• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2024

Dervish Hima ia kushtoi të gjithë jetën çështjes shqiptare

December 9, 2024 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Dervish Hima, lindi më 1872 në Strugë, asokohe pjesë e kazasë së Ohrit në vilajetin e Manastirit, me emrin Ibrahim Mehmet Naxhi Spahiu. Babai i tij Maksut Naxhi Spahiu ishte pronar tokash. Pasi kreu arsimin fillor në vendlindje, shkollimin unik në Manastir shkollimin e mesëm në Selanik, Hima shkoi në Stamboll për të vazhduar studimet e larta në Mekteb-i Tıbbiyye-i Şahanede (Shkolla Mjekësore Ushtarake), të cilën për shkak të ndjekjeve të autoriteteve osmane, e ndërpreu pas dy vitesh. Gjatë revolucionit xhonturk Dervish Hima, si atdhetarë të tjerë shqiptarë, iu bashkua Komitetit “Bashkim e Përparim”, njëri ndër themeluesit e të cilit ishte bashkëkombësi i tij Ibrahim Temo, por filloi të mendojë edhe për të ardhmen e Shqipërisë. Për shkak të qëndrimeve të tij, burgoset dhe kalon një kohë të shkurtër në birucat e Yedikule-s. Pas daljes nga burgu, ndërpret studimet dhe u largua nga Stambolli. Pavarësisht moshës së tij të re, shkoi në Shqipëri dhe u përpoq ta njihte më nga afër realitetin shqiptar. Ai udhëtoi anë e kënd nëpër nëpër Shqipëri, deri në Kosovë, i veshur si hoxhë, qiraxhi, dervish dhe tregtar. Ndërsa takohej me zotërinjtë dhe tregtarët e shquar të rajonit, ai vizitoi edhe fshatarët dhe vëzhgoi jetën e tyre. Si rezultat i veprimtarisë së tij, veçanërisht në Durrës, ai mblodhi një sasi të konsiderueshme fondesh për lëvizjen xhonturke dhe krijoi një organizatë të vogël atje, si dhe hapi shkolla e botoi disa broshura e gazeta.

Për shkak të kërcënimit të rregjimit hamidian, Hima iku në Bukuresht në vitin 1897, ku u regjistrua në Fakultetin e Mjekësisë, për të vazhduar studimet mjekësore, mirëpo asnjëherë nuk pati mundësi ta përfundonte shkollimin. Në vitin 1898 botoi një gazetë në gjuhët shqipe, frënge dhe rumune me emrin “Pavarësia e Shqipërisë” dhe filloi të punonte për organizimin e një kongresi mbarëshqiptar. Gazeta kërkonte një Shqipëri të pavarur, të sunduar nga një princ i huaj dhe të mbrojtur nga Fuqitë e Mëdha. Hima kishte bërë thirrje për bashkimin e vilajeteve shqiptare dhe autonominë e Shqipërisë në kuadër të Perandorisë Osmane. Prej atëherë, në veprimtarinë e tij të gjërë në dobi të çështjes kombëtare, një vend të rëndësishëm e zë veprimtaria e tij botuese dhe publicistike, në të cilat Hima ka lënë një kontribut të madh. Nuk e teprojmë të themi se ai do të bëhej shpejt njëri nga publicistët më të shquar të kohës.

Në këtë periudhë, Hima filloi të kishte disa mosmarrëveshje mendimesh me xhonturqit. Shenjat e para dalin në kongresin që do të mbahej në Brindisi në vitin 1899, por dështoi. Po atë vit ai nisi punën për organizimin e një kongresi, ku do të merrnin pjesë shqiptarët e Bukureshtit. Në broshurën që përgatitën si ftesë, aid he bashkëpunëtorët e tij parashtruan tetë kërkesat e mëposhtme: Dhënien e autonomisë së Shqipërisë; hapjen e shkollave kombëtare shqipe; krijimin e një ushtrie shqipatre, të përbërë nga myslimanë, katolikë dhe ortodoksë; Shqipëria të qeveriset nga një guvernator i miratuar nga sulltani, i zgjedhur nga Fuqitë e Mëdha; faljen e atyre që u larguan nga vendi; krijimin e një asambleje të përgjithshme; krijimi i një buxheti specifik për Shqipërinë; pranimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, kras turqishtes. Për shkak të angazhimit të madh politik në favor të çështjes kombëtare shqiptare, në vitin 1899, Himës iu anullua leja e qëndrimit në Rumani dhe ai u detyrua të kalonte në Itali, ku e vazhdoi veprimtarinë e tij politike, duke botuar në shqip dhe frëngjisht gazetën “Zani i Shqipërisë (L’écho d’Albanie) me Mehmet Bej Frashërin. Pas kthimit të Mehmetit në Stamboll, e drejtoi vetëm gazetën dhe i ndryshoi emrin në “Albania”, por me ndërhyrjen e Qeverisë osmane, botimi i asaj gazete u ndërpre.

Hima nga njëra anë kundërshtoi fort politikën e Abdul Hamidit II me veprimtarinë e tij botuese dhe publicistike dhe nga ana tjetër zhvilloi veprimtari për të organizuar një kryengritje në Shqipëri në bashkëpunim me Princin Aladro Kastriotin, i cili jetonte në Paris. Ambasada osmane në Romë, si ajo në Bukuresht, i kërkoi qeverisë italiane që ta largonte nga vendi. Më 3 qershor 1901 Hima kaloi në Zvicër, ku u muar me veprimtari atdhetare dhe botoi një gazetë në gjuhën shqipe. Me cilësinë e botuesit ai mori pjesë në Kongresin Shqiptar të mbajtur në Napoli më 1903. Për shkak të kësaj pjesëmarrje, ambasadori osman i kërkoi Qeverisë italiane përzënien e tij nga vendi, kështu Hima detyrohet të rikthehet në Zvicër; vendoset në Gjenevë dhe vazhdon botimin e gazetës së tij.

Dervish Hima ishte ndjekës i Ibrahim Temos dhe u udhëzua prej tij të shkruante në revistat xhonturke, me synimin për të arritur pajtimin midis xhonturqve dhe kundërshtarëve shqiptarë të sulltanit. Elita politike shqiptare besonte se Revolucioni Xhonturk do ta zgjidhte çështjen e statusit politik të shqiptarëve në Perandori. Shqiptarët e mirëpritën me entuziazëm shpalljen e Monarkisë së Dytë Kushtetuese dhe e konsideruan formën e re të qeverisjes si fillim të reformave që do të rezultonin me njohjen e autonomisë së Shqipërisë. Projekti xhonturk nuk synonte demokratizimin e shoqërisë otomane, por mbrojtjen e shtetit osman, duke imponuar otomanizmin, si një përpjekje për të zhdukur veçoritë kombëtare të popujve. Meqenëse kjo përpjekje u pa si e dështuar që në fillim, xhonturqit iu kthyen fesë si mjet për të ruajtur kohezionin shtetëror, duke mos lejuar që prirjet nacionaliste të manifestuara te kombësitë e krishtera të ndikojnë edhe te kombësitë myslimane të Perandorisë si te: shqiptarët, arabët, kurdët, etj. intelektualët shqiptarë si Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Ibrahim Temo, Dervish Hima etj., u përpoqën që t’i bindin xhonturqit se midis shtetit osman dhe shqiptarëve ka interesa të përbashkëta, mbi bazën e të cilave duhet të vazhdojë bashkëpunimi, që shqiptarët të mbeteshin shtyllë e shtetit osman, siç përmendeshin ata dhe në të kaluarën, duke ua njohur atyre të drejtat kombëtare, njësoj me kombësitë e tjera.

Rivendosja e kushtetutës osmane lejoi që të mërguarit politikë, ndër ta dhe Dervish Hima, të ktheheshin në atdhe. Në gazetën e tij “Shqiptari” Hima theksoi rëndësinë e identitetit dhe gjuhës shqipe, duke i parë ato si dy anë të së njëjtës medalje. Ai theksoi se botimi i gazetës “Shqiptari” kishte për qëllim ndriçimin e shqiptarëve, ngritjen e nivelit të tyre të intelektit dhe kulturës, së bashku me inkurajimin e bashkëpunimit dhe të kuptuarit e osmanizmit, sistemit osman, perandorisë dhe popujve të saj në lidhje me ta. Gazeta “Shqiptari” u përdor nga Hima për t’iu drejtuar qeverisë osmane dhe për t’i mbajtur problemet shqiptare brenda sferës publike. Gazeta e tij kishte publikuar peticione dhe letra nga shqiptarët dhe deputetët shqiptarë të parlamentit osman për çështje të tilla alfabeti i shqipes. Për qëndrimet që mbante, xhonturqit i organizuan një atentat të dështuar në Korçë, si dhe e mbajtën për tetë muaj në burg. Pas lirimit, ai kaloi në një turne shtatëmujor në Shqipëri, ku mbajti konferenca të ndryshme në klubet shqiptare të vendbanimeve që vizitoi. Në ato konferenca Hima theksoi sakrificat dhe kontributet shqiptare për Perandorinë, pretendoi se Shqipëria ishte “djepi i lirisë” dhe mbrojti përdorimin e Kanunit të Lekë Dukagjinit nga malësorët shqiptarë. Ai kërkoi bashkimin e shqiptarëve në një vilajet, shkolla ku të mësohej edhe gjuha shqipe, që shqiptarët të kryenin shërbimin ushtarak brenda territoreve shqiptare në Ballkanin osman. Gjatë udhëtimit nëpër trevat shqiptare, Hima punoi aktivisht për krijimin e komiteteve të fshehta. Si rezultat i udhëtimeve të tij në Manastir, ai organizoi ngritjen e komiteteve të fshehta në çdo rajon të Manastirit. Në vitin 1909, ishte në grupin organizator të themelimit të shoqërisë “Vëllazëria” në Elbasan, ku qëllimi i dukshëm i shoqërisë ishte popullarizimi i gjuhës shqipe, por qëllimi kryesor i saj ishte të nxiste ngritjen e komiteteve të reja të fshehta në Shqipëri. Dervish Hima ishte pjesëmarrës në Kongresin e Dibrës, si njëri nga përfaqësuesit e forcave atdhetare të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ku doli qartë kërkesa e për zhvillimin e jetës kulturore të shqiptarëve në mënyrë të pavarur nga turqit. Hima dallohet ndër oratorët shqiptarë, i cili ndikoi që Kongresi të merrte kahen e duhur, krahas Hafiz Ali Korçës, Fehim Zavalanit shumë të tjerëve. Rolin e tyre në Kongres e përshkruante mjaft mirë gazeta “Shqypja e Shqipnis”, e cila në një ndër artikujt e saj shkruante se: “… nji oficer nxori revolen me ja çkrep atdhetarit të flaktë: Dervish Himës, se folka veç për ndamjen e kombtarimin dhe për të mirën e Shqypnis. Xhonturqit u ndezën në pikën e zemërimit me çdo të ligë kundra dashamirëve atdhetar: Dervish Hima, Abdulla Kolonja, Fehim Zavalani dhe shumë të tjerëve, por kur âsht njeriu me të drejtën, kurkush s’mundet me i ba dam se e ha dreqi…”.335

Për shkak të reaksionit xhonturk, Hima kaloi nga Konstanca e Rumanisë në Stamboll më 18 dhjetor 1909 dhe u vendos në lagjen Beyoğlu, ku vazhdoi me botimin e gazetës “Shqiptari”, të cilën ua dërgonte abonentëve të tij në Shkup dhe Manastir. Ai shkroi shumë artikuj për gjuhën, historinë dhe kulturën shqiptare, duke dhënë një kontribut të madh në zhvillimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët. Mori pjesë në Kongresin e Dytë i Manastirit, që i zhvilloi punimet më 2-3 prill 1910. Në fjalën e tij, ndër të tjera ai kishte theksuar: “Armiqtë na kanë çelur luftën në fushën e shkronjave, ne do t’i mbajmë dhe do t’i mbrojmë shkronjat tona kombëtare me mish e me shpirt”.

Më 13 dhjetor 1910 Hima ngriti shqetësimet për “militarizimin” osman, për emërimin e oficerëve të ushtrisë në postet e administratës civile në Shqipëri, në vend të burokratëve të kualifikuar dhe protestoi ndaj përdorimit të forcës për të zgjidhur problemeve lokale. Gazeta “Shqiptari” u mbyll në fund të vitit 1910, si pjesë e fushatës më të gjerë të qeverisë osmane kundër alfabetit dhe shkollave shqipe me alfabet latin. Pas mbylljes së kësaj gazette, gjashtë numra të saj, nga numri 34 deri në numrin 39 u botuan me emrin “Bashkimi” dhe, pasi u hoq ndalimi i botimit, ai vazhdoi ta botonte sërish me emrin “Shqiptari” në numrin e 40, që mban datën 13 dhjetor 1910.

Edhe pas vendosjes në Stamboll, Dervish Hima vazhdoi aktivitetet e tij politike, duke shkuar herë pas here në atdhe, por edhe duke udhëtuar jashtë, ku në gjysmën e dytë të 1911 kishte vizituar Bukureshtin dhe Vjenën. U kthye në Stamboll në muajt e parë të vitit 1912 dhe vazhdoi veprimtarinë e tij politike dhe kaloi edhe në Shqipëri. Punoi aktivisht në zgjedhjet e marsit 1912 dhe bëri përpjekje intensive për përfaqësimin e nacionalistëve shqiptarë në Parlament. Në këtë kuadër ai vizitoi pothuajse të gjitha qytetet e Shqipërisë, megjithatë, si rezultat i iniciativave të Komitetit xhonturk, nuk u bë e mundur që të dalin deputetë Ismail Qemali, Hasan Prishtina dhe atdhetarë të tjerë.

Veprimtaria e Dervish Himës në periudhën parakushtetuese u mbështet nga Perandoria Austro-Hungareze, e cila vazhdoi ta mbështeste edhe pas shpalljes së Monarkisë Kushtetuese. Së pari, në prill 1910, nga përfaqësuesi austriak iu bë një ofertë që Vjena do të financonte të gjitha shkollat ​​që ai do të hapte në trevat shqiptare. Në janar 1912, Dervish Hima kërkoi mbështetje për financimin e gazetës dhe udhëtimet e tij në Manastir, Janinë dhe Kosovë.

Kur shpërtheu kryengritja e vitit 1912 dhe Shqipëria po kthehej në një vatër zjarri, Dervish Hima nuk pritej të tërhiqej në cepin e tij dhe të ndiqte nga larg ngjarjet. Ai organizoi kryengritjen në Ohër dhe Manastir; shkoi në Korfuz dhe filloi punën për përhapjen e rebelimit në jug të Shqipërisë. Ishulli i Korfuzit, nën sundimin grek, ishte kthyer në një strehë të sigurt për kryengritësit shqiptarë, si rezultat i avantazhit strategjik që ofronte afërsia me Janinën. Përmes ishullit kryheshin edhe dërgesa armësh në pjesë të ndryshme të Shqipërisë.

Në fund të majit 1912, për të bërë organizimin e kryengritjes, Dervish Hima kishte kaluar në Prevezë, Pargë, Sajadë e në Vlorë.2324 Si rezultat i veprimtarisë së tij dhe të drejtuesve të tjerë, komitetet e fshehta të Manastirit, të Korçës, të Vlorës, të Beratit e të Elbasanit u betuan se do të mbështesnin veprimet luftarake në Vilajetin e Kosovës. Në takimet e zhvilluara Hima i kërkoi popullit të ngrihet në luftë, duke e cilësuar rebelimin e shqiptarëve si të drejtë. Kaq mjaftonte që ia të arrestohej. Valiu i Janinës vendosi ta arrestonte shpejt dhe ta dërgonte në Gjykatën e Luftës. Por Hima u largua nga Preveza dhe kaloi në Dalmaci e më pas në Korfuz, duke i shpëtuar arrestimit, por nën presionin e Qeverisë osmane, autoritetet greke i kërkuan të largohet nga Korfuzi. Atëherë, me shtatëmbëdhjetë studentë shqiptarë të arratisur me të, ai kalon në Shqipëri i armatosur. Atyre u bashkohen dhe të tjerë dhe me rreth njëqind shqiptarë të armatosur, shumica studentë, Hima nisi të endet nëpër sanxhakun e Gjirokastrës. Në ndjekje të tyre u dërguan repartee ushtarake.

Në ditën e shpalljes së Pavarësisë, Dervish Hima mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës dhe ishte një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, si dhe u zgjodh anëtar i Pleqësisë. Pas krijimit të shtetit të pavarur shqiptar mbeti I anagzhuar ndaj çështjes kombëtare, pjesëmarërs në Kongresin e Triestës që u mbajt nga 27 shkurti me 6 mars 1913. Pas përzënies së serbëve, autoritetet austro-hunmgareze e kishin emëruar Dervish HImën inspektor Arsimi në Tiranë, në vjeshtën e vitit 1917. Pas konsolidimit të shtetit shqiptar, me shpalljesn e Republikës, Dervish Hima qe emëruar Drejtori i parë i Drejtorisë së Shtypit të Presidencës së Shqipërisë. Vdiq në Tiranë më 13 prill 1928, në moshën 56 vjeçare.

Filed Under: Mergata

Libri “Themeluesi – Lidershipi i Ismail Qemalit”, biografia e munguar e Ismail Qemalit

December 9, 2024 by s p

“Për herë të parë një botim i plotë për Ismail Qemalin si LIDERSHIP!

Një libër që duhet ta ketë çdo shqiptar në bibliotekën e tij!” – Mediaprint

Nga EVARIST BEQIRI

Veç mitit të krijuar, pak dihet dhe pak flitet për aftësitë e vërteta dhe të jashtëzakonshme të lidershipit të Ismail Qemal Vlorës. Lidershipi është një rrugëtim e jo një destinacion. Ismail Qemal Vlora përgjatë gjithë jetës u shqua si një lider i shkëlqyer. Një njeri i drejtë dhe i ndershëm, i cili besonte në atë që predikonte dhe në atë që bënte. Ai ishte i duruar, këmbëngulës dhe i qëndrueshëm. Ai kërkonte që t’i bindte dhe motivonte të tjerët dhe jo t’i detyronte ata drejt realizimit të synimeve të përbashkëta. Ai veproi në kohën e duhur dhe me stilin e tij të lidershipit arriti të themelonte një shtet.

Ismail Qemali pati përballë pengesa thuajse të pakapërcyeshme, por me gjeninë e tij ai shpalli Pavarësinë, pa një ushtri dhe pa zhvilluar luftë.

Është fati ynë që kemi pikërisht atë themeluesin e shtetit shqiptar dhe modelin par excellence ku mund të mësojmë e të frymëzohemi, për të tejkaluar sfidat e së ardhmes.

Lidershipi është një proces i ndërlikuar, por në thelb ai ka të bëjë me aftësinë e liderit për të formësuar mendimet dhe veprimet e atyre që ai udhëheq. Një lider është i aftë të realizojë ndikimin nëse arrin të kuptojë se, përse njerëzit me të cilët ai punon,

mendojnë, ndihen dhe sillen ashtu siç bëjnë. Ismail Qemali i kishte të qarta synimet që donte të arrinte. Ai ishte i aftë të kontrollonte, organizonte, mbikëqyrte dhe analizonte.

Lidershipi është një kombinim midis fuqisë së karakterit dhe strategjisë. Karakteri është thelbi i lidershipit. Edhe zgjuarsia, edhe strategjia luajnë rolin e tyre, por pa karakterin e fortë ato nuk shërbejnë shumë.

Disa nga cilësitë e lidershipit të tij i shohim natyrale, disa ai i zhvillon me vetëdije përgjatë jetës së tij. Studimet mbi lidershipin evidentojnë si element thelbësor të këtij procesi liderin dhe kontekstin ku ai bashkëvepron me ndjekësit. Rrethanat shoqërore, historike, politike dhe mjedisi ku lideri vepron kanë rëndësi dhe nxjerrin në pah cilësitë e veçanta të tij.

Ismail Qemal Vlora nuk ishte një njeri perfekt dhe për më tepër ai nuk udhëhiqte njerëz perfekt. Por, ai i donte pa kushte njerëzit e tij dhe synonte përsosmërinë. Ai ishte kurdoherë një mbrojtës i flaktë i interesit publik, si në periudhën kur shërbeu si funksionar i lartë i Perandorisë, ashtu edhe kur i shërbeu shtetit shqiptar.

Lidershipi, më tepër se një disiplinë shkencore është arti i udhëheqjes së njerëzve nga vetë njerëzit. Kthimi pas në kohë për të ravijëzuar dhe karakterin e personazheve që kanë bërë krenare historinë tonë është një mënyrë jo vetëm për t’i kujtuar, por edhe për të ndërtuar veti dhe elemente që posedon një lider i vërtetë.

Ismail Qemali është lideri transformues, i cili afron diçka për t’u përvetësuar nga brezat e rinj të liderëve dhe te biznesit. Stili i lidershipit dhe filozofia e udhëheqjes së Ismail Qemalit paraqet interes për liderët e tanishëm.

Vlerësime për librin:

“Ismail Qemali është quajtur vetvetiu THEMELUESI nga populli shqiptar. Figura e tij tregon se kombi shqiptar ka themele, ka bazë ku të rritet. Libri “Themeluesi”, i shkruar nga studiuesi Evarist Beqiri, vjen si një nevojë dhe si një domosdoshmëri për të riafirmuar Ismail Qemalin dhe kombin shqiptar. Një komb ka nevojë për riafirmime të herëpasherëshme dhe ky libër për Ismail Qemalin tregon se ai është një popull që do të riafirmohet si komb dhe do ta arrij këtë gjë padyshim.” – ISMAIL KADARE

“Rast i shkëlqyeshëm leximi i këtij libri shumë inspirativ, mbi lidershipin e “Atit Themelues” të Shqipërisë. Evarist Beqiri është një djalë i mbarë, një burrë i vërtetë shqiptar. Figura e Themeluesit duhet e freskët dhe frymëzuese në çdo ditë të jetës sonë si shqiptar. Kush nuk di sa duhet për Ismail Qemal Vlorën, nuk di mjaftueshëm për shtetin shqiptar. Ky libër duhet të jetë në çdo bibliotekë familjare shqiptare. Ismail Qemal Vlora është Themeluesi i Shqipërisë, gjeniu shqiptar i diplomacisë.”

-MILAZIM KRASNIQI

“Evarist Beqiri ka shkruar monografinë më të mirë për Ismail Qemalin. Për stilin e të shkruarit të Evarist Beqirit, unë do t’i referohesha eseve memorialistike dhe profileve të Stefan Cvajg, për zhdërvjelltësinë e stilit dhe karakterizimet.” – ALEKSANDËR ÇIPA

“Evarist Beqiri ka shkruar një libër të shkëlqyer. Libri është shkruar me një stil tërheqës dhe elegant, me të dhëna të shumta, të rralla e të vyera për këtë figurë të ndritur të historisë tonë kombëtare.” – Ethem Ruka

“Libri me titullin kuptimplotë “Themeluesi”, i shkruar me shumë dashuri nga studiuesi i ri, Evarist Beqiri, më shtyu të thërras edhe njëherë së brendshmi se Ismail Qemal Vlora është figura më e ndritur politike e Shqipërisë moderne dhe bashkëkohore. Ky është modeli i liderit që ne duam sot! Autori e ka analizuar figurën e “Atit të Kombit” tonë nga këndvështrimi i lidershipit, një metodë e re studimi që realizohet për herë të parë në lidhje me figurën e Ismail Qemalit.

Metodologjia e këtij libri i ka mundësuar autorit të thellohet në analizën e tipareve dhe arritjeve të Ismail Qemal Vlorës si lider, përmes shtjellimit të fakteve historike dhe krahasimit me liderë të tjerë në Shqipëri e në botë. Duket si një analizë më së shumti tredimensionale, e cila e ndihmon autorin ta shohë heroin e tij në një hapësirë të gjerë, duke nxjerrë në pah tiparet e tij si lidership, jo vetëm në dritën e kohës në të cilën punoi, por edhe në këndvështrimin e sotëm.”

-AURELA ANASTASI

“Studiuesi Evarist Beqiri befason dashamirët e librit me këtë prurje tejet interesante. Autori ka zgjedhur të trajtojë një ndër figurat qendrore të historisë sonë kombëtare, atë të Ismail Qemal Vlorës, Babait të Pavarësisë, në rolin e tij si Lider ose thënë ndryshe si Prijës i Kombit. Edhe pse një zgjedhje aspak e lehtë, pasi askush më parë nuk ishte marrë me studimin në këtë aspekt të ndonjë prej figurave të njohura të historisë tonë, Evaristi guxoi dhe ia ka dalë mbanë më së miri. Me të vërtetë libri është një risi tejet e këndshme e njëkohësisht edhe e veçantë, që lexuesi ka fatin ta ketë në dorë.

Falë një pune të mundimshme autori ka mbledhur të dhëna të shumta, të rralla e shumë të vyera për këtë figurë të ndritur të historisë tonë kombëtare. Ka qëmtuar arkiva e biblioteka, autorë të huaj e shqiptarë duke zbuluar të dhëna të njohura pak ose aspak nga publiku shqiptar, por edhe ai i huaj.

Po kështu na përcjell me shumë vërtetësi ndikimin që historia familjare ka pasur në formimin e karakterit të tij si Prijës i ardhshëm i Kombit, si dhe ka analizuar edhe rrugëtimin e Ismail Qemalit si nëpunës i lartë në administratën e Perandorisë Osmane, gjatë të cilit ai kishte dëshmuar se zotëronte tipare e aftësi prej Lideri.”-NEVILA NIKA

“Ky tekst është më shumë se një libër, jo thjesht nga ndershmëria profesionale që ka treguar autori ndaj heroit të tij, as vetëm nga gjuha tërheqëse, e bukur, e dëlirë, apo nga stili i thjeshtë e i rrjedhshëm. Ky tekst i kalon përmasat funksionale të një libri dhe bëhet magnet i atdhedashurisë së vërtetë dhe të motivuar, sepse autori ravijëzon veten si ndriçimtar i ri i figurës së Ismail Qemal Vlorës në një këndvështrim të pashfaqshëm deri më sot në studimet shqiptare apo albanologjike.” -ALBERT HABAZAJ

“Autori është mbështetur në një literaturë të gjerë e të pasur me studiues shqiptarë këtej e andej kufirit, studiues të huaj, burime arkivore duke shfrytëzuar variante shkrimore origjinale, si dhe në multimedian.

Gjuha e përdorur është e kuptueshme për të gjitha shtresat, si rrjedhim ka qasje që lexuesi të jetë i gjerë.

Si talent i fushës, veçanërisht i lidershipit, Evaristi sjell të vërteta historike të zhveshura nga paragjykimet duke ndihmuar të ardhmen.”

-MONIKA HASANI

“Evarist Beqiri na sjell modelin më të mirë të lidershipit, atë të Ismail Qemalit. Në studimet tona jemi mësuar ta shohim ndryshe të trajtuar figurën e Ismail Qemalit. Bie në sy marrja në konsideratë e të dhënave të shumta, të rralla e shumë të vyera që studiuesi ka vendosur në fokus të punimit të tij. Një punë tejet e mundimshme , kur bëhet fjalë për analizimin e një figure të jashtëzakonshme si Ismail Qemali, e cila këndvështrohet në disa drejtime. Në librin “Themeluesi-Lidershipi i Ismail Qemalit”, autori jo thjesht e lartëson figurën e Ismail Qemalit, por e analizon gjatë përmes një strukture që nxit mendimin kritik. Përmes një analize të thellë autori e përshkruan Ismail Qemalin si një lider që “udhëheq me shembullin e vet”. Ky libër është biografia e munguar e Ismail Qemalit, parë nga një vështrim tridimensional i Evarist Beqirit, i cili na ndihmon ta shohim ndryshe themeluesin e shtetit shqiptar. Autori i nxjerr tiparet e tij si lidership në dritën e kohës. Libri i përket zhanrit biznes lidership dhe ofron një qasje që nuk është sjellë më parë në Shqipëri.”

-EDLIRA ÇERKEZI

“Themeluesi – Lidershipi i Ismail Qemalit”, është libri i vetëm që është shkruar për një figurë historike nga pikëpamja e lidershipit. Miku im, Evaristi, ka shkruar një libër brilant.”

-ENVER HOXHAJ

“Libri “Themeluesi”-Lidershipi i Ismail Qemalit”, vlerësohet për origjinalitetin e qasjes në trajtimin modern me karakter publicistik që i bën figurës historike të Ismail Qemalit, parë nga këndi i teorive të reja dhe studimeve bashkëkohore të lidershipit.”

– JURIA E ÇMIMIT “LUMO SKËNDO”

“Themeluesi – Lidershipi i Ismail Qemalit, është vlerësuar si libri më i mirë i vitit 2022, në kategorinë e librit non-fiction dhe studimor.”

Platforma Bukinist.al dhe blogu Leximtari.

Filed Under: Histori

New Yorku – Qendër Diplomatike e Shqiptarëve, veçanërisht për Kosovën

December 9, 2024 by s p

Prof. Dr. Fejzulla Berisha/

New Yorku është një qendër e rëndësishme për shqiptarët dhe Kosovën për shkak të rolit të tij si qendër globale e diplomacisë dhe vendbanim i një prej komuniteteve më të mëdha shqiptare në diasporë. Ky qytet ka shërbyer si një platformë kryesore për promovimin e çështjes shqiptare dhe forcimin e lidhjeve diplomatike me shtetet e tjera.

New Yorku strehon një nga komunitetet më të mëdha dhe më të organizuara shqiptare në SHBA, të cilët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në promovimin e çështjes së Kosovës:

Komuniteti shqiptaro-amerikan, përfshirë organizatën The Albanian American Civic League të drejtuar nga Joe DioGuardi, ka mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në arenën ndërkombëtare. Organizimi i protestave gjatë viteve ’90 dhe gjatë luftës në Kosovë ishte vendimtar për ndërgjegjësimin e opinionit publik dhe për mbështetjen e ndërhyrjes së NATO-s.

Gjatë krizës së refugjatëve në vitet 1998-1999, komuniteti shqiptar në SHBA grumbulloi fonde për ndihma humanitare dhe për mbështetjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Komuniteti shqiptar ka ndërtuar institucione fetare dhe kulturore si Kisha Ortodokse Shqiptare “Shën Nikolla” dhe Qendra Islame Shqiptare, duke kontribuar në ruajtjen e gjuhës dhe traditave kombëtare.

New Yorku si Qendër Diplomatike për Kosovën

Si seli e Kombeve të Bashkuara (OKB), New Yorku ka luajtur një rol kyç në vendimet që kanë ndikuar drejtpërdrejt në të ardhmen e Kosovës:

Rezoluta 1244 e OKB-së: Pas luftës në Kosovë, Këshilli i Sigurimit miratoi këtë rezolutë që vendosi Kosovën nën administratën ndërkombëtare të UNMIK-ut, duke përgatitur rrugën drejt shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Lobimi për Njohje Ndërkombëtare: Pas shpalljes së pavarësisë më 2008, delegacionet e Kosovës kanë zhvilluar takime me përfaqësues të shteteve në New York për të siguruar njohje ndërkombëtare dhe për të përmirësuar pozitën diplomatike të vendit.

Fjalimi i Presidentes Atifete Jahjaga në OKB: Një moment historik ishte fjalimi i saj në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku kërkoi njohjen ndërkombëtare dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Shqiptarët në SHBA dhe Ndikimi i Tyre Politik

Figura të Spikatura: Shqiptarë të suksesshëm si Harry Bajraktari dhe Mark Gjonaj kanë ndikuar në ngritjen e ndërgjegjësimit për çështjet shqiptare në New York. Mark Gjonaj, si anëtar i Këshillit Bashkiak të New Yorkut, ka promovuar interesat e shqiptarëve në nivel lokal dhe ndërkombëtar.

Kontributi i Diasporës: Shqiptarët në SHBA kanë dhënë kontribute të mëdha në fusha politike, ekonomike dhe kulturore. Shembuj përfshijnë vëllezërit Bytyqi, të cilët dhanë jetën për çlirimin e Kosovës, dhe figura të njohura kulturore si këngëtarja Rita Ora.

Kontributi në Zhvillimet Historike të Kosovës

MProtestat dhe Ndikimi në Politikën Amerikane: Gjatë viteve ’90, protestat masive në New York para selisë së OKB-së dhe institucioneve amerikane mobilizuan opinionin publik në SHBA dhe ndihmuan që administrata e Presidentit Bill Clinton të veprojë në Kosovë, duke parandaluar një gjenocid të mundshëm.

Mbledhja e Fondeve dhe Ndihma për Refugjatët: Komuniteti shqiptar në SHBA organizoi ngjarje për mbledhjen e fondeve, duke dhënë ndihmë financiare dhe humanitare për mijëra refugjatë të luftës.

Kontributi në Lobimin për Çështjen Shqiptare dhe Kosovën

Organizata dhe individë të shquar që kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm:

Kisha Katolike Shqiptare në New York, që ka mbështetur komunitetin shqiptar dhe ka promovuar çështjen e Kosovës në qarqet ndërkombëtare.

Teqeja Bektashiane Shqiptare në Michigan, që ka shërbyer si qendër organizative për komunitetin shqiptar dhe përpjekjet kombëtare.

NAAC (National Albanian American Council), që ka lobuar në Kongresin Amerikan për njohjen dhe mbrojtjen e Kosovës.

Jim Xhema, një filantrop dhe lobist i njohur shqiptar në SHBA, që ka kontribuar me përkushtim në mbrojtjen e interesave të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Roli Historik i Organizatës Vatra dhe Gazetës Dielli

Vatra, e themeluar më 1912, është një nga organizatat më të vjetra dhe më të rëndësishme shqiptaro-amerikane. Ajo ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe Kosovës, ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare, si dhe në lobimin për të drejtat e shqiptarëve në nivel ndërkombëtar. Gazeta e saj Dielli ka qenë një platformë e fuqishme për informimin dhe ndërgjegjësimin e komunitetit shqiptar dhe opinionit ndërkombëtar.

Personalitete të Shquara me Kontribut të Madh

Dr. Elez Biberaj: Ish-drejtor i Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës, që ka informuar botën për zhvillimet në Shqipëri dhe Kosovë gjatë periudhave kritike.

Dr. Sami Repishti: Aktivist dhe mbrojtës i të drejtave të njeriut, që ka lobuar për të drejtat e shqiptarëve dhe ka denoncuar diktaturën komuniste.

Frank Shkreli: Gazetar dhe analist që ka kontribuar me artikuj dhe analiza për çështjen shqiptare në skenën ndërkombëtare.

New Yorku mbetet një qendër strategjike për diplomacinë shqiptare dhe kosovare, duke shërbyer si një platformë për lobim politik, zhvillim të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ruajtje të identitetit kombëtar. Kombinimi i rolit të komunitetit shqiptar dhe ndikimi diplomatik i këtij qyteti kanë ndihmuar në avancimin e çështjeve kombëtare shqiptare në nivel global.

Filed Under: Ekonomi

FILLUAN FESTIMET E KRISHTLINDJEVE

December 8, 2024 by s p

Thanas L. Gjika/

(Koncerti i Korit të Kishës “Fjetja e Shën Mërisë”, Worcester MA)

Kisha shqiptare “Fjetja e Shën Mërisë”, Worcester MA, sipas rregullit të saj të përvitshëm, më datën 7 dhjetor ora 7:00 PM hapi sezonin e festimeve të Krishtlindjeve me koncertin e këndshëm që dha kori i kishës me këngët kushtuar Lindjes së Jezu Krishtit. 

Fr. Mark Doku, prifti i kishës, e hapi festën. Në fjalën e rastit veç të tjerave ai falenderoi dirigjentët, z-njtë Lazi Danga & Jon Anderson, dhe anëtarët e korit: Androniqi, Olgeta e Sofiela Danga, dhe Terry Peters, Chrisy Andersons, Henry Anderson, Kevin Koroveshi, John Sedares dhe Remingnton Janssen. 

Më tej Fr. Marku falenderoi grupin e madh të grave dhe vajzave që punuan disa ditë me radhë nën drejtimin e Zonjës Barbara Pero për të zbukuruar sallën e ngrënies e për përgatitjen dhe servirjen e ushqimeve. 

U kënduan gjashtëmbëdhjetë këngë, njëra më e bukur se tjetra, por të gjitha në anglisht. Shpresoj që vitin e e ardhshëm të këndohen dhe disa këngë shqip, ashtu si këndohen në kishat ortodokse të Shqipërisë, sepse kisha “Fjetja e Shën Mërisë” (Saint Mary Assumption) si kishë shqiptare nuk duhet ta dobësojë karakterin shqiptar, por ta forcojë. Disa pjesë të liturgjisë Fr. Marku, i cili tani e zotëron gjuhën shqipe mjaft mirë, është e nevojshme t’i mbajë shqip, sepse shumë shqiptarë të moshuar duke mos ditur anglisht, po shkojnë tek kisha greke. 

Kur kam pyetur disa nga këta shqiptarë: “Pse nuk vini tek kisha jonë? Më janë përgjigjur: “Ne nuk marrim vesh anglisht, kurse greqisht dijmë disa fjalë. Kisha greke e “Shën Spiridhonit” është në mes të qytetit, dhe e kemi më pranë”. 

Mbas 32 vjet nga koha kur ndërroi regjimi dhe u hapën kufijtë, komuniteti ynë shqiptaro-amerikan është shtuar. Edhe anëtarësia e kishës sonë është shtuar e forcuar nga pjesëmarrja e të riardhurve mbas vitit 1992. Mbas këtij viti e këtej i janë bërë kishës disa përmirësime arkitekturore dhe mbi të gjitha asaj iu zbukuruan muret me pikturat e realizuara me sukses prej piktorit të talentuar Dhimitër Çika, të cilat kanë një vlerë sa dyfishi i karabinasë së godinës fillestare të vitit 1992. Shqiptarët e riardhur po bien në sy edhe si donatorë në shumë.  Festa fetare dhe komunitare, sidomos në organizimin e Festivalit të kulturës shqiptare. Edhe në listën e donatorëve të këtij koncerti, përvec familjeve të ardhura para L2B si familjet Eleonor & John Sedares, Tom Christo, Barbara Pero, Paul Proco, kishin kontribuar dhe familje të ardhura pas vitit 1992: Altin Kosta, Pavlina Tollkuci dhe Sophia Zhidro. 

Bashkia e qytetit na ka thënë se në Worcester MA dhe rrethinat jetojnë mbi 25 mijë shqiptarë. Nga këta shumica janë korçarë, përmetarë e gjinokastritë të besimit ortodoks. Por nuk është bërë punë e mjaftueshme afruese dhe kështu kisha jonë nuk ka më shumë se 500-600 anëtarë, kur mund të kishte disa mijëra…

Pasi përfundoi koncerti, pjesëmarrësit zbritën poshte te salla e madhe e ngrënies. Tavolinat ku darkuan mbi 100 vetë kësaj radhe ishin stolisur shumë më bukur se herët e tjera. Ranë në sy mbulesat e bardha krejt të reja të zbukuruara me shirita shumëngjyrësh, dhuratë e familjes Danga; vazo me lule të gjalla “Christmas Flowers”, pjata të bardha plot lule anash, kurse lugët pirunat e thikat plastike të cilësisë së parë të lyera me varak të verdhë, dukeshin si të lara në flori.

Ushqimet ishin vendosur në dy tavolina të mëdha në mes të sallës, ku njerëzit vetëshërbeheshin. Sallatra, mezera, ushqime deti si karkaleca, oktapod, etj, qofte me mish viçi, kuvare e kërpudha të mbushura, fasule pllaqi, etj dhe ëmbëlsira të shumllojshme…

Për herë të parë u përdorën disa tavolina të vogla të rrumbullakta të larta, ku hanin e pinin në këmbë tre – katër veta. Gostia vijoi nga ora 8:00 deri në 10:30 PM.

Të gjithë u kënaqën së tepërmi, dhe herë pas here thoshin: “Kësaj here jemi kënaqur më shumë se vitet e tjera, ju lumshin duart zonjave që e ngritën nivelin e shërbimit e të paraqitjes së gostisë”

Shprehja e kënaqësisë vijoi edhe të nesërmen, pra sot ditë e dielë 8 dhjetor, tek salla poshtë ku u pinë kafet e të ndarave për zonjat Eileen Tisdale dhe Valentina Raci…

Filed Under: Reportazh

SI E KUJTOJ UNË DOM PREKË NDREVASHAJ

December 8, 2024 by s p

Në 20-vjetorin e kalimit të tij në amshim.

(Fjala e mbajtur me 8 dhjetor, 2024 “JETA, VEPRA DHE TRASHËGIMIA E DOM PRENK NDREVASHAJ” 29350 LAHSER RD, SOUTHFIELD MI 48034

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated

Të nderuar klerikë, pjesëmarrës, miqë e dashamirë të Dom Prekë Ndrevashaj — këtij burri të madh të Kishës e të Kombit. Përshëndetjet e mia më të përzemërta të gjithëve. Fillimisht, dua të falenderoj Dr Gjekë Gjelaj për ftesën për të marr pjesë në shënimin e 20 vjetorit të kalimit në amshim të Primus Prekë Ndrevashaj, themeluesit të Famullisë së Zojës Pajtore dhe prijsit të komunitetit katolik shqiptar në Michigan. U kërkoj ndjesë që për arsye të disa angazhimeve të mëhershme nuk kam mundësi të jem në mesin tuaj për të kujtuar, në këtë përvjetor, mikun tonë të përbashkët, Dom Prekën. Por u jam mirënjohës organizatorëve të këtij tubimi përkujtimor që më dhanë mundësinë të dërgoj me shkrim disa fjalë — kujtime të mia në këtë 20-vjetor të kalimit në amshim të Dom Prekës, zemra e të cilit pushoi së rrahuri me 1 tetor, 2004. 

20-vjet më parë u zhduk fytyra fisnike e një meshtari, humanisti e atdhetari të madh shqiptar. Nga qielli i Dukagjinit u shkëput një yll i shkëlqyeshëm, duke lënë pas një dritë që nuk shuhet as sot as mot. Vdekja e tij varfëroi Dukagjinin që e lindi, hidhëroi pa masë dhe mbuloi në zi famullinë e tij në Detroit, ku kreu veprimtarinë e tij fetare e atdhetare për shumë vite. Njëkohsisht, tronditi miq e dashamirë të shumtë në Shqipëri dhe anë e mbanë botës, sidomos mërgimtarët e komunitetit shqiptaro-amerikan, në përgjithësi, me të cilët kishte lidhje të veçanta. 

Si luftëtar i pathyeshëm, Dom Preka ishte dëshmitar i shumë ngjarjeve historike të shekullit të kaluar dhe fillim shekullit XXI, anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkanin Perëndimor dhe në mërgatën shqiptare. Ndër të tjera, shembjen e diktaturës së zezë komuniste dhe çlirimin e Kosovës nga forcat kriminale të regjimit serbo-rus të Beligradit. Dom Preka ishte shumë i lidhur me fatin e dhejtra mijëra shqiptarëve në mërgim, sidomos atyre në Amerikë. 

Janë të shumtë ata shqiptaro-amerikanë të ardhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në jetën e të cilëve Dom Prekë Ndrevashaj ka luajtur një rol të rëndësishëm, qoftë gjatë qendrimit të tyre në kampet e refugjatëve në Itali, qoftë më vonë. këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mijëra familje shqiptare të arratisura nga komunizmi e të cilët, me ndihmën e pa kursyer të Dom Prekës, kanë gjetur në këtë kontinent-planet, lirinë dhe një jetë më të mirë për veten dhe familjet e tyre. 

Edhe unë jam një prej atyre mijëra shqiptaro-amerikanëve, që me ndihmën e pa-zevendsueshme të Dom Prekës jam vendosur në Amerikë, 54 vjet më parë. Ishte dimri i vitit 1969 kur takova për herë të parë Dom Prekën në një zonë të izoluar të Italisë, të quajtur San Biaggio, Kardito e Atina të mbuluara me borë, ku ai kishte shkuar nga Romë, për tu takuar e për të qa hallet me refugjatët shqiptarë, të cilët prisnin – nën kushte mjaft të vështira, miratimin për vendosjen e tyre, kryesisht, në Amerikë ose në ndonjë vend tjetër të perëndimit. Në atë kohë isha 19-vjeç kur kalova kufirin jugosllavo-italian afër Sezhanës në Slloveni drejtë Italisë për një jetë të lirë e më të mirë në botën demokratike perëndimore. Ishte vërtetë një periudhë shumë e vështirë për mijëra refugjatë shqiptarë si unë, disa të dëbuar e të tjerët të detyruar të largoheshim nga trojet tona të vendlindjes, qoftë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, qoftë nga sllavo-komunistët jugosllavë. Ishte një kohë mjaft e tensionuar në ish-Jugosllavi për shqiptarët pas demonstrative të shqiptarëve të Kosovës të vitit 1968 kundër regjimit serbo-jugosllav komunist dhe pushtetarëve komunistë shqiptarë.  Kampet e refugjatëve ishin plot me të arratisur anti-komunistë shqiptarë por edhe nga Evropa lindore e qendrore, pasi ishte edhe një periudhë tensionesh botërore, menjëherë, pas pushtimit të Çekosllovakisë nga Bashkimi Sovjetik, me 20 gusht, 1968.

Për një vit e diçka, gjatë qëndrimit tim në Romë, në pritje për të emigruar në Amerikë, Dom Preka më përkrahi, duke më mundësuar punë në zyrën e emigracionit (Pontificia Opera di Assistenza -POA), ku punonte ai vet dhe duke më dhënë ndihmën e pa kursyer — duke më ofruar mundësinë edhe për të mësuar anglisht dhe italisht — gjë që nuk do t’ia harroj sa të jem gjallë, pasi më vuri bazat për vazhdimin e shkollës në Amerikë. 

Ndihma dhe roli kritik i Dom Prekës në jetën time në kampin e refugjatëve në Itali (1969-1970) dhe më vonë në Amerikë, nuk ishte aspak ndryshe nga ndihmat që ai u ka ofruar dhe roli që ai ka luajtur në jetën e mijëra shqitarëve të tjerë dhe familjeve të tëra shqiptare, pa dallim.

Kur e kam takuar Dom Prekën në San Biaggio-Cardito-Atina në jug të Italisë, në vitin 1969, aty gjeta gegë e toskë, myslimanë, bektashinjë, katolikë e ortodoksë, të gjithë shqiptarë, pothuaj nga të gjitha trojet shqiptare:  Rrugëve të botës, por të gjithë të bashkuar dhe të lumtur për shoqërimin dhe miqësinë që kishin lidhur me njëri tjetrin, si shqiptarë pa dallim, përball një fati dhe rrethanash shumë të vështira, rrugëve të botës.  Mbledhur rreth një prifti katolik, shqiptar, modest e zemërgjerë, i cili përpiqej të ndihmonte të njohurin e të panjohurin, vetëm a ishte shqiptar.  Ai shte një person për atë kohë që, duke shikuar prapa në atë periudhë historike, por përcaktuese për fatin e shumë mërgimtarëve shqiptarë, nga këndveshtrimi i sotëm, do të thoja se mos të kishte qenë Dom Preka ai që ishte, atëherë, në atë detyrë që ia kishin caktuar Vatikani dhe Organizata e Kombeve Bashkuara — do duhej ta kishim çpikur një person si ai, për një përgjegjësi të tillë kritike dhe humanitare. 

Si shumë të tjerë, dëshmitar i këtij fakti dhe përfitues jam edhe unë. Unë nuk do të isha ky që jam sot dhe nuk do të kisha pasur një jetë dhe karrierë të gjatë e të lumtur në Amerikë, po mos të kisha pasur ndihmën dhe përkrahjen e Dom Prekës, ç’prej fillimit në Itali, por edhe më vonë.  Si rrjedhim, unë, falenderoj Zotin që më ka njoftuar me Dom Prekën, në atë kohë në Shtetet e Bashkuara. Në një kohë kur kisha më së shumti nevojë për mbështetje, për këshilla e për udhëzimet e tija. Jam i bindur se po mos të kisha pasur ndihmën e tij, nuk e di se ku do më kishte hedhur mua fati i jetës, por dhe shumë bashkatdhetarë, të cilët sot përbëjnë, “diasporën” shqiptare në Amerikë — më të fortë se kudo në botë. 

Them “diasporë”, duke mos qenë i sigurt nëse Dom Preka preferonte një fjalë të tillë përshkruese për mërgatën shqiptare. Sot, për fat të keq abuzohet me fjalën “diasporë”, qoftë nga Tirana zyrtare ashtu edhe nga Prishtina.  Si një parentezë në lidhje me këtë — më kujtohet një deklaratë e Dr Ibrahim Rugovës më vonë, kur vizitonte shpesh shqiptarët e Amerikës, se nuk i pëlqente përdorimi i fjalës diasporë sepse kjo fjalë, rrjedh nga greqishtja e vjetër, që sipas tij, do të thotë, “farë e humbur”.  Mërgimtarët tanë në Amerikë dhe kudo tjetër, ka shtuar Rugova, nuk janë farë e humbur por janë njerëzit më të mirë. Kështu ka menduar edhe Dom Prekë Ndrevashaj për mërgimtarët tanë — për ne të gjithë – të cilët ai, në një mënyrë ose një tjetër, na ka ndihmuar pa kursim – si njerzit ndër më të mirë të Kombit, por nevojtarë, rrugëve të botës — “gjak i shprishur”, po, por gjak i mirë — përhapur anë e mbanë botës, në kërkim të një jete të lirë e normale.

Prandaj, sot në këtë 20-vjetor të kalimit të tij në amshim kujtojmë, duke falënderuar të Madhin Zot për jetën dhe veprën e këtij shërbëtori të Zotit e të Atdheut, që ka bërë të mundur për mijëra shqiptarë të jetojnë në liri këtu në Amerikën tonë të bekuar – një komunitet i fortë dhe aktiv. Vërtetë, sot kujtojmë Dom Prekën por, njëkohsisht, falë Dom Prekës, si udhëheqës, jo vetëm fetar, i këtij komuniteti, sot kujtojmë dhe festojmë edhe një histori të lavdishme arritjesh e suksesesh të komunitetit shqiptaro-amerikan në Detroit dhe anë e mbanë Shteteve të Bashkuara ku jetojnë shqiptarë, të suksesshëm në të gjitha fushat e jetës dhe të verpimtarisë tonë në këtë vend të lirë e demokratik. 

Duhet të falenderojmë pra të Madhin Zot, që ekzaktërisht në atë periudhë të historisë sonë të vështirë, dërgoi në mesin tonë Dom Prekë Ndrevashajn — që përveç thirrjes së tij si meshtar për tu kujdesur për nevojat shpirtërore të popullit të vet — ai pranoi të merrte përsipër gjithashtu edhe rolin për të ndihmuar mijëra refugjatë shqiptarë të shpërndarë nepër kampet e Italisë.  Ai nuk kishte nevojë të pranonte një detyrë të tillë plot kokëçarje, pasi mund të shërbente si famullitar në ndonjë kishë të Romës dhe të kalonte një jetë në paqë dhe pa turbullira.  Por, Dom Preka, mbi të gjitha, dëshironte të ishte me popullin e vet, pranë bashkatdhetarve të tij, të cilët si ai vet, kishin vuajtur dhe po vuanin fatin dhe barrën e rëndë të jetës në emigrim, si refugjatë. Të përjashtuar nga atdheu i tyre, vetëm e vetëm se kundërshtonin një regjim krejt të huaj për shqiptarët – diktaturën komuniste. Dom Ndue Gjergji, pasardhësi i Dom Prekës këtu në famullinë Zoja “Pajtore e Shqiptarëve”, ka thenë se tri dashuri të mëdha kishte Dom Preka: “Popullin, Fenë dhe Atdheun!”

Siç mund ta dini, unë kam pasur fatin të punoj për Zërin e Amerikës gjatë luftës së ftohtë, periudhën më interesante dhe kritike për lirinë e demokracinë në botë, në kulmin e luftës midis të mirës e të keqës – në luftën midis të vërtetës dhe gënjeshtrës.  Në mbrojtje të së VËRTETËS historike, Dom Preka nuk ia kishte frikën kujt, megjithëse kishte edhe armiq, që e ndjeknin në Itali dhe në Amerikë, që donin të sabotonin punën e tij humanitare, patriotike dhe fetare në komunitetin tonë mërgimtar. Ata ishin kryesisht agjentë të regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe agjentë të regjimit sllavo-komunist të Beogradit. E vërteta, për realizimin e së cilës Dom Preka luftoi me të gjitha fuqitë e veta mendore, intelektuale e fizike, më në fund ngadhnjeu edhe mbi këto mbeturina të historisë. Në kulmin e luftës midis demokracisë dhe komunizmit, Dom Preka ishte një mbrojtës i palëkundur i së VËRTETËS dhe admirues i madh i misionit të Zërit të Amerikës në atë kohë. Gjatë asaj kohe (pasi kisha filluar punën në Zërin e Amerikës në 1974) isha shpesh në kontakt me Dom Prekën ndërsa interesohej për transmetimet e Zërit të Amerikës dhe për zhvillimet në Shqipëri dhe në Kosovë. Si shenjë interesimi, më kujtohet predikimi ditën e Pashkëve në prill të vitit 1975, kur meshën e shënjtë, Dom Prek e ka mbyll me këto fjalë në mbështetje të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, duke u bërë thirrje besimtarëve që të dëgjojnë Zërin e Amerikës në gjuhën shqipe: “…A keni dëgjuar se Zëri i Amerikës flet edhe në gjuhën shqipe. Programet përgatiten nga gjashtë gazetarë shqiptarë të përgatitur dhe shumë të zotët.  Është një gjë pozitive se numri i gazetarëve po rritet e zani i Zërit të Amerikës po na vjen çdo ditë e më i ëmbël në vatrat tona të mërguara.  Një nga këta gazetarë që po dallohet është bashkëpunëtori i revistës së famullisë tonë, “Rreze Shelbuese”, Z. Fran Shkreli. Ai nuk na ka harruar, por na kujton në emisionet që drejton e prandaj po e bekoj zanin dhe punën e tij të shkëlqyer në shërbim të shqiptarizmit dhe të bashkimit tonë.  Kështu them, se është një dobi e madhe që të informoheni me informacionet dhe lajmet e Amerikës dhe krejt botës në gjuhën shqipe. Dëgjojeni pra Zërin e Amerikës, zërin e Fran Shkrelit se është zëri juaj, zëri i së vërtetës, çdo ditë nga ora 2:30 pm dhe 4-4.30 pm, duke përfshirë të shtunën dhe të dielën mbas meshës tonë. Ne i urojmë Zërit të Amerikës plot suksese e shëndet, e të gjithë atyre që përpiqen dhe bëjnë një punë aq të bukur në gjuhën shqipe”, ka përfunduar Dom Preka thirrjen drejtuar besimtarëve në mbështetje të Zërit të Amerikës. Për mua nuk mund të ketë kujtim më të mirë e më të bukur se ky, nga një intelektual, klerik dhe atdhetar, siç ishte Dom Prekë Ndrevashaj.

Trashëgimia e Dom Prekës, i cili gjithë jetën e tij ia kushtoi Zotit dhe mërgimtarëve shqiptarë, vazhdon të jetë e gjallë edhe sot – 20-vjet pas kalimit të tij në amshim, në komunitetin shqiptaro-amerikan, duke na këshilluar që të vazhdojmë me moton: “Jeto në Zotin, e jeto në Kombin!”  Bazuar në këtë moto që e nxiste dhe e udhëhiqte Dom Prekën në jetën dhe veprimtarinë e tij shumë vjeçare në shërbim të Zotit, Atdheut dhe komunitetit shqiqtaro-amerikan, (duke marrë parasysh edhe karrieren time prej dekadash si gazetar) unë e kujtoj atë si një admirues dhe luftëtar i fjalës së lirë dhe lirisë së shtypit. “Lufta me penë, sjellë fitore”, ka shkruar ai me një rast. Se shtypi i lirë, në botën e lirë, heret ose vonë, do të ua hapi sytë, se drita e lirisë së fjalës, e “mbrujtur me patriotizmin ka për ta udhëhequr popullin shqiptar për t’u shkëputur nga vargojtë e komunizmit. Lirinë e njerëzve dhe të fesë nuk ka zinxhirë që ta mbajë të mbyllur. Ajo po agon. Të punojmë për to, të bashkuar si një trup i vetëm me zemër e shpirt për Shqipërinë. Krishti na porosit të mos kemi frikë për të Vërtetën!”, është shprehur Dom Preka duke folur me një rast për lirinë e shtypit shqiptar në mërgim. Prandaj, sot unë e kam për nder dhe privilegj që, ndër të tjera, të:

Kujtoj Dom Prekën si organizator, i buzëqeshur, që me një fjalë e largon frymën e urrejtjës dhe të ndarjes. Si një njeri që falë shpejt dhe shëron shumë zemra të plagosura. Mbi të gjitha, siç është shprehur miku i tij, Mons Zef Oroshi, “Dom Preka manifeston tiparet e kullës së Dukagjinit dhe pastërtinë e ligjeve të maleve tona”.

E kujtoj Dom Prekën si klerik i nderuar, atdhetar e humanist – por edhe trim – në ndonjë rast kur përballej me ndonjë të papritur – ai paraqiti gjithmonë meshtarin shembullor, përfaqësoi shqiptarin e kulluet, por edhe përvehtësoi luftëtarin guximtâr. Ai i fali komunitetit shqiptaro-amerikan, mërgimtarëve anë e mbanë botës, por dhe Atdheut të vet, puntorin e palodhshëm, por nuk i mohoi as letërsisë dhe gjuhës shqipe, shkrimtarin e poetin.

E kujtoj Dom Prekën edhe si diplomat që luante gjithashtu rolin e diplomatit. Si përfaqësues i mërgimtarëve i duhej të mirrej me diplomacinë e vjetër të Vatikanit dhe me diplomatë burokratë ndërkombëtarë të Kombeve të Bashkuara në Gjenevë e Romë, për të siguruar sa më shumë mbështetje për refugjatët shqiptarë të mbetur rrugëve të Evropës, pa ndihmën e askujt.

E kujtoj Dom Prekën, si një përfaqësues të denjë të një brezi klerikësh shqiptarë të cilët i luteshin Zotit në faltoret e tyre, por siç është shprehur edhe Imam Vehbi Ismaili, ata ishin gjithmonë të “barazpeshuar” në dashurinë e tyre për fenë dhe për Atdheun e tyre, por edhe në respektin për njëri tjetrin dhe për besimin e njëri tjetrit. Dom Prekën e kujtoj si shembull i tolerancës fetare e krahinore ndër shqiptarët!  

Sot, e kujtoj Dom Prekë Ndrevashajn si një mbrojtës së Vërtetës –sepse besonte në të VËRTETËN si një mjet bashkimi, ndërkohë që luftonte gënjeshtrën si një mjet që shkaktonte ndarje dhe përçarje në botën shqiptare, përfshir edhe diasporën, të cilën e deshti dhe për të cilën punoi aq shumë. Ishte shembull i bashkimit dhe i bashkpunimit me komunitet e tjera fetare dhe organizatat e tjera të komunitetit shqiptaro-amerikan.                 

E kujtoj Dom Prek Ndrevashaj, edhe si poet e përkthyes shumë i talentuar, që bashkëpunoi me revistën ‘Shêjzat’ të botuesit dhe shkrimtarit Prof. Ernest Koliqi, dhe të poetit e shkrimtarit Martin Camaj – revistë ku ka botuar disa poezi që shquhen për fjalorin e tyre të pasur, karakteristik për të folmen e Dukagjinit. Sipas disa burimeve, Dom Preka ka lenë pas një numër dorëshkrimesh, novela dhe përkthimesh fetare. Njëri prej bashkpuntorëve dhe bashkohas i Dom Prekës, studiuesi dhe gjuhëtari Karl Gurakuqi ka shkruar se Dom Prekë Ndrevashaj, si bir malesh që ishte, në shkrimet e tija, përdorte fjalë të rralla, që janë thjesht shqipe – gjuhën e pastër të maleve tona.  Atje ku “zakonet janë ruejt të paprekuna e gjuha ashtë mbajtun e dlirë’, ka shkruar Gurakuqi, duke porosit lexuesit që t’a rilexojnë Dom Prekë Ndrevashajn, sepse do të, “vërejnë se sa bukur tingëllon shqipja kur e përdor nji pendë e mësueme”. 

A person in a black robe and hat with a dome in the background

Description automatically generated

Kujtoj Dom Prekë Ndrevashaj, i cili me ndihmën e  Vatikanit, jetën dhe veprimtarinë e tij ia kushtoi Kishës Katolike, Atdheut dhe bashkombasve të tij të përhapur rrugëve të Evropës, si grigja pa bari…

A person in a black hat

Description automatically generated

Dom Prekë Ndrevashaj, i cili jetoi dhe veproi gjithë jetën e tij në mbrojtje të Lirisë dhe Demokracisë së VËRTETË, për veten, për bashkatdhetarët e tij nga të gjitha trojet shqiptare, pa dallim feje a krahine, të arratisur nga komunizmi sllavo-aziatik nga trojet shqiptare — shumë prej të cilëve ua bëri të mundur strehimin në Amerikën e SIMBOLIT të LIRISË — të Washingtonit dhe Xhefersonit, përfshir edhe autorin e këtyre rreshtave modest, në kujtim të mikut dhe bashkpuntorit tim. 

A person in a hat and glasses looking up

Description automatically generated

Sot, kujtoj edhe Dom Prekë Ndrevashaj, i cili megjithse pjesën më të madhe të jetës së tij e ka kaluar në mërgim larg Atdheut, i arratisur nga komunizmi enverist, për të shpëtuar jetën nga diktatura komuniste, e pa besë dhe e pa fe – Dom Prekë Ndrevashaj as një sekond të jetës së tij, nuk e harroi kurrrë Dukagjinin e tij të dashur, vendlindjen e tij dhe Atdheun –Shqipërinë — që i mungonte aq shumë.  

A screen shot of a computer

Description automatically generated

Unë, kujtoj sot, gjithashtu Dom Prekë Ndrevashaj, i dekoruar për veprimtarinë e tij fetare e kombëtare, me Titullin e lartë të shtetit shqiptar: “KALORËS I URDHRIT TË SKËNDERBEUT” — për veprimtarinë e tij jetësore në mbrojtje të vlerave kombëtare, nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të tij të jashtzakonshëm në luftën për liri dhe demokraci. Me mirënjohje ndaj njërit prej prijësve më të ndritur të shqiptarëve të Amerikës, i cili gjithë jetën e tij e vuri në shërbim të idealeve më të mëdha njerëzore duke u shndërruar në shembullin e atdhetarit, mësuesit, misionarit humanist, antikomunistit, publicistit si dhe poetit e shqiptarit të madh”, citohet dekorata e Presidentit të republikës së Shqipërisë akorduar Dom Prekë Ndrevashjt (pas vdekjes), Tiranë, 12-07- 2022.

Kangë kushtuar Dom Prekë Ndrevashaj —Gjovalin Shani – Bir i Brashtes e Dukagjinit Dom Ndrevashaj

Më 3 tetor 2004 Dom Prekë Ndrevashaj u varros në varrezat e Rrëmajit në Shkodër, duke realizuar një ëndërr tjetër të dashur të tijën: pushimin në paqe në tokën amtare.

Frank Shkreli

   Foto-kujtime me Dom Prekë Ndrevashaj në Washington dhe në Itali

A group of men standing on stairs

Description automatically generated

Autori me Dom Prekë Ndrevashaj dhe Dr. Elez Biberaj — gjithashtu mik i ngusht i Dom Prekës — duke dalur nga ndërtesa e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, 1985. I përjetëshëm qoftë kujtimi i tij! 

Dom Prekë Ndrevashaj, i pari majtas me një grup mërgimtarësh shqiptarë në San Biaggio, Itali, maj, 1968. Me të, në rend të parë dallohet Mr. Mckeever (Markivi, siç e thirrnin shqiptarët, Shefi irlandez i zyrës POA për mërgimtarë në Romë dhe Ndoc Vulaj. Në qendër të fotos, rapsodi popullor, Pjetër Çup Qafa duke kënduar me çifteli.

             A group of people standing around a table

Description automatically generated
Dom Prekë Ndrevashaj, pjesëmarrës në ceremoninë përkujtimore me rastin e 45-vjetorit të persekutimeve fetare në Shqipërinë ateiste komuniste në Universitetin San Francisco të Shteteve të Bashkuara,  13-14 Prill, 1985

A couple of men playing instruments

Description automatically generated

Në zyrën e Dom Prekës në Romë, (njëkohësisht edhe strehimi im si refugjat në Romë, 1970) — Dom Gjeto Radi me lahutë, Dom Preka me fyell dhe autori me çifteli, (me Dom Gjeto Radin) viti 1970.

A couple of men playing musical instruments

Description automatically generated

Në zyrën e Dom Prekës në Romë, (njëkohësisht edhe strehimi im si refugjat në Romë, 1970) — Dom Gjeto Radi me lahutë, Dom Preka me fyell dhe autori me çifteli, (me Dom Gjeto Radin) viti 1970.

A screenshot of a computer

Description automatically generated

Dom Prekë Ndrevashaj mik i ngusht i kolosëve të Kombit, Ernest Koliqi e Martin Camaj

A person and person smiling

Description automatically generated

Dom Prek Ndrevashaj me mikun, bashkpuntorin e ngusht dhe bashkvendasin e tij dukagjinas, Prof. Dr. Martin Camaj

A group of men standing together

Description automatically generated

Nga e djathta, Imam Vehbi ismajli, Dom Jak Gardini, Dom Prekë Ndrevashaj dhe Padër Andre Nargaj – shembuj të tolerancës dhe bashkpunimit

A sign in front of a building

Description automatically generated

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT