• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2024

A ishte Sokol Baci, njohësi më i mirë i kohës i Kanunit të Lekë Dukagjinit në Malësi të Madhe?

October 23, 2024 by s p

Zef Ujkaj/

Knjaz Nikolla, me dëshirën e madhe që shteti i Malit të Zi të bëhej një shtet modern dhe me orientim të qartë evropian, mendoi që shteti duhej të pajisej me një legjislacion të mirëfilltë e modern. Për t’i dhënë shtetit të tij një Kushtetutë, ai ftoi njohësin më të mirë të çështjes juridike të sllavëve të jugut për kohën, studiuesin e Universitetit të Odesës, Valltazar Bogishiqin. Bogishiqi e pranoi ftesen me kënaqësi dhe vuri në punë me devotshmëri të gjitha njohuritë e tij shkencore për hartimin e një rregulloreje juridike për Malin e Zi. Kjo rregullore do të shërbente për rregullimin e marrëdhënieve të institucioneve shtetërore me pushtetin dhe marrëdhënieve të shtetit me individin. Ai u përpoq të ruante të gjitha zakonet me vlerë të malazezëve dhe t’i përshtaste ato me ligjet e reja të një shoqërie moderne, duke dashur që Malit te Zi t’i hapej dera në botën e përparuar përëndimore.

Kështu, me nismën e knjaz Nikollës, Bogishiqi përpiloi “Kodin e Përgjithshëm të Pronës për Principatën e Malit të Zi” që u vu në jetë në vitin 1888. Megjithatë, duke qenë se ky Kod nuk përfshinte normat e shoqërisë divergjente në Mal të Zi, zbatimi i tij hasi në vështirësi. Me Kongresin e Berlinit Principatës së Malit të Zi i ishin shtuar edhe krahina shqiptare dhe hercegovinase, kështu që u pa e arsyeshme që të hartohej një Kod tjetër. Pikërisht në momentin që Bogishiqi u bë ministri i parë i drejtësisë në Mal të Zi (1893-1899), në vitin 1894 ai mori përsipër fillimin e punës për një Kushtetutë gjithpërfshirëse, duke korrigjuar atë të parën. Nevoja e hartimit të një ligji unifikues për mbretërinë e Malit të Zi, që do të pranohej nga të gjitha palët dhe që nuk do vihej në diskutim juridiksioni i shtetit, shihej imediate nga Bogishiqi.

Ai shfrytëzoi rastin për të studiuar fenomenet juridike dhe psikologjike të shoqërisë patriarkale të asaj kohe, duke u fokusuar kryesisht tek marrëdhëniet familjare, vëllazërore dhe më tej fisnore, me idenë e shkrirjes dhe përshtatjes së tyre me Kodin e Përgjithshëm të Pronës. Ai pati mundësi për të analizuar origjinën dhe strukturën e shoqërisë fisnore, që ekzistonte akoma në Mal të Zi, duke mbledhur një koleksion të madh burimesh e informacionesh. Në kuadër të këtij projekti, ai mblodhi të dhëna edhe për të drejtën zakonore të shqiptarëve të veriut – Kanunin e Lekë Dukagjinit.

Autoriteteve lokale malazeze që ndodheshin në zonat kufitare me Shqipërinë, u dha pyetësorët e nevojshëm për vjeljen e informacionit. Kapiteni Jovan Llazoviq nga Podgorica, do t’i jepte një shkëndijë të rëndësishme informacioni ministrit Bogishiq, duke e vënë në dijeni se kishte informacion se Kanuni i Lekë Dukagjinit ekzistonte në Shkodër, në formë të shkruar, tek kryetari i Serxherdesë, Ibrahim Bej Sokolloviqi. Serxherdeja përbëhej nga 25 anëtarë dhe udhëhiqte Institucionin e Xhibalit apo të njohur ndryshe si Komisioni i Maleve. Meqenëse Llazoviqi nuk e gjeti dot tekstin e Kanunit, u detyrua vetë Bogishiqi të vinte në Shkodër, por as ai nuk gjeti ndonjë gjë. Ai kërkoi ndihmën e konsullit francez në Shkodër, Aleksandër Degrand, (i cili gjithashtu merrej me studime shkencore), për gjetjen e tekstit të Kanunit. Ai e lajmëroi se nuk kishte mundur të gjendte një tekst të tillë, por e njohu atë me institucionin e Serxhedesë, që zbatonte të drejten zakonore në formë gojore. Vendimet e Komisionit të Xhibalit, që merreshin në bazë të Kanunit, njiheshin edhe nga gjykata turke. Ishte ky, një Këshill Gjyqësor, që bazohej në të drejten zakonore shqiptare, i formuar në fund të viteve ‘50 të shek. XIX, duke i dhënë këtij institucioni të drejten për të rregulluar çështjet e Malësisë në bazë të të drejtave të tyre zakonore. Malësorët e trajtonin këtë institucion si një lloj e drejte veteqeverisëse, por ideja e pushtetarëve osmanë, ishte shtrirja e plotë e autoritetit në Malësi të Madhe dhe zbatimi i reformave të Tanzimatit.

Sipas studiuesit Kahreman Ulqini, Komisioni i Xhibalit, qysh në vitin 1863 posedonte Kanunin e Lekë Dukagjinit, të shkruar në osmanisht. Ai madje fakton se pjesë të këtij kanuni janë njëzet paragrafë, të botuar në salnamenë e Vilajetit të Shkodrës më 1894. Llogjika të çon të mendosh se Komisioni i Maleve, qysh në momentin e krijimit të tij, duhet te ketë pasur një normë të shkruar mbi të cilën ajo merrte vendimet gjyqësore, të mbështetura në Kanunin e Lekë Dukagjinit.

Përfaqësuesi turk në Cetinë, Fevzi Bej, konfirmoi konstatimet e Degrandit, se normat e Kanunit duhet të mblidheshin nëpërmjet informacioneve dhe burimeve të ndryshme në terren. Ai vuri në dispozicion të studimeve të Bogishiqit “Vjetarin e Vilajetit të Shkodrës” 1892/1893, në të cilin jepeshin përshkrime të detajuara statistikore për fiset e Malësisë së Madhe, por edhe për fise të tjera të Shqipërisë së Veriut, sikurse dhe një tekst i Kanunit të Lekë Dukagjinit, për të cilin flet edhe autori Ulqini.

Siç kemi thënë më sipër, Bogishiqi u kishte dhënë instruksione edhe autoriteteve lokale në zonat kufitare me Shqipërinë për vjeljen e informacioneve lidhur me të drejtën zakonore shqiptare. Ai vetë intervistoi Marash Mark Gjeloshaj (kapiten) nga Trieshi. Informacione modeste po ashtu ka marrë edhe nga vojvoda i fisit Vasojeviq, Llakiq Vojvodiq. Sidoqoftë, dhjetori i vitit 1894 do të shënonte pikën kulminante të punës së ministrit Bogishiq, pasi Kapiteni Jovan Llazoviq nga Podgorica do t’i jepte një sërë informacionesh të rëndësishme. Llazoviqi kishte zhvilluar biseda të shumta me Sokol Bacin, i cili në këtë kohë ndodhej azilant në Podgoricë. Ai kishte arritur të siguronte nga Sokoli, plot 75 nene, që kishin të bënin me të drejtën zakonore të shqiptarëve të Malësisë së Madhe. Sokol Baci Ivezaj i kishte dhënë Llazoviqit informacione të detajuara nga normat e Kanunit të Lekë Dukagjinit: vrasje dhe plagosje; lindja e fëmijës jashtëmartesor; përdhunimi; e fejuara ose i fejuari i braktisur; vjedhja; ndalimi i kalimit përmes tokës apo shfrytëzimi i saj; prerja e drurit në pyllin e tjetrit; shkaktimi i dëmtimit në të korrat e të tjerëve ose në livadhet e pakositura; rasti kur kafsha e një pronari vret kafshën e pronarit tjetër; vrasje

kafshe të huaj për vetëmbrojtje; rasti i mospërgjigjes ndaj ftesës ushtarake; shitja e pasurisë së paluajtshme bazuar në të drejtën e të afërmve për të blerë pronën; keqkuptime rreth zotërimit të tokës; e drejta e kalimit përmes pronës së tjetrit; moskthimi i borxhit dhe interesi (kamata) i borxhit; e drejta e ujitjes dhe e ndërtimit të mullinjve në rrjedhat ujore; prona e përbashkët e vëllazërisë dhe e fisit; ndarja e trashëgimnisë së përbashkët; fejesa e një beqareje; dhënia e kafshëve shtëpiake për përdorim dhe përkujdesje; dhënia e qeve për plugim; sigurimi i borxhit (pengu i sendeve të luajtshme dhe të paluajtshme). Siç shihet, normat e Kanunit të Lekë Dukagjjnit të shkruara në këtë mënyrë përfshinin çështje nga fusha e së drejtës penale, reale, detyrimore, familjare dhe trashëgimore dhe në shumë elementë përkonin me çështjen e anketës që Bogishiqi kishte përgatitur në vitin 1873.

Anketa e Bogishiqit përfshinte jo vetëm territoret e Malit të Zi, por edhe ato shqiptare dhe të Hercegovinës, duke caktuar reporterë nëpër zona të veçanta fisnore. Për zonën e Malësisë së Madhe, reporter, anketues dhe informacionmbledhës do të caktohej Mark Milani. Nga anketa do të rezultonte se një pjesë e mirë e krahinave të Malit të Zi, organizimin shoqëror e bënin në bazë të së drejtës zakonore shqiptare, Kanunit të Lekë Dukagjinit. Edhe fiset shqiptare, tashmë të asimiluar, si kuçët, piperët, vasojeviqët, bjellopavliqët dhe të tjerë, sikurse dhe ato malazeze që jetonin në afërsi me fiset shqiptare, njihnin Kanunin e Lekë Dukagjinit si rregullator të shoqërisë. Kodi i Dytë i Bogishiqit u botua në vitin 1898 dhe në bazë të tij, Mali i Zi qeverisi deri në vitin 1945 kur u bë pjesë e federatës jugosllave.

Edhe pse Bogishiqi nuk arriti që Kanunin e Lekës ta përmblidhte në një botim, studimet e tij ishin shkëndija e parë për shkrimin e të drejtës zakonore shqiptare, edhe pse ishte projekt në kuadër të interesave të shtetit malazez për pajisjen e tij me një rregullator të mirëfilltë ligjesh dhe funksionimi. Mund të konsiderohet si një nga studimet më të thella që është bërë ndonjëherë mbi këtë vepër monumentale të traditës zakonore shqiptare. Por megjithëse ishte studimi më serioz deri në atë moment, kodifikimi i parë dhe i plotë i Kanunit të Lekë Dukagjinit do të realizohej vetëm në vitin 1933 nga Atë Shtjefen Gjeçovi. Ishte kjo një ngjarje e rëndësishme për etnologjinë dhe kulturën shqiptare, për njohjen në formë të shkruar të së drejtës zakonore shqiptare, e cila me shekuj u ruajt gojarisht, duke u transmetuar nga brezi në brez.

Filed Under: Histori

NJË FIGURË QË BASHKON TRE EMRA, NGJASHËM SI TRINIA E SHENJTË

October 23, 2024 by s p

Nga Prof.Dr. Skender ASANI/

Ashtu siç evoluoi procesi i formimit dhe zhvillimit të personalitetit të Nënës Tereze, ashtu evoluoi në kohë edhe emërtimi i saj. Fillimisht ajo ishte Gonxhe Bojaxhiu e Shkupit, një emër që lidhej me fëmijërinë dhe rininë e saj, e që i takonte më tepër botës shqiptare, prej nga erdhi ajo. Pastaj, me kalimin e kohës, sidomos kur ajo pranoi thirrjen për t’i shërbyer Hyjit, figura e saj u stolis me një emër tjetër- Nënë Tereza, një emër që aoconte në vlerat universale të humanizmit dhe flijimit për tjetrin. Madje ajo u quajt edhe Nënë Tereza e Kalkutës për shkak të lidhshmërisë që kishte emri i saj me një qytet të Indisë ku ajo vendosi ta përqëndrojë gjithë veprimtarinë e saj humane e dobiprurëse për njerëzit e sëmurë, të varfër e të braktisur. Më 4 shtator Nënë Tereza u shpall Tereza e shenjtë e Kalkutës nga Papa Françesku, pasi iu njohën dy mrekullitë që i hapën rrugën e shenjtërimit. Etimologjikisht ky emërtim i ri ngërthen të gjitha tiparet e një figure që gjithë jetën e saj e kishte ndërtuar mbi parime hyjnore e tokësore, por edhe një figure që filloi të identifikohet më tepër me botëkuptimet teologjike të besimtarëve. Për ta ilustruar këtë mjafton të citojmë një bisedë që Shën Nënë Tereza e kishte pasur me Don Lush Gjergjin, të cilit i kishte thënë: “Kudo që shkoj shoh një gjë: njerëzit kanë shumë nevojë për Zotin, dhe për këtë ne duhet t’u ndihmojmë në kërkim të Tij dhe në gjetje të Tij. Kjo për ne, domethënë bota e sotme, mbi të gjitha ka nevojë për Dashuri – domethënë për Zotin.”

Megjithatë është vërejtur se në komunikimet e përditshme ndërkombëtare e rajonale, sikur dominon emri “Nënë Tereza”, një nocion ky që bashkon të gjitha nuancat etimologjike të emrit të saj dhe kjo dëshmon se kur një emër ngulitet thellë në memorien e njerëzimit, ai e ka vështirë pastaj të ndryshojë shtratin kuptimor.

Sido që të jetë, historia e njerëzimit njeh shumë pak raste që brenda një figure të konvergojnë tre emërtime, të cilat në kohë dhe hapësira të ndryshme patën funksione të

caktuara por që pikëtakoheshin në një dimension- në tejkalimin e vetvertës për të qenë në shërbim të tjerëve. Prandaj jo ratësisht Shën Nëna Tereze përfaqëson figurën më emblematike që bashkon universalitetin e virtytit njerëzor dhe shenjtërinë hyjnore. Duke qenë midis njerëzores dhe hyjnores, Shën Nëna Tereze u mundua të na tregojë se thellë në natyrën e njeriut bashkëjetojnë flijimi,ndërgjegjësimi dhe besimi, si tre komponente që e bëjnë të veçantë qenien njerëzore.

Nga studimet e shumta që i janë bërë jetës dhe veprës së Shën Nënës Terezës, rezulton që angazhimi i saj nuk ishte thjeshtë bamirësia, siç e trajtojnë gabimisht disa autorë, por flijimi, sepse flijimi, sipas Shën Nënë Terezës paraqet shkallën më sipërore në të cilën ndodhet vetëdija e njeriut për ta bërë të lumtur tjetrin duke hequr dorë nga lumturia personale.

Gjithë këtë sistem vlerash njerëzore e hyjnore, Shën Nënës Tereze e ndërtoi duke pasur si model familjen e saj në Shkup, si një “laborator” edukimi ku u krijua ky sistem. E ardhur nga një periferi e largët, siç ishte Shkupi i kohës së fëmijërisë dhe rinisë së saj, me një gamë të gjerë diversiteti fetar, etnik e gjuhësor, Shën Nëna Tereze përçoi në gjithë planetin indin e njerëzores dhe hyjnores, duke i transformuar gjendjet e zymta shpirtërore në kopshte të optimizmit dhe shpresës. Për rrjedhojë, ajo u angazhua më tepër në rimëkëmbjen shpirtërore se sa materiale të njeriut, sepse, Shën Nënë Tereza konsideronte si njeriun e bënë më të pasur një shpirt i plotë se sa një xhep i plotë.

Ky rrezatim vlerash që dalin nga kjo grua e madhe, nuk është vështirë të konstatojmë se ajo sot paraqet rastin më unik për të qenë një model edukimi për brezat e rinj, pikërisht në kohën kur edukimi po kalon nëpër sfida të shumta që sjell globalizmi dhe digjitalizimi.

Për rrjedhojo, do të duhej që doktrina e saj teologjike filozofike të bëhet pjesë ekurikulave shkollore për ta kuptuar më mirë rëndësinë që ka kjo figurë në përhapjen e vlerave sublime humane e shpirtërore tek njerëzit të cilët ajo nuk i njihte më pare, nuk ua dinte emrat, nuk e dinte se cilës fe apo cilit komb i përkisnin, por e dinte se vetmia është plaga më e madhe e njerëzimit dhe vetmia, siç na mësoi Shën Nëna Tereze, nuk ka as përkatësi fetare as kombëtare, por ajo është pjesë e padukshme e njeriut që kërkon një dorë të ngrohtë kur të tjerët të harrojnë.

Pra, nëse nga fama që gëzon në gjithë planetin tonë Shën Nënë Tereza marrim dimensionin edukues të saj dhe e zgjerojmë në formë të praktikave arsimore, atëherë do të vërejmë se ajo mund të jetë e vetmja hallkë që i bashkon njerëzit, edhe atëherë kur ata nuk njihen paraprakisht. Gjithkund tjetër, në politikë, në biznes, në sport, njerëzit bashkohen sipas afiniteteve të përbashkëta ose sipas interesave të caktuara, ndërkohë që për të qenë afër Shën Nënës Tereze nuk kishte nevojë të kesh ndonjë preferencë të veçantë, dhe më së paku të jesh i pasur apo i famshëm. Gjithë pasuria dhe fama e Shën Nënës Tereze vizatohej në formë buzëqeshjeje në fytyrën e saj, sepse ajo ishte e vetëdijshme se njerëzit më shumë se për gjithçka tjetër kishin nevojë për dashuri dhe buzëqeshje të sinqertë. Dhe kur jemi te dashuria, ajo madje mungesën e dashurisë e konsideronte mëkat

“Mëkati më i madh është mungesa e dashurisë, indiferenca e tmerrshme për të afërmin, që lëngon nëpër rrugët e botës, si viktimë e shfrytëzimit, korrupsionit, moskujdesit shëndetësor, padrejtësisë. Mëkati na përndjek, është i pranishëm në ne. Mirëpo kurrë nuk duhet të dorëzohemi dhe dëshpërohemi. Nuk duhet të ndihemi dhe të jemi të pashpresë… “, thoshte Shën Nëna Tereze.

Duke u nisur nga kjo frymë univerzale që mbizotëronte në karakterin dhe virtytet e Shën Nënës Tereze, atëherë edhe studimi i jetës dhe veprës së saj kërkon një angazhim kolosal dhe asnjëherë nuk mjaftojnë përpjekjet që figura e saj të trajtohet në shumë dimensione. Ndonëse janë shkruar qindra e mijëra vepra letrare e muzikore dhe janë bërë po aq vepra pamore e skulpturore, megjithatë Shën Nëna Tereze vazhdon të jetë një burim i pashterrshëm frymëzimi për krijuesit e të gjitha fushave.

Tani kur po jetojmë në epokën e teknologjisë së informacionit, është afër mendësh që shumdimensionaliteti i figures së Shën Nënë Terezës të bartet edhe në projeksionet e shumta të kësaj teknologjie, përfshi edhe Inteligjencën Artificiale, si një favor që tejkalon mënyrën klasike të prezantimit të saj para publikut.

Në një të ardhme jo të largët, jeta dhe vepra e Shën Nënës Tereze, që nga fëmijëria e deri në vitet e fundit të jetës së saj, do të jetë pjesë e projeksioneve teknologjike në kuadër të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, ku përmes Intelegjencës Artificiale ajo jo vetëm që do të bëhet më e afërt për publikun, por do të prodhojë edhe më shumë ide që figura e saj të përfshihet në procesin e komunikimit dhe ndërveprimit qytetar, si një agorë që relativizon dallimet dhe përafron botëkuptimet.

Krejt në fund dua të shprehi publikisht konsideratat e mija të sinqerta ndaj mikut tim, konsullit të nderit të Republikës së Shqipërisë në Kroaci, z. Basri Alitit, për kontributin e tij në ngritjen e kësaj shtatoreje të bukur të Shën Nënës Tereze këtu në Osjek, një qytet ky që tash e tutje do ta ketë edhe simbolin e vet që lidhet me një figurë sa të përbotshme, po aq edhe të afërt për neve. Gjithashtu kjo nismë nuk do të realizohej sikur të mungongte edhe vullneti i mire i autoriteteve lokale, të cilët duke rezervuar këtë hapësirë publike për shtatoren e Shën Nënës Tereze, kanë nderuar veten dhe gjithë ndjekësit dhe admiruesit e kësaj figure të madhe të njerëzimit.

Filed Under: Kronike

Fondacioni “Dom Simon Filipaj” në New York bashkoi 35 mijë dollarë në ndihmë të shqiptarëve në Ulqin

October 23, 2024 by s p

Sokol Paja/

Fondacioni “Dom Simon Filipaj” në një darkë të organizuar në Qendrën Kulturore të Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” në New York bashkoi rreth 35 mijë dollarë në ndihmë të shqiptarëve në Ulqin. Bujaria dhe fisnikëria e shqiptarëve të Amerikës do të jetë një shpresë dhe mundësi për vëllezërit e motrat tona që gjenden në vështirësi e pamundësi në Ulqin. Pas fjalës falenderuese e bekimit të darkës nga udhëheqësi shpirtëror famullitari e misionari Dom Pjetër Popaj, fjalën kryesore e mbajti patrioti i shquar i mërgatës shqiptare të Amerikës, veprimtari Gjon Gjokaj në emër të aktivistëve të Fondit Humanitar Trieshi në SHBA. Ai renditi ndër të tjera punët e shkëlqyera të Fondacionit “Dom Simon Filipaj” nën udhëheqjen e patriotit Tom Shkreli për përmirësimin e kushteve kulturore dhe shëndetësore të vendlindjes në Ulqin, si në botimin e librave dhe revistave, blerjen e ambulancave në SHBA dhe dërgimin e tyre në Shtëpinë e Shëndetit në Ulqin, për nevojat urgjente të banorëve të kësaj komune, si dhe donacionet e shumta që janë bërë për Qendrën Shëndetësore etj. Është për t’u lavdëruar misioni juaj human që çdo vit vazhdoni të ndihmoni studentët shqiptarë në vendlindjen tuaj si dhe përkrahni pa rezerva njerëzit në nevojë, tha ndër të tjera z.Gjokaj. Drejtuesi i Fondacionit “Dom Simon Filipaj” z.Tom Shkreli analizoi dhe shpjegoi para të pranishmëve ecurinë e punës dhe veprimtarisë humanitare dhe theksoi para pjesëmarrësve se në 19 vite histori suksesi e veprimtari humanitare ky fondacion ka dërguar më shumë se gjysmë milioni dollarë ndihmë në Ulqin në ndihmë të shqiptarëve në nevojë. Z.Shkreli theksoi më tej se prioritet i ndihmës në vazhdim do të jenë studentët shqiptarë të Ulqinit me rezultate të larta e arritje të shkëlqyera akademike si një investim për të ardhmen e vendit dhe viseve historike shqiptare në Ulqin. Një mbrëmje festive e paharrueshme për të gjithë pranishmit të cilët treguan solidaritet, zemërbardhësi e fisnikëri në ndihmë dhe mbështetje jo vetëm të gjeneratës së sotme por mbi të gjitha shqiptarëve ulqinakë që shkëlqejnë në universitetet shqiptare, si garanci e së nesërmes. Fondacioni “Dom Simon Filipaj” është themeluar më 10 maj 2005 në New York dhe drejtohet aktualisht nga: Tom Shkreli, Nikollë Gazivoda, Pal Çotaj, Zef Gjokaj dhe Shefki Sefa. Ky Fondacion humanitar e patriotik përbën një bashkësi energjishë patriotike e atdhetare që frymëzon respekt, dinjitet e krenari kombëtare në mërgatën shqiptare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Reportazh

𝗦𝗵𝘁𝗲̈𝗽𝗶𝗮 𝗲 𝗕𝗮𝗿𝗱𝗵𝗲̈, 𝗪𝗮𝘀𝗵𝗶𝗻𝗴𝘁𝗼𝗻 𝗗.𝗖., 𝗠𝗮𝘀𝗼𝗻𝗲𝗿𝗶𝗮 𝗱𝗵𝗲 𝗠𝗲𝗻𝗱𝗲̈𝘀𝗶𝗮 𝗔𝗺𝗲𝗿𝗶𝗸𝗮𝗻𝗲

October 23, 2024 by s p

𝗗𝗿. 𝗕𝗹𝗲𝗱𝗮𝗿 𝗞𝘂𝗿𝘁𝗶

(𝗔𝗹𝘂𝗺𝗻𝗶 𝗶 𝗗𝗲𝗽𝗮𝗿𝘁𝗮𝗺𝗲𝗻𝘁𝗶𝘁 𝗔𝗺𝗲𝗿𝗶𝗸𝗮𝗻 𝘁𝗲̈ 𝗦𝗵𝘁𝗲𝘁𝗶𝘁)/

Në këtë ditë, më 13 tetor 1792 u vendos guri i themelit për ndërtimin e Shtëpisë së Bardhë, e titulluar në fillim si Vila Ekzekutive ose Godina Presidenciale. Arkitekti i përzgjedhur ishte James Hoban, amerikan me origjinë irlandeze. Punëtorët ishin skllevër vendas, të cilëve më vonë iu bashkuan gurgdhendës të aftë nga Edinburgu, Skoci.

Presidenti i parë, George Washington nuk jetoi kurrë në Shtëpinë e Bardhë por ishte John Adams, presidenti i dytë (1797-1801), ai që u zhvendos në rezidencën presidenciale ende të papërfunduar. Në një letër drejtuar bashkëshortes së tij Adams shkroi:

“Lutem që Zoti t’i japë bekimet më të mira kësaj shtëpie dhe kujtdo që do të banojë në të. Askush, përveç Njerëzve të Ndershëm dhe të Urtë, mos drejtoftë kurrë nën këtë çati.”

Dekada më vonë, me insistimin e Presidentit Franklin Roosevelt (1933–45), ky citat u gdhend në oxhakun e dhomës zyrtare të ngrënies poshtë portretit të Abraham Lincoln.

Pavarërisht se George Washington ishte Presidenti i vetëm që nuk jetoi në Washington D.C. dhe në Shtëpinë e Bardhë, ishte ai që zgjodhi tokën dhe mbikëqyri personalisht me fanatizëm planifikimin urban të kryeqytetit amerikan. Në të gjendet përzierja më mistike e mundshme e simboleve pagane, deiste, iluministe, masonike dhe të krishtera, të cilat, parë nga sytë amatorë, nuk shpalosen si një buqetë e larmishme e harmonisë shoqërore por si një konflikt.

Sipas shumë spekullimeve, këto simbole flasin qartë që babai i këtij shteti duket se ishte pionier i riteve pagane dhe simbolikave universale, deiste dhe humaniste, të cilat fshihen në hijen e simbolit të kryqit të etërve të kombit amerikan. George Washington ishte deist dhe mason e ka ngritur shumë spekullime por e vërteta e urbanistikës së Washington D.C., është ndryshe

Sipas teoricienëve konspirativë, ndërtesat dëshmojnë për frymën iluministe dhe masonike, por në fakt, pothuajse çdo ndërtesë publike e kryeqytetit mori inspirimin nga arkitektura egjiptiane, greke, romake, dhe ajo e Rilindjes. Arkitektët e parë të Washington D.C. ishin William Thornton dhe Benjamin Latrobe, të dy të zgjedhur nga Thomas Jefferson. Latrobe ishte mason, aë do të thotë ndërtues, dhe ai i dha natyrën joniane, dorike, dhe korintase elementeve të ndërtesave publike të Washington D.C., të cilat, si “urdhra arkitektonikë” përfaqësojnë mençuri, forcë, dhe bukuri.

Pentagrami (Ylli me pesë cepa) në rrugët e Pentagonit, linja stelare e ndërtesave qeveritare, monumenti i George Washington, etj., janë bërë prej kohësh objekt diskutimi mbi domethënien masonike, por e vërteta është se urbanistika e Washington D.C. është thjesht gjeometri dhe gjeometria konsiderohet si standardi më i lartë i dijes njerëzore. Aftësia për të konvertuar plane të skicuara nga letra në objekte reale betoni dhe tulle ndër shekuj është konsideruar një akt hyjnor në rregullin e universit.

Washington D.C., e ka të pëcaktuar në kushtetutë sipërfaqen e vet. Neni 1, Paragrafi 8 i Kushtetutës së SHBA siguron të drejtën e një territori që nuk kalon dhjetë milje katrorë për të shërbyer si vendi i qeverisë së Shteteve të Bashkuara. District of Columbia u emërua nga një komitet i ngritur nga Presidenti Washington në vitin 1791. “Columbia” është version femëror i mbiemrit të Cristopher Columbus, i idealizuar si një nga etërit hero nga amerikanët e shekullit të tetëmbëdhjetë. Më datë 12 tetor 1792, 300-vjetori i mbërritjes së Colombus në kontinentin e ri, u festua dita e parë e Ditës së Colombus. Një ditë më pas, më 13 tetor, u zhvillua ceremonia e vënies së gurit të parë për Shtëpinë e Bardhë. Kjo datë ishte 485-vjetori i arrestimit të Templarëve në Francë ndaj edhe janë ngritur shumë spekullime, sikurse edhe shumë të tjera, si për shembull viti 1776 i pavarësisënsë SHBA që gjoja përkon me krijimin e ilumintatit në po atë vit, e gabime të tjera historike të pabazuara por të shpërndara masivisht nga librat fiction të shekullit të 20-të.

Washington D.C., është i vetmi qytet në botë që ka rrugë me kthesa 108 gradë. Këndi 108 gradë është elementi që zbulon prezencën e pentagonëve dhe pentagrameve në një dizenjo të caktuar. Kjo ka shkaktuar trillime mbi simbole masonike dhe satanike, por e vërteta është se format janë përshtatur me hapësirën e kufizuar prej dhjetë miljesh katrorë.

Duke marrë parasysh nivelet e thella të simbolizmit, shihet qartë një ndërthurje e kulturave botërore dhe dijes epokale njerëzore. Washington D.C. është një mikro replikë e qendrave më të hershme urbane të Mesopotamisë, luginën e Nilit, Indet, Lumin e Verdhë, Azia Juglindore, Amerika Qendrore, Afrika Perëndimore, Athina, Roma, Firenze, etj.

Këto vende të lashta zbulojnë lidhjen e ndërtuesve të tyre me vendndodhjen e qytetit, orientimin në të katër drejtimet kardinale, elementet qendrore monumentale si tempujt, pallatet, piramidat, altarët dhe bulevardet e kortezhit të cilat i lidhnin këto vende me pushtetin. Projektimi i këtyre ansambleve tregojnë një dëshirë për të shpallur lidhjen midis forcave hyjnore dhe sunduesve të këtyre qyteteve, midis botës së mësipërme dhe qytetin mbretëror në tokë.

Etërit amerikanë ishin njerëz poliglotë, me një dije të gjithanshme të thelluar e me qasje universale. Ata ishin të krishterë, humanistë, iluministë, pasionantë të dijes, kulturës dhe historisë. Gjurmët e botëkuptimit të tyre dallohen edhe te Libraria e Kongresit ku ndërthuren shumë organikisht simbole humaniste, letrare dhe të krishtera. Te njëri afresk, në katin e dytë të murit verior të librarisë është shkruar një varg biblik, marrë nga Proverbat 4:7, “Dituria është gjëja më kryesore në jetë. Ndaj merre diturinë dhe t’i kuptosh të gjitha”. Në po të njëjtin kat gjendet një afresk tjetër, por marrë nga William Shakespeare, Vepra Henri IV, Pjesa II, Akti IV, Skena 7, “Injoranca është mallkimi i Perëndisë, ndërsa dituria na jep krahët që na çojnë për në parajsë”.

Respekti për dijen e lashtë manifestohet edhe në Ndërtesën e Gjykatës Supreme, në të cilën në një nga reliefet është gdhendur Moisiu, Konfuci, filozofi kinez (551-479 para Krishtit) dhe Soloni, ligjvënësi grek (638-558 para Krishtit). Në po këtë relief janë të gdhendur edhe një lepur dhe një breshkë, të cilët nuk janë thjesht për dekorim, por si ilustrim i një nga fabulave të Esopit, Lepuri dhe Breshka, e cila si moral ka që ligjet nuk duhen bërë me shpejtësi, por me durim.

Ekziston një mit i përhapur ndërkombëtarisht se masoneria kontrollon SHBA, e mbarë botën. Por, faktet tregojnë të kundërtën.

Më 5 janar 2007, Kongresi Amerikan, miratoi një rezolutë, e njohur si Rezoluta 33, e cila, pranon kontributin e masonerisë në krijimin e shtetit amerikan. Kjo rezolutë, e miratuar në ditët e para të vitit, por 230 më vonë pas krijimit të SHBA, dëshmon se ajo nuk ka qenë kurrë në qendër të meritave historike dhe për më shumë se dy shekuj ka qenë e humbur në betejën me Krishterimin dhe patriotizmin amerikan në tërësi. Dikush mund të spekullojë me numrin e Rezolutës, pra 33, si shkalla mjeshtërore masonike, por të krishterët mund të argumentojnë se përkon me vitet e moshës së Krishtit kur u kryqëzua, etj, e kësisoj nuk merret për bazë.

Në Rezolutën 33 shkruhet: Kjo rezolutë njeh me mijëra Masonë në çdo shtet të këtij Kombi dhe i nderon ata për kontributet e tyre të shumta që kanë dhënë për kombin gjatë gjithë historisë sonë. Vëllazëria Masonike meriton një njohje formale të historisë së saj të gjatë në përkujdesjen që kanë dhënë për qytetarinë dhe shembullin e tyre të standardeve të larta morale; dhe Freemason-ët kanë respektuar dhe festuar gjithmonë Ditën e Shën Gjonit, 24 qershorin, si dedikim për shenjtorin e tyre mbrojtës.

Ky tekst i dëshpëruar për t’u bërë pjesë e historisë nuk i shkon për shtat një miti që sundon botën. Masoneria dhe Deizmi, të rrethuara me frymën patriotike amerikane të kohës, dhanë impaktin e tyre gjatë luftës për pavarësi ashtu siç e dhanë edhe shumë grupime të tjera politike, fetare dhe patriotike, dhe asgjë më shumë. Ato ishin tranzitore, pa devijuar aspak identitetin amerikan dhe mbi të gjitha për të mos pasur asnjë ndikim kontrolli as mbi popullin e SHBA dhe as të popujve të tjerë të botës.

Ajo që e dallon amerikën dhe çdo gjë që ka lidhje me të është se është një shtet me përbërje, qeverisje dhe histori unike. Sistemi i shtetit amerikan është unik. Kushtetuta unike. Ofiqi i Presidentit unik. Dhe koncepti i të qënit një Amerikan i Mirë është tërësisht unik, koncept që nuk ekziston në vende të tjera. Ndaj çdo krahasim apo interpretim nga sy e mendje me kombësi tjetër nuk arrin dot t’i përafrohet mendësisë amerikane. Kjo nuk e bën Amerikën më të mirë nga popujt e tjerë, thjesht të ndryshme.

Historia nuk gjykon ajo vetëm kërkon të vërtetën ndër të gjitha hapat që ka ndërmarrë njerëzimi, zgjedhja e njeriut është nëse e kërkon të vërtetën në dritë apo në kthinat e fshehta të errësirës ku nën bukurinë dhe misticizmin e aparencës, nuk mund ta dish kurrë se çfarë do të zbulosh.

Filed Under: Analiza

Vatra Jacksonville – Florida fton të gjithë shqiptarët e Amerikës në festën e Flamurit Kombëtar

October 23, 2024 by s p

Vatra Jacksonville – Florida fton të gjithë shqiptarët e Amerikës në festën e Flamurit Kombëtar.

Filed Under: Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT