• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2024

“Vetëm me vetminë”…

December 5, 2024 by s p

Berat Armagedoni/

Bedri Zyberaj, magjistër i letërsisë, nuk ka shkruar shumë libra me poezi dhe studime. Angazhimin ndër vite, për fatin e popullit dhe të kombit, e ka pasur qëllim jetësor në aktivitetin fizik dhe intelektual. Megjithatë, ato pak poezi që i ka shkruar, i ka shkruar bukur në gjuhën shqipe dhe, falë mikut të tij Iliaz Bobaj, me përkushtim të madh dhe kujdes të veçantë iu përkthyen në gjuhën greke.
Po çfarë është ky libër?
Është një përmbledhje pas një përzgjedhjeje poezish nga përkthyesi. Është botim paralele në gjuhën shqipe dhe greke. Është një botim që para lexuesve mat shijen e përzgjedhësit të poezive, gjithashtu mat njohurinë e tij për përkthim nga shqipja në greqishte. Dhe ata që i njohin këto dy gjuhë, duke i lexuar paralelisht pozitë në shqipe dhe greqishte, do të mund të bëjnë interpretime të përkthimit dhe të bukurkëngëtimit, duke shtruar pyetjet se a ka përkthyer apo ka përshtatur poezi Bobaj dhe a u ka ofruar lexuesve grekë një poet shqiptar që ka vlerë.
Vlerat e poezive të këtij libri janë matur në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni të Veriut, në diasporë dhe kudo tjetër që flitet shqip dhe në disa gjuhë si anglisht, italisht, rumanisht, turqisht dhe arabisht përmes ndonjë cikli të veçantë në ndonjë përmbledhje të veçantë poezish shqipe apo portale që merren me letërsi dhe arte. Por, deri më tani, përgjithësisht ato janë janë matur dhe vlerësuar vetëm në gjuhën shqipe. Zyberaj shumë prej poezive të këtij libri i ka lexuar në orë letrare, shumë prej i ka botuar në revista, gazeta, medie elektronike dhe i ka përmbledhur në librat Dromca vitesh (1998) dhe Vdekje më të mirë nuk dua(2018) të botuara në Kosovë. Për disa prej tyre ka marrë çmime, për disa të tjera lëvdata. Rrugëtimi i tij prej poeti, ashtu si në fushën e studimeve, është pritur mjaft mirë, sa për shkak të motiveve dhe temave që ka trajtuar, po aq për shkak të sintaksës, semantikës, leksikologjisë…
Me qëllim, në fjalinë e parë të kësaj parathënie, kam shkruar se qëllim jetësor në aktivitetin fizik dhe intelektual Zyberaj ka pasur popullin dhe kombin. Kombi, populli i tij dhe fati i tij janë kudo në vargjet e këtij libri. Në këtë libër është edhe familja e tij. Është edhe shoqëria e tij e hershme dhe e vonë. E gjejmë edhe lirinë e një populli e të një kombi munguar kohë të gjatë, arritur me mund të madh dhe sakrifica të shumta. Gjejmë, përkrah lirisë, përkrah krenarisë dhe dashurisë për atdheun, thyerjen shpirtërore të poetit:Tani / Edhe me liri u ngimë, një lloj dëshpërimi i butë që ka peshë të madhe pas luftës, pasi që atë e përjeton një epror ushtrie në kohë lufte, që bëhet poet sapo heshtin armët pas luftës. Pavarësisht prej kalimit nga një gjendje emocionale në një tjetër, pas një realiteti të egër (robërisë) në një tjetër (demokracisë), e pas ëndrrave të bëra zhgjëndrra (lirisë) e çapitjeve për punë të mbara nga udhëheqësit e shtetit, Zyberaj poezive nuk u ngjet “dhëmbë” për kafshim të politikanëve, as nuk i bënë vargjet zinxhir për mbërthim të tyre. Ai, në këtë regjistër letrar poetik,vetëm i regjistron premtimet dhe dobësitë e tyre duke ua kujtuar përherë vuajtjen e gjatë të idealistëve të lirisë. Me këtë frymë duhet t’i lexoni poezitë e tij, me motive dhe tema për atdheun dhe kombin,për lirinë dhe robërinë, për ta kuptuar më mirë autorin, gjithashtu edhe Shën Pjetrat e brezit të tij.
Së këndejmi, kjo përmbledhje nuk ka vetëm vargje për atdheun. Me dashuri të madhe autori shkruan edhe për nënën, për miqtë, për mikeshat, veçan për ndonjë të dashur e për puthjet, për përqafimet, për miklimet, për shtrëngimet e për takimet me to.

Filed Under: ESSE

ZEMRA MAL PËR “K’CIMIN e TROPOJËS”

December 5, 2024 by s p

Harry Bajraktari/

Më është bërë zemra mal, nga lajmi se “K’cimi i Tropojës”, e thirrur ndryshe si “Valle veni”, është njohur tani edhe nga UNESCO si një “monument” i kulturës botërore.

Urime Tropojës, Malësisë së Gjakovës, për arritjen e madhe kulturore kombëtare me përfaqësim të lartë ndërkombëtar. Vallja e bukur dhe tradicionale u pranua edhe zyrtarisht këto ditë në “Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit” të UNESCO-s, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë.

“K’cimi i Tropojës”, kjo pasuri e çmuar dhe e rrallë kulturore shqiptare, që dëshmon vlerat universale të traditave tona të hershme të Tropojës Alpine, Dardanisë e Kombit, që prej këtij fundviti 2024 po renditet edhe si një simbol kombëtar i identitetit kulturor shqiptar, duke na bërë krenarë të gjithë shqiptarëve në Atdhe e në Amerikë e kudo tjetër në Mërgata Shqiptare në Botë.

Për këtë arritje të madhe të vendlindjes së të parëve të mi dua të shpreh edhe vlerësimet e Mirënjohjen time të veçantë: për të gjithë mbartësit dhe interpretuesit e “K’cimit të Tropojës” ndër brezat e derisotëm e të nesërm; për Shoqatën “K’cimi i Tropojës” ; për institucionet lokale e qëndrore të Shqipërisë; për mediat shqiptare; për të gjithë lobuesit e kontribuesit; duke theksuar se kjo na e rrit përgjegjësinë lokale e kombëtare shqiptare për të pasë angazhime e arritje të tjera të mbrojtjes e vazhdimësisësë saj.

Tropoja ka edhe një tjetër arritje të madhe lokale e kombëtare, kur “Lumi i Gashit” u bë pjesë në Listën e Trashëgimisë Botërore të Njerëzimit (kulturë materiale) të UNESCO-s.

Arritja e Tropojës me “K’cimi i Tropojës”, si një arritje kombëtare, me promovim ndërkombëtar e mbrojtje nga UNESCO, merr rëndësi të veçantë sepse deri më sot në në Listën e Trashëgimisë Botërore (kulturë jo-materiale) në UNESCO janë vetëm dy nga pasuritë kombëtare shqiptare: Iso Polifonia Labe (2005, 2008) dhe Xhubleta (2022).

Është pa dyshim një vlerësim i merituar për Tropojën e mbarë Malësinë e Gjakovës, një krahinë, e cila shpesh është përmendur për patriotizëm dhe virtytet më të larta njerëzore, që ka luajtur rol në historinë e popullit shqiptar. Por që ka qenë gjithmonë edhe burim i një folklori të mrekullueshëm, me valle, këngë, muzikë, instrumenta muzikorë, veshje të bukura karakteristike etj.

Ky vlerësim duhet t’u japë zemër shqiptarëve që të punojnë për ta ruajtur folklorin e tyre, për ta pasuruar. Kjo bëhet duke mos e lënë të harrohet. Duke ia mësuar brezit të ri. Duke treguar krenari e dashuri për traditat tona.

Kur fillon Vallja e Venit, me ritmin që jep tupani, me bukurinë e çiftelisë dhe fyelli, me valltarët e me shtatin e lartë dhe veshjet e bukura tradicionale ta mbushin zemrën me gëzim.

Tani këtë K’cim të Tropojës e njeh dhe është e vendosur që ta mbrojë e gjithë bota. Urime!

Harry Bajraktari është themeluesi dhe ish-botues i gazetës “Illyria” (1991-1998). Ai është një veprimtar, biznesmen dhe filantropist shqiptaro-amerikan, i nderuar me shumë çmime mes tyre edhe Nderi i Kombit nga Presidenti i Shqipërisë, Medalja Presidenciale e Kosovës për Merita si dhe Dekorata e Thirrjes Presidenciale për Shërbim nga Shtëpia e Bardhë në SHBA.

Filed Under: Opinion

HISTORI AUTOKTONIE ILIRO-SHQIPTARE NGA KALAJA E PODGORËS (MALËSI E MADHE)…

December 5, 2024 by s p

Ndue BACAJ/

Sapo ke mberritur në majen e malit të Podgores në faqen jug-lindore ,me pamje nga fshati Lopç ,dallohen themele dhe rrenoja muriesh të cilat kanë një siperfaqe të dallueshme rreth 1800 m2. Podgorasit ketë vend edhe sot e therrasin KALAJA.. Po ti pyesesh per ketë Toponim ata të trogojnë se e kanë të trashiguar brez pas brezi, duke menduar se kjo kala u ka sherbyer para qindra (e pse jo mijera) vitesh , banoreve të asaje kohe si qendres Urbane (qytezë), por edhe për qellime ushtarake… Një studiues dhe eksplorues i njohur i vendeve me interesë për arkeologjinë e identifikon kalanë e Podgorës si Pikë kontrolli dhe qytezë, ku ndër të tjera shkruan: “Qyteza shtrihet në një terren të thyer . Në krahun përendimor ruhen gjurmët e dy mureve me trashsi 1.40 m dhe 080 m të puthitur me njeri tjetrin dhe lidhur me llaç gelqereje , ruhen në lartesi 2 m. Gjetjet kryesisht amfora që i perkasin shek.IV mbas Krishtit. Varrezat e kësaj qyteze gjinden në vendin e quajtur “Zalli i Banushit” , ku është zbuluar një varr i punuar me mure me llaç gelqereje dhe me inventar të pasur qelqi , fibula bronxi të shek.IV mbas Krishtit”.1. Afër murieve të rrenuara që tregojnë se kanë qënë në trashesin rreth 1.40 m. , gjinden edhe copa të ndryshme tjegullash , e ndonjë copë enësh prej balte apo qeramike , por mjerisht mjaftë të demtuara.. Kalaja e “Podgores” ende nuk gjindet në listen e e atyre Objekteve të identifikuara qartësisht … Por mendojmë se duhet të jenë në listen e Keshtjellave apo Kalave të ndertuara e rindertuara nga Justiniani ( Shekulli i VI ) , por që ende një pjesë e mirë e tyre është e palokalizuar…2. Ndersa organizimi ushtarak i provincës Prevalit duket qartë pas vitit 395 kur Prevali bëhet province kufitare e perandorisë…

Në fortifikimet e kësaj kohe , permenden perveç fortifikimeve të qytetit të Shkodrës , Pukës , Klementianës (që e permend Prokopi i Çezares)… si edhe fortifikime të vogla të gjurmuara në Podgorë…3. Albanologu i njohur Milan Shuflaj shkruan se : “Qyteti i madh … Dioklea (afer Potgorices sotme ,atëherë qender Ilire..N.B.) u rrenua prej katastrofave natyrore dhe fuqive barbare . Ate e goditi termeti i vitit 518. Qyteti u shkretua rreth shekullit VII. Pjeset e tij te shkaperdredhura i rrembyen keshtjellat e aferta…”.4. Gjurmët e reja arkeologjike në zonat përreth Shkodres deshmojnë per një jetë aktive të popullates rurale. Mund të permendim ketu pikat e fortifikuara si në Podgorë dhe kalanë e Hotit e tjer…5. Duke ditur se varret e mesjetes së hershme gjindeshin në afersi apo pranë mureve të Kalasë , por gjithmonë jashtë saj..6. , me siguri kjo “Kala” apo pikë e fortifikuar ka edhe Varret e veta historike , ndonse të pa eksploruara deri tani. Gjithashtu në ketë Kala duhet të gjinden edhe themelet e objekteve të kultit si Kisha e tjer , por edhe të ndertimeve sociale e shtetrore lokale të kohes , duke perfshire edhe Shkollen e “Zejeve”… Per një shkollë të till mendojmë se bënë “fjalë” Regjistri i Kadastrës të viteve 1416 -1417 (perpiluar nga venedikasit) , ku shkruhet se… një copë vresht prej një shati (rreth 500m2 N.B.), i quajtur Stanovina , e mban shkolla e Podgores…7.

Në një shkollë të tillë zakonisht mesohej shkrim e kendim dhe mesime besimi (katekizmi i kishes..), por ekziston mundësia që ishte edhe (thjeshtë) shkollë ku mesohej teknika e kultivimit të vreshtarisë të Podgorës e rrethinave ,pasi prodhimi i rrushit (Vera) (një e dhjeta) dergohej tek “zoterinjet” venedikas të Kalasë së Shkodres…??? Duke ju referuar dekumenteve te kohes ne kemi aresye të besojmë se një shkollë ishte e ndertuar e funksiononte në Kalanë e Podgorës ,apo në Podgoren si qendër urbane. Ketë e vertetojnë edhe libra e vepra kushtuar atyre kohëve , ku ne po cilësojmë librin e Oliver Jens Schmitt ARBERIA VENEDIKE (1392 – 1479) , që shkruan se pranë çdo qendre urbane kishte nga një shkollë (ose kurs) , me orientim njohjen e gjuhes Venete , dhe mesimin e zejeve dhe teknikave të kultivimit të vreshtave , bleteve , derrave e tjer , per te cilat pushteti i asaj kohe vilte taksat…Gjithshtu nga vellimet e ILIRICUM SACRUM (Iliria e Shenjte) tregohet se pranë çdo Kishe (famulli) kishte nga një shkollë , në të cilen mesohej besimi kristian , por edhe shkrim e kendim…

Si pakë Kala apo keshtjella te tjera Ilire , Kalaja e “Podgores” ishte e “rrethuar”nga disa SHPELLA , toponimet apo emertimet e të cilave i trashigojnë edhe sot banoret e Podgores:

NË PERENDIM TË KALASË:

1.Shpella te rrasa e Bletes.

2. Shpella e Dhënve ( në maje…)

3.Grupi i Nënshpellave (shpella të vogla të grupuara).

4.Shpella e Rexhep Hajdarit , që në fakt është një homonim i vonë ,por që nuk njihet emertim tjeter sot..

NË JUG-LINDJE TË KALASË:

1.Shpella e Bishes.

2. Shpella e Fikut (Edhe sot aty ekziston një fik i madh… ).

3.Shpella e dy Binokëve.

4. Shpella Rrethatoke , ketu shihet edhe një gropë e mbyllur e cila mendohet se ka sherbyer si “pus”apo më saktë krua per të mbushur ujë , por thuhet se ndër shekuj është mbyllur duke hellur lesh bagetish. Kjo është shpella me e afert e kalasë ,ku distanca nuk i kalon 70 metrat linar… Sipas gojdhënave thuajse në të gjitha keto shpella kishte burime uji ,që shekujt e motet na i kanë “fshehur”… 8.

TOPONIMI PODGORA !!

Toponimi apo emri Podgora është shumë i hershem , dhe ka qenë i njohur ,jo vetem në fshatin historik të Podgores , apo në kryeqytetin e vonë të Malit Zi (me prapashtesen “Ica”) Podgorica, por edhe në vende e deri krahina etnike shqiptare, ku per ketë po veçojme emrin e një krahine në rrafshin e Dukagjinit (Kosove) , duke ju referuar studiuesit (sllav) Jevto Dedijer ,i cili në librin e tij “Nova Serbja “1913 (Serbia e Re ), duke shkruar per origjinen shqiptare të Karagjorgjeviçve, ndër të tjera citoj: “…Një nga malet më të larta në krahinen Podgorë në Rrafshin e Dukagjinit është i njohur, sepse banoret e tij tregojnë se prej andej e ka prejardhjen familja e Karagjorgjeviçve , stergjyshi i të cileve ka ikur per aresye se kishte vrarë shumë turq. Varret e ketyre ruhen edhe sot e kesaj dite…”.9. E cituam ketë studiues sepse i perket races sllave , dhe pranon se toponimi Podgorë , është toponim me rrenjë shqiptare …Duke “pergenjeshtruar” ata që sot ketë toponim kerkojnë ta bejnë thjeshtë sllav ,(duke perfituar nga deformimet e shekujve ) … Është me vlera të thuhet se Qeveria mbreterore e Shqiperisë gjatë viteve 1937- 1938 kishte organizuar një komision të përberë nga studiues ,historianë , perkthyes dhe albanolog vendas e te huaj te cilet bënë shqiperimin e shumë Toponimeve qe shekujt u kishin dhënë “kuptim” sllav , grek etjer.. Ketë studim shkencore Keshilli i Ministrave e miraton me vendimin nr.753 date 06 korrik 1938 , ku emri i fshatit Podgore shqiperohet me emerin RRANXE… Ky perkthim nuk kishte per baze perkthimin thjesht nga sllavishtja,por ishte ne pershtatje me pozicionin aktual te fshatit Rranxe Malit…Ne duke dashur të jemi sa me realist ,nuk e mohojme deformimin e toponimeve shqiptare në favor të gjuhes sllave gjatë stuhive pushtuese ,që fillojnë të pakten në shekullin e njëmbedhjetë , e veçanarisht gjatë kohes së Stefan Dushanit ,shekulli i XIV-të. Gjithsesi mendimi jonë është se duke analizuar Toponimin Podgora ,apo Potgora ( se D me T nuk kanë qenë të dallueshme shumë per gegnishten deri vonë..), ne mendojmë se ky toponim është bashkim i dy fjaleve shqipe që njihen edhe sot , si Pot apo Pod që është shkurtim i toponimit Potolog ; që do të thotë vend i shesht , i veçuar në një lartesi ,ose ngjitur me një vend me ndryshim relievi…Ndersa prapashtesa Gore , ka të bëjnë me emrin Gurë ,por me deformim të U-se me O ,gjë që duket se i jep trajta sllave pasi fjala Gor do të thote mal… Ne duke hellur mendimin tonë vijojmë të themi se fshati Podgorë është vertet një Pod apo Podolog që ka mjaft gurë ,ndaj themi se ky ndër shekuj ka marrë toponimin Pod apo Podolog guresh , madje edhe mali ngjitur me fshatin është i “pasur” me gurë të permasave të ndryshme… Natyrisht ne duke mos qenë specialist të mirfilltë të kësaj fushe , nuk pretendojmë se qendron plotesisht ky mendim i joni…

REFERENCAT:

1.Zamir Tafilica , Harta arkeologjike e pellgut të Shkodrës , rev.“Gegnia” e perkohshme kulturore -artistke, – 3 -2017 fq.100-101 , viti i dytë i botimit , Bashkia Shkodër , Biblioteka “Marin Barleti”.

2.Myzafer Korkuti , “Parailiret , Iliret , Arberit “, histori e shkurter fq.58 .

3.Bep Jubani, Monumente arkeologjike në Mbishkodër,, botim në “Monumentet”, nr.1-1989 ,fq.134.

4. Milan Shuflaj ;Serbet e Shqiptaret fq.15.

5.Gëzim Hoxha , Muzeu Historik i Shkodres ,kumtari-6- ,fq.81, 1993.

6. Myzafer Kokurti ,veper e cituar fq.72.

7.Regjistri i Kadastrës të viteve 1416 -1417, (fleta 48/a.

8.Per identifikimin e shpellave dhe toponimet e tyre më ndihmoi mesuesi , intelektuali dhe ish kryetari i komunes Qendër z. Fejzi Luli , banor autokton i Podgorës, gusht 2008.

9.Jevto Dedijer, “Nova Serbja“ (Serbia e Re ),1913.

Filed Under: Histori

SPANJË, 1975 / “MBRETIN LEKA I E ADMIROVA SHUMË PËR GJITHÇKA QË PO BËNTE PËR TË MBAJTUR SHQIPTARËT TË BASHKUAR NË MËRGIM…” — INTERVISTA EKSKLUZIVE E MBRETËRESHËS SUZANË, NËNËS SË PRINC LEKA II

December 5, 2024 by s p


Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 11 qershor 1975, faqe n°2
Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 11 qershor 1975, faqe n°2

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 5 Dhjetor 2024

Revista australiane “The Australian Women’s Weekly” ka botuar, të mërkurën e 11 qershorit 1975, në faqen n°2, intervistën ekskluzive asokohe me mbretëreshën Susan (nënën e Princ Leka II) në Spanjë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Jeta e re e mbretëreshës Suzanë

Intervistë ekskluzive

Pas dasmës së mbretit të shqiptarëve Leka dhe vajzës australiane Susan Cullen-Ward, Mbreti dhe nusja e tij do të vizitojnë Australinë për të takuar komunitetet shqiptare në këtë vend.

Nga Anne Matheson në Madrid

Monarkët në mërgim, mbretër dhe mbretëresha të kurorëzuara ende në fronet e tyre, dhe përfaqësues të shtetit nga e gjithë bota e lirë, do të marrin pjesë në festimet e dasmës së mbretit Leka I të shqiptarëve me Susan Cullen-Ward of Cumnock, NSW, në Francë në fundi të shtatorit.

Gjithashtu, do të jenë të pranishëm më shumë se 1000 nënshtetas të mbretit në mërgim, që përfaqësojnë 76 komunitetet shqiptare të shpërndara në mbarë botën e lirë.

Tridhjetë e katër vjeçarja Sue Cullen-Ward do të jetë dy herë e martuar dhe tri herë e bekuar nga shqiptarët, me një bekim të katërt nga prifti i Kishës së Anglisë. E para nga dy martesat do të jetë civile. Tjetra, në përputhje me kushtetutën shqiptare, do të kryhet nga Avokati i Përgjithshëm, Selim Beu, këshilltar kryesor i mbretit.

Sue do të njihet më pas për shqiptarët si Mbretëresha Suzani, shqiptimi i emrit të saj.

“Vendosa të mos e ndryshoj emrin në martesë, megjithëse më sugjeruan”, tha ajo. Ajo shpreson të zotërojë mjaftueshëm gjuhën shqipe, një gjuhë që e ka të lehtë për t’u shkruar, por e vështirë për t’u shqiptuar, në mënyrë që të jetë në gjendje të mirëpresë njerëzit e burrit të saj në dasmën, që do të mbahet tre javë pas martesës civile në kështjellën mesjetare të Markezit të Calderon-it në Toledo, Spanjë.

Mbreti Leka dhe mbretëresha e tij do të bekohen nga myslimanët (ai është mysliman, siç janë 75 për qind e popullit të tij), Kisha Ortodokse e Shqipërisë, Kisha Katolike dhe Kisha e Anglisë.

Nëna e Mbretit, Mbretëresha Geraldinë, është një nga dhjetë për qind e shqiptarëve që janë katolikë. Sue do të mbetet anëtare e Kishës së Anglisë.

Fakti që ajo është e divorcuar (ajo ishte e martuar për pesë vjet me një anglez, Richard Williams, por ata u divorcuan katër vjet më parë) nuk është pengesë për martesën e saj me një mbret mysliman.

“Profeti Muhamed u martua me një të krishterë dhe pati një divorc,” tha një zëdhënës i mbretit, “kështu që ky është precedenti ynë.”

Sue do të veshë një pjesë të kostumit kombëtar të Shqipërisë për pritjen e dasmës, si dhe diademën dhe bizhuteritë e familjes mbretërore, të transmetuara nga mbretëresha Geraldinë.

Kostumi, një pallto e gjatë e bukur e qëndisur me shumë fije ari, do të mbulojë fustanin e saj të nusërisë, të cilin rrobaqepësja australiane e Sue, znj. Hughes, po fluturon për në Madrid për ta bërë.

Ajo nuk do të mbajë kurorë.

Unaza e fejesës e Susan Cullen-Ward. Diamanti është një diamant i rrallë i pastër i bardhë në formë markeze ovale me skajet e mprehta, i mbështetur nga gjashtë diamante të mëdha baguette. Mbretit iu deshën gjashtë muaj për të gjetur gurin e përsosur. — Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 11 qershor 1975, faqe n°2

Ndër të parët që dërguan urimet e tyre më të ngrohta kur u shpall fejesa ishin miqtë e ngushtë të mbretit, Mbreti Baudouin dhe Mbretëresha Fabiola e Belgjikës.

Krerë të tjerë të kurorëzuar që dërguan urimet e tyre dhe që do të jenë në dasmë ishin Shahu i Persisë dhe Mbretëresha Farah Diba, Mbreti Hysein i Jordanisë dhe Mbretëresha Alia, Mbreti Bhumibol dhe Mbretëresha Sirikil të Tajlandës.

Gjenerali Franko nuk mundi të ishte i pranishëm në drekën e festimit pas shpalljes së fejesës, por ai u përfaqësua nga gruaja e tij, Senora Franco, dhe pasardhësi i tij i emëruar, Princi Juan Carlos dhe gruaja Princesha Sophia.

Mbreti Simon i bullgarëve, gjithashtu që jetonte në mërgim në Spanjë, dhe mbretëresha e tij Margarita, ambasadorë nga shumë vende, ambasadori australian në Madrid dhe një kushëri i Sue-së, David Brown nga Sydney, në Evropë për një kurs studimi, ishin ndër ftuarit e tjerë.

Mbretëresha Geraldinë shtroi drekën dhe duke harruar për një çast formalitetin, e përqafoi Suzanën, duke e puthur ngrohtësisht.

Nëna Mbretëreshë më tha privatisht : “Unë e doja Sue që nga momenti që e takova. Gjatë dy viteve që ajo kaloi në Spanjë, u njohëm. E shoh shumë të sinqertë, të ngrohtë dhe të ndjeshme ndaj çështjes sonë.”

Fotot e fejesës së mbretit Leka I dhe Susan Cullen-Ward, me Nënën Mbretëreshë, Mbretëreshën Geraldinë dhe Baronin Faray von Blomberg. Baroni, i cili “rregullon martesat mbretërore”, tha se ishte përpjekur më parë të organizonte një martesë për Mbretin, por kishte hequr dorë, duke kuptuar se Leka do të martohej vetëm me dashuri. — Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 11 qershor 1975, faqe n°2

“Ajo është një vajzë e lezetshme. Nuk u habita kur Madhëria e Tij ra në dashuri.”

Të tjerë në botën e sofistikuar të mbretërve në ekzil dhe miqtë e tyre aristokratë, megjithatë, ishin të befasuar, madje të tronditur dhe të zhgënjyer.

“Ai mund të ishte martuar me ndonjë nga princeshat e shumta evropiane,” psherëtin gruaja e një diplomati.

“Ne e konsideronim Madhërinë e Tij si një nga beqarët më të kualifikuar në Evropë”, tha redaktorja e një reviste.

“Askush prej nesh nuk kishte dëgjuar më parë për Susan Cullen-Ward”, tha ajo, duke nuhatur dhe përmendur një listë të gjatë të jet-setterëve, trashëgimtareve amerikane dhe vajzave të familjeve aristokrate me të cilat emri i tij lidhej në rubrikat e thashethemeve.

Leka I është gjigand, magjepsës dhe me karakter heroik.

Ai nuk është vetëm një burrë shtatlartë, por mban edhe dy armë, është një ushtar i stërvitur në Sandhurst, një pilot avioni, një ekspert në infiltrim dhe luftën guerile.

Midis këshilltarëve të tij kishta nga ata që u përpoqën të organizonin një martesë midis mbretit të tyre dhe njërës prej princeshave gjermane me një pasuri dhe një kështjellë për të formuar një aleancë.

Baroni von Blomberg, puna e të cilit konsiston në rregullimin e martesave mbretërore dhe këshillimin e anëtarëve të familjes mbretërore, ishte gati për të organizuar shpalljen e fejesës. Ai më tha se kishte qenë gjithmonë aktiv në prapaskenë.

“Por kuptova se përpjekja për të martuar mbretin Leka ishte një detyrë e pashpresë dhe se nëse ai do të martohej, do të ishte falë dashurisë,” rrëfeu ai.

“Dhe është mjaft e qartë se Mbreti është marrëzisht i dashuruar me Sue.”

Kjo ishte gjëja e parë që më bëri përshtypje. Fytyra e Mbretit gjallërohet me një buzëqeshje djaloshare sapo Sue hyn në dhomë ose flet me të.

Ndërsa Susan Cullen Ward në këto ditët e para të trajnimit për të qenë mbretëreshë respekton me ngurtësi protokollin dhe i referohet atij gjithmonë si “Madhëria juaj”, Mbreti e quan atë thjesht “e dashur”.

Dashuria e tyre u rrit nga admirimi i ndërsjellë dhe miqësia e ngrohtë në dy vitet që Sue jetoi në Madrid.

Çifti u takua në Sydney në një darkë, dhe përsëri për një kohë të shkurtër në Londër. Ajo ishte rrugës për në Sorbonë në Paris për të vazhduar studimet e saj për art. Ajo ishte trajnuar në kolegjin teknik East Sydney dhe ishte një stiliste tekstile, dekoruese e brendshme dhe mësuese arti në shkollën e saj të vjetër, Presbyterian Ladies College, Orange, dhe më vonë në PLC, Pymble.

“Madhëria e tij nuk më ftoi në Madrid.” — shpjegoi Sue. “Don Jose del Valle dhe gruaja e tij Eliza më ftuan të shkoja në Spanjë për pushime. Nuk u largova kurrë prej aty.”

Është e vështirë për çdo çift të përcaktojë momentin kur ata ranë në dashuri nëse kjo dashuri ka qenë graduale. Por Susan është plotësisht e sigurt se pse ra në dashuri.

“E gjeta veten duke u interesuar gjithnjë e më shumë për kauzën e Madhërisë së Tij”, tha ajo.

“E admirova shumë për gjithçka që po bënte për të mbajtur shqiptarët të bashkuar në mërgim si një popull që ruan lidhjet, traditat dhe kulturën e tij.”

Mbreti Leka shpjegoi se ai nuk është Mbreti i Shqipërisë siç përshkruhet ndonjëherë. Ai vend i vogël është nën një regjim komunist. Ai është Mbreti i Shqiptarëve.

Jashtë vendit të tyre janë mbi pesë milionë shqiptarë, në 35 kombe të ndryshme.

Ka 80.000 shqiptarë në Shtetet e Bashkuara dhe 16.000 në Australi.

Pas dasmës së tyre, Mbreti Leka do ta çojë Mbretëreshën Suzani në një udhëtim mbretëror për ta prezantuar atë para popullit të tij.

“Komunitetet e para që do të vizitojmë janë ato në Australi,” tha ai. “Më të vjetrat janë në Mareeba dhe Cairns në Queensland, më të fundit në Shepparton dhe gjetkë në Victoria.”

Mbreti Leka e viziton popullin e tij të paktën një herë në vit.

“Ata më ftojnë. Unë e paguaj vetë biletën time.” shpjegoi ai. “Pastaj për tre ditë i pres, ose duke shtrënguar duart ose duke i përqafuar siç është zakon. Mundohem të flas me të gjithë.”

Princi Leka ishte vetëm tre ditësh kur mbretëresha Geraldinë dhe foshnja e saj u larguan nga vendi pas pushtimit të Musolinit në 1939.

Ajo dhe fëmija shkuan në Egjipt dhe më pas në Londër. Ata qëndruan atje deri në vitin 1945, jetuan në Egjipt deri në 1954 dhe në Francë deri në 1962.

Pas vdekjes së babait të tij në mërgim, mbretit Zog, në vitin 1961, Princi Leka u ngjit në fron. Ai dhe nëna e tij u shpërngulën në Spanjë.

Mbreti dhe Susan-a do të jetojnë në Madrid pasi të jenë të martuar.

“Madhëria e Tij është shumë e mirë në dizajnimin e brendshëm,” tha Susan. “Ne do të ndërtojmë dhe arredojmë shtëpinë tonë së bashku. “Së bashku do të ndërtojmë dhe arredojmë shtëpinë tonë. Nuk do të jetë një pallat, por do të jetë mjaft i madh për të akomoduar mysafirë.”

Jeta e mbretëreshës Suzani do të jetë shumë më formale në Spanjë sesa ajo e mbretëreshës Geraldinë në Shqipëri.

Mbretëria në mërgim ruan fasadën. Dhe spanjollët, ndonëse kanë përmbysur monarkinë e tyre, e respektojnë protokollin mbretëror. Ata kanë së paku tre familje mbretërore në mërgim që jetojnë në Madrid.

Mbreti Leka është një biznesmen me interesa në industrinë e rëndë dhe çelikun. Por ambasadorët në Spanjë duhet ta vizitojnë gjithmonë atë, pavarësisht rëndësisë së çështjes.

Ai është një mbret dhe qeveria spanjolle insiston që ai të trajtohet si i tillë, edhe pse froni i tij është një karrige në një zyrë të mobiluar me pjesë nga ekspozitat dhe pallatet mbretërore të së kaluarës.

Selim Beu nuk e zbut kurrë vigjilencën për kushtetutën dhe traditat shqiptare. Si këshilltar i mbretit, ai nuk kurseu asnjë përpjekje për të siguruar jo vetëm që martesa të ishte rreptësisht në përputhje me kodin civil shqiptar, por edhe që jeta brenda oborrit të jetohej sipas traditave më të rrepta.

Filed Under: Analiza

Me rastin e 112 vjetorit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë

December 5, 2024 by s p

Dr. Dritan Demiraj

Nderi i Kombit/

Me rastin e 112 vjetorit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dëshiroj ti shpreh mirenjohjen dhe respektin më të lartë çdo kolegu burrë dhe grua në uniformë me të cilët kaluam së bashku 35 vitet më të vështira, profesionale, dinjitoze dhe të bukura të jetës tonë.

Forcat e Armatosura kanë në gjirin e tyre njerëz të ndershëm, dedikuar, profesioniste dhe që e duan kombin, të cilët edhe pse më të keqpaguarit në raport me institucionet e tjera të vendit gjatë të gjitha qeverive, kane shërbyer me devotshmëri, profesionalizem dhe kane bere sakrificat me sublime në mbrojtje të Atdheut, Pavarësisë, Sovranitetit dhe Sigurisë Kombëtare, garantimit të lirisë, paqes e stabilitetit në rajon dhe ne botë nën Flamurin Kombëtar.

Profesionalizmi dhe sakrifica juaj ka shfaqur cilesite te mire te Kombit Shqiptar te cilat jane pasqyruar ne vazhdimesi ne misionet paqeruajtese ne Bosnje, Gjeorgji, Sudan, Çad, Mali, Irak, Kosovë, Liberi, Bregun e Fildishte, Estoni, por ne veçanti gjate misioneve luftarake ne Afganistan ‘Eagle 1-8’ duke sakrifikuar edhe jetet tuaja.

Me kete rast kujtojme heronjte tane te cilet rane ne krye te detyres kolegun tone Kapiten Feti Vogli, Rreshter Mareglen Brahmati por edhe koleget e tjere. Qofte i paharruar kujtimi i tyre.

Qeveria Shqiptare ka detyrimin te vazhdoje më me intensitet mbeshtetjen e forcave te armatosura, te rrise buxhetin per mbrojtjen, te permiresoje pagesen e tyre, te modernizoje me tej infrastrukturen e stervitjes, punes, jeteses ne menyre qe te rriten me tek aftësite trajnuese dhe kapacitetet operacionale, te rrisin me tej bashkepunimin me FSK-ne për të qenë gjithmonë të gatshëm në përgjigje të misionit, situatave dhe sfidave që parashtron koha, si dhe detyrave të cilat burojnë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe angazhimet në kuadër të NATO dhe SHBA-ve.

Si perfundim, do deshiroja qe me kete rast te falenderoja per mbeshtetjen e jashtezakonshme qe kane dhene SHBA-te per FA Shqiptare ne vazhdimesi qe nga anetaresimi ne NATO dhe deri tek modernizimi i vazhdueshem i tyre.

Shpresojme qe se shpejti edhe forcat profesioniste te FSK-se te behen pjese e aleances me te madhe politiko ushtarake ne bote NATO-s.

Te nderuar kolege!

Zoti ju bekofte ju dhe familjet Tuaja.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 46
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT