• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2024

Dallimi mes Marrëveshjes së Ohrit (2023) dhe Traktatit Bazë Gjermano-Gjerman (1972)

November 22, 2024 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

Shumica e historianëve dhe ekspertëve të drejtës ndërkombëtare mendojnë se Traktati Bazë dhe Letra për Bashkimin e Gjermanisë janë dy dokumente që i hapën rrugën bashkimit paqësor të Republikës Federale të Gjermanisë në vitin 1990. Ky fakt vetë tregon se, jo vetëm përmbajtja që i dallon këto dy marrëveshje, por edhe synimi i Gjermanisë Perëndimore, i shprehur përmes letrës së unitetit, dëshmon qartë se këto dy marrëveshje as nuk mund të krahasohen dhe as nuk bëhen të krahasohen, e lëre më të zbatohen njëanshëm. Letra e Bërnabiqit është më e rrezikshme sesa është interpretuar deri më tani. Megjithatë, ajo ndjek një shembull dhe model të caktuar.

Pas përfundimit të procesit të ratifikimit në Bonn dhe Berlinin Lindor dhe shkëmbimit përkatës të notave, Traktati Bazë hyri në fuqi më 21 qershor 1973. Kur Gjykata Kushtetuese Federale, e thirrur nga Qeveria e Shtetit të Bavarisë, në 31 korrik, “në emër të popullit”, vendosi se ligji i traktatit për Traktatin Bazë “ishte në përputhje me Kushtetutën”, u kalua edhe pengesa e fundit.

Ndërkaq, Kosova pas Ohrit u sulmua ushtarakisht nga Serbia (rasti Banjska) dhe iu mundësua anëtarësimi në Këshillin e Evropës dhe as nuk ndodhi ndjonjë njohje prej 5 vendeve mosnjohëse të BE-së!

Foto: Të paktën njëri e kishte në mendje bashkimin gjerman: Egon Bahr (RFGJ) dhe Michael Kohl (RDGJ) gjatë konferencës për shtyp pas nënshkrimit të Traktatit Bazë midis Republikës Federale të Gjermanisë dhe RDGJ-së në Berlinin Lindor.

Filed Under: Analiza

Aleksandër Moisiu pas 89 vjetëve, po jetësohet në Morcote të Zvicrës

November 22, 2024 by s p

Dashnim HEBIBI/

Morcote, Zvicër – “Shikon, pra, që gjaku im i përket origjinës sime dhe origjina është ajo që thotë fjalën e fundit. Të shikosh shqiptarët në jetë duken si njerëz shumë të qetë, por gjithë ajo qetësi shnderrohet në fuqi luani e s’ka zot që i mban nëse dikush i prek në sedër ose në të drejtën e tyre…“ (Aleksandër Moisiu)

Faleminderit, kryetarit të Morcotes, stafit të tij, banorëve të kësaj komune dhe gjithë Zvicrës. Aty te Kodra e Artë në Morcote, aty te rruga më prestigjioze e komunës së Morcotes do të jetë edhe përmendorja e vendi i Aleksandër Moisiut. Rruga Riviera e Pavarësisë. Arritje e madhe! Ku mos me e nis me emocione këtë reportazh. Po pra, sikur e dinte Moisiu, se gjaku i tij nuk do ta harroj ate. Edhe pse kaluan shumë vite, hiq më pak se 89-të, që iku në amshim, edhe pse hiri i tij pushon në një vend larg Kavajës, ai sikur e diti, se në Zvicër, do ta kemi një numër të madh të bashkëkombasve të tij dhe do ti dërgojnë lule të freskëta në datëlindjen e tij dhe në përvjetor të ndarjes nga jeta. Deshtën apo nuk deshtën ta pranojnë, është aktori i merituar, Prof.Adem Kicaj, që njihet me modestinë e tij të madhe, shumë prej nesh e në mesin e tyre edhe mua, edhe ate hiq më pak se para 24 vjetëve, më ka mundësuar që të shkoj te varri i Moisiut dhe ta nderoj. Jo vetëm unë, por edhe shumë të tjerë. Z.Kicaj, që e mbante në zemër me vite e vite, se si të gjejmë mundësi, që ta jetësojmë me përmendore dhe me një shesh Moisiun sepse e ka idol, apo që jeton artistikisht me shpirtin e Moisiut. Tani ju plotësua kjo dëshirë e madhe e jetës dhe ai ndër të tjera më tha para miqve tanë, Remzi Durmishi, Musa Sylejmani, Rafet Ademi, Përparim Sabriu, se jam më i lumturi në këtë botë. Për çdo vjet me aq mundësi sa ka pasur, së bashku me studentët e shkollës së tij të aktrimit IFTP ka shkuar dhe ka vendosur lule dhe ka kujtuar me mall, vëllaun e tij të një gjuhe e gjaku, Moisiun. Jo rastësisht, edhe Adem Kicaj, për artëdashësit që jetojnë në diasporë, njihet edhe si Moisiu i ditëve tona. Ky projekt filloi në mars të këtij viti edhe ate në Morcote. Moisiu i ditëve tona, sepse ai gjithçka ka dhënë dhe jep për artin. Kësaj here nuk po ndalem në arritjet e Adem Kicaj, aktorit të merituar, sepse dihen. Por, po ndalemi te dita e madhe e 24 tetorit, kur na u lejua projekti për të pasur bustin dhe vendin-sheshin Moisiu në Morcote të Zvicrës, pak metra nga komuna dhe nga ku ai pushon. Për këtë nismë kemi nënshkrimet e nënshkruara në vendin ku pushon Moisiu dhe për këtë kemi shkruar muaj më parë. Pak kujt i ka shkuar mendja, se një ditë, do ta kemi një përmendore të aktorit në Morcote edhe ate me një vend special përballë liqenit i cili pushon në afërsi të këtij fshati të njohur jo vetëm në Zvicër por në gjithë botën për bukurinë e saj të magjishme. Kjo është Zvicra, ky është populli zviceran, që vlerëson projektet e mira për të mirë të shoqërisë. Dikush e din, se ku pushon dhe shumë të tjerë nuk e dijnë, por gjeneratat e reja do të mburren edhe më shumë, se hiri i tij është në Morcoten e Zvicrës, të këtij shteti mik të kombit tonë me mbi 400.000 bashkëkombas të të gjitha trevave shqiptare. Në këtë shtet, që rinia shqiptare po korrë suksese në tempuj të dijes por edhe në art e fusha të ndryshme biznesi. Kur na thërret zëri i Aleksandër Moisiut na shpon shpirtin dhe nisemi drejt Morcotes, së bashku me aktorin, regjisorin, drejtorin e shkollës së aktrimit IFTP me qendër në Zvicër, Prof. Adem Kicaj, pastaj, aktorin e menaxherin e IFTP, z. Musa Sylejmani për ta jetësuar bustin e Moisiut në Zvicrën mike. Me ne shpirtërisht janë edhe z. Rafet Ademi, Perparim Sabriu dhe shumë të tjerë, që kësaj here nuk mundën të jenë me ne për arsye të njohura, ose më mirë me thënë, shpirti i 400.000 shqiptarëve që jetojnë në Zvicër. Gjithashu na përcjell edhe përkrahja e tre ambasadorëve që janë në Zvicër, nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut dhe shumë personaliteteve. Atje na priti miku ynë, aktori e veprimtari i njohur, Remzi Durmishi me familjen e tij, ku jeton me familje. 

Takim shumë i rëndësishëm me të parin e Morcotes. Si herën e kaluar edhe kësaj here, ishte z.Remzi Durmishi ai që na mundësoi takimin me të parin e Morcotes. Padyshim, se familja Durmishi është model i integrimit në Zvicër. Edhe pse ishte ditë pune, nuk ka të ndalur që të realizohet ky  projekt. Duhet realizuar, se nuk bënë dhe e meriton. Aty në orën 12-të, u ndalëm te sofra e familjes Durmishi në rrethinën e Luganos me prejardhje nga Llapi, familje me traditë, ku nuk mundëm të largohemi pa ujë, bukë e zemër, ashtu siç e donë tradita! E pastaj drejt shtrëngimit të duarve me të parin e komunës së Morcotes! Takimi ishte caktuar në orën 14.30 për të bashkëbiseduar në lidhje me projektin e nisur. Ashtu edhe siç është gjithçka në përpikshmëri në Zvicër edhe ne u afruam te komuna e Morcotes në orën 14.25 min. U hap dera dhe stafi i komunës na drejtuan te salla ku do të bashkëbisedojmë me kryetarin z. Giacomo Caratti dhe sekretarin, z. Luca Cavadini. 

Me një buzëqeshje të sinqertë miqësie, edhe z.Caratti dhe Cavadini na uruan mirëseardhje dhe e filluam bashkëbisedimin. Takimi zgjati rreth 40 minuta dhe ishte shumë miqësor dhe më pastaj u drejtuam tek vendi i caktuar, se ku do të kemi përmendoren e Moisiut.

Z.Remzi Durmishi kësaj here luajti edhe rolin përkthyesit edhe pse kryetari dhe sekretari e njihnin edhe gjuhën gjermane. Por, për respekt, herë pas here flisnim edhe në italisht e gjermanisht e mbi të gjitha foli gjuha e shpirtit. Është për të përshëndetur dhe për të mos e harruar për jetë, se kryetari z.Caratti ishte i hapur dhe shumë konkret, që nëse nuk ju pëlqen vendi i caktuar, mundemi të shikojmë edhe ndoj vend tjetër. Kjo është madhështore. Vendi i caktuar është 5 minuta nga komuna, përskaj rrugës kryesore me pamje nga liqeni. Parajsë e kësaj bote. Binte një shi i qetë, por kryetari na siguroi edhe ambrellat që të mos lagemi deri te vendi. Me të shkuar tek vendi i caktuar ne mbetëm pa koment, ku pamë edhe lotët e gëzimit. Aktori i merituar, Prof.Adem Kicaj, hyri menjëherë në shpirtin e Moisiut dhe filloi edhe të përmend fjalë të Moisiut, sa që ne mbetëm duke e shikuar se çka po ndodh. Me fjalë zemre e shpirti falënderoi kryetarin, stafin e tij dhe gjithë qytetarët e kësaj komune dhe gjithë Zvicrën. U bisedua se në çfarë përmase duhet të jetë përmendorja. Sa binte shi, përmenda edhe një fjali që më erdhi për momentin, se ky shi që po bje, janë lotët e gëzimit të Moisiut. Dhe kryetari z.Caratti me një buzëqeshje të lehtë tha: „Po besoj se nuk do të zgjasin shumë“. Menjëherë ia ktheva, jo, nuk do të zgjasin shumë, sepse edhe shpirti i Moisiut nuk dëshiron që ne të jemi të lagur“. Ashtu ndodhi për fat, nuk shkuan 15 minuta dhe shiu pushoi. Aktori i merituar z.Kicaj, nuk e fshehu gëzimin e tij të madh, duke thënë, se edhe nëse vdes nuk më dhimbset jeta. Më besoni, prej ditës së parë që kam ardhur në Zvicër, sytë e zemrën e kam pasur nga Moisiu. Edhe kur kisha mall për atdheun e disha, se Zvicra mike i ka mundësuar aktorit më të madh që të pushoj përjetësisht, por i ka mundësuar edhe shumë personaliteteve të tjera që të thojnë fjalën e bukur shqipe si Fan Noli, Çajupi, etj, etj. Menjëherë edhe filluan se si ta realizojmë këtë projekt. Musa Sylejmani mundohej të bëj foto kujtimi dhe video për këtë ngjarje të madhe. Të gjithë ishim me emocione të papërshkrueshme. Edhe në komunë edhe në vendin e vendosjes së përmendores, u bisedua për hapat tutje, por e rëndësishmja, Moisiu do të jetoj përjetësisht edhe me përmendore në atdheun e dytë të mbi 400.000 bashkëkombasve. 

Sa për kujtesë;

E çuditshme me ty, Moisi! – iu drejtua Aleksandrit kritiku italian i artit, Xhuzepe Adami, në një bisedë pas një shfaqjeje të bujshme në Milano. 

Ti ke studiuar në Gjermani dhe shkolla jote është gjermane, po gjaku yt është italian dhe sigurisht kjo duket nga shqiptimi i përsosur i italishtes. Po, me falni, në lojën tënde ka disa momente të improvizuara gjallërie, që vijnë papritur, që s’janë as italiane, as gjermane. Këto duken si shpërthime të panjohura dhe unë kam dashur të të pyes shpeshherë se me çfarë qëllimi i bëni, për impulse, apo janë thjesht nervore?

– I dashur Adami, – iu pergjigj Moisiu, ti vërtetë më njeh mirë, por bën një gabim të vogël për sa i përket origjinës sime. Unë jam rritur në Shqipëri dhe jo në Itali. Sigurisht që këtu kam shkuar në shkollë dhe kam jetuar, por babai im është shqiptar dhe nëna ime ështe shqiptare gjithashtu nga arbëreshët. Shikon, pra, që gjaku im i përket origjinës sime dhe origjina është ajo që thotë fjalën e fundit.

Të shikosh shqiptarët në jetë duken si njerëz shumë të qetë, por gjithë ajo qetësi shnderrohet në fuqi luani e s’ka zot që i mban nëse dikush i prek në sedër ose në të drejtën e tyre…

Por – vazhdoi më tej Moisiu -ne s’kemi ende teatrot tona, prandaj mua me shikon këndej…. 

Prandaj, është thënë dhe po bëhet! Bashkëkombas të dashur, po jetësohet, aktori me famë botërore, Aleksandër Moisiu edhe ate pas 89 vjetëve, që shkoi në përjetësi! Mërgata ishte dhe do të mbetet ambasadori më i mirë i atdheut! 

Kjo është e veçantë. Sinqeriteti dhe puna e madhe e mërgatës sonë, ka bërë që Zvicra mike t`na pranoj siç jemi dhe t`na mundësoj që edhe në shkollat e saja të mësohet gjuha shqipe. Falënderime! Urime, juve gjenerata e re, që po rriteni dhe edukoheni larg vendit të të parëve! Prof. Adem Kicaj, Remi Remzi Durmishi, Musa Sylejmani, PhD. Dashnim Hebibi dhe të tjerë, që sot nuk ishin fizikisht me ne, do të festojmë dhe të fillojmë menjëherë me punë për ta jetësuar. Komuna e Morcotes na dha të drejtën, që ne të vendosim se si do të dukej përmendorja dhe vendi i caktuar. Nga nismëtarët e projektit, do të vendoset në ditët në vazhdim, se si do të dukej përmendorja dhe kush do të jenë ata që do ta financojnë apo financoj. Për çdo gjë do të jemi të hapur. Të gjithë e dijmë, se Aleksandër Moisiu ka lindur në Trieste, më 2 prill 1879 dhe vdiq në vitin 1935 në Vjenë, në moshën 56-vjeçare. E kishte lënë me gojë që të varrosej në Markote të Zvicrës, afër qytetit Lugano. Aty është varrosur më vonë edhe bashkëshortja e tij, Johana Tervin. Babai i tij, Kostandin Moisiu është i biri i Themistokliut nga Kavaja. Themistokli Moisiu, përveç babait të Aleksandrit, kishte edhe një djalë tjetër, Grigorin, nga i cili rrjedh dega e pjesës tjetër të Moisive të Kavajës. Në moshën 19-vjeçare Moisiu shkon në Vjenë, ku me ndihmën e Jozef Kaincit iu përkushtua aktrimit. Më 1898 e nisi karrierën e tij si kompars (aktor që luan rol të vogël) në Burgtheatër. Pastaj vijuan angazhime në teatër në Pragë dhe Berlin. Në Berlin, Aleksandër Moisiu u pranua në seminarin e Maks Rainhardit, me të cilin shkoi në turne në Petersburg (1911). Atje u dallua për rolin e Edipit. Pas këtij suksesi, ai u angazhua në shumë vende të Evropës, Amerikës Veriore dhe deri në Argjentinë. Fusha e veprimit të Moisiut përfshinte të gjithë spektrin e literaturës evropiane të teatrit, duke filluar që nga tragjeditë antike greke e deri te ato të kohëve moderne. Shumë të njohura u bënë interpretimet e tij të Hamletit, të Edipit, të Jedermanit dhe Fedjas në veprën e Leon Tolstoit “Kufoma e gjallë” etj. 

Kodra e Artë e Morcotes do të shkëlqej edhe më shumë, Rruga e Pavarësisë e Morcotes do të jetoj brez pas brezi edhe te çdo shqiptarë.

Puna ka nisur dhe shumë shpejt do të realizohet. Të gjithë ata, që u angazhuan dhe i ndihmuan nismëtarëve është për çdo lavdëratë dhe presim edhe në të ardhmen, që gjatë ecurisë së projektit të jemi bashkë dhe pak ka rëndësi se kush e ka nisur ashtu thonë edhe grupi inicues, me rëndësi është që të gëzohemi dhe ta ndihmojmë projektin me ato mundësi që kemi dhe ta falënderojmë pafundësisht Morcoten dhe gjithë Zvicrën. Për planet, se si do të shkoj, do të jeni të informuar vazhdimisht.

Filed Under: Kulture

Koha me atdhe të përmbajtur

November 22, 2024 by s p

Dr. Entela Komnino/

Në kohën kur punimi bëhej libër, një lajm krejt i shkencës së saktë e pa lidhje në dukje me retorikën, ngacmoi një nga konceptimet fillestare të punimit, që ishte quajtur “Kohët e Nolit”. Shkencëtarët deklaruan se arritën të konservojnë kohën në kristal, fakt që portalet e pakta që e botuan, e quajtën shumë të çuditshëm, që u bë dhe më shumë i tillë nën citimin shkencor-filozofik se koha e baraspeshës në natyrë kishte kaluar. Transformimi i kohës së kuptuar deri tani si cilësi shoqëruese, në një materie lëndë që ndalon (siç e kuptova unë zbulimin), më vjen gati paralel me një mendim të pastabilizuar në nisje të këtij projekti, kur Shqipëria në vitet e Nolit më perceptohej sikur përpiqej të aktivizonte me veprën publicistike një kohë në të cilën atdheu përmbahej. Në orvatjen për të kuptuar substancën e kontributit të Nolit, tërheqja nga ndjesi kapërcimesh cilësore të kohës së tij përfundonte në vorbulla përpjekjesh shpjegimi për faktin e dukshëm retorik të evokimit të Skënderbeut, ku Shqipëria dhe koha që e kishte ‘ruajtur’ atë si vend, gjallonin reciprokisht njëri – tjetrin. Rezistente ndaj turqve, për vete dhe më gjerë, ‘Shqipëria e Skënderbeut’ që thirrej në kushtet skajore të mbijetesës nga publicistika në përgjithësi, e ajo e Nolit në veçanti, në një gjuhë të planifikuar për zhdukje nga të tjerët, përcillte sa edhe pësonte reagimet për të dalë prej jermit të kufijve e të drejtës historike të pretendentëve mbi Shqipërinë reale. Kjo më krijonte dhe një situatë kuptimi jashtë veprës me protagonistët shqiptarë që duhej ta ‘gjenin’ vetë kohën dhe vendin e tyre e ‘ta mbushnin’ me veti për ta jetuar, që të ishin më pas publicistë, politikanë, shtetarë ashtu si dhe krijuan kishën ku mund të dorëzoheshin prift, madje dhe auditorin për të qenë të dëgjuar e ndoshta pak të lexuar. Vetëm një kohë me çpështjellime mund të bënte të mundur atë të pamundur të materies shqiptare, kur ora e Shqipërisë kurdisej sipas citimit të treguar të Bismarkut ‘vetëm si shprehje gjeografike‘, në Mesin e Dheut, në fakt. Por edhe sipas faktit tjetër, që, ndryshe autoritetit e largpamësisë së Abdyl Frashërit për një Shqipëri të vetme e të pavarur, ende është e mjegullt kërkesa drejtuar Europës kur ajo përpiqej të neutralizonte efektet që i jepnin dorë vendimmarrjeve turko-ruse në Ballkan sipas Traktatit të nënshkruar në Shën Stefan, afër Konstandinopojës që nuk thirrej ende Stamboll.

Gjetja e së vërtetës dhe të drejtës sipas folësit antik, vjen si një rregull i pamatshëm në kësi kohe e kushtesh, njëjtësisht me faktin që folësi rezulton dhe e vetmja e mundur, madje dhe ‘në këmbë’ të Shqipërisë-shtet-atdhe. Fenomeni krijues shqiptar në këto kushte është thirrur patetik në mënyrë të qëndrueshme, duke i dhënë përkundër ç’mund të ishte si i tillë edhe kuptim pozitiv, për ta ngecur përfundimisht tek vlerësimet me ‘gjithë’- gjithëpërfshirëse, të përgjithshme, gjithçka, përgjithësisht, por dhe të pakryera si megjithë…., megjithatë….., etj. Ndërsa Pathos-i i kësishfaqur është mëse i vërtetë, madje organik në kësi kohe krijimi, adresimi retorik, paraprakisht ndryshe nga të ngecurit tek pathetizmi, e qartëson si substancë atë që ia mundëson një autori edhe një realitet kësilloj për ta përshkruar duke e shkruar në kuptim të të tjerëve. Pathosi i një autori në përmbajtjen e vet skajshmërisht racionale1 (dhe jo vetëm nga raporti i tij me logosin dhe ethosin), sipas arsyeve të retorikës, bëhet pjesë e referencës realiste të lëndës krijuese, duke (u) ligjëruar përkundrejt çdo të mundshmeje të mundshme, si ndodhi dhe si përshkrim. Kapaciteti që e bën realist produktin emocional – mendor, rrjetëzohet në një diskutim racional të Nolit, në ndjekje të natyrës së veprës dhe përbërjes realizuese, ndërsa aksesi i retorikës edhe në këtë rast është organik për të kuptuar Nolin faktik.

Filed Under: Fejton

NËNË TEREZA ME SHQIPTARË

November 22, 2024 by s p

Për të na mësuar të duam.

Nga Visar ZHITI 

C:\Users\User\Downloads\IMG_2353 (1).jpg

Nënë Tereza shërbeu si misonare e dashurisë në Indinë e largët dhe hapi shtëpi bamirësie nëpër botë, iu dha çmimi Nobel për Paqe, u shpall shenjtore e shekullit XX, u bë gruaja më e njohur e planetit duke i takuar gjithë njerëzimit, – faleminderit që e patëm, – ndërkaq ajo deshi dhe mundi të mbajë lidhje përjetë me shqiptarët, të forta dhe shpirtërore dhe ta thotë hapur, kurdo që duhej, se jam shqiptare. 

FAMILJA E NËNË TEREZËS

Kur Shqipëria ishte nën Perandorinë Osmane, pra nuk e kishte fituar ende pavarësinë, në një nga katër nënndarjet administrative të saj, në Sanxhakun e Shkupit siç quhej, pikërisht në qytetin e Shkupit, sot kryeqytet i Maqedonisë së Veriut, por atëhere nuk kishte Maqedoni, në një familje shqiptare me mbiemrin Bojaxhiu, Nikollës – mirditor, që kishte ardhur nga Prizreni – dhe të shoqes së tij, Dranes – nga Dukagjini i Gjakovës, – u lindi fëmija i tretë, në 26 gusht të vitit 1910, vajzë dhe i vunë emrin e bukur shqiptar: Goxhe. Dhe e pagëzuan menjëherë të nesërmen, se ishte shumë e dobët dhe s’dihej a do të rronte. Por ajo do të bëhej shenjtja Nënë Tereza Familja e Bojaxhinjtë njihej për virtytet dhe besimin dhe traditat. Kolë Bojaxhiu merrej me tregti, por ai do të ishte dhe themeltar i teatrit të qytetit të Shkupit, anëtar i bandës muzikore, ndërkaq veprimtar i çështjes kombëtare shqiptare, prandaj dhe e helmuan shovinistët, kur kthehej nga mbledhje nga Beogradi.  

Të mbetur jetimë, Goxhja e vogël, motra e saj Agia dhe vëllai Lazer, do të rriteshin dhe edukoheshin nën kujdesin e nënës Drane, sa e dhëmbshur, aq dhe e paepur, e duruar dhe kurajoze, të cilat i trashëgoi dhe e bija, Gonxhia. Shpesh fëmijët e saj, për t’u marrë me diçka të dobishme, që të mësonin, jo vetëm të argëtosheshin, ajo i merrte dhe i çonte, ku? Në një shtëpi të varfër, ku  njiheshin, të bënin punët atje, të pastronin, të lanin, të ndihmonin ata që s’mundeshin.  

Gonxhja mësimet e para i mori në një shkollë shqipe në Shkup, më pas në gjuhën serbo-kroate se s’kishte më shqip. Pasionet e adoleshencës së saj ishin: të bëhej mësuese, të shkruante dhe recitonte poezi si dhe muzika, ajo luante në mandolinë. Këndonte këngë shqip, p.sh., ato të kompozitorit Lorenc Antoni, “Në kodrat mbi liqen”, por dhe lexonte poezi të Dom Ndre Mjedës, që do të bëhej poeti i rinisë së saj. Ia jepte vëllai i poetit Lazër Mjeda, mik i familjes, që e kishte mësues.

Dhe luteshin familjarisht të gjithë. Gonxhe Bujaxhiu, në kishën kroate të Letnicës në Kosovë, ku shkonin shpesh dhe në këmbë, ndjeu atë që quhet “Thirrje” dhe vendosi të bëhej murgeshë. Nëna e saj u mbyll për 24 orë rresht në dhomë, ajo e di ç’ka menduar dhe ç’lutje ka bërë, por, kur doli, i tha të bijës: “Bëju, por mos u kthe pas nga rruga, shko veç përpara!”

Nëse duhej të shpallej dikush e shenjtë, ajo është nëna ime, do të thoshte më vonë Nënë Tereza.

   Dhe kështu 16-17 vjeçarja Gonxhe Bojaxhiu do të ikte nga Shkupi për në Irlandë. Do të studionte në Dublin për t’u bërë misionare te Motrat e Loretos. Gjuha e saj e punës dhe e jetës do të bëhej anglishtja. 

Një vit më vonë do të nisej për në Indi. 

NË INDI, NGA MINJTË TE YJET 

Një letër tjetër nga Shqipëria, e rëndësishme, nga nëna Drane, që i shkruan së bijës se ç’bënte në kuvend e mbyllur, prandaj kishte ikur aq larg, në Indi, po dil, i shkruante, njerëzit janë jashtë, shërbeju atyre, ky është misioni yt… 

Nënë Tereza del… U tmerrova, tregon ajo, kur pashë njëherë në një rrugë, në një lagje të varfër të Kalkutës një grua të dobët, të mbaruar, që po e hanin minjtë. Doja të ikja sa më parë, ta harroja ç’pashë, por u ktheva. Një  dritë qe ndezur brenda meje. M’u shfaq Krishti… Përzura minjtë e shumtë dhe desha të ngre gruan… Me mundim e çova në spitalin më të afërt, s’ma pranuan, as në një tjetër, as në tjetrin. Dhe gjeta një dhomë private dhe e kurova vetë. Që nga ajo ditë jeta ime ndryshoi…

Nga minjtë tek yjet.

Lufta e Dytë Botërore (1939 – 1845) solli vështirësi ende më të mëdha edhe në Indinë e largët, atëherë nën sundimin britanik. Mungesat ushqimore ishin një hata tjetër. Nënë Tereza vazhdoi të punonte në shkollën, duke iu përkushtuar veçanërisht fëmijëve dhe njerëzve të margjinalizuar.

Kishte ndodhur thirrja brenda thirrjes. Ajo e la jetën si murgeshë për t’ju përkushtuar plotësisht ndihmës ndaj të varfërve të skajshëm, atyre që po vdisnin në rrugë dhe themeloi Urdhrin e saj, Misionarët e Bamirësisë. Botës i erdhi kështu një Tereze tjetër, që, siç thoshte, emrin e kishte zgjedhur në nderim të Terezës së vogël franceze, por dhe të shenjtores së lavdishme të shekullit XVI, spanjolles Shën Tereza e Aviles. Mbase vetëndjehej si rimishërim i tyre, sepse ngjante, me njërën nga shtati dhe me tjetrën nga vetëflijimi absolut. Në thellësi të qenies së saj, shtoj unë, kishte dhe Rozafën, gruan mitike shqiptare të murosur në përjetësi, por me dorën, gjirin dhe syrin jashtë, për të ushqyer foshnjën. 

India e varfër nuk është vetëm në Indi, por gjithkund, edhe në vendet e zhvilluara, në Itali e Rusi e Francë, edhe në New York, do të thoshte Nënë Tereza dhe iu përvesh punëve me ngulm e pasion, bëri mrekullinë, arriti të hapë shtëpitë e bamirësisë në të gjithë kontinentet, Azi e Afrikë, Europë e Amerikë dhe Oqeani. Shtrirja e Urshërit të themeluar prej saj tashmë është globale. 

Një mikja jonë murgeshë, Motër Elena, që ka shërbyer në Indi, na tregon se, “kur e merrnin vesh që isha shqiptare, më binin në gjunjë në rrugë dhe donin të më puthnin këmbët, se kujtonin Nënë Terezën”…  

MARRËDHËNIET DRAMATIKE TË NËNË TEREZËS

ME SHQIPËRINË

…ishte vendosur regjimi diktatorial komunist, kufijtë u mbyllën, Shqipëria u shpall me kushtetutë si vendi i parë dhe i vetëm ateist në botë, kishat dhe xhamitë u mbyllën, u shëmbën apo u shndërruan në kinema, në depo prodhimesh bujqësore, në magazina armësh. U pushkatuan klerikë apo u futën burgjeve, etj, etj.

Nëna dhe motra e Nënë Terezës, Drania me Agen, do të mbeteshin vetëm në Tiranë. Agia punoi dhe në Radio-Tirana, nga që dinte serbo-krioatisht dhe duhej për sektorin e lajmeve në gjuhë të huaj, kurse vëllai Lazri, nuk u kthye më nga Italia, qëndroi atje si emigrant politik. Ai kishte studiuar në Grac të Austrisë në Akademinë Ushtarake dhe ishte bërë oficer.

Nënë Tereza e takonte, kur shkonte në Itali. Qeshnin kur ajo i thodhte se ti i shërbeve një mbreti që kishte 1 a 2 milionë shtetas, unë i shërbej një mbreti, që ka gjithë universin, Zotit.

Nënë Tereza e kishte të ndaluar rreptësisht futjen në Shqipëri. As emri nuk i përmendej. “Si shumë po vepron qoftëlargu në anët tona”, u thoshte Nënë Tereza miqve të saj. Djallit i thohte shqip: qoftëlargu. I dërgonte letra nënës dhe motrës, por shpesh e më shpesh ato nuk arrinin më, çensuroheshin nga policia sekrete. 

Nëna Drane u sëmur, Nënë Tereza kërkoi leje të vinte ta shikonte. Nuk iu përgjigjën fare. Kërkoi të lejonin nënën e saj të vinte në Itali, të kurohej. Jo, thanë, është shumë plakë, s’lëviz dot dhe i ka kushtet më të mira këtu… Për të vdekur, po!

Trokiste Nënë Tereza nëpër ambasadat shqiptare, ku të mundëte, trokiste e trokiste, fort ashtu si zemra e saj, por jo, dyrt s’hapeshin. U shkruajti drejtuesve më të lartë të shumë shteteve në Europë e Amerikë, presidentëve të ndërhynin, ta ndihmonin, por Tirana memece mbetej tmerrësisht tiranike.

NJË SHKRIMTAR, I ARRATISUR NË SHBA

I vetëm ai sikur donte të korrigjonte gjithë atë mëkat që bënte Shqipëria ndaj Nënë Terezës. 

Është fjala për shkrimtarin Bilal Xhaferri, me baba të pushkatuar nga regjimi, që ishte arratisur nga Shqipëria dhe kishte erdhur në Çikago, bënte punë të rëndomta, por vetë, i vetëm, kishte hapur gazetën “Krahu i Shqiponjës”, ku dhe boton një letër, dërguar Nënë Terezës. Ishte viti 1976 dhe ajo ende nuk e kishte marrë çmimin Nobël dhe Bilali 7 vjet  kishte që kishte ikur nga Shqipëria. Merr vesh se Nënë Tereza kishte ardhur në Çikago, papritur si ajo, për punët me murgeshat e saj, vështirësitë dhe ai do të donte ta takonte, ta intervistonte, por ajo kishte ikur siç erdhi, papritur. 

Vlerësimet që i bën në letër asaj shkrimtari çam, – edhe mysliman, do të thoshte ndokush, – janë të mrekullueshme. Edhe pse të shkruara gjysmë shekulli më parë, na nderojnë të gjithëve. 

“E dashur Nënë Terezë! Ju i përkisni gjithë njerëzimit, i shkruante ai dhe vazhdonte, – Ju jeni e jona… imazhi jetësor i Shqipërisë, atij vendit tonë të dashur, që nga shumë vetë është konsideruar si vend i harruar nga Zoti, imazhi i gjallë i popullit shqiptar, popullit më të lashtë e më të vuajtur në Evropë.

[…] Si një dritë e largët qiellore, zemra Juaj e mirë, rrezaton rreze shprese dhe dashurie në zemrat tona dhe në zemrat e miliona njerëzve në mbarë botën.

Zoti e bekoftë zemrën Tuaj!”

I bashkohemi atij urimi, edhe për atëhere, kur regjimi nuk lejonte që të dinim se ajo ishte… 

NË BURG.

Unë emrin e Nënë Terezës e dëgjova së pari në burg. Isha dënuar me 10 vjet heqje lirie nga shaku I poezive të mia, të cilësuara kundër regjimit. 

E kam shkruar, sepse më dukej si metafora e njohjes së shqiptarëve me shenjten, është në librin tim, në burgologjinë “Rrugët e ferrit”. Po i lexoj ato rreshta:  

“…një grup të burgosurish tymosnin duhan dhe po dëgjonin. Nuk e besoni? E po çmimin “Nobel” për paqe ia dhanë një shqiptareje, Motrës Terezë, e dëgjova vetë tek “Italia”, e dha RAI. Ti e ke dëgjuar? Jo këtu brenda, ko, sapo isha liruar nga burgu i parë. Andej e mbaja radion dhe kapa një surprizë: çmimi “Nobel” një shqiptareje, Gonxhe Bojaxhiu, murgeshë në Indi, tha spikeri italian. Pse më shikoni kështu? Kam faj unë që lodhem me ju! Dhe iku. Kush ishte ky? – pyeta unë. Murat Gjonzeneli, nga Vlora, e sollën prapë në burg. Rrëfen gjithmonë gjëra të çuditshme, sfiduese. Janë të fantaksur, thashë me vete, pa e kuptuar as vetë për kë e kisha, për ata që s’po besonin, për atë që shpikte çmime “Nobel” apo për të gjithë ne”.

ÇMIMI NOBEL

Dhe kishte një shqiptar dhe atje në Oslo të Norvegjisë, ku Nënë Terezës po i jepej çmimi Nobël në vitin 1979. E pranoi, sepse e mendoi që shuma që merrte, do ta përdorte me murgeshat e saj në ndihmë të të varfërve, po kështu kërkoi që në ceremenoni darka tradicionale të mos bëhej dhe fondet të përdoreshin po për të varfërit e saj në Kalkuta.

Rrugët e Oslos përflakeshin nga pishtarët me mijëra, që mbanin ndër duar qytetarët, që dyndeshin drejt hotelit, ku kishte bujtur Nënë Tereza. Donin ta shihnin.

Pranë saj ishte dhe prifti shqiptar nga Kosova, i riu Dom Lush Gjergji, ai që do të bëhej biografi më i mirë i Nënë Terezës.      

Në konferencën për shtyp, para gazetarëve të shumtë të mediave ndërkombëtare, ai do ta pyeste: – Çfarë do të thotë për ju dhe motrat tuaja Çmimi Nobel për paqe? – …asgjë nuk ndryshon… çmimi është vetëm për të varfërit tanë, mendoj se ka qenë dhuratë prej Zotit…

– Cili është mesazhi juaj tani, kur jeni bërë zyrtarisht “Nëna e Paqes?” – do të ishte pyetja tjetër. “Duajeni njëri-tjetrin siç u do Zoti, – tha Nënë Tereza… 

Përsëri Don Lush Gjergji, pyetja ende më e thjeshtë, pak çuditëshme për aty, që ai e dinte përgjigjen:

– Kush jeni Ju? Ç’do të thoshte botërisht Nëna Tereze: “Origjina ime është shqiptare… Për nga vokacioni, i takoj tërë botës. Zemra ime është e Zemrës së Jezusit”. Don Lush Gjergji diçka parandjente, që duhej të mbrohej për të ardhmen, prandaj dhe i dha Nënë Terezës një fletë të bardhë, që të shkruante dhe ajo me atë shkrimin e saj të rregullt dhe harmonioz si të rilindasve, me shkronjat si kokrrat e rruzares na la këto fjalë shqi si në një testament: 

“Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar. Shumë luti Zotin që Paqja e Tij të vijn në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjithë botën. Lutem shumë për fukarat e mij – dhe për mua dhe motrat e mija. Unë lutem për juve. M. Teresa Bojaxhiu”

Tashmë nuk diskutohet më në botë që Nënë Tereza është shqiptare, megjithëse donin të na i merrnin, thanë jo maqedonase, rumune, kruate, sllave, indiane etj, por rëndësi ka se sa shqiptarët janë të Nënë Terezës? Të paktën sot, them.

*   *   *

Në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare në Jugosllavinë e atëhershme, në vendlindje Nënë Tereza shkonte herë pas here. Në Itali po. Vatikani… Shkonte në familjen e vëllait, Lazrit. Takonte dhe një kushëri të vetin, kineast në RAI, Gjon Kolëndrekaj nga Kosova, i cili më ka treguar që takonin dhe piktorin shkodran, të ikurin nga komunizmi, Lin Delija, me njohje europiane. Vetëm atij Nënë Tereza i ka qëndruar për t’i bërë një portret, që ia kërkoi e askujt tjetër në botë. Nënë Tereza ka ardhur shpesh dhe në SHBA, shqiptarët kanë ndjekur dhe mesha shqip me atë…

ARDHJA E NËNË TEREZËS NË SHQIPËRI

1989. Do të shëmbej Muri i Berlinit si prolog i rënies së perandorisë komuniste dhe Nënë Tereza do të vinte në Shqipëri.  

Në Tiranë shkoi te varri i nënës së saj dhe i së motrës, të rregulluar me këtë rast. Por dhe te varri i diktatorit Enver Hoxha, vuri lule dhe atje, megjithëse ai e kishte penguar gjithë jetën, që ajo të mos vinte dot në atdhe. Ajo bënte realitet porosinë biblike: duajini dhe armiqtë tuaj, bëjini vëllezër! 

Udhëheqja komuniste në fund sikur po zbutej ca, i kishte hyrë dhe frika për vetveten. 

Kam lexuar një shkrim në gazetën e njohur italiane, “Avvenire”, se Nënë Tereza u ftua nga pasardhësi i diktatorit, nga Ramiz Alia dhe vejusha e diktatorit, Nexhime Hoxha, si ekzorciste, sepse varri i diktatorit – dhe kjo mbahej sekret, – dridhej, madje dëgjoheshin ulërima sikur të kishte brenda demonë, aq sa nga ushtarët që e ruanin, kishin përfundur në çmendinë. 

Po e gjithë Shqipëria atëhere ishte një çmendinë dhe dridhej nga tmerri. Dora e Nënë Terezës solli qetësi.   

Ajo do të vinte sërish në Shqipërinë e hapur dhe demokratike, shpesh e më shpesh. Do të hapte shtëpitë bamirësie, solli muresha të Urdhërit të saj. Bekoi projektin e Katedrales së re me emrin e Shën Palit, që do të ndërtohej në Tiranë, po kështu firmosi për ngritjen e Kryegjyshatës Bektashiane, vëllezërit e mi myslimanë, thoshte nëpër lutje a në fjalimet që mbante.  

Në një nga vizitat në shtëpinë e saj të bamirësisë në Tiranë, kur erdhi ta takonte njëri nga presidentët e Republikes, ajo nuk e hoqi nga dora shkopin e leckës me të cilën po pastronte dyshemenë. Mbase donte të thoshte që ky vend ka nevojë të punojë e të pastrohet nga balta dhe gjaku, të ndrisë…

Nënë Tereza priti në Tiranë dhe Papa Gjon Palin II, i pari papë që vizitonte Shqipërinë, ashtu si një bijë që prêt mysafirët në derë të atit, e shoqëroi dhe për në Shkodër.  

Aeroporti në Tiranë tani mban emrin e saj. Të gjithë që udhëtojnë nëpër botë, duket sikur nga aty i përcjell Nënë Tereza drejt qiejve të hapur dhe kushdo që vjen, përsëri duket sikur ajo u uron mirë se ardhjen.

Pata fatin ta takoj dhe unë Nënë Terezën. Kujtoj që iu afrova me adhurim dhe druajtje dhe i thashë:   

– Nënë, kam përkthyer nga lutjet e Tua…

– Mir’ ke ba! – m’u përgjigj. Prerë. Pse? Po dyshoja tek vetja. Por jo, Kur u thellova më shumë në jetën dhe bëmat e Nënë Terezës, lexova se ajo nuk i pëlqente të flitej për të, edhe kur i tregonin gazetarë, studiues apo shkrimtarë se ç’kishin shkruar apo donin të shkruanin për të, gjithmonë i ndërpriste, mirë ke bërë, u thoshte, duhen të sensibilizohen të tjerët, që të bëjnë mirë.

Pastaj e kam takuar Nënë Terezën dhe në Romë, ishte një kohë kur RAI çdo mbrëmje në fund të lajmeve lexonte një lutje të Nënë Terezës. Kur punoja në ambasadë, botuam dhe një antologji me punime për Nënë Terezën, poezi, thënie dhe vizatime, ajo ende s’ishte kanonizuar dhe titulli librit në italisht iu vu: “Një shenjtore shqiptare me emrin Nënë Tereza”, ndërsa esenë time “Plagët nuk kanë atdhe” ia dhuruam dhe Papa Françeskut dhe një portret të Nënë Terezës, punim i një mikut tonë, piktorit shqiptar Gjergj Kola.

Ne do të ishim në Vatikan në meshën e shenjtë që celebroi Papa Françesku, kur shenjtërohej Nënë Tereza siç e tregoi dhe Eda në fjalën e saj. 

PO DHE QILIMI SHQIPTAR    

që i kishin dhuruar gratë shqiptare Nënë Terezës dhe ajo e mori me vete në Indi. I vogël, me motive popullore. Dhe lutjet po i bënte mbi atë qilim. Donte të prekte Shqipëri, edhe kur s’ishte, ta ndjente te gjunjët e dobët, t’i kalonte në gjak, te kockat, në shpirt. Por ajo e kishte Shqipërinë gjithmonë brenda vetes.

Motrat e Nënë Terezës e kthyen këtë qilim, ia dhanë arkipeshkvit tonë. Ka qenë në Katedralen e Tiranës… 

Ashtu si në sindonen e famshme, në çarçafin që mbështolli Krishtin, që e vizitojnë me miliona veta dhe shkencëtarët kërkojnë përhitjen e kurorës së përgjakur gjithë gjemba mbi ballin e Birit të Zotit, plagët e gozhdëve, në qilimin e Nënë Terezës ne gjejmë vegimin e këmbëve të zbathura, ikjen larg për të qenë sa më afër. Dramën tonë. Aty është lutur Nënë Tereza… 

Kam dëgjuar të pyetet, ndoshta më shumë me naivitet se sa me keqdashje: e ç’bëri Nënë Tereza për shqiptarët? Po dhe unë mund të pyes: po shqiptarët ç’bënë për Nënë Terezën?

Gjithsesi ajo bëri shumë e më shumë se ç’bëmë ne për atë. Ajo bëri mrekullinë, na dha dhe emër shpirtëror nëpër botë. 

Të mos harrojmë, ajo thjesht ishte një murgeshë, as udhëheqëse shteti, as stratege ushtarake, as deputete a kongresmene, as biznesmene apo e pasur, etj, s’kishte asgjë, përveç rrobave të trupit dhe zemër më të madhe se vetja, por e tundi botën me të vetmen armë të saj: dashurinë. Dhe lutjet. Për ata që i ndjejnë, por dhe për ata që nuk i ndjejnë. 

Lutjet e Nënë Terezës, uratat e saj janë dhe porosi qiellore, dhe dritë, dhe frymë, por janë dhe poezi, unë kështu i kam shikuar dhe trajtuar. 

Dhe në ditët e fundit të jetës së saj, larg në Indi, ajo përjetoi tronditjet e Shqipërisë së 1997 dhe do te shkruante që murgeshat e saj të luteshin  për të larguar të keqen nga atdheu.

PËR SHQIPËRINË TIME 

E tronditur jam, se u trondit gjithë vendi im i mrekullueshëm. 

Më dhemb zemra për jetët e humbura. 

Plagë më hapin plagët e njerëzve. 

I kuptoj andrrallat kur humbin paratë, por unë ju përgjërohem: 

mos i sillni vuajtje edhe më njëri-tjetrit! 

E di pse s’kemi paqe tani? Kemi harruar 

të shohim tek tjetri vetveten.

Që armët dhe bombat të jenë të panevojshme, 

te fqinji ynë të zbulojmë Zotin. 

Mars, 1997 

Dua të kthehem në Shqipëri, – mërmëriti. – aty të mbyll sytë… 

Fuqia e Nënë Terezës është po aq e madhe në tokë edhe tani që Ajo është shpërngulur në qiell.

SI EPILOG LUTJET PËR KOSOVËN

Nënë Tereza pa dyshim si katolike ishte kundër çdo lufte dhe kundër çdo lloj arme që vret, që nga ato të abortit apo të urisë e nëpërkëmbjes e deri te ato të lemerishmet që shfarosin në masë, 

Që të çlirohej Kosova, duhej të ndërhynte NATO-ja dhe u bë e para luftë morale për të shpëtuar një popull që po kërcënohej nga përzënia, nga ai eksod si në b ibël, nga zhbërja.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton do të dëshmonte në qershor të vitit 2002: “Nënë Tereza, ishte e para Ajo që më bëri ta dua kombin shqiptar, dhe tani ndihem shumë krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë”.

Kaq herë u kishte thënë Ajo të mëdhenjve të botës: Ndihmojeni popullin tim! I telefonoi vetë dhe Shtëpisë së Bardhë në Washington. Dhe lutja Zotit iu dëgjua. E lëvizi botën. Pushoi lufta. Në Kosovë u vendos paqja. 

Ajo dashuri prej nënëtereze dhe ai guxim duhet të jetë kudo.

Në Prishtinë tani është Katedralja me emrin e Nënë Terezës. Po dhe një qendër kulturore shqiptare me këtë emër është në Michigan, ne dhuruam aty një portret të saj, vepër e bashkëvuajtësit tim, arkitektit dhe artistit Maks Velo.

Po edhe në Chicago ka një rrugë me emrin e saj, na e tregoi Presidentja e “Care for Albania”, ka dhe një kishë, është dhe shtëpia e bamirësisë që themeloi Nënë Tereza dhe ne e kemi vizituar pa teklif, na është dukur si e Nënës tonë… Që ia dhamë botës. Ne shqiptarëve na erdhi 500 vjet pas kryeheroit tonë, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, që me shpatë mbrojti atdheun, Europën, kulturën Perëndimore dhe u bë kryekomandant i përbashkimit. Por vjen dhe koha për një Nënë Terezë, e dashurisë së saj, koha e paqes dhe e bashkëpunimit njerëzor, që duhet të jetë e gjithmontë. 

Prandaj dhe Nënë Tereza lutej: Mësomë të dua! 

C:\Users\User\Downloads\IMG_2340.jpg
C:\Users\User\Downloads\IMG_2367.jpg
C:\Users\User\Downloads\IMG_2334.jpg
C:\Users\User\Downloads\IMG_2374.jpg
C:\Users\User\Downloads\IMG_2331.jpg
C:\Users\User\Downloads\IMG_2337.jpg
C:\Users\User\Downloads\IMG_2379 (2).jpg
C:\Users\User\Downloads\IMG_8489.jpg
C:\Users\User\Downloads\8df48c60-a287-4938-91b3-f9c8e8c4b2dd.JPG

                                       Album nga veprimtaria. 

Filed Under: Reportazh

NDËRTESA E ALFABETIT NË MANASTIR TË VIHET NË MBOJTJE TË ORGANIZATËS NDËRKOMBËTARE UNESCO

November 22, 2024 by s p

Kjo pjesë e historisë së trashëgimisë kulturore e kombëtare për kohën e njësimit të Alfabetit të shqipes, ka mbetur jashtë kufinjve të Shqipërisë zyrtare.

Prof.Skënder Karaçica, Çikago

Njësimi i Alfabetit të shqipes në Manastir (1908) po i mbushë 116 vjetë të fjalës e të shkrimit shqip me alfabetin latin dhe në frymën e kombit, të arsimit e të shkollës shqipe me orientim të hises të participomit të vlerava me popujt evropianë. Koha e Kongresit të Alfabetit ishte një nga ngjarmjet e mëdha kombëtare, ku elita intelektuale e kohës i kishte vënë vetës për detyrë të njësimit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe e për të nisur shtegëtimin për ditën e pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912.

Pa njësimin e tiparave të shqipes me një Alfabet unik e me shkronja të frymës evropiane ashti siç janë edhe vetë kombi shqiptar në hapësirën etnike me frymë e orientim evropian, nuk mund të kemi shtetin e pavarur të Shqipërisë, thuhej në kronikat e kohës. Kjo kohë e ndërtimit të godinës së shqipes me shkronjat e alfabetit të njësuar, u krijuan vijat e qarta kombëtare për arsimin e edukimin e brezave, të shkollës shqipe, të administratës dhe të familjes shqiptare me shenjën dalluese të gjuhës së lashtë shqipe me pasaportën indo-evropiane.

Për historinë e Kongresit të Manastirit janë shkruar me dhjetra botime shkencore për historinë e njësimit të alfabetit janë mbajtur tryeza shkencore në institutet të gjuhës e të kulturës kombëtare, ligjërata në universitetet në Titranë, Prishtinë e Tetovë si dhe teza të doktoranturës të studiuesve të rinj shqiptarë. Në dritën historike të Kongresit të ABC-së tashti kjo pjesë e trashëgimisë gjuhësore, të kulturës, të frymës së kombit shqiptar është transformuar dhe ka shkuar në organizimin e Kongresit të Drejtshkrimit në Tiranë(1972) për njësimin e shqipes si një nga tiparët më njësitë gramatikore për të gjithë shqiptarët.

Në 116-vjetorin e Kongresit të Manasatirit dhe koha e njësimit të alfabetit me shkronja latine e më orientim evropian ka ardhur koha që të marrim nismën zyrtare të dyja shteteve të Shqipërisë zyrtare dhe të Shqipërisë tjetër Kosovë (term i Dritëro Agollit,nënvizimi im) që Ndërtesa e Kongresit të Alfabetit të vëhet në mbrojtje të organizatës ndërkombëtare për kulturë e arsim UNESCO.

Për këtë nismë të Ndërtesës së Kongresit të Manastirit, vjen nga fakti se kjo pjesë historike e trashëgimisë gjuhësore, të kulturës, të historisë ka mbetur jashtë kufinjve të Shqipërisë zyrtare dhe e njëjta ka mbetur më shumë në margjinat e kohës pa ndonjë status të mbrotjes në shtetin e Maqedonisë së Veriut. Në këtë ndërtesë, më shumë po i kushtohet punës së bizesit e ka mbetur në duart e askujt ndonëse për shtetin në fjalë kjo shenjë dallluese të shqipes, të kulturës, të historisë shqiptare nuk ka ndonjë interesim për mbrojtjen dhe paurimin e saj me vlerat e shkrimit të kohës në Tiranë, Prishtinë, Shkup si dhe në qarqert ndërkombëtare të historisë së shqipes e të kulturës shqiptare në Vjenë, Zagreb dhe në institucionet e arbëreshëve në Zarë e në Itali.

Koha për vënjën në mbrotje të Ndërtesës së Kongresit të Manastirit në UNESCO do të ishte në krah të ruajtjes së trashëgimisë shqiptare për njësimin e alfabetit të shqipes dhe rrugëtimi për participimin e vlerave tona me popujt liridashës në Evropë dhe në botë. Kësaj trashëgimie historike duhet me i dalë zot të dyja shtetet shqiptare Shqipëria e Kosova si dhe faktori politik shqiptar në Shkup, institucionet shkencore në krah me Universitetin në Tetovë.
Foto: wikipedia.org

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT