• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2024

Në qytezën Dumont të Nju Xhersit, u ngrit flamuri shqiptar

November 26, 2024 by s p

Në qytezën Dumont të Nju Xhersit, u ngrit flamuri shqiptar në shenjë të nderimit të ditës së Flamurit Kombëtar dhe Pavarësisë së Shqipërisë. Ky manifestim ishte organizuar nga z.Andi Necaj dhe shqiptarët që jetojnë në këtë qytetet. Po ashtu në organizimin e këtij manifestimi, morën pjesë dhe Shoqata Rozafa me Edi Drishtin si dhe Federata Vatra, përfaqësuar nga Sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj, dhe anëtarë i Vatrës nga kjo qytezë, Pjeter Gjelaj, dhe “Albanian Knights”. Një eveniment i shkëlqyer atdhetar që nderon historinë tonë kombëtare.

Filed Under: Emigracion

NGA HISTORIKU I GJUHËS LETRARE SHQIPE

November 26, 2024 by s p

Dr. Bexhet Asani/

52 vjet Gjuhë Letrare (1972 – 2024 )

Shqiptarët para Kongresit të Manastirit në shkrimet e tyre përdornin disa alfabete. Pas Kongresit të Manastirit përdornin disa gjuhë letrare për gati gjashtëdhjetë e katër vjet. Intelektualët shqiptarë vazhdimisht bënin përpjekje që populli shqiptar të kishte një gjuhë të njësuar për përparimin e kombit. Nuk mund të shkonte më kush si të mund të shkruante?!

Preokupim i gjuhës letrare shqipe nuk ishte vetëm e intelektualëve shqiptarë por ishte edhe preokupim i Serbisë dhe i Federatës së Jugosllavisë. Të preokupuar ishin Komiteti Qendror i Federatës të Jugosllavisë, Komiteti Qendror i Republikës Popullore të Maqedonisë etj. Kohët e fundit u zbulua analiza e prof. dr. Petro Janurës nga historian Qerim Lita. Nënshkruesit e raportit janë edhe Myrteza Peza atëherë Kryeredaktor i gazetës “Flaka e vëllazërimit” dhe Krume Jakovski nga Dibra njohës i cili e fliste gjuhën shqipe që të dy të besuarit e Komitetit Qendror të Republikës Popullore të Maqedonisë. Për këtë elaborat para shumë vitesh kisha dëgjuar nga profesor Zeqirja Neziri dhe ja tani analiza është botuar komplet dhe mund ta lexojë kushdo me qëllim të dijë më tepër për peripecitë e Gjuhës së Sotme Letrare Shqipe. Analiza e profesor Petro Janurës mban këtë titull: “ÇËSHTJA E GJUHËS SË VETME LETRARE TË PAKICËS SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI”. Kjo analizë e thukët i ka 50 faqe.

Argumentet e profesorëve të nderuar të cilët kanë qenë në një presion të paparë, kanë një vështrim shkencor në diakroni dhe në sinkroni. Kështu argumentet e tyre gjuhësore i nisin që nga “Meshari” i Gjon Buzukut e shkrimtarët e tjerë të letërsisë së vjetër, shkrimtarët e Rilindjes, Shkrimtarët e Realizmit e gjer te shkrimtarët e viteve pesëdhjetë të shekullit të njëzetë. Ata kanë marrë në shqyertim edhe veprat e albanologëve të huaj.

Për përpjekjet e intelektualëve kosovarë të kohës për unifikimin e drejtshkrimit të gjuhës sonë shkruajnë:

“Këtu në Jugosllavi janë bërë dhe bëhen përpjekje për unifikimin e drejtshkrimit të gjuhës shqipe që përdoret në shkolla dhe në shkrime të ndryshme. Për atë duhet të lavdërohet dhe t’i jepet mirënjohje Komisionit për Arsim dhe Kulturë të Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë, që në mënyrë reale ka kuptuar këtë problem shumë të rëndësishëm, duke mos kursyer asgjë që ky problem të zgjidhet njëherë e përgjithmonë. Në këtë drejtim, janë mbajtur dy konferenca të gjera gjuhësore në Prishtinë dhe rezultatet e tyre premtojnë, por diversiteti nuk është mënjanuar tërësisht. Ende kemi mozaik në drejtshkrim dhe në gjuhë dhe, kjo gjendje nuk do të zhduket derisa të zgjidhet edhe këtu çështja e gjuhës së përbashkët letrare për të gjithë shqiptarët”.

Për gjuhën shqipe në Maqedoni midis tjerash vënë në dukje: “Gjuha shqipe, të cilën e përdorin shqiptarët e RP Maqedonisë, nuk është studiuar në mënyre thelbësore që të dihen mirë të gjitha karakteristikat e saj, por dihet se shqiptarët e kësaj republike flasin një nëndialekt gegë periferik, në pjesë më të madhe, ndërsa një pjesë e vogël flet dialektin toskë.

Dialektin gegë e flasin shqiptarët e Shkupit, Tetovës, Gostivarit, Dibrës, Kërçovës dhe Kumanovës me fshatrat përreth ku ka shqiptarë dhe disa fshatra të Strugës. Në qytetin e Strugës vërehet ndikimi i dialektit toskë, ndërsa në Manastir dhe Prespë, me fshatrat e tyre ku ka shqiptarë, flasin vetëm dialektin toskë, me përjashtim të dy fshatrave në Manastir. Dialekti gegë flitet edhe në disa fshatra të Prilepit, Velesit dhe Rekës së Epërme”.

Kur bëjnë fjalë për leksikun e pasur të të dy dialekteve të shqipes ata shkruajnë: “Kjo pasuri e fjalorit tregon fuqinë e gjuhës shqipe për të kundërshtuar rrezikun nga asimilimi prej gjuhëve të tjera. Ky fjalor i përbashkët, që është pronë e gjuhës shqipe “është pronë e gjallë që tregon se dialektet tona nuk kanë ndonjë dallim të madh mes vete, që dallimet e tanishme dialektore lejojnë që njëri dialekt, i pasuruar me veprimtarinë e përbashkët të dialektit tjetër, mund të shërbejë si bazë e gjuhës letrare “të përbashkët” .

Duke i ilustruar edhe me shembuj si: “Te ne në Jugosllavi, dialekti toskë nuk është i përdorur aq shumë, edhe pse në Prishtinë janë ribotuar disa vepra origjinale, si dhe disa vepra të përkthyera në dialektin toskë. Kjo është shenjë se nuk ka pengesë nga përdorimi i këtij dialekti edhe te lexuesit shqiptarë në vendin tonë. Veprat origjinale të shkrimtarëve tanë, gjuha e të cilëve është mjaft letrare, çdo ditë e më shumë e humbë koloritin lokal”.

Në përfundim të analizës ata janë tepër të matur:

“Pra, numri më i madh i veprave të shkrimtarëve, të cilat vepra mësohen në shkollat tona, janë të shkruar në dialektin toskë, përkatësisht në atë gjuhë letrare. Nisur nga kjo intelektualët e rinj shqiptarë në Jugosllavi, jo vetëm se e njohin gjuhën toskërishte letrare, por ata janë të formuar si të tillë. Intelektualët me të mund shumë lehtë t’i shkruajnë veprat e tyre si shkrimtarët, punëtorët e arsimit nëpër shkolla, gazetarët nëpër gazeta, radio, zyra dhe atje ku është e domosdoshme.

Duke propozuar që gjuha letrare shqipe të futet edhe për shqiptarët në Jugosllavi, e kemi parasysh faktin se drejtshkrimi i cili sot përdoret në librat dhe shkollat shqiptare, si dhe në radio-emisionet, bazohet në atë laramani që ekzistonte më herët. Nëse do të futej gjuha e përbashkët letrare, do të ishte e një dobie shumë të madhe në radhë të parë për zhvillimin e vetë gjuhës, e pastaj për nxënësit, sepse ajo që sot përdoret në shkollë nga ana e nxënësve dhe nga një pjesë e madhe e punëtorëve të arsimit e intelektualëve, nuk është as letrare e as nëndialekti kosovar, por nëndialekt me partikularizma lokale. Gjuha letrare nuk lejon të ketë lokalizma kur për to nuk ka nevojë.

Është koha që të gjithë shqiptarët në Jugosllavi të shfrytëzohen me gjuhën letrare – pa laramani. Në këtë kuptim përbëhet edhe ky propozim.”

Profesor Zeqirja Neziri sqaron se kur duhet të jetë shkruar përafërsisht ky raport:

“Analiza është nxjerrë nga Arkivi Shtetëror i Republikës së Maqedonisë, Fondi Lidhja Socialiste e Popullit Punues të Maqedonië (465), Ai është përgatitur nga grupi i ekspertëve gjuhësorë të Komisionit për pakica nacionale të LSPPM-së: dr. Petro Janura, Murteza Peza dhe Krume Jakovski. Për fat të keq, në të nuk ka ndonjë datë të saktë se kur është hartuar, mirëpo, terminologjia e përdorur nga grupi në fjalë, veçmas në Rezymenë, si për shembull, RP e Maqedonisë, RFP e Jugosllavisë etj., arrijmë deri te konstatimi se ajo është hartuar midis periudhës 1959-1962. Ky konstatim mbështetet edhe në procesverbalin e mbledhjes së Këshillit Ekzekutiv të KQ LKM-së, të mbajtur më 19 nëntor 1959, në të cilin, veç tjerash, është shqyrtuar edhe problemi i gjuhës letrare shqipe. Lidhur me këtë në procesverbal, shprehimisht thuhet: “U konkludua se çështja e gjuhës shqipe duhet të zgjidhet në mënyrë parimore. Këtu ka luhatje midis gjuhës letrare shqiptare dhe gjuhës së Kosmetit. Kjo çështje duhet të shtrohet edhe para KQ të LKJ-së dhe së bashku me shokët nga Kosmeti të zgjidhet. U shprehën mendime se nuk mund të shkohet në një gjuhë tjetër, përveçse gjuhës së shtetit amë“.

Është për t’ u habitur fakti se anëtarët e Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Maqedonisë, janë pajtuar se nuk mund të shkohet në një gjuhë tjetër, përveçse gjuhës së shtetit amë.

Përpiluesit e përfundojnë rapotin pothuaj me hare:

“Sot është arritur një pozitë relativisht e mirë në punën e drejtshkrimit, sepse ai po unifikohet edhe te ne, dhe prandaj jemi në pozitë të themi “A Habemus ortographiam” (Kemi ortografi), pse mos të merremi vesh edhe për çështjen e përbashkët letrare, kur afrohen të dyja dialektet, jo vetëm në fushën e morfologjisë, por edhe në pikëpamjen e fonetikës, sepse ato i kanë lënë anash dallimet që kanë ekzistuar mes dy dialekteve që i kanë sot vetëm në gjuhën popullore. Gjatë asaj kohe dhe pasi që mes vete, drejtshkrimi dhe gjuha letrare janë të ndërvarura, ato janë të lidhura edhe me gjuhën e përbashkët letrare, dhe, kështu atë që e themi për drejtshkrimin, themi edhe “Habemus communem linguam literarem” (Kemi gjuhë të unifikuar letrare)”.

Në rezymenë e raportit dalin me propozim konkret:

“Ne propozojmë që edhe shqiptarët në Jugosllavi ta përdorin një gjuhë letrare të përbashkët – atë e cila përdoret në Shqipëri. Për një propozim të tillë kemi sqarime të shumta në analizë, si dhe nga kjo shkëputje e asaj analize. Kryesisht për shkak të asaj se në Shqipëri disa shkrimtarë gegë, edhe pse shkruajnë në atë dialekt, sërish 90% kanë premisa toskërishte ose thënë më saktësisht, është gjuhë e përbashkët letrare, e cila sot përdoret në Shqipëri.

Propozojmë që gjuha letrare në Shqipëri të vendoset edhe në territorin tonë (në Jugosllavi-n[ Maqedoni, Kosovë, Mali i Zi, Lugina e Preshevës- shënimi im B.A.), për arsye se thuajse të gjithë intelektualët tanë ose thënë më drejtë do të duhej ta njohin, për arsye se janë shfrytëzuar me atë gjuhë”.

Akademik Rexhep Qosja ka plotësisht të drejtë kur thotë se:

“Me të, me këtë Drejtshkrim, në të vërtetë me këtë gjuhë letrare të njësuar, varroset përgjithmonë përpjekja e Serbisë për t’i ndarë shqiptarët në dy kombe: në kombin e, si e thotë ajo, albancave që përbëjnë Shqipërinë dhe në kombin e shqiptarëve, në të vërtetë shiftarëve, si na quante përbuzshëm, që përbëjnë kombin kosovar, Kosovën!”

Profesor Idriz Ajeti si njeri që mbante mbi supe peshën e rëndë të robërisë, ai e dinte sesa vlerë ka për një komb gjuha letrare, përveç rrojtjes së tij mbi një shekull e që gjithë jetën ia kushtoi gjuhës shqipe, veç asaj që ishte pjesëmarrës në Kongrsin e Drejtshkrimit dhe nënshkrues i rezolutës, ai do të mbahet mend edhe për thënien e tij, e me peshë kombëtare:

“Gjuha letrase s’ është vetëm thesari i kulturës sonë, por mjet i fortë për mbrojtjen e etnisë shqiptare!”

Profesor Rexhep Qosja me rastin e 50 vjetorit të themelimit të Gjuhës Letrare Shqipe deklaron;

“Kongresi i Drejtshkrimit i Gjuhës Shqipe, i mbajtur në vitin 1972, është ngjarja më e madhe në historinë e kulturës shqiptare.”

Në shekullin e njëzetë që lam pas, mund të shënohen vetëm dy ngjarje të mëdha historike: Kongresi i Manastirit dhe Kongresi i drejtshkrimit. Intelektualët e mëdhenj të Kongresit të Manastirit përveç halleve të mëdha që kishin me unifikimin e alfabetit ata ishin tepër largpamës që atëherë hodhën idenë për unifikimin e gjuhës shqipe. Për unifikimin e Gjuhës letrare shqipe kanë merita edhe shqiptarët e Maqedonisë. Ishte gazeta “ Flaka e vëllazërimit” e para që vuri në praktikë Gjuhën letrare shqipe, shumë vite më parë, në vitin 1960 pastaj vazhdoi në Kosovë me Konsultën e Prishtinës në vitin 1968 dhe përfundoi, pra, u kurorëzua me Kongresin e Drejtshkrimit në Tiranë në vitin 1972.

Prof. dr. Rami Memushaj ka të drejtë kur pohon se: “Edhe pas viteve ’90, kur ndër gjuhëtarët shqiptarë zunë të shfaqen mendësi të kohës së pashallëqeve – pashallëku i Veriut dhe pashallëku i Jugut, Republika e Dardanisë dhe Republika e Shqipërisë, që duan gjuhë të veçanta – faktori shqiptar i Maqedonisë ka luajtur një rol përbashkues. Këtë rol do të luajnë edhe në të ardhmen intelektualët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, të cilët janë të vetëdijshëm se vetëm nën ombrellën e gjuhës standarde është i sigurt jo vetëm zhvillimi i shqipes së kësaj dege të trungut kombëtar, po edhe ruajtja e identitetit të shqiptarëve të kësaj Republike”.

Për nder të gjashtëdhjetë vjetorit të Kongresit të Manastirit më 1968 u ngrit pllaka përkujtimore te restoranti i Themistokli Gërmenjit, aty ku u mbajtën mbledhjet plenare të Kongresit me këtë rast shkrimtari i njohur maqedonas Vlado Maleski, njëherit dhe njohës i mirë i çështjes shqiptare tha:

“….Jetojmë afër njëri tjetrit. Jetojmë rrëzë malit e buzë detit. Jetojmë me vizionin për një të ardhme më të bukur, me kujtime të bukura për të kaluarën. Një kujtim i tillë është edhe kjo pllakë e mermerit, të cilën po e inaugurojmë në emër të Këshillit republikan për kremtimin e këtij jubileu. E mermeri nuk thyhet lehtë “.

E ka thënë bukur. Ky mendim i artë i Vlado Maleskit vlen edhe për Kongresin e Drejtshkrimit të cilit i është vënë pllaka e granitit, e pllaka e granitit nuk thyhet lehtë!

Katër vjet pas Konsultës së Prishtinës (1968), pikërisht më 20-25 nëntor të vitit 1972 në Tiranë u mbajt Kongresi i drejtshkrimit, i cili nuk ishte asgjë tjetër përveçse vazhdimësi e Kongresit të Manastirit. Kongresi i Manastirit si dhe Kongresi i Tiranës janë Kongrese gjithëkombëtare. Që të dy Kongreset janë mbajtur në muajin nëntor, në muajin e festave, kështu që të dy Kongreset e kanë kryer me sukses misionin e madh historik e kombëtar.

Themelet e Gjuhës së sotme letrare u vunë në zemër të gegërishtes në Shkup e në Prishtinë nga studiues e gjuhëtarë të mirëfilltë të gjuhës shqipe. Në Kongresin e drejtshkrimit në Tiranë nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi morën pjesë këta delegatë: Idriz Ajeti, Rexhep Qosja, Remzi Nesimi, Ajet Bytyçi, Besim Bokshi, Isa Bajçinca, Ismail Bajra, Ismail Doda, Petro Janura, dhe Sefedin Sulejmani.

Muaji nëntor është muaji i dy Kongreseve, që të dy Kongreset kanë hyrë në historinë e gjuhës shqipe si ngjarjet më të mëdha të shekullit të njëzetë, të cilët janë mbështetur thellë në tabanin kombëtar.

SHQIPJA GJUHË ZONJË

Më 25 nëntor të vitit 1972, në Kongresin e drejtshkrimit në Tiranë, gjuha shqipe u kodifikua, u ngrit në një gjuhë standarde kombëtare shqiptare.

Gjuha letrare shqipe me përgjegjësinë më të madhe filloi të përdoret në institucionet e shtetit shqiptar, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe kudo në botë ku kishte shqiptarë.

Gjuha letrare shqipe u bë gjuhë e administratës shtetërore, e univerisiteteve, e shkollave fillore dhe të mesme. Gjuhë e ushtrisë, policisë dhe e gjithë popullit punonjës. Gjuhës letrare shqipe i kushtonin rëndësi tepër të madhe gazetat, radiot e televizionet.

Ka 50 vjet që botohen librat letrare, shkencore dhe fetare. Janë botuar gjer më sot me milionë ekzemplarë. Gjuha shqipe më 1972, tanimë si gjuhë e qytetëruar, u radhit me motrat e saja në të gjithë botën. Në gjuhën letrare shqipe u përkthyen dhe u botuan kryeveprat e letërsisë dhe shkencës botërore.

Letërsia artistike shqiptare me në krye veprat e të madhit dhe të papërsëritshmit Ismail Kadare u përkthyen në shumë gjuhë të botës si dhe veprat e autorëve të tjerë shqiptarë.

Gjuha letrare shqipe tani është një gjuhë zonjë në mesin e gjuhëve më të zhvilluara të botës.

Duhet ta kemi të qartë edhe pse e flasim gjuhën e nënës, Gjuha letrare duhet të mësohet!

Gjuha letrare jo, vetëm që shkruhet, por, edhe flitet nga njerëz intelektualë.

Filed Under: Kronike

Patrioti Behlul Gashi dhuroi 1.500 dollarë për gazetën Dielli

November 26, 2024 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dhe gazeta Dielli shprehin mirënjohje dhe respekt për patriotin Behlul Gashi i cili bujarisht iu përgjigj fushatës së Vatrës për të mbështetur gazetën Dielli, gazetën historike të shqiptarëve të Amerikës. Patrioti, biznesmeni dhe aktivisti i çështjes kombëtare Behlul Gashi jeton e vepron në komunitetin shqiptar në Amerikë prej 22 vitesh duke kontribuar thelbësisht në organizimet patriotike, tubimet atdhetare, veprimtaritë kulturore e sociale, fushatat e bamirësisë e mbështetjet financiare për nevojat e individëve dhe të komunitetit shqiptar brenda dhe jashtë atdheut.

Patrioti Behlul Gashi është president i organizatës patriotike “Shqipëria Tjetër” për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe zv.president i organizatës patriotike “Shqipëria Tjetër” në Shqipëri dhe “Vasfije’s Inatiative”. Behlul Gashi është ndër djemtë e shkëlqyer të komunitetit tonë në Amerikë, fisnikëria dhe bujaria e tij është shembull i vyer patriotik dhe kontribut i ç.uar atdhetar për jetëgjatësinë e Federatës Vatra e gazetës Dielli institucionet më të fuqishme kombëtare që udhëheqin proceset patriotike prej 112 vitesh në mërgatën shqiptare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Komunitet

Aktiviteti atdhetar, politik dhe publicistik i Ernest Koliqit

November 26, 2024 by s p

Prof. Dr. Romeo Gurakuqi

Pjesa e parë…

Ernest Koliqi lindi në Shkodër  120 vite më parë (20 maj 1903) në një familje qytetare të Shkodrës më rrënjë të fuqishme shqiptarie. Ai lindi në qytetin e Pashko Vasës, Zef Jubanit, Luigj Gurakuqit, Fishtës e Mjedës. Ernesti vinte nga një formim familjar katolik, por me një ngjyrim të lehtë liberal; me një koncept të patriotizmit tipik të luftrave për pavarësi. Koliqi ishte nipi i Cuk Simonit dhe stërnip i Filip Parrucës, ndër familjet ma të vjetra tregtare të Shkodrës, prandaj ndër shkrimet e veta na ka dhënë pasqyren letrare ma të qartë të këtij mjedisi shoqëror, të cilit ai i përkiste. Shumë i ri Koliqi e filloi veprimtarinë e vet si shkrimtar. Marrëdhëniet e ngushta me Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, Dom Lazër Shantojen, Benardin Palajn, Karl Gurakuqin, Shuk Gurakuqin, Nush Topallin, Kolë Kamsin, rrethi i miqvet të zgjedhur për aftësi të veçanta në fushat studimore, administrative dhe me botkuptime të qarta përparimtare politike, qenë për ate një shkollë e mbarë ku mori udhëzimet, jo vetëm për karrieren e tij si letrare, por ndikuan drejtëpërdrejtë në formimin e bindjeve të tij politike, mbi rrugën e përparimit të Shqipërisë. Në periudhën e parë të veprimtarisë shoqërore, Ernest Koliqi, që kishte një përgatitje të përsosun të shkollës klasike, tërhoqi menjëherë vëmendjen e Luigj Gurakuqit, personalitetit politik ma të shquar që kishte Shkodra së paku, dhe që njihej brenda dhe jashtë Shqipërisë si një ndër krijuesit dhe administruesit e shtetit të parë shqiptar. Luigj Gurakuqi vetë banonte në Rrugën e Gurakuqve, në mëhallen e quajtur Gjuhadol, në afërsi të shtëpisë së Shan Koliqit, atit të heroit tonë. Në këtë mënyrë, njohja, miqësia, botkuptimi e idealet e njëjta ishin fare të natyrshme.

            Po ashtu jo larg shtëpisë së tij, në mjediset e Shkollës Fretnore të Lagjes Giuhadol të Shkodrës ishin pikëpjekja e intelektualëve të qytetit, “ku rriheshin çështje në lidhje me politikën e kohës kur Shqipnija ishte tue marrë nji kthesë në historin e vet.” 

            Rritur në këtë mjedis qytetar, patriotik dhe përparimtar dhe mjaft të ngritur nga pikpamja arsimore e kulturore, është e kuptueshme pse në bazamentet e formimit të tij Koliqi përmbante konceptime dhe perspektiva aq atdhetare, liberale, të krishtera, katolike dhe perëndimore të jetës shtetërore, kombëtare dhe asaj private. Prandaj ai gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij shumëplanëshe u përpoq, siç thoshte vetë-“me mendje të ndritur, pa mburrje…. për një zhvillim shpirtnuer të popullit shqiptar”. Koliqi i përket atij formimi dhe grupimi të elitës shqiptare që shpëtimin e kombit shqiptar e shihte në një kulturë moderne perëndimore, të ushqyer dhe brumosur prej virtyteve arbnore.

Pas Dezintegrimit të Perandorisë Austro-Hungareze (fuqi e madhe që e vetme pothuajse punoi për ringritjen arsimore, kulturore të popullit shqiptar, për krijimin e një elite dhe një ideologjie arbnore drejtuese për shoqërinë shqiptare), i gjithë grupimi udhëheqës më përparimtar i Shqipërisë dhe Kosovës i ktheu sytë  nga Italia, pavarësisht se politika e këtij vendi ndaj Shqipërisë ndryshonte katërcipërisht nga aleati strategjik austriak.

Përmbysja e përpjekjeve 6 vjeçare për rithemelimin e një shteti kushtetues dhe parlamentar me përfshirjen edhe të deputetëve të Kosovës në Tiranë, pas kundër-revolucionit zogist të realizuar me ndihmen e forcave mercenare të ardhura nga Jugosllavia në dhjetor 1924, bëri që pjesa më e madhe e rrethit shoqëror dhe politik të lartpërmendur, ku ishte formuar Koliqi, së bashku me prijësit komunitar, të marrin rrugët e emigrimit, vuajtjeje, ndërkohe që vendi u vendos nën pushtetin diktatoria, fillimisht republikan dhe më vonë morarkist të Ahmet Zogut. Prijësi më i rëndësishëm i krahut nacionalist, demokrat dhe europianist, Luigj Gurakuqi, u përndoq dhe u ekzekutua, sipas dokumenteve të zbuluara edhe së fundmi në arkivin e ministrisë së punëve të brendshme të Kroacisë, të porositur drejtpërdrejtë nga Tirana zyrtare e vitit 1925. Po ashtu, edhe një numër i madh i përfaqësuesve të kësaj udhëheqësie dhe aktivistësh u detyruan të jetojnë jashtë, kryesisht në Itali dhe mes tyre për një përiudhë ka qenë edhe Koliqi. Me këtë dua të theksoj se pas vitit 1925 kemi një çmontim të plotë në planin e brendshëm shqiptar, të strukturës politike përparimtare dhe demokratike. Shoqëria shqiptare nuk e absorboi dhe nuk u prir, dhe nuk kishte mundëri të prirej drejt progresit të mënjëhershëm që ofronte elita intelektuale dhe e europianizueme e vendit, që mbetej në minorancë ndër nuklet e ftilluara të shoqërisë. 

TEZA QË DUA TË SHTROJ

Aktiviteti politik i Ernest Koliqit dhe rrjedha e jetës së tij ka ndjekur fatin e rrethit komunitar  të cilit ai i përkiste, në një Shqipëri të penguar në zhvillimin emancipues nga pamjaftueshmëria politike dhe përdorimi i forcës prej mazhorancës anakroniste, imponuese vendimarrjet e vendit në të gjitha aspektet gjatë shekullit XX. I vendosur spontanisht pas vdekjes së Luigj Gurakuqit, për shkak të spikatjes, në kryesimin moral të elites së komunitetit katolik shkodran dhe shqiptar, ai pësoi fatin diskriminues të të gjithë anëtarëve të këtij komuniteti, sa herë që arsyeja dhe e mira e Shqipërisë e thërriste të qendronte në linjën e reformimit properendimor të Shqipërisë, demokratizimit dhe pastrimit të nacionalizimit shqiptar nga pesha e rendë e shekujve robëri dhe deformim të shpirtit arbnor. Kur them fatin e komunitetit dhe elitës katolike shqiptare, por edhe të pjesës minoritare të europianizueme të shoqërisë së prapambetur dhe post –otomane shqiptare, unë nënkuptoj një fat tragjik, përjashtues nga pjesëmarrja  e drejtë në jetën politike dhe shoqnore të vendit, të udhëheqjes me kosto prozhmuese nga njëra anë, por edhe të sukseshme nga ana tjetër, mbasi falë tyre filizat e perëndimizimit të botës iliro-dardane mbetën gjallë. Duhet të kujtoj se përherë në këtë vend, rruga europianizuese, kushtetuese dhe parlamentare ka gjetur vështirësi, që nga Shqipëria e parë e Ismail Qemalit, tek Principata e Shqipërisë e Princ Wied-it (që u rrëzua nga otomanizmi i brendshëm shqiptar), strukturat shtetëformuese të Kuvendit të Durrësit (dhjetor 1918) dhe Kongresit të Lushnjës (janar 1920), përpjekja demokratizuese e qershorit 1924, dhe rënia e përpjekjes për ta nxjerrë Shqipërinë e paprekur dhe të bashkuar me trojet e lirueme nga Lufta e Dytë Botërore që kolapsoi nga vendosja e diktatures së terrorit në fund të vitit 1944 dhe fillim të vitit 1945. Gjithë këto ngjarje janë pasuar në momentin e falimentimit me dhunë ndaj komunitetit ku bënte pjesë Ernesti, me eliminime të personazheve udhëheqëse, me emigrim politik, me obskurantizëm të theksuem, me përjashtim të hapur dhe të fshehtë nga të drejtat dhe devijim total të rrugës rilindase për shtet kombëtar, laik dhe properendimor të udhëhequr nga mendja dhe shkolla.

NË JETËN POLITIKE TË SHQIPËRISË ERNEST KOLIQI NA RISHFAQET NË VITIN 1939:

Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, Koliqi u përfshi në qeverinë e parë kolaboracioniste. Ai bëri një përzgjedhje politike që i ka lënë pas gjurmë që ende vazhdojnë të diskutohen, të debatohen dhe të jenë të kritikueshme, por Shqipërisë dhe shqiptarëve, ai edhe në këtë rast të paargumentueshëm në pikëpamje të inkoherencës me qëndrimet afatgjata, u ka bërë shërbime shembullore dhe të pangjashme, u ka hapur përspektiva që kanë lënë gjurmë dhe që përbëjnë precedentë themelore në arsimin, shkencën dhe kulturën e këtij populli. 

Rasti i tij, sikurse edhe i disa figurave të tjera të kombit shqiptar që nuk mbetën mënjanë në këto ditë të vështira të LDB, përbën rastin e personaliteteve me autoritet të padiskutueshëm që i dolën përpara furisë së pushtuesit të verbuar, duke e penguar të përplaset mbi popullin, por duke implikuar 

Sipas meje, duke e konsideruar vendimarrjen e klikës së Musolinit për pushtimin e Shqipërisë të pashmangshme, Koliqi mendoi ta përdorë këtë rast si moment për ta kthyer fytyrën e vendit nga Italia duke ndërprerë përfundimisht rrugën e Zogut dhe rrethit të tij për rikthim në krye të punëve, duke ripërkufizuar kufijtë shtetërorë në limitet nacionale, duke zhvillur një proces albanizues dhe pastrues të kulturës së shoqërisë vendase nga mbetjet otomane dhe duke rivendosur në pozicione përpjestimore edhe komunitetin katolik në udhëheqësinë politike dhe administrative të vendit.   

Pavarësisht kolaboracionizmit politik, shërbimi ndaj italianëve në asnjë rast nuk kaloi në cënimin e jetëve individuale të asnjë shqiptari të thjeshtë, përfshirë edhe rininë komuniste. Mbi ate dhe personalitetet e tjera të ngjashme si ai, nuk rënduan urdhëra arrestimesh e vrasjesh ndaj qytetarëve shqiptarë. Ne në arkivë nuk kemi gjetur asnjë të tillë, ndërkohë që kemi ndërmjetësime të pafundme dhe të padallimta për falje fajesh rinore dhe bursa ndaj studentëve edhe komunistë. Ndryshe nga kolaboracionistët e tjerë të mirëfilltë në Ballkan, mbi të cilët rëndojnë urdhëra vrasjesh me mijëra ndaj kundërshtarëve politikë dhe sidomos të përndjekjes së hebrenjve gjatë luftës, mbi Koliqin dhe të gjithë të tjerët, nuk rëndojnë akuza të tilla. Rëndojnë veç firmosja e një numri ligjesh dhe aktesh të tjera, që kanë shënuar gjunjëzimin formal të Shqipërisë, që nuk janë pak, por janë thelbësisht të ndryshme me urdhërat përshkallëzues që dhanë homologët e tjerë anë e kend Europës nën thundrën nazi-fashiste, të cilët kryen krime kundër njerëzisë së vet. Aktet formale “njollosëse” ai është përpjekur t’i kompensojë me një shërbim shembullor dhe rilindas ndaj atdheut në fushën e arsimit, zgjerimit të këtij sistemi për herë të parë në “Tokat e Lirueme”, shkollimit universitar të të gjithë rinisë, zhvillimit të shkencave albanologjike dhe botimeve të paarritshme në aspektin e formimit albanianist të nxënësve shqiptarë. Së fundi, vepra e tyre është krejt e dallueshme nga e atyre që dhanë dhe ekzekutuan urdhëra vrasjesh, për dobi të komunizmit e jugosllavizmit, gjatë dhe pas LDB. Do të doja që për ilustrim të jepja disa pasazhe nga vetë Koliqi, që i komunikohen për herë të parë publikut të gjerë. Ja si e shprehte Ai, pozicionin e tij si ministër, në një letër tjetër drejtuar  Karl Gurakuqit: “….Ndërgjegjen e kam të qetë. Kam krye gjithmonë detyrën si shqiptar i mirë në rrethanat ma të vështira, tue ia vu menden substancës së shqiptarizmit, jo dukjes. Ata që më njohin mirë e dijnë se akuzat qi më drejtohen janë krejt pa themel. Ti je nji prej atyne qi me je gjetë pranë si bashkëpunëtor në rasat ma kritike. Ti e din mirfilli se gjatë kohës seme këshilltarët italjanë nuk pijshin uj. Pergatitja me tekste, vendosun nji herë e mirë mbi terminologjin shkollore; themeluem Institutin e Studimeve Shqiptare qi edhe komunistat tue i nderrue vetëm emnin e mbajtën, përmirësuem gjendjen e mësuesve e të profesoreve, çuem arsimtarë ndër klinika e sanatoriume. Kryefjala jon kje (në nji kohë në të cilën italjanët zotnojshin): Kultura shqiptare mbi të gjitha. Dërgova studjoza me mbledhë lajme historike në të gjitha teqet e bektashijvet, nisa studenta nder male me mbledhë pasurinë folklorike, futa nder xakona në Kosovë (para çlirimit) konviktorë vendas me libra shqip. Sa erdha si minister mora rishtas në shërbim Lasgush Pogradecin e Gjergj Kokoshin të pushuem nga predecesori em, e u dhashë rrogat e mbrapambetuna. Lirova me garanci personale, mbas nji konflikti t’ashpër me gjeneral Guzzoni. para të cilit asokohe dridhej mbarë Shqipnija, Tajar Zavalanin, Vasil Andonin Mihail Zallarin. Mora në shërbim Abaz Ermenjin sa këtheu nga Greqia (në mos ta mirrshem në shërbim do të shkonte qyshë atëherë në Ventotene)”. 

Në kohën e Koliqit Ministria e Arsimit përshkohej nga një frymë liberale, që ishte krejt e kundërt me drejtimet politike të dhëna nga ato që Ernesti i quen “sunduesat e kohës” “Giro, shkruan Koliqi, pat protestue rreptësisht sa herë për vepren teme tepër nacjonaliste si arsim, por Jacomoni s’e lente me na qite pengime në Ministri; patem shti (në librin e Historisë së Letërsisë) në radhë të shkrimtarëvet Midëhat Frashërin, Fan Nolin, Faik Konicen, kundershtarë të deklaruem t’atij rregjimi, e plot të tjerë. Patem shtu edhe Migjenin, për të dhanë një shembull të letërsisë me kujdese shoqnore.”

Filed Under: Kulture

PARADIGMA E GJUHËS SHQIPE NË VEPRËN E MID’HAT FRASHËRIT

November 26, 2024 by s p

Akad. prof. dr. Valter MEMISHA

Pjesa e dytë…

Në artikullin Naim be Frashëri, Jetëshkrim, M. Frashëri thekson se tradita shkrimore e shqipes ishte e vjetër dhe nuk duhet menduar se “Shoqëri e të Shtypurë Shkronja Shqip” hodhi hapin e parë në këtë hulli. Ai shkruan se “Mos pandehet se kjo shoqëri çpiku këndimnë dhe shkrimn’ e gjuhës shqip; gjuha shqip pak a shumë, është shkruar gjithnjë; më të vjetërat e libravet shqip që dimë janë: një libër e kthyer prej Pietro Budi (shtypur në Romë më 1664), dhe një tjetër prej Bogdanit më 1685. Këta dy priftër kanë shkruar libra për fenë, dhe në Shkodrë gjuha shqip është përdorur prej katolikëvet duke shkruar me letra latine, me nj’a 4 shkronja të çpikura; me qënë që përdorësh në kishë dhe ca pak në shkollat të priftërinjvet, në Shkodër janë shtypur dhe mjaft libra shqip, se n’atë qytet priftërit kanë një shtypëtore.” 

Dihet se në mesin e shekullit XIX dhe në gjysmën e dytë të këtij shekulli filluan të hartoheshin alfabete të shumta. Madje shqipja shkruhej me alfabet latin, me alfabet turko-arab, me alfabet sllav, krahas të shkruarit me alfabete të krijuara nga atdhetarë të ndryshëm (Kujtojmë ndër të tjera, alfabetin e N. Veqilharxhit, të Dh. Toodrit etj.). Sipas M. Frashërit Shoqëri e të Shtypurë Shkronja Shqip bëri një punë të jashtëzakonshme drejt një alfabeti të vetëm. Sipas tij, “Themi pra që shoqëri e Stambollit kapërxeu e para trapn’ e thellë, dhe bëri shqipen një gjuhë me shpirt. Është vërtet që udha qe çelur, se Kristoforidh Elbasanasi kish 20 vjet që po merrësh me të kthyer ungjijtë në gjuhë shqip, dhe shoqëri e protestanëvet e Llondrës, kish shtypur më 1868 (në Stamboll), Psaltirin, shqipëruar prej Kristoforidhit; m’an tjetër Kamarda dhe De Rada, n’Itali, kishin mjaft vjet që mundohëshin të rëmojnë rregullat e gjuhës shqipe, dhe të shkruarat e këtyre Shqiptarëvet hoqnë ren’ e të diturvet t’Evropës mbi gjuhët t’ënë. Edhe Naum Veqilharxhi nga Vithkuqi, kish shprovuar dyzet vjet më parë, që të shkrojë gjuhën t’ënë dhe abetar’ e tij me ca shkronja të çpikura, ish shtypur më 1845. Po e shohëm se rruga qe çelur, ara ish lëruar, gjuha shqip kish zënë të zgjuhet, dhe shoqëri e Stambollit duke mështjellë mendjen’ e kohës në vetëhet të saj, çpejtoi këtë ngjallje të gjuhës sënë dhe i dha të bëjë një çap të math.”

SHOQËRIA E STAMBOLLIT

Në artikullin Shoqëria e Stambollit (1926), M. Frashëri shkruan se “Puna e parë e Shoqërisë qe të trajtuarit e një abeceje për gjuhën shqipe. Mënyra e përdorur prej Konstantin Kristoforidhit në përkthimet e shkrimeve të shenjta, ishte rrëfyer e metë: i dituri elbasanas kishte marrë nga një palë shkronja të veçanta dhe krejt të pangjara për secilin prej dy dialekteve. Nuk dimë ç’bisedime rrodhën në mbledhjen, se nuk kemi procesverbalet e tyre, as edhe ndonjë prej anëtarëve s’është kujtuar të na lerë kujtimet e tij…. Ajo që dimë, është se shkronjat e pranuara qenë ato të Sami Frashërit, i cili i gdhendi vetë, me dorën e tij mbi çelik, germat, që këshillonte. Prapë s’dimë cilët qenë gjymtyrët më aktivë të mbledhjes, kryetar i së cilës ishte Sami Frashëri. Naimi në atë kohë s’kishte ardhur akoma në Stamboll. Por, në mungesë të kujtimeve dhe dokumenteve, botojmë këtu tekstualisht kanonizmën e Shoqërisë, duke i ruajtur besnikërisht ortografinë. Kjo mënyrë shkrimi, si edhe stili dhe gjuha, na bindin se kanonizma ka dalë nga pena e të ndjerit Jani Vreto. E panevojshme të themi se abece-ja e kësaj kanonizme është ajo e abetares, domethënë abece-ja e Stambollit, siç u quajt më vonë dhe në të cilën u ndryshuan germat d, e, l, r, s, z.”

4. Mid’hat Frashëri, me formim iluminist, e sheh shpëtimin e gjuhës e të kombit te hapja e shkollave shqipe. Ai shkruan i indinjuar “Po m’i madh’ i turpeve, është të mospasurit shkolla shqip! Qysh mund të jemi shqiptarë, pa mësuar mirë në shkolla gjuhën e bukur, që flet mëma dhe áti? Qysh mund të quhemi të qytetëruar, pa punuar gjuhën tonë? Pa pasur libra në të? Gjuha harrohet, po s’qe e shkruar në libra dhe një komb, po të humbasë gjuhën, humbet dhe kombësinë.”

Dhe me të drejtë ngre zërin për gjendjen e shkollimit në trojet shqipfolëse në fundin e shekullit XIX. Ai shkruan (më 1899) se “Është vërtet dëm i madh në këtë shekull, që gjithë kombet kanë shkolla dhe fletore në gjuhët e tyre, ne shqiptarët rrimë të paqytetëruar! Pa vajtur në shkollë e pa mësuar, qysh do të shquhemi nga të egërit? Na dridhet zemra kur mendojmë që grekët, turqit, bullgarët dhe serbët kanë me qindra shkolla në vendit tonë dhe ne s’kemi më tepër se dy! Të huajt vijnë ndër ne, çelin shkolla dhe ne shqiptarët hyjmë n’ato, mësojmë gjuhën e huaj dhe kështu humbasim kombësinë tonë! Të huajt, duke parë që ca shqiptarë mësojnë gjuhën’ e tyre, pa pasur turp thonë që ai vend i Shqipërisë, duhet bashkuar me të huajin; nga ai shkak, greku thotë që Janina është imja, serbi thotë kështu për Kosovën dhe bullgari kërkon Manastirin!”

Duke njohur, si rrallë tjetër gjendjen e shqiptarëve dhe synimet e fqinjëve për copëtimin e trojeve, ai e sheh të domosdoshme dhe shpëtimtare nga kjo gjendje hapjen e shkollave shqipe. Ai shkruan se “Duke mos pasur shkolla shqip, ca nga ca harrojmë gjuhën tonë: në anët e Gjirokastrës flasin greqisht dhe në Tetovë e në Prizren turqisht e sllavisht! Të kishim shkolla, s’bëhej kjo mynxyrë. Do kuptuar mirë kjo fjalë: duke humbur gjuhën, humbet dhe kombësinë njeriu. Nuk besoj të mos e dini të tërë, që jemi në gojë t’ujkut, se greku, bullgari, serbi dhe malazezi duan të na zhbëjnë.”

“Ç’FITUAM NGA KONGRESI I MANASTIRIT?”

5. Në artikullin “Ç’fituam nga Kongresi i Manastirit?”, botuar në gazeta “Lirija”, 1908, Mid’hat Frashëri e vlerëson lart këtë ngjarje historike dhe shkruan se “Kongresi u godit fort mirë, se pemët e tij na kënaqën të gjithëve. Tani, pra, themi se shkrimi i gjuhës sonë u rregullua, themi se abeceja u njësua; tani do të mbledhim gjithë fuqinë, për të shkruar dhe për të përparuar gjuhën, pa humbur kohën në zihje e në grindje të abeceve. Tani gjithë dëshira jonë do të jetë për të sjellë në dritë vepra të nevojshme, për të përhapur mësimin dhe për të lulëzuar gjuhën, libra shkollarë, diturakë dhe letrarë… Ky bashkim i abeceve, kjo ndarje nga një çështje bizantine, që na nxinte faqen gjer më sot, është pema e parë e kongresit.”

Dhe vazhdon më tej vlerësimin për këtë ngjarje, duke nënvizuar: “Po ka dhe një pemë tjetër, që është mbase më e madhe dhe më e bukur. Edhe kjo pemë është bashkimi i shqiptarëve. Vërtet gjer më sot kombi ynë s’ishte bashkuar, për të bërë një punë të duhur për vendin. Ishte, pra, një ngjarje e re për ne kjo mbledhje, ku pamë shqiptarë të ardhur nga veriu e nga jugu, nga lindja e nga perëndimi, ku pamë krah për krah gegë e toskë, të krishterë dhe myslimanë, hoxhë dhe priftërinj. Ahere kuptuam se vërtet paska një komb dhe se vërtet ky komb qenka i gjallë!”

Artikullin e përshkruan fund e krye besimi, shpresa, e ardhmja e kombit shqiptar. M. Frashëri shkruan në mbyllje se “Dhëntë pra zoti dhe ky kongres qoftë si themel i një bashkimi të përjetshëm, si agim i një jete të re, i një jetë urtësie dhe vëllazërie. Oh, tani që i pamë shqiptarët bashkë, tani shpresën e kemi të fortë, tani zemrën e kemi të ngrohtë! Tani dimë që qenkemi dhe ne të zotë për urtësi dhe për bashkim. Një vëllazëri në mes të mendjeve dhe të zemrave tona u rrënjos; dhe ato rrënjë do të na japin gjithnjë fuqi të re. Mbledhja e Manastirit, sikundër na rrëfeu neve fuqinë tonë, ashtu dhe botës u tregoi qenien dhe rrojtjen e një kombi shqiptar. Bota, që na pandehte se s’jemi të zotë për asnjë vepër qytetarie, ajo botë, ndër të edhe armiqtë tanë, kuptoi tani që shqiptarët s’qenkan ashtu si i pandehnin, s’qenkan aq “të egër” sa thuhej. Ky kongres, kjo shenjë e parë që dhamë për qytetari, na shtoi nder përpara syve tanë dhe përpara syve të botës. Le të tregohemi, pra, gjithnjë të zotë, që ta mbajmë dhe ta shtojmë këtë nder.”

GJUHA E PËRBASHKËT LETRARE DHE GJUHA E ZYRTARE E SHTETIT TË PAVARUR SHQIPTAR

Një nga problemet më të rrahura në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX është dhe ai i gjuhës së përbashkët letrare, i gjuhës zyrtare i shtetit të pavarur shqiptar. Më 1 prill 1909, pak muaj pas Kongresit të Alfabetit, që u mbajt në 14-22 nëntor të vitit 1908, Mitat Frashëri shkruan artikullin A do të kemi një të vetëm gjuhë literare shqip, ku, ndër të tjera thekson se “Në mes të kaqë vështirave të tjera, kemi dhe ndarjen e gjuhës’ sënë. Sa- do-që gjuha është një dh’e vetme, s’mund të mohohetë ndryshimi i madh që është në mes të dy dialekteve toskë dhe gegë, pa numëruarë dhe nënëdialektet e tjerë. Sot po shkrojmë pothua në çdo dialekt dhe shumë herë një librë mbetet e pakuptuarë prej të tjerëvet. Për një komb të vogëlë dhe të dobëtë si ne, kjo ndarje dhe çarje është një e vështir’ e madhe, një rezik i vërtetë, që s’muntta shikojmë me gjak të ftohtë. Është, pra, nevoj’ e madhe që të kemi për shqipen tënë në të shkruar një të vetëm dialekt, një të vetëm gjuhë literate, e cila nxihet dhe të përdoret prej tërë kombit tënë, si kundrë që të gjithë kombet e qytetëruarë një të vetëm dialekt letrar kanë.”

Dhe më tej ndalet te zgjidhja. Ai pyet “ Cila do të jetë ky dialekt? A do të marrim një nga të dy degat e mbëdha të sotme -toskërishten a gegërishten a po do të marrim no një dialekt në mes të dyvet? Është thënë shumë herë që të miret dialekti i Elbasanit, si një gjuh’ e përmesme dh’ e kuptuarishme prej të gjithë shqipëtarëvet. Për këtë qëllim do të shkruhesh dhe të nxihesh dialekt’ i Elbasanit – a no një tjatër afërë – ashtu si flitet prej popullit a me pak ndryshim? Po na edhe një e vështirë tjatër: këtë dialekt të përgjithshim, kush do të na e mësojë? Sot për sot as no një veprë të madhe kemi në gjuhë t’Elbasanit, as no një shkronjëtore kemi, që të na rrëfejë në fjjeshtësi tëntyrev rregullat e asaj gjuhe. I vetëmi shkronjës nga Elbasani, Kristoforidhi, ka përdorur jo dialektin e vendit të tij, po një gjuhë të përzjerë. Edhe pa një veprë të mirë, pa një udhëheqës të mbaruarë, s’munt të mësohet me gjithë bukurit’ e saj një gjuhë letrare.”

Për të dhënë një përgjigje sa më të argumentuar, “për të paturë një zgjidhje të kësaj çështjeje kaqë të rëndë për ne (kupto kaq të rëndësishme V. M.,), ai i drejtohet Gjergj Pekmezit, njërit nga njerëzit që “kanë bërë studime mbi gjuhët dhe dialektet shqipe”, i cili, ndër të tjera, në vitin 1908 kishte botuar një gramatikë të gjuhës shqipe në Vjenë. Ky gjuhëtar i kthente përgjigje, të cilën M. Frashëri e ka përfshirë tek artikulli A do të kemi një të vetëm gjuhë literare shqip. Po ndalem pak gjatë në këtë artikull, sepse gabimisht pjesa dërrmuese e tij në vëllimin e parë të veprave të zgjedhura, të këti personaliteti historik jepet si shkrim i tij, por nga ballafaqimi me artikulli në revistën Diturija” ai i përket Gjegj Pekmezit. Me pak fjalë M. Frashëri ka kthyer përgjigje përmes fjalëve të gjuhëtarit të njohur.  Gjergj Pekmezi shkruan se “Sot përdoren, sikundër e dini fort mirë, të dy dialektet (ndënëfolijet) gegërishteja dhe toskërishteja si gjuhëra literare (të përbashkëta) ndë Shqipëri, njëri ndë Gegëri e tjetëri ndë Toskëri, njëri ka për themel dialektin e Shkodrës, tjetri munt të thuhet, disa dialekte të Toskërisë.”

Sipas këtij gjuhëtari, “ gjuha letrare (e përgjithçime) e Gegërisë ka për themel dialektin e Shkodrës, sepse të tërë shkrimtarët të Gegërisë a po ata që janë mësonjës së gjuhës shqipe ndë Gegëri, a janë Shkodranë a po kanë qenë atje nga disa vjet, dyke nxënë ndë ndo një shkollë të Shkodrës. Të vetëmen shtypshkronjë, që kemi pasur gjer sot në Shqipëri, ka qenë edhe është ndë Shkodër, ku janë shtypur shumë libra të kishës, të shkruara shkodranisht, të cilat janë përdorur dhe përdoren prej katolikëve. Po jo vetëm librat e kishës, por edhe librat e shkollës janë shkruar prej shkodranëve, më të pastajmet, kanë përdorur, mjerisht, orthografinë (drejtshkrimin) e të ndyerit Kristoforidhi, e ashtu duket gjuha si fare e huaj, një gjuhë që s’flitet asgjëkundi në Shqipëri; shumë kanë vuajtur mësonjësit me këta libra, dyke i ndërtuar sipas gjuhës, qi flitet, për të lehtësuar mësimin ndë shkollë. Duket sheshazi se burimi i gjuhës letrare të Gegërisë është dialekti i Shkodrës.”

Kurse për arealin gjuhësor jugor po ky gjuhëtar shkruan se “Në Toskëri, përkundrazi, kanë dalë shkrimtarë prej disa këndeve të Toskërisë e prandaj gjuha letrare e Toskërisë është një kullim jo vetëm i një dialekti të Toskërisë, por i disave. Munt të thuhet se dialektet e Gegërisë janë shumë më larg njëri prej tjetrit sesa dialektet e Toskërisë; shkajkun e sheh kushdo, po të hedhi një vështrim mbi një kartë dheshkronje po shumë më lehtë do të kuptoj, ay, që ka qenë ndë ato vise dhe qi njef marrëdhënjen ndër mest të gegëvet e të toskëvet.”

Gjithnjë sipas Gjergj Pekmezit, “Kështu gjindet sot çështija e gjuhës letrare, më duket mua, se sa për sot është edhe mirë që përdoren, kështu si thamë, këto dy dialekte në Shqipëri, ndryshe do të ishte shumë më rëndë për përlindjen tonë. Për të lehtësuar mësimin, do të ishte nevojë cili-do mësonjës të përdori jo vetëm ndë Gegëri gegërishten e ndë Toskëri toskërishten, po edhe atë dialekt që e flet ay, që do të mësohet t’a shkruaj, e t’a këndoj gjuhën e ti. Përveç kësaj, edhe vetëm ndërimi i një pune prej kaqë vjetëve është, pas mendjes sime, për sot as i mirë, as që munt të bëhet për nji herë.”

MIDHAD FRASHËRIT DHE PROBLEME TË KULTURËS SË GJUHËS

Pasi bën parashtrimet e nevojshme, të pasqyruar në shkrimin e M. Frashërit A do tëkemi një të vetëm gjuhë literare shqip, Gjergj Pekmezi nënvizon se “Por, më tjatër anë, këto që thamë, as pak s’munt të na ndalojnë që tashi të nisim e të mendohemi përmbi një gjuhë të përgjithshime, e cila të jet’ për të tërë Shqiptarët, sikundër që kanë bërë kombet e qytetëruarë, me të tjera fjalë, të mendohemi përmbi shërimin e një plage aq të rezikshme për më shpejt. Është e rrezikshme, thashë, sepse neve, si gegë ashtu edhe toskë, si të krishterë ashtu edhe muhamedanë një komp jemi, edhe një komp lypset të jetë si një trup (korp), një trup që ka një shpirt, edhe shpirti i një kombi është gjuha që flet, gjuha jonë është kuptohet vetëm një gjuhë, e ka dialekte, sikundër kanë të të tëra gjuhët të botës, pandajza edhe gjuha literare të jetë nji, si gjuha ashtu edhe veglat e gjuhës lypseshe të ishnin një soj, dua të them, se do të ishte mirë të kishim vetëm një alfabet, vetëm një orthografi (drejtshkrim), një terminologji për dituritë etj., se një komp kaqë i vogël, si kundër që jemi sot ne, të jetë i ndarë, të mos jetë ndër punë të gjuhës i bashkuar, do-me-thënë, ay s’munt të roj, e do mos do sot a nesër do ta hanë kombet, që e kanë pranë.”

Që të krijohet një gjuhë e përgjithshime, duke u ngritur mbi të folmen qendrore të shqipes (nënkupto elbasanishten), sipas Gj. Pekmezit, në radhë të parë kjo e folme duhet njihet, të studiohet, të përpunohet e të mësohet. Ai shkruan se “Po si munt të vërtetohet kjo dëshirë kaqë e nevojshme? Si kundër thamë, që të dy këto gjuhëra literare, që përdoren sot në Shqipëri e kanë burimin e tyre afro ndër anat e Shqipërisë; qendri i Shqipërisë mjerisht na ka mbetur fare e huaj a po i pa njohur; dialektet e qendrit të Shqipërisë që janë pa dyshim më të kthjelltë, nuk i dimë, a po më mirë të themi, palcën e shqipes, s’e njohim as pak, po për të vërtetuar dëshirën e nevojshme që e përmendmë, lypset do mos do ndë vent të parë qendrin e gjuhës t’a njohim e t’a mësojmë dhe ashtu, pa dyshim, dyke mësuar, do të mundemi me kohë ta gjejmë ndër këto dialekte të qendrit, edhe kërthizën e gjuhës sonë, të cilën duhet t’a mësohim e pastaj t’a përhapim ndë për tërë Shqipëri. Këtë themel për gjuhën literare nga dalë lypset t’a forcojm pastaj, dyke marë lëndë të mirë e të bukurë prej të tjerëve dialekte të Shqipërisë. 

Në këtë artikull të M. Frashërit, gjejmë dhe një çështje tjetër thelbësore të trajtuar nga Gj. Pekmezi, atë të rolit të shkollës e të librit në përhapjen e variantit të përgjithshëm a të një gjuhe të vetme letrare shqipe. Ai shkruan se “Pas këti dialektit lypsen shkruar edhe tërë librat e shkollës. Ndë Shqipëri të mesme, pra lypset të dërgojm njerëz të njoftun pak me filologjin, që t’a mësojn atje gjuhën, a po regullat e gjuhës, jo vetëm të gramatikës (shkronjëtores), po ca më tepër të sintaksit, të mbledhin e të shtypin shumë përalla, kënga e të thëna të popullit, po shkruar ashtu si kundër i kallëxon populli, që pas pak kohe të kemi një thesor të bukur e të madh. Kjo është e vetmja mëndyrë, pas mendjes sime, për të shpëtuar prej një rreziku të madh fort.”

7. Midhad Frashërit në artikuj të ndryshëm trajton dhe probleme të kulturës së gjuhës. Në shkrime si “Thjeshtësija është bukuri në gjuhë”, “Shqip kuvendojmë, apo çorbë trazojmë” etj., thotë se gjuhën duhet ta ruajmë, ta mbajmë gjallë e të pastër nëpër burimet e saj. Sipas tij, “Një shqiptar kur merr pendën në dorë dhe zë të shkruajë, një mijë të vështira i dalin përpara: nuk gjen dot fjalë, nuk i lidh dot këto fjalë dhe të shumtave s’u di ortografinë. Duke qenë se gjuhën e flasim, këto të vështira e çuditin njeriun dhe mestohet pse ca gjuhë që nuk i di dhe aq mirë për të folur, i shkruan më lehtë dhe më drejt. Ndaj “Çdo shqiptar ka për detyrë të përpiqet të flasë dhe të shkruajë drejt dhe pastër gjuhën e tij”

Për këtë studiuesi Emil Lafe shkruan se “Lumo Skëndoja nuk merr përsipër të jetë ai vetë magjistri i normës letrare, por u bën të ditur lexuesve gramatikat kryesore të shqipes të botuara deri në atë kohë (e K. Kristoforidhit, e S. Frashërit, e P. Vasës, e G. Meyer-it, e Gj. Pekmezit) “që munt të këndohenë me shumë fitim”, duke veçuar në këtë mes “Shkronjëtoren” e Samiut, si “një shkronjëtore e mbaruarë që çdo Shqipëtar duhet ta këndoj dhe ta studojë me shumë re.” Ai ankohet se “mjerisht gjer më sot s’kemi akoma nonjë sintaks për gjuhët tënë dhe ay që të nisnjë përmbledhjen e një libre së tillë jemi sigurë që do t’i bënjë një shërbim të math shqipesë.”

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT