• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2024

Sami Repishti:  In Memoriam

December 18, 2024 by s p

Nicholas C. Pano/

I was sorry to learn of the passing of Dr. Sami Repishti. It was my privilege to have known Sami as a friend and colleague for some five decades. During this time, Sami had emerged as the foremost public intellectual in the Albanian-American community and among the most distinguished in what may be termed the Albanian world.

The outpouring of expressions of sympathy, respect and admiration both from within the United States and abroad generated by the news of Sami’s death attest to the esteem in which he is held by those whose lives he has touched as well as those who have admired and appreciated his tireless efforts in behalf of democratization in Albania, the independence of Kosova, the protection of the civil and human rights of Albanian minorities in the post Yugoslav states and elsewhere  and the promotion of a cordial U. S.-Albanian relationship. 

As a public intellectual, Sami was not only a respected scholar but also a publicist, advocate and activist in promoting the causes he championed. In this respect, he was also the archetype of a servant leader. He did it all: he wrote, lectured, mentored, advocated, lobbied and organized.  And Sami was able to do all this while maintaining the highest standards of professional and personal integrity.

Sami’s passing leaves a void in the Albanian-American community that will not be easily filled. May he rest in peace, and may his legacy serve as an inspiration for our Albanian-American community and for our compatriots throughout the world.

 My heartfelt condolences to Sami’s family and his many friends.

Filed Under: Kronike

Në kërkim të një tjetër lirie…

December 18, 2024 by s p

Vlora Ademi/

Nji djalë i ri, si Marin Shita, me nji pafajësi të humbun që vihet me e rrëzue diktatorin me sy. A e keni parasysh atë lloj romani që me elementet e ndërtimit vazhdon me ju mbajtë vjerrë edhe mbasi t’ia keni mbyllë kopertinën e fundit? I tillë asht romani i autorit Primo Shllaku, titulli i të cilit jo rastësisht ndërtohet me tri P – “Pesha e Padurueshme e Pafajësisë”. Ky aliteracion na krijon nji bashkëtingëllim delikat, tue i ofrue lexuesit cilësi lirike që në titull. Kjo asht edhe nji tjetër dëshmi se kemi të bajmë me nji autor sqimatar, ku çdo bashkëtingëllore e zgjedhun me kujdes rezonon me thellësi poetike.

Gjuha, gjetjet, qasja, skenat, personazhet, karakteret bindëse, marrëdhaniet emocionale, mënyra e të rrëfyemit, ndërtimi unik, dinamika, komploti tërheqës dhe ritmi i shkëlqyeshëm bajnë që ky roman të vlerësohet si kryevepër e autorit.

Sot kur vlerat artistike letrare janë të shkërmoquna dhe kemi mungesë kritike të konsolidueme, asht për t’u përshëndetë guximi intelektual i autorit për me e sjellë nji roman të ndërtuem mbi katër shtylla – pafajësinë, lirinë, luftën dhe moralin – që mishnohen drejtpërdrejt me karakterin e individit. Pra, ky roman na e shpërfaq nji autor të mirëformuem, të mirinformuem e të mirëpozicionuem, siç asht Primo Shllaku.

Autori shkruen gegnisht, e megjithatë romani nuk asht i gjithi në këtë varietet gjuhësor. Tue synue nji kuadër të ngjyrosun edhe gjuhësisht, autori ka ndërtue edhe dialogë në dialektin toskë, me ç’rast bahet edhe vetëkarakterizimi i personazheve. Asht e qartë se autori këtë e ban me qëllim që të potencojë faktin se komunizmi ishte ideologji me mbështetje të gjanë në jug të Shqipnisë.

Metadiskursi i përdorun e mban të angazhuem lexuesin gjatë gjithë kohës. Përpos gjuhës poetike, autori njihet edhe për fjalorin e pasun. Përmes konstruktit gjuhësor ai shmang metoniminë, tue na pru fjalë jo aq të rëndomta, si tipare gjuhësore të stilit vetjak: shkrythje; vjegësa; fojleta; bazhgarile; lodërtinë; krahishtonte; jerevi; vandakë; sheneshin; vërgjillta; bizute, e qinda tjera.

Skenat, që shtjellohen nga nji pozicion krejt i zakonshëm i nji djali hidraulik e fjalëpak, i vetësakrifikuem pavetëdijshëm në pafajësinë e tij, deri tek energjia shpërthyese e synit të vet, bajnë me kuptue se romani fillon pikërisht me të pazakonshmen. Autori ka ndërtue me saktësi skena të sinkronizueme me dialogje diakronike, nga ku edhe zbërthehet metafizika e romanit dhe doktrina e nji periudhe.

“Vilja ishte e madhe dhe vjegësa e saj e trashë. Nji herë forma e saj iu duk si hartë, si harta kryeposhtë e nuk e di cilit vend, por ashtu iu duk, si hartë shteti”. (f. 9)

Romani të ban me e ndie objektivitetin përballë subjektit dhe epokës. Në njenën anë janë vitet 1943-45, e në tjetrën përcaktimi i identitetit të nji brezi. Realisht, periudhë gjatë të cilës asht vuejtë kriza e identitetit. Në veçanti, ajo e identitetit individual. Dhe meqë autori ka nji dhunti të jashtëzakonshme në ndërtimin e personazheve, gjithë barrën e kësaj periudhe ia ngarkon mbi supe kryepersonazhit, Marinit.

Marini, djalë krejt naiv, ndodhet përballë nji epoke të egër. Jo rastësisht, autori e ballafaqon moshën e tij (19 vjeç) me brutalitetin e kohës. Madje edhe profesioni i tij prej hidrauliku nuk asht përzgjedhë pa u shestue mirë.

Nuk asht se autori ka përdorë elemente fantastike për ta krijue nji protagonist interesant, por me shumë takt, personazhin kryesor të romanit na e prezanton si nji hidraulik që ka nji fuqi të jashtëzakonshme të synit. Këtu nis intriga dhe tensioni. Këtu njiherësh nis edhe polemika direkte me lexuesin. Marini merr mësysh. Ai shiton. Nga këtu, jo pa dashje, Marini asht Marin Shita.

“Ndjeu forcën e tij dhe ia tha vetes troç: ‘Unë e këpus vilen e rrushit me sy’”. (f. 12)

Këtu fillon provokimi i pafajësisë së personazhit. Kjo asht nji nga gjetjet e autorit për me e mbajtë të zgjueme vigjilencën e lexuesit.

Kjo ndodh me Marinin: rritet, burrnohet. Bie në dashuni (mbase me dy gra njiherësh), njena grue e emancipueme nga jugu i vendit, që për të parën herë e kishte ba me mendue edhe përtej gypave të ujit, dhe tjetra, zgjedhje (e zgjidhje) zakoni. Vihet përballë sprovave të çuditshme – arrestohet në ditën e fejesës, ban burg, lirohet, ballafaqohet me ish-të fejuemen dhe nis e merr vendime krejt të paparashikueshme, tue e vu në pah kapërcimin e vetvetes dhe tanë peshën e pafajësisë njikohësisht.

“Marini asht nji personazh që ka ra në kurthën ekzistenciale të epokës së vet, asht ba objekt i nji loje mistike e globale, askund pyetjeve që ngren ai mbas kalimit të tij, autori nuk u jep përgjigje, sepse përgjigjja do të kishte randësi për vetë personazhin, e jo për ne që tashma dimë goxha për metonimitë e asaj epoke, si dhe për masat shtrënguese preventive ndaj lirive themelore të njeriut e të individit” thotë autoi Shllaku në intervistën ‘Aventura e Pafund e Zbulimit Individual’ që bana me te për revistën letrare ILLZ.

Mirë që autori nuk ka qëllue lakonik. Ngacmimi i imagjinatës së lexuesit dhe krijimi i nji atmosfere ankthi janë mjeshtria e tij. Autori britanik E.M Fortser, Marinin do ta quante ”personazh i rrumbullakët”, e kundërta e “nji personazhi të sheshtë” (ose dydimensional) i cili e mishnon “nji ide apo cilësi të vetme”. Ndërsa “nji personazh i rrumbullakët” sikurse Marin Shita, i përgjigjet ndryshimit: “asht në gjendje me befasue [lexuesin] në nji mënyrë bindëse”. Pra nji personazh i vetëm mundet me shërbye si fokus kryesor i romanit.

Si protagonist, Marini zbulon, ka sekrete, bind, gabon, ban ndryshime, madje edhe josh.

Sado që romani provokon edhe skena krejt të tërthorta erotizmi –“Ai e kapi me duert e tij të forta trupin e trumës… . Lidhja u dha dhe ai filloi ta zhdrivillonte trumën e randë prej gize, derisa ajo u lirue krejt dhe i peshoi mbi krah djaloshit” (f. 47) – prapseprap libri asht i privuem nga erosi.

Me stilin e tij të qëndrueshëm, autori nuk ka sjellë detaje të thella erotizmi, por brydhtas asht ndalë vetëm te joshja si nji akt tundimi, ndikimi e magjepsje, duke ngjallë vetëm shpresë dhe dëshirë. Mbase, si personifikim të kohës dhe rrethanave, autori Marinin na e len veç platonik. Nji djalë që josh me pafajësinë e tij. “Kur Tatjana i kishte thanë haptas që të ngrente shikimin dhe ta shifte në sy, djali kishte pasë idenë se, po t’i çonte sytë dhe ta shifte pak, atëherë sytë e saj apo edhe sytë e tij do të thyheshin copa-copa”. (f. 58)

Në thelb, në mënyrë paralele, në roman zhvillohen dy lloje konfliktesh. Njeni, i mbrendshmi, që ndodh mbrenda kokave të personazheve dhe tjetri, i jashtmi, që prek personazhet, por që njiherit ndodh jashtë kokave të tyne. Përmbysja shfaqet diku në mes të romanit. Takimi i parë i Marinit me detin e përmbys komplet pjesën e parë të romanit. Mbas këtij takimi, jeta e hidraulikut, personazhit me emnin Marin, ndahet në dy epoka. Kjo asht situata ma delikate ku autori ven në dukje metafizikën e qenies, si përpjekje për me krijue nji përshtatje të Marinit midis vetes dhe pjesës tjetër të realitetit. Për aq sa Marinit – sikurse edhe neve – i duhet të mishnojë orientimin ekzistencial në mënyrë që të ndërveprojë me mjedisin e rrethanat, ai përballet me nji urdhën të pavetëdijshëm nga brenda për me i dhanë kuptim asaj që po ndodh me te dhe me e përshtatë me veten, si pamje e qenies së tij. Në fakt, kjo përballje e përban krejt elementin metafizik të romanit.

“Marini ishte mbushë plot me detin që e kishte pa për së pari atë ditë dhe po largohej nga bregdeti me idenë se deti kishte qenë i zemëruem dhe ai sa kot ishte hangër sysh me të. Por gjithsesi e hetonte brenda tij nji shqepje të diçkaje dhe nji si fillim të diçkaje tjetër.” (f. 133)

“Bota po i tregonte Marinit diçka ma shumë nga vetja e saj dhe ai po ndjente interesin e tij të papërballueshëm për ta lanë mbrapa gjithçka që për te kishte qenë nji normalitet.” (f. 134)

Asht e dukshme se situatat në roman janë vendosë kundër çdo rastësie po aq sa edhe personazhet. Ato kenë emocione të vërteta, janë në ankth dhe pasiguri të plotë.

-Vidhe, vidhe!

Zefi nuk u kishte besue veshëve.

-Si thatë, atë i shenjtë? – kishte shqiptue me çudi të thellë Zefi.

-Po, po, atë që ndigjove…

Zefi po e kqyrte priftin si i çakërdisun.

-Vidhe dhe qetësohu… Përfundishmisht… (f. 244)

Ky dialog tronditës në roman ndërthur nji filozofi sa biblike aq edhe kafkiane, e megjithatë, veçan dyjave, duket se prej tij buron edhe nji e tretë – ajo e autorit.

Ndonëse në letërsi tema e pafajësisë shpesh shfrytëzohet si mënyrë me e nxjerrë në pah humbjen e fëminisë, te romani “Pesha e padurueshme e pafajësisë”, tue iu shmangë me shumë delikatesë emnave e termave, pafajësia portretizohet me figurën e Krishtit. Vlerat e palëkunduna morale të tij theksojnë qartë idenë e pafajësisë, petk që fillimisht i asht mveshë Marinit. Krishtenimi vendos theks të veçantë në konceptin e pafajësisë, i cili asht i lidhun ngusht me idenë e mëkatit.

Dhe nëse në njenën anë Kafka thotë: Filloni me ate që asht e drejtë dhe jo me ate që asht e pranueshme, në anën tjetër, autori Shllaku thotë: Vidhe dhe qetësohu… Përfundishmisht…

Me këtë rast, filozofia mbi të cilën autori e ndërton romanin e angazhon lexuesin në nji sentencë që nxit në reflektim ose që çon në njifarë depërtimi a ndriçimi. Në të njejtën kohë, ka situata që edhe nxisin polemika me te.

Narrativa e romanit provokon. Situatat e krijueme brenda treqind e katër faqeve, personazhet intriguese si Tatjana e Batoja ose edhe mefistofelikë e cinikë si Zef Vetima, me të cilin Marini njihet gjatë qëndrimit në burg, nxitin diskutime të zhvillueme përmes nji lente filozofike.

Filozofia e autorit te “Pesha e padurueshme e pafajësisë” na ban me kuptue se liria dhe pafajësia nuk shkojnë bashkë. Liria e mendimit, mandej edhe ajo e veprimit, fitohen vetëm tue e lanë anash pafajësinë.

“Unë e shof, – i kishte thanë prifti me njifarë kthejlltësie, – se ti nuk ke gja me Manolin. Ti ke problem, ti nuk duroke pafajësinë tande djalosh…” (f. 243)

I bazuem në idetë e absurdit dhe ekzistencializmit, romani direkt provokon moralin. Metafora e tjetërsimit të individit koincidon me “Metamorfozën” e Kafkës. Po kështu i shpreh ankthet shqetësuese ekzistenciale të ekzistencës tonë dhe të botës në të cilën prap jetojmë kaq paparashikueshëm ne edhe autori i romanit në fjalë, Primo Shllaku.

Në kërkim të nji tjetër lirie ose të ridemsionimit të lirisë së tij, Marini thyen rregullat e moralit bashkë me frikën.

Mbasi me sy e kishte rrëzue vilen e rrushit, e kishte praptue kalin e oficerit bashkë me te, e kishte ba copë-copë pasqyrën në burg, e kishte ndrydhë iluzionin për Tatjanën dhe, mbasi ishte përballë edhe me ish të fejuemen, gjendja prej shtatzane e të cilës përgjithnji e kishte tëhuejtë dhe e kishte ndihmue me i nda mendimet, Marini niset drejt kryeqytetit me e rrëzue edhe diktatorin.

Marinin e kishte tjetërsue pafajësia e vet.

Kjo asht intriga e fundit që autori ua ban lexuesve. E nis Marinin për në kryeqytet, (mbase edhe me e takue Tatjanën!) dhe këtu e mbaron rrëfimin. Pjesa tjetër i mbetet imagjinatës së lexuesit.

Sikurse “Lehtësia e papërballueshme e të qenit” e Milan Kunderës, tashma edhe “Pesha e padurueshme e pafajësisë”, tue e sfidue konceptin e përsëritjes dhe virtytin njerëzor, i vendosin këto përballë vlerave të lirisë, tue na ba me kuptue se që të dy, në formë të njejtë, kanë guxue me e sfidue filozofinë niçiane.

“Pesha e padurueshme e pafajësisë” asht nji roman provokues dhe thellë i menduem, i cili gjatë leximit të ban me u përfshi drejtpërdrejt me filozofinë. Prandaj edhe na le shijen e një romani të përqendruem qartë në filozofi. / exlibris.al

Filed Under: ESSE

JAKOV XOXA…

December 18, 2024 by s p

Xhelal Zejneli/

Drama e fshatarësisë shqiptare në vitet ’30 në romanin ‘Lumin e vdekur’ të Jakov Xoxës

Jetëshkrimi i shkurtër i autorit  

Jakov Xoxa lindi në Fier më 15 prill 1923 në fushën dikur me këneta dhe mushkonja të Myzeqesë. Vdiq në Budapest të Hungarisë më 28 prill 1979. Vitet e para të shkollimit i ndoqi në qytetin e lindjes, për t’i vazhduar më pas në Vlorë, Kavajë, Korçë, qytete ku shkonte për të punuar i ati i tij, Thanasi. si magazinier kripe. Ndoqi Liceun Kombëtar francez të Korçës e më pas Normalen e Elbasanit që e ndërpreu gjatë pushtimit italian dhe gjerman dhe e përfundoi në Tiranë, pas çlirimit. 

Që i ri mori pjesë në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare, si anëtar i njësitit gueril të Fierit, më pas partizan dhe redaktor i gazetës antifashiste “Përpjekja e Lirisë” (Vlorë). Të kësaj kohe janë edhe krijimet e tij të para letrare. Siç u tha dhe më lartë, gjatë Luftës së Dytë Botërore Xoxa ka qenë partizan i Frontit Nacionalçlirimtar, ndërsa pas lufte – gazetar dhe shkrimtar.  

Pas Çlirimit të vendit përfundoi shkollën e mesme në Tiranë. Në vitin 1951 kreu studimet e larta për letërsi franceze në Universitetin e  Sofjes. Njëkohësisht bëri hapat e parë në poezi dhe në prozë. E filloi punën në seksionin e gjuhës dhe të letërsisë në Institutin e Shkencave. Më pas kaloi në gazetën “Zëri i rinisë”.  

*   *   *

Jakov Xoxa veprat e veta letrare i krijoi në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore. Prej vitit 1945 e këndej në Shqipëri ishte në fuqi metoda e realizmit socialist. 

Letërsia e realizmit socialist – Drejtimin letrar të realizmit socialist e themeloi shkrimtari sovjetik (rus) Maksim Gorki (1868-1936). Sipas parimeve të këtij drejtimi letrar, shkrimtari apo poeti duhej ta paraqiste realitetin të lustruar apo të zbukuruar dhe jo ashtu siç ishte ai në të vërtetë. 

Në vitet e para të aleancës midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, politika kulturore në Shqipëri u ndikua nga zhdanovizmi, doktrinë letrare e formuluar nga Andrej Zhdanov (1896-1948), që bëri kërdi në letërsinë sovjetike (ruse). Shkrimtarët merrnin direktiva nga regjimet staliniste, arti dhe letërsia ndërkaq duhej të viheshin në shërbim të politikës, pushtetit, partisë dhe të udhëheqësit partiak, i cili ishte diktator dhe tiran.

Nën ndikimin e zhdanovizmit, shkrimtarët shqiptarë të kësaj periudhe trajtuan temat, si: lufta partizane dhe ndërtimi i socializmit. Ata u detyruan t’i shmangeshin ndikimeve letrare të Perëndimit. Shkrimtarët detyroheshin të përçonin në veprat e tyre idetë politike të regjimit si dhe ideologjinë marksiste. 

Shkrimtarët e drejtimit të realizmit socialist krijuan poezi, tregime dhe romane, shumica e të cilave ishin pa vlera letrare. Ato ishin trakte me synime politike, edukative dhe didaktike. 

Në këtë brez shkrimtarësh bëjnë pjesë: Dhimitër Shuteriqi (1915-2003), Shefqet Musaraj (1914-1986), Sterjo Spasse (1912-1989), me përjashtim të romanit Pse?! të botuar më 1935, Fatmir Gjata (1922-1989), Ali Abdihoxha (1923-2014).

Poet të këtij brezi të drejtimit të realizmit socialist ishin: Aleks Çaçi (1916-1989), Mark Gurakuqi (1922-1970), Luan Qafëzezi (1922-1995) dhe Llazar Siliqi (1924-2001). 

Jakov Xoxa (1922-1979) – edhe pse i takon brezit të shkrimtarëve të realizmit socialist, romani i tij “Lumi i vdekur” (1965) është një nga veprat e rralla të kohës me meritë artistike.

Përpos romanit të sipërthënë, Xoxa është autor edhe i dy romaneve të tjera: “Juga e bardhë” (Tiranë, 1971) dhe “Lulja e kripës” (1978). Xoxa i krijoi tre romanet e veta duke qenë i vendosur në një fshat të Myzeqesë afër Fierit. Romani i dytë i Jakov Xoxës “Juga e bardhë” ka për model romanin “Tokat e çara” (Podnjataja celina, Moskë 1932) të shkrimtarit sovjetik Mihail Aleksandroviç Shollohov (1905-1984). Ky roman i Xoxës merret me kolektivizimin e bujqësisë në fushën e Myzeqesë pas luftës. Në vitin 1974 romani u përkthye në Tiranë edhe në frëngjisht.

*   *   *

Kthesë në letërsinë shqiptare – Në vitin 1961, me krijimet poetike të Fatos Arapit (1930-2018), të Ismail Kadaresë (1936- ) dhe të Dritëro Agollit (1931-2017), në letërsinë shqiptare kemi një kthesë. Kthesa e parë në rrugën e zhvillimit të prozës dhe të poezisë shqiptare, pas një çerek shekulli ngecjeje në vend, erdhi në vitin e stuhishëm 1961, i cili nga një anë shënoi edhe shkëputjen politike përfundimtare nga Bashkimi Sovjetik, pra edhe nga modelet letrare sovjetike dhe nga ana tjetër, dëshmoi botimin e një numri vëllimesh që krijuan rrymë letrare, sidomos në poezi. Panë dritën vëllimet poetike: “Shekulli im” i Ismail Kadaresë, “Hapat e mia në asfalt” i Dritëro Agollit dhe në vitin tjetër “Shtigje poetike” i Fatos Arapit. 

Parimet e realizmit socialist në letërsinë shqiptare nisin të thyhen.  

*   *   *

Krijimtaria artistike dhe teorike e letrare   

Në vitin 1949 Jakov Xoxa botoi veprën e parë në prozë “Novela”. Krijimtarinë letrare në këtë zhanër e vazhdoi edhe gjatë viteve ’50 të shekullit XX. Kështu në vitin 1958 botoi veprën e dytë, po me atë titull “Novela”. Ndërkohë botoi dhe dy drama “Buçet Osumi” dhe “Zemra”.

Që nga viti 1957 punoi profesor i stilistikës dhe i teorisë së letërsisë në Institutin e Lartë Pedagogjik në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës, ku për shumë vite ligjëroi lëndën teoria e letërsisë. Për nevojat e studentëve, në formën e dispensës, hartoi vepra teorike të domosdoshme për kohën si “Hyrje në letërsi”, “Teoria e letërsisë” dhe “Metrika”. Ndërkohë punoi edhe për një vepër të plotë teorike letrare, “Bazat e teorisë së letërsisë”, që ishte nga veprat më serioze të kohës (si degë e shkencës mbi letërsinë). Kjo vepër u botua po ashtu në formë dispense më 1972. 

Në këtë vepër Jakov Xoxa ofronte dije dhe përvojë teorike letrare të gjerë por që dilte jashtë kornizave të teorive zyrtare të kohës. Për këtë arsye, kjo vepër e rëndësishme për shkencën letrare shqiptare pati kritika të skajshme. Autori, pa bujë dhe zhurmë, ashtu siç ishte gjatë tërë jetës, i qetë dhe i mbyllur në vete – u tërhoq në vetmi.

Pavarësisht kritikës zyrtare, vepra në fjalë pati përkrahës të shumtë, sidomos në radhët e studiuesve, pedagogëve dhe studentëve të letërsisë. Brenda atij viti, një pjesë e konsiderueshme e saj, e ripunuar dhe e zgjeruar, bashkë me dy autorë të tjerë (N. Lezha, P. Kraja), u ribotua në katër vëllime, me të njëjtin titull: “Bazat e teorisë së letërsisë”.

Nga fundi i viteve ’60 të shekullit XX Jakov Xoxa ishte shkrimtar në krijimtari të lirë. Pas disa sprovave në fushën e dramaturgjisë (dramat “Buçet Osumi”, “Zemra”) dhe botimit të dy vëllimeve të suksesshme “Novela” (1949) “Novela II” (1958), Jakov Xoxa nisi krijimin e një pentalogjie romanësh (cikël prej pesë romaneve), nëpërmjet së cilës jeta shqiptare do të pasqyrohej artistikisht në tërësinë e saj, prej viteve ’30 të shekullit XX e këndej.  

Sprova e parë dhe më e shquar e këtij projekti, ndër tri që Jakov Xoxa mundi të realizojë është romani “Lumi i vdekur”. U botua në katër vëllime në vitet 1961, 1965, 1967 dhe 1974. Vepra përjetoi një sukses të menjëhershëm. Kritika e kohës e cilësoi si një ndër veprat më të mëdha të letërsisë shqipe. 

*   *   *

“Lumi i vdekur”

Vepra më e njohur e Jakov Xoxës është romani “Lumi i vdekur”. U botua në Tiranë në vitin 1964. Për këtë krijim artistik mori çmimin e Republikës të Shkallës së Parë. Nga kritika letrare, vepra u brohorit si një kryevepër e narrativës socialiste.

Pikat kryesore që e ndërtojnë subjektin e “Lumit të vdekur”  

– Në këtë roman autori dënon shfrytëzimin e egër të fshatarësisë së varfër nga bejlerët.

– Romani ka një shtrirje të gjerë të rrëfimit;

– Përdorimi i gjuhës shqipe, me tërë pasurinë e saj, si kurrë deri atëherë;

– Autori ndriçon realitetin e botës shqiptare;

– Ngjarja në roman zhvillohet në vitet 1938-1939;

– Autori pasqyron realitetin e hidhur të fshatit shqiptar të kohës;

– Asnjë roman para tij, nuk e pasqyron në mënyrë aq komplekse botën shqiptare në prag të Luftës së Dytë Botërore, si “Lumi i vdekur”, apo periudhën gjatë luftës, si romani “Lulja e kripës”.

– Rrëfimi në romanin “Lumin e vdekur” fillon me shpërnguljen e dhunshme të familjes së Pilo Shpiragut nga fshati Grizë i Fierit dhe mbyllet pas një viti, me shpërnguljen e kësaj familjeje, tani nga fshati Trokth.

– Ngjarjet në roman zhvillohen në mënyrë dramatike dhe me intensitet shkallëzues;

– Pilo Shpiragu vendoset në hanin e Bishtanakut; aty punësohet në fermën e fshatit Trokth;

– Këtu u takua dhe u njoh me familjen kosovare të Sulejman Tafilit;

– Familja e Pilo Shpiragut përfundon në fshatin Trokth;

– Këtu nuk pritet mirë nga fshatarët e Trokthit;

– Pilo Shpiragu i tëri lufton sesi të sigurojë ekzistencën e familjes së vet, të mbetur në rrugë dhe nën qiell të hapur;

– Në roman kemi tri familje: e Pilo Shpiragut, të dëbuar nga beu i fshatit; e Sulejman Tafilit, të dëbuar nga Kosova prej pushtuesit serb dhe e Koz Dynjasë, nga Trokthi;

– Që të tria familjet luftojnë për bukën e gojës;

– Një ngjarje e çuditshme gjatë rrugëtimit të Pilo Shpiragut është fëmija që lind gruaja e tij në karrocë, gjatë shtegtimeve përplot peripeci;

– Krahas ngjarjeve që ndërlidhen me jetën plot vuajtje e mundime të personazheve të sipërthëna, zhvillohet edhe lidhja e dashurisë ndërmjet vashës së Shpiragajve, Vitës dhe djaloshit kosovar – Adilit;

– Dashuria midis dy të rinjve dhe bashkimi i tyre simbolizon bashkimin e Kosovës me Shqipërinë;

– I mbetur në udhëkryq dhe me ekzistencë të rrezikuar, pa kulm mbi kokë, Pilo Shpiragu vendosi t’i bindet përsëri beut i cili e kishte dëbuar nga fshati dhe i cili lakmonte Vitën;

– Por Vita dhe Adili arratisen në mal;

– Si njeri, Pilo Shpiragu është një burrë me virtyte, por problemet e jetës që kanë rënë mbi të me tërë vrazhdësinë e saj, në momente të caktuara e kanë shtrënguar të lakohet; 

– Ai besonte se ekzistencën e familje së vet do ta siguronte falë krahëve dhe djersës së vet, por kjo, u pa si një iluzion;

– Familja e Shpiragajve dhe ajo kosovare e Tafilajve të paraqitura nga Jakov Xoxa në romanin “Lumi i vdekur” dëshmojnë për dramën tragjike të kombit shqiptar.

*   *   *

Në romanin “Lumi i vdekur” Jakov Xoxa dënoi shfrytëzimin e fshatarësisë së varfër nga bejlerët mizorë. Ky roman është një nga veprat e rralla të kohës me meritë artistike. Rreth vitit 1972 u përkthye në italisht. 

Ngjarjet shtrihen brenda viteve 1938-1939 të shekullit XX. Rrëfimi i ngjarjes në romanin “Lumi i vdekur” fillon me shpërnguljen e dhunshme të familjes së Pilo Shpiragut nga fshati Grizë dhe mbyllet pas një viti, me shpërnguljen po të kësaj familjeje, tani nga fshati Trokth. Brenda këtij harku kohor janë vendosur një varg ngjarjesh, kryesisht dramatike, me intensitet shkallëzues. Qerrja e ngarkuar me plaçkat e shtëpisë nis rrugën pa ditur ku do të arrijë. Sa për një natë Pilo Shpiragu vendos të strehohet te hani i Bishtanakës ku rastësisht do të gjejë “shpëtim” te tregtarët e Fierit të cilët do ta punësojnë në fermën e fshatit Trokth. Po në atë kohë njihet edhe me familjen kosovare të Sulejman Tafilajt. Ngazëllehet nga shija dhe ndjenja e ardhacakut. Do të provojë t’u përshtatet kushteve të reja njësoj si familjet e fshatit Trokth të cilët janë në luftë të përhershme për mbrojtje dhe për sigurim ekzistence. Krahas këtyre rrjedhave dhe e ndërthurur me to, zhvillohet edhe lidhja intime ndërmjet vashës së Shpiragajve – Vitës dhe djaloshit kosovar – Adilit. Kjo linjë nga ana e vet ka shijen dhe domethënien e një simbolike.

Lidhja ndërmjet vashës nga Myzeqeja dhe djaloshit kosovar simbolizon lidhjen shpirtërore ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. 

Pakti ndërmjet Pilo Shpiragut dhe tregtarëve të Fierit nuk arrin ta plotësojë as rrethin kohor të një viti. Përmbytja simbolike e fshatit nga lumi i përçudnuar solli pasoja tragjike për Shpiragajt. Atë që u mbeti nga gjëja e gjallë do t’ua rrëmbejnë tregtarët. Familja Shpiragaj mbeti në mes të rrugës më e vetmuar se kurrë më parë. Mbeti pa asgjë. Ballë për ballë me rrezikun për të mbetur pa ekzistencë, Pilo Shpiragu vendos t’i bindet beut dhe të pranojë kërkesat e tij. Beu lakmonte Vitën. Pilo Shpiragu vendos ta punësojë Vitën në oborrin e beut, por shpleksja e narracionit të romanit fillon me arratisjen e Vitës dhe të Adilit në male.

Figura e Pilo Shpiragut dhe e familjes Shpiragaj është strumbullar që i lidh të gjitha rrjedhat narrative të romanit. Edhe pse kemi të bëjmë me një nga romanet më vëllimore të letërsisë shqiptare, megjithëkëtë rrjedha e fabulës të tij lidhet nëpërmjet një kohezioni të brendshëm të qëndrueshëm. Edhe kur rrëfehen ndodhi nga urtia dhe përvoja jetësore e popullit që është karakteristikë e rrëfimit romanesk të Jakov Xoxës, ato drejtpërsëdrejti apo tërthorazi lidhen dhe kanë të bëjnë me çështjen kryesore të ngjarjes së rrëfyer.

Vëmendja e autorit është përqendruar në figurën e Pilo Shpiragut. Ai na paraqitet si një njeri me integritet i cili e ruan deri në fund pastërtinë morale, por barra e jetës ka rënë mbi të  me tërë vrazhdësinë. Në çaste të caktuara e kanë detyruar të lakohet. Megjithatë, Pilo Shpiragun e përjetojmë si figurë që rrezaton domethënie përgjithësuese, si person që shpreh një pjesë të sfidave dhe të dilemave të kohës. Autori synon që në tiparet e tij dhe të Koz Dynjajsë të përqendrohen paragjykimet dhe morali i fshatarëve shqiptarë të kohës. Përmes tyre ai arrin të realizojë tipizimin letrar për rrethanat e mjedisit shqiptar të asaj kohe. Natyrë energjike dhe me iniciativë, Pilo Shpiragu, falë krahëve dhe djersës së vet beson se do të arrijë pavarësinë ekonomike të familjes, pa pasur nevojë për solidaritet. Por ky ishte një iluzion. Këtë nevojë Pilo Shpiragu do ta ndjejë më vonë.

Edhe figura e familjes kosovare, ajo e Sylejman Tafilajt, është bërthamë që ngërthen jehona të rëndësishme nga drama e përgjithshme kombëtare. E dëbuar dhunshëm nga pushtuesi serb ajo nuk do të rehatohet në moçalet malarike të Myzeqesë dhe nuk do ta gjejë ngrohtësinë e mjedisit. Fati i familjes kosovare, të dëbuar dhe të arratisur, do të vazhdojë dhe në epokën e komunizmit shqiptar. Jakov Xoxa i ka vërejtur me mprehtësinë e intuitës krijuese raportet midis fshatarëve të Myzeqesë dhe të Kosovës që në fillim e kanë përjetuar si kundërshtar njëri-tjetrin, si palë që do ta rrezikonte apo vështirësonte ekzistencën e secilit.

Familja e Shpiragajve mbetet tërësisht pa mjete për të jetuar. I shtyrë nga rrethana të këtilla, Piloja si kryefamiljar përsëri detyrohet të mbështetet te beu. Vitën e dorëzon në sarajet e tij. 

Në romanin “Lumi i vdekur”, krahas rrjedhave spontane të veprimeve të personazheve,  të përcaktuara nga shtysa të jashtme apo të brendshme, ndihet ndërhyrja e autorit, sado e fshehtë qoftë. I tillë duket edhe veprimi i arratisjes së dy të rinjve – Vitës dhe Adilit. A është ky një veprim i paramenduar si zgjidhje e mundshme apo veprim i çastit që s’e ka të qartë ecjen, drejtimin dhe cakun!? Sikur ky vendim të ishte vendosur në një kontekst kohor tjetër, për shembull në fillim të viteve ’30 të shekullit XX, do të dukej pa rrugëdalje, do të dukej si një ikje drejt një horizonti të mbyllur. Arratisjen nga kurthi autori e bën duke u bazuar në një alibi të fortë: Arratisja në fund të viteve ’30 të shekullit XX përputhet me fillimin e një përmbysjeje të madhe historike që e solli Lufta e Dytë Botërore. Me vetëdije apo jo, dy të rinjtë do të gjenden në krahët e kësaj lëvizjeje për ndryshime të mëdha.

Arratisja e Vitës me Adilin shpreh mohimin e një bote e cila nuk u kishte ofruar dy të rinjve mundësi për të jetuar. 

Një parim tjetër në praktikën krijuese të Jakov Xoxës është edhe synimi për të rrëfyer bindshëm. Ai që rrëfen në emër të autorit dëshiron ta bindë lexuesin në atë shkallë vërtetësie që nuk është e mundur pa qenë njëherë i bindur vetë. Ky parim tregimtar e kultivon praktikisht sqarimin, arsyetimin dhe mbështetjen e çdo detaji dhe të çdo veprimi.

Një dimension që romanin e Jakov Xoxës e bën tërheqës është ndjenja se tërësinë e fabulës e rrëfen një dëshmitar i vërtetë i ngjarjeve dhe se ky tregimtar e thotë të vërtetën, di të zgjedhë fjalë dhe shprehje të vërteta, t’i shqiptojë qetë ato, të nxisë kërshërinë për të dëgjuar e për të ditur ç’ndodh më vonë si dhe të zgjojë interesim për personazhet. 

Jakov Xoxa, në mbështetje të përvojës krijuese realiste dhe të filozofisë jetësore të shpirtit kolektiv ka artikuluar stilin dhe shkollën e vet në zhanrin e romanit shqiptar në përgjithësi.

*   *   *

Krahas odiseadës së familjes së Pilo Shpiragut, në romanin “Lumi i vdekur” autori e paraqet edhe dashurinë midis dy të rinjve, Vitës dhe Adilit. 

Dashuria e Adilit me Vitën dhe pengesat e shumta në realizimin e saj na e kujtojnë  heroin e dikurshëm të epikës sonë legjendare. Figura e Adilit ngjan me heroin e këngëve  kreshnike shqiptare. Edhe për nga madhështia shpirtërore, edhe për nga bukuria mbase ngjan me figurën e Halilit. Dashuria e madhe që e lidh me Vitën sapo e takon, t’i përkujton ngjarjet dhe qëndrimin e heroit epik – Halilit. Premtimi që duhet të realizohet me çdo kusht, madje edhe me sakrifica të jashtëzakonshme, na e përkujton figurën e rrallë të heroit epik shqiptar. Pengesat për realizimin e dashurisë së dy të rinjve, Vitës dhe Adilit, u shtuan tej mase. Përkundër kësaj, djaloshi kosovar ishte i gatshëm dhe i vendosur për t’u ballafaquar me sfidat. Ai nuk tërhiqet, përkundrazi mendon se si ta rrëmbejë grizaraken e bukur dhe fisnike. Kësisoj, Xoxa na rikthen në kohët e shkuara të heronjve të epikës legjendare shqiptare.

*   *   *

Eposi i kreshnikëve është një prej trashëgimive folklorike shqiptare më të hershme. Muji dhe Halili me çetën e tyre i mbrojnë të vetët prej një rreziku që vjen nga veriu, nga brendësia e Gadishullit Ballkanik. Studiuesit thonë se koha e krijimit të eposit duhet të jetë pikërisht ajo e dyndjeve sllave në Ballkan në shekujt VI dhe VII. 

Muji (Gjeto Basho Muji) dhe Halili janë vëllezër, kryeheronj të këngëve të eposit shqiptar të kreshnikëve, shokë armësh në të gjitha bëmat. Muji është luftëtar i cili vepron në malësitë shqiptare. Tek ai janë mishëruar vlera të larta shpirtërore të popullit shqiptar, si: besa, burrëria, trimëria, qëndresa përballë armiqve, krenaria, dashuria për lirinë dhe vendin. Vëllai më i vogël i tij – Halili, shquhet për vrullin rinor. Bëmat heroike i japin figurës së tij një madhështi legjendare.

*   *   *

Ballafaqimi me rrethin e ri, me forcat e errëta kundërshtare, rënia në burg, dalja prej andej në çastet vendimtare për fatin e vajzës që dashuron, ardhja në ndihmë Vitës në situata të vështira, të përkujton gatishmërinë e heroit kreshnik për t’i ardhur në ndihmë dhe për ta shpëtuar vajzën që e dashuron – Tanushën.  

Kundër realitetit të hidhur dhe të egër Adili vepron i vetmuar dhe trimërisht. Edhe ky tipar i tij na përkujton vetminë dhe vendosmërinë e heroit të epikës sonë legjendare. Adili sillet, vepron, qëndron dhe formohet në rrethana konkrete dhe të rënda të jetës. Djaloshi kosovar është simbol i guximit dhe i bukurisë fizike, i shpirtit të dëlirë dhe i frymës luftarake që buron nga tradita shqiptare e kultivuar ndër breza. 

Figurën e Adilit kosovar e plotëson ajo e vajzës myzeqare, Vitës së ndershme. Sidoqoftë, në ndërtimin e këtyre dy figurave ekziston një dallim i dukshëm. Derisa i riu kosovar është krijuar si karakter në rrethana dhe në situata reale, të rënda dhe bindëse, në anën tjetër, figura e myzeqares shpeshherë shfaqet në rrethana apo në situata joreale që ndërlidhen me iluzionin artistik. 

Sipas kritikëve të caktuar, ka raste kur figura e saj nuk del aq bindëse. Figura e bukur, e dashur dhe e realizuar e Vitës, qoftë në vetvete, qoftë në raport me të tjerët, përmban disa elemente që e kanë dëmtuar natyrën realiste të veprës. 

Vita, kjo myzeqare e thjeshtë të cilën e përfytyrojmë si të gjallë apo si një qenie që hyn edhe në jetën tonë, të përkujton heroinën e rrëfimeve popullore rreth së cilës sillen të gjithë, të mirë e të ligj. Ndërtimin e karakterit të saj e karakterizon elementi i tregimit tonë popullor, veçanërisht kur kemi të bëjmë me jetësimin e së mirës dhe të drejtësisë që e preokupon njeriun.

Në kontekstin e ngjarjeve të romanit Vita jepet me ngjyra romantike. Besimin e saj nuk e luhat dhe nuk mposht asgjë. As dashurinë e saj nuk mund ta pengojë kush. Ajo ka një bukuri të rrallë dhe specifike, por edhe një sjellje karakteristike femërore. Ajo duket sikur mbetet përtej kundërthënieve të realitetit, si një hije. 

Në moshë të njomë asaj i vdes e ëma. Pikërisht tani e takon Adilin, ndaj të cilit i lind dashuria. Që në rini të hershme ajo jeton dhe është e përshkuar nga dy ndjenja shqetësuese: nga ndjenja e vdekjes së të amës si dhe nga ajo e dashurisë. Janë ndjenja që e trazojnë dhe që e nxisin shtigjeve të jetës. Varfëria jetësore drithëruese dhe e skajshme nuk e ka penguar të rritet, të zhvillohet, të zbukurohet dhe të zgjojë lakminë apo xhelozinë e njerëzve.

Si të gjitha vajzat e fshatarëve myzeqarë, edhe ajo ishte rritur në mes të pocaqisë dhe varfërisë. Megjithëkëtë, jeta e ka rrugën e vet që e ka filluar kushedi se ku dhe kushedi se si.  Grizarakja ishte zhvilluar aq harmonishëm saqë të kujtonte lakonin e bukur të kënetës që del si për mrekulli mbi ujin e pocaqisur të moçalit.

Jetën e saj e ndërlikojnë dhe vështirësojnë dy rrethana relevante: përkatësia klasore si dhe dashuria e ndaluar me një djalë kosovar që i përkiste një besimi tjetër. Ajo i përkiste shtresës së ulët të shoqërisë.  

Karakteristikat apo rrethanat e sipërthëna i kanë dhënë përmasa apo dimensione dramatike, jo vetëm figurës së saj, por edhe gjithë veprimit, konfliktit dhe shtrirjes së subjektit ku shquhet prania e saj si femër, vajzë fshatare dhe personazh që e ka pasur edhe mbështetjen e autorit të romanit. Ishte vështirë të qëndrojë dhe të ndryshohet fati i saj. Ishte vështirë të realizohet dashuria, jo vetëm për arsye të rrethanave sociale, por edhe për shkak të traditave, paragjykimeve, pikëpamjeve konservatore dhe moralit të kohës. Në çdo hap ngatërrohet nga paragjykimet, nga thashethemet, xhelozia apo mëria. Por zhvillimi i ngjarjeve në roman dhe perspektiva e tyre e forcojnë besimin e myzeqares, e mbushin me jetë, e trimërojnë dhe e motivojnë të ecë, të shtegtojë dhe të ngadhënjejë mbi gjithë atë botë të vjetër që duhej të përmbysej për t’u zhbërë edhe pasojat e saj. Mendësia provinciale dhe fshatarake e një bote obskurantiste duhet të merrte fund. 

Mbi Vitën rëndon shumëfish pesha drithëruese e jetës:  Është e një familjeje të dëbuar nga beu, ka mbetur jetime, e përcjell mëria e vëllait, Llazit, e lakmon beu i cili e ka në dorë ekzistencën e tyre, e dënon fshati duke e akuzuar si shkaktare të shumë të këqijave që ndodhin në jetën e tyre. 

Myzeqarja mbase është simboli i një rinie që duhej të vinte. Ajo shtegton drejt një kohe tjetër, drejt së ardhmes. Duket si një heroinë romantike e cila nuk zmbrapset, përplaset me sfidat dhe stuhitë, noton në vorbullën e jetës dhe ballafaqohet me shakullinën, bashkë me të riun kosovar arratisen, duke mohuar çdo gjë të botës së vjetër. Për një jetë që nuk e përjetuan etërit e tyre, Vita dhe Adili luftojnë dhe sakrifikojnë për një botë më të mirë, më të drejtë dhe më të denjë. Gjakimi i tillë jetësor në romanin “Lumi i vdekur” realizohet vetëm pjesërisht, Jakov Xoxa synon ta sendërtojë në veprat e tjera të tij. 

Motivi i dashurisë në romanin “Lumi i vdekur” është forcë shtytëse dhe motivuese për t’i bërë ballë një jete plot peripeci dhe për ta ndryshuar realitetin dhe botën. Personazhi i Vitës është një tërësi ndjenjash. Për këtë arsye ajo pasqyrohet nëpërmjet ndjenjave të saj si një heroinë sentimentale. Ajo më tepër e përjeton dashurinë sesa jeton me mundimet dhe vuajtjet e përditshme. Prania e saj ndihet fuqishëm në krejt romanin, kurse bëmat, veprimet dhe sjelljet e saj vërehen më pak. Zgjimi i ndjenjave dashurore shkon krahas zhvillimit femëror dhe zbukurimit të saj, saqë duket sikur dashuria e zhvillon dhe e zbukuron pareshtur. Përshkrimet për zgjimin e saj dashuror dhe për zhvillimin e femërores në të, janë ndër më emocionueset dhe të rralla në prozën shqipe. Marrëdhëniet e saj me të tjerët janë raporte ndjenjash. Si bijë, vuan dhimbjen e madhe të shkaktuar nga vdekja e parakohshme e së ëmës. Si motër, e provon herët dhembshurinë për vëllain dhe motrën e vogël jetime. Si një vashë e re, e sinqertë dhe pa paragjykime, e përjeton dhe e ndjen thellë dashurinë ndaj Adilit.

Dashuria për Adilin njëjtësohet me jetën e saj, me kënaqësitë sublime, me bukurinë dhe me lumturinë e jetës. Ajo është simbol i pasioneve rinore, të vrullshme dhe të pandalshme. Është simbol i dashurisë që çel dhe jep shtat edhe në kënetën e jetës, edhe në folenë e fanatizmit. Është simbol i gëzimit, i haresë dhe i përtëritjes së jetës, simboli i femrës që i ngacmon në pikëpamje erotike njerëzit rreth e rrotull. Me personalitetin dhe shpirtdëlirësinë e saj, Vita  grizarake e poetizon mjedisin, shndërrohet në frymëzim dhe inspirim për kultivuesit e shprehjes artistike, bëhet muzë e poetit.    

Figura e Adilit është dhënë në disa momente dramatike dhe të rëndësishme për strukturën e romanit. Mbi fëmijërinë e tij shkrimtari nuk hedh dritë fare. Figura e tij shpaloset në raport me rrethin e ri jetësor dhe në raport me dashurinë ndaj Vitës. Ai provon mallin ndaj vendit – Kosovës që e shpreh nëpërmjet këngës, provon dashurinë ndaj Vitës dhe flijohet në çdo hap për hir të dashurisë, jo vetëm ndaj Vitës, por edhe ndaj vendit dhe jetës që e gjakonte.

*   *   *

“Lumi i vdekur” u vlerësua si roman social, psikologjik dhe etik. Nëpërmjet subjektit që shtrihet në vitet 1938-1939 pasqyrohet kalvari jetësor i familjeve myzeqare dhe atyre kosovare – të shpërngulura. Me një realizëm tronditës, vepra ndriçon dramën e fshatarësisë shqiptare të asaj kohe. 

Poetika e rikrijimit tipik social-psikologjik të realitetit në romanin “Lumi i vdekur”, ia lë vendin poetikës së trajtimit objektiv dhe kritik të tij në romanin “Juga e Bardhë” (1969) që flet për jetën e fshatit shqiptar në periudhën e reformimit të sistemit kooperativist, për t’u përforcuar me elemente të një simbolike sugjestive te “Lulja e kripës” (1979). Në këtë vepër, i rikthyer në kohën historike të romanit të parë, autori u qaset mjediseve punëtore. 

Duke u përqendruar në mjedisin konkret, Jakov Xoxa synoi ta paraqesë artistikisht të tërën e shoqërisë shqiptare.

Autor i disa prej veprave më të vëllimshme në letërsinë shqiptare, Jakov Xoxa e plotësoi tipologjinë e saj me romanin realist me një shtrirje të gjerë epike. Në qenësinë e vet proza e Jakov Xoxës, përtej elementeve shoqëruese të natyralizmit, të sentimentalizmit dhe të folklorizmit paraqet një sintezë të shquar të tipareve më të dallueshme të realizmit kritik me një varg veçorish të prozës së gjatë moderne të shekullit XX. 

Kufizimet normative të realizmit socialist që lënë gjurmë aty-këtu (si për shembull në paraqitjen statike ose me evoluimin e personazheve, jo kurdoherë në pajtim me psikologjinë e tyre), Jakov Xoxa ia ka dalë t’i kapërcejë nëpërmjet njohjes së thellë të jetës dhe të botës së brendshme të njeriut në përgjithësi dhe të veçantive historike, shpirtërore dhe psikologjike të realitetit myzeqar.

I pajisur me një forcë të madhe tregimtare, Jakov Xoxa ka aftësinë të rrëmbejë dhe të mbajë gjallë vëmendjen e lexuesit dhe të sigurojë bindjen e tij në vërtetësinë e asaj që kumton. Me aftësi të veçanta në modelimin e karaktereve, ai ka mundur të krijojë një galeri të tërë personazhesh të spikatura. Vita e romanit “Lumi vdekur” çmohet si realizimi më i shquar i figurës së femrës në letërsinë shqiptare. 

Në karakterizimin dallues të personazheve, një rol të madh luan gjuha dhe e folmja e tyre. Si fjalori që përdorin, ashtu edhe mënyra e të folurit përputhen me botëkuptimin dhe gjendjen e tyre shoqërore, me veprimtarinë jetësore, me ndjenjat, me mendësitë, me karakterin dhe me pasionet e tyre. 

Pasuria e jashtëzakonshme leksikore dhe e spektrit kuptimor të fjalëve, meditimet dhe sentencat filozofike që përcjellin jehonën e mençurisë popullore, tablotë e gjera epike dhënë nëpërmjet ndërthurjes së shumë linjave narrative të ndërprera nga përshkrime të një lirizmi të ndier të tablove të natyrës dhe të skenave të dashurisë, i japin stilit të Jakov Xoxës vulën e një karakteri të theksuar individual. 

Pjesën më të madhe të jetës krijuese Jakov Xoxa e kaloi në Pojan, një fshat myzeqar afër Fierit, ku, krijoi romanet “Lumi i vdekur” (1965) dhe “Juga e bardhë” (1971), ndërsa romanin “Lulja e kripës” (1978) e shkroi gjatë viteve të qëndrimit në Ballsh, ku po ndiqte nga afër ndërtimin e Uzinës së Pasurimit të Naftës, e cila do të ishte në epiqendër të romanit të ardhshëm “Ari i Zi”. Tre romanet e përfunduara dhe të botuara bëjnë pjesë në rrethin e romaneve artistikisht më cilësore të letërsisë shqiptare.

Asnjë roman para tij nuk e pasqyron në mënyrë aq komplekse botën shqiptare në prag të Luftës së Dytë Botërore, si “Lumi i vdekur”, periudhën gjatë luftës, si romani “Lulja e kripës”, apo edhe periudhën e kolektivizimit të bujqësisë (vitet ’60 të shekullit XX) si “Juga e Bardhë”. Në këto vepra gjejmë një shtrirje të pakufishme të rrëfimit që e mbulon plotësisht hapësirën e jetës dhe të ekzistencës së mjedisit shqiptar.

Jakov Xoxa është nga romancierët më në zë të gjysmës së shekullit XX. Në krijimtarinë e tij letrare ai individualizohet me parimin krijues realist: fati individual do të jetë ai që do të hedhë dritë mbi kontestin tërësor të mjedisit dhe të kohës së fokusuar në rrëfime. Me romanet e shquara realiste Jakov Xoxa do ta vendosë dramën jetësore të personazheve dhe të familjeve në sfond të një kolektiviteti, të një gjendjeje apo të një rrjedhe historike. 

Parashenja më karakteristike e prozës së Jakov Xoxës është stili. Gjuha e tij vërehet dhe veçohet si e një individualiteti të fuqishëm dhe të papërsëritshëm në letërsinë shqiptare: nga njëra anë është e pranishme fryma e urtisë popullore me tërë thellësinë e shpirtit kolektiv; nga ana tjetër, kemi një rrëfim të rrjedhës së qetë, të shtrirë në gjerësi, por edhe në thellësi.

*   *   *

Jakov Xoxa ka qenë delegat në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe të mbajtur në Tiranë në vitin 1972. E ka marrë Çmimin e Republikës të Shkallës së Parë dhe urdhrin “Nderi i Kombit”.                                      

Veprat  

  1. “Novela”, përmbledhje shkrimesh, 1949;

2. “Buçet Osumi”, dramë, 1956;

3. “Zemra”, dramë, 1958;

4. “Novela”, përmbledhje shkrimesh, 1958;

5. “Lumi i vdekur”, roman, 1964;

6. “Juga e bardhë”, roman, 1971;

7. “Lulja e kripës”, roman, 1980/81.

8. “Hyrje në letërsi”; 

9. “Teoria e letërsisë”; 

10. “Metrika”;

11. “Bazat e teorisë së letërsisë” (në formë dispense), 1972.

Xhelal Zejneli

Filed Under: Interviste

Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit kërkesë Kuvendit të Shqipërisë – Të ndryshohet “statusi i dëshmorit”! Të ndryshojë 5 Maji!

December 18, 2024 by s p

“Gjatë punës së tyre studimore, kërkuesit shkencorë të ISKK-së kanë gjetur dokumente që dëshmojnë se regjimi komunist e përdori konceptin e dëshmorit të atdheut si një instrument propagandistik për interesa politike të tij. Këto dokumente – vendime, ligje, udhëzime, të cilat dëshmojnë si Partia e Punës e Shqipërisë (PPSH) i përdori të rënët në luftë për qëllimet e saj, duke e ideologjizuar konceptin e dëshmorit, prezantohen në këtë raport së bashku me një analizë dhe kontekst historik”.- Ky ka qenë thelbi i një rezolute që kreu ekzekutiv i ISKK-së, Çelo Hoxha, i ka nisur drejtues së Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropalit dhe kreut të Komisionit të Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut, Ina Zhupa.

Në rezolutë janë cituar edhe përcaktimet që i janë bërë me ligje të ndryshme të asaj kohe si fjalës “dëshmor” ashtu edhe fjalës “tradhëtar”, çka ka qenë vendimtare në ndërtimin e historigrafisë së kohës.

Ku bazohet ISKK?

Qeveria shqiptare ka pranuar që prej vitit 2006 se numri i Dëshmorëve të Atdheut nuk është ai i pretenduar nga regjimi komunist. Madje, edhe kryeministri Rama, në një debat gjatë ditëve të festave të Nëntorit, në një takim me historianë, ku u prezantua një botim shkencor ku dëshmohet shifra prej 7200 dëshmorësh, ka pohuar se janë të gjitha mundësitë e një rishikimi historik mbi këtë çështje. “Dëshmorët e shpallur me vendime të institucioneve të regjimit komunist janë dëshmorë ideologjikë, që u përdorën nga regjimi komunist për interesat e tij politike. Ata përfaqësonin njërën anë të konfliktit civil që u zhvillua në Shqipëri në periudhën 1943-1944”, thuhet në një nga rekomandimet në raportin e ISKK dërguar Kuvendit.

Në rekomandim e ISKK-së, kërkohet edhe rishikimi i datës së përkujtimit të dëshmorëve, pasi në këtë datë nuk mund të ketë një nderim edhe për ata që u vranë si pasojë e asaj që tashmë historianët e kanë konsideruar si “luftë civile”. Lidhur me numrin e ta vrarëve gjatë asaj që tashmë njihet si “Lufta civile”, ISKK sjellë në vëmendje identifikimin e viktimave të regjimit komunist botimin e Fjalorin Enciklopedik të Viktimave të Terrorit Komunist, ku numërohen 2254 të vrarë si pasojë e këtij konflikti civil mes forcave partizane dhe forcave nacionaliste. “Vazhdimi i kësaj procedure, kur një pjese të popullsisë i duhet të nderojë vrasësit e 2254 familjarëve të tyre është një procedurë reminishente e diktaturës që nuk i bën asnjë nder Kuvendit të Shqipërisë dhe nuk ndihmon në mbylljen e plagëve të së shkuarës dhe pajtimit kombëtar”, thuhet në rekomandimin e ISKK drejtuar Kuvendit.

Lidhur me këtë proces ISKK shprehet se të mbeturit të fuqi të ligjit me statusin e dëshmorit është rrjedhojë e mungesës së një ligji lustracioni në Shqipëri. Për ilustrime, kreu i ISKK-së ka ilustruar në rezolutë vendimet që kanë përcaktuar nga ana ideologjike çështjen e titullit “Dëshmor i Atdheut”, duke vulosur kështu karakterin e vijimit të asaj që tashmë njihet edhe si “Luftë civile”.

Rekomandimet e ISKK drejtuar Kuvendit

Të abrogojë Ligjin nr. 109/2018, “Për statusin e dëshmorit të atdheut”.

Të hartojë një ligj të ri të pastruar nga fryma ideologjike komuniste në konsultim me ekspertët shkencorë të ISKK dhe institucione të tjera studimore.

Në ligjin e ri sanksionet që statusi i dëshmorit jepet vetëm për persona që bëjnë sakrificën sublime duke qenë ligjërisht të vendosur në shërbim të atdheut.

Të ndryshojë datën e përkujtimit të dëshmorëve me një datë të përcaktuar jo mbi kritere ideologjike (kjo dhe si detyrim që buron nga rekomandimi në pikën 8 të rezolutën “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri,” 30.10.2006).

T’u japë të njëjtin status të gjithë të vrarëve në periudhën 8 nëntor 1941-29 nëntor 1944, të cilët nuk kanë qenë juridikisht në shërbim të shtetit shqiptar.

T’u njohë statusin e dëshmorit të gjithë të vrarëve nga komunistët (ose formacione të tjera të armatosura) në periudhën 8 nëntor 1941-29 nëntor 1944, të cilët kanë qenë ligjërisht të ngarkuar në shërbim të institucioneve shtetërore, civile ose ushtarake.

Të caktojë një datë përkujtimore për të rënët në luftën civile.

Filed Under: Histori

INTERVISTË ME ULJAN SHARKËN

December 18, 2024 by s p

“Evropa po shpejton: mund të bëhet e ardhmja e inteligjencës artificiale”

Nga MASSIMO GAGGI

New York: “Amerika ndryshon, Kina kopjon, Evropa rregullon. Në botën e teknologjisë ndigjohet vazhdimisht e ka diçka të vërtetë. Por është një fotografi statike. Gjërat ndryshojnë me shpejtësi: mbas tre vitesh Kina nuk do të ketë më nevojë të kopjojë dhe shpejtimi I jashtzakonshëm I aftësive kompiuterike i ofruar nga mikroproçesorët e rinj, do t’I japë Evropës, që nga viti i ardhshëm mundësinë për të fituar terren”. Themeluesi i iGenius, i të parit unicorn Italian (start up që kalon vlerën e një milliard dollarësh, sipërmarrësi milanez me ogjinë shqiptare, Uljan Sharka, sapo ka përfunduar një marrëveshje me Nvidian për të sendërtuar në Itali superkompiuterin Koloseum në veprim që nga mesi i vitit 2025. Do të jetë, shpjegon, “fabrika e inteligjencës artificiale” m’e fuqishmja e Evropës në sajë të çipeve të rinj Blackwell.

Çfarë do të bëni? Përse Italia e jugut për një data qëndër aq ambicioze?

“Në Jugë kemi gjetur kushte të favorshme, si energjinë nga burime të ripërtërimëshme, të papërdorëshme nga ndërmarrjet vendore. Me proçesorët e rinj hopi përpara është tronditës: 30 herë më i fuqishëm, me një harxhim energjie 5 herë më të të ulët. Do të kemi rreth njëqid herë fuqinë e kompiuterit evropian më të vlefshëm sot. Konkretisht: me Koloseumin iGenius mund të realizojë aplikime shumë më të përparuar se AI në fusha që kërkojnë besueshmërinë më të madhe dhe saktësi, që nga shëndetësia tek sektori publik. Do të jetë një këmbim i vërtetë i arketipit.”

Amerika duket e paarritëshme në digjitalen: ka epërsi të pandreqëshme sa i përket aftësisë së ripërtëritjes, përmasave të big tech, talenteve, financës. Ndërsa ju mendoni se Evropa mund të kthehet protagoniste megjithë caqet e saj teknologjike dhe energjitike, copëzimin politik, kulturor, gjuhësor. Si mund t’i a arrijë?

“Shtetet e Bashkuar sot mbizotërojnë, por në teknologji gjërat mund të ndryshojnë, veçanërisht në çastet e kthesave. E ne jemi në fillimin e qarkut të tretë të ekonomisë digjitale, mbas atyre të viteve Tetëdhjetë e të atij të nisur në 2000. Open AI mund të jetë edhe si Olivetti i qarkut të parë, me që paguan shpenzimet e kërkimeve për të gjithë. Vipat e tjerë ndjekin e kopiojnë. Atëherë Olivetti bëri një kompiuter revolucionar. Pastaj arriti Hewlett Packard, më i fuqishëm. Sendërtoi shpejt një kopie të Programit 101: një kompiuter që kushtonte më pak, por ishte më me rendiment. Është pak a shumë ajo që bëjnë sot Google, Microsoft e Amazon me Open AI. Por është ende e nivelit të dytë. 40 vite më parë i treti që erdhi mbas Hp dhe përforcoi tregun me cilësinë dhe stilin e tij. Evropa mund të tundohet të bëhet Apple e brezit të ri. “

Synim ambicioz për një kontinent në vonesë e të copëzuar.

“Shpejtimi teknologjik dhe fuqizimi që do të jetë në industrinë e ShBA do të krijojnë hapësira për Evropën që mund të ndërtojë një alternativë mbi karakteristikat e saj edhe politike e kulturore, përfshirë edhe aftësinë për të normalizuar. Kështu si Apple, Evropa mund të zhvillojë një model alternativ. Ndoshta jo më të mirë, por tërheqës, sepse të bazuar mbi besimin: një faktor gjithënjë e më shumë të rëndësishëm. Përdoruesi mund të zgjedhë një model evropian sepse është më i mbrojtur: besueshmëri që mund të kompensojë edhe ndonjë vonesë. Dhe kemi gjithmonë 35% të tregut botëror”.

Në një Evropë mozaik Vëndesh e ndërmarrjesh, me kryqëzime gjuhësh e kulturash të ndryshme, kush mund të bashkojë duke shtyrë drejt kësaj arritjeje?

“Jo qeveritë dhe as BE, duke mbajtur parasysh shpejtësinë e teknologjisë: duhen aktorë privatë që të bashkohen. Sigurisht duhen shkëndija për t’i aktivizuar. Është ajo që duam të bëjmë neve: të tregojmë se është e mundur të jesh ambicioz. Sapo lajmëruam Koloseun jemi kontaktuar nga sipërmarrje të cilat nuk kishim besuar kurrë se do t’i kishim takuar.”

Gjithshka pa mbështetjen e shteteve?

“Mbështetja publike duhet por jo me ndihma. Kur më ofrojnë kontribute falas përgjigjem: më mirë një shtet që digjitalizohet e blen prodhimet tona.”

Për juve copëzimi i i Evropës ndërmjet gjuhësh e kulturash të ndryshme, deri këtu element dobësie, a do të bëhet element fuqie, si?

“Përzjerja e kulturave dhe gjuhëve të ndryshme çiftohet me kërkesën e AI, që mund të zhvillohet vetëm nëse ushqehet nga një ndryshueshmëri e madhe të dhënash. Për këtë nëse provon të stërvitësh modelet me të dhëna sintetike, të krijuar në laborator për të zëvendësuar mbarimin e atyre të gjindëshme në internet, nuk krijon inteligjencë: janë të sheshta, të shkruajtura në një gjuhë të vetme, të përsëritura. Krijimtari e copëzim krijojnë ndryshueshmëri që bëhet më inteligjencë. Nëse Evropa kupton se mund të ketë dobi nga kjo ndryshueshmëri dhe e bashkon me përçapjen e saj në respekt të të drejtave njerëzore që ka nisur me AI Akt, mund të krijojë një AI më të mirë, një inteligjencë në të cilën të mund të besohet. E kjo mund të kthehet në një markë si për ushqimet e disa sektorëve industrialë: konsumatori mund të zgjedhë forcën e ShBA ose një ekosistem evropian më të besueshëm e më të kontollueshëm.”.

“Corriere della Sera”, 16 dhjetor 2024

E përktheu: Eugjen Merlika

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT