Avni Alcani/
Historianët që janë marrë me figurën e Skënderbeut, kanë përmendur në veprat e tyre Princin e famshëm arbër, Gjergj Aranit Komnenin. Jo vetëm se ai ishte vjerri i Skënderbeut, por sepse ai kishte qenë i pari princ arbër që ishte ngritur kundër pushtimit otoman. Gj. Araniti i mundi keqas turqit. Bile, disa herë. Ushtria turke ishte fuqia më e madhe ushtarake e botës dhe konsiderohej në atë kohë si e pamposhtur. Fama e fitoreve të Aranitit i kishte kapërxyer kufijtë e Arbërisë. Ai mori përgëzime e lëvdata nga Papa i Romës dhe nga kancelaritë më të rëndësishme të Europës (Burimë tregimtare bizantine për historinë e Shqipërisë, shek 10-15, 1975, f. 326-327).
Në vitin 1742, një prift italian nga Breshia (Itali), i quajtur Xhanmaria Biemi, kishte botuar librin “Istoria di Giorgio Castrioto detto Scander-begh”. Prifti pretendonte se kishte shkruar një histori të heroit të shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeut, kushtuar bëmave kundër pushtuesve otomanë. Libri i tij, sipas Biemit, ishte mbështetur në një vepër “të humbur” i një autori shqiptar nga Tivari, i njohur si “Anonimi i Tivarit”. Ai shkruante se Gjergj Araniti ishte Princi i Kaninës. Një pjesë e historianëve shqiptare të shek. 19-20, ndër ta edhe Fan S. Noli, i ndikuar nga libri i abatit breshian, në librin e tij “Gj.K.Skënderbeu. 1405-1968”, kur radhit princët shqiptarë që morën pjesë në Beslidhjen e Lezhës, shkruan: “Gjergj Aranit Topia Komneni i Kaninës dhe Shpatës (Noli: “Gj.K.Skënderbeu. 1405-1968”, 1967, f. 96,). A ishte në të vërtetë Gjergj Araniti Princi i Kaninës? Për t’i dhënë një përgjigje sa më të saktë kësaj pyetje, le t’u referohemi burimeve dokumentare, si dhe shkrimeve historike, të cilat dëshmojnë të kundërtën, se trevat e aranitëve shtriheshin në Shqipërinë e Mesme dhe pikërisht në krahinat e Çermenikës, Shpatit dhe Mokrës.
* * *
Marin Barleti jep dëshminë e parë se Gjergj Araniti ishte Zot i vendit, në trevat e Elbasanit. Barleti. Në librin e tij “Historia e Skënderbeut, 1983), kur përshkruan ngritjen në vitin 1467 të kalasë së Elbasanit nga Sulltan Mehmeti II, shkruan: “Ai (Sulltani) e ngriti kampin ushtarak në një fushë të gjërë të madhe afër lumit Shkumbin, ku princi Aranit Komneni, vjerri i Skënderbeut, ishte i parë i vendit… (faqe 645). Në të njejtën kohë osmanlliu përtëriti dhe rindërtoi… Qytetin e Valmëve” (Po aty). Dhe këtu ai kishte parasysh fushën rreth qytetit të Elbasanit të sotëm, që është “afër lumit Shkumbin” dhe ku “princi Aranit Komneni ishte i parë i vendit” (nënvizimi im-A. A.). Kurse Qyteti i Valmëve, nuk është gjë tjetër veçse emri i vjetër i Qytetit të Elbasanit, qytet në të cilin kishte lindur edhe princi Moisi Golemi Araniti. Dhimitër S. Shuteriqi, në shkrimin e tij: “Aranitët-Zotërimet” (Rev. Studime Historike, Nr. 1, 1967), shkruan për Moisi Golemin se “Barleti na mëson se Moisiu kishte lindur në qytetin e Valmëve të Epirit (Elbasani i Sotëm)” (faqe 64).
Dëshminë e dytë, se Gjergj Araniti ishte Zot i trevave të Çermenikës, Shpatit dhe Mokrës, e kemi nga Gjon Muzaka, Despoti i Beratit dhe bashkëkohës i Aranitit. Ai shkroi në vitin 1510 një testament, të quajtur “Memorie” (Tiranë 1996). Familja e Muzakajve dhe ajo e Aranitëve ishin shumë të lidhura me njëra-tjetrën. Për Gjergj Aranitin, i cili kishte qenë i martuar me Maria Muzakën, e cila ishte motra e babait të Gj. Muzakës, shkruan: “Zonja Maria e lartpërmendur, motër e tim eti, pati për burrë Zot Aranit Komnenin, që ishte Zot i Çermenikës (Cermenica) dhe i Mokrës (Mochino) dhe i Shpatit (Spatenia)… (faqe 19). Një motër e Gjon Muzakës, Zonja Suina, ishte martuar me Muzak Komnenin, vëllanë e Gj. Aranitit, i cili kishte pronat e tija në Çermenikë: “Zonja Suina, pati për burrë Zot Muzak Komnenin, të birin e Komnen Arianitit, i cili kishte shtet të tij në pjesën e Çermenikës dhe në pjesën e Mokrës. Fshati i parë (i tij) quhet Librazhdi (Liborasi), një tjetër Drago (Drago), një tjetër Stunja (Stugna), një tjetër Dorësi (Dorisa), një tjetër Qukësi (Zuchisi), një tjetër Guri dhe fshatra të tjerë” (faqe 35). Motra e dytë e Muzakës, Zonja Maria, ishte martuar me Muzak Aranitin, nipin e Gj. Aranitit, që thirrej ndryshe edhe Muzaka i Angjelinës, pasi kishte nënë Angjelinën, motrën e Skënderbeut: “Zonja Maria, pati për burrë Muzak Komnenin, që thirrej nga populli i Angjelinës, i cili kishte një kështjellë që quhej Bjeshka (Biescha) dhe mjaft fshatra të tjerë që janë në Çermenikë dhe Tomadhi” (faqe 36). Edhe një motër e katërt e Gjon Muzakës, Zonja Komita, ishte e martuar me Zotin Aranit, që e kishte Principatën e tij në Çermenikë: “Zonja Komita, pati për burrë Zotin Aranit, të birin e Muzak Aranitit, i cili kishte një Principatë të mirë në Çermenikë… (faqe 37).
Në vitin 1960 historiani gjerman Fanz Babinger shkroi librin “Fundi i arianitëve” (Tiranë 2004), kushtuar kryesisht Kostandin Komnen Aranitit, djalit të dytë të Gj. Aranitit. Në këtë libër Babingeri i bën fajtorë studiuesit shqiptarë për trajtimin jo dinjitoz që i kanë bërë figurës së Gjegj Aranitit. Ai shkruan se “roli i Gjergj Aranitit është errësuar në mënyrë të dyshimtë në të mirë të dhëndërit të tij, të mbiquajtur së fundi “capitano generale dei Signori d’Albania” (Gj. Muzaka) Gjergj Kastrioti, i quajtur Skënderbej” (faqe 9). Në lidhje me trevat që zotëronin aranitët në shek. XV, F. Babinger shkruan: “Fisi i Arianitëve e ka prejardhjen nga Shqipëria e Mesme dhe, me një farë sigurie, mund të pohohet se Gjergj Arianiti, për të cilin këtej e tutje do të bëhet fjalë, duhet të ketë qenë rreth viteve 1443 zot i Çermenikës (në skajin jugor të malësisë, në territorin e Rrapunit), i pjesëve nga Mokra dhe Shpati (nënvizimi im-A.A.) e gjithashtu kishte prona” (faqe 17).
Te historianët e shek. të 20-të ka pas ekzistuar një tezë, të cilën e patën mbështetur edhe Babinger, Noli, Shuteriqi etj., që aranitët kanë qenë të ndarë në dy degë: një pjesë që zotëronin toka në Shqipërinë e Mesme dhe pjesa tjetër në Shqipëri të Jugut. Në lidhje me shtrirjen e shtetit të Aranitëve në Jug të Shqipërisë, Babinger shkruan te libri i tij “Fundi i Aranitëve”: “Megjithatë, duket se Arianitët zotëronin prona të mëdha tokësore edhe në Mallakastër, ku gjendet sot fshati Aranitas, që të kujton fisin e vjetër të zotërinjve. Këto toka shtriheshin deri në det…” (po aty). Kjo tezë nuk ka patur mbështetje, pasi nuk ekzistojnë dokumenta që ta mbështesin atë. Babingeri, në librin e sipërpërmendur, pohon se, për shtrirjen e shtetit të Aranitëve në Jug të Shqipërisë, “Unë nuk mund të sjell ndonjë dëshmi të qartë të dokumentuar” (po aty). Kurse Dh. S. Shuteriqi, në lidhje me supozimin se zotërimet e Gjergj Aranitit shtriheshin në Kaninë, shkruan: “Nuk ka të dhënë arkivale që të pohojnë se Aranitët kishin në zotërimin e tyre Vlorën dhe Kaninën” (faqe 74).
Dhimitër S. Shuteriqi, në tre nga studimet e tij më të spikatura për aranitët: “Aranitët-Emri dhe gjenealogjia” (1965), “Aranitët-Zotërimet” (1967) dhe “Aranitia në vitin 1467” (1981), kishte dëshmuar me fakte dhe dokumente që “Aranitia”, shteti ose principata e Aranitëve shtrihej në Shqipërinë e Mesme dhe e kishte qendrën në trevat e Librazhdit të sotëm. Shuteriqi shkruan:“S’ka asnjë dyshim se, më 1454, me emrin e Aranitisë kuptoheshin domenat e Aranitëve në viset e Librazhdit të sotëm… me kryeqendër Komnenovilin, “Qyteti i Komnenit” … që s’ishte tjetër veçse Polisi, apo Vilani i sotëm, lagje e Polisit (faqe 129-133).
Në tekstin e Historisë së Shqipërisë (Tiranë 2002), një nga emrat e familjes së aranitëve ishte “Çermenika”. Në lidhje me këtë fakt (emri “Çermenika” të aranitëve – A.A.), prof. dr. Dh. S. Shuteriqi shkruan: “Emri Çermenika, ka të bëjë sigurisht me zotërimet e Aranitëve në krahinën e Çermenikës së sotme” (faqe 130).
* * *
Siç e pamë edhe më sipër, i vetmi historian, që ka pohuar se Gjergj Araniti ishte Princ i Kaninës, ka qenë një prift italian nga Breshia (Itali), Xhanmaria Biemi. Shuteriqi, në një shkrim të botuar kohët e fundit (2002) për aranitët, në lidhje me veprën e Biemit shkruan se “Biemi…ka fantazuar shumë” (faqe 3). Franz Babinger është më i ashpër në qëndrimin ndaj Biemit. Studiuesi gjerman e etiketon priftin breshian “mashtruesi i pacipë” dhe librin e tij si “vepra mashtruese e hileqare e abatit breshian” (faqe 9). Ai i këshillon historianët shqiptarë që “studimet historike shqiptare (duhet) të çlirohen nga vepra mashtruese e hileqare letrare e Istoria di Giorgio Castrioto detto Scander-begh e Gianmaria Biemit” (po aty). Të njejtin qëndrim me historianin gjerman mban edhe historiani i shquar shqiptar, Aleks Buda, i cili, në parathënien e librit të cituar të F.S. Nolit, shkruan: “Një e metë që mbështetet akoma në në punimin e ri të Nolit është fakti se ai vazhdon të përdorë si burim të dorës së parë disa burime tregimtare shumë të dyshimta. E kemi fjalën për historinë e të ashtuquajturit “Tivaras”, për të cilin historianë me autoritet kanë shprehur mendimin e argumentuar se kemi të bëjmë me një fallsifikim të një fallsifikatori profesionist të shek. XVIII, Xhanmaria Biemi” (faqe .
Është e vërtetë që një pjesë (jo të gjithë) e historianëve bashkëkohorë shqiptarë (F. Noli, K. Frashëri etj.) e pranojnë Biemin dhe veprën e tij, por asnjëri prej tyre (veç Nolit) nuk e pohojnë se Gj. Araniti ishte Princi i Kaninës. Me gjithë vlerat e pamohueshme dhe të jashtëzakonshme të librit të F. Nolit “Gj. K. Skënderbeu 1405-1468”, kushtuar figurës së Skënderbeut, por përsa i përket Gj. Aranitit, burimeve historike që ka shfrytëzuar Noli për të (megjithëse ka lexuar edhe Memorien e Gj. Muzakës), ai i paraqet të cunguar dhe jo të plota. Këtë të metë të Nolit e ka vënë në dukje edhe Aleks Buda në parathënien e librit të Nolit, ku shkruan: “Noli lë qëllimisht pas dore një burim si biografinë e hartuar nga shqiptari Marin Barleti, të cilin kërkimet e reja po e vërtetojnë gjithnjë e më tepër si një burim në kuptimin e plotë autentik e të dorës së parë” (po aty). Në librin e Nolit figurë qëndrore ishte Skënderbeu dhe është e kuptueshme që për Gj. K. Skënderbeun autori kishte hulumtuar më shumë sa ç’kishte hulumtuar për Gj. Aranitin. Përsa i përket veprës së Biemit dhe vlerësimeve që jep Babingeri për të, Noli shkruan se studiuesi gjerman nxjerr “përfundime të nxituara” dhe se Babingeri “ka shumë të ngjarë ta ketë lexuar tek-tuk librin e Biemit” (faqe 84 dhe 160). Nuk mendoj se Noli ka të drejtë. Franc Babinger është i njohur në botë si një “historian me autoritet” (A. Buda) dhe si i tillë ai nuk mund të nxirrte “përfundime të nxituara” nga një lexim “tek-tuk” i librit të Biemit (po aty)
Ndryshe ndodh me dy biografët e Gj. Aranitit, gjermanit F. Babinger dhe shqiptarit Dh. S. Shuteriqi, që e patën Aranitin protagonist në veprat e tyre. Për pasqyrimin e figurës së tij ata kanë hulumtuar shumë më tepër dokumenta arkivore dhe shkrime historike, duke sjellë dëshmi më të plota dokumentare rreth figurës së Gj. Aranitit. Janë pikërisht këta dy autorë, që, me studimet e tyre për aranitët, kanë kanë nxjerrë përfundimin, se Gjergj Araniti ishte Princ i trevave të Çermenikës, Shpatit dhe Mokrës.
BIBLIOGRAFIA:
A. Buda: Fan S. Noli, historian i Skënderbeut”, parathënie e librit “Gj.K.Skënderbeu. 1405-1968”, Tiranë 1967.
Burimë tregimtare bizantine për historinë e Shqipërisë (Shek 10-15), Tiranë 1975.
F. Noli: “Gj.K.Skënderbeu. 1405-1968”, Tiranë 1967.
F. Babinger : “Fundi i arianitëve” (Përkthyer në gjuhën shqipe), Tiranë 2004.
Dh. Shteriqi: “Aranitët-Emri dhe gjenealogjia”, Studime historike, Tiranë 1965.
Dh. S. Shuteriqi: Aranitët-Zotërimet”, Rev. Studime Historike, Nr. 1, Tiranë 1967.
Dh. Shuteriqi: “Aranitia në vitin 1467”, 1981.
Gj. Muzaka: “Memorie”, (Botim shqip), Tiranë 1996.
M. Barleti: “Devita et gestis Scanderbegi, praeclarissimi epirotarum principis, botuar më 1508 (Botim shqip në vitin 1983).
Xh. Biemi: “Istoria di Giorgio Castrioto detto Scander-begh”, Breshia, Giam, Battista Bossino 1742 (cituar sipas veprës së F. Nolit “Gj.K..Skënderbeu. 1405-1968”, Tiranë 1967).