Paulin Zefi/
Një pasqyrë e qartë e mënyrës dinjitoze të jetesës së të parëve tanë në fillim të shek. XX, e paraqitur me shumë mjeshtëri nga gjeologu, paleontologu dhe albanologu i njohur hungarez, Franz Baron Nopcsa von Felső-Szilvás (1877-1933), nëpër skicat e veprës së tij me titull: “Haus und Hausrat im Katholischen Nordalbanien (Shtëpi dhe mjete shtëpiake në Shqipërinë Katolike të Veriut)” të botuar në Sarajevë në vitin 1912.
Përpos detajeve shumë interesante, që i ndeshim nëpër banesat karakteristike të trevave katolike (në malësi, fushë e bregdet), ku shumë prej nesh mundet të gjejnë veten (flas për ata që kanë lindur në kulla), bien në sy edhe kullat monumentale të disa prej personaliteteve më të shquar të kohës, si: Kulla e Gjeto Cokut në Bregun e Matës (Lezhë), Kulla e Zef Ndoc Ndrecës në Kodër-Spaç (Mirditë) dhe Kulla e Bajraktarit të Nikajve (Tropojë). Po ashtu, këto imazhe sugjestionuese të skicuara nga F.Nopcsa janë një dëshmi e pakontestueshme se malësori gegë, pavarësisht se jetonte prej shekujsh nën një shtet obskurantist si Perandoria Osmane, ai nuk ishte vetëm një luftëtar i rreptë, por ishte shumë punëtor, detajist, estetik, me botë të pasur shpirtërore, me shije tejet të rafinuara dhe që e kishte ndërtuar mënyrën e tij të jetesës sa për t’ia patur zili çdo aristokrat i Europës Perëndimore. Mjafton të shohim tipologjinë e ndërtimit të kullave dhe motivet e zbukurimit të objekteve për përdorim të përditshëm për të arritur në konluzionin se Malësori i Veriut ka qenë historikisht një fisnik i lindur.
Burimi:
Baron Franz Nopcsa, Haus und Hausrat im Katholischen Nordalbanien, (Mit einer tafel und 50 abbildungen im text), Sarajevo: Im Selbstverlage des B. H. Instituts für Balkanforschung, Bosn.-Herz. Landesdruckerei, 1912.