• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2024

Shqiptarët në Mal të Zi dhe vonesa e publikimit të të dhënave nga regjistrimi i popullsisë

July 1, 2024 by s p

Ndonëse është paralajmëruar më herët se rezultatet nga regjistrimi i popullsisë në Mal të Zi, të mbajtur me 1-28 dhjetor 2023 do të shpallen më së largut në muajin qershor, sipas informacioneve të fundit për çështje teknike, përkatësisht në mungesë të sofuerit ata do të shpallën më vonë, qe hapë dilema dhe spekulime ku çështje kyçe paraqet struktura kombëtare e gjuhësore e popullsisë në këtë mjedis, që është dukuri e shoqërive të pakonsoliduara, ku bënë pjesë edhe Mali i Zi.

Nail Draga

Nga ana e MONSTAT-it kanë njoftuar se deri me tash janë shpallur dy tenderë për blerjen e softverit por ata kanë dështuar, por së shpejti do të shpallet tenderi i tretë dhe shpresohet se do të realizohet me sukses qe do të mundësojë shpalljen e të dhënave nga regjistrimi i popullsisë. Por, deri atëherë do të vazhdojnë komentet negative në lidhje me këtë çështje, që krijon mundësi për spekulime në opinionin e gjerë.

Të dhënat e përgjithshme të publikuara

Të dhënat paraprake mbi regjistrimin e popullsisë, familjeveve dhe të banesave në Mal të Zi që është mbajtur nga 1-28 dhjetor 2023 nga ana e MONSTAT-it opinionit iu prezantuan me 25 janar, ku numri i përgjithshëm i popullsisë është 633.158 banorë apo për 2.1% më tepër së në vitin 2011(620.029 banorë).

Sipas të dhënave të regjistrimit të popullsisë, në aspektin regjional, del se regjioni Verior në Mal të Zi, është i përfshirë nga dukuria e shpopullimit sepse për pesëdhjetë vjet 1971-2023, numri i banorëve ka rënë për 70.617(30.66%) nga 230.309(1971) në 159.662(2023).

Nga ana tjetër regjioni Qendror ka pasur rritje për 106.944 banorë(34.54%) nga 202.612(1971) në 309556(2023). Po ashtu rritje ka pasur edhe regjiioni Jugor për 65.277 banorë(39.81%) nga 96.683(1971) në 163.960(2023).

Dukuria e tillë e shpopullimit të popullsisë, dëshmon pabarazinë e zhvillimit ekonomik në aspektin regjional, e cila në sajë të parashikimeve do të vazhdojë edhe në të ardhmën, ku me atraktiv do të jetë regjioni Qendror e ai Jugor.

Shpopullimi, dukuri shqetësuese

Sipas të dhënave të publikuara në vitin 2011 në Mal të Zi ishin 43 vendbanime pa banorë(3.3%)ndërsa tash ky numër është rritur në 74(5.1%) e numrit të përgjithshëm në Mal të Zi.

Nga ana tjetër është rritur dukshëm edhe numri i vendbanimeve nga 10 banorë e më pak qe janë 304 (20.8%) ndërsa në vitin 2011 ishin 120 apo 9.2%. Një e dhënë e tillë dëshmon

se për disa vite në vijim një e katërta e vendbanimeve do të jenë pa banorë, që është dëshmi e migrimit të popullsisë, përkatësisht e shpopullimit të vendbanimeve!

Spekulime me strukturën e popullsisë

Në mungesë të publikimit zyrtar të strukturës së popullsisë nga individë të ndryshëm janë prezantuar informata sa i përket strukturës kombëtare të popullsisë. Një çështje e tillë ka të bëjë kryesisht ne lidhje me numrin e të deklaruarëve në aspektin kombëtar si malazez dhe serb, sepse në sajë të raporteve politike viteve të fundit në Mal të Zi kjo çështje është politizuar shumë.

Ndërsa nëse analizojmë të dhënat nga regjistrimet e kaluara te popullsisë (1948-2011) ka fakte të mjaftueshme se janë bërë falsifikime numërike në këtë drejtim, e ate kryesisht në favor të malazezëve e në dëm të popujve tjerë, që ishte në kundërshtim me realitetin në këtë mjedis multinacional. Ne këtë aspekt falsifikime janë bërë edhe ndaj shqiptarëve qe dëshmohet nëse analizohen të dhënat sipas vendbanimeve te banuara me popullsi shqiptare në viset e tyre si popullsi autoktone në këtë mjedis, që paraqet çështje për hulumtim të veçantë.

Por, pasi në ndërkohë mungojnë të dhënat zyrtare nga regjistrimi i popullsisë e sidomos ne lidhje me veçoritë etnike e kulturologjike individë të ndryshëm janë paraqitur me prezantim të te dhënave të cilat nuk janë si rezultat i të dhënave të përpunuara nga regjistrimi i popullsisë andaj si të tilla nuk kemi të bëjmë me informata të sakta por janë parashikime personale apo grupeve të ndryshme, dhe si të tilla nuk janë zyrtare por janë lajthitje për opinionin e gjerë.

Pikërisht ne lidhje me këtë çështje nga MONSTAT-i kanë informuar se të dhënat e mbledhura sipas pyetësoreve ka qenë e nevojshme të vendosen në sistem, për të filluar procesi i kontrollit dhe përpunimi i të dhënave. Vendosja e të dhënave ka filluar në muajin shkurt dhe ka zgjatur deri në fund të prillit. Krahas fazës së vendosjes së të dhënave është edhe kontrollimi i të dhënave, ku kjo fazë do të zgjasë deri në publikimin e të dhënave definitive nga regjistrimi i popullsisë.

Duke marrë parasysh se nga janari e deri tash është krijuar një vakum kohor individëve të ndryshëm iu është dhënë mundësia për paraqitje te të dhënave të ndryshme në lidhje mbi strukturën kombëtare e gjuhësore të popullsisë qe me të drejt i quajmë spekulime sepse për të dhënat zyrtare kompetent është vetëm MONSTAT-i e askush tjetër.

Në pritje të softuerit

Kemi të bëjmë me softuerin i cili ka rolin e kontrollit te të dhënave të grumbulluara gjatë regjistrimit të popullsisë, familjeve dhe të banesave, i cili deri me tash nga ana e MONSTAT-it është shpallur dy herë por ka dështuar andaj së shpejti do të shpallët tenderi i ri i treti më radhë, duke shpresuar qe përfundimisht të zgjidhet kjo çështje teknike, qe është e nevojshme për publikimin e të dhënave zyrtare të regjistrimit të popullsisë.

Në sajë të ligjit MONSTAT-i e ka paraparë si obligim që qytetarëve t´iu ofrojë mundësinë për të vërtetuar të dhënat e tyre, në lidhje me karakteristikat etnike e kulturologjike të mbledhura ne procesin e regjistrimit përmes softverit. Kemi të bëjmë me një procedurë qe nuk mund të vlerësohet vetëm si teknike, sepse ka të bëjë me seriozitetin dhe saktësinë e të dhënave të prezantuara në regjistrimin e popullsisë. Kemi të bëjmë me mundësinë teknike te çdo qytetari për të lexuar e parë personalisht të dhënat e regjistruara në fletën e regjistrimit të popullsisë, çështje e cila eliminon dilemat për spekulime të ndryshme, që është dukuri e shoqërive e vendeve të pakonsoliduara, ku bënë pjesë edhe Mali i Zi.

Përfundimisht cekim se sipas Ligjit për Regjistrim, publikimi i rezultateve nga regjistrimi i popullsisë, familjeve dhe banesave të vitit 2023, është në kompetencë të MONSTAT-it, andaj çdo informacion tjetër është spekulim dhe pa vlerë për opinion e gjerë.

(Qershor 2024)

Filed Under: Rajon

MITI I SAJUAR I KOSOVËS, KLEROFASHIZMI SERB DHE SHTETI I KOSOVËS…

July 1, 2024 by s p

Jusuf Buxhovi/

Para 35 vitesh në Gazimestan, para turmës një milionëshe serbe, me fjalët se “pas gjashtë shekujsh, prapë gjendemi para betejave dhe në beteja, të cilat nuk janë të armatosura, por sado që të tilla nuk përjashtohen”, Milosheviqi, hapi kapitullin e përgjakshëm të rrënimit të Jugosllavisë me pasoja tragjike për popujt e saj.

Në këtë ditë, në tribinën e Gazimestanit, para kryesisë së shkërmoqur jugosllave dhe sy botës së hutuar me ato që po ngjisnin me trashëgimin e Titos, u promovua “vozhdi” serb i reinkarnuar nga Lazari i Kosovës që ta rikthejë “lavdinë histotorike serbe” dhe, si tha, “misionarizmin e serbëve për ta mbrojtur qytetërimin europian” (kuptohet nga shqiptarët pushtues të tokave të shenjta serbe)!

Po ato ditë, diku afër Gazimestanit, dr. Ibrahim Rugova, asokohe kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, në një intervistë historike dhënë magazinit gjerman “Der Spiegel”, ndër të vetmit, në emër të ndërgjegjes intelektuale, historike, kulturore dhe politike (ndonëse pa mandat të saj), ia ktheu përgjigjen kërcënimeve të Millosheviqit drejtuar shqiptarëve po edhe të tjerëve në festën klerofashishte të Vidovdanit serb.

Me pak fjalë, kundërpërgjigja e Dr Rugovës Millosheviqit, në të përjavshmen më të fuqishme gjermane dhe europiane të kohës, ishte se në mars të atij viti, në ditën e 23-të, Millosheviqi, me tanke dhe në rrethanat e gjendjes së jashtëzakonshme, rrënoi autonominë e Kosovës, si njësi federative. Me këtë bëri puç ndaj kushtetutës jugosllave. Ky veprim nga shqiptarët shikohet si ripushtim i Kosovës, mbas atij të vitit 1945. Me këtë rast Rugova tërhiqte vërejtjen serbëve se “sa herë ndonjë popull i vogël, e të tillë janë edhe serbët, kanë provuar të vejnë hegjemoni në Ballkan, kanë përfunduar tragjikisht”.

Pra, orgjia klerofashishte serbe e qershorit të vitit 1989, përfundoi siç parashikonte dr Rugova në magazinin gjerman. Por nga këndvështrimi i sotëm historik, Gazimestani nxori në pah dy nga akterët më të rëndësishëm të saj, që shënuan epoka me kah të kundërt.

Në njërën anë, Millosheviqin – humbës të saj, i cili në vitin 2003, si president i mbetjes jugosllave, përfundoi në Trtibunalin Ndërkombëtar të Hagës për krime lufte kundër njerëzimit ku edhe vdiq gjatë procesit në vitin 2006.

Dhe, në tjetrën anë – dr Ibrahim Rugovën, si lider historik të shqiptarëve, i cili, me themelimin e LDKs-ë më 23 dhjetor të vitit 1989, me mandatin e votës së lirë nga zgjedhet presidenciale dhe parlamentare në vitin 1992 dhe 1998, mori përgjegjësinë historike të rezistencës institucionale (me shtetin paralel) deri te ajo e armatosur, e cila solli ndërhyrjen ushtarake të NATO-s nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999.

Historia, midis demistifikimit të mitit të sajuar serb të Kosovës për qëllime hegjemoniste dhe të lirimit të Kosovës prej tij që për epilog pati shtetin e pavarur të Kosovës të shpallur më 17 shkurt 2008, mund të thuhet se fillimin e fundit e pati më 28 qershor 1989 në Gazimestan.

Ky kapërcim i jashtëzakoshëm historik, megjithatatë, ka lënë prapa frymën e klerofashizmit serb, i cili, në çdo Vidovdan, përpiqet që në Kosovë, ta mbajë të gjallë mitin mesjetar të “Kosovës djep historik serb”, sadoqë realiteti (shteti i Kosovës dhe përkatësia perëndimore e shqiptarëve) e ka zhvlerësuar deri në anakronizëm!

…

Filed Under: Editorial

GJUHA DHE HAPËSIRA, BAZË E NJË RIDIMENSIONIMI TJETËR NË METODOLOGJINË E KËRKIMEVE ILIRE

July 1, 2024 by s p

Prof. dr. Begzad Baliu/

Vepra më e re e Profesor Ruzhdi Ushakut më ka nxjerrë para një sprove të madhe shkencore, në një kohë që jo pa rrahagjoksje jam deklaruar para miqve, se jo vetëm e kam lexuar e rilexuar veprën e tij, por edhe jam frymëzuar nga ajo, jam thelluar në fushë të dijes duke u kapur për rrënjët e saj dhe madje jam ngritur duke u ushqyer nga frytet e saj. Sikur të mos mjaftonte kjo, për tri ‘monografinat’ e tij, sikur do të thoshte Profesor Selman Riza, jo pak kemi biseduar para se të shkruheshin, jo pak kemi menduar në kohën që po shkruheshin dhe madje jo pak kemi ‘vënë në peshë’ kohën kur do të botoheshin ato. Sprova më e madhe para së cilës u gjeta është momenti kur Profesor Ruzhdi Ushaku më përzgjodhi të jem një si lajmësi i kësaj vepreje, autor i një fjale hyrëse, për të cilën fillimisht isha jo pak i emocionuar.

Tri studimet monografike janë shkruar përgjatë dy dekadash a më shumë. Trajtesat Reliktet e parashqipes (Relikte të parashqipes së folur nga koha e Aleksandrit të Madh. – Studim krahasues për gjuhën burushe të hundakëve); Mbishkrim enigmatik ilir (Drejt zbërthimit dhe zgjedhjes së një “mbishkrimi enigmatik ilir“. – Nga shekulli VI para erës së re – ); “Bindi” dhe “Dragoi” i detit (“Bindi” dhe “Përbindëshi i detit”, një relikt mitologjik – artistik e gjuhësor i shqipes. – Studim krahasues lidhur me Relievin e zbuluar në afërsi të Tempullit të Kalasë së Ulqinit), janë shkruar së bashku me një trajtesë të katërt, e cila me kërkesën e Profesorit mbetet për një vepër tjetër. Dhe për më tej, ndërmjet tyre janë shkruar dhe botuar edhe studimet e dy vëllimeve të fundit kryesisht nga fusha e onomastikës. Por këto tri studime të përmbledhura që sikur shprehet botuesi Z. Silver Kodra, “paraqesin një opus unik të një simfonie gjuhësore”, si dhe studimi tjetër që pret të botohet, mbaheshin “në margjinë”. Arsyet janë të shumta, por një nga arsyet themelore është puna e autorit për t’i shkarkuar ato nga mundësia e krahasimit të tyre nga përbërës të mundshëm mitik e folklorik, me të cilat janë identifikuar shumë studime të kësaj natyre prej vitesh, për të mos thënë prej disa shekujsh.

Në një rrethanë botimesh shpesh pamfletiste për studimet ilire në botimet shqiptare, në të cilat dominon koncepti i paradigmës paravajtëse për shqiptarët si ‘populli më i vjetër’ dhe për gjuhën shqipe si ‘nëna plakë’ e gjuhëve të botës, këtë fjalë për “Trilogjinë ilire” të Profesor Ruzhdi Ushakut, po e hapi me një paraqitje të formimit shkencor të tij.

I. Portreti intelektual dhe shkencor i autorit

Profesor Ruzhdi Ushaku lindi në Ulqin më 1 maj 1938. Shkollën fillore e kreu në Ulqin (1953), Normalen në Prishtinë (1957), ndërsa Degën e Romanistikës të Fakultetit Filozofik në Sarajevë(1964), studimet e magjistraturës në Fakultetin e Filologjisë në Beograd(1972) dhe studimet e doktoratës po në Beograd(1979). Ka kryer një varg studimesh dhe specializimesh në Francë dhe qendrat frankofone.

Është autor i veprave Kërkime filologjike (1981), Hipotetične reèenice sa SI u savremenom francuskom jeziku književnih tekstova (1983), Paralele të ligjërimit poetik (1986), si dhe vëllimeve Ulqini në gjurmët e shekujve (1991), Hulumtime etnolonguistike (2004), Studime onomastike (2006) etj. Jeton e punon në Prishtinë.

Profesor Ruzhdi Ushaku është sintaksologu, morfologu, leksikografi, onomatologu, ballkanologu, komparativsti, diakronisti, homerologu e frankofonisti, i cili me veprën e tij, studimeve shqiptare ju ka dhënë përmasat ballkanike dhe mesdhetare; i cili me metodat dhe konceptet shkencore, si pak studiues, bashkëkohës të tij, dijes shqiptare i ka dhënë frymën europiane. Me të gjitha këto dhe çështje të tjera, të cilat kanë të bëjnë me metodën, gjuhën, kulturën dhe sidomos durimin e kërkimit, Profesor Ruzhdi Ushaku radhitet ndër ata filologë shqiptarë, të cilët me metodat më bashkëkohore të kërkimit kanë prekur epokën homerike të gjuhës, traditës, historisë dhe kulturës shqiptare. Sigurisht kjo është arsyeja pse veprës së tij, në vazhdimësi i janë referuar studiuesit nga radhët e shkencëtarëve shqiptarë e të huaj.

Profesor Ruzhdi Ushaku është njëri prej personaliteteve të shquara në studimet shqiptare, ballkanike dhe ndërkombëtare, i cili e ka ndërtuar një sistem dijeje komplementare në studimet filologjike shqiptare, mbi të cilin sot mund të krijohen rrafshe të reja në studimet albanologjike. Studiues i përkushtuar dhe i formuar në institucionet më të larta akademike e universitare të Prishtinës, Sarajevës, Beogradit, Parisit etj., ai sot përfaqëson njërin prej personaliteteve të veçanta shkencore të përmasave vendore, rajonale dhe ndërkombëtare.

Gjatë një periudhe gjysmëshekullore prej mësimdhënësi dhe profesori universitar ai ka ligjëruar dhe mentoruar kandidat magjistrature e doktorate në shumë universitete vendore e ndërkombëtare, nga Universiteti i Prishtinës deri te Universiteti i Parisit; ka botuar dhjetëra vëllime shkencore e didaktike, duke përfshirë këtu edhe kryeveprat: Enigma e Aristofanit, Paralele të ligjërimit, Hulumtime etnolinguistike, Ulqini nga dritaret e kohës, Ulqini në gjurmë të shekujve, Enigma e Valdanosit etj.; si dhe, ka mbajtur kumtesa në mbi 80 konferenca shkencore kryesisht me karakter ndërkombëtar. Gjatë kësaj periudhe është nderuar me dhjetëra mirënjohje duke përfshirë edhe Mirënjohjen e nderit nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë.

Së fundi ai i është përkushtuar shumë studimeve mbi pasurinë arkeologjike, folklorike, etno-kulturore, në të vërtetë trashëgimisë materiale e shpirtërore të shqiptarëve në hapësirën e Malit të Zi. Kjo është edhe arsyeja pse sot mund të thuhet se më parë se sa individët dhe partitë politike ta bënin betejën intelektuale për fatet e sotme të shqiptarëve në Mal të Zi, betejën e madhe intelektuale dhe shkencore për origjinën dhe trashëgiminë materiale e shpirtërore të shqiptarëve në Mal të Zi dhe në ish-Jugosllavi e ka bërë Profesor Ruzhdi Ushaku me veprën shkencore të tij.

A nuk janë këto disa prej arsyeve të mjaftueshme, që vepra e tij është botuar jo vetëm për lexuesin shqiptar po edhe për lexuesin e huaj në gjuhën malazeze, serbe, franceze, italiane, angleze e madje edhe japoneze.

(Fragment nga Parathënia e librit: Prof. dr. Ruzhdi Ushaku, Trilogjia e zbërthimeve ilire, Ulqin, 2023).

Filed Under: Analiza

KOLEGË TË QSUT-SË, BOJKOTOJENI BORATIN!

July 1, 2024 by s p

Dr. Erion Dasho/

Është lajmëruar se nesër Borati do të bëjë takim me shefat e shërbimeve në QSUT. Keqardhje për profesorët dhe kolegët që nuk kanë guximin të bojkotojnë:

》abuzuesin me 500 milionë euro nëpërmjet katër koncesioneve mashtruese…

》të papërgjegjshmin që tentoi ta drejtojë QSUT-në me klarinetistë…

》akaparuesin që i ka vendosur mjekët nën tutelën e koordinatorëve patronazhistë…

》demagogun që paraqet lyerjen e mureve dhe pllakat si “reforma” dhe “investime në infrastrukturë”…

》intrigantin që sajon nga hiçi skandale për të mbuluar skandalet dhe abuzimet e përbindshëm ku është zhytur ai vetë, familjarët e tij dhe ortakët e tij politikë.

Mjekët e dinë shumë mirë se me këtë mashtrues të paskrupullt nuk ka zgjidhje për problematikat e mprehta as në QSUT, as në sistemin shëndetësor, as për pacientët, as për mjekët.

Vetëm duke qëndruar së bashku kundër Boratit, klarinetistëve dhe balerinave të veta, duke e bojkotuar ose vendosur me shpatulla për muri atë dhe puthadorët e vet në QSUT, duke dënuar e syrgjynosur Rilindjen dhe boratët, do të ketë shpresë për të nisur rimëkëmbjen e shëndetësisë.

Me Boratin dhe boratët nuk ka të tashme dhe nuk mund të jetë të ardhme për shëndetësinë, sikundër nuk ka të ardhme për krejt Shqipërinë! Uroj që kolegët e QSUT-së ta kuptojnë këtë…

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 54
  • 55
  • 56

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT