• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2024

INTELEKTUALI QË E BESONTE GJUHËN SHQIPE SI ZOTIN

December 19, 2024 by s p

Prof. Dr. Begzad Baliu/

Parathënie për librin e Dr. Xhavit Bicajt, “Riza Bicaj – Jeta dhe vepra”, Prishtinë, 2024.

Ka kohë që doktori i përkushtuar edhe i kërkimeve shkencore, historike dhe kulturore, Dr. Xhavit Bicaj ka filluar së shkruari veprat, të cilat në formatin e tyre janë të lidhura ngushtë me fatet familjare, individuale dhe madje kolektive të popullit shqiptar. E tillë ishte monografia për babanë e tij, “Smajl Ali Bicaj: një jetë për arsim liri dhe bashkim kombëtar”, e tillë është monografia, në proces, për historinë e themelimit dhe të punës së Institutit të Onkologjisë në Prishtinës dhe e këtillë është edhe monografia për njërin prej edukatorëve dhe atdhetarëve të veçantë të kombit, Riza Bicajn.

Monografia për mësimdhënësin e gjuhës, redaktorin e kulturës në të përditshmen “Rilindja”, krijuesin letrar, përkthyesin, intelektualin e mbi të gjitha atdhetarin Riza Bicaj është sintezë e një vëllimi prej katërmbëdhjetë kapitujsh me të dhëna dokumentare, përkujtimore e sintetike për çështje e tema të kohës, veprimtari atdhetare të mësimdhënësit patriot të kohës, si dhe diskutime mjaft përmbajtjesore për jetën dhe bëmat e Riza Bicajt.

Vepra hapet me një biografi themeltare për Riza Bicajn, vazhdon me gjendjen e vështirë nëpër të cilën po kalonin familjet shqiptare gjatë fundit të Luftës së Dytë Botërore, me vitet e vështira të shkollimit në gjimnazin e Pejës (1945-1947) dhe të shkollimit në normalen e Gjakovës (1947-1949). Një histori më vete përfaqësojnë dokumentet dhe kujtimet djaloshare të punës prej mësuesi në Bellanicë (1950) dhe në Stantërg (1950-1951).

Kujtimet e Profesor Riza Bicajt dhe të bashkëkohësve të tij më vonë si dhe dokumentet e sjella nga autori i monografisë për studimet në Katedrën e Gjuhës Shqipe në Universitetin e Beogradit, janë me interes jo vetëm për biografinë e tij po edhe për albanologjinë përgjithësisht, si dije nacionale. Ato flasin gjerësisht edhe për ndikimin e Katedrës në jetën arsimore e shkencore në Kosovë.

Pas studimeve në Beograd, pasionin dhe misionin e tij për gjuhën shqipe, letërsinë dhe mësimdhënien e saj Riza Bicaj e vazhdon në Gjimnazin e Gjilanit, të Pejës dhe të Prishtinës, në të cilët punon shumë për të krijuar një brez të ri intelektualësh, krijuesish e heronjsh, si: Jusuf Gërvalla e Enver Hadri, për të cilët ka shkruar në shtypin e kohës dhe i ka kujtuar disa herë.

Një jetë e re, një ëndërr e re, një horizont i ri, shfaqet përpara tij pas fillimit të punës në të përditshmen “Rilindja”. Në faqet e saj ai merr përsipër të shkruajë për njërën nga rubrikat më specifike, me mbititull, Enciklopedia e vogël. E përditshmja “Rilindja”, prej 32 faqesh, kishte shumë faqe politike, po edhe tema nga ekonomia, sporti, jeta sociale, fejtonistika, televizioni e sidomos kultura, ku Riza Bicaj e kishte përqendruar dijen e tij kombëtare dhe universale. Vështirë të gjendet një lexues i kësaj gazete, i cili të mos kujtojë pyetjet dhe përgjigjet, shpjegimet dhe vlerësimet për tema diturore, të gjuhës, të kulturës, të filozofisë, të natyrës, të universit, të cilat gazetari dhe redaktori Riza Bicaj i botonte çdo ditë. Kjo ishte faqja e të gjithë lexuesve, shkolla e madhe e ëndrrave të Riza Bicajt – ligjërimi i tij, i cili kishte filluar qysh në vitin 1950 në Bellanicë, para një grumbulli vogëlushësh të këtij fshati, dhe tani po kurorëzohej me ligjëratën mbarëkombëtare.

Historia kombëtare ka shumë iluministë e edukatorë të kombit, që kanë ëndërruar ta kenë këtë fat, po është vetëm njëri që e ka realizuar, e ky është atdhetari Riza Bicaj.

Në këtë pozitë Riza Bicajn e gjen koha e okupimit klasik të Kosovës së viteve ’90, zhvillimet politike, ekonomike e kulturore të kësaj kohe, përpjekjet për mbijetesë të shqiptarëve kudo që janë e sido që të munden. Kulmin e ëndrrave të tij e të brezit të tij, sikur dihet do ta sendërtojë sakrifica e Familjes Jashari, prandaj Riza Bicaj do të mbahet mend gjatë për esenë emblematike të asaj kohe Kosova e Ademjasharizuar.

Vepra mbyllet me jetën private e shoqërore të mësimdhënësit, gazetarit dhe atdhetarit Riza Bicajt, vizitave dhe komunikimit me miqtë në Prishtinë dhe sidomos me autorin e këtij libri, nipin e dashur, Dr. Xhavit Bicajn, në një kohë që familja i ishte shpërndarë nëpër botë, ndërsa ai nuk i tërhiqte dot rrënjët e shtëna thellë në vendlindjen e tij në Vrellë dhe në vendlindjen e tij të madhe që i thonë Kosovë, deri në vitin 2015 kur ju dha lamtumira nga familjarët, nxënësit dhe miqtë e tij të pafund. Këtë më së miri e dëshmojnë kujtimet e nxënësve të tij dhe këtë më së miri e provojnë krijimet letrare e shpirtërore të nxënësve të tij, shkrimtarë tashmë të formuar të letërsisë shqipe: Rexhep Elmazi më herët dhe Nexhat Halimi para dhe pas vdekjes.

Vepra monografike e dr. Xhavit Bicajt mbyllet me një intervistë të gazetarit të njohur të kulturës Sylë Osmanaj me Riza Bicajn, brenda së cilës janë identifikuar, vlerësuar e vënë në spikamë shumë aspekte të gjuhës, letërsisë, kulturës dhe mendimit shkencor në hapësirën shqiptare.

Le të thuhet më në fund se vepra e Dr. Xhavit Bicajt për mësuesin, edukatorin, krijuesin, familjarin e mikun e tij të përmotshëm – Riza Bicajn, paraqet një model të veçantë për të gjithë ne, se si duhet nderuar bashkëkohësit dhe se si duhet të mos i harrojmë burrat e shquar të kohës sonë, mësuesit e intelektualët, si Riza Bicaj, që e donin gjuhën dhe vendin e tyre si zotin dhe që i luteshin zotit vetëm në gjuhën e tyre!

Filed Under: LETERSI

E KUQJA…

December 19, 2024 by s p

Zija Vukaj/

(Simbologji)

Nga të gjitha ngjyrat, e kuqja është ajo që sipas statistikave, preferohet prej pjesës më të madhe të njerëzve. Nën formën e oksidit të hekurit ka shoqëruar udhëtimin e njerëzimit që nga prehistoria dhe është e dukshme në dëshmitë shkëmbore të epokës së akullnajave. Neandertalasit e kishin zakon të spërkatnin të vdekurit me materiale me ngjyrë të kuqe, me sa duket për t’u kthyer atyre ngjyrën e “ngrohtë” të gjakut të jetës. Në përgjithësi e kuqja shihet si një ngjyrë agresive, vitale, e pasur me energji; ajo është e lidhur me zjarrin dhe me dashurinë, por edhe me luftën për jetën. Mbi karakteret e mbyllura e melankolike, ka, sipas traditës, një efekt turbullues dhe shtypës. Në simbologjinë e vërtetë e të pastër e kuqja paraqitet në interpretime të shumta, mjaft të ndryshme nga njëra- tjetra. Në Egjiptin e lashtë kishte kuptim pozitiv vetëm kur tregonte “kurorën e kuqe” të Egjiptit të Poshtëm me deltën e tij të Nilit. Por e kuqja vihej në lidhje të drejtpërdrejtë me zotin e keq Sutech (Seth- Σήθ, Sḕth) dhe me zotin po aq të keq Apofi (Apophis), gjarpri. Nëpër papiruse emrat e tyre ishin shkruar me të kuqe dhe kafshët e kuqe, si disa tipa qensh të përhapur asokohe në Egjipt, mbaheshin zakonisht larg komunitetit, pasi ngjyra e tyre lidhej me idenë e dhunës dhe të agresivitetit.

Në artin parakolumbian të Meksikës së lashtë e kuqja përdorej shumë rrallë dhe lidhej kryesisht me gjakun, me diellin, me zjarrin dhe me paraqitjen e mëlçisë. Tek Majat konsiderohej si simbol i Lindjes, ndërsa tek banorët e rrafshnaltës së Meksikës së lashtë, si simbol i Jugut. Kështu edhe në Kinën e lashtë, ku e kuqja (hung) ishte ngjyrë e shenjtë dhe jetësore e dinastisë Chou (1050- 256 p.k)- një rrethanë që shëmbëllen flamujt e kuq të Kinës komuniste. E kuqja ishte edhe ngjyra e perëndisë së lumturisë, që përcakton pasurinë e njerëzve. Nëse në Evropë kombinimi i së kuqes me të gjelbrën ka një domethënje të ashpër dhe agresive, në Kinë kjo shprehte thjesht vitalitetin në lidhje, për shembull, me “çorape të gjelbra e fund të kuq” të grave të reja apo me drita të kuqe e rrush jeshil të tavernave. Burrat “e kuq”, për kinezët ishin bashkëshortë të goditur rëndë nga jeta bashkëshortore, sugurisht të destinuar nga vdekja e parakohshme.

Në artin kristian tradicional e kuqja ishte ngjyra e gjakut të sakrifikuar të Krishtit dhe të martirëve, të dashurisë së zjarrtë (e kuqe ishte veshja e Gjonit, e preferuara e apostujve) dhe e flakës së rrëshajës së Shpirtit të Shenjtë. “E kuqja kardinaleske” tregon se ai që e mban këtë veshje duhet të jetë gjithmonë i gatshëm të derdhë gjakun e tij për mbrojtjen e Kishës. Por edhe prostitutat e përdornin një ngjyrë të tillë në veshjet e tyre dhe shpesh idhujt paganë ishin pikturuar me të kuqe. Veç kësaj, kujtojmë se në “Apokalipsin e Gjonit”, “prostituta e madhe Babilonia” nëna e prostitutave dhe e çdo mizorie tokësore, ishte veshur “me purpur dhe me të kuqe flakë”; ajo kalëronte një përbindësh me shtatë krerë, “një kafshë të kuqe me vese të tmerrshme”. E kuqja u bë pastaj ngjyra e ferrit, e djallit dhe e kafshëve të “dyshimta”, që tradita i ka lidhur me botën e skëterrës (dhelpra dhe ketra). Por e kuqja qe interpretuar në kuptim të lartë pozitiv ku tregonte fitoren e dashurisë, si në paraqitjet artistike që kanë për objekt Krijuesin apo Krishtin e ringjallur. Në veshjet e shenjta, e kuqja është ngjyra që vishet në celebrimet e martirëve, të Shpirtit të Shenjtë e të Pasionit.

Sidoqoftë, në simbologjinë popullore e kuqja ka mbetur ngjyra e dashurisë, shpesh e lidhur me lulet, mes të cilave me trëndafilin apo edhe me zemërimin. Natën dritat e kuqe tregojnë intimitet, prostitucion dhe mes sinjaleve rrugore e kuqja merr përgjithësisht kuptimin “stop” ose tregon praninë e një rreziku. Në korrida e kuqja ka funksionin të eksitojë demin, megjithëse kafsha në realitet irritohet nga lëvizjet vorbulluese të muletës më shumë se nga ngjyra e saj.

Në alkimi e kuqja bashkë me të bardhën përbën një sistem dualistik dhe simbolizon parimin e zanafillës së squfurit (sulphur et merkurius), “flakëruesi”. Ky polaritet mund të varet nga opinion i lashtë që kur gjaku menstrual takohet me spermën, mund të lindë një jetë e re: për këtë shkak dy ngjyrat e sipërpërmendura bëhen simboli i krijimit.

Tek Masonët e kuqja tregon gradën e epërme të “ritit skocez” dhe i kundërvihet të kaltrës së Masonerisë së re me tri gradët klasike: nxënës, rishtar, mjeshtër. Në psikologjinë e thellësisë e kuqja, kur shfaqet në ëndrra, ka të bëjë me sferën e emocioneve. “Aty ku e kuqja përhap ngjyrën e saj, shpirti është gati për veprim, për pushtim, për vuajtje, për kushtim total; por tregon edhe shtypje dhe jep një lidhje të privilegjuar me sferën e ndjenjave”

Filed Under: ESSE

Tragjedia çame në poemën epiko-tragjike të Luan Ramës

December 19, 2024 by s p

Shfaqet premierë në Tiranë  “Ode për tempujt që nuk u harruan”

Dhimbja dhe shpresa e popullsisë martire të Çamërisë, nëpërmjet rrëfimit në vargje të birit të saj, poetit, shkrimtarit, kineastit dhe publicistit Luan Rama, me një interpretim brilant të aktorit Alfred Trebicka dhe regji nga Pandeli Çeço, erdhi premierë për publikun, të mërkurën, 18 Dhjetor, në kinema Millenium, Tiranë. Vepra është produksion i Fondacionit Çamëria  “Hasan Tahsini”. Poema epiko – tragjike e Luan Ramës është një dëshmi autentike kushtuar tragjedisë çame, një dramë e përjetuar jo vetëm me dhimbje, por edhe me krenari, e brujtur me dhimbje të skajshme, por edhe me shpresë.

Kjo vepër e shquar ka ngjyrosur këtë fund viti sfondin kulturor patriotik të kryeqytetit me një vello përshpirtjeje e nderimi të masakruarit çamë, në mbyllje të aktiviteteve për 80 vjetorin e gjenocidit. Në vepër shpalosen imazhet e tmerrshme të tragjedisë, pamjet makabre të krimeve të bandave zerviste, e cila është transmetuar nga brezi në brez me një vërtetësi të habitshme: Harqe guri, porta të mëdha guri, dritare të shqyera ku era fryn trishtueshëm. Magje e braktisur, çati e rënë dhe një copëz qiell i vetmuar, i ngrënë, i vrarë. Era fryn nëpër shkurre, mbi gurë të latuar dhe puse të harruar, mbi trarë të përmbysur në këtë shembje të jetës dhe të botës në Çamëri. Një fotografi e zbehur dhe e përbaltur, një foto dasme, mbetur në rrënojë, rrëzë murit… lugë e ndryshkur dhe e vetmuar e papritur, në heshtjen e madhe. 

Pamjet e qiellit, retë, shirat, erërat, imazhet e shtëpive të djeguara  e të rrënuara, ujërat e turbullta të lumenjve, shtigjet dhe monopatet nga kanë kaluar çamët, zërat e viktimave të pafajshme, kokat e prera, kalldrëmet e përgjakuar, gjymtyrët e flakur nëpër hendeqe, gra shatzana me barqe të çara etj. Përbëjnë kujtesën e dhimbjes çame. Një këngë e vjetër dëgjohet. Këngë e shpirtit, këngë e popullit të handakosur e të vrarë. 

Por kënga dhe në rrënoja e varre ka jetuar në dekada dhe vazhdon të jetojë. Shpirti i popullit nuk mund të heshtë. Eshtë kënga që i këndon masakrës, është vaji i një jete të humbur që nuk do ta harrojë tragjedinë.
Drita bie. Është muzg dhe dielli tutje perëndon. Ndërtesat e gurta i shohim tani si hije: harqe, mure të rrënuar, dritare si zgavra të humbëtirës dhe e vdekjes që ka kaluar… Madje hije njerëzore sikur lëvizin tani në këtë botë hijesh… Një dorë shfaqet në portën e madhe prej guri dhe një hije njerëzore shfaqet si të dojë të mbahet pas jetës. Hëna sapo ka dalë dhe hija ngre sytë drejt saj si të kundrojë botën e të gjallëve. Tashmë shohim fytyrën e tij. Sytë i shkëlqejnë edhe pse të zbehtë. Sytë nuk janë shuar. Është rrëfimtari, i vdekuri i gjallë që lëviz mes gërmadhash dhe me shpirtin e dhimbur sheh katakombet e një jete të dikurshme. E kështu nis të rrëfejë, të tregojë… Tragjedia e dikurshme ka ngjyrën e argjendë të asaj hëne që duket se vuan dhe ajo. Ngrehina hije. Hije pemësh në forma njerëzore. Trungje të gjymtuar, krahëprerë dhe të tharë. Tashmë këngës popullore, e ngjashme me vajin e humbësit të madh, ia lë vendin një muzike që kërkon të shoqërojë rrëfimtarin në tregimin e tij. Ai ecën, ndalon, mbështetet diku dhe flet. Është zëri i shpirtit. Zëri që na flet përtej varrit… 

Poema është nga më tragjiket. Atmosfera është danteske. Duket sikur ajo flet në boshllëk midis tokës e qiellit. Poema përmban dëshmi të pashëmbullta kanibaizmi të bandave zerviste ndaj popullsisë së pafajshme çame, ku shumë persona u vranë në mënyrat më cnjerëzore. Mesazhi i veprës është i qartë: Tragjeditë e jashtëzakonshme duhet të trokasin fort në ndërgjegjen e bashkëkohësve dhe të brezave, duke bërë katarsis. Në emër të shpirtrave që nuk gjejnë qetësi duhet paqe dhe amshim, duhet përgjegjësi njerëzore.

“Nuk kish si mbyllej më bukur viti i 80 vjetorit të gjenocidit, për të cilin nuk u kujtua asnjë institucion shtetëror, me përjashtim të bashkisë Konispol dhe kryetarit Erges Dule, që na ka qëndruar pranë, tha drejtuesi i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, Alket Veliu. Vepra e Luan Ramës, nipi i Heroit të Popullit Ali Demi, një ikonë e antifashizmit, është një himn për bashkëjetesën dhe faljen, e cila duhet të ngrihet mbi tragjeditë . Aktori brilant Alfred Trebicka, duke përjetuar dhimbjen çame, solli një performancë të shkëlqyer dhe mjaft prekëse, ku jehonte mesazhi i paqes, i cili duhet të rifillojë aty ku u ndërpre dhunshëm nga “Magaliidea”. Regjia e Pandeli Çeços ishte e kompletuar me të gjithë komponentët filmikë. Edhe kamera ishte e jashtëzakonshme.

Gjatë filmit u emocionova shumë, tha skenaristi Luan Rama. Alfred Trebicka, në rrëfimin e tij imagjistral, plot magji artistike, krijoi një personazh me peshë të madhe emocionale, që portretizon një dhimbje që nuk shuhet dhe që duhet mbajtur gjallë, gjer sa të gjejë zgjidhje. Falenderoj Fondacionin Çamëria “Hasan Tahsini”, për mbështetjen e pakursyer.

“Në momentin e parë ndjesia ishte dhimbje, por përpos dhimbjes ka një dritë, një perspektivë. Pra Brenda veprës nuk është vetëm mesazhi i dhimbjes, por edhe i paqes, i të ardhmes. Ne dimë të falim. Ky mesazh më ka motivuar shumë”, tha aktori i mirënjohur Alfred Trebicka. ”Nuk ishte një vepër e thjeshtë për t’u realizuar. U ndjeva komod më Alfredin, kamera, koreografia e lëvizjeve, të gjithë komponentë ecën shumë mirë”, tha regjisori Pandeli Çeço. 

Poeti, shkrimtari dhe kineasti i shquar Luan Rama, ish ambasadori i Shqipërisë në Francë, nuk është thjesht një nostalgjik i apasionuar, por prurësi në kulturën shqiptare i dhjetëra librave me interes shkencor dhe albanologjik. Nëpër arkivat e Francës, të Gjermanisë e Greqisë, ai ka rendur në gjurmët e kërkimit të historisë shqiptare. Luan Rama ka nxjerrë në dritë botime për shqiptarët dhe arvanitasit, në të gjitha trojet ku ata jetojnë, duke u përpjekur të nxjerrë nga arkivat një histori të fshirë dhe të manipuluar nga qarqet shoviniste. 

“Çamëria është një tjetër botë, e shkuar, e një vendi të harruar, të braktisur ku dhe gurët klithin. Ku vallë kanë shkuar banorët e tyre çamë, pse kanë shkuar, nga ç’gjëmë?… Eshtë një botë gërmadhash e varresh ku flladi fryn me peshën e dhimbjes dhe të nostalgjisë..

Gjaku i rënë në luftë nuk mund të zhbëhet, masakrat e tmerrshme të nacionalisteve grekë për spastrimin e Çamërisë nga shqiptarët nuk mund të harrohen. Historia mbetet gjithnjë histori, tha Luan Rama, gjatë bisedës së shkurtër që patëm, duke konsumuar një kafe pas shfaqjes, së bashku me ekipin realizues të shfaqjes dhe producentin Alket Veliu.

Asnjë ligj i botës, asnjë formim kulturor, nuk mund t’i bëjë njerëzit të mos kenë kujtesë e aq më pak, të mos kenë nostalgji, ka shkruar shkrimtari ynë i shquar Ismail Kadare. 

Në një rrëfim të shkurtër për gazetën “Dielli”, Luan Rama thotë: Çamëria, qysh në fëmijërinë time, vinte e rivinte përmes kujtimit të njerëzve, të cilët vinin shpesh të takonin gjyshen time. Dhe biseda gjithnjë do të shkonte te Filati, Çamëria, toka  e mohuar, vendet e farefisit tim, që ishin shpërngulur nga shtëpitë e tyre. Nëna ime vdiq me dëshirën dhe mallin që e digjte për të parë vendlindjen e saj. Por nuk mundi ta shihte kurrë. Megjithatë, para se të ikte nga kjo botë, i premtova se do të shkoja në Filatin e saj të dashur dhe do i tregoja shtëpinë. Kështu, në verën e vitit 2000, u nisa nga Parisi, zbrita në Tiranë dhe, me dy miq të mij, morëm rrugën për në jug. Të nesërmen iu drejtuam Filatit. Çamëria, si për të gjithë camët, edhe për mua është një amanet i shenjtë. Çamëria nuk është një dhimbje që ikën, ngaqë dikush e shpall të paligjshme. As duke bërë sikur nuk e di, aq më pak kur sillesh pa nderim ndaj saj, thotë kineasti Luan Rama për gazetën “Dielli”.

Arben Iliazi

Mund të jetë një imazh i 1 person dhe teksti
Mund të jetë një imazh i 1 person
Mund të jetë një imazh i 1 person
Mund të jetë një imazh i një ose më shumë persona dhe turmë

Filed Under: Opinion

Diaspora shqiptare, drita dhe fuqia jonë!

December 18, 2024 by s p

Jozefina Topalli/

18 Dhjetor – Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve

Sot është dita e kujtesës, e reflektimit dhe e nderimit për të gjithë ata që kanë braktisur gjithçka për të ndjekur një jetë më të mirë në një tokë të huaj. Shqiptarët e dinë më mirë se kushdo se ç’do të thotë të jesh emigrant.

Emigrimi për ne ka qenë shpesh një rrugë shpëtimi, por njëkohësisht edhe një histori lotësh, ndarje familjare dhe vuajtjesh. Nga skafet nëpër Adriatik deri tek endjet e gjata në Europë e botë, kemi përjetuar humbje, zhgënjime dhe sfida të jashtëzakonshme. Por pavarësisht gjithçkaje, shqiptarët kudo që ndodhen kanë treguar forcë, guxim dhe përkushtim për të ndërtuar jetë më të mira për familjet e tyre.

Kjo ditë është një thirrje për të mos harruar rrugën e vështirë që kanë kaluar mijëra shqiptarë. Një thirrje për të nderuar sakrificat e tyre dhe për të mos harruar kurrë rrënjët tona, kulturën tonë dhe ëndrrën për një Shqipëri më të mirë.

Për të gjithë shqiptarët kudo në botë: Ju jeni drita dhe fuqia jonë!

Filed Under: Emigracion

SHËN NAUMI DHE VERMOSHI SIPAS BURIMEVE DIPLOMATIKE TË BRITANISË SË MADHE (1925)

December 18, 2024 by s p

Prof. Dr. Frashër Demaj/

Pozita ndërkombëtare e Shqipërisë pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore dhe Konferencës së Paqes në Paris vazhdonte të ishte e pafavorshme dhe shteti shqiptar ishte e pamundur të mbronte interesat e veta nacionale e shtetërore. Shqipëria karakterizohej me institucione të brishta lokale dhe qendrore, ushtri të pakonsoliduar, polici të paorganizuar, ekonomi të dobët dhe të pazhvilluar, diplomaci pa potenciale të nevojshme, pra në asnjë fushë nuk ishte e krahasueshme me shtete e konsoliduara dhe fuqitë të cilat kishin marrë mbi vete krijimin e një paqeje të qëndrueshme të ndërtuar mbi parimin e interesave të tyre shtetërore dhe nacionale. Kjo situatë brenda shtetit shqiptar nuk i siguronte Shqipërisë ndonjë pozitë të avancuar dhe rol vendimtar në diskutimet për vendosjen e kufijve dhe përfaqësimin e interesave kombëtare.
Konferenca e Versajës nuk solli paqe dhe stabilitet për vendet që prej kohësh përballeshin me konflikte të trashëguara sidomos për shtrirjen gjeografike dhe kufijtë shtetërorë midis tyre.

Marrëdhëniet e Shqipërisë me Mbretërinë Serbo-Kroate-Sllovene dhe Greqinë ende konsideroheshin të acaruara sidomos për shkak të problemit të caktimit të kufijve veriorë dhe verilindorë që konsideroheshin nyje e vështirë për t’u zgjidhur. Bazuar në vendimet e Konferencës së Ambasadorëve, në mars të vitit 1922 filloi punën në Shqipëri Komisioni Ndërkombëtar i Kufijve. Komisioni përbëhej nga përfaqësues të Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë. Konferenca e Ambasadorëve me vendim të veçantë kishte shpallur zonë neutrale të çmilitarizuar një rrip toke në të dy anët e kufirit që përfshinte një gjerësi rreth 10 kilometra dhe fillonte nga liqeni i Shkodrës në veri dhe përfundonte në jug në liqenin e Prespës. Gjatë punës në terren, Komisioni hasi në vështirësi sidomos nga qeveria e Mbretërisë së SKS-së.

Beogradi kërkonte që brenda kufijve të shtetit të tij të përfshiheshin edhe malësia e Vërmoshit dhe Manastiri i Shën Naumit, të cilat sipas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër të vitit 1913 ishin pjesë integrale e shtetit shqiptar. Qeveria jugosllave e mbante me forcë ushtarake Shën Naumin duke e konsideruar si vend të shenjtë për serbët dhe Serbinë dhe kërcënonte se nuk do ta lëshonte pa luftë.
Kërcënimi me luftë i Serbisë e ngriti “pazarin e negociatave” sidomos në marrëdhënien me Francën, e cila përkrahu pa hezitim këmbënguljen serbe për manastirin e Shën Naumit. Këtë anim të francezëve e konstatonte edhe diplomati britanik, Llampson, i cili në një nga deklarimet e tij shprehej: “Ajo që po mundohemi të shmangim është sfida që Serbia do t’i bëjë Konferencës së Ambasadorëve të përçarë, meqë Franca është kundër nesh”. Edhe Shqipëria përmes Mehdi Frashërit, i cili ishte përfaqësues i qeverisë shqiptare në Komisionin Ndërkombëtar të Caktimit të Kufijve të Shqipërisë, këmbëngulte se Shën Naumi si nga pikëpamja historike, juridike dhe politike i përkiste Shqipërisë.

Konferenca kishte vendosur gjithashtu që edhe Vërmoshi t’i takonte Shqipërisë, mirëpo qeveria jugosllave nuk e pranoi vendimin duke këmbëngulur për shtyrjen e kufirit sa më në thellësi të territorit shqiptar. Nga ana tjetër edhe Shqipëria këmbëngulte dhe kërkonte respektimin e vendimeve të vitit 1913 për Shën Naumin dhe Vermoshin. Qëndrimet diametralisht të kundërta ndikuan që çështja e kufijve të mbetej edhe më tej e hapur dhe kjo situatë mbante pezull stabilitetin e një pjese të rajonit të Ballkanit.
Për shkak të këtyre mospajtimeve të thella në mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së SKS-së për Shën Naumin dhe Vërmoshin, Konferenca u detyrua të hapte sërish diskutimin e kësaj çështjeje më 1 qershor 1923. Kurse më 24 tetor 1923, u vendos që të krijohej një “komitet” juristësh që do të analizonte vendimin e Konferencës së Londrës të vitit 1913 dhe Konferencës së Parisit që po vazhdonte të trajtonte çështjet e ndjeshme dhe diskutabile midis shteteve.

Më 10 maj 1924 diplomacia britanike deklarohej se nuk pajtohej me diplomacinë franceze për kalimin e Shën Naumit dhe Vërmoshit brenda kufijve të Jugosllavisë dhe kërkoi nga Komisioni i Kufijve që të vazhdonte punën për gjetjen e zgjidhjes përmes negociatave në mes palëve. Italia nga ana e saj gjithashtu e kundërshtonte qëndrimin e Francës dhe pretendimet serbe për shtyrjen e kufirit në thellësi të territorit shqiptar. Meqë negociatat shqiptaro-jugosllave me ndërmjetësimin e Komisionit të Kufijve nuk dhanë rezultat, më 13 qershor 1924, Konferenca e kaloi çështjen në Lidhjen e Kombeve, e cila konsideronte se këtë nyjë duhej ta zgjidhte Gjykata e Përhershme Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Në vitin 1925 pati shumë zhvillime, përpjekje, negociata, qëndrime pro dhe kontra, anime diplomatike, tentativa për të rimëkëmbur institucionet e shtetit shqiptar sidomos pas dhjetorit 1924 dhe vendosje për çështje delikate siç ishte Shën Naumi dhe Vermoshi.
Prandaj në këtë botim të titulluar: “Shën Naumi dhe Vermoshi sipas burimeve diplomatike të Britanisë së Madhe (1925)”, janë ofruar fakte të rëndësishme të bazuara në kërkimet shkencore në The National Archive në Londër për disa zhvillime politike e shtetërore shqiptare, por duke u dominuar nga korrespondencat diplomatike të qeverisë britanike me përfaqësuesit e saj në Komisionin Shqiptar të Kufijve dhe diplomatët e akredituar në vendet e rajonit të cilët në qendër të vëmendjes së aktiviteteve të tyre të përditshme e kishin Shën Naumin dhe Vërmoshin si dy nga temat kryesore që “mbanin peng” marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave.

Botimi përfshinë një seleksionim të dokumenteve të hulumtuara në TNA-ja, të cilat në këtë format botohen për herë të parë në gjuhën shqipe. Përgatitja dhe botimi i vëllimeve me dokumente arkivore është i veçantë dhe i domosdoshëm për historianët, studiuesit, studentët dhe të interesuarit e tjerë, sepse në këtë mënyrë ata kanë mundësi të vlerësojnë dhe analizojnë ngjarjet historike në sinkroni dhe diakroni dhe të përafrojnë e saktësojnë të vërtetat historike të bazuara në rezultate shkencore.
Në Arkivin Nacional në Londër, në fondet e Foreign Office ekzistojnë numër i konsiderueshëm i dokumenteve të pahulumtuara të proveniencës britanike, për periudha dhe ngjarje të ndryshme historike që trajtojnë çështjen shqiptare, problemet e brendshme të shtetit shqiptar, zhvillimin ekonomik, politik e social, marrëdhëniet e shqiptarëve me fqinjët etj.

Botimi “Shën Naumi dhe Vermoshi sipas burimeve diplomatike të Britanisë së Madhe (1925)” synon të ofrojë një kontribut modest me të dhëna autentike të burimeve diplomatike nga provenienca britanike rreth “debatit të pafund” shkencor nëse pati shkëmbim territoresh në mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë apo ishte thjesht “falje” e territoreve shqiptare nga ana e pushtetit të Ahmet Zogut.
Në fund Konferenca e Ambasadorëve dhe pala jugosllave u pajtuan që mosmarrëveshja kufitare në mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë të zgjidhej me parimin e kompensimit territorial. Konferenca vendosi që lugina e Vërmoshit dhe Lumbrajes me disa modifikime t’i kalonin Shqipërisë, kurse Shën Naumi i kaloi Jugosllavisë. Shqipërisë gjithashtu ju njohën disa territore të vogla përreth Shën Naumit përfshirë edhe fshatin Peshkëpi.

Në kuadër të këtij botimi janë përfshirë fondet: TNA, F.O 371, Files 655-1435, TOPP 10656 1925, Political, Central Albania; TNA, F.O 371, Files 127, P.P. 2074 END-300, 10655. Registry number: C 2074/127/90, nr. P.O.V. 50. C: Albania dhe TNA, FO /373/2/1, Fondi 132, Albania, Confidential, Handbooks prepared under the directions of the historical section of the Foreign Office-nr.16, (11), të cilat përmbajnë disa qindra dokumente diplomatike që trajtojnë aspekte të përgjithshme të zhvillimeve politike në Shqipëri dhe rreth Shqipërisë.
Burimet diplomatike të botuara në këtë vëllim janë përgatitur dhe publikuar sipas gjetjeve në renditjen e materialeve në fondet arkivore të “The National Archives” TNA.
Gjatë përgatitjes për botim janë shënuar numrat e dokumenteve sipas gjetjeve në fonde, pastaj është shënuar baza identifikuese The National Archives (TNA), përcjellë nga Foreign Office (FO), kurse në fund të secilit dokument janë nxjerrë numrat dhe shtesat e fondeve konkrete, në disa raste data, muaji (nëse kanë qenë të evidentuara) dhe viti.

Titujt janë të nxjerrë bazuar në përmbajtjen e secilit dokument. Në tekst janë dhënë sqarime të nevojshme për emrat e vendeve të evidentuara në gjuhën angleze që janë përkthyer në shqip, si p.sh. Scutari (Shkodra), Durrazzo (Durrësi) Santa Quaranta (Saranda) San Giovani di Medua (Shëngjini), Bojana (Buna), Valona (Vlora) etj.
Me rastin e botimit të këtij vëllimi shpreh mirënjohje dhe falënderime të veçanta për botuesin Institutin e Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, recensentët prof. dr. Fehmi Rexhepi dhe prof. asoc. dr. Teki Kurti, dhe gjithë të tjerët që kontribuuan që ky botim i vlerësuar t’i ofrohet lexuesit brenda logjikës dhe kompleksitetit të botimeve të kësaj natyre.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT