Mustafë Krasniqi/
Sa është e pranishme gjuha amtare te fëmijët e mërgatës shqiptare dhe ç’ duhet të bëjmë që ajo të jetë në qendër të vëmendjes?
Në fillim kjo pyetje duket pak paradoksale, por në esencë ngërthen në vete shumë pikëpyetje, sidomos pjesa e parë e pyetjes e cila për ta kuptuar realitetin duhet të trajtohet realisht si temë e veçantë. Është koha e fundit që ne të gjithë pa dallim duhet të merremi më seriozisht me gjendjen aktuale të ruajtjes dhe zhvillimit të gjuhës amtare. Dhe sot në momentin që po flasim është e dokumentueshme se mërgimtarët tanë me apo pa dashje gabimisht po e trajtojnë çështjen e ruajtjes së gjuhës, duke mos i dhënë rëndësi sa duhet për fëmijët e tyre.
Pra, të gjithë ne që veprojmë dhe punojmë në shërbim të ruajtjes së gjuhës dhe kulturës kombëtare duhet kuptuar se gjuha nuk është vetëm akt patriotik por edhe njerëzor sepse vetë fëmijët pa gjuhen e nënës nuk kanë kuptim të plotë. Të gjithë fëmijët në mbarë botën kanë të drejtën e tyre ta ruajnë dhe ta mësojnë gjuhën e prindërve të tyre dhe kjo lidhshmëri është bartur gjeneratë pas gjenerate. Është thënë dhe thuhet se duke ruajtur gjuhën dhe kulturën kombëtare më lehtë dhe më mirë ruhet identiteti kombëtar.
Në bazë të të gjitha fakteve të deritanishme, të cilat i dëgjojmë nga prindërit shqiptarë vijmë në përfundim se pjesa dërmuese e këtyre “argumenteve” janë të pabaza. Fëmijët mësojnë nga 2-3 gjuhë, paralelisht dhe për as njërën nuk themi se po i përzihet gjuha, apo po ka ngarkesë, apo po iu ngatërrohet gjuha. Këto dhe shumë arsyetime tjera nuk qëndrojnë as shkencërisht as praktikisht.
Pohimet e këtilla thjesht nuk qëndrojnë, sepse njohja e gjuhës amtare është një vlerë jo vetëm kombëtare por edhe njerëzore. Megjithatë, duhet ta pranojmë se në mesin e prindërve shqiptarë me të madhe ngatërrohet koncepti i ruajtjes së gjuhës dhe për këtë bëhen pengesë që fëmijët e tyre të mos e vijojnë shkollën shqipe.
Dhe e gjithë kjo është si rezultat se ata nuk janë të informuar sa duhet dhe si duhet, prandaj edhe botëkuptimi i tyre është plotësisht i gabuar.
Thënia se «Gjuha amtare, pra shqipja, nuk i duhet fëmijës tim, ngaqë është e tepërt» është banale dhe e pakuptimtë, apo thënia tjetër se fëmijët e tyre e njohin mjaftueshëm gjuhën shqipe dhe nuk kanë nevojë të shkojnë në mësimin plotësues. Pra, këto pohime i nxjerrin prindërit në një rrugë qorre për të ardhmen e fëmijëve të tyre.
Në bazë të argumenteve që i dhashë më sipër na dalin edhe një mori dëshmish që i dëgjojmë nga goja e prindërve siç janë:
Se këta fëmijë po rriten në vend të huaj dhe duhet ta mësojnë gjuhen e vendit dhe s’ka çfarë i duhet gjuha shqipe.
Injorimi, ku një pjesë e tyre nuk e flasin gjuhën amtare as në shtëpi edhe shumë prej tyre nuk e njohin as gjuhën e vendit mirë.
Si çdo vend të botës ku ka shqiptar është ky problem i pranishëm, e konkretisht po ndalem në Gjermani, shtet që më së shumti ka shqiptarë që vijnë nga të gjitha trevat, kurse vijimi i fëmijëve të tyre në shkollën shqipe është shumë simbolik. Në disa Republika pritës favorizohen mësimdhënësit, duke ua mundësuar pagën mësimdhënësve dhe në disa Republika tjera, konkretisht në Bavari nuk është ky favorizim, por e tëra mbështetet në baza vullnetare, në këtë rast po ndalem LAPSh-in i cili ka marrë përsipër përgjegjësinë e shkollës shqipe, që nga regjistrimi i fëmijëve, pagën e mësuesit e deri te sigurimi i klasës.
Dhe me mirënjohje flas për punën e kryesisë së LAPSh-it e cila, përpos angazhimit në hapjen e klasave ajo ka krijuar një strukturë të mirë të administratës, e cila në vazhdimësi merret me punët organizative. Dallojmë hapjen e pikave të reja shkollore, organizimin e seminareve, shëtitjeve me karakter shkollor, konkursin e diturisë.
Kur flasim mbi atë se sa është e pranishme gjuha amtare te fëmijët e mërgatës shqiptare, në tërë diasporën shqiptare dhe Bavari lirisht mund të themi se është jo e kënaqshme. Por do të shtoja edhe një fakt tjetër se gjuha amtare ka filluar gjithnjë e më pak të përdoret në familjet shqiptare.
Të gjitha këto dukuri janë rezultat që përkojnë me:
Nivelin e prindit,
Sa janë prindërit e informuar
Kur flasim për nivelin e prindit, duhet të kemi parasysh që prindi të informohet mirë, mbi të gjitha ta sheh si një obligim moral, i nxitur edhe nga vet shteti nga vije prindi. Nëse kjo arrihet patjetër se do të jetë shumë më i gatshëm të kryejë detyrimin ndaj fëmijëve të tij për t’i çuar në shkollën shqipe. Qoftë se edhe e favorizon me ndonjë shpërblim a investim, apo e obligon që të paktën ta di se a e dërgon fëmiun në shkollën shqipe apo jo.
Pra, për këtë arsye raporti i mirë i shtetit, shoqërisë dhe i prindit është shumë i nevojshëm, duke mbajtur marrëdhënie shumë më bashkëpunuese, sepse kështu prindi arrin ta kupton se fëmija i tij duhet të motivohet apo nxitur ta vijon shkollën shqipe, sepse përmes saj njeh identitetin, trashëgiminë, kulturën dhe gjuhën e tyre.
Përpos kësaj kemi edhe një fenomen shqetësues që ndodhë në familjet tona, ku gjejmë fëmijë, të cilët komunikojnë vetëm në gjuhën vendore, apo fëmijë të cilët fare pak e flasin shqipen, po edhe nëse e flasin, atë e përziejnë shumë me gjuhën e vendit, ku jetojnë. Kështu që e folmja e tyre në gjuhën shqipe, jo vetëm që ka filluar të zbehet, po dita-ditës po vjen duke u shuar dëshira për ta mbajtur gjallë ndjeshmërinë e të shprehurit në gjuhën e nënës. Ndaj duke parë mirëfillin e këtij fenomeni, ne duhet të mbajmë përgjegjësi, së pari Shteti, shoqëria dhe vet prindi.
Fenomen tjetër është më i dukshëm ku kërkimi i të rinjve për një jete më të mirë, dhe peripecitë e tija që kalon me vështirësi për t’u integruar dhe shpesh bien ndesh me pritjet e tija, ai sikur humb interesimin dhe e shikon me një inferioritet të identitetin kombëtar prej nga vijnë. Por më të rrezikuar ndaj këtij fenomeni janë brezi i dytë, sidomos brezi i tretë, fëmijët të cilët lindin në vend të huaj. Pavarësisht se mund t’i kenë dy prindërit shqiptarë, nëse nuk e kupton dhe nuk ka informacione të plota mbi ruajtjen e gjuhës ai heshturazi do të mbetet i varfuri në të folurit dhe fare nuk do të ketë lidhja emocionale me vendin amë.
Për të gjitha këto roli i shtetit duhet të jetë pranishëm dhe të merret me këto fenomene, duke e vetëdijesuar mërgimtarin, dhe e bindur se shteti do ta ndihmon dhe do të ketë një rol të rëndësishëm në rritjen e interesimit në ruajtjen e gjuhës amtare. Që dhe duhet ta ketë një përkujdesje të veçantë, ta shndërrojë vullnetarizmin në përgjegjësi institucionale e të nxjerr praktika studimore, duke u mbështetur në vizionin dhe misionin e tij.
Konkretisht duke e trajtuar si shtyllë kryesore me përgjegjësi institucionale e duke i ikur formalitetit me arsyetimin se: “Ne, në kuadër të shtetit, po bëjmë të mjaftueshmen, duke ju furnizuar me libra falas, apo me mbajtjen e ndonjë seminari.” Kjo, gjithsesi është në të mirë të nxënësit dhe mësimdhënësit, por nuk është çështje thelbësore. Ajo që është, në radhë të parë, e rëndësishme ka të bëjë me vetëdijesimin e prindit që nxënësin ta sjell në shkollë! Nëse nxënësin nuk e kemi në shkollë ç’ rëndësi ka dhurimi i librave, apo mbajtja e seminareve!
Kështu që ne duhet të ndërtojmë një bindje te bashkëkombësi se ruajtja e gjuhës amtare te fëmijët është mese e domosdoshme, për arsye se:
– Fëmija, që e njeh mirë gjuhën amtare, do të jetë edhe më i mirë në gjuhën e shtetit, ku jeton.
–Fëmija në vend të huaj, duke e njohur traditën, historinë dhe kulturën e origjinës, do të dijë të jetë i suksesshëm edhe në kulturat tjera, meqë ai tanimë e ka një përgatitje më shumë se të tjerët.
Nëse ne kemi arritur t’i bindim prindërit, patjetër se fëmijët do të kenë vullnet për të qenë pjesë e shkollës shqipe, kuptohet nëse institucionet tona i japin përgjegjësi institucionale, kështu jo vetëm që do të kemi rritje të numrit, po edhe kualitet të mësimdhënësve dhe strategji në përfshirjen e pjesëmarrësve të tjerë, siç mund të jenë shoqatat dhe bizneset.
Praktikisht po nisem nga fakti se Lidhjen e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Bavari, që nga themelimi i saj e deri më tash është duke punuar me një vullnetarizëm dhe në saje të këtij vullnetarizëm ka arritur ta ketë një numër të konsiderueshëm të klasave dhe të mësimdhënësve. Por me këtë vullnetarizëm a do të kemi ardhmëri dhe sukses?
Kur flasim për komunitetin shqiptar, kudo në botë, ka një perspektivë individuale dhe kjo është shumë lavdërueshme, të paktën na bën të ndihemi krenari. Por, kur flasim për shkollën shqipe kjo sikur nuk zgjon ndonjë interes të veçantë. Jo pse mungon dëshira, por sepse mungon strategjia. Shpesh edhe injorimi del në pah, me thënien: “Ne kemi shtetin dhe shteti duhet të kujdeset për shkollën e mësimdhënësit e diasporës.” Kurse vullnetarizmit i ka ikur ngjyra dhe vetë ky pohim bëhet justifikim i asaj, nëse përmes shtetit nuk krijohen rrethanat për të pasur besimin te bashkëkombësit, suksesi jo vetëm që do të jetë i mangët, por dhe ky numër simbolik nxënësish në shkollë një ditë do të shkojë drejt rënies.
Por dhe duhet ta kemi si mërgatë një model, pikërisht atë të arbëreshëve, të cilët edhe pas gjashtë shekujsh nën presionin e asimilimit ka ruajtur të pashuar dashurinë për atdheun dhe për gjuhën shqipe. Kështu që duhet të rriten me dashurinë për gjuhën e kulturën shqiptare fëmijët e mërgatës shqiptare. “Nëse nuk njeh historinë tënde, atëherë ti nuk di asgjë, sipas Michael Crichton shkrimtari amerikan.
Si ta vejmë në qendër të vëmendjes shkollën shqipe?
Nëse bashkëpunimi dhe krijimi i një rrjetëzimi institucional bëhet faktor kryesor, vullneti dhe rritja e vetëdijes do të jetë më e madhe për shkollën shqipe. Shteti duhet të gjej mekanizma për ta stimuluar, apo përmes stimulimit të biznesit, prindit ta vetëdijëson, qoftë edhe detyrimisht që ta dërgon fëmijën në shkollë.
T’i ipet hapësirë mediale në TV. Kombëtare, që përmes tyre të tërhiqet vëmendja e prindërve se fëmiu i tyre duhet dërguar në shkollën shqipe.