• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2024

ASPEKTE TË HISTORISË KISHTARE NË PROVINCËN E EPIRIT TË RI NË KONTEKSTIN E RIVALITETIT MIDIS ROMËS DHE BIZANTIT 

August 10, 2024 by s p

Dr. Marin HAXHIMIHALI

Universiteti i Tiranës

Fakulteti Histori-Filologji

Departamenti i Historisë

PJ.2/

Letra e sinodit peshkopal të Epirit të Ri tërheq vëmendjen tonë dhe për një arsye tjetër. Midis peshkopëve që e nënshkruajnë atë gjendet dhe Filohari, i pari peshkop i Bylisit i njohur deri më sot nga burimevet e shkruara. Të 7 peshkopët e pyetur, ashtu si dhe 9 kolegët e tyre të Epirit të Vjetër, mbështesin konkluzionet e sinodit të Kalkedonisë, por me ndryshimin jo të vogël se askush prej tyre nuk u kujtua të përmendte autoritetin e Papës, siç bëri Atiku i Nikopojës. 

Pas këtij akti prania e Kostandinopojës në Ilirikun jugor erdhi duke u forcuar. Nga ana tjetër dobësimi i ndikimit të Romës në Ilirik u bë më i ndjeshëm në dyzet vitet që pasuan. Kontaktet u vështirësuan si rrjedhojë e turbullirave politike të shkaktuara nga invazionet e ndryshme. Në vitet 459 – 478 sulmet e gotëve prekën disa herë rradhazi Durrësin, Skampën dhe Lyhnidin. Kështu Ostrogotët plaçkitën Dyrrahun më 459, kurse Teodoriku gjatë fushatës së 479 pushtoi Dyrrahun dhe Skampën si dhe rrethoi Lyhnidin, të cilin nuk e mori dot (shih përkatësisht MALCHUS, Fragmenta, Bonn 1829, f. 250, 21 si dhe po aty, 251, 1). 

Ndërkaq politika e perandorëve të Bizantit mbështeste thuajse hapur teologjinë monofizite. Trysnia perandorake mbi Epirin rritet dhe lidhjet e provincës me Kostandinopojën arrijnë pikën kulmore me ardhjen në pushtet të Anastasit në vitin 491. Nuk dihet qartë sesa ka ndikuar origjina e tij nga Durrësi në simpatinë ndaj monofizitëve, por është fakt se politika perandorake e ndjekur prej Anastasit e paralizoi në mënyrë efikase ndikimin e Romës në Ilirik (C.CAPIZZI, L’Imperatore Anastasio I, në Orientalia Christiana Analetica, 184, Roma 1969). 

Situata ndërlikohet më tej gjatë asaj që në historiografi njihet si « skizma akaciane» e që përkon me periudhën 484-519. Të dhëna të detajuara mbi këtë temë i gjejmë sidomos në përmbledhjene dokumentave të botuara nga E. Schwartz (Publizistische Sammlungen zum acacianischen Schisma, në Abhandlungen der Bayerische Akademie der Wissenschaften, 10, 1934, f. 178-221). Për pasojat që kjo solli në rrethanat kishtare në një pjesë të konsiderueshme të Ilirikut dhe në veçanti për provincën e Epirit të Ri ia vlen të ndalemi këtu më gjerësisht. Patriarku i Kostandinopojës Akaci (472-489) me argumentin se tanimë Roma gjendej e pushtuar nga barbarët u vetëshpall « kryepeshkop i kishës së perandorit të krishterë ». Një argument i tillë, i përkrahur fuqimisht edhe nga politika perandorake, shkaktoi krisjen e parë ndërmjet Papës Feliks III (487-492) dhe oborrit perandorak, por njëkohësisht edhe një çorodi të madhe në rradhët e klerit në Ilirik. Kriza arrin pikën kulmore kur vetë të deleguarit e Selisë së Shenjtë në Kostandinopojë u shtrënguan nën presion të pranojnë henotikën e Zenonit. 

Kjo e detyroi Feliksin III të shkishërojë ambasadorët e tij, vetë Akacin si dhe të vendosë kushte të rrepta për ripajtimin (L. DUCHESNE, Histoire ancienne de l’Eglise, III, Paris 1929, f. 455-518). Papa Gjelasi (492-496) ndërmori një kundërmësymje energjike që synonte rivendosjen e ndikimin të Romës. Më pak i ashpër, por më tepër diplomat se paraardhësi i tij, Gjelasi diti të shfrytëzojë më së miri grindjet e brendshme që kishin shpërthyer në kishën lindore. Ai e filloi veprimin e tij më 494 në Dardani, njëra nga provincat ku ndikimi latin ruhej gjithmonë i fortë.

Korrespondenca e rregullt që u vendos midis Papës dhe peshkopatës së Dardanisë, e ruajtur deri në ditët tona, lejon të krijohet kuadri i plotë i krizës akaciane si dhe nxjerr në pah qëndrimin e klerit të kësaj pjese të Ilirikut në krizën e krijuar midis klerit të Romës dhe atij të Kostandinopojës. Nga njëra anë, Papa Gjelas i fton klerikët dardanë dhe pas tyre të gjithë klerin e Ilirikut të mbështesin Selinë e Shenjtë në luftën kundër herezisë së Grekëve. Gjelasi shkruan se « Akaci është heretik dhe si i tillë duhet shkishëruar bashkë me ata që e përkrahin ». Për më tepër « duhet bërë dallimi midis gjeografisë administrative dhe asaj kishtare, duke ruajtur pavarësinë e kësaj të fundit ». Papa u shpjegon klerikëve dardanë se « peshkopi i Selanikut Andrea nuk dëgjoi të shkëputet nga Akaci dhe si i tillë nuk i përket më kishës së Romës ». Nga ana tjetër, peshkopët e Dardanisë përgjigjen se kanë vendosur shkishërimin e Eutuhit dhe Akacit, shkëpusin lidhjet me kishën e Kostandinopojës dhe pranojnë kushtet e vendosura më parë nga Papa Feliksi III (CH. PIERI, La géographie de l’Illyricum ecclésiastique et ses relations avec l’église de Rome (Ve – VIe siècles), në Villes et peuplement dans l’Illyricum Protobyzantin, Collection de l’Ecole Française de Rome, nr. 77, Rome 1985, f. 39 dhe bibliografia e cituar aty në shënimet 58, 59 dhe 60). 

Në këtë letërkëmbim interesant bien në sy përpjekjet e Selisë së Shenjtë për të mbështetur autonominë fetare provinciale si e vetmja mundësi për t’i ruajtur besimtarët nga ndërhyrjet e qendrave heretike, Selanikut dhe Kostandinopojës. Ndonëse jo aq hapur sa peshkopët e Dardanisë edhe një pjesë e klerit të provincave të tjera mbante anën e Romës. Kështu kryepeshkopi i Epirit të Vjetër, Alkizi i Nikopojës e firmosi kërkesën për pajtim (libellus) të sjellë nga delegatët e Papës, madje ai kishte shërbyer si ndërmjetës midis Selisë së Shenjtë dhe besnikëve të saj në rradhët e klerit në Palestinë. Këto veprime çuan në arrestimin e tij më 516 nga ana e policisë perandorake. Por kur kryepeshkopi Alkiz vdiq në burgun e Kostandinopojës vdekja e tij shkaktoi reagimin e klerit të Epirit të Vjetër : më 15 nëntor 516 peshkopët e kësaj province i dërgojnë Papës një mesazh në të cilin e njoftojnë se kanë zgjedhur kryepeshkopin e ri Janin dhe njëkohësisht kërkojnë prej tij kungimin, siç thuhet shprehimisht « sipas traditës së vjetër » (CH. PIERI, 1985, f. 45). 

Ndryshe nga fqinjët e tyre të Dardanisë, Prevalit dhe Epirit të Vjetër, të cilët mbajtën anën e Romës duke evokuar me këtë rast lidhjet e vjetra tradicionale me Selinë e Shenjtë, peshkopata e Epirit të Ri e sidomos kryepeshkopi i Durrësit u bashkua me pozicionet e Kostandinopojës. Ai tentoi të mblidhte të gjithe klerin e provincës në koncil për të dënuar ata që ishin renditur me Romën, por kjo tentativë dështoi. Deri në ditët tona ka arritur vetëm një letër e peshkopit Andrea të quajtur episcopus praevalitanus drejtuar papës Hormisda ku ai informon mbi shkishërimin e tij më 519 nga ana e koncilit të Epirit të Ri për shkak se kishte mbajtur anën e Romës (A. ALB, I, nr. 30, f. 6 dhe FARLATI, Illyricum VII, f. 306). 

Nuk është e qartë se përse koncili i Epirit të Ri do të duhej të shkishëronte një peshkop, që në pikëpamje administrative bënte pjesë në një provincë fqinje, mbi të cilin teorikisht Durrësi nuk kishte asnjë kompetencë. Sidoqoftë, ky fakt dëshmon se organizimi kishtar në provincën e Prevalit nuk u ruajt i paprekur, por pësoi lëkundje të rënda të shkaktuara kryesisht nga rrethanat historike të lidhura me dyndjet. Në fakt analiza e dokumentacionit na shtyn të mendojmë se në gjirin e klerit të Epirit të Ri ka patur kundërshti të brendshme, situatë që e bënte të vështirë mbajtjen e një pozicioni unik. 

Pavarësisht nga presioni i kryepeshkopit të Durrësit që përpiqej të paralizonte çdo lidhje me kishën perëndimore, peshkopë të veçantë e kanë shprehur hapur simpatinë për Romën. Një ndër ta ishte Lorenci i Lyhnidit, i cili që nga fundi i shek. V informonte Papën Anastas se i bindej vetëm Selisë Apostolike duke shkishëruar Akacin. Në përgjigje Papa e përshëndet peshkopin Lorenc për besnikërinë e shfaqur, por nuk i jep atij ndonjë përkrahje konkrete (Collection Avellana, 81, Corpus Scriptorum Ecclesiasticorum Latinorum, XXXV ed., Wien 1895-1898, f. 225-229: Anastasius, Ep. 3). Lorenci arrestohet më 516 për të njejtat motive si Alkizi i Nikopojës, por arrin të shpëtojë gjallë, madje të kthehet në vendlindje ku jetoi i qetë deri në moshën tetëdhjetë vjeçare. 

Më 519 të dërguarit e Papës vijnë në Epirin e Ri me kërkesën për pajtim, në përpjekje për t’i shkëputur përfundimisht lidhjet e klerit të kësaj province me Kostandinopojën. Atyre ju rezervua një pritje e vakët në Durrës dhe Aulonë. Në raportin drejtuar Papës Hormisda  delegatët e tij shkruajnë se peshkopi i Aulonës pezulloi përgjigjen në pritje që atë ta jepte më parë kryepeshkopi. Krejt e kundërta ndodhi në Scampa ku peshkopi Trojus së bashku me popullin e qytetit u rezervuan një pritje madhështore si askund tjetër delegatëve, të cilët nuk vonuan t’ja përcillnin Papës me nota entuziaste atmosferën e krijuar në katedralen e Shën Pjetrit në Scampa, ku populli i mbledhur shfaqi aq përkushtim saqë sikurse shkruajnë ata vetë një atmosferë aq emocionuese dhe mallëngjyese vështirë se e gjen diku tjetër: « Erat conventus in basilica s.Petri. Confitemur beatitudini vestrae tantam devotionem, tantas deo gratias, tantas lacrymas, tanta gaudia difficile in alio populo vidimus» (cituar sipas A. ALB. I, nr. 29, f. 6). Mendojmë se ka shumë mundësi që ky takim historik të ketë ndodhur pikërisht në bazilikën e zbuluar vitet e fundit pranë Rrapit të Bezistanit, përballë portës së kalasë së Elbasanit, por ky supozim meriton sqarim të mëtejshëm. 

Në të njejtën kohë edhe në Lyhnid peshkopi që pasoi Lorencin e firmosi pa asnjë vështirësi thirrjen, madje dy here (Hormisda, Ep., 62 në Collection Avellana, 166, f. 617-618), por gjithsesi kjo mbështetje ndaj Romës duket si një remineshencë e së kaluarës bazuar në simpatinë e komuniteteve të veçanta të besimtarëve dhe nuk u ngrit dot në nivel province.

Pavarësisht nga shtrirja e tyre e kufizuar këto veprime flasin për një fuqizim gjithnjë në rritje të autonomies së klerit nëpër dioqeza, gjë që bën të mundur rivendosjen e  ndikimin të papëve të Romës. Ata mbështesin fuqimisht decentralizimin provincial të autoritetit fetar duke iu kundërvënë kështu me sukses tentativave të peshkopit të Selanikut, tashmë të mbështetur nga administrata perandorake, për të ushtruar autoritetin e dikurshëm mbi Ilirik. Kjo strategji, frytet e së cilës dallohen qartë në vazhdimësine e lidhjeve të një pjese të klerit të Ilirikut me Romën, mbetet pjesërisht joefikase në Epirin e Ri për shkak të rolit neutralizues të kryepeshkopit të Durrësit, besnik i bindur i kishës lindore. 

Situata në Ilirik ndryshon në mënyrë rrënjësore me ardhjen në pushtet të Justinit dhe sidomos të Justinianit, i cili i jep përfundimisht fund politikës monofizite të Anastasit. Ky qendrim i Justinianit  përbënte një kusht të domosdoshëm për realizimin e ambicjeve të tij politike që synonin Perëndimin dhe ripërtërtjen e shkëlqimit të Romës antike. Më 14 prill 535 Justiniani i jep peshkopit të Justiniana Primës titullin archiepiscopus, duke e ngritur kështu peshkopatën e qytetit të tij të lindjes në një rang më të lartë sesa simotrat e saj në Ilirik. Por përtej këtij akti, Justiniani synonte edhe arritjen e unitetit në planin fetar përveçse në atë politik dhe për këtë urdhëroi krijimin e « Kishës perandorake » (B. GRANICH, Die Gründung des autokephalen Erzbistums von Justiniana Prima, në « Byzantion », nr. 2, 1925, f. 123 -132). 

Kësodore që nga ky moment gjeografia fetare do të bëhej njësh me atë perandorake. Me një trysni të vazhdueshme pushteti qendror përpiqej të tërhiqte peshkopatën e Ilirikut në rrjedhat e Kostandinopojës. Kur u ravijëzua qartë kriza e ashtuquajtur e « tri kapitujve » Justiniani, që kërkonte të vendoste një lloj uniteti të kishës duke përmirësuar marrëdhëniet me Romën dhe duke dënuar monofizitët, thirri më 533 koncilin ekumenik në Kostandinopojë, në të cilin ftoi dhe Papën Vigjil. Ndonëse gjatë rrugës për në kryeqytetin bizantin ai siguroi përkrahjen e klerit të Korintit dhe të Selanikut, pjesëmarrja e peshkopëve të dioqezës së Maqedonisë në koncil ishte fare e pakët. Vetëm 9 nga 152 syresh (ndër të cilët vetëm një kryepeshkop, ai i Gortinës, Kretë) morën pjesë në koncilin që ratifikoi politikën e perandorit Justinian. Kjo mungesë masive është interpretuar si një pasojë e sulmeve barbare për disa provinca, por edhe e ekzistencës së dozave të simpatisë ndaj monofizitëve tek kleri i disa provincave të tjera. 

Sërish edhe në këtë rast peshkopata e Epirit të Ri nuk mban qendrim të qartë : ndër 9 peshkopët e pranishëm në koncilin V të Kostandinopojës është dhe Sotiri i Aulonës (MANSI, IX, 176 si dhe E. CHRYSSOS, Die Bischoflisen der V. Ökumenischen Konzils, Bonn 1960, f. 135), ndërkaq i vetmi kryepeshkop në të gjithë Ilirikun që i kundërshtoi hapur vendimet e koncilit ka qenë Mariniani i Durrësit (LE QUIEN, Oriens, II, f. 241). 

Për fundin e shek. VI dokumentacioni është mjaft i fragmentuar. Vetëm korrespondenca e Papës Gërgur i Madh ndriçon disi gjendjen fetare të Ilirikut të rraskapitur nga sulmet sllavo-avare. Papa dërgon dy qarkore në adresë të të gjithë klerit të Ilirikut. Tërheq vëmendjen rradha sipas së cilës ai u drejtohet kryepeshkopëve. Fill pas atij të Selanikut, në krye të listës së emrave gjenden kryepeshkopët e Durrësit dhe Nikopojës. Kjo renditje, që nuk i bindet aspak rradhës gjeografike, tregon më së miri rëndësinë që kishin fituar nga pikpamja administrative dhe fetare kryeqendrat e dy Epirëve, ndërkohë që Justiniana Prima në këto letra renditej e pesta dhe e shtata.  (L. HARTMANN, II, Reg. VIII – XIV, München 1978; shih letrën e nëntorit 597 (Ep. VIII, 10) dhe atë të  majit 599 (Ep. IX, 156)). 

Vitet që pasuan vdekjen e Justinianit shënuan shkëputjen përfundimtare të kontakteve midis klerit të Epirit të Ri dhe Romës. Korrespondenca e Papës Gërguri i Madh me klerin e viseve të Ballkanit e pasqyron më së miri këtë shkëputje. Nga kjo korrespondencë nuk gjejmë asnjë letër adresuar peshkopëve të Epirit të Ri, ndërkohë që selia apostolike ndjek me vëmendje problematikën fetare në të gjitha provincat fqinje në Ballkan. 

Akti përfundimtar që do të kurorëzonte këtë ndarje vjen me pjesëmarrjen e kryepeshkopit të Durrësit Lukianit në Sinodin e Kostandinopojës më 863. Ai së bashku me peshkopin e Stefaniakës Kozmain dhe atë të Krujës Davidin nënshkruan pa hezitim aktet që vulosën skizmën e vitit 863 midis Romës dhe Bizantit. Që prej luftrave ikonoklaste, jo vetëm provinca e Epirit të Ri, por krejt Iliriku u shkëput nga juridiksioni i Romës për t’u bashkuar me kishën e Kostandinopojës. 

Heshtja e burimeve nuk na lejon të shohim se cili ka qenë reagimi i klerit vendas që iu bashkëngjit me hir apo me pahir një besimi tjetër. Gjithsesi kalimi nën varësinë e patrikanës së Konstandinopojës nuk mund të nënkuptojë në asnjë rast asimilim tërësor, për shkak se gjuha dhe traditat përbënin pengesa të pakapërcyeshme. Kjo situatë ka bërë që në këto treva të dyja besimet të jetojnë së bashku, praktikisht në të njëjtin territor deri në ditët tona. 

Ndonëse e bazuar kryesisht në kronikat e koncileve dhe letrat e papëve, për shkak të mungesës së burimeve të tjera, historia e marrdhënieve kishtare në provincën e Epirit të Ri nxjerr në pah rivalitetin e vazhdueshëm të Romës dhe Kostandinopojës në këtë territor ku pikëtakohen disa kultura dhe gjuhë të ndryshme. Në këtë kontekst antagonizmi duhen parë edhe luhatjet e klerit të Epirit të Ri, grindjet e brendshme në rradhët e të cilit vetëm sa e shtonin konfuzionin, duke e vështirësuar mbajtjen e një qëndrimi unik. 

Nga ana tjetër ecuria e marrëdhënieve kishtare flet për zhvillime që pasqyrojnë problematikën e brendshme të kësaj province duke bërë që Epiri i Ri të dallohet fare mirë si njësi administrative dhe fetare më vete. Mungesa e kohezionit të brendshëm, që shfaqet qartë në disa çaste vendimtare, ka të bëjë me qëndrimet e peshkopëve të veçantë, sepse, ashtu si në provinca të tjera fqinje edhe tek kleri i Epirit të Ri spikat tendenca për të përforcuar autonominë lokale duke përfituar nga klima e rivalitetit të përhershëm midis dy kryeqyteteve perandorake.

Filed Under: Histori

Ditët e fundit të restaurimit të Kullës Historike të Çun Mulajve të Hotit !

August 10, 2024 by s p

Musa Kurtulaj/

Janë ditët e fundit të punimeve restauruese të Kulles së Çun Mulajve në Kushe të Hotit të Malësisë së Madhe, e cila do të perurohet pasditen e 16 gushtit! Nga Luc Gjon Junçaj deri tek Mul Delia në vitin 1944, kjo familje per 12 breza ka qënë dera e parë e Hotit të Malësisë së Madhe, në angazhimin per mbrojtjen e trojeve të Malësisë si pjesë e pandashme e Shqipërisë, dhe të vlerave e traditave tona të spikatura në pasurimin e identitetit kombëtar ! Çun Mulajt e Hotit dhe Dedë Gjon Lulët e Traboinit, janë si të thuash kurora e atdhetarisë, trimërisë, burrërisë, besës dhe mikëpritjes së Malësisë së Madhe ! Kulla Çun Mules, që po perfundon së restauruari, eshtë kulla simbol krenarisë dhe historisë së Malësisë së Madhe ! Tri herë e djegur nga pushtuesit, tri herë gjithnjë e më lart e ringritur nga Luc Gjon – Çun Mulajt ! Trashëgimtarët e Çun Mulajve kanë vëndosur që këte kullë ta kthejnë në muzeum per Malësinë e Madhe (pa kufi), një vëndim që e lartëson akoma më shumë dinjitetin e kësaj familje në kohet e sotme ! Në këte kuader, me rendësi është të theksohet se një familje shkodrane, mike e Çun Mulajve, ka mundur të ruaj disa orendi të kësaj kulle në qyetetin e Shkodres, dhe sot ua ka kthyer të zotëve të saj per ti vëndosur serish në këte kullë ! Nuk kanë pyetur kot dikur në Malësi të Madhe a ke mik në Shkoder, ndersa në Shkoder pyesnin a ke mik në Malësi të Madhe ! Hoti respektohej në Shkoder duke i lenë kreun e vëndit, ndersa në Hot të Malësisë së madhe shkodranët respektoheshin duke u lenë kreun e vëndit ! Kulla e Çun Mulajve të Hotit, është deshmitare e këtij respekti të ndersjelltë dhe e lidhjeve të perjetëshme Malësi e Shkoder , Shkoder e Malësi ! Pasditen e 16 gushtit, do të publikohet edhe emri i familjes shkodrane, që ruajti një pjesë të orendive të kulles së Çun Mulajve, ndersa vizitorët do të kenë mundësi ti shohin nga afer ! Mirënjohje per të gjithë ata malësorë nga Malësia e Madhe e deri në SHBA, që kontribuan financiarisht per restaurimin e kësaj kulle !

Filed Under: Reportazh

Franz Baron Nopcsa për jetesën e shqiptarëve

August 10, 2024 by s p

Paulin Zefi/

Një pasqyrë e qartë e mënyrës dinjitoze të jetesës së të parëve tanë🇦🇱 në fillim të shek. XX, e paraqitur me shumë mjeshtëri nga gjeologu, paleontologu dhe albanologu i njohur hungarez, Franz Baron Nopcsa von Felső-Szilvás (1877-1933), nëpër skicat e veprës së tij me titull: “Haus und Hausrat im Katholischen Nordalbanien (Shtëpi dhe mjete shtëpiake në Shqipërinë Katolike të Veriut)” të botuar në Sarajevë në vitin 1912.

Përpos detajeve shumë interesante, që i ndeshim nëpër banesat karakteristike të trevave katolike (në malësi, fushë e bregdet), ku shumë prej nesh mundet të gjejnë veten (flas për ata që kanë lindur në kulla), bien në sy edhe kullat monumentale të disa prej personaliteteve më të shquar të kohës, si: Kulla e Gjeto Cokut në Bregun e Matës (Lezhë), Kulla e Zef Ndoc Ndrecës në Kodër-Spaç (Mirditë) dhe Kulla e Bajraktarit të Nikajve (Tropojë). Po ashtu, këto imazhe sugjestionuese të skicuara nga F.Nopcsa janë një dëshmi e pakontestueshme se malësori gegë, pavarësisht se jetonte prej shekujsh nën një shtet obskurantist si Perandoria Osmane, ai nuk ishte vetëm një luftëtar i rreptë, por ishte shumë punëtor, detajist, estetik, me botë të pasur shpirtërore, me shije tejet të rafinuara dhe që e kishte ndërtuar mënyrën e tij të jetesës sa për t’ia patur zili çdo aristokrat i Europës Perëndimore. Mjafton të shohim tipologjinë e ndërtimit të kullave dhe motivet e zbukurimit të objekteve për përdorim të përditshëm për të arritur në konluzionin se Malësori i Veriut ka qenë historikisht një fisnik i lindur.

Burimi:

Baron Franz Nopcsa, Haus und Hausrat im Katholischen Nordalbanien, (Mit einer tafel und 50 abbildungen im text), Sarajevo: Im Selbstverlage des B. H. Instituts für Balkanforschung, Bosn.-Herz. Landesdruckerei, 1912.

Filed Under: Analiza

EQREM ÇABEJ, STUDIUESI I ZELLSHËM I GJUHËSISË SHQIPTARE     

August 10, 2024 by s p

Hazir Mehmeti, Vjenë 

“Nderi i Kombit” 2003
“Medalja e Artë e Prizrenit”  

“Eqrem Çabej është dijetar dhe njeri i madh”  (Ismail Kadare) 

Eqrem Çabej ishte pjesë e  komisionit  përgatitor të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në vitin 1972.

    Pa dyshim, Eqrem Çabej është figurë madhore e kombit. Ai i përkiste epokës së studiuesve pasardhës të albanologëve të mëdhenj botëror. Norbert Jokli la pas veti studentin e tij të mrekullueshëm. Vjena është e lavdëruar me emrin e Prof. Dr. Eqrem Çabej.   Në shenj përkujtimi të 116 vjetorit të lindjes po japim pjesë nga libri “Studiues Shqiptarë e Austriak në Austri” 

     Eqrem Çabej u lind më 7 gusht 1908 në Gjirokastër. Mësimet e para i  mori në këtë qytet të lindjes. Atje ai mbaroi më 1921 shkollën qytetëse me përfundime të shkëlqyera. Atje, në gjirin e familjes dhe në rrethin e bashkëqytetarëve të tij, të njohur për dashurinë e madhe për Atdheun dhe për arsimin.  Për të vazhduar studimet, Eqrem Çabej u dërgua në Austri, ku qëndroj një vit në familjen Reinmyler, në St. Pölten afër Vjenës për të mësuar gjermanishten. Ai la përshtypje shumë të mira jo vetëm me zellin e madh, por edhe me sjelljen shembullore. Në vitin tjetër të merrte njëherësh dy klasa të gjimnazit që e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1926 në Klagenfurt të Austrisë.

    Në vitin akademik 1927 – 1928 u regjistrua në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Gracit, e pastaj studimet i vazhdoi në Universitetin e Vjenës, i cili kishte traditë dhe zë me emrat e mëdhenj të cilët kishin punuar  aty mes tyre  Franc Miklosiç (Miklosich) etj. Tani ne kujtojmë se në Austri ishte krijuar një traditë e mirë edhe për studimin e historisë së gjuhës shqipe dhe të historisë së popullit shqiptar. Çabej krijoj një miqësi të afërt me Norbert Jokl i cili e çmonte si një talent të ri shqiptar. Tema e doktoratës ishte: “Studime italo shqiptare (Italoalbanische Studien)  i cili punoi me përkushtim të madh duke mbledhur material gjuhësore e dokumente pranë arbëreshëve të Sicilisë (1932).  Doktoroi në vitin 1933 para Dr. Norbert Jockl, Dr.Paul Kreçmar dhe Dr.Karl Paçin, me vlerësimit shkëlqyeshëm (Ausgezeichnet). Pas mbarimit të studimeve ai  kthye përfundimisht në Shqipëri duke u vu në shërbim të ngritjes së mësimeve të nxënësve i mbështetur me përpjekjet e veprimtarëve tjerë të kohës:  Aleksansër Xhuvani, Kostaq Cipoja, Ahmet Gashi, Vasil Vunjau, Kolë Paparistoja, Sotir Papahristoja, Sotir Kuneshka, Minella Karajani, Hysni Babametoja, Gjergj Cancoja etj. Në Normalën e Elbasanit Çabej qëndroi vetëm një vit, prej nga transferohet në Ministrinë e Arsimit . Gjatë vjetëve 1938 – 1939 e gjejmë përsëri arsimtar, kësaj radhe në Gjirokastër, ku vazhdoi të jepte mësimin e letërsisë 

          Në vitin shkollor 1939 – 1940 Çabej u transferua në gjimnazin e Tiranës ku u ngarkua me drejtimin e shkollës. Gjatë pushtimit italian ai u dërgua nga autoritet pushtuese për një “punë shkencore“ pranë Akademisë së Shkencave në Romë“. Këtu ai e shfrytëzoi qëndrimin e tij të mbikëqyrur, për të punuar për Atlasin gjuhësor shqiptar. Pas Çlirimit të Shqipërisë Çabej fillon të mbajë ligjërata nga lëndët linguistikë dhe albanologji në Shkollën e Lartë të Tiranës, qysh më 1946.  Nga studimet thjesht gjuhësore të asaj periudhe mund të përmendim: Tekste italo-shqiptare (1935). Elemente dialektore nga Italia. Marrëdhëniet midis shqipes dhe rumanishtes. Shprehje dhe frazeologji paralele në gjuhët ballkanike. Atlasi gjuhësor shqiptar. Kënga e Lenorës në poezinë popullore shqiptare. Zakone dhe doke të shqiptarëve. Konstandini i vogël dhe kthimi i Odiseut. Për gjenezën e literaturës shqipe, Kulti dhe vijimi i hyjneshës Diana në Ballkan.

Veprimtaria shkencore e Çabejt mori një zhvillim të madh në fazën pas Çlirimit, kur ai punonte pranë ish- Institutit të Shkencave dhe më vonë pranë Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Çabej ka bashkëpunuar edhe në mjaft vepra të tjera kolektive, si në përgatitjen e Fjalorit serbo – kroatisht – shqip (1947) dhe në hartimin e 13 terminologjive për shkenca të ndryshme. Ishte pjesë e  komisionit  përgatitor të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972).
    Disa probleme themelore të historisë së vjetër të gjuhës shqipe, kumtesë e mbajtur në Konferencën e Parë të Studimeve Albanologjike me 1962. Ilirishtja dhe shqipja, kumtesë e mbajtur në sesionin shkencor Ilirët dhe gjeneza e shqiptarëve. Problemi i vendit të formimit të gjuhës shqipe, kumtesë e mbajtur në Kuvendin e Parë të Studimeve Ilire, Tiranë, 1972.

Mbi disa çështje të traditës së shkrimit dhe të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, kumtesë e mbajtur në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, Tiranë, 1972. Ndërsa në ato ndërkombëtare do përmendur: Die älteren Wohnsitze der Albaner auf der Balkan – halbinsel im Lichte der Sprache und der Ortsnamen (Vendbanimet e hershme të shqiptarëve në Gadishullin Ballkanik në dritën e gjuhës dhe të  emrave të vendeve), kumtesë e mbajtur në VIII Congressio Internazionale di Scienze Onomastiche; Der Beitrag des Albanischen zum Balkansprachbund (Kontributi i shqipes në formimin e lidhjes gjuhësore ballkanike), referat i mbajtur në Kongresin I Ndërkombëtar të Studimebve Ballkanike dhe të Evropës Juglindore, Sofje, 1966;   Das albanologische Werk Norbert Jokls. (Vepra albanologjike e Norbert Joklit), referat i mbajtur në Kolokiumin Albanologjik Ndërkombëtar të Insbrukut më 1972 etj. Eqrem Çabej ka botuar një numër të madh artikujsh shkencorë edhe në gjuhë të huaja nëpër revista ose nëpër vëllime përkujtimore në vende të ndryshme të botës.

Sot emrin e Eqrem Çabejt e  mbajnë me krenari shumë shkolla në Kosovë dhe Universiteti i Gjirokastrës në Shqipëri. 

Filed Under: LETERSI

“Borgjezi” Pëllumb Karagjozi në një monografi interesante

August 10, 2024 by s p

Nga DHIMITËR SHTËMBARI/

Është edukatë e kulturë, ca më tepër edhe nevojë, mbajtja parasysh e përvojës së kirurgëve shqiptarë legjendë. – Ç’ju nxiti të botonit një monografi kushtuar ortopedit të mirënjohur, Prof. Pëllumb Karagjozit? – i drejtohemi neuropsikiatrit, Izet Çulli. Mjeku Izet Çulli, një fabulist i mirënjohur, ashtu qetë – qetë siç flet ai, na e kthen: – E përgatita dhe e botova këtë monografi nisur nga mendimi, se të gjithë kirurgët duarartë shqiptarë përfaqësojnë një përvojë të caktuar, e cila lipset të shërbejë si një shkollëz formimi për tërë punonjësit e rinj të bisturit.

Dhe ka plotësisht të drejtë të shprehet kështu doktor Izeti.

Shqipëria ka pasur, sigurisht që edhe ka, kirurgë legjendë, emrat e të cilëve përmenden me shumë respekt në mijëra familje. Përmenden, doemos, edhe në historikun e Mjekësisë Shqiptare, paçka se mjaft syresh, çuditërisht,  nuk përfshihen në Enciklopedinë Shqiptare! Po le të kthehemi, natyrisht shkurt, te monografia “Profesor Pëllumb Karagjozi, krenaria e ortopedisë shqiptare”: Profesor Pëllumb Karagjozi është lindur në Gjirokastër në vitin 1936. Sot është tetëdhjetë e tetë vjeç. Por mbahet i ri. Për më shumë, tepër i freskët në mendime. Dhe po kaq i gjallë edhe në veprime.

Ndihet i priviligjuar që është lindur në Gjirokastër, në këtë qytet që po mahnit edhe botën. Ndihet krenar që si prejardhje ka lidhje me fisin atdhetar Topulli. Lidhje edhe me fisin e fismë Kokona. Doemos që këtë krenari ia shton sidomos i ati, Tahsimi, një mjek i përgatitur në Austri. Mjek që nuk pranoi të shërbente jashtë Atdheut, por erdhi menjëherë në vendlindjen e vet për të punuar së bashku me mjekun tjetër të njohur, Vasil Laboviti.

Nuk tha një fjalë Tahsimi kur e emëruan mjek në Elbasan. I qendroi besnik Hipokratit. Një fjalë nuk tha kur e dërguan me shërbim në Peshkopi. Pale, pastaj, kur e dërguan drejtor spitali në Shkodër, ku shërbeu jo pak, por një dekadë e gjysmë. Në bashkëpunim me ndërmarrjet ekonomike të qytetit, Tahsimi përgatiti një pavion model kirurgjie, sa do ta kishin zili jo vetëm në qytetet e tjera, por edhe në Tiranë. 

Ndërsa ishte me banim në Shkodër mbas të atit, Pëllumbi do të kryente këtu  shtatëvjeçaren dhe arsimin e mesmë në gjimnazin “28 Nëntori”. Në fund të vitit të katërt do të zotëronte mirë gjuhët rusisht e italisht. Këtë të fundit e përvetësoi në mënyrë të pavarur. Kuptohet, nisi të njohë edhe gjermanishten, gjuhën e dytë të të atit.

Beharin e vitit 1954, vit kur mbaroi gjimnazin, e kaloi me një lloj mërzitjeje. Priste me padurim të drejtën e studimit. Dëshironte të vazhdonte në mjekësi, ndryshe… do të katandisej në një mekanik! Jetonte një lloj frike, sepse ishte djali i një “borgjezi”, që kishte mbaruar në Perëndim. Gjithsesi, iu plotësua dëshira. Sepse deftesa e tij kishte të shënuara vetëm nota maksimale. Tanimë i riu Pëllumb Karagjozi do të ndiqte rrugën e të atit. Sigurisht që nuk do ta kishte aq shumë të vështirë ca më shumë, që “fakultetin” do ta kishte në shtëpi: babanë.

Në Universitet Pëllumbi do të ishte në radhën e studentëve të shkëlqyer. Simpatik, i shëndetshëm dhe i veshur shik, ai do të merrte pamjen dhe sjelljen e një “borgjezi” të ri. Rastisi që në një provim të vitit të katërt të ishte i pranishëm, për kontroll, edhe Prof. Petro Cani. Qe entusiazmuar nga përgjigjja e shkëlqyer e Pëllumbit. Pas këtij çasti i kishte shkuar Tahsimit, atje ku ishte i shtruar në spital, për t’i thënë se djalin kishte menduar ta mbante kirurg mbas vetes. Dhe e mori. Nëntë operacione kreu ky student gjatë kohës që ishte me studime.

Mjeku i ri nisi e vazhdoi të siguronte “armët”, që do t’i duheshin në jetë. Rusishtes, italishtes e gjermanishtes i shtoi edhe anglishten. I duhej edhe frëngjishtja. Edhe këtë e përvetësoi gjatë kohës që ishte me shërbim në qytetin e Krujës. Tanimë ai do të ishte një frekuentues i rregullt i Bibliotekës Kombëtare. Lexonte revistat shkencore që vinin nga jashtë, porosiste të tjera që t’i vinin nga universitete të njohura evropiane e botërore. (Dhe kur mëson këto përpjekje, të vjen keq që mjaft mjekë të sotshëm janë mjaftuar vetëm me dijet që kanë nxënë në fakultet dhe… kaq!) 

Në kushtet e një shoqërie, që njihte dhe pranonte luftën e klasave. kirurgun duarartë Pëllumb Karagjozi do ta ndiqte hija e rëndë e të atit, që, mjerisht për të dhe familjen, por fatmirësisht për pacientët, shënohej me të zezë edhe në dokumente. Megjithatë, aftësia e tij prej një kirurgu që i këndonte bisturi në dorë e bënte shumë të kërkuar. Deri edhe zëvedëskryeministri shqiptar,  Manush Myftiu, e kërkoi me emër që t’i shërbente të birit. Ish sekretarja e Komitetit të Partisë të rrethit të Shkodrës, Zina Franja, i shkon në Krujë dhe i kërkon mendim Pëllumbit për ta merrte shef pavioni në kirurgji në Shkodër. Sepse ajo kishte parasysh të atin e këtij kirurgu, Tahsimin human e të kurdogjendur. Ish Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë të rrethit të Tiranës, Piro Kondi, e qetëson, duke i thënë se, si kirurg tepër i zoti, transferimi i tij realizohej vetëm me sugjerimin e Komitetit Qendror të Partisë. Nga Kruja këtë kirurg e sjellin në Tiranë.

Veç se si kirurg i talentuar, Prof.Pëllumb Karagjozi do të ishte edhe një punonjës i shkëlqyer në fushë të shkencës mjekësore. Që kur ishte fort i ri, ai paraqiti disa studime të mirëfillta, që tërhoqën vëmendjen e mjekëve më të shquar të Tiranës. Ndërkohë, nisi e vazhdoi të botojë studime me shumë vlerë në revistat shqiptare, por edhe në ato të shteteve të tjera. Studimet e tij do të kishin jehonë në Francë e deri në SHBA. Sidomos mbas vitit 1990, kur ndodhi hapja me botën, Prof. Pëllumbi do të mbante referate shkencore në disa kongrese ndërkombëtare, si në Francë, Greqi, Itali, Hungari, Portugali, Luksemburg etj. 

I përkushtuar mbas profesionit dhe i zellshëm në fushë të shkencës, Prof. Pëllumbi do ta linte firmën e tij të veçantë në fushë të kirurgjisë. Tanimë ai është autor i tre operacioneve origjinale, që përfundimisht mbajnë emrin e tij. – Prof. Pëllumb Karagjozi ka qënë dhe mbetet modeli i një mjeku tepër human, – na thotë autori i monografisë, mjeku Izet Çulli.

Dhe të përmend një episod: Pëllumbi kishte kryer një operacion të vështirë dhe ishte kthyer në shtëpi. Të nesërmen i ati, Tahsimi, i ishte drejtuar të birit: Si është gjendja e atij që operove dje? Pëllumbi ishte zënë ngushtë. Nuk po dinte se si t’i përgjigjej. Atëhere kishte ndërhyrë përsëri i ati: Dje përdore bisturin e mprehtë, sot shko e përdor dorën e butë dhe fjalën e ngrohtë.

Monografia “Profesor Pëllumb Karagjozi, krenaria e ortopedisë shqiptare” nuk është thjesht një libër biografik. Mbi të gjitha, ai është edhe një leksion i gjatë e interesant dhe shumë i nevojshëm për cilido mjek në Shqipëri.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • …
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT