• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2024

Shumëfishësia e 28 Nëntorit

November 25, 2024 by s p

Dr. Emira Bajçinca- Konjufca/

Kuptimet e 28 Nëntorit janë shumëdimensionale andaj të tilla duhet të jenë edhe perspektivat e studimit të tij. Së pari kjo datë duhet të shtjellohet nga dimensioni i përfytyrimit kolektiv shqiptar. Qysh nga rezistenca e Gjergj Kastriotit përvijohet një koncept embrional i një formacioni arbëror (parashqiptar). Çka i priu 28 Nëntorit? Ngjeshje dhe sublimim i ç’përpjekjesh e ideshë shekullore është Dita e Flamurit?

Ahistorizmi ka të bëjë me strukturën e imagjinares identitare e cila e supozon ekzistencën e përhershme të një ‘Shqipërie’ që është atdheu legjitim i shqiptarëve. Shqipëria perceptohet si Iliria e dikurshme e cila është transformuar gjatë mesjetës si Arbërí, por e cila doli në modernitet me identitet kolektiv të vetëdijshëm.

Sipas kësaj skeme Shqipëria ekzistonte edhe gjatë mesjetës, dhe u konfirmua fuqishëm gjatë luftërave të Skënderbeut kundër pushtimit otoman. Sipas Hyllit të Dritës Skënderbeu po e mbronte ‘Shqipërinë’. Një ‘Shqipëri’, pra, e cila ekzistonte tashmë. Në anën tjetër Perandoria Osmane pretendohet se e pushtoi dhe e ‘copëtoi’ këtë ‘Shqipëri’ kur e organizoi popullin shqiptar në 4 vilajete.

Po ashtu, kjo ‘Shqipëri’ imagjinare u ‘copëtua’ tutje nga Kongresi i Berlinit dhe ky fat tragjik vazhdoi edhe me Konferencën e Londrës. Vendoset pra një ‘Shqipëri’ e sigurtë por ahistorike, një ‘Shqipëri’ imagjinare e cila konstruktohet gjithmonë në pozicion pësor. Kaluan mbi të armiqtë më të ashpër e perandoritë e shumta të botës. E pushtuan, e robëruan, e dhunuan dhe e shfrytëzuan, e copëtuan dhe e sakatosën, por ajo vazhdon të ekzistojë si koncept i pastër.

Ky koncept i pastër i ‘Shqipërisë’ ahistorike dhe imagjinare u farkëtua gjatë Rilindjes Kombëtare. Konceptet e Hyllit të Dritës duhet të situohen plotësisht brenda ligjërimit të Rilindjes Kombëtare. Kësaj Shqipërie në një nga poezitë e tij kushtuar 28 Nëntorit, Gj. Fishta ia jep edhe kufijtë e vet natyrorë:

Po, por neser, me nihmë t’Zotit

Do t’a bâjm prap Shqypnië t’lirë

Prej Prevezet m’Leqe t’Hotit,

Prej Tivarit n’Monastirë;

Edhè flamuri i Shqypniës,

Si flakë mnije t’Perendiës,

Do t’valvitet m’Kaçanik.[1]

Një qasje e dytë na orienton që 28 Nëntorin duhet ta shqyrtojmë nga aspekti i kohës së vet. Përderisa etapa e parë e përfytyrimit kolektiv përshkohet nga kodi romantik, dëshmitë e shumta të protagonistëve dhe eksponentëve të 28 Nëntorit tregojnë për të gjitha komplikimet e mundshme. Kjo është një perspektivë realiste e mbushur me kundërthënie e gabime, inate, luftëra politike e intriga nga ku mund ta shquajmë kontrastin e plotë të realitetit të egër politik me idealin e përfytyrimit romantik.

Ismail Qemali e braktisi Shqipërinë në favor të një protektorati ndërkombëtar dhe fati i Shqipërisë deri në përfundim të Luftës së Parë Botërore rrugëtoi nëpër fijen e perit. Fuqitë e Mëdha, vendosën që princi i ardhshëm i Shqipërisë të propozohej nga Austro-Hungaria dhe Italia. Më 28 nëntor të vitit 1913 u vendos që princi i Shqipërisë të ishte Wilhelm-i i Wied-it. Ky vendim pati jehonë pozitive në qarqet përparimtare shqiptare[2].

Një rrafsh i tretë ka të bëjë me shndërrimet e shumëfishta të 28 Nëntorit shikuar nga analiza e diskursit të pushteteve historike. Mbretëria zogiste e strukturoi duke e nënvlerësuar rolin e atyre revolucionarëve qe iu bënë ‘kundërshtarë’ kurse komunizmi i vuri në spikamë figurat e ‘vegjëlisë’ në kurriz të ‘feudalëve reaksionarë’ dhe ‘borgjezëve kolaboracionistë’.

Por 28 Nëntori gjithmonë triumfon. Ai është ndjesia kolektive e identitetit që do të festohet përgjithmonë, pavarësisht konteksteve historike, rrjedhave shoqërore apo ngjarjeve të ndryshme politike.

Ngritja e flamurit në Vlorë ishte një projekt i planifikuar dhe i organizuar mbarëkombëtar me synim të ‘shpalljes së pavarësisë’. Ky nuk ishte një flamur i ngritur pas betejës thjesht për ta konfirmuar fitoren apo identitetin. 28 Nëntori ishte projekt politik për mëvehtësi. Së dyti – 28 Nëntori, ndryshe nga ngjarjet e mëparshme, u njoh nga disa faktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë. Dhe – së treti – ngjarjet e deriatëhershme nuk maten me 28 Nëntorin për nga entuziazmi dhe jehona mbarëkombëtare që ngjalli dhe mobilizoi.[3]


[1] Hylli i Dritës (Nr. 2, 1921), fq. 71.

[2] Duka, Valentina Duka, Histori e Shqipërisë 1912- 2000, (Kristalina KH, Tiranë, 2007), fq.53.

[3] Shih Hylli i Dritës (Nr. 11, 1937), fq. 527.

Filed Under: Komente Tagged With: Dr. Emira Bajçinca- Konjufca

Flamuri kuq e zi valëvitet për të 18-in vit nëpër gjithë Nju Jorkun nga Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit

November 25, 2024 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Do të marr një fjongo Dielli,

Që t’ja lidhë foshnjës në djep,

Dritë t’i bej botës ku jemi,

Kuq e zi cep më cep.

Sa bukur të mblidhesh dhe të nderosh Ditën e Shenjtë të Flamurit Kombëtar!

Ne jemi në vitin e 18-të që e festojmë së bashku filluar me Shkollën Shqipe në Staten Island që është dhe fidanishtja e Alba Life. E pamundur të përmbledhësh gjithë programet e shumta nga shkollat nëpër New York. Ka qenë një vit plot sfida dhe suksese. Por për këtë vit do të ndalem vetëm në ditët historike në Parlamenin e Nju Jorkut në Albany dhe në Parlamentin e Kosovës. Për herë të parë në historinë e Diasporës, në historinë e politikës amerikane dhe në institucionet më të larta qeveritare vlerësohen dhe çmohen Shkollat Shqipe “Alba Life”, çka na bën të ndihemi krenar, por dhe për Amerikën, shtëpinë tonë të dytë që na mirëpriti dhe vlerësoi punën tonë si shqiptarë. Shkollat tona kanë kryer një sërë aktivitetesh gjate gjithe këtyre viteve që kulmuan me Rezolutën për TV dhe Shkollat Shqipe “Alba Life” të miratuar nga Parlamenti dhe Senati Amerikan.

Në korrik të këtij viti stafi i Shkollave Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit në New York dhe në Online u mirëprit në Kuvendin e Republikës së Kosovës me ftesë nga Kryetari i saj z. Glauk Konjufca. Ishte krenari për ne si shkollat të vlerësohemi nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës. Dukej një udhëtim i bukur i ëndërrt brenda disa muajsh, nga Parlamenti i Nju Jorkut tek Parlamenti i Kosovës martire. Këto takime dhe vlerësime na shtojnë përkushtimin tonë më shumë si misionarë dhe janë shumë frymëzuese.

Në emër të gjithë stafit, mësueseve, prindërve dhe nxënësve të Shkollave Shqipe “Alba Life” i shprehim mirënjohjen e thellë Zotit Konjufca dhe i urojmë punë të mbarë në vitet në vazhdim në Kuvend.

Sot le të festojmë me krenari Diten e Shenjtë të Pavarësisë së Shqipërisë ku plaku i urtë Ismail Qemali së bashku me Is Boletinin dhe popullin mbarë kombëtar ngritën Flamurin në Vlorë.

Me duatrokitje u mirëpriten në disa shkolla hyrjet e nxënësve të shkollave nën tingujt e këngës së famshme Për Mëmëdhenë, Për Mëmëdhenë shkruar nga Mihal Grameno viti 1907, 117 vjet më parë: Të gjithë u çuan në këmbë për të intepretuar Himnin e Flamurit Kombëtar dhe Amerikan

Ne Bronx Zoti Qemal Zylo themelues dhe drejtues i TV dhe Shkollave shqipe “Alba Life” i cili mban titullin e lartë: Kalorësi i Urdhrit të Flamurit dhënë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë falënderoi të gjithë të pranishmit dhe iu uroi nxënësve, mësueseve, prindërve dhe të ftuareve Ditën e Shenjtë të Flamurit.

Në Bronx ishin disa miq të ftuar si znj.Ornela Beshiri, një zonjë inteleketuale e nderuar e cila përshëndeti në emër të Ansambleistit John Zaccaro Jr. Është nder dhe privilegj për gjithë Shkollat Shqipe “Alba Life” që z. John Zaccaro Jr. na ka mbështetur vazhdimisht. Ai është një politikan i mirënjohur amerikan dhe që shërben si anëtar i Asamblesë së Shtetit të New York-ut për distriktin e 80-të.

Programi ka vazhduar në të gjitha shkollat me Himnin e Shkollës Shqipe kompozuar nga prof. Petrika Melo dhe tekst nga K. Zylo.

Në emër të Konsullatës së Shqipërisë në Manhattan përshëndeti zonja Valentina Loka Konsulle e Republikës së Shqipërisë në New York të cilës i shprehim mirënjohjen tonë të vazhdueshme.

Nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Manhattan përshëndeti diplomati Besim Berisha, ku shteti i Kosovës gjithmonë ka qenë i vëmendshem për Shkollat Shqipe “Alba Life”, midis tyre do të ngelet historike vizita e Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.

Në Bronx në këtë ditë të shenjtë ishte gazetari i shquar dhe ikona e skenës televizive, ish Ambassador në Suedi z. Virgjil Kule, shoqëruar nga bashkëshortja e tij znj. Mimoza Kule demokrate e orëve të para dhe një aktiviste e mirënjohur në Diasporë.

Z. Kule punoi për një kohë të gjatë në Televizionin Shqiptar si gazetar, folës dhe drejtor i këtij institucioni. Ka drejtuar televizione private dhe një studio komplekse multimediale. Zëri brilant I Kules është i pranishëm në dokumentarët televizivë. Ndërsa iu drejtua skenës u mirëprit nga moderatorja Zylo duke intepretuar vargjet e poetit të shquar Ali Asllanit shkruar në vitin 1919 si:

Jam vlonjat e jam burrë/ s’duron burri zgjedhë kurrë/ jam vlonjat e si vlonjat/ di t’bëj luftë me të shtat’/ Vlora, Vlora, Vlora, Vlora/ Bjer, moj, t’u lumtë dora/ Jam vlonjat dhe trim me besë, rreth flamurit di e vdesë/a me hir, a me pahirë/ doemos do rroj i lirë!

Z. Kule i përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe midis të tjerash tha se shumë hymne kombëtare në botë, janë me luftra, gjak, heroizma, por shpresoj që të mos kemi më luftra, por paqe. Me pëlqen Himni i Europës që është paqësor dhe me vargje gëzimi. Himni i Evropës i njohur ndryshe edhe si Himni i Gëzimit ose Ode Gëzimi (Titulli origjinal Gjermanisht: “An die Freude”) është himni i Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian, e ku që të dyja i referohen asaj si Himni i Evropës.

Mësueset profesioniste si Helena Ujkaj, Albana Lazri dhe Erinda Isufaj të cilat janë plot përvojë, përkushtim, atdhetarizëm besnike të Misionit Kombëtar drejtuar nga Shkollat Shqipe “Alba Life” sollën nxënësit në skenë duke interpretuar poezi të ndryshme nga autorë të shquar. Ndersa i prezantoja në skenë këto mësuese në mendje më vinin vargjet nga poeti i shquar i Kombit Agim Shehu i cili shkruan: Dorën e vogël, mësuesi në klasë/ folé zogu ma mbante në dorën e vet…/ Ngjita këmbët e vogla te këmba e “A”-së/ dhe u nisa në jetë…

Në Brooklyn mësueset e nderuara, të interesuara, patriote, të talentuara si Fatlinda Bajcinca Gashi e cila vjen me përvojën e Prishtinës dhe nga Komuniteti Europian dhe Rozeta Hyseni me përvojën e Tiranës me asistente Sarah Bandilli dhanë një program serioz bashkë me nxënësit për Atdheun, Flamurin dhe Gjuhën Shqipe.

Ndërsa në Staten Island nxënësit e mësuese Entela Mudes, Elona Shkretës me asistente Aida Hajrin nderuan sot Flamurin Kombëtar me këngë e valle patriotike. Këto mëuese të dashura sjellin përvojën e tyre profesionale dhe asistojnë me kulturë dhe devotshmëri pranë klasave për të realizuar Misionin Kombëtar. Në këtë ditë të shtunë, programi festiv u ndoq dhe u përshëndet nga Dr. Valbona Zylo Watkins.

Në Queens nxënësit interpretuan poezi të ndryshme dhe kërcyen valle tradicionale përgatitur nga mësuesja profesioniste Vjollca Skënderi.

Himni i Flamurit u intepretua aq ëmbël dhe nga vogëlushja Besa Bexheti, Lulja e Dukagjinit nga Eliona Shala, vallet nëpër shkollat, si vallja e Drenicës, Vallja Kuq e Zi, Vallja e Tropojës, Valle e Pogonishtes, “Sot ka festë Kosova, Vallja e Flamurit, Vallja e Katjushkës etj, tundën skenat nëpër New York.

Kenga aq popullore si “Xhamadani vija vija” solli në skenë gjithë nxënësit, prindërit, mësuesit interpretuar mjeshtërisht nga artistja e shquar Valbona Peraj, e cila drejtoi artistikisht gjithë programin.

Sipas traditës u nda torta e Pavarësisë, Pavarësinë që festuam së bashku në 112 Vjetorin e saj. Faleminderit Mirela Arifaj për përgatitjen e tortës, mirënjohje Albana, Meri, Gjergji, Restjald nxënëses së talentuar Sarah dhe shumë të tjerë për mbështetjen, gjithmonë!

Në këto ceremoni të nivelit të lartë, surprizë e këndshme ishte ardhja e dy ish asistenteve Blenda Shehut dhe Erlinda Shala të cilat sot janë studente në Manhattan dhe na bëjnë krenar që nuk i harrojnë vitet që kaluan dhe rrënjët në këto shkolla prestigjioze në gjithë Diasporën.

Filmimi i aktivitetit në Bronx u realizua nga media e famshme “Alba Pro” me pronar Amir Suka me pesë cmime Emmy ku kameraman ishte profesionisti i talentuar Shug Dule, ne DJ ishte mjeshtri Odise Salillari, anëtar i stafit të TV “Alba Life”. Në këtë koncert nderoi me pjesëmarrjen e tij z. Qazim Doda nga TV A A Vision.

Flamuri kuq e zi u valëvit për të 18-in vit nëpër gjithë Nju Jorkun nga Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, kuq e zi cep më cep.

23 Nëntor, 2024

New York

Filed Under: Emigracion

VATRA në Boston promovoi librat e shkrimtarëve Aristotel Mici dhe Namik Selmani përpara komunitetit shqiptar!

November 25, 2024 by s p

Flamur Vezaj/

Në nder të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, VATRA në Boston organizoi një aktivitet të veçantë për promovimin e librave të dy shkrimtarëve të njohur të komunitetit tonë, z. Aristotel Mici dhe z. Namik Selmani. Ngjarja u mbajt në ambientet e bibliotekës së njohur të qytetit Quincy, “Thomas Crane Public Library”, në jug të Bostonit. Komuniteti shqiptar u mblodh për të dëgjuar prezantimin e veprave të autorëve, të cilat u priten me interes të madh.

Aktivitetin e hapi kryetari i VATRES në Boston, z. Mentor Maksutaj, i cili falënderoi dy shkrimtarët për veprat e tyre të mrekullueshme. Ai theksoi rëndësinë e mbështetjes së autorëve shqiptarë përmes promovimit dhe botimit të librave të tyre. “VATRA Boston, me ndihmën e donatorëve, bëri të mundur botimin dhe sjelljen e këtyre librave në Boston. Ky është një hap i rëndësishëm për të vazhduar traditën e promovimit të kulturës shqiptare dhe për të ndihmuar edukimin e brezave të rinj këtu në Shtetet e Bashkuara,” u shpreh z. Maksutaj.

Pas fjalës së tij, moderatorja e eventit, znj. Lindita Meçe, njëherazi anëtare e kryesisë së VATRES, ftoi vatranin z. Ervis Dhima për të prezantuar librat e prof. Aristotel Micit. Dhima bëri një përmbledhje të veprave të autorit, duke ndarë detaje interesante nga karriera e tij. Prof. Mici më pas ndau me publikun detaje nga libri i tij, “Karvani i Pavarësisë”, ku përshkruhet rrugëtimi historik i Ismail Qemalit deri në ngritjen e Flamurit në Vlorë, më 28 nëntor 1912. Ai tregoi për personazhet e librit dhe bisedat e tyre të siguruara nga dëshmitar të asaj kohe!

Moderatorja Meçe vazhdoi me prezantimin e punës së shkrimtarit Namik Selmani. Për veprën e tij, “Një jetë me Skënderbeun – Një zonjë angleze e dashuruar me Skënderbeun”, foli vatran Klajdi Haruni, i cili theksoi rëndësinë e këtij libri për çdo shqiptar, veçanërisht ata në diasporë. Ai tregoi për pasionin e zonjës angleze që për vite me radhë ka ruajtur dhe ekspozuar libra të rrallë mbi heroin tonë kombëtar. Ndërsa për jetën dhe veprat ndër vite te shkrimtarit Selmani, foli vatrani z.Albert Maksutaj, i cili renditi 70 botimet e zhanreve të ndryshme letrare të botuar nga shkrimtari!

Në vijim, shkrimtari Namik Selmani falënderoi organizatorët dhe foli me emocion për personazhin e librit të tij, duke e cilësuar atë si një shembull frymëzues të dashurisë për kulturën shqiptare. Duke dhënë me detaje bisedat dhe intervistën që ai ka bërë për të shkruar më pas këtë libër sa publicistik por edhe historik!

Në fund të aktivitetit, në emër të VATRES në Boston, znj. Meçe falënderoi z. Ervin Çifliku, pronarin e kompanisë “Henry Jasmin,” për transportin e librave të z. Selmani nga Shqipëria në SHBA, si dhe vatranin Subi Çako për kontributin e tij në blerjen dhe sjelljen e librave të z. Mici në Boston.

Kjo ngjarje tregoi edhe një herë rëndësinë e bashkimit të komunitetit shqiptar rreth kulturës dhe trashëgimisë sonë kombëtare.

Filed Under: Komunitet

Vatra bashkoi shqiptarët e Tampa Bay, Florida, në festën e Flamurit Kombëtar

November 25, 2024 by s p

Vatra Tampa Bay/

Vatra Tampa Bay organizoi mbrëmë, më 23 Nëntor, një mbrëmje festive me rastin e festave të Nëntorit. Qindra shqiptarë e shqiptare u bashkuan mbrëmë për të festuar këto festa të shënuara për kombin shqiptar.

Në fjalën e tij në emër të Vatra Tampa Bay, Prof. Dr. Bledar Prifti shprehu urimin e tij dhe falenderoi të pranishmit për pjesmarrjen dhe mbështetjen e tyre. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e identitetit kombëtar shqiptar si një element i rëndësishëm i cili përfshin historinë, gjuhën, besimin, kulturën, sakrificat, dhe aspiratat e të parëve tanë, aspiratat për një Shqipëri të fortë dhe të begatë me një të ardhme sa më të mirë për pasardhësit tanë kudo që janë. Në vijim, ai foli për Shkollën Shqipe Vatra e cila e ka bërë mision të saj mësimin e gjuhës shqipe tek të rinjtë, përcimin e vlerave dhe kulturës sonë, dhe promovimin e kauzës shqiptare në rajon dhe më tej.

Në fjalën e saj, drejtoresha e Shkollës Shqipe Vatra, Znj. Meri Andrea Kodra, ndau me të pranishmit një informacion më të detajuar në lidhje me aktivitetin e shkollës shqipe duke nënvizuar punën madhështore të bërë nga mësuesit Lida Zaimi, Aurora Deda, Ana Kullaj, Shega Hyka Mucaj, Arjana Poloska, dhe Haki Veliu. Ajo gjithashtu falenderoi prindërit dhe mbarë komunitetin për bështetjen e dhënë për të mirën e shkollës. Mbrëmja festive u bë e mundur fal punës së palodhshme të organizatorëve si znj. Eva Keta, z. Tasim Ruko, z. Mario Mihaj, dhe znj. Meri Andrea Kodra. Meriton të përmëndet gjithashtu edhe kontributi i jashtzakonshëm i znj. Lida Zaimi dhe i profesorit të muzikës, z. Armand Zacelici, të cilët përgatitën grupin e këngëve e valleve në një kohë shumë të shkurtër.

Vatra Tampa Bay bashkëpunoi me T&E Entertainment LLC për të bërë të mundur këtë mbrëmje festive, e cila u sponsorizua gjithashtu nga znj. Fotini Allteni, një mbështetëse e flaktë e komunitetit shqiptar në Tampa Bay dhe më gjërë. Në mbrëmje ishte e pranishme edhe përfaqësuesja ushtarake e Shqipërisë në US Central Command (USCENTCOM), znj. Albana Strori. Të pranishmit dëfryen nën tingujt e muzikës shqiptare të këngëtarëve të mirënjohur Eneda Tarifa, Aurora Baku, Sali Malaj, dhe Evelina Shabani. Vatra Tampa Bay i uron gjithë shqiptarëve anembanë botës Gëzuar Festat e Nëntorit, dhe Zoti e Bekoftë Kombin Shqiptar.

Filed Under: Analiza

Vatra Chicago bashkoi shqiptarët në festën e Flamurit Kombëtar

November 25, 2024 by s p

Vatra Chicago në bashkëpunim me Trojet Entertainment organizoi më 23 Nëntor Festën e Pavarësisë në Chicago në ambientet e Elm West Banquets. Të ftuar ishin këngëtarët Mariola dhe Jurgen Kaçani të cilët e ndezën atmosferen me këngë nga të gjitha trevat. Fjalën e hapjes e mbajti kryetarja e Vatra Chicago zonja Mirela Kanini e cila midis të tjerave tha: Festa e Pavarësisë është festa më e rëndësishme për të gjithë shqiptarët kudo që janë. Ne të diasporës e që jetojmë larg mëmëdheut jo vetëm që nuk e harrojmë kurrë atë por e ndjejmë të nevojshme të jemi pranë njëri tjetrit, të flasim shqip dhe të kërcejmë e këndojmë këngët tona”. Bukurinë mbrëmjes ia shtoi koncerti i vogël i hapjes i realizuar nga fëmijët e Grupit Arbëria. Kryesia e Vatrës po punon me intensitet që të sjellë sa më shumë aktivitete të larmishme patriotike dhe gjithëpërfshirëse për çdo grup moshe për të afruar sa më shumë komunitetin shqiptar me njëri-tjetrin. Zoti i bekoftë të gjithë shqiptarët kudo që janë. Gëzuar ditën e Pavarësisë! Gëzuar ditën e Flamurit!

Filed Under: Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT