• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2024

EDICIONI I 3-të I PARADËS SË MADHE SHQIPTARE NË ASTI TË ITALISË

September 25, 2024 by s p

Edhe këtë vit, më 21 shtator, Qendra Artistike dhe Kulturore Shqiptare “Margarita Xhepa” (Centro Artistico e Culturale Albanese “Margarita Xhepa”), organizoi në Asti – (Itali) Paradën e Madhe Shqiptare ku u prezantuan traditat tona, kostumet tona, muzika jonë, midis pjesëmarrësve të shumtë: shqiptar dhe italian, të gjithë së bashku me flamurin kuq e zi dy krenash të shpalosur në sheshet e këtij qyteti, i cili me dashuri dhe respekt, për të tretin vit radhazi i bashkohet gëzimit dhe festimit të kësaj feste madhështore dhe të rëndësishme. Ja ç’thotë Qendra Artistike dhe Kulturore Shqiptare “Margarita Xhepa” në faqen e saj zyrtare:

BUQETA ARRITJESH, BUQETA GËZIMESH…

(Assoalbania Piemonte në Asti, mundi t’i mblidhte këto ngjyra, këtë pasuri kombëtare, këtë premtim e besë për të ardhmen, në këtë vit jubilar të 80-vjetorit të çlirimit të Atdheut)

Shqiptarët!

Vështirë të gjesh një komb tjetër në botë që, për nga numri i popullsisë të ketë kaq shumë dëshmi të shprehjes të dashurisë së pakufishme për kombin, flamurin, atdheun dhe figurat që e lartësojnë atë. Kjo dashuri e madhe, dita-ditës po merr përmasa edhe më të mëdha, është si një ortek që rritet e rritet… Mbillet e rritet dashuria për to edhe në frytet e dashurisë njerëzore, në lulet e jetës, në brezat e rinj… dhe kjo, përveçse shumë emocionuese, është sigurisht edhe shumë, shumë premtuese.

Asti, qyteti italian ku u zhvillua edicioni i 3-të i Paradës Shqiptare më te madhe në Europë.

Eshtë i treti vit që ky qytet italian, nën organizimin e mrekullueshem të shoqatës Assoalbania Piemonte, në bashkëpunim me forcat krijuese dhe ekzekutuese të Qendrës së Artit e Kulturës mbarëkombëtare “Margarita Xhepa”, arrin të mbushë gjithnjë e më tepër, rrugët e kalldrëmta të këtij qytetit historik, qytet që me të drejtë, me krenari, e ka kthyer muajin shtator në një muaj festash për arritjet e traditat e tyre. Një muaj mjaft i ngjeshur me festa shtatori, duke filluar nga Palio di Asti, që i ka fillimet e tij thellë në histori, mbas viteve 1000 (kronisti i kohës Gulglielmo Ventura, në vitin 1275 e quan “një garë tradicionale”), “La Douja d’or”, “Mestieri antichi”, “Festival delle Sagre”… që në shqip përkthehet Festivali i Festave…

Le të ndalemi te ky titull kaq i bukur dhe kaq domethënës: FESTIVALI I FESTAVE…

E pra, në këtë kuadër, në këtë Festival Festash, Bashkia e qytetit të Astit, natyrisht në bazë të një projekti serioz dhe ambicioz të shoqatës Assoalbania Piemonte, pranoi dhe vendosi t’a fusë këtë Paradë të bashkëqytetarëve të tyre të rinj, në kuadrin e Festivalit të Festave astixhane… dhe këtë vit vendasit na pyetën “Kur e keni ju atë festën tuaj të mrekullueshme?”

Ne na mbushi zemrat kjo pyetje kaq normale, sepse Festa jonë është me të vërtetë e mrekullueshme. Eshtë festa e ngjyrave, e ritmeve, e fyejve, daulleve e çiftelive, festa e përqafimit, e shtrëngimit të duarve, e përshendetjes më të bukur në botë “T’UNGJAT’JETA”…

Një festë e pasur me folklor, e pasur në treva, në mesazhet që përcjell,

e pasur me vazhdimësi…

e pasur me Shqipëri,

që nga jugu në veri,

me Kosovë e Çamëri,

me Preshevë e Mal të Zi…

“Erdhi me bollëk për ne ky shtator”, – tha Presidenti i shoqatës Marjan Bjeshkza…

Erdhi vërtetë me bollëk, se u shpallëm fitues të çmimit të parë në takimin folklorik ndërkombëtar në Milano. Erdhi me bollëk se qytetit të Astit, krahas monumenteve të figurave historike vendase si Vittorio Alfieri, S.M Domenica Mazzarello, Umberto I, etj., iu shtua edhe shtatorja e Shenjtores me origjine shqiptare, Nënë Tereza. Falë dashurisë të të gjithëve, por nismës si edhe mbeshtetjes të Dedë Kola e Nikolin Gjeloshi, Nënë Tereza na përshëndet e na bekon të gjithëve çdo ditë, para pallatit të Komunës, në sheshin Catena…

Nuk më pëlqejnë zgjatjet, por këtu janë ngjarje që vijne nga historia e që do të mbeten në histori. Kjo është koha jonë, dhe ne duhet të dime ta shkruajmë dhe dokumentojmë atë… dhe historia shkruhet me vepra, vepra që shënojnë arritje, suksese… gëzime.

Dhe ne festuam sëbashku në këtë festival të festave, me grupet e ardhur nga larg…

Grupi Shpati, ardhur nga Shqipëria, i cili me folklorin e tij na solli një fllad të freskët Bukaniku, grupi folklorik “Albanian Folk” nga Modena ishte një risi për ne që na befasoi të gjithëve me nivelin e tij artistik, shoqata “Zëri Atdheut” Montebelluno, Lidhja e shkollave shqipe, ekspozitat e piktorëve Skopeci Art e Vida Gavoçi dhe ajo fotografike e Edmond Kacellit, si dhe shumë të tjerë. Niveli i lartë profesional i interpretuesve Monika Bekolli në flaut, Elvira Zykaj e Patriot Demaj, Eduart Cala, grupi i Shpatit, Marjana Daçi, Valbona Sadikaj, Anton Mirditori, grupet e valleve të Qendrës Kuturore Margarita Xhepa, grupi i valleve “Bajam Curri”, etj., ishin një “tortë” mjaft e shijshme, por qershiza përmbi tortë ishin të ftuarit Skënder Xhafa (që shoqëroi me zërin e tij gjithë paradën), Irma Libohova, që “ndezi” sheshin Way-assauto dhe e vogla e madhe Martina Prenga.

Befasi për të gjithë kur Irma Libohova ftoi në skenë këngëtaren e vogël Aurora Zekthi, e cila e çliruar nga çdo emocion, arriti ta ndjekë artisten e madhe.

Duam vetëm t’u themi të gjithëve: FALEMINDERIT, por, po të fillojmë nga falenderimet, do të ishte një listë e gjatë emrash duke filluar nga pesë nismëtarët e këshillit drejtues: H. Bulçari, M. Bjeshkza, A. Murga, T. Hysaj, S. Tatani e deri tek stafi i zgjeruar me L. Vrenozi, B. Murga, E. Gjina Pistulli, V. Gjyshja, S. Dani, S. Baho, S. Darova, M. Hida… pa harruar të palodhurin A. Antonelli…

Këto që lexuat ishin buqetat që vumë në titull, më poshtë edhe mund t’i shikoni. Natyrisht, nuk është njëlloj si t’i përjetonit, të ndiqnit korteun që e printe flamuri madhështor, të ndjeje ritmet e të vallzoje në rrugët e vjetra mijëravjeçare të Astit e të mbushej zemra vetëm duke dëgjuar nga të rinjtë, atyre rrugëve gjashtë fjalë: “O sa mirë me qenë shqiptar!…

Fotot u realizuan nga: GOLD STUDIO

Përgatiti: Angela Kosta Drejtore e revistës fizike MIRIADE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese

Filed Under: Reportazh

Manipulimet e Vuçiqit ndaj Forcave të Armatosura të Kosovës, një përpjekje e dështuar për të shpërfytyruar realitetin e një shteti të pavarur dhe paqësor

September 25, 2024 by s p

Hisen Berisha/

Vuçiqi vazhdon të keqpërdorë platforma ndërkombëtare për të propaganduar narrativën e tij të rreme, duke anashkaluar realitetin dhe të vërtetën historike. Në fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ai sulmon shtetet perëndimore dhe përpiqet të njollosë pavarësinë e Kosovës, e cila është produkt i vullnetit të popullit të saj, i mbështetur në parimet e vetëvendosjes dhe të drejtës ndërkombëtare. Kosova është një shtet i njohur ndërkombëtarisht nga shtetet më të fuqishme dhe relevante të botës.

Vuçiqi përmend Rezolutën 1244 për të mbështetur pretendimet e tij, por shpërfill faktin se kjo rezolutë u kalua në një kontekst krejtësisht të ndryshëm. Pavarësia e Kosovës është një realitet i pandryshueshëm ndërkombëtar, i përforcuar edhe nga amandamenti 14 i Kushtetutës së Kosovës. Por, ishte pikërishtë kjo rezolutë, pikënisja që i dha fund luftës në Kosovë dhe hapi rrugën për pavarësinë e Kosovës, fillimisht siguroi një zgjidhje të përkohshme, duke e futur Kosovën në një proces politik që kulmoi me shpalljen e pavarësisë.

Tashmë, pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm, kurse karakteri teknik i shfuqizimit të saj në KS/OKB, (përkundër vetos penguese të Kinës dhe Rusisë) me një plan sinkronizimi me aleatët, do ti eliminoj pretendimet për sovranitet të Serbis mbi Kosovën.

Retorika e tij kundër forcave të armatosura të Kosovës dhe përpjekjet për ndihmën ndërkombëtare ndaj saj, tregojnë frikën dhe obsesionin e Serbisë me realitetin e ri në Ballkan, atë të një Kosove të lirë, të pavarur dhe të njohur ndërkombëtarisht.

Forcat e Armatosura të Kosovës janë ndërtuar si pjesa e fundit e mozaikut institucional të shtetit të Kosovës, bazuar në vlerësimin e kërcënimeve dhe rreziqeve të identifikuara gjatë procesit të Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë. Kjo forcë konsolidohet mbi konceptet dhe doktrinat mbrojtëse, është gjithëpërfshirëse dhe funksionon mbi parimet e një ushtrie moderne, e trajnuar nga NATO dhe partneri ynë strategjik, SHBA. Qëllimi kryesor i saj është mbrojtja e qytetarëve, jetëve, pasurive dhe territorit të Kosovës nga çdo kërcënim, qoftë natyror apo i shkaktuar nga njeriu.

Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilat Vuçiqi i përshkruan si kërcënim, përfaqësojnë të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim etnie, dhe funksionojnë sipas parimeve të një ushtrie moderne dhe mbrojtëse. Kjo forcë synon mbështetjen dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, duke vepruar në përputhje me ligjet ndërkombëtare dhe standardet më të larta të aleatëve tanë.

Komunitetet pakicë në Kosovë, përfshirë atë serb, janë integruar vazhdimisht në Forcat e Armatosura të Kosovës, duke e ndjerë këtë forcë si të tyren.

Për më tepër, përfaqësimi i komunitetit serb në këtë forcë ka qenë shpeshherë më i madh sesa përqindja e tyre në popullsinë e përgjithshme të Kosovës. Por janë politikat destruktive dhe presionet shantazhuese të Beogradit ndaj serbëve që shërbejnë në Forcat e Armatosura të Kosovës ato që i detyrojnë të largohen nga ushtria apo të mos rekrutohen më. Këto veprime janë pjesë e një skenari të paramenduar për të krijuar një pretekst që Beogradi të spekulojë, siç pretendoj Vuçiq në deklaratat e tij gjatë Asamblesë së 79-të të OKB-së në New York, se “Forcat e Armatosura të Kosovës nuk janë kërcënim për Serbinë, por përbëjnë kërcënim dhe presion për shpërnguljen e serbëve lokalë.”

Kjo është një shpifje e ulët dhe intrigë nga ana e Vuçiqit, si Gebelsi i Millosheviçit, eksponenti i fundit i shtetit gjenocidial serb, i cili ndjek të njëjtën propagandë.

Forcat e Armatosura të Kosovës po ndërtohen nën patronatin dhe asistencën profesionale e teknike të partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht ekipet e institutit për reforma e nivacion të SHBA-së dhe NATO-s, të cilët janë të pranishëm në Kosovë përmes ekipit ndërlidhës dhe këshillues (NALT) në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në strukturat mbështetëse të Forcës. Këta partnerë njohin në detaje karakterin e Forcave që po ndërtohen nga Kosova, të bazuara në parimet e paqes dhe stabilitetit. Pretendimet e Vuçiqit as që mund të merren seriozisht.

Kosova synon të ndërtojë një forcë moderne dhe të standardizuar, të pajisur me teknologji të avancuar dhe të ndërveprueshme me NATO-n, duke ndjekur modelin e sigurisë së shteteve si Izraeli, që ka zhvilluar një forcë të fuqishme mbrojtëse të orientuar nga paqja dhe stabiliteti rajonal.

Prandaj, forcat tona nuk përbëjnë kërcënim për askënd, por janë garant i sigurisë dhe paqes në rajon, duke u mbështetur në bashkëpunimin me NATO-n dhe aktorët tjerë ndërkombëtarë.

Ndryshe nga pretendimet e Vuçiqit, Kosova është e përqendruar në ndërtimin e “partneriteteve dhe aleancave strategjike” me shtetet demokratike, për mbrojtje të ndërsjellë dhe ruajtjen e paqes në vend dhe në botë.

Është ironike që Vuçiq pretendon të jetë një zë për paqen, ndërkohë që, në të njëjtën kohë, shpif dhe nxit tensione duke përhapur teori konspirative për influencën ruse dhe perëndimore. Përpjekja e tij për ta paraqitur Serbinë si viktimë është e dështuar dhe nuk arrin të fshehë përgjegjësitë e saj për destabilizimin e vazhdueshëm në Ballkan.

Një gjë duhet ta kenë të qartë të gjithë, se Kosova ka zgjedhur rrugën e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Asnjë fjalim i Vuçiqit nuk do ta ndryshojë këtë realitet.

Ne mbetemi të përkushtuar për dialog konstruktiv dhe ruajtjen e paqes, por nuk do të lejojmë që manipulimet të errësojnë të ardhmen tonë si shtet i pavarur dhe sovran.

Filed Under: Rajon

109 VJETORI I VRASJES SË DEDË GJON LULIT, “FLAMURIT” UDHËHEQËS TË KRYENGRITJEVE DHE LUFTRAVE PËR PAVARESINË E SHQIPËRISË

September 24, 2024 by s p

NGA NDUE BACAJ/

Me 24 shtator të vitit 1915 në Orosh të Mirdites vritet pabesisht nga falangat serbo-malazeze dhe esadiste , Dedë Gjon Luli, “flamuri” udhëheqës i kryengrtijeve dhe luftrave për pavarësinë e Shqipërisë. Vritet nga komandanti serb me emrin Gjura , që gjindej (jo rastesisht) në Mirditë me një kompani ushtaresh serb në vendin e quajtur Sheshaz..Vritet kur baca Dedë kishte shkuar atje per të realizuar një beslidhje të Madhe me parinë e Mirdites e më gjerë, per të kordinuar luftën çlirimtare e mbrojtëse të trojeve shqiptare nga grykesia shekullore e shkjeve të Ballkanit e më gjerë.. Lufta e parë Boterore kishte filluar dhe kishte rrezik që të realizonte vendimet famkeqia të traktatit të fshehtë të Londres të 26 prillit 1915 , duke coptuar edhe atë Shqiperi që kishte “tepruar” nga konferenca e Londres 1913.. Ndaj Trimi i urtë Dedë Gjon Luli duke qënë zemra, mendja dhe pushka e parë e Malesisë Madhe dhe shqiptarisë, për më shumë se një gjysem shekulli , kishte perbuzur moshen e thyer dhe rrezikun per jeten, duke u bërë keshtu faqja e bardhë në perjetsi e Hotit, Malësisë e Shqiptarisë… Pas vrasjes së Dedë Gjon Lulit, falangat serbo-malazeze dhe esadiste trupin e tij të pajetë e kishin mbuluar me landë drusore e gjethe në Malin Shejtë ,ku e zbuluan disa barinjë rastesisht pas disa diteve…Me 8 tetor (1915), famulltari i Oroshit të Mirdites e varrosi te kisha e “tij”. Ndersa me 29 maj 1924 eshtrat e Dedë Gjon Lulit u rivarrosen me një cermoni madhështore të organizuar nga Etnit Franceskan në Shkoder, ku muaren pjesë mbi tremijë veta , si dhe delegati Apostolik imzot Ernesto Kozi. Në ketë cermoni perveç tjerave një ligjeratë brilante mbajti At Anton Harapi, ligjeratë nga e cila citoj: ”Sikurse Athina e Roma mbi gjak e eshtna të fatosave ngrehen ndertesen e Lirisë ,ashtu per të mëkamunit e Shqipnisë u lyp që gjaku i kreshnikeve të sterpikë krepat e Maleve tona…Mbas 400 vjetësh Dedë Gjon Luli me çeten e vet lufton per të paren herë nën Flamurin e Shqipnisë ,per Lirinë kombetare. Ai kje tre here Fatos se i fali Atdheut dy djemtë dhe veten ,tuj u ba shenjë i salvimit të xhonturqëve ,të sllavëve dhe esadisteve….Ai së dyti provoi se bashkë me Atdhetarinë në gjoksin e tij ,vloi edhe zelli per Fe…Në të vertetohet fjala e popullit se ndihma e Zotit dhe pushka e Hotit e shpejtoi Lirinë Kombetare..” 21. (Fritz Radovani “Dedë Gjon Luli”, fq.38).

NJË KUJTESË VOGËL NGA JETSHKRIMI I MADH ATDHETAR I DEDË GJON LULIT

Dedë Gjon Luli do të ishte pushkë e parë në Luftën e Kernices(1862) , në Luftën te Mulliri i Vrakes (1871), në tre Luftrat e Shpuzes (1870-1877) , në Luftrat per mbrojtjen e Hotit , Grudes , Plaves , Gucisë , Ulqinit e tjer të cilet zhvillohen nën udhëheqjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878 -1881). (Hamdi Bushati ,Shkodra dhe Motet ,v.I , fq.413-431 ,Shkodër 1998). Dedë Gjon Luli ishte komandant i ushtrisë (vullnetare) të Lidhjes shqiptare të Prizrenit per Malesinë e Madhe dhe Zevendëskomandant i ushtrisë të Deges së Lidhjes Prizrenit Shkoder. (Hysni Myzyri , Ded Gjon Luli –patriot dhe luftëtar i shquar i Rilindjes sonë , gaz. “ZP” dt. 23.9.1975). Por lufta më e madhe e Malësorëve me në krye Dedë Gjon Lulin është ajo e vitit 1911 që njihet si kryengritja antiosmane që çoi në ngritjen e flamurit kombëtar të Gjergj Kastriotit me 6 prill në Bratilë të Deçiqit , pas 432 viteve “mungesë” nën pushtimin turko-osman… Dedë Gjon Luli ishte udhëheqesi i kesaj kryengritje që shpesh identifikohet edhe me emrin tij. (Romeo Gurakuqi, Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës 1911, fq.86-88, Phoenix;Shkodër 2002). Por trimi i urtë baca Dedë ishte pushkë e parë dhe udhëheqës i parë edhe në luftrat per mbrojtjen e trojeve shqiptare nga lakmit e shoveneve serbo-malazez të viteve 1912 -1913-1915.. Dedë Gjon Luli ishte jo vetem pushkë e parë e mbrojtjes të trojeve shqiptare ,por edhe “firmë” e parë në memorandumet , kerkesat dhe protestat e 8 majit 1878 , 13 qershorit 1878 , 15 qershorit 1878 , 16 qershorit , 2 korrikut, 7 korrikut, 7 tetorit, 22 tetorit e 8 nëntorit të vitit 1878, si dhe ato të 21 shtatorit 1879, të 1 marsit 1880 , 12 marsit, 4 prillit , 2 majit , 18 majit , 16 korrikut , 7 gushtit , 15 shtatorit, 19 shtatorit 1880 , 26 prillit 1883 , 9 qershorit dhe 26 qershorit 1883 , të majit 1903… Dedë Gjon Luli shquhet si organizator dhe protagonist i Kuvendit të Greçes të 23 qershorit 1911 që formuloi e miratoi memorandumin (e Greçes) me trajtat e një një programi politik per pavaresinë e trojeve shqiptare ,per të vijuar me kerkesat e 9 shkurtit 1912…(Akte të Rilindjes Kombetare Shqiptare… Tiranë 1978) etj… Vlen të cilësohet se Dedë Gjon Luli njihet edhe si një ndër perkrahesit e zjarrtë dhe nënshkruesit e vendimit prej 7 pikave të dates 5 mars 1899 (të zhvilluar në Shkoder) , në të cilen në emer të të gjithë vilajetit të Shkodres , u shpall besa dhe bashkimi i popullsisë së ketij vilajeti me Kuvendin apo Lidhjen Shqiptare të Pejes (të 26-30 janarit 1899) dhe komitetin e saj të kryesuar nga udhëheqësi trim e patriot Haxhi Zeka etj… (Kristaq Prifti , Lidhja Shqiptare e Pejës , fq.221, Tiranë 2002).

EPILOG:

Familja e Dedë Gjon Lulit është shuar në luftërat për liri , por fatkeqësisht bashkë me Dedë Gjon Lulin u shua edhe një pjesë e atdhetarizmit të trojeve tona, që prej më shumë se një shekulli kanë nevojë per një Dedë Gjon Lul të “ri”… Për këtë ketë heroizem dhe atdhetari të kulluar Dedë Gjon Luli “gezon” titullin e lartë “HERO I POPULLIT” dhe që nga nentori i vitit 2015 është dekoruar nga presidenti i asaj kohe (B.Nishani) me “Urdhërin e Flamurit Kombëtar”. Megjithë këtë Dedë Gjon Luli nuk ka vorr ku pushojnë eshtrat e tij. (Dedë Gjon Luli ishte varrosë në vorret sëbashku me Franceskanët, vorri me eshtrat e Dedë Gjon Lulit do të tretëshin diku rreth vitit 1967, nga komunistet ateist të Shkodres gjatë luftë kundër besimeve dhe klerikëve të gjallë e të vdekur). Dedë Gjon Luli ka vetem një vorr “bosh” te vorri i djalit tij deshmor Gjergjit , në vendlindje në Traboin . Ndërsa deri me 27 nentor 2015 nuk ka pasur asnjë bust , shtatore apo monument të ndertuar në Republiken e Shqiperisë. Me data 27 nentor (2015) me financimin e diaspores malësore-shqiptare në Amerikë, në qendër të Tiranës (në lulishten e muzeut historik kombëtar ), u vendos shtatorja impozante e heroit të popullit Dedë Gjon Lulit, shtatore që do të zënë në perjetsi vendin që i takon në memorien e historisë të luftrave mbrojtese dhe çlirimtare , që me 28 nentor 1912 u kurorzuan me shpalljen e pavaresisë së Shqipërisë nga Vlora…

Filed Under: Histori

Klubi i Golfit, “Ipswich Country Club” ishte mikpritës i shqiptarëve!

September 24, 2024 by s p

Flamur VEZAJ/

Për të dytin vit radhazi, tre patriotët shqiptarë Aldi Myteberi, Nikolin Gaçe dhe Ardit Dervishi organizuan kampionatin e golfit në veri të Bostonit! Këtë vit, nismës së tyre iu bashkuan edhe organizata të rëndësishme në Boston, si Vatra, MaasBesa dhe Albanians Fighting Cancer! Ky kampionat, me rreth 90 lojtarë golfi, kishte një qëllim të përbashkët: mbledhjen e fondeve për tre organizatat shqiptare, të cilat punojnë prej vitesh për të ndihmuar komunitetin shqiptar në Boston në fusha të ndryshme.

Për të zhvilluar këtë aktivitet të rëndësishëm, një kontribut të madh dhanë 23 kompani biznesi me pronarë shqiptarë dhe amerikanë, të cilët iu bashkuan nismës për mbledhjen e fondeve, që shkuan të gjitha për tre organizatat shqiptare: Vatra, MaasBesa dhe Albanians Fighting Cancer! Gjithashtu, në këtë event kontribuan edhe klube sociale shqiptare dhe individë, të cilët janë pjesë e organizatave përkatëse këtu në Boston.

Gjithçka filloi mesditën e të hënës, kur rreth 23 kompani të ndryshme biznesi, shqiptare dhe jo vetëm, sollën lojtarët e tyre për të marrë pjesë në këtë kampionat golfi. Në hyrje të Ipswich Golf Country Club, organizatorët pritën lojtarët për t’u regjistruar, ndërkohë që ofruan dhurata simbolike për çdo lojtar. Pas regjistrimit, lojtarëve iu shtrua një drekë, pas së cilës ata u ndanë në grupe në gjithë sipërfaqen e klubit të golfit, ku ishin vendosur edhe reklamat e kompanive që kishin bërë donacione për këtë event.

Loja vazhdoi për më shumë se 4 orë, dhe darka i mblodhi të gjithë bashkë për të festuar dhe ndarë çmimet e fituesve. Për ndarjen e çmimeve folën tre iniciatorët e këtij organizimi: Myteberi, Dervishi dhe Gaçe, të cilët falënderuan të gjithë pjesëmarrësit në lojë dhe në darkën e shtruar për këtë event, duke shpallur edhe fituesit e kampionatit.

Sipas renditjes, vendin e parë e fituan lojtarët që përfaqësonin kompaninë “RMD Insurance”: z. Anthony DeGregorio, z. Cable Morey dhe z. Joseph Caprini, për të cilët menaxheri shqiptar i restorantit “Abe & Louie’s” dhuroi një çmim simbolik, një darkë falas për 6 persona! Çmimi i dytë shkoi për ekipin “Team Sunshine”: z. Reed Bourgeois, z. Ben Carrol, z. Ahmad Hodroj dhe z. Adam Bahou, të cilëve klubi i golfit “Ipswich Country Club” u dhuroi një ditë leje kalimi për të luajtur brenda këtij klubi falas. Ndërsa vendi i tretë i takoi ekipit të kryesuar nga z.Klaus Trasha, z.Justin Nee, z.Ray dhe z.Klajdi Cenolli që u shpërblye me nga një kuti cigare puro nga kompania shqiptare “Nobel,” të prodhuara në Republikën Domenikane.

Pas ndarjes së çmimeve, Myteberi ftoi drejtuesit e organizatave shqiptare të përshëndesin të pranishmit. Në emër të organizatës MaasBesa foli zëvendëskryetarja znj. Jorida Qirollari, e cila përveç falënderimit të dhuruesve, tregoi për aktivitetet kulturore dhe edukative të organizatës. Znj. Qirkollari theksoi punën që MaasBesa ka bërë prej vitesh, përfshirë hapjen e shkollave shqipe në tre qytete, si dhe organizimin e festivalit shqiptar.

Në emër të VATRËS në Boston foli kryetari z. Mentor Maksutaj, i cili, përveç falënderimeve ndaj tre nismëtarëve, vuri theksin në punën 112-vjeçare të VATRËS në të mirë të komunitetit shqiptar, për ruajtjen dhe promovimin e kulturës dhe traditës shqiptare. Ai kujtoi punën e madhe që ka bërë një nga themeluesit e VATRËS, Fan S. Noli, për ndihmën ndaj komunitetit shqiptar dhe krijimin e kishës së parë autoqefale shqiptare në SHBA.

Në emër të organizatës Albanians Fighting Cancer foli Dr. Ivi Kisamati, i cili theksoi punën disa vjeçare të organizatës për të ndërgjegjësuar komunitetin shqiptar për sëmundjen e kancerit dhe ndihmën e dhënë për personat e prekur nga kjo sëmundje. Dr. Kisamati falënderoi organizatorët dhe shprehu vlerësim për kompanitë që dhuruan donacione për këtë event.

Në mbyllje të darkës, Aldi Myteberi deklaroi se kjo traditë e organizimit të kampionatit të golfit do të vazhdojë, ndërsa Nikolin Gaçe dhe Ardit Dervishi falënderuan një për një të gjithë dhuruesit e donacioneve, kompanitë, bizneset dhe individët që mundësuan këtë event!

Foto: F.Vezaj & E. Lazri

Filed Under: Komunitet

Rrëfimi i Nolit përmes Penës së Ilir Ikonomit

September 24, 2024 by s p

Dr. Afrim Shabani/

Fan Noli nuk është thjesht një figurë historike e rëndësishme për Shqipërinë; ai është një ikonë kulturore që mishëron ndërlikimet e një kombi në kërkim të identitetit të tij politik dhe shpirtëror. Në veprën e tij më të fundit, Fan Noli Apostulli: Vëllimi i Parë, Ilir Ikonomi na prezanton një portret të një njeriu që lëvizte me mjeshtëri midis roleve të priftit, politikanit, diplomatit, përkthyesit, historianit, etj. Por ndërsa Ikonomi ofron një rrëfim të thellë të shumë aspekteve të jetës dhe veprës së Nolit, ky vëllim i parë ngre pyetjen: A arrin Ikonomi, me stilin e tij të shkruarit dhe organizimin e kujdesshëm të faktografisë, të krijojë një pasqyrim të plotë dhe realist të Fan Nolit si figurë historike dhe njerëzore, duke e çuar përtej thjesht lavdërimit?

Sapo përfundova leximin e parë të librit Fan Noli, Apostulli nga Ilir Ikonomi dhe jam thellësisht i mahnitur. Stili i shkruarit të Ilirit më ka bërë të ndjehem sikur kam udhëtuar në kohë, duke jetuar përkrah Fan Nolit në koloninë shqiptare të hershme në Amerikë. Ndjesia është sikur jam pranë Nolit—jo vetëm duke e dëgjuar, por edhe duke diskutuar me të, madje duke i dhënë këshilla për sfidat e kohës.

Titulli i librit është jashtëzakonisht i përzgjedhur. Nuk ka fjalë më të përshtatshme për të përshkruar rolin e Nolit për shqiptarët në Amerikën e asaj kohe se sa Apostulli. Në fakt, më lejoni t’i jap Ilirit titullin apostull i shkrimit në një periudhë kur jemi të përmbytur nga opinione dhe informacione të çrregullta. Libri i tij dallon për stilin e përkryer, organizimin e kujdesshëm dhe dokumentimin e hollësishëm. Ajo që më impresionon më shumë është se si Iliri ka sjellë natyrën njerëzore të Nolit, përtej thjesht lavdërimit të tij.

Kjo ndjesi më kujton përvojën kur lexova për herë të parë librin e Nolit “Beethoven dhe Revolucioni Francez.” Ashtu si Noli solli rregull në biografinë e Beethovenit, Iliri ka sjellë qartësi dhe rregull mbi gjithçka që është thënë dhe shkruar për Nolin. Për këtë, i jam thellësisht mirënjohës dhe e rekomandoj fuqimisht këtë libër për këdo që dëshiron të mësojë më shumë për këtë figurë të jashtëzakonshme.

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT