• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2024

“Ditëve të Kulturës Shqiptare” në Bukuresht

October 19, 2024 by s p

Bujar Luca çel ekspozitën e tij me grafika dhe vizatime në Bibliotekën Kombëtare të Rumanisë në Edicionin e VI-të të “Ditëve të Kulturës Shqiptare” në Bukuresht. Të hënën, më 14 tetor, u zhvillua në Bukuresht çelja e edicionit të VI-të të “Ditëve të Kulturës Shqiptare” në Bibliotekën Kombëtare të Rumanisë, duke filluar me ekspozitën e grafikës dhe vizatimeve të artistit të njohur shqiptar-francez, Bujar Luca. Kjo ekspozitë paraqiti për publikun rumun krijimet unike të artistit dhe shënoi një moment të rëndësishëm për komunitetin shqiptar në Rumani.

Në hapjen e ekspozitës, deputeti Bogdan-Alin Stoica, përfaqësues i minoritetit shqiptar në Parlamentin e Rumanisë, shprehu mirënjohjen ndaj Bujar Lucës për pranimin e ftesës së Lidhjes së Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR) për të ekspozuar në Bukuresht. Ai theksoi se për ALAR-in ishte një nder të mirëpresë një artist të nivelit ndërkombëtar, i cili kontribuon në forcimin e lidhjeve kulturore midis Shqipërisë dhe Rumanisë, por dhe vendit të tij kua ai jeton dhe punon për 35 vjetësh, Francës.

Ekspozita e Bujar Lucës u vlerësua nga një panel personalitetesh të njohura të artit dhe kritikës. Artisti i njohur vizual rumun Nicolae Ionescu, një mik i afërt i komunitetit shqiptar dhe i Shqipërisë, foli për veprën e Lucës, duke vlerësuar cilësinë e epërme të veprave të ekspozuara, rafinamentin e rrallë, talentin, forcën sintetizuese dhe elementë të stilit të tij të veçantë. Emilia Persu, anëtare e Unionit të Artistëve Plastikë të Rumanisë, gjithashtu vlerësoi ekspozitën për qasjen origjinale të artistit, për talentin dhe forcën e artistit, për gjuhën artistike të zgjedhur. Të gjitha këto dëshmojnë se kemi të bëjmë me një artist të madh europian-shtoi zonja Emilia Persu.

Shkrimtari dhe kritiku i njohur i artit, Luan Rama, i cili ndodhej në Bukuresht për promovimin e një vëllimi të tij në kuadër të të njëjtave aktivitete kulturore, ndau me publikun disa mendime mbi punën e Bujar Lucës. Ai e vlerësoi artistin për kapacitetin e tij të jashtëzakonshëm për të përçuar emocione përmes vizatimeve dhe grafikave të tij. Gjithashtu, Dr. Luan Topciu, koordinator i Qendrës Kulturore të Shqiptarëve në Rumani dhe kritik i njohur arti, analizoi vlerat estetike dhe simbolike të veprave të ekspozuara. Përmes një vështrimi krahasues midis gjinive të tjera të artit, por dhe me të ngjashmit e tij të artit botëror, ai vlerësoi faktin se ekspozimi i një artisti me të tilla përmasa në Rumani, është një eveniment i rëndësishëm kulturor.

Në përfundim të aktivitetit, artisti Bujar Luca falënderoi organizatorët, ALAR-in dhe Bibliotekën Kombëtare të Rumanisë, për mikpritjen dhe mundësinë e ekspozimit të veprave të tij në ambientet e një institucioni kaq të rëndësishëm. Ai shprehu kënaqësinë e madhe për pjesëmarrjen dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënieve të ngushta midis komunitetit shqiptar në Rumani dhe artistëve shqiptarë.

Zyra e shtypit ALAR

Bukuresht, tetor 2024

Filed Under: Kulture

FENOMENI I KONVERTIMIT  TË DHUNSHËM  TË  SHQIPTARËVE NGA SERBËT E MALAZEZËT NË VITIN 1913,  SI PASOJË PUSHTIMI

October 19, 2024 by s p

DR. DOM NIKË UKGJINI 

(Instituti Filozofik e Teologjike-Shkodër)/

Për ta kuptuar temën në fjalë, lypset pak kthim mbrapa në të kaluarën në kohën si rrjedhojë qe shkaku e pasoja e konvertimit të shqiptarëve nga një besim në tjetrin.

Konvertimi i parë i Arbërorëve ndodhi me skizmën e madhe të Kishës Katolike në shek. XI dhe ndarja në Lindje e Perëndim. Për shkak të pasojave që pati kjo përçarje, për Arbërinë studiuesi, francez, Zhan Klod Faveirial në vitin 1884, do shprehej “Skizma greke ishte një intrigë e poshtër për ta shkëputur Ilirinë nga Roma dhe për t’ia bashkangjitur Bizantit.” (Libri:  (Historia (më e vjetër) e Shqipërisë)

Pushteti osman shumë shekullor, për ta mbajtur të mbërthyer popullin e pushtuar Arbëror, imponoi më forma të ndryshme besimin e ri atë të islamit si një ndarje të re fetare në mes Arbërorëve, gjë  që pushtimi e islamizimi ishin në kundërshtim të plotë më vendimet e princave arbërorë, të mbledhur në Lezhë më 2 mars 1444.

Islamizimi i popullatës që erdhi si pasojë e likuidimeve fizike, varfërisë, politikës si përfimit,  ndalimit të shkollimit në gjuhën shqipe, me ligji, në vitin 1779 etj, do  të shprehej edhe  në tjetërsimin e dokeve dhe zakoneve, rregullimin  shoqëror, veshje, ndryshimin e arkitekturës, emrave, riteve fetare, dhe kthimin nga kultura perëndimore në islamike lindore, do shpreheshin studiuesit, Stadmyler, Bartel, Cordiano, Edwin Jacques, Drançollie tjerë. 

Pushtimi Osman e kalimi i shqiptarëve në besimin sulltanor, la pasoja të rënda për të ardhmen e popullit si identitet arbërore dhe si tërësi territoriale. Sipas, studiuesve të huaj dhe të vendit, në Konferencat ndërkombëtare, si pasojë e pushtimit osman,  shqiptarët nuk pranoheshin si komb, por sipas prezantimit të bërë nga Perandoria Osmane, ku shqiptarët e islamizuar me 70 %, i identifikonin si Turq, ata ortodoks si Grekë dhe katolikët si Latin.  

Nën ndikimin e sulltanit paranojat, Abdyl Hamiti II  (1876-1909), kjo ide duke e kamufluar me ngjyra fetare, mjerisht u zyrtarizua në Kongresin e Berlinit, të viti 1878, ku gjashtë Fuqitë e Mëdha, nënshkruan mes tyre traktatin për krijimin e shteteve të reja ballkanike e duke e lënë Shqipërinë vasale të Turqisë, më tre tri besimet e saja, të cilat si elementë të së njëjtës etni, kërkonin me ngulm që Shqipëria të jetë e pavarur e të mos cenoheshin trojet stërgjyshore, çfarë dhe u manifestua në Lidhjen e Prizrenit në vitin 1878 – 79.

 Kjo lënie  jashtë të Shqipërisë, ishte për faktin se të gjitha kombet ballkanike që lindën në Kongresië e Berlinit, gëzonin një homogjenitet të dallueshëm fetar ortodoks, si:  Greqia, Bullgaria, Rumunia, Serbia dhe Mali i Zi, kurse Shqipëria, për shkak të shtigjeve të errëta nga historia, kishte në përbërje tre besime,  të cilat edhe përkundrejt ndarjes se tyre të dhembshme fetare, qenë  flamurtar, në shpalljen e Pavarësisë  së Shqipërisë, me 28 nëntor të vitin 1912 në Vlorë.

Parë në këndvështrimin e situatës tepër të vështirë të institucioneve katolike në trojet shqiptare, si pasojë e rrënimet të gjatë nga pushtimi osman, protektorati i kultit, dhënë nga Papati i Romës,  perandorisë Austro-Hungareze që në shek. e XVIII dhe përforcuar me Konkordatin e nënshkruar mes Romës dhe Vjenës, në vitin 1855, ishte një shans i mirë për rimëkëmbjen dhe mbrojtjen e popullatës katolike nga osmanët dhe nxitje e investimeve në fushën fetare, kulturore,  ekonomike dhe politike, në gjitha trojet shqiptare të konfirmuara në  Kuvendin e Arbërit të vitit 1703, nga Tivari e deri në Shkup.

LULFTA BALLKANIKE DHE KONVERTIMI NË ORTODOKSI 

Përplasjet e luftës Ballkanike, në  1912-1913, e katër shteteve (Greqia, Serbia, Bullgaria e Mali i Zi), kundër Turqisë; sulltan Mehmetit V (1909-1918), në tetor të vitit 1912, sipas burimeve serbe,  nxit  Fuqitë e Mëdha të Londrës, për dërgimin e një demarshi, me dt. 8 tetor 1912, ku thuhej,  që të mos ndërmerret asnjë vetë-iniciativë për luftime të reja, “sepse në përfundim të tyre, nuk do pranohej nga Fuqitë e Mëdha asnjë lloj ndryshimi kufijsh e Status quos, (gjendjes pezull) në Ballkan. Lidhja e porsaformuar Ballkanike, e përkrahur në heshtje nga Rusia cariste, përkundrazi, për ta vendosur Konferencën e cila vazhdonte punimet në  Londër para faktit të kryer,  më 13 tetor 1912, shpallë luftë në këtë pjesë të Evropës turke, ku me këtë rast Serbia kishte si synim pushtimin e copëtimin e tokave shqiptare në Kosovë e Maqedoni. Ndërsa Mali i Zi, i krijuar si subjekt juridik ndërkombëtar, për interesat e Serbisë dhe Rusisë, me pretekstin e shpëtimit të të krishterëve ortodoks, ishte nisur drejt  aneksimit të Shkodrës dhe kufirit deri në lumin Mat,  e në veri lindje shtrirjen deri në Pejë e Gjakovë, ide kjo, sipas Branko Babiq,  e projektuar në kokën e krajl Nikollës dhe prezantuar para qeverise mike italiane që në vitin 1896. Me këtë rast Austro – Hungaria, bazuar në të drejtën e protokultit fetar, punonte fort për një Shqipëri autonome ose të pavarur me kufij, sa më të gjerë,  në mënyrë që të pengohej sa më shumë zgjerimi i shteteve ortodokse sllave drejt Ballkanit perëndimor.

Mali i Zi, pas vendosjes të sistemit ushtarako – policor e administrimiv në shtator 1912, filloi në trevat e pushtuara, fushatën e mbledhjes së armëve në: Beranë, Rozhajë, Sanxhak, Plavë e Guci, Rugovë, Pejë,  Gjakovë etj.  Gjatë këtyre aksioneve, pati mbyllje të  shkollave shqipe, pati  bastisje e djeg’je e plaçkitje të shtëpive, të kërcënuar, të vrarë,  të torturuar,  të shpërngulur edhe në Turqi. Në këtë aksion gjithëpërfshirës, me direktivat e qeverisë malazeze, Manastirit të Pejës dhe Mitropolisë së Cetinës, lindi fenomeni i habitëshim i kohës së mesjetës, konvertimi me dhunë në fenë ortodokse serbo-malazeze, i katolikëve e myslimanëve shqiptar, e myslimanëve të sllavizuar, çfarë ishte në kundërshtim të hapur me paragrafin 27 e 35, të Marrëveshjes së Kongresit të Berlinit.

Edhe pse mbretëria e Malit të Zi, e kishte të nënshkruar një Konkordat që  në vitit 1886, më Papatin, ku në pjesën e hyrjes, garantohet e drejta e plotë e besimit katolik, dhe Serbia pritej ta nënshkruaj Konkordatin me Papatin i cili u realizua me 24 Qershor1914, konvertimi i katolikëve në terren nuk kishte të ndalur.

Sipas studiuesit Zekeria Cana dhe disa të huajve, presioni i organeve malazeze, në mbarim të vitit 1912 e deri në fund të majit  të viti 1913. mbi katolikët, ndodhte edhe për shkak të orekseve malazeze për ta mbajtur të pushtuar Shkodrën. 

Kisha ortodokse serbe e malazeze, e mbështjellë  me një nacionalizëm të tepruar, bëri që nga frika dhe dhuna e ushtruar, të pagëzoheshin shqiptarët duke marrë emra të rinj sllav dhe në krye u vinin “kapicën” si shenjë e dukshme të nacionalitet malazez. Mësuesi dëshmitari Zef Mark Harapi,  duke marrë rastin në Pejë dhe Rugovë, shprehet, se të gjithë ata që kundërshtonin pranimin e besimit ortodoks dhe sllavizimin u likuiduan para syve të popullit të grumbulluar në sheshe të caktuar për publikimin e ngjarjeve. 

Se çfarë pësoi popullsia shqiptare e Rugovës nga ushtria malazeze, ilustrohet më së miri,  nga biseda që londinezja, Edith Durham,  në vitin 1913, kishte zhvilluar në Cetinë më gjeneralin Janko Vukotiq, i cili shprehej: se ne i mposhtëm dhe i vramë të gjithë burrat e Rugovës.

Në Pejë dhe Rugovë, u konvertuan në ortodoks 10 200 persona shqiptar,  ndër të cilët edhe një Hoxhë e një prift. Konvertime pati edhe në Plavë e Guci, ku sipas Mustafa Memiq, kishin kaluar në fenë ortodokse 108 persona nga të cilët 95 shqiptar të besimit mysliman 14 katolik, ndërsa  240 të vrarë e 795 të ikur në Shqipëri nga dhuna e ushtruar.  Sipas shtypit Austriak, në Ulqin ishin pagëzuar 300 katolik, pastaj kemi në Rozhajë, Beranë, Pljevlja, Tuz etj..

Sipas Branko Babiq dhe shtypit ndërkombëtar, ngjarja që shkaktoi indinjatë të thellë dhe habi në qarqet diplomatike londineze ishte vrasja nga qeveria malazeze, me bajonetë të klerikut katolik, Atë Luigj Paliq, i cili së bashku me  55 katolikë të tjerë u pushkatuan më 7 mars 1913, në Janoshë të Gjakovës, sepse nuk pranuan të kalonin në besimin ortodoks. Sipas studiuesit Babiq, pas këtij rasti në Gjakovë kaluan në ortodoksi edhe 1.200 katolikë e shumë pati të shpërngulur.

Në vazhdim, shtypi Austriak tregon rastin se, në Kosovë pas largimit të Turkut dhe ardhjes së pushtuesit të ri serbo-malazez, disa qindra “Laramanë”, detyroheshin në kishën ortodokse, të pagëzoheshin, ata kërkonin që të riktheheshin në kishën katolike, por pushteti serbo-malazez, duke mos lejuar të bëhet kjo gjë u thoshin “ose Mysliman ose Ortodoks, por jo Katolik”. Se kthimi i shqiptarëve në ortodoks vërtetë kishte marrë në pjesët e pushtuara përmasa të gjera, tregon Ministri i Punëve të Brendshme në Cetinë, Jovan Pllamenac, në telegramin, nr. 1658, dt. 21. III. 1913, ku shprehet së deri në fund të marsit, “ ishin pagëzuar rreth 5.000 shqiptar”.

Kundër kësaj vepre të shëmtuar dhe fenomenit konvertimit në ortodoks të kryer nga qeveria malazeze e serbe, kishte reaguar ashpër Kryeipeshkvi i Shkupit, Lazër Mjeda, i cili administronte katolikët nga Ohri, Shkupi e deri në Novi Pazar. Kurse, Qeveria Austro-Hungareze si shpëtimtare  e  shqiptarëve,  së bashku me qeverinë e Francës, nxiten Konferencën e Londrës, ku ajo  më 22 mars 1913 solli vendimin mbi Konceptin e mbrojtjes edhe të të drejtave të katolikëve në Mal të Zi. Po kështu u theksua edhe në përmbylljen e Konferencës së Londrës me 29 korrik 1913.

Në shenjë nderimi për të gjithë ata, që në këto ngjarje dhanë jetën për fe e atdhe, Vatikani me 20 qershor 2024, shpalli klerikun, Atë Liugj Paliq martir të Kishes Katolike.

Konvertimi në ortodoksi që për kohën do thoshte, ndërrim i nacionalitetit të shqiptarëve, në serb apo malazez, kishte shkaktuar një hendek të madh fetar, shoqëror, politik e nacional, pasojë e së cilës, populli  shqiptar dhe shqiptarët në përgjithësi  i vuajnë edhe sot e kësaj dite. Andaj, fenomeni i konvertimit me dhunë të fesë apo nacionalitetit, qoftë nga Turqia apo  Mali i Zi e Serbia,  nuk duhet të përsëriten me as kurrë.

Filed Under: Analiza

HASAN PRISHTINA, LUFTËTAR I MADH PËR ARSIMIN SHQIP

October 19, 2024 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Hasan Prishtina hyri në jetën politike dhe në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në vitin 1908, në një moment të rëndësishëm historik, kur rrjedha e historisë e kishte paracaktuar shembjen e Perandorisë Osmane dhe në plan të parë dilte shpëtimi i kombit shqiptar ngë rreziku i copëtimit prej fqinjëve ballkanikë. Ai e kuptonte mbijetesën e shqiptarëve në trojet e veta si luftë që do të bëhet me pushkë, por edhe me penë, prandaj të gjitha forcat e veta ia kushtoj përhapjes së arsimit shqip dhe rritjes së vetëdijes kombëtare të shqiptarëve, si një parakusht për krijimin e shtetit shqiptar të pavarur. Që në fillim të veprimtarisë së tij politike dhe atdhetare, Hasan Prishtina u angazhua për përhapjen e shkollave shqipe. Në vjeshtë të vitit 1908, ai u takua me krerët e Lëvizjes Kombëtare të kazasë së Gjilanit me ç’rast u mor vendim që në këtë rreth të hapen tri shkolla në gjuhën shqipe: në Pozheran dhe dy të tjerat në Gjilan (Musliu, 2002:418) Një vit më vonë ai ndërmori një udhëtim nëpër Kosovë me qëllim hapjen e shkollave shqipe. Frut i udhëtimit të tij ishte hapja e shkollave shqipe në Gjilan, Morovë, Pozharan (Bashkimi i Kombit, 9, 1909). Jashtë vëmendjes së tij nuk mbeti as vendlindja. Ato ditë, gazeta “Dielli” e Bostonit (26 nëntor 1909) shkruante ndër të tjerash  se: “…lëvizja kombëtare ka nisë m`u ngjallë shumë në Kosov… ndër këto ditë, me të përpjekurat e Hasan Beut, deputetit Prishtinës, u hap një mësonjtore shqipe në një fshat afër Vuçitërnës… pritet për së shpejti qi Hasan Beu të çelë edhe një mësonjëtore tjetër  (shqipe) brenda në Vuçiternë, ku ka shpin`e vet (Rifati,2017).  Pasi vizitoi gjimnazin e Shkupit dhe  dëgjoi kërkesat e nxënësve shqiptarë që mësonin atje, iu drejtua Stambollit me telegram për të lejuar në këtë gjimnaz mësimin e gjuhës shqipe. Dhe me të vërtetë, pas pak kohe, mësuesit  shqiptarë Sali Gjuka dhe Bedri Pejani, filluan të japin aty mësimin në gjuhën shqipe” (Shala, 2004:6; Bela, 2021). Luftën për arsimin shqip deputeti Hasan Prishtina e zhvilloi edhe brenda Parlamentit Osman. Në seancën parlamentare të 2 majit 1911, ai kërkoi që në Vilajetin e Kosovës të hapej një shkollë e mesme Bujqësore, sepse ky territor kishte kushte të përshtatshme për zhvillimin e kulturave bujqësore (Musliu, 2012:482)

Hapjen e Normales së Elbasanit, Prishtina e konsideronte ngjarje me rëndësi të madhe për shqiptarët. Ai e çmonte shumë Normalen jo vetëm si një vatër arsimi e kulture kombëtare, por dhe si qendra e parë e vëllazërimit të rinisë shqiptare (Haxhiu, 1964:17. Me interesimin e drejtpërdrejtë të tij u dërguan në Normale rreth 50 nxënës nga Kosova dhe Dibra, të dërguar nga klubet atdhetare të Shkupit dhe të Dibrës (Historia e Popullit Shqiptar, II: 418), që përbënin një të tretën e numrit të përgjithshëm të nxënësve (Peza-Perriu, 2019: 21). Shkolla normale e Elbasanit shënoi një përparim cilësor në arsimin shqip duke iu përgjigjur nevojës akute të shqiptarëve – mungesës së mësuesve.  

Meqenëse hapja e shkollave në gjuhën shqipe nuk gjeti mbështetjen financiare të qeverisë xhonturke, atëherë Hasan Prishtina i bënte thirrje shqiptarëve të pasur anembanë, që me të ardhurat e tyre, ta ndihmonin financiarisht shkollën shqipe. Në një mbledhje të mbajtur në Klubin Qendror në Stamboll prej shumë çështjeve që u diskutuan, Hasan Prishtina paraqiti edhe çështjen e shkollës shqipe dhe u zotua të jepte 5 përqind të të ardhurave vjetore (Musliu, 2012: 481). 

Në janar 1910 Hasan Prishtina dhe deputetë të tjerë atdhetarë: Ismail Qemali, Nexhip Draga, Shahin Kolonja etj. i dërguan Kryeministrit një letër proteste ku kërkohej që të respektoheshin të drejtat e ligjshme të shqiptarëve, të liheshin ata që të përdornin alfabetin që dëshironin dhe administrate shtetërore të mos ndërhynte në këtë punë (Historia e Popullit Shqiptar, vëll. II, 2002: 420). Hasan Prishtina ishte mbështetës i madh i alfabetit latin të shqiptarëve që u miratua në Kongresin e Manastirit (Myzyri, 1996: 263). Pas interpelancës së deputetëve në Parlament dhe demarsheve të Hasan Prishtinës te Ministri i Arsimit, qeveria e Stambollit kumtoi zyrtarisht se e konsideronte çështjen e alfabetit si problem të brendshëm të shqiptarëve, por ndërkohë arriti urdhëresa që “mësimi i gjuhës shqipe në shkollat private dhe shtetërore të zhvillohej vetëm me alfabetin turk”. Në telegramin e dërguar Valiut të Kosovës, Ministri i Arsimit kishte theksuar se “telegrami i mëparshëm, për mospërzierjen në çështjen e alfabetit, ishte dërguar ngase qeveria me këtë donte të mësonte disponimin e popullit, dhe se vendimi i ri pasoi në mbështetje të vullnetit të shprehur nga vetë shqiptarët” ( The Times, August 05, 1910). Por në praktikë veprohej ndryshe, xhonturqit pushuan nga puna mësuesin e gjuhës shqipe, Bedri Efendiu (Pejani), pastaj komandantin e xhandarmerisë Sheli, sepse djali i tij ishte përkrahës i shkronjave latine dhe ishte larguar nga shkolla e Idadies, po ashtu, ishte larguar nga puna edhe një nëpunës dogane. Dhe të gjithë atyre që u kishin gjetur libra me shkrim latin, i kishin gjobitur me një rrogë. Edhe një mjek i komunës ishte larguar nga puna, sepse emrat dhe diagnoza e të sëmurëve kishte qenë të shkruar me shkronja latine. Klubit të këtushëm (e ka fjalën për klubin e Shkupit) i ishte hequr tabela e mbishkrimit pse kishte qenë e shkruar me shkronja latine” (Mustafa, 2018:95). Reaksioni xhonturk veproi në të gjithë krahinat e vendit por sidomos në Kosovë. Pasi ishin goditur shkollat shqipe të Pejës e të Gjilanit, Valiu i Kosovës në fillim të shkrutit 1910 lëshoi një urdhëresë për ti mbyllur të gjitha shkollat në Vilajet dhe për të hequr mësimin e shqipes nga shkollat turke në të cilat ishte futur disa muaj më par (Historia e arsimit shqiptar, 2003:208). Situata u acarua sidomos pas vendosjes së detyrueshme të gjuhës osmane në shkollat e ciklit të ndërmjetëm. Ky akt, u perceptua nga etnitë e ndryshme si faza e parë e procesit të turqizimit dhe shkaktoi një valë të madhe zemërimi(Ergün,1996:483-484).   Mosmbajtja e premtimeve në lidhje me shkollat dhe përdorimin e gjuhës shqipe ishte njëri ndër tri shkaqet e shpërthimit të kryengritjes së vitit 1912. Si në fillim, edhe gjatë zhvillimit të kryengritjes shqiptare të vitit 1912, u paraqitën kërkesa në lidhje me arsimin dhe shkollën shqipe (Dokumente franceze për Shqipërinë dhe shqiptarët (Myzyri, 1996: 362-363). Hasan Prishtina është drejtuesi kryesor i Kuvendi i Junikut, që u mbajt me 21 – 25 maj 1912. Ai është dhe autor i memorandumit dërguar Portës së Lartë dhe Fuqive të Mëdha. Ku nga 12 kërkesa 5 kishin të bënin me arsimin shqip dhe përdorimin e gjuhës shqipe: 1. Liri të plotë për mësimin e gjuhës shqipe; 2. Shtrirja e të drejtave kombëtare edhe mbi shqiptarët ashtu siç i gëzojnë elementët, të cilët përbëjnë Qeverinë Osmane dhe njohja zyrtarisht e kombësisë sonë; 3. T’u jepen shqiptarëve sigurime absolute se mbas këndej as Qeveria qendrore as Qeveria lokale nuk do të kryejnë kundra shoqërive (klubeve) ato vepra të paligjshme, që kryen deri me sot; 6. Emërtimi i valive e i nëpunësve që dinë gjuhën e vendit dhe njohin doket e zakonet tona kombëtare;  8. Përdorimi i gjuhës shqipe midis organeve qeveritare e popullit, si dhe ndër gjyqe dhe njohja e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare edhe ndër vilajetet e Shqipërisë (AQSH, 102 16: 1). 

Kërkesat sipas pikave përkatëse ishin: 1. Me përdorue në Shqypni nëpunës të praktikuem qi dinë gjuhën e zakonet e vendit; 5. Me themelue e me hapë shkollë reale në të gjitha prefekturat e qendrave të Kosovës, të Manastirit, të Shkodrës e të Janinës qi numërojnë ka nji popullsi ma se 30. 000 frymësh; me hapë edhe shkolla bujqësije si të Selanikut, mbasi vendi në krejt kuptimin asht nji vend bujqsije, si edhe me shti në program të mësimeve gjuhën e vendit; 6. Me hapë shkolla teologjike moderne ndër vende ku asht nevoja; 7. Me kenë i lirshëm në Shqypni të hapunit e të themeluemit e shkollave private; 8. Me u msue gjuha e vendit në shkollat fillestare, qytetse e në gjymnaze (Prishtina, 1921).

Hasan Prishtina ishte i orientuar drejt aleancave që i shërbenin çështjes shqiptare. Bashkëpunoi me austriakët dhe me ndihmën e tyre, në vitin 1915, hapi shkolla shqipe në Vushtri, Mitrovicë dhe në fshatërat, Polac, Pantinë, Smrekonicë, Nevolan etj. Pas pushtimit të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nga serbët dhe përfshirjen e saj në Mbretërinë Serbo Kroate Sllovene, Hasan Prishtina kishte reaguar për ndalimin e shkollës shqipe nga pushtuesit sllavë. Serbia i trajtonte shqiptarët si tjetri armiqësor, ekzistenca e të cilit mund të injorohet. Shkeljet e të drejtave të shqiptarëve ishin të tilla sa ishte kombi i vetëm që në shek. XX nuk kishte të drejtë shkollimi, as publikimi të librave dhe gazetave në gjuhën e tij(AMPJ, 1930, 194: 101). Serbët dhe malazezët u treguan më armiqësorë ndaj gjuhës shqipe se turqit. Autoritet serbe mbyllën të gjitha shkollat shqipe, të cilat ishin hapur në kohën e pushtimit austro-hungarez të Kosovës, në periudhën e Luftës së Parë Botërore(Demjaha& Peci, 2016:21).  Hasan Prishtina iu drejtua disa herë organizmave ndërkombëtare, kryesisht Lidhjes së Kombeve, si dhe kryetarëve të Fuqive të Mëdha për çështjen e Kosovës. Me 7 prill 1920, Hasan Prishtina i dërgoi një apel Kryeministrit të Anglisë, ku shkruan: “Që prej afërsisht 14 muajsh, në emër të popullit shqiptar i kam lejuar vetes t’i drejtohem telegrafisht Shkëlqesisë suaj lidhur me pavarësinë e Shqipërisë dhe në veçanti për çlirimin e krahinës së Kosovës aktualisht nën pushtimin serb” Çeku e Desatani, 2015: 314).  Vijojnë pastaj dhe disa promemorie të tjera të tij. Më 15 mars 1927, Hasan Prishtina iu drejtua me një shkresë nga Vjena, Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve, Eric Drummond, lidhur me gjendjen e mjeruar të shqiptarëve në Jugosllavi(AQSH, 263,1927, 11: 1).  Ai thekson se “Lidhjes së Kombeve, shumë herë i ishin bërë të ditura faktet që provonin gjendjen e dëshprëruar të shqiptarëve atje, megjitatë, asgjë nuk kishte ndryshuar dhe afro një milion shqiptarëve që jetonin në Kosovë e Maqedoni, jo vetëm u qe ndaluar arsimi kombëtar.(Verli, 2016:443-444).  

Angazhimi i Hasan Prishtinës për shkollimin shqip dhe kontributi i tij për të hapur shkolla shqipe është një shembull i rrallë që tregon se ai ishte një atdhetar vizionar dhe realist, që e njihte mirë vlerën e shkollës në rritjen e vetëdijes kombëtare, për të përgatitur propagandist të kualifikuar dhe drejtues të aftë të Lëvizjes Kombëtare që do ta çonin përpara idealin e bashkimit kombëtar.

Filed Under: Histori

Presidentja Osmani dekoroi Ambasadorin Walker, Kongresistin e ndjerë Lantos, Ambasadorin Fried, Josh Black dhe Mira Ricardel

October 19, 2024 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani i ka dekoruar me Urdhrin e Lirisë dhe Urdhrin e Pavarësisë, Ambasadorin William Walker, Kongresistin e ndjerë Tom Lantos, Ambasadorin Daniel Fried, Josh Black dhe Mira Ricardel.

Postimi i plotë i Presidentes Osmani:

FALEMINDERIT nga populli i Kosovës! 🇽🇰🇺🇸

Përmes përpjekjeve të tyre të pandërprera dhe angazhimit të palëkundur për paqen, lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës, Ambasadori William Walker, Kongresisti i ndjerë Tom Lantos, Ambasadori Daniel Fried, Josh Black dhe Mira Ricardel janë disa nga aleatët tanë amerikanë që kanë lënë një trashëgimi, e cila do të kujtohet gjithmonë me përulësi nga populli i Kosovës.

Mbështetja e tyre ka formësuar të kaluarën tonë, fuqizon të tashmen tonë dhe frymëzon të ardhmen tonë! Për këtë kontribut, sot, në Washington D.C., pata nderin që, në emër të Republikës së Kosovës, t’i dekoroj me Urdhrin e Lirisë dhe Urdhrin e Pavarësisë.

Filed Under: Rajon

Ramush Haradinaj viziton Vatrën sot në orën 5 Pm

October 19, 2024 by s p

Ditën e sotme ora 5 pm, z.Ramush Haradinaj, dy herë Kryeministër i Republikës së Kosovës, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe deputet i Kuvendit të Kosovës, ish-Komandanti i Zonës Operative të UÇK-së në Dukagjin, do të vizitojë Federatën Panshqiptare të Amerikës “Vatra” në adresën: 2437 Southern Blvd, Bronx, NY 10458. Ai do të zhvillojë një bashkëbisedim të përzemërt me vatranët dhe bashkatdhetarët.

Ftohet komuniteti që të marrë pjesë.

Filed Under: Komunitet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT