• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2024

“TY MALCIA T’KA NË ZEMËR”

August 13, 2024 by s p

Ramazan Çeka/

Nata përkujtimore e artistit malësor Lindon Camaj.

Mbrëmja e 8 gushtit mblodhi bashkë në Vitojë të Hotit, qindra malësor, artëdashës e kolegë të artistit virtuoz, kantautorit Lindon Camaj. Në këtë ceremoni përkujtimore morën pjesë miq buke e nderi të familjes Camaj, të cilët me prezencen e tyre dëshmuan edhe njëherë respektin dhe mirënjohjen ndaj këngëtarit dhe familjes së tij. Ashtu sikurse vetë Lindoni kishte ëndrra largpamëse për t’i përjetsuar në art e në këngë sa ishte gjallë, po ashtu edhe familja e Lindonit u kujdes që jeta dhe vepra e tij të përjetsohen në një film dokumentar, si e vetmja mundësi që kujtimi i tij të mbetet përjetsisht i gjallë, mes të gjallëve. Artistët nuk vdesin kurrë, ata përjetsohen në artin e tyre! Ishte ky motivi i respektit të ndërsjelltë që i bashkoi malësorët në këtë natë përkujtimore kushtuar këngëtarit dhe krijuesit Lindon Camaj. Për të nderuar kujtimin e tij, morën pjesë personalitete të larta të artit e të kulturës, përfaqsues të institucioneve vendore, aktivisë e artistë, kolegë e bashkëpuntorë të Lindonit, ku nuk munguan as mediat kombëtare e lokale.

Respekti ndaj kësaj nate përkujtimore kulmoi me ardhjen e Drejtorit të përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar, z. Alfred Peza, në shoqërinë e z. Engjëll Ndocaj, Anëtar i Këshillit Drejtues të RTSH-së, njëkohsisht regjisor i dokumentarit “Ty Malcia t’ka në zemër” kushtuar këngëtarit dhe krijuesit Lindon Camaj dhe nga ana tjetër, për të nderuar këtë aktivitet, mori pjesë edhe z. Nikollë Camaj, Deputet dhe Nënkryetar i Parlamentit të Malit të Zi. Në nder të këngëtarit dhe kujtimit të tij, mbrëmja u hap me një fjalë përshëndetëse nga z. Idriz Gjokaj, Drejtues i Qëndrës Kulturore pranë Komunës Tuz, shok e mik i ngushtë i të paharruarit Lindon Camaj, por njëkohësisht organizator i aktivitetit. Në nder dhe përkujtim të këngëtarit Lindon Camaj, ashti siç ishte parashikuar në program, përshëndetën disa nga personalitetet dhe përfaqsuesit e institucioneve vendore të Komunës Tuz (në rolin organizativ,) si dhe të Bashkisë Malësi e Madhe, e cila i kishte akorduar titullin “Qytetar Nderi”, pas vdekjes, këngëtarit dhe krijuesit të paharruar, Lindon Camaj dhe që iu dorëzua familjes nga Nënkryetari i kësaj Bashkie z. Sytki Ndrecaj.

Më pas për të pranishmit u prezantuan disa mirënjohje (pas vdekjes) nga përfaqsues të organizatave më të njohura në Malësi e më gjërë, si “Qendra e Artit dhe Kulturës Shqiptare”, Shoqata Atdhetare “Malësia” dhe, Shoqata “Jehona e Malesisë” në Detroit, si dhe Shoqata Kulturore “Xhubleta e Alpeve Shqiptare”, të cilat iu dorzuan familjes.

Të gjitha këto mirënjohje e vlerësime iu dorëzuan vëllait të madh, Dedë Camaj, i cili mes mallit dhe emocioneve falenderoi të pranishmit për nderimin dhe vlersimet që iu bënë Lindonit në këtë takim përkujtimor.

Kënga kushtuar këngëtarit Lindon Camaj e kënduar nga kolegu i tij Lekë Dedvukaj, prezantuar për herë të parë në këtë mbrëmje përkujtimore, bëri që të përulen edhe malet e bjeshkët përrreth me emocionet e fjalëve e të tingujve të saj.

Sa ndjenjë! Sa dhimbje!

Minutë pas minute i gjithë sheshi i këtij amfiteatri natyror u mbush me spektator të ardhur nga ana e anës, familjarë e bashkfshatarë, miq e shokë, por veçanërisht të rinjë, fansa të Lindonit dhe të këgës së tij, ndoqën dokumentarin përkujtimor, në të cilin Lindoni do mbetet përjetsisht i gjallë mes tyre.

Sa emocion e lot, mall e dhimbje, të cilat gjetën ngushëllim në krenarinë e të qënit fëmijë, grua, vëlla, kunatë, dajë, shok, mik, koleg e bashkëpuntor të këtij artisti të pavdekshëm malësor.

I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!

Filed Under: Reportazh

GËZIM ALIU: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, POEMË PËR NJERIUN NË LUFTË

August 13, 2024 by s p

Donika Dabishevci është poete e vargjeve të dashurisë, të ndjenjave, të ndjesive, të përjetimeve, të dëshirimeve, por në thellësi të poezive të saj pulson edhe një energji që i avitet vdekjes, dhembjes, vuajtjes, fundit, nganjëherë edhe tmerrit. Derisa në librin “Kam me ardhë si deka”, temë qendrore është dashuria dhe fazat e zhvillimit të saj, në librin “E gjithkohshmja Andërr” është lufta, më saktë, njeriu në luftë, njeriu i thjeshtë në luftë. Lufta në këtë libër është përbindësh që shkatërron, thërrmon, përgjak, çrregullon, ndryshon gjithçka për njerëzit që thjesht duan ta jetojnë jetën e tyre, në vendin e tyre, në tokën e tyre, në shtëpitë e tyre.

Nga Gëzim Aliu

Në librin “Kam me ardhë si deka”, vërehet prirja e autores për përdorimin e të rrëfyerit lirik për dashurinë, ndarjen, humbjen, dhembjen. Kjo prirje rrëfimtare, me shtresim të fortë elegjiak, shprehet edhe në “E gjithkohshmja Andërr”. Të rrëfyerit e ngjarjeve dhe storieve të luftës përmes vargjeve është elementi qendror dhe shques i librit “E gjithkohshmja Andërr”.

Qysh në poezinë e parë “Granatimi”, të ciklit të parë “Zanun n’lak” hasim në një skenë që paralajmëron fillimin e luftës: Idili i përshkruar me nota të larta lirike e madje bukolike, shqyhet nga granatat. Kontrasti i krijuar në poezinë e fillimit na fut në luftë, shohim njerëz të ikur që fshihen shtëpive, që tashmë nuk e kanë kuptimin e parë, të vatrës, të familjes, të dashurisë, të strehës së ngrohtë. Lufta e zhbën konceptin e shtëpisë, nuk mund të ketë filozofime për të, si strehë e njeriut dhe e jetës së përditshme. Muret, kulmi, bodrumi shndërrohen vetëm në mjet të brishtë, në mundësi të vogël shpëtimi (poezia “Shpija”). Zhbërja e konceptit të shtëpisë, të vatrës, të hapësirës ku njeriu ndihet më së miri, i rrëshqet drejt urisë personazhet ikanakë, refugjatët. Uria ngadalë fillon ta zhbëjë edhe konceptin e trupit, harrohet shpirti, mendja, ëndrrat, jeta e rëndomtë: mungon buka, zbehet dinjiteti, e zonja e shtëpisë, nanëhall-ja, nuk mund të ndajë bukë (poezia “Simfoni zorrësh”). Mungesën e bukës e shfrytëzojnë profiterët, storia e luftës vazhdon, estetizohet brutaliteti, për shembull në poezinë “Ulurinë deka”, ku vargjet rrjedhin gjak. Por, gjithmonë ekziston ëndrra për të shpëtuar nga lufta dhe vargjet e poezisë “E gjithkohshmja Andërr” e japin këtë shpresë me fuqi të plotë njerëzore dhe artistike, që zgjatohet edhe në poezinë “Ngryk’”. Edhe pse “Tuj i ik dekës”, “Tuj ec n’mina”, “Rrethuem katëran’sh”, para “T’shtanave batare” e duke përjetuar të gjitha tmerret e lemeritë, vrasjet, masakrat, personazhi kryesor i kësaj poeme, Njeriu, i dëmtuar rëndë, duke u zvarritur, i vrarë keq, i plagosur në krejt trupin, e do jetën, vazhdimisht përpiqet t’u ikë vdekjes, luftës, vrasësve, masakrave.

Rrëfimi poetik për njeriun, për njerëzit e paqes që nuk e duan luftën, por që sulmohen nga ajo në çdo qelizë të jetës, vazhdon edhe në ciklet e tjera të librit.

Cikli i dytë “Lakmia me u çmend” u kushtohet gruas, nënës, vajzës, motrës, fëmijës, birit, bijës, të vrarë e të prerë nga lufta. Poezitë e këtij cikli janë edhe më prekëse se të ciklit paraprak. Ndeshim vargje dhembshurie për nënën që gjendet në kufi të çmendjes, por prapë përpiqet që të birin ta qetësojë me ninulla, ndiejmë ankth për vajin e foshnjave të pafajshme që mund të zbulojë vendqëndrimet e ikanakëve, rrëqethemi nga dëshira e tmerrshme, ekstreme, e shprehur nga nëna që i biri të vdesë për të mos vuajtur nga dhembjet e mëdha të plagosjes së rëndë, pafuqia të përfshin për nënën që nuk mund ta shpëtojë fëmijën nga duart e kriminelit dhe vritet edhe ajo, pikëllimi të pushton për nënën e vdekur e fëmijën që nuk di çfarë të bëjë, lotët shpërthejnë për të voglën gjashtëmuajshe që vritet dhe nuk merr vesh gjë nga kjo botë, për nënën që çmendet pasi ia vrasin vogëlushin, nënën që hidhet në greminë pasi merr vesh që ia kanë vrarë fëmijët, fëmijën e plagosur që mbetet fillikat vetëm, në agoninë e vdekjes, në terrin e zi të natës; lufta ironizon me vajzën që përpiqet ta thërrasë ndihmën e shpejtë të vrasësve të familjes dhe asaj vetë, e rëndon mjeken me dilemën: t’i ndihmojë pacientit apo të ikë ta shpëtojë djalin mes rrënojave të ndërtesës së bombarduar.

Cikli i tretë “N’luftë me korba” hapet me poezinë “Ngjitun si thue n’mish”, që është rrëfim në vargje për historinë e jetës dhe të dashurisë së një çifti, të cilët i zë lufta tashmë të plakur; analepsa e jep përmbledhtas jetën e tyre të gjatë, mund të thuash të lumtur, por që në pleqëri të thellë përfundon tragjikisht: i djeg lufta, shtëpitë e tyre, trupat e tyre, kujtimet e tyre. Lufta, kjo qenie e tmerrshme, i detyron burrat që t’i hapin vetë varret, të cilët ngadalë, sikur të bënin ndonjë vepër delikate arti, e zgjasin gërmimin duke shpresuar të shpëtojnë, tri vajza të reja i përdhunon dhe i hedh në bunar, e bën burrin t’i buzëqeshë plumbit, që e ‘kursen’ nga vdekja e ngadalshme, torturuese, gjymtuese, përdhosëse; lufta ua vret trupat dy të dashuruarve, por kurrë nuk mund t’ua vrasë dashurinë, sepse ajo përjetësohet në vargje e vepra artistike; lufta ua mëson të zhvendosurve anatominë, të cilët i mbledhin copat e trupave të të dashurve të vet për t’i varrosur.

Lufta vazhdon edhe në ciklin e fundit, të katërtin “Dhimta t’ngufatuna n’ofshama t’pazashme”, duke nxjerrë nga dheu çiftin-skelet, që janë vrarë duke u puthur, ajo shpërndan ‘aromën’ e vdekjes të trupit të vdekur të njeriut, lufta bëhet ‘piktore’, e ngjyros peizazhin e vet, e bën si “çarçaf të purpurt flakë”, shfaq pamundësinë e ahut shekullor, të regjur luftash, që ta mbulojë me hije e fllad Omerin e ri të varrosur në rrënjë të tij, i fut njerëzit në karusel të vdekjes, pastaj vargjet shtrojnë pyetjen se a mund të mësohet njeriu duke lundruar në gjak, duke shpresuar, si në atë grafitin e famshëm se Lufta ka me përfundue nji ditë/e unë kam me iu kthye poezisë.

Janë tri poezi kah fundi i këtij cikli që fillojnë ta nxjerrin lexuesin nga rrëfimi, nga ngjarjet e storiet e luftës, gjendemi tashmë jashtë saj. Jeta e mund luftën, e mund vdekjen, me çmim shumë të madh.

“Çelësi” është poezi për një trohë paqe të çelësit që gjendet mes të çarës së një saksie betoni lulesh, para një shtëpie të rrafshuar. Kthimi te shtëpia, te koncepti i shtëpisë përmes vargjeve të kësaj poezie është shprehje mendimesh për luftën e pasojat e saj, është meditim për heshtjen që pason, për kureshtjen e ndonjë kamere turistësh, për harrimin e njerëzve që dikur i kanë dhënë shpirt asaj shtëpie. Poezia prekëse “Nanat e dëshmorve” skalit figurat e nënave që nuk qesin lot te varret e bijve dëshmorë. Krenari e dhembje pa lot, kjo skulpturë e gjallë e tmerrit të luftës! Mungesa e lotëve është kulmi i tmerrit. Nënat e dëshmorëve, martirëve, viktimave, nënat e njerëzve të rëndomtë që sulmohen nga bërësit e luftërave kudo në botë vetëm për shkak se e duan jetën në vendin e vet, gjenden prapë në botën ku “Gja s’ka ndryshue”, që është poezia e fundit e librit. Të filozofuarit e të menduarit për jetën e vdekjen është i pranishëm në këtë poemë për njeriun në luftë, është i shkrirë mes vargjeve, i dukshëm ose i nënkuptuar, por përqendrohet në këto tri poezi, edhe si qëndrim autorial karshi luftës e luftërave.

Edhe pse libri përfundon disi pesimist për gjendjen njerëzore që e krijon luftën, dashuria për jetën ndihet, dëshira për të jetuar ndihet, shpresa, besojmë, nuk shuhet. Andrra për jetën pa luftë është e gjithmonshme, e gjithëkohshme.

“E gjithkohshmja Andërr” ec me një ritëm të rëndë, gjatë leximit duket sikur i sheh rrotat, rrotëzat, zinxhirët, hekurat, flakën, tymin dhe e dëgjon zhaurimën dërrmuese të mekanizmit të madh të luftës që shkel e shkatërron. Ritmi i rëndë i veprës nuk del vetëm nga trajtimi i temës së luftës, por edhe nga elementet formale. Llojet e strofave të përdorura, sado që përdoren lirshëm, jo sipas skemave, janë në funksion të paraqitjes së gjendjeve, ngjarjeve, storieve të luftës. Distiku e tercina në poezitë e shkurtra shprehin me pak fjalë kulmimin e një storieje, ndërkaq strofat më të gjata, herë-herë edhe monokolona, përdoren për të hyrë më në hollësi, për t’i zgjeruar skenat, për t’u fokusuar, duke krijuar imazhe të vazhdueshme rrëqethëse. Edhe përdorimi i shenjave të pikësimit brenda një vargu, duke bërë fjali të shkurtra, sikur goditje buçitëse, pastaj thyerja e vargjeve, edhe fjalët kumbuese, figurat tingullore, që sjellin në mendjen e lexuesit krisma, britma, klithje, zhurmë, heshtje plot ankth, përdoren në funksion të krijimit të ritmit të rëndë të veprës. Madje edhe përdorimi i gjuhës është në funksion të ritmit të rëndë të veprës. Donika e përdor gegnishten e kultivuar, të pasur, shprehëse, të kuptueshme, por edhe gjuhën letrare. Është kombinim i shkallës minimale, bërë vetëdijshëm. Përdorimi i dialektit nuk është qëllim në vete për poeten, e cila e përdor po kaq suksesshëm edhe standardin, brenda të njëjtit libër.

Poetja e ka aftësinë që skenat, ngjarjet, storiet e rënda, të tmerrshme, të lemerishme, t’i krijojë estetikisht bukur, çfarë është shumë e vështirë, pothuajse e pamundshme. Trajtimi poetik i luftës, kur e njeh luftën, kur e ke përjetuar luftën, kur ende nuk e dimë a e kemi tejkaluar traumën e saj, është ripërjetim, edhe për poeten, edhe për lexuesit.

Të futesh në pellgun e gjakut me mjete poetike, letrare, estetike, të dalësh, të rrëfesh, të shpëtosh, të bësh art, është madhështi shpirti. Donika e dëshmon madhështinë shpirtërore e mjeshtërinë letrare me “E gjithkohshmja Andërr”.

Filed Under: LETERSI

Seminari italo-arbëresh i Palermos

August 13, 2024 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Pas pushtimit osman të vendit, një pjesë e shqiptarëve kaluan Adriatikun dhe u vendosën në Itali, ku gjetën një atdhe tjetër por morën me vete gjuhën, traditat dhe zakonet, të cilat i ruajtën ndër shekuj. Nevoja për t’u dalluar nga grekët, i shtyu klerikët intelektualë arbëreshë të vinin në pah veçoritë gjuhësore, fetare dhe kulturore të etnisë së tyre, duke i hapur rrugë çështjes kombëtare që do të lindte në dhjetëvjeçarët më vonë. Përmes shkollës, ata mundën të rizbulojnë lidhjet me vendin e origjinës dhe kurrë nuk i ndërprenë përpjekjet për ta parë atë të lirë dhe të pavarur. Kuvendet fetare të bazilianëve, që frekuentoheshin nga arbëreshët dhe pastaj shkollat ku ata mësuan, u bënë qendra të rëndësishme ku lindën idetë e para të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Përcaktimi i momentit të themelimit të vendbanimeve arbëreshe të Sicilisë, sipas të dhënave të përcjella nga historiani siçilian, Tommaso Fazello nis në një hark kohor midis vitit 1453 dhe vitit 1482. Vendbanimet e para arbëreshe në Siçili janë: Palazzo Adriano (në arbërisht Pallaci), themelimi i të cilit daton në vitin 1482; Mezzojuso (në arbërisht Munxifsi), themelimi i të cilit daton në vitin 1490 deri në vitin 1501; Contessa Entellina (në arbërisht Kundisi), përfundimi i të cilit daton nga viti 1520; Biancavilla (në arbërisht Callicari), themelimi i të cilit daton në vitin 1482; Piana dell’Arcivescovo (sot Piana degli Albanesi), ose Hora e Arbëreshëvet, themelimi i të cilës daton nga viti 1488; San Michele di Ganzaria (Shën Mikeli), themelimi i të cilit daton në vitin 1517 deri në vitin 1534. Vendbanime të tjera arbëreshe në Siçili janë: Sant’Angelo Muxaro (në arbërisht Shënt’Engjëlli); San Michele di Bagheria; Lipari; Taormina.

Nevoja që ndjenin arbëreshët e ritit bizantin, për t‘u çliruar një herë e përgjithmonë prej identifikimit me grekët, nxiti interesin e fortë të intelektualëve dhe klerikëve arbëreshë, fillimisht të Siçilisë dhe pastaj të Kalabrisë, të vinin në pah veçoritë kulturore dhe gjuhësore të etnisë së tyre, duke u quajtur “italo-albanesi”, ndërkohë që grekët e Italisë filluan të quheshin edhe nga kisha “italo-greci”(Vaccaro, 2008:147; Tare, 2021: 80). Falë punës së Gjergj Guzzetta-s dhe studentëve të tij, u konfirmua dallimi midis italo-grekëve dhe italo-shqiptarëve brenda kishës katolike të ritit bizantin, diferencim që më vonë u zbatua dhe u pranua edhe nga Selia e Shenjtë dhe që çoi në lindjen e ideologjisë arbëreshe, e cila synonte të kapërcente një konfuzion etno-fetar(Manali, 2021:137), që ngatërronte fenë me kombësinë. Në këtë sipërmarrje, arbëreshët arritën të siguronin edhe përkrahjen objektive të Vatikanit, i cili synonte t‘i paraqiste arbëreshët si shembull pozitiv i një kishe katolike të bashkuar e universale, për sa i përket strukturës hierarkike, por që ruan karakterin ortodoks në ritet e saj të lashta(Altimari, 2014: 61). Me Klementin XI (1700-1721), Papë me origjinë shqiptare dhe me Papë Klementin XII (1730-1740), Kisha e Romës shfaqi ndjeshmëri të madhe për çështjen italo-shqiptare, veçanërisht në drejtim të mbrojtjes së traditës kishtare greko-bizantine(Tacelli:62).

Institucionet e para arsimore të kishës arbëreshe lindore, ku përfshihen sidomos qendrat formuese të klerikëve të komunitetit arbëresh të Siçilisë ishin Manastiri bazilian i Munxifsit (it. Mezzojuso), themeluar më 1609 në Siçili dhe pastaj Seminari arbëresh i Palermos, themeluar atje në vitin 1734. Përveç kontributit vendimtar që patën për ruajtjen e ritit fetar në traditën bizantine, ato ndikuan në formimin dhe përgatitjen teologjike e kulturore të një pjese të mirë të klerit dhe të inteligjencës arbëreshe.( Falcetta, 2014: 65). Themelimi i seminareve iu përgjigj një nevoje të dyfishtë: të sigurohej që seminaristët të kishin një përgatitje të fortë kulturore dhe shpirtërore të bazuar në studimin e thellë të ritit lindor dhe procedurave të tij liturgjike; të garantojnë njohjen e traditave, kulturës dhe gjuhës arbëreshe, për të mbrojtur identitetin e komunitetit nga agresioni i jashtëm. Ishte, pra, një veçori e vazhdueshme ndërthurja e komponentit fetar bizantino-grek me atë etno-gjuhësor shqiptar(Manali, 2021:137).

Zhvillimit të arsimit në gjuhën shqipe i dha hov breva papale e Papës Urbani VIII, që mban datën 17 dhjetor 1631, me anë të së cilës u mëkëmb përsëri në Romë kolegji i Shën Bazilit, në të cilin mësuan arbëreshët e ikur në Itali, pas një breve papale të 15 dhjetorit 1745 të Papës Benedikti XIV, i cili urdhëroi që të pranoheshin në atë Kolegj edhe shqiptarë prej visesh të tjera. Seminari u ndihmua prej këtij Pape dhe prej Karlt III të Burbonëve. Seminari italo-arbëresh i Palermos u ngjiz dhe funksionoi që në krye të herës si qendër e filologjisë italo-arbëreshe dhe e albanologjisë në përgjithësi. Kështu mjafton të sjellim për ilustrim këtu krahas emrit të themeluesit të tij At Gjergj Guxetës, emrat e një aradhe të tërë adeptësh, idhtarësh dhe kolegësh të tij që u morën intensivisht me kërkime në fushat e historisë, kulturës e të filologjisë arbëreshe si: Pal Maria Prifti/Parrini, Nikollë Filia, Nikollë Keta në shek. XVIII; Sepë Krispi në shek.XIX apo Pal Skiro në fillim të shek. XX(Demiraj, 2007: 5-6).

Me ndërhyrjen e Gjergj Guxetës u caktuan të mbahen në Seminar pa pagesë 14 djem të familjeve më të varfëra të kolonive arbëreshe: 5 nga katundi i vet Hora e Arbëreshve dhe nga 3: në Mezojuso, Contessa e Palazzo Adriano. Guxeta u angazhua edhe për të krijuar një Ipeshkëvi për arbëreshët e Siçlisë, në mënyrë që xhakonjt e Seminarit, pas kryerjes së studimeve të shuguroheshin meshtarë në vend dhe mos të detyroheshin të shkonin në Kolegjin e “Shën Athanasit” në Romë, as në Kolegjin “Shën Bededikt Ulano”, për të marr urdhërat. At Gjergj Guxeta vdiq pa e realizuar këtë synim me 21 nëntor 1756, megjithatë përpjekjet për të ngritur Ipeshkëvinë e arbëreshëve u realizuan pas vdekjes së tij. Me bulën e datës 6 shkurt të vitit 1784 të Papës Piu VI u krijua Zyra Ipeshkëvnore e ritit ortodoks për kolonitë shqiptare të Siçilisë. Ipeshkëv i parë i saj u shugurua Dom Gjergj Stassi, famullitar i kishës greke të Palermos, të cilit iu caktua selia në Piana dei Greci(që më vonë mori emrin Piana degli Albanesi). Kur u bë Rektor At Nikollë Keta, me të hollat e tij ndërtoi një pjesë të katit të tretë të Seminarit, i cili qe rregulluar përfundimisht dhe zbukuruar prej Arqipeshkëvit të Palermos, kardinalit Çelsia.

Veprimtaria e Seminarit që në fillim u orientua drejt edukimit fetar të seminaristëve të rinj, të ardhur nga të gjitha kolonitë shqiptare të Siçilisë, të cilat në atë kohë ishin të lidhura me njëra-tjetrën përmes shkëmbimeve shumë të dendura, jo vetëm të natyrës kulturore dhe shpirtërore, por edhe të natyrës sociale dhe ekonomike. Boshtet kryesore pedagogjike të atij trajnimi përbëheshin nga njohuritë teologjike dhe liturgjike të ortodoksisë katolike në Perëndim dhe praktikave të saj, si dhe kanunet gjuhësore të arbëreshëve e të gjuhës së tyre(Manali, 2021: 142-143).

Për dy shekuj, seminari ishte vatra në të cilën u formua klasa qeverisëse dhe intelektuale e komuniteteve siçiliano-shqiptare dhe, në disa raste ajo kombëtare. Në fakt, aty studioi në rini burrështetasi Françesko Krispi. Semnari italo-arbëresh i Palermos ishte vatra e parë e studimeve albanologjike në Evropë, e pakrahasueshme me institute të tjera të ngjashme për nga shumëllojshmëria dhe cilësia e prodhimit intelektual(Manali, 2021:18).

Personalitete të arsimi dhe kulturës arbëreshe nga Siçilia

Prej Seminarit dolën personalitete të shquara si:

Gjergj Guxeta nga “Piana degli Albanesi” (Hora e Arbëreshëvet). Guxeta është vlerësuar si më i madhi intelektual shqiptar në shek. XVIII, apostulli i arbëreshëve të Sicilisë, i cili mbrojti ritin bizantin. Emri i tij është i lidhur edhe me zbulimin e tekstit më të vjetër në gjuhën shqipe, “Meshari” i Gjon Buzukut, të cilin e gjeti rastësisht në Romë, më 1740.

Antonio Brankato ndihmoi At Gjergj Guxetën në krijimin e Oratorisë së Etërve Filipine të Pianës. Në vitin 1733, ai themeloi Kolegjin e Marisë në Piana për edukimin e vajzave të reja, i drejtuar nga murgeshat kolegjiale, sipas rregullave të Kardinal Corradini-t, i cili vijon misionin edhe sot(Bellusci, Radovicka, 2020: 394).

Gavril Dara Plaku nga Pallaci; studioi në Seminarin Arbëresh të Palermos dhe më vonë u diplomua në mjekësi e në drejtësi. Mblodhi nga pleqtë “Kënkat e pleqërisë” dhe hartoi disa vjersha në gjuhën shqipe, si dhe këngën e Shën Lazarit që këndohet edhe sot tek arbëreshët e Sicilisë.

Françesko Krispi, burrështetas arbëresh, Kryeministër i Italisë, i cili e përmend edukatën që mori brenda këtij Seminari, ku ushqeu ato ndjesi shpirtërore të përshpirtshme, të cilat i frymëzuan poezitë fetare të rinisë.

Andrea Dara nga Pallaci; u diplomua në drejtësi. Shfaqi interes për folklorin arbëresh. Është autor i një përmbledhje me këngë popullore arbëreshe të Sicilisë, i një vepre mbi “Zakonet dhe veshjet e Pallacit”, 1859; një fjalori me 5000 fjalë shqip-italisht; një gramatike të shkurtër të shqipes dhe një përkthimi të Ungjillit të Shën Mateut.

Imzot Zef Krispi nga Pallaci i Siçilisë, helenist me fame. Ai ishte prift, profesor i letërsisë greke në Universitetin e Palermos dhe rektor i Seminarit grek. Mbahet mend për punimin e tij “Shënime mbi gjuhën shqipe”, Palermo 1831, i cili hedh dritë mbi tezën e prejardhjes pellazgjike të popullit shqiptar, një teori e përhapur asokohe, që as vitet e fundit nuk është lënë përfundimisht.

Gavril Dara i Riu nga Pallaci i Sicilisë mbaroi Seminarin italo-arbëresh të Palermos dhe pastaj vazhdoi studimet për drejtësi e punoi si avokat. Si trashëgimtar i brezave të kulturuar të familjes, ai u mor me folklor dhe letërsi shqipe. Veprat e tij mbetën në dorëshkrim, ndër të cilat dhe kryevepra “Kënga e sprasme e Balës”, që u botua e plotë më 1906 në Katancaro.

Dhimitër Kamarda nga Hora e Arbëreshëve. Studioi për prift, në Kolegjin e Propagandës Fides në Romë.Studiues i gjuhës arbëreshe dhe asaj greke, historian dhe filolog, ndër më të rëndësishmit e shqipes në shek. XIX. Kamarda përmendet për veprën “Sprovë e gramatologjisë krahasuese mbi gjuhën shqipe”, Livorno 1864.

Francesco Salerto, avokat në zë, i cili me shpenzimet e tij ngriti në Palermo një konvikt për nxënësit e varfër të kolonive arbëreshe të Siçilisë. Poet i njohur.

Tomazo Manzone i përkiste një familjeje fisnike të pasur arbëreshe. Si atdhetar, ai u detyrua të emigronte në Torino dhe më pas në Gjenova. Në fund të revolucionit të vitit 1860 u kthye në Siçili ku u zgjodh senator i Mbretërisë. Duke mos pasur trashëgimtarë, ai e la një pjesë të madhe të pasurisë për të mirën e zhvillimit të Palermos dhe donte që pallati i tij në Horën e arbëreshëve të përdoret si kopsht për fëmijët e bashkëqytetarëve të varfër(Bellusci, Radovicka,2020: 394).

Xhuzepe Muzakia botoi vargje në greqisht dhe përkthime të librave liturgjikë greko-bizantinë. Shkroi, ndër të tjera, një monografi të Pianës në gjuhën shqipe, të botuar në “Fiamuri Arbërit”, revista e themeluar dhe e drejtuar nga Jeronim de Rada(Bellusci, Radovicka, 2020: 395).

Pal Skiroi lindi më 1866 në Horën e Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi), Sicili. Ai ndoqi studimet në Seminarin arbëresh të Palermos, rektor i të cilit do të bëhej më vonë. Në vitin 1912 themeloi revistën e së dielës arbëreshe, “Fjala e t’in Zoti”, një revistë fetare, por edhe një shkollë dhe vatër patriotizmi për shumë të rinj arbëreshë. Ishte një nga priftërinjtë më të rëndësishëm të

Horës së Arbëreshëvet dhe një nga albanologët më të mëdhenj italo-shqiptarë, i cili, me studimet e tij, dha një impuls të frytshëm në ushën e filologjisë dhe të albanologjisë.

Marko La Piana nga Hora e Arbëreshëvet, studioi në Universitetin e Palermos dhe u mor me studime albanologjike. Është përfaqësues i brezit të gjuhëtarëve të mirëfilltë ndër arbëreshët e Italisë. La Piana hulumtoi dhe nxori në dritë veprën e Lekë Matrëngës, që është e para përmendore e shkruar në arbërishten e Italisë. Këtë libër të Matrëngës, që i përket vitit 1592, La Piana e botoi në vitin 1912. La Piana botoi dy vepra me të njëjtin titull, “Studime Gjuhësore Shqiptare” I dhe II (1939-1949). Në librin e dytë jepet edhe një studim mbi të folmen e arbëreshëve të Sicilisë(Belusci, Radovicka, 2020: 393).

Gaetano Petrota u edukua në seminarin italo-arbëresh të Horës, me bursë studimi të fituar nga konkursi. Shugurohet prift më 1907 nga Papa Pal Skiroi, në Katedralen e Horës. Ka qenë prift i ritit bizantin, shkrimtar, filolog dhe gjuhëtar italo-arbëresh. Është hartuesi i së parës histori të letërsisë shqiptare më 1932.

Nilo Borgia nga Hora e Arbëreshëvet. Më 31 dhjetor 1907 merr emërimin si Abat i Manastirit të Grottaferratës. Me nismën e tij, në shtator të vitit 1909, hapet një shtypshkronjë me emrin “San Nilo”. Ai u bë mbështetës i përpjekjeve të Vatikanit për të rigjallëruar studimet dhe kërkimet në lëmin e ritit liturgjik lindor bizantin. Në vitin 1935, boton vëllimin e parë “Shënin mbi murgjit bazilian në Shqipëri”. Vëllimi i dytë u botua në dhjetor 1942, kur autori nuk ishte më në jetë. Dy vëllimet demonstrojnë punën e viteve të fundit të jetës, i cili ia kushtoi projektit të ringjalljes së misioneve baziliane në Shqipëri(Bellusci, Radovicka, 2020, :399).

Rozolino Petrotta mbaroi studimet e rinisë në Seminarin Arbëresh të Palermos. Në vitin 1920, u diplomua në mjekësi. Më 1947, Petrota ishte njëri nga themeluesit e Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve të Palermos, veprimtaria kulturore dhe organizative e së cilës spikati për promovimin dhe zhvillimin e konferencave të rëndësishme ndërkombëtare. Rosolino u shqua, mbi të gjitha, si politikan. I zgjedhur deputet në Asamblenë Rajonale të Sicilisë, ai ishte këshilltar për

shëndetësinë në dy legjislatura (1949-1959) dhe punoi pa u lodhur për të mbështetur me burime të konsiderueshme financiare bashkësitë arbëreshe dhe Eparkinë.

Zef Skiroi nga Hora e Arbëreshëve, studioi në Seminarin arbëresh në Palermo, ku u formua me traditën e kulturës shqiptare si dhe me kulturën klasike. Pas përfundimit të studimeve të larta, emërohet profesor i gjuhës shqipe dhe letërsisë në Institutin Oriental të Napolit. Poet neoklasik, prozator dhe studiues(Bellusci, Radovicka, 2020 : 402).

Rektorët e Seminarit italo-arbëresh të Palermos që nga themelimi deri në vitin 1936

Dom Pietro d’Andrea nga Himara, 1734-1744.

Dom Pal Maria Parrino, 1744-1763.

Dom Gjergj Stassi, 1765-1784.

Dom Rozario Skiliçi 1784-1786.

Dom Nikollë Keta 1786-1800.

Imzot Françesk Kiarkiaro, 1800-1826.

Imzot Zef Krispi, 1826-1855.

Papa Andrea Kuçia, 1855-1865.

Imzot Zef Mesi, 1865-1896.

Papa Anton M.Filia, 1896-1901.

Papa Domenik Kuçia, 1901-1903.

Izmot Pal Skiroi, 1903-1918.

At Daniel Barbielini, murg bazilian, 1918-1925.

Papa Anton M.Filia, 1928-1931.

Papa Pal Matrënga, 1931-1932.

Papa Xhuzepe Perniçiaro, arbëresh nga Mezzojuso, 1932-1936.

Seminari italo-arbëresh i Palermos nxori albanologë, historian dhe filologë të shquar të cilët dhanë kontribut të rëndësishëm në kulturën shqiptare, me ndikim të veçantë në zhvillimet e Rilindjes sonë Kombëtare.

Filed Under: Mergata

Françesko Krispi, in memoriam…

August 13, 2024 by s p

Ledio Xhoxhi/

Më 12 gusht 1901 u nda nga jeta Françesko Krispi (Francesco Crispi), personalitet politik e shtetëror italian me origjinë arbëreshe. Lindi në Ribera (Sicili), në vitin 1818. Bashkëpunoi me Garibaldin në revolucionin sicilian (1859) dhe u bë këshilltar politik i tij. U zgjodh deputet i parlamentit të parë italian që u hap në Firence (1861). Kryeministër i Italisë në vitet 1887-1891 dhe 1893-1896. Në politikën e jashtme përkrahu Aleancën Tripalëshe (Gjermani-Austro-Hungari-Itali) dhe depërtimin kolonial të Italisë në Afrikë, ku u formua kolonia italiane e Eritresë (1890). Si kryeministër përkrahu në vitet ‘90 të shekullit XIX politikën e depërtimit ekonomik, politik e kulturor të Italisë në Shqipëri. Gjatë qeverisjes së tij u përpunua ideja e qarqeve politike të Romës për një “Shqipëri të pavarur” nën protektoratin e Italisë dhe u hap në Shkodër shkolla e parë katolike shtetërore italiane (1888). Nga viti 1896, kur kryeministër ishte Françesko Krispi, filluan të ngrihen shkolla të tjera italiane, fillore e profesionale në Shkodër, në Durrës, në Janinë e në Vlorë. Në të gjitha këto shkolla mësimi jepej në fillim në gjuhën italiane, ndërsa në fillim të shekullit XX u fut në këto shkolla edhe mësimi i gjuhës shqipe. Me nismën e Françesko Krispit dhe falë dashurisë së arbëreshëve për gjuhën amtare shqipe, më 1895 u mblodh në Koriliano Kalabro (Corigliano Calabro) Kongresi gjuhësor i Arbëreshëve të Italisë, ku u themelua “Shoqëria Kombëtare Shqiptare” (“Societa Nazionale Albanese”), e drejtuar nga Anselmo Lorekio.

Filed Under: Histori

Përdorimi i gjuhës amtare në mërgatën shqiptare

August 13, 2024 by s p

Mustafë Krasniqi/

Sa është e pranishme gjuha amtare te fëmijët e mërgatës shqiptare dhe ç’ duhet të bëjmë që ajo të jetë në qendër të vëmendjes?

Në fillim kjo pyetje duket pak paradoksale, por në esencë ngërthen në vete shumë pikëpyetje, sidomos pjesa e parë e pyetjes e cila për ta kuptuar realitetin duhet të trajtohet realisht si temë e veçantë. Është koha e fundit që ne të gjithë pa dallim duhet të merremi më seriozisht me gjendjen aktuale të ruajtjes dhe zhvillimit të gjuhës amtare. Dhe sot në momentin që po flasim është e dokumentueshme se mërgimtarët tanë me apo pa dashje gabimisht po e trajtojnë çështjen e ruajtjes së gjuhës, duke mos i dhënë rëndësi sa duhet për fëmijët e tyre.

Pra, të gjithë ne që veprojmë dhe punojmë në shërbim të ruajtjes së gjuhës dhe kulturës kombëtare duhet kuptuar se gjuha nuk është vetëm akt patriotik por edhe njerëzor sepse vetë fëmijët pa gjuhen e nënës nuk kanë kuptim të plotë. Të gjithë fëmijët në mbarë botën kanë të drejtën e tyre ta ruajnë dhe ta mësojnë gjuhën e prindërve të tyre dhe kjo lidhshmëri është bartur gjeneratë pas gjenerate. Është thënë dhe thuhet se duke ruajtur gjuhën dhe kulturën kombëtare më lehtë dhe më mirë ruhet identiteti kombëtar.

Në bazë të të gjitha fakteve të deritanishme, të cilat i dëgjojmë nga prindërit shqiptarë vijmë në përfundim se pjesa dërmuese e këtyre “argumenteve” janë të pabaza. Fëmijët mësojnë nga 2-3 gjuhë, paralelisht dhe për as njërën nuk themi se po i përzihet gjuha, apo po ka ngarkesë, apo po iu ngatërrohet gjuha. Këto dhe shumë arsyetime tjera nuk qëndrojnë as shkencërisht as praktikisht.

Pohimet e këtilla thjesht nuk qëndrojnë, sepse njohja e gjuhës amtare është një vlerë jo vetëm kombëtare por edhe njerëzore. Megjithatë, duhet ta pranojmë se në mesin e prindërve shqiptarë me të madhe ngatërrohet koncepti i ruajtjes së gjuhës dhe për këtë bëhen pengesë që fëmijët e tyre të mos e vijojnë shkollën shqipe.

Dhe e gjithë kjo është si rezultat se ata nuk janë të informuar sa duhet dhe si duhet, prandaj edhe botëkuptimi i tyre është plotësisht i gabuar.

Thënia se «Gjuha amtare, pra shqipja, nuk i duhet fëmijës tim, ngaqë është e tepërt» është banale dhe e pakuptimtë, apo thënia tjetër se fëmijët e tyre e njohin mjaftueshëm gjuhën shqipe dhe nuk kanë nevojë të shkojnë në mësimin plotësues. Pra, këto pohime i nxjerrin prindërit në një rrugë qorre për të ardhmen e fëmijëve të tyre.

Në bazë të argumenteve që i dhashë më sipër na dalin edhe një mori dëshmish që i dëgjojmë nga goja e prindërve siç janë:

Se këta fëmijë po rriten në vend të huaj dhe duhet ta mësojnë gjuhen e vendit dhe s’ka çfarë i duhet gjuha shqipe.

Injorimi, ku një pjesë e tyre nuk e flasin gjuhën amtare as në shtëpi edhe shumë prej tyre nuk e njohin as gjuhën e vendit mirë.

Si çdo vend të botës ku ka shqiptar është ky problem i pranishëm, e konkretisht po ndalem në Gjermani, shtet që më së shumti ka shqiptarë që vijnë nga të gjitha trevat, kurse vijimi i fëmijëve të tyre në shkollën shqipe është shumë simbolik. Në disa Republika pritës favorizohen mësimdhënësit, duke ua mundësuar pagën mësimdhënësve dhe në disa Republika tjera, konkretisht në Bavari nuk është ky favorizim, por e tëra mbështetet në baza vullnetare, në këtë rast po ndalem LAPSh-in i cili ka marrë përsipër përgjegjësinë e shkollës shqipe, që nga regjistrimi i fëmijëve, pagën e mësuesit e deri te sigurimi i klasës.

Dhe me mirënjohje flas për punën e kryesisë së LAPSh-it e cila, përpos angazhimit në hapjen e klasave ajo ka krijuar një strukturë të mirë të administratës, e cila në vazhdimësi merret me punët organizative. Dallojmë hapjen e pikave të reja shkollore, organizimin e seminareve, shëtitjeve me karakter shkollor, konkursin e diturisë.

Kur flasim mbi atë se sa është e pranishme gjuha amtare te fëmijët e mërgatës shqiptare, në tërë diasporën shqiptare dhe Bavari lirisht mund të themi se është jo e kënaqshme. Por do të shtoja edhe një fakt tjetër se gjuha amtare ka filluar gjithnjë e më pak të përdoret në familjet shqiptare.

Të gjitha këto dukuri janë rezultat që përkojnë me:

Nivelin e prindit,

Sa janë prindërit e informuar

Kur flasim për nivelin e prindit, duhet të kemi parasysh që prindi të informohet mirë, mbi të gjitha ta sheh si një obligim moral, i nxitur edhe nga vet shteti nga vije prindi. Nëse kjo arrihet patjetër se do të jetë shumë më i gatshëm të kryejë detyrimin ndaj fëmijëve të tij për t’i çuar në shkollën shqipe. Qoftë se edhe e favorizon me ndonjë shpërblim a investim, apo e obligon që të paktën ta di se a e dërgon fëmiun në shkollën shqipe apo jo.

Pra, për këtë arsye raporti i mirë i shtetit, shoqërisë dhe i prindit është shumë i nevojshëm, duke mbajtur marrëdhënie shumë më bashkëpunuese, sepse kështu prindi arrin ta kupton se fëmija i tij duhet të motivohet apo nxitur ta vijon shkollën shqipe, sepse përmes saj njeh identitetin, trashëgiminë, kulturën dhe gjuhën e tyre.

Përpos kësaj kemi edhe një fenomen shqetësues që ndodhë në familjet tona, ku gjejmë fëmijë, të cilët komunikojnë vetëm në gjuhën vendore, apo fëmijë të cilët fare pak e flasin shqipen, po edhe nëse e flasin, atë e përziejnë shumë me gjuhën e vendit, ku jetojnë. Kështu që e folmja e tyre në gjuhën shqipe, jo vetëm që ka filluar të zbehet, po dita-ditës po vjen duke u shuar dëshira për ta mbajtur gjallë ndjeshmërinë e të shprehurit në gjuhën e nënës. Ndaj duke parë mirëfillin e këtij fenomeni, ne duhet të mbajmë përgjegjësi, së pari Shteti, shoqëria dhe vet prindi.

Fenomen tjetër është më i dukshëm ku kërkimi i të rinjve për një jete më të mirë, dhe peripecitë e tija që kalon me vështirësi për t’u integruar dhe shpesh bien ndesh me pritjet e tija, ai sikur humb interesimin dhe e shikon me një inferioritet të identitetin kombëtar prej nga vijnë. Por më të rrezikuar ndaj këtij fenomeni janë brezi i dytë, sidomos brezi i tretë, fëmijët të cilët lindin në vend të huaj. Pavarësisht se mund t’i kenë dy prindërit shqiptarë, nëse nuk e kupton dhe nuk ka informacione të plota mbi ruajtjen e gjuhës ai heshturazi do të mbetet i varfuri në të folurit dhe fare nuk do të ketë lidhja emocionale me vendin amë.

Për të gjitha këto roli i shtetit duhet të jetë pranishëm dhe të merret me këto fenomene, duke e vetëdijesuar mërgimtarin, dhe e bindur se shteti do ta ndihmon dhe do të ketë një rol të rëndësishëm në rritjen e interesimit në ruajtjen e gjuhës amtare. Që dhe duhet ta ketë një përkujdesje të veçantë, ta shndërrojë vullnetarizmin në përgjegjësi institucionale e të nxjerr praktika studimore, duke u mbështetur në vizionin dhe misionin e tij.

Konkretisht duke e trajtuar si shtyllë kryesore me përgjegjësi institucionale e duke i ikur formalitetit me arsyetimin se: “Ne, në kuadër të shtetit, po bëjmë të mjaftueshmen, duke ju furnizuar me libra falas, apo me mbajtjen e ndonjë seminari.” Kjo, gjithsesi është në të mirë të nxënësit dhe mësimdhënësit, por nuk është çështje thelbësore. Ajo që është, në radhë të parë, e rëndësishme ka të bëjë me vetëdijesimin e prindit që nxënësin ta sjell në shkollë! Nëse nxënësin nuk e kemi në shkollë ç’ rëndësi ka dhurimi i librave, apo mbajtja e seminareve!

Kështu që ne duhet të ndërtojmë një bindje te bashkëkombësi se ruajtja e gjuhës amtare te fëmijët është mese e domosdoshme, për arsye se:

– Fëmija, që e njeh mirë gjuhën amtare, do të jetë edhe më i mirë në gjuhën e shtetit, ku jeton.

–Fëmija në vend të huaj, duke e njohur traditën, historinë dhe kulturën e origjinës, do të dijë të jetë i suksesshëm edhe në kulturat tjera, meqë ai tanimë e ka një përgatitje më shumë se të tjerët.

Nëse ne kemi arritur t’i bindim prindërit, patjetër se fëmijët do të kenë vullnet për të qenë pjesë e shkollës shqipe, kuptohet nëse institucionet tona i japin përgjegjësi institucionale, kështu jo vetëm që do të kemi rritje të numrit, po edhe kualitet të mësimdhënësve dhe strategji në përfshirjen e pjesëmarrësve të tjerë, siç mund të jenë shoqatat dhe bizneset.

Praktikisht po nisem nga fakti se Lidhjen e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Bavari, që nga themelimi i saj e deri më tash është duke punuar me një vullnetarizëm dhe në saje të këtij vullnetarizëm ka arritur ta ketë një numër të konsiderueshëm të klasave dhe të mësimdhënësve. Por me këtë vullnetarizëm a do të kemi ardhmëri dhe sukses?

Kur flasim për komunitetin shqiptar, kudo në botë, ka një perspektivë individuale dhe kjo është shumë lavdërueshme, të paktën na bën të ndihemi krenari. Por, kur flasim për shkollën shqipe kjo sikur nuk zgjon ndonjë interes të veçantë. Jo pse mungon dëshira, por sepse mungon strategjia. Shpesh edhe injorimi del në pah, me thënien: “Ne kemi shtetin dhe shteti duhet të kujdeset për shkollën e mësimdhënësit e diasporës.” Kurse vullnetarizmit i ka ikur ngjyra dhe vetë ky pohim bëhet justifikim i asaj, nëse përmes shtetit nuk krijohen rrethanat për të pasur besimin te bashkëkombësit, suksesi jo vetëm që do të jetë i mangët, por dhe ky numër simbolik nxënësish në shkollë një ditë do të shkojë drejt rënies.

Por dhe duhet ta kemi si mërgatë një model, pikërisht atë të arbëreshëve, të cilët edhe pas gjashtë shekujsh nën presionin e asimilimit ka ruajtur të pashuar dashurinë për atdheun dhe për gjuhën shqipe. Kështu që duhet të rriten me dashurinë për gjuhën e kulturën shqiptare fëmijët e mërgatës shqiptare. “Nëse nuk njeh historinë tënde, atëherë ti nuk di asgjë, sipas Michael Crichton shkrimtari amerikan.

Si ta vejmë në qendër të vëmendjes shkollën shqipe?

Nëse bashkëpunimi dhe krijimi i një rrjetëzimi institucional bëhet faktor kryesor, vullneti dhe rritja e vetëdijes do të jetë më e madhe për shkollën shqipe. Shteti duhet të gjej mekanizma për ta stimuluar, apo përmes stimulimit të biznesit, prindit ta vetëdijëson, qoftë edhe detyrimisht që ta dërgon fëmijën në shkollë.

T’i ipet hapësirë mediale në TV. Kombëtare, që përmes tyre të tërhiqet vëmendja e prindërve se fëmiu i tyre duhet dërguar në shkollën shqipe.

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • …
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT