• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2024

DARDANIA APO SUPËRFUQIA E QYTETËRIMIT EUROPIAN

October 5, 2024 by s p

Nga AGRON JAHA/

Shkrimtari dhe studiuesi Jusuf Buxhovi ka shënuar me veprën e tij kapitale ‘Kosova” vërtet një kthesë në historiografinë shqiptare. Kjo kthesë ka të bëj në rend të parë me ndërrimin e paradigmës studimore në rrafshin e interpretimit apo botëkuptimit modern të proceseve historike. Vepra ‘Kosova’ na paraqitet me një kualitet të ri prezantues, të cilin unë do ta quaja shtjellim sintetik. Proceset historike nuk shihen më vetëm si procese thjesht politike apo të izoluara nga ndikimet e faktorëve të natyrave tjera, ato shihen dhe trajtohen në ndërveprim të vazhdueshëm dhe jo monokauzalisht apo fatalisht.

Autori na dëshmon jo për të parën herë jo vetëm mendimtarin e spikatur të letrave shqip, por edhe punëtorin e madh të dijes e shkencës.

Njohuritë e tij universaliste e radhisin atë detyrimisht, pa asnjë hamendësim a pikëpyetje, në traditën e pashkëputur të eruditizmit postrilindas, e bëjnë atë një lloj Humbolti apo enciklopedisti modern.

Me kontributin e tij të nduardurshëm Buxhovi ka kohë që është shndërruar në një epiqendër poliedrike, në një institucion referencial për gazetarinë, publicistikën dhe studiuesit e kulturës e historiografisë ilire-shqiptare.

“Kosova”, e ribotuar në pesë vëllime paraqet një vepër kapitale, apo më saktë një vepër enciklopediste dhe analitike të përmasave kombëtare e ndërkombëtare. Me botimin e saj tashmë edhe në anglisht, si dhe receptimin relativisht të shpejtë nga bibliotekat dhe universitetet në disa vende perëndimore do të shërbej pa mëdyshje si një burim informacioni, konsultimi e studimi.

Madje, duke pasur parasysh edhe validitetin dhe realibitetin e lartë dokumentues e shtjellues si dhe numrin e madh e të larmishëm të burimeve të konsultuara, ‘Kosova’ e Buxhovit lirisht mund të cilësohet si një enciklopedi e historisë ilire-shqiptare.

Vëllimi i parë – Antika, po ashtu mund të klasifikohet edhe si libër hyrës në historinë universale të lashtësisë dhe antikës evropiane. Kjo natyrisht e diktuar nga faktografia relevante historike, e cila si qendër tradicionale (nga e cila kanë pikënisjen të gjitha zhvillimet kulturore dhe historike me peshë të lartë specifike) ka territorin iliro-thrakas përkatësisht korpusin e kapshëm historiko-kulturor Dardan-Trojan-Hetit.

Këto zona kulturore përgatisin edhe brumin e parë, nga i cili në fillimet e Antikës do të lindin Etruskizmi, Helenizmi dhe Romakizmi si sistemet më komplekse kulturore të organizimit shoqëror në historinë botërore për kohërat antike.

Duke paraqitur rrugëtimin historik, sidomos të Dardanisë Antike, Buxhovi skicon me gjuhën e argumentit shkencor edhe rolin e madh të elementit protoilir në lindjen e helenizmit klasik, por edhe formimin dhe mbajtjen në jetë të Perandorisë Romake.

Roli i Dardanëve shihet në këtë kontekst nga autori me plotë të drejtë si themelor apo kauzal.

Jo vetëm burimet primare antike, edhe shënimet e mëvonshme, pastaj gjetjet arkeologjike në territorin iliro-thrakas, vërtetojnë fondamentalisht konceptin e autorit mbi rolin vendimtar kulturo-prodhues dhe kulturo-përcjellës të subtratit iliro-thrakas në tërësi, dhe përbrenda këtij e subsubstratit dardan si superqendër inicuese dhe krijuese.

Autori, sidomos në pjesën hyrëse, sqaron e përshkruan me elegancë dhe akribi të rrallë studimore jo vetëm historikun e studimeve albanologjike, por edhe vonesën e tyre të kuptueshme si pasojë e realitetit gjeopolitik mas shpërbërjes së Perandorisë Osmane dhe krijimit të shteteve të reja nacionale. Vërtetimin e vonuar të lashtësisë ilire-shqiptare autori e klasifikon si njërin nga faktorët e rëndësishëm, ndoshta më të rëndësishmin, për copëtimin e tokave shqiptare nga fuqitë e kohës dhe shtetet kristiane ballkanike.

Këtë kuadër kauzalitetesh do ta plotësoja me një analizë formale të faktorëve që kanë përcaktuar dinamikën gjeopolitike të kohës, nga e cila mund të ekstrahohet faktori themelor konvertimi në masë i shqiptarëve në fenë islame, sidomos gjatë shek XVII, dhe nivelin e lartë kolaboracionist me pushtetin osman.

Kjo solli fillimisht rreshtimin e gabueshëm në anën e të “Sëmurit të Bosforit”, e më vonë edhe vonesën evidente në organizimin e lëvizjes nacionale. Rreth kësaj problematike do të thellohem në analizën time për vëllimin mbi Perandorinë Osmane të autorit.

Autori na jep një pasqyrë të gjerë mbi historinë e studimeve albanologjike, duke filluar nga filozofi Lajbnic, pastaj eruditi Han, Ksylenderi, Bopi, Mylleri, Gisemini, Luisini, Kondoni, Zhaku, Krispi, D’anzheli, Katapano, Klodin, por edhe autorët modern si Ndreqi, Vlora, Frashëri, Matje, Stipcevic, Zheji, Çabej, Demiraj etj,

Pajtohem plotësisht m vlerësimin e merituar që autori i bën sidomos punës shkencore të studiuesit P. Zhejit mbi vërtetimin e numrit të lartë të njësive morfemike elementare me polivalencë të lartë fjalëformuese në gjuhën shqipe.

Autori zotëron me nivel të lartë analitik punën me burimet antike, vlerësimin e tyre real historik, interpretimin, harmonizimin faktografik dhe ekuideor me studimet moderne. Duke filluar nga Heziodi, vazhduar me Homerin, Herodotin, Izokratin, Thukiditin, Platonin, Aristotelin, Vergjilin etj., autori na ofron vërtet një enciklopedi të tërë citatesh, referencash e shpjegimesh të dobishme.

Angazhimi i autorit për një vazhdimësi pellazge-ilire-shqiptar qëndron në përputhje të plotë faktografike me burimet antike, por edhe me rezultatet e studimeve albanologjike. Shkëputja e studimeve albanologjike nga ato të shtresimeve ilire dhe protoilire dhe përpjekja e dështuar e disa studiuesve kombëtar e ndërkombëtar, sidomos e të ashtuquajturit Rrethi i Vjenës, dhe një mori studiuesish tjerë, deri në nivelet universitare në Tiranë e Prishtinë, që trashëgiminë dhe lashtësinë shqiptare ta reduktojnë e minimizojnë si njërën nga temat e studimeve ballkanike, ku shqipja futet në një grup me gjuhët e sllavëve juglindor, neogreqishten dhe rumanishten, marrin përgjigjen përfundimtare si tentativa joshkencore, e të politizuara skajshmërish.

Vepra e Buxhovit është nga përgjigjet më të mira e të fuqishme kundër politizimit të historisë.

Herodoti në veprën e tij etnografike ‘Historia’ thoshte se “Dikur dikush ishte shumë i madh, kurse sot është tejet i vogël”. Kjo ndoshta do të ishte tragjedia e historisë ilire-shqiptare, e cila ende trajtohet padrejtësisht si një fëmijë jetim përgjithësisht nga shkenca historike botërore, me pak përjashtime.

Libri “Kosova” në pesë vëllime i Buxhovit paraqet për momentin materialin më adekuat dhe më të plotë për mësimin e historisë ilire-shqiptare.

Jusuf Buxhovi: “Kosova”I-V. Botues “Faik Konica” dhe “Jalifat Publishing”, 2015.

Filed Under: Komente

VATRA REAGON NDAJ PRESIDENTIT TË LOBIMIT SERB NË UASHINGTON NENAD VUKOVIÇ

October 5, 2024 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” reagon ashpër ndaj Nenad Vukoviç kryelobistit serb në Washington duke theksuar se “Vatra” do të jetë zëri më i fuqishëm i shtetit të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në çdo çast, me çdo mjet e me çdo formë do të denoncojë krimet, gjenocidin e mizoritë serbe në Kosovë. Ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës në institucionet e shtetit amerikan, ekspozimi i regjimit kriminal, fashist e gjeneocidal serb janë themeli i veprimtarisë sonë diplomatike e patriotike.

Ne i themi rrogëtarëve dhe oborrtarëve të qeverisë serbe se Federata “Vatra” do të vazhdojë të lobojë fuqishëm dhe do të mbrojë me çdo mjet të drejtat legjitime të Dardanisë martire, e cila vuajti nën thundrën e ardhacakëve serbë në tokat autoktone shqiptare.

Prononcime të tilla serbe na motivojnë edhe më shumë që të fuqizojmë dhe më tepër përpjekjet tona kundër makinës vrastare serbe që ende lakmon toka shqiptare në Ballkan. Asnjëherë nuk do ndodhë që Vatra të pushojë lobimin për të drejtat e shqiptarëve të kudondodhur.

Vatra, si gjithnjë vitet e fundit, do bashkëpunojë ngushtë me Kongresin, Senatin, Departamentin e Shtetit dhe Shtëpinë e Bardhë për Kosovën në veçanti e çështjen shqiptare në përgjithësi.

Mekanizmi i Serbisë fashiste sado i sofistikuar të paraqitet, asnjëherë nuk mund t’a ndalin dhe as t’a minimizojnë fuqinë e luftën e “Vatrës” për të drejtat e lirisë e qytetarëve e të atdheut të përbashkët Shqipëri- Dardani dhe viset tjera shqiptare të grabitura me dhunë prej fqinjëve pushtues.

Vatra nuk do të ndalet kurrë.

Rroftë Kombi Shqiptar !

Rroftë Vatra!

Link: https://www.kosovo-online.com/…/belgrade-hired…

Filed Under: Opinion

Altruizmi dhe egoizmi në historinë shqiptare

October 5, 2024 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Në një editorial të vitit 1909 në Gazetën Liria të Selanikut, intelektuali i njohur i botës shqiptare, Mid’hat Frashëri shkruante …një komb është një familje madhe që ka nevojë për të gjithë të mirat e së voglës: shkuarja e mirë, harmonia, bashkëpunimi këtu janë shumë më të nevojshme se te familja. Për lumturinë e një kombi duhet që njeriu të ketë këtë virtyt, që në frëngjisht i thonë altruizëm. Altruizmi është vetia fare kundër egoizmit: egoizmi na urdhëron që të mundohemi vetëm për veten tonë, të bëjm’ atë që na do qejfi, t’i bëjmë dëm tjetrit për të mirën tonë. Po altruizmi na këshillon që më parë të mendojmë tjetrin, të shikojmë të mirën e tij, të ruajmë të drejtat e shokut tonë, me një fjalë, altruizmi na thotë që çdo punë ta gjykojmë pas interesit të përgjithshëm dhe jo vetëm pas interesit tonë. Altruizmi është ajo lëndë, mund të themi, që lidh njerëzit e një kombi, gëlqerja që lidh gurët e një muri. Ky editorial i shkruar vetëm në më pak se një vit pas Revolucionit Xhonturk dhe disa muaj pas Kongresit të Manastirit, provës gjenerale të shqiptarëve për të qenë të lirë e të pavarur, ndriçonte dy vetira të shpirtit shqiptar që ashtu si filozofia e të kundërtave kishin shenjuar edhe veprimet e udhëheqësve të tij politikë përgjatë historisë së mesme e të re. Lumo Skëndo në përçapjen e tij intelektuale vërente se nëse për egoizmin mund të sillte shembuj pa fund të sjelljes politike të shqiptarëve , për altruizmin e ndiente se për shqiptarët ishte një koncept i huaj. Altruizmi!-shkruante në të njëjtin editorial- Mid’hat Frashëri , Ah, është një fjalë e panjohur për ne shqiptarët. Sa është larg nesh altruizmi, kjo ndjenjë, ky virtyt! Armiqësi e përjetshme e shqiptarëve, fisi me fisin, fshati me fshatin, vëllai me vëllanë, është një prov’e mjaftë, që altruizmit në vendin tonë as emri s’i është dëgjuar!

Editoriali në fakt i referohej sjelljes sociale brenda etnisë së shqiptarëve, brenda çatisë së Perandorisë Osmane ku shqiptarët mendonin se pas Revolucionit Xhonturk dhe statusquo-s që Fuqitë e Mëdha Evropiane, Perandoria Austro-Hungareze dhe Perandoria Britanike garantonin për Gadishullin Ballkanik, do të fillonin të shijonin frutet e barazisë konstitucionale. Marsi i vitit 1909 ishte shumë shpejt që shqiptarët ti kallnin flakën Perandorisë Osmane, pasi shpresat ishin vërtet të mëdha. Shkolla shqip, klube shqiptare të shtrira në të gjitha hapësirat shqiptare, deputetë shqiptarë në Parlamentin Osman ishin fitore jo të vogla që shqiptarët si kishin pasur kurrë gjatë sundimit të Abdyl Hamitit-Sulltanit të Kuq. Ndërkohë në kancelaritë e vendeve të pavarura ballkanike dhe në Sant Petersburg po përgatititeshin alencat dhe planet për mësymjen e përgjithshme ndaj osmanëve për ta zgjidhur njëherë e mirë “nyjen gordiane” të Çështjes Lindore me anë të luftës. Mes shpërthimit të Luftës së Parë Ballkanike dhe tërheqjes së Perandorisë Osmane nga Ballkani lindi shteti shqiptar. Shteti kombëtar shqiptar u krijua pas rrënimit dhe tërheqjes së otomanëve nga Ballkani dhe kufijtë e tij do të përcaktoheshin në një konflikt të hapur me fqinjët e vet që dëshironin të zbatonin parimin e plaçkës së luftës. Kjo lakmi e fqinjëve për të përfituar sa më shumë territore edhe pa e respektuar fare parimin etnik në terren po dëmtonte shumë popullsinë shqiptare që në vigjilje të krijimit të shtetit të vet kombëtar i duhej që një pjesë e konsiderueshme e popullsisë së saj, të mos përqendrohej rreth bërthamës së vet etnike por t’i nënshtrohej autoritetit të shtetit kombëtar të popujve fqinjë. Sigurisht që parimi etnik nuk ishte respektuar tërësisht dhe në caktimin e kufijve të shteteve kombëtarë ballkanik, por në ndryshim nga Shqipëria që po krijohej, popullsitë dhe territoret e këtyre vendeve kishin mbetur nën dominimin osman , çka linte një shpresë që në të ardhmen diçka mund të arrihej në kuadër të shpërbërjes së Perandorisë Otomane. Në rastin e Shqipërisë caktimi i kufijve të saj merrte një rëndësi të veçantë jo vetëm për të qenë “leben fahig” –viable për të përdorur një term që përdori dhe diplomacia Austro-Hungareze por edhe për të arritur dhe përfshirë në bazë të kriterit etnik pjesën më të madhe të popullsisë dhe etnike shqiptare, pasi lënia e tyre nën administrimin e shteteve kombëtarë fqinjë nuk linte asnjë shpresë se në të ardhmen mund të kishte ndonjë rivendikim kufijsh. Përreth pothuajse një shekull ringjallje të etnisë shqiptare për të krijuar shtet modern shqiptar, elita e tyre kombëtariste ishte ballafaquar me vetëpërpjekjen dhe bashkëpunimin me të tjerët për të zgjidhur problemet mbi territorin dhe hapësirën gjeografike që administronte. Pashallëqet e Mëdha shqiptare u kishin dhënë mundësi elitave shqiptare të kontrollonin Adriatikun, Jonin si dhe një pjesë të Egjeut dhe luginën e Vardarit, pozicionet më strategjike të Ballkanit ndaj në vigjilje të tronditjes së pushtetit otoman në Ballkan nga revolta serbe (1815) dhe revolucioni grek (1821) , elitat serbe dhe elitat greke u përpoqën të bashkëpunonin me eilita shqiptare të pashallëqeve. Si është një fakt i njohur historik, shpërthimi i rrebelimit të Ali Pashë Tepelenës në Epir rriti shanset për triumfin e Revolucionit Grek. Revolucioni Grek dhe lufta për pavarësi 1821-1832 do të shërbenin edhe si lakmues identitar për popullisitë e Epirit, ku suliotët do të përqafonin identitetin kulturor helen. Për më tepër të vonuar do të ishin në këtë drejtim dhe klasa drejtuese e ajanëve myslimanë shqiptarë ku bënte pjesë dhe Ali Pasha Tepelena që shpesh herë në aksionet e tyre politike do të ishin transmetues solidaritetit të ummas islamike në territoret shqiptare duke krijuar konflikte të panevojshme me bashkësitë ortodokse shqiptare si Suli dhe Himara. Në një shoqëri shumëkombëshe, siç ishte ajo e Perandorisë Osmane, jeta e nënshtetasve të saj, ç’është e vërteta, ishte organizuar rreth besimit, të cilit, ata i përkisnin: domethënë, vija ndarëse ndërmjet të qeverisurve dhe qeverisësve-ose, thënë më shkoqur, popullsisë hegjemone-ishte religjioni dhe jo kombësia, ku padyshim, ashtu si në të gjithë perandorinë, myslimanët përftonin një pozicion të priveligjuar, gjë që, në rastin e Shqipërisë qe shndërruar e kishte përbërë një pengesë objektive për të arritur bashkimin kombëtar të myslimanëve me të krishterët, qofshin ata ortodoksë apo katolikë.” Në këtë rast tipari altruist i disa prijësve etnikë shqiptarë qoftë të krishterë apo myslimanë u shfrytëzua në maksimum nga elita kombëtariste greke, pasi duke rrënuar pushtetin otoman pa asnjë garanci politike për mbijetesën e tyre etnike ata u u gjendën në zemër të rrebeshit të asimilimit në shtetin e ri kombëtar grek. Rezultati ishte katastrofal për popullsinë etnike shqipfolëse në Greqi. Si të krishterë ortodoksë që ishin,dhe duke qenë se ortodoksia ishte në themel të identitetit helen modern që po lindte, shumë prej arvanitasve kishin marrë në luftën për çlirim, disa prej tyre madje u bënë dhe udhëheqës të saj. Njëlloj si në shekujt e mëparshëm helenizmi ndihmohej nga përzierja dhe moskompaktësia e disa popullsive, si dhe procesi i urbanizimit. Mungesa e një tradite letrare vepronte po kështu në këtë drejtim. Rrjeti i arsimimit greqisht që po zhvillohej ishte, sëbashku me Kishën, një motor i fuqishëm i greqizimit, veçanrisht kur u shtuan përpjekjet për të shkolluar dhe vajzat. Por, ajo që ndihmoi në fshirjen e gjuhës shqipe ishte dhe zhvlerësimi i saj social, të paktën në hapësirën publike: të flisje shqip do të thoshte t’i përkisje shtresës më të ulët të shoqërisë neo-helenike, domethënë të ishe fshatar ose marinar, kurse të flisje greqisht kishte kuptimin e të qenit një “helen i vërtetë”.

Tetëdhjetë vjet më vonë në prag të shpërthimit të Luftës së Parë Ballkanike, shtetet ballkanike kryesisht Serbia doli me parrullën “Ballkanasi i Ballkanasve” duke dashur të eliminojë çdo ndërhyrje të Fuqive të Mëdha dhe rikomfirmuar hegjemoninë e tyre. Për fat të keq një pjesë e rëndësishme e krerëve të popullit shqiptar përfshi Isa Boletini, Mehmet Pashë Dëralla, Esat Pashë Janina, Hasan Tahsin Pasha(Masareja) ranë dakord të bashkëpunonin në veprime të përbashkëta ushtarake me forcat serbe e greke duke përshpejtuar disfatën e forcave osmane. Historiografia shqiptare nuk e ka analizur artë këtë problem duke mbajtur qendrim njësues si të gjitha historiografitë zyrtare të vendeve ballkanike, ku rëndësi kishte dëbimi i osmanëve nga Ballkani dhe jo pasojat. Pas përfundimit të Luftërave Ballkanike kufijtë e përcaktuar në Konferencën e Londrës kishin lënë jashtë më shumë se gjysmën e territoreve shqiptare he shqiptarët nuk zotëronin më të njëjtin pozicion strategjik në konfigurimin e shteteve ë reja në Ballkan. Parë në këtë kënvështrim analiza dekonstruktive e bilancit të forcave në Ballkan përforcohet kur shikon sesi këto ushtri të dobëta turke që ishin shpartalluar aq lehtë në luftërat Ballkanike nga ushtritë e vogla ballkanike, dy vjet më vonë mbrojtën heroikisht Galipolin në gadishullin e Azisë së Vogël nga sulmet e ushtrive moderne anglo-franceze, të përforcuara dhe me elementë shqiptarë. Nga gjiri i kësaj elitë fisnike ushtarake kishin dalë së ushtarët më të mirë e trima osmanë. Gjatë shekujve të mëparshëm popullsia shqiptare në përgjithësi kishte qenë një element force në perandori Këtë dobësim të pozicionit dhe kontrollit strategjik elita shqiptare e kuptoi shumë lehtë kur pa se në 26 prill 1915 u kthye në një plaçkë tregu në Traktatin e Fshehtë të Londrës.Karakteri altruist në rrëzimin pa kushte të Perandorisë Osmane disa vjet më vonë nxorri në pah karakterin egoist të elitës shqiptare që në Luftën e Vlorës më 1920 përkundrejt gjithë parashikimeve nxorri fitimtar elitën shqiptare komëtariste të edukuar në Perandorinë Osmane dhe të trajnuar në oborrin perandorak të Vjenës. 102 vjet më parë sovraniteti dhe liria kombëtare e shtetit të pavarur shqiptar u siguruan me anë të triumfit të Luftës së Vlorës, epopesë moderne të bashkimit të forcave shqiptare të diplomacisë, artit ushtarak dhe heroizmit të tribunëve popullorë. Lufta e Vlorës ishte një luftë me një karakter kombëtar ku u përfshinë strukturat e shtetit shqiptar nëpërmjet Prefekturës së Beratit që mbulonte administrativisht edhe hiterlandin e Vlorës që mbahej ende e pushtuar nga italianët , organizimit të forcave vullnetare dhe mbështetjes diplomatike. Si një luftë e tillë u perceptua dhe në opinionin publik shqiptar të kohës dhe jehonën që pati në shtyp. At Shtjefën Gjeçovi do të shprehej në gazetën “Mbrojtja Kombëtare” për këtë ngjarje se : “Në luftë të Vlonës luftoj besa e trimnija kundra fuqijet e dijet… Filluen luftën të pështetun në shpresë të ndihmës së Perëndisë e të bashkimit vëllazëror, e patën sosë a me mbetë të gjithë në lam të luftës ose me shpërthye dyert e hekurta e ledhet e çelikta të armiqve.. Hytë ngathnjyes në Vlonë në atë Vlonë kreshnike e cila kurdoherë e ka pas dëftye veten se ndër deje i vlon gjaku fjesht shqiptar” .

Për fat të keq pësimet e së shkuarës nuk u bënë mësime kur qielli i Evropës u trazua sërsih nga retë e Luftëss së Dytë Botërore. Internacionalizmi i komunistëve shqiptarë nuk bëri të mundur që të mobilizonte të gjitha forcat e kombit shqiptar këndej e andej kufirit për të realizuar kompaktësinë etnike dhe siguruar një vazhdimësi të Shqipërisë që apostulli i shqiptarizmit, Naim Frashëri, në 1886 i kishte kënduar tek “Bagëti e Bujqësia :

…Dellëndyshe bukuroshe, që thua mijëra fjalë,

Dhe të k’ënda vahn’ e lumën, që vjen me vrap e me valë,

A mos vjen nga Shqipëria? Eni vjen pej Çamërie

Me këto milëra fjalë e me gluhë perëndie?

Apo vjen nga Labëria, pra më duke kaqë trime,

Edhe fjalëtë që thua më gëzojnë zëmrën time,

Q’është thier, bërë posi një pasqirë,

Duke këputur nga cmagu, që s’e kanë vartur mirë,

Apo vjen nga fush’e Korçës, nga vënd’i mir’ e i gjerë,

Pej zembrësë Shqipërisë, që del gjithë bot’ e ndjerë?

A më vjen pej Malësie, pej Skrapari, pej Dobreje,

Nga Vijosa, nga Devolli, pej Vlor’ e pej Myzeqeje?

Të munjam të fluturonja e të kishnjam krahë si ti,

Me gas të math do t’i vinjam Shqipërisë brënda në gji!

Për me marrë drejt Shkumbinë edh’ Elbasan’ e Tiranën,

E me ardh ke ti, o Shkodrë, të shof Drinin e Bujanën,

Kostur, Përlep, Fëllërinë, Dibrë, Ipek e Jakovën,

Mat’ e Ysqyp e Prështinë dhe Mirëdit’ e Tetovën;

Krojënë e Skënderbegut, q’i ka pas dhan ner Shqypnisë,

Tue bam me trimni luftë, e m’e munt mren e Tyrqisë.

Durres, o qytet i bukur, që je kërthiz’ e mëmëdheut!

Edhe ti Leshi me emrë, që ke eshtrat e Skënderbeut!

Burrat tuaj aqë trima do ta lenë vall’ Ylqinë

Edhe gjithë shqipëtarët ta mbanjë armiku ynë?

Nukë më ngjan e s’e besonj, kam te zoti shumë shpresë,

Shqipëria këtej-tutje kshu po nukë do të mbesë.

Altruizëm apo egoizëm në marrjen e vendimeve kryesore për rrugëtimin drejt mirëqënies dhe përparimit kombëtar? Marrëdhëniet mes njërës rrymë mendimi e tjetrës duhet ta braktisin modelin Faustian të paktit me Mefistofelin për të fituar rininë, por të fillojnë një reformim të vetë jetës kombëtare të shqiptarëve, ku vlerat demokratike perëndimore dhe prognozat e sakta të përfitimit dhe humbjeve duhet të zënë vend në ligjërimin publik, politik, ekonomik e shoqëror në Shqipëri. Nëse pragmatizmi politik shpeshherë, për shkak të kompleksitetit të tij krahasohet si det i madh, ku derdhen të gjitha pasionet politike, ekonomike e kulturore, ka ardhur koha që notarët profesionistë të mësojnë dhe zhytjen, sepse problemet gjenden shumë thellë brenda shpirtit kombëtar dhe pastaj të fillojnë të notojnë sërish në sipërfaqe për të siguruar më të mirën për interesin kombëtar.

Burimet:

1- At Shtjefën Gjeçovi, Gazeta “Mbrojtja Kombëtare”. 1921.

2- Charles&Barbara Jelavich.: “Themelimi i shteteve kombëtare të Ballkanit, 1804-1920”. Dituria.Tiranë:2004.

3- Dorian Koçi. Pikëtakime Historike, Kulturore,Identitare. Bota Shqiptare, Tiranë,2016.

4- Ferdinant Salleo. “Shqipëria:gjashtë muaj mbretëri”,Tiranë, 2000,Shtëpia e Librit dhe Komunikimit.

5- Lumo Skëndo, Gazeta “Lirija”, Selanik, 7 mars 1909

6- Naim Frashëri. Poema “Bagëti e Bujqësi”, Bukuresht, 1886.

7- Natalie Claire .”Në fillimet e nacionalizmit shqiptar”,Tiranë, Përpjekja, 2009.

Filed Under: Politike

Konsulli Poujade – Si i pashë shqiptarët dhe suljotët

October 5, 2024 by s p

Luan Rama/

Ardhjen në konsullatën e Janinës në vitin 1842, Eugène Poujade e kishte një nga postet e para diplomatike. Ai ishte martuar me Maria Ghika (Gjika), të bijën e banit të famshëm rumun, princit Konstantin Gjika, të familjes së famshme Gjika, me origjinë shqiptare. Madje dhe kur vite më vonë, më 1859, botoi librin e tij me kujtime nga Janina, ai ia kushton vjehrit të tij Konstantinit (A son Altesse, le Grand Ban Prince, Constantin GHIKA, son gendre), i cili kishte vazhduar karrierën princore, i njohur në gjithë Rumaninë dhe Vllakinë. Ky prijës dhe vëlla me dy princa tjerë, Alexandre II Ghika dhe Mihail Ghika, ishte “grand spatar”, pra një prijës i madh i ushtrisë, për të cilin flitet në shumë libra historikë

Poujade erdhi në një kohë kur Janina kishte kaluar një periudhë shkatërrimtare të madhështisë së saj të dikurshme. Pronat e Aliut bliheshin nga funksionarë të lartë dhe guvernatorët turq. Pas vrasjes së tij kishte një kaos dhe pasiguri të përgjithshme dhe kjo vazhdoi kështu deri me ardhjen e sadrazemit Mehmed Reshid Pasha, siç na bën të njohur vet Poujade. Në një nga ditët e para në Janinë dhe kureshtar siç ishte nga natyra, ai u nis të shikonte vendin ku ishte vrarë Ali Pasha. “E pashë atë dhomë të vogël ku dha frymën e fundit Ali Pashë Tepelena, kuzhinën e errët që shërbente si harem i gruas së tij të re e të fundit, e krishtera Vasiliqi, të vetmen që mbajti pranë dhe që donte që dhe ajo të vdiste pranë tij bashkë me të…” Ai ishte interesuar dhe kishte pyetur shumë nga njerëzit e ditur të Janinës që e kishin përjetuar rrethimin e tij dhe fundin tragjik të pashait të tmerrshëm. Vitin e fundit pashai përpiqej të kishte aleatë të rinj, edhe ata që dikur i kishte luftuar më parë. Ja çfarë shkruan Poujade: “… Fshehurazi, Aliu dërgoi në Korfuz Manthon nga Zagoria, një nga të afërtit e tij, për të takuar komisarin e lartë britanik të ishujve jonianë, Frederick Adams, me të cilin kishte patur vazhdimisht marrëdhënie shumë të mira dhe ai shpresonte se ky do ta ndihmonte. Mantho arriti ta takonte duke i përcjellë mesazhin urgjent të Aliut. – “Do të isha i lumtur, – i tha duke qeshur anglezi të dërguarit nga Epiri, – të shpëtoj jetën e mikut tim Ali pasha, veçanërisht nëse sjellë me vete pasuritë e tij në Korfuz. Por unë mund ti sjell anijet vetëm në mes të kanalit të Korfuzit dhe Aliu duhet të vijë me varka deri tek anijet tona. Vetëm atëherë mund të përgjigjem për fatin e tij. Kur i erdhi kjo përgjigje, veziri kishte folur me vete :”Sir Adams ka qenë gjithnjë miku im, por që të shkoj e të gjej strehë në këtë moshë dhe me këtë mjekër të bardhë tek të pafetë, kjo nuk shkon. Më mirë të vdes këtu!…” Dhe ai u përgatiti për qëndresën e tij të dëshpëruar…” Konsulli kishte shkuar dhe në Arta ku kishte parë ndërtimet lluksoze të Aliut.”Për të ndërtuar saraje të reja përrallore në gjirin e Artës, Aliu shkatërroi 1500 shtëpi dhe me mermer ndërtoi aty haremin, xhaminë, banjat, stallat e kuajve, etj, si dhe një shkallare “nderi” për pritejen e personaliteteve. Pikërisht aty, si një sovran madhështor kishte pritur dhe ish mbretin e Suedisë, atje ku ai zdërllehej me femrat, duke mbjellur njëkohësisht terror në gjithë zonën. Aty priti dhe konsullin Pouqueville, i cili mbeti në kujtesën e njerëzve të arteve dhe udhëtarëve të njohur, duke guxuar të flasë me gjuhën e një europiani, kristiani, e një francezi…”

Poujade ishte një njeri erudit të cilit i pëlqente shumë letërsia, çka do ta dëshmojë më vonë me botimin e dy librave të tij dhe studimeve të tjera historike, ku një rëndësi të veçantë i kushton jetës së përditëshme, koloritit popullor, ngjarjeve pikante dhe personazheve që kanë lënë gjurmë në histori. Janinës në librin e tij, edhe pse me lavdinë e humbur, ende i ka mbetur pak nga jeta e dikurshme kozmopolite. “… Reshid Mehmet Pasha ishte bërë serasqer dhe ishte nisur të luftonte në Greqi kundër Karaiskaqit. Atëherë vendosi t’ia lërë pashallëkun djalit të tij Eminit që ta aministronte. Por ai ishte veçse 15 vjeç dhe një djalë i pafajshëm. Në fakt, punët e qeverisjes i drejtonte Sulejman bej Konica. Reshidi ishte bërë vezir i Madh dhe guvernatori i Përgjithshëm i gjithë Rumelisë. Por kur erdhi njëherë në Janinë, pikasi se një ndikim shumë të madh mbi birin e tij kishte një aga i Moresë, i cili po i mësonte vese jo të mira. Atëherë, në sytë e djalit, ai urdhëroi që t’ia sillnin again dhe ia preu kokën menjëherë. Një herë tjetër Reshid Pasha, donte ta hiqte qafe Ismail Beun e Vlorës, një feudal të fuqishëm shqiptar. Por Ismaili ruhej mirë dhe dinte të mbrohej. Reshidi e ftoi të vinte në sarajet e tij në Janinë. Ismaili erdhi me trimat e tij shqiptarë. Veziri i Madh e uli pranë divanit, e përqafoi dhe thirri të birin, duke i dhuruar një Kuran të bukur. Kur Ismaili kërkoi leje të largohej, trimave të tij u dhanë qese me florinj. Të nesërmen, Ismaili erdhi të ndahej me Vezirin e Madh. Kur ai ngjiti shkallët, siç ishte zakoni, dy njerëz të vezirit e morrën nga krahët për ta çuar lart. Por duke u ngjitur, një arap i futi thikën. Trimat e tij deshën të mbrohen, por u qëlluan me armë në oborr…”

Lidhur me shqiptarët, mes të cilëve jetoi për disa vite, konsulli Eugène Poujade do të theksonte se «shqiptarët e Çamërisë janë konvertuar shpesh në fenë muslimane vetëm që të mos paguajnë haraç. Në familjet e tyre gjen fëmijë me emrat Mehmet dhe Abdullah, bij të Konstantinit apo të Dhimitrit…» Dhe më tutje ai shkruan: «Ajo çka është e famshme është se ata janë virtuozë në përdorimin e armëve. Madje arrijnë ta qëllojnë një mollë apo një vezë të vendosur në kokën e nënës së tyre apo të gruas, me një të qëlluar 200 hapa larg.” Më pas, mes të tjerave ai shkruan: “… Familja më e vjetër e Filatit dhe gjithashtu më e fuqishmja është ajo e Dematëve, (Demi), e cila tashmë ka në krye Xhafer aga Demin dhe vëllain e tij Abdyl aga. Ata nuk kanë shumë të ardhura, por influenca e tyre është tepër e madhe. Në rradhët e tyre kanë luftëtarë të sprovuar. Xhafer Aga është një figurë e spikatur me një fisnikëri që dallohet në atë vend. Tani ai është në Stamboll ku Divani po e mban me premtime që e joshin ambicjen e tij, por qëllimi i tyre është ta mbajnë larg nga zona e tij e influencës. Në Filat, Dematët kanë lidhje me familje të mëdha e të vjetra që drejtohen nga prijësit e tyre. Familja e Sejkatëve, Sejko, që është në krye të 7-8 familje të tjera, është e dyta e provincës. Kjo familje është më e pasur se ajo e Dematëve, por nuk e kanë influencën e tyre. Pronat e mëdha që kanë nuk u kanë mundësuar një zhvillim të madh, përveç trashëgimisë së tyre të vjetër. Këto vite të fundit një prijës i ri është shfaqur në Lopës: Ahmet Dino, i cili ka blerë apo uzurpuar gjithë provincën e Liamarës ku kanë shumë tufa bagëtish. Ai ka ikur nga Filati për tu larguar nga Dematët, të cilët janë më të fortë se ata, dhe tani familja Dino jeton në Lopës. Të krishterët e kanë frikë, meqë ai është i rrethuar nga njerëz të armatosur. Terrori që ushtron, e përjeton dhe ai, por nga ana e Dematëve. Fshatrat e mëdha muslimane të kësaj province janë Konispoli, Lopësi, Pantika, Filati dhe Calliaki. Fshatrat e tjera janë më të vogla. Të parat, kanë shumë toka, por të pakultivuara, edhe pse janë të pasur me bagëti. Provinca e Filatit laget nga Adriatiku dhe nga malet që vështrojnë nga deti, nga ku dallohet Korfuzi. Për një orë je në ishull… Portokallet dhe ullishtat i zbukurojnë dhe i bëjnë të pasura ato toka, që udhëtari i pikëtakon kur kalon në këmbë të atyre maleve duke u futur thellë provincës. Por qytetërimit kristian i janë dashur shekuj në këtë zone midis ish Korkyrës dhe Shqipërisë. Fshatrat e krishtera janë më të shumta, por vetëm katër janë të lira. Gjithë të tjerat janë vendosur nëpër male dhe u përkasin zotërinjve muslimanë që prodhojnë pak drithëra dhe ku popullsia është e varfër. Familja kryesore e provincës së Margaritit është ajo e Çaparëve, të cilët janë të varfër, me shumë lakmi, dhe që kanë vuajtur gjatë persekutimeve të bëra nga Ali Pasha. Hasan Çapari, prijësi i kësaj familje u mbajt në burg deri në vitin 1821, në një ishull të Janinës ku pastaj u vra nga një gjyle topi e lëshuar nga ushtria turke. Tashmë kjo familje drejtohet nga Tahir Çapari, Meli Çapari dhe tre-katër familje të së njëjtës degë. Isa Hupo me dy nipat e tij, Zaim dhe Asein aga janë të pasur, të ndershëm e paqësorë dhe me një humor spikatës. Të persekutuar prej shumë kohësh nga tirani i Janinës, pas vdekjes së tij ata mundën të vinin dhe të jetonin ndershmërisht. Në fshatin Grava pranë Gumenicës janë vëllezërit Xhafa, Meleq dhe Mere. Eshtë një familje e vjetër dhe e ndershme, por e varfër. Të gjitha fshatrat e Margaritit janë të pasura me fruta, të cilat i tranportojnë përmes detit. Banorët e Fanarit janë të krishterë. Ky distrikt është në kufi me Prevezën dhe prodhon shumë oriz dhe misër. Po të ishin të kultivuara të gjitha tokat e Margaritit ato do të ishin edhe më fitimprurëse se tokat pjellore të Artës. Prijësit më të mëdhenj e të vjetër të Paramithisë janë ato të Islam aga Pronjos. Sot janë fëmijët e tij Neço e Melisi si dhe kushëriri i tyre Veli. Ata kanë epërsinë bashkë me 5-6 shtëpi të tjera të së njëjtës degë familjare. Në Paramithi është dhe familja e Tabir Bakos, por ajo është nje familje e varfër. Prijësi i tyre ishte favorit pranë Ali Pashës, i cili e përdori kundër Islam Pronjos. Pas vrasjes së Ali Pashës, Islami e vrau Bakon, por pastaj ai u lidh me pashain e Shkodrës, Mustafain, në luftë kundër sulltan Mahmudit dhe u përndoq pastaj nga Reshid Pasha. Atëherë Islami u strehua në Korfuz. Atje u sëmur dhe meqë nuk donte të vdiste në një tokë të krishterë, shkoi në Gumenicë dhe vdiq aty. Hasan Tuli dhe vëllezërit e tij janë bashkuar dhe bërë aleatë me familjen Bako dhe kanë frikë nga Pronjot dhe ja pse nuk banojnë në Paramithi. Mosbesimi, frika dhe vrasja janë të zakonshme tek të gjithë prijësat shqiptarë. Qyteza e Paramithisë është e vogël. Shumica e shtëpive janë muslimane. Ato të Gardhiqit dhe të Karbunarës janë më të mëdha dhe banohen nga banorë që e kanë zakon plaçkitjen. Në male, shumica e banorëve janë të krishterë dhe e përdorin mirë pushkën. Vendi është i shkretë. Nuk kanë bagëti. Një orë larg nga Paramithia ka një liqen të gjerë që Ali Pasha e thau për të mbjellë misrin. Dhe nga kjo pati të ardhura të mëdha. Pas vdekjes së tij këtë pronë e mori qeveria turke si dhe pronat e tjera, por indiferenca solli që ajo tokë të japë më pak të ardhura. Çamëria ka veçse agallarë dhe jo bejlerë, pasi asnjëherë nuk ka patur pashallarë, por as pasuria, fuqia, dhe fisnikëria nuk janë të pakta atje. Këta agallarë kanë patur marrëdhënie të vazhdueshme me qeveritë e ndryshme të ishujve jonianë. Venecianët i ndihmuan në luftën kundër pashallarëve në Shqipëri. Gjatë pushtimit të shtatë ishujve nga francezët, çamët ishin pro Francës. Tregëtia e tyre në atë kohë lulëzonte dhe prijësat çamë mund të vinin të armatosur në Korfuz. Sot ata e quajnë për turp të dorëzojnë armët kur vijnë në tokat e shtatë ishujve jonianë. Të mësuar nga sulmet e papritura në tokat e tyre gjysmë të pazhvilluara, shpirti i tyre e ka të vështirë të mësohet me një shoqëri ku autoritetet ngarkohen për sigurinë e të gjithëve, duke kufizuar disi lirinë.

Jeta e konsullit në një qytet ku mbizotëronte frika e qytetarëve ndaj pashait ishte e vështirë dhe herë-herë dramatike, ngjarje që konsulli do t’i kujtojë në librin me mbresat e tij nga koha kur ishte konsull. “Një skllave e krishterë, e cila ishte rrëmbyer që në fëmijërinë e saj nga familja e saj greke më kërkoi një ditë nëse mund të gjente mbrojtje nën flamurin francez po qe se arrinte t’i shpëtonte pronarit të saj. I premtova se do ta mbroja dhe do ta dërgoja pastaj pranë familjes së saj. Por ajo nuk arriti dot ta realizojë arratisjen e saj. Shpesh, kur kalonte me zonjën e saj para konsullatës, nga njëra prej dritareve shikoja se i mbante sytë ngulur nga porta. Përtej asaj porte ishte liria, atdheu i saj, lumturia, por ajo duhej të arrinte ta bënte vetë këtë, pasi unë mund ta mbroja veçse në këtë mënyrë, ndryshe mund të cilësohej si grabitje… Një ditë tjetër, një dyqanxhi mu përul para këmbëve dhe mu lut ta ndhmoja që biri i tij ti kthehej në shtëpi. Kishte një fëmijë 8 vjeçar që komandanti i një batalioni turk ia kishte rrëmbyer në mes të ditës. Fëmijën e kishte bërë synet, e kishte veshur «allaturka», duke e trajtuar si fëmijën e vet. Duke u bërë një fëmi i pasur, veshur bukur dhe plot dhurata, ai nuk i dëgjonte më lutjet e të atit, i cili s’mund ti afrohej. Me sytë plot lot ky baba e shikonte me dhëmshuri birin e tij të shëtiste në qytet me komandantin e batalionit turk. Dhimbja e të krishterit ishte mishëruese. Vinte gjithnjë në portën time dhe më lutej. I kërkova me forcë pashait që ta zgjidhte këtë çështje, por ai mu përgjigj se fëmija ishte bërë synet, se rrëmbimi ishte bërë gjatë muajit të Ramazanit dhe se gjatë atij muaji duheshin toleruar ndjenjat fetare të turqve. Atëherë i shkrova menjëherë Stambollit, por ishte e kotë. Vendosa dhe i thashë atij burri: “Nëse arrin ta rrëmbesh fëmijën tënd dhe ta sjellësh tek unë në konsullatë, të premtoj që s’do ta marrin më kurrë atë”. Por komandanti turk pas pak e la Janinën bashkë me fëmijën dhe unë i thashë të atit ta ndiqte atë deri në Stamboll… Pak qytete të Orientit ofrojnë aq shumë interes se sa Janina për dikë që do të studjojë popullin turk, shqiptar, grek apo hebre. Tuqit janë zotër të vërtetë të qytetit. Që nga fillimet e pushtimit të tij, rrëmbimi i grave greke ka ndihmuar në themelimin e familjeve të mëdha muslimane. Ata janë të vendosur në kështjellë, ku vetëm hebrejtë kanë të drejtë të banojnë me ata. Shqiptarët nuk qëndrojnë për të jetuar në qytet, por vijnë aty për punët e tyre dhe për qef. Ardhja e tyre nuk është gjë e këndshme për banorët, pasi lluksi dhe pasuria, krahasuar me mjerimin e fshatrave të tyre, i nxisin ti grabisin turqit dhe hebrejtë, si dhe të krishterët. Hebrejtë qëndrojnë të mbyllur me muslimanët në kështjellë ku asnjë ortodoks nuk ka të drejtë të banojë aty… Hebrejtë e perandorisë osmane nuk e shohin me sy të mirë zëvendësimin e një qeverie turke me të krishterë pasi kanë frikë nga përndjekjet e të krishterëve… Divorcet këtu janë të shpeshta dhe për ti bërë më të vështira, qeveria e shtrëngon burrin ta marrë përsëri gruan e përzënë. Gratë muslimane të Janinës janë shumë të bukura dhe shamia e hollë mbi kokë i bën ato akoma më shumë duke shtuar misterin rreth tyre. Brenda shtëpisë, zonjat greke veshin kostumin elegant çam apo të Shqipërisë së jugut që qepin aq bukur rrobaqepësit e Janinës. Fustani prej mëndafshi është i shtrënguar rreth trupit me një copë kashmiri punuar me shumë finesë. Shalli zëvendëson korsenë pa e shtrënguar fort trupin dhe ku gjinjtë nuk i humbin hiret e tyre dhe voluptetin, çka të bën të imagjinosh. Ato kanë dhe një pelerinë prej cohe pambuku në ngjyrë të hapët dhe qëndisur jashtëzakonisht bukur me kllapodan mëndafshi me një ngjyrë më të errët se pelerina, çka plotëson kështu kostumin e tyre. Kanë flokë të dendur gështenjë, shpesh bjonde, që kapen me një fjongo të kuqe. Në këmbë mbajnë pantofla. Këto krijesa të mrekullueshme i respektojnë europianët, çka sjellin admirimin e tyre. Me pjatanca ato u ofrojnë fruta dhe akullore të hijshme. Nganjëherë dhe vetë ato ndezin cigarishten… Shumë turq me emër kishin gra të krishtera dhe nëna e njërës prej tyre erdhi njëherë në konsullatë dhe mu lut që e bija të arratisej dhe unë ta ndihmoja të mërgonte duke e hipur në ndonjë anije që shkonte drejt ishujve jonianë. Por refuzova menjëherë… Pak kohë para se të mbërrija në Janinë, pikasa se turqit i keqtrajtonin shumë të krishterët duke treguar supremacinë e tyre fetare. Një efendi i pasur i qytetit kishte në shërbim të tij një grek të quajtur Jorgo, i cili e shoqëronte sa herë ai shëtiste apo shkonte në xhami. Kështu, si rregull, ai duhej ti jepte cigarishten apo qilimin e vogël për tu lutur. Jorgo hynte në oborrin e brendshëm dhe priste tek shkallët, ose nën një rrap, që zotëria e tij të mbaronte lutjet. Asnjëherë nuk kishte hyrë brenda në sallën e lutjeve, pasi kjo u ndalohej të krishterëve. Zotëria e thërriste shpesh me emrin Mustafa. Një herë i tha të hynte brenda, por Jorgo refuzoi. Ai i tha se duke hyrë deri në oborr tani duhej ti bindej. Këmbëngulja e efendiut dhe refuzimi i tij jo i fortë shkaktuan një ngjarje të veçantë në popull. Të gjithë muslimanëve u dukej se ai kishte fyer fenë e tyre. Thonin tashmë se islami ishte cënuar. Atëherë filluan ta shajnë Jorgon dhe e futën në burg nga ku doli veç për të provuar tortura që i duroi me forcën e një martiri, duke deklaruar para asaj turme gjithnjë e më të frikshme se asnjëherë nuk kishte qenë musliman dhe se do të vdiste si i krishterë. Më së fundi e varën. Vdekja ishte një shpëtim për të. Mustafa Pasha, i cili atëherë ishte guvernatori i Përgjithshëm i Shqipërisë dhe Epirit, bëri veshin e shurdhët nga lutjet që i bënin të krishterët. Ai nuk ishte mizor dhe nuk kishte interes për paratë që i ofronin për jetën e një të mjeri grek, por nuk pati kurajo tu rezistojë kërkesave të kastës së tij. Kur Jorgo vdiq, gruaja e martirit, që e kishte mbështetur në luftën kundër xhelatëve të tij, deklaroi se fëmijët i kishte bastardë, në mënyrë që ti largonte nga islami. Ajo parapëlqeu të bënte atë me turp që të ruante fenë e krishterë për fëmijët. Martirizimi i Jorgos e ktheu atë në shenjt. Trup i tij i varur mbeti i paprishur. Pastaj e morën dhe e varrosën në një kishë metropolitane. Tashmë varri i tij është bërë një vend pelegrinazhi ku vijnë nga të gjitha anët e Turqisë. Kam parë nëna muslimane të sjellin fëmijët e tyre të sëmurë që ta prekin qivurin e shenjtit të rri duke i kërkuar ti shërojë…

Konsulli Poujade i bën një panoramë historike e gjeografike të Shqipërisë, jetës së përditshme dhe rëndësisë strategjike të këtij vendi. «Shqipëria, e cila përfshin brenda saj Epirin dhe një pjesë të Ilirisë antike, kufizohet nga Maqedonia dhe Thesalia, në veri nga Bosnja dhe Serbia, në perëndim nga deti Jon dhe në jug nga gjiri i Artës… Burimet kryesore të Epirit vijnë kryesisht nga bujqësia. Industria e këtij vendi është në fëmijërinë e vet. Ajo çka prodhohet plotëson shijet dhe lluksin lokal siç janë zbukurimet e kostumeve me mëndafsh dhe fije ari, apo lëkurë të përpunuara dhe të ngjyrosura me të kuqe për këpucë; cohët për xhybet dhe kapotat e punuara nga vllehët, pëlhurat prej mëndafshi për gratë dhe shtëpitë e të pasurve. Prodhohen drithëra, lesh, vaj ulliri, duhane, rriten kafshë, prodhohen portokaj dhe limona. Korrjet janë një herë në vit siç janë në vendet e nxehta. Thekra, elbi e tërshëra korren në muajin qershor; gruri në korrik; orizi në shtator; misri në tetor dhe ndonjëherë dhe në fillim të nëntorit; ullishtat e bregut, ato të Artës, Prevezës, Pargës e Vlorës kryesisht, në vitet më të mira prodhojnë 50.000 fuçi vaji. Një e treta konsumohet në vend ndërsa dy të tretat eksportohen në Trieste nga porti i Pargës, me 8 tallaris fuçia. Leshi i Epirit është i kërkuar nga austriakët dhe shitet 60 fr. Kg. Gjatë vitit prodhohen 25.000 kv. Duhanet e Çamërisë dhe të sanxhakut të Beratit çmohen shumë. Çmimi mesatar, 1 fr. për kg. Rreth 10.000 kv dërgohen në Greqi, në ishujt jonianë dhe në Manastir. Po kaq konsumohet pothuaj dhe në vend. Për në ishujt jonianë eksportohen 10.000 buaj dhe 20.000 dhi e dele.”

Një nga kujtimet e tij interesante lidhet gjithashtu me figurën e Tafil Buzit, një prej kryengritësve të famshëm, bashkë me Zylyftar Podën gjatë gjysmës së parë të shekullit XIX. “… Pas kryengritjeve, Tafili ishte arratisur në Kretë, tek Mustafa Pasha, dhe ai shqiptar, të mbrojtur njëkohësisht nga Mehmet Ali Pasha i Egjiptit, aktualisht vezir i madh. Por më pas, Porta e Lartë i kishte kërkuar të mbidhte luftëtarë dhe të krijonte një trupë për ta çuar të luftonte në Mesopotami. Gjatë kohës që ishte në Janinë që të grumbullonte luftëtarë të shumtë, ai u sëmur rëndë, por një mjek italian atje e shpëtoi. Pashai dhe funksionarët e tjerë turq uronin që ai të vdiste dhe i lanë të kuptonte mjekut që ta linte të vdiste dhe se kështu do u bënte një shërbim të madh, por mjeku nuk pranoi. Sapo u shërua ai mblodhi ushtrinë e tij dhe bëri një hyrje solemne në Janinë në krye të 2.500 burrave të armatosur në oborrin e madh të sarajit. Tafili ishte mbi kale i rrethuar nga 12 palikarë në këmbë, me pushkët e tyre të gjata në sup dhe duart kush në shalën e kalit e kush tek frerët. Këndonin këngën e Tafilit që tregonte për bëmat e tij e ku të gjithë bashkë bënin refrenin: “Tafil beo, Tafil beo… Bej Tafil!” Para tij ecnin bufonët me flokët e tyre të gjata, zbukuruar me bishta dhelpre dhe çakalli. Disa ditë pas ardhjes time në Janinë ai më dërgoi fjalë që të takoheshim tek saraji i pashait dhe ku unë ti flisja pashait për kurajon dhe përkushtimin që kishte ndaj sulltanit. Pranova dhe kur ai erdhi para Osman pashës hoqi këpucët, por nuk u ul. Ishte një burrë shtatvogël dhe me sy jeshilë, me një hundë të gjatë dhe dhëmbë të mprehtë e të mëdhenj, çka jepte imazhin e një njeriu të zotë për të gjithë trimëritë dhe dhunat. E mbajta fjalën dhe i fola pashait për mikun tim të ri. Osman pasha dukej se më aprovonte në ato që thoja, duke shtuar se shqiptarët ishin më besnikët ndaj sulltanit. Kur Tafili shkoi, pashai më tha: – Çfarë banditi e hajduti. Ah, sikur të vritej atje larg nga kurdët!… Megjithatë, Tafili për mua ishte një njeri interesant, pavarësisht nga thëniet e pashait. Ai vinte shpesh në konsullatë të kalonte ndonjë darkë apo të pinte çaj, duke më treguar historitë e tij. “Unë jam mësuar me jetën europiane, më tha ai një ditë kur e kisha në tavolinë. – Një herë kam qenë në Korfuz në shtëpinë e bukur të kontit Augustin Capodistria dhe di shumë mirë të ha me pirun”. Dhe duke thënë kështu, ai kapi një krah pule, i nguli pirunin dhe e futi në gojë… Marrëdhëniet e mia me bejlerët shqiptarë ishin të shpeshta dhe mes tyre isha mjaft popullor, madje kur vinin të takonin pashain, menjëherë ktheheshin tek unë të më bënin vizitë….”

Në Janinë konsulli Poujade u njoh dhe me dy bejlerë shqiptarë të qytetit, Naim bej dhe Fejzullah bej, siç shkruan ai në librin e tij “Të krishterë dhe turq”, të cilët ishin të fisnikërisë së Gjirokastrës, fermerë që kujdeseshin dhe për doganat e qytetit. “Ishin njerëz të butë, të zgjuar dhe të këndshëm në marrëdhëniet me të tjerët, – shkruan ai. – Shqiptarët kanë shumë simpati për europianët dhe për francezët në veçanti. Zakonet e tyre janë më të mira dhe të rregullta se të turqve; mbajnë vetëm një grua, nuk kanë skllave dhe nuk e njohin vesin e turqve (pederastinë)… Shqiptarët i shohin turqit me përbuzje dhe i quajnë “halldupë”, pra barbarë. Nuk është feja, por privilegjet që kanë nga turqit që i mban shqiptarët të lidhur me ta.

Në librin e tij me kujtime “Të krishterë dhe turq”, konsulli Eugène Poujade kujton një episod dramatik nga jeta e tij gjatë atyre viteve: kësaj rradhe me një nga kafazët e tij. «Kur erdha në fillim në Epir, këtu nuk e shikonin me sy të mirë influencën europiane e në veçanti atë të Francës. Në Orient, kudo që ishte flamuri francez, atë e shikonin si një flamur shprese, si një mbrojtje të mundëshme, ndërsa muslimanët e shikonin Francën si një vend që i survejonte, si një pengesë të tiranisë që ushtronin. Ja pse turqit tregoheshin armiqësorë. Nëpër rrugë, grate dhe fëmijët na qëllonin me gurë, të fshehur pas mureve apo dërrasave ndarëse të shtëpive. Në rrugët e Janinës na shanin me fjalë të ndyra. Kavasi im u binte dyerve me shkop dhe i përndiqte fëmijët, por nuk arrija të më respektonin. Nga gratë, ishin me shumë plakat dhe ato afrikane që më shanin. Por një rrethanë të paparashikuar më krijoi një konflikt që ndodhi dhe kjo më dha rastin që turqit të më shohin ndryshe. Një natë po kthehesha nga saraji, ku gjatë dy orëve diskutova me funksionarët turq. Po kthehesha bashkë me dy kavasët e mi. Ndryshe nga vendet e tjera të Orientit, njëri nga kavasët e mi ishte i krishterë. Sigurisht nuk ishte përzgjedhja ime, pasi unë e kisha gjetur në konsullatë dhe e kisha mbajtur. Ishte një palikar i vërtetë dhe jataganin e mbante me shumë krenari. Pasi dolëm nga rrugët gjithë kthesa të pazarit, duke zbritur nga kali pranë portës time, pikasa se Apostoli më mungonte. Pak çaste më vonë pashë që e sollën të plagosur dhe pa ndjenja. Ç’kishte ndodhur? Për një çast, gjatë rrugës, Apostoli ishte shkëputur për të blerë diçka në pazar. Muslimanët e qytetit dhe topçinjtë, me një mllef dhe urrejtje që e gjithë popullsia kishte për një «raja» që mbante armët dhe kishte zënë kështu vendin e një muslimani, e shanë, e provokuan, u hodhën mbi të, e plagosën rëndë dhe do e kishin masakruar nëse zëvendës konsulli i Anglisë nuk do hidhej me kurajo midis tyre për ta shpëtuar. Atëherë veprova menjëherë. Të nesërmen ngrita flamurin, u vesha me uniformën time dhe u nisa me kalë drejt e në sarajet. Gjithë qyteti ishte mbledhur të më shikonte dhe të dëgjonte pastaj rezultatin e bisedave të mia me guvernatorin e Përgjithshëm. I lajmëruar më parë, ai veshi menjëherë uniformën e tij dhe në divan mblodhi këshillin me Hasan Pashën, kryekontrollorin e Përgjithshëm të Financave; Demir Pashën, ish derebej dhe ish pasha i internuar në Janinë nga sulltan Mehmeti pas një revolte ku ishte shpartalluar. Ishte dhe komandanti i trupave të Janinës dhe një turmë funksionarësh e fisnikësh muslimanë që ishin rradhitur anash tyre. Nuk prita të më sillnin pipën e cigares dhe kafenë që të filloja bashkëbisedimin siç ishte zakoni. Kështu duke kapërcyer komplimentat që bëhen zakonisht në këto pritje, u tregova se çfarë kishte ndodhur. U fola për dëshmitarët dhe kërkova që të bëhej drejtësi dhe shëmbull për herë të tjera. Kërkova që fajtorët, të cilët u arrestuan menjëherë, të rriheshin me thupër para syve të mi dhe në oborrin e madh të sarajit. Debati ishte i gjatë dhe i lodhshëm. Në fillim ata nuk e pranuan kërkesën time. Atëherë i kërcënova se do ta ulja flamurin dhe do të ndërprisja çdo marrëdhënie me pashain, duke theksuar se do të nisesha drejt Konstantinopojës për ta kërkuar drejtësinë time. Por më së fundi ata e pranuan kërkesën që bëra. Dola në oborrin e sarajit, i hipa kalit dhe prita. Shefi i policisë erdhi dhe më tha se dënimi ishte zbatuar prapa sarajit. Por unë u thashë se dënimi duhej të bëhej para syve të mi dhe nën dritaren e pashait. Shefi i policisë më tha të prisja dhe shkoi të bisedojë me pashain. Më së fundi, me gjithë krenarinë e tyre muslimane, fajtorët i sollën para meje, i shtrinë në tokë me këmbët e kapura në një dërrasë të gjatë që mbahej nga dy njerëz. Ata që do të rrihnin fajtorët kishin në këmbët e tyre një tufë me thupra pa gjethe dhe rrahja filloi. Por që me thirrjet e para “aman!”, u tërhoqa. Kisha gjashtë orë që merrja e jepja me pashallarët e këshilltarët e tyre, por në fakt arrita një fitore të shkëlqyer. Kur u ktheva rrugës përmes qytetit, pikasa me kënaqësi mirënjohjen dhe respektin e të krishterëve, dhe ky respekt nuk u shkel më gjatë gjithë qëndrimit tim si konsull…

Në vitin 1852, Poujade kërkoi të bënte një vizitë dhe në malet e Sulit dhe për këtë i kërkoi mikut të tij Niko Zerva, nga familja suljote, që ta shoqëronte. Dhe një ditë, i shoqëruar nga ai dha kavasi i tij ata u nisën duke iu ngjitur maleve të larta. “E vizitova Sulin, atë teatër të heroizmit, i shoqëruar nga kapedani Zerva, një nga familjet e para të këtyre maleve, i cili në fëmijërinë e tij kishte parë luftën e dëshpëruar dhe thyerjen e atdheut të tij. Niko Zerva kishte marrë pjesë në një kryengritje në Greqi kundër qeverisë së mbretit Othon dhe me një grup suliotësh kishte kaluar në shërbim të pashait të Janinës, i cili i kishte besuar ruajtjen e shtigjeve dhe kufijve të Epirit nga kjo anë, në kufirin me Greqinë. Kapedani Zerva ishte vendosur në Kamarina, gjatë rrugës nga Preveza në Sul, në një kështjellë të vogël buzë një kodrine që krijonte një nga rrafshnaltat e fundit të Sulit. Një burim me ujë të ftohtë gurgullonte nga një grup pemësh të mëdha e shekullore, hijet e të cilave binin mbi tarracën nga ku syri të kapte gjithë peizazhin që shtrihej tutje. Që andej shikohej Saint-Maure, i cili shfaqej si një kurorë në ngjyrë indigo nga deti Jon e po kështu, tutje, dukej dhe Preveza e Salohora, të cilat lageshin nga ujrat e errta ngjyrë blu të gjirit të Artës. Sapo u ulëm në taracë kur agallarët e fshatrave përreth erdhën të na takojnë. Ishin veshur njëlloj si Zerva, me kostumin shqiptar e me një fez në kokë, me ato flokë të gjata e të shpërndara në mënyrë të çrregullt: balli i rruar, këmisha e hapur nga ku u shfaqej qafa e gjoksi që nxehtësia e diellit i kishte rrahur fort, ashtu si dhe fytyrat e tyre ku lexohej një kërshëri e madhe, trimëri dhe një dinakëri që binte në sy. Ishin muslimanë dhe me Zervën flisnin vetëm shqip apo “skip”, dhe quheshin “skipëtares”. Agallarët u vendosën rreth nesh dhe vëzhgonin me një kureshtje fëminore e të vrazhdë armët e mia, hartat gjeografike që kisha, librat dhe nargjilenë time. Vështirë të kuptonin dhe të bindeshin se Çamëria tashmë ishte e njohur nga gjithë europianët si shqiptare dhe jo greke. Lëshonin britma habie duke parë apo dëgjuar kur u tregoja në hartë emrat e fshatrave të tyre. Në prani të vizitorëve të shumtë të ftuar aty, n’a sollën darkën dhe Zerva i trajtonte ata me dinjitet, çka e lehtësonte shërbimin e tij si një mikpritës që ishte. Askund në Orient, fisi i tij nuk ishte më i respektuar sesa në Shqipëri, ku njeriu vendas quhet “oxhak”, një metaforë e guximshme kjo siç ndodh në poezi. Si një ortodoks e kristian që ishte, Zerva ishte shumë i kënaqur të më tregonte për pozitën superiore ndaj një muslimani. Pas darke, kapedani më çoi të vizitoja në majë të kodrinës rrënojat e një qyteti antik, që të mund të admiroja modhështinë e habitshme të atyre blloqeve të mëdha shkëmbore, pa asnjë lloj prerje, të mbështetura pas njëri-tjetrit, mes pllakash gjigande të vendosura rëndë, njëra sipër tjetrës, me një art të jashtëzakonshëm e në të njëjtën kohë primitive, aq sa e kishin bërë të panevojshme të përdorej çimento. Ai më tërhoqi me vete që të shikoja kubenë nëntokësore, portat, amfiteatrin që padyshim përdorej për mbledhjet mes tyre. Pastaj, duke më afruar në cep të rrafshnaltës ku ishim u gjenda përballë maleve të magjishme të Sulit e të Paramithisë. Të nesërmen, bashkë me kapedanin, të shoqëruar dhe nga të tjerët, ne u nisëm në këmbë drejt Sulit. Pasi ndaluam në Zalongo për të vëzhguar shkëmbenjtë e egër, plot driza e shkure, ku gratë suliote ishin hedhur në humnerën e thellë, ku vdiqën që të mos e humbnin nderin e tyre. Vëzhguam dhe në Karvari, një fshat i krishterë, ku ndoshta asnjë europian nuk kishte shkelur deri në atë kohë, çka e pikasa në sytë e atyre fëmijëve që kishin marrë një dritë të bardhë e verbuese kur ne mbërritëm në perëndim, në hyrje të grykave të Sulit. Kishte shumë vite që Zerva dhe pasuesit e tij nuk e kishin shkelur djepin e familjeve dhe varrin e kombit të tyre. Ne vendosëm ti ngjitemi hyrjes së asaj “toke të premtuar” në një vend ku bukuria e qetësia n’a ftonte të preheshim. U lamë e u pastruam në ujrat e kthjellta të Akeronit që mërmëriste lehtë në shtratin e tij plot guriçka, përroi më i errët i këtyre maleve. Njerëzit e Zervës ndezën një zjarr të madh dhe na poqën një qengj “alla palikare”, një mish të shijshëm që e hëngrëm nën dritat e pishtarëve që mbanin tre suliotë mbi kokat tona. Pasi mbaruam së ngrëni, suliotët prenë barërat me jataganët e tyre, duke na krijuar një shtrat gjithë aroma, ku ramë të flinim butësisht. Pastaj ishin ata që u ulën pranë zjarrit të madh që kishin ndezur dhe nisën të këndonin. Një nip i Marko Boçarit, një palikar i ri, me shtat të zhdërvjelltë dhe flokë të verdhë, këndoi në fillim këngën luftarake që tregonte bëmat e Karaiskaqit. Shqiptarët, suljotët, palikarët helenë, i nisin këngët me një murmurimë të shurdhët dhe të zgjatur që shërbente si prelud dhe shoqërim kënge, me të cilën u bashkuan pothuaj të gjithë ata që ishin të pranishëm. Pas kësaj murmurime të përsëritur dy-tri herë, ai tha me një zë të ngadaltë: “Karaiskaqi përpara me një ushtri prej 15.000 luftëtarësh”. Atëherë të gjithë ia dhanë këngës fuqishëm e po kështu dhe Zerva që ishte shtrirë pranë meje mbi ato barishte plot aroma, i cili më tha: “Nëse trimi Karaiskaqi do kishte mundur të mblidhte 15.000 burra, lufta e Pavarësisë do kishte mbaruar më herët dhe me rezultate shumë më të mëdha se të atyre që e mbaruan këtë luftë. Pas këngës luftarake nisi kënga e dashurisë, ku zëri herë ishte vajtues dhe herë plot forcë, ashtu me pauza, heshtje, murmurima të ëmbla, që si të thuash e shoqëronin atë. Ishte historia e një vajze të re të dashuruar që kishte pritur gjatë të fejuarin e saj… Po e dëgjoja gjithë kënaqësi atë histori dashurie të pastër nën qiellin plot yje të Epirit, disa hapa larg Akeronit që zhurmonte lehtë nëpër natë, kënduar nga ata suliotë në shërbim të një pashai turk. Po flija nën ehot e kësaj poezie të kënduar dhe ishte kapedani që më zgjoi në mëngjes: “Nisemi për udhë”, – më tha ai. – Do të shkojmë në atdheun e suljotëve trima!” Ne filluam t’i ngjiteshim shtigjeve shkëmbore të vargmaleve të Sulit dhe sa më shumë përparonim aq më shumë peizazhi hapej para nesh e bëhej edhe më madhështor. Poshtë nesh, në thellësitë e luginës, rridhte Akeroni, murmurimën e të cilit nuk e dëgjonim më. Në pjerrësitë e maleve të pyllëzuara vraponin dhitë e cjapët, të cilët ngrinin kokat me mjekrat e tyre për të vështruar karvanin tonë që shkonte. Ndërkohë, barinjtë, ulur nën hije, u binin fyejve të hyjnisë Pan… Shpejt u ndodhëm në mes të rrënojave të fshatrave suljote. Ja Navariko, Somaniva, Kakosuli, Suli i tmerrshëm, fshati Qafa, me të gjitha shtëpitë e rrënuara ku ende një pjesë muresh qëndronin në këmbë plot trisht. Jasminët e egër dhe lulet e tyre plot aromë mbulonin lakuriqësinë e atyre mureve ku dikur banonte një popull i tërë, i lirë e i pavarur. Zerva i njihte shtëpitë dhe më tregonte banesat e njerëzve të tij, të familjes dhe miqve të tij, kopshtet ku barishtet e egra dhe kacavjerrëse kapeshin e ngjiteshin në pemët frutore, të cilat duart e tij i kishin ujitur në fëmijëri. ”E sheh, – më thoshte, – atje, nën atë rrap që ka ruajtur hijeshinë e gjethes, në mes të asaj pamje të trishtë, ishin varrezat e fshatit tim ku duken ende gurët e thyera të varreve dhe kryqi që dergjet mbi tokë. Por në Athinë, kryqin e ka zëvendësuar gjysmë-hëna. A e shikon atje përgjatë brinjës së asaj maje të përpjetë, atë shteg që gjarpëron dhe ku vështirë të mendosh se kalon një dhi? Atje gratë tona ngjiteshin bashkë me palikarët tanë, të ngarkuara si dhe ata me ushqime për të mbrojtur Sulin kundër Ali Pashë Tepelenës. Ndonjëherë këmba u rrëshqiste nëpër errësirën e natës dhe shumë palikarë apo gratë e tyre të devotshme gjetën vdekjen në thellësitë e humnerës… Duke biseduar ne arritëm tek Qafa ku ngrihej një fortesë e vogël në të cilën banonte “muhafuzi”, apo roja e Sulit, një malsor gegë, të cilit i ishte besuar vëzhgimi i atyre shtigjeve tashmë të shkreta. Qëndrova disa ditë me Zervën, duke jetuar jetën e këtyre palikarëve, duke dëgjuar tregimet e tij për luftën e Pavarësisë si dhe mendimet e tij për njerëzit e kësaj epoke, apo duke kundruar bashkë me të, me një admirim të pafjalë, spektaklin e natyrës plot madhështi, ku kujtimet e historisë përziheshin aq mirë me atë të poezisë. Mikpritësi im nuk i kishte remineshencat klasike, as sytë dhe kujtesën plot me imazhet e bukura të Europës, por ai gëzonte bukurinë e pashtershme të netëve ku qielli shndriste nga yjet e panumurt, në një hapësirë të kaltërt e të errët, me detin jonian, dhe malet e ngjyrosura nga zjarret e perëndimeve. .. Le ta lemë tani Sulin dhe të shohim Margaritin, qytezën e vogël të Çamërisë që varet nga peshkopata e Paramithisë, Pargën në bregun jugor të Margaritit, qytezën e fortifikuar, emri i të cilës duhet grisur nga faqja e historisë së Anglisë; Delvinën, qytezën e vogël dhe të fortifikuar, e cila varet nga peshkopata e Janinës, me shtëpitë e saj të shpërndara mes lirishtash dhe popullsinë e saj të armatosur, me familjet rivale dhe prijësat e vegjël feudalë që jetojnë në një frikë të dyanëshme të pritave dhe vrasjeve…”

Jo larg Delvinës, ai zbulon malet Akrokeraune buzë Jonit, pthuajse përballë Korfuzit, duke iu referuar udhëtarit të famshem Jacob Spon, i cili i kishte zbuluar këto vende në vitin… duke shkruar se “ato fshatra nuk pranojnë ti paguajnë turkut haraçin për çdo shtëpi”. “Fshati kryesor, kishte shkruar ky udhëtar, – është Himara, e ngritur mbi një shkëmb të lartë dhe ku banorët mund të tërhiqen dhe të mbrohen në rast nevoje…”

Filed Under: Histori

Karakteri unik dhe universal i veprave të Ismail Kadares

October 5, 2024 by s p

Elda Talka

Marsida Dedja

Blerina Kanxha/

Një nga autorët më përfaqësues të letërsisë shqiptare, më i përkthyeri, më i njohuri, më i vlerësuari ndër shkrimtarët shqiptarë. Ka shkruar qysh në rininë e hershme duke u konsideruar si sensacion fillimisht ndër letrat shqipe mandej me të kaluar vitet forcoi figurën e tij si shkrimtar serioz duke sjellë vepra monumentale në gjuhën shqipe. Kadare ka kontribut si në poezi duke rafinuar vargun e duke sjellë një qasje më moderne në poezinë shqipe, po ashtu siç ka kontribut masiv edhe në prozë. Modernizmi është rryma letrare që më së shumti ndërmerr në të veprat e tij, por sidoqoftë ka dhe plot aspekte postmoderniste, kryesisht në veprat në të cilat rikthen mitet, legjendat e baladat.

Një nga mënyrat e preferuara me të cilat ndërshtreson veprat e tij, Kadare, zgjedh një formë të vjetër letrare, një ngjarje të hershme, duke e risjellë duke e mbajtuar ashtu siç është, por duke e zhvendosur në kohë dhe jo në hapësirë, por edhe duke e tjetërsuar në kohë e hapësirë si në rastin e romanit “Përbindëshi”. Në opusin e veprës kadareane “Kush e solli Doruntinën” paraqet romanin enigmë. Ky roman ka një strukturë e cila zhvillohet në disa trajta. Kohësisht, mbivendosen kohët kur ngjarja të cilën e njohim ndodh bashkë me ditët kur hetuesi Stres Balsha zhvillon hetimet e tij. Ngjarja është përtej kufijve të fantastikes. Dyshohet se një i vdekur ka sjellë një të gjallë. I hetuari është një i vdekur. Njeriu që mund të dëshmojë, Doruntina, një nga personazhet më mirë të realizuara, është e hutuar, gjysmake. Kjo situatë e detyron hetues Stresin të shkojë në limite të cilat as që e kishte menduar. Kjo detyrë është e vështirë, për vetë mënyrën në të cilën i shkon si rast,mënyra se si ndërtohet dosja, pra ky rasti i hetimit dhe i gjithë vazhdimi. Shtresimi mitik e bën të rrëzohet ideja se ky është roman policesk, skematik. Në fakt është roman që mban misterin, ritmin e romanit policesk, por që qëndron postmodern pasi e shthur baladën, e shthur historinë famëkeqe më të cilën të tërë njihemi.

Personazhet vijnë me krejt qasje tjetër, të tërë shkojnë drejt digresionit. Për të kuptuar Doruntinën e Kostandin, Stresi shkon pas e më pas në kohë. Doruntina, dëshmitarja e vetme e sigurt në momentet e para është e turbullt e pasigurt dhe më pas vdes pas lënë asnjë dëshmi shteruese e konkrete. Sipas saj, Kostandini e kish sjellë në shtëpi dhe Doruntina duhej besuar për faktin se nuk e dinte që vëllezërit kishin vdekur. Ndërkaq ajo që e shtyn më tej hetimin është nëna. Nëna e Doruntinës e bën krejt të pabesueshëm faktin se Kostandini nuk ka se si të jetë gjallë dhe kurrsesi nuk mund ta kish sjellë Doruntinën. Alivanosja e agonia e saj ecnin në të njëjtin ritëm saç rritej misteri i hetuesit. Ka raporte përpjestimore në vepër të cilat duken sikur plotësojnë një masë muzikore supsensi. E përkryejnë atë. Ndërkaq koha interferon duke e qartësuar fokusin herë tek drama e familjes Vranaj çka dihet dhe herë tek shtojca që e risjell baladën në jetë, te hetimi i ngjarjes. Diç përngjan frojdiane kjo rrimarje pasi Frojdi i trajtonte si paciente personazhet letrarë e ndërkaq Kadare merr në hetuesi një baladë. Shtresimi kuptimor së pari ndikohet nga dëshira për të marrë enigmën dhe për ta zgjidhur. Kjo nuk është një enigmë dosido. Është një enigmë paradoksale. Ndiqet një i vdekur. Ndërkaq hetimet nxjerrin krejt të kundërtën. Një i gjallë e ka sjellë Doruntinën e hidhet hija e dyshimit të shëndeti mendor i Doruntinës. Mos vallë kjo pamje haluçinante ka brenda saj një dramë të thellë? Këto janë dyshimet që ngrihen paralel me leximin e veprës. Koha duke konverguar në mënyra të ndryshme, duke u përthyer, krijon imazhe jo të qarta çka shpie të mendosh se Doruntina ndoshta nuk mban asnjë sekret dhe vuan mendërisht. Vepra është e hapur dhe Doruntina është një karakter mbi të cilin mund të dyshohet në gjithëfarëlloj mënyrash. Një nga ‘problemet’ që sjell mënyra sesi luhet me kohën në vepër është edhe shumëzëshmëria, shumërrëfimtarësia. Çështja shihet nga disa këndvështrime, në tone zyrtare, subjektive, profesionale ndaj dhe klasifikimi i veprës si postmoderniste do t’i shkonte për shtat pasi shthur gjithë atë ç’është ndërtuar mbi baladën. Nuk tenton ta tjetërsojë. Thjesht çon mjedisin në baladë. Jo personazhet e baladës në një kohë të dytë.

Areali magjik ndihet në disa aspekte ndër to më i vërejtshmi është burimi prej nga është marrë subjekti. Përdorimi i hiperbolizmit, transgresionit kohor, plasja e qelqeve të verës në zyrën e hetuesisë metaforikisht, sjell divergjenca ndaj asaj çka mund ta quajmë realitet të veprës. Koha është e ndërdyshtë, personazhet të gjithë janë të dyshuar dhe kjo është vetëm vepër e vdekjes. Personazhi që i bën të gjithë lëmsh në një farë sensi është vetë vdekja. Ajo trazon dhe alivanos gjersa ua pinë frymën personazheve e degdis njerëz të hetojnë derisa të bëjnë të mundur gjetjen e një fakti konkret të cilin vdekja kurrsesi nuk mund ta infektojë. Nën vdekje shtrihet areali i magjisë tek Kadareja, sepse në jetë personazhet janë aktivë, kërkojnë të dinë, lëvizin, mësohen me kohën. Ndërsa nën vdekje janë të nështruar të rregullojnë një element të sistemit të jetesës siç është koha, që të shmangin tisin e vdekjes. Kjo ndodh tek “Kush e solli Doruntinën”.

Disa veçori të veprës së Kadaresë Përdorimi i mitive dhe figurave mitologjike. Mitologjia dhe mitet duke qenë një përfytyrim fantastik i marrëdhënieve shoqërore të popujve të ndryshëm në një shkallë të hershme të zhvillimit të tyre përfaqësontë për atë kohë një element culture. Si e tillë ajo nuk mund të injorohet në zhvillimin e kulturës, historisë përfshirë edhe letërsinë. Lëvrimi i temës historike e cila shtrihet ndonjëherë deri në kufijtë e mitologjisë. Personazhe të temave historike ka raste që u shkon përshtat manteli mitik. Kadareja është gjithnjë i ndjeshëm ndaj krijimtarisë folklorike nga e cila ka marrë lëndë duke shfrytëzuar në mënyra të ndryshme. Në veprat e tij ka figura shprehëse, leksik nga shumë lloje mitologjish: pagane, afetare, egjiptiane, greke, romane, slave, iliro-shqiptare, por që mbizotëron mitologjia greke.

Përdorimi i lëndës mitike në tri shkallë: 1.Përdorimi me kuptimin e tyre të hershëm. 2.Aktualizimin e tyre për të vënë më mire në dukje përmbajtjen e një dukurie a personazhi në kohë të reja. 3.Çmitologjizimi i tyre. Në rastet kur figurat mitologjike vihen në shërbim të ngjarjeve dhe personazheve bashkëkohorë ato përdoren kësisoj me një kuptim të ri. Mitet dhe figurat e mitologjisë kur përfshihen ngjarje e personazhe të bashkëkohësisë përdoren si metafora, krahasime, paralelizma, simbole, antiteza, epitete. Në raste të tilla e gjithë ngarkesa e tyre kuptimore që rri e strukur te historia dhe ndërgjegja e lexuesit bie menjëherë në kohën e sotme dhe ndihmon të kuptohet më mirë thelbi i saj, madje edhe të zgjerohet korniza e saj. Prezenca e enigmave është karakteristikë e veprave të Kadaresë. Kjo mund të shihet si tendencë e autorit si symbol i përpjekjeve për të hyrë në botën e të panjohurve për të shtruar problem që presin përgjigje. Shpeshherë ai rimerr enigmat nga lashtësia, të gatshme, por autori i parashtron në variantin e tij për zgjidhjen e tye. Si mitizmi ashtu edhe çmitizimet shoqërohen nga prania e ankthit dhe nga një shqetësim i madh për fatin e dikujt a diçkaje.

Biografia e tipave dhe e personazheve të krijuar nga Kadareja me veprimet, veçoritë psikologjike, karakteret dhe jetët e tyre nuk lë pa shënuar asgjë që ndodh në këtë botë sado e lodhshme apo e veçantë është ajo. Është kjo arsyeja që autori krahas të zakonshmes sjell dhe endrrat, gjendjet delirante, halucinante, fallet, të ashtuquajturat parathënie kasandrike, seancat e spiritizmit, përrallat etj. Paraqitja e këtyre gjendjeve irreale nuk është një qëllim në vetvete, as një abuzim professional për të bërë sensacion. Veç kësaj paraqitja e tyre nuk bëhet vetëm për qëllime artistike apo thjesht për të rritur arsenalin e mjeteve shprehëse. Të gjitha ato ëndrrat janë aktivizuar më një kuptim metaforik në funksion të një ideje të caktuar.

Veçori të gjuhës dhe stilit Në veprën e Kadaresë krahas ligjërimit, rrëfimit të subjektit, individualizimit të personazhve si veçori të stilit do të veçohet përdorimi i figurave letrare të cilat jo vetëm plotësojnë atë çka kërkon të arrijë autori por herë-herë shënojnë një hap cilësor në njohjen dhe karakterizimin e personazheve, dukurive, ngjarjeve, sendeve. Figurat si: krahasime, paralelizmat, analogjitë, shpirtëzimet, simbolet, konvencionet, hiperbolat, paradokset, alogjizmat bëjnë të paraqitet një sistem i plotë që ka konceptin e vet, strukturën, funksionin, burimet, variantet. Megjithatë është një sistem i hapur, jo i kodifikuar, përherë i freskët.

Mënyra origjinale të trajtimit të temave në veprat e tij. Koncepti hero-send të jetë i copëtuar ose simbol. Shpeshherë kemi pranëvënie të tragjikes, komikes, të bukurës, të shëmtuarës që përqasin shumanësi të personazhit. Kadare nuk vendos kufij të qartë kohorë dhe hapësinorë të veprimit me anë të kuptimeve të paracaktuara duke univesalizuar dukuritë shoqërore. Motivet i merr nga eposi, baladat, legjendat, gojëdhënat, udhëtimet jetë-a-vdekje.

Universaliteti. Aftësia për t’u dhënë krijimeve letrare karakter sa unikal aq edhe universal është një nga vlerat e artit kadarean. Vepra e tij emeton probleme të rëndësishme. Ajo sugjeron të vërteta universal e po ashtu filtrohet një koncentrat që ja vlen të diskutohet për atë fragment kohor të caktuar kur janë vendosur ngjarjet, që në fund shndërrohet në një kohë ideale dhe të largët.

Arkitektura e veprës letrare. Në krijimtarinë e tij kompozicioni çmohet si një nga potencialet që e veçojnë atë. Karakterizohet nga zhdërvjelltësia, përthyerja e një kompozicioni unik e drejtvizor duke përdorur mozaikë kompozicionalë, të harmonizuar ku gjen: fjalën e autorit në vetën e tretë, monologë personazhesh, copra ditaresh, raportesh, relacionesh, letra dhe mesazhe ndërmjet personazheve, dialogë në formën e dramës, kronika dhe gjithfarë alternimesh të kohës. Shpeshherë në qendër të ndërtimit kompozicional gjendet kontrasti. Përthyerja në kapituj e mikrokapituj duke ju shmangur rrjedhës së përgjithshme të ngjarjeve dhe zgjerojnë këndvështrimin. Këto ndërhyrje quhen me gjithfarë emrash: si kapituj pa emër, kapitulli i parafundit, kapitulli i fundit, kronika, të thënat e personazhit x, etj Përsa i përket personazhit qëndror si një element që bie në sy në kompozicionin e një vepre dallohen disa tipe. Ka vepra që 1.Kanë një personazh qëndror. 2- Këtë rol e luan një dyshe. 3- Dy a tri personazhe sillen si katalizatorë të subjektit pa kuptuar se ata nuk kanë ndonjë funksion. Fjala e autorit ka një peshë specifike pasi është më tepër tregim sesa rrëfim, dhe përshkrimi është vlerësim sesa ekspozim. Digresionet dhe alternimet janë një tjetër cilësi kompozicionale e tij të cilat janë krejtësisht funksionale dhe brenda vibrimit të subjektit të veprës dhe të ngjarjeve që trajtohen.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT