Artan Nati/
Vendosni çdo grup njerëzish së bashku dhe pothuajse menjëherë ata do të fillojnë të përpiqen të kuptojnë se kush duhet të udhëheqë, kush është më i denjë për respekt dhe kush duhet lavdëruar dhe imituar. Jo vetëm kaq, por secili prej nesh mbart një ndjenjë se ku qëndrojmë në atë hierarki dhe shumë prej nesh shkojnë në gjasa ekstreme për t’u ngjitur në majë.
Jeta është një lojë. Të kuptosh këtë do të thotë të kuptosh pse bota njerëzore mund të jetë kaq e çmendur, e zemëruar dhe e paarsyeshme. Sjellja e politikanëve, analistëve politikë, prezantueseve në televizion si dhe e figurave publike, teoricienëve të konspiracionit, fondamentalistëve fetarë dhe mafiozëve në internet bëhet shumë më e shpjegueshme kur kupton se njerëzit janë të programuar nga evolucioni për t’u interesuar në mënyrë obsesive për statusin dhe se ky obsesion është mjaft i fuqishëm për të kapërcyer vullnetin për të qenë të barabartë,për të vërtetën ose ndjenjën e dhembshurisë bujare për rivalët tanë.
Ne luajmë lojëra për status përherë dhe automatikisht. Ne e bëjmë këtë sepse është një zgjidhje që speciet tona kanë gjetur për të siguruar mbijetesën dhe riprodhimin tonë. Si një kafshë shoqërore dhe tribale, mbijetesa jonë është varur gjithmonë nga pranimi ynë në një komunitet. Por kur hyjmë në ndonjë grup, ne rrallë jemi të kënaqur të biem në shkallët më të ulëta të tij. Ne jemi të shtyrë të ngrihemi brenda tij. Në epokën e gurit, rritja e statusit nënkuptonte akses për bashkëshortë më të mirë, më shumë ushqim dhe siguri më të madhe për veten dhe pasardhësit tanë. Sa më shumë status të fitojmë, aq më i madh është kapaciteti ynë për të lulëzuar dhe për të pasur fëmijë të suksesshëm. Pra, ne jemi të shtyrë të kërkojmë lidhje dhe renditje, të pranohemi në grupe dhe të fitojmë statusin brenda tyre. Kjo është loja e jetës njerëzore.
Kur jemi shumë të varur nga statusi, këta njerëz ne i quajmë psikopatë, sociopatë ose ndoshta politikanë. Duket sikur të paktën këtu në Shqipëri kjo merr një kuptim të veçantë dhe unik. Njerëzit te ne janë krijesa jashtëzakonisht imagjinare që përdorin pothuajse çdo gjë për të simbolizuar statusin: paranë, ndjekësit në mediat sociale, shijet letrare, fuqinë, markën e një ore ose linjat e trupit. Lufta për status bëhet ndërmjet individëve, grupeve shoqërore, partive politike, besimeve fetare si edhe kombeve etj.
Kështu ishte rasti i fundit me aktorin e humorit nga Kosova, Osman Azemi, i cili u shpreh ditët e fundit se “ shqiptarët e Shqipërisë janë xhelozë për ata të Kosovës”. Ndonëse ishte shaka siç do të pretendonte ai më vonë, por kjo “shaka” përmban shumë të vërteta që shpesh kanë shkaktuar dhe vazhdojnë të shkaktojnë tragjedi në jetën e shqiptarëve si individ dhe si komb. Në rastin konkret Osman Azemi mendoi se mund të fitonte vëmendje dhe status duke përkëdhelur sedrën e popullit kosovar në kurriz të popullit shqiptar, që në fakt përbëjnë një komb, kombin shqiptar. Fakti është se populli shqiptar i ndarë imagjinarisht më dysh është i varur reciprokisht nga njeri tjetri si për mbijetesë kombëtare ashtu edhe për prosperitet ekonomik. Përpjekja për madhështi së bashku jo kundër njëri-tjetrit është është rruga drejt civilizimit ndërsa konkurenca dhe fyerja janë ligji i xhunglës. Kjo do të thotë se ne nuk duhet të bëjmë gjërat e duhura për arsye të gabuara. Çështja nuk është të fyesh grupin tjetër(nqs mund të shprehemi kështu) ose ta përulësh tjetrin. Vlera e punës sonë, e qenies sonë, nuk vjen nga ngritja mbi një konkurrent të imagjinuar, por nga origjinaliteti i krijimit tonë. Ky fenomen tipik negativ i kulturës sonë u përsërit në zgjedhje e Himarës për kryetar bashkie, kur opozita për interesa të ngushta, por në dëm të vendit, zgjodhi si kandidat Belerin me të kaluar kriminale si edhe me kapacitet të limituar intelektual, por antishqiptar dhe për interesa të ulëta e konsideron veten minoritar dhe filogrek. Ky fenomen është trajtuar me mjeshtëri nga Ismail Kadare te libri i tij “Dosja H”, ku serbët shfrytëzojnë injorancën dhe xhelozinë tonë në dëm të interesave kombëtare. Këto reagime të përditëshme mund të ketë marrë shkasë ndoshta edhe nga marrëdhëniet fëminore të dy kryeministrave tanë, të cilët fokusohen, në rastin e Ramës, të fitojë mbështetjen e ndërkombëtarëve në kurriz të harmonisë mbarëkombëtare dhe Kurti mundohet të sigurojë mbështetje të brendshme në kurriz të një zgjidhje afatgjatë të qëndrueshme në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar dhe pjesën tjetër të kombit. Ndjekja e statusit është gjithashtu arësyeja për disa nga gjërat më të mira që qeniet njerëzore kanë krijuar ndonjëherë. Na frymëzon të krijojmë, të ndjekim qëllime të larta dhe të fitojmë sukses që i shtojnë vlerë grupit tonë dhe e bëjnë jetën e të gjithëve brenda atij grupi edhe më të mirë. Statusi është përgjegjës për më të mirën dhe më të keqen e gjithçkaje. Dua Lipa, që përmendet si faktor krenarie nga aktori i humorit, gjithmonë thotë se është shqiptare, biles ka edhe nënshtetësi shqiptare, krenohet me origjinën e saj dhe e përmend vazhdimisht këtë fakt, megjithëse ka lindur në Angli dhe është nënshtetëse angleze. Gjithashtu Ismail Kadareja ka kontrubuar dhe është i respektuar në gjithë hapësirën shqiptare në Ballkan. Shembulli i shqiptarëve nga të gjitha trevat shqiptare, të cilët menduan për statusin e Shqipërisë, me shpalljen e pavarësisë si objektiv final, është një moment kulminant në ngritjen e statusit të Shqipërisë natyrale.
Në fund duhet të kemi të qartë se qëllimi i jetës nuk është statusi e fitorja, por zbulimi i talentit dhe i pasioneve tona duke e jetuar jetën në mënyrën tonë, pavarësisht nga rezultati. Nuk kemi nevojë të ndjekim duartrokitjet dhe pëlqimet në mediat sociale, por paqen e brendshme. Nuk kemi nevojë të krijojmë grupet tona imagjinare të mbështetësve apo ndjekësve në facebook brenda ose jashtë grupeve për t’u matur, por përkundrazi të pranojmë rrugën në të cilën jemi.
Loja e statusit është joshëse, është e vërtetë. Por fitorja e vërtetë nuk qëndron në tejkalimin e të tjerëve, por në gjetjen e vlerës tek vetja pa krahasim. Ambiciet dhe krahasimet janë të pafund dhe gjithmon do të gjendet dikush që do të jetë me status më të lartë, por ne duhet të mësojmë të gjejmë gëzim në aktin e thjeshtë të arritjes, pavarësisht nga rezultati. Duke bashkërenduar dëshirat tona dhe harmonizuar ato në mënyrë që të rrisim vlerat tona dhe të vendit dhe jo si garë në kurriz të personave ose grupeve të tjera, është shërbimi dhe qëllimi final i jetës.