• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2024

Çfarë e bën të vërtetë një kujtim?

September 6, 2024 by s p

Nga Jim Davies, përktheu Rafael Floqi/

Aftësia jonë për të imagjinuar është një fuqi e jashtëzakonshme. Por duke qenë se përdor të njëjtën makineri të trurit si mendimet dhe perceptimet e tjera, dhe për shkak se ne mund të kujtojmë atë që imagjinojmë, ne përballemi me një problem serioz: Si mund të sigurohemi se mund të dallojmë ndryshimin midis kujtimeve të gjërave që kanë ndodhur nga kujtimet e gjërave që ne thjesht imagjinuar?

Dallimi i kujtimeve të gjërave që kanë ndodhur me të vërtetë nga ato që nuk kanë ndodhur është një proces mendor i njohur si monitorimi i realitetit. Kur shikojmë diçka në mjedis, sinjalet e fuqishme nga sytë kalojnë nëpër korteksin vizual, duke çuar në njohje në pjesë të rendit më të lartë të trurit. Gjatë imagjinatës, informacioni vjen nga drejtimi tjetër: zonat e rendit më të lartë të korteksit vizual aktivizohen së pari. Për shkak se imagjinata është shpesh e qëllimshme, ne gjithashtu shohim më shumë rekrutim të korteksit frontal, i rëndësishëm për kontrollin kognitiv.

Këto dallime janë thelbësore kur bëhet fjalë për përcaktimin e burimit të kujtimeve, një detyrë në të cilën korteksi paraballor medial i përparmë – që mendohet të jetë kritik për vëmendjen dhe për kujtesën e punës, hapësinore dhe afatgjatë – duket se luan një rol të rëndësishëm. Kur kjo pjesë e mendjes po bën punën e saj, ne jemi mjaft të mirë në dallimin e kujtimeve të asaj që pamë nga ajo që imagjinonim.

Por jo gjithmonë kjo funksionon. Tani ka dekada kërkimesh mbi kujtesën e rreme që shqyrton se si njerëzit nganjëherë ngatërrojnë imagjinatat e kujtuara me përvoja të vërteta të kujtuara – demonstruar për herë të parë në vitet 1990 nga puna e Elizabeth Loftus, dhe një fenomen që ka pllakosur gjithçka, nga dëshmitë e dëshmitarëve okularë deri te terapia e bisedave. Por a mund t’i rikategorizojnë njerëzit disi këto kujtime të rreme, për të cilat mund të jenë shumë të bindur se kanë ndodhur me të vërtetë, në burimin e duhur, si të imagjinuar dhe jo reale?

Ne mbështetemi në kujtesën tonë për të kuptuar realitetin në të cilin jetojmë.

Një studim i kohëve të fundit nga psikologia e Kolegjit Universitar të Dublinit, Ciara Greene dhe kolegët e tij, përsëritën punën e hershme të Loftus-it duke u dhënë qëllimisht pjesëmarrësve të studimit një kujtim të rremë (sikur ka humbur në qendër tregtare si një fëmijë i vogël). Rreth 52 për qind e pjesëmarrësve besuan se incidenti i sajuar u kishte ndodhur në të vërtetë atyre.

Greene për atë që mund të ndodhë në këtë proces tha se: “Ka shumë prova që sugjerojnë se kujtimet e vërteta priren të kenë më shumë detaje shqisore si erërat dhe tingujt – dhe priren të kenë më shumë emocione,” tha ajo. Sa më gjallërisht ta imagjinoni kujtimin, aq më shumë duket si jeta reale.

Greene dhe kolegët e saj donin të shihnin nëse thjesht duke u shpjeguar njerëzve se kujtesa e tyre ishte e rreme do t’i bënte ata të ndryshonin mendje. Dy deri në katër javë pasi studiuesit u dhanë pjesëmarrësve kujtesën e rreme – duke u përpjekur të mashtronin rrjetin e tyre të monitorimit të realitetit – pjesëmarrësit u informuan plotësisht dhe u thanë se incidenti që ata ishin shtyrë të besonin se ishte i vërtetë, ishte në fakt i sajuar. Në një sondazh tre ditë pas kësaj, vetëm 8 përqind e njerëzve thanë se ende besonin se kujtesa e rreme kishte ndodhur në të vërtetë.

Nëse e gjykojmë realitetin e kujtesës bazuar në gjallërinë e saj, atëherë pse mund të funksionojë ky përmbledhje? Debriefing në vetvete nuk i bën kujtimet më pak të gjalla. Kjo për shkak se monitorimi i realitetit mund t’i futë “kujtimet” në kategorinë e rreme përmes dy mënyrave kryesore. E para është vlerësimi i pasurisë së kujtesës. Nëse një kujtim duket shumë i vërtetë, pa ato përshtypje të tjera pasuruese, duket se ka më shumë gjasa të mos na ketë ndodhur vërtet. E dyta përfshin konkluzionet. Kjo do të thotë, ne arsyetojmë, në një nivel, se një kujtim duhet të jetë imagjinuar fillimisht, për ndonjë arsye apo tjetër. Nëse kemi një kujtim të gjallë të fluturimit në ajër me krahët e shtrirë, mund të konkludojmë se duhet ta kemi ëndërruar ose imagjinuar sepse e dimë se njerëzit nuk mund të fluturojnë.

Duket se, edhe pse kujtimet e pjesëmarrësve për incidentin e rremë ishin po aq të gjalla sa më parë dhe incidenti ishte plotësisht i besueshëm, mjaftonte të dëgjonin se kujtesa ishte e rreme që shumica prej tyre të mos besonin se kishte ndodhur në të vërtetë. T’i thuash dikujt diçka është një mesazh për pjesën e kontrollit ekzekutiv të mendjes, ku jeton edhe monitorimi i realitetit.

Literatura psikologjike është e mbushur me gjetje të irracionalitetit njerëzor dhe shtrembërime të perceptimit. Ajo që e bën punën si ajo e Greene-it kaq të rëndësishme është se tregon se si përdorimi i aftësive tona racionale ndonjëherë mund të kapërcejë përfundimet tona të paracaktuara – dhe se si mund t’i formojmë besimet tona për të qenë më të sakta.

Pjesëmarrësve sigurisht që nuk iu fshi nga kujtesa incidenti i humbur në qendër. Por shumica e rikrijuan atë si diçka që kishin krijuar brenda, në vend që të kishin një burim në një përvojë reale.

Ne mbështetemi në kujtesën tonë për të kuptuar realitetin Por aftësia jonë për të simuluar botën në kokat tona—duke bërë rrota të shumta mendore të kujtimit dhe imagjinatës, dhe të kujtuarit e asaj që kemi imagjinuar—paraqet një problem që mendja duhet ta zgjidhë, të cilën ajo e bën në mënyrë të papërsosur. Është mirë të dish se logjika e thjeshtë dhe dëgjimi i së vërtetës mund të ofrojnë një zgjidhje të shpejtë, të paktën në këtë lloj organizimi eksperimental. Megjithëse të gjithë e dimë se dallimi i realitetit jashtë laboratorit mund të jetë pak më i ndërlikuar.

Filed Under: Sociale

Kalendar -7 Shtator 1990: Kosova drejt Lirisë e Pavarësisë, Republikë me Kushtetutën e miratuar në Kaçanik

September 6, 2024 by s p

-Para 34 viteve, në 7 Shtator 1990, Kosova drejt Lirisë e Pavarësisë u shpall Republikë me Kushtetutën e miratuar nga Kuvendi i saj në një mbledhje në Kaçanik, që pasonte Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 e pasohej me Referendumin për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur të mbajtur nga 26 deri në 30 Shtator 1991 me votimin pro 99,87 për qind, si dhe nga zgjedhjet e para pluraliste parlamentare dhe presidenciale të 24 Majit 1992/

 -Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në  mesazhet e 7 Shtatorit -Viti 1998: Miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 7 Shtator të vitit 1990 shënon aktin fundamental për shtetin e Kosovës. Viti 2005: Dhashtë Zoti që sa më shpejt ta gëzojmë njohjen direkte të pavarësisë së vendit tonë nga Shtetetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, çfarë do të qetësonte popullin e Kosovës dhe këtë pjesë të Europës e të botës/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË,  Shtator 2024/  Para 34 viteve, në 7 Shtator 1990, Kosova u shpall Republikë me Kushtetutën e miratuar nga Kuvendi i saj në një mbledhje në Kaçanik, që pasonte Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut, poashtu të vitit 1990, e pasohej me Referendumin për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur të mbajtur nga 26 deri në 30 Shtator 1991 me votimin pro 99,87 për qind dhe pjesëmarrjen masive 87,01%  të 1.051.357 qytetarëve me të drejtë vote.

Republika e Kosovës me Kushtetutën e vet e institucionet demokratike të zgjedhjeve parlamentare e presidenciale që pasuan, të 24 Majit 1992, atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit  të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.

Në krye të Kuvendit të Kosovës në atë kohë të vendimeve e ngjarjeve historike ishte Ilaz Ramajli. Ishin këto ngjarje e zhvillime drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, gjithnjë në rrethana të rënda të okupimit e shtetrrethimit ushtarako-policor që kishte vendosur Beogradi, kur në mënyrë kundërkushtetuese dhe përgjakshëm me kushtetutën serbe të tankeve u rrënua autonomia që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 element konstituv me të drejtë vetoje i federates. Ajo Kushtetutë ishte e para në historinë kushtetuese të Kosovës, ndërsa e dyta ishte ajo e 7 Shtatorit 1990.

“Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit 1990, jo vetëm që ishin akte kushtetuese juridike, por në kohën kur u nxorën ishin edhe akte mbrojtëse dhe pozicionuese në raport me situatë e krijuar në ish Jugosllavi”, ka theksuar Ramajli në një nga intervistat që kam zhvilluar për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë.

Nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, nga elementet konstituive të federatës, mes të cilave ishte edhe Kosova që u bë shtet, shtete të reja të rajonit dolën gjithësej shtatë: Kosova, Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Maqedona, Mali i Zi dhe Serbia.

“Akti i nxjerrjes së Kushtetutës u bë pikërisht në kohën kur më nuk kishte asnjë dyshim se Jugosllavia kishte hyrë në rrugën e pakthim të shpërbërjes së sajë. Nxjerrja e Kushtetutës dhe shpallja e Republikës së Kosovës nga Kuvendi me 7 Shtator 1990 ishte dhënie e formës kushtetuese juridike të vullnetit të shprehur unanimisht nga shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës, dhe nga subjektet e atëhershme politike në Kosovë”, është shprehur Ilaz Ramajli në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar në 20 vjetorin e Referendumit për Kosovën Shtet Sovran dhe të Pavarur të mbajtur nga 26 deri më 30 Shtator 1991.

Ndërsa në 30 vjetorin e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990, Ramajli për median kosovare theksonte se ndonëse për shkak të rrethanave Kushtetuta e Kaçanikut nuk ka pasur mundësi të që të zbatohet plotësisht në territorin e Kosovës, ajo ka qenë njëra ndër aktet më të përparuara në regjion.

“Deklarata e Pavarësisë e 2 korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e shpallur më 7 shtator 1990 u shndërruan me kohë në busullë të lëvizjes sonë paqësore politike dhe besoj se po këto akte kanë qenë edhe pikënisje e të gjitha sakrificave. Mbështetur në Kushtetutën e Kaçanikut u organizua komplet jeta në Kosovë jashtë sistemit të Serbisë dhe mundësoi që shqiptarët e Kosovës dhe popujt e tjerë joserbë të organizojnë rezistencën e tyre jo të dhunshme e më vonë edhe luftën çlirimtare”, ka thënë Ramajli.

Në Kosovën e lirë nga qershori 1999, prej vitit 2001 deri para 16 viteve, Kosova ka pasur një Kornizë Kushtetuese, e miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë de fakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.

Kosova para 16 viteve miratoi Kushtetën e Republikës, e cila në nenin 1 e përcakton “shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”.  Ishte viti 2008 kur nga Kuvendi i Kosovës u miratua Kushtetuta – akti më i lartë  juridik i shtetit në ditën e 9 Prillit, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurtin historik, ndërsa ka hyrë në fuqi në 15 Qershor.

Atëherë, dekretimi i 41 ligjeve, të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës.

Zhvillimet më të rëndësishme brenda 16 viteve ishin në 2012-tën, kur Kuvendi, në 7 Shtator që ishte ditë e përvjetorit të Kushtetutës së vitit 1990,  ka miratuar amendamentimin e  Kushtetutës së Republikës lidhur me përfundimin e mbikëqyrjes  ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndërsa në 10 Shtator pasoi vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar, i mbledhur në Prishtinë, për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare.

“Përmbyllja e mbikëqyrjes është vlerësimi më i lartë ndërkombëtar, që i është bërë shtetit të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë”, u vlerësua atëherë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur pavarësinë, ishte formuar në 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të shtetit të ri, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin.

Kosova e pavarur e shpallur para më shumë se 16 viteve në 17 Shkurt 2008 deri tani është njohur nga 117 shtete anëtare të OKB-së dhe njohja më e re është nga Izraeli, për të cilën delegacioni i Kosovës u njoftua derisa ishte në Uashington në Shtëpinë e Bardhë në 4 Shtator 2020.

PRESIDENTI HISTORIK DR. IBRAHIM RUGOVA: 7 SHTATORI 1990, THEMEL I SHTETËSISË SË KOSOVËS

 -Miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 7 Shtator të vitit 1990 shënon aktin fundamental për shtetin e Kosovës/

Presidenti historik i Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, vlerësonte se miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës në 7 Shtator të vitit 1990 shënonte aktin fundamental për shtetin e Kosovës. Po risjellim dy mesazhe të Presidentit Rugova për 7 Shtatorin, të vitit të luftës 1998 dhe të vitit të lirisë 2005 – të fundit të Presidentit historik për ditën historike të Kushtetutës së Republikës së Kosovës:

 VITI  1998: DEKLARATË E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA ME RASTIN E 7 SHTATORIT 

PRISHTINË, 7 Shtator 1998/ Me rastin e 7 Shtatorit – Ditës së miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës – Presidenti i  Republikës Dr. Ibrahim Rugova dha një deklaratë në të cilën thuhet:

Pas shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës më 2 korrik të vitit 1990, miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 7 shtator të vitit 1990 shënon aktin fundamental për shtetin e Kosovës. Kjo ngjarje e rëndësishme në historinë më të re të Kosovës, ka vënë themelet juridike e politike të shtetësisë së Kosovës.

Sot, tetë vjet pas miramitit të këtij akti të lartë, populli i Kosovës edhe pse në gjendje okupimi dhe i ballafaquar me ofensivat e egra të forcave serbe, me një vullnet të fortë po ndërton shoqërinë demokratike e civile në Kosovë. Dhe, përkundër vuajtjeve nëpër të cilat po kalon, ai është i përcaktuar që me mjete politike ta realizojë pavarësinë e Kosovës.

Në këto çaste të vështira që po përjeton, populli i Kosovës me përkrahjen dhe ndihmën e botës demokratike e sidomos të SHBA-ve dhe Unionit Evropian, do të dijë ta kapërcejë këtë gjendje të rëndë.

Zoti e bekoftë popullin e Kosovës!

VITI 2005: PRESIDENTI RUGOVA U DREJTOI NJË MASAZH QYTETARËVE TË KOSOVËS ME RASTIN E 7 SHATORIT


PRISHTINË, 7 Shtator 2005/ Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ka përgëzuar qytetarët e Kosovës me rastin e 7 Shtatorit, ditës kur para 15 vjetësh u miratua Kushtetuta e Republikës së Kosovës në Kaçanik.

  
Në mesazhin e Presidentit Rugova thuhet:


Me rastin e 7 Shtatorit, në 15 vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ju shpreh urimet e mia të përzemërta.


Dita e 7 Shtatorit e vitit 1990 është një ditë e rëndësishme në historinë tonë të re, sepse u miratua Kushtetuta e Republikës së Kosovës, që u bë pas shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë në korrik të po atij viti.

Kjo i vuri themelet e shtetit të Kosovës, që u vërtetua me Referendumin për pavarësi dhe hapi perspektiva për ndërtimin e jetës shtetërore demokratike.

Dhashtë Zoti që sa më shpejt ta gëzojmë njohjen direkte të pavarësisë së vendit tonë nga Shtetetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, çfarë do të qetësonte popullin e Kosovës dhe këtë pjesë të Europës e të botës.

Filed Under: Analiza

JOSIP RELA DHE SHIME DESHPALI – DY ARBËNESH/ARBANAS TË SHQUAR

September 6, 2024 by s p

Josip Rela është shkrimtar shqiptar. Shkollën e mësuesisë e kreu në Zarë. Ka punuar si mësues në disa qytete të Kroacisë; drejtor i Teatrit Popullor në Zarë; njohës i mirë i jetës, i historisë dhe i gjuhës arkaike të arbëneshve/arbanasve të Zarës.

Fillimet e dramës shqiptare në Jugosllavi gjenden, jo brenda Kosovës, por në bregdetin e largët dalmat. Ashtu si poeti dhe tregimtari i hershëm Shime Deshpali (1897-1981), edhe Josip Vlladoviq Rela (1895-1966) lindi dhe u rrit në fshatin Arbënesh/Arbanasi (Borgo Erizzo), më pas rrethinë e Zarës (Zadar). Fshati u themelua në vitin 1726 nga shqiptarët e ardhur prej Brisku dhe Shestani në perëndim të liqenit të Shkodrës.

Rela në vendlindje kreu arsimin fillor dhe Shkollën normale. Në fillim punoi si mësues në ishullin Rab. Më vonë u bë drejtor teatri dhe drejtor shkolle në Zarë. Gjatë Luftës së Parë Botërore u angazhua për themelimin e shkollave shqipe në Vuthaj, Triesh, Priftën dhe Arzë (Malësi e Madhe).

Ishte poet, prozator dhe dramaturg i shquar. Shkroi poezi, tregime dhe komedi e drama. Është autor i 16 dramave në gjuhën shqipe. Më e njohura prej tyre është “Nita” (1954). Kjo dramë është e pëlqyer nga shumë lexues dhe është luajtur shpesh nga grupe teatrore në Kosovë.

Rela konsiderohet themelues i dramaturgjisë shqiptare në ish-Jugosllavi. “Nita” e Josip Relës është e para dramë e shkruar dhe e botuar në shqip në Jugosllavi.

Në vitin 1952, në revistën “Jeta e re” u botua drama e tij e parë “Martesa”. Kryevepra e tij, drama “Nita”, u botua në vitin 1954. Pas kësaj u ribotua disa herë në Prishtinë dhe në Tiranë. Në vitin 2014 u botua në Zarë në dy gjuhë – në shqip/arbërisht dhe në kroatisht. U vendos në skena teatrore nga grupe amatore dhe profesioniste.

* * *

Josip Rela ka botuar në shumë revista letrare shqipe të Kosovës. Veprat e përmbledhura të tij u botuan me titullin: “Vepra I, Dramat”, 1968 dhe “Vepra II, Poezi, prozë dhe shkrime të tjera”, 1968. Krijimet e Relës përbëjnë orvatjet e para serioze të dramës në gjuhën shqipe në Jugosllavi.

Krijimet letrare: “Kungulli” (1953), “Nita” (1954), “Lundërza e Jozhës” (1962), “Zani i fëmiut” (1963), “Vjersha” (1964), “Dila” (1965), “Dy drama” (1965), “Fisi i mallkuem” (1966), “Tallaset e dybejës” (1966), “Sot tetë ditë” (1968).

* * *

“Nita” – Është tragjedi në katër akte e cila evokon fatin tragjik të një vajze nga Brisku, e cila është zënë ngushtë midis dëshirave të saj dhe kanunit. Nitën e rrëmben një ushtar turk, por e shpëton Zefi, i cili e vret ushtarin. Për të shpëtuar nga hakmarrja e turqve, i gjithë fshati shtrëngohet të marrë arratinë. Vetëm Zefi, pasi u ka dhënë fjalën se do t’i ndjekë, mbetet në fshat, kurse Nita ia jep fjalën se do ta presë. Kalojnë tre vjet. Ajo i kishte humbur shpresat se do të takohej me Zefin. Për t’i shpëtuar trysnisë që po i bëhej për t’u martuar me dikë tjetër në vendin e ri ku kishin vajtur dhe për ta mbajtur fjalën e dhënë, sipas kanunit, Nita bëhet virgjineshë. Gjendja bëhet dramatike kur pas kohe mbërrin dhe del në skenë Zefi.

E dëshpëruar, Nita e shkel betimin, diçka kjo që nuk mund të merrej me mend në shoqërinë tradicionale shqiptare. Ndonëse Zefi në fund arrin t’i bindë pleqtë e fshatit se Nita kishte bërë një betim tjetër më parë për ta pritur dhe se kanuni nuk duhet zbatuar në mërgim.

Nita nuk gjen rrugë tjetër pos të vrasë veten.

Shënim: Virgjinat – Vajza të cilat sipas një zakoni të lashtë, për arsye të forta (p.sh. për ta marrë gjakun e vëllait a të atit, kur familja nuk kishte meshkuj të tjerë) zotoheshin botërisht se nuk do të martoheshin. Viheshin tërësisht apo pjesërisht si burrat, merrnin një emër mashkulli, rrinin ndër burra, pinin duhan, nuk bënin punë shtëpi, por ruanin bagëtinë, shpeshherë mbanin edhe armë. Në epikën popullore përmenden raste kur virgjinat kanë luftuar me trimëri të rrallë. Autorë të ndryshëm kanë përshkruar raste të kësaj dukurie të lashtë edhe në shekullin XX në Mat, Mirditë, Kurbin, Lumë, Malësi të Madhe, në Kosovë etj. Kohët e fundit me studimin e kësaj dukurie janë marrë edhe antropologu holandez Rene Gremo (René Grémaux, 1952- ) si dhe studiuesja e Mbretërisë së Bashkuar Antonia Jung (Antonia Young, 1936-2012), autore e studimit :

– “Sistemet fisnore të Shqipërisë së Veriut: Një studim historik i formimit dhe i konfliktit të identitetit etnik në luginën e lumit Shala”, (2005);

“Northern Albanian Tribal Systems: An Historical Study of Ethnic Identity Formation and Conflict in the Shala River Valley”, (2005);

– “Virgjëreshat e Betuara Shqiptare (Veshje, Trup, Kulturë)”;

“Albanian Sworn Virgins (Dress, Body, Culture)”.

* * *

POETI DHE TREGIMTARI SHIME DESHPALI

Shime Deshpali (Arbpënesh/Arbanas, Zarë, 16 shkurt 1897 – Zarë, 16 janar 1981) lindi dhe u rrit në fshatin Arbënesh/Arbanasi (Borgo Erizzo), më pas rrethinë e Zarës (Zadar). Është bashkëkombës dhe bashkëqytetar i dramaturgut Josip Rela.

Shime Deshpali është muzikant dhe shkrimtar. Lindi më 16 shkurt 1897 në Arbënesh/Arbanas afër Zarës. Vdiq më 16 janar 1981. Në vitet 1912-1915 u shkollua në Preparandën e Zarës ku mori edhe formimin muzikor. Te F. Lederer mësoi pianon dhe harmoninë, te F. Spade mësoi violinën, te J. Chládeka për dirigjent dhe instrumentim ndërsa te K. Mohr – kontrapunktin. Gjatë Luftës I Botërore (1915-1918) e ndërpreu shkollimin për shkak të vajtjes në luftë. Pas kthimit në Zarë vazhdoi të mësonte privatisht te F. Ledereri. Në vitet 1921-1943, në ishujt Hvar, Rab, Pag dhe Bllatë të Korçullës veproi si organizator i jetës muzikore, dirigjent, kompozitor dhe pedagog. Në vitin 1943 u bë drejtues artistik i grupit kulturor artistik të rrethit të Dubrovnikut. Në vitet 1944-1945 – dirigjent i orkestrës së Teatrit të Qarkut në Dubrovnik. Në vitin 1945 kthehet në Zarë dhe emërohet drejtues i Teatrit Popullor. Në vitet 1946-1973 iu përkushtua punës pedagogjike. Në Shkollën e muzikës të Zarës ligjëroi teorinë e muzikës. Në vitet 1946-1947, në gjimnazin klasik të Zarës ligjëroi edukimin muzikor. Në vitin 1947, në Shkollën e mësuesisë ligjëron teorinë e muzikës. Në vitin 1946 ka qenë dirigjent i Korit muzikor qendror të të rinjve, pastaj dirigjent i korit të përzier të Fakultetit Filozofik. Prej vitit 1951, dirigjent i korit të përzier të Shoqërisë kulturore arsimore “Arbanasi” me të cilin realizoi paraqitje të çmueshme. Kompozoi vepra për orkestrën me hark etj.

Gjashtë këngë korale iu botuan në përmbledhjen “Këngë shqiptare”, Prishtinë 1973. Shprehjen kompozicionale e zhvilloi duke u mbështetur në folklor. Shkroi poezi dhe tregime në të folmen e arbëneshve/arbanasve të Zarës.

Veprat: “Tregime arbnore”, Prishtinë 1966 dhe përmbledhjet poetike “Agimet dhe parabramjet e Arbneshit, Prishtinë 1969; “E vërteta”, Prishtinë 1972, me temë nga jeta e arbëreshëve të Zarës.

Dashuria për gjuhën dhe zakonet arbëreshe, lartësimi i virtyteve morale të arbëreshëve kanë qenë tema kryesore të shkrimeve të Shime Deshpalit. Shkrimet e tij shquhen nga nota romantike, çiltërsia e ndjenjave dhe thjeshtësia e shprehjes.

Hartoi këngë dhe libretin e muzikën e operës me temë patriotike “Vana”, të cilën e la të papërfunduar.

* * *

Shime Deshpali ka pasur tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë. Që të tre kanë qenë muzikantë, kompozitorë, dirigjentë.

– Pal/Pavle Shime Deshpali (Bllato/Blato, ishulli Korçullë/ Korçula, Kroaci, 18 qershor 1934 – Zagreb, 16 dhjetor 2021) ka qenë dirigjent, kompozitor, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kroacisë, djalë i Shime Deshpalit;

– Valter Shime Deshpali (Arbënesh/Arbanas, Zarë; 5 nëntor 1947 – Zagreb, 9 prill 2023) ka qenë violonçelist dhe profesor në Akademinë e Muzikës në Zagreb; një prej muzikantëve më të shquar kroat të shekullit XX, me prejardhje arbënesh, djalë i Shime Deshpalit;

– Maja (Maria) Shime Deshpali-Begoviq (Bllato/Blato të Korçullës/Korçula*, 6 maj 1942- ) ka qenë violiniste dhe pedagoge, e bija e Shime Deshpalit;

Shënim: Korçulla është ishull kroat në Adriatik; supozohet se aty ka lindur hulumtuesi dhe udhëpërshkruesi venedikas Marko Polo (1254-1324); Në vitet 1271-1295 udhëtoi nëpër shumë vende të botës.

* * *

Takimi me Shime Deshpalin – Studentët shqiptarë që studionin në Universitetin e Beogradit tuboheshin në Klubin “Përpjekja”, me seli në Qytetin e Studentëve në Beogradin e Ri. Në vitin 1979 Klubi i sipërthënë vendosi të mbajë një koncert me këngë dhe valle popullore shqiptare në Zarë. Koncerti do të mbahej për arbëneshët/arbanasit e Zarës, por edhe për qytetarët në përgjithësi. Mbajtja e koncertit u miratua nga organet kompetente të pushtetit vendor të Zarës. Hyrja ishte falas. Për shkak të interesimit të madh, koncerti duhej të mbahej, jo në Pallatin e kulturës por në sallën e sporteve që merrte rreth dhjetë mijë shikues. Klubi e kishte edhe revistën e vet me të njëjtin emërtim – “Përpjekja”. Aty botonin studentët, por edhe disa krijues letrarë të Kosovës, themelues të dikurshëm të “Përpjekjes”.

Organizuesit e koncertit më ngarkuan të takohem me Shime Deshpalin për ta ftuar në koncert. Njëherazi, në cilësinë e kryeredaktorit të revistës, të bëja një intervistë me muzikantin dhe shkrimtarin. Arbëneshi/arbanasi Bruno Duka ma dha numrin e telefonit dhe ma tregoi adresën e shtëpisë. Të gjithë arbëneshët/arbanasit, i madh e i vogël, me të cilët jemi takuar, flisnin shqip rrjedhshëm.

Shime Deshpali më priti me bujari. Pos shërbyeses, s’kishte kush tjetër në shtëpi. U përshëndetëm dhe i këmbyem fjalët e para të njoftimit të ndërsjellë. Ndërkohë, në një hapësirë të sallonit të madh më ra në sy monumenti i Gjergj Kastriotit mbi kalë. Ishte me përmasa mbi një metër i gjatë dhe po aq i lartë. S’kisha parë monument mbi kalë përmasash të tilla.

Pa humbur kohë, i thashë: “Maestro! Kemi ardhur për tri arsye”:

– t’Ju vizitojmë, t’Ju takojmë dhe t’Ju përshëndesim;

– t’Jua dorëzojmë ftesën e studentëve të “Përpjekjes” që të merrni pjesë në koncertin që do të mbahet sonte në orën 19 e 30 minuta në sallën e sporteve të qytetit; si dhe

– të realizojmë një intervistë për jetën Tuaj si muzikant dhe si shkrimtar, për familjen Tuaj, si një familje kompozitorësh si dhe për historinë dhe të tashmen e arbëneshve/arbanasve.

Ia bëra me dije se intervista do të botohej në revistën “Përpjekja” të Klubit.

Ndërkohë hyri shërbyesja me një shishe konjaku “Skënderbe” dhe me tri gota të vendosura mbi një tabaka.

Ia bëra me dije se para se të vinim tek ai, studentët, rreth dyzet sish, bënë homazh dhe vendosën lule mbi varrin e Josip Relës.

Deshpali u falënderua për vizitën. Për shkak të moshës nuk mund të vinte në koncert. Më pyeti në bëhet fjalë për koncert muzike klasike. I tregova se evenimenti muzikor ka të bëjë me këngë dhe valle popullore shqiptare. Etnografia, veshjet popullore shqiptare dhe koreografia e reflektojnë realitetin popullor kombëtar.

Me të dëgjuar për përmbajtjen e koncertit, u mallëngjye. Kishte dëshirë të madhe të shihte, të dëgjonte dhe të shijonte një koncert të gjallë me këngë, valle dhe veshje popullore shqiptare.

Para se të fillonte intervista, përgjegjësi për çështje të pajisjeve teknike, Fran Prelvukaj i përgatiti mjetet teknike të incizimit të zërit.

Në fillim poeti foli për jetën e vet dhe të familjes së vet. E ngriti lartë personalitetin e Josip Relës. Tregoi se ishte takuar disa herë me akademikun Idriz Ajet (Tupallë, Medvegjë, Kosovë lindore, 26 qershor 1917 – Prishtinë, 13 shkurt 2019).

Pjesa kryesore e intervistës kishte të bënte me të kaluarën dhe të tashmen e arbëneshve/arbanasve të Zarës.

Revistën “Përpjekja” me intervistën e botuar ia dërguam Deshpalit pas një muaji, në rrugën postare.

* * *

Shumë arbëneshë/arbanas që ende jetojnë në atë pjesë të Zarës, sot e kësaj dite flasin shqip. Shumë rrugë dhe institucione mbajnë emra personalitetesh të historisë dhe të kulturës shqiptare. Për shembull Rr. “Bregdeti”, Rr. “Fra Gjergj Fishta” etj. Në një pjesë të Zarës ndodhet edhe busti i Shime Deshpalit.

Prof. Xhelal Zejneli

Filed Under: Fejton

Ne të gjithë luajmë lojën e statusit, por kush janë fituesit e vërtetë?

September 6, 2024 by s p

Artan Nati/

Vendosni çdo grup njerëzish së bashku dhe pothuajse menjëherë ata do të fillojnë të përpiqen të kuptojnë se kush duhet të udhëheqë, kush është më i denjë për respekt dhe kush duhet lavdëruar dhe imituar. Jo vetëm kaq, por secili prej nesh mbart një ndjenjë se ku qëndrojmë në atë hierarki dhe shumë prej nesh shkojnë në gjasa ekstreme për t’u ngjitur në majë.

Jeta është një lojë. Të kuptosh këtë do të thotë të kuptosh pse bota njerëzore mund të jetë kaq e çmendur, e zemëruar dhe e paarsyeshme. Sjellja e politikanëve, analistëve politikë, prezantueseve në televizion si dhe e figurave publike, teoricienëve të konspiracionit, fondamentalistëve fetarë dhe mafiozëve në internet bëhet shumë më e shpjegueshme kur kupton se njerëzit janë të programuar nga evolucioni për t’u interesuar në mënyrë obsesive për statusin dhe se ky obsesion është mjaft i fuqishëm për të kapërcyer vullnetin për të qenë të barabartë,për të vërtetën ose ndjenjën e dhembshurisë bujare për rivalët tanë.

Ne luajmë lojëra për status përherë dhe automatikisht. Ne e bëjmë këtë sepse është një zgjidhje që speciet tona kanë gjetur për të siguruar mbijetesën dhe riprodhimin tonë. Si një kafshë shoqërore dhe tribale, mbijetesa jonë është varur gjithmonë nga pranimi ynë në një komunitet. Por kur hyjmë në ndonjë grup, ne rrallë jemi të kënaqur të biem në shkallët më të ulëta të tij. Ne jemi të shtyrë të ngrihemi brenda tij. Në epokën e gurit, rritja e statusit nënkuptonte akses për bashkëshortë më të mirë, më shumë ushqim dhe siguri më të madhe për veten dhe pasardhësit tanë. Sa më shumë status të fitojmë, aq më i madh është kapaciteti ynë për të lulëzuar dhe për të pasur fëmijë të suksesshëm. Pra, ne jemi të shtyrë të kërkojmë lidhje dhe renditje, të pranohemi në grupe dhe të fitojmë statusin brenda tyre. Kjo është loja e jetës njerëzore.

Kur jemi shumë të varur nga statusi, këta njerëz ne i quajmë psikopatë, sociopatë ose ndoshta politikanë. Duket sikur të paktën këtu në Shqipëri kjo merr një kuptim të veçantë dhe unik. Njerëzit te ne janë krijesa jashtëzakonisht imagjinare që përdorin pothuajse çdo gjë për të simbolizuar statusin: paranë, ndjekësit në mediat sociale, shijet letrare, fuqinë, markën e një ore ose linjat e trupit. Lufta për status bëhet ndërmjet individëve, grupeve shoqërore, partive politike, besimeve fetare si edhe kombeve etj.

Kështu ishte rasti i fundit me aktorin e humorit nga Kosova, Osman Azemi, i cili u shpreh ditët e fundit se “ shqiptarët e Shqipërisë janë xhelozë për ata të Kosovës”. Ndonëse ishte shaka siç do të pretendonte ai më vonë, por kjo “shaka” përmban shumë të vërteta që shpesh kanë shkaktuar dhe vazhdojnë të shkaktojnë tragjedi në jetën e shqiptarëve si individ dhe si komb. Në rastin konkret Osman Azemi mendoi se mund të fitonte vëmendje dhe status duke përkëdhelur sedrën e popullit kosovar në kurriz të popullit shqiptar, që në fakt përbëjnë një komb, kombin shqiptar. Fakti është se populli shqiptar i ndarë imagjinarisht më dysh është i varur reciprokisht nga njeri tjetri si për mbijetesë kombëtare ashtu edhe për prosperitet ekonomik. Përpjekja për madhështi së bashku jo kundër njëri-tjetrit është është rruga drejt civilizimit ndërsa konkurenca dhe fyerja janë ligji i xhunglës. Kjo do të thotë se ne nuk duhet të bëjmë gjërat e duhura për arsye të gabuara. Çështja nuk është të fyesh grupin tjetër(nqs mund të shprehemi kështu) ose ta përulësh tjetrin. Vlera e punës sonë, e qenies sonë, nuk vjen nga ngritja mbi një konkurrent të imagjinuar, por nga origjinaliteti i krijimit tonë. Ky fenomen tipik negativ i kulturës sonë u përsërit në zgjedhje e Himarës për kryetar bashkie, kur opozita për interesa të ngushta, por në dëm të vendit, zgjodhi si kandidat Belerin me të kaluar kriminale si edhe me kapacitet të limituar intelektual, por antishqiptar dhe për interesa të ulëta e konsideron veten minoritar dhe filogrek. Ky fenomen është trajtuar me mjeshtëri nga Ismail Kadare te libri i tij “Dosja H”, ku serbët shfrytëzojnë injorancën dhe xhelozinë tonë në dëm të interesave kombëtare. Këto reagime të përditëshme mund të ketë marrë shkasë ndoshta edhe nga marrëdhëniet fëminore të dy kryeministrave tanë, të cilët fokusohen, në rastin e Ramës, të fitojë mbështetjen e ndërkombëtarëve në kurriz të harmonisë mbarëkombëtare dhe Kurti mundohet të sigurojë mbështetje të brendshme në kurriz të një zgjidhje afatgjatë të qëndrueshme në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar dhe pjesën tjetër të kombit. Ndjekja e statusit është gjithashtu arësyeja për disa nga gjërat më të mira që qeniet njerëzore kanë krijuar ndonjëherë. Na frymëzon të krijojmë, të ndjekim qëllime të larta dhe të fitojmë sukses që i shtojnë vlerë grupit tonë dhe e bëjnë jetën e të gjithëve brenda atij grupi edhe më të mirë. Statusi është përgjegjës për më të mirën dhe më të keqen e gjithçkaje. Dua Lipa, që përmendet si faktor krenarie nga aktori i humorit, gjithmonë thotë se është shqiptare, biles ka edhe nënshtetësi shqiptare, krenohet me origjinën e saj dhe e përmend vazhdimisht këtë fakt, megjithëse ka lindur në Angli dhe është nënshtetëse angleze. Gjithashtu Ismail Kadareja ka kontrubuar dhe është i respektuar në gjithë hapësirën shqiptare në Ballkan. Shembulli i shqiptarëve nga të gjitha trevat shqiptare, të cilët menduan për statusin e Shqipërisë, me shpalljen e pavarësisë si objektiv final, është një moment kulminant në ngritjen e statusit të Shqipërisë natyrale.

Në fund duhet të kemi të qartë se qëllimi i jetës nuk është statusi e fitorja, por zbulimi i talentit dhe i pasioneve tona duke e jetuar jetën në mënyrën tonë, pavarësisht nga rezultati. Nuk kemi nevojë të ndjekim duartrokitjet dhe pëlqimet në mediat sociale, por paqen e brendshme. Nuk kemi nevojë të krijojmë grupet tona imagjinare të mbështetësve apo ndjekësve në facebook brenda ose jashtë grupeve për t’u matur, por përkundrazi të pranojmë rrugën në të cilën jemi.

Loja e statusit është joshëse, është e vërtetë. Por fitorja e vërtetë nuk qëndron në tejkalimin e të tjerëve, por në gjetjen e vlerës tek vetja pa krahasim. Ambiciet dhe krahasimet janë të pafund dhe gjithmon do të gjendet dikush që do të jetë me status më të lartë, por ne duhet të mësojmë të gjejmë gëzim në aktin e thjeshtë të arritjes, pavarësisht nga rezultati. Duke bashkërenduar dëshirat tona dhe harmonizuar ato në mënyrë që të rrisim vlerat tona dhe të vendit dhe jo si garë në kurriz të personave ose grupeve të tjera, është shërbimi dhe qëllimi final i jetës.

Filed Under: Analiza

IN MEMORIAM, LAMTUMIRË I DASHUR ASTRIT LULUSHI

September 6, 2024 by s p

Prof.as.dr. Thanas L. Gjika/

Më 4 shtator 2024 u nda nga jeta para kohe gazetari, analisti, shkrimtari, përkthyesi i talentuar dhe filozofi i thukët Astrit Lulushi. Për të shkruan kolegët Ilir Ikonomi, Frank Shkreli, Ruben Avxhiu, etj. Shumë prej nesh që kemi pasur lidhje miqësore, ngushëlluam familjen dhe miqtë.

Unë kam qenë dhe jam një nga simpatizantët më të mëdhenj të Astritit e të shkrimeve, si dhe të stilit të tij konçiz. Kam shkruar disa vlerësime për shkrime të veçanta, kam këmbyer letra, hartova një portret-biografi mjaft të plotë më 2022 dhe para disa javësh botova tek “Dielli” një analizë për librin e Tij të ri. Po e risjell në përkujtim të Tij.

VLERËSIME

PËR LIBRIN “PËRSHKËNDIJIME (PËRSIATJE)” TE ASTRIT LULUSHIT.

Në faqet e gazetës mujore “Dielli” të Federatës Pan Shqiptare VATRA bien në sy një varg krijuesish me interesa të gjera kultorore, shkencore e politiko-shoqërore, të cilët në shkrimet e tyre trajtojnë probleme pa nxitur polemikë me mendimet e atyre që mendojnë ndryshe nga programi i Vatrës. Këtë frymë Rugoviste e ka përforcuar edhe më kjo gazetë mbas zgjedhjes së Dr. Elmi Berisha në detyrën e Presidentit të federatës.

Midis këtyre intelektualëve krijues të diasporës sonë bie në sy Astrit Lulushi, ish gazetar i Zërit të Amerikës. Shumë nga ne kanë lexuar përmbledhjet e tij me shkrime shkencore e letrare, analizat me përmbajtje filozofike e sociale botuar në faqet e gazetave “Dielli”, “Illyria”, etj. Në vitin 2022 shkrova ese-portretin “NJË BIR I SHQUAR I DIASPORËS (Portret biografi dhe vlerësime për jetën e veprën e Astrit Lulushit), ku dhashë vlerësime për jetën e tij që karakterizohet nga sakrificat, guximi dhe inteligjenca; theksova karakterin dhe vlerat e librit madhor “Fjalori Enciklopedik…”, mësimet e tij për dënimin e krimeve të diktaturës komuniste, vlerat e artikujve kritikë shkencorë për vepra letrare e shkencore, që ai i kishte analizuar, dhe arritjet e tij si poet origjinal e përkthyes i soneteve te Shekspirit.

Një aspekt specifik i shkrimeve të Lulushit është krijimi i sentencave dhe fjalëve të mençura origjinale, prandaj në ese-portretin përkatës, nxora një varg thëniesh të tilla, të cilat i rendita në sythin me titull “Thënie të arta të A. Lulushit”. Këto thënie, të cilat ky autor po i shton gjithnjë e më shumë në shkrimet e veta, vlejnë të mësohen përmendësh e të citohen në situata të nevojshme.

Po ndalem të vlerësoj disa aspekte të librit të ri të A. Lulushitri “Përshkëndijime (përsiatje)” botim i TIRANA L. TIMES 2024, 349 f. paraprirë nga parathënia e studiuesit të mirënjohur Fotaq Andrea. Në parathënie theksohet se në shkrimet e Lulushit ka “shpërthime ngjyrash të zjarrta, dritësime mendimi, ndriçime e përshkënditje, si trok i shpejtë i kalit që hovet guximshëm mbi stërkalat ylberore të një ujëvare ndijimesh apo ndjesimesh me gjerësi e thellësi Niagare.” (f. 4).

Së pari po përpiqem të qemtoj vlera të reja të këtij autori si enciklopedist, kritik letrar e vëzhgues i hollë i proceseve socio-politike që kanë ndodhur e ndodhin rreth botës shqiptare.

Autori, i nisur nga dëshira për ta pajisur lexuesin me njohuri nga shumë dije, ka futur në këtë përmbledhje momente të ndryshme të historisë së Europës e të botës duke u ndalur në aspekte të ndryshme të jetës e të bëmave të figurave të shquara të antikitetit greko-romak e pas tij , si dhe probleme të ndryshme të shkencave historike, të moralit, filozofisë, etj.

Aleksandri i Madh u lind e u rrit në familjen mbretërore të Filipit të II, i cili ishte martuar me princeshën epirote Olimbia. Vetë Filipi i II, themeluesi i shtetit maqedon, ishte bir i një nëne ilire nga fisi i Enkelejve. Në familjen mbretërore të Filipit të II flitej ilirishtja e nënës së tij ilire dhe e Olimbisë, gruas të tij ilire-epirote. Lulushi sjell të dhënën interesante se Aleksandri në moshën 7-vjeçare filloi stërvitjet rigoroze nën drejtimin e të afërmit të familjes, epirotit Leonidha; dhe mbas 8 vjetësh, në moshën 15-vjeçare iu dha për edukim filozofit të shquar maqedonas, Aristotelit. Ky dijetar, i cili dinte mirë krahas ilirishtes, si gjuhë amëtare dhe greqishten, gjuhën e kulturës e të komunkimit në mbarë Mesdheun. Ai e brumosi djaloshin gjatë tre vjetve duke i mësuar krahas njohurive të shumta shkencore dhe poemën “Iliada” të Omerit, të cilën Aleksandri e mbante më vonë gjithnjë me vete. Në moshën 18-vjeçare formimi ushtarak dhe dituror i Aleksandrit mori fund. Ai nisi rrugën e lavdisë, krijimin e Perandorisë Maqedone, ku përfshiu gadishullin Azia e Vogël, Egjiptin, Perandorinë Persiane, dhe e shtriu shtetin e vet deri në Afganistan e në kufi me Indinë.

Pas vdekjes së Aleksandrit të Madh, përfundon Lulushi, “Athina u rebelua kundër sundimit maqedonas dhe situata e Aristotelit u bë e pasigurt”. Për të mos u dënuar me vdekje, filozofi iku në ishullin Eubea, duke thënë: “Unë nuk do t’i lejoj athinasit të mëkatojnë dy herë kundër filozofisë”, mbasi disa vjet më parë gjykata e Athinës kishte dënuar me vdekje Sokratin, filozofin tjetër të shquar (f. 13).

Analisti dhe filozofi Lulushi karakterizohet nga optimizmi dhe besimi në fitoren e së mirës. “Mendimi pozitiv na bën më elastik përballë vështirësive… Herët a vonë, njeriu që fiton është ai që mendon se mundet… Optimizmi i përhershëm është një shumëfishues i forcës… Mendimtari pozitiv sheh të padukshmen, ndjen të paprekshmen dhe arrin të pamundurën. Besoni se mundeni dhe jeni në gjysmë të rrugës [së fitores] (f. 25-26). Edhe më tej ai shton: “Kur ju refuzoheni, nuk keni dështuar. Në fakt keni kaluar një tjetër moment historik” (f. 211); “Nuk ka kreativitet, pa dështim” (f. 212), etj.

Rruga e vetme drejt suksesit sipas Lulushit është këmbëngulja, prandaj ai sjell në vëmendje jetën plot dështime gjatë viteve të para të emigrantit italian Silvester Stallone, dhe këmbënguljen e tij drejt suksesit. Djaloshi Stallone në fillim të mërgimit humbi gjithçka, por me punë ariti t’i imponohej studios së Holywood-it. Ia pranuan skenarin për filmin “ROCKY” dhe kërkesën që ai të luante rolin kryesor të heroit. Ky film mori disa çmime Oscar, dhe Silvester Stallone fitoi titullin “Aktori më i mirë”, etj. Së fundi Lulushi gjen rastin të na nxitë krenarinë ne pasardhësve të Gjergj Kastriotit, Skënderbeut duke e mbyllur shkrimin me deklaratën e aktorit të famshëm: “Gjyshërit e mij janë arbëreshë nga Italia” (f. 216).

Si njohës i shkrimeve të shenjta dhe i besimeve të ndryshme fetare, ky autor sjell disa sentenca nga “Bibla”, “Kurani”, “Rig Vedat”, dhe të urtit e lashtë kinezë. Ai shpall: “Çdo fe e bën njeriun humanist” (f. 61), dhe pastaj sjell citime nga mësimet humane të judaizmit, krishtërimit, islamizmit, hinduizmit, budizmit, etj (f. 265-267).

Në mbështetje të optimizmit të tij ai sjell dhe shumë mësime të Gandit e të Nënë Terezës. Atë që populli ynë e ka thënë prej kohësh shkurt: “I forti fal, i dobti hakmerret”, filozofi indian Gand e ka riformualuar pak më gjatë: “jodhuna nuk është armë e të dobëtit, por e më të fortit dhe më të guximshmit” (f. 62, f. 138). Si e dijmë, kjo rrugë shpuri Gandin dhe I. Rugovën tek fitorja e pararësisë së vendeve të tyre.

Optimizëm ngjall dhe krahasimi që bën autori midis dritës dhe dijes. Drita është një forcë e pazhdukshme, që mund të transformohet në energji, por nuk zhduket; po ashtu edhe dija. Ai ngul këmbë: “dija kur fitohet nga mendja, mund të dobësohet… por përfundimisht ndriçon, dhe e zgjon njeriun nga gjumi (f. 48).

Lulushi kujton plagën e coptimit të trojeve shqiptare në vitet 1912-1913 dhe ndalet tek mungesa e përpjekjeve të qeveritarëve të Shqipërisë Londineze gjatë viteve për t’i ndrequr kufijtë e shtetit të vet në gjithë trojet amëtare ku mbizotëron populli shqiptar. Me të drejtë ai shfryn: “ udhëheqja e saj [e Shqipërisë] është treguar e aftë vetëm për ta shtypur, izoluar e vjedhur popullin e vet… Të kundërtën kanë bërë e bëjnë fqinjët; Athina zyrtare – pa pranuar të përmendet çështja Çame – e quan Himarën greke; edhe Serbia – pa asnjë fjalë për Luginën e Preshevës, Medvegjen e Bujanocin – pretendon Kosovën… Shqipëria gjithnjë ka pasur bij plangprishës në udhëheqje të saj (f.49, 51).

Mund të shtohej këtu dhe fakti se Athina dhe Beogradi nuk kanë njohur e nuk duan të njohin masakrat e shumta që kanë kryer ushtritë e tyre ndaj popullit shqiptar gjatë shek. XIX-XX-të, etj.

Në historinë e Shqipërisë, autorin e ka tërhequr dhe periudha e diktaturës komuniste, të cilën shumë nostalgjikë të saj, si dhe shumë filma të Kinostudios e quajnë “epokë e artë”, kurse studiuesi thotë se periudha kur të gjithë heronjtë shqiptarë ranë me emrin e partisë në gojë, kurse të tjerëve, atyre që mendonin ndryshe, iu dha damka e tradhëtarit; pa thënë se ishte luftë civile (f. 59), shpalos mendimin origjinal të tij, se periudha e viteve 1944 – 1991 ka qenë luftë civile, pra aspak e artë.

Filozofi Astrit Lulushi bashkohet me Gandin lidhur me nevojën e faljes ndaj gabimeve e krimeve: “Hakmarrja ‘një sy për një sy’, vetëm do ta bejë botën të verbër… Mirësjellja dhe respekti i ndërsjellë është themeli i kulturës… Ligji i dashurisë nuk njeh kufijtë e hapësirës dhe të kohës” (f. 63); “Liria nuk vlen nëse nuk përfshin lirinë për të bërë gabime (f. 72).

Nuk mungojnë edhe mësime nga kultura moderne europiane: “budallenjtë nxitojnë”; “të mësuarit pak është një gjë e rrezikshme”;“të gabosh është njerëzore” (f. 71) mësime të formuluara prej shkrimtarit anglez Aleksandër Pope që në vitin 1711. Kësaj shprehjes së fundit studiuesi ynë i shton sentencën e Papës “Të gabosh është njerëzore, të falësh është hyjnore” (f.71). Këmbëngulja e Abraham Linkolnit për të shkatërruar sistemin e skllavërisë e ka tërhequr autorin e librit, prandaj ai citon nga një letër e këtij udhëheqësi amerikan: “Nëse skllavëria nuk është e gabuar, asgjë nuk është e gabuar” (f. 126).

Duke u përpjekur të mbrojë moralin e shëndoshë dhe të flakë tutje moralin e gabuar që ushqeu partia-shtet gjatë sundimit të saj diktatorial, studiuesi dënon këmbënguljen e shumë krijuesve të poemave, romaneve, filmave të realizmit socialist, të cilët edhe pas vitit 1991, pra pas dështimit me turp të sistemit komunist, vijuan të thoshin se e kishin edukuar drejt rininë shqiptare me mësimet e partisë; se “nëna e vërtetë e çdo shqiptari ishte partia”; se spiunimi i miqve, i nënës dhe i babës ishte veprim i drejtë, etj. Këto mësime dhe këmbëngulja e autorëve të atyre veprave dhe mbështetja që u bën qeveria e sotme socialiste atyre veprave dhe autorëve duke i vlerësuar me tituj nderi e çmime, për Lulushin janë një “gabim i pafalshëm” (f. 74-75).

Trajtohen dhe probleme të politikës aktuale ndërkombëtare. Kërkesa e Hamasit për të realizuar një revolucion socialist për të zhdukur Izraelin “shtypës”, sipas Lulushit, është e ngjashme me lëvizjen e partisë bollshevike e të partive komuniste që sollën në pushtet diktaturat, pra një përpjekje që nuk duhet përkrahur.

Me vlerë janë dhe disa kritika ndaj autorëve të lashtë grekë si Herodoti, i cili shtrembëroi shumë fakte historike. Në këtë aspekt, studiuesi sjell thënien e historianit romak Plutarku se “Herodoti lavdëron athinasit që flasin keq për gjithë të tjerët” (f. 86), e këtu ne shqiptarët duhet të kemi parasysh dhe sharjet e kritikat e këtij historiani ndaj popullsisë pellage dhe ilire.

Pa qenë studiues i mirëfilltë i Astronomisë, autori jep mendimin e vet të guximshëm se “krijimi i universit është jashtë shkencës së njohur; është vetëm temë kryesore në fushën e spekulimeve… edhe pse ka një mbizotërim të provave të vëzhgueshme se universi kishte një fillim dhe ka evoluar” (f. 120).

Një nga sentencat, mendimet e arta të autorit të librit, që mendoj se vlen ta ketë para sysh çdo lexues në punën e vet, është: “nga jeta njeriu mëson se suksesi nuk matet aq shumë nga pozicioni që dikush ka arritur në jetë, sesa nga pengesat që ka kapërcyer gjatë punës për të pasur sukses (f. 190).

Nuk mund të mos e përgëzoj Lulushin edhe për mendimin: “udhëheqësi bëhet diktator për të pasuruar rrethin e tij dhe veten. Fatmirësisht, ata nuk sundojnë gjatë; diskreditohen nga korrupsioni i tyre” (f. 231), mendim i cili më mbush me shpresë për një të ardhme të shëndetshme të atdheut tim të origjinës.

Origjinal më tingëllon karakterizimi që ky autor u bën njerëve duke i ndarë në tri kategori: “Budallai as nuk fal, as nuk harron; naivi fal dhe harron; i mençuri fal, por nuk harron” (f. 303).

Nga përvoja e vet dhe leximet e shumta, Lulushi jep një këshillë mbi pasurinë: “nuk ka rëndësi se sa keni; [e rëndësishme] është mënyra se si e menaxhoni atë që keni” (f. 306).

Shumë diskutime janë hapur sot mbi qytetërimin perëndimor, a ka të ardhme, apo po shkon drejt falimentimit, etj. Lulushi ndalet në trajtimin e vlerave të qytetërimit perëndimor dhe në theksimin e tipareve të tij: “Qytetërimi perëndimor nuk është ‘perfekt’; nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë i tillë, por ia vlen ta mbrojmë me gjithë të metat e tij, sepse ka çuar në shoqëri që janë më të lira dhe më të begata se kudo tjetër në botë… Perëndimi është bërë më pak fetar, më pak nacionalist dhe më pak luftarak” (f. 308-309).

Astrit Lulushi do të mbetet model edhe përsa i përket përpjekjes së tij për t’i bërë pronë të lexuesve shkrimet e veta në variantin e punuar maksimal. Ai ndiqte rrugën e popullarizimit të shkrimve të veta duke i botuar së pari tek gazetat “Dielli”, “Illyria”, në faqe interneti, etj e pastaj i përmblidhte në libra. Kjo është rruga më e mirë, sepse botimi në libra është më praktik se botimi nëpër gazeta e faqe interneti. Kopjet e një libri shpërndahen/ shiten në më shumë persona sesa abonuesit e gazetës dhe lexuesit e faqeve të internetit, ato ruhen në bibliotekat familjare e ato shtetërore, ku mund të shfrytëzohen më kollaj e në çdo kohë në krahasim me koleksionet e gazetave. Ripunimi dhe ribotimi në libër i shkrimeve të një krijuesi prej vetë autorit, përbën atë, që studiuesit e quajnë “vullneti i fundit i autorit”. Ky stad botimi i ndihmon sturiuesit e krijimtarisë së autorëve që të mbështeten tek varianti i ripunuar, pra tek varianti më i mirë i shkrimeve. Nga ana tjetër shkrimet e botuara vetëm nëpër gazeta e faqe interneti, pa u ribotuar prej autorëve në libra, rrezikohen të humbasin, ose të dëmtohen gjatë ribotimeve nga të tjerët…

I përjetshëm qoftë kujtimi i gazetarit, shkrimtarit, përkthyesit të talentuar dhe filozofit të pjekur e konçiz Astrit Lulushi!

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT