• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2024

“Zoti vetë”, poezi nga Alfons Grishaj

December 23, 2024 by s p

Zoti vetë

Rinia, natyrë meteorike,

Refren i dashurisë etur.

Kulmi i këngës melodike,

Metaforë e frymës mbetur. 

Çdo mëngjes feks një ditë,

Një javë, muaj e mot.

Pa kuptuar kemi arritë…

Finalen!Humbës, fitues?! Kot.

Frekuenca dimensionale

S’është për toksorë e dhaskal,

Se Zot në zyren “ovale” 

Hapë librin eliptikal*.

Prandaj ikën një mik/mike

Një i njohur nga afër shkon larg…

Tërheq shqim rrezja mistike

Në krahët e Arkangjejve varg.

Mesazh çdo qelizë e gjallë,

Dhe hëna kreshendo mbi mal,

Po ne nuk pyesim, – pse vallë  

Ajo i kthehet ritualit me mall?

Përshëndetje me kupë verë,-

Për humbjet, lotët, gaz, jetë!

Misioni mistik në çdo derë…

Dashuria e Zotit Vetë.

Mos më thoni

Mos më thoni, o vëllezër!

Se duhet lozim dyzuar…

Duke i ndejt t’keqit hazër

Për t’a nxjerr djallin fituar.

S’përzihet turpi dhe nderi, 

Koktail ferrash dhe më keq,

S’duhet marr n’gji  qederi

Tue i ba selam t’ziut dreq!

Mëshira  për t’mëshirëshmin

Por, jo  për njeriun e lig! 

Dashuria për t’madhërishmin

Që di t’ruaj familje e çiflig.

Nëse doni ca  cjepurrakë*

Nuk do ketë n’ votër gllanik*,

As kështjell dhe as barakë,

Por çudibërës manafik*…

Po a bëhet buçi, trëndafil,

Krokodili a kthehet bletë,

Dhe i pabesi, karafil ?!

-Sa çakall ëngjëll me fletë!

Mos m’thoni, përrallaxhia

Është bërë serioz, oh, aman!

Shpifaraku dhe stallaxhia , 

U bën’ profesorë me nam?!

Mos m’thoni kush ësht’ patrioti 

Në këtë  zallamahi lyrë…

Mos ia fusni kot së koti, 

Se Gollum* ka ndryshu fytyrë!

Nëse nuk dini, nuk gaboni  

Për dijen dhe universin…

Bëni faj kur vlerësoni 

Gënjeshtrën edhe perversin !

Lutem, më thoni gjëra t’ vlera,

Relike t’ fshehura q’nuk di,

Por kurrë shije të djerra  

Që s’mbin fije bari nga shi.

Shjegime fjalësh:

Elliptical = Fjali apo shkrime të vështira për tu kuptuar.

Cjepurrak= Që e ndjek prapësia, njeri ters.

Gllanik (Urës) = Guri i vatrës ku mbështetën urët e zjarrit.

Münafik( Manafik) = Vetitë e mbrapshta të manafikut : Spiun, besëprë, tradhëtar . 

Gollum(Smeagol)= Me fytyrë të shtrenbër, jo njerëzor, mëkatar, i korruptuar.

Filed Under: Opinion

Një vizitë patriotike në Boston…

December 22, 2024 by s p

Adriatik Spahiu*/

Vizitat në Bostonin e shqiptarizmës e kombëtarizmës janë gjithmonë të pa harruara, të shenjta dhe të veçanta. Ky fundvit ishte tejet i veçantë me takime patriotike, vatrane, kombëtare e diellore. Shpreh mirënjohjen time për kryetarin e Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha, kryetarin e Vatrës në Boston z.Mentor Maksutaj, arkëtarin z.Besim Malota, sekretarin e Vatrës Dr. Pashko Camaj, kryetarin e Hartford z.Ilir Gjomarkaj, prof. Thanas Gjikën, z.Petrit Alibeaj e gjithë vatranët e Bostonit për mikpritjen e veçantë e përkujdesjen. Në Boston, Massachusetts takimet vëllazërore me patriotë të shkëlqyer më mbushën zemrën e shpirtin plot. Shqiptarë frymëzues që të bëjnë krenarë me sukseset dhe përçimin e rrezatimin e vlerave kombëtare.

Në promovimin e librit “Porosia e Kullës” të Dr. Pashko Camaj në Harvard University u shpalosen vlerat më të larta atdhetare e më të çmuara letrare shqiptare prej personaliteteve që kumtuan e promovuan letërsinë, kombin, gjuhën e kulturën kombëtare. Në Hartford patriotit z.Ilir Gjomarkaj iu besua unanimisht udhëheqja e proceseve atdhetare e komunitare në krye të degës së Vatrës aty. Në darkën e njëvjetorit të degës Vatra Boston u ekspozua puna e shkëlqyer atdhetare e ekipit të udhëhequr nga z.Mentor Maksutaj dhe u vlerësuan kontributorët rezultativë me gjurmë në Vatër dhe komunitetin tonë.

Mjaft emocionuese ishin vizitat te Kisha e Nolit në Shën Gjergj, guri monumental i Faik Konicës dhe varri i themeluesit të Vatrës Peshkop Fan Nolit. Me lule e flamur kombëtar të sjellur nga patrioti z.Petrit Alibeaj, me lutje e përshpirtshmëri nderova kolosët e shqiptarizmës në Boston dhe u frymëzova prej punës së shkëlqyer të vatranëve që më pritën përzemërsisht. Nënshkrimi i marrëveshjes së funksionimit të degës së Vatrës Jacksonville me Vatrën Qendrore më jep motiv dhe fuqi për të punuar më shumë në shërbim të çështjes kombëtare dhe komunitetit shqiptar në Florida.

Rrugëtimi mbi 112 vjeçar i Vatrës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është histori, identitet dhe krenari për çdo shqiptar. Vatra do jetojë në shekuj të shekujve. Asnjë individ apo grupim egoist, karrierist, ndarës e përçarës nuk do të mund ta ndalë kurrë Vatrën, sepse Vatra është e kombit, e atdheut, Vatra është e shenjtë.

* Kryetari i Vatrës në Jacksonville, Florida.

Filed Under: Vatra

ODISEDIADA SHPIRTËRORE DHE FATI I INDIVIDIT E GRAVUAR MJESHTËRISHT NË KOHË E HAPËSIRË PËRMES ARTIT LETRAR

December 22, 2024 by s p

Reflektim për romanin “Porosia e kullës” e autorit Pashko Camaj.

Shkruan : Mëhill Velaj

Të nderuar të pranishëm që në fillim dua të theksoj se: emri i Pashko Camaj ka kohë që bashk me një plejadë të shkrimtarëve nga Malësia si Franë Camaj, Gjon Franë Ivezaj, Anton Gjuravçaj, Anton Gojçaj, Mark Pashku, Age Gjokaj – Ivezaj etj ka zënë vend të merituar nëangazhimet e tij kulturore , profesionale, kombetare por edhe në letërsinë shqiptare.

Nisur nga ky aspekt na vien në kujtesë thenja e psikologut Amerikan Tery Pety Jones I cili thotë ,, Zoti njeriun e ka paisur me kujtesë ‘’ që ajo kujtesë dikur ti kthehet në art e jetë të ripererirë.

Andaj mund të themi lirshëm se pena dhe magjia letrare që na ofron çdoherë ky autor është sfiduese për lëxuesit por njeherit është edhe shkallë katarzimi e përthellimi në fenomene letrare të cilat shquhen për stilin e veçantë, elegancen e të shkruarit, përthellimit në subjeke letrare, duke veçuar mjeshterinë e shprehjesdhe rezonimit letrar, figuracionit impresiv, por edhe rikapitullimit reminishent që të lë pa frymë kur lëxuesi vertikal reflekton për planin ideo artistik dhe mesazheve hera hera meta psikologjike.

Derisa po e perfundoja se lexuari këtë roman kaq mbresëlënës, befas mu kujtua një fragment nje fragmënt duke e lexuar romanin e shkrimtarit të mirënjohur Vilson Culaj ,, DASHURI TË PAPREKURA ‘’ ku thuhet :

,, Vjen një çast i amshuar kur njeriu ka dëshirë që kohë pas kohe ti kthehet fëmijërisë së tij, si një akt shkarkimi i jetës së koduar e plot përgjegjësi, jo për të hequr dorë nga misioni por për të ikur nga jeta e vakët dhe piktura e rënduar nga ngjyrat plot helm‘’…

Andaj të gjëshë vetën në letersinë e tjetrit është diçka pertej magjise se perjetimit sepse në udhëtimin e furtunshëm të jetës vetëm të diturit dhe të guximshmitrrefejnë edhe për të tjerët. Ky diskurs letrar është veçanti e krijuesve intuitive që marrin nga bota dhe historia personale dhe i dhurojnë botës të veçantën permes univerzales.

Ky guxim e fuqi shprehese merr permbajtje e mesazh letrar duke u nisur nga fakti se libri në fjalë është roman autobiografik. Pra, Pashko R. Camaj na ka rrefyer Sagën e tij jetësore nga fillimi e deri aty ku ka arritur sot permes idealit të lartë, motivimit e këmbëngultësisë në parime e ëndërrrimësh frytedhënëse.

Pashko Camaj permes ketij romani e nuhat, e perjeton, e shijon dhe e e jetëson dashurinë për atdheun traditën e integrimin në një dimension me të lartësuar se sa e bukura e estetikja, me lart se shija e një ëndrre materialiste, por edhe me lart se e përkohshmja sepse fuqia e tij mendore, pervoja empirike dhe intuita e tij e bejnë të meditoj për fenomene me të lartësuara se sa vet arti I të shijuarit.

Sot është një doktor në shkencat mjekësore dhe funksionar i rëndësishëm në shtetin e Nju-Jorkut. Rruga e përmbushur me ngjarje sfida e ngadhenjime vetëm ajo mund të quhet jetë, sepse drejt Olimpit dhe realizimit të historisë personale haperojnë vetëm vizionaret dhe misionaret pa pengun e lavdisë se rrejshme mbi supe.

Kështuqe romani ,, Porosia e kullës ‘’ është metafora e perkryer e kujtesës e qendresës i këtij rrugëtimi të brendshëm e memorizues, ku dimensioni shpirtëror ngadhenjen edhe me lartë se permasa e jashtme, domethënë rrethi social, shterngesat e gerrçët që Pashko R. Camaj ka perjetuar gjithmone duke gjakuar për të njohur veten , tjetrin dhe dhe subkulturen që ta ofron shteti me demokratik në botë, pra SHBA – ja.

Ky katapult i filozofisë se vetenjohjes dhe shpirtit stoik të një malesori është një horizont progresiv qe ngre shkallën e optimizmit dhe të një vetëdije frymëzuese përplotësuar me energji të mëdha shpirtërore, besim të madh në vete, intelekt, këmbëngulje e Empati me mjedisin shoqëror, duke synuar parreshtur për të dhënë më të mirën nga vetja si në aspektin human, kulturor por edhe atë profesional. Bazuar në subjektin letrar lirshëm mund të themi substrakti i mesazhit romanor apo i këtij libri i cili permes mendjes se ndriçuar të Pashko Camajt merr dimension tjetër letrar, sociologjik, etnik e shpirteror dhe integrues.

Zoteri Camaj si një kronikan i mirë ligjeron e rrefen për tema ekzistenciale sepse pershkrimet aq sugjestive që behën në këtë libër përbëjnë një lëndë të dobishme edhe antropologjike për të njohur jetën e zakonshme të një familjeje malësore shqiptare në Mal të Zi gjatë viteve `60 dhe `70 të shekullit të kaluar, ku edhe zë fillëepoka e thyerjeve të medha dhe emigracionit pa masëqë si një ,, Murtajë e Bardhë ‘’ kërcenonte pjesën etnike të Malësoreve. Raporti i tij me Etninë dhe të bëmat e tij është në harmoni të plotë sepse e përplotesuar është jeta dhe idealet e tij.

Mu në fillin e kësaj mbijetese në malësi zë fillë edhe Odisediada e një udhëtimi të rrezikshëm e plot sfida për ta arritur tokën e endrren Amerikane. Drama e rrëfimit zë fillë me protagonistën Driten dhe Luigjin nje fqinj nga Malësia ku njeriu i zënë ngusht në mes të dy botërave e dilemes,, të jeshë apo të mos jesh në lirinë tëndë ‘’ harron vetveten duke perçafuar qëllimin.

Rrëfimi romanor nga akti i lënjës se trojejeve të të parëve drejt aeroportit të Tijuanës, në Meksikë e deri tek prekja e tokës Amerikane është i mbushur përplot dilema, ankthe, rreziqe, sfida e përballje, frikë, pesimizëm e mbijetesë të cilat se bashku krijojne pirgun e vuajtjes e mbijetës si në përmasat epokaliptike.

Njeriu nuk ndjehet me njeri thuhet në nenteksitin metaforik të autorit Camaj. Aty përballja me unin njerëzor e mbijetesen tund malin e emocioneve të rrëfimtarit dhe lëxuesit. Është varka që rrezikon përmbytjen duke e synuar limanin e shpetimit qoftë shpetim emocional, ekzistencial apo i ëndrrës njerëzore.

Mbushja e romanit me personazhe të shumta që edhe ata përballën me fatin e keq të emigracionit është një mjeshtri letrare e autorit Camaj i cili shpërfaq e dëshmon gjeografinë e tij të gjërë të mendimit i cili në formë reminishente ka detektuar çdo detaj, sfidë, përplasje emocionale, zgip ekzistencial dhe ëndërr të bardhë njerëzore drejt atij kalvari që dyzon botën njerëzore në mes të frymës dhe materiales, gjakimit indentitar e integrues por edhe të sfidës moderne. Perballët filozofia Hiqit dhe krijimit të identitetit personal, kulturor, kombetar e integrues me atë të agnostkës dhe jetës praktike në rrethana krejtësisht të paimagjinueshme.

Kjo frymë gjallerie, shprese e lirie e pasuron dhe karaterizon këtë roman në tërë rrjedhen e tij rrëfimore. Djaloshi që kishte gjakuar ëndrrën Amerikane në një pasdite vjeshte, më 22 shtator 1985, më në fund, kishte arritur në Shtetet e Bashkuara, duke enderruar gjithmonë për një fillim të ri dhe të ndritshëm.

Jo rrallë autori ka dilemen mes jetes se dikurshme në malësi dhe asaj në Miçigan, ku permes krahasimesh e figuracioneve letrare ngre paraele e dilema në mes të një jete idilike e dinamike dhe një endrre që po e rriste shtatin e saj permes frymëzimesh të reja që ofron shteti Amerikan. Kjo kohë e botë e dyzuar është sfidë emocionale për autorin i cili jo rrallë rikujton jetën në Malësi, frymën e lirë të njerëzve malesorë dhe kullën se ku ishte rritur. Ky vargmal kujtimesh do e shoqeronte edhe gjatë ngritjes së tij profesionale e ekonomike në SHBA ku theks i veçantë i kushtohet familjes traditës dhe tharmit të etnisë megjithë benifitet që sjell bota kozmopolitane.

Shkrimtarit Camaj i pelqen të ëndërroj, të kaluaren e tij, ti rikujtoj gurët e atdheut, ta përçafoj për një moment të shkuaren e rininë e tij por mbi keto pirgje ideore e melankolishë impulsive ngadhenjen e verteta për fatin njerëzor që nuk mund të ndryshohet por të fisnikerohet po. Autori ka marr veten e tij me vete edhe në SHBA – dhe si një kampion i Malesisë reflekton pozitivisht e intelektualisht në botën e re.

Në fytyrat e deshpëruara të prindërve me pak dinar në xhep autori ka gravuar murin e kujtesës së tij dhe verragët shpirterore deri në shkallën e klithjes kur vendosi tia kthente shpinën Malësisë e fëmijerisë. .

Jo rrallë autori ngre urën e kujtes kur ndiqte mësimet në malësi, veshjet e lojerat por edhe për dimrat e acart dhe pengjet në jetë. Kjo dykohësi e perjetimeve transhidentale janë akt formesimi të një karakteri e talenti letrar ku mund të themi lirisht se gama ideore e ka arritur intencen letrare për mrekulli. Kjo gjeografi mendimi e perjetimi e autorit janë bazament i një letërsie të mirëfilltë sepse aty ku bashkëjetojnë dhimba e dashuria mu aty gufon zjarri katarzues që ndriçon mendje e personalitete.

Pjesa e romanit ,, Ditët e lumturisë dhe të trishtimit ‘’ është një rrefim tronditës përplot dilema e kujtesë therese ku permes rrëfimesh trazuese reflektohet për jetën familjare, traditën, fenë integrimin dhe rritjen e familjes. Imazhet e personazhët që ngërthehen në këtë roman të japin një tabllo të jetës reale të shndërruara në art letrar, ku lexuesi misherohet me personazhet, ngjarjet, sfidat dhe perjetimet e autorit dhe rrjedhes jetësore të një brezi që gjakonte dritën e integrimit ekonomik kulturor dhe të sfidave e mohimeve politike. Në këtë roman flet individualja për kolektiven dhe e përgjithshmja për të veçanten.

Lënda mbareshtruese në këtë roman është sfiduese, sepse autori si një mjeshtër i fjalës së gjallë di të reflektoj për fenomene tokesore e qiellore, sfida e gjakime por edhe personazhe e situate dritheruese qëmund ti takojmë gjatë leximit e shijimit të këtij romani. Kjo dramë me shumë pamje e nënshtresime të dhimbjeve shperfaqet në pershkrimin e takimit të fundit me babain në vitin 1979 ku njeriu merr me vete pak atdhe e shumë vuajtje, kujtesë e perjetim me vete kur ndarja behet mik me kujtesen që dhemb. Është guri i Sizifit që e ndjek si hije autorin edhe në mergim sepse bota e dyzuar e morali i tharmit të traditës është tundim për të.

Camaj në rrëfimin e tij romanor është substrakti e memories metafizike të Malësorëve të Malësisë së madhe andaj shpesh përgjatë lëximit vertikal të këtij romani të krijohet përshtypja se po lexon një pjesë të jetës kolektive të malësorëve që jetojnë në Malin e Zi.

Pjesa e romanit ,, Ëndrrat e paplotësuara ‘’ apo Vera e vitit 1983 shënon kohën kur protagonisti i këstij rrëfimi kishte formesuar ëndrrën për t’u larguar nga vendlindja. Në këtë strukturë rrefimore e letrare vjen në shprehje një kapercim kohërash motivesh e dilemash jetësore ku ëndrra bëhët qëllim jete, kurse qëllimi guxim dritëlargët. Pjesa e rrëfimit romanaor në mes të jetës në Podgoricë dhe studimeve në Prishtinë është një kapitull tjetër jetësor për autorin e këtij romani i cili nuk ka të ndalur në qëllimet e tija dhe i frymëzuar pozitivisht për një barazpeshë të jetës.

Autori Camaj falë mjeshtrisë së tij letrare di të reflektoj edhe për ditët e shërbimit ushtarak, sfidat, keqkuptimet, paragjykimet dhe rreziqet që sillte kjo fushë e minuar posaqerisht për shqiptarët që shikoheshin me një sy krejtë tjetër nga regjimi i dikurshëm jugosllav.

Pjesa e romanit ,, Largimi nga shtëpia ime ‘’ është dramë emocinale në vete ku individi gjindet i përbuzur para aparatit shteteror dhe intelektualit i zihet fryma nga nacionalizmi i vërbuar. Ky delir shpirteror aq prekes poaq motivues janë shkaqe e pasoja kur i riu merr hapin e guximshëm për të lënë prapa të kaluarën e tij dhe për ta ngjizur një ëndërr tjetër që shpetimin e gjënë në ikje. Ky largim tronditës rrefehet bukur artistikisht permes këtij romani jetësor ku plaga e të riut njejtësohet me varret e të parëve dhe ku lamtumira e fundit prindërve ndër varre trondit edhe amanetin e të vdekurve e paraardhësve stoik. Nderthurja artistike në këtë pjesë të romanit është epokaliptike, sepse në ADN-nën e malësorit është e ngulitur lashtësia e kaluara dhe perjetimi i së tanishmës e përçafimi i së ardhmes. Këtu flet etnopsikologjia në vend të fjalës së individit dhe ku individi bëhët pjesë e tëresisë dhe veçantisë.

Ky roman në strukturen e tij ideore e artistike ngërthen klasiken me modernen, përplas kohërat në një hapesirë ideo – artistike, gjakon ëndrrën për t’iu rikthyes së vertetës historike, duke e kërkuar shqiptarin e integruar dhe të denjë për historinë moderne

Në pjesën e romanit : Në zemrën e Amerikës ‘’ shqyrtohet e reflektohet thellësisht saga e ënddra e një të riut e cila ngjanë me një arkë të triumfit, besimit shpreses e lirisë se pa mort. Është akt i nje beselidhjeje të re e fuqiplotë në mes të unit të individit dhe botës se re ku e kaluara gravon hapat e kujtesës në sfondin plot personazhe e perjetime sa vet hapesira qiellore.

Pjesa e romanit ,, Rrethi i plotësuar ‘’ është një univers në vete ku reminishenca malli e gjakimi jetësor shkrihen në një element të vetëm dhe ku ideali ngadhenjen mbi sakrificën. Një mjek i diplomuar në Columbia University pas 40 vitësh po e jetesonte ënddrrën e tij të dikurshme. Prishtina po mbushte një boshllek që tërë jetën autori luftoj ta permbushte. Ja si shprehet magjishëm autori Camaj :

,, Të gjithë kemi një vend ku mund të arratisemi në mendjet tona. Derisa rritemi, me dëshpërim përpiqemi të kthehemi në atë vend, duke u përpjekur të kujtojmë vetëm kohët e mira ‘’ .

Djaloshi i kullës ëndrrës, gjakimit për integrim, student e tani mjeku i njohur po e jetesonte e shijonte ëndrrën amerikane. Ai jeton me të kaluarën por i jep kuptim të tanishmës dhe së ardhmes. Në ndërdijen e tij krijuese e shenjtë mbetet vetëm familja dhe buzeqeshja. Ai pirg kujtimesh që e ndjek si hije është urë lidhese mes fëmijerisë dhe së ardhmes së tij.

Me një fjalë janë copëzat e jetës e perjetimeve të një intelektuali me prirje letrare të vendosura në pirgun emocional që si një makinë e memories reflekton për jetën, dukuritë, shoqerinë, për bekimet e mallkimet e jetës, përballjet e ngadhenjimet por mbi të gjitha është libër memorial i jetës sepse në qëndër të rrëfimit e ka familjen traditen e rrënjët dhe integrimin shqiptar.

Ky mëkat I pabërë e vetngushëllues është akt katarzimi e ngadhenjimi për autorin Camaj i cili jeton ne mes dy kohërave e dy vendeve këngë hareje duke I thurur jetës.

Kthimi i tij i here pas hershëm në malësi e Kosovë është ngushëllim brezash. Duart e arta të një mjeku dinë të bëjnë edhe mrekulli letrare.

I kësaj natyre na ofrohet edhe ky roman mbreselënës i cili mbart në vete pakëz ëndërr e me shumë sakrificë e cila fisnikeron e pasuron shpirtin e autorit por edhe mbreterinë letrare duke lene gjurmë të pashlyera në Panteonin ndër shqiptar.

Mëhill Velaj,

Universiteti “Harward “,Dhjetor,2024

Filed Under: LETERSI

TË FSHEHTA JASHTË EKRANIT

December 22, 2024 by s p

Parathënie nga Kujtim Çashku/

Mevlan Shanaj vjen në këtë libër me një këndvështrim të pasur personal, të një memorieje gati kaleidoskopike, ku ndërthuren ndjesi individësh, personash, personazhesh, personalitetesh dhe qasje intime e private të jetës së tij. Do të doja të bëja në krye të herës një marrëveshje konvencionale fjalësh, duke bërë një diferencim mes memories si kuptim pasurie arkivore e akumuluar dhe kujtimeve të perceptuara si akte ndijesore, të një kujtese vepruese lidhur ose e asociuar me diçka të caktuar. Në këtë kuptim, kaleidoskopi i memories përbëhet prej fugash e honesh të thella emocionale, të njohura e të panjohura, që na bëjnë të mundur rishikimin dhe humbjen e perceptimit fizik e real, të kohës, hapësirës dhe vendit. Autori e pasuron këtë qasje kaleidoskopike përmes kujtimeve dhe shtresëzimeve të individëve, që hera- herës shihen si persona, personazhe apo personalitete publike e private në jetën shoqërore. Ai e qëmton dhe e analizon shkëputjen e individit nga anonimiteti i vet, pra nga askushi, nëpërmjet një arratie emigratore emocionale, e cila në brendinë e vet ka një fillesë

mimetike e simulakrate për t’u njësuar me dikë, me diçka, me diku, me një fenomen, person apo personazh të caktuar paraekzistencial.

Ky proces duket si lënda që derdhet brenda një taseli paraekzistues të një skulptori të padukshëm, që mund ta bëjë askushin të stimulohet dhe simulohet, “how to look like”, për t’u bërë dikushi, personazh, e më pas personalitet publik në plan lokal apo ndërkombëtar. Nga kjo arrati emigratore emocionale e askushit nuk shpëton asnjë qenie individuale me dimension shoqëror. Ky emigrim emocional zhvillohet në shtratin e memories së akumuluar njerëzore dhe shfaqet në çdo fushë të jetës. Emigrimi është një proces human ndryshueshmërie i pandërprerë dhe i pafundmë i vazhdimësisë së jetës. Ky emigrim nis nga fetusi në bark të nënës, fëmijëria e çdokujt, konturimi gradual gjatë pubertetit, adoleshencës së panjohur, maturimit dhe gjatë gjithë procesit të mëtejshëm të vetëidentifikimit në familje, shoqëri, në vend, në botë e në univers.

Në këtë libër autori përshkruan disa shënjues të kësaj arratie emigratore. Këtë e bën te disa individë, pa përjashtuar as veten e tij, madje shpesh me një sinqeritet të pamëshirshëm dashurie e dhimbjeje, sikurse na kujton urtësinë dhe fisnikërinë e nënës së tij, duke u shprehur për të: “Çfarë nuk do të jepja të më rivinte (nëna), ashtu e varfër dhe shumë e pasur në kujtime”, apo kur kujton porositë e saj: “Bëje të mirën dhe hidhe në det” dhe “Mos ia bëj tjetrit atë që nuk e do për vete”. Më tej autori bie në kujtimet e jetës fëmijërore me Petritin, vëllanë e larguar nga jeta, dhe na vë në dukje gjurmën shënjuese e të pashlyeshme që ai ka lënë në shpirt dhe mendjen e tij si artist. Veç këtij qëmtimi, te Mevlani emigrimi emocional i memories, në dallim me të tjerët, por dhe arratia e kujtimeve si proces vetëidentifikimi shfaqet disi ndryshe. Duke qenë se autori është dhe aktor, rastësisht apo destin i paracaktuar i jetës, taseli i skulpturës së vetes i shfaqet si hero.

Të tjerët e derdhin taselin e vetes me forma skulpturale krejtësisht simulakrative personazhesh të ndryshme imagjinare. Te Mevlani tasel i bëhet vetvetja. Në moshë fare të re atij iu derdh busti i vetes, i shfaqur si një hero në filmin “I teti në bronz“. Në një pikëpamje, kjo në dukje si një dhuratë paraekzistuese e imazhit të vetvetes, s’mund të thuhet se ka kaluar pa gjurmën pushtuese dhe ndikimin në jetën komplekse e dilematike të vetë artistit ankthoz. Vetë autori në këtë libër, arratinë vetëidentifikuese e sheh si formë të një “udhëtimi krijues, sikur ecën në një korridor pasqyrash, ku mungesa e vëmendjes të përplas me veten dhe nëse nuk korrigjohesh, do të përplasesh përsëri. Aty askush nuk të ndihmon, por të duhet përqendrim për të vazhduar. Edhe të duash të kthehesh, fati është i njëjtë. Ty të duhet të ecësh, ndaj kontrollo hapat”.

Ky reflektim krejt dilematik i procesit të vetëidentifikimit me rrezikun e përplasjes me veten konkretizohet te filmi “I teti në bronz”, ku imazhi

i Mevlan Shanajt pushtohet e mpikset, duke u pasqyruar si skulpturë e një busti heroi, që njësohet me imazhin e vetes. Kështu që personazhi hero, që Mevlani interpreton, përplaset me fluiditetin krijues të aktorit dhe procesin qëmtues të vetëidentifikimit të vetes si hero. Personi aktor dhe personazhi hero bëhen dilematikë në raport edhe me audiencën, e cila e njëson heroin me personin aktor dhe natyrshëm personi i kthyer në personazh i bën pyetje kyçe vetvetes, përmes një dialogu të heshtur, për të gjetur kufirin ndarës mes unit të tij uzurpator dhe adhurimit idolatrik të audiencës përkëdhelëse, e në rastin konkret i shtron pyetjen Mevlanit, se kush jam unë, në raport me bustin tim të mpiksur, pyetje që mbetet dilematike për të që në krye të karrierës artistike! Në një hulumtim e reflektim të unit, Mevlani shprehet: ” …unë nuk di të ketë një zgjidhje për dilemat, të cilat bashkudhëtojnë me ne, pa na pyetur! Shumë herë në jetë e kam vënë nën gjunjë unin, por ende është i gjallë te çdo qenie që frymon.

Njeriut në jetë i mungon siguria. Për çdo vendim që marrim, kemi dilemën e pandërprerë, se a kemi bërë zgjedhjen e duhur. Dilema apo mëdyshja dhe intuita janë bashkëshoqëruese në jetë”. Siç shihet, autori e sheh unin si një dy luftim permanent me veten, madje akoma më përtej saj, si një dyluftim i vetë jetës me vdekjen. Memoria si një mohim mitik i ankthit të vdekjes, tek aktori në film apo në skenë që mishëron fate karakteresh të ndryshme, edhe kur ato vetë si individë nuk janë më pjesë e jetës fizike, dhe e kanë të kapërcyer ankthin e vdekjes përmes shfaqjes

së një forme fantazmagorike të jetëgjatësisë së tyre, duke luajtur e simuluar ndjesi emocionale dashurie, urrejtjeje, tradhtie, drejtësie, xhelozie, smire, zilie, hakmarrjeje, pendese etj., të një forme tjetër në raport me vetë jetën dhe vdekjen. Madje aktori luan dhe vetë rolin e të vdekurit, duke u njësuar me vdekjen dhe me maskën e të vdekurit, duke kryer njëherësh edhe mohimin e ankthit të vdekjes së atij vetë si person, por edhe të publikut që e sheh atë në film apo skenë në kohë e vende të ndryshme. Kujtojmë filmin “Vula e shtatë” e Bergmanit, kur vdekja në një skenë buzë detit propozon lojën e shahut.

Aktori Benk Ekerot, që luan rolin e vdekjes, nuk është më fizikisht vetë ai, por me maskën e vdekjes mbi fytyrë ai është diçka tjetër, një tjetër formë e shfaqjes fantazmagorike të mohimit të ankthit mitik të vdekjes. Çdokush që e sheh atë skenë filmi hyn në një raport e marrëdhënie bashkëbiseduese me vdekjen, përmes një loje shahu, ku dialogu me vdekjen bëhet gati-gati në një formë miqësore dhe humane, duke pasur një efekt madje çlirues e katarkik nga totemi i vetë vdekjes. Sterotipia e heroit në shoqëri të caktuara, si pasojë e diferencave kulturore dhe stadeve të zhvillimit, shihet shpesh si devocion, sakrificë, noblecë, inspirim dhe referencë e një etike e morali apo dhe e një triumfi shoqëror të një modeli lartësimi e përkryerjeje apo një fetishi, miti a legjende të caktuar. Mirëpo ky fenomen i të parit të heroit me ndikim në modelimin e jetës shoqërore dhe taselin skulpturor të individit, e diferencon në kohë, në funksion të arkitekturës së të menduarit dhe evoluimit të perceptimit të psikologjisë individuale dhe sociale. Ka shoqëri të zhvilluara, të cilat bëjnë përpjekje të çlirohen nga glorifikimet, mitet dhe legjendat, për ta mbrojtur individin në rrugën e vetëidentifikimit, emigrimit dhe skllavizmit modern të delegimit të vetes sipas një modelimi të caktuar, duke bërë përpjekje që t’u shmangen adhurimeve idolatrike, indoktrinimeve dhe fetisheve shoqërore, të cilat jo rrallë herë në arkivin e memories qëllojnë që, ato që dikur shërbenin e shpalleshin heronj, në një kohë tjetër ata kanë rezultuar ndryshe, si e kundërta e saj në leximet historike të kohëve.

Në fakt, tek artisti, arratia emigratore shoqëron të gjithë procesin krijues të derdhjes së skulpturës së tij në taselin e jetës artistike. Ajo skulpturë kaleidoskopike jomateriale krijohet nga moria e jetëve të të tjerëve, të atyre personazheve që artisti krijon si aktor, regjisor, shkrimtar apo dhe në çdo fushë të artit. Artistët e gëzojnë këtë status dhe privilegj të veçantë të vazhdimësisë dhe mbetjes së tyre përtej jetës fizike që ata mishërojnë e jetojnë.

Projeksioni kaleidoskopik i memories së jetëgjatësisë së veprave të artit te të tjerët kryhet përmes një procesi të ngadalshëm, të një perceptimi në kohë e hapësirë dhe, si i tillë, ai mbetet një pazëll i padekriptuar plotësisht e i pakufizuar në raport me kohën dhe hapësirën kur është krijuar e realizuar vepra artistike. Pra, mund të themi se vepra ka jetën e

vet, në raport me vetë artistin që e ka krijuar atë. Te çdo aktor ku janë mishëruar fatet e shumë personazheve, jeta e këtyre personazheve për nga jetëgjatësia, është dhe ajo më vete dhe e ndryshme jo vetëm nga koha e jetës fizike së vetë aktorit që i ka krijuar ato, por dhe nga vetë jeta e personazheve në memorien e publikut, shikuesit, studiuesit apo lexuesit. Një hetero-toponimi tjetër memorieje krijohet mes memories së artistit, personazheve dhe spektatorëve, në kohë dhe hapësirë, ku të vdekur dhe të gjallë duket sikur takohen e dialogojnë më gjatë me njëri-tjetrin, në një emigrim dhe arrati permanente e të pafund nga vetë realiteti i kushtëzuar fizik.

Mevlani në këtë libër duket sikur shkruan për të tjerët, duke zbuluar se sa vend zënë të tjerët në memorien e tij. Ndërkohë, skulptorët e heshtur që ndodhen brenda tij i shërbejnë si zhalonë udhëtimi në një emigrim emocional në thellësi të vetvetes. Memoria nuk është as narrative, as stacionare dhe as kronologjike e datike. Ajo vjen ajrore, fluide dhe e copëzuar, e shkapërderdhur, e azdisur, e fosilizuar dhe e mbuluar nga një tis hera-herës pluhuri harrese dhe erozioni. Por ajo është aty, qëndron në qejfin e vet, si pazëll asociativ fleshesh imazherike, tingujsh e ëndrrash, vetëtimash të heshtura ose shenja yjesh, që qëndrojnë në qiell të errët të shpirtit të njeriut dhe që kanë në thelb fuqinë e një rrezatimi thuajse atomik shpirtëror. Mevlani hera- herës do që t’i japë zë memories dhe e qëmton atë me fleshe fotografike. Duket sikur ai do të mbledhë lule në një pyll, ku lulet janë të gjithfarshme, jo për nga ngjyra e aroma, por nga fakti se ka prej tyre që janë lule “mos më prek”, lule që çelin vetëm ditën, ose prej tyre që lindin e shuhen brenda 24 orëve, lule plot gjemba e helme dhe ka prej tyre njëherësh, që nuk njohin as stinë e as vite, por qëndrojnë gjithnjë sfiduese e solide me integritete të plota në çdo kohë.

Autori e konsideron librin e tij si një të fshehtë jashtë ekranit dhe, në fakt, ai na bën një projeksion jashtë ekranit. Por përtej asaj se çfarë ai përshkruan, është vetë një projeksion që qëndron dhe nis nga një kamera e errët (obskur) e autorit, të cilën e projekton dhe e bën pjesë të lexuesit, spektatorit dhe publikes nga një projeksion të një këndvështrim krejt personal. Jo çdo person e çdo individ, edhe pse secili mban brenda vetes një kamera obskure filmi, e ka mundësinë, fatin dhe privilegjin ta ekspozojë në publik projeksionin personal të vetes, madje dhe ta shpërndajë atë si një libër e film të jetës së vet. Të gjithë memorien e kanë bashkudhëtare të jetës së tyre. Askush nuk jeton pa memorie dhe ndjesinë e një montazhi dhe rimontazhi të saj. Ndokush përpiqet të fshijë e të harrojë atë çka ai nuk pëlqen. Por kamera e errët e projeksionit brenda vetes nuk njeh censurë dhe nuk mund të fshijë krejtësisht gjithçka të padëshirueshme. Ka gjëra që kanë shkaktuar dëme, zhgënjime, dhimbje, madje dhe kanë rrezikuar jetë të të tjerëve nga xhelozia, smira e përdorimi i pushtetit, individë që bëjnë çmos t’i fshijnë

ato, por ato janë atje dhe kanë mbetur thellë te kamera obskure dhe lëshojnë klithma acidrike në çdo kohë.

Ka individë që përpiqen t’i zhdukin, t’i shtypin, t’i zhysin thellë e t’i tjetërsojnë dëmet që u kanë shkaktuar të tjerëve. Ata mendojnë se duke i futur në gropat e harresave, do të shpëtojnë prej tyre dhe kështu krijojnë iluzione harresash, pa kuptuar se deformimet dhe traumat e fshehta janë strehuar brenda tyre dhe manifestohen në forma të ndryshme psikike.

Duket se ndonjëherë autori është treguar më dorëlëshuar në superlativa e përkëdhelje emocionale, i pushtuar nga ndjesi miqësish apo dhe dhimbje artistësh të larguar nga jeta. Thuhet se për të vdekurit duhet folur gjithnjë mirë, por kemi thënë se në art nuk kemi vdekje fizike të artistit, se përndryshe të pushtuar nga emocione fizike vdekatarësh, na tingëllojnë dhe fjalët që përdorim si nekrologji të pasvdekjeve. Diku vetë autori shprehet se “njeriu modelin e vdekjes nuk e ka si përvojë, pasi te vdekja ceket e vërteta, por atë përvojë ne nuk e njohim. Nuk na e ka treguar kush”. Nisur nga ky mendim, duket se njeriu e këmben vdekjen me dashurinë për jetën, pa të cilën nuk do të ekzistonte as vetë vdekja. Pra, çdo ditë konfirmojmë se thanatosi ekziston, se është erosi në botën që jetojmë. Memoria dhe kujtimet janë të bukura jo sepse janë vetëm të ëmbla, por dhe të pasura me dhimbje e zhgënjime. Ato që ndodhin apo kanë ndodhur dikur dhe kanë ikur apo janë depozituar mbeten gjithnjë diku thellë brenda nesh. Atje ku ndodhen ato kanë pësuar një transformim tjetër emocional, duke asociuar kohë e kuptime të ndryshme në marrëdhëniet tona.

Autori si aktor, por dhe si regjisor përshkruan në librin e tij disa marrëdhënie që marrin shkas nga një skenë filmi me aktorin me një pamje ikonike prej shenjtori: Mihal Stefa. Kur interpretonte një rol me të, i bëhet e pranishme dhimbja dhe dashuria e babait të munguar. Babai e kishte lënë Mevlanin kur ai ishte tre vjeç. Mihal Stefa në rolin e babait në njërën skenë të filmit vjen pranë shtratit ku Mevlani aktor qëndron i shtrirë, në rolin e një partizani të plagosur dhe Mihali aktor i përkëdhel atij butësisht kokën e më pas i jep dy mollë. Në libër kjo skenë filmi përshkruhet se si për herë të parë Mevlani, në rastin konkret në rolin e një partizani, ndjeu mungesën dhe dhimbjen e babait të tij. Ky emocion transformues në memorie nga aktori partizan i plagosur te Mevlani dhe babai i tij përmes aktorit Mihal Stefa, është një projeksion i ekzistencës permanente të memories së kamerës obskure brenda vetes te Mevlani. Ky emocion gjendej jashtë kamerës që filmonte skenën respektive. Kamera obskure që lidhej me emocionin e munguar të babait dhe jo të partizanit vinte e shfaqej nga simulimi i memories përmes ngrohtësisë interpretuese të aktorit pa u identifikuar ai vetë direkt me përkujdesjen dhe me ngrohtësinë e babait të humbur që ndiente Mevlani në rolin e partizanit përmes emocionit të transformuar e

transferuar psikikisht tek ai vetë. Siç shihet, nga kjo skenë, babai i vdekur shumë vite më parë rishfaqet në një formë tjetër pranë aktorit, përmes një njeriu që është një dikush tjetër, që nuk luan madje as rolin e babait në film, dhe ky njeri nuk di as se çfarë trazimi të brendshëm emocional i ka shkatuar memories së njeriut që ka përballë si partizan i plagosur dhe një fshatar i moshuar që e përkëdhel dhe i jep dy mollë. Emocioni emigrator e transformues nuk është më te partizani i plagosur, por tek arkivi kaleidoskopik i memories, që bën të jenë bashkë e ndërvepruese gjëra që nuk kanë pasur kurrfarë lidhjeje direkte në kohë respektive me kohën në të cilën ato ndërveprojnë në një moment tjetër. Babait i munguar nuk është në jetën e personazhit te partizani i plagosur, por te memoria kaleidoskopike e Mevlanit, që luan rolin e një partizani të plagosur. Po kështu, autori i bën një përshkrim tjetër ikonik dhimbjes së poetit Lasgush Poradecit gjatë kohës së diktaturës komuniste. Poeti në gjoksin e tij, poshtë këmishës brenda në trup, për t’u mbrojtur nga erërat e ftohta dimërake të liqenit të Pogradecit, mbante një letër kartoni të trashë. Ky tasel skulptural në gjoksin e një poeti është si një imazhi unik i një dhimbjeje kulmore, i artistit të vetmuar me qenin për dore, si një dashuri sublime e tërë jetës së tij.

Në këtë libër, autori Mevlan Shanaj përpiqet të zbulojë përmes të tjerëve dhe publikut, entitetin e vetvetes si një përmbajtje shpirtërore dhe intelektuale.

Entiteti në një arrati emigratore emocionale është një hulumtim arkivor shpirtëror. Edhe pse në aspektin gjuhësor ne themi që e para ishte fjala, me të drejtë na lind pyetja: çfarë ishte para fjalës? Askush si qenie njerëzore nuk na ka dhënë përgjigje për këtë pyetje, por e kemi pranuar atë apriori, siç kemi pranuar dhe ekzistencën e Zotit, sepse nuk vërtetojmë dot të kundërtën e saj. Dilemat e Mevlan Shanajt gjatë hulumtimeve të entitetit të vet në arkivin memoristik në këtë libër, lidhen njëherësh edhe me raportin që kemi me vdekjen dhe të vërtetën. Arratia emigratore përmes memories është pa kohë fizike dhe mbetet pa përgjigje. Ajo i ngjan lojës me vdekjen dhe me të vërtetën.

Të dyja konsiderohen si shtegtime drejt të panjohurave. Janë si loja me dritën dhe errësirën, me ëndrrën që sa më shumë e ndjek nga pas dhe mendon se po e arrin diku, aq më shumë ajo largohet prej teje. Prej kësaj kuptojmë se loja me të vërtetën është jo loja me fjalën, por me të pashprehurën dhe me të panjohurën e saj. E pashprehura ka si strehë infinitin brenda shpirtit njerëzor. Shpirti njerëzor nuk pranon shprehje emërtesash, etiketimesh, klasifikimesh e formash mortale fizike, por mbetet një frymë dhe energji e një fluiditeti hapësinor drejt infinitit. Memoria jo gjithmonë e çliron njeriun nga vetja. Ajo shpesh e mban atë peng. Vetja është brenda njeriut dhe memoria është në pronësi të saj. Vetja si qenie udhëton me historinë e qenies, që njëherësh është dhe

vazhdimësia e memories njerëzore dhe e pafundësisë së mosqenies si e panjohur infinitive.

Në këtë shtresëzim emocional të memories, duket se memoria te vetja, memoria njerëzore dhe hapësira e memories së mosqenies janë fryma dhe energjia lëvizëse e të gjithë universit. Jeta e njeriut i ngjan jetës së një Maratonomaku të përjetshëm. Ai me lindjen e tij e merr pishtarin e jetës në dorë për t’ia dorëzuar një pasardhësi tjetër që lind. Memoria s’ka fjalë, as kohë. Ajo është e heshtur, si një simfoni e pambarimtë njerëzore.

Filed Under: ESSE

Parashqevia, dinjiteti, madhështia…

December 22, 2024 by s p

Marsel Fregjaj/

Në qilimbin e ekzistencës, i ndërthurur me fije triumfi dhe vështirësie, të paktë janë ata që rezonojnë me simfoninë eterike të urtësisë së përjetshme. Parashqevi Simaku, një emër që jehon në kohë, është tani në prag të transcendencës shpirtërore, në mos edhe përtej saj.

Nuk mund ta dimë akoma, ndoshta asnjëherë plotësisht. Por, mund të jetë një surprizë e përmasave kolosale, një mega dhuratë morale, artistike, filozofike, kulturore dhe e shumë dimensioneve të tjera, e cila po fillon të shpaloset këtë fundvit të 2024.

Parashqevia, si Aquila chrysaetos, shqiponja e artë, e cila ngrihet nga flakët e sprovave të saj, me shpirtin e pathyeshëm dhe vendosmërinë e pakrahasueshme, mishëron esencën e Feniksit, një simbol i rikrijimit të përhershëm dhe forcës së paepur.

Udhëtimi i Parashqevise nuk është thjesht një histori mbijetese, por një metamorfozë e thellë. Dhe pikërisht tani po vjen diçka e re, e jashtëzakonshme, historike për kombin shqiptar dhe për gruan shqiptare në veçanti.

Ka filluar një shpërthim drite, një ridefinim historik i konceptit të dinjitetit.

Në ngjitjen e saj, ajo evokon urtësinë e lashtë.

Hiri nga i cili ajo po del nuk është mbetje e humbjes, por relika të shenjta të transformimit.

Dimensionet e saj janë farkëtuar tashmë në kazanin e përvojës së thellë dhe vështirësive reale; për ta thënë ndryshe, janë të brumosura me forcën e vetë kozmosit.

Në këtë akt të shenjtë të rilindjes, Parashqevia përfaqëson harmoninë e përjetshme të krijimit dhe shkatërrimit, një cikël që ka formësuar vetë universin. Shkëlqimi i këtyre përmasave, nuk është më i saj, por i dritës mbi errësirën, ku ajo me aktin e saj prek shenjtërimin ndërsa çdo kush kthehet në dëshmitar.

Parashqevi Simaku është një mishërim i gjallë i së vërtetës së përjetshme: se në zemër të çdo sfide qëndron fara e madhështisë së pakrahasueshme.

Askush nuk e ka idenë më të vogël se çfarë po vjen, por ka shenja që do të jetë epokale në funksion të përparimit të shoqërisë shqiptare dhe jo vetëm.

Ndër të tjera, me një impakt social të paprecedent.

Si model i një trajte të pavdekshme.

Kur shpirti njerzor tejkalon materialen, dhe perceptohet si shenjtëri, edhe pse gjuhet me gurë madje edhe torturohet e kryqëzohet, nuk i bën atij asgjë, veçse barbaria e primitiviteti mbulon veten me turp.

A do të kemi ne paqen shpirtërore individuale për të mos u ndjer xheloz dhe kobzinj me divën tonë madhështore?

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT