Aleksandrino Ikonomidhi Sulioti/
Pesëdhjetë vjet më parë, në një kohë kur gjithçka ishte ndryshe, në dimrin e gjatë të Shqipërisë së mbyllur, disa artistë të mëdhenj të këtij qyteti, e konsideruan si detyrën të projektonin karakteristikat e vendit tonë dhe kështu, me të gjitha fuqitë dhe mjetet që kishin -dhe gjithmonë me atë zemrën e madhe që di të lindë tek ky vend- ata vazhduan me krijimin e këtij Ansambli, për të informuar shqiptarët për historinë dhe traditën e këtij vendi, që ka njohur anët më të shëmtuara të historisë (varfëria, luftërat etj.)
Artistë të mirëfilltë me “A”, plot pasion dhe vullnet, pa e ditur as vetë, në kohërat kur Shqipëria po zhytej në grinë e izolimit, punuan në mënyrë profetike duke vënë ngjyrat e tyre në kornizën e historisë. Sikur e dinin instinktivisht, se fara që mbollën një ditë do të bëhej pemë dhe do të lëshonte degë kudo. Degë elastike që jo vetëm shënuan historinë me lastarët e tyre të çmuar, por na bashkuan dhe na bashkojnë ende me trungun dhe rrënjët tona.
Degë që duruan dimrin e ashpër të një kohe tjetër, tashmë të largët. Degë që i mbijetuan të gjitha peripecive të historisë së re shqiptare, viteve të gurta të hapit meteor të dallëndyshes së demokracisë. Degë që vepruan si një dritare e hapur drejt një bote të “huaj” që mijëra shqiptarë e ëndërruan për 44 vjet
Janë këta heronj të heshtur (pa lavde dhe përkëdhelje) që të gjithë pak a shumë i njohim dhe i shohim në këtë qytet. Njerëz të përditshëm që duket sikur mbajnë në pëllëmbë një copë tokë të këtij vendi, njerëz që ecin me këmbë ose dhe me biçiklete në rrugicat e ngushta të qytetit, ka edhe nga ata njerëz që morën shtigjet e migrimit në katër horizontet e globit, duke mbajtur gjithmonë të njëjtin vezullim në sytë e tyre “fëminorë” si dhe një copë toke nga qyteti im, edhe pse flokët e tyre tani janë zbardhur, janë gjithmonë ata valltarët që përformuan në Itali, Kanada, Rusi, Ukrainë, Turqi etj.
Ndaj sot përshëndes gjithë ata që jetuan, punuan, djersitën, kërcyen, qeshën, kënduan, qanë, po! të gjithë bashkatdhetarët tanë, që shkuan në skajet e botës, por edhe ata që qëndruan këtu, sepse ndjemë sëbashku aromën e tokës tonë që na joshi.
Sepse ky është qyteti im dhe kjo është magjia e përcjellë brez pas brezi në Ansamblin Skënderbeu, që përmendet rrallë pavarësisht rrugëtim të gjatë artistik, rrjedhës historike dhe vlerësimeve të fituara.
Por në këtë pikë, do të doja të them edhe dy fjalë për një person që e njoh që nga fëmijëria ime, pasi e mbaj mend që kur “mbaj mend dhe veten”. Ndoshta kur e kam takuar për herë të parë në korridoret e ftohta të ish Pallatit të Kulturës, ai ishte në moshën time apo edhe më i ri se unë, një mik artist për të cilin nuk kam folur dhe shkruar kurrë më parë, por që ai tashmë e lidhi jetën dhe veprën e tij me historinë e këtij Ansambli dhe që i shmanget sistematikisht as fjalës “unë”, duke e zëvendësuar me fjalën “ne”. Sigurisht koreografin Bardhi Pojani
E di, e di, që nuk i pëlqen fare këto postime, por sonte ndjej nevojën ta falënderoj që këtu dhe ta përqafoj edhe njëherë fort, bashkë me të gjithë kërcimtarët e Ansamblit, muzikantët e orkestrinës dhe sigurisht dirigjentin Josif Minga.
Këto po mendoja teksa shikoja një valle Devolliçe (të fortë shumë nga ana emocionale për mua), i “fshehur” pas një dritareje dhe kështu vendosa ta “ngrija kohën” me një foto……dhe papritur dhjetëra figura kërcimtarësh dhe muzikantësh të këtij qyteti kaluan para meje. Sepse siç thashë edhe më parë: “ky është qyteti im dhe ky është Ansambli Skënderbeu, i cili do pajisë gjithmonë anëtarët e tij me një copë tokë si hajmali, kudo që të jenë.