Prof. dr. Begzad Baliu/
Vepra më e re e Profesor Ruzhdi Ushakut më ka nxjerrë para një sprove të madhe shkencore, në një kohë që jo pa rrahagjoksje jam deklaruar para miqve, se jo vetëm e kam lexuar e rilexuar veprën e tij, por edhe jam frymëzuar nga ajo, jam thelluar në fushë të dijes duke u kapur për rrënjët e saj dhe madje jam ngritur duke u ushqyer nga frytet e saj. Sikur të mos mjaftonte kjo, për tri ‘monografinat’ e tij, sikur do të thoshte Profesor Selman Riza, jo pak kemi biseduar para se të shkruheshin, jo pak kemi menduar në kohën që po shkruheshin dhe madje jo pak kemi ‘vënë në peshë’ kohën kur do të botoheshin ato. Sprova më e madhe para së cilës u gjeta është momenti kur Profesor Ruzhdi Ushaku më përzgjodhi të jem një si lajmësi i kësaj vepreje, autor i një fjale hyrëse, për të cilën fillimisht isha jo pak i emocionuar.
Tri studimet monografike janë shkruar përgjatë dy dekadash a më shumë. Trajtesat Reliktet e parashqipes (Relikte të parashqipes së folur nga koha e Aleksandrit të Madh. – Studim krahasues për gjuhën burushe të hundakëve); Mbishkrim enigmatik ilir (Drejt zbërthimit dhe zgjedhjes së një “mbishkrimi enigmatik ilir“. – Nga shekulli VI para erës së re – ); “Bindi” dhe “Dragoi” i detit (“Bindi” dhe “Përbindëshi i detit”, një relikt mitologjik – artistik e gjuhësor i shqipes. – Studim krahasues lidhur me Relievin e zbuluar në afërsi të Tempullit të Kalasë së Ulqinit), janë shkruar së bashku me një trajtesë të katërt, e cila me kërkesën e Profesorit mbetet për një vepër tjetër. Dhe për më tej, ndërmjet tyre janë shkruar dhe botuar edhe studimet e dy vëllimeve të fundit kryesisht nga fusha e onomastikës. Por këto tri studime të përmbledhura që sikur shprehet botuesi Z. Silver Kodra, “paraqesin një opus unik të një simfonie gjuhësore”, si dhe studimi tjetër që pret të botohet, mbaheshin “në margjinë”. Arsyet janë të shumta, por një nga arsyet themelore është puna e autorit për t’i shkarkuar ato nga mundësia e krahasimit të tyre nga përbërës të mundshëm mitik e folklorik, me të cilat janë identifikuar shumë studime të kësaj natyre prej vitesh, për të mos thënë prej disa shekujsh.
Në një rrethanë botimesh shpesh pamfletiste për studimet ilire në botimet shqiptare, në të cilat dominon koncepti i paradigmës paravajtëse për shqiptarët si ‘populli më i vjetër’ dhe për gjuhën shqipe si ‘nëna plakë’ e gjuhëve të botës, këtë fjalë për “Trilogjinë ilire” të Profesor Ruzhdi Ushakut, po e hapi me një paraqitje të formimit shkencor të tij.
I. Portreti intelektual dhe shkencor i autorit
Profesor Ruzhdi Ushaku lindi në Ulqin më 1 maj 1938. Shkollën fillore e kreu në Ulqin (1953), Normalen në Prishtinë (1957), ndërsa Degën e Romanistikës të Fakultetit Filozofik në Sarajevë(1964), studimet e magjistraturës në Fakultetin e Filologjisë në Beograd(1972) dhe studimet e doktoratës po në Beograd(1979). Ka kryer një varg studimesh dhe specializimesh në Francë dhe qendrat frankofone.
Është autor i veprave Kërkime filologjike (1981), Hipotetične reèenice sa SI u savremenom francuskom jeziku književnih tekstova (1983), Paralele të ligjërimit poetik (1986), si dhe vëllimeve Ulqini në gjurmët e shekujve (1991), Hulumtime etnolonguistike (2004), Studime onomastike (2006) etj. Jeton e punon në Prishtinë.
Profesor Ruzhdi Ushaku është sintaksologu, morfologu, leksikografi, onomatologu, ballkanologu, komparativsti, diakronisti, homerologu e frankofonisti, i cili me veprën e tij, studimeve shqiptare ju ka dhënë përmasat ballkanike dhe mesdhetare; i cili me metodat dhe konceptet shkencore, si pak studiues, bashkëkohës të tij, dijes shqiptare i ka dhënë frymën europiane. Me të gjitha këto dhe çështje të tjera, të cilat kanë të bëjnë me metodën, gjuhën, kulturën dhe sidomos durimin e kërkimit, Profesor Ruzhdi Ushaku radhitet ndër ata filologë shqiptarë, të cilët me metodat më bashkëkohore të kërkimit kanë prekur epokën homerike të gjuhës, traditës, historisë dhe kulturës shqiptare. Sigurisht kjo është arsyeja pse veprës së tij, në vazhdimësi i janë referuar studiuesit nga radhët e shkencëtarëve shqiptarë e të huaj.
Profesor Ruzhdi Ushaku është njëri prej personaliteteve të shquara në studimet shqiptare, ballkanike dhe ndërkombëtare, i cili e ka ndërtuar një sistem dijeje komplementare në studimet filologjike shqiptare, mbi të cilin sot mund të krijohen rrafshe të reja në studimet albanologjike. Studiues i përkushtuar dhe i formuar në institucionet më të larta akademike e universitare të Prishtinës, Sarajevës, Beogradit, Parisit etj., ai sot përfaqëson njërin prej personaliteteve të veçanta shkencore të përmasave vendore, rajonale dhe ndërkombëtare.
Gjatë një periudhe gjysmëshekullore prej mësimdhënësi dhe profesori universitar ai ka ligjëruar dhe mentoruar kandidat magjistrature e doktorate në shumë universitete vendore e ndërkombëtare, nga Universiteti i Prishtinës deri te Universiteti i Parisit; ka botuar dhjetëra vëllime shkencore e didaktike, duke përfshirë këtu edhe kryeveprat: Enigma e Aristofanit, Paralele të ligjërimit, Hulumtime etnolinguistike, Ulqini nga dritaret e kohës, Ulqini në gjurmë të shekujve, Enigma e Valdanosit etj.; si dhe, ka mbajtur kumtesa në mbi 80 konferenca shkencore kryesisht me karakter ndërkombëtar. Gjatë kësaj periudhe është nderuar me dhjetëra mirënjohje duke përfshirë edhe Mirënjohjen e nderit nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
Së fundi ai i është përkushtuar shumë studimeve mbi pasurinë arkeologjike, folklorike, etno-kulturore, në të vërtetë trashëgimisë materiale e shpirtërore të shqiptarëve në hapësirën e Malit të Zi. Kjo është edhe arsyeja pse sot mund të thuhet se më parë se sa individët dhe partitë politike ta bënin betejën intelektuale për fatet e sotme të shqiptarëve në Mal të Zi, betejën e madhe intelektuale dhe shkencore për origjinën dhe trashëgiminë materiale e shpirtërore të shqiptarëve në Mal të Zi dhe në ish-Jugosllavi e ka bërë Profesor Ruzhdi Ushaku me veprën shkencore të tij.
A nuk janë këto disa prej arsyeve të mjaftueshme, që vepra e tij është botuar jo vetëm për lexuesin shqiptar po edhe për lexuesin e huaj në gjuhën malazeze, serbe, franceze, italiane, angleze e madje edhe japoneze.
(Fragment nga Parathënia e librit: Prof. dr. Ruzhdi Ushaku, Trilogjia e zbërthimeve ilire, Ulqin, 2023).