• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2024

Ansambli Artistik “Skënderbeu”

August 12, 2024 by s p

Aleksandrino Ikonomidhi Sulioti/

Pesëdhjetë vjet më parë, në një kohë kur gjithçka ishte ndryshe, në dimrin e gjatë të Shqipërisë së mbyllur, disa artistë të mëdhenj të këtij qyteti, e konsideruan si detyrën të projektonin karakteristikat e vendit tonë dhe kështu, me të gjitha fuqitë dhe mjetet që kishin -dhe gjithmonë me atë zemrën e madhe që di të lindë tek ky vend- ata vazhduan me krijimin e këtij Ansambli, për të informuar shqiptarët për historinë dhe traditën e këtij vendi, që ka njohur anët më të shëmtuara të historisë (varfëria, luftërat etj.)

Artistë të mirëfilltë me “A”, plot pasion dhe vullnet, pa e ditur as vetë, në kohërat kur Shqipëria po zhytej në grinë e izolimit, punuan në mënyrë profetike duke vënë ngjyrat e tyre në kornizën e historisë. Sikur e dinin instinktivisht, se fara që mbollën një ditë do të bëhej pemë dhe do të lëshonte degë kudo. Degë elastike që jo vetëm shënuan historinë me lastarët e tyre të çmuar, por na bashkuan dhe na bashkojnë ende me trungun dhe rrënjët tona.

Degë që duruan dimrin e ashpër të një kohe tjetër, tashmë të largët. Degë që i mbijetuan të gjitha peripecive të historisë së re shqiptare, viteve të gurta të hapit meteor të dallëndyshes së demokracisë. Degë që vepruan si një dritare e hapur drejt një bote të “huaj” që mijëra shqiptarë e ëndërruan për 44 vjet

Janë këta heronj të heshtur (pa lavde dhe përkëdhelje) që të gjithë pak a shumë i njohim dhe i shohim në këtë qytet. Njerëz të përditshëm që duket sikur mbajnë në pëllëmbë një copë tokë të këtij vendi, njerëz që ecin me këmbë ose dhe me biçiklete në rrugicat e ngushta të qytetit, ka edhe nga ata njerëz që morën shtigjet e migrimit në katër horizontet e globit, duke mbajtur gjithmonë të njëjtin vezullim në sytë e tyre “fëminorë” si dhe një copë toke nga qyteti im, edhe pse flokët e tyre tani janë zbardhur, janë gjithmonë ata valltarët që përformuan në Itali, Kanada, Rusi, Ukrainë, Turqi etj.

Ndaj sot përshëndes gjithë ata që jetuan, punuan, djersitën, kërcyen, qeshën, kënduan, qanë, po! të gjithë bashkatdhetarët tanë, që shkuan në skajet e botës, por edhe ata që qëndruan këtu, sepse ndjemë sëbashku aromën e tokës tonë që na joshi.

Sepse ky është qyteti im dhe kjo është magjia e përcjellë brez pas brezi në Ansamblin Skënderbeu, që përmendet rrallë pavarësisht rrugëtim të gjatë artistik, rrjedhës historike dhe vlerësimeve të fituara.

Por në këtë pikë, do të doja të them edhe dy fjalë për një person që e njoh që nga fëmijëria ime, pasi e mbaj mend që kur “mbaj mend dhe veten”. Ndoshta kur e kam takuar për herë të parë në korridoret e ftohta të ish Pallatit të Kulturës, ai ishte në moshën time apo edhe më i ri se unë, një mik artist për të cilin nuk kam folur dhe shkruar kurrë më parë, por që ai tashmë e lidhi jetën dhe veprën e tij me historinë e këtij Ansambli dhe që i shmanget sistematikisht as fjalës “unë”, duke e zëvendësuar me fjalën “ne”. Sigurisht koreografin Bardhi Pojani

E di, e di, që nuk i pëlqen fare këto postime, por sonte ndjej nevojën ta falënderoj që këtu dhe ta përqafoj edhe njëherë fort, bashkë me të gjithë kërcimtarët e Ansamblit, muzikantët e orkestrinës dhe sigurisht dirigjentin Josif Minga.

Këto po mendoja teksa shikoja një valle Devolliçe (të fortë shumë nga ana emocionale për mua), i “fshehur” pas një dritareje dhe kështu vendosa ta “ngrija kohën” me një foto……dhe papritur dhjetëra figura kërcimtarësh dhe muzikantësh të këtij qyteti kaluan para meje. Sepse siç thashë edhe më parë: “ky është qyteti im dhe ky është Ansambli Skënderbeu, i cili do pajisë gjithmonë anëtarët e tij me një copë tokë si hajmali, kudo që të jenë.

Filed Under: Reportazh

“Antropologji dhe udhëtime: Shqipëria e Edith Durhamit”

August 12, 2024 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Revolucioni industrial, përparimet teknologjike dhe përmirësimi i mjeteve të komunikimit nga gjysma e dytë e shekullit të XIX krijuan premisat që udhëtimet edhe në distanca më të largëta të botës të mos ishin më të gjatë, shumë të lodhshëm dhe të vështirë. Si rezultat i këtyre zhvillimeve, numri i udhëtarëve britanikë që vazhduan të vizitojnë Ballkanin vazhdoi të rritej ndjeshëm veçse shtysa për ta vizituar atë dhe qëndrimi ndaj tij fillon të ndryshojë. Nëse në gjysmën e parë të shekullit të XIX , Filohelenizmi dhe romanticizmi ishin kauza që sollën shumë udhëtarë britanikë në rajon, tashmë shtysat dhe qëndrimi ndaj tij përcaktohet nga udhëtimi në vetvete duke e zgjeruar hartën dhe me vendet e tjera të Ballkanit, si Serbi, Mali i Zi, Bullgari e Rumani dhe politika britanike porsa i përket Çështjes Lindore. Për herë të parë kemi dhe dukurinë e femrave udhëtare , gjë që dëshmon se tashmë udhëtimi ishte bërë një fenomen i stabilizuar mirë në kulturën britanike, sidomos në atë Eduardiane.

Në mes udhëtarëve që vizitojnë Ballkanin dhe që ka lënë gjurmë ende në viset që ajo përshkoi është Mery Edith Durham(1863-1944). Ajo ishte 37 vjeç kur ndërmori udhëtimin e saj të parë në Ballkan më 1900. Ky udhëtim do të kishte një efekt të dyfishtë: në jetën e saj dhe për antropologjinë dhe etnografinë e rajonit. Së pari që nga zbulimi i Malit të Zi, Serbisë dhe Shqipërisë dhe për 14 vjet me radhë ajo do të kalonte pjesën më të madhe të kohës dhe të angazhimit të saj intelektual dhe politik në udhëtimet nëpër Ballkan. Së dyti përvoja dhe materiali i mbledhur gjatë këtyre udhëtimeve përbejnë ndoshta koleksionin më të pasur të kulturës popullore dhe sociale të mbledhura nga ndonjë udhëtar i huaj gjatë kësaj kohe. Por përveç kësaj Durham ishte një grua udhëtare me interesa të gjera dhe e përfshirë në shumë aktivitete të ndryshme. Edhe pse ajo njihet më mirë si një etnografe, ajo ishte gjithashtu një gazetare korrespondente , punonjëse sociale dhe aktiviste politike.[1]Edhe pse interesi i saj për Ballkanin e thënë me fjalët e saj nisi nga dëshira “vetëm për të udhëtuar dhe për një ndryshim”[2]ka të ngjarë se duke qenë një artist mund të jetë inspiruar nga ditari i Edward Lear, “Journal of a Landscape Painter in Albania”.[3]

Edith Durham shkroi dhe botoi një sërë veprash monumentale dhe artikujsh për historinë, etnografinë, intrigat politike dhe antropologjinë e Ballkanit. Historianët e mëvonshëm të Ballkanit kanë përdorur rregullisht citime nga veprat e saj ku sipas Noel Malcom ajo ishte “një nga vëzhguesit e huaj me perceptimin më të mirë të ngjarjeve”[4]. Veprat e saj sipas rendit kronologjik janë: “Through the Lands of the Serb” (1904), “The burden of the Balkans “(1905) ,”High Albania“(1909) ,”The struggle for Scutari” (1914) ,”Twenty Years of Balkan Tangle “(1920) ,”The Sarajevo Crime (1925) dhe “Some Tribal Origins, Laws and Customs of the Balkans” (1928).

Në shkrimet e saj të mbushura gjithë informacion për Ballkanin fillon e merr jetë një perceptim më realist i rajonit dhe ka një distancim shumë qartë nga qëndrimi pro-otoman i udhëtarëve të tjerë britanikë. Ajo është nga të parët udhëtarë që njeh dhe bën të qartë p.sh dallimin midis otomanëve dhe shqiptarëve myslimanë si një kombësi e veçantë. Po kështu në veprat e saj shqiptarët nuk thirren me emërtimin e gjuhës turke-arnaut , por me emrin që popullsia e identifikon veten si Shkypitiar[5]. Kjo gjë ndodh pasi Durham nuk ishte e ngarkuar emocionalisht me një kulturë të antike dhe rrjedhimisht nuk është e influencuar nga Filohelenizmi, gjë që mund ti sillte paragjykimin për të kërkuar dhe emërtuar çdo gjë në greqisht në rajon si Leake rreth një shekull më parë. Për më tepër ajo nuk ishte e përfshirë politikisht në shërbimin diplomatik si ky i fundit dhe as kish ndonjë qëllim si Edward Lear(1812-1888) për të pikturuar peizazhe mbresëlënëse ndaj kur vizitoi në Ballkanin e gjeti aty Çështjen Lindore dhe zgjodhi si qëllim të udhëtimeve të veta njohjen sa më mirë të Ballkanit dhe paraqitjen sa më të drejtë të problemeve politike në rajon. Udhëtimet e saj mund të ndahen në dy periudha. Në periudhën e parë 1900-1908 ajo mësoi shumë gjëra për popujt, gjeografinë dhe historinë e rajonit. [6]Është kjo koha kur ajo bën vëzhgimet më të thella për rajonin dhe mundohet tu japë përgjigje shumë nga intrigave ballkanike lidhur me pretendimet territoriale pas tërheqjes së mundshme të otomanëve nga Ballkani. Durham edhe kur bie viktimë e këtyre intrigave si është rasti kur në librin e saj të parë “Through the Lands of the Serb” shkruan se “Shkodra nuk është vetëm një vend interesant për tu vizituar nga Cetina; por i përket me të drejtë historisë serbe”[7] duke sugjeruar saktë se kujt duhet ti përkasë qyteti pas tërheqjes së otomanëve por nuk mënon që “dhjetë vjet më vonë” -si pasojë e udhëtimeve dhe njohjes më të mirë të realitetit-“ti protestojë komunitetit ndërkombëtar kundër sulmit malazez dhe serb ndaj Shkodrës, duke konsideruar se i gjithë vilajeti i Shkodrës ishte me kombësi shqiptare.”[8] Është po kjo koha kur ajo i kushtoi një vëmendje të veçantë grupeve etnike dhe fetare të Ballkanit dhe mënyrës sesi ato konkurronin për të fituar njohje ndërkombëtare në periudhën kur e zgjimit të ndjenjave kombëtare[9]duke u munduar të japë një pasqyrim sa më të saktë të tyre. Edhe pse ajo udhëtoi në Serbi, Bosnje dhe pjesën më të madhe të kohës e kaloi në Malin e Zi, Durham pjesën më të madhe të shkrimeve të veta ia kushtoi Shqipërisë. Në fakt ka autorë që e akuzuan se për njëanshmëri kur ajo mbronte kauzën e shqiptarëve, por duke vëzhguar realitetin në Ballkan , shqiptarët në fakt ishin më të pambrojturit pasi kombet e tjera të Ballkanit i kishin krijuar shtetet e tyre nacionale, kurse ata ishin ende nën Perandorinë Otomane. Në pazaret që bëheshin në Çështjen Lindore shqiptarët dhe territoret e tyre lakmoheshin nga të gjithë fqinjët ballkanikë. Durham, duke qenë në mes të këtyre intrigave ishte në dijeni të tyre prandaj dhe denoncimi i saj merr një vlerë të madhe historike. Durham në kundërshtim me udhëtarët e tjerë britanikë , nuk ka paragjykime ndaj popullsive në Ballkan dhe as kompleksin e superioritetit kulturor ndaj kulturave ballkanike. Kështu p.sh. ajo nuk ngurron të denoncojë dhe keqadministrimin e Bosnjës nga Austro-Hungaria më (1906), kur shumica e udhëtarëve britanikë e lavdëronin atë.[10] apo të denoncojë dhe pushtetin kolonial anglez kur viziton Egjiptin më 1911 duke shkruar se “unë nuk mund të dëshiroja të isha një vendas nën sundimin britanik me asnjë lloj çmimi.”[11]Ajo nuk kishte asnjë paragjykim kundër ndonjë besimi të veçantë fetar, dhe nëse ajo e gjeti Ballkanin të çuditshëm dhe të ri ajo në të njëjtën kohë ishte shumë e predispozuar për të treguar ngjashmëri midis fiseve të Shqipërisë së veriut dhe atyre të vendlindjes së saj Londrës së veriore. Nëse fiset shqiptare parashikonin të ardhmen nga eshtrat e gjoksit të pulave , anglezët e parashikonin atë nëpërmjet fallit në dorë dhe spiritualizmit[12]. Kjo lloj përqasje ndaj Ballkanit, origjinaliteti i prezantimeve dhe përshkrimeve të gjalla të aventurave të saj i siguruan jo vetëm lexues të shumtë në Britani por dhe njohje si autoritet i veçantë në fushën e etnologjisë dhe antropologjisë.

Periudha e dytë e udhëtimeve të saj (1910-1914) karakterizohet kryesisht nga përfshirja e saj në aktivitetin politik të shqiptarëve dhe asistencën sociale ndaj popullatës së keqtrajtuar nga otomanët pas kryengritjeve të shqiptarëve më 1909-1910 e sidomos asaj të 1911. Që në udhëtimin e saj të parë Durham do të tregojë interesim politik për fatet e këtyre popullsive , por kjo periudhë është momenti kur diskursi i saj do të fitoj dhe një qëndrim të qartë politik. Nëse sërish gjithë udhëtarët britanikë të kësaj kohe, ishin konform politikës pro otomane që ndiqte Britania në rajon në kuadër të Çështjes Lindore, Durham është kundër kësaj politike dhe qartazi sulmon administratën turke për mënyrën sesi qeveriste popullsitë e krishtera. “Unë isha rritur duke i konsideruar turkun si një individ të virtytshëm. Tani asnjëherë nuk e kaloj kufirin e tij pa shpresuar se shumë shpejt do mund të behesha dëshmitar i tërheqjes së tij nga Evropa”.[13]Ajo kishte marrëdhënie të ngushta me shumë figura të rëndësishme të politikës malazeze dhe shqiptare dhe shpesh herë u bë zëdhënësja e ngjarjeve politike të Ballkanit në shtypin evropian. Durham punoi si korrespondente e disa gazetave kryesore britanike si “The Manchester Guardian”, “Pall Mall Gazette”dhe “Times”, në të cilat ajo përcolli gjithë dinamizmin, intrigat dhe tensionin e Ballkanit. Në ketë sens artikujt e saj përveç se shërbejnë si dëshmi të momenteve të ndryshme politike që kaloi Ballkani, si kryengritjet shqiptare dhe luftërat ballkanike, janë përgjegjëse dhe për krijimin e imazhit të dhunshëm të Ballkanit në Britani. Tmerret dhe masakrat e luftërave ballkanike u përcollën drejt për së drejtë tek publiku britanik, duke e bërë këtë fundit të meditojë dhe reflektojë për këtë cep të largët të Evropës. Është pikërisht ky moment kur sipas Todorovës në gjuhët evropiane hyn kuptimi i fjalës to “balkanize”- i cila do të thotë të ndahet apo të fragmentohet[14].Natyrisht që Durham nuk ishte e ndërgjegjshme se po ndikonte në krijimin e një etike kulturore negative për Ballkanin, pasi ajo që ishte më imediate për të ishte emetimi i saktë i fajtorëve të kësaj kasaphane. Denoncimi i ambicieve të nacionalizmit të pafre të serbëve ,malazezve,grekëve dhe bullgarëve shpesh herë u interpretua si ekzagjerim i tepruar i saj dhe se shkaqet e këtyre luftërave ishin më tepër jashtë Ballkanit sesa brenda tij. Gjithsesi përsëritja e ngjarjeve në vitet 90’ në Ballkan tregoi se shumë nga prognozat e saj ishin të sakta dhe shumë studiues dhe politikanë e rilexuan për të kuptuar sërish rrënjët e konflikteve. Ky tipar e bën atë krejt të veçantë nga gjithë udhëtarët e tjerë britanikë që vizituan Ballkanin, pasi ky rilexim mund të quhet kthimi tjetër i saj në Ballkan gjë që si ka ndodhur asnjë udhëtari tjetër britanik.

Bibliografi:

1- Andre Hammond. The uses of Balkanism: Representation and Power in British Travel Writing, 1850-1914. The Slavonic and East European Review, Vol.82,No.3(Jul.,2004)

2- Christian Medawar. Mary Edith Durham and the Balkans 1900-1914. McGill University, Montreal September 1995

3- John Hodgoson “Edith Durham Traveller and Publicist” Black Lambs and Grey Falcons: Women Travellers in the Balkans edited by John B. Allcock and Antonia Young, Bradford University Press

4- Maria Todorova. “Ballkani imagjinar” Instituti I Dialogut &Komunikimit. Tiranë:2004

5- Mery Edith Durham. Through the Lands of the Serb London, 1904

6- Noel Malcolm. Bosnia, A Short History. London: MacMillan London Limited, 1994

[1] Christian Medawar. Mary Edith Durham and the Balkans 1900-1914. McGill University, Montreal September 1995, faqe 136

[2] Po aty faqe 9

[3] Po aty faqe 9

[4] Noel Malcolm, Bosnia, A Short History, London: MacMillan London Limited, 1994, faqe 140

[5] Christian Medawar. Mary Edith Durham and the Balkans 1900-1914. McGill University, Montreal September 1995, faqe 15

[6] Christian Medawar. Mary Edith Durham and the Balkans 1900-1914. McGill University, Montreal September 1995, faqe136

[7] Mery Edith Durham. Through the Lands of the Serb London, 1904, faqe 96

[8] Christian Medawar. Mary Edith Durham and the Balkans 1900-1914. McGill University, Montreal September 1995, faqe 20

[9] Po aty faqe 19

[10] Shih për më tepër Andre Hammond. The uses of Balkanism: Representation and Power in British Travel Writing, 1850-1914. The Slavonic and East European Review, Vol.82,No.3(Jul.,2004) faqe 601-624

[11] Christian Medawar. Mary Edith Durham and the Balkans 1900-1914. McGill University, Montreal September 1995, faqe 53

[12] John Hodgoson “Edith Durham Traveller and Publicist” Black Lambs and Grey Falcons: Women Travellers in the Balkans edited by John B. Allcock and Antonia Young, Bradford University Press, faqe 8

[13] Mery Edith Durham. Through the Lands of the Serb London, 1904, faqe 96

[14]Shih për më tepër Maria Todorova. “Ballkani imagjinar” Instituti I Dialogut &Komunikimit. Tiranë:2004

Filed Under: Politike

PESË NDALESA DHE NJË RIKTHIM TE ANTIKITETI I GURTË

August 12, 2024 by s p

Kosta Nake/

Letërsia antike mbetet një thesar që shekujt e kanë kaluar nëpër prizmin e tyre dhe, jo vetëm e kanë mbajtur të gjallë në kujtesën e njerëzimit, por edhe kanë hedhur dritë mbi gjërat e njohura duke shkërmoqur thërrmija diamantesh. Me romanin “Përbindëshi” Kadareja ka bërë këqyrjen e parë të vëmendshme te Troja, Iliada dhe Homeri.

Është mahnitëse që të arrish të heqësh paralele imagjinare mes një historie tepër të largët dhe fatit të një çifti të ri, pastaj si magnet, të tërheqësh ngjarje dhe karaktere që janë të gjithëkohshëm. Paridi rrëmbeu Helenën, Gent Ruvina rrëmben Lenën; Menelau i çoi fiset greke në Trojë për ta rimarrë Helenën, Maksi i çon shokët e vet në rrethinat e kryeqytetit për ta ndëshkuar Lenën dhe rrëmbyesin. Gjithçka fillon me furgonin e braktisur jashtë qytetit nga Cen Tufina pas një aksidenti dhe autori jo vetëm e tjetërson në një kalë të drunjtë, por fut brenda tij edhe një grup njerëzish që sakaq të kujtojnë grekët brenda Kalit të Trojës.

Ndalesa e parë është në kapitullin V, kur Gent Ruvina, duke parë nga dritarja e hotelit barakat me katrama nën shiun e mëngjesit, hamendëson për zgjimin e parë të Helenës në Trojë. Kaq mjafton që të hyjë në ca labirinthe gjuhësorë të cilët dikush tjetër mund t’i shohë sikur kanë ngrirë përjetësisht. Dhe ja ku dalin dy xhevahiret e para: Troja është Iljoni, domethënë “Ylli Jonë, kurse Iliria është Ylli i Ri. (f.263) Pra nuk është një gërmim për të shuar kureshtjen, por për marrë diçka të çmuar për historinë tonë të munguar.

Ndalesa e dytë: A ka ekzistuar vërtet një kali i drunjtë që u fut në Trojë për ta rrënuar atë, apo ai është përdorur si maskim i mënyrës së vërtetë të depërtimit atje? (f.264) Autori mendon se Troja nuk u pushtua dhe u shkretua duke përdorur një kalë të drunjtë, por ka patur një grupim progrek brenda Trojës që ka mundësuar pranimin e një dërgate para shfaqjes së kalit. Ai sjell edhe detaje shtesë për një vërtitje të Helenës rreth kalit dhe lëshimin e ca thirrjeve provokuese për grekët që mund të ishin fshehur brenda tij. Konkluzioni: Dërgata ka qenë thelbi i asaj që ndodhi, kurse kali ishte trajta e jashtme; u sajua një gënjeshtër e ngjashme me të vërtetën për të gëlltitur një gënjeshtër të kulluar që quhet Dredhia e Madhe.

Ndalesa e tretë: Laokoonti i cili pasi u shfaq së pari në një poezi të autorit me të njëjtin titull, rimerret edhe një herë për të treguar se trojanët nuk ishin aq naivë sa të mashtroheshin me një dhuratë të dyshimtë. Po në kundërshtimin e Laokoontit për futjen e kalit brenda mureve, lobimi arrin deri te Priami dhe kundërgoditja vjen si ato të mafies së sotme, kërcënim jo vetëm për jetën e tij, por edhe të fëmijëve.

Ndalesa e katërt është te Akili hero dhe dezertor. Zemërimi i tij me Agamemnonin nuk është për një femër, pas saj fshihet lodhja nga lufta, kriza shpirtërore që krijon ajo. Sepse lufta greko-trojane nuk u bë për një grua të rrëmbyer, ai ishte vetëm preteksti. Sfidanti Alfred Çako hodhi një version të ri: lufta bëhej për hekurin. Autori e bën Gentin të mendojë se Akili ishte “projekti i parë i tankut”, apo “arma e fshehtë” që e ka pikën e dobët te thembra e cila nënkupton zbulimin e të fshehtës. (f.371)

Edhe pse nuk ndalet gjatë, autori sjell një qasje të re për Orakullin e Delfit duke e quajtur atë “njëfarë institucioni ndërkombëtar të politikës.” (f.373)

Zhbirimi i antikitetit vazhdon në tre kapituj radhazi duke filluar nga i dhjeti. Pas debatit Priam – Laokoonti, autori sjell një element të ri të diskutueshëm: Troja kishte poetin e vet dhe ai u dërgua te hititët për të përjetësuar në pllaka qeramike poemën e vet dhe historinë e vendit të vet. Vetëm një studio krijuese si kjo e Kadaresë mund të zbulojë poshtë thundrës së një kali nga hordhia e Timur Lengut një copëz pllake qeramike mbetur nën rrënojat e një qytetërimi të groposur nga murtaja. Duke u ndalur te ky detaj, le të kujtojmë emrin e poetit trojan Thremoh, që është anagramë e emrit Homerth. (f.375) Të gjithë ata që kanë lexuar apo dëgjuar për “Iliadën” automatikisht i pranëvënë asaj Homerin e verbër. A ishte vërtet i verbër? Kjo mëdyshje është mijëravjeçare. Nëpërmjet Gent Ruvinës autori thotë se verbëria e tij ishte veçse një kod, se “masa e njerëzve… bën një zhvendosje të perdes nga sytë e saj në sytë e poetit.” (f.375)

Kaq nuk është pak, megjithatë nuk mbaron këtu. Pas 15 vitesh Kadare do t’i rikthehet antikitetit dhe Homerit tek romani “Dosja H.”

Sa e pabesueshme shfaqet fjala shqipe në vargun e parë të Iliadës “Menin aeide thes Peleiadeos Ahilaios!” (Mërinë këndo hyjneshë të Akil Peleut.) Sa interesant është krahasimi i Ajkunës së eposit të kreshnikëve me Helenën e Trojës! Po finesa e pyetjes se ç’ka qenë Homeri! “Poet gjenial apo redaktor gjenial, zyrtar, kontestator apo ideolog? Ishte një lloj publisher i asaj kohe, kronist mondan i Olimpit, zëdhënës zyrtar, apo shef si çdo shef kishte ndihmësit e tij të shumtë? Apo s’ishte asnjë nga këto, madje s’ishte fare person, por një institucion, dhe emri i tij, i përbërë prej inicalesh, duhej shkruar jo Homer, por H.O.M.E.R.” (f.160) Perla të tilla mund të dalin vetëm nga pena kadarejane!

(Romani “Përbindëshi” i Ismail Kadaresë, Vepra 1, Onufri 2007).

Filed Under: Kulture

A ISHTE GJERGJ ARANITI EDHE PRINCI I KANINËS?

August 12, 2024 by s p

Avni Alcani/

Historianët që janë marrë me figurën e Skënderbeut, kanë përmendur në veprat e tyre Princin e famshëm arbër, Gjergj Aranit Komnenin. Jo vetëm se ai ishte vjerri i Skënderbeut, por sepse ai kishte qenë i pari princ arbër që ishte ngritur kundër pushtimit otoman. Gj. Araniti i mundi keqas turqit. Bile, disa herë. Ushtria turke ishte fuqia më e madhe ushtarake e botës dhe konsiderohej në atë kohë si e pamposhtur. Fama e fitoreve të Aranitit i kishte kapërxyer kufijtë e Arbërisë. Ai mori përgëzime e lëvdata nga Papa i Romës dhe nga kancelaritë më të rëndësishme të Europës (Burimë tregimtare bizantine për historinë e Shqipërisë, shek 10-15, 1975, f. 326-327).

Në vitin 1742, një prift italian nga Breshia (Itali), i quajtur Xhanmaria Biemi, kishte botuar librin “Istoria di Giorgio Castrioto detto Scander-begh”. Prifti pretendonte se kishte shkruar një histori të heroit të shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeut, kushtuar bëmave kundër pushtuesve otomanë. Libri i tij, sipas Biemit, ishte mbështetur në një vepër “të humbur” i një autori shqiptar nga Tivari, i njohur si “Anonimi i Tivarit”. Ai shkruante se Gjergj Araniti ishte Princi i Kaninës. Një pjesë e historianëve shqiptare të shek. 19-20, ndër ta edhe Fan S. Noli, i ndikuar nga libri i abatit breshian, në librin e tij “Gj.K.Skënderbeu. 1405-1968”, kur radhit princët shqiptarë që morën pjesë në Beslidhjen e Lezhës, shkruan: “Gjergj Aranit Topia Komneni i Kaninës dhe Shpatës (Noli: “Gj.K.Skënderbeu. 1405-1968”, 1967, f. 96,). A ishte në të vërtetë Gjergj Araniti Princi i Kaninës? Për t’i dhënë një përgjigje sa më të saktë kësaj pyetje, le t’u referohemi burimeve dokumentare, si dhe shkrimeve historike, të cilat dëshmojnë të kundërtën, se trevat e aranitëve shtriheshin në Shqipërinë e Mesme dhe pikërisht në krahinat e Çermenikës, Shpatit dhe Mokrës.

* * *

Marin Barleti jep dëshminë e parë se Gjergj Araniti ishte Zot i vendit, në trevat e Elbasanit. Barleti. Në librin e tij “Historia e Skënderbeut, 1983), kur përshkruan ngritjen në vitin 1467 të kalasë së Elbasanit nga Sulltan Mehmeti II, shkruan: “Ai (Sulltani) e ngriti kampin ushtarak në një fushë të gjërë të madhe afër lumit Shkumbin, ku princi Aranit Komneni, vjerri i Skënderbeut, ishte i parë i vendit… (faqe 645). Në të njejtën kohë osmanlliu përtëriti dhe rindërtoi… Qytetin e Valmëve” (Po aty). Dhe këtu ai kishte parasysh fushën rreth qytetit të Elbasanit të sotëm, që është “afër lumit Shkumbin” dhe ku “princi Aranit Komneni ishte i parë i vendit” (nënvizimi im-A. A.). Kurse Qyteti i Valmëve, nuk është gjë tjetër veçse emri i vjetër i Qytetit të Elbasanit, qytet në të cilin kishte lindur edhe princi Moisi Golemi Araniti. Dhimitër S. Shuteriqi, në shkrimin e tij: “Aranitët-Zotërimet” (Rev. Studime Historike, Nr. 1, 1967), shkruan për Moisi Golemin se “Barleti na mëson se Moisiu kishte lindur në qytetin e Valmëve të Epirit (Elbasani i Sotëm)” (faqe 64).

Dëshminë e dytë, se Gjergj Araniti ishte Zot i trevave të Çermenikës, Shpatit dhe Mokrës, e kemi nga Gjon Muzaka, Despoti i Beratit dhe bashkëkohës i Aranitit. Ai shkroi në vitin 1510 një testament, të quajtur “Memorie” (Tiranë 1996). Familja e Muzakajve dhe ajo e Aranitëve ishin shumë të lidhura me njëra-tjetrën. Për Gjergj Aranitin, i cili kishte qenë i martuar me Maria Muzakën, e cila ishte motra e babait të Gj. Muzakës, shkruan: “Zonja Maria e lartpërmendur, motër e tim eti, pati për burrë Zot Aranit Komnenin, që ishte Zot i Çermenikës (Cermenica) dhe i Mokrës (Mochino) dhe i Shpatit (Spatenia)… (faqe 19). Një motër e Gjon Muzakës, Zonja Suina, ishte martuar me Muzak Komnenin, vëllanë e Gj. Aranitit, i cili kishte pronat e tija në Çermenikë: “Zonja Suina, pati për burrë Zot Muzak Komnenin, të birin e Komnen Arianitit, i cili kishte shtet të tij në pjesën e Çermenikës dhe në pjesën e Mokrës. Fshati i parë (i tij) quhet Librazhdi (Liborasi), një tjetër Drago (Drago), një tjetër Stunja (Stugna), një tjetër Dorësi (Dorisa), një tjetër Qukësi (Zuchisi), një tjetër Guri dhe fshatra të tjerë” (faqe 35). Motra e dytë e Muzakës, Zonja Maria, ishte martuar me Muzak Aranitin, nipin e Gj. Aranitit, që thirrej ndryshe edhe Muzaka i Angjelinës, pasi kishte nënë Angjelinën, motrën e Skënderbeut: “Zonja Maria, pati për burrë Muzak Komnenin, që thirrej nga populli i Angjelinës, i cili kishte një kështjellë që quhej Bjeshka (Biescha) dhe mjaft fshatra të tjerë që janë në Çermenikë dhe Tomadhi” (faqe 36). Edhe një motër e katërt e Gjon Muzakës, Zonja Komita, ishte e martuar me Zotin Aranit, që e kishte Principatën e tij në Çermenikë: “Zonja Komita, pati për burrë Zotin Aranit, të birin e Muzak Aranitit, i cili kishte një Principatë të mirë në Çermenikë… (faqe 37).

Në vitin 1960 historiani gjerman Fanz Babinger shkroi librin “Fundi i arianitëve” (Tiranë 2004), kushtuar kryesisht Kostandin Komnen Aranitit, djalit të dytë të Gj. Aranitit. Në këtë libër Babingeri i bën fajtorë studiuesit shqiptarë për trajtimin jo dinjitoz që i kanë bërë figurës së Gjegj Aranitit. Ai shkruan se “roli i Gjergj Aranitit është errësuar në mënyrë të dyshimtë në të mirë të dhëndërit të tij, të mbiquajtur së fundi “capitano generale dei Signori d’Albania” (Gj. Muzaka) Gjergj Kastrioti, i quajtur Skënderbej” (faqe 9). Në lidhje me trevat që zotëronin aranitët në shek. XV, F. Babinger shkruan: “Fisi i Arianitëve e ka prejardhjen nga Shqipëria e Mesme dhe, me një farë sigurie, mund të pohohet se Gjergj Arianiti, për të cilin këtej e tutje do të bëhet fjalë, duhet të ketë qenë rreth viteve 1443 zot i Çermenikës (në skajin jugor të malësisë, në territorin e Rrapunit), i pjesëve nga Mokra dhe Shpati (nënvizimi im-A.A.) e gjithashtu kishte prona” (faqe 17).

Te historianët e shek. të 20-të ka pas ekzistuar një tezë, të cilën e patën mbështetur edhe Babinger, Noli, Shuteriqi etj., që aranitët kanë qenë të ndarë në dy degë: një pjesë që zotëronin toka në Shqipërinë e Mesme dhe pjesa tjetër në Shqipëri të Jugut. Në lidhje me shtrirjen e shtetit të Aranitëve në Jug të Shqipërisë, Babinger shkruan te libri i tij “Fundi i Aranitëve”: “Megjithatë, duket se Arianitët zotëronin prona të mëdha tokësore edhe në Mallakastër, ku gjendet sot fshati Aranitas, që të kujton fisin e vjetër të zotërinjve. Këto toka shtriheshin deri në det…” (po aty). Kjo tezë nuk ka patur mbështetje, pasi nuk ekzistojnë dokumenta që ta mbështesin atë. Babingeri, në librin e sipërpërmendur, pohon se, për shtrirjen e shtetit të Aranitëve në Jug të Shqipërisë, “Unë nuk mund të sjell ndonjë dëshmi të qartë të dokumentuar” (po aty). Kurse Dh. S. Shuteriqi, në lidhje me supozimin se zotërimet e Gjergj Aranitit shtriheshin në Kaninë, shkruan: “Nuk ka të dhënë arkivale që të pohojnë se Aranitët kishin në zotërimin e tyre Vlorën dhe Kaninën” (faqe 74).

Dhimitër S. Shuteriqi, në tre nga studimet e tij më të spikatura për aranitët: “Aranitët-Emri dhe gjenealogjia” (1965), “Aranitët-Zotërimet” (1967) dhe “Aranitia në vitin 1467” (1981), kishte dëshmuar me fakte dhe dokumente që “Aranitia”, shteti ose principata e Aranitëve shtrihej në Shqipërinë e Mesme dhe e kishte qendrën në trevat e Librazhdit të sotëm. Shuteriqi shkruan:“S’ka asnjë dyshim se, më 1454, me emrin e Aranitisë kuptoheshin domenat e Aranitëve në viset e Librazhdit të sotëm… me kryeqendër Komnenovilin, “Qyteti i Komnenit” … që s’ishte tjetër veçse Polisi, apo Vilani i sotëm, lagje e Polisit (faqe 129-133).

Në tekstin e Historisë së Shqipërisë (Tiranë 2002), një nga emrat e familjes së aranitëve ishte “Çermenika”. Në lidhje me këtë fakt (emri “Çermenika” të aranitëve – A.A.), prof. dr. Dh. S. Shuteriqi shkruan: “Emri Çermenika, ka të bëjë sigurisht me zotërimet e Aranitëve në krahinën e Çermenikës së sotme” (faqe 130).

* * *

Siç e pamë edhe më sipër, i vetmi historian, që ka pohuar se Gjergj Araniti ishte Princ i Kaninës, ka qenë një prift italian nga Breshia (Itali), Xhanmaria Biemi. Shuteriqi, në një shkrim të botuar kohët e fundit (2002) për aranitët, në lidhje me veprën e Biemit shkruan se “Biemi…ka fantazuar shumë” (faqe 3). Franz Babinger është më i ashpër në qëndrimin ndaj Biemit. Studiuesi gjerman e etiketon priftin breshian “mashtruesi i pacipë” dhe librin e tij si “vepra mashtruese e hileqare e abatit breshian” (faqe 9). Ai i këshillon historianët shqiptarë që “studimet historike shqiptare (duhet) të çlirohen nga vepra mashtruese e hileqare letrare e Istoria di Giorgio Castrioto detto Scander-begh e Gianmaria Biemit” (po aty). Të njejtin qëndrim me historianin gjerman mban edhe historiani i shquar shqiptar, Aleks Buda, i cili, në parathënien e librit të cituar të F.S. Nolit, shkruan: “Një e metë që mbështetet akoma në në punimin e ri të Nolit është fakti se ai vazhdon të përdorë si burim të dorës së parë disa burime tregimtare shumë të dyshimta. E kemi fjalën për historinë e të ashtuquajturit “Tivaras”, për të cilin historianë me autoritet kanë shprehur mendimin e argumentuar se kemi të bëjmë me një fallsifikim të një fallsifikatori profesionist të shek. XVIII, Xhanmaria Biemi” (faqe 😎.

Është e vërtetë që një pjesë (jo të gjithë) e historianëve bashkëkohorë shqiptarë (F. Noli, K. Frashëri etj.) e pranojnë Biemin dhe veprën e tij, por asnjëri prej tyre (veç Nolit) nuk e pohojnë se Gj. Araniti ishte Princi i Kaninës. Me gjithë vlerat e pamohueshme dhe të jashtëzakonshme të librit të F. Nolit “Gj. K. Skënderbeu 1405-1468”, kushtuar figurës së Skënderbeut, por përsa i përket Gj. Aranitit, burimeve historike që ka shfrytëzuar Noli për të (megjithëse ka lexuar edhe Memorien e Gj. Muzakës), ai i paraqet të cunguar dhe jo të plota. Këtë të metë të Nolit e ka vënë në dukje edhe Aleks Buda në parathënien e librit të Nolit, ku shkruan: “Noli lë qëllimisht pas dore një burim si biografinë e hartuar nga shqiptari Marin Barleti, të cilin kërkimet e reja po e vërtetojnë gjithnjë e më tepër si një burim në kuptimin e plotë autentik e të dorës së parë” (po aty). Në librin e Nolit figurë qëndrore ishte Skënderbeu dhe është e kuptueshme që për Gj. K. Skënderbeun autori kishte hulumtuar më shumë sa ç’kishte hulumtuar për Gj. Aranitin. Përsa i përket veprës së Biemit dhe vlerësimeve që jep Babingeri për të, Noli shkruan se studiuesi gjerman nxjerr “përfundime të nxituara” dhe se Babingeri “ka shumë të ngjarë ta ketë lexuar tek-tuk librin e Biemit” (faqe 84 dhe 160). Nuk mendoj se Noli ka të drejtë. Franc Babinger është i njohur në botë si një “historian me autoritet” (A. Buda) dhe si i tillë ai nuk mund të nxirrte “përfundime të nxituara” nga një lexim “tek-tuk” i librit të Biemit (po aty)

Ndryshe ndodh me dy biografët e Gj. Aranitit, gjermanit F. Babinger dhe shqiptarit Dh. S. Shuteriqi, që e patën Aranitin protagonist në veprat e tyre. Për pasqyrimin e figurës së tij ata kanë hulumtuar shumë më tepër dokumenta arkivore dhe shkrime historike, duke sjellë dëshmi më të plota dokumentare rreth figurës së Gj. Aranitit. Janë pikërisht këta dy autorë, që, me studimet e tyre për aranitët, kanë kanë nxjerrë përfundimin, se Gjergj Araniti ishte Princ i trevave të Çermenikës, Shpatit dhe Mokrës.

BIBLIOGRAFIA:

A. Buda: Fan S. Noli, historian i Skënderbeut”, parathënie e librit “Gj.K.Skënderbeu. 1405-1968”, Tiranë 1967.

Burimë tregimtare bizantine për historinë e Shqipërisë (Shek 10-15), Tiranë 1975.

F. Noli: “Gj.K.Skënderbeu. 1405-1968”, Tiranë 1967.

F. Babinger : “Fundi i arianitëve” (Përkthyer në gjuhën shqipe), Tiranë 2004.

Dh. Shteriqi: “Aranitët-Emri dhe gjenealogjia”, Studime historike, Tiranë 1965.

Dh. S. Shuteriqi: Aranitët-Zotërimet”, Rev. Studime Historike, Nr. 1, Tiranë 1967.

Dh. Shuteriqi: “Aranitia në vitin 1467”, 1981.

Gj. Muzaka: “Memorie”, (Botim shqip), Tiranë 1996.

M. Barleti: “Devita et gestis Scanderbegi, praeclarissimi epirotarum principis, botuar më 1508 (Botim shqip në vitin 1983).

Xh. Biemi: “Istoria di Giorgio Castrioto detto Scander-begh”, Breshia, Giam, Battista Bossino 1742 (cituar sipas veprës së F. Nolit “Gj.K..Skënderbeu. 1405-1968”, Tiranë 1967).

Filed Under: Histori

Panaire botërore

August 12, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Panairi i parë botëror, i njohur si Ekspozita e Madhe, u zhvillua në Londër në vitin 1851. I mbajtur në Pallatin Kristal – një sallë masive ekspozimi prej qelqi dhe hekuri – panairi shfaqi mrekullitë e industrisë dhe shkencës, si dhe vepra artizanale dhe arti nga e gjithë bota. Që atëherë, më shumë se 100 panaire botërore janë mbajtur në mbi 20 vende dhe shpikje të panumërta kanë bërë debutimin e tyre në këto ngjarje masive, nga telefoni te karamele pambuku. Megjithëse panairi botëror ka rënë në popullaritet në Shtetet e Bashkuara, ai mbetet i popullarizuar në pjesën më të madhe të botës. Ekspozita Kolumbiane e Botës 1893 në Çikago (e emërtuar për nder të Christopher Columbus) ishte një mundësi për shitësit e ushqimit. Por H.J. Heinz – një furnizues amerikan i turshive dhe ketchup-it – ishte i frustruar me vendosjen e kabinës së tij. Ndërsa kati kryesor shfaqte ekspozita ushqimore nga Gjermania, Britania e Madhe, Meksika dhe vende të tjera, Heinz mbeti i mbërthyer në katin e dytë ku kishte pak trafik. Ai hartoi një plan marketingu që premtonte një çmim falas për këdo që vizitonte stendën e tij: një karficë të vogël plastike jeshile. Turmat që u dyndën në kabinën e tij ishin aq të mëdha sa thuhet se dyshemeja u ul rreth ekranit. Deri në fund të ekspozitës, Heinz kishte dhuruar më shumë se 1 milion kunja turshi, duke hapur rrugën që marka e tij të bëhej një emër i njohur.

Inkubatorët e foshnjave filluan si një atraksion karnaval.

Inkubatori i foshnjave – një pajisje shpëtimtare në të cilën mund të zhvillohen foshnjat e parakohshme ose të sëmura – u shpik në shekullin e 19-të nga mjeku obstetër francez Stéphane Tarnier, i cili e mori idenë pasi pa zogjtë e vegjël që inkuboheshin në një kopsht zoologjik. Shpikja u miratua gjerësisht dekada më vonë, falë punës së dy burrave, Pierre Budin dhe Martin Couney. Të vendosur për të popullarizuar teknologjinë novatore, Budin dhe Couney shfaqën gjashtë inkubatorë të kompletuar me foshnja të vërteta premature në Ekspozitën e Madhe Industriale të Berlinit të vitit 1896, në një ekspozitë që ata e quajtën “Child Hatchery”. Ekspozita ishte aq e popullarizuar sa Couney vazhdoi të ngrejë një ekspozitë të përhershme në një vend të pamundur: parkun argëtues Coney Island në Nju Jork. Për katër dekadat e ardhshme, Couney menaxhoi një njësi të kujdesit intensiv neonatal që shpëtoi mijëra foshnja ndërsa u dyfishua si një atraksion karnavalesh. Pavarësisht se nuk është një mjek i licencuar, Couney tani vlerësohet gjerësisht me adoptimin e inkubatorit të foshnjave në mjekësinë e zakonshme.

Ekspozita Pan-Amerikane e vitit 1901 u mbajt në Buffalo, Nju Jork, dhe shfaqi shumë përparime të fundit në shkencë dhe teknologji. Por ishte edhe vendi i tragjedisë. Ndërsa përshëndeti publikun në panair, presidenti i SHBA William McKinley u qëllua dy herë nga një anarkist i quajtur Leon Czolgosz. Plumbi i parë goditi vetëm McKinley-n, por plumbi i dytë e goditi atë në stomak dhe ekipi mjekësor nuk mundi ta gjente. Siç do ta kishte fati, një nga makineritë e reja me rreze X të Thomas Edison u ekspozua në panair. Edison kërkoi një asistent të sillte një makinë në shtëpinë ku po qëndronte McKinley, por ekipi mjekësor vendosi që gjendja e Presidentit ishte shumë e paqëndrueshme për t’iu nënshtruar procedurës me rreze X dhe pajisja nuk u përdor kurrë. McKinley ndërroi jetë një javë më vonë, duke bërë që disa të pyesin nëse shpikja e Edisonit mund t’i kishte shpëtuar jetën.

Çikago thuajse u bë shtëpia e një kulle më të madhe se Eifel, por në vend të saj mori një rrotë Ferris

Katër vjet pasi Kulla Eifel u ndërtua për Ekspozitën Ndërkombëtare të Parisit të vitit 1889, një komitet i Çikagos filloi të planifikonte panairin e tij botëror, duke kërkuar ide nga arkitektët amerikanë që do t’ia kalonin kullës së Eiffelit, Propozimet përfshinin një kullë 1,500 këmbë të bërë nga trungje dhe atë që do të ishte kulla e parë bungee. Arkitekti i Kullës Eifel, Gustave Eiffel, madje ofroi të ndërtonte një version më të madh të monumentit të tij adash. Në vend të kësaj, komiteti i Çikagos zgjodhi diçka unike: rrotën e parë të Ferrisit në botë, e ndërtuar dhe emëruar për George Washington Gale Ferris Jr. Me diametër 250 metra dhe e ulur në majë kullash 140 metra të larta, rrota e Ferrisit i çoi kalorësët më lart se kurorën e Statujës së Lirisë.

Ndërsa rrota origjinale e Ferrisit në Çikago që atëherë është zëvendësuar nga Rrota Centennial, vizitorët nga e gjithë bota vazhdojnë të shijojnë trashëgiminë arkitekturore të panairit botëror në Navy Pier.

Në 1883, një socialiste amerikane e quajtur Josephine Cochrane u zhgënjye me detyrën e lodhshme të larjes së porcelanit të mirë që përdorte për të argëtuar mysafirët. Ajo u zotua: “Nëse askush tjetër nuk do të shpikë një makinë larëse enësh, unë do ta bëj vetë”. Në 1886, Cochrane mori një patentë për makinën e saj të larjes së enëve, e cila mund të lante dhe thante deri në 240 enë në dy minuta me përdorimin e saj inovativ të presionit të ujit. Megjithatë, Cochrane luftoi për të shitur shpikjen e saj për shkak të kostos së lartë të prodhimit, si dhe seksizmit të kohës; Investitorët e mundshëm donin që Cochrane të jepte dorëheqjen dhe t’ua kalonte kontrollin e kompanisë së saj burrave. Ekspozita Kolumbiane Botërore e 1893 në Çikago i dha asaj platformën që i nevojitej – pasi demonstroi publikisht makinën e saj, Cochranet iu dha çmimi më i lartë i ngjarjes, për “ndërtimin më të mirë mekanik dhe përshtatjen me linjën e saj të punës”. Porositë nga restorantet dhe hotelet në të gjithë rajonin u rritën në qiell, duke hapur rrugën për pjatalarëse moderne.

Është e lehtë të supozohet se biseda me video është një shpikje e fundit që erdhi së bashku me ardhjen e internetit. Por teknologjia e video chat-it ka një histori më shumë se gjysmë shekulli. Kontakti i parë i publikut me video-chat ishte në Panairin Botëror të 1964-ës në Nju Jork, ku Bell Labs debutoi një “telefon me foto” që u mundësoi pjesëmarrësve të panairit të bënin telefonata me video me të huaj në të gjithë vendin në Disneyland të Kalifornisë. U krijuan rreshta të gjata dhe Bell Labs (së bashku me kompaninë e saj mëmë, AT&T) besuan se teknologjia do të ishte një sukses komercial, me drejtuesit që parashikonin që një milion komplete fotofonike do të shiteshin deri në vitin 1980. Mjerisht, pajisja dështoi të ngrihej, kryesisht për shkak të çmimit të lartë. Bell Labs u përpoq të shfaqte përsëritje të ndryshme të fotofonit në dekadat në vijim, por vetëm me ardhjen e internetit, biseda me video më në fund mori hov.

Sot, termi “vaj i gjarprit” nënkupton mallra mashtruese dhe marketing mashtrues, dhe gjithçka filloi me një njeri të quajtur Clark Stanley, i mbiquajtur “Mbreti i gjarpërinjve me zile”. Stanley prezantoi një produkt “vaji i gjarprit” për publikun amerikan në Ekspozitën Kolumbiane Botërore të 1893 në Çikago, duke pretenduar se kishte mësuar për të nga mjekët Hopi. Si pjesë e një demonstrimi dramatik të drejtpërdrejtë, ai hapi një gjarpër zile dhe e zhyti në ujë të valuar, duke hequr yndyrën që u ngrit në sipërfaqe për të krijuar “Vajin e Gjarprit të Stanley”. Spektatorët u mahnitën dhe produkti i Stanley u bë një hit i menjëhershëm. Por ndërsa vaji i disa gjarpërinjve, si gjarpërinjtë kinezë të ujit, kanë veti medicinale, vaji nga shumica e gjarpërinjve vendas në SHBA nuk kanë. Për më tepër, produkti i Stanley u zbulua më vonë nga FDA se nuk përmbante fare vaj gjarpri, por më tepër yndyrë viçi, piper të kuq dhe terpentinë, duke e bërë përgjithmonë vajin e gjarprit sinonim të mashtrimit.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • …
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT