• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2024

Patronazhistët në sulm kundër diasporës për Zgjedhjet e 2025

October 11, 2024 by s p

Satirë nga Rafael Floqi/

Në një botë ku politika është bërë kaq e komplikuar, saqë duhet një diplomë për të kuptuar programin e një partie, shqiptarët jashtë vendit po përgatiten të shijojnë një moment epokal: votimin nga vendet ku banojnë! Pas 30 vjetësh “përjashtimi” nga procesi zgjedhor, diaspora po merr më në fund një mundësi që, nëse do të ishte një kafshë, do ta quanim “të pavdekshme”.

Imagjinoni, mbi 1.2 milion shqiptarë të shpërndarë nëpër botë – një numër që do të bënte çdo statisticien të ulte kokën nga turpi – tashmë do të kenë mundësinë të votojnë dhe të ndikojnë në fatin e atdheut të tyre. Ky është një hap i madh, po në skenarin e përgatitjeve për zgjedhjet e vitit 2025, Edi Rama dhe Partia Socialiste po përpiqen të zgjerojnë territorin e mbretërisë së patronazhistëve. 

Fjala “patronazh” vjen nga termi latin patronatus, që do të thotë “mbrojtje” ose “sponsorizim.” Ajo rrjedh nga patronus, që do të thotë “padron” ose “mbrojtës,” i cili i referohej dikujt që ofronte mbështetje ose ndihmë, shpesh në një kontekst financiar ose ligjor.

Kështu pra pas përfitimeve të mëdha nga votat brenda vendit, tani po vijnë me një plan ambicioz për të “angazhuar” shqiptarët e diasporës, duke menduar se mbështetja e tyre do të sjellë rritje në numrin e mandateve.

Pjesëmarrja në zgjedhje është si të jesh në një banket ku, për herë të parë, mund të zgjedhësh menynë! Çdo votë është një mbushje për demokracinë, një mundësi për t’i kthyer institucione të ngjashme me një kafene të ditës së hënë – të mbushura me shpresë dhe me premtime, por që shpesh shërbejnë kafe të ftohta. 

Në një lajm befasues, Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, njoftoi se qeveria ka ngritur një zyrë të posaçme për të “patronazhuar” shqiptarët jashtë vendit. Sipas tij, ky është një hap i guximshëm drejt një kontrolli dhe ndjekjeje më të thellë për arsye politike—sepse, siç e dimë të gjithë, është shumë më e lehtë të kontrollosh ata që janë larg.

“Ne kemi identifikuar të gjithë patronazhistët, dhe jo, nuk flasim për ata që sjellin gjëra nga Shqipëria. Flasim për ata që i thonë prindërve se fëmijët e tyre do të mbeten pa punë nëse nuk votojnë siç u kërkohet,” tha Bardhi, duke e vënë theksin në “kreativitetin” e këtij skenari.

Epo, që të jemi të sinqertë, askush nuk ka vënë re se si pasioni i qeverisë për patronazhin ka kaluar nga blloku i dyerve të administratës në një dimension global. Tani, çdo shqiptar që mendon se mund të shpëtojë nga rrjeta e qeverisë duke jetuar jashtë vendit, është thjesht një iluzion i ri.

Bardhi nuk ndali këtu: ai akuzoi patronazhistët për abuzim me pushtetin. “Çfarë është më e keqe se të përdorësh lidhjet familjare për të bërë presion? Kjo është si të thuash se nënat nuk duhet t’i japin leksione fëmijëve të tyre për etikën e votës, pasi në vend të kësaj, ata duhet të kenë frikë se do të humbasin vendin e punës nëse nuk votojnë për Partinë Socialiste,” shtoi ai, duke theksuar se ky është një tipar i ri i “demokracisë shqiptare”.

Dhe, siç thotë çdo popullatë e mençur: “Nëse do të ushtroni presion, atëherë bëjeni me stil!” Prandaj, qeveria shqiptare ka vendosur t’i japë patronazhistëve një shans të dytë për të treguar aftësitë e tyre të komunikimit dhe negociatave me tregun—duke u thënë shqiptarëve të jashtëm se gjobat e papaguara do të bëhen më të lehta nëse ata thjesht kthehen në Shqipëri për të votuar.

Me këtë, Bardhi njoftoi një kampanjë të re për të mbledhur informacion të detajuar për këta patronazhistë, duke përfshirë edhe një program për ndihmën e prindërve që do të dërgojnë fëmijët e tyre në “qendrat e përshtatshme të votimit” (me çmime të veçanta për ata që vendosin të ndihmojnë me votat e tyre).

Në fund, duket se qeveria e ka gjetur një mënyrë të re për të “ndihmuar” shqiptarët. Dhe askush nuk mund ta mohojë që të jetosh jashtë vendit tani është një privilegj—por, vetëm nëse je i gatshëm të votosh siç të kërkohet. Të gjithë të tjerët janë të ftuar të kthehen për një “festë” të madhe demokratike ku mungon vetëm lodra si në kohën e zgjedhjeve 100 për qindëshe. 

Tani, me mundësinë për të votuar, diaspora ka shansin të shprehë shqetësimet e saj. Ndaj, le të shpresojmë që partitë politike të fillojnë të ndiejnë “gjakun” e tyre shqiptar nga larg, përndryshe do të kalojmë sërish në fazën e “duam të kthehemi, por si?” – një pyetje që është bërë si ajo e një marrëdhënie të vështirë me ish-in tuaj. Dhe tani që diaspora do të votojë, politikanët do të duhet të kalojnë nga “përmendja e diasporës” në “përgjegjësia ndaj diasporës”. Të gjitha ato vite të ngushëllimit me “sikur të ktheheshin” do të zëvendësohen me “si do t’i bëjmë ata të kthehen për të votuar?”

Por kujdes. Patronazhistët, siç dihet, nuk ndalojnë përpara asgjëje kur bëhet fjalë për të garantuar votat. Tani, në këtë skemë të re, ata do të angazhohen për të “krehur” listat e votuesve të diasporës, duke e bërë një punë “më të lehtë” përmes familjarëve që kanë në Shqipëri. Imagjinoni situatën: një djalë në Londër merr një mesazh nga mamaja e tij në Shqipëri: “O bir, përveçse ndihmon me para, të lutem, jep edhe adresat e shokëve për të votuar për PS-në!”

Qëllimi është i thjeshtë: të krijojnë një infrastrukturë patronazhuese që do t’i japë mundësi Ramës të kontrollojë votat e shqiptarëve jashtë, të mbledhë informacion dhe, sigurisht, t’i bëjë ata të ndihen si në një reality show ku secili duhet të luajë rolin e tij. “Dhe kush do të thotë jo?” pyet një patronazhist, i kapur mes detyrave dhe kafeve të mëngjesit.

Megjithatë, është një skenë e vështirë. Vendi i punës, biznesi dhe policia janë armët më të forta për të mbajtur të nënshtruar votuesit në vend. Tani do të përpiqen të zbatojnë të njëjtin model edhe për ata që jetojnë jashtë, duke u nisur nga një hap i vogël: përmes vizitave, thirrjeve telefonike dhe mesazheve të rregullta nga Shqipëria, ata shpresojnë të rrisin presionin dhe “ndikimin” në votat e diasporës.

Pjesëmarrja masive në zgjedhjet e vitit 2025 do të jetë një mundësi për t’u siguruar që zëri i diasporës të jetë pjesë e agjendës politike. Duke e marrë seriozisht këtë mundësi, shqiptarët jashtë vendit mund të transformojnë në “Lëvizje për Zhvillim”.

E gjitha kjo ndodh në një kohë kur opozita po përpiqet të kuptojë se si t’i japë zë shqetësimeve të popullit. Ndërkohë, Rama është në një garë me kohën për të ndërtuar një sistem që do të mbajë nën kontroll votat e shqiptarëve në mërgim, duke marrë parasysh se efektiviteti i tij do të varet nga sa mirë do të arrijë të ndërtojë lidhje me familjarët në Shqipëri.

Në përfundim, kjo lëvizje e PS për diasporën është një shenjë e qartë se askush nuk do të jetë i sigurt nga grushti i zgjedhjeve, qoftë brenda vendit apo jashtë tij. Për sa i përket të ardhmes, të gjithë jemi të ftuar në këtë skenë teatrale “të madhe” ku vota është thjesht një kartë, dhe ata që e mbajnë në duar janë patronazhistët e Edi Ramës. Por, siç thonë: “Nuk ka asnjëherë kaq shumë vetëbesim pa pak tragjedi!”

Po pse qeveria shqiptare hapi një zyrë të posaçme për monitorimin e emigrantëve?

Sepse ata e kuptuan se “patronazhi” funksionon më mirë kur ju kontrolloni me zoom votuesit tuaj, edhe nga distanca! Ndaj këta kanë marrë emrin patro-zooma.

Nuk mbetet gjë tjetër veçse të shpresojmë që në këto zgjedhje, politikanët të mos harrojnë të bëjnë pyetjen e madhe: “Çfarë do të ndodhte nëse shqiptarët do të votojnë lirshëm?”.

Pra, mos e humbisni këtë mundësi, diaspora! Votoni …

Filed Under: Opinion

Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti pritën në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof

October 11, 2024 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Kurti pritën në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof. Në takim u diskutua për forcimin e mëtejshëm të aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë për t`i përmbushur synimet e përbashkëta strategjike. Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e saj të thellë për përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-ve ndaj Kosovës, duke shtruar nevojën e dialogut strategjik me SHBA-në, si një hap i rëndësishëm në fuqizimin e partneritetit, kërkesë kjo që ka vite që është përcjellë nga Presidentja Osmani.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke potencuar se një Kosovë e integruar në Aleancën Veri-Atlantike forcon sigurinë e vendit, por kontribuon edhe në stabilitetin e rajonit. Në takimin me Kasanof, Presidentja Osmani diskutoi edhe për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë, siç është fusha e mbrojtjes dhe sigurisë.

Pas takimit të tyre në New York në fundin e muajit të kaluar, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e mirëpriti tashmë në Prishtinë Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof. Ky i fundit shoqërohej në këtë takim nga ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier. Kryeministri Kurti i uroi mirëseardhjen z. Kasanof në këtë vizitë të tijën të parë në vend, gjersa shprehu vlerësimin e lartë për marrëdhëniet e fuqishme bilaterale mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kontributit të tyre në çlirimin, pavarësimin dhe zhvillimin e shtetit tonë. Shtoi se me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndajmë vlera dhe qëllime të përbashkëta, si miq, aleatë e partnerë, e cila reflektohet edhe nga dëshira e perceptimi edhe i vetë qytetarëve të vendit tonë. Kryeministri Kurti falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, energjisë, sigurisë e më gjerë. Theksoi edhe progresin demokratik, ekonomik e shoqëror që ka njohur vendi ynë përgjatë këtij mandati qeverisës, me ç’rast veçoi edhe rëndësinë e sigurisë dhe të sundimit të ligjit.

Kryeministri theksoi edhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit rajonal në pritje edhe të samitit të Procesit të Berlinit të hënën e ardhshme, ku trajtoi nevojën e zbatimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë mes Kosovës dhe Bosnjë dhe Hercegovinës, e cila i kontribuon qytetarëve të dy vendeve. Duke folur për marrëdhëniet bilaterale, kryeministri Kurti trajtoi mundësitë e bashkëpunimit edhe me emisarin e ri Alexander Kasanof si dhe partnerët tanë evropianë pas zgjedhjeve të mbajtura dhe komisionerëve të rinj. Ai shtoi dhe rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe bashkëpunimin e dyanshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këtë drejtim. Përgjatë takimit u trajtua dhe dialogu me Serbinë, ku kryeministri shprehu konstruktivitetin e Kosovës në proces dhe nevojën për zbatimin e plotë dhe sa më parë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit.

Filed Under: Politike

PËRPJEKJET PËR SHKOLLËN DHE ARSIMIN SHQIP NË KOSOVË GJATË VITEVE 1913-1941

October 11, 2024 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Shqiptarët kishin fituar një përvojë të mirë në përpjekjet e tyre për arsimin dhe shkollën shqipe. Kundërshtimi i turqëve ndaj arsimit kombëtar shqiptar nxiti përpjekjet e shqiptarëve për rilindjen kulturore. Në fund të sundimit osman, pas shumë luftërash dhe përpjekjesh ishin hapur disa shkolla shqipe, të cilat u mbyllën menjëherë nga serbët dhe malazezët, si dhe u hapën shkolla fillore e të mesme në gjuhën serbe, por shqiptarët i bojkotuan në masë ato. Veprimtarët e arsimit shqiptar, të kalitur në betejat kundër politikës turke punuan, me të njëjtin përkushtim edhe në periudhën e pushtimit serbo-malazez. Edhe pse përdorën dhunë më të egër e turqit, pushtuesit serbo-sllavë dështuan në përpjekjet e tyre për ta kthyer shkollën në instrument të sllavizimit. Shkolla shqipe, për aq sa mbijetoi, mbeti në shërbim të ruajtjes së identitetit kombëtar të shqiptarëve. Për të mësuar shqip, shqiptarët u orientuan drejt arsimit fetar, ku mësimet zhvilloheshin në shqip. Po kështu, një numër i madh mësuesish dhe nxënësish kaluan në shtetin shqiptar dhe iu kushtuan arsimimit dhe dijes.

Ndërprerja e zhvillimit të shkollës dhe arsimit shqip në vitet 1912-1915

Shqiptarët kishin mundur ta fitonin të drejtën e hapjes së shkollave në gjuhën amtare me kryengritjen e përgjithëshme të vitit 1912, por krahasuar me shkollat serbe, ato ishin në numër më të vogël. Në këtë periudhë, në Kosovë kishte 51 shkolla fillore serbe, me 83 mësues gjithsejt, disa kolegje dhe një shkollë normale fetare. Serbët dhe malazezët mbajtën qëndrim edhe më të ashpër se turqit në lidhje me shkollat shqipe dhe i mbyllën të gjitha ato, duke hapur në vend të tyre shkolla fillore dhe të mesme në gjuhën serbe. Gjithashtu, autoritetet serbe dhe malazeze ndaluan çdo veprimtari arsimore në shqip që mund të zhvillohej në objektet e kultit, si dhe ushtruan kontrolle të rrepta mbi shoqëritë kulturore dhe sportive, për t’i penguar ato në zhvillimin e veprimtarive arsimore në shqip. Sidoqoftë, në këtë periudhë të shkurtër kohe, 1913-1915, funksionuan disa shkolla fetare, të cilat i zhvilluan mësimet në shqip dhe feja ndër shqiptarët u kthye në mjet të rëndësishëm për ruajtjen e identitetit kombëtar.

Arsimi shqip në periudhën 1919-1941

Shteti i parë i përbashkët i sllavëve të jugut u themelua në vitin 1918, në fund të Luftës së Parë Botërore. Megjithëse pretendohej se ishte një shtet kombëtar në modelin e Evropës Perëndimore, ai ishte në të vërtetë po aq multi-kombëtar sa perandoritë e shkatërruara që kishte zëvendësuar shteti Serbo-Kroato-Slloven, që më vonë u quajt Jugosllavi, i kishte diskriminuar pakicat(Samardzi, 1990: 233), megjithëse Qeveria e Mbretërisë SKS e kishte nënshkruar Konventën për Mbrojtjen e Minoriteteve etnike në Paris me 5 dhjetor 1920. Midis copëzave të kombësive që përbënin popullsinë e Monarkisë SKS, pakicat josllave përbënin rreth 12% të popullsisë së përgjithshme.

Shkollat shqipe u mbyllën menjëherë pas ripushtimit serbo-malazez në vitin 1918. Për mbylljen e tyre qenë angazhuar ushtria, xhandarmëria dhe sidomos të ashtuquajturat “çeta fluturuese” çetnike, të specializuara për krime mbi shqiptarët e pambrojtur(Gjoshi, 2015:15). Dhuna dhe tortura të rënda u praktikuan në Gjakovë, Pejë, Mitrovicë, Prizren etj. Në atë kohë, kërkoheshin me urgjencë listat e mësuesve shqiptarë që kishin dhënë mësim në shkollat e hapura nga Austro – Hungaria. Lidhur me këtë, në një qarkore të xhandarmërisë serbe, e cila qarkullonte nëpër Kosovë, thuhej: “Duhet të likuidohen të gjithë ata mësues që kanë mbetur në Kosovë, si dhe nxënësit e tyre, të cilët po i përhapin me të madhe idetë kombëtare”.

Në lidhje me gjendjen e mësuesve shqiptarë, kryekonsulli i Shqipërisë në Shkup i shkruante Ministrisë së Punëve të Jashtme: “Prej mësuesvet të naltpërmendun shumë prej tyne kanë dalë më këtë anë, disa të tjerë kanë mbetë nën sundimin jugosllav pa punë e si mos më keq; autoritet serbe nuk i lejojnë me dalë në Shqipni”(MEPJ, 930, 194:126). Autoritetet e Beogradit mbyllën shkollat në: Prishtinë, Pejë Ferizaj, Gjakovë, Mitrovicë, Vushtri, Istog, Zym, Bec, Bordosan, Brovinë, Gllogjan, Irziniq, Junik, Ponoshvec, Cermjan, Zhub, Rakosh, Baran, Zllakuçan, Strellc, Budisalc”(MEPJ, 930, 194:126). Krahas mbylljes së shkollave shqipe, u hapën shkollat në gjuhën serbe. Shkollat serbe u hapën aty ku kishte serbë, si të lindur në Kosovë dhe të sjellë aty përmes kolonizimit, si një masë për të rritur praninë e serbëve në provincë.

Arsimi në gjuhën serbe është parë si një mjet për të tërhequr shqiptarët drejt Serbisë si subjekte luajalë. Kurrikulat e mësuara në serbisht synonin të zhvillonin identitetin e përbashkët të serbëve, kroatëve dhe sllovenëve në shtetin e ri të përbashkët, ndërsa politika e integrimit për shqiptarët ishte politika e shkombëtarizimit të tyre(Schwandner-Sievers, Fischer, 2002:158). Autoritetet jugosllave u përpoqën t’i asimilonin shqiptarët përmes gjuhës serbo-kroate që fëmijët duhet të mësonin nëpër shkolla. Për ta bërë më të lehtë mësimin e saj erdhën si mësues klerikë myslimanë nga Bosnja, me shpresën se afërsia fetare do të ndikonte në mësimin e gjuhës sllave dhe dobësimin e identitetit kombëtar. Shqiptarët i bojkotuan në masë këto shkolla, duke zgjedhur më mirë analfabetizmin masiv se sa të përfshihen në mekanizmat shkombëtarizues të pushtuesit. Në këto kushte, numri nxënësve shqiptar të regjistruar në shkollat serbe ishte simbolik; djemtë përbënin 6,5%, ndërsa vajzat shqiptare 0,5% të nxënësve(Obradoviq,1981 :6).

Në vitin shkollor 1928-1929, në shkollat serbe të Kosovës vazhdonin mësimet 7565 nxënës shqiptarë, prej tyre 7333 meshkuj dhe vetëm 232 femra, të cilët mësonin vetëm në gjuhën serbe(Shatri, 2006 :43).Edhe mësimi i besimit jepet në atë gjuhë, duke vendosur si mësues njerëz të zgjedhur prej qeverisë d.m.th mësues serbë, që nuk e kishin përgatitjen e nevojëshme.(MEPJ, 1930, 194:126). Serbët mendonin se ishte veçanërisht e padëshirueshme që shqiptarët të merrnin arsim në gjuhën shqipe, duke pasur frikë se lidhjet gjuhësore do të ushqenin nacionalizmin shqiptar. Në vend të kësaj, institucionet e vetme arsimore të autorizuara nga regjimi serb ishin shkollat fetare, si islamike ashtu edhe ato katolike. Padyshim, autoritetet serbe ishin të etura për të theksuar më shumë përkatësinë fetare sesa etnike të shqiptarëve në Kosovë.

Në fund të viteve dyzet të shekullit të kaluar, megjithëse numri i nxënësve shqiptarë që mësonin në shkollat serbe ishte rritur, përsëri ishte në tregues të ulët. Në vitin shkollor 1939-1940, në arsimin fillor të Kosovës, vetëm në gjuhën serbe ishin të përfshirë rreth 30 përqind të fëmijëve shqiptarë të moshës shkollore dhe 70 për qind e tyre kishin ngelur jashtë shkollës. Në këtë vit shkollor në arsimin fillor katërklasësh në Kosovë kishte 250 shkolla me 654 paralele, të cilat kishin 37 505 nxënës. Me këta nxënës punonin 728 mësues (të gjithë jo shqiptarë), prej të cilëve femra ishin 222 sosh(Shatri, 2006:44). Në vitin shkollor 1940-1941, në arsimin fillor ishin të përfshirë rreth 11 000 nxënës shqiptarë, ose vetëm rreth 30 për qind, nga numri i përgjithshëm i nxënësve të Kosovës. Edhe në këtë vit shkollor, të gjithë këta nxënës kanë mësuar vetëm në gjuhën serbe(Shatri, 2006:44-45).

Shtrohet pyetja: ku mësuan të lexojnë dhe të shkruajnë shqip fëmijët shqiptarë? Shteti serb nuk ishte në gjendje të eleminonte të ashtuquajturat shkolla turke në vitet 1920. Fillimi i shkollave të reja mund të ndalohej, por nuk mund të mbylleshin të vjetrat. Një veprim i tillë madje mund të kishte rezultuar në një rebelim të armatosur shqiptar. Prindërit shqiptarë i regjistruan fëmijët e tyre në këto shkolla, emri i saktë i të cilave ishte “sibiyan” dhe fillimisht ishin formuar për edukimin fetar të fëmijëve 5-7 vjeç. Por midis dy luftërave botërore, situata në Kosovë ishte e tillë që fëmijët mund të merrnin pjesë në to edhe kur mbushnin moshën dhjetë vjeç. Shumica e imamëve që jepnin mësime në sibiyan-mekhbet nuk e flisnin serbishten, kështu që arsimi ishte në shqip. Kjo është arsyeja pse në vitet 1920, Beogradi e konsideroi të pafavorshme funksionimin e këtyre shkollave(Gulyás, 2015:228). Pas debateve në Lidhjen e Kombeve, në lidhje me të drejtat e shqiptarëve në Jugosllavi, Beogradi bëri lëshime dhe u lejoi atyre mësimin në gjuhën amtare në mejtepe, ndërsa për ata që dëshironin të ndiqnin shkollat shtetërore, duhet të pranonin të mësonin në gjuhën e shtetit, në serbisht(Gulyás, 2015:228-229). Sido që të jetë, këto shkolla fetare gradualisht u kthyen në qendra të fshehta arsimimi, duke u shfrytëzuar si platforma për të gjeneruar dhe shpërndarë idetë nacionaliste shqiptare. Për shkak të ndalimit të vazhdueshëm të shkollave laike shqiptare në Jugosllavi, në mes dy luftërave botërore, kleri mysliman filloi të ndjekë prirjen e mëparshme të mësimit të gjuhës shqipe në shkollat fetare(Vokrri, 1990:303-314). Ky mision i ri kombëtar i shkollave fetare i detyroi autoritet e arsimit të Serbisë që të zëvendësonin me forcë imamët shqiptarë me imamë nga Bosnja, të cilët nuk e flisnin fare gjuhën shqipe. Është e dukshme që një politikë e tillë kishte për qëllim të parandalonte aktivitet nacionaliste të shqiptarëve brenda institucioneve fetare. Megjithatë, shqiptarët e Kosovës edhe një herë i dhanë përparësi gjuhës së tyre nacionale më tepër se identifikimit me anë të fesë, prandaj mësuesit myslimanë të Bosnjës u përballën me një kundërshtim të ashpër dhe bojkot nga ana e bashkë-besimtarëve të tyre shqiptarë në Kosovë(Demjaha, Peci, 2016:21). Fakti që në zonat e banuar nga popullsi etnike shqiptare, funksionet fetare dhe arsimore i kryenin rreth 50 myfti dhe mbi 600 hoxhallarë, ku asnjëri prej tyre nuk dinte serbisht siç duhet dhe të gjithë kishin një armiqësi shpirtërore ndaj serbëve, ndikoi thelbësisht në edukim, prandaj autoritetet serbe i konsideruan sibjan mejtepe (shkollat ​​fillore myslimane), si “institucione të dëmshme kombëtare”. Në këtë periudhë u hapën edhe shkolla ilegale që jepnin njohuritë fillestare të leximit dhe shkrimit shqip, si dhe u zhvillua arsimi privat ilegal nëpër shtëpi apo dhe mësimi autodidakt me libra të sjella nga Shqipëria.

Roli i shtetit shqiptar në përhapjen e arsimit shqip në Kosovë

Qeveria shqiptare kishte ndjekur me vëmendje zhvillimet në trevat shqiptare, të mbetura jashtë kufinjëve, ku fqinjtë agresorë po ua mohonin shqiptarëve çdo të drejtë kombëtare, përfshirë dhe të drejtën e shkollimit. Në ato kushte, në vendbanimet pranë kufirit u ngritën internate, të cilat mblodhën fëmijtë e familjeve që ishin larguar për shkak të represionit serb, por edhe fëmijë të tjerë që kishin kapërcyer ilegalisht kufirin vetëm për të vazhduar shkollën në gjuhën shqipe. Mësuesit e Internatit “Kosova” ishin luftëtarët shqiptarë të dijes, që e kishin filluar shkollimin shqip sapo trupat pushtuese serbe ishin përzënë nga Kosova prej austriakëve, në vitin 1915 dhe sapo ato u rikthyen, e shpërndanë arsimin shqip në Malsinë përtej kufirit. Ata nuk guxonin ta linin atë front të luftës, i cili do t’i mbante të gjalla ndjenjat kombëtare në Kosovë. Kontributi i tyre tashmë dihet; ata formuan breza të tërë luftëtarësh të dijes, të cilët i shërbyen popullit dhe pas Luftës së Dytë Boëtrore hapën shkollat shqipe dhe morën përsipër ta përfaqësonin popullin shqiptar në Jugosllavi.

Në vitin 1926, kolektivi i Internatit “Kosova” në Kolgecaj përbëhej nga drejtori Sali Morina dhe mësuesit Tafik Oruçi, Ismet Garanci, Qazim Araçiu dhe Besim Mustafa Hamza, të cilët kishin qenë mësues në shkollat shqipe të Kosovës. Më vonë, dhanë mësim kuadro që vinin nga treva të ndryshme të vendit, duke e parë Internatin si një vatër mbarëkombëtare si: Bajram Bica nga Peqini, Emin Abazi nga Kolonja. Gjatë këtij viti, Internati kishte të regjistruar 150 nxënës, prej të cilëve vazhdonin rregullisht 130(AQSH,195,1926,1: 166).

Mësimdhënës vendës kishte pak vendas dhe shumica erdhën nga Kosova. Mësuesit patriotë gjakovarë, më 17 tetor 1922, themeluan shkollën e parë shqipe në lagjen Dojan të fshatit Bujan, e cila ishte nën përkujdesjen e Bajram Currit dhe të shokëve të tij. Aty shërbyen dhe mësuesit kosovarë Hilmi Kryeziu e Sahit Bakalli, si dhe mësues të ardhur nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, si Rifat Domi, Ali Sahatçia, Liri Turku, Selaudin Terihati etj. Pas shkollës së Bujanit u hapën shkollat në fshatrat Gash, Bytyç, Degë, Dragobi etj.

Me hapjen e Internatit në Kolgecaj në vitin 1923, në vitin e parë shkollor pati njëqind e njëzet nxënës me bursë, tetëdhjetë përqind e të cilëve ishin nga Kosova dhe pjesa tjetër nga Tropoja, Hasi dhe Luma. Përveç bursistëve, në një numër të vogël kishte dhe konviktorë me pagesë që quheshin “konviktorë private”, të cilët si kriter për t’u pranuar kishin pagimin e rregulltë të kësteve dhe sjelljen me vete të pajisjeve më të domosdoshme: një shtrat të hekurt, shtresa e mbulesa, çarçafë dhe një palë rrobe konformë uniformës(AQSH, 295, 1937, 302: 1).

Konviktorët e Internatit qenë fëmijët e luftëtarëve dhe të tjerë fëmijë të familjeve atdhetare që përbuzën gjuhën e pushtuesit dhe përpjekjet e tij asimiluese dhe, duke rrezikuar jetën, kaluan kufirin për tu shkolluar në dheun amë. Ata hasën në një atmosferë të ngrohtë prindrore, të krijuar nga mësuesit në shkollë dhe nga malësorët bujarë. Për të përballuar shpenzimet jetësore, shteti shqiptar, caktoi një numër bursash, që kurrë nuk ishin të mjaftueshme për shkak të rritjes së vazhdueshme të numrit të nxënësve.

Në vitin 1928 Internati “Kosova” kaloi në Krumë të Hasit. Në Internatin e Krumës mësuan shumë djem që më vonë u bënë personalitete të spikatura: Emin Duraku, Xheladin Beqiri, Haki Taha, Fadil Hoxha, Mahmut Bakalli, Xhavit Nimani e shumë të tjerë. Gati në të gjitha shkollat e mesme të Shqipërisë kishte nxënës nga Kosova dhe trojet e tjera shqiptare në ish Jugosllavi. Konvikti “Kosova” në Krumë ishte shndërruar në një vatër të edukimit atdhetare dhe të përgatitjes së elitave politike kosovare që në zhvillimet e ardhëshme do të marrin në dorë fatet e vendit.

Filed Under: Analiza

Rrëfimi i shkrimtarit

October 11, 2024 by s p

Lazer Stani/

Nganjëherë ne jemi shumë kërkues ndaj shkrimtarit: ngaqë e duam, kërkojmë që ai të na thotë gjithçka rreth vetes së tij, të gjitha hollësitë, të gjitha detajet, të gjitha të fshehtat e jetës. Eshtë një kërkesë ekstreme. Marrdhëniet njerëzore janë shumë komplekse, shumë të ndërlikuara. Ka të vërteta që ne u shmangemi, të vërteta që ne nuk duam t’i dimë. Shkrimtari vetë, nëse ka vendosur të shkruajë një libër me kujtime, apo një libër për vetën (autobiografi) tregon të vërtetat që ka andje t’i dëgjojë edhe vetë, jo ato të cilave u shmanget që të mos i takojë kund rrugës. Përzgjedhja e këtyre të vërtetave varet nga natyra e shkrimtarit, nga mënyra se si ai e koncepton jetën, botën. Megjithatë, kam përshtypjen, se në libra të tillë, gjithmonë ka diçka të pathënë, diçka që shkrimtari e merr me vete në botën tjetër, sikurse çdo njeri tjetër. Rrëfimi është një akt kristian që dëshmohet para syve të Zotit, jo para syve të robit. Por ne, prapëseprapë, duhet ta falenderojmë shkrimtarin për ato që na rrëfen.

Filed Under: ESSE

NEOOTOMANIZMI : ANTIHISTORIK, ANTITURK DHE ANTISHQIPTAR

October 11, 2024 by s p

Nga Jusuf Buxhovi/

Një përqasje historike sado kalimthi e periudhës së fundit të Perandorisë Osmane (nga Kriza Lindore deri te luftërat ballkanike si dhe rrënimi i saj përfundimtar në vitin 1923 kur do të shpallet Republika e Turqisë) jep për me kuptue se tendencat e sotme neootomane dhe kalifatiste në drejtim të vendeve europiane që dikur ishin të pushtuara nga Perandoria Osmane dhe poashtu kundër kemalizmit në Turqi, përkundër farsës demokratike me të cilat po përcillen, janë antihistorike, antiturke dhe antishqiptare njëherësh, meqë historia kategorisht përjashton reinkarnimet e tilla.

I.

Aspekti antihistorik

Ndonëse sulltan Hamidi shfaqet si “kalifi” i fundit osman, me reformat e Tanzimatit (shpallja e Hatisherfit të Xhylhanës dhe të Hamajanit), u pranua parlamentarizmi ndërsa sistemi juridik pjesërisht u largua nga diktati i sheriatit, Perandoria Osmane detyrimisht hoqi dorë nga obskurantizmi fetar dhe logjika e kalifatit. Edhe pse në vitin 1877 sulltan Hamidi, me shpërndarjen e parlamentit osman ktheu despotizmin, megjithatë, në raport me fuqitë e mëdha të kohës, Perandoria Osmane, ruajti kursin europian, duke i mbështetur reformat juridike, ekonomike dhe politike në vend, pale se shumë prej tyre mbetën vetëm në letër nga shkaku se vetëdija e kalifatit ishte pjesë e mentalitetit të shtresës dominuese shoqërore që nuk i pranonte ndryshimet që e shpronsonin nga fuqia e pushtetit despotik dhe ushtrimit të tij në të gjitha poret shoqërore. Pas Konferencës së Parisit 1865, kur do të pranohet në sofrën e Fuqive të Mëdha europiane, ndonëse në një situatë të pavolitshme gjeopolitike dhe gjeostrategjike kur duhej të lëshonte vazhdimisht pe karshi hegjemonizmit rus dhe aleatëve të saj në Ballkan (serbëve, malaziasve, bullgarëve dhe grekëve duke ua pranuar autonomitë por edhe shtetet me të cilat ajo po përjashtohej nga pjesa europiane e perandorisë), Perandoria Osmane ishte e vetëdijshme se aleanca me vendet europiane si dhe fryma perëndimore mund ta shpëtonte sado pak nga gllabërimi pansllavist me të cilin përballej nga lufta e parë e Krimesë e deri te ajo e fundit. Nga kjo kohë e deri te Luftërat Ballkanike (1912), duke u munduar që t’i bënte ballë disi invazionit rus në pellgun e Detit të Zi, që gjithnjë e më shumë po e rrezikonte Bosforin si dhe lëvizjeve nacionaliste sllavo-ortodokse në pjesën europiane, Perandoria Osmane ishte kthyer në një shtet vasal të fuqive europiane, të cilat mbikëqyrnin jetën ekonomike dhe politike të vendit, ndonëse kjo nuk e shpëtoi nga rrënimi i plotë që do t’i vijë pas Luftës së Parë Botërore, kur me kalimin në anën e Fuqive të Boshtit, u përfshi në sferat e interesit në anën e humbësve. Megjithatë, Republika e Turqisë, e shpallur nga Mustafa Kemali (Ataturku) në vitin 1923, lidhjen e deriatëhershme vasale me vendet europiane, e ktheu në një partneritet të vazhdueshëm me interes të dyanshëm. Kjo ndodhi edhe në saje të asaj se shteti i ri turk, me fitoren ushtarake në Traki ndaj pushtuesve grekë (në Edrene), ruajti praninë e tij edhe në hapësirën europiane. Si i tillë shteti i ri laik turk, i shtrirë edhe në gjeografinë shtetërore europiane, nga “ një vend me sëmundje kronike të pashërueshme” , siç ishte gjatë kalifatit, u kthye në një faktor tepër të rëndësishëm gjeostrategjik që mbikëqyrte hapësirën e Bosforit, por edhe ruante baraspeshën strategjike në rajon.

II

Aspekti antiturk

Shpallja e Republikë së Turqisë në vitin 1923 i jep fund një procesi të gjatë historik prej pesë shekujsh nëpër të cilin kaloi Perandoria Osmane nga forcimi dhe invazioni i saj kur ajo u shfaq në kontinentin europian e deri te rrënimi i plotë. Ky proces i pandalshëm historik, kur ajo mori epitetin “e sëmura e Bosforit”, nisi me shtatë luftërat e Krimesë me Rusinë nga vitet 1723-1865 dhe përfundoi me ato ballkanike (1912), mori rrugën e pakthyeshme nga lëvizja nacionaliste turke, e cila kishte për qëllim rrëzimin e kalifatit dhe zëvendësimin e tij me një shtet nacionalist turk, që do të lirohej nga koncepti islamist “fe-vatan”. Kjo lëvizje, politikisht u manifestua dhe doli në skenë në kohën kur sulltan Hamidi rrëzoi parlamentarizmin dhe riktheu despotizmin politik (1877). Në këtë lëvizje të madhe politike, të njohur si lëvizja xhonturke (tuqit e rinj), e cila filloi nga studentë, intelektualë dhe ushtarakë me orientim europian dhe perëndimor, morën pjesë edhe shqiptarë, madje edhe si themelues të saj (Ibrahim Temo), të vetëdijshëm se rrëzimi i kalifatit dhe kthimi i parlamentarizmit ishte një parakusht që të faktorizoheshin në përputhje me interesat e tyre jetike, siç ishte krijimi i një Shqipërie autonome që do t’i mbronte nga ivazionet pansllaviste. Këto impulse ishin vendimtare nga faza e parë e luftimit të obskurantizmit fetar dhe despotizmit hamidian e deri te fitorja e revolucionit xhonturk më 1908 në Ferizaj, kur nga ultimatumi i kryengritësve shqiptarë sulltan Hamidi riktheu parlamentarizmin.

Kur flitet për këto impulse që iu dhanë nacionalizmit turk nga shqiptarët, kihet parasysh roli i madh që pati Sami Frashëri për themelimin e gjuhës turke së cilës ia dha bazën shkencore karshi persishtes zyrtare, me çka nacionalizmit turk iu krijua platforma shpirtërore, siç kihet parasysh edhe roli i themeluesve të lëvizjes xhonturke, intelektualit shqiptar Ibrahim Temo nga Manastiri. Pastaj, roli i Ismail Qemalit për reformimin e lëvizjes në Kongresin e Parisit 1907 dhe shumë e shumë intelektualëve shqiptarë (Hasan Prishtinës, Bedri Pejanit, Dervish Himës, Mehdi Frashërit, Nexhip Dragës dhe të tjerëve), që ishin militantë të kësaj lëvizje nga fillimet e deri te fitorja në Ferizaj. Me këtë rast nuk duhet harruar edhe roli i madh i ushtarakëve shqiptarë (Kolonelit Njazi nga Resnja) dhe oficerëve nga garnizoni i Manastirit, të cilët u rebeluan dhe iu bashkuan revolucionit, duke u kthyer kështu në krah ushtarak të tij.

Edhe pse xhonturqit nuk i përmbushën detyrimet ndaj shqiptarëve dhe madje, nga vitet 1909-1912, me pranimin e osmanizmit si ideologji nacionaliste shtetërore u kthyen në kundërshtarë të rreptë të tyre. Megjithatë, nacionalizmi turk pasi që hoqi dogmën e “milletit osman” dhe kurthin islamist, që i kishte anatemuar më së shumti shqiptarët që kishin tri besime, duke u mbështetur në faktorin gjuhë shqipe, vuri në veprim të pandalshëm nacionalizmin shqiptar, i dha dëshmitë më të fuqishme të shqiptarizmit në planin shoqëror, intelektual dhe politik (pranimi i alfabetit me shkronja latine në Kongresin e Manastirit 1908, hapja e klubeve shqiptare në shumë pjesë të vendit, hapja e shkollave shqipe si dhe botimi i librave shqipe bashkë me gazetat shqiptare). Kështu, mbështetja mbi gjuhën dhe etninë, ia krijuan platformën lëvizjes për çlirim dhe pavarësi kombëtare, e cila pikën kulmore e arriti me kryengritjen e Kosovës të verës së vitit 1912, kur me katërmbëdhjetë pikëshin e Hasan Prishtinës në Shkup, Perandoria Osmane pranoi realitetin etnik dhe atë gjuhësor shqiptar, një Shqipërie Osmane prej katër vilajeteve, që duhej t’ia hapte rrugën Shqipërisë Europiane.

III.

Aspekti antishqiptar

Humbja e Luftës Ballkanike në vjeshtën dhe dimrin e vitit 1912 ishte tragjike edhe për shqiptarët, të cilët ndonëse shpallën pavarësinë kombëtare në përputhje me shtrirjen e njohur etnike, me vendimet e Konferencës së Londrës, mbetën të ndarë.

Por, kjo humbje tragjike, së cilës shqiptarët i paguan një çmim shumë të madh, ishte tragjike edhe për vetë popullin turk, i cili në ato rrethana vendimtare që i paraprinë Luftërave Ballkanike dhe asaj Botërore, serish u ra në duar kalifatistëve, me çka bëri një veprim të pafalshëm antihistorik. Në këto rrethana, pasi që ishte humbur lufta me grekët, të cilët me pushtimet e tyre kishin depërtuar në hapësirën e Azisë, rikthimi i sulltan Hamidit V në pushtet, perandorinë e dikurshme e ktheu në një kalifat të vogël obskurantist në Anadoll. Do të jetë një ushtarak me origjinë shqiptare, (Mustafa Qemali), i cili me shumë oficerë nga viset europiane (shumë prej tyre shqiptarë, që kishin humbur atdheun e copëtuar nga pushtuesit serbë dhe grekë), jo vetëm që nuk e pranoi këtë realitet poshtërues për popullin turk, por krijoi lëvizjen e re turke, e cila riktheu forcën e vet me rrënimin e kalifatit të Andollit dhe shpalljen e Republikës së Turqisë. Ndodhi kjo në vitin 1923 kur kemalistët ia dolën që nën flamurin e Republikës së Turqisë, e cila kishte ndërprerë të gjitha lidhjet me kalifatin dhe Perandorinë Osmane, fituan luftën me grekët dhe serish ia kthyen dinjitetin popullit turk. Me paqen e Lozanës, Republika e Turqisë, e cila kishte rikthyer një pjesë të hapësirës europiane, duke u shpallur shtet laik, vuri lidhje të natyrshme edhe me botën perëndimore.

Ishte kjo një fitore e madhe historike e popullit turk, që u arrit vetëm pasi që u shkëputen të gjitha lidhjet me një të kaluar historike osmane së cilës moti i kishte ikur koha dhe shfaqej e dëmshme edhe për fatet e saj. Pra, për këtë kthesë të madhe historike, meritat i ka kemalizmi, si koncept politik dhe shtetëror laik, që me forcimin dhe stabilizimin e shtetit turk deri te përmasat e një fuqie rajonale, Europës Juglindore, por edhe botës perëndimore ia hoq mundësinë e luftës së qytetërimeve, si dhe rrezikun nga hegjemonizmi permanent rus në të cilën ajo u përpëlit gjatë kohës së kalifatit osman në shekullin XIX dhe fillimet e shekullit XX.

Ndaj, në rrethanat e tanishme, të pretendosh në trashëgiminë e një kalifati obskurantist me të cilin i kanë qëruar hesapet vetë turqit dhe madje me te të identifikosh edhe popuj që nga pikëpamja shoqërore, kulturore dhe politike që moti i takojnë një qytetërimi të lirë dhe demokratik dhe të ëndërrosh se atë mund ta rikthesh “me ndihmën e Allahut” dhe demonstrimit të xhamijëzimit jashtë kritereve fetare, nuk është vetëm anakronizëm historik, por edhe miopi politike dhe aventurizëm i rrezikshëm, që kështu, mund t’i kthehet në bumerang vetë Turqisë, e cila jashtë konceptit kemalist, rikthen anatemën e “të sëmurës së Bosforit”, që dihet se ku e çon.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT