• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2025

E PAMUNDURA ËSHTË AJO QË BËJMË MË MIRË!

January 25, 2025 by s p

Dr. Erion Dasho/

“Impossible is what we do best” e përkthyer në shqip “E pamundura është ajo që bëjmë më mirë”, ishte fraza që më ngeli në mend nga fjalimi i Presidentit Trump.

Jo aq në kuadrin e asaj që shprehu presidenti amerikan, por, në radhë të parë, për domethënien që kjo frazë bart për çdo përpjekje që nis në cilindo vend të botës, aty ku një forcë ngrihet kundër establishmenteve, diktaturave dhe aleancave okulte që ato krijojnë. Sidomos ka domethënie kjo frazë për vendin tim, për vendin tonë.

Në rastin e Shqipërisë, nuk do të kishte një frazë më të mirë për të përshkruar atë që e pret opozitën në zgjedhjet e 11 majit.

Nëse sheh mediat e blera të rilindjes, asnjë nga analistët puthadorë nuk i jep shans fitores së opozitës. Argumentet e tyre tashmë bajatë risillen rreth të njëjtave tema të cilat u transmetohen shikuesve me ritmin monoton të pikës kineze të ujit.

Sondazhet e blera me paratë e vjedhura të korrupsionit dhe ato të narkotrafikut mundohen të nisin që tani përpunimin e opinionit publik dhe flasin në një zë me të ashtuquajturit “opinionistë”.

Njëkohësisht makineria e manipulimit dhe tjetërsimit të votës ka nisur të veprojë përbindshëm. Patronazhistët, punonjësit e frikësuar të zyrave të shtetit, banditët e organizuar nga kapobandat e rilindjes kanë nisur nga puna për të vendosur nën kontroll edhe votën e të mërguarve, sikundër kanë bërë 12 vjet me votën e shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri.

Përshtypja që po përpiqet të futet me dhunë në mendjen e çdo shqiptari në Shqipëri apo mërgatë është se fitorja e opozitës është MISION I PAMUNDUR!

Pikërisht këtu vjen në ndihmë fraza-moto e Presidentit Trump:

E PAMUNDURA ËSHTË AJO QË BËJMË MË MIRË!

Kjo frazë duhet shndërruar në moto edhe të opozitës shqiptare, kur kjo e fundit të thërrasë për veprim votuesit shqiptarë në Shqipëri dhe diasporë.

Sepse nuk ka shqiptar që nuk e kupton sot se 12 vjet nën rilindjen dhe Boratin ishin 12 vjet hajdutëri, korrupsion, batërdi, narkotrafik, oligarki, dhe përçudnim i jetës ekonomike, politike dhe sociale të vendit.

Për këtë arsye shqiptarët do ta jetësojnë në 11 maj atë që sot paraqitet si e pamundur, ndëshkimin e diktaturës së rilindjes. Do ta ndëshkojnë diktaturën e bijve hajdutë, sikundër ndëshkuan para 35 vjetësh diktaturën e etërve gjakatarë.

Opozitarët dhe shqiptarët pikërisht këtë do të bëjnë më mirë, ATË QË DUKET E PAMUNDUR…

Filed Under: ESSE

LA TURQUIE (1910) / NJË INTERVISTË ME HASAN BEJ PRISHTINËN MBI QARKULLIMIN E THASHETHEMEVE PËR TË NË SHTYPIN TURK

January 25, 2025 by s p


Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 25 Janar 2025

“La Turquie” ka botuar, të enjten e 12 majit 1910, në faqen n°2, intervistën ekskluzive me Hasan Bej Prishtinën mbi qarkullimin e thashethemeve për të asokohe në shtypin turk, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Një intervistë me Hasan Beun

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Thashetheme të ndryshme qarkullojnë prej disa ditësh për Hasan Beun, deputet i Prishtinës. Herë lajmërohej se familja e tij kishte ikur në Shkup, herë lajmërohej se vëllezërit e tij ishin arrestuar. Në prani të këtyre thashethemeve dhe të tjerave, e pamë me vend t’i drejtohemi atij dhe ta pyesim se çfarë mendon për këto thashetheme.

Hasan Beu priti një nga bashkëpunëtorët tanë në zyrën e parë të Dhomës dhe e pranoi me dëshirë intervistën.

Fillimisht bashkëpunëtori ynë e pyeti nëse mund ta mohonte lajmin e Neïri-Hakikat-it të Manastirit dhe sipas të cilës disa deputetë shqiptarë ishin përfshirë në lëvizjen e Shqipërisë së Epërme.

— Po t’ia vlente të mohohej, tha Hasan Beu, ne do ta kishim bërë tashmë. Por nëse, në këtë vend thashethemesh, do të fillonim të mohonim gjithçka që ia atribuojmë një njeriu, do të kishim harxhuar të gjithë kohën duke botuar mohime në gazeta.

Por koha jonë është e çmuar. Përveç kësaj, do të ishte shumë e ulët për të mohuar publikime të tilla keqdashëse. Nuk e kuptoj çfarë kënaqësie gjejnë duke botuar të tilla shpifje. Sot një gazetë thotë se vëllezërit e mi janë arrestuar dhe një pjesë e familjes sime ka ikur në Malësi. A ja vlen të publikosh lajme qesharake si ky.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

— A keni lajme të reja mbi Shqipërinë ?

— Është e vërtetë që nuk marr letra. Por sipas udhëtarëve që mbërrijnë, situata nuk është e mirë. Ekziston frika se kryengritja do të përhapet.

— Ju keni marrë leje për të shkuar në Shqipëri. A do ta përdorni atë ?

— Unë kam marrë leje për të shkuar atje për një çështje private. Por disa gazeta e interpretuan ndryshe këtë leje. Kanë shkruar se jam gati të shkoj në teatrin e kryengritjes. Megjithatë, mora parasysh gjendjen psikologjike të vendit dhe megjithëse kisha punë urgjente, e shtyva udhëtimin për disa ditë.

Filed Under: Histori

Politika e Jashtme e Shteteve të Bashkuara: Mbështetje për një Kosovë të Pavarur dhe Sovrane, në Përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Të Drejtave të Njeriut dhe Mbrojtjen e Komuniteteve Pakicë

January 24, 2025 by s p

Prof.Dr.Fejzulla BERISHA/

Politika e jashtme e Shteteve të Bashkuara ka qenë historikisht e orientuar drejt mbështetjes së një Kosove të pavarur dhe sovrane, që respekton standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe mbrojtjen e komuniteteve pakicë. Ky qëndrim nuk është vetëm deklarativ, por mbështetet në veprime konkrete dhe përfshirje të drejtpërdrejtë në proceset politike dhe institucionale të Kosovës.

Mbështetja për sovranitetin e Kosovës

SHBA ka qenë ndër partnerët kryesorë të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008. Përmes njohjes së hershme të Kosovës dhe lobimit global për shtimin e numrit të njohjeve ndërkombëtare, Shtetet e Bashkuara kanë kontribuar në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Ky mbështetje ka përfshirë edhe përpjekjet për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare si INTERPOL, UNESCO dhe mekanizma të tjerë globalë. Në vitin 2015, SHBA mbështeti fuqimisht krijimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte në Kosovë, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të siguruar drejtësi për të gjitha komunitetet, përfshirë komunitetet pakicë.

Respektimi i komuniteteve pakicë

Një nga parimet kryesore që SHBA ka promovuar në Kosovë është krijimi i një shoqërie gjithëpërfshirëse, ku të drejtat e komuniteteve pakicë janë të mbrojtura. Në këtë drejtim, SHBA ka luajtur një rol kyç në ndërtimin e institucioneve demokratike të Kosovës, përfshirë Kushtetutën e saj, e cila garanton të drejtat e minoriteteve dhe ofron kuota për përfaqësimin e tyre në Kuvend dhe institucione të tjera shtetërore. Në vitin 2013, përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE dhe mbështetjes së SHBA-së, u arrit Marrëveshja e Brukselit, e cila përfshinte krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Edhe pse zbatimi i kësaj marrëveshjeje ka qenë i vështirë, SHBA vazhdon të inkurajojë Kosovën dhe Serbinë për të respektuar detyrimet që rrjedhin nga ky proces.

Investimet për mbrojtjen e minoriteteve

Shtetet e Bashkuara kanë financuar dhjetëra projekte zhvillimi për të përmirësuar jetesën e komuniteteve pakicë në Kosovë. Përmes USAID-it dhe programeve të tjera, SHBA ka investuar në infrastrukturë, arsim, dhe integrim ekonomik për minoritetet, me fokus të veçantë në komunitetin serb, rom, ashkali dhe egjiptian. Në vitin 2020, një projekt i financuar nga USAID-i ndihmoi rindërtimin e shkollave dhe qendrave të shërbimeve sociale në zonat me shumicë serbe në veri të Kosovës, duke përmirësuar qasjen në arsim dhe shërbime për këtë komunitet.

Promovimi i paqes dhe dialogut

SHBA ka luajtur një rol ndërmjetësues në procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Për Shtetet e Bashkuara, njohja reciproke midis Kosovës dhe Serbisë është çelësi për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në Ballkanin Perëndimor. Në këtë kontekst, respektimi i të drejtave të pakicave shihet si një kusht i domosdoshëm për të ndërtuar një marrëdhënie të qëndrueshme ndërmjet dy shteteve. Marrëveshja e Washingtonit më 2020, e cila u nënshkrua nën ndërmjetësimin e administratës së Trump, përfshinte zotime konkrete për bashkëpunim ekonomik midis Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë ndërtimin e autostradave dhe linjave hekurudhore që do të lehtësonin integrimin e komuniteteve të ndryshme etnike në të dyja vendet.

Mbështetja e vazhdueshme për Kosovën në organizatat ndërkombëtare

SHBA ka qenë një avokat i palodhur për të drejtat e Kosovës në organizata si Kombet e Bashkuara dhe NATO. Duke pasur parasysh që Kosova ende nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, SHBA vazhdon të sigurojë mbështetje diplomatike për njohjen dhe mbrojtjen e interesave të saj. Në vitin 2023, SHBA mbështeti përpjekjet e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, duke theksuar rëndësinë e rolit të këtij institucioni në garantimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të minoriteteve në vend.

Të Drejtat e Komunitetit Serb në Kosovë: Korniza Ligjore dhe Instrumentalizimi nga Beogradi

Kosova ka zhvilluar një kornizë kushtetuese dhe ligjore që garanton të drejtat e komuniteteve pakicë, përfshirë komunitetin serb, duke ndërtuar një model demokratik gjithëpërfshirës. Megjithatë, pavarësisht këtyre garancive, komuniteti serb në Kosovë mbetet peng i politikave hegjemoniste të Beogradit, i cili përdor këtë komunitet si një instrument për të sfiduar sovranitetin e Kosovës dhe për të ruajtur ndikimin e tij në rajon.

1. Korniza Ligjore dhe Garancitë për Pakicat në Kosovë

Kushtetuta e Kosovës është një nga më përparimtaret në rajon për mbrojtjen e të drejtave të pakicave, duke përfshirë:

Përfaqësim të garantuar në Kuvend: Nga 120 vende në Kuvendin e Kosovës, 20 janë të rezervuara për komunitetet pakicë, ku 10 vende u takojnë serbëve.

Përdorim i barabartë i gjuhëve: Gjuha serbe është një nga gjuhët zyrtare të Kosovës, duke siguruar qasje në dokumente dhe shërbime publike për komunitetin serb.

Pakicat kanë të drejtën për të ruajtur identitetin e tyre kombëtar, kulturor, fetar dhe gjuhësor, si dhe për të menaxhuar arsimin dhe kulturën brenda komuniteteve të tyre.

E drejta për kthim dhe kompensim: Ligjet e Kosovës parashikojnë kthimin e pronave dhe shtëpive të konfiskuara gjatë dhe pas luftës së Kosovës, duke synuar të kompensojnë viktimat, përfshirë komunitetin serb.

Ligji për Mbrojtjen e Minoriteteve

Ky ligj garanton krijimin e qendrave kulturore serbe, rindërtimin e kishave ortodokse dhe financimin e aktiviteteve të komuniteteve minoritare. Për shembull, manastiret serbe si ai i Deçanit dhe Graçanicës gëzojnë mbrojtje të veçantë nga shteti.

2. Instrumentalizimi i Serbëve nga Politikat Hegjemoniste të Beogradit

Beogradi e përdor komunitetin serb në Kosovë për të ruajtur ndikimin e tij dhe për të sfiduar autoritetin e institucioneve kosovare. Kjo politikë bazohet në strategji të ndryshme që synojnë të pengojnë integrimin e serbëve në shoqërinë kosovare dhe të mbajnë tensionet etnike të larta.

2.1. Strukturat Paralele të Beogradit

Serbia ka krijuar dhe financuar struktura paralele në veri të Kosovës, duke përfshirë shkolla, spitale dhe administrata lokale që funksionojnë jashtë juridiksionit të institucioneve të Kosovës. Këto struktura, të financuara drejtpërdrejt nga Beogradi, minojnë përpjekjet për integrim dhe krijojnë një sistem të izoluar për serbët në veri.

Në vitin 2023, Serbia rriti financimet për mësuesit dhe personelin shëndetësor në veri të Kosovës, duke refuzuar të lejojë kalimin e këtyre institucioneve nën juridiksionin e Ministrisë së Arsimit dhe Shëndetësisë së Kosovës.

2.2. Bojkoti dhe Tërheqja nga Institucionet e Kosovës

Nën presionin e Beogradit, përfaqësuesit serbë shpesh bojkotojnë institucionet e Kosovës, duke krijuar vakuume politike dhe administrative. Ky bojkot është përdorur si një mjet presioni për të promovuar narrativën e Beogradit që sfidon sovranitetin e Kosovës.

Në fund të vitit 2022, Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë e mbështetur nga Beogradi, u tërhoq nga të gjitha institucionet e Kosovës, përfshirë Kuvendin dhe policinë lokale, pas një vendimi për zëvendësimin e targave serbe në veri me targa të Kosovës.

2.3. Propaganda dhe Ndikimi Mediatik

Mediat serbe të kontrolluara nga shteti shpesh përhapin propagandë kundër Kosovës, duke nxitur mosbesim dhe tensione midis komuniteteve. Kjo propagandë përshkruan serbët e Kosovës si “viktima të persekutimit,” pavarësisht garancive dhe masave mbrojtëse që ofron Kushtetuta e Kosovës.

Në maj 2023, mediat serbe raportuan në mënyrë të pavërtetë se qeveria e Kosovës po “dëbonte” serbët nga pronat e tyre në veri, duke shkaktuar tensione dhe protesta në rajon.

3. Pasojat për Komunitetin Serb në Kosovë

Instrumentalizimi i komunitetit serb nga Beogradi ka krijuar pasoja të shumta negative për këtë komunitet, përfshirë:

Izolim dhe varësi ekonomike: Serbët në veri mbeten të izoluar nga pjesa tjetër e Kosovës dhe varen ekonomikisht nga financimet e Beogradit.

Mosintegrim dhe frikë: Shumë serbë ndihen të frikësuar të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës për shkak të presionit dhe kërcënimeve nga aktorët lokalë të lidhur me Serbinë.

Përkeqësimi i marrëdhënieve ndëretnike: Tensionet e vazhdueshme krijojnë një atmosferë mosbesimi midis komuniteteve shqiptare dhe serbe, duke penguar ndërtimin e bashkëjetesës.

Në dhjetor 2022, pas tërheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës, në veri pati një rritje të incidenteve të dhunshme, përfshirë sulme ndaj policisë së Kosovës dhe EULEX-it, duke krijuar një klimë pasigurie për të gjithë banorët.

Angazhimi i Kosovës dhe Mbështetja Ndërkombëtare

Kosova ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të përmirësuar integrimin e serbëve, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Disa nga masat përfshijnë:

Dialogu Kosovë-Serbi: Marrëveshja e Brukselit dhe ajo e Washingtonit kanë si qëllim përmirësimin e marrëdhënieve dhe integrimin e komunitetit serb në sistemin kosovar.

Projekte zhvillimi: Përmes programeve si ato të financuara nga USAID, janë përmirësuar shkollat, rrugët dhe qendrat shëndetësore në zonat e banuara nga serbët.

Shembull konkret: Në vitin 2020, USAID financoi një projekt për ndërtimin e rrugëve dhe infrastrukturës në komunat me shumicë serbe, duke rritur qasjen në tregje dhe shërbime për banorët lokalë.

Instrumentalizimi i komunitetit serb nga Beogradi mbetet një nga pengesat kryesore për paqen dhe stabilitetin në Kosovë. Për të adresuar këtë sfidë, Kosova duhet të vazhdojë të promovojë një model gjithëpërfshirës, ndërsa bashkësia ndërkombëtare duhet të rrisë presionin ndaj Serbisë për të ndalur ndërhyrjet e saj hegjemoniste. Vetëm përmes dialogut të sinqertë dhe zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese mund të ndërtohet një e ardhme më e qëndrueshme për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës nuk kufizohet vetëm në mbështetje politike dhe diplomatike. Ai përfshin edhe një angazhim të qartë për ndërtimin e një shteti demokratik, sovran dhe gjithëpërfshirës, ku të drejtat e komuniteteve pakicë respektohen dhe promovohen. Përmes politikave të saj dhe projekteve konkrete, SHBA vazhdon të mbetet një partner strategjik i Kosovës në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për të gjithë qytetarët e saj.

Filed Under: Emigracion

Sazani, nga një shkëmb me gjarpërinj në një “Havai Socialist”

January 24, 2025 by s p

Satirë nga Rafael Floqi

Në odën magjike të transformimit socialist, ku plehrat kthehen në florinj dhe llokmat e Shqipërisë bëhen kafshatë e ëmbël për miliarderët, historia e Sazanit po luhet si një opera groteske. Ishulli ynë, me gjarpërinj, shkurre dhe bunkerë ndryshkatarë, është veshur me aureolën e një thesaresh të padukshëm – por vetëm për sytë e Jared Kushner dhe klientëve të tij me jaht.

Rama, me shkopin magjik të “rilindjes” ekonomike, ka arritur të shesë edhe legjendat urbane: “Ç’duan shqiptarët me këtë copë shkëmb? Do ta shndërrojmë në një parajsë turistike për miliarderët, se s’kemi luksin t’i kemi turistët tanë të zakonshëm që vijnë me makinat e Kosovës dhe mbajnë byrek në çantë.” E gjithë propaganda duket sikur na pëshpërit: “Falenderoni kryeministrin, që e gjeti një të çmendur të marrë këtë gjë të pashpresë.”

Rrëfimi i Përsëritur: Nga “Pisllëku” në “Parajsë”

A ju kujtohet Porti i Durrësit? Dikur ishte turpi i qytetit, një qendër “qelbur pisllëku”. Kur Alabari u shfaq, Rama na tregoi se ishte gati të derdhte lot falenderimi për këtë investitor bujar që pranoi të merrte “për turp” një copë Shqipëri falas. Tani, është radha e Sazanit – me ndryshk, ferra dhe ndonjë bunker. Jared Kushner, një dhëndër që duket se ka të njëjtin sy për biznes si për politikë ndërkombëtare, tashmë ka nënshkruar martesën e tij të re: jo me një zonjë Trump, por me zonjushën Shqipëri.

Socialistët dhe Dashuria për Miliarderët

Ajo që bie në sy është adhurimi i socialistëve tanë për miliarderët. Nga Kushner te Alabar, çdo figurë me një jaht dhe një çek të madh shihet si Mesia i ardhshëm i ekonomisë shqiptare. Ndërkohë, qytetari i thjeshtë, ai që mbërrin me një makinë të lodhur dhe një çadër dielli të blerë me zbritje, shihet si pengesë për zhvillimin.

Sipas kësaj logjike, Shqipëria është një tokë që mund të shpëtohet vetëm nga miliarderët. Por nëse do të ndjekim këtë rrugë, do të përfundojmë si Havai, ku turizmi super-elitar ka kthyer banorët vendas në kamerierë, të pamundur për të blerë shtëpi në tokën e tyre.

Alternativa e Humbur: Nga Kushner te Sipërmarrësit Lokalë

A ishte e pamundur që Sazani të zhvillohej ndryshe? A nuk mund të krijonim një model turizmi të hapur dhe përfshirës, ku banorët e zonës të bëheshin sipërmarrës, dhe jo thjesht shërbëtorë? Në vend që Sazani të kthehej në një kafaz të artë për miliarderët, mund të kishte qenë një destinacion për të gjithë – nga turistët shqiptarë te ata të huaj.

Përfundimi: Një Parajsë që S’i Përket Shqiptarëve

Dhe kështu, për shqiptarët, Sazani nuk është më një ëndërr. Është një kujtesë e asaj që ndodh kur investimet politike maskohen si strategjike. Një tjetër copë Shqipëri që zhduket nga dora e qytetarit të zakonshëm dhe shndërrohet në një “parajsë” për të cilën shqiptarët duhet të punojnë, por nuk do ta shijojnë kurrë.

Kjo është satira jonë e përditshme: një qeveri që “dimonizoi” Sazanin për ta shitur si mrekulli. Shqipëria, si gjithmonë, është një tokë e bekuar – por, për fat të keq, e bekuar për të tjerët.

Filed Under: Ekonomi

Baballarët e kombit…

January 24, 2025 by s p

Artan Nati/

Në çdo 28 nëntor ne shqiptarët festojmë ditën e pavarësisë dhe bashkë me të ne kujtojmë e përkulemi me respekt ndaj figurave ose baballarëve të kombit tanë duke filluar me Skënderbeun dhe më tej me rilindasit e lufëtarët legjendarë e duke e kurorëzuar me shpalljen e pavarësisë nga plaku Ismail Qemali e patriotë të tjerë. Dua të theksoj se kontributet e tyre për kombin tonë janë madhështore dhe monumentale, por edhe gabimet e tyre njerëzore që shkaktuan kaq shumë dhimbje. Asnjë nga Etërit tanë themelues nuk ishte 100% hero ose 100% plangprishës. Ata ishin qenie njerëzore. Ata arritën diçka vërtet të jashtëzakonshme duke na dhuruar pavarësinë dhe lirinë tonë, por ata nuk ishin të përsosur dhe ne nuk duhet të pretendojmë se ishin. Unë jam mirënjohës për lirinë që gëzoj për shkak të punës së palodhur, urtësisë dhe sakrificës së Etërve tanë dhe shumë të tjerëve. Por unë nuk i adhuroj ata, por më pëlqen t’i shikoj me sy kritik, për të njohur më mirë veten, kulturën tonë si edhe këtë situatë ku ndodhet Shqipëria jonë sot. Nuk do të dëshiroja që këta drejtues, politikanë apo figura të kulturës dhe artit të ditëve të sotme, të konsiderohen si ëngjëj apo patriotë dhe legjendarë nga brezat e ardhshëm.

Atdhedashuria i frymëzon njerëzit, siç bëri sigurisht me Etërit tanë. Por edhe kur i frymëzon, ajo nuk ua heq aftësinë për të bërë gabime, madje edhe gabime serioze. Atdhedashuria i frymëzon njerëzit, por shpesh dëshira për status dhe interesi personal, i frymëzon ata më shumë. Kjo është si të thuash bekimi dhe mallkimi ynë, kjo është natyra njerëzore dhe shpesh ata që ne i quajmë etër të kombit bëjnë gabime monstruoze, të cilat për çudi ne i harrojmë me qëllim apo për naivitet. Etërit e kombit ishin qenie njerëzore me të meta si ju apo unë. 

Të qenit perfekt nuk është ajo që e bën diçka të bukur, por, janë papërsosmëritë që i bëjnë njerëzit perfekt.

“Sa më i përsosur të jetë personi nga jashtë, aq më shumë demonë ka nga brenda.”

Nën mbulesën e lëmuar të përsosmërisë shpesh shtrihet një tapiceri e emocioneve dhe dobësive të paeksploruara. Konstatimi i Frojdit penetron nëpër fasadë, duke na kujtuar se autenticiteti shfaqet kur ne njohim dhe integrojmë papërsosmëritë tona. 

Prandaj shpesh thuhet se një gënjeshtër qëndron në njërën këmbë dhe vërteta në dy, duke nënkuptuar se perfektja nuk ka kuptim pa bashkëegzistencën e joperfektes. Është fyese në fakt, biles djallëzore do të thoja, prezantimi i shumë figurave tona të shquara në fusha të ndryshme si ajo e politikës, artit, shtetformimit etj si perfekte, duke mos nxjerrë në dritë anën e tyre negative . Ky është shërbimi më i keq që ata mund t’i bëjnë kombit sepse sa më perfekte ata ta paraqesin të kaluarën dhe personazhet e saj, aq më shumë ata mbulojnë demonët e tyre dhe nuk i japin mundësi kombit të njohi demonët e tij, të sfidojë limitet e veta dhe të marri përgjegjësi për dështimet dhe problemet e krijuara. Ne si komb e kemi domosdoshmëri të përballemi me demonët tanë, me problemet dhe gabimet e heronjve tanë realë dhe imagjinarë dhe nuk kemi nevojë për të ashtuquajturit intelektualë, të cilët për shkak të injorancës apo djallëzisë së tyre injektojnë mentalitetin e skllavit tek shqiptarët, duke fajësuar gjithmonë fqinjët tanë, fuqitë e mëdha apo komunizmin( të cilin ne vetë e përqafuam). Ndërkohë që shumë nga analistët apo edhe atdhetarët tanë shajnë komunizmin dhe komunistët me të drejtë, po këta persona harrojnë të përmendin faktin se Fan Noli, si një nga figurat më të mëdha patriotike dhe kulturore të vendit, ishte përkrahës i Bashkimit sovjetik si edhe u bekua si kryepeshkop i vendit nga kisha ortodokse e Rusisë. Gabimi i Nolit ishte tërësisht njerëzor, po të kemi parasysh faktin se edhe një nga filozofët më të mëdhenj të shekullit të kaluar dhe pikërisht Jean Paul Sartre, ishte një mbështetës dhe avokat i socializmit dhe komunizmit. Kjo nuk e ul aspak figurën e Nolit, përkundrazi e bën atë më perfekte, më njerëzore dhe na tregon qartë se ne shqiptarët kishim dhe ndoshta kemi një tendencë jokoshiente për të përqafuar komunizmin apo të majtën, dhe kjo ndoshta edhe si pasoje e ndarjes kulturore dhe ekonomike nga europa perëndimore, për shkak edhe të pushtimit otoman. Kjo nuk na shfajëson, por përkundrazi na jep një mundësi të jemi koshient për kufizimet tona dhe na inkurajon të përballemi me këtë fakt në çdo hap tonin. 

Gjithashtu shpesh akuzohet perëndimi për neglizhencën ndaj Shqipërisë, sidomos pas luftës së dytë botërore, e cila përmbysi ëndërrën e patriotëve dhe intelektualëve shqiptarë të kohës. Gjithashtu akuzohen (me të drejtë) komunistët, të cilët u bënë vasalë të sllavo-komunistëve dhe si të tillë shkatërruan përfundimisht ëndërrën e bashkimit të Shqipërisë duke e futur vendin në periudhën më të zezë të historisë së Shqipërisë. Këto javët e fundit ka pasur shumë shkrime për figurat e nderuara të patriotëve, që luftuan me pushkë dhe penë për bashkimin kombëtar. Figura të tilla të nderuara si Mustafa Kruja dhe Ernest Koliqi etj, luftuan dhe punuan për bashkimin e vendit dhe përhapjen e dijes në vend dhe kjo përshkruhet në faqet e ndryshme të gazetave të vendit. Të krijohet përshtypja se fati ka qenë kundër tyre dhe vendit tonë, por le të ndalemi pak se askush nuk është ëngjëll e ndoshta edhe kanë gabuar. Në fakt, Kruja si kryeministër dhe Koliqi si ministër i arësimit, nuk bashkëpunuan me qeverinë e Zogut për interesin kombëtar, përkundrazi u munduan ta sabotojnë atë dhe kur nuk arritën synimet e tyre, u larguan në Serbi e më tej në Itali. Ata nuk pushuan së punuari për realizimin e qëllimeve të tyre patriotike, por ndoshta mënyra që zgjodhën ishte e gabuar. Ndoshta nga dëshira e madhe për ta parë Shqipërinë e bashkuar, ndoshta edhe nga dëshira e madhe e tyre për pushtet e lavdi, bëri që ata të ndihmojnë në pushtimin fashist nga Italia fashiste, duke e rreshtuar Shqipërinë me vendet totalitariste dhe kundër boshtit anglo – amerikan. Me qëndrimet e tyre bënë të mundur bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, por i dhanë indirekt ndihmën më të madhe komunizmit në Shqipëri. Komunistët, me mbështetjen direkte të jugosllavëve, shfrytëzuan urrejtjen popullore ndaj fashizmit dhe të gjithë e dimë çfarë ndodhi më tej. Gjithashtu ministri i arsimit ndaloi të gjitha shkollat e tjera, përveç shkollave fashiste, por pati meritë të madhe për përhapjen e shumë shkollave shqipe në Kosovë dhe dërgimin e 200 mësuesve atje. Të gjitha këto që thamë më lart nuk e zbehin aspak figurën e këtyre patriotëve të nderuar, por përkundrazi me imperfeksionet e tyre, i bënë edhe më të mëdhenj e njerëzor, duke na bërë ne të kuptojmë se ata ishin njerëz si të gjithë ne dhe duke njojtur imperfeksionet e tyre na japin neve mundësi të njohim demonët tanë dhe të reflektojmë. Të tillë shembuj ka shumë me figurat tona të pas viteve 90, gabimet e të cilëve kanë qenë fatale për vendin dhe tregojnë qartë se në shumicën e rasteve, këto figura janë motivuar nga interesat e tyre personale për pushtet e para dhe lavdi. I ngjashëm ishte rasti i Ramës kur i servilosej rekomandimeve të ndërkombëtarëve për idenë e Ballkanit të hapur, në bashkëpunim me Vuçiç-in e Serbisë, por kundër interesave të Kosovës dhe kombit. Po ashtu edhe rasti i PD-së, e cila mbështeti një kriminel dhe armik të shqiptarëve në zgjedhjet e Himarës, për interesa të ulëta personale, por antikombëtare.

Si është e mundur që një nga figurat më patriotike në vend, siç është Mid’hat Frashëri, shihet me urrejtje nga një pjesë e shqiptarëve dhe me adhurim nga një pjesë tjetër. Si ka mundësi që ne nuk arrijmë të vlerësojmë si komb vlerat e mëdha të tij, megjithë gabimet njerëzore të tij.

Në përgjithësi, Etërit e kombit tonë nuk duhet të shihen si supermen më të mëdhenj se jeta, por më tepër si qenie njerëzore me të meta por me arritje të mëdhaja për kombin. Ne mund  dhe duhet  të mësojmë pjesët e shëmtuara të historisë së kombit tonë, edhe nëse kjo i largon baballarët tanë themelues nga heronj të përsosur në qenie njerëzore të zakonshme. Le të jemi mirënjohës për të gjithë ata që sakrifikuan dhe punuan për lirinë tonë.

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT