• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2024

AT SHTJEFËN GJEÇOVI MERITON MË SHUMË!

October 18, 2024 by s p

Nga Frank Shkreli

A person with a mustache

Description automatically generated

12 Korrik 1874 –14 Tetor 1929

“Këto punë po i shkruaj këtu, o vëlla shqiptar, jo me ndonjë qëllim të keq, por pse po ma ka ënda me e mbështetë në to vjetërsinë e kombit tonë. Le ta marrë vesh bota se hyjnitë, mënyrat dhe sjelljet e besimtarëve, si grekët dhe latinët e vjetër, i patën prej etërve tanë, Pellazgëve”. (At Shtjefën Gjeçovi)

At Shtjefën Gjeçovi — klerik shqiptar françeskan, shkrimtar, publicist, përkthyes, etnograf dhe arkeologu i parë shqiptar. Më 1929, për shkak të veprimtarisë së tij patriotike, arsimore dhe kulturore u vra nga serbët në Kodrën Rrezin të Zymit të Hasit të Thatë. Viti 2024 do duhej të ishte shpallur vit kushtuar At Shtjefën Gjeçovit, me rastin e 150-vjetorit të vrasjes së tij nga armiqtë shekullorë të Kombit shqiptar. Ky propozim është bërë në një letër dërguar Ministrit të Kulturës të Republikës së Kosovës, zotit Hajrullah Çeku, në fillim të këtij viti nga Kryetari i Akademisë dhe Arteve Republikës së Kosovës, Akademik Mehmet Kraja, sipas linkut të bashkangjitur:  U mbajt konferenca shkencore ndërkombëtare “Krijimtaria e Shtjefën Gjeçovit (150-vjetori i lindjes)” – Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ashak.org) 

Siç duket, propozimi i Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, paska renë në veshë të shurdhër të enteve të tjera të qeverisë e shtetit por edhe të enteve të tjera të interesuara të Republikës së Kosovës, pasi nuk është venë re ndonjë veprimtari kushtuar vitit të Shtjefën Gjeçovit me rastin e 150-vjetorit të vrasjes së tij nga serbët. Tani shohim se paskan dalë bosh përpjekjet prej pothuaj prej një vit të Akademisë dhe Arteve të Kosovës, për të përfshir ente dhe institucione të tjera shkencore dhe kulturore të Republikës së Kosovës, në organizimin  veprimtarive kushtuar At Shtjefën Gjeçovit në 150-vjetorin e vrasjes së tij nga serbët. Thuhet se entet që Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës shpresonte të bëheshin pjesë e këtij aktiviteti këtë vit, për të nderuar Shtjefën Gjeçovin, por që më në fund, duket se u tërhoqën, duke mos mbajtur premtimet, janë: Instituti Albanologjik, Instituti i Arkeologjisë, Universiteti i Prishtinës, Instituti i Historisë, Instituti i Trashëgimisë Kulturore, Komuna e Prishtinës, Komuna e Lipjanit etj. Por në radhë të parë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit duhej të ishte, sipas ekspertëve, enti kryesor bashkrendues përgjegjës.  Sidoqoftë, siç duket, i vetmi aktivitet kushtuar 150-vjetorit të Shtjefën Gjeçovit nga serbët, u zhvillua me 14 tetor 2024, një organizim ky – në minutën e fundit — nga Akademia e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Me një organizim që të sjell në mend atë frazën popullore: “Më ka çu baba sa me la gojën”, u mbajt konferenca shkencore e quajtur “ndërkombëtare”, me titull: “Krijimtaria e Shtjefën Gjeçovit. Por, pa mbështetjen zyrtare të enteve të lartëpërmendura, ndërsa pjesëmarrja duket, sipas fotografive, dukej shumë e pakët, madje sipas disa burimeve, një numër folësish që kishin premtuar të merrnin pjesë, emrat e të cilëve ishin në program, as nuk kishin ardhur.

Është e vështirë të merret me mend se në interes të kujt është që vepra dhe jeta e At Shtjefën Gjeçovit të “mbetet në heshtje për një kohë të gjatë” siç u shpreh edhe Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja në fjalën e tij të mbajtur në konferencën shkencore me 14 tetor në Prishtinë. Nisma e Akademisë në fillim të këtij viti, për ta sjellë veprën dhe sakrificën e Gjeçovit në vëmendje të publikut në Kosovë, por edhe në Shqipëri, në 150-vjetorin e lindjes së tij nuk gjeti mbështetjen e nevojshme tek institucionet shkencore, kulturore dhe arsimore të Kosovës as të Shqipërisë. “Nuk e mbajtën fjalën të gjithë ata që na premtuan se do të bëheshin pjesë e kësaj devotshmërie dhe respekti për Gjeçovin dhe veprën e tij. Në mungesë të kësaj mbështetje, ne patëm vetëm një zgjidhje: përmes kësaj konference, t’i japim zë shkencor punës së vyer të Shtjefën Gjeçovit, duke hedhur dritë mbi aspekte të ndryshme të jetës dhe veprës së tij”, është shprehur Akademiku Mehmet Kraja në fjalën e tij në konferencën shkencore. Lexoni fjalën e plotë me këtë rast të Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Z. Mehmet Krajës, marrë nga portali i tij (facebook):

“Dua të them që në fillim se ne e zgjodhëm 14 tetorin për këtë konferencë kushtuar Gjeçovit (pra dita e vrasjes së tij), për të kujtuar me pietet jo vetëm kontributin e tij për dijen dhe kulturën tonë, si themelues i arkeologjisë shqiptare, ndër të tjera, por më shumë për të sjellë në vëmendje se historia mund t’u përsëritet atyre që nuk dinë të nxjerrin mësimet e vyera prej saj. Pra, duke vlerësuar lart figurën e Gjeçovit në këtë 150-vjetor të lindjes së tij, deshëm që ky vit në Kosovë të quhej vit i Gjeçovit, sa në shenjë respekti për veprën dhe kontributin e tij, po aq edhe për faktin se gjatë periudhës së shkuar Gjeçovit nuk iu bënë nderet e merituara për punët e vyera, si themelues tashmë i padiskutueshëm i arkeologjisë dhe etnologjisë shqiptare. Kishte një arsye “jopublike” që Gjeçovi të mbahej në një heshtje për një kohë të gjatë: ai u vra nga një shtet, pjesë e të cilit Kosova ishte deri para 25 viteve. Por ajo që më bën përshtypje tani, është dijenia se mendësia e atij shteti që heshti dhunshëm Gjeçovin vazhdon edhe përtej kufijve kohorë të atij sundimi famëkeq. E them këtë jo pa mllef, sepse nisma e Akademisë për ta sjellë Gjeçovin në vëmendje të Kosovës në 150-vjetorin e lindjes së tij nuk gjeti mbështetjen e nevojshme tek institucionet shkencore, kulturore dhe arsimore të Kosovës. Nuk e mbajtën fjalën të gjithë ata që na premtuan se do të bëheshin pjesë e kësaj devotshmërie dhe respekti për Gjeçovin dhe veprën e tij. Në mungesë të kësaj mbështetje, ne patëm vetëm një zgjidhje: përmes kësaj konference, t’i japim zë shkencor punës së vyer të Shtjefën Gjeçovit, duke hedhur dritë mbi aspekte të ndryshme të jetës dhe veprës së tij. Më anë tjetër, as në shtetin e Shqipërisë, Gjeçovi nuk gëzoi njohje, mbështetje dhe respekt, madje shpesh nuk iu njoh as merita e themeluesit të arkeologjisë shqiptare. Regjimi komunist nuk e deshi për tri arsye kryesore: ishte prift; ata që vriteshin në Kosovë, jo gjithmonë nderoheshin në Shqipëri; dhe e treta, nxori nga harresa Kanunin e Lekë Dukagjinit, kryeveprën e së drejtës zakonore shqiptare. Kanuni u identifikua me Gjeçovin dhe u konsiderua pengesa kryesore e shtrirjes dhe depërtimit të moralit dhe ligjeve komuniste në masat e gjera, në emër të emancipimit. Prandaj nuk është për t’u habitur që Kanuni, ndërsa në Kosovë u ribotua më 1972, në Shqipëri, pas botimit të parë më 1933, nuk njohu dritë botimi deri me rënien e socializmit dhe po ashtu nuk duhet të habitemi që një numër veprash në dorëshkrim të Gjeçovit, si drama, novela dhe përkthime nuk e panë ndonjëherë dritën e botimit.

Si përfundim, dua të theksoj këtu se Gjeçovi është rilindës, rilindësi më i rëndësishëm i Kosovës, me të gjitha atributet që i kanë burrat me mendjen më të ndritur të kombit shqiptar. Ai ishte i pari rilindës që zbuloi se jo vetëm idetë dhe fryma jolëndore mund të flasin shqip, por shqip mund të flasë edhe toka, edhe një terakotë, edhe një kambanë e lënë në harresë. Ai po ashtu zbuloi se mund të jetë monument kulturor me vlerë të paçmuar edhe e drejta zakonore e kodifikuar, padrejtësisht e apostrofuar nga ideologjitë si pengesë e prosperitetit tonë kombëtar”. (Dr Mehmet Kraja –ishte kjo fjala e tij në konferencën me rastin e 150-vjetorit të Shtjefën Gjeçovit, mbajtur në Prishtinë disa ditë më parë).

 

Unë e kam të vështirë ta marr me mend se kush janë personat, organizatat dhe entet zyrtare të shqiptarëve, qofshin ato edhe qeveritare, që vërtetë duan të hedhin në harresë veprën dhe kontributin e At Shtjefën Gjeçovit. Për më tepër pyes veten se pse?  Besoj se në fjalën e tij, Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Dr. Mehmet Kraja hedhë dritë mbi disa prej arsyeve se pse At Shtjefën Gjeçovi nuk gëzon mbështetje as njohjen e duhur, zyrtare, për veprimtarinë e tij – as në Kosovë e as në Shqipëri. I madhi Faik Konica ka thenë se, “Po, At Gjeçovi është përmi çdo sharje.  Emri i këtíj njeriu të rrallë do të vejë duke u-rritur…” – Duket se edhe Konica paska qenë i gabuar në parashikimet e tija se emri i Shtjefen Gjeçovit, “do vejë duke u rritur”, ndër shqiptarë. Përkundrazi, kam drojë se – duke gjykuar punët nga ky organizim i cunguar për të nderuar jetën dhe veprimtarinë e Gjeçovit në 150-vjetorin e tij — jo vetëm që emri i Gjeçovit nuk po rritet ndër shqiptarët, por ai gradualisht, po hidhet në harresë, zyrtarisht, si shumë të tjerë, përfshir At Gjergj Fishtën — në përputhje të plotë me trashëgiminë sllavo-komuniste — që për fat të keq të Kombit — ende mbizotëron në (mos)trajtimin zyrtar të këtyre figurave të mëdha kombëtare, në korridoret vendimarrëse të Prishtinës dhe Tiranës zyrtare. Vlerësimet më të mëdha, me këtë rast, për Akademikun Mehmet Kraja dhepër ata kolegë të tij që u përpoqën ta shënojnë në mënyrë të dinjitetshme 150-vjetorin e At Shtjefen Gjeçovit! Turp për të gjithë ata — në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar — që për 35 vite tani, vazhdojnë t’i trajtojnë këto figura kombëtare, si At Shtjefen Gjeçovi, në frymën më të shëmtuar të nostalgjisë ndaj regjimeve sllavo-komuniste në trojet shqiptare. Siç tha në fjalën e tij edhe Dr Mehmet Kraja, përkujtime të tilla, siç është 150-vjetori i Gjeçovit, në mos për asgjë tjetër, atëherë duhet të shënohen, “më shumë për të sjellë në vëmendje se historia mund t’u përsëritet atyre që nuk dinë të nxjerrin mësimet e vyera prej saj.” Prandaj, Shtjefën Gjeçovi meriton më shumë se kaq!

Frank Shkreli

          A group of people in a room

Description automatically generatedAkademiku Mehmet Kraja, Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, duke mbajtur fjalën e rastit në konferencën që siç duket — në mungesë të mbështetjes nga entet e tjera, u organizua shpejt e shpejt, në minutën e fundit. Kjo shihet nga mungesa e të pranishëmve në sallë madje edhe e disa ligjëruesve (24 gjitsejt) emrat e të cilëve ishin në programin e konferencës për të folur, por siç duket nuk ishin prezent. 

Filed Under: Kulture

Fortifikimi prehistorik i Qytekut

October 18, 2024 by s p

Dr. Ervin Kujtila/

Pozicioni gjeo – topografik 

Koordinatat:N. 41.10.32E.20.14.33.51  Z. 683 m.

Shkëmbi ku gjenden rrënojat e vendbanimit që në pjesën më të madhe të tij është i fortifikuar në mënyrë natyrore njihet me emrin Shkëmbi i Qytekut. 

C:\Users\USER\Desktop\Ervini\Shkembi i Qytetit\Shkembi i Qytekut (7).JPG

Fig. 110. Pamje e fortifikimit të Qytekut

Kështjella natyrore “Shkëmbi i Qytekut” ndodhet në luginën e Shkumbinit të Mesëm dhe është pjesë e territorit të fshatit Mirakë. Fshati Mirakë  tani bënë pjesë në njësinë administrative Polis, bashkia Librazhd. Ky fortifikim ndodhet në majën e Shkëmbit me lartësi 638 m mbi nivelin detit. Shkëmbi është tepër i thiktë dhe në të mund të ngjitesh vetëm nga veriu(fig. 110). Shkëmbi i Qytekut ndodhet midis dy shkëmbinjve, i pari ngrihet direkt mbi lumin Shkumbin, kurse i treti i quajtur Maja e Qishësngrihet më sipër Shkëmbit të Qytekut. Të dy këtë shkëmbinj janë të thiktë nga tri anë, kurse në pjesën veriore ata janë të sheshtë. Në pjesën e sheshtë të shkëmbit të parë, ende e pa dëmtuar nga pranoja e një guroreje, gjenden në sipërfaqe  fragmente të periudhës antike ilire, kurse shkëmbin e tretë ne nuk mundëm ta vizitonim. Sipas banorëve në pjesën e sheshtë ka gjurmë muresh dhe këtë e përforcon edhe vetë emri që mbart ai. Të tre këta shkëmbinj nga ana lindore bien direkt në shtratin e përroit të Lugjeve. Gjatë pellgut të përroit të Lugjeve ka një shteg kalimi që niset nga lugina e Shkumbinit drejt qafës së Barit për ta lidhur me fshatrat e malësisë së Çermenikës. 

Pozicioni i përshtatshëm dhe dominues i Shkëmbit të Qytekut bën të mundur jo vetëm vrojtimin e rrugëve për gjatë luginës së Shkumbinit, ku më e rëndësishmja është ajo që në periudhën romake mori emrin Egnatia(fig. 111-112), por dhe shumë nga majat e kodrave ku gjenden rrënoja kështjellash të periudhave të ndryshme (fortifikimi i Shkëmbi Mbret, fortifikimi i Menglit, etj).

C:\Users\USER\Desktop\KKA\Hec Miraka i plot\Foto\Foto të zgjedhura\13. HEC Miraka.JPG

Fig. 111. Pamje e fortifikimit të Qytekut

C:\Users\USER\Desktop\KKA\Hec Miraka i plot\Foto\Foto të zgjedhura\4. HEC Miraka Shkëmbi i Qytetit.JPG

Fig. 112. Pamje e fortifikimit të Qytekut

Burimet historike dhe identifikimi 

Emri i shkëmbit sipas banorëve lidhet me fjalën “qytet”, por që në zonën e Librazhdit dhe Elbasanit dhe më gjerë përdoret forma e saktë “qytet” ose “qytezë”. Një variant tjetër mund të lidhet me fjalën “qytyk” që është një sinonim i fjalës trung. Ndër burimet e shkruara, ku më e plotë është lista e kështjellave të ndërtuara ose rindërtuara nga perandori Justinian I të dhënë nga Prokopi i Cezaresë, nuk ka ndonjë përafërsi me emrin që trashëgon kjo kështjellë apo ndonjë në afërsi të saj. 

Historiku i kërkimeve arkeologjike 

Për herë të parë Shkëmbi i Qytekut është vizituar nga grupi i arkeologëve që ka ndjekur gjurmët e vendbanimeve arkeologjike në luginën e Shkumbinit në vitin 2002, por nuk i kanë publikuar të dhënat që ata kanë parë gjatë kësaj vizite. Më pas në vitin 2017 mjediset rreth saj janë vizituar nga arkeologët N. Ceka, S. Muçaj, S. Xhyheri të cilat panë aty një kohëzgjatje me ndërprerje nga koha e periudhës së bronzit të vonë deri në antikitetin e vonë, të dhëna që m’i komunikuan gojarisht. Në vitin 2018 u realizua një vëzhgim i plotë i kësaj qendre rezultatet e mbledhura për periudhën prehistorike janë objekt i këtij disertacioni.

Planimetria 

Shkëmbi Qytekut, i lartësuar nga terreni përreth krijon një masiv që bie thiktë në tri anë (jug, perëndim, lindje) kurse në veri ai lidhet me një qafë përmes një shtegu të ngushtë që kalon përmes dy rënieve shkëmbore. Nisur nga qeramika që gjendet në sipërfaqe pjesa e banuar shtrihet në pjesën më të lartë të shkëmbit, në pjesën e pjerrët që ndodhet midis platformës së sipërme dhe deri në buzën shkëmbore të anës jugore, si dhe një shesh që ndodhet në anën veriore  midis rënies shkëmbore të majës dhe një rënie shkëmbore që zbret drejt qafës. Nga qafa vetëm një shteg i ngushtë midis dy shkëmbinjve lejon ngjitjen drejt sheshit dhe më pas një shteg i dytë që depërton midis shkëmbinjve të pjesës sipërme të faqes lindore të ngjitë në platformën e sheshtë të majës shkëmbore. Ky është shtegu i vetëm që ndërlidh qafën me masivin shkëmbore, që në pjesën më të madhe ka qenë përdorur si vendbanim në periudha të ndryshme historike(fig. 113 – 114).

C:\Users\User\AppData\Local\Temp\Rar$DIa0.933\qyteku izoipse OK.jpg

Fig. 113. Pamje e planimetrisë së fortifikimit të Qytekut       

Platforma shkëmbore në pjesën veriore ka vetëm hapësira të vogla midis shkëmbinjve dhe ka qenë e papërshtatshme për ndërtime, kurse në pjesën qendrore shkëmbinjtë janë më të rrallë dhe larg njeri tjetrit duke krijuar disa sheshe të vegjël për ndërtimin e banesave. Nga kjo pjesë mund të zbritet në pjesën jugore deri në buzën shkëmbore, megjithëse terreni është i pjerrtë, qeramika tregon se edhe aty ka pasur banesa. Po ashtu edhe në veri, poshtë majës shkëmbore dhe një brezi tjetër shkëmbore që mbyll faqen veriore dhe lindore të faqes lindore të masivit shkëmbor ka vende të përshtatshme për banim. Ne mundëm të kontrollojmë vetëm sheshet që ndodhen pranë qafës, kurse atë që është mbi rënien shkëmbore që zgjatet paralelisht me përroin e Lugjeve, për shkak të shkurreve të dendura qe e pamundur hyrja në të.  

Në sheshin që ndodhet midis qafës dhe majës shkëmbore qeramika e shumtë tregon se edhe aty ka  pasur ndërtime banimi. Mbetjet e shumta të grumbujve të gurëve poshtë rënies shkëmbore që qarkon sheshin e banuar si dhe në shtegun që lidh qafën me sheshin tregojnë për praninë e mureve me përmasa më të mëdha se ato të banesave. Të parët janë gurë të thyer, pa mbetje llaçi, kurse të dytët me mbetje llaçi. Këta të fundit kanë qenë në murin që mbyllte shtegun. Gjatë vizitës sonë kjo pjesë ishte e prishur nga punimet e bërë për të diagnostikuar shkëmbin nga punonjësit e karrierës për nxjerrjen e blloqeve të gurit. Të dhënat e sjella nga banorët tregojnë se aty ka pasur një mur mbrojtës të ndërtuar me gurë të lidhur me llaç gëlqereje. 

Nisur nga qeramika që datohet kryesisht në shek. VI m. Kr. muri duhet të jetë pjesë e ndërtimeve të kësaj periudhe duke plotësuar sistemin fortifikues të luginës së Shkumbinit.

C:\Users\User\AppData\Local\Temp\Rar$DIa0.683\Qyteku.jpg

Fig. 114. Pamje e planimetrisë dhe ortofoto e fortifikimit të Qytekut       

Shkumbinit. Poshtë buzës shkëmbore mbi të cilën ndodhet sheshi ka një grumbull të madh gurësh dhe më shumë gjasa ata duhet të kenë qenë pjesë e një muri të ndërtuar me gurë të vendosur në të thatë që do t’i përkiste periudhës prehistorike të cilës i përket dhe qeramika e gjetur në këtë vendbanim.

Vetë forma e shkëmbit të lartësuar dhe të shkëputur në tri anë nga pjesa tjetër ka mundësuar edhe formën e vetë këtij vendbanimi të fortifikuar në mënyrë natyrore. Vendbanimi i fortifikuar në mënyrë natyrore dhe i mbyllur me mur vetëm në shtegun pranë qafës ka një sipërfaqe të përgjithshme 1.5 prej ha dhe sipërfaqe ku mund të ketë pasur ndërtime banimi 0.3 ha. Këto sipërfaqe banimi janë vendosur në lartësi të ndryshme mbi nivelin e detit në qendër, në pjesën jugore në veri. 

Teknikat e ndërtimit 

Nga mbetjet e materialeve të ndërtimit, gurë pa gjurmë llaçi dhe me gjurmë llaçi ne mendojmë se në këtë qendër të fortifikuar në mënyrë natyrore, në mbylljen e të vetmit shteg që lejon ngjitjen në të i përkasin dy teknikave të ndryshme. Njëra teknikë me gur të thyer të madhësive të ndryshme të vendosur në të thatë dhe tjetra me gurë të thyer të lidhur me llaç gëlqereje. Nga mbetjet për të dy teknikat janë përdorur gurë gëlqeror të thyer me përmasa të mëdha dhe mesatarë.

Fortifikimi i fazës së parë (periudha prehistorike)

Muri i kësaj periudhe ka mbyllur jo vetëm shtegun në qafë por dhe një pjesë të vargut shkëmbor që zbret drejt përroit që në disa pjesë të tij ka mundësi ngjitje. Qeramika e gjetur në sipërfaqe tregon se në këtë periudha gjithë sheshi pas shtegut, platforma e majës shkëmbore si dhe një pjesë e rrafshit në jugë të majës kanë qenë të banuara. Jashtë këtij fortifikimi ka qenë e banuar dhe një pjesë e qafës. Nga kjo periudhë, përveç gjetjeve arkeologjike të lëvizshme (fragmente enësh dhe grih), ne nuk ndeshëm në sipërfaqe mbetje të strukturave të banesave.

Duke u mbështetur në elementët fortifikues të mësipërm, mendojmë që fortifikimi i përket fazës së Hekurit të Hershëm.  Bazuar në tiparet teknike të sistemit fortifikues, të cilat janë të ngjashme me fortifikime të tjera të kësaj lugine si: Bodin, Valsh, Dragostunjë, Qafë Thanë etj. Por që ky përfundim kërkon mbështetje më të plotë arkeologjike.

Fortifikimi i fazës së dytë (periudha antikitetit të vonë) 

Në këtë periudhë është fortifikuar me mur të ndërtuar me gurë mesatarë të lidhur me llaç vetëm shtegu i ngushtë i krijuar midis dy shkëmbinjve, në jug të qafës. Muri u gjet i gjithë i prishur nga ndërhyrjet me ekskavator kohët e fundit dhe vetëm pjesë të shkëputur në përmasa të vogla u gjetën të hedhura poshtë në greminë. Në këta gurë kishte mbetje llaçi që tregon se ato vijnë nga një ndërtim solid që për antikitetin e vonë i përkasin mureve rrethues dhe ndërtimeve kishtare, kurse ato banesave edhe në qytete kanë qenë të ndërtuara me gurë të lidhur me baltë. Meqenëse prania e një kishe është e përjashtuar nga mungesa e sipërfaqeve të mjaftueshme, atëherë këto janë mbetje të murit rrethues. Një gjë të tillë e pohojnë edhe banorë të zonën që kanë parë mbetje të murit me llaç në këtë shteg. Materiali arkeologjik i parë në sipërfaqe është i shpërndarë në tre pjesët e përshtatshme për banim dhe përbëhet nga mbetje tjegullash, fragmente pitosash dhe enë tavoline e kuzhine. Veç tyre u gjetën dhe dy fragmente mokrash. 

Bazuar në teknikën opus incertum të ndërtimit të tij mendojmë që fortifikimi i mësipërm i përket periudhës së Vonë Antike, gjasisht periudhës së Justinianit(527-565).

Filed Under: Histori

Vatra Michigan fton të gjithë shqiptarët e Amerikës në festën e Flamurit Kombëtar

October 18, 2024 by s p

Vatra Michigan fton të gjithë shqiptarët e Amerikës në festën e Flamurit Kombëtar.

Filed Under: Vatra

EKSKLUZIVE/ SKËNDERBEU DHE ISMAIL BEU, ËNDRRA PËR NJË SHQIPËRI EVROPIANE

October 18, 2024 by s p

nicolae_grigorescu_car-cu-boi_1.jpg
Ismail Qemali-Adrion LTD

Nga Evarist Beqiri*

“Në mbledhjen e parë të 28 Nëntorit 1912, u votua unanimisht Shpallja e Pavarësisë. Tubimi më pas u ndërpre dhe anëtarët u larguan nga salla për të ngritur në shtëpinë time, në shtëpinë ku isha lindur, dhe ku kishin jetuar paraardhësit e mi, në mes të përgëzimeve të mijëra njerëzve, flamurin e lavdishëm të Skënderbeut, i cili kishte fjetur i palosur për 445 vitet e fundit. Ky ishte një moment i paharrueshëm për mua; me duart që më dridheshin, me shpresë dhe krenari, fiksova në ballkonin e banesës së vjetër, Flamurin e Sovranit të fundit kombëtar të Shqipërisë. Dukej, sikur shpirti i heroit të pavdekshëm, kaloi në ato momente si një zjarr i shenjtë, mbi kryet e gjithë popullit…” – Ismail Qemal Vlora

Në librin “MAXIMES D’ESTAT MILITAIRES ET POLITIQUES” të mendimtarit të shquar italian Giovanni Botero (1544–1617), – të përkthyer në gjuhën frënge nga Pierre de Deimier (1580–1618) dhe botuar në vitin 1606, në Paris nga shtëpia botuese “Toussaincts du Bray”, – gjendet një shkrim në kapitullin “Des Capitaines Excellens à se Faire Rendre Obeïssance”, pikërisht në faqen me numër 33, ku flitet për Gjergj Kastriot Skënderbeun: “Gjuha e pasur ka qenë jashtëzakonisht avantazhuese midis Kapitenëve modern. Midis tyre ajo ka ndihmuar shumë Gjergj Skënderbeun, për të cilin mësojmë nga historia, se kur ai ishte i armatosur në fushën e betejës, sytë e tij shkëlqenin mrekullueshëm nga gëzimi, gjuha e tij shumë gjallëruese, trimëruese dhe luftarake, i ndizte aq flakë zemrat e oficerëve në misionet më të vështira, saqë i bënte jo vetëm guximtarë dhe kurajoz, por edhe të furishëm e përbuzës ndaj rreziqeve, madje edhe ndaj vetë vdekjes. Por parimi themelor i bindjes është autoriteti dhe reputacioni, i cili nuk buron gjithmonë nga fitorja: por më tepër nga kuraja e shkëlqyer, vlerat dhe cilësitë e tjera të Kapitenit…”

Çdo udhëheqës ka një hero, një model prej të cilit ai frymëzohet. Makiaveli te “Princi” thotë se: “Për ushtrimin e trurit të tij, princi duhet të lexojë historianët, të shqyrtojë veprimet e njerëzve të shquar, të analizojë qëndrimet e tyre në beteja, të kërkojë shkaqet e fitoreve dhe të disfatave, duke imituar në këtë mënyrë çfarë duhet të imitojë dhe të shmangë, çfarë duhet të shmangë. Para së gjithash, ai duhet të bëjë gjithçka që kanë bërë shumë njerëz të mëdhenj, të cilët duke marrë për model heronjtë e famshëm të lashtësisë, kanë mbajtur përherë parasysh veprimet dhe sjelljet e tyre. Në këtë mënyrë, thuhet se Aleksandri i Madh frymëzohej nga Akili, Cezari inspirohej nga Aleksandri i Madh dhe Skipioni mbante për model Siriusin.” Ndërkohë, Napoleoni gjente frymëzim tek Aleksandri i Madh dhe perandorët romak. Heroi i John F. Kennedy ishte Winston Churchill. 

Ismail Qemal bej Vlora për të gjetur heroin e tij, gërmoi thellë në vetëdijen e përgjumur të kombit shqiptar. Heroi për Ismail beun natyrshëm do të ishte “kalorësi i krishterimit” Gjergj Kastriot Skënderbeu. Filli që e mbajti të bashkuar ndër shekuj lidhjen midis këtyre dy udhëheqësve shqiptarë ishte ëndrra për një Shqipëri të lirë dhe evropiane. Skënderbeu është shqiptari i parë që na dha famën në Evropë, ndërkohë Ismail beu është shqiptari që hodhi themelet e ëndrrës tonë evropiane. 

Ismail Qemali ishte një patriot shqiptar dhe shtetar osman, i cili u shndërrua në kryeministrin e parë shqiptar me pikëpamje dhe vizion evropian. Të dy këta udhëheqës kishin shumë gjëra të përbashkëta. Ata rridhnin nga familje të mëdha fisnike shqiptare, të cilat kishin luftuar Perandorinë Osmane. Ata të dy kishin vuajtur pasojat e kësaj lufte që në fëmijërinë e tyre. Skënderbeu u dha peng te Sulltani kur ishte fëmijë dhe u rrit në oborrin e tij. Ndërsa familja e Ismail Qemalit u internua kur ai ishte vetëm tre vjeç. Osmanët i internuan babanë dhe i vranë gjyshin, për shkak të qëndrimeve të tyre anti-osmane. Më pas, kur shërbente si zyrtar i lartë, Ismail beu u internua sërish, në vitet 1877-1884, dhe madje u dënua dy herë me vdekje në mungesë nga osmanët. 

Të dy, si Skënderbeu edhe Ismail beu punuan për Perandorinë Osmane, duke u shquar si dy individë të jashtëzakonshëm dhe me aftësi të veçanta. Ata u përpoqën që ta ndryshonin dhe reformonin perandorinë. Më pas, kur kjo rezultoi e pamundur, të dy e braktisën perandorinë. Ata iu dedikuan totalisht atdheut, duke u shquar si dy nga udhëheqësit më të mëdhenj që kanë dalë nga tokat shqiptare. 

Ismail beu ashtu si Skënderbeu, iku nga Shqipëria i vogël dhe u kthye në moshë të pjekur. Prej fëmijërisë në mendjen e tij kishte krijuar një imazh tjetër për Shqipërinë. Ndryshimet e mëdha që vuri re me kthimin në Shqipëri, e bënë Ismail beun, që të merrej me politikë e të punonte me të gjitha fuqitë për vendin. Përparimi, civilizimi dhe bashkimi i vendit konsiderohej dhe pranohej nga ai si i shenjtë. Por gjuha shqiptare dhe civilizimi nuk ishin pranuar në popull, për shkak të prapambetjes shekullore. Ato nuk mund të përvetësoheshin nga secili menjëherë. Ismail Qemali e kuptoi nevojën e vendit dhe nuk pati frikë por guxoi të realizonte diçka të madhe. Ai punoi që programet politike të lëvizjes shqiptare të bashkoheshin. Ai luftoi që të ndërmerreshin masa, të cilat t’i shërbenin shoqërisë shqiptare. 

Më 28 nëntor 1443, Gjergj Kastrioti Skënderbeu ngriti flamurin kombëtar në kalanë e Krujës. Më 28 nëntor të vitit 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin kombëtar në Vlorë dhe shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Ismail beu e njihte mirë historinë e kombit të tij, prandaj dhe e shfrytëzoi me mjeshtëri simbolikën e datave. Duke kujtuar 28 nëntorin e Skënderbeut në Krujë, ai ngriti flamurin shqiptar në Vlorë, po në të njëjtën ditë e muaj. Simbolika e “nëntorit të dytë” fuqizonte idenë e vazhdimësisë së kombit dhe të identitetit evropian të shqiptarëve. Ajo kërkonte të zgjonte ëndrrën evropiane në ndërgjegjen e fjetur kombëtare. 

Gjergj Kastriot Skënderbeu përballoi me heroizëm ushtrinë më të fortë dhe më të madhe të kohës, ndërsa Ismail Qemal bej Vlora u përball me mjeshtëri të rrallë politike dhe diplomatike me të gjitha Fuqitë e kohës, duke krijuar shtetin e pavarur shqiptar. Të dy ata ishin të ndërgjegjshëm, se asgjë e madhe për lirinë njerëzore në historinë botërore nuk është arritur pa fuqinë e forcës njerëzore… 

Diçka tjetër që i bashkonte këta dy personazhe ishte oratoria. Skënderbeu dhe Ismail beu kishin elokuencën dhe aftësinë për t’i magjepsur turmat. Ata dinin t’i bindnin pasuesit e tyre. Arti i të folurit ka qenë gjithmonë shumë i dobishëm për udhëheqësit. Fjalimi drithërues i Ismail Qemal Vlorës, pesëqind vjet më pas do ti ngrinte peshë shqiptarët drejt realizimit të ëndrrës shekullore për liri dhe pavarësi. Ja si e kujton ai momentin e Shpalljes së Pavarësisë: “Në një periudhë të shkurtër, u gjeta i rrethuar nga tetëdhjetë e tre delegatët e Kongresit, myslimanë dhe të krishterë, të cilët kishin ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, pavarësisht, nëse ato ishin apo jo të pushtuara prej ushtrive të huaja. Kongresi u hap menjëherë. Në mbledhjen e parë të 28 Nëntorit 1912, u votua unanimisht Shpallja e Pavarësisë. Tubimi më pas u ndërpre dhe anëtarët u larguan nga salla për të ngritur në shtëpinë time, në shtëpinë ku isha lindur, dhe ku kishin jetuar paraardhësit e mi, në mes të përgëzimeve të mijëra njerëzve, flamurin e lavdishëm të Skënderbeut, i cili kishte fjetur i palosur për 445 vitet e fundit. Ky ishte një moment i paharrueshëm për mua; me duart që më dridheshin, me shpresë dhe krenari, fiksova në ballkonin e banesës së vjetër, Flamurin e Sovranit të fundit kombëtar të Shqipërisë. Dukej, sikur shpirti i heroit të pavdekshëm, kaloi në ato momente si një zjarr i shenjtë, mbi kryet e gjithë popullit…”

Vizioni i Ismail Qemal bej Vlorës për orientimin kulturor nga Evropa vendosi drejtimin e zhvillimit të Shqipërisë. Filloi procesi i shkëputjes nga orientalizmi dhe orientimi i vendit nga perëndimi. Pra, shqiptarët ishin tashmë në kërkim të identitetit historik të humbur. Me aktin e pavarësisë kishte nisur largimi nga feudalizmi dhe hyrja në udhën e kapitalizmit dhe të zhvillimit borgjez. Ismail beu është i pari lider me mendësi evropiane i Shqipërisë që nga koha e Skënderbeut.

Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe Ismail Qemal bej Vlora ishin dy udhëheqës shqiptarë që ishin njësoj të rrezikshëm për otomanët dhe ajo çka ata realizuan e konfirmon më së miri këtë të vërtetë historike. “Referuar dokumenteve arkivore të huaja Ismail Qemali ishte një figurë madhështore e kombit shqiptarë, i cili mitologjizohej nga vetë osmanët. Ai ishte një Skënderbe i dytë. Nga dokumentacioni osman, britanik dhe austro-hungarez, nuk mund të diskutohet primati i Ismail Qemal Vlorës, si udhëheqësi kryesor i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për Pavarësi. Ismail Qemali e kishte ideuar projektin kombëtar që para arratisjes nga Stambolli. Ky projekt ishte kamufluar nga Ismail Qemali nën petkun e reformimit të Perandorisë Osmane. Ismail Qemali u largua nga Perandoria Osmane për një ideal, për t’i shërbyer Shqipërisë.” (F. Duka, 2012). Skënderbeu dhe Ismail beu e shndërruan veten nga lider dhe ofiqar të lartë të Perandorisë Osmane, në liderët shqiptarë që udhëhoqën lëvizjen për largimin e Turqisë nga trojet evropiane.

Ismail Qemali dhe delegatët u nisën nga Trieste drejt brigjeve shqiptare, më 19 nëntor me anijen avullore austriake “Brünn. Në mbrëmjen e 20 nëntorit 1912, nën dritën e hënës vezulluese që shkëlqente në brigjet shqiptare, pranë Kepit të Rodonit ose Kepit të Skënderbeut, ata zbritën tek anija tjetër avullore austriake “Wurmbrand”, ku kaluan natën, para se të zbrisnin në Durrës. Në yjet e një natë magjike shqiptare, Providenca hyjnore kishte vendosur që ata para se të kurorëzonin misionin e tyre të shenjtë në Vlorë, duhet të bënin një ndalesë të fundit dhe të shkurtër, pikërisht para Kështjellës dhe Kishës së Skënderbeut. Duket sikur heroi ynë kombëtar dëshironte që t’i jepte bekimin e tij Ismail Qemalit…

Skënderbeu e ndali hovin e hordhive otomane drejt pushtimit të plotë të kontinentit evropian, ndërsa Ismail beu ishte udhëheqësi që i dha fund sundimit pesëshekullor otoman në kontinentin evropian. Të dyja këto ngjarje historike me rëndësi madhore jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë Evropën, u realizuan nga këta dy udhëheqës madhështorë shqiptarë. Ndërkohë, ëndrra e Skënderbeut dhe Ismail Qemalit për Shqipërinë evropiane vazhdon sot me një tjetër datë historike, që shënon hapja e negociatave midis BE dhe Shqipërisë, më 15 tetor 2024…

* Nuk lejohet publikimi i këtij shkrimi pa lejen e autorit. Çdo portal, gazetë online apo e shtypur, që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Evarist Beqiri).

Filed Under: Histori

Atdhetarët çamë në SHBA duhet të mbështesin “Diellin” 

October 18, 2024 by s p

Arben Iliazi/

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA, me rastin e festës së Flamurit Kombëtar dhe të botimit të numrit special të “Diellit” për Pavarësisë, ka hapur zyrtarisht fushatën e donacioneve, e cila mbyllet më 28 Nëntor 2024. Sipas njoftimit zyrtar, kjo është një traditë fisnike dhe patriotike, ku VATRA u bën thirrje shqiptarëve të Amerikës e më gjërë të kontribuojnë për jetëgjatësinë e gazetës më të vjetër që botohet në diasporën shqiptare. 

Gazeta emblematike “Dielli” është një pasuri kombëtare tejet e çmuar dhe trashëgimi e shkëlqyer e shqiptarëve të Amerikës, është vetë historia, identiteti dhe krenaria e shqiptarëve mbarë, pra edhe e komunitetit çam që jeton në SHBA. “Dielli”, që ka në themel historinë e kulturën kombëtare, gjuhësinë, albanologjinë, arkeologjinë, median, datat historike, ngjarje dhe figura të shquara të kombit shqiptar, në mënyrë të vazhdueshme dhe pa ndërprerje ka mbështetur edhe çështjen çame, ka evokuar historinë, kulturën dhe traditën e Çamërisë, duke apeluar pranë  forumeve ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje, mbi bazën e respektimit të të drejtave të njeriut, për rikthimin e  të shpërngulurve me dhunë. 

Në gazetën “Dielli” dhe në aktivitetet e Vatrës çështja çame është trajtuar si problem i të gjithë shqiptarëve, një dimension tepër i dhimbshëm i tragjedisë kombëatre që pret zgjidhje, pas 80 vjetësh nga gjenocidi i tmerrshëm grek. Çështja Çame është një plagë e dhimbshme në trupin e kombit shqiptar, por edhe një peshë e rëndë në ndërgjegjen e kombit grek, ndaj VATRA, vatranët dhe shqiptaro-amerikanët nuk do ta harrojnë kurrë Çamërinë dhe nuk do të reshtin kurrë përpjekjet për ta ndërkombëtarizuar në të gjitha institucionet amerikane këtë çështje. Ky ishte mesazhi që kumtoi publikisht, si rrallëkush më parë, Kryetari i Vatrës, Dr. Elmi Berisha, live nga Çamëria, gjatë vizitës ekskluzive në viset kombëtare të Çamërisë, më 20 shtator 2024. Zëri i tij është zëri i ndërgjegjes së shqetësuar kombëtare. “Këto vise dikur ishin të banuara me shqiptarë, historia tragjike e të cilëve tashmë dihet, andaj kjo vizitë është hapi i parë i zbardhjes së të vërtetës dhe i ngritjes së zërit për të drejtat themelore të njerëzve tanë atje”, tha publikisht Dr. Elmi Berisha.

Dr. Elmi Berisha deklaroi në mënyrë solemne, me dinjitet të pazakontë, plotësisht i ndërgjegjshëm për misionin e madh, por edhe të vështirë, se ky është orientim nacional i Federatës Pan – Shqiptare të Amerikës “VATRA”, duke u zotuar që këtë çështje do ta ngrejë në instancat më të larta të shtetit amerikan, për të pasur një dritë shprese për realizimin e të drejtave nacionale, të drejtës në pronë dhe në deklarimin e lirë për përkatësinë e tyre kombëtare.

“Ky hap nuk është vetëm vullnet i imi si kryetar i Vatrës, por është obligim dhe orientim strategjik i tërë lidershipit të Federatës “VATRA”. Nga ky moment dhe në ditët, javët dhe muajt në vijim do fillojmë, me njerëzit më të mirë të komunitetit tonë, që ta ngrejmë këtë çështje në Kongresin Amerikan dhe do të jemi zë i fuqishëm në realizimin e këtyre të drejtave themelore për bashkëkombasit tanë çamë”, theu heshtjen e pajustifikueshme të institucioneve shqiptare e greke Kryetari i Vatrës.

Pas këtij angazhimi solemn, entiteti çam, forumet çame dhe anëtarë të shquar të këtij komuniteti të sukseshëm në SHBA e gjetkë në Perëndim, duhet të ndihmojnë aktivitetin e Vatrës dhe të jenë të jenë të gatshëm, si gjithmonë, t’a ndimojnë dhe t’a përkrahim çështjen pa kursim, me mënyrat dhe mundësitë që kanë. Ky është testi i ndërgjegjes së vërtetë të njerëzve patriotë, është prova jonë historike. Gazeta “Dielli” është ajri i mushkërive të mendimit të lirë kombëtar, është shpirti i Kombit që lufton për të drejtën natyrore, historike dhe kulturore të shqiptarëve!

Federata Pan-shqiptare VATRA, që nga viti 1912 kur është krijuar, mbron idenë e Kombit të Bashkuar. Ajo ka pasur si mision historik mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të shqiptarëve në SHBA, si dhe ka ndërmarrë përsipër lobimin në Kongresin e Shteteve të Bashkuara për të drejtat e shqiptarëve anembanë botës.

Kontributi i atdhetarëve çamë në Federatën VATRA dhe në gazetën “Dielli” ka një traditë mbishekullore, që vazhdon edhe sot. Përveç Nolit, Kristo Floqit, Kostë Çekrezit, e shumë e shumë penave të tjera dinjitoze, “Diellin” e  kanë drejtuar edhe intelektualë, shkrimtarë e atdhetarë të shquar me origjinë çame, si Faik Konica, Bilal Xhaferri e Arshi Pipa. 

Faik Konica një nga themeluesit e Federates VATRA, rrjedh nga një familje feudale nga Konica e Çamёrisё.. Me themelimin e Federatёs “Vatra”, mё 1912, ai u zgjodh sekretar i pёrgjithshёm i saj. 

Shkrimtari i shquar çam Bilal Xhaferi shërbeu si zv.editor i “Diellit” në vitet 1970-1972, ku spikati me shkrime të fuqishme kundër inkuizitorëve antishqiptarë. Ndërsa Prof. Arshi Pipa u zgjodh në krye të VATRA-s dhe të Diellit në mars të vitit 1991, ku shërbeu për një periudhë pak më shumë së njëvjeçare.

Siç pohon studiuesi Gëzim Sejko (Gjylbegaj) “Arshi Pipa është një personalitet i shquar i kulturës dhe letrave shqipe, si dhe një vatran e kryetar i saj për një periudhë kohore, i cili, në një takim me intelektualët e qytetit të Shkodës, ka thënë : “Jam me origjinë nga  Çamëria, prindërit e mi janë vendosur në Libohovë e më vonë në Shkodër”.

Faik Konica, Bilal Xhaferi, Arshi Pipa, etj. krijuan klimën e krijimtarisë letrare, publicistike, shkencore, që i dha hov rritjes e forcimit të komunitetit shqiptar të Amerikës, si asnjë komuniteti tjetër i diasporës shqiptare. 

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

Foto e rrallë: Konica në Boston me fustanellë çame (1909)

Kryetari i Vatrës Dr. Elmi Berisha gjatë vizitës në Camëri (20 shtator 2024)

Vatra Manhattan Branch - KRYETARI I VATRES: GAZETA “DIELLI”, URIME  DITËLINDJA E 112-TË! “Dielli”, gazeta më e vjetër në botën shqiptare feston  112 vjetorin e themelimit të saj. Sot është një ditë

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT