• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2024

DE RADA DHE NAIM FRASHËRI 

November 29, 2024 by s p

De Rada dhe Naim Frashëri janë dy vëllezër dioskurë të Romantizmit shqiptar. Dy binjakë të mëdhenj dhe të papërsëritshëm. Dy botë paralele, por jo identike. De Rada dhe Naim Frashëri kanë sharmin gjenial të letërsisë moderne shqipe, dhe janë të pakrahasueshëm me të tjerët. De Rada më i madh në moshë është i njohur nga Naim Frashëri, por diferenca e moshës midis tyre nuk krijon asnjë kundërthënie. De Rada ka projektin e tij gjuhësor të dialektit kalabrez të arbëreshëve për ta shndërruar në një gjuhë shqipe gjithëpërfshirëse. Ky projekt madhështor është gjithsesi lokalist dhe pa perspektivë. De Rada mendonte që dialekti i tij me të cilin shkroi kryeveprat do të zotëronte ardhmërinë e gjuhës shqipe. Por nuk rezultoi kështu. Naim Frashëri kishte një projekt më strategjik dhe më të vërtetë për gjuhën shqipe. Gjenealiteti i Naim Frashërit ishte se ai u bë demijurgu i gjuhës letrare shqipe. De Rada nuk ishte një demijurg i tillë. De Rada krijoi një univers poetik të pashembullt. Naim Frashëri krijoi gjithashtu një univers poetik të pashembullt. De Rada kronologjik është më përpara Naim Frashërit. Estetikisht De Rada është gjithmonë në një pararojë të paarritshme. Por Naim Frashëri në pikëpamje të strukturës së gjuhës letrare është gjithashtu më përpara De Radës. Estetikisht nuk qëndron më pas, por është i ndryshëm. Ajo që e vlerëson dhe e nderon lart Naim Frashërin është se ai në 13 janar 1884 në letrën ngushëlluese që Sami Frashëri, Jani Vreto nga Stambolli për Jeronim de Radën është edhe poezia e quajtur “Vaji mbi shtëpinë e Radhanjet” e Naim Frashërit: 

Vllastar i lashtë i Shqipërisë, 

në dhethit të Italisë, 

bir i Radhës, Josif, 

jetën e rith e ndërrove, 

tët at fort e helmove, 

edhe këto që të njif, 

Shqipëria, kujt mirë i doje, 

në gjuhët tënde e shqip shkroje, 

gjithmonë të kujton, 

mbi varr të shkruan këto fjalë: 

Josif, o shpirt, o djalë! 

Vëdiqe, po emri yt rron, 

ndaj të Dhimitrit Kamardë, 

pasëqyrë për djalmit. 

Vëlla Dhimitër Kamarda, 

prej tij në prisnim litre, 

po të të ardhkej radha. 

Shkuakësh në jetë tjetër. 

Vretoja dhe Naimi

me Saminë të vëllanë, 

brenda ndë zemërë ju kanë. 

Të trembëdhejtë të kallëndorit 1884, në Kostantinopoli”.     

Kjo vjershë e Naim Frashërit nuk është përmendur ndër studimet e bëra rreth poetit, si krijim i ri. 

Ajo që është e rëndësishme të theksohet ka të bëjë me shënimin përkatës që De Rada ka bërë me rastin e kësaj poezie të Naim Frashëtrit. De Rada shkruan: “Nëse janë një ngushëllim për dhimbjen tonë këto vajtime, në të cilat shqiptarë të shkëlqyer vajtojnë zhdukjen e vëllezërve, të ndarë prej tyre që prej 400 vjetësh, janë, njëkohësisht, edhe një shfaqje e qartë e shpirtit të zjarrtë kombëtar, që tërheq shqiptarët më të mirë kah Flamuri i Madh i Atdheut. E ne i botojmë si ngushëllim. Në të vërtetë letra të përzemërta, nga të gjitha anët, kërkojnë të zbusin dhimbjen tonë. E, me keqardhje, nuk mund t’i qesim në dritë, se nuk janë shkruar shqip, ndër të tjera, një tingëllim fisnik e i butë, hartuar prej Zef Noçiti nga Specano. Por është detyrë absolute prej babai dhe prej atdhetari të bëjmë të njohur letrën e çmueshme të zonjës Elena Gjika, e lindur prej princash që, tashmë mretërojnë në Rumani.”. 

Dhe ja letra e Dora D’istrias, e shkruar frëngjisht në Firence në 29 dhjetor 1883: “Zotëri, lexova me dhimbje të thellë te “Fjamuri i Arbërit”, dhimbje shumë të madhe që ju po qani e po vajtoni. Unë e di mirë se, për prindërit, për dhimbje të tilla (për dhimbje dhe fatkeqësi të tilla) nuk ka fjalë ngushëlluese. Ndërkaq, megjithatë, unë nuk mund të përmbahem pa ju thënë se marr pjesë në lotët tuaj e që jam e dëshpëruar duke ditur që një baba dhe një vend që po lind, mbeten pa një djalë dhe pa një qytetar, i cili premtonte kaq shumë.”.  

Të tërë paragrafët e mësipërm vërtetojnë se midis shqiptarëve personalitete të shekullit XIX kishte lidhje jo vetëm korrespondence, por edhe lidhje intime. Është interesante të vihet re se Epistolari Rilindas është i vetmi epistolar i rëndësishëm në Rilindjen shqiptare. Një dukuri e tillë nuk u përsëndyt më pas. Dhe është e pakuptueshme pse nuk u përsëndyt. Por nuk është vendi për ta sqaruar këtë gjë. Në poezinë epitafike të Naim Frashërit mund të vihet re se emri i djalit të De Radës thuhet në formën Josif. Emri i familjes Rada, thuhet Radhanjet. Janë  të rralla poezitë që përkujtojnë birin e një shkrimtari arbëresh siç është poezia e Naim Frashërit. Por, kjo poezi tregon shumë më tepër se vargjet e saj. Zef De Rada ishte djali i parë i Jeronim de Radës. Jeronimi pati katër djem: Zefin, Mikelanxhelin, Rodrigon dhe Hektorin. Zefi kishte lindur në Makie në janar të vitit 1852. Gjatë viteve 1869-1870 qe nxënës gjimnazi në kolegjin e Koriliano Kalabros. Në moshën 17 vjeç nga shënimet dhe udhëzimet e të atit hartoi gjoja “Gramatikën e gjuhës shqipe”. Vepra në të vërtetë është e të atit të tij De Radës. Në 1879 Zefi u martua me një vajzë arbëreshe nga Shën Kozmo. Pati me të dy djem, nga të cilët i pari vdiq tetë ditë para se të mbyllte sytë i ati. Mbas një sëmundje të gjatë gjoksi, Zefi vdiq në 19 nëntor 1883, 31 vjeç. 

(Moikom Zeqo) – 2015

Filed Under: Analiza

Gazeta “Dielli” uron të gjithë shqiptarët: Gëzuar Ditën e Flamurit Kombëtar dhe 112 vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Shqipërisë

November 28, 2024 by s p

Gazeta “Dielli” uron të gjithë shqiptarët: Gëzuar Ditën e Flamurit Kombëtar dhe 112 vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Shqipërisë.

Atdheut – At Gjergj Fishta

N’ty mendoj kur agon drita,
Kur bylbyli mallshem këndon
N’ty mendoj kur soset dita
Terri botën kur e mblon.

Veç se ty të shoh andërr,
Veç se ty të kam në mendim
Ndër t’ vështira ti m’je qandërr,
Për ty leht më vjen çdo ndëshkim.

Tjera brigje, fusha, zalle,
Unë kam pa larg tue ba shtek,
E përgjova tjera valle
N’tjera lule syu mu rrek.

Por nji fushë ma blerët nuk shtrohet,
Por nji mal ma bukur s’rri.
Ma i kulluem nji lum s’dikohet,
Moj Shqypni por si i ke ti.

N’ty ma i bukur lulzon prilli,
Jan ma t’kandshme stin e mot,
N’ty bylbyli pa le Dielli
Këndon ma ambël t’ Madhit Zot.

Pa ty lules s’mi vje era,
Pa ty pema frut nuk m’bjen:
Mue pa ty s’më del prandvera.
Pa ty Dielli nuk m’shkëlzen.

Derisa mundem me ligjërue,
E sa gjall me frymë un jam
Kurr Shqypni s’kam me t’harrue
Edhe n’vorr me t’përmend kam.

Filed Under: ESSE

Ekskluzive/  Trashëgimia e Lidershipit të Ismail Qemalit, thesari ynë më i çmuar

November 28, 2024 by s p

Nga Evarist Beqiri*/

Virtuoziteti vs. Babëzisë

“Ish Profit dhe mbet Profit;

Dhe qëndron ashtu si ishë;

Do mbaj emrin si e kishë;

Emr’i tija i vërtetë;

Esht Nëntor njëzet’ e tetë.”

  • Ali Asllani

Më 28 nëntor 1912, menjëherë pas Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, Ismail Qemali në cilësinë e Kryetarit të Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë, u bëri me dije Fuqive të Mëdha krijimin e shtetit të ri shqiptar me anë të një telegrami. Telegrami i tij është shkruar me një gjuhë të hollë diplomatike dhe ia vlen që të analizohet për vetë rëndësinë që ai pati. Ai u botua më datat 29-30 nëntor 1912, nga disa prej gazetave kryesore evropiane dhe më gjerë, si “Corriere della Sera”, “La Stampa”, “La Tribuna”, “La Nazione”, “Le Figaro”, “Le Temps”, “Le Petit Niçois”, “The Times” etj. Më poshtë paraqesim tekstin e plotë të telegramit:

“Asambleja Kombëtare, e përbërë nga delegatë prej të gjitha anëve të Shqipërisë, pa dallim feje, të cilët sot janë mbledhur në qytetin Vlorës, kanë shpallur pavarësinë politike të Shqipërisë dhe kanë formuar një Qeveri të Përkohshme, të ngarkuar me detyrën e mbrojtjes së të drejtave të popullit shqiptar, të rrezikuar nga shfarosja e ushtrive serbe dhe të çlirimit të tokave tona kombëtare, të pushtuara nga forcat e huaja. 

Duke u paraqitur këto fakte, duke iu bërë me dijeni të Shkëlqesisë suaj, kam nderin t’i kërkoj, Qeverisë së Madhërisë së tij Britanike, që ta njohë këtë ndryshim në jetën politike të kombit shqiptar. 

Shqiptarët, të cilët kanë hyrë në familjen e popujve të Europës Lindore, nga të cilët, ata mendojnë se janë më të vjetrit, po ndjekin një qëllim të vetëm, të jetojnë në paqe me të gjitha shtetet e Ballkanit dhe të bëhen kështu një element i ri ekuilibri. Ata janë të bindur se Qeveria e Madhërisë së Tij, si dhe e gjithë bota e civilizuar, do t’u japë shqiptarëve, një mirëpritje dashamirëse, duke i mbrojtur ata, prej të gjitha sulmeve, që rrezikojnë ekzistencën e tyre kombëtare dhe kundër çdo ndarjeje të territorit të tyre.”.

Ky telegram i shkruar mjeshtërisht shpalos zhdërvjelltësinë diplomatike dhe virtuozitetin e udhëheqësisë së Ismail Qemal Vlorës. Ai  do të merrte një rëndësi të jashtëzakonshme në ecurinë e mëtejshme të ngjarjeve. Ismail Qemali thekson aty që në fillim natyrën laike të qeverisë së tij, duke parandaluar kështu mundësinë e refuzimit nga Fuqitë e Mëdha për arsye që mund të kamufloheshin nën maskën e kujdesit për popullatën e krishterë shqiptare. Njëkohësisht, ai prek shqetësimin e Fuqive të Mëdha lidhur me militarizimin masiv të Ballkanit. Në vijim, ai i referohet konceptit evropian të së drejtës së kombeve dhe kërkon mbrojtje për të drejtat e kombit shqiptar. Dhe ç’është më e rëndësishmja, ai shkruan për konceptin e ekuilibrit të forcave në Ballkan. Ai i referohet brutalitetit të ushtrisë serbe, për të ngacmuar ankthin e Britanisë së Madhe lidhur me zgjerimin e influencës së Rusisë në rajon. Duke e ditur interesin politik të Britanisë së Madhe, ai e koncepton shtetin e ri shqiptar si një forcë ekuilibruese kundër Pan-Sllavizmit.

I njëjti tekst, duke kërkuar edhe njohjen zyrtare të shtetit të ri shqiptar, iu dërgua ministrave të Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, Italisë, Austro-Hungarisë, Francës, Gjermanisë, Rusisë dhe Portës së Lartë. 

Fakti i kryer i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, si edhe kërkesa zyrtare e Ismail Qemal Vlorës, drejtuar sekretarit të jashtëm britanik Sir Edward Grey, passolli organizimin e një konference ndërkombëtare me pjesëmarrjen e Britanisë, Francës, Gjermanisë, Austro-Hungarisë, Rusisë dhe Italisë. Konferenca e Paqes në Londër i filloi punimet më 17 dhjetor 1912. Gjatë viteve 1912-1913, u zhvilluan 54 takime, ku u debatua si marrëdhënia administrative e Shqipërisë me Perandorinë Osmane, ashtu edhe caktimi i kufijve të saj. Më 29 korrik 1913, Shqipëria u njoh formalisht si shtet i pavarur, por afro 50% e territorit dhe 40% e popullsisë shqiptare, mbetën jashtë kufirit të shtetit të ri. Trojet e tyre etnike u ndanë për të kënaqur orekset e Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë.

Ndër shkrimet e publikuara nga gazetat evropiane përgjatë atyre ditëve, spikat një përshkrim i datës 30 nëntor 1912, i gazetës së njohur italiane “La Tribuna”, që përshkruan edhe momentin e zbritjes në Durrës të Ismail Qemalit, më 21 nëntor 1912:

 “…Ismail Qemali zbriti në Durrës ndër të tjera edhe me 10 kuti të ruajtura mirë dhe të vulosura, të cilat ishin shumë të vogla për të mbajtur armë dhe municione, ato mbanin ar…”

Ky ishte thesari i shtetit që ai kishte ardhur të themelonte. Kjo është dëshmia dhe shembulli më domethënës i sakrificave sublime të rilindësve. Mëmëdhetarët tanë dhanë gjithçka që kishin qoftë shpirtërisht, qoftë materialisht për atdheun…

Artikulli vijon më tej duke theksuar se, “pas takimit me parinë e Durrësit dhe sqarimit të arsyeve të zbarkimit të tij, Ismail Qemali shtoi se do të shkonte në Vlorë të shpallte Pavarësinë e Shqipërisë.”. Një mendimtar i shquar francez ka shkruar: “Njerëzit e të gjitha epokave ngjasojnë: historia nuk është e dobishme sepse në të lexojmë të shkuarën, por sepse aty lexojmë të ardhmen.”

Nëse ka diçka që historia njerëzore na mëson (që nga Magna Carta deri te Deklarata e Pavarësisë së SHBA-së), është fakti që çdo betejë për lirinë njerëzore është fituar me anë të forcës. Forca e popullit shqiptarë i dha jetë Deklaratës së Pavarësisë. Ndërkohë, lidershipi virtuoz i Ismail Qemalit mëshironte më së miri frymën e kombit dhe gatishmërinë e tij për të luftuar për liri. Ai është shembulli më i mirë i lidershipit të kulluar. Në momentin që Ismail Qemali po udhëhiqte shqiptarët në këtë rrugëtim të shenjtë, ai nuk mbante asnjë pozicion zyrtar, duke dëshmuar faktin që lidershipi nuk lidhet me pozicionet dhe titujt, por me aftësinë për të ndikuar njerëzit…

“Gazeta e Korçës” e përshkruante në këtë mënyrë veprën e Ismail Qemalit: “Ky burrë preferoj më mirë një mëmë të vogël e të vobegtë se sa njerkën e madhe e të pasur. Ai mbyllte në kraharor të tij prej kohësh, bashkë me të tjerët shqiptarë fisnikë, fuqinë e pamposhtur të idesë dhe vendimin e patundur, dhe besën e një populli që të fitojë lirinë e tij ose të vdesë duke treguar gjallërinë e patundur të fisit shqiptarë, duke ngritur flamurin e lirisë, duke i çfaqur botës së qytetëruar se Shqipëria deshi të rronte dhe po rron.”.

Ndërsa tensionet gjeopolitike vijojnë të rriten në botë, lidershipi fisnik i Ismail Qemalit na shpjegon pse figurat historike mund të na shërbejnë si frymëzim për të lundruar nëpër labirintet e diplomacisë së sotme. Sakrificat sublime për idealin kombëtar, janë në themelet e udhëheqësisë virtuoze të Ismail Qemalit. Ai është njëkohësisht themeluesi i Shqipërisë moderne dhe dorëheqësi i parë nga pushteti…

Rilindësit tanë shkrinë gjithçka kishin për Shqipërinë. Ata u larguan nga kjo botë të varfër materialisht, por jashtëzakonisht të pasur shpirtërisht. Presidenti John F. Kennedy shkruante: “Unë jam i sigurtë se mbasi pluhuri i shekujve të ketë mbuluar qytetet tona, ne, gjithashtu, do të kujtohemi jo për fitoret apo humbjet në beteja apo në politikë, por për kontributin tonë në shpirtin njerëzor.”

Njerëzit ashtu si edhe kombet kanë nevoja për pika reference e modele përbashkuese. Pikërisht trashëgimia e tyre e jashtëzakonshme shpirtërore na bën ne shqiptarëve krenar çdo 28 Nëntor. Ndërkohë nga ana tjetër qëndron modeli esadist. 

Modeli i atyre që e kanë tradhtuar idealin e Skënderbeut dhe Ismail Qemalit. Modeli i babëzisë dhe pangopësisë me pushtet dhe pasuri. Modeli i atyre që duke vjedhur e duke u korruptuar e kanë keqqeverisur Shqipërinë, nën hijen e vështrimit fisnik të Ismail Qemalit mbi krye. Modeli i atyre që pushtetin e  kthejnë në qëllim në vetvete…

“Nuk ka trashëgimi më të pasur se ndershmëria,” – shkruan Uilliam Shekspir. Shembulli jofisnik i këtyre vdekatarëve të zakonshëm, na turpëron dhe na bën që të reflektojmë çdo 28 Nëntor. Por, në fund, nëse ka diçka tjetër që historia na mëson, është fakti që modeli i tyre i mbrapshtë, do të marr dënimin më të rëndë që ajo njeh: turpin dhe harresën. 

Amaneti i fundit i Ismail Qemal Vlorës ishte: “Djemtë e mi, nuk bëra pasuri t’ja lija trashëgim Shqipërisë. Po ju lë një atdhe amanet.”. Trashëgimia e lidershipit të tij është thesari ynë më sublim: shërbimi me devotshmëri dhe përunjësi ndaj mëmëdheut. Andaj, kultivimi i shqiptarizmës, ndjenjës së pastër të përkatësisë kombëtare, sidomos tek të rinjtë është e vetmja garanci për ruajtjen e identitetit tonë kombëtar, por edhe të sistemit të demokracisë liberale. Patriotizmi, lidhja me rrënjët tona nëpërmjet dashurisë për vendin, gjuhën dhe kulturën shqipe, na ndërgjegjëson për vlerat tona dhe njëkohësisht na bën më të hapur për vlerat e të tjerëve.

* Nuk lejohet publikimi i këtij shkrimi pa lejen e autorit. Çdo portal, gazetë online apo e shtypur, që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Evarist Beqiri). 

C:\Users\user\Desktop\ISMAIL QEMAL VLORA\GAZETA ISMAIL QEMALI\LA TRIBUNA 30 11 1912 2.jpg

“La Tribuna”, 30 nëntor 1912     

Filed Under: Analiza

Politika e Pumkin Pie, si të shmangni debatet politike Ditën e falenderimeve

November 28, 2024 by s p

Nga Rafael Floqi 

Make this Thanksgiving feel special, even with a smaller crowd. Cozy dinners and new traditions can help usher in happiness. Photo credit: Depositphotos.

Në prag të festave, historia e një gruaje që vendosi të anuloj festimet e Falënderimeve për shkak të dallimeve politike me burrin e saj ka nxitur shumë reagime. Andrea Tate, në një ese për HuffPost, shpjegoi se nuk mund të gëlltiste faktin që burri i saj dhe familja e tij votuan për Trump. Kjo ka nxitur një diskutim të gjerë mbi ndikimin e politikës në marrëdhëniet personale gjatë periudhës së festave. Sondazhet tregojnë se shumica e amerikanëve planifikojnë të festojnë, por disa presin argumente politike gjatë tryezës. 

Megjithatë, 61 përqind në një sondazh të Universitetit Quinnipiac të vitit 2023 thanë se shpresonin të shmangnin diskutimin e politikës gjatë vizitës me familjen ose miqtë në Ditën e Falënderimeve, ndërsa 29 përqind thanë se e prisnin me padurim. Gjashtëdhjetë përqind e burrave dhe 62 përqind e grave thanë se shpresonin ta shmangnin atë. Pa dyshim që është ende e vërtetë.

Sondazhet e mësipërme kanë të bëjnë me pritshmëritë. Ato janë interesante më vete, por nuk na tregojnë për përvojën aktuale të njerëzve. 

Dita e Falënderimeve është një kohë kur familjet mblidhen së bashku, festojnë dhe reflektojnë për atë për të cilën janë mirënjohës. Megjithatë, mund të jetë gjithashtu një kohë kur tensionet politike vlojnë, veçanërisht kur anëtarët e familjes kanë pikëpamje të ndryshme. Nëse dëshironi të ruani paqen këtë vit dhe të shmangni argumentet e diskutueshme politike, ka disa strategji që mund të përdorni për të zbutur konfliktet e mundshme dhe për të nxitur bisedën civile.

Mos e godisni topin pas fitores

Pas një fitoreje të madhe zgjedhjesh ose politike, mund të jetë joshëse të kënaqeni nëse kandidati juaj doli në krye. Disa, në meme dhe viral reels, po bëjnë thirrje që njerëzit t’u zënë pritë anëtarëve të familjes që besonin në një kandidat humbës. Megjithatë, kthimi i bisedës në një reel fitoreje mund të ndezë argumente të panevojshme. Në vend që të përqendroheni në mënyrën se si ose pse kandidati juaj fitoi, zhvendoseni bisedën drejt sfidave që janë përpara.

Nëse kandidati juaj është zgjedhur, pranoni se fitorja është vetëm hapi i parë dhe se ka çështje urgjente për t’u adresuar. Duke u fokusuar tek e ardhmja dhe nevoja për të zgjidhur problemet së bashku, ju inkurajoni një diskutim të menduar përpara dhe jo një diskutim përçarës.

Për ta bërë këtë punë, mbani mend “rregullin e kohës së foljes”. Të folurit në kohën e kaluar shpesh rezulton si fajësim, ndërsa koha e tashme mund të nënkuptojë një gjykim moral. Në vend të kësaj, përdorni kohën e ardhshme për t’u fokusuar në atë që duhet bërë duke ecur përpara. Ky ndryshim i thjeshtë mund të ndihmojë në shmangien e timbrit të zërit, sikur po përjetoni ankesat ose triumfet e së kaluarës.

Për shembull, nëse flasin për Janin. 6, 2021, atëherë ndoshta pyesni: “Në të ardhmen, si mendoni se amerikanët, përfshirë veten, mund të protestojnë për diçka që ju mendoni se është e gabuar, edhe nëse zbuloni se keni gabuar?”

Bëni pyetje, mos bëni pohime

Në vend që të filloni një leksion se pse kandidati juaj është më i miri, bëni pyetje të hapura për të inkurajuar një dialog të zhytur në mendime. Pyetni të afërmit tuaj se si ata besojnë se kandidati kundërshtar do t’i trajtonte çështjet aktuale, ose pyesni: “Çfarë mendoni se administrata aktuale mund të bëjë për të zgjidhur [fut çështjen]?”

Bërja e pyetjeve në vend që të bëni Deklaratat deklarative lejojnë që biseda të ndihet më shumë si një diskutim sesa një konfrontim. Ai gjithashtu tregon respekt për mendimet e të tjerëve dhe mund të ndihmojë në largimin e bisedës nga debati dhe drejt mirëkuptimit.

Është gjithashtu e mirë për mendjen tuaj dhe shpresojmë se mund të ndihmojë palën tjetër të shohë dobësitë dhe të fillojë të thyejë barrierat e veta.

Pranoni dobësitë e kandidatit tuaj

Një mënyrë për të mbajtur një bisedë civile është të pranoni të metat në kandidatin tuaj. Nëse dikush e kritikon kandidatin tuaj se është i guximshëm ose i pandershëm, në vend që ta mbroni menjëherë, bëni një hap prapa dhe pranoni se, po, këto cilësi janë një shqetësim. Një fjalë e thjeshtë: “E kuptoj pse mund të ndihesh kështu për Donald Trump, dhe as unë nuk jam dakord me gjithçka që ai ka bërë”, mund të ndihmojë shumë në nxitjen e një bisede më të respektueshme.

Pranimi i mangësive të kandidatit tuaj tregon pjekuri dhe mund të ndihmojë në uljen e temperaturës së diskutimit. Gjithashtu ju bën të dukeni mendjehapur, gjë që mund t’i inkurajojë të tjerët të dëgjojnë këndvështrimin tuaj me më shumë mendim. Ky është fillimi i lejimit të palës tjetër që të zbutet dhe të bëhet më mendjehapur.

Njihni problemet e së kaluarës që mund t’i keni anashkaluar

Është e lehtë të anashkalosh të metat e një politikani që e mbështet, ndërkohë që kritikon ato të opozitës. Megjithatë, nëse jeni kritik ndaj veprimeve të kaluara të një kandidati – të tilla si skandalet e aferave që rrethojnë Bill Clinton – është e rëndësishme t’i mbani kandidatët tuaj aktual në të njëjtin standard. Për shembull, mos pretendoni se z. Jeta seksuale e Trump është imune ndaj shqyrtimit thjesht sepse ju jeni dakord me qëndrimin e tij për emigracionin.

Duke shmangur kontradiktat në pikëpamjet tuaja politike, ju tregoni se nuk jeni verbërisht partiakë. Kjo mund t’i bëjë të tjerët të ndihen më rehat duke u përfshirë në një bisedë civile pa u ndjerë sikur po gjykohen ose përjashtohen. Oh…dhe mos mendoni se ata harrojnë atë që keni thënë vitin e kaluar, pasi ndoshta nuk keni harruar as atë që thanë.

Menaxhoni emocionet tuaja

Është e natyrshme të ndjeni fort për çështjet politike, por kur emocionet fillojnë të rriten, është e rëndësishme të gjesh mënyra për të qëndruar të qetë. Nëse e ndjeni veten duke u mërzitur, merrni frymë thellë dhe jepini vetes një moment për të mbledhur mendimet tuaja. Një “më lejoni të mendoj për këtë” e thjeshtë mund t’ju ndihmojë të rifitoni qetësinë dhe ta drejtoni bisedën në një drejtim më pozitiv.

“Nuk e di” është një përgjigje e shkëlqyer

Nëse nuk jeni të sigurt për një temë politike ose nuk i keni të gjitha faktet, është krejtësisht në rregull ta pranoni atë. Të thuash “Nuk e di” është shumë më produktive sesa të pretendosh se i ke të gjitha përgjigjet. Jo vetëm që shmang dezinformatat, por hap derën për një diskutim më informues. Nëse nuk e dini përgjigjen, bëni pyetje, hulumtoni më vonë dhe vazhdoni të mësoni.

Të qenit i sinqertë për nivelin tuaj të njohurive ndihmon në parandalimin e argumenteve të panevojshme dhe promovon një shkëmbim më të respektueshëm të ideve.

Dita e Falënderimeve është një kohë për t’u lidhur, për të ndarë një vakt së bashku dhe për të krijuar kujtime të qëndrueshme me familjen dhe miqtë. Duke ndjekur këto strategji, ju mund të shmangni argumentet politike që mund të pengojnë festën. Në vend që të përqendroheni te dallimet, përdorni kohën tuaj së bashku për të nxitur mirëkuptimin, për të vlerësuar perspektivat e ndryshme dhe për të theksuar rëndësinë e punës së bashku për të ardhmen. Duke vepruar kështu, ju do të ndihmoni të mbani gjallë frymën e Ditës së  Falënderimeve – pavarësisht se çfarë po ndodh në botën politike.

Filed Under: Reportazh

Titanët brinjakë, dy brirëshat Aleksandri i Madh dhe Skënderbeu

November 28, 2024 by s p

Shqiptarët në mbar botën festojnë Nëntorin e flamurit të Skenderbeut që nga turqishtja do të thotë Aleksandrit, të cilit lufta për liri, iu imponua nga hordhitë e osmanëve pushtues por edhe nga Venediku. Thirrje së cilës ai dhe kombi i vet iu përgjigj me lavdi, siç do të bënte stërgjyshi i tij Aleksandri i Madh.

Bota njeh dy Aleksandër, Aleksandri i Madh i Maqedonisë, me gjyshër dhe nënë ilire, dhe me babain e tij Filipin bir i një nëne ilire. Kjo konfirmohet nga disa autorë, për gjithashtu për këtë Sir William Woodthorpe Tarn i Akademisë Britanike në veprën mbi Aleksandrin, të titulluar: W. W. Tarn, Alexander the Great, Beacon Press, Boston, 1966. Në faqen I të librit shkruan: “Edhe pse për të dy prindërit e tij pretendohet për trashëgemi Greke, ai kishte nga babai (Filipi II) dhe e ëma e tij (Olimpia) gjak Ilir, Shqiptar.”

Ndërkohë që vende të ndryshme ngrenë flamujt the mbushin bibliotekat me vëllime për ta përvetsuar Aleksandrin e Madh si pinjoll të tyre, shqiptarët akoma nuk e kanë përqafuar nipin dhe stërgjyshin e tyre ashtu siç atij i takon, në Besën shqiptare.

Aleksandri i Madh fliste dhe lexonte ilirisht. Historiani Jacob Abbott, në veprën e tij “Alexander the Great,” përmend se Aristoteli i dhuroi Aleksandrit vëllime të Iliadës dhe Odisesë. Që ishin të shkruara në gjuhën amtare – të nënës – së Aleksandrit, pasi Aleksandri nuk e kuptonte greqishten.

Gjuha e nënës së Aleksandrit ishte ilirisht. Aleksandri i mbajati me vete këto shkrime gjatë të gjitha fushatave të tij, sipas Abbot kto kopje të dhuruara nga Aristoteli ishin zbukuruar me ornamente artistike, por edhe Aleksandri i dedikoi atyre një arkë të veçantë për ti ruajtur dhe adhuruar, sepse historitë e Iliadës dhe Odisesë ishin frymzim për të.

Ndërkohë, Aleksandri tjetër, ose Skënderbeu, pamvarësisht kontestimeve, njihet gjërësisht në linjën ilir – arbër – shqiptar.

Dy helmetat me brirë të Amonit dhe Amalteas u mbajtën nga burra të lindur jo larg njëri-tjetrit gjeografikisht, duke folur të njëjtën gjuhë amtare – gjuhë të nënës – dhe duke ndarë të njëjtat zakone dhe tradita kulturore, por me një diferencë kohore prej shtatëmbëdhjetë shekujsh. Megjithatë, bota i njohu të dy me të njëjtin emër: Aleksandër.

Në analet e historisë ushtarake, shkëlqimi dhe udhëheqja e këtyre dy figurave qëndrojnë si të paprecedenta. E megjithatë vend prehjet e tyre janë akoma një mister, për të hershmin Aleksandrin e Madh edhe pse e pa deklaruar zyrtarisht, ndoshta edhe mund të dihet vendodhja, por që publiku e njeh me një emer tjetër – Tutankhamun, që përkthehet si “Mishërimi i gjallë i Amonit” titull të cilin Aleksandri e mbante për së gjalli. Pra Aleksandri quhej Tutankhamun. Kjo Eshtë një tezë intriguese, e lëvruar nga studiuesit, përgjigjen përfundimtare të së cilës do ta zbardhte krahasimi AND-së ndërmjet mumjes së varrit KV62 (e dyshuar të jetë mumja e Aleksandrit të Madh) dhe Filipit II të Maqedonisë (359 – 336 P.e.s). Për ti bërë gjërat edhe më interesante Daily Mail, në artikullin mbi zbulimin e varrit të Filipit II të datës 13 Maj, 2015 shkruan, ligjëratë të drejtë “Ndërsa hulumtimi është deri tani më bindësi që varri i përket Filipit II, testet e ADN-së nuk mund të përdoren, që do të thotë se askush nuk mund të jetë plotësisht i sigurt se kujt i përkasin eshtrat.” Skënderbeu, po ashu ishte legjendë e gjallë gjatë kohës së tij, ai mbajti titullin “Athleta Christi”, Kampion i Krishtit, u quajt kështu nga disa Papë, duke përfshirë Papën Kalisti III, Papën Piu II, Papën Pali II dhe Papën Nikolla V. Mendohet të jetë varrosur në Katedralen e Shën Nikollës në Lezhë. Por, edhe këtu ekziston një teori që eshtrat e Skënderbeut mund të jenë zhvendosur fshehurazi për t’i mbrojtur nga osmanët. Disa studiues dhe historianë spekulojnë se trupi i tij mund të jetë varrosur në një vend më pak të dukshëm për të parandaluar që të binte në duart e osmanëve pas vdekjes së tij. Kjo teori ushqehet nga fakti se vendvarrimi i tij i saktë ka mbetur disi një mister gjatë shekujve. Ndoshta vendprehjen e tij vazhdon ta ruaj historia. 

Megjithëse të ndarë me shekuj në kohë këto dy gjeni ushtarak i bashkon gjaku ilir, dhe aftësia e tyre e jashtëzakonshme për të udhëhequr forcat ushtarake drejt fitores, kundër ushtrive më të mëdha. Napoleon Bonaparti pat thënë, “Fushatat e Aleksandrit janë shkolla më e mirë për gjeneralët. Ato tregojnë rëndësinë e lëvizjes së shpejtë dhe elementin e befasisë.” Në fakt, kjo vërejtje për “…rëndësinë e lëvizjes së shpejtë dhe elementin e befasisë…” ngjason saktësisht me strategjitë e përdorura nga Skënderbeu.

Skënderbeu shpesh përmendet për metodat e tij të tipit guerril, por triumfet e tij në betejat në terren të hapur dëshmojnë një dimension tjetër të zgjuarsisë së tij strategjike, të krahasueshme me atë të Aleksandrit të Madh.

Do duheshin studime më të zgjeruara, sepse fushatat e tij nën perandorinë osmane sigurisht nuk ishin luftë guerrile. Por, nuk mund të themi se mungon evidenca e saktë historike që shpalos gjenialitetin unikal të Skenderbeut në betejat në fusha të hapura. Përkundrazi, ajo është e dokumentuar mirë, si në rastet në vinjim.



I

Citohet se nxehti ishte i padurueshëm atë fund Qershor (dt. 29) të vitit 1444 kur Skënderbeu udhëhoqi shqiptarët në kanionin e Torviollit. Plani ishte i thjeshtë por vdekjeprurës. Osmanët e ndoqën, të pavetëdijshëm. Kur gracka u shtrua, ulëritjet dhe vaji i osmanëve, nga tmerri i betejës, jehonin nëpër anët e kanionit. Cdo gjë mbaroi shpejt. Burrat e Skënderbeut lëviznin me saktësi preçize, si ushtarët e Aleksandrit në Issus. Fitorja ishte e shqiptarëve. Në Issus në vitin 333 p.e.s., Aleksandri u përball me mbretin persian Darius III. , si në rastin e Skenderbeut, megjithëse me një ushtri numerikisht më të vogël, gjenialiteti taktik i Aleksandrit dhe përdorimi i terrenit i siguruan atij një fitore deçizive, duke treguar aftësinë e tij për të kthyer të pamundurën, në triumf. Fitorja e Skënderbeut në Torvioll ishte po aq e rëndësishme, duke mposhtur një forcë shumë më të madhe në numër. Historiani Marin Barleti, në biografinë e tij për Skënderbeun, lavdëron këtë fitore si një dëshmi e zgjuarsisë së pashoq dhe trimërisë së Skënderbeut. Kjo është në një linjë me mendimin e Jakob Philipp Fallmerayer, i cili e përshkruan Skënderbeun si “mjeshtri më i përsosur, më fatbardhë dhe më i madh i artit të luftës i të gjitha kohërave.”


II

Një vit më vonë, në 1445, gjenialiteti i Skënderbeut shkëlqeu sërish në Betejën e Drinit. Me vetëm 3,500 burra, ai u përball me një forcë osmane tre herë më të madhe. Sulmet e shqiptarëve ishin mjeshtrore dhe vendimtare, duke ndjellur tmerr dhe konfuzion tek armiku, dhe duke e mposhtur atë përfundimisht. Taktikat e Skënderbeut pasqyronin ato të Aleksandrit në Granikus. Në vitin 334 p.e.s., në Betejën e Granikus, përdorimi strategjik i kalimeve të lumit dhe sulmet e tij të guximshme të kalorësisë shkatërruan forcat persiane, megjithëse numerikisht më të mëdha. Arbërori gjithashtu përdori terrenin dhe befasinë në avantazhin e tij, duke arritur një fitore të jashtëzakonshme. Nga ana tjetër, Fan Noli thekson cilësitë personale të Skënderbeut, si karizma e tij, qëndrueshmëria dhe përkushtimi i palëkundur për popullin e tij, veti këto të cilat frymëzonin besnikëri dhe ishin vendimtare për suksesin e tij në betejë.

III

Në vitin 1448, Skënderbeu u lëshua me 6,000 burra kundër 15,000 osmanëve në Betejën e Oranikut. Megjithëse numerikisht më të shumtë, osmanët u shkatërruan krejtësisht nga strategjitë e tij dhe kundërsulmet e shpejta të forcave shqiptare. Saktësia dhe koherenca ishin çelësi. Fitorja ishte totale. Kjo betejë reflektonte saktë strategjinë e Aleksandrit në Gaugamela, i cili po ashtu mposhti një forcë shumë më të madhe në numër. Në Gaugamela në vitin 331 p.e.s., Aleksandri u përball me një ushtri të madhe persiane nën komandën e Darit. Ku, përmes përdorimit efektiv të manovrave anësore dhe shfrytëzimit të boshllëqeve në linjat e armikut, ai siguroi një fitore monumentale, duke ndryshuar përgjithmonë ekuilibrin e fuqisë në botën e lashtë. Triumfi i Skënderbeut në Oranik tregon po të njëjtën zgjuarsi strategjike, duke përdorur saktësinë taktike në kushtet e disavantazhit të thellë numerik. Historiani Aurel Plasari vëren se aftësia e Skënderbeut për të komanduar forcat e tij me një finesë të tillë të lartë në betejat në terren të hapur tregon zotësinë e tij të shkëlqyer në  funksion të strategjisë ushtarake.

IV

Beteja e Albulenës, e njohur edhe si Beteja e Ujëbardhës, në vitin 1457 shënoi eterizimin e Skënderbeut, dhe ngren edhe sot pyetjen: a ishte ai me të vërtet gjak i Zeusit legjendar? Një nga fitoret më epike të historisë botërore të luftës. Me 7,000 deri në 8,000 burra, ai u përball me një ushtri osmane që e tejkalonte numrin ushtrisë shqiptare me të paktën gjashtë për një, ushtria osmane përbëhej nga rreth 50,000 deri në 80,000 trupa të ndryshme. Dhe më 2 Shtator, arbrorët nisën sulmin kundra osmanëve. Fitorja ishte absolute, me humbje minimale për shqiptarët, dhe një disfatë katastrofike për osmanët. Ishte një strategji madhështore, e ngjashme me taktikat e Aleksandrit në Tyr dhe Gaugamela. Gjatë Rrethimit të Tyrës në vitin 332 p.e.s., Aleksandri demonstroi këmbëngulje të jashtëzakonshme dhe gjenialitet duke ndërtuar një rrugë për të arritur mbrojtjet e frikshme të qytetit ishull, duke rezultuar në një fitore të rëndësishme pas një rrethimi shtatë-mujor. Taktikat e Skënderbeut në Albulenë reflektojnë një aftësi të ngjashme për nga niveli i inovacionit dhe përshtatshmërisë.

Shkëlqimi i Skënderbeut në betejat në terren të hapur përjetëson gjenialitetin e tij ushtarak përtej nocionit të luftës së tipit guerril. Ndërsa, aftësia e tij për të mposhtur forcat osmane të cilat gjithnjë kishin epërsi numerike, luajti një rol vendimtar në sukseset e shqiptarëve, dhe formësuan historinë e Evropës së shekullit të XV.

Zgjuarsia dhe udhëheqja vizionare e Skënderbeut jo vetëm që u siguruan fitore të lavdishme arbrorëve, por përfaqsojnë edhe gjenialitetin unik të kombit shqiptar si testament i artit të luftës.

Sot, ne shqiptarët, trashëgojmë po këtë flamur, i cili u valvit lart, i pathyeshëm në beteja të lavdishme.

Për këtë trashëgemi nuk na pyeti kush, ajo na u la.

Por, ne e nderojmë çdo Nëntor, duke çmuar lirinë, kujtuar çmimin e saj, dhe përpjekjet shekullore.

E kemi në zemër, dhe të skalitur në trashëgemin tonë shpirtërore.

Jua shpalosim fëmijëve, dhe i mbulojmë kuq e zi.

U mësojmë shqip, gjuhën e zogut, gjuhën amtare të dy Aleksandërve.

Që e ardhmja e tyre të jetë e lirë, dhe e lumtur, si shqiptar.

Bij të shqipes, dy krenare.

Marsel Fregjaj                                            

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT