqëronte aktivisti Ajrush Miftari.. Bashkë me Kadarenë pushuam për pak kohë te ëmbëltorja “Dredhëza “. Profesor Nexhat Mustafa s’ përmbahej dot nga gëzimi. Me Yzeirin, Rahmiun, Nuhiun, Xheladinin kishim biseduar që të festonim përvjetorin e lindjes së Ismail Kadaresë, apo të organizonim përurimin e ndonjë libri të tij. Mendonim sesi të binim në kontakt. Dhe ja e kërkonim në qiell dhe e gjeta në tokë. Thjeshtë donim ta festonim ditëlindjen e Ismail Kadaresë në qytetin tonë. Këtë ia thashë edhe Ismail Kadaresë, ia kishte thënë edhe dramaturgu Nexhat Mustafa.. Ismail Kadare nuk dëshironte që t’i festohej ditëlindja, por me kënaqësi pranoi që të bënte përurimin e librit më të ri që kishte në dorëshkrim, gjatë muajit tetor. Lajmi se Kadareja do ta bënte përurimin e librit të tij në Strugë, u përhapë si vetëtima. Ky lajm u prit me gëzim nga të gjithë. U bë si u bë, promovimi i romanit “ Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut “ në Strugë nuk u bë! Përurimi i veprës u bë në Tetovë. Zhgënjimi ishte i madh. U munduam që ta arsyetonim se Tetova është një qendër Universitare, por më kot!

Tetor 2002. Pas dreke, aty nga ora gjashtëmbëdhjetë. Troket dera e shtëpisë. Del ime shoqe Afërdita, të shikojë se kush trokiste. Pa dy burra rreth moshës tridhjetë e pesë vjeçare. Hyn brenda. Më thotë:

– Të thërrasin nja dy burra!

– Kush janë? – pyeta unë.

– Nuk i njoh!

Dola menjëherë jashtë. Shoh dy vetë. Njërin e njihja ishte Zendel Ibrahimi, një bashkëfshatar imi. Tjetrin nuk e njihja.

– Urdhëroni brenda!

– Jo, nuk jemi për brenda! Vishu dhe do të vish me ne!

– Po, ku do të shkojmë?

Na thanë që mos të të tregojmë, le të jetë një suprizë…!

M’ u duk si njëlloj ultimatumi. Aty për aty mendova: unë i pasur nuk jam, që të më rrëmbejnë, keq nuk i kam menduar dhe as nuk i kam bërë njeriu. I them Afërditës do të shkoj ky bashkëfshatari im me sa e njoh nuk është njeri që mund të më bëjë keq!

U nisëm drejt qytetit të Strugës, e që nga shtëpia ime i ka nja 6-7 km. Ai voziste rrugës kryesore, nuk lakoi asgjëkundi. Si iu afruam qytetit, pas insistimit tim se ku më çonin bashkëfshatari im Zendeli që shkurt i thoshin Neli foli:

– Ajrushi na çoi të të merrnim, se ka ardhur Ismail Kadareja dhe se ai mund të bisedojë me Ismailin sepse është profesor i gjuhës, por na porositi që mos të të tregonim gjersa ta shihje vetë Ismail Kadarenë.

– Po këtë të ma thoshit që në shtëpi, o të uruar! Mirënjohje Ajrush Miftari që më bën këtë nder! Që nga ky moment, nga kjo suprizë e këndshme, unë dhe Ajrushi ishim dhe jemi edhe më të afërt si shokë.

Po, pse s’ u bë përurimi në Strugë ? Kësaj pyetje, autori i këtyre rreshtave s’ i përgjigjet dot. Nuk e kërkuam psenë as nga Kadareja. Por, ai nuk i zhgënjeu struganët. Mbase për t’u “shfajësuar”! Me ta e mbajti një takim rasti dhe zhvilloi një bisedë të lirë siç u shpreh ai. U bënë pyetje nga më të ndryshmet: nga letërsia, kultura, politika etj. Prezentimin e bëri dramaturgu Nexhat Mustafa, i cili për shkaqe shëndetësore u tërhoq. Fjalën e mori profesor Rahmi Tuda i cili nuk nguroi t’ i bëjë edhe pyetje. Pyetje u bënë edhe nga të tjerë si dr. Nuhi Vinca dr. Bexhet Asani, Xhemi Hajredini, Arzie Dika, Bashkim Pollozhani, Aziz Pollozhani, Agim Lita e ndonjë tjetër.

Ja pyetjet që i bëri autori i këtyre rreshtave dhe përgjigjet e Ismail Kadaresë në takimin me intelektualët struganë:

Prof. Bexhet Asani: Z. Kadare a mendoni se mediokriteti në art ka arritur kulmin?

Ismail Kadare: Nuk mendoj se mediokriteti ka arritur kulmin. Mediokriteti gjithmonë arrin kulmin, në çdo kohë dhe në çdo vend. Kjo nuk është aspak dëshpëruese, është një realitet, kur shumica dërrmuese e krijimtarisë në të gjitha epokat ka qenë me vlerë të paktë ose të aspaktë. Ne e harrojmë këtë gjë, për fat të keq dhe kujtojmë në kohën e Dantes, kishte një Dante, por ju siguroj, ka pasur edhe nja dymijë shkrimtarë që shkruanin si Danteja dhe të tërë janë harruar. Edhe në kohën e Homerit që dikur këndonte me atë vegël të vogël muzikore, ka pasur nja pesëmijë, por janë harruar. Ajo që është letërsi pavlerë, si gjethet në vjeshtë. Mirëpo ne që jetojmë, na duket se në kohën tonë arti është pavlerë. Kështu ka qenë gjithmonë, sepse më vonë duket çka është vlerë që mbetet.Prandaj nuk duhet të na shqetësojë kjo gjë.

Disa herë duhet të na shqetësojë, ja p.sh., ç’ ndodh në Shqipëri e Kosovë, ku shumica botojnë duke paguar veprat e tyre, që s’ kanë asnjë vlerë dhe kjo e shton dozën e mediokritetit të zakonshëm, e bën dyfish, pra edhe kjo është sëmundje, është gabim p.sh., nëse prindërit botojnë vepër të fëmijëve dymbëdhjetë vjeçarë, kjo bën të degradohet vetë.

Bexhet Asani: Çmoni më shumë krijimet tuaja para nëntëdhjetës apo pas nëntëdhjetës?

Ismail Kadare: Nuk shoh ndryshim, kanë patur të njëjtën përhapje. Unë i çmoj njëlloj.Rendi politik nuk luan rol në krijimtarinë letrare, krijimtaria është përfillëse ndaj rendit politik.

Nga ky takim siç vërehej edhe në fytyrën e lodhur të Ismail Kadaresë, nga rruga dhe takimet që kishte pasur me studentët në Tetovë, doli mjaft i kënaqur. Në fjalën përfundimtare tha:

– Ju faleminderojë për këtë bisedë kaq të ngrohtë, për praninë tuaj kaq miqësore, kaq të mençur. Më prek shumë interesimi juaj për letërsinë, kulturën, për fatin e popullit shqiptar. Të ndodhesh në mesin e bashkëkombasve të tu me të cilët merresh vesh kaq mirë.

Struga për Isamil Kadarenë është një simpati e vjetër dhe një simpati e re.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • 54
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT