• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2024

Vdekja e kuriozitetit

September 26, 2024 by s p

Prof. Stefan Çapaliku/

“Vdekja e kuriozitetit” është një dukuri që përshkruan gjendjen në të cilën individët humbasin dëshirën për të mësuar, eksploruar ose për të pyetur rreth botës. Kurioziteti, një nga cilësitë themelore të njeriut, është ai që na shtyn drejt përparimit dhe zbulimeve të reja. Humbja e kësaj dëshire, që mund të ndodhë për shkak të faktorëve të ndryshëm si mërzia, presioni i shoqërisë për të ndjekur norma të ngurta, ose edhe mungesa e stimujve, kishte me qenë ajo çfarë nuk e prisnim të ndodhte, veçanërisht ne që dolëm prej komunizmit shoqëruar prej një entuziazmi të thellë.

Po pse ky reflektim? Pse tani? Kjo përsiatje kështu e shkurtër, vjen tek unë mbas dy eksperiencash të njëmbasnjëshme që më kanë ndodhur këtë fundshtatori 2024. Me datë 19 deri më 22 pata prezantimin në Teatrin Kombëtar Eksperimental të një pjese dramatike (Unë, Fojerbahu), tekst I shkruar nga një nga më të mëdhenjt dramaturgë gjermanë të gjysmës së dytë të shekullit të XX, Tankred Dorst, dhe sot në ora 11 në Akademinë e Shkencave, prezantimin e veprës së arkitektit dhe skulptorit më të famshëm shqiptar të Rilindjes Evropiane, Andrea Aleksit.

Për të parë shfaqjen nuk u prenë më shumë se 40 bileta për të katërta netët dhe për të ndjekur leksionin e fotografit kroato-shqiptar Luka Mjeda për Andrea Aleksin, nuk u mblodhën më shumë se 20 vetë. Ja pra, prej një komuniteti të përbërë prej me shumë se 10.000 vetësh që kanë studiuar në këto 30 vjet tranzicioni për arte dhe letërsi, në mes të Tiranës, nuk ia dolën të vinin më shumë se 40 dhe nga komuniteti i arkitektëve dhe skulptorëve që në mënyrë aproksimative mund të numëroj rreth 5000 vetë, u mblodhën vetëm 20. A mund t’a konsiderojmë këto ngjarje si “vdekje të kuriozitetit”?

Në teori ky fenomen shpesh shoqërohet me një ndalim të rritjes profesionale dhe intelektuale, pasi mungesa e interesit për të mësuar bllokon zhvillimin e mëtejshëm të ideve dhe mendimit krijues. Shpesh “vdekja e kuriozitetit” përdoret në mënyrë metaforike për të kritikuar qëndrimin e ngushtë mendërisht ose për të diskretituar një sistem edukimi a një status shoqëror që nuk i jep rëndësi nxitjes së të nxënit.

Në praktikë ajo që po ndodhë te ne prekë edhe marrëdhëniet shoqërore, te të cilat janë mbështetë vlerat tona, e me të cilat jemi krenuar.

Filed Under: Kulture

“Rugova, arkitekti i Shtetit të Kosovës”

September 26, 2024 by s p

Fatmir Sejdiu/

Stubëll e Epërme, shtator 2024

Është një rast shumë i veçantë për mua që sot marr pjesë në “Takimet e Don Mikelit 2024” në Stubëll. Ku do të ishte më mirë se sa në këto Takime të theksoj rolin dhe kontributin thelbësor të arkitektit dhe ndërtuesit të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, të njohur sot nga 115 shtete dhe të pranishme në shumë organizata dhe institucione ndërkombëtare.

E thashë vend dhe rast i veçantë, pasi Stublla është sinonim i faqes së parë të shkollës shqipe në Kosovë duke qenë edhe shkëndijë e dijes dhe arsimimit që ndezi mësuesi Don Mikel Tarabulluzi. Presidenti Rugova kishte frymëzim pikërisht edhe këtë dije dhe përkushtim që u dha nga të arsimuar në kolegje e qendra të mëdha të mësimeve filozofike e teologjike, ndër ta edhe Pjetër Bogdanin, të cilët edhe vunë fillet e emancipimit dhe të qytetërimit shqiptar.

Po kështu ky rajon qe vend i mbijetesës së frymës më të thellë humane, sikur në ditët e vështira 1990, kur në Kosovë u helmuan nga regjimi serb 7000 mijë nxënës dhe mirësia e shërimit të tyre kishte këtu një derë të hapur ndihme, shërimi dhe kujdesi të pashoq.

Të dashur pjesëmarrës,

Që në fillim do të thosha atë që vura në theks të titullit të temës sime: “Rugova, arkitekti i shtetit të Kosovës”, dimensionet e mëdha të projektin politik, nacional e shtetëror që nisë nga funddecenia e tetë e shek. XX dhe u realizua në funddecenien e nëntë.

Projekti dhe platforma politike e Ibrahim Rugovës ishte unike në Kosovë dhe më gjerë, pasi bazohej në kuptimin e thelluar të ndryshimeve në arkitekturën ndërkombëtare në periudhën e rënies së Murit të Berlinit, të përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe triumfit të demokracisë.

Rasti i Kosovës nuk “u zgjodh” në skenën ndërkombëtare dhe vetëm nga komuniteti ndërkombëtar, por ai fitoi rëndësi përmes veprimeve të brendshme, mendjemprehtësisë dhe pragmatizmit, në mënyrë graduale, për një dekadë, bazuar në rezistencën e aktive paqësore të përhershme të shqiptarëve kundër okupimit serb.

Platforma për liri dhe pavarësi u përqendrua në vizionin e të kuptuarit drejtë të dinamikave globale dhe për t’i integruar ato në hapat, situatat dhe proceset në Kosovë. Rrjedhimisht, platforma e presidentit Rugova, kryetar i LDK-së që nga viti 1989, dhe pastaj president i Republikës së Kosovës, bazohej në veprime proaktive dhe jo reaktive dhe në funksionalizimin kreativ të vlerave qytetare e nacionale, kjo e bazuar në një kuptim dhe harmonizim të thellë të potencialit dhe idesë së shqiptarëve brenda dhe jashtë Kosovës dhe të rrjedhave dhe proceseve aktuale ndërkombëtare.

Ndër shtyllat kryesore të vizionit të tij për shtetformim ishte krijimi i bashkëpunimit ndërkombëtar me personalitete, institucione dhe qeveri. Vuri në krye të politikës ndërkombëtare të Kosovës, miqësinë me SHBA dhe Evropën. Miqësi të përhershme me SHBA, siç e përsëriste zakonisht. Urtia dhe e vërteta që thoshte kudo krijoi mirëbesim e respekt, i hapi Kosovës portat për t’u dëgjuar dhe rritur zëri i saj i mbresëlënës, për liri, pavarësi dhe demokraci.

Kujtoni takimet e tij në nivelet më të larta botërore me presidentë, kryeministra dhe personalitete të shquara që kishin rol në proceset e politikës ndërkombëtare.

Kujtoni mesazhin e qartë të Presidentit Bush senior për mbrojtjen e Kosovës, dhënë në kërshëndellat e vitit 1992. Po ashtu kujtoni takimet me presidentin Klinton, mesazhet e kryeministrit Blair, presidentit Chirac, kancelarit Chroeder dhe udhëheqësëve të tjerë botëror në ditët më kritike, atëherë kur u kur u morën vendimet jetike për mbrojtjen e popullsisë në Kosovë nga gjenocidi shtetëror serb.

Po kështu kujtoni bisedat për Kosovën me Atin e Shenjt Papa Gjon Palin dhe angazhimet e tij dhe të Selisë së Shenjt për Kosovën.

Lideri historik i kësaj Lëvizjeje dhe i shqiptarëve të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, ishte një intelektual kritik, tolerant dhe paqësor, që idetë nacionale për liri, pavarësi dhe demokraci, arriti t’i mbillte jo vetëm në popullin e Kosovës, por ato t’i shtrinte edhe në opinionin dhe institucionet ndërkombëtare. Prandaj, filozofia e tij paqësore u pranua dhe sot gëzon aq shumë respekt në të katër anët e globit.

Me platformë të fuqishme politike, me moton: “Liri, Pavarësi, Demokraci”, shqiptarët sakrifikuan shumë, por edhe bënë një organizim të jashtëzakonshëm. Përmes solidaritetit kombëtar brenda dhe jashtë vendit dhanë shembullin, se kur ka një mobilizim të madh etik, kombëtar dhe politik, një proces, sado që të jetë i vështirë, edhe në rrethana terrori shtetëror, mund të japë rezultate të mëdha, të krijojë një shtet që do të pranohet gjerësisht nga bashkësia ndërkombëtare.

Pjesëmarrës të nderuar,

Vizioni i presidentit Rugova për shtetin e Kosovës mbështetej në radhë të parë në vullnetin e popullsisë shumicë dhe në besimin se politika e zgjedhur për të përballuar okupimin serb dhe fituar lirinë dhe shtetin, duhej bazuar në rezistencë aktive, e tillë që do të rrisë lirinë shpirtërore dhe vepruese të qytetarëve duke u shndërruar kështu vetë në bartës të lëvizjes së përgjithshme politike për liri dhe shtet.

Një tjetër shtysë e fortë e dizajnimit të projektit shtet qe fakti se Rugova tregoi rrugën nëpër të cilën duhej ecur duke punuar dhe rezistuar kurrë pa u ndalur, por pa humbur asnjëherë nga vlerat etike dhe humane, përherë për të qenë të njerëzishëm dhe të dashur. Andaj në gjenezë shteti i Kosovës është përmasa e gjerë e krijimit të paqes së brendshme publike, e bashkimit dhe solidaritetit të gjerë, e mobilizimit unik mbi një platformë të gjerë demokratike.

Në krye të interesit shtetëror, ai kishte njeriun e tij që e kuptonte. Prandaj në praktikat e shtetndërtimit u dha shqiptarëve brenda dhe jashtë forcën e bashkëveprimit pavarësisht dallimeve. Shoqëria ishte bashkësi aktive me kulturë shtetërore, me etikë dhe paqe të brendshme. Këtë e tregon më së miri Lëvizja për Pajtimi e Gjaqeve në krye me profesor, Anton Çettën, kur brenda vitit 1990 u pajtuan mijëra familje.

Pra, po e ritheksoj se në themelet e shtetit, ishte pajtimi, besimi në liri, vlerësimi për dallimet, respekti, toleranca dhe pasurimi me vlera dhe praktika plurale.

Andaj edhe si organizim rezistence politiko-shtetërore, u krijuan partitë politike, që të gjitha në programet e tyre vunë synimin për pavarësinë e Kosovës. Të gjitha në krye të platformës kishin: Lirinë dhe shtetin e Kosovës. Njëherësh, Rugova përkrahu gjerësisht organizmin e asociacioneve dhe shoqatave.

Do veçuar këtu, kontributin e Shoqatës Bamirëse “Nëna Terezë”, me kryetarin e saj Don Lush Gjergji. Vetëm në qendrën mjekësore të “Nënës Terezë” në Prishtinë, kanë lindur mbi 12 mijë fëmijë që sot janë qytetarë të lirë në shtetin e Pavarur të Kosovës.

Të nderuar pjesëmarrës,

Vendimet juridiko-kushtetuese të ndërtimit të shteti prirë nga presidenti Rugova ishin të kujdesshme, por të vendosura. Po përmend, se Kuvendi i Republikës së Kosovës përgatiti projektkushtetutën e Republikës së Kosovës dhe më 7 shtator 1990 në Kaçanik shpallë Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Sipas këtij akti Republika e Kosovës është shtet i qytetarëve të barabartë.

Në shtator të vitit 1990 miratoi Rezolutën për Kosovën Shtet të Pavarur dhe Sovran, dhe bazuar në këtë Rezolutë mori vendim që të mbahet Referendumi për Pavarësi. Referendumi u mbajt nga 26 deri më 30 shtator 1991, të drejtë vote kishin 1.051.357, votuan 914.802 veta apo 87 për qind e tërë zgjedhësve.

Si një shtysë afirmuese i konstitucionit shtetëror, qe mbajtja e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Kosovës. Pasoi krijimi i qeverisë së Republikës së Kosovës, i qeverive komunale, i sistemeve të pavarura arsimoro-edukative, i politikave sociale, shëndetësore, diplomatike, të sigurisë, pastaj kulturore, financiare, informativo-mediale, sportive etj. U krijua sistemi i madh politiko- shtetëror, mbështetur në punën dhe vullnetin e qytetarëve që frymëzoi respektin për lëvizjen për pavarësi e shtet në gjithë botën demokratike. Ky respekt dhe vlerësim u pa në përkrahjen dhe ndihmën që kishte presidenti Rugova dhe Kosova nga personalitete dhe institucione ndërkombëtare. Gjithë kjo u finalizua me fushatën e bombardimeve dhe të ndërhyrjes ushtarake nga NATO mars-qershor 1999.

Filozofia e shtetit të Kosovës kishte vizion e qartësi. Rugova i dha përmbajtjen e plotë publike. Ajo ishte e vërteta historike dhe aktuale. Kosova dhe shqiptarët gjeografikisht dhe kulturalisht i takojnë Evropës dhe botës perëndimore.

Motoja e presidentit Rugova mbetet shtylla themelore e politikave ndërkombëtare të Kosovës. “Një Kosovë e pavarur e demokratike e inkuadruar në Bashkim Evropian e në strukturat euroatlantike, në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është vullneti i popullit dhe do të qetësojë këtë pjesë të Evropës e të botës”. Le të na shërbejë gjithmonë si kujtesë për vizionin udhërrëfyes që identifikohet me emrin e tij: “Miqësi e përhershme me shoqëritë demokratike. Miqësi e paqe me të gjithë fqinjët si të lirë dhe të barabartë, secili në shtëpinë e vet”.

Si njeri me synime të jashtëzakonshme të shtet-ndërtimit, Presidenti Rugova edhe në kohët e vështira të okupimit ishte vizionar për rrugën që duhej të ndiqte shteti dhe kombi në dekadat që vijnë. Do kujtuar ideja e tij për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Durrës që tashmë është bërë realitet. Ngjashëm e po kaq e fuqishme ishte thirrja e Tij për ndërhyrje ndërkombëtare në Kosovë dhe protektorat civil dhe ushtarak. Profeci që u bë realitet.

Sa herë me jepet rasti të flas për Presidentin Rugova e them, dhe konsideroj se nuk është e tepërt ta përsëris as sot këtu para jush: Kemi ende shumë për të mësuar nga puna dhe vepra e tij!

Vizioni dhe filozofia politike e shtetërore e Presidentit Rugova ishin dhe mbeten përherë frymëzuese për ndërtimin e paqes, të tolerancës, të shoqërisë së lirë dhe demokratike, të shtetit të së drejtës, pa dhunë dhe autoritarizëm, pa korrupsion dhe kriminalitet. Për ndërtimin e një shoqërie moderne me sistem të avancuar arsimor, shëndetësor dhe kulturor, për ndërtimin e shtetit modern me ndarje të qartë të pushteteve, me respekt për dijen dhe mbi të gjitha, me respekt për të drejtën e qytetarit për të qenë i lirë të zgjedhë dhe të zgjidhet.

Falna Zot urtinë e tij!

Ju faleminderit!

Fjala ime “Rugova, arkitekti i Shtetit të Kosovës”, mbajtur në “Takimet e Don Mikelit 2024”.

Filed Under: Komente

Memorandumi i dytë i Akademisë serbe,  udhërrefyes për destabilizim të Kosovës dhe tërë regjionit

September 26, 2024 by s p

Për të kuptuar relacionet aktuale politike në Kosovë në përgjithësi dhe në veriun e saj në veçanti, duhet lexuar me kujdes Memorandumin e dytë të Akademisë Serbe të Shkencave(2011), sepse aty çdo gjë është e shënuar qartë për të gjithë që duan të kuptojnë strategjinë e politikes serbe, tash dhe në të ardhmën, e cila e lëdhatuar nga faktori ndërkombëtar, vazhdon të mbesë  faktor destabiliteti në regjion

Nail  Draga

Opinioni i gjerë si në vend dhe në botën e jashtme është i njohur me përmbajtjen e Memorandumit të Parë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve  të Serbisë(1986) që ishte projekti i shkatërrimit të ish Jugosllavisë, për interesat serbe, që u realizu në luftërat 1991-1995, por pak kush është i njohur me përmbajtjen Memorandumit të Dytë të kësaj Akademie(2011) i cili në detaje prezanton veprimin  strategjik të politikës serbe në regjion, ku të rrezikuar janë Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova.

Memorandumi 2 i ASHAS(2011)

Pas humbjes së luftës në Kosovë(1999) në bashkësi me Serbinë kishte mbetur Mali i Zi, por edhe kjo bashkësi  shtetërore ishte e përkohshme sepse kërkush nuk dëshironte me Serbinë, duke pasur parasysh rolin e saj në shkatërrimin e ish-Jugosllavisë dhe politikën e saj hegjemoniste. Pikërisht nga sindromi i një politike të tillë në Mal të Zi, me 21 maj 2006 u mbajt referendumi  për pavarësi. Dhe nga kjo datë  politika hegjemoniste serbe mori fund  e me të edhe dezintegrimi i ish Jugosllavisë dhe me te edhe idesë së Serbisë së Madhe.

Por, në rrethana të reja intelektualët serb nuk janë heshtur por janë angazhuar për çështjen serbe, por në kushte e rrethana të reja. Fjala është për Memorandumin e dytë të ASHAS, që e ka siguruar gazeta boshnjake „Slobodna Bosna“, në mars të vitit 2011. Ashtu si Memorandumi i Parë(1986) edhe ky përmban programin, qëllimez strategjike dhe veprimin në kushte të reja. 

Kështu, Memorandumi 2 përcakton se duhet:

1) Të zvogëlohet përgjegjësia e Serbisë për krimet e kryera dhe shkatërrimet, ashtu që duke ngritur akuza e fletarreste dhe procese gjyqësore të montuara kundër qytetarëve të B-H, Kroacisë dhe Kosovës, të vihet në pozitë të barabart me shtetet përreth;

2) Të çvendoset vëmendja e mediave rajonale dhe atyre ndërkombëtare nga proceset e zhvilluara në Tribunalin e Hagës,

3) Bosnje-Hercegovina, Kroacia dhe Kosova të detyrohen të heqin dorë nga paditë e tyre para gjykatav nërkombëtare;

4) Me aksione pendese ta vejmë Serbinë në pozitë të barabart me shtetet e tjera të rajonit;

5) Të insistohet në mbylljen e Tribunalit të Hagës dhe që gjykimi i Mlladiqit të bëhet në gjykatat vendore;

6) Të destabilizohen qeveritë e shteteve fqinje, të provokohen trazira të brendshme dhe paknaqësi e të topitet tehu i akuzave kundër Serbisë

7) Të insistohet në shkëputjen e Republika Sërpska;

8) Të insitohet për fitimin e statusit konstituiv të Serbëve në Kroaci, në Mal të Zi dhe në Kosovë dhe të bëhet transicioni i bashkësive të serbëve në shtetet e rajonit në Bashkësi Panserbe;

9) Të pengohet ndarja e Vojvodinës, të pengohet rajonalizimi i Serbisë dhe të pengohet veprimi i Bashkësisë Islame në Sanxhak.

Si të Memorandumi i Parë i ASHAS  nga viti 1986, edhe ky i dyti ka lindur kryesisht nga  Dobrica Qosiqi e pastaj nga  Lubomir Tadiqi dhe të disa koautorëve  nga ASHAS  me origjinë nga Bosna e Hercegovina.Ky dokument është trajtuar si jozyrtar për përdorim intern në Qeverinë e Serbisë me siglën „ të lexohet por të mos shpërndahet“. 

Nëse analizohen këto pika del qartë se ky dokument është përcaktues në strategjinë e politikës serbe për të realizuar objektivat e tyre të „botës serbe“ që është sinonim për krijimin e „Serbisë së Madhe“, e cila është kërcënim i  vazhdueshëm për tërë regjionin.

Serbia mbetet faktor destabilizues në regjion

Edhe pas shkatërrimit të ish Jugosllavisë ku shkaktare kryesore ishte politika hegjemoniste serbe dhe luftërave të humbura në Slloveni, Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe së fundit në Kosovë, pushteti serb  ndonëse në rrethana të reja vazhdon me politikën e tillë destabilizuese ndaj fqinjëve në veçanti e regjionit  në përgjithësi, ku Memorandumi i dytë i Akademisë serbe mbetet strategjia e politikës serbe tash dhe në të ardhmën.

Serbia asnjëherë nuk ka hequr dorë nga politika ekspansioniste ndaj fqinjëve të saj, për të realizuar në praktikë „Serbinë e Madhe“, ndonëse në opinion është duke u  paraqitur  përmes sintagmës „bota serbe“.Në sajë të rrethanave gjeopolitike ndonëse Serbia nuk ka vendoaur sanksione kudër Rusisë në sajë të agresionit në Ukrainë, ajo vazhdon të lëdhatohet nga BE me qellim për ta afruar me kursin evropian, por mendoj se është e kotë sepse ata vazhdojnë me besnikëri duke ndjekur politikën ruse. 

Deri sa Serbia mos të ndeshkohet me sanksione nga BE, si faktor destablizues në regjion, ku për momentin ma e rrezikuar është  Kosova, e cila me 24 shtator 2023  është sulmuar nga një grup terrosit për të shkëputur veriun e saj, ku askush për këtë akt nga ana serbe nuk është dënuar, dëshmon se një akt i tillë edhe mund të përseritet, që do të ishte fatal për regjionin.

Aktakuzë për sulmin terrorist në Banjskë

Më së fundi trembëdhjetë ditë pa u bërë viti, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës doli me një aktakuzë të gjatë kundër 45 serbëve. Dokumenti prej 158 faqesh përmblodhi përshkrime, veprime dhe fakte për t’i ngarkuar një numër të caktuar njerëzish, jo vetëm për Banjskën, por edhe gjithë dhunën që rrodhi në maj të 2023-tës dhe i parapriu ngjarjes që ndodhi më 24 shtator 2023.

Por, si kundërpërgjigje ndaj akuzës së tillë  presidenti i Serbisë A.Vuçiqi në një konferencë për media paraqiti  kushtezimet  për vazhdimin e dialogut me Prishtinën. Kushtet e tia në shtatë pika ishin demagogjike duke harruar se Kosova është shtet sovran dhe është në mbrojtje të integritetit territorial. 

Vazhdimi i dialogut pas zgjedhjeve parlamentare

Deri sa Serbia e kushtezon Kosovën me vazhdimin e dialogut, mendoj se  ky dialog ka humbur seriozitetin, andaj me e udhës është qe   ai të vazhdohet në një formatizim tjetër, pas zgjedhjeve parlamentare. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse deri me tash ndërmjetësit ndërkombëtar ishin të njëanshëm dhe në favor të Serbisë, duke mos e ndëshkuar ate për veprimet terroriste në Kosovë(24 shtator 2023), madje duke akuzuar Kosovën se nuk është duke u koordinuar në veprimet e saja qe janë në favor të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. 

Ndërsa duke marrë parasysh se Kosova ka hyrë në fushatën parazgjedhore sepse zgjedhjet e rregullta parlamentare do të mbahen me 9 shkurt 2025, është e logjikshme qe  dialogu të ndërpritet dhe të vazhdohet pas zgjedhjeve. Jo vetëm kaq por duhet një formatizim i ri dhe me personalitete me dinjitet, nga vendet që e kanë njohur ndërkombëtarisht Kosovën. 

(Shtator 2024)

Filed Under: Politike

NJË MBRËMJE POEZIJE SHQIPTARE NË MILANO

September 26, 2024 by s p

Nga Eugjen Merlika/

Më datën 19 shtator, në orën 18.00 në Shtëpinë Muze Tadini, në rrugën N. Jommelli 24, Milano, u zhvillua një mbrëmje kulturore, me rastin e promovimit të vëllimit me poezi “Rrugë që rrjedhin nga duart e mija”. Autori i vëllimit është poeti i mirënjohur Visar Zhiti, shkrimtari më përfaqësues i letërsisë shqiptare sot në botë.

Vëllimi “Rrugë që rrjedhin nga duart e mia”, “Strade che scorrono dalle mie mani”, është përkthyer në italisht nga profesor Elio Miracco dhe i paraqitur në një konkurs ndërkombëtar poezie që mbahet në Camaiore, një qytet i lashtë mesjetar në breg të detit Ligur, një komunë prej 31776 banorësh , në provincën e Lukës në Toskanë, e njohur për bregdetin e bukur të saj, për kishat e saj mesjetare, muzeumet e traditën e qilimave. Në këtë konkurs vëllimi i Zhitit ka fituar Çmimin e Parë ndërmjet dhjetra vëllimesh të tjerë. Madje njëra nga antaret e Zhurisë së Konkursit, Cinzia Demi, kishte ardhur vetë për t’a paraqitur librin në Milano. Mbiemri i saj më tërhoqi vërejtjen e madje në bisedë e sipër para se të fillonte mbrëmja e pyeta nëse kishte ndonjë zanafillë shqiptare, sepse ishte një mbiemër i tillë. Zonja, duke qeshur u përgjigj se nuk kishte dijeni, por nuk e përjashtonte kategorikisht.

Në drejtimin e promovimit t’asaj mbrëmjeje ajo shoqërohej nga e zonja e shtëpisë, gazetarja arbëreshe Melina Scalisse, që fliste me vështirësi shqipen por ishte krenare për origjinën e saj. Ajo kishte në kujdes, mbas vitesh pune në gazetën “Il giorno” “Dita”, Shtëpinë Muze Hapësira Tadini, një personalitet i njohur i kulturës së qytetit të Milanos, një poet e piktor modernist, që e kishte lënë shtëpinë e tij si një muzeum për qytetin e tij. Ndërmjet të tjerëve kishte njohur edhe piktorin shqiptar Ibrahim Kodra mbas luftës së Dytë botërore. Duke shfletuar një album pikturash hasëm edhe në një të tillë të bashkatdhetarit tonë të nderuar e Visari e pyeti drejtoreshën e Museut nëse e dinte se ajo pikturë i përkiste një shqiptari. Gazetarja u përgjigj se do të interesohej për këtë gjë. 

Këto biseda bëheshin pa filluar ende mbrëmja e promovimit, e cila në orën e caktuar e gjeti sallën plot me të ftuar italianë, kryesisht, por edhe shqiptarë. Në fillim shkrimtari Zhiti i u përgjigj disa pyetjeve të organizatorëve që përbëheshin nga profesori Mauro Ferrari e gazetaret Melina Scalisshe, Cinzia Demi e Cristina Daglio. Ai u përgjigj shkurt e me dhimbje, duke treguar disa nga çastet më të vështira të jetës së tij, siç ishin ata të arrestimit, të dënimit e të qëndrimit në kampet e punës së detyruar, që ishin dhe ata që përcaktonin burimin e frymëzimit për një pjesë të mirë të poezive të vëllimit. Një përimtim të thukët të përmbajtjes së vëllimit e bëri në mënyrë bindëse profesor Ferrari, që dukej se ishte mjaft i prekur nga drama jetësore e poetit shqiptar. Ai analizoi disa poezi, duke u ndalur më shumë, jo vetëm në përmbajtjet, por edhe në disa terma të hasura më shpesh si atdheu, liria, dashuria etj. Duke përmbyllur analizën e tij i u drejtua poetit: “Ndërmjet të gjithë koncepteve të trajtuar në poezitë e juaja, cili do t’ishte ai më domethënësi, më qëndrori, më përfaqësuesi i poezisë suaj? Poeti u përgjigj mbas një çasti përsiatjeje: dashuria. Salla shpërtheu në një duartrokitje të gjatë e të fuqishme. Mendoj se ishtebçasti kulmorn i mbrëmjes, thelbi dhe kuintesenca e saj. Me atë pohim poeti shpalli vlerën universale të veprës së tij, që është e barazvlerëshme me vetë jetëgjatësinë e mesazheve që i përcillen lexuesve shqiptarë, italianë, evropianë e botërorë.

Duke patur në dorë vëllimin lexohej në kapakun e parë kjo shprehje: “Visar Zhiti është shkrimtari shqiptar, jeta e vepra e të cilit janë pasqyra më e mirë e historisë së Vendit të tij.” Poshtë këtij vlerësimi ishte në kllapa🙁 Robert Elsie, albanolog kanadezo-gjerman). Në tridhjetë vitet e fundit janë të shumtë vlerësimet e poetit e shkrimtarit madhor shqiptar nga përfaqësues të ndryshëm të kulturës e letërsisë shqiptare e të huaj të Vëndeve  ku vepret janë përkthyer e botuar, por mendoj se kjo shprehje e studjuesit kanadez është një nga pikat kulmore ku Visar Zhiti njëjtësohet me atdheun, një koncept që gjindet shpesh në vargjet e tij, në format e të shkruarit për të shkuarën, të sotmen e për të ardhmen e tij. E shkuara në poezinë lirike të autorit  është në ballë të mesazhit të tij, edhe se fatkeqësisht përfaqëson një kohë të lidhur me kujtime të hidhura, me një jetë që ndërpritet barbarisht nga sistemi politik në lulen e moshës, i cili e trajtoi si armik të tijin, sepse kishte shkruajtur poezi që quheshin  “armiqësore”, që e bëri të vuajë, të ndjehet i huaj në vendin e tij. Poeti ka shprtin e gjërë e, në bujarinë e tij karakteristike, edhe n’ata kushte, nuk e njëjtëson regjimin me atdheun sepse simbioza e dy koncepteve është e paqenë, sepse njëri është i përjetshëm e tjetri i përkohshëm, sepse “Atdheu im me qiellin e qethur si një i burgosur” (“E shtuna e parë e arrestit”).

Drama vetiake, sado e rëndë dhe e dhimshme është një grimcë e dramës së përgjithëshme, në të cilën asnjë nuk është i përjashtuar:

“Në bankën e t’akuzuarve

S’u ula vetëm unë, po edhe ti

Gjykatës isha edhe unë 

A e di

Ne njëri tjetrin dënuam

Shqipëri!”  (“Bashkë”)

Në një çast të theksuar dhimbjeje e pezmatimi poeti shkruan një vjershë me pesë vargje: 

“Njihuni me skeletin tim

Jam unë – pa ëndërrat e mija

Pastaj më jepni ç’të doni,

Përsëri skelet do të mbetem” (“Skeleti”) 

Por ai “skelet” gjen forcën në vetvete të jetojë, të shkruajë poezi të cilat i arkivon në kujtesën e tij jo të zakontë e të shokëve të vuajtjeve, sepse nuk mund t’i hedhë në letra prej frikës së kontrolleve të policisë që mund t’i shkaktojnë një ridënim, një masë e shpikur vetëm nga komunistët shqiptarë, e të cilin e kanë provuar shumë njerëz të dënuar. Ai “skelet” përsiat në mëndjen e tij e i kushton një poemë kompozitorit të madh gjerman Wagner, për të cilën padrejtësia shqiptare do t’a padisë penalisht se “është i frymëzuar nga një “kompozitor borgjez, individualist dhe pesimist”. Në poezitë e tij poeti shpirtmadh nuk zë në gojë ata kolegë të tij që përgatisin akt – padinë e tij në zyrat e Sigurimit të Shtetit, duke “ndërpretuar” vargjet e tij:

“Tani qaj unë për ty Wagner!

Arti qan”  (“Mbi piano”)

Ai skelet pa ëndërra arrin në sublimitet, në madhështi, në shkruarjen e një poezie që titullohet “Perëndesha e mbrojtjes  Copëra mermeri”, kushtuar njeriut më të dashur që njeriu mund të ketë në jetën e tij, Nënës. Është një monument mermeri i Karrarës, një përmendore e pavdekëshme letrare e njëkohësisht një simfoni bethoveniane që ngjitet deri tek Krijuesi, një fletë antologjie që mund të qëndrojë krahas firmave më të njohura të poezisë botërore. Tema e atdheut përsëritet më shumë në poezitë, duke vërtetuar brumin e poetit të lidhur me rrënjët e tij, aq sa të habisë profesorin italian që e gjen disi “të tepruar”, jashtë kohës. Çështje mendësish e konceptesh….

Po aq i fuqishëm si koncept mbetet edhe dashuria në poezitë e Visar Zhitit. Ajo është dhurata e Krijuesit për njerëzit, që siguron vazhdimin e jetës nëpërmjet riprodhimit, që shoqërohet me ndjenjat më të mrekullueshme, që fillojnë me tërheqjen fizike dhë ëndërrat e rinisë e mbarojnë me kënaqësitë e rritjes së bijve e nipave e mbesave, duke shënuar kështu vetë historinë e njerëzimit: 

“Asnjë grua nuk do të bëhej nënë

Po të mos zhvishej së paku një herë lakuriq”  (“Lakuriqësia”)

Në zymtësinë e jetës në kampet e punës së detyruar një djalë i ri bashkëvuajtës i tregon historinë e tij tragjike të arratisjes së një çifti të dashuruar, në të cilën vajza vritet nga rojet e kufirit. Ishte një skenë rrënqethëse kur vajza e plagosur për vdekje i thotë djalit me gjysmë zëri: “Ik, ik ti shpëto….të pëshpëriti dashuria. “ Poeti i kushton asaj tragjedije të dashurisë një poezi të titulluar “Arratisja”. Ai veprim që quhej nga Kodi penal i Shqipërisë komuniste si “tradhëti ndaj atdheut”, gjen në pendën e autorit frymëzimin më fisnik e mirëkuptimin më të plotë.

“Çdo dru dëshironte inicialet

e emrave tuaj t’i gdhendte

mbi lëvozhgën e kujtesës”

Për poetin ajo tragjedi e dashurisë meriton edhe pavdekësinë në kujtesën e vetë natyrës, madje edhe në Parajsën e Krijuesit. Ai e mbyll poezinë me dy pyetje, që gjejnë përgjigje në vargun e fundit:

“Ku, ku dergjet dashuria e vdekur? Ku

As qyqja s’e di?

Në të gjithë tokën e atdheut dergjet”  í”Arratisje”)

Por dashuria mbetet gjithmonë oazi në të cilin prehet shpirti i tij i plagosur nga privimi i lirisë. Në fantazinë e tij, një poezie me titullin “Dashuria” i jep këtë përfundim:

“Vetë po nisem nëpër natë dhe vetëm

Do të kërkoj, do të kërkoj, do të kërkoj

si dora që endet nëpër dhomë, në errësirë

për të gjetur qiririn e shuar.”

Ndjeshmëria e poetit trazohet nga një figurë vajze që kalon çdo ditë para telave me gjëmba e shkon në punën e saj të përditëshme si mësuese, si infermiere, si prostitutë apo si…. çdo tjetër hamëndje e djemve të burgosur, së cilës ikushton një poezi të zjarrtë të titulluar “Mirënjohje”. Do të kisha dashur t’a sillnja në këtë shkrim të gjithën, por po mjaftohem me pak vargje:

“Ç’je ti, agullimë e bardhë, 

apo vetë ëndërra?

Mos je fati që na mungon?

Të shohim, të shohim, të shohim

Por s’të ndjekim dot 

veçse me sy….

Kur të kthehesh

nëse s’do të kthehesh

në gjumin e secilit do të hysh 

Si në një mullar bari të shkatërruar

nga shtrëngatat.

Falma….. të burgosur….

Prangat rëndojnë më shumë se gurët e varreve.” 

“Mirënjohje”

Treshja zotëruese e motiveve kryesore të vëllimit të Visar Zhitit “Rrugë që rrjedhin nga duart e mia”mund të përkufizohet me termat atdhe, dashuri e liri. Poeti ka një gamë më të gjërë argumentash që trajton në veprën e tij, por un shkurtimisht po merrem kryesisht me këtë treshe, duke respektuar edhe mendimin e folësve mbi veprën e tij. Një poet që ka hyrë në burg sepse ka shkruar poezi, pa tjetër që në qëndër të mendimeve e frymëzimeve të tij do të ketë lirinë. Shkrimtari i madh italian Umberto Eco shkruan kështu për poetin shqiptar:

“Shihni….. ndodhia e Visar Zhitit: i mjaftoi të shkruante poezi, të quajtura “të trishtueshme dhe hermetike”, pra armiqësore për regjimin ….. dhe fitoi me të drejtë dhjetë vite burg. Poezia i shtie frikë regjimeve autoritare e diktatoriale, edhe se flet vetëm për trëndafila, si në rastin e Zhitit”

Shkrimtari italian e rendit poetin shqiptar në rradhët e atyre njerëzve të nderuar që, në botën jo demokratike, në sajë të dhuntive e vullnetit për t’i shërbyer vlerave të vërteta të njerëzimit, janë të paracaktuar të luftojnë për idetë e tyre të humanizmit e demokracisë e shpesh të flijojnë një pjesë të jetës ose vetë jetën për triumfin e tyre. “Liri, gja aq e shtrenjtë sa e din vetëm ai  qi për te s’i dhimset jeta” shkruante para tetëqind vitesh poeti më i madh i Italisë, Dante Aligieri.

“Liri, të dua,

Ty të besoj, 

Nëse ti je zëri, 

Unë jam gojë

Kur ti bëhesh harku,

Unë jam shigjeta

Të ngulem dua 

Tek e vërteta…..

Mos pastë arkivole 

Për këngën time.”

Kjo është besojma e poetit shqiptar në poezinë “Kënga është e mundur”. Ai e shpall atë hapur pa frikë, pa ndrojtje duke qënë gjithmonë koherent me vehten si mësues, si i burgosur politik si deputet i republikës, si diplomat i saj, si atdhetar, si luftëtar pende, si njeri. Në këtë kompleks nuk mund të mungonte ideali kombëtar, të cilin ai e trajton në poezinë “Vajza me flaut” Kosovës, ku nxjerr në pah një realitet të dhimshëm për popullin e tij:

“Ku fillojnë kufijtë e Shqipërisë

Fillojnë shqiptarët e sakrificave”

Është një e vërtetë që frymëzon këta dy vargje monumentalë, një padi e tërthortë e fatalitetit dramatik të historisë së shqiptarëve, një plagë e hapur prej më shumë se një shekulli në kurmin e drobitur të Shqipërisë.

Kështu poetit të burgosur një tufë delesh që kulloste jashtë kampit të dënimit i kujton jetën normale që zhvillohet jashtë telave, duke i zgjuar zilinë, por edhe një mendim të huajtur nga mitet e lashtësisë:

“Po sikur të futeshim fshehurazi

poshtë barkut tuaj,

të kapeshim pas leshit tuaj të bardhë

si pas mrekullisë

që kur t’ju numëronte ciklopi

te porta e hekurt

të dilnim dhe ne, jashtë dhe larg, drejt lirisë?”  “Një kope delesh”

Shumë vite më vonë, nga një vizitë në  kopshtin zoologjik, poeti në përsiatjen e tij filozofike e mbyll poezinë e tij “S’më pëlqen kopshti zoologjik i Tiranës” me këta dy vargje:

“Me lirinë e gjallë të të gjithëve

                                                          Dhe unë jam më i lirë.”

  Ishin këto disa nga përshtypjet e mija vetiake nga leximi i këtij libri poezish, i dhënë  tashti në gjuhën e tyre edhe lexuesve italianë. Për aq sa mund t’a vlerësoj edhe përkthyesi Elio Miracco meriton një përgëzim të veçantë, sepse i ka qëndruar shumë besnik mendimit të autorit. Sigurisht edhe vargjet e lira e kanë lehtësuar përkthimin, por pa dyshim ky botim në Vendin e poetëve është jo vetëm një sukses vetiak i poetit tonë por edhe i poezisë shqiptare të pas komunizmit. Ai ndihmon në dhënien e përfytyresës së vërtetë të Shqipërisë socialiste, i parë jo nga arkitektët e regjimit, por nga ana e atyre që e pësuan atë në shfaqjet e tij më mizore, në dhunën e diktaturës, që nuk njohu kufij e caqe poshtërsie njerëzore. 

Por po kthehem prap tek mbrëmja milaneze e promovimit t’atij vëllimi. Mbas paraqitjes  së profesor Ferrarit e mori fjalën gazetarja arbëreshe Melisa Scalisse, e cila foli me mjaft  kompetencë, duket se e kishte lexuar me mjaft kujdes vëllimin duke shënuar ato që i kishin interesuar më shumë. Ajo foli me simpati për poetin duke vënë theksin mbi stilin dhe idetë e poezive, duke u ndalur në disa prej tyre. foli edhe për përvojën e hidhur të jetës së autorit. I bëri jehonë kujtimeve të saj të rinisë në fshatrat e Kalabrisë kur atje kishte shkuar për një sërë koncertesh e shfaqjesh Ansambli Shtetëror i këngëve e valleve në vitet tetëdhjetë.  Tregoi për ndrojtjen e frikën që kishin artistët të bisedonin me vëndasit, sepse, simbas saj ata i quanin spiunë. N’atë rast ndërhyri Visari i cili e siguroi zonjën se frika e tyre rridhte nga fakti se ata i kishin spiunët me vete e jo nga mendimi se vëndasit ishin agjentë. Problemi ishte për arttistët se për biseda të lira me italianët duhej të jepnin llogari në policinë e fshehtë kur të ktheheshin në atdhe.

Pastaj zonja Demi, që vëllimin e kishte brejtur për t’i dhënë vlerësimin e duhur u bë nismëtare e leximit të nëntë poezive në shqip dhe në italisht. Në shqip ato lexoheshin nga bashkëshortja fisnike e jetës së shkrimtarit, Eda, ndërsa në italisht nga zonja Demi. Poezitë e lexuara në rradhë ishin këto: E shtuna e parë e arrestit; Rrjeshti i këpucëve të burgosura; Rileximi i Don Kishotit; Arratisje; Thesi i të burgosurit; Mirënjohje; Nesër; Shekulli i fëmijëve; Shpirti i im; Mendim rinor.   

Të gjitha poezitë u shoqëruan me duartrokitje të vazhdueshme, shprehje e vlerësimit dhe mirëkuptimit të mesazhit të tyre. Folën pastaj edhe katër a pesë të pranishëm mjaft pozitivisht për poezitë  dhe autorin, ndërmjet të tjerëve italianë e shqiptarë edhe një shkrimtare bjelloruse që vuri në dukje me keqardhje se në kushtet në të cilat ka qënë poeti shqiptar janë rreth 1500 të burgosur politikë si pasojë e lulëzimit të diktaturës në vënd. Ajo kërkoi vëmëndje nga qytetarët e botës së lirë edhe për viktimat e dhunës bjelloruse. 

Ato dy orë që vazhdoi mbrëmja e promovimit qenë një rast i bukur njohjesh, shkëmbim mendimesh e miqësimi e të gjithë falënderuan poetin shqiptar që u kishte krijuar atë rast me botimin e veprës së tij, por edhe organizatorë te këtij aktiviteti kulturor të rëndësishëm. 

Filed Under: LETERSI

Rama dhe shteti imagjinar i Haxhi Bektash Veliut

September 26, 2024 by s p

Satirë nga Rafael Floqi/

undefined

Imagjino skenën: Edi Rama, me një pallto të gjatë, qëndron në majë të malit Dajti duke shikuar poshtë mbi Tiranë dhe, për herë të parë në histori, mendon: “Pse të mos krijoj një shtet të ri këtu? Jo një shtet të zakonshëm, por një shtet bektashi! Kjo do t’i japë një kthesë të re kryeqytetit!”

Shumë njerëz do të thonin: “Ky është një shaka, apo jo?” Por me Ramën, nuk je kurrë i sigurt. Një ditë po ndalon lëvizjen e makinave në qytet për shkak të ndotjes, dhe të nesërmen po propozon që të mbjellim një pyll mbi Lanë. Tani, ai ka vendosur të sjellë një shtet të ri në mes të Tiranës! Një shtet brenda shtetit. Dhe jo, kjo nuk është ndonjë komedi absurde, është thjesht… realiteti i përditshëm në Shqipëri.

“Po mirë, për çfarë na duhet një shtet bektashi?” – pyet një qytetar i hutuar. “A kemi nevojë për më shumë burokraci? A do të kemi tani edhe një doganë për të kaluar nga njëra anë e Bulevardit tek tjetra?” Sigurisht, nuk mund të bësh një shaka pa e përmendur dhe këtë! Mos të harrojmë, shqiptarët mezi menaxhojnë një shtet, lëre më dy.

Por ajo që bën këtë situatë akoma më qesharake është se askush nuk e ka kërkuar këtë. As bektashinjtë nuk duket se kanë dëgjuar për këtë plan madhështor. Mbase ideja ka dalë nga ndonjë bisedë e natës vonë mes Ramës dhe kryegjyshit të bektashinjve, ndërsa pinin një gotë raki në një teqe.

Në një takim me diasporën shqiptare në New York, kryeministri Edi Rama foli për herë të parë për idenë brilante të krijimit të një shteti bektashi brenda Tiranës. Kjo ide kaq e shkëlqyer, që padyshim askujt nuk ia kishte zënë mendja përpara, është për t’i dhënë status diplomatik një komuniteti që, sipas Ramës, është si “jetim”. Sigurisht, si çdo jetim, ky komunitet meriton një shtet të vetin në mes të kryeqytetit! Një shtet që do të shërbejë për të garantuar rrezatim… mbase edhe për të përmirësuar sinjalin e celularëve në zonë, kush e di!

Rama, me elokuencën e tij karakteristike, shpjegoi sesi komuniteti bektashi ka mbetur pa ndihmë ndërkombëtare. Ndërsa muslimanët, ortodoksët dhe katolikët kanë “përfaqësuesit” e tyre në çdo cep të botës, bektashinjtë qenkan si një komunitet që vetëm Shqipëria e ka për detyrë të shpëtojë. Po ç’t’i bësh, Rama ka vendosur që për të shpëtuar këtë thesar kombëtar dhe ndërkombëtar, do krijojë një “mikro-shtet” brenda shtetit. Mbase herën tjetër do shpallë pavarësinë e një lagjeje të Tiranës si “Republika e Të Pastrehëve”, me ambasada dhe dogana në çdo hyrje pallati!

Ndërkohë, Rama me modesti pyet: “Po ne, si do t’i garantojmë bektashinjtë për të ardhmen e tyre?” Siç duket, për të siguruar vazhdimësinë e tyre, një shtet është minimumi që mund të bëhet. Imagjinojeni! Bektashinjtë tani nuk do të kenë nevojë të shkollohen jashtë, sepse… me një shtet të vetin, të gjithë problemet zgjidhen vetvetiu. Po për çfarë na duhet të shqetësohemi? Do kemi shtet islamik brenda shteti islamik? Sigurisht, përveçse po krijojmë “diplomaci të lartë” në pronat e tyre!

Në fund të ditës, për Ramën, gjithçka është rregulluar. Çfarë më duhet unë ta pyes publikun, opozitën, apo ndonjë forcë tjetër politike? Vetëm mjafton një ide brilante dhe jeta do të jetë si një serial politik… i zhanrit satirë!

E gjitha kjo më kujton kur Musolini krijoi Vatikanin brenda Romës. Dallimi? Musolini, pavarësisht të gjitha gabimeve të tij, ishte në fuqi të plotë dhe po menaxhonte një nga vendet më të fuqishme të Evropës. Ndërkohë, Rama po përpiqet të menaxhojë një Shqipëri që herë pas here mezi di se në cilën anë të botës ndodhet. 

Një ditë, Edi Rama zbret në New York dhe New York Times bën një artikull për shtetin bektashi. Një shqiptar kurioz pyet: “Kush pagoi për këtë artikull, more?”

Rama, me buzëqeshjen e tij të famshme, thotë: “Po kush tjetër? Soros! Si një Freud-ian ‘sleeper’, ai ishte aty që nga kohët e psikanalizës për të shpëtuar ndërgjegjen time!” Gjithkush ngeli duke pyetur veten nëse ishte më shumë çështje ndihme ose thjesht një ëndërr psikoanalitike

Po pse bota duhet të shqetësohet për një “shtet bektashi” në mes të Tiranës? Realisht, nuk duhet. Për botën, ky është thjesht një episod qesharak që mund të shtohet në arkivat e absurditeteve ballkanike. Për ne shqiptarët, është një tjetër episod në serialin e pafund të “Si të qeverisim në mënyrë sa më të pakuptimtë.

Lajmi se Edi Rama po përpiqet të krijojë një shtet sovran bektashian në Shqipëri ka bërë që edhe të parët bektash të Turqisë të dridhen me humor. Plani për këtë mini-Vatikan, i cili, sipas New York Times, do të mbulojë plot 270 hektarë të çmuara në periferi të Tiranës, duket se ka kapur si shqiptarët ashtu edhe bektashinjtë turq në befasi. Në fund të fundit, ç’është më e natyrshme sesa të kesh një shtet ku alkooli rrjedh lirshëm dhe kodi i veshjes ka vetëm një rregull: “vish ç’të duash!”

Shteti i ri do të quhet, me plot gojën, “Shteti Sovran i Rendit Bektashi,” por ndoshta emri më i mirë do të ishte “Republika e lirshme  Rakisë dhe e veshjes.” Kjo qeveri e veçantë pritet të ketë kufijtë e vet, pasaportat dhe, për hir të zotit, një kabinet me Baba Modin në krye. Ky lider shpirtëror, Edmond Brahimaj, që tani do të njihet si “Ati i Madh i Relaksimit”, duket se është po aq i dedikuar për të qeverisur sa është për të shërbyer një gotë të mirë.

Por jo të gjithë janë të lumtur për këtë krijim të vogël. Bektashinjtë turq, të cilët me sa duket e marrin seriozisht filozofinë e tyre, janë të shokuar. “Bektashizmi dhe një shtet fetar? Kjo është si të përpiqesh të ngresh një kafene në një manastir!” ka thënë kryetari i Federatës Alevi-Bektashiane të Turqisë, Zeynel Abedin Koç. Ai ka shtuar se bektashizmi ka qenë gjithmonë për ndarjen e fesë nga shteti dhe se 115,000 bektashinjtë shqiptarë, që përfaqësojnë vetëm 5% të popullsisë, mund të kenë nevojë për një gotë rakie, por jo për një shtet të veçantë.

Dhe ndërkohë që dikush pyet: “A mund të mbijetojmë me këtë?”, përgjigja është e thjeshtë: Ndoshta. Por mos u habisni nëse një ditë, në mes të shëtitjes në Bulevard, do të ndaleni nga ndonjë “polic bektashi me uniformë jeshile ” që do t’ju kërkojë pasaportën për të kaluar në anën tjetër të Tiranës!

Shejtan budalla, shau një qytetar . Te shohim ku mbaron budallai dhe ku fillon shejtani.

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT