Nga DHIMITËR SHTËMBARI/
Është edukatë e kulturë, ca më tepër edhe nevojë, mbajtja parasysh e përvojës së kirurgëve shqiptarë legjendë. – Ç’ju nxiti të botonit një monografi kushtuar ortopedit të mirënjohur, Prof. Pëllumb Karagjozit? – i drejtohemi neuropsikiatrit, Izet Çulli. Mjeku Izet Çulli, një fabulist i mirënjohur, ashtu qetë – qetë siç flet ai, na e kthen: – E përgatita dhe e botova këtë monografi nisur nga mendimi, se të gjithë kirurgët duarartë shqiptarë përfaqësojnë një përvojë të caktuar, e cila lipset të shërbejë si një shkollëz formimi për tërë punonjësit e rinj të bisturit.
Dhe ka plotësisht të drejtë të shprehet kështu doktor Izeti.
Shqipëria ka pasur, sigurisht që edhe ka, kirurgë legjendë, emrat e të cilëve përmenden me shumë respekt në mijëra familje. Përmenden, doemos, edhe në historikun e Mjekësisë Shqiptare, paçka se mjaft syresh, çuditërisht, nuk përfshihen në Enciklopedinë Shqiptare! Po le të kthehemi, natyrisht shkurt, te monografia “Profesor Pëllumb Karagjozi, krenaria e ortopedisë shqiptare”: Profesor Pëllumb Karagjozi është lindur në Gjirokastër në vitin 1936. Sot është tetëdhjetë e tetë vjeç. Por mbahet i ri. Për më shumë, tepër i freskët në mendime. Dhe po kaq i gjallë edhe në veprime.
Ndihet i priviligjuar që është lindur në Gjirokastër, në këtë qytet që po mahnit edhe botën. Ndihet krenar që si prejardhje ka lidhje me fisin atdhetar Topulli. Lidhje edhe me fisin e fismë Kokona. Doemos që këtë krenari ia shton sidomos i ati, Tahsimi, një mjek i përgatitur në Austri. Mjek që nuk pranoi të shërbente jashtë Atdheut, por erdhi menjëherë në vendlindjen e vet për të punuar së bashku me mjekun tjetër të njohur, Vasil Laboviti.
Nuk tha një fjalë Tahsimi kur e emëruan mjek në Elbasan. I qendroi besnik Hipokratit. Një fjalë nuk tha kur e dërguan me shërbim në Peshkopi. Pale, pastaj, kur e dërguan drejtor spitali në Shkodër, ku shërbeu jo pak, por një dekadë e gjysmë. Në bashkëpunim me ndërmarrjet ekonomike të qytetit, Tahsimi përgatiti një pavion model kirurgjie, sa do ta kishin zili jo vetëm në qytetet e tjera, por edhe në Tiranë.
Ndërsa ishte me banim në Shkodër mbas të atit, Pëllumbi do të kryente këtu shtatëvjeçaren dhe arsimin e mesmë në gjimnazin “28 Nëntori”. Në fund të vitit të katërt do të zotëronte mirë gjuhët rusisht e italisht. Këtë të fundit e përvetësoi në mënyrë të pavarur. Kuptohet, nisi të njohë edhe gjermanishten, gjuhën e dytë të të atit.
Beharin e vitit 1954, vit kur mbaroi gjimnazin, e kaloi me një lloj mërzitjeje. Priste me padurim të drejtën e studimit. Dëshironte të vazhdonte në mjekësi, ndryshe… do të katandisej në një mekanik! Jetonte një lloj frike, sepse ishte djali i një “borgjezi”, që kishte mbaruar në Perëndim. Gjithsesi, iu plotësua dëshira. Sepse deftesa e tij kishte të shënuara vetëm nota maksimale. Tanimë i riu Pëllumb Karagjozi do të ndiqte rrugën e të atit. Sigurisht që nuk do ta kishte aq shumë të vështirë ca më shumë, që “fakultetin” do ta kishte në shtëpi: babanë.
Në Universitet Pëllumbi do të ishte në radhën e studentëve të shkëlqyer. Simpatik, i shëndetshëm dhe i veshur shik, ai do të merrte pamjen dhe sjelljen e një “borgjezi” të ri. Rastisi që në një provim të vitit të katërt të ishte i pranishëm, për kontroll, edhe Prof. Petro Cani. Qe entusiazmuar nga përgjigjja e shkëlqyer e Pëllumbit. Pas këtij çasti i kishte shkuar Tahsimit, atje ku ishte i shtruar në spital, për t’i thënë se djalin kishte menduar ta mbante kirurg mbas vetes. Dhe e mori. Nëntë operacione kreu ky student gjatë kohës që ishte me studime.
Mjeku i ri nisi e vazhdoi të siguronte “armët”, që do t’i duheshin në jetë. Rusishtes, italishtes e gjermanishtes i shtoi edhe anglishten. I duhej edhe frëngjishtja. Edhe këtë e përvetësoi gjatë kohës që ishte me shërbim në qytetin e Krujës. Tanimë ai do të ishte një frekuentues i rregullt i Bibliotekës Kombëtare. Lexonte revistat shkencore që vinin nga jashtë, porosiste të tjera që t’i vinin nga universitete të njohura evropiane e botërore. (Dhe kur mëson këto përpjekje, të vjen keq që mjaft mjekë të sotshëm janë mjaftuar vetëm me dijet që kanë nxënë në fakultet dhe… kaq!)
Në kushtet e një shoqërie, që njihte dhe pranonte luftën e klasave. kirurgun duarartë Pëllumb Karagjozi do ta ndiqte hija e rëndë e të atit, që, mjerisht për të dhe familjen, por fatmirësisht për pacientët, shënohej me të zezë edhe në dokumente. Megjithatë, aftësia e tij prej një kirurgu që i këndonte bisturi në dorë e bënte shumë të kërkuar. Deri edhe zëvedëskryeministri shqiptar, Manush Myftiu, e kërkoi me emër që t’i shërbente të birit. Ish sekretarja e Komitetit të Partisë të rrethit të Shkodrës, Zina Franja, i shkon në Krujë dhe i kërkon mendim Pëllumbit për ta merrte shef pavioni në kirurgji në Shkodër. Sepse ajo kishte parasysh të atin e këtij kirurgu, Tahsimin human e të kurdogjendur. Ish Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë të rrethit të Tiranës, Piro Kondi, e qetëson, duke i thënë se, si kirurg tepër i zoti, transferimi i tij realizohej vetëm me sugjerimin e Komitetit Qendror të Partisë. Nga Kruja këtë kirurg e sjellin në Tiranë.
Veç se si kirurg i talentuar, Prof.Pëllumb Karagjozi do të ishte edhe një punonjës i shkëlqyer në fushë të shkencës mjekësore. Që kur ishte fort i ri, ai paraqiti disa studime të mirëfillta, që tërhoqën vëmendjen e mjekëve më të shquar të Tiranës. Ndërkohë, nisi e vazhdoi të botojë studime me shumë vlerë në revistat shqiptare, por edhe në ato të shteteve të tjera. Studimet e tij do të kishin jehonë në Francë e deri në SHBA. Sidomos mbas vitit 1990, kur ndodhi hapja me botën, Prof. Pëllumbi do të mbante referate shkencore në disa kongrese ndërkombëtare, si në Francë, Greqi, Itali, Hungari, Portugali, Luksemburg etj.
I përkushtuar mbas profesionit dhe i zellshëm në fushë të shkencës, Prof. Pëllumbi do ta linte firmën e tij të veçantë në fushë të kirurgjisë. Tanimë ai është autor i tre operacioneve origjinale, që përfundimisht mbajnë emrin e tij. – Prof. Pëllumb Karagjozi ka qënë dhe mbetet modeli i një mjeku tepër human, – na thotë autori i monografisë, mjeku Izet Çulli.
Dhe të përmend një episod: Pëllumbi kishte kryer një operacion të vështirë dhe ishte kthyer në shtëpi. Të nesërmen i ati, Tahsimi, i ishte drejtuar të birit: Si është gjendja e atij që operove dje? Pëllumbi ishte zënë ngushtë. Nuk po dinte se si t’i përgjigjej. Atëhere kishte ndërhyrë përsëri i ati: Dje përdore bisturin e mprehtë, sot shko e përdor dorën e butë dhe fjalën e ngrohtë.
Monografia “Profesor Pëllumb Karagjozi, krenaria e ortopedisë shqiptare” nuk është thjesht një libër biografik. Mbi të gjitha, ai është edhe një leksion i gjatë e interesant dhe shumë i nevojshëm për cilido mjek në Shqipëri.