• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2024

ÇDO HERO KOMBËTAR ËSHTË I NJOLLOSUR NGA ANTIVLERAT E KOHËS SË TIJ

October 14, 2024 by s p

Artan Nati/

Largësia në kohë nuk jep vetëm nostalgji, por perspektivë, e ndoshta edhe objektivitet. Ne shpesh vlerësojmë më mirë një objekt fizik, qoftë një mal apo një monument dhe marrëdhënien e tij me ambientin rrethues, në një distancë të caktuar sesa nga afër. E njëjta gjë vlen edhe për figurat historike. Gjithashtu ne nuk duhet t’i gjykojmë figurat historike nga kulmi i tyre i përsosmërisë ose i suksesit, por nga distanca që ata kanë udhëtuar nga pika ku kanë filluar.
Me rastin e 200 vjetorit të vdekjes së Napoleon Bonapartit, një njeriu që ndan opinionet në Francë, Presidenti Emmanuel Macron, duke vendosur një kurorë në varrin e Napoleonit në “Les Invalides” në Paris, kaloi një vijë delikate, duke këmbëngulur se ishte një akt përkujtimor, jo festimi. Ishte një ambivalencë që pati jehonë në botë. Megjithatë, kur bëhet fjalë për figurat tona kombëtare, si për shembull Ismail Qemali, Ahmet Zogu, Nano, Berisha, Meta, Rama etj, ky kuptim i kompleksitetit historik shpesh zhduket. Në vend të kësaj, ne jemi përballur me një “luftë kulturore”. Është një kontrast që ndihmon në ndriçimin e mënyrave shpesh të ndërlikuara me të cilat ne kuptojmë marrëdhënien e ngatërruara të së kaluarës me të tashmen.
Në Francë, emocionet e përziera për Napoleonin janë të rrënjosura në një histori të ngjeshur. Pasi bëri emrin e tij si një udhëheqës ushtarak dhe strateg në Francën post-revolucionare, ai mori pushtetin si konsull i parë në një grusht shteti në 1799, duke e kurorëzuar veten perandor pesë vjet më vonë, pak a shumë si Zogu ose siç dëshironte Berisha, por nuk mundi, por e realizoi Rama me makinacione moderne.
Ata që lavdërojnë trashëgiminë e tij pretendojnë se ai e projektoi Francën në skenën botërore dhe hodhi themelet e një shteti të fortë. Kodi i Napoleonit, një grup i gjerë ligjesh që mbulojnë shtetësinë, të drejtat individuale, pronën, familjen dhe çështjet koloniale, krijoi një kuadër të ri ligjor për Francën dhe ndikoi në ligjbërjen nga Evropa në Amerikën e Jugut.
Përpjekjet për të rivlerësuar historinë shpesh dënohen si “jo patriotike”. Kundër kësaj janë politikat tronditëse reaksionare. Napoleoni rifuti skllavërinë në kolonitë franceze në vitin 1802, tetë vjet pasi asambleja kombëtare e kishte shfuqizuar atë, u imponoi barra të reja hebrenjve, duke u hequr të drejtat që kishin fituar pas revolucionit, forcoi autoritetin e burrave mbi familjet e tyre, duke privuar gratë nga të drejtat individuale dhe duke injoruar qeverinë republikane.
Në të djathtën ekstreme në Francë, Napoleoni është një hero i pashoq. Për shumë të tjerë,trashëgimia e tij është një trashëgimi shqetësuese. Megjithatë, trashëgimia komplekse e tij nuk është unike për Napoleonin. Është fati i shumicës së figurave historike, qoftë Churchill, Jefferson apo Roosevelt, Ataturk apo edhe figurave shqiptare historike, të gjitha veprimet dhe besimet e të cilëve mbeten të kontestuara. Biografitë rrallë ndahen mirë në “të mira” ose “të këqija”. Megjithatë, shumë njerëz ndiejnë nevojën për ta parë historinë në terma të tillë moralë, për të pikturuar heronjtë dhe të dështuarit bardhë e zi, për të thjeshtuar të kaluarën si një mjet për të ushqyer nevojat e së tashmes. Historitë kombëtare në Shqipëri janë zbardhur prej kohësh, aspektet më të errëta janë errësuar dhe ato më të lavdishme janë ndriçuar. Kompleksiteti i historisë bie në kundërshtim me nevojat politike dhe morale të së tashmes. Në Shqipëri, politika është sporti kombëtar. Njerëzit ndjekin çdo lëvizje me interes të veçantë dhe diskutojnë veçoritë e lojtarëve politikë. Debatet në Parlament, me batuta dhe kundërthënie, shpesh vulgare por edhe të koduara, ofrojnë argëtim për popullin e varfër dhe të pashpresë.
Politikanët tanë të kohëve moderne kanë ngjashmëri, por edhe veçantitë e tyre, për mënyrën si e qeverisën vendin dhe degradimin e pushtetit të tyre. Ahmet Zogu dhe diktatori komunist kanë ngjashmëri për nga mënyra si erdhën në pushtet, por ndryshojnë tërësisht për drejtimin në të cilin e futën vendin. Ata të dy ishin diktatorë dhe e drejtuan Shqipërinë, ashtu si drejtohet në diktaturë, me kontroll absolut e me denime te ashpra, me ndalim te cdo mendimi ndryshe, organizimi e veprimi, që mund të rrezikonte pushtetin e tyre. Të dy i likuiduan pa mëshirë kundërshtarët politike, secili me mënyrat e me metodat karakteristike për kohën e tyre. Por kur flasim për mbretin Zog duhet të kemi parasysh hapat e rendësishëm që u bënë në kohën e tij, në ndërtimin dhe kompletimin e institucioneve të shtetit dhe të një legjislacioni me frymë perëndimore (pavarësisht se funksionimi e zbatimi në praktikë la shumë për të dëshiruar,për shkak të korupsionit të pushtetarëve e të injorancës së tyre), në vendosjen e autoritetit të pushtetit qendror dhe të ligjit, në të gjithë teritorin e vendit, duke i dhënë fund përçarjeve, tendencave patriarkaliste te sundimtarëve të vegjël injorantë, cifligarë e bajraktarë, që kërkonin te qeverisnin feudet e tyre, pronat dhe cifliqet e tyre,sipas rregullave që i vendosnin vetë, pa pyetur për ligjin, për pushtetin qendror dhe për detyrimet ndaj tij. Enver Hoxha i ktheu mbrapsht të gjitha arritjet madhështore të kohës së Zogut, ai përfundimisht e ndau Shqipërinë nga kultura perëndimore, si edhe zhduku pronën private dhe depersonalizoi njeriun, duke e kthyer Shqipërinë në një burg dhe kamp përqëndrimi për qytetarët e vet. Rritja ekonomike dhe e standartit të jetesës pas luftës, në kurriz të shpronësimit dhe burgosjes shtresës së pasur dhe intelektualëve, vetëm se rriti një ekonomi monstër, që do të dështonte dhe do të fuste vendin në varfëri dhe si pasojë shteti u shëmb si një ndërtesë pa themele. Argumenti se komunizmi në Shqipëri, por edhe kudo në botë, ishte thelbësisht në kundërshtim me natyrën njerëzore, dëshmoi se tiparet e natyrshme njerëzore si ambicia, interesi vetjak dhe konkurrenca e bëjnë pothuajse të pamundur krijimin e një shoqërie të bazuar në pronësinë kolektive dhe shpërndarjen e barabartë të burimeve, siç parashikohet nga ideologjia komuniste. E vetmja arritje që mendoj se duhet përmendur është rreshtimi i Shqipërisë me aleatët dhe fitorja e luftës nacional çlirimtare, por edhe kjo në kurriz të unitetit kombëtar si edhe në bashkërendim me shovinistët serb. Po ashtu Sali Berisha e funksionarë publikë e politikë kanë merita për përmbysjen e komunizmin dhe afrimin e vendit me komunitetin europian, por kur morën pushtetin nuk ndryshuan shumë nga Ahmet Zogu, me gjithëse Zogu drejtoi vendin një shekull më parë. Berisha e Rama u shndërruan shumë shpejt në diktatorë si edhe drejtojnë vendin dhe partitë e tyre si pronë private. Eksperienca botërore, por edhe ajo kombëtare na tregon një dukuri të përsëritur dhe një fenomen tipik se siç thotë Hegel : “Historia na mëson se njerëzit nuk mësojnë asgjë nga historia” dhe se njerëzit ose edhe liderët historikë mund të kalojnë nga ëngjëj në djaj me një lehtësi të pakuptueshme, por që është pjesë e natyrës njerëzore dhe si e tillë e pashmangshme nga individi. Është kjo arësyeja që shoqëria perëndimore, duke kuptuar dhe analizuar natyrën njerëzore, ka ngritur sisteme politike, ekonomike dhe juridike të tilla që pa kufizuar liritë dhe të drejat e njeriut, të kanalizojnë njeriun e thjeshtë apo edhe drejtuesit e kombeve apo botërorë, drejt një të mire të përbashkët, sigurisht pa pretenduar përsosmëri, sepse ne jemi thjesht qënie njerëzore irracionale dhe nuk drejtohemi nga arësyeja, por nga pasioni dhe shpesh arësyeja jonë bëhet skllav i pasionit dhe ne pa e kuptuar përfundojmë në anën negative të fenomeneve. Është kjo arësyeja që perëndimi ka ngritur një sistem të kontrollit dhe balancave si edhe të kufizimit të mandateve dhe konkurimit të hapur të kandidatëve. Vija e betejës midis të mirës dhe të keqes kalon nëpër zemrën e çdo njeriu dhe në varësi të kushteve në të cilave ndodhemi njeriu shfaq anën pozitive apo negative të tij. Politika duke qenë ambienti më toksik për të shfaqur anën negative njerëzore kërkon rregulla të qarta loje si dhe vëzhgim e pjesëmarrje masive nga shoqëria si edhe organizmat e shoqërisë civile. Nqs njerëzit intelegjentë dhe të përgjegjshëm nuk do të marrin pjesë në jetën politike të vendit atëhere ata duhet të pranojnë të udhëhiqen nga inferiorët e tyre. Ky është ligji i shoqërisë njerëzore dhe ai nuk na lë shumë hapësira për të zgjedhur. Të kuptuarit e arsyeve, pse kaq shumë francez janë të dyzuar në lidhje me trashëgiminë e Napoleonit, është e dobishme. Do të mund të jemi ne në Shqipëri njëlloj përceptues për figurat dhe ngjarjet tona?

Filed Under: ESSE

VATRA DHUROI 50 FLAMUJ KOMBËTARË, 50 LIBRA SHQIP DHE 50 GAZETA DIELLI PËR FËMIJËT E SHKOLLËS SHQIPE “HASAN PRISHTINA” NË WATERBURY

October 12, 2024 by s p

Sokol Paja/

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dhuroi 50 flamuj kombëtarë, 50 libra shqip e 50 gazeta Dielli për nxënësit e Shkollës Shqipe “Hasan Prishtina” të Qendrës Kulturore dhe Islamike Shqiptaro-Amerikane “Hasan Prishtina” Waterbury, Connecticut. Në një vizitë vëllazërore e të përzëmërt, zyrtarët e Vatrës arkëtari z.Besim Malota, vatrani z.Bashkim Shehu dhe editori i Diellit u pritën nga kryetari i Qendrës Kulturore dhe Islamike Shqiptaro-Amerikane “Hasan Prishtina” z.Agim Ismaili, z.Azmi Isaku – përgjegjësi i Xhamisë shqiptare të qendrës ” Hasan Prishtina”, Guri Rexhepi – nënkryetari i qendrës dhe Zimer Kaliqi, anëtar i kryesisë. Qendra Kulturore dhe Islamike Shqiptaro-Amerikane “Hasan Prishtina” u krijua në vitin 1983 duke dhënë një kontribut të çmuar e historik për kombin e komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Që prej vitit 1983 pranë kësaj qendre funksion shkolla shqipe “Hasan Prishtina” duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ruajtjen e gjuhës shqipe dhe identitetin kombëtar shqiptar. Kryetari i parë historik i qendrës që sot ka rreth 600 anëtarë ka qenë Zaim Kica, ndërsa z.Ismaili është kryetari i 18-të në historinë e qëndrës. Vatra ofroi mbështetjen dhe vlerësoi punën e shkëlqyer patriotike e komunitare të qendrës “Hasan Prishtina”. Drejtuesit e qendrës vlerësuan Vatrën dhe garantuan bashkëpunim të ngushtë në të ardhmen për kauzat kombëtare ku Vatra është lider i padiskutueshëm në mërgatën shqiptare të Amerikës. Vatra i qëndron afër dhe mbështet me çdo mjet përpjekjet dhe punën e shkëlqyer patriotike të shoqatave e organizatave patriotike për ruajtjen e gjuhës, historisë e traditës shqiptare nga asimilimi e përcjellja e trashëgimisë patriotike te fëmijët shqiptarë të lindur jashtë atdheut. Më herët Vatra ka shpërndarë flamuj, libra, abetare e gazeta edhe në shkollat shqipe New York e New Jersey.

Filed Under: Opinion

NË GALERINË E NEW YORK-UT DO TË EKSPOZOHEN PIKTURAT E ARTISTES KOSOVARE LULJETA RAMA – MUÇAJ

October 12, 2024 by s p

Prend Ndoja/

Në metropolin më të madh të artit, në New York, me pikturat e saj do të paraqitet edhe znj. Luljeta Rama Muçaj, pas disa ekspozitave të mëhershme në disa qendra europiane. Profesoresha dhe artistja nga Kosova me shumë krenari do ta prezentojë artin dhe kulturën shqiptare në Nju Jork. Znj. Rama, ndjenjat e saj të shkrira në pikturë, me një gjenialitet të veçantë do t’i shfaqë në Galerinë e Arteve, në adresën: 49 W, 52-end st., New York me datë 10-20-2024. Artdashësit shqiptarë si dhe ata të nacionaliteteve tjera do të ndihen të lumtur para kombinimit të ngjyrave të derdhura artistikisht në pikturat e saj. Në finesat e detajizuara reflektohet gjenialiteti i artistes, që në mënyrë të veçantë sjell kënaqësi shpirtërore te artadashësit e pikturës. Në brendinë e nivelit të krijimtarisë artistike të znj. Rama ka thellësi, përtej pamjes së parë dhe kërkohet njohje dhe kritere profesionale për t‘i hetuar të gjitha, andaj them se arti një pjesë të fatit e ka edhe se si e kuptojnë njerëzit atë. Megjithatë, përmes punimeve artistike të znj. Rama, pa dyshim se artdashësit e të gjitha fushave do të kenë mjaft piktura, ku do të ushqejnë lumturinë e tyre shpirtërore. Nëse i shikojmë nga këndvështrimi kritik, mund të thuhet se, sa më gjatë do të qëndrosh përballë tyre, pikturat e znj. Rama kurrë nuk do të bëhen të mërzitshme. Lartësia artistike në pikturat e saj dallohet, sepse punimet e saj artistike lindin nga nevoja shpirtërore, nga brendia për t’u dhuruar të tjerëve vlera. Thuhet se “edhe diamanti, edhe xhami shkëlqejnë në dritë”, por në krijimtarinë artistike të znj. Rama, reflektohet shumë qartë distanca mes diamantit dhe xhamit.

Jam i bindur se ekspozita e organizuar mirë për krijimtarinë e z. Luljeta Rama Muçaj do të mbetet në kujtesën e vizitorëve për një kohë të gjatë. Znj. Rama, të mirëpresim dhe të falënderojmë për prezantimin e krijimtarisë suaj artistike dhe të kulturës sonë kombëtare në Nju Jork.

Filed Under: Kulture

VATRA NË SHËRBIM TË ÇËSHTJES KOMBËTARE…

October 12, 2024 by s p

Kërkesë e drejtuesve të Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”, drejtuar Warren D. Robbins, në Sektorin e Çështjeve të Lindjes në Departamentin e Shtetit, për t’i dorëzuar një memorandum Presidentit Willson për të njohur shtetin shqiptar

Boston, 1920

Washington, D. C.

I dashur Zotni,
Meqenëse ju keni dhënë konsiderata kaq të njerëzishme ndaj thirrjeve të Shqipërisë për njohje nga qeveria e Shteteve të Bashkuara, ne marrim guximin t’ju dërgojmë një memorie që “Vatra” i adreson Presidentit.
Ne kemi besim se ju do të ndjeheni i lirë t’i parashtroni të njëjtën gjë atij, dhe prandaj ne kemi privilegjin t’ju shprehim juve personalisht mirënjohjen tonë për interesin që ju keni treguar në marrëdhëniet me përfaqësuesit tanë.
Me respekt të madh
Me përulje juaji

Presidenti i “Vatrës”

AQSH, F. Shoqëritë Shqiptare në SHBA, V. 1918, D. 15, fl. 40.

Njoftim i Federatës Pan-Shqiptare “Vatra” për Luigj Bumçin në Paris, lidhur me një thirrje që i kishte drejtuar senatorit amerikan Lodge për të mbrojtur çështjen shqiptare përpara Komitetit të Punëve të Jashtme të Senatit Amerikan

Boston, më 26 gusht 1919

“Vatra” i dërgoj një thirrje senatorit Lodge të na japin rast të flasim përpara Komitetit të Punëve të Jashtme të Senatit Amerikan. Senatori Lodge telegrafisi sot se do të na presin të martën në mëngjes.
Apeli juaj u botua në tërë gazetat e Amerikës edhe proponimi për ndarjen e Shqypnis ka tronditur opinionin publik amerikan. Dërgoni tjetër apel Senatit Amerikan edhe senatorit Lodge ndë është e mundur përpara datës 2.
Përgjigjuni përnjëherë telegrafit, nënshkruar Chekrez, Dako, të gushtit 26.

AQSH, F.151, V. 1919, D. 19, fl. 21-23.

Filed Under: Vatra

KUSH ËSHTË HAN KANG, ÇMIMI NOBEL PËR LETËRSI PËR VITIN 2024

October 12, 2024 by s p

Më 11 tetor të vitit në vazhdim, Akademia Mbretërore e Suedisë bën të ditur se çmimin “Nobel” për letërsi për vitin 2024 e ka fituar shkrimtarja 54-vjeçare koreanojugore Han Kang. Akademia Suedeze këtë mirënjohje e ndan prej viti 1901. Deri më tani e ka ndarë 116 herë. Në vite të veçanta, me çmimin “Nobel” janë vlerësuar disa laureatë, kështu që deri në këtë çast këtë çmim e kanë marrë 120 vetë. Krahas prestigjit të madh, shkrimtarja do të marrë edhe një shpërblim monetar prej 11 milionë krunash apo rreth 967 mijë euro, përkatësisht 1 milion dollarë.

Han Kang është e para femër nga Azia të cilës i ndahet ky çmim për letërsi dhe person i dytë i Koresë së Jugut që fiton një prej çmimeve “Nobel”.

Sekretari i Shoqërisë së Nobelit bëri me dije se sapo e kishte thirrur, kurse ajo ka qenë duke darkuar me të birin dhe ka qenë paksa e befasuar. Në arsyetim thuhet se ajo është shpërblyer “për shkak të prozës poetike intensive e cila ballafaqohet me traumat historike dhe shpërfaq brishtësinë e jetës njerëzore”.

Han Kang ka lindur në vitin 1970 në qytetin Gwangiu, para se në moshën nëntëvjeçare, bashkë me familjen të shpërngulej në Seul. Babai i saj ka qenë shkrimtar i njohur. Krahas shkrimit, ajo i është përkushtuar edhe artit dhe muzikës, gjë që është reflektuar në tërë krijimtarinë letrare të saj.

Karriera ndërkombëtare e Han Kang-ut shpërtheu me romanin “Vegjetariania” e botuar në vitin 2015. Për këtë vepër ajo u vlerësua me çmimin “Man Booker”. E shkruar në tri pjesë, libri i pasqyron pasojat e dhunshme që lindin kur protagonistja e saj Yeong-ye refuzon t’u nënshtrohet normave të ngrënies së ushqimit. Vendimi i saj për të mos ngrënë mish has në

reagime të ndryshme, gjë që i shkakton sëmundje psikike dhe tjetërsim nga familja. Sjelljen e saj e refuzojnë dhunshëm edhe bashkëshorti edhe babai autoritar, ndërsa në pikëpamje erotike dhe estetike e shfrytëzon kunati i saj, video artist i cili pushtohet nga trupi pasiv i saj. Në fund e dorëzojnë në një klinikë psikiatrike ku e motra përpiqet ta shpëtojë dhe ta kthejë në jetën ‘normale’. Mirëpo, Yeong-hye zhytet gjithnjë më thellë në një gjendje që i ngjan psikozës të shprehur nëpërmjet “drurit të flaktë”, simbol i mbretërisë bimore e cila, sa është joshëse, po aq është edhe e rrezikshme.

Kryetari i Akademisë Mbretërore të Suedisë Andreas Olsson në arsyetimin e tij përfundon: “Në opusin e vet Han Kang ballafaqohet me trauma historike dhe me një mori rregullash të padukshme, ndaj në çdo vepër të sajën shpërfaq brishtësinë e jetës njerëzore. Ajo posedon një vetëdije unike për lidhshmërinë që ekziston midis trupit dhe shpirtit, të gjallëve dhe të vdekurve, ndërsa në stilin e saj poetik dhe eksperimental është bërë novatore në prozën bashkëkohore”.

* * *

Çmimi “Nobel” për letërsi ekziston më tepër se një shekull. Për herë të parë është ndarë në vitin 1901. Laureat i parë është poeti dhe eseisit francez Syli Prydom (Sully Prudhomme, emri i vërtetë René François Armand Prudhomme, 1839-1907).

Deri tani çmimin “Nobel” e kanë fituar 120 shkrimtarë: 103 meshkuj dhe 17 femra.

Laureati më i ri ka qenë prozatori dhe poeti anglez Xhozef Radiard Kipling (Rudyard Kipling, Bombay, 1865 – Londër, 1936) i cili e mori çmimin “Nobel” në vitin 1907, në moshën 41-vjeçare.

Laureate më e moshuar ka qenë prozatorja britanike Doris Lesing (emri i vërtetë Doris Mej Tajler, anglisht: Doris Lessing, Doris May Tayler; Kermanshah, 22.10.1919 – Londër, 17.11.2013) e cila u vlerësua me këtë çmim në vitin 2007, kur ajo ishte 88-vjeçe.

I vetmi që e ka refuzua “Nobelin” është romancieri, filozofi, dramaturgu dhe kritiku francez Zhan-Pol Sartri (Jean-Paul Sartre, Paris, 1905 – Paris, 1980). Kjo ka ndodhur në vitin 1964.

Në vitin 1957 u botua në Itali në italisht romani “Doktor Zhivago” i poetit dhe prozatorit rus Boris Pasternak (Boris Leonidoviç Pasternak, 1890 -1960). Në vitin 1958 ka roman u botua në Itali edhe në gjuhën ruse. Romani bazohej në traditën e “romanit të madh” (Leon N. Tolstoj “Lufta dhe paqja”). Në BRSS ky roman u konsiderua si antisovjetik, ndërsa në Perëndim Pasternakut iu dha çmimi “Nobel” për letërsi. Në Bashkimin Sovjetik kundër tij u zhvillua një fushatë e tmerrshme. Si rrjedhojë, Pasternaku nuk shkoi ta marrë çmimin.

Vitin 2023 çmimin “Nobel” për letërsi e fitoi shkrimtari norvegjez Jun Fose. Në atë çast kjo shkaktoi befasi për arsye se pretendues të tjerë konsideroheshin favoritë.

Çmimi ndahet më 10 dhjetor, në përvjetorin e vdekjes së kimistit, shpikësit, filantropit, kozmopolitit dhe industrialistit suedez, i cili parapëlqente ta quante veten bamirës të njerëzimit, Alfred Bernhard Nobel (Stokholm, Suedi, 21.10.1833 – Sanremo, Itali, 10.12.1896).

Shënim: Në nder të Alfred Nobelit është quajtur elementi kimik nobelij i zbuluar në vitin 1956.

.

Xhelal Zejneli

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT